• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for November 2013

KONTRIBUTI I OSMAN HAXHIUT NË ORGANIZIMIN DHE NË DREJTIMIN E LUFTËS SË VLORËS

November 25, 2013 by dgreca

 nga Albert HABAZAJ / studiues/

Jo vetëm në Vlorë e Labëri, apo në Shqipëri, por edhe në rajon, pothuaj ndër të gjithë popujt e botës, kënga bën histori. Historia jo gjithmonë bëhet këngë. Me Osman Haxhiun, për të cilin kam nderin dhe përgjegjësinë të shpreh dy fjalë nderimi sot, përpara këtij auditori të respektuar, ka ndodhur, fatmirësisht, një rezonim i harmonishëm i koherencës historike me emocionalitetin e këngës burimore, të gurrës popullore, kushtuar atij, e cila është një nga perlat e gjerdanit të praruar, që zbukuron fondin e pasur të Epikës Historike të Luftës së Vlorës. Kjo dukuri ndodh, sepse, është pikërisht kontributi i Osman Haxhiut, përveç të tjerash, sidomos në organizimin dhe në drejtimin e Luftës së Vlorës, që i përmbush parametrat, kriteret shkencore të historiografisë dhe “ligjet” e pashkruara apo parimet specifike të folkorit, sepse ndërkohë Osman Nuri, jo vetëm në Vlorë, me rreëthinat e krahinat e saj, vlerësohej, edhe si një njeri me nam të lartë, ndërkohë që njihet nga historia dhe folkloristika si emblema e Luftës së Vlorës. Ai qe figura qendrore e Luftës së Vlorës, ai qe udhëheqësi i urtë e vizionar i Zjarrit Kombëtar, që shpërtheu  e buisi nga Ashti i Nderit të Gjergj Kastriot Skënderbeut. Atij i thonë edhe Leonidha e Epopesë Termopiliane të Njëzetës, sepse Ai, 12 anëtarët e Komitetit të Mbrojtes Kombëtare të Luftës së Vlorës, me 4 mijë trima të armatosur dhe me 800 mijë shqiptarë të tjerë, që edhe pse s’ishin fizikisht, shpirtërisht dhe materialisht ishin të pranishëm në Vlorë, duke i zbardhur faqen Atdheut para botës, mbas 500 vjetësh robëri e pa liri. Osman Haxhiu me të tijtë (kupto, gjithë shqiptarët: pjesëmarës fizikë, materialë dhe shpirtërorë) u ngrit trimërisht në këtë Termopile Shqiptare të Kohës së Re, për t’u vënë kufirin te thana (në kontekstualitet, aq sa qe e mundur) kërcënimeve të tërësisë tokësore dhe ekzistencës tonë kombëtare.

Për jetën dhe veprën e Osman Haxhiut ka histori të shkruar dhe këngë të kënduara, që  qarkullojnë, të cilat janë nga të paktat që kanë ende jetë folklorike jo vetëm në Armen apo në Dukat. Monumentin e përjetshëm në lëvizje, Osman Haxhiut, ia ka gdhendur, si ai, me monografinë voluminoze, të nivelit akademik në 310 faqe, qysh në vitin 2001, Prof. Dr. Bardhosh Gaçe, Mjeshtër i Madh. Dëshiroj të ravijëzoj telegrafisht çmueshmërinë kombëtare të Osman Haxhiut për Luftën e Vlorës, 1920.

Për të parë një raport më të drejtë, më të vërtetë të vlerësimit popullor dhe historisë së shkruar, nga i cili krahasimi kontributiv për këtë epope bëhet natyrshëm shkuam në Armen, në vendlindjen e Osman Haxhiut. Duke vlerësuar rëndësinë e lëndës, burimet ku mbështetemi për realizimin e qëllimit historiko – folkloristik që kemi, dokumentacionin, literaturën referuese, dëndësinë dhe besueshmërinë e informacionit, me objektiv të qartë e kryem një ekspeditë vetiake në fshatin ku u lind emblema e luftës së Vlorës. Një figurë e pastër atdhetare, interesante, me kapital, me shpirt, e respektuar, nga të paktët e Parisë së Vlorës që u fut në gjirin e këngës, në fondin e artë të folklorit. Ali Asllani e quante Mojsiu i Vlorës, Patriarku i Lirisë. Njerëzit e cilësonin Div i Vlorës. Ndërsa krijuesi popullor ia gdhendi portretin me tre vargje monumentale “Lule, Osmën efendi/ Të ishin dy, tre si ti/ do të bënej Shqipëri”. Osman Haxhiu, të vetmin ideal kishte Atdheun dhe për Atdheun punoi e luftoi me një fanatizëm fetar. Kur, buzëmbrëmjen e 12 marsit 1937, vigani i shqiptarizmës 52 – vjeçar,  u shua, se iku nga jeta, u mbyllën dyqanet dhe u ulën flamurët në gjysmështizë.  Revista “Përpjekja Shqiptare” do të shkruante: “Pas atij të Ismail Qemalit, Vlora s’ mban mend një varrim kaq madhështor”. Ali Asllani, i cili qe kryetar Katundarisë së Vlorës (sot Bashkia) ka përmendur gjithmonë mençurinë, vetëmohimin e trimërinë e Osman Haxhiut dhe burrave të tjerë të gjykimit dhe përfaqësimit të duhur popullor. Kemi dëgjuar nëpër festa, festivale dhe patjetër atje, te burimi, në Armen të këndohet për  Osman Haxhiun, i cili ishte bir i Armenit dhe njëkohësisht  kyetar i Komitetit “Mbrojtja Kombëtare”, i cili udhëhoqi Luftën e Vlorës. Edhe kjo këngë këndohet sipas melodisë që këndojnë banorët e Armenit dhe jo të tjerë. Do të evidentoj një miniretrospektivë tepër e ngushtë kohore, jo më tutje se një vit nga Ngjarja e Madhe.

Ëndrra shekullore që kishte përvëluar shpirtrat e zhuritur të shqiptarëve u bë realitet më 1912 – ën, por e mbrapshta Luftë e Parë Botërore e bëri të pamundur festimin popullor të përvitshëm çdo 28 Nëntor. Burrat e pasur e me mend, elita atdhetare, populli i Vlorës, qyteti dhe krahinat menduan që më 28 Nëntor 1919 të rinisnin festën e madhe të Flamurit. Ndërkohë situata ishte vërtet shqetësuese, sepse pushtuesit italianë kishin hedhur në treg spiunët për të vënë në udhë e për të piketuar veprimtarët atdhetarë, qofshin këta klerikë, mësues a nëpunës të tjerë të dalluar. Zjarri atdhetar thellohej tek urrejtja kundër pushtuesve italianë, saqë fëmijët të mos mësonin gjuhën italiane në shkollat shqipe. Festa e Flamurit do të bëhet madhështore me çfarëdo çmimi që të kërkohet më datën 28. Ky qe vendimi i 11 Apostujve të Vlorës, me Osmën Nurin në krye. Gjeneral Ferraro, komandanti i pushtimit, nuk e pranoi ngritjen e Flamurit Shqiptar. Dihet e vlerësohet, jo vetëm në Vlorë e krahinat e saj, thënia lapidare që Osman Haxhiu i ktheu plot krenari gjeneralit të pushtimit: “Ky flamur na thërret në këtë ditë të shenjtë për bashkimin e trojeve shqiptare, siç e ka lënë amanet Ismail Beu. Vlora është shqiptare. Jashtë pushtuesit!”

 

Duke vijuar kronologjikisht, konturohen për historinë vendimet historike të Kongresit të Lushnjes, që hapën udhë të reja për të ardhmen e Shqipërisë. Për të drejtuar lëvizjen kombëtare, në prill 1920, u krijua përsëri, brenda më Vlorë, ashtu si më 1919, një komitet i fshehtë me emrin “Mbrojtja Kombëtare”, i kryesuar nga prefekti i Vlorës Osman Haxhiu, në të cilin hyri dhe Q. Koculi. Deputeti tjetër S. Koleka u ngarkua të kryente funksionet e përfaqësuesit të fshehtë të komitetit pranë qeverisë së Tiranës. Kryeministri e aprovoi programin e komitetit.

Pasi u bënë përpjekjet e duhura për fillimin e kryengritjes, KMK thirri me urgjencë parinë e qytetit e të fshatrave të zonës së pushtuar të Vlorës në një kuvend që do të mbahej ilegalisht në Barçalla, një shpat mali pranë Dukatit, në jug të Vlorës. Ftesës iu përgjigjën të gjithë krerët e ftuar. Kuvendi u mblodh më 29 maj 1920. Të gjithë pjesëmarrësit aprovuan propozimin e komitetit për të filluar sa më parë kryengritjen çlirimtare. Kuvendi zgjodhi një Këshill Kombëtar prej 30 vetash dhe nga gjiri i tij u zgjodh një komitet i ri i “Mbrojtjes Kombëtare” prej 12 anëtarësh, të cilit iu ngarkua drejtimi i kryengritjes.

Emrat e tyre janë “emblema e LV” dhe përderisa LV është faqe lavdie në historinë e Shqipërisë edhe ata janë portrete me dritë nderimi e lavdie në përmendoren e historisë kombëtare. Sikurse Sulejman Delvina me patriotët e KKL dhe me qeverinë e Tiranës, edhe Komiteti “Mbrojta Kombëtare” i Vlorës, 29 maj 1920 me Osman Haxhiun, Sali Bedinin, Hamit Selmanin, Duro Shaskën, Hazbi Canon, Beqir Sulon, Ali Beqirin, Alem Mehmetin, Hysni Shehun, Qazim Kokoshin, Murat Miftarin, Myqerem Hamzarajn, me komandantët e LV major Ahmet Lepenica e kapiten Qazim Koculi dhe me Halim Xhelon, sekretarin e Komitetit, zemërzjarrtin e ditur për Atdhe, mendojmë se i bëjnë më shumë dritë çdo botimi të Historisë së popullit shqiptar, sepse qenë pikërisht ata, që udhëhoqën e drejtuan të organizuar e me plan luftimi trimat e Labërisë dhe të krahinave të tjera shqiptare që e rrokullisën në det të turpëruar Perandorinë e Re Romake. Binomi i shkëlqyeshëm i LV me Osman Haxhiun e Halim Xhelon na kujton binomin atdhetar të Lidhjes së Prizrenit me Ymer Prizrenin e Abdyl Frashërin. Kryetar i komitetit u zgjodh Osman Haxhiu. Pranë komitetit u formua edhe një komision ushtarak, i përbërë prej oficerësh, nën kryesinë e Qazim Koculit, ish oficer i marinës. Komisioni ngarkoi kapitenin Ahmet Lepenica të organizonte formacionet ushtarake. Kuvendi mori vendim t’u bënte thirrje për të rrëmbyer armët gjithë qytetarëve dhe fshatarëve të krahinave të pushtuara dhe sidomos të Labërisë. Më 2 qershor 1920 disa mijra vullnetarë, me armë e pa armë, u paraqitën në Beun dhe në pikat e tjera të caktuara, të organizuara në çeta, secila nën komandën e një fshatari trim, të zgjedhur nga vetë vullnetarët. Thirrjes iu përgjigj edhe batalioni i milicisë shqiptare prej gati 300 vetash, i formuar në Vlorë nga komanda italiane, i cili dezertoi duke u bashkuar me kryengritësit. Nën urdhërat e komitetit u formua kështu një ushtri kryengritësish prej afro 4 mijë vullnetarësh patriotë.

Më 3 Qershor dërguan ultimatumin e famshëm historik italianëve, firmosur nga kryetari Osman Haxhiu dhe anëtarët e tij: Qazim Kokoshi, Ali Beqiri, Duro Shaska, ku midis të tjerash thuhet: “Ne e dimë se një popull i vogël, siç është populli shqiptar, s’mund të sulmojë me armët e tij një fuqi të madhe siç është Italia, por qeveria italiane, sado e fortë që të jetë, s’mundet kurrë të ndalojë popullin e vogël të Shqipërisë të derdhë gjakun për idealin e lirisë së tij…”. Këto fjalë paralajmëronin një epokë të madhe, të lavdishme që është skalitur me shkronja të arta në gjithë historinë e Shqipërisë. Ka shumë këngë popullore që flasin për këtë luftë:

 

“O Qemal për këtë ditë,

Të ishe ndodhur i gjallë,

Ç’do të kishin parë sytë,

Osmani 20 vjeç djalë,

Bridhte malit pa opinga

Bashkë me Sali Muranë…”

 

Edhe në këngë të tjera bëhet portreti i Osman Haxhiut në mënyrë të mrekullueshme, me vargjet e  luftëtarit të Njëzetës dhe këngëtarit të madh të Labërishtes, Mato Hasani i Bratit:

 

” Ç’të them për Osman Picarë,

agai që mbahet rëndë,

kur shkon kaluar në kalë

flet pak e flet me mënd.

Ështe ilaç për fukaranë

për krahinë, mall e gjënë

miqtë e tij i ka të rrallë

një flori, tjatri argjëndë…

Lufta e Vlorës qe, si hapësirë vërtetë lokale, si kohë zgjati 2 – 3 muaj, e lartësisht fisnikërisht  fitoi profilin e një luftë mbarëkombëtare, statusin e së cilës ia jep historia vetë. Lufta e Njëzetës mbetet një nga epopetë më të lavdishme të popullit tonë, ku shqiptarët treguan vitalitetin e tyre të rrallë, se i thanë botës mbarë e në mënyrë të veçantë Evropës, se ç’është në gjëndje të bëjë një popull i vogël, fukara, por patriot edhe kur lufton me të drejtë kundër një fuqie të madhe jo vetëm hiperbolikisht 40 miljonëshe. Ajo luftë mbarë shqiptare, ku vetëm treva labe dha rreth 100 dëshmorë e u plagosën mbi 130 vetë.

Objektivi u arrit, Italia u hodh në det e kjo dëshmoi se “Komiteti i Mbrojtjes Kombëtare” e kreu detyrën me Osman Haxhiun në krye, i përkrahur fuqimisht nga Qeveria e Sulejman Delvinës.

Fjalë të zjarrta, plot vërtetësi, plot admirime, simpati, nuk kanë mbarim në dhjetra apo qindra vargje të pavdekshme popullore për Osman Haxhiun:

 

Ulu, o mali me borë

që të shoh përtej në Vlorë

Osman Haxhiun me forrë

që ngrihet Baba Tomorrë…

 

Fytyra e këtij “vigani” është gdhendur në këto vargje monumentale:

 

…Osmani ç’i hipi kalit

bëri poshtë buzës së malit

seç i foli gjeneralit

dil sterës e jo limanit

breshkamadh i breshkamadhit

të shoç të zotë e vatanit….

 

Këtu figura e tij del epike, madhështore, si një gjeneral popullor, i paharruar. Për këtë figurë të shquar mund mund të shkruajmë faqe të tëra pa fund. Por duhet të theksojmë se, emri i tij është përmendur shkarazi në monizëm, po ashtu edhe sot.

Në kohën e Zogut nuk u lejua të varrosej në Vlorë, por në çiflikun e tij në Picar, disa kilometra larg qytetit, kur Vlora e propozoi që ta kishte varrin pranë Ismail Qemalit.

Në 50 vjetorin e shpalljes së Pavarësisë u dekoruan me më të thjeshtën medalje “Për veprimtari patriotike” që është shumë pak. Atë medalje e meriton çdo luftëtar i Luftës së Vlorës.

Në kohën e demokracisë s’është kujtuar Lufta heroike e Vlorës ashtu siç duhej, edhe në raste përvjetorësh.

Bashkia e qytetit të Vlorës që në vitin 1994 e nderoi me titullin”Qytetar Nderi”, i ka vëne një lagjeje e një rruge emrin e tij, kurse presidenti Alfred Moisiui akordoi medaljen.

Atdhetari i madh, Osman Haxhiu, veprimtaria e të cilit meriton t’u bëhet e njohur lexuesve shqiptarë të kohës sonë dhe të ardhmes.

Atdhetarë të tillësi Osman Haxhiu meritojnë të nderohene të përkujtohen jo vetëm nga populli, që i ka përjetësuar nëpërmjet këngëve të tij të bukura, por edhe nga qeveritarët tanë në shkallë krahinore e kombëtare. Ata bënë aq shumë për ne e për pasardhësit tanë. Ne duhet të përpiqemi të shkundim pluhurin e harresës që ka rrezik ti mbulojë emrat e tyre.

Për të ndriçuar figurën e Heroit kryesor të Luftës së Vlorës të vitit 1920 anëtarit të guximshëm e të mënçur të parlamentit të parë shqiptar, përkrahësisht të qeverisë së parë demokratike Fan Nolit e të gjithë përparimtarëve të kohës për të cilën Vlora (dhe jo vetem Vlora) duhet të bëjë edhe diçka më shumë për të përkujtuar kujtimin e tij.

 

 

 

Me këto rrezëllime mendimesh mbërrijmë atje ku i bëri koka “dënk” këtij patrioti të kulluar. Aty takuam, ndër të tjerë moshatarë edhe një më të ri se “lisat e moçëm të fshatit” mësuesin veteran Shpresim Kasaj, i cili, për fat të mirë, ua kishte vjelur kujtimet e vyera më pleqve që e kishin parë me sy LV, dhe kishin luftuar për ta shporrur “Talanin” më Njëzetën. Shpresimi është 70 vjeç, me arsim të lartë, lindur dhe banues për gati një jetë të tërë në Armen, i cili për një kohë të gjatë ka qenë dhe drejtor i shkollës së mesme. Informacioni i tij na plotëson panoramën për kontributin e patriotëve të Armenit në pavarësinë konkrete të atdheut dhe ne po e japim të plotë:

Fshati Armen është një fshat me peshë e me një zë të veçantë në historinë e luftërave për liri të krahinës së Vlorës e të gjithë Shqipërisë. Gjatë gjithë etapave të historisë, ky fshat ka nxjerrë nga gjiri i tij djem e burra të shquar, si për penë e mendje, ashtu edhe për dyfekë e trimëri, që janë radhitur me burra të shquar të Vlorës dhe i kanë dalë zot vatanit në stuhitë dhe rrebeshet e kohërave. Në ndonjë periudhë të historisë, ata kanë dalë edhe në udhëheqje e drejtim, si në Luftën e Vlorës më 1920, ku Osmën Haxhiu e Sali Bedini ishin: njëri kryetar e tjetri anëtar i Komitetit të Mbrojtjes Kombëtare që udhëhoqi këtë luftë.

1. Osman Haxhiu – ish njohur me Ismail Qemalin në Stamboll kur vazhdonte “Robert Kolexhe”. I ati i tij, Haxhi Muhameti, ish mik i familjes Vlora, i Syrja e Xhemil bej Vlorës. Ai kish marrë pjesë si delegat në Kongresin e Dibrës në vitin 1909 bashkë me Mehmet Seit Mavrovën, Hasan Sharrën, Abaz Nurin e Ali Asllanin. Haxhi Muhameti bekoi flamurin më 20 nëntor 1912 bashkë me Dom Nikollë Kaçorrin dhe at Marko Moçkën. I biri i tij, Osmani ish anëtar i Klubit “Bashkimi” të Janinës dhe më pas i Klubit “Labëria” të Vlorës. Ai mori pjesë në shumë takime me patriotë të ndryshëm ku flitej për autonominë dhe pavarësinë endnit. Ai mori pjesë në Kuvendin e Drashovicës së Korrikut më 1911 dhe mbështeti Memorandumin e Gërçes dhe hodhi idenë e luftës së armatosur kundër pushtuesit osman. Ai bëri fushatë për kandidaturën e Ismail Qemalit për deputet në Parlamentin Xhon Turk. Qe sekretar i prefekturës së parë të ngritur nga qeveria e Ismail Qemalit e më pas prefekt i Vlorës. Është i njohur aktiviteti i tij si organizator dhe udhëheqës i Luftës së Vlorës.[1] Dua të bëj me dije këtë auditor të nderuar, se QSA, IH, këtë verë që shkoi, botoi një libër të munguar dhe të duhur për historiografinë shqiptare me titullin “Kujtime – nga fundi i sundimit osman në Luftën e Vlorës” dhe vetë Instituti i Historisë ka promovuar së fundmi botimin me kujtimet e Syrja bej Vlorës. Përgatitur nën kujdesin e historianit Marenglen Verli këto kujtime shfaqen interesante për lexuesin. Babai i Eqerem Bej Vlorës, kushëri i parë dhe rival politik i Ismail Qemalit, kunat i Esat Pashë Toptanit, ambasador në Vjenë apo drejtor i doganave osmane, Syrja Vlora është padiskutim një personazh i rëndësishëm i epokës. Historiani Verli, që është kujdesur për botimin pohon se kujtimet janë shkruar nga Syrja bej Vlora rreth viteve ’20. Çuditërisht ato ndodheshin që pas Luftës së Dytë Botërore në Arkiv, por nuk u publikuan deri më sot. Këto kujtime kanë rëndësi, sepse sipas historianëve Syrja bej Vlora e nis rrëfimin e tij me pushtimin osman të Shqipërisë e deri tek Lufta e Vlorës. Përse e përmenda këtë fakt? Jo vetëm fakte, por edhe përshkrime mjaft të veçanta nga jeta politike tek ajo personale mbi emra si Esat Toptani, Preng Doda, Ahmet Zogu e mbi të gjitha Ismail Qemali, për të cilin ai shkruan ndër të tjera se “fuqinë e mendjes e kishte të përkryer, por kishte një të metë, aftësinë e të mashtruarit me fjalë”. Syrja bej Vlora konfirmon atë që ka ndodhur dhe atë që mban mend kujtesa sociale, duke e transmentuar brezash,  se ushtria italiane pushtimit, e thyer dhe e trembur nga zemrat trimëroshe shqiptare, “për hakmarrje dhe për të frikësuar popullin, u vunë zjarrin konakut të Osman Efendi Haxhiut në Vlorë, shtëpisë së Qazim Efendi Kokoshit me vëllezërit dhe shtëpisë së Koleka Efendiut në Ujë të ftohtë…[2]” .  Kanë kaluar më shumë se 93 vjet nga Lufta e Madhe e Vlorës  e, jo thjeshtë për të bërë një nderim të meritura nda asaj ngjarje dhe heronjve viganë të saj, por sidomos për vështrim krahasimtar, për perspektivën shqiptare në familjen qytetare europiane,natyrshëm më vjen në kujtesën vetake kënga tradicionale, e tabanit, e burimit, apo quajeni si ta ndjeni, por me vargjet e gdhendura me shpirtin fisnik të  dinjitetit shqiptar:

“Lule, Osmën efendi/ Të ishin dy, tre si ti/ do të bënej Shqipëri”.

 

Vlorë, e diel,  24. 11. 2013, ora 10. 00

 



[1] ) Qendra e Studimeve Albanologjike, Instituti i Antropologjisë Kulturore dhe i  Studimeve të Artit,  Habazaj, Albert, Lufta e Vlorës – historia në epikën historike, Tiranë, 2013, f. 85 – 86.

[2] )Qendra e Studimeve Albanologjike, Instituti i Historisë, Syrja Vlora, Kujtime , nga fundi i sundimit osman në Luftën e Vlorës, Tiranë, “ICEBERG” Publishing House, 2013, f. 195.

Filed Under: Featured Tagged With: Albert Habazaj, Lufta e Vlores, Osman Hax

As gegë e as toskë por vetëm shqiptarë Z.Mustafa Nano !

November 25, 2013 by dgreca

Nga Fahri XHARRA/

Deshta të bëj një analizë pak si ndryshe te një libri të botuar rishtas: “ Unë jam gegë”të Mustafa Nanos. Po them ndryshe sepse do të nisëm vetëm nga qëllimi i mesazhit (kumtit) të cilin libri mundohet të na jep. Librit  ia potencon qëllimin e keq të tij  edhe parathënja e Primo Shllakut. Jo rastësisht u gjetën këta të dy. Por të shkojmë rradhazi , dhe të shofim se si  libri na e thotë atë që e thoshin të tjerët ; apo e thot Mustafa Nano atë që ne nuk deshem ta thonim:

“ Tani për tani është e pamundur studimi i të kaluarës së shqiptarëve me metoda arkeologjike ngase  nuk ka gjurmë për to.Kjo s`është e jashtëzakonshme, sepse shqiptarët e sotëm janë një përzierje e komponenteve të ndryshëm etnike gjegjësisht kulturave të ndryshme. Janë blegtorë të ardhur dhe kështu në mënyrë arkeologjike janë të pa diktueshëm ( që nuk vërehen). Gjurmët e tyre duhet kërkuar nëpër varrezat e tyre nëpër bjeshkë e vështirë që gjindet diçka e mirëfilltë” (Vesna Peshiq : Shqiptarët Ilir të rrejshëm)”… thonë serbët , dhe pyesin :

“ A e kanë shqiptarët së paku gjuhën e tyre ëmëtare? Jo , nuk e kanë. Prova më e mirë për këte është n’ faktin që kur shoqata angleze biblike e cila e boton Librin e shenjt për çdo popull në gjuhën e tij, ishte e obliguar që për Arnautët të boton Biblën në 5 përkthime të ndryshme “….. “ në mesin e këtyre pesë”dialekteve” , dy nga ata janë më të përhapurit , atë të cilin e flasin gegët  dhe gjuha e shqiptarëve të Jugut , i cile quhet toskërisht. Këto gjuhë janë aq të ndryshme sa që Gega nuk e merr vesh Toskën dhe anasjelltas . Bile kur delegacioni i Ali pahë Tepelenës e vizitonte  Mustafa Pashën e Shkodrës , edhe pse të gjithë arnaut i dashke të sillnin me veti përkthyesin e posaçëm , sepse ata  nuk e kuptonin gjuhën Gegë “  ( V.Nelezhejov , Të drejtat e shqiptarëve për shtet B. Нележојев, Албанска права на државу, »Самоуправа« за год. 1912, бр. 319.” ) . Nano , ore  Nano!

E keqja vje nga jasht e edhe nga mbrenda : ”Deri vonë në shekullin XIX shumica e shqiptarëve nga administrata osmane konsideroheshin ose “turq” (d.m.th. myslimanë), ose “grekë” (ortodoksë) dhe “latinë” (katolikë). Shumica, sipas Schmitt, edhe ndiheshin të tillë. Jo kombi, por përkatësia fetare ishte primare. Ashtu si sot në Kosovë kur bashkësia ndërkombëtare përpiqet të ndërtojë një komb (“nation-building”) edhe para 120-130 vjetëve diplomatët austriakë dhe hungarezë, por edhe shkencëtarët zhvillonin përpjekje për të krijuar kombin shqiptar (. Me Ankaranë apo me Brukselin? – Enver Robelli)”

“Kurse shtypi i Beogradit ,kabinetet e Beogradit dhe zotërinj ministrat e punëve të jashtme i konsideronin shqiptarët raje të paemër, që banonin në vend të paemër, pa histori, pa letërsi dhe gjuhë letrare, pa tradita, pa poezi, pa të gjitha ato atributet, pra, që njeriun dhe fisin e bëjnë fis njerëzor. “(shtypi serb, Jovan Deretiç)

Para se të dilet me një libër të tillë  si  Unë jam gegë ,  duhet të pyesim ( nëse jemi shqiptar ) se çka thonin  e çka thonë të tjerët për ne  ?: ” Pra , Arnautët jo që nuk e kanë gjuhën e tyre të përbashkët popullore por nuk e kanë as alfabetin e tyre  (. Ueber das Albanesische, Berlin, 1855.) dhe parathënësi i librit Primo Shllaku  shkruan  diku tjetër  ”Standardi dështoi (balkanweb.com) ”     (Primo Shllaku ,Poet, Drejtues i Institutit të Promovimit të Vlerave të Gjuhës Shqipe) ????Më vjen për të mënduar seriozisht  por me një habi të madhe se çka anlizon Mustafa Nano në ” Unë jam gegë ” , pse ate e brengos që aq rrallë po u përmendkan ” toskët” dhe ”gegët” nga historianët tanë. Apo e ka qëllimin e deretiqëve , peshiqëve dhe cvijiqëve të cituar më lartë që karshi botës të  paraqitemi  si popull :” këta Gegë dhe këta Toskë, këta melezë të tipave të ndryshëm antropologjikë, kjo bandë e përçarë në pesëdhjetë dialekte plotësisht të pakuptueshme,” .

Ju lutem pak vëmendje nga libri :”Aleks Buda , që e ndjek gur me gur historinë e Shqipërisë… nuk ia ka nxënë goja qoftë edhe një herë të vetme termat ”gegë” e ”tosk” (Unë jam gegë fq.13) …Kristo Frashëri e bënë të njejtën gjë në librat e tij ,fjala vjen në librin e tij ”Historia e qytetërimit shqiptar” gjendet fjala”Toskëri ” që përdoret 3-4 herë….Po ky autor (Kristo Frashëri fxh) e ka përdorur një herë fjalën ” Toskëri” e një herë fjalën ” ”gegëri” në librin Shpallja e pavarësisë së Shqipërisë. ( po aty ,faqe 13.)” …. ankohet M.Nano ankohet.

Pastaj ,pa menduar fare qëllimin e të tjerëve  M.N. shkruan: ”Si zor të gjendet pra ndonjë historigraf, konsull,  etnolog …. që të mos ketë shkruar për shqiptarët e të mos ketë folur për gegët e toskët.” Po ja qëllimi i tyre zoti M.Nano:”  :“Qysh para disa vitesh, udhëtarët në Shqipëri paskan parë njerëz me bisht, “me bisht të kalit ose të dhisë” dhe këta Bastarde të Tribalëve dhe Skordiskëve antikë, këta Gegë dhe këta Toskë, këta melezë të tipave të ndryshëm antropologjikë, kjo bandë e përçarë në pesëdhjetë dialekte plotësisht të pakuptueshme, bërtet dhe thërret ndër vetë në anarki skëterrëse “ (shtypi serb , Cvijiç) . Të shkruajmë edhe ne si këta?    Po Mustafa Nano shkruan ”Nga ilirët te gegët, nga epirotët tek toskët ” e kërkon ndarjen gjenetike ”antropologu” ynë  në librin e tij ” Unë jam gegë”.

“Në mbledhjen e Manastirit në vitin 1910, një nga përfaqësuesit e shquar të asaj kohe për çështjet shqiptare, Dervish Hima, u ngrit e tha:

– Dua të flas për Kosovën. Serbët po derdhin shumë të holla për të shkombëtarizuar vëllezrit tanë dhe thonë se vendësit e Kosovës janë më të shumtit serbë. Kurrë s’mund të bëhet që ne shqiptarët të heshtim duke parë gjithë këto gjëra që bëhen kundër nesh.

Që sot e tutje nuk do të përmendim më fjalën gegë e toskë, por vetëm shqiptarë, sepse gjithë shqiptarë jemi, të gjithë një gjuhë e një gjak kemi, të gjithë një atdhe e një qëllim të lartë kemi i cili është: përparimi i kombit shqiptar!”( gazetakritika.net)

”Pas shpalljes së Pavarsisë, më 1912, një gazetar anglez e pyeti Heroin e Popullit Ismail Qemali: – Si do t’i bashkoni në një shtet katolikët e Veriut me myslimanët e Shqipërisë së Mesme me ortodoksët e Jugut? Dhe Ismail Qemali ia priti: – Mos kini frikë, zotëri. Ata janë bashkuar e bërë njësh prej kohësh, përmes kultit të të njëjtit atdhe, të cilin e kanë në zemër prej shekujsh përpara se t’i sillnin të huajt këto besime! -”

Po e citoj edhe këte të intervistë të Gazetes Express :  ”Mustafa Nano në librin e tij të fundit “Unë jam Gegë” thotë se çështja e shqipes standarde e ka tejkaluar Shkumbinin, si kufi ndarës mes dialektit Gegë dhe Toskë, dhe tashmë është zhvendosur në Morinë.

Mehmet Kraja përgjigjet: Nuk do të duhej të përgjigjesha në këtë pyetje, vetëm për faktin se më citoni këtu një gazetar jokompetent, madje aksidental, dhe nuk iu referoheni profesionistëve, atyre që janë kompetentë dhe që çështjen e gjuhës e trajtojnë me informacion të mjaftueshëm, me dije kulturore dhe me akribi shkencore. Me injorantë të këtillë nuk do të doja kurrë t’i diskutoja çështjet e gjuhës, madje as të motit. ”

Ndërsa autorët serbë na këshillojnë: “ Për  shqiptarët kishte me qenë në interes më të madh nacional sikur të përcaktohej qartë identiteti i tyre etnik dhe në atë mënyrë e kishin fituar epitetin e një populli të rëndësishëm të Kaukazit me një civilizim dhe traditë mijëravjeqare; se sa me kokëfortësi të paraqiten si pasardhës të ilireve dhe me vetëdije të sajojnë një rrenë me përkatësinë më të ultë morale – vetëzhgënjimin:”( Vesna Peshiq- Albanci lazni Iliri). Çfarë këshille e mençur! dhe ne si i themi kësaj? Fol Mustafa Nano!

 

Fahri Xharra

 

Gjakovë 22.11.13

Filed Under: Analiza Tagged With: as gege as toske, Fahri Xharra, Mustafa Nano, vetem shqiptar

ESAT PASH TOPTANI ME USHTARAKËT E LARTË SERB, 1917

November 25, 2013 by dgreca

Shkruan: Arben LLALLA*/

Gjatë Luftës së Parë Botërore Shqipërinë dhe shqiptarët i gjeti të hutuar nga luftrat e brendëshme politike, por edhe humbja e disa territoreve shqiptare gjatë luftrave ballkanik. Ai që shpresonte të përfitonte nga këto luftra ishte Esat Pash Toptani cili më fillimin e Luftës së Parë Botërore i rreshtoj trupat e tij ushtarave përkrah ushtrisë franceze në frontin e Selanikut. Është shkruar dhe folur shumë kohët e fundit për rehabilitimin e figurës së Esat Pash Totanit, por faktet historike nuk i ofrojnë askujt dëshmi për ti dhënë lavdi figurës së këtij tradhëtari të kombit shqiptar. Këtë herë po botojmë këto foto të rralla, fotot me oficerët e lartë serb janë të panjohura për publikun shqiptar të cilat janë bërë në Selanik, por edhe në frontin e luftës përkrah oficerëve të lartë serb. Foto origjinale gjenden në arkivën e ministrisë së kulturës së Francës.

Nga Gushti i vitit 1916 e deri nga fundi i vitit 1917 qëndroj Esat Pash Toptani qëndroj në Selanik të Greqisë. Në rezidencën Vila Mehmet Kapandzi nga dhe komandonte disa forca ushtarake shqiptare të cilët shërbenin në mbështetje të ushtrisë franceze gjatë Luftës së Parë Botërore. Esat Pash Toptani mbërriti në Selanik më 27 Gusht 1916 dhe u prit me paradë madhështore nga gjenerali francez Emanuil Serraili. Për shërbimet që i bëri Francës Esat Toptani, do të nderohej nga gjeneral Serrail me Kryqin e Luftës në një ceremoni të madhe të organizuar më 18 Gusht 1917, në qendër të Selanikut.

*Ne Foto: Esat Pash Toptani në Selanik pranë oficerëve të lart serb, 18.8.191

 

 

 

 

 

 

Filed Under: Histori Tagged With: arben llalla, esat Pashe Toptani

MASAKRAT NË ZAJAZ E RRETHINË ME 1913

November 25, 2013 by dgreca

Me rastin e inaugurimit të muzeumit memorial “Nëna shqiptare” në Zajaz/

Nga Avzi Mustafa/

Një historian thotë se kapitujt e historisë shqiptare fillojnë me fjalën luftë, jo se shqiptarët këtë e duan, por se kanë qenë të detyruar që çdo herë t’i mbrojnë trojet e veta. Historia nuk njeh asnjë rast të vetëm që i huaji të ketë venë këmbë në truallin shqiptar, pa u pritur me luftë. Këtë më së miri e dëshmon edhe fshati Zajaz me rrethinë, ku luftëtarët patriotë treguan në vitin 1912 me një heroizëm të madh iu kundërvunë okupatorit serb. Ushtria serbe, edhe pse e organizuar mirë dhe e përkrahur e ndihmuar nga çetat çetnike nga Poreçja e gjetiu, më 4 dhe 5 nëntor të vitit 1912 u prit me rezistencë të pashembullt nga fshatarët e Zajazit. Sipas një dokumenti që e shkruan një ushtarak i lartë serb në ditarin e vet. “Katundi Zajaz është i madh dhe numëron 2000 banorë. Të gjithë janë shqiptarë dhe për ta thuhet se janë shumë të rreptë në këtë anë. Ata nuk e lëshuan fshatin, duke i bërë rezistencë të madhe ushtrisë sonë”

Siç njofton i njëjtin ushtarak, “se çeta e kapitenit Danil Belimarkoviq edhe pse qëndroi heroikisht, prapëseprapë regjimenti i tretë në përleshje me vendasit (zajazlitë) çeta e ke Danillit humbi 40-50 njerëz. Nga humbjet që pësoi ushtria jonë (serbe) në luftimet kundër mbrojtësve të këtij katundi dhe katundarëve përreth, u hakmorëm duke e djegur Zajazin”.

Çetat vullnetare të shqiptarëve të Zajazit me rrethinë që morën pjesë direkt në fazën e parë kundër vendosjet së pushtetit ushtarako-policor serb ishin kryesisht katundarë nga Zajazi e rrethina. Këto çeta vullnetare në fillim ishin si një grup luftarësh të zhveshur, pa armë e municion dhe ishte e pamundur të hidheshin në luftë kundër një fuqie të madhe e të armatosur deri në dhëmbë. Por, mbrojtja e vatrave stërgjyshore ishte detyre e tyre, andaj ata pa ngurruar u hodhën në shpëtimin e vatanit.
Diplomacia serbe nga kjo humbje vepronte në dy anë. Nga njëra anë ndërmerrte aksione konkrete për ndëshkimin e shqiptarëve të kësaj ane, kurse nga ana tjetër, në fushën diplomatike, trumbetonte se shqiptarët e Zajazit gjoja janë përcaktuar për mbrojtjen e Perandorisë Osmane, duke luajtur në kartën e fesë. Për këtë shkak krerët e politikës serbe e kishin autorizuar Shtabin e Komandës së Përgjithshëm të ushtrisë serbe të marrë aksione të ashpra ndaj popullatës vendase nëpër shumë vende të ashtuquajtura “çetat për çarmatimin” e popullatës shqiptare. Me këtë rast Komandanti i Armatës serbe dhe Shefi i “Narodna Odbranës” gjenerali Bozho Jankoviq, kërkonte me ngulm nga Beogradi që t’i jepeshin autorizime të posaçme për të kryer represione të pakufizuara ndaj shqiptarëve me qëllim që popullsia shqiptare kudo që jetonte në këto troje të heqë dorë nga çdo qëndresë.
Si kudo, ashtu edhe në Kërçovë dhe rrethinë pushtuesi pushtetin e vet e drejtonte nëpërmjet organeve ushtarako-policore. Për ta pasur popullin nën kontroll të plotë, pushtetmbajtësit e ndanë Kërçovën në 14 komuna, ku administrativisht përfshiheshin 78 fshatra-vendbanime. Për seli të komunave zgjodhën vendbanimet e banuara me popullsi, siç i quanin ata, serbe, që ishin të besimit ortodoks. Kështu Zajazi me rrethinë, që përbën një tërësi rajonale, ku fshatrat prej Zajazit ndaheshin vetëm me një megjë, rrugë, përrua apo çukë kodre, u ndanë në tri komuna: Zajazi, Kollara dhe Baçishti në komunën e Milincës, Drogomishti i Madh dhe Dragomishti i Vogël në komunën e Premkës dhe Greshnica, Dllapkindolli, Reçani i Zajazit, Leshnica, Trapçindolli dhe Kolibari në komunën e Osllomesë. Një situatë e njëjtë ishte edhe me fshatrat e tjerë shqiptarë. Kjo ndarje administrative e pushtetit ushtarako-policor serb kishte të vetmin qëllim t’i kombinojë masat administrative, territorin e ushtrisë e të policisë dhe veprimtarinë propagandistike për të mbytur kërkesat e drejta të popullsisë shqiptare në këto treva.
Pushtuesi serb kishte bindjen se në Zajaz e rrethinë çështja e organizimit të pushtetit të vet në këto troje ne përkatësi, siç i quante “arnaute”, nuk do të kryhej shpejt, prandaj nuk i largoi forcat nga pozitat e tyre. Në anën tjetër, për të ulur sadopak rezistencën dhe për të riorganizuar agjenturën e vet, u përpoq me të gjitha forcat e veta të gjejë njerëz naivë për të mashtruar masën e varfër dhe analfabete. Kudo që shkonin, ata vetën e quanin “çlirimtarë të këtyre viseve”. Në një dokument që mban numrin 4837 të datës 1. IV. 1913, kërkohet që autoritete serbe së pari t’u drejtohen hoxhallarëve dhe parisë së fshatrave për të gjetur përkrahjen e tyre, duke i udhëzuar edhe si te veprojnë në bisedat e odave, në fetfatë e xhamive e kudo. Mirëpo, ky vullnet i Beogradit në Zajaz e rrethinë nuk gjeti përkrahje. Këtë e dokumenton edhe vrasja mizore e Abedin Mulla Muratit dhe maltretimi fizik dhe psikologjik i Sali Beqirit, që ishin paria e Zajazit. Në këtë kohë kemi edhe maltretimin e shumë njerëzve, siç është i njohur i a.q. “maltretimi me samar”.
Sidoqoftë duhet pohuar se kishte edhe elementë të tillë që për shkak të dobive personale, si dhe për arritjen e qëllimeve për hakmarrje individuale të llojeve të ndryshme, bashkëpunoni me okupatorin. Të gjithë këta diheshin dhe nga vendasit quheshin “kuferxhi” (valixhexhinj)
Presionet, rekrutimet me dhunë në të ashtuquajturat “batalione vullnetare”, grabitjet e të mirave materiale, bagëtive, marrja e njerëzve në punë angarie-kullakë, tatimet e renda gjthëfarëse që ishin të papërballueshme nga popullata e kësaj ane bënë që i ashtuquajturi “çlirimin serb” të jetë shumë më i rendë se në kohën e Perandorisë Osmane. Për Zajazin e rrethinën e vetmi shpëtim ishte pushka dhe mali.
Vetëdija kombëtare, si kudo ashtu edhe në Zajaz e rrethinë, kishte filluar të zgjohej. Nga gjiri i popullit dolën patriotë të shquar ku kishin marrë pjesë shumë herët në kuvende e luftëra të ndryshme për të mbrojturën çështjen kombëtare. Këtu mund të përmendin: Ali Drgomishtin, që kishte marrë pjesë në kryengritjen e Ferizajit më 1910, Rexhep Fasku që kishte emigruar në Bukuresht dhe kryente punën e sekretarit te Klubit të Mysliman në Bukuresht, Jusuf Ali Premka, Mulla Aliu (Dila), Rexhep Dauti, Sefadin Kërçova, por edhe shumë kaçakë që kurrë nuk iu ishin përkulur pushtetit serb, si Kalosh Dan Zajazi, Sadin dhe Baleja nga  Baçishtishti, Sadin Selmani etj.
Pushteti i instaluar serb nën pretekstin e shtypjeve të kaçakëve, ngase ky vend njihej si vend kaçakësh që në periudhën osmane, me forcat e rregullta ushtarake dhe policore dhe çetat çetnike vendase, me në krye me vojvodët, organizonin maskara periodike, duke shkatërruar e djegur fshatra, duke masakruar banorë, pa kursyer as pleq , gra e fëmijë.
Për terrorin serb mbi popullsinë e pafajshme ka shkruar edhe organi i socialdemokracisë serbe të asaj kohe “Radniçke Novine”. Në faqet e kësaj gazete ka mjaft të dhëna për skenat e trishtueshme të terrorit e të dhunës që zbatohej ndaj shqiptarëve. I gjithë ky gjenocid ushqehej edhe nga propaganda zyrtare e Beogradit, e cila i cilësonte shqiptarët si popull i prapambetur, si plaçkitës i egër, që duhej sunduar dhe shtypur.

Edhe përkundër mjeteve e metodave më të këqija që përdori Komanda Supreme nëpërmjet organeve policore që të bindë dhe që të qetësojë, siç thoshin ata, “kaçakllëkun”, ato nuk dhanë rezultate që shqiptarët të bëhen qytetarë lojalë. Masat e jashtëzakonshme që ndërmori pushteti e keqësuan edhe më tepër gjendjen dhe erdhi puna deri te një revoltë e përgjithshme, që plasi si kryengritje më 29 shtator 1913. Kjo kryengritje sipas çetnikut e vojvodës Vasilie Tërbiq u quajt për nga përmasat si “Luftë e III Ballkanike” ose ”Luftë me Shqipërinë”.
Nga kjo gjendje që u krijua, ushtria serbe dhe çetat çetnike gjetën rastin të rihyjnë dhe të bëjnë maskara nëpër disa fshatra shqiptare. Në dokumentet zyrtare për terrorizimin apo shfarosjen e shqiptarëve shkruhet vetëm për ato raste që s’ka pasur mundësi të fshihen.
Por gjendja faktikisht qëndron ndryshe. Nuk ishte fjala për raste të rralla. Nga kujtesa popullore nuk fshihen lehtë maskat kolektive, që ndodhën në Zajaz, Greshnicë, Llapkindoll e gjetiu.
Zajazi ishte në shënjestër të hakmarrjes së forcave të armatosura sërbe. Zajazin me rrethinë e priste i njëjti fat si Pesoqanin, Sopin, Starocin, Braqanin ,Teqja e Madhe, e shumë e shumë fshatra të tjerë. Me skenarë të përgatitur serbët u orvatën të krijojnë provokim të situatave të ndryshme se gjoja zajazasit sulmuan disa administrativë dhe dogjën aktet zyrtare. Nën këtë arsyetim në xhaminë e Zajazit i mblodhën 100 burra dhe fëmijë, të cilët të gjithë u therën dhe u hodhën në bunarin e xhamisë.

Nën pretekstin e një kaçaku fare të panjohur të fshatit Greshnicë, i quajtur Feto Bajrami, ushtria serbe dhe çetat çetnike hynë dhe në këtë fshat. Së pari plaçkitën fshatin, maltretuan banorët dhe së fundi dogjën fshatin.
Një masakër e organizuar ndodh edhe kur sulmohet komuna Reshtanit nga kaçaku Ali Dedja me pretekst se gjoja ky po fshihet në fshatin Greshnicë. Okupatori në këtë fshat i mblodhë tërë fshatin dhe nga ai grumbull fshatarësh morën. Rufat Daljen, Lazam Daljen, Rrahit Abazin, Sadin Ramën, Qerim Tarin, Beqir Maksutin dhe i pushkatojnë te Përroi i Plakës. Mirëpo, siç pohojnë më të vjetërit e fshatit, kur kanë shkuar t’i sjellin kufomat, janë gjetur jo 6, por 14 të vrarë, prej tyre edhe 3 kanë fëmijë. Sigurisht rob te zënë nga trevat tjera.

Sipas disa kujtimeve varre masive në Zajaz e rrethinë ka  në vendin e quajtur Bunari i Seferit, në fshatin Cërvicë
Terrorin e paparë ushtruar mbi shqiptarët nga pushtuesi serb për këtë periudhë na e përshkruan edhe Edit Durhami e cila ngriti zërin edhe në Parlamentin Anglez. Ja si shkruan ajo: “Nga krahinat e pushtuara na vinin lajme të dhimbshme mbi mizoritë e paduruara, që bënin serbët dhe malazezët mbi popullsinë shqiptare. Dhe, në vend që t’i fshihnin veprat e tyre, ata përkundrazi mburreshin me to. Një oficer serb tregonte duke qeshur se si ushtarët të tij kishin shpuar me bajonetë gratë dhe fëmijët e Lumës. Një tjetër nga dera e Petroviqëve mburrej kur thoshte se brenda dy vjetëve asnjë njeri në tokat e pushtuara nuk do të guxonte të fliste atë gjuhë të ndyrë (shqipen)… Gratë myslimane pasi i zhvishnin, i dërgonin bashkë me fëmijët e tyre në kishë për t’i pagëzuar. Brenda një brezi ne do ta serbizojmë atë popull “.
Nuk ka dyshim se synimet e drejtpërdrejta të gjenocidit të ushtruar mbi popullsinë shqiptare në vitet 1912-1915, madje edhe më vonë, bëheshin me të vetmin qëllim që nëpërmjet jetës së padurueshme, së pari nëpër fshatra ku kompaktësia ishte e madhe, të bëhej shpërngulja masive. Por, në kohën e tronditjeve të mëdha historike dhe shoqërore njerëzit piqen shpejt.
Pavarësisht nga terrori dhe propaganda e shfrenuar zajazasit e përballuan dhunën dhe nuk i lëshuan trojet e të parëve, duke penguar kështu realizimin e objektivave të qarqeve shoviniste të Beogradit për shpërnguljen e shqiptarëve dhe shkombëtarizimin e trevave të tyre.

 

Filed Under: Featured Tagged With: Avzi Mustafa, Masakra ne Zajaz

Kujt i përket Manastiri i Shën Naumit: Shqipërisë? Serbisë?

November 25, 2013 by dgreca

Nga Justin Godart, deputet/*

Artikull në “Le Matin” 30 gusht 1921/

Murgu Naum, dishepull i Cirilit dhe Metodit, u dërgua me mission nga Car Borisi në kufijtë perëndimorë të perandorisë së madhe bullgare. Kjo gjë ka ndodhur në shekullin X.

Naumi u nis dhe ndaloi në mes popullsive, të cilat jetonin me peshkim dhe bujqësi në brigjet e liqenit të Ohrit. Atje u mësoi atyre ato pak gjera që dinte mbi fenë. Por bëri më mirë që u dha shembullin me punën e tij.

Një ditë, kur po lëronte tokën, në kohën e gjumit të pasdrekës, erdhi një ari dhe çapëloi një nga qetë e mbrehur në parmendën e Naumit. Kur u zgjua, Naumi e pa se ç’e kishte gjetur. Iu drejtua ariut, që po treste demin e ngrënë, e qortoi për këtë veprim mizor dhe i tregoi se çfarë telashesh po i hapte. Si do mundëte tani, vetëm me një ka, të çante me parmendë hulli të thella dhe të drejta?

Kjo vërejtje e arsyeshme, të cilën Naumi ia bëri me shumë thjeshtësi, e preku aq shumë ariun, saqë ky erdhi dhe u vu vetë në zgjedhë, në krah të kaut që kishte mbetur gjallë. Dhe parmenda, e drejtuar nga Naumi dhe e tërhequr nga penda e re, rifilloi të lërojë tokën pjellore.

Kur panë këtë gjë, fshatarët, të cilët kishin provuar në kurrizin e tyre, natyrën e egër të arinjëve, mësuan se Naumi kishte një fuqi mbinatyrore. Dhe ata e adhuruan për së gjalli, ndërsa kur vdiq e ngritën në rangun e shenjtorëve.

Unë e lexova këtë legjendë në Shqipëri, gjatë mureve të manastirit të Shën Naumit, ku ajo është paraqitur me pamje naive.

Dhe, në se unë po tregoj tani, këtë e bëj sepse ajo na çon tek një fakt i historisë bashkëkohore, e cila ka një rëndësi tejet të madhe për të ardhmen e paqes në Ballkan.

Manastiri i Shën Naumit është vendosur lart, mbi një kep të bregut lindor të liqenit të Ohrit. Dy kthina të ndërtesës, njëra prej të cilave përmbante një bibliotekë të pasur, u dogjën nga gjermanët në janar 1918. Mu në mes të oborrit, ndodhet një kishë shumë e vogël por shumë me vlerë e stilit bizantin, me ngjyrë qelibari të tymosur, e cila ngre kupolën mbi varrin e Shën Naumit. Ajo është ndërtuar në shekullin XIV. Brendia e kishës është shumë e errët, por pak kohë pasi futesh në të, ajo fillon e popullohet nga personazhe të panumurt, që dalin nga afresket nën dritën e qirinjëve prej dylli të verdhë. Nga të katër anët, fillojnë të ndrisin dhe të jetojnë breroret e arta dhe vështrimet e shenjtorëve.

Mu në krye të kishës, nën disa hardhi të harlisura, tre ushtarë francezë prehen në dheun që ata kishin ardhur ta mbronin. Në të vërtetë Shën Naumi ndodhej në frontin e Armatës sonë të Lindjes.

Pas armëpushimit, Manastiri i Shën Naumit u pushtua nga serbët. Po kujt duhet t’i jepet ai përfundimisht? Serbisë apo Shqipërisë?

Ky problem, për një kohë të gjatë ishte objekt studimi, aty, në vend, nga një komision ndërkombëtar i ngarkuar nga Fuqitë e Mëdha që të përvijojë kufirin e Shqipërisë. Komisioni në fjalë shpalli se Manastiri i Shën Naumit është tokë shqiptare. Konferenca e Ambasadorëve e ratifikoi këtë vendim dhe njoftoi për këtë të interesuarit.

Mirëpo ja, sot, nën trysninë e Beogradit, Konferenca e Ambasadorëve por e rivë në diskutim përkatësinë e Shën Naumit.

Kjo gjë ka shkaktuar në Shqipëri një tronditje të madhe. Por ajo nuk do të mungojë që të habisë dhe shqetësojë në Evropë, të gjithë ata që i njohin rreziqet e një politike që synon mos të prishë qejfin.

 

Për atë që e njeh këtë cep të Ballkanit, Shën Naumi është patjetër shqiptar. Atje lind Drini, njëri nga lumenjtë kryesorë të Shqipërisë. Atje janë rrënjosur thellë traditat fetare shqiptare. Përkushtimi për Shën Naumin nuk ka bërë pjesë asnjëherë në besimtarinë popullore serbe. Duke pasur zanafillë bullgare, ashtu si i gjithë qytetërimi i krahinës së Ohrit, ku nga shekulli X deri në shekullin XVII kishte selinë Patriarkati bullgar, kulti i Shën Naumit ka qenë pranuar dhe përvetësuar me afsh nga shqiptarët, qysh prej shumë kohe.

Këto fakte u vunë re nga Komisioni ndërkombëtar dhe e çuan atë të marrë vendimin përkatës. Që ta shfuqizojnë këtë vendim, miqtë tanë serbë përmëndin vetëm dëshirën e tyre të madhe. Dhe po ta shohim jo më të veçuar, por duke e përballur me çështjen e kufive në tërësi, pretendimi i tyre duket edhe më i padrejtë.

Duke kaluar hap pas hapi nëpër male e nëpër fusha, anëtarët e komisioneve ndërkombëatre, të shoqëruar nga teknikë përkatës, kanë punuar për të vendosur gurët e kufive të Shqipërisë. Dhe që ta kryenin sa më mirë këtë veprim praktikisht dhe me paanësi, ata në disa pika kanë bërë disa kompensime territoriale, herë në të mirë të Jugosllavisë dhe herë- por kjo ka ndodhur shumë rrallë- në të mirë të Shqipërisë. Këtu ata kanë prerë në mishin e gjallë të Shqipërisë, por atje, nga ana tjetër, kanë marrë më tepër nga toka që ishte paracaktuar të bëhej jugosllave. Pas disa vjet punimesh, kufiri shqiptar përfundoi së vendosuri, nën kontrollin e vazhdueshëm dhe me miratimin që i bëri, pjesë-pjesë Konferenca e Ambasadorëve.

Kjo vepër, pra është një tërësi e drejtpeshuar. Ne kemi të drejtë të themi se, po ta ndryshojmë në një pikë të vetme, në dëm të kombit më të vogël dhe më të dobët, do të bënim një padrejtësi të madhe.

I frymëzoftë, që atje lart, i miri Shën Naum, Konferencës së Ambasadorëve logjikën dhe forcën e shpirtit të tij!

 * Marre nga “Ditarët shqiptarë-Mars 1921- dhjetor 1951″

 Botoi: Dituria- Fragmente

Filed Under: Featured

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 10
  • 11
  • 12
  • 13
  • 14
  • …
  • 68
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Kontributi shumëdimensional i Klerit Katolik dhe i Elitave Shqiptare në Pavarësinë e Shqipërisë 
  • Takimi i përvitshëm i Malësorëve të New Yorkut – Mbrëmje fondmbledhëse për Shoqatën “Malësia e Madhe”
  • Edi Rama, Belinda Balluku, SPAK, kur drejtësia troket, pushteti zbulohet!
  • “Strategjia Trump, ShBA më e fortë, Interesat Amerikane mbi gjithçka”
  • Pse leku shqiptar duket i fortë ndërsa ekonomia ndihet e dobët
  • IMAM ISA HOXHA (1918–2001), NJË JETË NË SHËRBIM TË FESË, DIJES, KULTURËS DHE ÇËSHTJES KOMBËTARE SHQIPTARE
  • UGSH ndan çmimet vjetore për gazetarët shqiptarë dhe për fituesit e konkursit “Vangjush Gambeta”
  • Fjala përshëndetëse e kryetarit të Federatës Vatra Dr. Elmi Berisha për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë në Seancën Akademike kushtuar 100 vjetorit të lindjes së Peter Priftit
  • Shqipëria u bë pjesë e Lidhjes së Kombeve (17 dhjetor 1920)
  • NJЁ SURPRIZЁ XHENTЁLMENЁSH E GJON MILIT   
  • Format jo standarde të pullave në Filatelinë Shqiptare
  • Avokati i kujt?
  • MËSIMI I GJUHËS SHQIPE SI MJET PËR FORMIMIN E VETEDIJES KOMBËTARE TE SHQIPTARËT  
  • MES KULTURES DHE HIJEVE TE ANTIKULTURES
  • Historia dhe braktisja e Kullës së Elez Murrës – Një apel për të shpëtuar trashëgiminë historike

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT