• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for August 2013

«Ortodoksia serbe» dhe « herezia shqiptare»

August 6, 2013 by dgreca

Shkruan: Bardhyl Mahmuti/

Në shkrimin tim të titulluar “’mendim i lirë’ apo ‘skizofreni politike’”  nxorra në shesh se akuzat e Fatos Lubonjës dhe Arben Idrizit kundër personaliteteve më të rëndësishme të historisë moderne të Kosovës bazohen në dokumentin e përpiluar nga institucionet politike dhe të shërbimeve sekrete (civil dhe ushtarak) të Serbisë, të titulluar “Albanski terorizam i organizovani kriminal na Kosovo i Metohiji”.

Reagimet e shumta kundër përpjekjeve të Fatos Lubonjës, Arben Idrizit, Halil Matoshit, Berat Buzhalës dhe Imer Mushkolajt që të na e “shesin” «vizionin serb» për Kosovën si gjoja “shprehje e mendimit të lirë të shkrimtarëve dhe intelektualëve” mobilizoi personat e lartëpërmendur që t’u vërsulen kundërshtarëve të vet dhe mbrojtësve të «vizionit shqiptar» me një arsenal të llojllojshëm akuzash.

Në shikim të parë, përmes kësaj forme akuzash ata përpiqen të krijojnë përshtypjen se janë “viktima të logjikës totalitare”, se gjoja janë “heretikët e mendimit unik” dhe në këtë mënyrë të përmbysin rolet:nga persekutor në viktimë!

Për këtë arsye, analizat duhet të jenë të përqëndruara në aspektë të ndryshme. Mirëpo, që në fillim po theksoj se fakti i aspekteve të ndryshme që përmbajnë akuzat e tyre nuk janë të rastësishme. Përkundrazi! Ato janë tejet të koordinuara dhe në harmoni të plotë me logjikën e argumentimit të mbrojtësve të «vizionin serb»!

Në këtë shkrim do të përqëndrohem në përpjekjet e këtij klani për të përmbysur rolet dhe për të paraqitur veten si ‘heretik’ dhe ‘vikktima’ dhe do të nxjerr në shesh se stigmatizimi i mbrojtësve të «vizionin shiptar» si “fundamentalist”, “si klerik politik ”, “si inkuizitor”, si “stalinist”, si “enverist” etj. sado kundërthënëse dhe përjashtuese të duket, sado që, siç konstaton Arben Idrizi, “ekziston një dallim fundamental në mes nocioneve” ato janë koherente me arsenalin e termeve të ambalazhuara në “kuzhinën serbe” dhe të përdorura vazhdimisht, si në të kaluarën ashtu edhe sot!

Para se të vazhdoj të trajtoj kontekstet shoqërore dhe historike të përgatitjes së “nocioneve” stigmatizuese serbe kundër shqiptarëve, e shoh të udhës që të përmend shkurtimisht domethënjen e dy nocioneve: «ortodoksia» dhe «herezia».

Ky digression do të na ndihmojë që të kuptojmë se fjala është për përmbysjen e roleve në dinamikën e konfliktit dhe luftës në Kosovë.

Fjala «ortodoksi» ka prejardhje nga greqishtja e vjetër ὀρθός, orthos (« e drejtë », « e saktë», « korrekt »), dhe δόξα, doksa (« rrugë », « opinion » « mendim »), që tekstualisht do të thotë “rrugë e drejtë”, « opinion i drejtë », « mendim i saktë». Ndërsa, nga ana tjetër, fjala «herezi» në shumicën e gjuhëve ka depërtuar përmes fjalës latine haeresis, e kjo ishte huazuar nga greqishta e vjetër dhe paraqiste një mundësi zgjedhje e një« doktrine, opinioni, sistemi ideshë». Pra, përcaktimi për një vision alternative, qoftë religjioz apo politik, përballë «ortodoksisë» dominante.

Këto dy «nocione» do të jenë kategori kryesore të luftës së “vizionit religjioz të krishterë” dhe mbrojta e “ortodoksisë” arsyetohej si mission për t’i siguruar «paqen qillore» njerëzimit!  Përmes ‘censurës’ dhe ‘inkuizicionit’-terme të preferuara të grupit të lartëpërmendur të “shkrimtarëve” dhe të “intelektualëve- si instrumente dhune, “vizionarët e krishterë” do të krijojnë «ferrin tokësor».

Meqenëse në tipologjinë e diskursit të pjestarëve të grupit të “shkrimtarëve” dhe “intelektualëve” theksohet përndjekja e “heretikeve” nga ” inkuizitorët” dhe “ nga klerikët e indoktrinuar deri në asht nga dogma” po përmendi vetëm disa të dhëna që karakterizojnë luftën në mes «ortodoksisë» dhe «herezisë».

Vrasjet, burgosjet dhe shkatërrimi i çdo gjëje që nuk ishte në përputhje me “vizionin e krishterë” janë karakteristikat e kësaj forme të totalitarizmit me të cilën është ballafaquar njërzimi. Që të ruhet ‘vërtetësia e kësaj dogme’ autoritetet kishtare do të hartojnë «Lista të  librave të ndaluara (Index Librorum Prohibitorum)» dhe kjo frymë e përndjekjes do të jetë e praninishme deri në vitin 1966).

Sa i përket përmasave të ndalesave të librave dhe autorëve përmes futjes në “lista” (Indekse!)  po përmendim se “vetëm gjatë periudhës 1600-1996 janë ndaluar rreth 5200 vepra dhe rreth 3000 autorë.  (Index Librorum Prohibitorum 1600-1966, Vëllimi i XI, 2002, f.34 Vepër e përpiluar nga grup autorësh nën drejtimin e J.M. Bujanda).

Sa i përket kësaj forme të trotalitarizmit dhe analogjisë që bëjnë me Kosovën anëtarët e grupit të lartëpërmendur, e shoh të udhës të përmend vetëm një segment të “visionit të krishtërë” si “ortodoksi”, si “rrugë e drejtë”, si “vizion i drejtë”: “Zbulimi I kontinentit te Ri” dhe kolonizimi i tij!

Në mënyrë të ngjajshme si dyndja e popujve sllav mbi territoret iliro-shqiptare, ushtarët dhe klerikët e popujve të “civilizuar” te Europës iu vërsulën territoreve dhe popujve autokton të “Botës së Re”. Duke i stigmatizuar si “njerëz të egër”, si “njerëz pa shpirt”, si “popuj të pacivilizuar”, si “popuj barbar” etj., ata që pretendonin se kishin “mandatin hyjnor” që t’i siguronin njerzimit rrugën drejtë ‘parajsës qiellore’ ushtruan format më çnjerëzore të dhunës.

Të udhëhequr nga strategjia se “Konkistadorët janë ketu për te vrarë dhe për të marrë , ndërsa fetarët për të fshirë kujtesën dhe krenarinë e autoktonëve “( Fernando Baez, Histoire universelle de la destruction des livres, Fayard, 2008, f 156) u shkatërrua çdo gjë që ishte e mundur të shkaterrohej në këtë “Botë të Re”.

Nuk do të zgjatem në tërë atë dhunë të ushtruar kundër civilizimeve të kësaj “Bote të pacivilizuar” por, po përmendi sa për ilustrim vetëm këtë. Peshkopi dhe inkuizitori spanjoll i Meksikës, Juan de Zumarraga, me mburrje krenohej se kishte djegur të gjitha kodekset e popullit Aztek qe kishin shpëtuar nga djegja e mëparshme. (Vepra e cituar e Fernando Baez, f.155) ndërsa zëvendësi i tij, Diego de Landa, në vitin 1548 organizoi në qytetin Mani asgjësimin e 27 kodekseve dhe 5000 tempujve dhe idhujve të civilizimit Maja. Vetëm tri kodekse të këtij civilizimi kanë mundur të mbijetojnë kohët. ( Vepra e cituar, f 177)

Në këtë artikull nuk mund të nxjerrim tërë atë dhunë të ushtruar nga pushtuesit serb për të humbur të gjitha gjurmëve iliro-shqiptare të territoreve të pushtuara. Nëse ka nevojë mund ta bëjmë në shkrimet e ardhshme. Ajo që mund të thuhet në këtë shkrim ka të bëjë me analogjinë tejet domethënëse në mes të “konkistadorëve të Amerikës Latine” dhe të ushtarëve dhe priftërinjeve serb, ku dikush “vriste dhe mirrte” e dikush përpiqej “të fshinte kujtesën dhe krenarinë e autoktonëve”.

Ti kthehemi edhe një herë temës së mëparshme të stigmatizimit të shqiptarëve.

Fenomeni i stigmatizimit të shqiptarët nga institucionet politike, diplomatike dhe mediatike serbe do të merr përmasa jashtëzakonisht të mëdha, sidomos në periudhën e shpërbërjes së Perandorisë otomane dhe krijimin e kontekstit shoqëror dhe historik që lidhet me procesin e krijimit të shteteve të pavarura në këtë pjesë të Europës.

Fatkeqësisht, stigmatizimi serb i shqiparëve si “islamik në Europën e krishterë” do të gjejë përkrahësit e vet edhe në qarqet politike dhe diplomatike të Fuqive të Mëdhe të asaj kohe.

Mbështetja e “visionit serb” nga Fuqitë e Mëdha, sidomos nga Rusia cariste, dhe ‘mbyllja e veshëve me dhyll’ ndaj ‘të vërtetës shqiptare’ do të kenë pasoja të mëdha në përcaktimin e kufijve shtetëror në këtë pjesë të Ballkanit.Tërësia e territoreve të banuara me shqiptar  që përfshinte Vilajeti i Kosovës, si njësi administrative e Perandorisë Otomane , dhe një pjesë e madhe e territoreve të banuara me shqiptar që përfshinte Vilajeti i Manastirit, i dhurohen shtetit të ri serb.

Të gjithë të interesuarit për këtë periudhe vendimtare në krijimin e shteteve të reja në Ballkan mund të binden se “vizioni serb” dhe’vizioni grek”, të propaganduara si vizione të “krishtera”, do të arrijnë suksese në përhapjen e mendimit se “shteti shiptar në Ballkan” do të ruante prezencën otomane në Evropë. Rezultate e Kongresit të Berlinit, të Konferëncës së Ambasadorëve në Londër dhe e të ashtuquajturës “Paqë e Vërsajës” e trimëruan politikën serbe që të Aplikojë politikat shfarrosëse kundër shqiptarëve në përputhje me “vizionin e saj ortodoks” të shtuar në Platformën famëkeqe «Naçertanje».

Moment tjetër që e shoh të rëndësishëm ta përmendi lidhet me pozicionimin e Jugosllavisë në anën e shteteve komuniste. Që nga instalimi i diktaturës komuniste në Jugosllavi, dhjetëra mijë shqiptarë u ekzekutuan pa gjyq nën akuzën  “e antikomunizmit dhe ndikimit me ideologji borgjeze”. Ata që nuk pranonin “ortodoksinë’ serbe, të definuar dhe të kamufluar nën plafin e “parajsës jugosllave” përjetuan ferrin në Kosovë dhe viset tjera shqiptare.

Vetëm disa vite më vonë, sidomos pas prishjes së marrëdhenjeve politike dhe diplomatike me “Internacionalen Komuniste “ në vitin 1948, shqiptarët do të vriten, përndiqen, arrestohen dhe dënohen nën akuzën e “ithtarëve të stalinizmit”.

Periudha nga shpërthimi i demonstratave të vitit 1981 e deri te shpërthimi i luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës përbën një moment kyq në strategjinë e luftës antishqiptare.

Kontestimi masiv i “ortodoksisë serbe” se gjoja “shqiptarët kishin vendosur me vullnet të vet t’i bashkohen Serbisë” dhe kërkesa e afishuar për të jetuar të pavarur nga Serbia në kuadër të Federatës jugosllave, i terboi bartësit e aparateve shtetërore, politike, mediatike dhe religjioze të “vizionit serb”. Komunistët serb dhe shqiptar të Lidhjes së Komunistëve të Serbisë dhe të Kosovës u vërsulen me të gjitha aparatet e dhunës fizike dhe mediale kundër ‘heretikëve’ shqiptar.

Të akuzuar si “nacionalist” dhe si “enverist” vetëm në periudhën 1981-1987 do të kalojnë nëpër duart e hetuesisë serbe dhe argatëve të tyre komunistë shqiptar të Lidjes së Komunistëve të Kosovës mbi 1/3 e popullsisë shqiptare të Kosovës.

Krahas vrasjeve, plagosjeve, arrestimeve dhe dënimeve të atyre që nuk pranonin t’i nënshtroheshin “të vërtetës serbe”, me mijëra libra shqip, të botuara në Tiranë, këngë dhe vepra të diciplinave të ndryshme shkencore u ndaluan me dekret shtetëror. ‘Inkuizicioni i klerikëve komunistë serb e shqiptar të Kosovës kundër ‘herezisë’ shqiptare është i dëshmuar në shumë vepra në gjuhën shqipe dhe në gjuhë të huaja.

Interpretimi zyrtar i komunistëve serb lidhur me vendimin e aneksimit të Kosovës konsistonte në gjoja shprehjen e lirë të vullnetit të popullit shqiptar për të jetuar nën Serbinë socialiste. Këtë interpretim të “ortodoksisë komuniste serbe” argatët shqiptar në strukturat komuniste të Kosovës të tipit të  Ali Shukriut, Sinan Hasanit, Mehmet Maliqit dhe funksionarëve tjerë që përpiqeshin edhe më tepër se serbët që të mbanin “ortodoksinë e vizionit serb” si opcion të vetëm  për Kosovë.

Madje, ata do të mundohen të bindin “turmën e manipuluar” “se rruga e Kosovës drejt zhvillimit të gjithanshëm dhe Fondeve të Federatës kalon nëpër Beograd”.

Opinionit publik shqiptar dhe të gjithë atyre që kanë përcjellur me vëmendje ngjarjet e asaj kohe ju kujtohen mirë këto deklarata. Siç ju kujtohet edhe deklarata e xhelatit të «Kushtetutës së Tankeve», Rrahman Morinës, “se populli shqiptar me ndryshimet e kushtetutës të vitit 1989 nuk ka humbur asgjë por ka fituar shumë! Por, fatkeqësisht në mesin tonë ka hi një dreq i madh dhe po mundohet ta turbullojë mendjen e popullit” . Kjo deklaratë e Rrahman Morinës për “Dreqin e Madh” që “turbullon shpirtin e popullit dhe që mund ta bëjë të shpërthej  kundër Serbisë” ndodhi në kohën kur bartësit e aktivitetit kundër okupimit serb të Kosovës bëhëj në mënyrë tërësisht të fshehtë. Pra, në kohën kur pushteti i okupatorëve të Kosovës nuk i dinin se kush ishin personat konkret. Po rikujtojmë se cilësimi me termin «dreq» është cilësim tipik i “inkuizitorëve dhe klerit fetar”.

Përmbysja e komunizmit dhe instalimi i sistemit gjoja demokratik në  Serbi, e cila udhëhiqej nga ish diktatori komunist S. Millosheviq, krijoi kontekstin “à la mode” që të fshihen cilësimet e moçme të “shqiptarit antikomunist dhe të ndikuar nga ideologjia borgjeze” dhe të ndryshojnë amballazhin e akuzave përmes të cilave shqiptarët që nuk pranonin ortodoksinë e vizionit serb të stigmatizohen si “komunist”, si “terrorist” dhe si “fundamentalist”…

Në këtë shkrim nuk do të zgjatem në citimin e diskurseve të shumta të politikanëve dhe gazetarëve serb, dhe të atyre «jo serb» (madje edhe shqiptar!) që mbështesnin “vizionin serb për Kosovën” si “vision i vetëm i drejtë” dhe, sipas të cilëve, shqiptarët që nuk pranonin këtë “të vërtetë” nuk ishin gjë tjetër pos “komunist”, “stalinist”, “enverist”, “terrorist”. “ekstremist”, “fundamentalist”….

Kësaj radhe do të kufizohen vetëm në shkrimet e kohëve të fundit të “shkrimtarëve” dhe “intelektualëve” të sortës së Lubonjës, Idrizit, Buzhalës, Matoshit dhe Mushkolajt.

Një çerek shekulli më vonë, tani më kur edhe emrat e bartësve të veprimtarisë çlirimtare të Kosovës janë publik për opininin kombëtar dhe atë ndërkombëtar, pasardhësit e Ali Shukriut, Sinan Hasanit, Mehmet Maliqit, Rrahman Morinës etj nën maskën e të drejtës për të shprehur lirshëm mendimin e tyre do të aktualizojnë diskurset dhe stigmatizimet e vjetra. Kështu, Arben Idrizi, të cilit i pëlqenjë parafrazimet herë të Senekës e herë të Salman Ruzhdiut kësaj radhe, në shkrimin e tij të gjatë kundër Jakup Krasniqit dhe “turmës së manipuluar”, parafrazon Rrahman Morinën. Ai,  ndër të tjera shkruan:

“Ballafaqimi human dhe intelektual me doktorë të shkencës si z.Krasniqi është më i vështirë se ballafaqimi me djallin. Turma në vetvete shpesh mund të jetë e ndenjur, janë ai lloji i klerikëve që e trazojnë, e bëjnë të pluskojë dhe gurgullojë, derisa edhe të shpërthejë si vullkan. Klerikët politikë dhe klerikët fetarë, sidomos kur janë të indoktrinuar deri në asht nga dogma përkatëse dhe njëkohësisht kanë në dorë pushtetin dhe gëzojnë njëfarë autoriteti (çfarëdo qoftë) para turmës që përfaqësojnë, në të vërtetë nuk janë veçse ideologë skizofrenikë të vrasjeve, shfarosjeve individuale e në masë”. Duke mos ia përmendur emrin e Rrahman Morinës, ai mendon se do t’ia arrijë të fsheh gjurmët e burimeve të “mendimeve të veta të lira”!

I vetmi dallim i tekstit të Arben Idrizit nga teksti që i ishte dhenë Rrahman Morinës për ta recituar 25 vite më parë qëndron në përmendjen e emrit të «dreqit të madh», të z. Jakup Krasni. Për ta krijuar mozaikun biblik “të dreqërve të tjerë” që kontestojnë ortodoksinë serbe, po i njëjti Arben Idrizi, siç mund të shihet në shkrimin e titulluar ’Mendim i lirë’ apo ‘skizofreni politike’, e publikoi “listën serbe” të atyre personaliteteve të shquara të historisë së re të Kosovës që krijuesit dhe mbështetësit e vizionit serb i konsiderojnë për ‘kriminele dhe vrasës’.

Në arsenalin e “listave”, si në kohën e inkuizicionit, nuk munguan as emra personash e as vepra të caktuara. Madje, kopjimi i diskursit të para 25 viteve nuk i mungoi as Enver Hoxha. Jakup Krasniqi, ky “dreq i madh” «që trazon turmën deri në shpërthime vullkanike» siç cilësohet në shkrimin që mban emrin e Arben Idrizit, nuk ka të drejtë, në cilësinë e doktorit të shkencave të historisë apo edhe të bindjeve të veta personale, të mbajë as librat e Enver Hoxhës, sepse ai ishte për paraardhësit e Rrahman Morinë dhe kopilave të ortodoksisë serbe “Nëna e Dreqit”! Fotografia e e Enver Hoxhës në kopertinën e një libri shndërrohet, në diskurset e kësaj sorte, në “fotografi bukur të madhe në kornizë”!

Në arsenalin e sulmeve që grupi i “shkrimtarëve”, “intelektualëve”, “krijuesve të opinionit” dhe “deputetit” nuk munguan edhe nocionet tjera stigmatizuese të kuzhinës serbe.

Kështu, Berat Buzhala, në cilësinë e deputetit të PDK-së, në shkrimin ekskluziv për Gazetën Ekspress, shkruan artikullin e titulluar “ Lubonja dhe Beni nuk janë problem”  deklaron me pompozitet se edhe në rastet “kur nuk pajtohet me konstatimet e ‘ngushta’ dhe ‘rigjide’ të Lubonjës dhe Benit prapë se prapë unë rreshtohem në taborin e tyre nëse do të më kërkohej që të rreshtohesha. Me tërë qenien time unë i urrej fundamentalistët!”  Që i urren “fundamentalist” që luftuan ortodoksinë serbe Berat Buzhala e ka bërë të qartë që moti. Por, ajo që mbetet e paqartë dhe që përpiqet ta fsheh në shkrimin e tij lidhet me faktin se ai nuk e tregon se kush i kërkoi “të rreshtohet pro Lubonjës dhe Benit”. Fundi i fundi kjo nuk  çon shumë peshë. Ajo që shihet qartë ka të bëjë me arsenalin e stigmatiziimit të shqiptarëve me nocione dhe terme të gatuara në kuzhinën serbe.

Megjithatë duhet të pranoj se Berat Buzhala ka të drejtë kur thot së “Lubonja dhe Beni nuk janë problem”. Problemi qëndron në “vizionin serb për Kosovën”, si vision racist dhe gjenerator I politikave të shpeshta gjenocidale në këtë pjesë të Europës. Për deri sat ë mbetet gjallë dhe të ushqehet kjo “ortodoksi serbe” edhe ndër shqiptarë do të gjenden të atillë që do të mendojnë  “se rruga e Kosovës për Europë kalon nëpër Beograd”. Ndërsa, ata që si Halil Matoshin që “u vargisen thirrje e çjerrje bishash me fytyra të mërdhezura për linçim publik” tentojnë të rikthejnë strukturat dhe logjikën që aplikoi “diferencim ideopolitik” kundër atyre që rrugën e Kosovës për në Europë nuk e shohin përmes Beogradit”.

Zhurma dhe “çjerrjet e bishave” deri në kupë të qiellit për t’u sjellur argumente dhe fakte se janë ‘argatë të ortodoksisë serbe’ në Kosovë, fsheh frikën e tyre nga e vërteta. Ata që “luftojnë për mendimin ndryshe”, madje “sado ekstrem që të jetë” artikullit tim dhe fakteve që unë ua bëra publike, ia mbullën hapsirën në mediat e kontrolluara prej tyre.  Për mua është plotësisht e qartë dhe i kuptoj. Sepse, siç thot R. de Gourmont “ ajo që është më e tmerrshme në procesin e kërkimit të vërtetës, është gjetja e saj!”

6 gusht 2013

Filed Under: Analiza Tagged With: dhe herezia shqiptare, Ortodoksia serbe

‘Tradhtarët’ e mirë të klasës së mesme

August 6, 2013 by dgreca

Shkruan: Albin Kurti  /

Problemet ekonomike dhe sociale janë të njëjta dhe të ndryshme. Të njëjta në kuptimin që vështirë të gjesh se ku fillon njëra e ku përfundon tjetra. Dhe, të ndryshme në kuptimin që shkaqet janë ekonomike kurse pasojat janë sociale. Mirëpo, problemet ekonomike dhe sociale janë të ndryshme jo vetëm ashtu në vetvete apo në raport me njëra-tjetrën, por edhe për shkak se këndvështrimet e njerëzve janë të ndryshme. Pra, janë të ndryshëm njerëzit që flasin për gjërat dhe jo, thjesht, gjërat. Kështu, klasa e pasur në Kosovë përgjithësisht nuk sheh as probleme ekonomike dhe as probleme sociale – sipas tyre Kosova po përparon, duke shtuar eventualisht që ky përparim mund të mos e ketë shpejtësinë e mjaftueshme. Në fakt, kur kjo klasë flet për shpejtësinë ajo realisht flet për klasat e tjera për të cilat Kosova nuk po përparon. Pamjaftueshmëria e shpejtësisë së përparimit të Kosovës e konstatuar nga klasa e pasur duhet lexuar si pamjaftueshmëri e shtrirjes dhe gjerësisë së përparimit edhe në klasat e tjera (përveç asaj të pasur). Prandaj, porsa i ndezim televizorët që t’i ndjekim edicionet e lajmeve, ajo që më së shumti shohim e dëgjojmë aty janë premtimet e klasës së pasur për të tjerët. Ata që jetojnë shumë mirë në të tashmen (qeveritarët dhe miqtë e tyre) u premtojnë jetë (më) të mirë në të ardhmen të tjerëve (qytetarëve).

Në anën tjetër, klasa e mesme dhe klasa e varfër e popullsisë besojnë që Kosova ka edhe probleme ekonomike edhe probleme sociale. Mirëpo, përderisa klasa e mesme e shoqërisë identifikon probleme ekonomike, ajo e varfër konstaton probleme sociale. Dhe, më tutje, përbrenda klasës së mesme, në shtresën e epërme të kësaj klase, problemet shihen si ekonomiko-sociale, ndërkaq në shtresën e poshtme të klasës së mesme si socio-ekonomike.

Klasa e pasur, në rastin më të mirë, dëshiron të diskutohet QYSH po ikin qytetarët nga Kosova për në kampet e burgjet e Hungarisë, dhe PSE policia s’arrin dot t’i ndalojë ata. Klasa e mesme dhe e varfër, në rastin më të keq, do që të diskutojë PSE po ikin qytetarët tanë kur i kemi më shumë se 14 vjet çlirim e më shumë se pesë vjet pavarësi prapa vetes, dhe QYSH duhet të ndryshohen politikat ekonomike e sociale për ta bërë vendin tonë të jetueshëm për të gjithë. Klasa e pasur bluan mendjen se si t’ia bëjë që qytetarët të mos kenë MUNDËSI të ikin meqë po na e prishin imazhin e shtetit karshi ndërkombëtarëve, ndërsa klasa e mesme dhe e varfër duan zgjidhje që qytetarët të mos kenë NEVOJË të ikin nga vendi i tyre, që do të thotë që klasa e pasur mendon në mënyrë POLICORE kurse klasa e mesme dhe e varfër në mënyrë POLITIKE. Ose, një shembull nga bota e korporatave: ankesat për pagesat e larta të menaxherëve ekzekutivë janë krejtësisht të ndryshme për nga struktura varësisht nëse vijnë prej punëtorëve apo prej pronarëve. Është nënpyetja pas përgjigjes dhe jo pyetja e parë ajo që na i sqaron pozicionet e njerëzve, motivet e aspiratat e tyre. Ose, për t’u rikthyer sërish në Kosovë: ish luftëtarët e UÇK-së nuk përbëjnë tashmë aspak një kategori të përbashkët shoqërore: kemi një pakicë prej multimilionerësh midis tyre të instaluar në pushtet e shtet, dhe shumicën tjetër ku bëjnë pjesë edhe ata mbi 40 ish pjesëtarë të UÇK-së që bënë vetëvrasje pas luftës për shkak të kushteve shumë të rënda të jetesës. (Në disa raste kur isha për ngushëllime në shtëpitë e tyre vërehej qartë varfëria e skajshme: prej rrobave shumë të vjetra e shtëpisë së pasuvatuar edhe në muret e brendshme, e deri te xhami i krisur i gotës me të cilin ta sjellin ujin e pusit dhe qilimi që t’i lag çorapet meqë është i vendosur drejt e në tokë në vend se në dysheme.)

Për ndryshime politike dhe shoqërore në Kosovë, problemi më i madh është kur klasa e mesme nuk e mirëkupton ose edhe nuk e kupton fare klasën e varfër. Të merremi vesh: është e qartë dhe e pritshme që klasa e varfër dhe ajo e pasur të mos kuptohen me njëra-tjetrën. P.sh. një qytetar që ka pasuri prej disa milionë eurosh dhe një tjetër qytetar që ka mbetur me vetëm disa euro në xhep nuk e kuptojnë njëri-tjetrin. Ata mund të flasin të njëjtën gjuhë, p.sh. gjuhën shqipe, por ata nuk e kuptojnë njëri-tjetrin. Sepse, ata kanë botëkuptime krejt të ndryshme që vijnë prej jetesës në dy botëra aq të ndryshme e me halle po aq të ndryshme. Fundja, përvoja jonë jetësore na tregon që madje nuk ka as fakte për të cilat pajtohen të gjithë njerëzit. Mendimet e njerëzve janë të udhëhequra prej qëllimeve e synimeve të tyre, më shumë sesa prej fakteve jashtë tyre. Kjo nuk vlen për secilin rast e për çdo kohë njësoj, por nëse do të përpilonim agregate statistikore të këtyre qëllimeve e synimeve, pa dyshim që do të përfundonim tek intencat klasore. Mirëpo, kur klasa e mesme shpërfill të varfërit dhe i lë vetëm ata, aty gjendja bëhet gati e pashpresë, sepse bie potencialiteti për ndryshime. Sado të pasur që të jenë ata në pushtet dhe sado të pushtetshëm që të jenë të pasurit, kur klasa e mesme i qëndron shumë pranë masave të varfëra aty gjendja mund të jetë shumë e rëndë porse gjithsesi ka shumë shpresë për ndryshime. Të varfërit, në njërën anë, nuk kanë pasur shans për arsim cilësor, kurse, në anën tjetër, janë të kurthuar nga mbijetesa e përditshme që nuk të lë as kohë e as energji ta ngritësh kokën. Janë qytetarët që përnjëmend i duan ndryshimet e të cilët vijnë nga klasa e mesme ata që i kompensojnë mangësitë e të varfërve dhe i ndihmojnë ata në organizim e beteja politike, shoqërore dhe ekonomike. Pra, janë qytetarët e klasës së mesme ata të cilët nuk e përjetojnë realitetin thjesht si pasojë duke e kufizuar atë në shumësi problemesh sociale, por arrijnë të kuptojnë shkaqet dhe interesat ekonomike të të pasurve që prodhojnë mjerim social për të varfërit. Këta qytetarë duhet të bëhen intelektualë në kuptimin e Sartre-it, pra të ‘tradhtojnë klasën e tyre’, në drejtim të masave popullore. Për këtë gjë ka nevojë çdo vend i shtypur e i shfrytëzuar, për këtë ka nevojë edhe Kosova – pra, për ‘tradhtarë’ të klasës së mesme nga klasa e mesme. Sa më shumë këso ‘tradhtarësh’, aq më të mëdha bëhen mundësitë e rriten shpresat për ndryshimet e nevojshme.

Për fund, shpresoj që ky shkrim t’ju cysë sadopak që kur të bisedoni me të tjerët të keni parasysh që ata nuk janë vetëm persona të veçantë të popullit tonë por edhe njerëz të përgjithshëm të klasës së tyre shoqërore. Dhe, se kjo e fundit, kushedi, ndoshta i përcakton ata më shumë sesa e para. Zaten edhe këtë shkrim që porsa e lexuat nuk duhet ta kuptoni vetëm si shkrim i autorit që mban emrin e mbiemrin tim, por si një shkrim i një njeriu që i përket klasës së mesme dhe shtresës së poshtme aty. Kur lexoni shkrim të ndonjë politikani të pasur sigurisht që ai nuk është tërësisht i ndryshëm prej shkrimeve të mia vetëm për shkak se i kemi emrat e ndryshëm, apo jo?

Filed Under: Analiza Tagged With: Albin Kurti, e klases se mesme, tradhetaret

“Ah, sikur!”… të mos ekzistonte kurrё urrejtja!

August 6, 2013 by dgreca

Skicëessé nga Drita LUSHI/

Aq shumë jemi të dhënë pas lodrave në vegjëli, sa, nëse na i marrin ato, vëllai, motra, apo dikush tjetër, egërsohemi, bërtasim dhe qajmë. Përplasim këmbët, lakohemi në dysh, e me fjalët që sapo kemi filluar të mësojmë, të shqiptuara me vështirësi, flasim gjuhën tonë inatçore fëmijërore.

Në koshiencën tonë fillformuar, ne  marrim inat  atë që na merr diçka, por s’dimë si ta shprehim me fjalën e duhur.

Kjo është ndoshta një tis, apo disa kristale  “urrejtjeje” të bardha, të transmetuara  në trurin tonë nga ngacmues  të jashtëm, në formën e sinjaleve të alarmit, të humbjes së diçkaje që duam, duke bërë që  të reagojmë  fort kundër personit që na cënoi “pronën” tonë. Reagimi ndodh më shume me lot sesa me fjalë.

Ndoshta, kjo ështe “urrejtja” e parë e pavetëdijshme.

Fillesat e saj, tashmë fëmija i ka të “stampuara” në memorie dhe vetëdijen e tij, e kjo do të bëjë që ai ta ketë të gatëshme, për t’a rizgjuar sa herë do t’i preket apo merret diçka, qoftё dhe nga njё njeri shumё i dashur.

Kjo ndodh qё në periudhen  kur ne shkojmë në kopёsht.

Moshatarët, që na marrin lodrat, na shtyjnë, na “shkulin flokët”, i shohim jo me  dëshirë, por me një ndjenjë perçmimi apo inati që mund të jetë një formë “urrejtje”, në shkallën fillestare, pa ditur se çfarë është kjo fjalë dhe ndjenjë në të vërtetë.

Gjithashtu në shkollë, jemi të rrethuar nga nxënës apo studentë  të ndryshëm, nga mësuses, diku të butë,e  diku më të rreptë.

Këtu fillon diferencimi  i nxënësve, apo i studentëve, me ose pa meritë.

Ne, reagojmë me anë të pakënaqësisë ndaj këtyre veprimeve, ndonjëherë duke parë shtrembër mësues/en/in,pedagogun  që na hyn në hak, e i jep më shume se sa i takon atij nxënësit  tjetër, vetëm se ai, ështe i biri i filanit, që ka një post, apo i atij biznesmenit që ka shumё para.

Pakënaqesia jonë lind në dy drejtime: ndaj mësuesit të padrejtë, dhe ndaj moshatarit, që vetëm pse fati i ka dhënë ca para, apo një prind me pozitë, ai duhet të marrë një vlerësim më të madh se sa i takon.

Në shkollë, veç edukimit, mësojmë vetvetiu dhe  pakënaqësinë që është hapi i parë për të na çuar drejt një ndjenjë te re: urrejtjes.

A ështe  urrejtja  ndjenjë?
Tek ndjenjat, fusim përgjithësisht  vetëm ato pozitive; si psh. Dashurinë, gëzimin, lumturinë, humanizmin, njerëzoren, etj.

Çdo  ndjenjë, lind në koshiencën tonë, pa na pyetur se kur dhe si.

Janё një sërë faktorësh të jashtëm, të cilët, me apo pa qëllim, ushtrojnë ndikimin e tyre mbi ne, duke bërë të lindë urrejtja,(meqë po flas për këtë ndjenjë, por kjo ndodh, me çfarëdo ndjenjë tjetër) për një person, për një dukuri, apo ngjarje të caktuar.

Nё jetё, ështe “këmbana” e zemrës  që na transmeton “alarmet” pozitive ose negative, në trurin tonë.Pёr njё kohё, duket sikur ata flenё aty.

Pastaj ne, si qenie me logjikë, mund t’i pranojmë këto sinjale e t’i përsosim, ti modifikojmë më tej, për mirë ose për keq, ose ti lëmë  statike, të paprekura, duke i vënë barrierë, dashurisë, urrejtjes, smirës, gëzimit etj.

Pra urrejtja, është ndjenjë, ashtu sikurse dashuria, pavarësisht se ecin në kahe të kundërta dhe shtyjnë njëra-tjetrën në pole të paarritёshme.

Po marr njё shembull.

U rritëm me një televizion, me një orar të reduktuar programesh prej katër orësh.

Uleshim para tij, që kur shfaqej sigla e hapjes,e ndiqnim çdo fjalë deri në përfundim.

E ne, në fillesat ku mezi arrinim të kuptonim, e në  frymën e të vetmit kanal viziv, mundoheshim të përfytyronim se si ishte jeta “mjerane” e vendeve kapitaliste e, na dhimbëseshin ata.

Megjithëse, sa herë më duhej (megjithse fëmijë) të rrija në rradhë të gjatë per një kg. mollë, apo të  prisja  Vitin e Ri për gjërat që mund t’i ëndërroja veç në gjumë, i cili më merrte në krahët e tij, duke më qetësuar shpirtin  e lodhur nga njё dëshirë e ngatërruar me urrejtje te pa kuptimtë.

Kë urrenim vallë?

Vetëm “ata”!

Kishim “halë në sy” vendet kapitaliste-revizioniste  për “degjenerimin” e tyre, sepse kështu mësonim nga ato që shihnim, dëgjonim dhe lexonim. Konturet  e Shqipërisë, “që më mirë pranonte të hante bar” na bënin të shihnim deri tek hapi ynë.

Eshtë e vërtetë që jeta, marrëdhëniet mes njerëzve, kontaktet e punës, përshirja në rrjedhën e përditëshme normale, na krijon shpesh pakënaqësi.

Por a duhet t’i hapim rrugën me vetëdije, drejt urrejtjes?

Tashmë maturë, duke ia njohur vetes, pikat e forta e të dobëta, e kemi më të lehtë, t’i vëmë një mburojё, urrejtjes që lind për gjëra të parëndësishme, e të rëndomta, e shpesh pa shkak.

Tashmë s’jemi më ata fëmijët naivë me koshiencë të fillfomuar, por ndërgjegjia jonë është e mirëformuar.

Pra, jemi të aftë të ndajmë se cilin kah duhet të ndjekim

Kur dikush të pushton vatanin,të merr lirinë, të vret, të plaçkit, jo vetëm urrehet, por edhe luftohet.

Liria shpirtërore, ështe po aq e shenjtë sa ajo fizike.

Vetëm këto  do t’i “justifikoja”, si urrejtje të ligjëshme, mbi tё cilat, gjithnjë duhet tё veprojё drejtёsia.

Por  s’mund kuptohet dhe të justifikohet grindja dhe urrejtja mes çifteve, të cilёt mund të përfundojnë në vrasje makabre, megjithëse jetojmë në shekullin e njëzet e një!!

Kjo ndodh, sepse mungon, fjala, komunikimi pse jo dhe përgatitja, shkollimi apo gjendja ekonomike.

Eshtë edukimi, ai që vlen më shumë se gjithshka.

E ky, fillimisht merret jo vetem në shkollë por edhe në një shoqëri të hapur, me media dhe masmedia, ku shembujt janë para syve tanë.

Populli i zgjuar thotë:“Shih rrushi, rrushin dhe piqet”.

Rrushi si frut, piqet atëherë kur i vjen koha, e jo se sheh vreshtin fqinjë.

Por ne humanëve, një shembull i mirë, do të na bënte më të mire,

e një shembull i keq, do të na bënte edhe më keq, pra, dhe më të këqinj njëkohësisht.

Është e vërtetë që secili ka mendt’ e veta.

Por sado qe te qendrojme brenda sferes se mendimeve tona, perseri ajo (sfera) e humbet lemueshmerine dhe rrumbullaktesine perfekte, nga kontakti me mjedisin qe e rrethon.

Pra, sa të mirë ose të këqinjё jemi, ndikon familja, shkolla dhe shoqëria. Këto, deri në njëfarë mase.

“Peshku qelbet nga koka”- thotë përsëri mençuria popullore.

Në fakt  peshku po u prish e u qelb, prishet e qelbet i gjithi.

Por koka,… ah koka!

Njerëzit e thjeshtë, e çdo person qe jeton i rrethuar nga ky intensitet jete, shtypi, mediash, apo reklamash nuk mund të kalojë indiferent, ndaj atyre, që këto të fundit servirin para nesh.

Sot, numri i televizioneve e radiove, rritet në porpocion me vitet.

Programet që ato transmetojnë nuk janë të reduktuara, as të redaktuara, e shpesh tё pakontrolluara fare.

Detyrohem shpesh, të  ndërroj kanalin e televizionit, sepse s’dua që ime bijë  të shohë si shahen dhe pështyhen parlamentarët, si rrihen me grushte, si flasin e replijkojnë me gjuhë rruge, që sjell veç urrejtje.

Gazetat, e shtypi i shkruar në faqet e para servirin vetëm lajme sensacionale të hiperbolizuara, vetëm e vetëm që shitja t’ju sigurojë rrogën gazetarëve …partiakё.

Ky është shembulli që merr një popull i tërë, nga ata që duhet të ishin virtytet shpresëdhënës, besues e inkurajues  i njerëzve.

Urrejta si ndjenjë, të shkatërron shpirtin, të prish qetësine, gjumin, gëzimin, lumturinë.

Urrejtja të bën të harrosh virtytin mё tё lartё njerёzor: dashurinë.

Pakënaqësitё e jetёs jam munduar t’i kaloj pa lënë gjurmë, e pa mbjellë urrejtje në shpirtin tim, apo të familjarëve dhe shoqërisë sime…

Televizion dhe gazeta, shoh dhe lexoj pak.

Per t’i “shpëtuar”kësaj rrapullnaje dhe çoroditjeje ku njeriu bëhet armik me tjetrin për hiç  gjë, futem në botën e fjalës së bukur, duke anashkaluar çdo hall, pakënaqësi apo problem te jetës.

Aty, harrohem brenda botës që jetoj, e lirë, e kёnaqur, dhe pa urryer.

Do ftoja në kёtë “harresё”, të gjithe ju, që nuk e doni urrejtjen.

Sepse, pa mendoni pak?

A ia vlen të urrejmë?

A do të na ndihmonte ajo, të zgjidhnim problemet, apo pakënaqësinë?

Përkundrazi, do të na çonte në shkatërrim e degradim njerëzor, do të na kthente në njerëz të vegjël.

Personalisht, e kam mbajtur dhe do ta mbaj larg këtë  “zonjë” me të zeza, sepse unë dua njё jetё me ngjyra.

Çfarëdo  të na kenë bërë, t’ju kenё bërë, mos e ujitni urrejtjen, qëndrojini larg, që të merrni frymë lirisht.

Gjuha e urrejtjes, ështe alfabeti që mësohet me lehtë, por që mezi harrohet, madje pasohet dhe nga egoizmi dhe hakmarrja.

Prandaj mos e merrni atë abetare.

Mos i mësoni as shkronjat e para, se truri njerëzor, ështe  i aftë të mësojë shumë  lehtë, aq më shumë kur si predikues e auditorë tё saj, janë politikanët, gazeta, e televizione.

Të rrish larg auditorëve të tillë, ështe gjëja më e mirë, për veten,por dhe per fëmijët  tanë.

E dini?

Se si më duket që po shkruaj për urrejtjen.

Nuk ndihem mirë, as rehat, madje po filloj të kem pak “frikë”!

 “Ah, sikur!”… të mos  ekzistonte kurrё urrejtja!

 

 

 

 

Filed Under: Sofra Poetike Tagged With: Drita Lushi, urrejtja

Mjeshtrja e grimit,që trukoi diktatorin

August 5, 2013 by dgreca

FLET NGA SHBA, GRIMIERJA ZHANETA PETUSHI/

Nga Ermira ISUFAJ/

Të trukosh një artist nuk do të thotë thjesht ta bësh atë të duket bukur nën prozhektorët e skenave apo studiove televizive. Është një krijimtari më vete. Është shndërrim.  Aq më tepër kur bëhet fjalë për teatrin apo kinemanë, ku të njëjtin aktor duhet ta shndërrosh në dhjetëra personazhe të ndryshëm… Mjeshtrja e grimit, Zhaneta Petushi, ruan qindra histori nga bashkëpunimi i gjatë me artistët e Teatrit Kombëtar, dikur Popullor dhe të Kinostudios. Sandër Prosi, Naim Frashëri, Kadri Roshi, Serafin Fanku… aktorë që fatkeqësisht nuk jetojnë më, përpara se të zbrisnin në sheshxhirim apo ngjiteshin në skenë, kanë kaluar në duart e Zhaneta Petushit. I ka bërë të duken më të rinj, më të moshuar, kaçakë të frikshëm,

priftërinj të përkorë… I paharrueshëm mbetet për të takimi i fundit me Naim Frashërin, i cili do të ndahej nga jeta pas xhirimit të dramës “Familja e peshkatarit”. Nga duart e saj ka kaluar Dhaskal Todri tek “Udha e shkronjave”, gjenerali te “Gjenerali i ushtrisë së vdekur”, e kështu me radhë… Puna ndryshon me balerinat, këngëtaret apo prezantueset. Vërtet nuk i duhej një punë aq krijuese sa me aktorët, por ama duhet të përballej me huqet e secilës. Grimierja tregon si silleshin Vaçe Zela e Edi Luarasi para se të dilnin në skenë. Si i gjenin materialet në një kohë kur Shqipëria ishte e mbyllur dhe nga e vilnin informacionin për tendencat e fundit të modës, që me apo pa dëshirën e diktaturës, hynte dhe ndër shqiptarë. Grimierja, e cila tashmë jeton në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, tregon për të gjitha këto…

Nga një valltare u bëtë grimiere, mund të quhet një fillim i vështirë ai i juaji?

Fillimi i punës sime në televizionin eksperimental RTSH nuk ka qenë i vështirë. Thjesht ishte makijazh i lehtë që u bëja dy spikereve të bukura, Stoli Belit e cila jepte lajmet dhe Zerina Kukës që paraqiste programet. Vështirësitë profesionale filluan në qendrën e re televizive me regjistrimin e teledramave që sillnin për TV të gjithë teatrot profesioniste të Shqipërisë. E fillova në vitin 1973 me dramën “Zekthi” që e punoi për ekranin regjisori Albert Minga. Atë mund ta quajmë edhe filmin e parë televiziv. Zekthin e luante Serafin Fanku, i cili gjatë shfaqjes grimohej dy herë: një herë si djalë i ri 18 vjeç dhe mbas shumë e shumë vjetësh, si burrë, me një fytyrë të vrarë nga burgimi dhe lufta. Nga 36 vjeç që ishte Serafini, mua më duhej ta shndërroja në djalë të ri 18-vjeçar. Veç makijazhit në fytyrë, me një mashë të hollë që e kisha për të përdredhur zakonisht mustaqet, duke e ngrohur në një furnelë me korrent, mbas dy orëve arrita t’ia bëj flokët kaçurrela. Ndërsa në figurën tjetër më duhej ta shpërfytyroja krejtësisht, që të mos njihej që ishte po ai, Zekthi. Veç flokëve, i vura mjekër, mustaqe dhe dy shenja plage në fytyrë. Drama më kërkonte punë edhe me një plak të moshuar, një prift katolik. Veç makijazhit si plak, më duhej edhe një paruke me flokë të bardha që nuk e kisha. Atë e improvizova me lesh deleje të bardhë, duke ia qepur në perimetër një takieje të vogël rrumbullake që mbajnë në kokë priftërinjtë katolikë… Unë e dashuroja profesionin e grimieres. Ajo më dukej puna më e bukur në botë, kur shikoje që ditë përditë nga duart e tua dilnin figura nga më të shëmtuarat, apo nga më të bukurat, tipa e karaktere nga më të ndryshmet. Qëllonte nganjëherë, që dhe vetë aktorët nuk e njihnin veten dhe kënaqësia rritej edhe më shumë…
Na treguat për Serafin Fankun, si ishte puna me Naim Frashërin, Kadri Roshin, Sandër Prosin, aktorë që fatkeqësisht nuk jetojnë më?

Me makijazhin e teatrit, që ishte krejt ndryshe nga ai i televizionit, aktorët familjarizoheshin aq shumë, sa pa atë u dukej se nuk do të interpretonin dot në atë nivel që ishin mësuar të pëlqeheshin. Me ta duhej bërë kujdes që t’i bindje për t’iu nënshtruar një makijazhi televiziv, që përballë kamerës ishte shumë i ndjeshëm. Në inskenimin e “Gjeneralit të ushtrisë së vdekur”, që u bë edhe telefilm, Sandër Prosi e luante në skenë rolin me një mjekër si të ushtarëve alpinë italianë. Ai ishte një gjeneral i ditëve tona dhe unë doja ta sillja në kohë, pa mjekër alpine, vetëm me një palë baseta të kohës. Me Sandrin u mirëkuptuam shpejt. Me të edhe tek “Udha e Shkronjave” ramë në ujdi që në fillim. Sandri i rriti flokët siç ia kërkova unë, teksa unë i punova mjekrën e mustaqet me ngjyrën e flokëve. Nga kjo maskë Sandri mbeti shumë i kënaqur. Këto bashkëpunime më erdhën në mend në ato momente trishtimi të thellë, kur mësova vdekjen e tij tragjike dhe kënaqem e trishtohem njëherësh kur shikoj tani ato shfaqjet e tij. Tronditës ka qenë bashkëpunimi me Naim Frashërin, me atë aktor kolos, me një repertor shumë të pasur, por asnjëherë të ekranizuar në televizion. Sidomos takimi i fundit më ka mbetur në mendje…
Çfarë e bënte kaq tronditës këtë takim të fundit?

 

Vladimir Prifti bënte regjinë e “Familjes së peshkatarit” dhe Naimi luante rolin kryesor. Edhe me këtë artist të madh bashkëpunimi im shkoi për mrekulli. Veçse, Naimi i mirë, vdiq natën e fundit, sapo mbaruan xhirimet e dramës. Dridhesha e tëra kur sillja ndërmend që para disa orëve e kisha kokën e tij në duart e mia… Ndërsa me Kadri Roshin ruaj dy kujtime. Në dramën “Epoka para gjyqit” më lindi në kokë ideja që portretin e tij ta përngjasoja me njërin nga vëllezërit Frashëri. Ai ma pëlqeu idenë. Për një kohë të gjatë me imagjinatën time dhe me shumë fotografi të Abdyl Frashërit, të ngjitura në pasqyrë, (mes tyre edhe një kartëmonedhë), përshtata portretin e frashërlliut mbi fytyrën e paharruar të Kadri Roshit të madh. Ai pranoi pa fjalë që t’i hiqja dhe vetullat e tij të bashkuara. Në fund kur mbarova, më tha: “Zhani, të gjitha t’i kam falur, por këtë, që m’u ça hunda për një cigare, nuk ta fal!”.. Më pas, realizova maskën e Kadriut për rolin e Ndrios në filmin “Udha e shkronjave”, por ai atë rol nuk e xhiroi. Nuk e di seç e pengoi, por Ndrion më pas e luajti me mjaft sukses Ndrek Luca, me të cilin gjithashtu patëm një harmoni të përsosur.
Ju i keni njohur nga afër tekat dhe pretendimet e shumë artistëve shqiptare. Cili prej tyre ka qenë më pak i “binduri” për t’i besuar syrit tuaj estetik?

 

Zoica Haxho në xhirimin e baletit “Halili dhe Hajria”. Mbasi i vura parukën të larë dhe të formuar më parë, i thashë se për t’i zmadhuar syrin do t’i aplikoja një palë qerpikë artificialë. Zoica menjëherë kundërshtoi: “Nuk i dua ato! Do të më tregojnë si lavire”. “Si lavire?!” – u mundova ta shtroj unë, – “Po ti Zoicë ke në kokë paruke, edhe qerpikët janë pjesë e trukut”… Kur ia pa Sekine Sharofit qerpikët artificialë, i pëlqyen, iu ndërrua mendja dhe erdhi tek unë si dele e urtë. Kur doli në skenë para xhirimit, Albert Minga, që ishte regjisori që do ta regjistronte dhe Agron Aliajn, baletmaestri që e pa krejt ndryshe nga makijazhi i skenës, bërtitën nga larg: “Zoica, dukesh e mrekullueshme!”.
Po më komodi prej tyre në karrigen e grimit?
Kur bëhet fjalë për krijim tipash dhe karakteresh, asnjë nga artistët nuk ndihet i qetë. Po ashtu edhe unë, deri sa të përfundojë puna ime, emocionet janë të të dyja palëve.
Na tregoni pak për këngëtaret, ato ndoshta kishin më pak punë, por më shumë teka, apo jo?
Nuk mund ta harroj Vaçe Zelën me ato flokët e saj të mrekullueshme, që nga drejtoria më kërkonin t’ia prisja. Unë nuk e bëra asnjëherë atë gjë. Vaçen e admiroja si këngëtare, përveçse e kisha dhe mikeshë. Doja ta bëja maksimalisht të bukur, por Vaçja nuk ma krijonte këtë mundësi. E para nuk interesohej për veshjen deri në minutën e fundit. Një herë m’u ul para pasqyrës e paveshur. “Ku e ke fustanin?”, e pyeta. “Akoma nuk e di se çfarë do të vesh. Asgjë nuk më pëlqen”. Më shikoi mua nga koka te këmbët dhe më tha copë: “A ma jep ti Zhani këtë fustanin që ke veshur?”. Ai nuk ishte për skenë, por Vaçja në atë moment nuk kishte ku të gjente fustan më të mirë se ai… Vaçja kishte  emocione të fuqishme para daljes në skenë. Sapo filloja punën, ajo ngrihej e shkonte në tualet. Kjo përsëritej disa herë, derisa unë mbaroja… E kundërta e Vaçes ka qenë Edi Luarasi, e cila shfaqte një përkushtim të jashtëzakonshëm për paraqitjen e saj, si spikere në festivalin e famshëm, të njëmbëdhjetin. Me udhëheqësin artistik e regjisorin Mihallaq Luarasi morëm copat e ekspozitës se manifakturës kineze për veshjet e atij festivali. Me Edin zgjodhëm copat e modelet se si do të qepeshin. Fustanet e bukura të gjata deri në fund të këmbëve dhe interpretimi i shkëlqyer i Edi Luarasit lanë përshtypje të mahnitshme që kujtohen edhe sot.
Si i siguronit mjetet e punës, gjithçka që ju duhej për makijazhin?

Punoja pa ndërprerje për të kompletuar repartin e parukerisë: paruke, mjekra, baseta, vetulla, mustaqe etj. Më jepej një sasi valute çdo vit nga shteti. Ishte gjetur një firmë profesionale franceze, që e merrja nëpërmjet Italisë, me një gamë të gjerë prodhimesh, si për makijazhin e televizionit, ashtu edhe për atë të filmit, e quajtura “Zhasmine”, që ka marrë edhe çmime “Oskar”.
A kishte censurë në përditshmërinë e punës suaj, duke qenë se afërmendsh keni punuar nën diktatin e një sistemi komunist…
Donte apo s’donte diktatura, moda e të lyerit dhe ajo e veshjes penetronin nëpërmjet televizioneve italiane, siç na vinte edhe gjuha italiane. Me gjithë praninë e censurës, gratë dhe vajzat tona mundoheshin të dukeshin moderne dhe kishte plot prej tyre që nuk linin pa i ndjekur të rejat. Mua më kishin ngjitur nofkën “modernia e Tiranës”. Në punë unë dhe regjisorja Vera Grabocka kritikoheshim nga komunistët e “kulturuar” që na vinin nga klasa punëtore sipas shembullit të revolucionit kinez, për të “na ndrequr” ne intelektualët e rrëshqitur. Por, pa dobi. Për fat ne na mbronte kolektivi. Ndërsa në jetë, moda erdhi një herë me të kuq buzësh shumë të çelur e më vonë shumë të errët, gati të zezë. Këto, absolutisht nuk lejoheshin në televizion.
Ku i merrnit modelet në të cilat referoheshit? Revistat e huaja nuk qarkullonin, ç’bënit që artistët të mos dukeshin njësoj?

 

Karakteret dhe tipat i merrja nga vëzhgimi në jetë dhe nga eksperienca. Të tillë ishin fshatarët, burokratët, servilët, intelektualët, lebërit, malësorët e Veriut, hoxhallarët, priftërinjtë… Veç kësaj, më duhej të njihja edhe epokat e kaluara. Dhe sa për atë që artistët mund të dukeshin njëlloj, kjo nuk ndodh kurrë. Çdo njeri ka karakteristikat e veta, është unik, i papërsëritshëm. “Zhasmina”, bashkë me materialet më dërgonte shumë revista profesionale e shkencore, si ato të Akademisë së Shkencave për bukurinë. Ato më vlejtën shumë në perfeksionimin e profesionit. Në vitin 1993, mbështetur në dijet e mia, në studimin e këtyre materialeve shkencore, të pesë ligjeve të arta të kozmetikës, me ndihmën e kolegut e mikut tim, kryeinxhinierit Agron Aranitasi, hapëm një rubrikë javore me redaktore Ariana Kokobobon. Titullohej “E bukura dhe njeriu”. Në këto emisione unë demonstroja drejtpërdrejt mbi fytyrat e vajzave dhe grave se si të kujdeseshin për lëkurën, flokët, për mbrojtjen dhe ushqimin e tyre. Dhe sipas rregullave të arta të bukurisë, i mësoja se si me anën e një tualeti të lehtë, të korrigjonin p.sh. një gropë syri, një kokërdhok të dalë, një ballë të madh, një hundë të madhe, të gjerë, një mjekër të gjatë. Këto emisione në televizion bëheshin për herë të parë dhe patën shumë jehonë, madje kur pata rastin të shkoj në Maqedoni, vura re me kënaqësi se edhe atje i paskëshin ndjekur me interes mësimet tona në ekran.

Grimierja që u kujdes për trupin e diktatorit të vdekur
Gjatë viteve të gjata të punës, grimierja Zhaneta Petushi ka kaluar gjithfarë eksperiencash, tipa të vështirë, kritika për prirje moderniste, po ngjarja që ajo s’do ta harrojë kurrë, edhe pse nuk flet shpesh për të, është grimimi i ish-diktatorit të vdekur. Zhaneta Petushi u përzgjodh të përgatiste për homazhe trupin e diktatorit në prill të vitit 1985. Për plot 6 ditë ajo u kujdes për ngjyrën e fytyrës dhe të thonjve, për flokët, për riparimin e dëmtimeve që ndodhnin gjatë homazheve (shtrembërimi i hundës, një gropë në faqe, nxirja e thonjve). Në një intervistë të dhënë për suplementin “Unë gruaja”, Petushi zbuloi se diktatorit i ishte bërë një operacion për heqjen e rrudhave, pas vdekjes. Ndërsa vargani prej mijëra vetash priste të bënte homazhe, grimierja duhet të përballej me situatën, ndoshta më të vështirë në jetën e saj: të kujdesej për trupin e pajetë të diktatorit. Kortezi-Panorama- ERMIRA ISUFAJ)

Filed Under: Interviste Tagged With: diktatorin, Ermira Isufaj, grimierja qe trukoi

Dëmshpërblimi i ish të përndjekurve

August 5, 2013 by dgreca

Simon Mirakaj: Qeveria e majtë ta përfundojë brenda mandatit/

Në katër vjet mazhoranca e djathtë ka dhënë për dëmshpërblimin e ish të përndjekurve politikë më shumë se 100 milion dollarë. Ndërsa e lidh këtë me situatën buxhetore të shtetit, kreu i Insitutit të ish të Përndjekurve Politikë, Simon Miraka, thotë se pavarësisht se në qeveri vjen e majta në shtator, ka detyrimin ligjor që deri në 2017 të dëmshpërblejë. Ky është një borxh që shteti i ka kësaj kategorie dhe që ligji e imponon.

Mirakaj nuk shpreson që ligji i lustracionit të marrë ndonjeherë fuqi me qeverinë e majtë për sa kohë që e djathta nuk e bëri atë funksional në 8 vite pushtet.

Mirakaj flet me rezerva edhe për ligjin për dëmshpërblimin e ish të përndjekurve politikë që mbeti në sirtarët e Kuvendit që prej pranverës së vitit të shkuar. Megjithëse kanë kaluar 13 vite nga demokracia dhe shumë ish të përndjekur nuk kanë arritur kurre të marrin dëmshpërblimin për vuajtjet e regjimit komunist, Mirakaj thotë se dëmshpërblimi më i mirë do të ishte kthimi i pronave.

Ndërsa e vlerëson kreun e ri të PD, Lulzim Basha, Mirakaj thotë se do t’i kërkojë në takimin me të, ringritjen e Departamentit të ish të përndjekurve politikë në PD, që për 8 vite nuk ekzistoi.

Filed Under: Komente Tagged With: demshperblimi, i ish te perndjekureve, Simon Mirakaj

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 66
  • 67
  • 68
  • 69
  • 70
  • …
  • 80
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Kontributi shumëdimensional i Klerit Katolik dhe i Elitave Shqiptare në Pavarësinë e Shqipërisë 
  • Takimi i përvitshëm i Malësorëve të New Yorkut – Mbrëmje fondmbledhëse për Shoqatën “Malësia e Madhe”
  • Edi Rama, Belinda Balluku, SPAK, kur drejtësia troket, pushteti zbulohet!
  • “Strategjia Trump, ShBA më e fortë, Interesat Amerikane mbi gjithçka”
  • Pse leku shqiptar duket i fortë ndërsa ekonomia ndihet e dobët
  • IMAM ISA HOXHA (1918–2001), NJË JETË NË SHËRBIM TË FESË, DIJES, KULTURËS DHE ÇËSHTJES KOMBËTARE SHQIPTARE
  • UGSH ndan çmimet vjetore për gazetarët shqiptarë dhe për fituesit e konkursit “Vangjush Gambeta”
  • Fjala përshëndetëse e kryetarit të Federatës Vatra Dr. Elmi Berisha për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë në Seancën Akademike kushtuar 100 vjetorit të lindjes së Peter Priftit
  • Shqipëria u bë pjesë e Lidhjes së Kombeve (17 dhjetor 1920)
  • NJЁ SURPRIZЁ XHENTЁLMENЁSH E GJON MILIT   
  • Format jo standarde të pullave në Filatelinë Shqiptare
  • Avokati i kujt?
  • MËSIMI I GJUHËS SHQIPE SI MJET PËR FORMIMIN E VETEDIJES KOMBËTARE TE SHQIPTARËT  
  • MES KULTURES DHE HIJEVE TE ANTIKULTURES
  • Historia dhe braktisja e Kullës së Elez Murrës – Një apel për të shpëtuar trashëgiminë historike

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT