• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for September 2013

Lulzim Basha:Qeveria e re mungesë transparence, konflikt me opozitën

September 19, 2013 by dgreca

Partia Demokratike ka mbledhur grupin e saj parlamentar, ku është vendosur në lidhje me komisionet parlamentare që do të drejtohen nga opozita.

Grupi parlamentar ka zgjedhur deputeten Majlinda Bregu si kryetare e komisionit parlamentar të integrimit, Genc Pollo, kryetar i komisionit të Medias dhe Albana Vokshi, kryetare e komisionit parlamentar të Shëndetësisë.

Në një konferencë për mediat, kreu i PD-së Lulzim Basha akuzoi qeverinë e re për mungesë transparence dhe frymë konfliktuale me opozitën.

“Kanë demonstruar të kundërtën e asaj që opozita ka ofruar, Brukseli kërkoi dhe shqiptarët presin, që është fryma e bashkëpunimit dhe jo konfliktualitetit, karakterizuar nga një mungesë e thellë transparence mes asaj që thuhet e bëhet” tha Basha.

Gjithashtu Basha premtoi edhe mbrojtjen e administratës nga largimet politike duke theksuar se duhet reformë dhe jo fshesë.

“Partia Demokratike do të asistojë me të gjitha fondet ligjore të gjithë ata që preken nga revanshi dhe fryma anti-institucionale. PD është në mbështetje të plotë të atyre që përfaqësojnë investim publik të taksapaguesve publikë, investim që nuk zhbëhet për interesa politike, një investim që duhet të çohet më tej dhe kjo ishte një nga fushat që Brukseli është shprehur qartë.  Reformë, por jo fshesë në administratë” tha Basha.

Ndërsa, kreu i grupit parlamentar demokrat Edi Paloka, i pyetur nga mediat nëse në mbledhje kishte pasur debate për përzgjedhjen e kryetarëve të komisioneve, u shpreh se në demokraci ka gjithmonë debate. “Çdo diskutim ka debate. Po nuk pati debate çfarë demokracie është” tha Paloka.

 

Filed Under: Featured Tagged With: jo e sinqerte me opoziten, Lulzim Basha, qeveria

Sequi: Kthejini muret në ura

September 19, 2013 by dgreca

“Kthejini muret në ura bashkëpunimi për integrimin e vendit”. Ky ka qenë mesazhi i ambasadorit të BE-së në Tiranë Ettore Sequi në drejtim të klasës politike shqiptare.

Pasi zhvilloi një takim me ministrin e jashtëm Ditmir Bushati, ambasadori Sequi theksoi se në procesin e integrimit është mjaft i rëndësishëm gjithëpërfshirja e të gjitha forcave politike.

“ Unë i shpreha angazhimin dhe mbështetje e BE për këtë vizion të tij, roli i MJ është tepër kyc në cdo vend evropian. Ne jemi të angazhuar që ky rol të jetë i suksesshëm. Theksoj fjalët e Bushatit për rolin e Shqipërisë në rajon, dhe për ta uruar dhe për fjalët e urta që përdori për marrëdhëniet mes forcave politike në vend. Rruga drejt BE është rruga drejt gjithpërfshirjes, bashkëpunimit dhe angazhimit të të gjithë faktorëve në vend. Dhe nëse do ta përmbyllimin me një fjali është të kthejmë murin në ura” tha amabsadori Sequi

Ai gjithashtu e cilësoi programin e qeverisë për integrimin dhe vizionin e Ministit të Jashtëm, Ditmir Bushati si vizionar dhe frymëzues.

“Ne diskutuam rreth rezultateve dhe hapave që duhen ndjekur më më pas pas vizitës në Bruksel. Një vizitë që ishte një sukses i madh. Vizitë që i bëri të mundur institucioneve të BE që të mësonin për programin e qeverisë së re drejt BE. Bushati u tregua i sjellshëm pasi ndau me ne vizionin e tij, programin, që do t’i përkufizoja si vizionare dhe frymëzuese” tha ambasadori.

Ndërsa ministri i jashtëm Ditmir Bushati ka theksuar se kanë diskutuar së bashku mbi detyrat që duhet të ndjekë qeveria dhe aktorët e tjerë pas vizitës së qeverisë së re në Bruksel.

“E informova ambasadorin për prioritetet kryesore të politikës sonë të jashtme, zhvillimet në rajon, përgatitjet që po bëjmë me rastin e vizitës në Nju Jork dhe qëndrimin e rakorduar që ka qeveria me partnerët strategjikë SHBA dhe BE. E falënderova për lehtësimin e vizitës sonë në Bruksel, mesazhet e qarta mbështetëse inkurajuese dhe punën që na pret në procesin e kandidimit, për qeverinë ku unë shërbej cështja e statusit dhe fillimi i bisedimeve për anëtarësim është ndër prioritet kryesore dhe rikonfirmova qëndrimin e qeverisë shqiptare të bërë publik nga kryeministri Rama në Bruksel që do vazhdojmë nga arritjet e qeverisë së shkuar dhe bipartizanizmi politik për kriteret e mbetura. Ne një proces gjithpërfshirës me opozitën parlamentare” tha Bushati.

Filed Under: Featured Tagged With: Bushati, miret ne ura, Sequi

Vritet me armë zjarri një pjesëtar i EULEX-it ne komunen e Zvecanit, Kosove

September 19, 2013 by dgreca

*KFOR dhe Rasmussen dënojne vrasjen e pjesëtarit të EULEX-it/

* Zyrtari i vrare ishte shtetas Lituanez/

Një zyrtar i EULEX-it ka humbur jetën si pasojë e një sulmi me armë zjarri në rajonin e komunës së Zveçanit, kanë konfirmuar zyrtarë të EULEX-it.

Zëdhënësja e misionit evropian për sundimin e ligjit, Irina Gudeleviq, ka konfirmuar  për Radion Evropa e Lirë, se incidenti ka ndodhur në rajonin e Zveçanit dhe si pasojë një person ka humbur jetën.

“Sot në mëngjes, rreth orës 07:30, dy vetura të EULEX-it që i bartnin gjashtë pjesëtarë të tij për të bërë ndërrimin e rregullt në Portën 1 janë qëlluar me armë nga persona të panjohur në afërsi të Komunës së Zveçanit.  Si pasojë e këtij incidenti ka vdekur një pjesëtar i EULEX-it.  Task Forca në Mitrovicë është aktivizuar menjëherë dhe hetimet për këtë vrasje janë duke vazhduar.  Zona përreth është bllokuar. Me këtë rast do të bëhet çmos për t’i sjellë kryerësit e kësaj vepre përpara drejtësisë”, tha Gudeleviq.

EULEX-i e ka dënuar fuqishëm këtë akt të dhunës kundër pjesëtarëve të EULEX-it. Ky mision, po ashtu, i ka bërë thirrje komunitetit lokal dhe kujtdo që mund të ketë qenë dëshmitarë, apo që dinë ndonjë gjë lidhur me këtë incident, që të informojnë organet kompetente.

Edhe komandanti i Policisë në jug të Mitrovicës, Ergin Mediq, ka konfirmuar për Radion Evropa e Lirë, se një automjet i EULEX-it në të cilin kanë qenë tre persona, është sulmuar me armë zjarri.

Ai ka thënë se deri më tash nuk dihet se nga ka ardhur sulmi.

“Rreth orës 7:30 të mëngjesit, një makinë e EULEX-it, e cila ka qenë në rrugën magjistrale Prishtinë-Leposaviq, te fshati Ballaban, komuna e Zveçanit, është sulmuar nga persona të armatosur. Me këtë rast është plagosur rëndë doganieri A.S. nga Lituania, i cili është dërguar menjëherë në spital në veri të Mitrovicës, ku ka ndërruar jetë. Në makinë kanë qenë edhe dy pjesëtarë të EULEX-it. Ata dy nuk janë plagosur”, ka thënë Mediq.

Pas incidentit në Zveçan në veri të Kosovës, që rezultoi me vdekjen e një pjesëtari të EULEX-it, shefi i këtij misoni, Bernd Borchardt dhe shefi i Zyrës së BE-së, Samuel Zbogar, u janë drejtuar mediave.

Rasmussen dënon vrasjen e pjesëtarit të EULEX-it

Sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Anders Fogh Rasmussen, ka dënuar sulmin ndaj EULEX-it, i cili ka çuar në vdekjen e një pjesëtari lituanez të misionit evropian.
“Shpreh ngushëllimet e mia të thella për familjen dhe të dashurit e pjesëtarit të ndjerë të EULEX-it, për të gjithë anëtarët e misionit të EULEX-it, si dhe për popullin dhe Qeverinë e Lituanisë. Të plagosurve u dëshiroj shërim të shpejtë”, ka thënë Rasmussen.
Në deklaratën dërguar mediave, Rasmussen po ashtu ka thënë se KFOR-i do të vazhdojë të ndërmarrë të gjitha masat e nevojshme për të përmbushur mandatin e tij: për të kontribuar për një mjedis të qetë dhe të sigurt dhe për lirinë e lëvizjes në Kosovë.

KFOR-i dënon sulmin ndaj EULEX-it

Misioni paqeruajtës i NATO-s në Kosovë (KFOR) ka dënuar fuqishëm sulmin kundër patrullës së EULEX-it, i cili ka lënë një doganier lituanez të vrarë.
Komandanti i KFOR-it, Salvatore Farina, ka shprehur ngushëllimet e tij për familjen e të ndjerit.
KFOR-i po ashtu ka thënë se vazhdon të mbështesë zhvillimin e një Kosove të qëndrueshme, demokratike dhe shumetnike.

Vdekja e doganierit – “lajm i trishtuar për Lituaninë”

Ministri i Jashtëm lituanez, Linas Linkevicius, ka shprehur keqardhje për vrasjen e pjesëtarit të EULEX-it në rajonin e Zveçanit.
Doganieri me inicialet A.S. ka qenë shtetas i Lituanisë.
“Lajm i trishtuar ka goditur Lituaninë këtë mëngjes – vdekja e shtetasit tonë, i cili ka shërbyer në misionin e EULEX-it në Kosovë”, ka shkruar Linkevicius në Twitter.

 

 

 

 

 

 

Filed Under: Kronike Tagged With: pjestar i EULEXm ne Zvercan, vritet

Minotauri i tranzicionit shqiptar nё skanerin e Spartak Ngjeles

September 19, 2013 by dgreca

Shkruan: Minella Aleksi/

Ndrojtja se, mbi veprёn e mёparshme voluminoze tё Spartak Ngjelёs i ke thёnё disa opinione e mund tё ripёrsёritёsh, vjen e fashitet kur i shkon drejt fundit analizёs mbresёlёnёse qё autori i bёn njё periudhe historike 1991-1996 me plot kthesa e tё papritura politiko-shoqёrore. Fashitet sepse sё pari, me shkrim S. Ngjela di tё tregojё nё njё mёnyrё shumё tёrheqёse, tё krijon situatё tё gjallё, tё imponon vёmёndje si ai qё nё njё rreth tё madh shoqёror dёgjohet e ndiqet me gojё hapur sepse, si njё aktor i talentuar, si asnjё tjetёr di tё tregojё mjeshtёrisht pёr ngjarjet politike. Sё dyti, i ke vёzhguar ngjarjet nga jashtё, ke qёnё bashkёkohёs i ngjarjeve qё analizohen nё libёr dhe ke pasur plot pandehma mbi ato. Nga brenda qёndrёs sё zhvillimeve Ngjela i zbulon ato, ua heq mbulesat e ngjeshura tё mosnjohjes, tё keqinterpretimeve pёrgjatё viteve, t’i jep tё qarta shkaqet dhe pasojat e veprimeve tё personazheve historikё, rrethanat qё i kanё influencuar kёto zhvillime. Sё treti, mbas dy volumeve tё para me nga 600 faqe ёshtё e natyrshme qё te i treti tё shkon mёndja se mund tё gjesh njё rёnie tё nivelit, ndoshta pёrsёritje e zgjatje tё panevojshme. Tё befason e kundёrta, ndoshta akoma mё shumё tёrheqёs sesa dy tё tjerat, prandaj tё treja kёto arsye, plus faktit që nuk e njoh autorin personalisht, por vetëm veprën e tij mё bёn qё t’a kapёrcej ndrojtjen e fillimit nё parashtrimin e disa opinioneve mbi kёtё vepёr.

Me interes kam pritur tё lexoj opinione tё njerёzve tё letrave mbi kёtё vepёr. Tek e fundit edhe pёr tё kontrolluar mendimet e mia mbi veprёn. Ka mbizotёruar heshtja. Mbase njerёzit e kanё humbur durimin tё lodhur prej atmosferёs mbytёse e çoroditёse tё jetёs sё pёrditёshme. Rendin pas artikujve tё shkurtёr tё gazetave, ndjekin jehonёn e lajmeve surpriza sekretesh befasisht tё zbuluara dhe i lodh mendimi se mund tё ulen e tё lexojnё njё vepёr tё gjatё. Sadoqё mё pёrforёcohet mendimi se libri pёr tё cilёn flasim ёshtё njё vepёr unike pёr historinё e diktaturёs e tё tranzicionit shqiptar.

Spartak Ngjela vazhdon me nivel shumё tё lartё arsyetimi debatues, i prononcuar nё kohёn qё kanё ndodhur ose para se tё ndodhnin fenomene tё caktuara historike, shumё bindёs pёr tё vёrtetat qё parashtron, bёhet gjykatёs ekselent i tyre. Si lexues ndodhesh pёrpara njё autori tё formuar me dije shumё tё thella e tё gjera, i cili di se çfarё kёrkon nё shoqёrinё ku jeton.

Duke e lexuar, Ngjela tё bind se e di mirё qё, nё jetёn e pёrditёshme njohja e thellё dhe referencat nga grekёt antikё tё shpien logjikisht e detyrimisht nё kёrkim tё faktorёve, tё principeve dhe tё arsyetimeve demokratike, referencat nga romakёt antikё tё kultivojnё e tё frymёzojnё entusiazmin e sakrificёs dhe tё dashurisё pёr atdheun, ndёrsa studimet e bashkёkohёsve tё dinastisё Severiane dhe tё mbretёrimit tё Caracallas tё shtyjnё qё tё njohёsh thellё deri nё urretje tё pakthyeshme apologjetёt e pushtetit absolut. Kjo atmosferё medituese tё krijohet kur arsyeton mbi vlerat e spikatura tё kёtij libri.

Kur ke ktheyr faqen e fundit tё volumit tё tretё tё “Pёrkulja dhe rёnia e tiranisё shqiptare” tё shkon nёpёrmend njё definicion qё e ka dhёnё filozofi francez Jean Baptist d’Alembert pёr elitёn e njerёzve tё librit. Ai i ka ndarё ata nё erudite, nё filozof dhe nё artist. Iluministi francez sqaron se, duke u nisur nga arsyetimi qё mёndja e njeriut zhvillon tre funksione esenciale, d.m.th. memorizon, arsyeton dhe imagjinon-fantazon, atёhere memorien e pёrcakton si talent tё tё parёve-eruditёve, arsyetimin logjik si talent i tё dytёve-filozofёve, ndёrsa tё tretёt kanё tё zhvilluar shpirtin e artistit dhe artet.

Te Ngjela autor gjen tё harmonizuar edhe eruditin, edhe njohёsin e thellё tё filozofisё aq sa edhe shpirtin e letrarit qё tregon e analizon me stil artistik tё veçantё. Kjo e bёn qё tё jetё shumё i qartё nё atё qё shikon e qё analizon, tё jetё i pa lёkundur nё qёndrimin qё mban ndaj fenomenit shoqёror .

Te ky autor njohja shumё e mirё e historisё dhe e filozofisё shёrben si njё bankё-provё ku testohen, ku tё krahasuara me eksperiencat e vёndeve tё tjera konfirmohen tё vёrtetat e fenomeneve tё veçanta tё shoqёrisё ku jeton. S. Ngjela nuk ёshtё njohёs dijesh nё teori pёr teori. Tё kujton oratorёt latinё qё me stilin e oratorisё polemizuese tё hedh pёrpara argumentat, tё jep gjykimin e tij pro ose kundёr njё argumenti duke tё pёrfshirё nё kёtё mёnyrё nё lojёn e madhe tё gjykimit tё fakteve historike.

Minotaurin e Pablo Picasso-s e bёn symbol tё vetin nё udhёn e luftёs me forcat retrograde tё tranzicionit, si dikur Guernikёn nё qelinё e burgut.. Njёlloj si artisti qё mbasi e ngjyen penelin nё shpirtin e tij, fillon tё hedhё nё pikturё natyrёn e vet, atё tё emocionit tё tij shpirtёror.

E interpreton Minotaurin bazuar nё atё se çfarё emocionesh ndjen, se çfarё i thotё vetes zёri i ndёrgjegjes nga ajo qё shikon nё pikturёn e Picasso-s. Simbolet e vlerave artistike qё ka krijuar shoqёria njerёzore i ka bёrё tё vetat nё pёrpjekjet e pёrditёshme pёr tё kuptuar kohёn qё jeton.

Monstrёn, Minotaurin me trup njeriu e kokё demi e ndjen si njeriun e dominuar nga instiktet, njё mёndje kafshe qё administron njё trup njeriu, qё lejon pasionet instiktive tё eklipsojnё arsyen. Labirintin qё pёrshkon Theseu e imagjinon si shtegun e gjatё me dredha qё çdo person ka pёrpara nё jetё, si itinerar tё pёrmbushjes sё njё misioni. Pushteti absolut qё rrёnon individualitetin, personalizmin e individit ishte nё diktaturё dhe vazhdon tё jetё nё tranzicion deviza e luftёs dhe e pёrpjekjeve si mision historik i autorit. Nga analizat e studimet Ngjela konkludon me logjikё tё ftohёt se pёrderisa nё shoqёrinё ku jeton sistemi shtetёror zhvillohet nё funksion tё pushtetit personal absolut tё Sali Berishёs dhe jo nё funksion tё sistemit demokratik, atёhere kolapsi ekonomik shoqёror shqiptar ёshtё i pashmangshёm. Tё njёjtёn eksperiencё, tё njёjtёn kolerё pёrjetuam nё sistemin e Enver Hoxhёs, pohon autori nё libёr. Sa herё qё historia pёrsёrit veten, sa herё qё gabime tё mёdha pёrsёriten aq herё jeta jonё pёrkeqёsohet, aq herё rritet shkalla e rrёnimit qё njerёzit e thjeshtё paguajnё, aq mё i rёndё ёshtё dёmi moral e material qё vuan shoqёria.

Pёrshkon faqet e librit dhe ke ndjesinё sikur je duke parё njё film neorealist italian. Qё nё kapitullin e parё tё librit aq i gjallё tё jep takimin me njё prostitutё shqiptare nё njё lulishte tё Milanos, si sekuencat nё lёvizje tё njё filmi. Mёnyra sesi e interpreton bisedёn me kёtё vajzё, t’a rrit figurёn e kёsaj qёnieje njerёzore nё nivelet mё tё larta tё imazhit femёror. Mё tej ke ndjesinё se je edhe ti vet, lexuesi, qё po shkon sёbashku me grupin e personazheve historikё nё njё takim pёrcaktues rrjedhash historike, po pёrshkon njё bulevard apo ndodhesh nё mesin e njerёzve real nё bankinёn e portit ku pritet tё niset anija e eksodit masiv.

Nё analizёn e ngjarjeve dhe tё njerёzve protagonistё nё kёto ngjarje bёhet shumё i qartё njё fenomen i shёmtuar, tipik i tranzicionit shqiptar, Naiviteti i tёmerrshёm me tё cilin shumica e njerёzve e konfondojnё pjesёmarrjen nё PD me tё qёnurit demokrat. Njё naivitet i autosugjestionuar si shprehje e injorancёs shqiptare. PD-ja nisur nga emёrtimi, shёrbeu dhe shёrben si kostum firmato i markёs “Demokracia” qё, edhe pse je njё kriminel mjafton qё tё bёhesh anёtar i PD-sё duke dhёnё para e duke kryer aksione tё stilit banditesk tё urdhёruara nga shefi i madh dhe automatikisht quhesh dhe je demokrat. Edhe pse je njё halabak, njё kontrabandist apo njё pasanik me burime tё pista parash pa asnjё ide e princip demokratik, edhe pse s’e ke fare haberin nga principet e demokracisё, por paguan kuotat financiare, ke njё teser partie, futesh nё PD dhe je demokrat. PD-ja mbeti nё gjithё periudhёn e tranzicionit si “rifuggio peccatorum” (strehё e mёkatarve) e tutorёve tё drogёs dhe prostitucionit, e spiunёve tё sigurimit, e njerёzve tё lidhur ngushtё me krimin, e qeveritarёve mashtrues tё pa principtё e gёnjeshtarё tё pёshtirё tё cilёve u mungon nё radhe tё parё respekti pёr veten e tyre, e banditёve mercenarё qё bllokojnё rrugёt me maska, etj, dhe qё u quajtёn dhe vazhdojnё me naivitet tё quhen demokratё ngaqё janё anёtarё tё PD-sё. Tё tillё vulg shoqёror qё nuk e ka idenё se çfarё ёshtё e majta ke sa tё duash edhe te tё majtёt. Me njё teser tё PS-sё notojnё tё lumtur nё ujra tё turbullta.

Mund tё jesh i majtё dhe me formim e maturi prej demokrati shumё mё tё avancuar sesa shumё nga kёta lloj PD-istash. Sikurse shumё demokratё tё vёrtetё, idealistё por qё me qёllim janё mёnjanuar nga lidershipi i gjen jo pak nga radhёt e fillimeve tё PD-sё. Nё libёr kёsaj marrёzie konceptuale, abuzuese deri nё neveri i jepet njё shpjegim i shkёlqyer nga autori.

Ndonjё lexues mund tё mё drejtojё pyetjen: Pёrse je kaq i sigurtё se ato qё ka shkruar Ngjela nё libёr janё tёrёsisht tё vёrteta? Kam kёtё pёrgjigje: Ngjela ёshtё inteligjent dhe me kulturё. Ai e kupton shumё mirё se çfarё figure e diskredituar ёshtё sot, nga mё tё neveritshmit ish Ministri i Mrojtjes Arben Imami. Mirёpo kur flet pёr ngjarjet e viteve 91-96, Ngjela e pёrshkruan dhe e vlerёson duke i qёndruar besnik mendimeve qё ka pasur nё atё kohё pёr Arben Imamin. D.m.th. Ngjela e vlerёson qartёsinё, kontributin, ia lёvdon Imamit pёrpjekjet pro instalimit tё demokracisё nё ato vite. Ndёrkaq ёshtё kaq skrupuloz me tё vёrtetёn e kohёs qё pёrshkruan saqё pёr hir tё opinionit tё keq tё sotёm pёr Imamin nuk i tradhёton mendimet e tij tё asaj kohe. I qёndron tё vёrtetave tё asaj kohe pёr Imamin, kur ky nuk kishte as se çfarё tё shiste dhe as se çfarё tё vidhte. (ky pohim vёrtetçsie pёr Arben Imamin e asaj kohe qё nuk e quaj lajthitje tё autorit le tё shёrbejё si test arsyetimi i drejtё ose jo nga ana ime mbi gjykimin qё do i bёj Ngjela aktivitetit tё mёvonshёm tё tij kur tё kemi nё dorё volumin e katёrt, sikurse ka premtuar qё do e shkruaj).

Ngjela ёshtё njё i dashuruar me dijen, i ftohёt nё arsyetime, gozhdues nё operimet e tij analitike, nuk gёnjehet nga entusiazmi i çastit. Si lexues analizat e zhvillimeve nё libёr tё gjitha i kupton dhe prapёseprapё ke nevojё qё t’u rikthehesh, pёr t’i individualizuar nё specifikat, nё logjikёn e tyre arsyetuese. Njёlloj si mbas njё vizitё nё njё muze arti shumё tё pasur me vepra origjinale. Nё njё vizitё tё parё tё gjitha i pёlqen, por nuk tё mbeten tё sistemuara nё kokё, ndien nevojёn shpirtёrore imponuese qё tё rikthehesh disa herё tё tjera, nё ditё tё caktuara sipas ndarjes nё departamente, tё ndalesh nё gjёra tё veçanta qё t’i admirosh veças nё madhёshtinё e tyre.

Njё analist i hollё i epokёs e i sistemit shtypёs ku jeton Ngjela ka kapur thelbin e mёnyrёs sesi ёshtё administruar jeta e shqiptarёve nё diktaturёn Hoxha e si po vazhdon njёlloj me Berishёn, nё funksion tё njё qёllimi tё vetёm, pushtetit absolut tё diktatorit.

Diktaturat janё armiq tё egёr tё individualiteteve iluminuese. Autori na thotё se kёtё armiqёsi e bёri nё mёnyrёn mё antishqiptare Ahmet Zogu, e pasoi barbarisht Enver Hoxha e Ramiz Alia, pёr tu kurorёzuar nё mёnyrёn mё tё dёmshme, mё pro sllavo-aziatike te Sali Berisha.

Opinionet e specialistёve tё fushave tё ndryshme pohojnё njёzёri se dёmi, shkatёrrimi qё i ka bёrё vendit, relievit tё tij gjeografik, pronёs private, kulturёs shoqёrore, konceptit komunitar unik shqiptar, florёs dhe faunёs, ёshtё shumё mё i madh sesa dёmi qё para ardhёsiti kanё shkaktuar gjatё sundimit tё tyre.

Kёtё fenomen shqiptar studjuesi modern Spartak Ngjela e pasqyron nё mёnyrёn mё tё qartё. Me njё punё tё palodhur sistematike nёpёr vite ka prodhuar njё punё madhore historie duke analizuar motivet e aktorёve historik qё pёrshkruan. Narracionin objektiv e ndёrton mbi metodёn çfarё ndodhi, pёrse ndodhi, pasojat historike. Pёr Ngjelёn historia nuk ёshtё thjeshtё njё pёrshkrim i asaj qё ka ndodhur nё tё kaluarёn. Eshtё njё provё e shkёlqyer sesi ajo duhet kuptuar.

Nё libёr argumentohet historikisht sesi thelbi antiperёndimor i formimit tё personalitetit tё tё dyve, E. Hoxhёs dhe S. Berishёs, dёshira e tyre pёr pushtet absolut, diktoi lёvizjet retrograde nё dёm tё popullit shqiptar. Nё kёtё rrugё sёbashku me rrethin e tyre tё afёrt kёta individё nё krye tё pushtetit s’kanё bёrё gjё tjetёr veçse kanё mbajtur tё gjallё frymёn orientale antiperёndimore mes shqiptarёve, tendencёn pёr vetaziatizimin, atё frymё qё shumё vite mё parё nё mёnyrёn mё tё shkёlqyer konceptuale letraro-filozofike e ka trajtuar nё novelёn “Lamtumira e sё keqes” shkrimtari i madh Kadare.

Ja sesi shkruan te kjo novelё: “Bota e lindjes orientale e ёndёrronte dhe e kishte gjetur njeriun e duhur pёr vetaziatizimin e shqiptarёve. Prijёsi i ardhёshёm duhej tё ishte njё njeri qё duhej tё kishte diçka pёr tё mbuluar, diçka tё keqe, tё padurueshme pёr tё fshirё nga e kaluara e vet. Kёshtu ikte vera dhe vinte dimri pёr shqiptarёt. Tё jetё njё njeri qё mund tё bёj atё qё nuk e bёn dot as ushtria, as hoxhallarёt dhe as vezirёt turq. Njё njeri qё tё jetё i kundёrt me Gjergj Kastriotin. Njё Hoxhё i zi, njё dashnor i vogёl i Azisё, qё na do, na adhuron neve turqve aziatikё mё shumё nga sa e duam ne veten tonё. Kёshtu duke qёnё e shkёputur Shqipёria pёrfundimisht mbahej afёr orientit”.

Duket qartё qё me kohё Ngjela nё sajё tё formimit tё tij intelektual e ka bёrё tё vetin konceptin social filozofik properёndimor tё shkrimtarit Kadare nё lidhje me fatin e shqiptarёve. Te Ngjela, si emisar i frymёs properёndimore ka zёnё vend njё herё e pёrgjithmonё koncepti social-filozofik “Kastriotizёm”, simbol i orientimit properёndimor shqiptar.

Gjithёçka nё libёr ёshtё analizё me kompetencё tё lartё profesionale e ndeshjes pёr mbijetesё midis dy rrymave nё shoqёrinё shqiptare, asaj orientale aziatike dhe asaj properёndimore, tё cilёn Naim Frashёri e kishte pёrcaktuar me shprehjen: “Drita vjen andej nga perёndon”. Kastrioti e kishte bёrё 400 vjet pёrpara “largimin historik” nga bota aziatike, nga ajo botё ku nё kohёt moderne Hoxhёt e Berishёt kёrkojnё ta rrёshqasin barbarisht popullin shqiptar pёr tё keqen e tij.

Tranzicioni shqiptar ёshtё shprehje e pamohueshme e qёndrimeve retrograde tё klasёs politike shqiptare me Berishёn nё krye. Kur e ke lexuar librin tё mbetet e ngulitur nё kokё ideja se Sali Berisha qёndron si mishёrimi, si shёmbёlltyra mё shprehёse, si besniku i paepur i projekti tё Katovicёs.

Autori Njela me vizionin e tij tё gjerё e tё thellё nuk e shikon analizёn e tranzicionit shqiptar tё shkёputur nga ecuria dhe sfidat qё pёrmbajnё zhvillimet nё vёndet fqinjё tё rajonit, posaçёrisht Serbia e Milosheviçit. Autori bёn fjalё nё libёr pёr takimet me funksionarёt e lartё nё Beograd dhe ballafaqimin politik pёr çёshtjen e Kosovёs. Ështё shumё i qartё pёr politikёn rajonale, dhe personazhet historikё qё veprojnё brenda kёtij rajoni.

Vetvetiu tё kalojnё nё mёndje dy krahasime. Ngjela e bashkёpunёtorёt e tij e refuzojnё me vetёdije takimin me Milosheviçin nё Beograd, ndryshe nga takimi kokё mё kokё midis Fatos Nanos dhe Slobodan Milosheviçit kohё mё parё. Nano nё takim i çfaqur me papion, si njё xhentёllmen butaforik, asnjёherё nuk u tha shqiptarёve dhe kosovarёve se çfarё bisedoi, çfarё bёlbёzoi i ngrefosur dhe çfarё pranoi pёrulshёm nё atё takim me Milosheviçin. Qёndrim krejt i papёrgjegjshёm pёrpara historisё e popullit tё tij, krejt e kundёrta e qёndrimit tё mbajtur e tё shpjeguar nё libёr nga S. Ngjela. Periudha e Fatos Nanos mendoj realisht se mund tё pёrmblidhet me dy fjalё- e degradoi rёndё sistemin demokratik shqiptar, dhe me plot vullnet prej vagabondi historik ia dorёzoi Berishёs, i cili me vullnet tё paepur i nxori themelet godinёs sё shtetit shqiptar, e fundosi akoma mё thellё nё kёtё degradim. Dokrrat e nostalgjikёve tё Fatos Nanos qё e cilёsojnё atё si emancipues i politikёs shqiptare mendoj se janё çfaqja mё tipike e mёndje ngushtёsisё sё mendimit shoqёror shqiptar.

Me pёrshkrimet dhe argumentimet qё bёn autori mbi figurat politike tё kohёs si G. Pashko, S Berisha, A. Meksi, A. Hajdari, N. Ceka, A. Imami, etj.(njё pjesё vegla tё bindura tё Ramiz Alisё), tё krijohet njё ndjenjё keqardhjeje nё pazotёsinё e tyre pёr tё frenuar dekadencёn gjatё tranzicionit shqiptar, pёr pa aftёsinё e tyre nё shtrimin e rrugёs sё pёrparimit dhe integrimit europian. Ngjela sjell shёmbuj tё pakundёrshtueshёm mbi lёvizjet politike retrograde tё S. Berishёs si president, tё njerёzve pranё tij (B. Gazidede, A Shehu, etj) instrumenta me tё cilёt diktonte vullnetin e tij diktatorial. Nё tё kundёrt tё tyre, tё bёn tё ndihesh krenar arritja e njё klasi kaq tё lartё interpretuesi tё historisё bashkёkohore si autori Spartak Ngjela. Vepra e tij “Pёrkulja dhe rёnia e tiranisё shqiptare” pёrbёn njё kontribut unik nё kulturёn shqiptare, tregues eloquent i aftёsisё gjeneruese vlerash humane tё racёs shqiptare.

Filed Under: Kulture Tagged With: Minella Alaksi, skaner, Spartak Ngjela, tranzicionit shqiptar

LUFTËRAT BALLKANIKE – KRIMET SERBE NDAJ SHQIPTARËVE

September 19, 2013 by dgreca

Shkruan: Xhelal Zejneli/

Kanë kaluar një shekull nga luftërat ballkanike. Në vitin 1912 Mbretëria e Serbisë e pushtoi Kosovën. Menjëherë pas kësaj filloi politika e gjenocidit serb ndaj shqiptarëve, e përcjellë edhe me shpërnguljen e dhunshme të tyre nga trojet stërgjyshore. Krahas kësaj ka rrjedhur edhe procesi i kolonizimit të Kosovës me serbë.Pushtimi i Kosovës nga Serbia në vitin 1912 u shoqërua me krime të rënda ndaj popullsisë shqiptare. Pas pushtimit të Kosovës u zbatua politika e dëbimit të shqiptarëve për në Anadolli. Ndaj shqiptarëve që nuk i lëshuan trojet dardane, serbët ndoqën politikën e forcës, të gjenocidit dhe të kolonializmit.

Ndaj politikës kolonialiste serbe në Kosovë, përfshi edhe ndaj shqiptarëve në Maqedoni dhe në Mal të Zi,  kancelaritë e Evropës kurrë s’kanë reaguar.

Të ushtrohet gjenocid ndaj një populli – në Evropë – dhe kancelaritë e saj të rinë duarkryq, kjo është absurde.

*   *   *

Krimet serbe në Kosovë dhe në viset e tjera shqiptare – Për krimet serbe ndaj shqiptarëve në kohën e luftërave ballanike 1912-1913 flasin edhe të dhënat e disa studiuesve dhe intelektualëve serbë të asaj kohe, të publikuara në shtypin e kohës në Beograd si dhe në periudhat e mëvonshme.

Në periudhën e Mbretërisë së Jugosllavisë, terror dhe vrasje mbi popullsinë shqiptare kanë kryer të ashtuquajturat “aradha fluturuese” (leteći odredi) të ushtrisë, të policisë dhe të çetnikëve serbë.

Politikën imperialiste serbomadhe të periudhës së luftërave ballkanike e ka demaskuar edhe publicisti dhe socialdemokrati serb Kosta Novakoviq (1886-1939), autor i librit Katër muaj në Shqipërinë qendrore, Beograd, 1914. Në vitin 1912, në gazetën Radničke novine të Beogradit, midis tjerash ai shkruan: “Ka dalë në skenë një Serbi imperialiste, pan-Serbia, me dinastinë e saj panserbe dhe me militarizmin panserb. Ky imperializëm i ri, i egër, brutal dhe i pamëshirshëm ëndërron për ringjalljen e perandorisë së Dushanit”.

Në artikullin e vet Kolonizimi dhe serbizimi i Kosovës, për krimet serbe të viteve 1912 dhe 1913 Kosta Novakoviqi shkruan:

“Kosova është një territor i pastër shqiptar. Serbë në të ka vetëm 10 deri në 15 %. Imperialistët serbë kanë përdorur taktika dhe metoda të luftëtarëve mesjetarë apo të pushtuesve kolonialistë: shfarosjen e popullatës shqiptare nën pretekstin e zhvillimit të operacioneve ushtarake, çarmatosjen e popullatës shqiptare dhe shtypjen e qëndresës së armatosur të shqiptarëve. Në vitin 1912 dhe 1913 serbët kanë vrarë 120.000 shqiptarë – burra, gra, djem, pleq, plaka dhe fëmijë. Qindra fshatra janë goditur me armatime të rënda, artileri dhe topa. Një numër i madh i fshatrave në Kosovë por edhe në Maqedoni – janë djegur. Të paktën 50.000 shqiptarë, për ta shpëtuar jetën nga masakrat e forcave ushtarake serbe, u detyruan t’i braktisin trojet e veta, të bëhen refugjatë dhe të ikin për në Turqi dhe Shqipëri. Kjo politikë shfarosëse ndaj shqiptarëve të Kosovës e dobësoi faktorin shqiptar në të, por në asnjë mënyrë nuk e ndryshoi karakterin shqiptar të saj. Me këto masakra të kryera ndaj shqiptarëve në Kosovë, Serbia synonte ta zbrazë atë vend, në mënyrë që ta kolonizonte me serbë dhe malazezë si dhe ta serbizonte atë.

 Ambasador i Rusisë cariste në Beograd në periudhën e luftërave ballkanike ka qenë  Nikollaj Genrikoviç Hartvig (1857-1914). I njohur për idetë tij pan-sllaviste, ka qenë dhe “më serb se  serbët”. Në prag të Luftës së Parë Botërore ka ushtruar ndikim të jashtëzakonshëm në politikën e qeverisë serbe. Ka mbështetur fuqimisht pushtimin e Kosovës dhe të viseve të tjera shqiptare si dhe krimet e ushtrisë serbe dhe të njësive paramilitare ndaj popullatës civile shqiptare.

Prej vitit 1918 deri në vitin 1938 ushtria pushtuese serbe ka djegur dhe ka shkatërruar 320 fshatra shqiptare. Vetëm në periudhën e viteve 1918-1921, në viset shqiptare serbët kanë bërë një terror, deri atëherë të paparë në Evropë: kanë vrarë 12.346 vetë, kanë burgosur 22.160 vetë, kanë plaçkitur 50.515 shtëpi, ndërsa 6.125 shtëpi kanë djegur.

Të dhëna të caktuara për krimet serbe ndaj shqiptarëve në Kosovë, në kohën e luftërave ballkanike jep edhe Trocki (Lev Davidoviç Bronshtajn, 1879-1940), në një artikull të botuar me titull “Prapa perdeve të luftërave ballkanike”, të publikuar për herë të parë në Kievskaya Mysl, Kiev, No. 355, datë 23.12.1912

Për hetimin e krimeve serbe ndaj shqiptarëve në vitet 1912-1913 u formua edhe një komision ndërkombëtar. Për masakrat e konstatuara u hartua një dokument me titull Raport i Komisionit për investigimin e shkaqeve dhe për rrjedhën e luftërave ballkanike. Raporti u publikua në Uashington D.C. në vitin 1914 nga Carnegie Endoëment for International Peace.  Komisioni i lartpërmendur përbëhej nga profesorë universitarë dhe individë të tjerë prominentë nga Franca, Britania e Madhe, SHBA-ja, Gjermania, Austria dhe Rusia. Anëtarë të këtij Komisioni ishin edhe tre laureatë të Çmimit Nobel.

 

*   *   *

Politika e pastrimit etnik – Në Mbretërinë e Serbëve, të Kroatëve dhe të Sllovenëve, e cila prej vitit 1929 do të quhet Mbretëria e Jugosllavisë, Beogradi nuk e njihte ekzistimin e bashkësisë etnike shqiptare, ndaj i quante myslimanë.

Dëbimi i dhunshëm i myslimanëve, d.m.th. i shqiptarëve nga Kosova, nga Sanxhaku dhe nga Maqedonia filloi në Luftën e Parë Ballkanike në tetor të vitit 1912. Sipas dokumenteve të diplomacisë serbe, deri në gusht të vitit 1914 nga viset e sipërthëna janë shpërngulur 281.747 banorë, duke mos i llogaritur fëmijët e moshës deri gjashtë vjeç. (Dokumente për politikën e jashtme të Mbretërisë së Serbisë 1903-1914, Libri VII, Vëllimi 1, Beograd, 1980, f. 617-618).

Familjet shqiptare, prej rajoneve të sapo pushtuara, nëpër Greqi u deportuan për në Turqi. Popullata myslimane e shteteve ballkanike duhej të vendoseshin në brigjet e Anatolisë, ndërsa shqiptarët, përpos në Turqi, duhej të vendoseshin edhe në vilajetet Halep dhe Bagdad, në Siri dhe në Irak. (Dokumente për politikan e jashtme të Mbretërisë së Serbisë 1903-1914, Libri VII/2, f. 319 Nr. 186, ASSHA, Beograd, 1980).

Në pronat e shqiptarëve të shpërngulur me dhunë, qeveria serbe solli mbi 20.000 familje serbe, ndërsa qeveria e Malit të Zi planifikonte të vendosë 5.000 familje në rrafshin e Dukagjinit. (Dr. Branko Babiq, Politika e Malit të Zi në viset e sapo çliruara 1912-1914, Titograd, 1984, f. 267-277).

Shpërngulja me dhunë e shqiptarëve vazhdoi edhe në kohën e Mbretërisë së Jugosllavisë. Pas kthimit të ushtrisë serbe në Kosovë në vitin 1918, shpërngulja e dhunshme e shqiptarëve, pa detyrim kthimi, ka vazhduar deri në Luftën e Dytë Botërore.

Përpos shpërnguljes për në Turqi, një numër i madh i shqiptarëve kanë emigruar edhe për në Shqipëri. Historiani dhe akademiku serb Dimitrije Bogdanoviq (1930-1986) në veprën e tij Libri për Kosovën thotë se vetëm në vitin 1921, nga viset shqiptare në Jugosllavi janë shpërngulur për në Shqipëri rreth 40.000 shqiptarë.

Pushteti i Beogradit ka organizuar formacione paraushtarake të çetnikëve të udhëhequra nga Kosta Peqanac, Miliq Kërstiq, Jovan Babunski, Vasilije Tribiq etj., të cilët kanë ndërmarrë ekspedita ndëshkuese duke ushtruar dhunë, terror dhe plaçkitje të organizuar. Më 7 tetor 1938 Ministria e Ushtrisë e Mbretërisë së Jugosllavisë jep urdhër për vazhdimin e shpërnguljes së shqiptarëve, ndërkaq Komanda e Armatës III propozon masa që ky aksion të zbatohet “me maturi, në mënyrë sistematike, por edhe energjike”, të vendoset këtu elementi serb dhe të bëhen përpjekje që brenda një kohe sa më të shkurtër masat kompakte të fuqishme të arnautëve të shkatërrohen.

Dimitrije Bogdanoviqi, i njohur për pikëpamjet e tij serbomadhe dhe antishqiptare, në librin e lartpërmendur shkruan se në fillim të vitit 1936 Turqia kishte shprehur gatishmëri për të lidhur me Jugosllavinë marrëveshje formale për shpërnguljen e 200.000 banorëve “të cilët, për nga mentaliteti janë të ngjashëm me turqit, në mënyrë që në Turqi të asimilohen më lehtë”.[Dimitrije Bogdanović, Knjiga o Kosovu, Beograd 1986, botim i ASSHA. Redaktor i botimit të këtij libri është akademiku serb – shkrimtari Antonio Isakoviq (1923-2002), njëri prej hartuesve të Memorandumit të ASSHA-s]  Ky libër u shkrua në vitin 1985 dhe u botua  një vit më vonë, pothuajse në të njëjtën kohë kur doli në Beograd – si një libër anonim – edhe Memorandumi famëkeq i akademikëve serbë, në janar 1986.

Në periudhën prej vitit 1919 deri në vitin 1940, prej Mbretërisë së Jugosllavisë për në Turqi janë shpërngulur gjithsej 255.878 myslimanë. Prej tyre,215.412 shqiptarë; 27.884 turq; dhe 2.582 boshnjakë.

Për shpërnguljen e shqiptarëve për në Turqi, për uzurpimin e tokave të tyre dhe për terrorin mbi ta nën regjimin e monarkisë serbe, jepen të dhëna edhe në Enciklopedinë ushtarake (Vojna enciklopedija, Beograd, 1972, knjiga četvrta, f. 656).

Politikani serb nga Kroacia, i periudhës midis dy luftërave botërore, Svetozar Pribiçeviq (1875-1936), në studimin e tij Diktatura e Mbretit Aleksandër, thotë se pas vendosjes së diktaturës, Mbretëria e Jugosllavisë e ka intensifikuar pastrimin etnik të trojeve shqiptare, me ç’rast rolin kryesor e ka luajtur Klubi Kulturor Serb në Beograd, i drejtuar nga Sllobodan Jovanoviqi (1869-1958) – profesor i Fakultetit të Drejtësisë, historian dhe rektori i Universitetit të Beogradit. Ky klub në të cilin tuboheshin akademikët serbë, intelektualët eminentë dhe profesorët universitarë, mbështetej edhe nga administrata shtetërore. (Svetozar Pribičević, La dictature du roi Alexander, Paris, 1933; Diktatuara Kralja Aleksandra, Beograd, 1983, f.15; Diktatura Kralja Aleksandra, Globus Zagreb, 1990, f. 311).

Publicisti i sotëm serb Vladan Jovanoviq, në studimin e tij Në kërkim të atdheut – migrimet e myslimanëve nga Jugosllavia për në Turqi 1918-1941, thotë se në vitin 1935 autoritetet jugosllave kanë organizuar në Beograd një takim në të cilin kanë marrë pjesë përfaqësuesit e pesë ministrive të shtetit dhe përfaqësuesit e Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë së Mbretërisë së Jugosllavisë, me ç’rast është hartuar projekti “për shpërnguljen e elementit josllav nga Serbia Jugore”. Një prej konkluzioneve të këtij projekti ka qenë: Miratimit urgjent i një konvente dypalëshe me Turqinë. Me një marrëveshje që do të arrihej, parashikohej:

– personat të cilët vullnetarisht heqin dorë nga shtetësia jugosllave, do të lirohen nga të gjitha tatimet dhe nga detyrimet ushtarake; si dhe

– transporti falas për ata të cilët pasurinë e vet të paluajtshme do t’ia lenin shtetit.

  

Propozimet e Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë së Mbretërisë së Jugosllave u miratuan si masa për shpërnguljen “e suksesshme dhe të shpejtë të popullatës josllave” për në Turqi dhe Shqipëri.

 

Masat e sipërthëna, ndërmjet tjerash përfshinin:

 

– luftimin e propagandës kundër shpërnguljes, që zhvillohej nga Tirana;

– thirrjen e shpeshtë të rekrutëve shqiptarë të zonave kufitare në stërvitje ushtarake;

– ndalimin e pranimit në shërbime shtetëror “të personave që janë të parashikuar për shpërngulje”;

– zhvendosjen e nëpunësve aktualë josllavë (d.m.th. shqiptarë) në zonat e tjera të vendit;

– “shtetëzimin e objekteve gjeografike dhe ndërrimin e mbiemrave personalë” etj.

 

Me këtë rast, ushtria serbe flet edhe për rolin e rëndësishëm që duhet të luajnë Kisha Ortodokse Serbe, mbrojtja popullore dhe iniciativa private.

 

*   *   *

Politika afatgjatë e largimit të dhunshëm të shqiptarëve nga trojet e veta stërgjyshore për në Anadolli dhe prolongimi i shpërnguljes së tyre, has në kritikat e akademikut serb Vasa Çubrilloviq (1897-1990). Për ta zgjidhur shpejt dhe për t’i dhënë fund “çështjes shqiptare”, autori i memorandumit apo i elaboratit famëkeq të dëbimit të shqiptarëve nga Kosova dhe kolonizimit të saj me serbë dhe malazezë, propozon mënyra efektive dhe konkrete të pastrimit etnik.

Në studimin Ideologjia e Serbisë së madhe, politikani kroat Ante Belo (1946-) shkruan se projektin e dëbimit të shqiptarëve për në Turqi e hartoi Çubrilloviqi në vitin 1937, e pikërisht për qeverinë e kryeministrit Stojadinoviq të Mbretërisë së Jugosllavisë. Atë duhej ta zbatonin autoritetet shtetërore. Midis tjerash, Çubrilloviqi shkruan:

“Shqiptarët është e pamundur të luftohen vetëm nëpërmjet kolonizimit gradual… E vetmja mënyrë dhe i vetmi mjet është forca brutale e organizuar, e organeve të shtetit. Në këtë pikëpamje,  serbët  gjithmonë kanë qenë mbi ta.”(Ante Beljo, Ideologija Velike Srbije, artikull në Hrvatski iseljeniçki zbornik, Zagreb, 1995, f. 219-238).

Pas politikës së dhunës dhe të pastrimit etnik të trojeve shqiptare, Serbia zbatoi politikën e kolonizimit të Kosovës dhe të viseve të tjera shqiptare me kolonë serbë dhe malazezë.

 

Konventa ndërmjet Jugosllavisë dhe Turqisë

për shpërnguljen e shqiptarëve nga trojet stërgjyshore nën pushtimin serb

 

Kontaktet e para shtetërore ndërmjet Mbretërisë së Serbëve, të Kroatëve dhe të Sllovenëve (SKS) dhe Turqisë lidhur me shpërnguljen e shqiptarëve, janë realizuar në vitin 1926, ndërsa në vitin 1933 është përcaktuar platforma e re e Ministrisë Jugosllave të Agrikulturës, ideja kryesore e së cilës ka qenë se ekspatriacioni (çatdhesimi) i shqiptarëve mund të kryhet vetëm në kuadër të një procesi afatgjatë, e pikërisht për dy arsye:

– e para, Jugosllavia nuk ka mjete të mjaftueshme për ta realizuar një projekt të tillë;

– e dyta, rrethanat ndërkombëtare nuk do të lejonin që deportimi i shqiptarëve të realizohet në afat të shkurtër.

Vlladan Jovanoviqi në studimin e sipërthënë shkruan se veprimtaritë shtetërore për shpërnguljen e shqiptarëve për në Turqi arritën kulmin me nënshkrimin e konventës ndërmjet Jugosllavisë dhe Turqisë.

Prej 9 deri më 11 korrik 1938 në Stamboll janë mbajtur një varg mbledhjesh për përgatitjen e Marrëveshjes ndërmjet Jugosllavisë dhe Turqisë për shpërnguljen e shqiptarëve. Të dyja palët kanë rënë dakord që brenda gjashtë vitesh, nga Kosova, nga Maqedonia dhe nga Mali i Zi të shpërngulen 40.000 familje shqiptare në zonat e shkreta, të pabanuara të Anatolisë. Konventa ndërmjet Jugosllavisë dhe Turqisë u nënshkrua më 11 korrik 1938 dhe duhej të hynte në fuqi pasi ta ratifikonin parlamentet e t ë dy vendeve. Me shpërnguljen ne shqiptarëve duhej të liroheshin tokat pjellore dhe të punueshme për serbët që do të vinin prej viseve pasive të Serbisë8.

Me nenin 2 të Konventës ndërmjet Jugosllavisë dhe Turqisë parashikohej ekspatriacioni (çatdhesimi) i plotë i shqiptarëve nga shumë qytete të tyre, midis të cilëve janë: Prizreni, Ferizaj, Prishtina, Kaçaniku, Gjilani, Presheva, Peja, Istogu, Mitrovica, Gjakova, Vushtrria (Vuçitërni), Drenica si dhe nga qytetet e tjera shqiptare në Maqedoni dhe në Mal të Zi. Për pesë vitet e para të shpërnguljes, d.m.th. në periudhën e viteve 1939-1944, sipas konventës së sipërthënë parashikohej të shpërnguleshin në Turqi 25.000 familje shqiptare, e pikërisht me dinamikën vijuese: 4.000 familje në vitin 1939; 6.000 familje në vitin 1949; 7.000 familje në vitet 1941 dhe 1942; dhe 8.000 familje në vitet 1943 dhe 1944.

Sipas marrëveshjes ndërmjet Jugosllavisë dhe Turqisë, një familje ka mundur të përmbajë deri në 250 anëtarë, kështu që 40.000 familje shqiptare kanë mundur të arrijnë edhe mbi 1 milionë vetë.

Ratifikimi dhe realizimi i  kësaj konvente  është penguar për shkak të:

– mosmarrëveshjeve financiare ndërmjet Beogradit dhe Ankarasë,

– fushatës së autoriteteve të Shqipërisë kundër shpërnguljes së shqiptarëve nga trojet e veta stërgjyshore për në Turqi si dhe

– shpërthimit të Luftës së Dytë Botërore.

 

Edhe pse kjo marrëveshje nuk është ratifikuar dhe nuk është zbatuar siç ka qenë planifikuar, ka pasur pasoja të rënda për pozitën dhe të ardhmen e popullit shqiptar në Jugosllavi.

 

Pastrimi etnik afatgjatë dhe kolonizimi i viseve shqiptare në Jugosllavi ka shkaktuar ndryshimin etnik të strukturës së popullsisë. Masat e dhunshme të ndërmarra nga Beogradi ndaj shqiptarëve, kanë ndikuar që marrëdhëniet e grupeve etnike gjithmonë të jenë të  tensionuara, e sidomos ndërmjet shqiptarëve vendas dhe kolonëve serbë. Kjo ka ndikuar edhe në thellimin e konfliktit midis serbëve dhe shqiptarëve.

 

*   *   *

Ideologjia kombëtare serbe – Ideologjinë nacionaliste serbe të Ilija Garashaninit (1812-1874) të paraqitur në projektin e tij Naçertanije, Beograd 1844 si dhe të filologut dhe mbledhësit të këngëve popullore serbe Vuk Stefanoviq Karaxhiqit (1787-1864), do ta vazhdojnë me devotshmëri intelektualët serbë të qarqeve akademike dhe universitare të fillimit të shekullit XX.

Në vitet 1912-1918, ideologë të njohur të të ashtuquajturës çështje kombëtare serbe, kësaj murtaje të zezë të Ballkanit, ishin studiuesit, intelektualët, profesorët universitarë dhe akademikët serbë, si: Jovan Cvijiqi (1865-1927); Vlladan Gjorgjeviqi (1844-1939) – autor i librit famëkeq Arnauti i Velike sile, Beograd, 1913; Stojan Novakoviqi (1842-1915), filolog dhe historian i letërsisë, kryetar i Akademisë Mbretërore Serbe, kryeministër i Qeverisë së Serbisë; Nikolla Stojanoviq (1880-1966), jurist dhe politikan serb nga BH; Stevan Moleviq (1888-1959), politikan, publicist dhe avokat serb nga BH, autor i një memorandumi që mban titullin Serbia homogjene (Homogena Srbija), të vënë në qarkullim në Nikshiq të Malit të Zi më 30 qershor 1941. Në të i paraqet ambiciet territoriale të Serbisë dhe “të drejtën” e saj për të dominuar në Jugosllavi. Gjatë Luftës së Dytë Botërore Moleviqi ka qenë këshilltar i udhëheqësit të Lëvizjes së Çetnikëve – Drazha Mihajlloviqit.

Vijës së kësaj ideologjie vepruan hartuesit e Memorandumit të ASSHA (SANU) që u botua në Beograd si një libër anonim në janar të vitit 1986: filologu Pavle Joviq; shkrimtari Antonije Isakoviq; biologu i biologjisë molekulare Dushan Kanazir; filozofi Mihajlo Markoviq; historiani i artit Dejan Medakoviq; historiani i letërsisë Miroslav Pantiq; gjeologu dhe paleontologu Nikolla Pantiq; historiani Radovan Samarxhiq; profesori i fakultetit të mjekësisë dhe shkencëtari Lubisha Rakiq; historiani Vasilije Krestiq; inxhinieri i makinerisë Miomir Vukobratoviq dhe kritiku i artit figurativ, piktori Stojan Gjeliq. Në krye të tyre qëndronte babai i kombit serb, shkrimtari dhe akademiku me shkollë të mesme bujqësore Dobrica Qosiq.

 

Nga ideologjia në agresion – Ideologjia serbomadhe u bë politikë shtetërore e Serbisë dhe u zbatua nga: karagjorgjeviqët, Nikolla Pashiqi (1845-1926), Aleksandër Rankoviqi (1909-1983) dhe Sllobodan Millosheviqi (1941-2006).

 

Synimi i tyre ishte:

 

– ta rimëkëmbin perandorinë e car Dushanit dhe ta krijojnë Serbinë e Madhe;

– të ndjekin politikë hegjemoniste, ekspansioniste, centraliste, unitariste dhe etatiste;

– t’ia caktojnë Serbisë rolin e Piemontit  në gadishull;

– t‘i sigurojnë Serbisë rol dominues në  Jugosllavi dhe në Ballkanin – fuçi baruti;

– ta shndërrojnë Serbinë në faktor të rëndësishëm në rajon, në mënyrë që fuqitë evropiane, për t’i realizuar synimet e tyre strategjike, të llogarisnin në aleancën e serbëve;

– të përhapin propagandë se serbët janë popull hyjnor (nebeski narod);

– t’ua bëjmë me dije kancelarive të fuqive të mëdha se serbët janë popull historik;

– t’u tregojmë fuqive historike të Evropës se serbët janë popull politik;

– ta bindim faktorin ndërkombëtar influent se popujt e tjerë të rajonit, nuk janë as popuj historik dhe as popuj politik.

 

Duhet t’u bëhet me dije kancelarive të evropiane se: serbët kanë traditë shtetërore dhe ushtri të fortë; në çaste të caktuara historike kanë marrë pjesë në luftëra; janë rreshtuar në anën e drejtë; kanë luftuar përkrah forcave ngadhënjyese; ushtritë serbe kanë bërë luftëra frontale dhe kanë shpërthyer fronte etj.

Shpërthimin e frontit të Selanikut në tetor të vitit 1917 në Luftën e Parë Botërore, përkrah ushtrive franceze, angleze dhe greke, kundër ushtrive gjermane, austro-hungareze dhe bullgare, serbët e kanë shndërruar në mit.

Në saje të atributeve të mësipërme, serbët merituakan të dominojnë në gadishull.

 

*   *   *

Sipas radikalëve serbë, populli serb ndahet në tre religjione: serbët në Serbi janë serbë të fesë ortodokse; kroatët në Kroaci janë serbë të fesë katolike; ndërkaq myslimanët në Bosnjë e Hercegovinë, janë serbë të fesë myslimane. Armiqtë historikë të serbëve – qendrat katolike, habsburgët dhe habsburgu i fundit Tito, e copëtojnë Serbinë për të krijuar prej saj tre shtete dhe po aq kombe. Dy prej tyre – artificiale dhe johistorike.

 

Në periudhën e viteve 1918-1941 ideologjia serbomadhe:

 

– mohonte ekzistimin e kombit shqiptar në Jugosllavi dhe i quante myslimanë; sipas tyre, shqiptarët janë inferiorë, nuk janë popull historik, nuk janë popull politik dhe nuk posedojnë aftësi shtetndërtuese, ndaj dhe territoret e tyre duhet të zotërohen prej serbëve.

– mohonte ekzistimin e malazezve, të myslimanëve (boshnjakëve) dhe të maqedonasve si bashkësi etnike të veçanta; qoftë mbi baza gjuhësore, qoftë mbi baza fetare, këta konsideroheshin serbë.

 

Ndërsa me një ideologji unitariste, centraliste dhe etatiste synonte krijimin e kombit jugosllav dhe homogjenizimin e popujve joserbë, sidomos të kroatëve dhe të sllovenëve, me qëllim të asimilimit të tyre në serbë.

Me fjalë të tjera, malazeztë janë serbë ngase gjuha që flasin s’është veçse një dialekt i serbishtes; myslimanët e Bosnjës dhe Hercegovinës s’janë veçse serbë të islamizuar. Edhe këta, sikurse malazeztë, flasin serbisht apo një dialekt të saj; maqedonasit nuk kanë histori dhe janë pa identitet; duke qenë se  banojnë në Serbinë Jugore (Juzhna Srbija), rrjedhimisht janë serbë; kroatët janë serbë të fesë katolike; gjuha që flasin s’është veçse serbishte, apo një dialekt i saj; me një politikë unitariste, centraliste dhe etatiste do t’i asimilojmë në serbë; sllovenët, për t’u shpëtuar synimeve ekspansioniste të Vjenës, medoemos t’i kthehen gjirit të sllavëve të jugut.

Ndaj malazezëve, myslimanëve të BH-së, maqedonasve dhe kroatëve, serbët zbatonin teoritë apo thëniet latine: quius lingua, eius regio (e kujt gjuha, i atij  territori) apo quius religio, eius regio (e kujt feja, i atij territori).

Pra, malazeztë janë serbë mbi bazën e gjuhës dhe të fesë; myslimanët e BH-së dhe kroatët – mbi bazën e gjuhës;  ndërsa maqedonasit –  mbi bazën e fesë.

Po shqiptarët?! Shqiptarët, në këtë bashkësi sllavësh të jugut, janë trup i huaj. Si të tillë, do t’i dëbojmë për në Anatoli. Ndaj atyre që do të mbeten do të ndjekim politikën e forcës, të restriksionit, të diskriminimit dhe të represionit, do të ushtrojmë dhe opresion. Kosova për ta ishte Serbi e Vjetër (Stara Srbija).

Kështu Jugosllavinë do ta shndërrojmë në serbosllavi.

 

*   *   *

Ideologët serbë të sotëm – Historianët e sotëm serbë, me në krye akademikun dhe shkrimtarin Dobrica Qosiq thonë:

 

– Ballkani sot ndodhet nën sundimin e SHBA-së dhe të aleatëve evropianë të saj – Britanisë së Madhe dhe Gjermanisë;

– Sot në Evropë dhe në Ballkan mbizotërojnë fuqitë humbëse të dy luftërave botërore;

– Para Luftës së Parë Botërore dhe gjatë saj, imperialistët gjermanë synonin Drang nach Osten (Depërtim në Lindje), drejt Kostandinopojës e më tej. Depërtimet e Gjermanisë naziste në drejtim të juglindjes para Luftës së Dytë Botërore, paraqesin vazhdim të asaj politike. Berlini dhe Vjena të njëjtin pretendim e kanë edhe sot, por në forma të tjera. Ndaj krijimi i kombit të fortë dhe të konsoliduar shqiptar në Ballkan përputhet me synim historik gjerman për të depërtuar në lindje;

– Armiq të përbetuar të Serbisë kanë qenë dhe janë: Vatikani, CIA, Berlini, Vjena dhe agjenti i tyre Josip Broz Tito;

– Sot në Ballkan, me ndihmën e Vatikanit, të SHBA-së, të Gjermanisë dhe të Vjenës zhvillohet haptas procesi i krijimit të Shqipërisë së Madhe;

– Procesi i fragmentarizimit të Serbisë do të vazhdojë, duke ia shkëputur asaj Vojvodinën, Sanxhakun dhe Kosovën lindore (Preshevë, Bujanovc dhe Medvegjë).

– Turqia, nën parullën e neo-osmanizmit, pretendon të rikthehet në gadishull, duke gjetur mbështetje ndër shqiptarë dhe ndër boshnjakë.

*   *   *

Propaganda antishqiptare serbe – Serbia, sot e kësaj dite vazhdon të përhapë propagandë nëpër kancelaritë evropiane për pretendimet e Ankarasë për t’u rikthyer në një pjesë të gadishullit. Sipas kësaj propagande,  pretendimet turke për të depërtuar në rajon, çojnë në krijimin e shteteve islamike në të. Ndaj Uashingtoni dhe Brukseli nuk duhet të lejojnë kreatura fundamentaliste para dyerve të Evropës.

Qëllimi i kësaj propaganda antishqiptare të Beogradit është që shqiptarët t’i paraqesin para perëndimorëve si popull me identitet kombëtar të diskutueshëm, si pro turq, pro arabë, pro persianë, si popull që është përçues i vlerave anadollake, aziatike dhe islamike në Evropën e krishterë, si popull që funksionon me vlera jashtë evropiane, si popull që funksionon me vlera turke, arabe, persiane dhe islamike në gadishull. Kohët e fundit, propaganda serbe dhe ajo greke në mënyrë intensive i denoncon shqiptarët nëpër zyrat e fuqive evropiane edhe si islamistë radikalë që punojnë kundër Perëndimit dhe që i rrezikojnë vlerat e qytetërimit perëndimor.

 

*   *   *

Për të ndërtuar një Jugosllavi me dominimin serb, gjatë historisë politike të tyre, serbët u përqendruan kryesisht:

– në krijimin e faktorit të forcës; dhe

– në ndërtimin e një makinerie propagandistike gebelsiane.

 

Për ta mbajtur serbosllavinë, këtë krijesë artificiale të Versajës dhe burg të popujve, karagjorgjeviqët dhe pashiqët, më vonë rankoviqët dhe millosheviqët zbatuan politikën e forcës.

Serbia, me politikën e saj destruktive, luftënxitëse, hegjemoniste, ekspansioniste dhe kolonialiste është shkaktarja kryesore dhe permanente e destabilizimit të Ballkanit, këtij rajoni të cilësuar si fuçi baruti, ku është zhvilluar bellum omnium in omnes. Një politikë e tillë është irracionale. Për gjakderdhjet që ua kanë shkaktuar fqinjëve të vet, serbët duhet të mbajnë përgjegjësi para gjykatës ndërkombëtare të drejtësisë.

Francezët kanë gabuar që i kanë lejuar serbët ta keqpërdorin miqësinë me ta.

Ambiciet e serbëve gjatë historisë kanë qenë në shpërpjesëtim me potencialet reale të tyre. Ata janë një popull i vogël, ndaj politikën shtetërore duhet ta harmonizojnë me përmasat kombëtare reale.

Në Evropë dhe në planin global, sot kemi një konstelacion të ri: muri i Berlinit ka rënë; Gjermania është ribashkuar; Traktati i Varshavës është zhbërë; ideologjia bolshevike është rënuar; perandoria sovjetike është shpërbërë; kampi socialist është shuar; lufta e ftoftë ka marrë fund; Rusia nuk është më superfuqi; kontradiktat historike të fuqive evropiane harmonizohen në kuadër të BE-së; Jugosllavia e Versajës dhe e KAÇKJ-së (AVNOJ-it) u shkatërrua me gjak.

Serbët duhet të heqin dorë nga idetë kombëtare retrograde, anakronike, antihistorike dhe antidemokratike të shekullit XIX. Duhet ta pranojnë realitetin e ri në rajon dhe në planin global dhe ta ridefinojnë ideologjinë kombëtare.

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

Filed Under: Histori Tagged With: krimet serbe, Lufta ballkanike, ndaj shiptareve

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 17
  • 18
  • 19
  • 20
  • 21
  • …
  • 62
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Dashuria që e kemi dhe s’e kemi
  • “Jo ndërhyrje në punët e brendshme”, dorëheqja e Ismail Qemalit, gjest atdhetarie dhe fletë lavdie
  • Arti dhe kultura në Dardani
  • Gjon Gazulli 1400-1465, letërsia e hershme shqipe, gurthemeli mbi të cilin u ndërtua vetëdija gjuhesore dhe kulturore e shqiptarëve
  • “Albanian BookFest”, festivali i librit shqiptar në diasporë si dëshmi e kapitalit kulturor, shpirtëror dhe intelektual
  • VEPRIMTARI PËRKUJTIMORE SHKENCORE “PETER PRIFTI NË 100 – VJETORIN E LINDJES”
  • 18 dhjetori është Dita Ndërkombëtare e Emigrantëve
  • Kontributi shumëdimensional i Klerit Katolik dhe i Elitave Shqiptare në Pavarësinë e Shqipërisë 
  • Takimi i përvitshëm i Malësorëve të New Yorkut – Mbrëmje fondmbledhëse për Shoqatën “Malësia e Madhe”
  • Edi Rama, Belinda Balluku, SPAK, kur drejtësia troket, pushteti zbulohet!
  • “Strategjia Trump, ShBA më e fortë, Interesat Amerikane mbi gjithçka”
  • Pse leku shqiptar duket i fortë ndërsa ekonomia ndihet e dobët
  • IMAM ISA HOXHA (1918–2001), NJË JETË NË SHËRBIM TË FESË, DIJES, KULTURËS DHE ÇËSHTJES KOMBËTARE SHQIPTARE
  • UGSH ndan çmimet vjetore për gazetarët shqiptarë dhe për fituesit e konkursit “Vangjush Gambeta”
  • Fjala përshëndetëse e kryetarit të Federatës Vatra Dr. Elmi Berisha për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë në Seancën Akademike kushtuar 100 vjetorit të lindjes së Peter Priftit

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT