• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for October 2013

Sokrati i Antikitetit në Poezinë e Lasgush Poradecit

October 11, 2013 by dgreca

Shkruan: Aristotel Mici/ SHBA/

Me dy librat e tij, “Vallja e Yjeve” dhe “Ylli i Zemrës”, Lasgush Poradeci ndriti   si yll i pashuar në qiellin e poezisë shqiptare. Me kohë vargjet e  poezisë së tij gjithë frymëzim, u bën pasuri e trashëgimisë shpirtërore mbarë shqiptare.

Lasgush Poradeci u shfaq e mbetet si një kulm i lartë në poëzinë e viteve ’30 të shekullit të XX, jo vetëm me frymëzimin e thellë, ndjenjën njerëzore, idetë dhe motivet interesante, po edhe me stilin original e fjalën e figurëshme, ashtu si di ta flasë edhe ta shkruaj  vetëm “këngëtari finosh”. Dhë për këtë anë të stilit të tij original dhë brilant, sipas Mitush Kutelit, Lasgush Poradeci është një “autarkist” i cili i nxjerr të gjitha metaforat ë simbolet  vetëm e vëtëm prej gjuhës shqipe, prej realiteteve e mundësive të gjuhës shqiptare, prej etikes shqiptare. As mithologjia indike, përmbi të cilën Lasgushi ka  njftime të thëlla, as mithologjia greke dhe as mithologjia romake, të cilat zotërojnë kaq breza artistësh ne të gjitha çipat e botës, nuk e shtyjnë Lasgushin të përdor ndonjë motiv të huaj në vjersha. Ai përpiqet të vleftësojë e  të zhvillojë potencialin shqiptar në art në të gjithë degët e jetës.(Burrin e vërtetë e  quan me emrin e tij  “të vërtetë” Gjërgj Kastrioti dhe jo me emrin  “Skënderbe”)[1]

Kështu Lasgushi kishte gjetur një tragë të re në fushën e figuracionit e të leksikut, atë që në një  vjershë më të vonëshme do ta shpreh si kredo poetike:

 

Hija ime nuk di dhunë,

                                    Di veç frymë lirie

                                    Dhe di punë, punë, punë,

Mund pa fund për art magjije.

 

Dhe  të shoh të pasqyruar

Vetëveten fije- fije,

Fije – fije poezie,

Që mban erë Shqipërie [2]

 

Po me gjithë pohimet e Kutelit se në të gjithë vargjet e Lasgushit nuk ka asnjë  emër ose fjalë të huaj, se ai mban  vetëm erë Shqipërie në vjershëri, ashtu siç ë thotë edhe vetë poeti në vargjet e mësipërme, në poezinë  “Kush ma njohu dhembshurinë” , gjëjmë një daljë nga  “traga” osë nga  ajo praktika e “autarkistit”. Në këtë vjershë autori parapëlqen të bëjë një krahasim me një emër të madh nga antikiteti grek. Duke shkruar për stoicizmin e vetë ndaj brengave, mudimeve dhe hidhërimeve, poeti pohon së jeta:

 

Qoftë e ëmbël si një çupë,                                                             Qoftë e mbushur plot me gjak;

Do t` ia pi të shkretën kupë,

Siç e piu Sokrati plak.[3]

Ku ta gjejmë shkakun e daljes së poetit nga kredoja e vetë poetikë,që  vetëm mban erë Shqipërie. Për dekada të tëra këtë gjë e dinte vetëm autori. Po nga fundsi i viteve ’80 të shekullit  XX në redaksinë e autorëve te traditës pranë shtëpisë botuesë “Naim Frashëri” filloi puna edhe me veprën letrare të  Lasgush Poradecit.  Ky botim do të ishte më i ploti i kësaj vepre deri atëherë  me një vëllim prëj 520 faqesh, ku përfshihej  gjithë poezia e tij e botuar, shkrimet në prozë, dorëshkrime dhe letërkëmbimi. Midis dorëshkrimeve ndodhej edhe  poema “Ekskursioni teologjik i Sokratit”, e cila qe përfunduar qysh më 1975. Kështu pra, në poezinë e Lasgushit  na bëhet e pranishme përsëri figura e Sokratit, po tani jo me një varg, po me një poemë prej 24 faqesh. Arsyeja e parë pse figura e Sokratit antik del si  personazh në  poezinë lasgushiane dhe autori bën kështu një dalje nga traga krijuesë është vetë univërsaliteti  i figurës së Sokratit, i cili  i kishte kaluar prej shekujsh kufijtë e lashtësisë helene.  Nga ai kanë ç’ të mësojnë  të gjithë në çdo vend e në çdo kohë. Duket nga poema në fjalë se edhe L. Poradecit i ka bërë përshtypje të jashtëzakonshme si jeta dhe vepra e Sokratit, po edhe vdekja krenare e filozofit të madh. Ai që i biri i skulptorit Sofraniku. . Atëherë, në vogëlinë e tij, atje në punishten e të atit ai nisi të punonte si gurgdhendës. Po nga viti në vit, gjithnjë e më shumë djaloshi zgjeronte edhe  njohuritë e veta duke mësuar me këmbëngulje.  Ashtu, ai arriti të bëhej filozof.. Si njeri i etur  për dituri, thoshte: “Di një gjë, që nuk di asgjë”.  Si rregull të jetës së tij Sokrati mori mbishkrimin e tempullit të Delfit: “Njih vetveten”[4]

Si filozof me mendime të thella, Sokrati u ngrit kundër sofistëve, të cilët nga mësues të gojëtarisë ishin kthyer në  njerëz të korruptuar dhe përpiqeshin në mënyra të rreme të mbronin ose të rrëzonin si të drejtën ashtu edhe të shtrembërën, sipas interesit.

Qëllimi kryesor i Sokratiot ishte të përhapte njohuri dhe të ngjallte tek njerëzit  dashurinë për dituri. Në praktikën mësimore ai nuk jepte kurrë përgjigje të gatshme, po përpiqej që me anë të pyetjeve e përgjigjeve ta shpinte bashkëbiseduesin në përfundimime logjike të drejta. Kjo mënyrë e të mësuarit do të quhej më vonë në pedagogji  “metoda sokratike”.

Nëpërmjet bisedave filozofike me  nxënësit e vëtë dhe me rininë e asaj kohe antike, Sokrati përhapte idetë e tij të përparuara, që binin ndesh me shumë norma të shtetit, të gjyqeve edhe të fesë shtetërore. Nga dita në ditë ai po kalonte në një konflikt të hapur me shoqërinë e lartë zyrtare të shtetit të Athinës. E qortuan dhe e këshilluan të hiqte dore,  po Sokrati s’ tundej nga parimet e tija. Atëherë autoritetet laike dhe fetare e nxorën në gjyq.

Sipas Platonit, “Sokrati qe nxjerrë në gjyq në vitin  399 P.K  me akuzën se po shpërfillte  perëndit shtetërore dhe po paraqiste prrëndi të reja, nga njera anë, dhe nga ana tjetër akuzohej se po korruptonte moralisht rininë, duke e larguar nga principet e demokracisë.”[5]

Në radhë të parë Sokrati deshte që filozofia të merrej me  problemet e jetës në tokë dhë jo të endej nëpër qiej, nëpër sferat rrotullore, po të ishte fizike me themele natyrore. Dhe për këtë ide realiste të heroit të tij filozof, Lasgushi shkruan në poemë:

Filozof Sokrat i vjetër

Kokë e vlefshme e Greqisë

E pat zbritur përmbi tokë

Lëndën e flozofisë

Krahas filozofisë Sokrati kujdesej edhe për normat morale. Ndryshe nga sofistët e korruptuar, ai deshte të vendoseshin  marrëdhënie të ndershme e të sinqërta midis shtetit dhe popullit. Po ashtu donte edhe  drejtesi të paanëshme për palët në gjyq. Dhe për këtë anë të prirjeve morale të Sokratit Lasgushi  shkruan në poemë:

 

Përcaktove dhe moralin,

                                    Përcaktove drejtësinë.

                                    Dhe ngarkove për detyrë

                                    Veç njerinë, veç njërinë.

 

                                    Moral të bukur shumë

                                    Për dobi të gjithësisë.

                                    Që i shërbente drëjtësisht

                                    Njerëzisë dhe shoqërisë.

 

                                    Si vendose paq moralin

Mbi themele të patundur,

Kape zotërit e Fenë

Për t’i tundur, për t’i shkundur.

 

Ashtu si në jetë edhe në poemën e L. Poradecit, heroi filozof ka përpara shumë  kundërshtarë parimorë, te  cileve  përpiqet t’u mbush mendjën  për të vërtetën dhe t’ i bind. Dhe këta kundërvënës nuk janë vetëm nga radhët e sofistëvë, por edhe nga paria e administratës shtetërore, gjyqësore dhe hierarkia klerikale në shtetin e Athinës. Në këtë  atmosferë konfliktuose nis atëherë Sokrati  ekskursionin e vetë filozofik e teologjik tek personalitetet më të larta të kohës, për të shpjeguar probleme sociale, filozofike e fetare.. Në fillim shkoi te kryeshtetasi antik, pastaj të kryegjyqtari, dhe, më në fund në tempull gjeti kryepriftin vetë.

Heroi  filozof i poemës së Lasgushit, vërtetë u end nga një personalitet tek tjetri, për të parashtruar shqëtësimet e veta, po asgjë nuk zgjidhi dot në këtë ekskursion. Jo vetëm se nuk ia dëgjuan vërejtejt e kritikat, po përkundrazi e qortuan.  Së pari, e kërcënuan  të mbyllte gojën, sepse përndryshe do ta pësonte këq. Vetë kryeprifti e paralajmëroi se:

Sa për ty Sokrat, që shan

                                    Perënditë shtëtërore,

                                    Dhe përhap ide të reja

                                    Dhe zgjon masat popullore

 

                                    Thonë së do të dënojnë

                                    Rreptësisht për këtë faj,

                                    Me që do kryeparinë,

                                    Ta rrëzosh nga froni i saj.

Po Sokrati që kishte një karakter të gurtë, nuk trembej nga paralajmërimet frikësuese. Po edhe  kleriku i lartë, nga ana e tij, nuk e la me aq kërcënimin. Për më tepër,  ai,  duke dashur ta frikësojë  me dënimin maksimal,  i deklaroi:

 

Thonë gjyqi dhë tërë Athina

                                    Se ty do të dënojnë,

                                    Të pish kupën e zeherit,

                                    Që kështu të asgjësojnë.

 

            Realisht siç e  trajton  Platoni tek  “Apologjia”, Sokrati ka qënë jo vetëm filozof i ditur, po edhe  trim i patrembur e mbi të gjitha superior ndaj kundërshtarëve e gjyqëtarëve të kohës. Me gjithë presionet që iu bënë, ai nuk  i  mohoi  pikëpamjet e tij dhe  nuk pranoi të ndërpriste dhënien ë mësimevë të filozofisë: “Burra të Athinës,- flët ai në gjyq,- unë u dua dhe u nderoj, por para jush  do të dëgjoj zotin. Dhe përsa kohë që jam gjallë dhe jetoj, unë kurrë s’ do ta  ndërpesë dhënien e  mësimeve të filozofisë”.[6]

I patrëmbur nga imazhi i vdekjes, Sokrati nuk pranontë të largohëj nga burgu  edhe kur shokët e miqtë ia siguronin mundësinë e arratisjes. Në momente të tilla dramatike  ai  deklaronte se “Asgjë e keqe nuk mund t’i ndodh njeriut të mirë as kur jeton e as mbas vdekjes”[7]

Si filizof krenar e i patundur në bindjet e tij për jetën dhe vdekjen, për të vërtetën dhe mashtrimin, për drejtësinë dhë padrejtësinë, ai u shpreh para trupit gjykues dhe spektatorëve se “E vështirë, o miqtë e mi, nuk është të shmangësh vdekjen, po të shmangësh padrejtësinë”[8]

Po ashtu edhe Sokrati i poemës së Lasgushit është njeri guximtar dhe i urtë, i palëkundur në rrugën e tij që s` pranon asnjë kompromis. Kryeprifti mundohet ta josh me shëmbullin  e tij jo të admirueshem për njeriun e ndershëm:

U bubu, Sokrat, Sokrat,

                                    Filozof që tunde  dhenë,

                                    Po si ne or antizot,

                                    Pse s’ bën kompromis me fenë?

Po kjo këshillë e klerikut të lartë qe krejt e papranueshme për heroin e poemës së Lasgushit. Sokrati edhe  në poemë nuk del nga bindjet filozofike, nga parimet e jetës së tij dhe as nuk korruptohet. Në mënyrë të prerë Sokrati pohon para klerikut të Zeusit, se ai s’ishte për kompromis me fenë. Pasi për njerëzit e ditur feja unk është përzjerje dogmash. Duhet bërë e qartë, deklaron  Sokrati, se  për ne të diturit:

Feja jonë është trefish,

                                    Shkencë e art e poezi,

                                    Zoti ynë është një fish

                                    Ky quhet Dituri.

Në këtë mënyrë pra, kupthet nga pushtetarët e kohës në Athinë, se Sokrati nuk po vinte mend.  Ai shkonte në popull dhe përsëri predikonte parimet e tij. Kjo i revoltonte qeveritarët e kohës. Ai  po shpërndante ide të reja për të ardhmen, gjë kjo që s’ u pëlqente njerëzve të regjimit sundues. Ai po u prishte qetësinë qeverisese, po hapte  “punë”, pra po prishte  “statuquon”. Atëherë të alarmuar ata i thonë:

Prap po i mohon Sokrat

                                    Perënditë shtetërore,

                                    Prap ti me ide të reja

                                    Po zgjon masat popullore.

Më në fund u pa e qartë prej  parisë se Sokrati nuk qe thyer nga paralajmërimet kërcënuese, se nuk  po pranonte as rrugë kompromisi. Atëherë për atë kishte vetëm një alternativë, ajo e gjyqit.:

Kështu me ndërgjegje të ashpër

                                    Merr vendim gjyqi xhelat,

                                    I jep kupën e zeherit

                                    Të pamposhturit Sokrat.                                 

 

                                    Kështu djajtë e bestytnisë,

                                    Kështu breshkat e Moçalit

                                    Vranë filozof Sokratin,

                                    Madhështorin dre të malit

Lasgush Poradeci në të njëjtën kohë, kur lartëson figuren e Sokratit, qartëson  edhe idenë se ai u dënua për pikëpamjet e idetë e tij progressive, duke u bërë martirë i   doktrinës së vetë filozofike.

Që atëherë, që nga viti 399 Para Krishtit, kur u dënua Sokrati e deri tani, kanë kaluar 24 shëkuj, po emri dhe vepra e tij jeton në faqet e hiatorisë, prandaj poeti shkruan për  pavdekësinë e tij:

Ti m’ i  miri, ti m’ i urti,

                                    Ti m’i drejti  gjithë Greqisë

                                    Vdiqe përmes errësirës,

                                    Linde përmes historisë.

 

                                    Shkuan vjet dhe qindra vjetë,

Shkuan edhe mijra vjet.

Të nderon Sokrat njerzimi,

Mirënjohje jetë pas jete.

Në favor të kësaj ideje  se Sokrati rilind përmes historise është edhe mendimi i studjuësit Amërikan J.f. Stone, i cili ne veprën e tij “The Trial of Sokrates” shkruan :”Sokrates speasks like a modern civil liberatorian[9]”; ose e thënë shqip, Sokrati flet si një  liberator modern i qyteteruar. Nga kjo pikëpamjë Sokrati  nuk është vetëm një filozof dritëdhënës i antikitetit, por edhe  një liberator i gjithë kohëve moderne. Nga kjo anë ai është një mendje universale, që ndrin në shekuj për logjikën e hekurt dhe guximin qytetar.  Filozofi Sokrat qe në opozicion me qeverisjen e kohës së tij jo si një grinjar për gjëra të vogla personale, po për çështje madhore, për të drejtën, për të vërtetën, për lirinë. Ai ishte dijetari që donte ndryshime për të mirën e shoqërisë, që nuk dinte të bënte kompromise, që kurrë nuk mund të  bëhej vegël e shitur te  qeveria. Njerëzit mendjendriur  dhe të guximshëm si Sokrati i duhen çdo kohe, po e keqja është se opozitarë të tillë prishin statuquo-n dhe nuk u duhen qeverive . Cili filozof shkoi aq i vetëdijshëm drejt fundit tragjik si ai. Për mendimin e thellë filozofik dhe  guximin e tij, Sokrati  është një sinekdokë;  dhe, ashtu siç themi se muzeumet kanë nevojë për Ciceronë, që të kuptohen nga të gjthë, kohërat kanë nevojë për Sokratë, që të ndriçohen.

Lidhur me fatin tragjik të filozofit të madh, si në jetën e tij edhe  në këtë poemë, që jemi duke e analizuar, studjuësja Frida Idrizi ka shenuar në parathënien e veprës letrare të Lasgushit se “Poeti duke marrë shkas nga figura ë Sokratit,  demaskon në poemën “Ekskursioni teologjik i Sokratit” hipokrizinë politike, klerikale  dhe etike mbi të cilën mbështeten gjithë rendet shfrytëzuese, për të vënë në gjumë popullin e lënë në padije, me qëllim që të zgjasin sa më shumë jetën e tyre.”[10]

Herezia e filozofit krenar ndaj Zeusit Sovran si dhe qendrimi i tij kritik ndaj “parisë” drejtuesë është cilësia më dalluese e Sokratit, që i ka tërhëqur më shumë vëmendjen poetit në poemë. Kjo për arsyen se edhe vetë Lasgushi në këtë aspekt është një “Sokrat në miniaturë”.

Ai nuk e vuri penën as në shërbim të monarkisë, as në favor të diktaturës komuniste. Skurt poeti nuk i përfillte qeveritë edhe  sferat e larta drejtuese. Po edhe ata të kabineteve te larta zyrtare e dinin farë mirë këtë gjë, prandaj, pa u ndjërë, qeveritarët e linin në hije. Dhë për këtë veçori të Lasgush Poradecit bindesh kur lexon epistolarin e tij, sidomos  letërkëmbimin me Asdrenin, me  Prof. E. Çabejnë, si edhe me Prof. S. Luarasin .

“…..O miku im i dashur dhe atdhetar i urtë, Asdren….Studentët e ardhur nga Shqipëria thonë se arka e shtetit qenka zbrazur nga shkaku i festave të kurorëzimit, prandaj s’ po dorëzohen bursat prej kaq muajsh dhe kush e di se gjer kur do të zgjatet ky martirizim…”:[11]

Për ta ndriçuar edhe  më shumë alergjinë e Lasgushit ndaj nëpunësve të lartë qeveritarë le të lexojmë edhe letrën që i drejtonte  E. Çabejt nga Graci më 29 shgkurt 1933: “Me  pedantsuan  obskurantisht, po un nuk u betova. (……). Pasi bërë skandalin e mosbesimit, na ardhke edhe për rrogë tani…Unë i ofenduar, dhe gjigand kundër pigmenëve nuk u trëmba, po erdha pa rrogë.”-(Vep.Letrare, f. 483).

A  nujk janë këto shembuj që flasin  për një Sokrat në miniaturë? Për një këngëtar “finosh” që nuk u shit te politika, por  që qënrdoi si Princ në mbretërinë e Poëzisë.

Së fundi, duhet theksuar  se mendimet dhe idetë e poemës “Ekskursioni Teologjik i Sokratit”  janë dhënë përmes një forme  tërheqëse nga ana artistike, edhe  pse në këtë vepër s’ kemi më atë erotikën e afektuar nga  një dashuri zhuritëse, ashtu si  tek “  “Ylli i Zëmrës”  a po tek “Vallja e Yjeve”. Vendin e heroit lirik në këtë poemë e zë një filozof i ndritur dhe me karakter të fortë. Po edhe kjo dukuri e re në poezinë e Lasgushit., tanimë  në moshën të tretë, jepet me frymëzim.  Përsëri  kemi të bëjmë  me  një krijim mjeshtëror.

Stili Lasgushian, dikur me tone romantike, tani në poemën”Ekskursioni Teologjik i Sokratit” merr ngjyra kritike dhe ironie, po poezia nuk e humbet as natyrshmërinë, as spontaneitetin. Vargjet mbajnë  gjithnjë veç figuracionit të pasur edhe një  tingëllim origjinal, gjë që  përftohet  edhe më shumë nga efektet  akustike që japin  anafora, epanostrofeja, aliteracion, përsëritja poetike, dhe gjithë sintaksa poetike e vjershërimit lasgushian.

[1] Mitrush Kuteli,nga  Fjala e editorit, te “Ylli I Zemrës”, botimi II, Bukurësht, 1939, f.151-152

[2] L.Poradeci, “Vepra Letrare”,   Shtëpia Botuese “N. Frashëri”, Tiranë, 1990,  f.135

[3] L. Poradeci “Ylli I Zemrës” , Botimi II, Bukuresht, 1939,    f.134

[4] Prof. A. Mushulin, “Histori e Kohës së vjetër”, Tiranë 1950, f.141

[5] Nga Irwing Edman, ”The Works of Plato” f. 67.

[6] Nga Irwing Edman, “Platon” f. 74

[7] Nga  Irwing Edman,  “Plato”  f. 74

[8] Nga  Irving Edman, “Plato” f.85

[9]  Nga  J. F. Stone,”The trial of Sokrates”, f. 210

[10] Nga Frida Idrizi, ”Vepra letrare” e L. Poradecit, Parathënia, Tiranë, 1990, f.18

[11] Lasgush Poradeci, “Vepra Letrare”,  Tiranë, 1990, f..477

Filed Under: Kulture Tagged With: Aristotel Mici, Lagush Poradeci, ne poezine, Sokrati i Antikitetit

SHQIPTARET E ZVICRES MPOSHTIN KOMBETAREN KUQ E ZI

October 11, 2013 by dgreca

Humbja e trete radhazi u regjistrua sonte ne Tirane per Kombetaren kuq e zi.Ndeshja ka nisë me këto formacione:

SHQIPERIA: Berisha – Cana, Mavraj, Lila, Agolli – Gashi, Bulku, Rama, Kace, Abrashi – Salihi. Trajner: De Biazi

ZVICRA: Benaglio – Lang, Schär, Von Bergen, Rodriguez – Inler, Behrami; Shaqiri, Xhaka, Stocker – Seferovic. Trajner: Otmar Hitzfeld

Gjyqtarë: Pedro Proenca, Bertino Miranda, Hoze Trigo (Portugali)

Ka përfunduar me rezultatin 1-2 përballja Shqipëri-Zvicër në Qemal Stafa, Tiranë. Shuhet kështu ëndrra kuq e zi, që po i bën një mbyllje shumë të keqe eleminatoreve të Brazil 2014. Me fitoren e arritur në Tiranë Zvicra është e kualifikuar përfundimisht në Botëror, ndërsa kuqezinjtë, me dhjete pikë mbeten në vendin e parafundit, aty ku kanë vegjetuar tash sa mot.

Pjesa e parë e ndeshjes ka qenë ndër më të dobtat e Kombëtares shqiptare, ku nuk ka ansjë aksion që të mbetet në kujtesë. Pjesa e dytë vërtetë ka nisë me një aksion të rrezikshëm të kuqezinjëve, ku Valdet Rama triblon dy kundërshtarë dhe godet rrezikshëm drejt portës mike, por Benaglio është në gatishmëri të plotë, grushton dhe e dërgon topin në goditje këndore. Reagon shpejt dhe rrezikshëm Zvicra, që me anë të rrezikshimit kosovar Shaqirit, mposht Berishën. Shaqiri ishte i pa markuar nga mbrojtja me Lorik Canën në krye, që në tre ndeshjet e fundit mbetet repart i shpartalluar i Kombëtares.Tifozëria shqiptare  me papjekuri nis dhe shanë në kor shqiptarin e Kosovës, në vend që t’u vërshëllente kuqezinëjve që dukeshin si  të kotur në fushë. Shaqiri sërish ua dha një përgjigje të mencuar, reagoi duke kërkuar ndërrim dhe doli nga fusha.  Tifozëria sërish tregon papjekuri dhe ia nisë e shanë shqiptarët e tjerë të Kosovës që janë rreshtuar në Kombëtaren Zvicerane. Në qënder të thirrjeve , vërshëllimave, sharjeve, pas Shaqirit vihet Valon Behrami. Po cfar faj kishte ai, pse luante mirë?

Në minutën e 78 zviceranët shënojnë dhe golin e dytë me Lang, ndërsa penalltia e realizuar nga Salihi, mbetet thjeshtë një statistikë. I vetmi lojtar i kombëtares shqiptare që bëri dicka në fushë ishte Roshi, të tjerët dukeshin të përgjumur.

Kombëtarja Kuq e zi e Shqipërrisë dhe Kombëtarja Helvete kanë një gjë të përbashkët, palca e skuadrave përbëhet nga Kosovarët, që zvicra i ka më të mirë se ata të kuqezinjëve! Në një farë mënyre Kombëtarja me shumicë Kosovare e Shqipërisë u mund nga kosovarët e mirë të Zvicrës! Tifozëria shqiptare kishte rast që të luante me dy porta dhe të duartrokiste cdo aksion, pavarësisht se në cilën portë mbyllej aksioni. Në fund të fundit duartrokisnin shqiptarët, pavarësisht fanelave që mbanin veshur. Traineri Italian de Biasi me gjasa nuk ka për të qëndruar më gjatë në bankinën kuq e zi. Tri humbejt e fundit ia errësojnë spektalet e ndeshjeve miqësore dhe të tri fitoreve minimale në grup.

Filed Under: Sport Tagged With: kosovaret, shqiperi, Zvicra

MAFIA POLITIKE

October 11, 2013 by dgreca

Shkruan: Faik KRASNIQI/

Në çdo vend ku ka luftë, ku vriten njerëzit, gjithçka vjen si rezultat i politikës së keqe. Në çdo vend ku ka korrupsion, vidhet populli, e gjitha është rezultat i politikës së keqe. Në çdo vend ku ka papunësi të madhe, çdo gjë vjen si pasojë e politikës së keqe. Në çdo vend ku shteti nëpërmjet mediave mashtron, apo gënjen opinionin, sërish është rezultat i politikës së keqe.

Politikanët e mirë (që janë shumë të rrallë) duhet të lavdërohen, kurse të këqijtë duhet të kritikohen. Te ne, shumica e politikanëve janë të këqij, janë të devijuar nga politika dhe nuk e duan njëri-tjetrin, por problematika e krijuar këtu është se interesat e tyre janë të njëjta dhe ndër to mund të përmenden: të jemi të vrazhdë me popullin deri në pikën e fundit; ta zhvillojmë biznesin (kontrabandën) edhe më shumë; të vjedhim aq sa nuk kemi ku t’i lëmë paratë; të rrisim përqindjen e korrupsionit; të rrisim përqindjen e varfërisë (e gjithë lekët të vijnë te ne, do të thotë te politikanët); të bëjmë krime në mënyrë të pamëshirshme etj.

Këto zgjedhje, ato të kaluarat dhe ato të ardhshmet do të karakterizohen nga ky biznes me votën, si nga njëra parti, po ashtu edhe nga tjetra. Kjo është gjë e pajustifikueshme. Ne si popull i kemi mbyllur sytë që nga pas lufta. Ende i kemi të mbyllur dhe për t’i hapur mos të na shkojë mendja, sepse ata që i kemi sot në pushtet na i kanë mbyllur neve (popullit) me ”dhunë” sytë , me gënjeshtra, me krime dhe me premtime boshe.

Ne si popull asnjëherë nuk do t’i hapim sytë, pasi “pëlqejmë” errësirën. Realisht, kjo mafia politike te ne nuk është aspak e fuqishme, por neve na duket ashtu, sepse thjesht jemi të pafuqishëm. E vetmja fatkeqësi që po e vuajmë dhe do ta vuajmë është padituria. Ne atë nuk e kemi dhe nuk interesohemi ta kemi, dhe kjo gjë do na shkaktojë e po na shkakton shumë probleme. Sa më larg partive politike, aq më larg negativitetit, krimit, varfërisë, korrupsionit, injorancës arsimore etj. Por, të paktën, më afër realitetit pozitiv…

 

Filed Under: Featured Tagged With: faik Krasniqi, Mafia Politike

SHPIRTI POETIK I ILIRJANA SULKUQIT, PËRMES NJË DOKUMENTARI…

October 11, 2013 by dgreca

Veprimtari , në Muzeun Historik Kombëtar/

Nga: Prof.Murat Gecaj/

Jemi mësuar që, në mjediset e Muzeut Historik Kombëtar, në kryeqytetin Tiranë, të marrim pjesë në veprimtari përuruese për libra ose ekspozita pikture. Po, kësaj here, ishte diçka tjetër, e veçantë. Vërtet të ftuarit do të mblidheshin në një veprimtari për krijimtarinë poetike të koleges e mikes, Ilirjana Sulkuqi, me banim në Amerikë, por organizimi ishte i një natyre jo të zakonshme.

Kur salla kryesore ishte mbushur plot me të ftuar, poetë, shkrimtarë, publicistë e studiues, punonjës të arsimit e kulturës, nga media e shkruar dhe ajo elektronike, përpara dolën një grup kolegësh. Ata ishin organizatorët dhe realizuesit e një dokumentari të bukur, me titullin e zgjedhur “Lirikë shpirti”, kushtuar jetës dhe krijimtarisë së  gjerë e të bukur poetike të Ilirjana Sulkuqit.

Nuk zgjati shumë salla ra  heshtje. I pari e çeli veprimtarinë regjisori i dokumentarit, Kolec Traboini. Pas atij, sigurisht shkurt, folën publicisti Albert Zholi, skenaristja Angjelina Xhara dhe kameramani Ilia Terpini-“Mjeshtër i Madh”.  Ndërsa vetë Iliirjana i falënderoi nga zemra realizuesit e këtij dokumentari dhe pjesëmarrësit në këtë veprimtari.

Të pranishmit e ndoqën me kurreshtje dokumtarin, i cili nisi të shfaqej në ekran. Ai përmbante filmime nga jeta e Ilirjana Sulkuqit dhe recitime të disa poezive më të zgjdhura të saj, nga aktorja e njohur  Margarita Xhepa.Tematika e tyre ishte e larmishme dhe i kushtoheshin mallit për vendlindjen, nënës, Kosovës, mërgimit etj.Pasi të pranishmit e duartrokitën nxehtësisht këtë dokumentar, për ata u dhanë në ekran pjesë filmike, kushtuar jetës e krijimtarisë së poetes së persekutuar dhe tanimë të ndjerë, Zhaneta Ogranaja, si dhe  ato me temë: “Migjeni, si Krisht”, realizuar nga K.Traboini.

Por, në mbyllje, interesin e veçantë të të pranishmëve e tërhoqi dokumentari kushtuar historikut të krijimit dhe veprimtarisë atdhetare të Shoqërisë “Vatra”, me organin e saj “Dielli”, në Boston të Amerikës dhe sidomos për ndihmesën e dhënë nga Fan Noli, Faik Konica etj.

2.

Ndoshta, nuk është e nevojshme të ndalemi këtu gjerësisht në jetën dhe krijimtarinë letrare të Ilirjana Sulkuqit. E them këtë gjë, pasi atë e gjejmë të pasqyruar në disa qendra Interneti e në shtyp, për atë flet skedari i Bibliotekës Kombëtare etj. Megjithatë, dëshiroj të rikujtoj se kjo bijë e njohur e Elbasanit, pas mbarimiut të studimeve për gjuhë-letërsi, punoi ca kohë gazetare në Tiranë dhe që nga viti 2004, është vendosur  familjarisht në Nju Jork.

Krijimtarinë e ka filluar që në  bankat e shkollës. Frtyt I kësaj pune janë mbi 10 libra poetikë të botuar, duke nisur që nga viti 1974. Ndër ta, dëshiroj të përmendi këtu dy vëllime me shumë autorë, të përgatitur nga Ilirjana, kushtuar nënave, me titullin “Karvan dashurie”. Për disa nga libra e saj, është nderuar me çmime kombëtare e ndërkombëtare dhe disa libra të saj janë përkthyer  në gjuhë të huaja. Bën pjesë në disa shoqata të ndryshme të shkrimtarëve e publicistëve dhe drejton revistën letrare-artistike “Pelgrini”, me shkrime kryesisht të emigrantëve shqiptarë.

…Rikthimin përmes një dokumentari të veçantë,  e Ilirjana Sulkuqit, kësaj poetje të dashurisë e dhimbjes njerëzore,  në mjediset e krijuesve kryeqytetas, ajo e meriton plotësisht. Njëkohësisht, ishte dhe diçka emocionuese, si për atë vetë dhe pjesëmarrësit e shumtë në veprimtarinë, që përmendëm më lart.

Me këtë rast, i urojmë asaj: shëndet të plotë, arritje të reja në krijimtarinë letrare, begati, gëzime dhe lumturi në familje!

Tiranë, 11 tetor 2013

 

 

Filed Under: Kulture Tagged With: iliriana Sulkuqi, permes nje dokumentari

KOLONEL RAUF FRATARI, PERSONALITET I SPIKATUR I NACIONALIZMIT SHQIPTAR

October 11, 2013 by dgreca

 Shkruan:Eugen SHEHU/

  Fratari,ai vend i thyer në cep të Mallakastrës së egër,ka bërë emër jo vetëm në jug,por në krejt viset e shtetit amë.Burrat e atij vendi ishin mbështetja e parë e Rrapo Heklait,i cili ngase kundërshtoi trimërisht Portën e Lartë në mesin e shekullit të 19-të,u dënua me vdekje.Nga Fratari janë me dhjetar burra që u qëndruan trimërisht tufanave të kohës.Dhe në mesin e këtyre burrave,qëndron nacionalisti i shquar,ai që e deshi atdheun dhe monarkinë njësoj si shtëpinë e vet, Rauf Fratari.Lindi në Fratar,në vitin 1908,në Mallakastër ku kishin nisur të frynin erërat e autonomisë shqiptare.Nënë Sabires,asaj gruaje trime nga dera e shquar e Frashërllinjëve të Përmetit,i shkuan plot miq e dashamirës për ta uruar.I mungonte vetëm i shoqi Hajredini.Po kush ishte Hajredin Fratari?

I diplomuar në Stamboll në universitetin e Hylqies,Hjaredini ende 24 vjeçar dërgohet në Janinë.Aty mëson nga administrimi praktikisht dhe pas disa provimesh të tjera në Stamboll,në vitin 1906, dërgohet nga Porta e Lartë me detyrën e nënprefektit,në një prej nënprefekturat e Mamisit,të Vilajetit të Izmirit në Turqi.Aty ndonëse punon deri në vitin 1910 ka qenë i lidhur ngushtë me krerët kryesorë të lëvizjes autonomiste shqiptare.Është ndër nismëtarët e Komitetit Shqiptar të Beratit,të cilët mbështetën fuqimishtë Ismail Qemalin,Shahin Kolonjën dhe Hasan Prishtinën për të ngritur zërin në parllamentin turk,lidhur me alfabetin dhe gjuhën shqipe.Në fillim të vitit 1912,Hajredin Fratari e braktis përfundimisht karierën e lartë në administratën turke.Ai shkon në Mallakastër e berat dhe duke mos kursyer as forcat e mendjes dhe as pasurinë e tij,viret në ballë të lëvizjes për pavarsinë e trojeve shqiptare.Natyrisht një personalitet si Hajredin Fratari e kishte të qartë se Pavarsia e Shqipërisë mund të arrihej vetëm në saje të bashkimit të ideve dhe forcave të krejt shqiptarëve,drejt qëllimit të përbashkët,për këtë qëllim ai merr pjesë në Kuvendin e Junikut,më 25 maj 1912 si përfaqsues i popullit të Mallakastrës dhe beratit.Fjala e tij do të dëgjohej plot me respekt në mes të 250 burrave të mbledhur në Junik,të cilët përfaqsonin krejt vilajetet shqiptare. Nisur nga aktiviteti i madh patriotik,nga mençuria dhe guximi i tij,populli i Mallakastrës e zgjedh Hajredin Fratarin si delegatë të saj në Kuvendin historik të Vlorës,në nëntorin e vitit 1912.Në këtë mënyrë,burri i Mallakastrës u radhit ndër 33 firmëtarët që shpallën me aktin e tyre,pavarsinë e trojeve amtare.Në vitet 1912-1914,Hajredin Fratari do të punonte si nënprefekt i Skraparit.Si do të vinte në jetë njohurit e tij,duke dashur të çojë sa më parë idetë dhe punën e madhe të qeverisë së parë shqiptare,dalë nga Kuvendi i Vlorës.Pas mijëra halleve që kishin shqiptarët e asaj kohe,Hajredin Fratarit iu desh të përballej edhe me elementë anadollakë të cilët ende shpresonin se e ardhmja e Shqipërisë,ishte Stambolli.Edhe kur në Shqipëri shkoi Princ Vidi,ndonëse pati shumë kërcënime,Hajredini nuk e la detyrën.Por me largimin e tij atëherë kur Shqipëria e mesme dhe ajo e Jugut po binin në duart e Esat Pashë Toptanit dhe Haxhi Qamilit,atëherë burri i Mallakastrës shkon në shtëpinë e vet,në Fratar dhe për tri-katër muaj merret me ndërtimin e shkollës së parë shqipe në Fratar.Por qëndrimin e Hajredinit nuk mund ta harronin rebelët mallakastriotë që në mënyrë të verbër,shkonin pas Haxhi Qamilit,kësj figure të urryer të shqiptarëve në ato vise.Në ditët e para të prillit 1915,ata shkojnë në Fratar dhe e arrestojnë Hajredinin,në shtëpinë tij.Katër ditë më pas kinse ai donte t’u largohej rojeve është qëlluar dhe vrarë prapa krahëve.Gjithsesi në telegramin për këtë vrasje thuhej : “Berat 15 prill,ora 8 e ditës.Drejtur kryesisë së Komitetit Elbasan,Tiranë,Krujë. Zoti Hajredin Fratari tue qenë nga nënprefektët e administratës së Turqisë,është mbështetës i personit të Ismail Qemalit dhe u bë nënprefekt i Skraparit.Mbas ngjarjeve të bamë së voni është burgosur në burgun e Beratit dhe mbasi nuk u pa e pëlqyeshme mbajtja e tij në burg, e pamë të udhës transferimin e tij në burgun e Kavajës.Për dijeni ju njoftohet se sot,ku po përcillesh për në Kavajë nën vërejtjen e një detashmenti… u muar vesh se rrugës ka tentuar me u arratis dhe mbasi nuk iu bind urdhërit “ndal” të dhanun dy-tri herë prej detashmentit,asht vramë nga të qitunat e pushkëve të bame nga ana e detashmentit”.(Arkivi Qendror i shtetit-Tiranë.Fondi 245,dosja 26,fleta 118).

Raufi 7 vjeçar do të shkonte të fillonte mësimet në shkollën e Fratarit,të cilën e pati ngritur që nga themelet i jati,Hajredini,madje edhe mësuesit e parë të kësaj shkolle ishin paguar nga burri i shquar i Mallakastrës.Së bashku me vëllanë më të vogël Skënderin,ata do t’i rriste me dashurinë e saj nënë Sabirja.Pas mbarimit të shkollës fillore në Fratar,Raufi shkon në Gjirokastër ku mbaron dy klasa të tjera.Më pas në vitet 1923-1927 ai shkon në Modena të Italisë dhe me ndihmën e pakursyer të familjes,mbaron me rezulltate të shkëlqyera,studimet në shkollën e mesme ushtarake,Tejet autoritar,me ambicie të vazhdueshme për t’u thelluar në studimet ushtarake,Rauf Fratari do të këmbëngulte për të vazhduar akademinë e lartë ushtarke.Për fat të tij në nëndorin e vitit 1928,mbretëria shqiptare e spalli të jatin Hajredinin “Dëshmor të Kombit” me ç’rast të birit Raufit i ofrojnë studime të larta në Itali.Në këtë mënyrë së bashku edhe me studentë të tjerë shqiptarë,në vitet 1929-1933,Rauf Fratari vazhdon studimet në Akademinë Mbretërore të Romës,në degën e Kavalerisë.Autoritetit dhe pretsigjit që gëzon ndër shokë do t’i shkonte shumë kjo degë e për më tej, Raufi do t’u futej studimeve të thella për rolin e madh të kavalerisë në betejat që kishin zhvilluar në shekuj me radhë bashkëkombasit e vet,ndërkaq ai nuk do të qëndronte indiferent edhe ndaj politikave italiane për fashistizimin e jetës së studentëve shqiptarë në krejt Italinë.Kundërshton me forcë nderrimin alla romane dhe në bisedat me miqtë e vet shprehet hapur se studentët shqiptarë duhet të ruajnë nderimet ushtarake që bëheshin në atdhe dhe asesi nuk duheshin harruar zakonet e mrekullueshme shqiptare.

Në vjeshtën e vitit 1933 pasi mbaroi me rezulltate të larta Akademinë Mbretërore në Romë,Rauf Fratari me detyrën e nëntogerit emërohet në Gardën Mbretërore Shqiptare.Për gjashtë vjet me radhë ai do të shërbente në këtë Gardë me përkushtim dhe devocionin më të lartë.Veçanërisht në këto vite,duhet pranuar se italianët nuk lanë gur pa përdorur,për ta kthyer Mbretin Zog në instrument të politikave kolonizuese të tyre.Kur e panë se në këtë drejtim karakteri i Mbretit të Shqiptarëve ishte i papërkulur,ata u përpoqën me anë të mercenarëve shqiptarë të kërcënonin deri fizikisht jetën e tij. Rauf Fratari,në çdo moment u gjend kurdoherë në situatën më të vështirë,duke shmangur në kohë çdo rrezik.Betimi si oficer besnik i Gardës Mbretërore,do të ishte për birin e Mallakastrës jo vetëm një udhëheqje por edhe thirrje për të sakrifikuar gjithshka vetëm që nderi i Gardës Mbretërore dhe i vetë Mbretit Zog të mos cenohej,është kjo arsyeja që brenda gjashtë vjetëve të detyrës së tij në atë vend,Rauf Fratari arriti të marrë gradën e majorit të Gardës Mbretërore.

Ndërkaq 7 prilli 1939 do të shënonte ditën e zisë kombëtare shqiptare.”Raufi ishte ndër ata qindra oficerë të Monarkisë së Zogut i cili e priti me indinjatë të madhe pushtimin fashist të vendit dhe në shenjë proteste ai grisi flamurin italian.Pas atij xhesti ndoshta simbolik,por që shprehte gjendjen e tij shpirtërore dhe indinjatën e madhe të një shqiptari të vërtetë,autoritetet italine e arrestuan Raufin dhe  embajtën për disa kohë në burgun e Tiranës”(Gazeta Shqiptare,Tiranë,10janar2003)

Ka qenë pikërisht ndërhyrja e Fejzi bej Alizotit ( gruaja e të cilit ishte motër me gruan e Raufit) që ky i fundit të lirohet nga burgu.Meqenëse autoritetet italiane i njihnin aftësitë ushtarke të Raufit,në kuadrin e thirrjes për t’u kthyer të gjithë oficerët shqiptarë në detyrat e tyre,ky shkon në garnizonin  e Kuçovës.Disa muaj më pas,në fund të vitit 1940,Rauf Fratari thirret në komandën e lartë të ushtrisë italiane dhe i bëhet thirrje të grumbollojë sa më shumë vullnetarë nga vendlindja e tij,Mallakastra për të luftuar në frontin italo-grek që niste nga Saranda.Sidoqë nën parrullat se do luftohej për Shqipërinë Etnike,Raufi e kuptoi se kjo gjakderdhje e shiptarëve sish gjë tjetër,pos zbatimit të planeve strategjike për territore të reja të pushtuara nga fshistët.Ka qenë kjo arsyeja që Rauf Fratari nuk pranoi të luajë këtë rol,me ç’rast u arrestua përsëri dhe u dërgua në burgun e Gjirokastrës.Edhe aty nuk munguan presionet,ndërsa burri i Mallakastrës me një italishte të kulluar i kumtonte karabinierëve italianë se shqiptarët një fjalë kanë.Edhe këtë radhë me ndërhyrjen e Fejzi bej Alizotit autoritetet italiane detyrohen ta lirojnë nga burgu duke e porositur që të shkoj në shtëpi ndryshe e priste internimi.Në vitet 1941-1943,Rauf Fratari akademist i shkëlqyer i Romës dhe mbretëror i sprovuar,bashkëpunon ngushtë me nacionalistët shqiptarë.Ai bie në kontakt me Hysni Lepenicën,Ismail Golemin,Tefik Cfirin dhe sidomos me Abaz Kupin,heroin e rezistencës shqiptare të 7 prillit 1939.Dihet se në fillimet e veta lëvizja nacionaliste shqiptare lindi si nevojë imperative e luftës kundër fashizmit italian,i cili kishte robëruar vendin.Rreth 70-80 burra  të Mallakastrës së Epërme,në janarin e vitit 1943 lidhin besën so do të luftonin nën komandën e Rauf Fratarit.Brenda dy-tri muajve radhët u shtuan dhe kjo njësi luftarake u pagëzua batalioni “Hajredin Fratari”.Në mars të vitit 1943,do të vinte aksioni i parë i madh i këtij batalioni,kundër forcave italiane që lëviznin në autokolonën prej Fieri në Tepelenë.Në vendin e quajtur kthesa e Greshicës,Rauf Fratari ndërton një pritë model duke iu përshtatur terrenit,si edhe aftësive luftarake të batalionit që udhëhiqte.Duke shfrytëzuar befasinë vullnetarët nacionalistë,hapin një zjarrë të fuqishëm në drejtim të autokolonës italine dhe brenda dy orë luftimesh lënë dhjetra të vrarë dhe të plagosur.Komanda e qarkut të Fierit, lajmëronte Tiranën për “dërgimin e trupave të tjerë pasi prita ka qenë e befasishme dhe shiqptarët nuk përmbahen në sulmin e tyre”.(A.Q i shtetit-Tiranë,Fondi Mëkëmbësia,dosja.47,fleta 233 ).

Mbas këtij aksioni i cili bëri jehonë në krejt Shqipërinë e Jugut,forcat ushtarake italine ndërmuarën një operacion të gjërë,në Mallakastër duke djegur qindra shtëpi,duke vrarë e burgosur shqiptarë të pafajshëm.Nuk mundet kursesi të jetë rastësi që e para shtëpi e djegur prej italinëve ishte ajo e Hajredin Fratarit.Pas djegjes së parë që i bënë shtëpisë së madhe forcat e Haxhi Qamilit,në vitin 1915,kjo ishte e dyta e cila rrënoi deri murat e lashta prej guri.Raufi me ndihmën e miqve të vet mundi ta largojë familjen dhe në krye të batalionit u hodh në aksion luftarak akoma më të rreptë,kundër pushtuesit italian.Tashmë emri i tij përcillej me respekt në çdo vatër mallakastriote.Sigurisht ka qenë kjo arsyeja që Qarkori Komunist i Mallakastrës,ngarkoi Mehmet Shehun të bisedonte me Raufin,me qëllim që ky të rreshtohej në batalionin e vet,në radhët e nacionalçlirimtarëve.Sipas kujtimeve të bashkëkohësve të tij,takimi ishte kryer në vendin e quajtur Poçen disa ditë përpara se aty,të mblidhej populli e të jepte besën për të luftuar okupatorin italian.Rauf Fratari me horizontin e gjërë dhe personalitetin që zotëronte,i tha Mehmet Shehut se nuk mund të virej asesi në komandën e komunistëve,e para,sepse ajo doktrinë nuk përshtatej Shqipërisë dhe se e dyta,sepse komunistët shqiptarë të rangjeve të larta,pothuaj të gjithë merrnin urdhëra nga Beogradi.Kjo bisedë e çiltër do t’i kushtonte shumë shtrenjtë Rauf Fratarit,dhe se prej atij momenti ai u shpall armik i partisë komuniste e cila udhëhiqej nga motoja bolshevike “O me ne ,O kundra nesh”.Sidoqoftë as premtimet dhe as presionit nuk do të mund t’a përkulnin burrin e Mallakastrës.Ai do të ndërmerrte një varg aksionesh të tjera kundër italainëve,pa i ndërprerë kontaktet,veçanërisht me heroin Abaz Kupi.Madje me insistimin e këtij të fundit,çeta e Raufit do të kordinonte veprimet luftarake me çetat e Ismail Golemit dhe Tafik Cfirit.Më pas po në shoqërinë e ngushtë të Abaz Kupit,burri i Fratarit do të njihej nga afër edhe me Mit’hat Frashërin,i cili me urtësinë e vet do të thellonte më tej ndjenjat antikomuniste të birit të Mallakastrës.Falë urtësisë dhe veprimit energjik luftarak kundër fashistëve italianë,Rauf Fratari do të ftohej nga Mit’hat Frashëri dhe Abaz Kupi për të marrë pjesë në kuvendin historik të Mukjes.Dihet tanimë se delegacioni i nacionalistëve shqiptarë,përbëhej nga figurat e shquara si ;”Mid’hat Frahsëri,Hasan Dosti,Thoma Orollogaj,Skënder Muço,Hysni Lepenica,Isuf Luzaj,Kadri Cakrani,Rauf Fratari,Xhevat Peshkëpia  ,Halil Mëniku,Vasil Andoni dhe Ismail Petrela”.(A.Q.i shtetit-Tiranë.Fondi 40,dos.173.fle.19-20).

Ndonëse i ri në moshë,Rauf Fratari do të dëgjohej plot respekt në Kuvendin  e Mukjes,në mënyrë të Veçantë ai do të këmbëngulte për të vendosur në nenin dy të Proklamatës,luftën pa asnjë kusht për zbatimin e parimeve të garantuara nga Karta e Atllantikut,për vendosjen e kombeve,ç’ka nënkuptonte bashkimin e trojeve të Kosovës dhe Maqedonisë shqiptare me shtetin amë,si edhe të drejtat e Shqipërisë Etnike.Por dihet tanimë nga të gjithë shqiptarët se si u tradhëtua Mukja.Për turp të historiografisë komuniste,kjo tradhëti u kërkua t’i transplatohej veprimeve të nacionalistëve,por balta e hedhur mbi ta një ditë u pastrua.Ajo baltë në vetvehte ka dashur të mbulojë lumenjtë e gjakut që komunistët e Tiranës dhe të Beogradit provokuar ndaj mijëra shqiptarëve të pafajshëm,duke i hedhur ata në vëllavrasje,dhe ç’prej këtij momenti Rauf Fratari shkon në Mallakastër dhe dërgon tek miqtë e vet gruan Ganimetin,me të birin,Hajredinin një vjeçar.Tashmë nuk ishin okupatorët ato që mund të hakmerreshin kundër tij dhe familjes,por forcat e verbërta të nacionalçlirimtarëve shqiptarë.Pas kësaj ai iu bashkangjit njësive luftarake të Abaz Kupit duke udhëhequr çetën e vet sa në luftë kundër italianëve po aq edhe kundër gjermanëve.Heroizmi dhe mjeshtëria e vet luftarake do të shkëlqente sa në Mat edhe në Krujë,sa në Zallher aq edhe në Prezë.Ai ishte i bindur deri në fund se fatet e Shqipërisë,e ardhmja e saj ishte lidhur ngushtë me autoritetin e padiskutueshëm të Mbretit Zog,i cili ashtu sikundër pati udhëhequr 15 vjet me radhë popullin e vet,do të dinte ta mbronte atë sa prej okupatorëve të huaj aq edhe prej mortajës komuniste.Mirëpo,me uzurpimin e pushtetit nga bollshevikët e shtetit amë,Rauf Fratari e parndjen tragjedinë që po pllakoste atdheun e vet.Ai largohet plot dhimbje nga Shqipëria,duke lënë aty jo vetëm historinë e ndritur të familjes së tij,por edhe nënën,gruan,dhe djalin dy vjeçar të cilin e kishte quajtur Hajredin,në kujtim të atit të vet.Duke iu drejtuar brigjeve të Italisë,së bashku me dhjetra nacionalistë të tjerë,ai ishte i ndërgjegjshëm se kudo të ndodhej do të luftonte me mish e me shpirt,për të shpëtuar kombin nga tragjedia e shekullit,komunizmi.Të shtatë vitet e qëndrimit të tij në Itali,Raufi do t’i kalonte duke u përballur me vështirësitë e shumta të jetës dhe privacioneve të mërgimit.Ai do të ishte kurdoherë përkrahë kulmeve të nacionalizmit shqiptar si Mid’hat Frashëri, Hasan Dosti,Zef Pali,Abaz Kupi,madje do të mbante lidhje edhe me Mbertin Zog.Në këto lidhje ai do të shihte kurdoherë mundësinë e organizimit të forcave antikomuniste shqiptare,pa dallim partie.Ai ishte dhe mbeti deri në fund të jetës së vet fatos i bashkimit të gjitha forcave politike,vetëm e vetëm për të shembur muret e komunizmit të përdhosur,ato mure që ndan për pesë decenie me radhë kombin shqiptar,prej kombeve të tjera të qytetëruara.

Në vitin 1951 pas disa kërkesave të herpashershme Rauf Fratari thirret në zyrën e Refugjatëve,në Romë dhe i jepet e drejta të mërgojë në SHBA.Atje fillimisht në shtëpinë e një mikut të vet,Hiqmet Delvinës (ish krytar i parlamentit në kohën e monarkisë) në shtetin e Nju Xhersit.Më pas filloi veprimtarinë ekonomike private,por duke ndjekur me vëmendje të madhe gjithë zhvillimet në Shqipëri.Malli për të afërmit në vendlindje  e kapllon,sidomos kur mëson se ata keqtrajtohen nga qeveria komuniste e Tiranës.Merr pjesë në veprimtarinë e Komitetit “Shqipëria e Lirë” duke dalë në mbrojtje jo vetëm të bashkëkombasve të vet në shtetin amë por edhe për ata në Kosovë e Maqedoninë shqiptare.Ka qenë kjo arsyeja që në fund janar 1973,sapo del nga shtëpia e vet,Rauf Fratarin e qëllojnë për vdekje dy vrasës me pagesë.Dora gjakatare e sigurimit të shtetit shqiptar të asaj kohe,ishte shtrirë deri në Nju-Xhersin e largët,ajo dorë shtrinte përdhe burrin dhe nacionalistin e shquar,por asesi idenë dhe shpresën e tij,për një Shqipëri të çliruar nga mortaja komuniste, për një Shqipëri Etnike.

Bern-Zvicër

 

Filed Under: Featured Tagged With: Eugen Shehu, Rauf Fratari

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 33
  • 34
  • 35
  • 36
  • 37
  • …
  • 55
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Dashuria që e kemi dhe s’e kemi
  • “Jo ndërhyrje në punët e brendshme”, dorëheqja e Ismail Qemalit, gjest atdhetarie dhe fletë lavdie
  • Arti dhe kultura në Dardani
  • Gjon Gazulli 1400-1465, letërsia e hershme shqipe, gurthemeli mbi të cilin u ndërtua vetëdija gjuhesore dhe kulturore e shqiptarëve
  • “Albanian BookFest”, festivali i librit shqiptar në diasporë si dëshmi e kapitalit kulturor, shpirtëror dhe intelektual
  • VEPRIMTARI PËRKUJTIMORE SHKENCORE “PETER PRIFTI NË 100 – VJETORIN E LINDJES”
  • 18 dhjetori është Dita Ndërkombëtare e Emigrantëve
  • Kontributi shumëdimensional i Klerit Katolik dhe i Elitave Shqiptare në Pavarësinë e Shqipërisë 
  • Takimi i përvitshëm i Malësorëve të New Yorkut – Mbrëmje fondmbledhëse për Shoqatën “Malësia e Madhe”
  • Edi Rama, Belinda Balluku, SPAK, kur drejtësia troket, pushteti zbulohet!
  • “Strategjia Trump, ShBA më e fortë, Interesat Amerikane mbi gjithçka”
  • Pse leku shqiptar duket i fortë ndërsa ekonomia ndihet e dobët
  • IMAM ISA HOXHA (1918–2001), NJË JETË NË SHËRBIM TË FESË, DIJES, KULTURËS DHE ÇËSHTJES KOMBËTARE SHQIPTARE
  • UGSH ndan çmimet vjetore për gazetarët shqiptarë dhe për fituesit e konkursit “Vangjush Gambeta”
  • Fjala përshëndetëse e kryetarit të Federatës Vatra Dr. Elmi Berisha për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë në Seancën Akademike kushtuar 100 vjetorit të lindjes së Peter Priftit

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT