• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for September 2013

DITAR PËR QEVERINË RAMA – RRETH VIZITËS NË BRUKSEL DHE SHKRIMIT TË NEUE ZÜRCHER ZEITUNG

September 18, 2013 by dgreca

Nga ELIDA BUÇPAPAJ/

Kryeministri i ri i Shqipërisë sapo ka vizituar Brukselin, ku është pritur nga të gjithë krerët e institucioneve më të larta të NATO-s dhe BE-së. Pritja ishte shumë e mirë, me plot shpresa dhe detyra për të përmbushur. Një pjesë e takimeve u dhanë „live“ –kështu që ne i pamë me sytë tanë e i dëgjuam me veshët tona çka u tha midis zyrtarëve më të lartë të Bashkimit Europian dhe kryeministrit Rama. Për Shqipërinë statusi i vendit kandidat për në Bashkimin europian është i arritshëm edhe në dhjetor, pra brenda këtij viti, por për këtë nevojiten përpjekje konkrete kundër krimit të organizuar e korrupsionit përmes hetimeve proaktive. Me pak fjalë, krerët e Brukselit i kërkojnë Ramës jo retorikë por luftë dhe rezultate konkrete kundër erozionit të shtetit ligjor. Që shqip do të thotë se kryeministrit të ri i duhet të çojë përpara drejtësisë të korruptuarit dhe mafiozët që kanë kapur shtetin. Brukseli i kërkoi Ramës si shumë të rëndësishme edhe bashkëpunimin me opozitën, e cila deri më tani është në një pozitë shumë amatore dhe qesharake.

Në ditën e dytë të vizitës të Ramës në Bruksel, gazeta presigjioze zvicerane Neue Zürcher Zeitung tek rubrika e saj Analiza dhe Reportazhe botonte në ueb analizën e Thomas Fuster, nga Viena, ku që në nëntitull, autori vendos kritikën sipas së cilës Edi Rama arriti ku deshi, por iu largua idealeve të larta, sepse, sipas autorit, ai bëri „aleancë me kryetarin e LSI-së, Ilir Metën, i cili konsiderohet si një nga politikanët më të korruptuar.“

Thomas Fuster lavdëronte luftën që Edi Rama si kryebashkiak dhe reformator i kishte bërë anarkisë urbane të kryeqytetit, kritikonte bojkotet dhe arrogancën si lideri i opozitës, por fokusohej tek aleanca me Metën.

Kjo kritikë si thikë me dy presa, pasi qeverisja Rama është në ditët e saj të para, ndërsa ish-kryeministri Berisha ishte pikërisht personi që e faktorizoi Ilir Metën në politikë, sepse si Fatos Nano ashtu dhe Edi Rama bënë gjithçka që ta defaktorizonin dhe nxirnin jashtë dyerve të saj.

Shkrimi i Neue Zürcher Zeitung paçka se ishte përkthyer gati në mënyrë integrale nga Radio DW, në Tiranë kaloi në heshtje ose i censuruar dhe i botuar si shkrim lavdërues. E censuroi edhe një platformë online shqipfolëse në Zvicër që botohet në tri gjuhë. Në Tiranë variantin e DW e botoi në ueb Panorama por nuk e vendosi në faqe të parë në gazetë. Ndërsa Balkanweb dhe Shekulli botuan atë pjesë ku lavdërohej Rama dhe censuruan plotësisht pjesën ku flitej për Ilir Metën.

Prej kësaj, edhe një herë del në spikamë roli negativ i mediave në Shqipëri, që operojnë si anekse të formacioneve politike. Kryeministrit të ri Edi Rama i duhet që të ndikojë në rimëkëmbjen e shtypit të lirë, i cili aktualisht ka paytyrësinë klienteliste të klasës politike.

Nëse gazatet dhe televizionet e Tiranës do të vazhdojnë të jenë në sintoni të plotë me politikën, duke ndryshuar padron, ashtu si kanë vepruar gjatë qeverisjes Berisha, kjo do të jetë minë me sahat në realizimin e detyrave që Brukseli dhe Washingtoni i kërkojnë kryeministrit Edi Rama, i cili kësaj here i duhet të ndërmarrë veprime jo si reformator urban, duke e pastruar Lumin e Lanës, që kalon mespërmes metropolit të shqiptarëve, nga arkitektura bizare dhe abstraksioniste e kioskave, por si një reformator shtetëror, që i duhet ta pastrojë shtetin nga strukturat e fuqishme të antishtetit, të cilat së pari synojnë dështimin e Ramës. Lufta me kioskat duket mikroskopike përpara kësaj që e pret. Por mund t’ia dalë. Dhe çdo shqiptar i ndershëm kërkon që Rama t’’ia dalë. Këtë gjë duhet të synojë edhe opozita.

©

Filed Under: Analiza Tagged With: ditar i Rames ne Bruksel, Elida Buçpapaj

Picasso: gjenitë dhe mjeshtrit e tyre

September 18, 2013 by dgreca

Nga Luan RAMA/

Në Paris, në sallat e mëdha të „Grand Palais“ apo në Louvre dhe në Musé d’Orsay, ekspozitat tematike dhe retrospektive për artistë të ndryshëm janë të vazhdueshme, pasi Parisi vazhdon të mbetet një metropol i pikturës botërore. Por ekspozita e hapur këto kohë në “Grand Palais”, në Champs Elysées, është e një natyre të veçantë. Jo vetëm pse i kushtohet punimeve emblematike të gjeniut të artit piktural botëror siç është Picasso, por sepse ajo synon të deshifrojë e zbulojë përmes krijimtarisë së këtij artisti të madh, rrugën e përshkuar nga ai, frymëzimet e tij, të tregojë se cilët ishin mjeshtrit e tij, udhërrëfyesit, ata që ai pati në zemër, duke ndërtuar njëkohësisht një lloj dialogu brënda ekspozitës, midis vetë veprave, duke ballafaquar midis tyre tabllotë e mjeshtërve që ai adhuroi në rininë e tij, apo dhe më pas, gjatë gjithë jetës së tij artistike. Ja pse kjo ekspozitë është ndryshe nga të tjerat dhe quhet «Picasso dhe mjeshtrit e tij» (Picasso et ses maitres). Dhe mjeshtrit e tij ishin Velasquez, El Greco, Rembrandt Goya, Delacroix, Manet, Ingres, Lautrec apo Cezanne. Dikush mund të thotë se janë shumë, apo të ndryshëm nga njëri tjetri. Por tjetër gjë na thotë krijimtaria e këtij gjeniu.

Para disa vjetësh, po në sallat e “Grand Palais” isha gjëndur përballë një ballafaqimi të tillë midis tabllove të Van Gogh dhe Millet, ashtu si më pas, në Amsterdam, midis tabllove të Caravaggio-s dhe Rembrandt. Ishin ballafaqime krijimtarish dhe tabllosh që kanë hyrë në historinë e artit botëror, ku ndikimi artistik nga njëri tek tjetri dukej në mënyrë të jashtëzakonshme. Vërtet Van Gogh kishte hedhur në telajo të njëjtat figura të pikturuara më parë nga Millet, duke i vendosur personazhet në të njëjtat pozicione, por tabllotë e tij kishin një gjëndje krejt tjetër. Të tjera linja, ngjyra, penela. Një tjetër art, të cilin e kisha admiruar që 30 vjet më parë, në një tabllo të Van Gogh sipas Millet, që e mbaja sipër kokës së krevatit dhe ku në tone okër ishte një fshatar që flinte rrezë një mullari bari. Po kështu ndodhte dhe tek italiani i famshëm Caravaggio që frymëzohej nga mjeshtri i tij. Por kjo ekspozitë në Paris është një ndërmarrje akoma më e thellë, pasi Picasso-n e ballafaqon me disa gjeni të tjerë pararendës, apo bashkëkohës të tij. Madje koncepti i kësaj ekspozite mbështetet dhe nga dy ekspozita të tjera të njëkohëshme: „Picasso dhe Delacroix“ në Louvre dhe „Picasso dhe  Manet“  në Muséee d’Orsay. 210 vepra në Grand Palais përfshijnë një epokë të madhe kohore, ose disa shekuj: nga shekulli XVI i Velasquez, deri në shekullin e XX, kohë kur jetoi dhe Cezanne. A nuk shkruante Picasso se «Unë thitha qumështin e tyre dhe me të u rrita»?

Picasso asnjëherë nuk e ka fshehur se disa tabllo të tij emblematike kishin tema e subjekte, apo ishin frymëzuar nga mjeshtër të tjerë të pikturës si nga Goya, Manet, Delacroix e gjer te Toulouse-Lautrec. «Thonë se pikturat e mia të para në Paris ishin kopje të Lautrec… por askush nuk i ngatërron veprat e mia me ato të tij. Duhet të përpiqesh të frymëzohesh dhe jo të thjesht të kopjosh», – thoshte ai.

Picasso i piktakoi veprat e Degas dhe Toulouse-Lautrec në rini të tij, kur nga Barcelona vinte të shikonte Parisin dhe i ngjitej kodrës së Montmartre-s. Nga i dyti, ai u ngacmua shumë më tepër, siç e tregojnë dhe mjaft nga tabllotë e rinisë së tij si Gruaja që pi absint,  Moulin de la Galette, Heteria, etj. Dhe padyshim, veprat e tij, edhe pse “kopje” të tabllove të tjera, janë krejt tjetër gjë. Një tjetër art, një tjetër frymë, një tjetër botë pikturale. Një mënyrë tjetër të pikturuari. Ç’rëndësi ka se është i njëjti portret, e njëjta odaliskë, i njëjti subjekt. Tek Picasso arti arrin perfeksionin e vet dhe askush nuk mendon veprën e një gjeniu tjetër. Eshtë e vërtetë se Dejeurner sur l’herbe (Drekë mbi bar) e Eduard Manet është në të njëjtin kompozicion dhe te Picasso. Por tabllotë janë ndryshe nga njëra tjetra. I frymëzuar nga tablloja e El Greco-s Varrimi i kontit Orgaz, Picasso realizoi tabllonë Varrimi i Casagermos, pothuaj në të njëjtin kompozicion. Por këtë gjë e pikas fort mirë në ballafaqimin e tabllosë Fëmija e Margarita Teresa me fustan blu, e vitit 1659 dhe Isabel de Velasco e Picasso-s, e vitit 1957; Masakra e Koresë e Picasso-s me Pushkatimin e kryengritësve të majit të Goya-s. Nudo e xhveshur me macen, e Picasso-s është në të njëjtin kompozim si dhe tablloja e Ingres, apo më direkte Les Demoiselles d’Avignon (Zonjushat e Avinjonit), kjo kryevepër e shkollës kubiste që evokon tabllonë Banjo turke të Ingres. Po kështu, Venus-in e Ticianit, Goya-s apo të Manet-së, ne e gjejmë përsëri në tabllotë e tij. Të ngjan se ai ka dashur t’i ç’mitizojë ato, t’i “xhveshë”, dhe t’i rikrijojë me ngjyrat e tij, t’i përcjellë me shpirtin e tij drejt tabllosë, siç e hedh peneli i tij, duke i dhënë një tjetër “jetë”. A nuk ka ndodhur kështu me të gjithë mjeshtrit e tjerë të mëdhenj? A nuk frymëzoheshin mjeshtrit nga mjeshtrit e mëparshëm? Piktorët e mbarë Evropës, nga vëndet e veriut, nga Franca, Spanja dhe vëndet gjermanike vinin në Itali për tu frymëzuar nga piktorët e mëdhenj të Rilindjes italiane, nga piktorët e “Quattrocento”-s apo “Cinquecento”-s, nga Michelangelo apo Da Vinci, nga Raffaelo, Tintoretto, Piero Della Francesca, Paolo Uccello, Mantegna, etj. Flamandët, me Rubens, Rembrandt, Van Dyck, etj, e gjenin frymëzimin pikërisht në pikturën italiane, ashtu siç Goya do ta gjente tek Rembrandt, e më pas, Picasso e Becon tek Rembrandt-i. Edhe Caravaggio imitonte Rembrandt-in. Në vitin 1955, Picasso realizoi 15 variacione nisur nga tablloja e njohur e Delacroix-së Gratë e Algjerit. Tetë prej tyre janë ekspozuar aktualisht në sallën Denon të Louvre-it. Ç’kishte menduar Picasso kur ishte gjëndur përballë kësaj tablloje të mjeshtrit të parapëlqyer të tij? Ç’kishte thënë kur ai kishte vizatuar variacionet e tij? “Besoj se ai do ta kuptonte, – ishte shprehur dikur Picasso. – Dhe unë do t’i thoja atij: kur ju bënit  një “Delacroix”, ju  kishit në mëndje veprat e Rubens-it. Kështu ndodh dhe me mua. Duke menduar për ju, unë bëj veprat e mia.»

Biografët e tij shkruajnë se kur u vendosën disa tabllo të tij në sallat e Louvre-it, Picasso kërkoi t’i vendoste në krah të mjeshtrit të dashur të tij, Delacroix. Kështu ndoshta ai dëshironte ta shikonte veten si një dishepull të tij. Me të drejtë Picasso thoshte: «E ç’është në fund të fundit një piktor? Ai është një koleksionist që kërkon të formojë koleksionin e tij, duke i bërë vet tabllotë që kanë bërë të tjerët”. Besoj se asnjë artist, nuk do ta kundërshtonte këtë thënie të tij. Kjo i ngjan aksiomës. Sepse artisti nuk lind në një terren të virgjër, por ai formohet dhe mbarset nga pararendësit të tij. Kjo ka ndodhur në të gjitha kohrat. Dhe kështu do të vazhdojë. Nga Van Eyck, Memling, Vermeer deri te Van Gogh, Modigliani e Chagall, ata nuk lindën të tillë. Ata u bënë.

Që në rininë e tij, siç shkruan dhe vetë Picasso, ai kishte një adhurim të veçantë për mjeshtrin spanjoll El Greco dhe Velasquez. “Kisha parë disa tablo të El Greco-s që më kishin tronditur, – shkruante ai. – Atëherë udhëtova drejt Toledos, ku pikturat e tij më lane një mbresë të veçantë. Nëse personazhet e mia të “epokës blu” janë të zgjatura, padyshim që në ato është influenca e tij”. Por në vitin 1957, Picasso do t’i drejtohej mjeshtrit tjetër të tij, madje më të parapëlqyerit: Velasquez. Piktori andaluz filloi të bënte një sërë etudesh për të realizuar një vepër finale: Les Menines. Kjo ishte tablloja e Diego Rodriguez de Silva y Velazquez, me titullin Las Meninas, që trajtonte një skenë të mrekullueshme me dhjetë figura, me në qëndër dy vogëlushet e oborrit mbretëror që ishin “demoiselles d’honneur”. Kjo tabllo e pikturuar nga Velasquez në vitin 1656, e kishte tërhequr aq shumë Picasso-n, saqë ai realizoi 58 tabllo, duke zbërthyer gjëndjet dhe personazhet e mjeshtrit, duke shtuar këtu dhe figurën e shambellanit, personazhin e piktorit, shkurtabiqin, etj. Duke ballafaquar dy tabllotë, kupton njëherazi dy elemente të rëndësishme që përbëjnë thelbin e artit të Picasso-s: lirinë e tij dhe forcën. Lirinë, sepse ai është krejt i lirë në zgjedhjen e linjave dhe ngjyrave; forcën sepse është tejet i fuqishëm nga pikpamja emocionante. Të duket një punë e thjeshtë rikrijimi i një tablloje duke iu referuar një tjetre, por për këtë tabllo, Picasso ka punuar 6 muaj rresht gjersa e mbaroi. Lidhur me këtë gjëndje të krijimtarisë së tij, Picasso thoshte: “Në fillim të një tablloje kam përshtypjen se kam dhe dikë që punon krah meje. Por kur jam nga fundi, kam përshtypjen se punoj i vetëm, pa bashkëpuntor”. Pak kohë pas Picasso-s, ishte piktori anglez, moderni Francis Becon që do t’i drejtohej po një tablloje të njohur të Velasquez: Papa Inocent X

. Dhe ky portret i Papës së ulur në poltronin e tij do të hynte në historinë e artit modern.

Picasso ishte një polifoni e vërtetë vizuale dhe kjo ndodhte pasi ai interesohej për gjithçka, për artin modern apo atë të shoqërive primitive, maskat afrikane apo të popujve të Polinezisë, etj, pra ai frymëzohej aty ku ishte arti i vërtetë. Dhe ai kishte gjithnjë dëshirë ta arrinte këtë lloj arti, ta zotëronte në mënyrën e tij, të krijonte pastaj diçka të tijën, ndryshe, por duke të rikujtuar nga larg atë pararendëse. Ja pse ai thoshte se “unë jetoj një periudhë kur lëvizja e mendimit më intereson më shumë se vetë mendimi im”.

 

Cilët janë mjeshtrit e piktorëve të traditës shqiptare?

 

Për Picasso-n është shkruar shumë dhe sigurisht s’do të shkruaja për të, pasi nuk do të thoja asgjë gjë të re, por ideja e e deshifrimit të frymëzimeve të piktorëve të mëdhenj është padyshim e vlefshme. Menjëherë mendova për piktorët tanë të traditës romantike apo realiste, të para diktatit të «realizmit socialist», apo dhe për autorë e gjeneratës së sotme. Piktorët e shquar gjithnjë kanë patur dhe kanë mjeshtrit e tyre. Cilët kanë qënë mjeshtrit e Kolë Idromenos, Vangjush Mios, Abdurrahim Buzës, Nexhmedin Zajmit, Sadik Kacelit, etj? A nuk mund të analizonim në këtë frymë krijimtarinë e tyre. Duke biseduar me Omer Kaleshin, ai më tregonte një ditë se që në fillimet e tij, mjeshtrit që i treguan udhët e krijimtarisë ishin Goya dhe Rembrandt. Madje ka disa piktura ku kjo influencë është e dukshme. Francezi Jacques Lacarriere, poet, historian dhe kritik arti, ka analizuar disa tabllo të tij duke I krahasuar me ato të mjeshtrit Goya. Po kështu, një seri e pikturave disi të “errta” të tij  (Drama Ballkanike apo Clochard, etj, janë eho të largëta të pikturave të “periudhës së zezë” të Goay-s në afresket e pikturuara në fund të jetës së tij në Quinta del Sordo, “Shtëpia e shurdhit”, meqë në fundin e jetës së tij, Goya u shurdhua). Po kështu piktura e Kacelit. Në Paris, ku bëri studimet, ai kishte mjeshtrit e tij, dhe po t’i kërkosh ato mund t’i gjesh në krijimtarinë e tij. Ja një fushë e historianëve dhe kritikëve të artit. Madje edhe në fillimin e viteve 70’, tek disa piktorë shqiptarë gjen influencat e drejtpërdrejta të një Matis, Leger, të fauvistëve, tashistëve, etj. Edison Gjergo, Oseku, Velo, Sulovari, kishin mjeshtrit e tyre. Ata asnjëherë nuk kopjuan, por rikrijuan në mënyrën e tyre. Ja pse kur shohim tabllotë e piktorëve shqiptarë nuk duhet të nxitohemi dhe të themi: kjo s’është e tij, është një Paul Gaugin, një Klée, Derain, apo Chagall. Sabri Arnauti në Turqi (me origjinë shqiptare), ishte një adhurues i Matisse-it. Gjithë jetën ai pikturoi në këtë mënyrë. Por ajo çka krijoi ishte vepra e tij.

Në vitet 60’, historiani amerikan i artit Harold Rosenberg, fliste për “ndërgjegjen historike” dhe atë çka krijohet tek artisti i madh në pasqyrimin e traditës tek ai. Kjo “ndërgjegje historike” është padyshim e domosdoshme për të kuptuar vlerën e mirëfilltë të vetë artit. Dhe Picasso ishte një ndërmjetës i shkëlqyer midis modernitetit dhe traditës së mirënjohur, një përcjellës i kësaj tradite.”Ne piktorët, – thoshte Picasso, – jemi trashëgimtarët e vërtetë të Rembrandt-it, Velasquez, Cezanne e Matisse. Një piktor ka gjithnjë një at dhe një nënë. Ai nuk vjen nga hiçi”.

 

Misteri Picasso

 

Ekspozita “Picasso dhe mjeshtrit e tij” në Paris, i ngjan padyshim një dialogu të vendosur midis Picasso-s dhe mjeshtërve të tij. Një dialog ngjyrash, figurash, simbolesh dhe linjash, që flet për proçesin krijues të atij arti të madh. Kjo ekspozitë ripohon njëkohësisht gjeninë e madhe të këtij artisti, që kritika e ka përshëndetur si “gjenia e shekullit XX”. Në vitin 1956, regjisori francez Henry Clouzot xhiroi filmin Misteri Picasso. Në film jepet një moment kur në praninë e regjisorit, Picasso nis një tabllo dhe brënda pak minutash arrin të bëjë me një energji e shpejtësi të jashtëzakonshme kompozimin e nisur. Ky moment është nga më befasuesit në historinë e artit piktural. Vallë ky ishte “misteri” Picasso. Ishte Picasso që pikturonte apo dikush tjetër brënda tij? Mos ishte dikush tjetër, “Tjetri brënda meje”, siç thoshte poeti Jean Cocteau. Ishte vetë gjenia! Shumëkush e ka në mëndje shprehjen e famshme të Picasso-s që thoshte: “Piktura është më e fortë se unë. Ajo më bën të pikturoj, atë që do ajo”. Dhe kjo gjeni tek Picasso punoi gjer ditën e fundit të jetës së tij, njëlloj si Ticiani 90 vjeçar. Në fakt Picasso ishte 92 vjeçar dhe një ditë para se të vdiste ai do të shkonte pranë tabllosë së fundit të tij: Gruaja nudo dhe një portret. Përsëri një nudo, gjer në fund një nudo… dhe një portret. Ndoshta vetë ai apo hija e tij. Sidoqoftë, ai u ngrit nga shtrati që t’i jepte pak dritë më shumë tabllosë, që në vetvete i dukej e errët. Të nesërmen ai vdiq në Mugins, në shtëpinë e tij në jug të Francës.

Tregojnë se kur Raffaelo kishte filluar të pikturonte, i ati i tij e kishte lënë pikturën. Picasso-s i pëlqente gjithnjë të shtonte në biografinë e tij një detaj të përafërt, atë që kur ai filloi të pikturonte, i ati i tij, Don José, kur pa talentin e të birit, i dorëzoi bojrat dhe penelat dhe nuk pikturoi më kurrë. Por Picasso nuk i la asgjë birit të tij; tabllotë, penelat dhe bojrat e tij, ai ia la njerëzimit. Në fakt ai la diçka më të madhe: vetë gjeninë e tij. Picasso do të lumturohej që dikush ta “kopjonte” në mënyrën e tij. Po kjo padyshim është një detyrë tejet e vështirë. Duhet një tjetër gjeni. Pas vdekjes së Picasso-s, duket se gjenitë po mungojnë të shfaqen në botën e sotme. Megjithatë, edhe nëse do të vijnë ndonjë ditë, ata padyshim do të kalojnë në të njëjtat shtigje e rrëpira që kaloi dhe Picasso. Do të hedhin sytë pas dhe do të shohin madje shumë larg, që nga Michelangelo e Da Vinci. Pasi arti i madh është gjithnjë një buronjë e pashtershme…

Filed Under: Kulture Tagged With: nga Luan rama, Picaso

Në Sofrën e DIELLIT, i ftuar Neki Lulaj-GJERMANI

September 18, 2013 by dgreca

POETËT/

Poetët janë si gurra bjeshkësh/

Si shtretërit e lumenjve/

Plot ujë lundrojnë/

E nuk shtjerren kurrë/

Poetët janë si pranvera plot gjelbrim/

Vargjet e muzat e tyre/

Njomësojnë çdo shpirt/

Si lulet e bukura me vesë në ditë/

Poetët janë si zogjtë e bekuar

Si kanarinat gojë ëmbla

Që festë e gëzim

E kanë çdo  stinë

 

Poetët janë si gacat e bungut

Që ndizen gjatë në oxhak

Ngrohin me dashuri të pakufishme

Dimrat me dëborë e murlan thatak

 

Poetët janë ambasadorë të kulturës

Që e lidhin metaforën

Me trungun e lisit

Dhe i bashkojnë trojet e fisin

 

Poetët i mbajnë vravashkat në shpirt

Edhe pas grillave të qelive

Muzat i mbajnë  pengë

Ushqejnë vargjet nusërojnë poezitë

 

Poetët kanë shpirt të bardhë

Bardhësinë e shofin çdokund

Ata janë fjalëpakë

Janë si ne si ti si unë…

 

SHTIGJET E JETËS

 

Gjatë u enda shtigjeve

Të jetës

Leqenjve të mendimeve ngarkuar

Me frymën nën krahëror ngulçuar

Mbi Gogolin e këtij shekulli

Në shpinën e Djallit

E pyes vetëveten ku janë

Emrat e gjithë atyre

Që askush më nuk po i përmend

Si e pse

Pse kaq shpejt u harroka robëria

Pse për dëshmorë nuk mendon njerëzia

 

E ku jenë emrat

E atytre që duhet të jenë

Mbuluar me shkurre

E në zallishta

Ata që dje e çanë gjoksin

Për lirinë tonë

 

TEJMATANË ATLANTIKUT

 

Tërthor Oqeanit Atlantik

Ne tokën e premtuar të nxehtë

Erdha të jua kërkoj gjurmët të çmallem

Atje ku me ImZot bëtë punë e jetë

 

Mbi dyert e pavdekësisë rruhet thesari

Shëndrit si ar mikpritja e traditës sonë

Këtu u mplak  ImZot Fan Noli

Agimi e muzgu e zuri

Me shqipen dykrenore në gojë

 

Sa qirinj u ndezën gjatë lundrimit të largët

Përcjellur plotë mundime e krajata

Sa trungje të ullirit lëshuan fryte të ëmbla

Për miqtë e bekuar nga Vatra

 

Sa bilbila fluturuan nga kafazi

Për të kërkuar dritën e shpëtimit

Në cilën shpellë u gropos floriri

Sa gjatë u luajt drama për fatin shqiptar

 

POETI PA VARR

 

(Kushtuar poetit patriot, Avzi Nela,Martir i vargjeve lirke)

 

Lëkura feudale

Kruhej nga zgjebja

Nga kolera

E tiranisë së lidhur

Në zinxhirë me gjemba

Është çartur si ujku

Nga uria e nëpërkës

 

Po fryjnë erërat

Me kokërriza të akullta

Edhe mbi bunker

Pritet të çelë pranvera

 

E në vatrat bujare

Bukë e krypë e zemër

Me portën e hapur

Na pret Hafzi  Nela

 

MË THUAJ

 

Pa më thuaj të lutem

Mbi re a ka kufi

Atje lart në Univers

Cila shqipe këndon në vetmi

 

Nën qerpikun e hënës

Cili sy mbyllet në qetësi

Cila zemër troket e përlotur

Çamja ime ku je ti

 

A ri ajo e vetmuar

Siç rimë unë e ti

Të djegur e të përvëluar

Për një besë për një dashuri

 

Kur t’i ndërtojmë urat

A bashkohemi në të dy

Sa ditë do bëjmë dasmë

Krushk do te jetë

Krejt shqiptaria

 

E kur do bëhesh ti nuse

Çamja ime e bukur hyri

Do vijnë të gjitha vatrat

Për martesë e lumturi

 

TE GURI I SOKOLIT

 

Frymëmarrjen duke e gulçuar

Po ecë  shpatit me nxitim

Një freski bjeshke më ka pushtuar

Lugjet e verdha në shpirtin tim

Syri kullot stanin e vjetër

Në lëndinën plotë blerim

 

I le pasë gjurmët e jetës

Ecë ta zë hien në perëndim

Ajo po ik…

E më pret atje

Në themelet e kullës së gjyshit tim

E sa më pushton nostalgjia

 

Mbi ato themelet e mia

Gurë e mure të rrënuara

Ka ritur shtatin myshku e largësia

 

Këtu dikurë mbaheshin kuvende

Burrat me plisa tirq e jataganë

Ca nga Shkodra, Buletini e Mirdita

Dimrat i kalonin odat në prita…

 

Eh burrat e kombit tim kreshnik

Atje mbi trapazan i varnin hutat

E pinin duhan kaçak nga llullat…

Filed Under: Sofra Poetike Tagged With: cikel per Diellin, neki Lulaj, poetet

PESHORJA

September 18, 2013 by dgreca

AH SIKUR…!/

 Skicë essé nga DRITA LUSHI/

Qysh kur jemi në bark të nënës, “dëgjojmë” të flitet për peshë dhe peshore!Kur mamatë shkojnë tek mjeku obstetër ai u thotë: “Peshohu, peshohu  njëherë të shohim!”. E ato, nga dëshira për një shtatzani normale dhe rrjedhimisht për fëmijë të shëndetshëm, peshohen jo pa një farë “ankthi” se sa kanë shtuar, a thua se pesha e tyre përcakton dhe shëndetin e fëmijës.

Te tjera, që duan të ruajne linjat, peshohen edhe pa u thënë doktori dhe përsëri kanë “ankth” se sa kanë shtuar, duke menduar se si do ti heqin kilogramët pas lindjes.

Ne të dy ratet “fajin” e ka peshorja për ndjenjën e “ankthit” që i pushton femrat, përballë saj (peshores).

Po po!

Ai send i çuditshem i shpikur nga njeriu, arrin të na krijoje frikëra, iluzione, shtrëngime, dieta, tkurrje, strukje,stepje, tërheqje.

Po s’mbaron këtu.

Ju kujtohet pas lindjes?

Shkojme tek mjekja çdo tri javë ose njëhere në muaj të peshojmë fëmijën, të dimë sa  gramë shton, mundësisht pa peshën e rrobave, e s’pyesim fare në femija qan në atë peshore të vogël si minidjep që e gjejmë në Qendrat Shëndetesore Shqiptare.

Po ti dëgjosh pak me vëmendje duket sikur fëmijët thonë: “ Po unë jam mirë, po rritem, pse më “torturoni” çdo muaj kështu?

A nuk piva mbrëmë gjithë natën qumësht?”

E nëse gramët nuk janë ato që duam ne, fillojmë merakosemi, vëmë në lëvizje gjithë shtëpinë,vjerrat dhe mamatë tona, motra e vëllezër, u shprehim shqetësimin tonë: “Çfarë ka ky fëmijë që nuk shton?” Vrapojmë në farmaci të gjejmë ushqimet më të mira, masim mililitrat që pi fëmija nga biberoni (përsëri ja ku hyn kjo e “shkretë” peshore!),e nuk presim; As pa u bërë java vrapojmë përsëri para zonjëzës peshore.

Raste ekstreme, kur mamatë i japin të hajë  fëmijës, dhe pas dy orësh shkojnë në konsultore për ta peshuar, të bëjne të ndihesh ekstremisht çuditshëm dhe keq.Harrojnë  se kjo mani, mund të ketë pasoja të parikthyeshme.

Kanë qenë dikur dhe kandarët,( janë edhe sot, jo vetëm si relike)por jo mo jo!

Nuk janë kaq të kërkuar sa peshoret moderne.

Por mos kujtoni se peshorja dhe pesha është një problem vetëm për femrat.Meshkujt gjithshtu kanë raporte të mira me peshoren… e ju femra mos u bëni “xheloze”.

Por lidhja me peshoren nuk mbaron deri tek pesha fizike.

Pa mendoni pak përtej së përditshmes sonë…

Jo aq larg, por ja deri aty… kur kemi qenë të vegjël…

Sa herë jemi munduar  të mos gabonim në shkollë, nga frika   se do të na gjykonin prindërit, mësueset e shokët?

Sa here jemi munduar te “mos gabonim”se do ti konsideronin sjelljet tona të pahijshme, do na shihnin shtrembër,e  do të na quanin  “dele” që dilnim nga kopeja?

A ju kujtohet sa herë na kanë thënë prindërit :“Mos këtu!”, “Mos u shoqëro me këtë, apo me atë?”

Pa shihni pak tani të përditëshmen tonë…

Sa herë u jemi drejtuar  fëmijeve tanë, me pjesëzen mohuese:”Mos?!”

A nuk ju duket  vetja përsëri si në atë peshoren ku na vinin prindërit të vegjël, ose ku kemi vënë fëmijët tanë?

Pra, peshohet  sjellja dhe veprimet.

Po po peshohen!

“Si?”- do pyesni ju.

A nuk ekziston përhere një grup njerëzish që ju njeh, që flet për ju, që ju gjykon sjelljet, veshjen, punën, qoftë ndër sy, qoftë pas krahëve?

Eshtë e sigurtë  se edhe ai që eshtë indiferenti  më i madh, nuk mund t’u shpëtojë këtyre opinioneve,ose të kalojë kaq shpërfillës përballë tyre.

Qofsh njeriu më i mirë, më i drejtë, më i mençur , ç’rëndesi ka; Nuk mund të shpëtosh pa u “situr”  në PESHOREN E OPINONIT.

Edhe kjo lloj peshorje, krijon frikërat e veta, ashtu si peshorja e fëmijërisë, shtatzanisë, ashtu si peshoret ku masim eleganecën apo mbipeshën  tonë .

Duke pasur “frikë” si do të dukemi në këtë “peshore”, dhe njëkohësisht për tu dukur sa më mirë, e di ç’bëmë ne njerëzit?

“Shpikëm”  autopeshoren.

Autopeshorja “mat” veprimet, sjelljet, interesat, dashurinë, servilizmin;Mat gjumin, zgjimin, shoqërine, punën.

Uf!

Ç’torturë , pa mendojeni një çikë?!

E di si e mendoj ketë “vetëpeshore”?

Si nje burg Brenda vetes, ku gardianet jemi ne vetë, dhe çelësat e prangave i mbajme po ne.

Liria ka qenë dhe ështe gjëja me e çmuar për ne shqiptarët, dhe për të gjithë popujt e njerëzit.

E nëse do quanim zgjedhë vetëm atë,kur një i huaj na pushton vatanin, do ishim kryekëput gabim dhe jo të drejtë.

Zgjedha më e madhe është ajo që njeriu i bën mendimit dhe sjelljes së tij, kur e cungon, e pret, si jep frymëmarrje, e ndrydh e akoma më shumë, e kyç brenda vetes, duke pasur pikërisht frikën e gjykimit të kësaj “dreq” peshorje!

Personalisht s’më ka pëlqyer që jetën ta shoh si balancë.

Është paradoksale të mendosh që pikërisht ajo shigjetë e vogël peshoreje, të na “kontrollojë”  gjumin, idetë, veshjet,mendimin;

Ajo shigjetë e vogël peshoreje të na “censurojë” te qeshurën, shakanë, mirësinë, dashurinë.

Jo balancës, por jo vulgarizmit dhe ekstremizmit!

Te mos ecësh me balancë, por jo të fluturosh!

Pra të ndihemi të balancuar, brenda mosbalancimit,kjo është ajo që duhet t’i mësojmë vetes dhe të tjerëve përreth.

S’duhet parë e s’duhet vënë jeta në balancë,por të jetë sensi i masës që duhet të shoqëroje të përditëshmen dhe veprimet tona.

Të mos ndihemi në“kurthin” e peshores së jetës tonë.

Te ndihemi, e të ndiejmë të lirë.

Si?

Peshorja?

Vlen, por vetëm  në farmaci dhe politikë.

***

Ah, sikur të mos ishte “shpikur” kurrë peshorja për njerëzit!

Ah, sikur të ishte “shpikur” një peshore politike!

Ah, sikur…!

Drita Lushi/2013

 

 

 

Filed Under: Sofra Poetike Tagged With: Drita Lushi, esse, peshprja

Dom Lush Gjergji: Rrënjët e thella të tolerancës ndërfetare

September 17, 2013 by dgreca

Toleranca ndërfetare te shqiptarët i ka rrënjët e thella dhe të kamotshme dhe atë nuk kanë mundur ta asgjësojnë ndarjet, përçarjet, sundimet e të huajve dhe as kalimi nga një sistem në sistemin tjetër, thotë në intervistën për Radion Evropa e Lirë, Dom Lush Gjergji, vikar i përgjithshëm i Ipeshkvisë së Kosovës./

Nga Bekim BISLIMI/

RADIO EVROPA E LIRË-Është thënë edhe më parë se shqiptarët shquhen për tolerancë ndërfetare. A e vazhdojnë këtë traditë shqiptarët e Kosovës edhe sot dhe si manifestohet kjo?

DOM LUSH GJERGJI-Toleranca jonë i ka rrënjët e vjetra. Toleranca jonë, më tepër vëllazëria jonë gjithëshqiptare mbështetet mbi të gjitha në historinë, në traditën dhe kulturën tonë të përbashkët të vjetër më se 1500 vjet, kur kemi qenë të gjithë të krishterë derisa nuk erdhën sundimet e të huajve dhe të huajt u munduan të na ndajnë dhe të na përçajnë.
Të na ndajnë arritën zyrtarisht, sepse tash jemi të krishterë dhe myslimanë, dhe të krishterët jemi ortodoksë dhe katolikë, në Kosovë më pak, kurse në Shqipëri më tepër, sidomos pjesa ortodokse, dhe janë sektet e ndryshme në mes të vëllezërve shqiptarë myslimanë.
Por, ajo çka është dhe fondi ynë i përbashkët, është vëllazëria jonë gjithë shqiptare. Këtë, as ndarjet, as përçarjet, as sundimet e të huajve, as kalimi prej sistemit në sistem nuk ka arritur kurrë ta asgjësojë. Aty-këtu është munduar ta dëmtojë, por shqiptari e ka ruajtur ndjenjën e përkatësisë së përbashkët iliro-shqiptare, prandaj edhe ndjenjën e vëllazërisë. Dhe, kjo vazhdon dhe duhet të vazhdojë me një motivim edhe më të madh, që, përpos se jemi vëllezër si shqiptarë, duhet ta kultivojmë, ta rrisim e ta shtojmë gjithnjë se jemi vëllezër edhe si besimtarë monoteistë, secili në përcaktimin, bindjen dhe zgjidhjen e vet, por të jemi vetvetja dhe për t’ia mundësuar edhe tjetrit që të jetë vetvetja.
Ky është parimi bazë, parimi i shenjtë që, fundja, liria fetare është parakusht i të gjitha lirive. Nëse Zoti na ka krijuar të lirë, kush jemi ne që t’ia mohojmë lirinë njëri-tjetrit?!
Mjaft na kanë mohuar të tjerët që na kanë sunduar, e ne vëllai vëllait, në asnjë mënyrë nuk dëshirojmë, as t’ia mohojmë, ta kërcënojmë e as ta rrezikojmë, por t’i themi feja është ofertë, është mundësi, zgjidhe ajo çka më së tepërmi ty të pëlqen, ty të ndihmon që të jesh shqiptar i mirë, që të jesh njeri i mirë, që të kesh familje të mirë, që të jesh i sigurt dhe i lumtur në jetë se bashkëpunon me Zotin dhe me të afërmit.

RADIO EVROPA E LIRË-A mund të thuhet se shqiptarët kanë qenë shembull për popujt tjerë, domethënë lidhur me tolerancën ndërmjet vete?

DOM LUSH GJERGJI-Gjithsesi, unë besoj se pasi s’kemi gjëra për eksportim, së paku të eksportojmë këtë çka e kemi që është tradita dhe kultura e jonë, e cila e ka zanafillën prej  Konstantinit të Madh, një dardan, një ilir, i cili e ndërroi historinë e botës dhe për herë të parë i barazoi të krishterët me paganët.
Dhe, kjo përvojë ka vazhduar gjatë shekujve dhe vazhdon edhe sot, jemi shembull jo vetëm për tolerancë, sepse toleranca e ka një kuptim të ngushtë. Të shkojmë te shprehja, e barti, e duroi, e pranoi. Ta mbash, ta durosh apo ta pranosh vëllanë, pse e ke vëlla do të ishte tepër pak, por e nderoj, e dua, jam i lumtur se e kam vëlla. Prandaj, kjo çka ka qenë gjatë shekujve është platforma, është trualli, në të cilin ndërtojmë.
Ne mundemi dhe duhet ta begatojmë gjithnjë e më tepër për të qenë edhe shembull jo vetëm i së kaluarës, por shembull konstruktiv pozitiv i ndërtimit të urave të reja në mes të dialogut ndërfetar krishtero-mysliman, apo myslimano- krishterë, sepse kjo ka një domethënie të jashtëzakonshme, pasi që bota gjithnjë e më tepër jeton në një pluralizëm, edhe etnik, edhe fetar, edhe kulturor, politik e ekonomik.
Sot, të jetosh, domethënë të dish të komunikosh në pluralizëm me tjetrin, i cili është ndryshe. Dhe, këtu është shumë e rëndësishme që shqiptari ta kuptojë se të jetë ndryshe – nuk do të thotë është kundërshtar. Prej ndryshimit apo të qenët ndryshe, secili prej nesh mund të marrë dhe të mësojë diçka.
Merre atë që të pëlqen dhe lëre atë që nuk të pëlqen. Vetëm në këtë mënyrë e vërteta me dashuri dhe për dashuri do të ishte motoja e asaj çka unë mendoj dhe porosis të gjithë shqiptarët dhe bashkatdhetarët tanë kudo që jetojnë. Të udhëhiqemi nga e vërteta, e mbi të gjitha ta zbatojmë dashurinë me njëri-tjetrin, sepse tepër shumë kemi vuajtur, e sot duhet ta gëzojmë lirinë, demokracinë dhe mundësinë për zgjidhje, si në aspektin fetar, atë kulturor, atë shpirtëror ashtu edhe në atë politik.
Mos të mendojmë se ai që është ndryshe prej meje, është kundërshtari im, sepse kjo na ka mbetur si kujtim historik kur ndryshe ishin të huajt që kishin ardhur për të na sunduar, për të ndarë dhe për të na përçarë.

RADIO EVROPA E LIRË-Dom Lush, a ka pasur lëkundje në këtë tolerancë, apo s’ka pasur fare?

DOM LUSH GJERGJI-Lëkundje te vetë shqiptarët nuk kam hetuar, hetoj aty-këtu ndikimet e të tjerëve. Të tjerët nuk duan të na shohin në këtë prizëm. Ndoshta është edhe vetë zilia, xhelozia, janë ndikimet e ndryshme sidomos nga bota arabe, e cila kur ka ardhur këtu, në çfarëdo forme apo mënyre ka menduar se do ta gjejë një islamizëm të tipit të vet.
Islamizmi ynë është tradicional, është i hapur, ndaj të gjithëve, veçmas ndaj shqiptarëve të krishterë, të cilët i trajton si vëllezër, sikurse edhe ne i trajtojmë si vëllezër. Më islamizmi nuk është një fe e turkut apo e arabit, por është një fe e vëllait tim, sikurse ata na konsiderojnë ne vëllezër.
Jo rastësisht shumë shqiptarë sot të islamizuar, apo pa ndonjë përcaktim fetar krishterimin e quajnë feja jonë e vjetër.

RADIO EVROPA E LIRË-Duke marrë parasysh që në Kosovë jetojnë edhe bashkësi tjera etnike me përkatësi të ndryshme të religjionit, si qëndron situata në këtë rrafsh, a ka tolerancë të ndërsjellë?

DOM LUSH GJERGJI-Këto dy vitet e fundit gjendja dukshëm është përmirësuar. Me iniciativën e ipeshkvit tonë, imzot Dodë Gjergjit, para rreth dy viteve kemi filluar që t’i kemi takimet në mes të, tashmë po përdoret shprehja liderëve, edhe pse janë krerë të bashkësive fetare, domethënë Kryeimamit të Kosovës, Ipeshkvit ortodoks të Kishës Ortodokse Autoqefale të Kosovës dhe të Ipeshkvisë së Kosovës.
Dhe, kjo ka vazhduar dhe vazhdon çdo 2-3 muaj, ku kemi takime, dreka apo darka të përbashkëta radhazi bashkësitë dhe bisedojmë haptazi vëllazërisht. Kjo përvojë është shumë pozitive, sepse me ndërrimin e kreut në Kishën Ortodokse, Artemije ishte më parë, i cili refuzonte parimisht çdo takim me shqiptarët, por edhe çdo takim e bashkëpunim edhe me ndërkombëtarët, tash është ipeshkvi i ri Teodosije, i cili ka një shpirt ekhumenik dhe merr pjesë në të gjitha këto takime.
Prej këtyre takimeve, kemi ardhur te krijimi i këshillave apo komisioneve, të cilët punojnë dhe shqyrtojnë çështje dhe i përgatisin për krerët e bashkësive fetare.
Takimi i parë ishte pikërisht këtu, në rezidencë, para një rreth një muaji e gjysmë. Tash do të organizohet një takim tjetër radhazi dhe kështu ne bisedojmë vëllazërisht hapur për të gjitha çështjet, ia shpjegojmë gjendjen e bashkësive tona fetare njëri-tjetrit dhe mundohemi të marrim qëndrime të përbashkëta për të qenë shembull.
Kush e do Zotin, kush është fetar, nuk mund të mos e dojë njeriun, sepse dashuria për Zotin kalon nëpër shkallë të njeriut, ne Zotit s’mund t’i bëjmë as mirë as keq, varemi prej tij, kurse me njeriun ndajmë përditshmërinë.
Prandaj, nga ky aspekt mendoj se gjendja është dukshëm më e mirë dhe shpresoj dhe uroj që ky dialog edhe ekhumenik, edhe ndërfetar, të begatohet gjithnjë e më tepër. Dhe, secili prej nesh, ta them me stilin e me figurën e Nënës Terezë – Jepe pjesën më të mirë të vetvetes. Cila është ajo pjesë? Dashuria, shërbimi, flijimi, dhurimi ndaj njëri – tjetrit. Kur tjetri është i lumtur, mund të jemi edhe ne së bashku.

RADIO EVROPA E LIRË-Në raportin e fundit të Departamentit Amerikan të Shtetit, është shtruar shqetësimi i liderëve religjiozë për mungesën e mekanizmit, siç thuhet, që i lejon grupet religjioze të regjistrohen dhe të marrin status juridik. Sa kohë ka që ekziston ky problem dhe çfarë vështirësish ka nxjerrë?

DOM LUSH GJERGJI-Këtu është një problem, të cilin e kemi shqyrtuar edhe ne, si Ipeshkvij dhe Kisha Katolike në Kosovë, sepse mungon ende ligji për bashkësitë fetare. Një propozim-ligj ka qenë, ne i kemi dhënë vërejtjet dhe propozimet e tona. Është thënë se diku në fund të vitit të kaluar apo në fillim të 2013-s do të shqyrtohet në Parlament. Nuk dimë përse ky ligj nuk ka ardhur ende në Parlament, nuk është diskutuar dhe nuk është votuar.
Mungesa tjetër është se Qeveria e Kosovës nuk ka një mekanizëm apo një ministri sikurse në vendet tjera, apo një zyre, sikurse në Maqedoni, për shembull, është zyra për marrëdhëniet shtet-bashkësi fetare.
Në vendet tjera, sidomos në Evropë dhe Amerikë, është një ministri, e cila enkas merret me këto çështje. Ne nuk hyjmë në atë se si do të jetë, por mendojmë se do të ishte mirë që edhe Qeveria jonë dhe shteti i brishtë dhe i ri i Kosovës, ta ketë një mekanizëm që të dinë edhe besimtarët, por edhe shteti, se me kë dhe si të komunikojë.
Ne kemi marrëdhënie të mira dhe të rregullta me Qeverinë, me presidenten, kryeministrin, kryetarin e Parlamentit, e ministrat tjerë, por këto janë krejt marrëdhënie të karakterit personal dhe ndërpersonal, në forma jozyrtare.
Derisa mos ta kemi ligjin, i cili definon bashkësitë fetare, derisa mos ta kemi një mekanizëm ndërmjetës të komunikimit ndërmjet bashkësive fetare dhe Qeverisë së Kosovës, sigurisht se mund të ketë vështirësi dhe kjo mendoj se është mungesë. Për nga ana jonë e konsideroj mungesë.
Shpresoj që ta kuptojë edhe Qeveria se nuk kërkojmë asgjë përpos një komunikim dhe bashkëpunim më të mirë, sepse ne dëshirojmë t’i ndihmojmë Qeverisë sonë, duke edukuar ndërgjegjen e qytetarëve dhe besimtarëve tanë.

Filed Under: Interviste Tagged With: dom Lush Gjergji, fetare, Kosove, rrenjet e tolerances

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 20
  • 21
  • 22
  • 23
  • 24
  • …
  • 62
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Dashuria që e kemi dhe s’e kemi
  • “Jo ndërhyrje në punët e brendshme”, dorëheqja e Ismail Qemalit, gjest atdhetarie dhe fletë lavdie
  • Arti dhe kultura në Dardani
  • Gjon Gazulli 1400-1465, letërsia e hershme shqipe, gurthemeli mbi të cilin u ndërtua vetëdija gjuhesore dhe kulturore e shqiptarëve
  • “Albanian BookFest”, festivali i librit shqiptar në diasporë si dëshmi e kapitalit kulturor, shpirtëror dhe intelektual
  • VEPRIMTARI PËRKUJTIMORE SHKENCORE “PETER PRIFTI NË 100 – VJETORIN E LINDJES”
  • 18 dhjetori është Dita Ndërkombëtare e Emigrantëve
  • Kontributi shumëdimensional i Klerit Katolik dhe i Elitave Shqiptare në Pavarësinë e Shqipërisë 
  • Takimi i përvitshëm i Malësorëve të New Yorkut – Mbrëmje fondmbledhëse për Shoqatën “Malësia e Madhe”
  • Edi Rama, Belinda Balluku, SPAK, kur drejtësia troket, pushteti zbulohet!
  • “Strategjia Trump, ShBA më e fortë, Interesat Amerikane mbi gjithçka”
  • Pse leku shqiptar duket i fortë ndërsa ekonomia ndihet e dobët
  • IMAM ISA HOXHA (1918–2001), NJË JETË NË SHËRBIM TË FESË, DIJES, KULTURËS DHE ÇËSHTJES KOMBËTARE SHQIPTARE
  • UGSH ndan çmimet vjetore për gazetarët shqiptarë dhe për fituesit e konkursit “Vangjush Gambeta”
  • Fjala përshëndetëse e kryetarit të Federatës Vatra Dr. Elmi Berisha për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë në Seancën Akademike kushtuar 100 vjetorit të lindjes së Peter Priftit

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT