Veprimtari , në Muzeun Historik Kombëtar/
Nga: Prof.Murat Gecaj/
Jemi mësuar që, në mjediset e Muzeut Historik Kombëtar, në kryeqytetin Tiranë, të marrim pjesë në veprimtari përuruese për libra ose ekspozita pikture. Po, kësaj here, ishte diçka tjetër, e veçantë. Vërtet të ftuarit do të mblidheshin në një veprimtari për krijimtarinë poetike të koleges e mikes, Ilirjana Sulkuqi, me banim në Amerikë, por organizimi ishte i një natyre jo të zakonshme.
Kur salla kryesore ishte mbushur plot me të ftuar, poetë, shkrimtarë, publicistë e studiues, punonjës të arsimit e kulturës, nga media e shkruar dhe ajo elektronike, përpara dolën një grup kolegësh. Ata ishin organizatorët dhe realizuesit e një dokumentari të bukur, me titullin e zgjedhur “Lirikë shpirti”, kushtuar jetës dhe krijimtarisë së gjerë e të bukur poetike të Ilirjana Sulkuqit.
Nuk zgjati shumë salla ra heshtje. I pari e çeli veprimtarinë regjisori i dokumentarit, Kolec Traboini. Pas atij, sigurisht shkurt, folën publicisti Albert Zholi, skenaristja Angjelina Xhara dhe kameramani Ilia Terpini-“Mjeshtër i Madh”. Ndërsa vetë Iliirjana i falënderoi nga zemra realizuesit e këtij dokumentari dhe pjesëmarrësit në këtë veprimtari.
Të pranishmit e ndoqën me kurreshtje dokumtarin, i cili nisi të shfaqej në ekran. Ai përmbante filmime nga jeta e Ilirjana Sulkuqit dhe recitime të disa poezive më të zgjdhura të saj, nga aktorja e njohur Margarita Xhepa.Tematika e tyre ishte e larmishme dhe i kushtoheshin mallit për vendlindjen, nënës, Kosovës, mërgimit etj.Pasi të pranishmit e duartrokitën nxehtësisht këtë dokumentar, për ata u dhanë në ekran pjesë filmike, kushtuar jetës e krijimtarisë së poetes së persekutuar dhe tanimë të ndjerë, Zhaneta Ogranaja, si dhe ato me temë: “Migjeni, si Krisht”, realizuar nga K.Traboini.
Por, në mbyllje, interesin e veçantë të të pranishmëve e tërhoqi dokumentari kushtuar historikut të krijimit dhe veprimtarisë atdhetare të Shoqërisë “Vatra”, me organin e saj “Dielli”, në Boston të Amerikës dhe sidomos për ndihmesën e dhënë nga Fan Noli, Faik Konica etj.
2.
Ndoshta, nuk është e nevojshme të ndalemi këtu gjerësisht në jetën dhe krijimtarinë letrare të Ilirjana Sulkuqit. E them këtë gjë, pasi atë e gjejmë të pasqyruar në disa qendra Interneti e në shtyp, për atë flet skedari i Bibliotekës Kombëtare etj. Megjithatë, dëshiroj të rikujtoj se kjo bijë e njohur e Elbasanit, pas mbarimiut të studimeve për gjuhë-letërsi, punoi ca kohë gazetare në Tiranë dhe që nga viti 2004, është vendosur familjarisht në Nju Jork.
Krijimtarinë e ka filluar që në bankat e shkollës. Frtyt I kësaj pune janë mbi 10 libra poetikë të botuar, duke nisur që nga viti 1974. Ndër ta, dëshiroj të përmendi këtu dy vëllime me shumë autorë, të përgatitur nga Ilirjana, kushtuar nënave, me titullin “Karvan dashurie”. Për disa nga libra e saj, është nderuar me çmime kombëtare e ndërkombëtare dhe disa libra të saj janë përkthyer në gjuhë të huaja. Bën pjesë në disa shoqata të ndryshme të shkrimtarëve e publicistëve dhe drejton revistën letrare-artistike “Pelgrini”, me shkrime kryesisht të emigrantëve shqiptarë.
…Rikthimin përmes një dokumentari të veçantë, e Ilirjana Sulkuqit, kësaj poetje të dashurisë e dhimbjes njerëzore, në mjediset e krijuesve kryeqytetas, ajo e meriton plotësisht. Njëkohësisht, ishte dhe diçka emocionuese, si për atë vetë dhe pjesëmarrësit e shumtë në veprimtarinë, që përmendëm më lart.
Me këtë rast, i urojmë asaj: shëndet të plotë, arritje të reja në krijimtarinë letrare, begati, gëzime dhe lumturi në familje!
Tiranë, 11 tetor 2013