• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for November 2013

Shqiptaret e Vankuverit festuan Festen e Flamurit

November 28, 2013 by dgreca

nga Vangjush Saro/

Shqiptarët e Vankuverit kanë festuar 28 Nëntorin, Ditën e Pavarësisë, në një mbrëmje të gëzueshme në “Riverside Hotel” – Richmond (British Columbia). Është Shoqata Shqiptare Eagles Low Mainland BC, ajo që mban të gjallë frymën e komunitetit dhe përcjell vlera të atdhedashurisë e qytetarisë më të mirë përmes një sërë veprimtarive. Ndër to, Festa e Flamurit mbetet ajo më e rëndësishmja dhe më e ndjekura nga shqiptarët që jetojnë dhe punojnë në këtë qytet të madh dhe më gjerë.

Gjatë mbrëmjes, u dëgjuan dhe u kënduan hymni i Shqipërisë dhe ai i Kanadasë. Një grup fëmijësh, nën drejtimin e veprimtares Suzana Vukaj,  recituan vjersha për gjuhën shqipe, Shqipërinë dhe Kosovën. Më pas, pjesëmarrësit e shumtë dëfryen së bashku në një ambient festiv dhe tepër familjar, nën ritmin e këngëve nga të gjitha krahinat, përfshi këngë të njohura kosovare.

Tashmë festimi i kësaj dite të shënuar, por edhe organizimi i piknikëve në stinën e verës, krahas aktiviteteve të tjera, janë bërë pjesë e pandarë e jetës në komunitetin e shqiptarëve të kësaj province në Kanada. Përmes aktivitetesh të tilla, forcohen edhe më tej lidhjet midis shqiptarëve që jetojnë këtu, ndërkohë që e gjithë kjo frymë përcillet edhe te brezat më të rinj. Në një kënd të sallës, ishin ekspozuar libra me tematikë historinë dhe kulturën e vendit tonë. Një tufë me fëmijë loznin gjatë gjithë kohës me tollumbace (në ngjyrë të kuqe e të zezë, ngjyrat e flamurit shqiptar).

Në një episod të këtyre festimeve, shoqata zhvilloi edhe zgjedhjet e reja për Kryesinë dhe drejtuesit e saj. Me votim demokratik e korrekt dhe në përputhje me Statutin e Shoqatës, u zgjodhën: Kryetar i Shoqatës Edison Heba; nën/Kryetarë Estref Resuli, (me një kontribut të gjatë e të ndjeshëm si kryetar) dhe Silvana Sulstarova, kurse Sekretare Ardita Fishta. Gjithashtu, në kryesi u zgjodhën edhe Adrian Lagji, Dritan Muka, Blenard Cenolli, Leonard Bunaci dhe Eglantina Ferro. Shoqata e Eagles Land BC është një vatër rreth së cilës mblidhen dhe mbajnë gjallë traditat historike e kulturore, sa edhe gjuhën, të gjithë shqiptarët me banim në British Columbia, realisht një ndër provincat më të njohura dhe më në lulëzim të Kanadasë.

 

Filed Under: Featured Tagged With: shqiptaret e Vankuverit, Vangjush saro

Në Lehman College në New York u shfaq poema dramatike Gergj Kastrioti Skënderbeu

November 28, 2013 by dgreca

Nga Keze Kozeta Zylo/

Në Nju Jork Skënderbeu mblodhi ushtarët e besës shqiptare dhe përcolli mesazhin hyjnor se Shqipëria do të rrojë sa të jetë njerëzimi.Në Kolegjin Lehman në Bronx, në Recital Hall, në kuadrin e 101 vjetorit të Pavarësisë dramaturgu, regjisori dhe aktori Xhevat Limani interpretoi poemën dramatike “GJERGJ KASTRIOTI SKENDERBEU”.

Në këtë shfaqje në rolin e Donikës ishte sopranoja e mirënjohur, Era Hoxha Limani, kurse narracioni u realizua nga aktorja e qytetit të Korçës Merita Çoçoli, me regji nga Limani dhe Michael Tylo.

Sa hyje në sallë impresionoheshe me skenën madhështore, stemat e principatave dhe me të gjitha reliket në të cilën jetoi Heroi ynë Kombëtar Gjergj Kastrioti Skënderbeu.  Skena është realizuar mjeshtërisht nga Kristaq Kapedani.  Me emocione të fuqishme u prit narratorja Merita Çoçoli e cila me zërin e saj të ngrohte dhe plot ekspresivitet të fytyrës së bukur lajmëroi ardhjen e Skënderbeut.  Xhevat Liman një aktor i mirënjohur në skenat e ndryshme shqiptare si brenda saj dhe jashtë kufijve solli Skënderbeun pranë spektatoreve në diten e shënuar të shqiptarëve, në Ditën e shenjtë të tyre, Flamurit Kombetar.

Kumbimi i zërit të tij çka e bën të dallueshëm si aktor ishte tejet mbresëlënës kur interpretoi me tërë fuqinë e shpirtit fjalën e Skënderbeut se: “Lirinë nuk jua solla unë, por e gjeta këtu në mes tuaj, armët nuk jua ngjesha unë, por ju gjeta të armatosur, lirinë e kishit kudo, në kraharor, në ballë, në shpatë, në ushtat!  (Nga libri i Marlin Barletit përkthyer nga Fan Noli)

Ato janë kushtrim për shqiptarët në cdo kohë dhe kurdoherë, duke i dëgjuar të dukej sikur autori sillte shekujt një nga një, sillte shekullin e Skënderbeut që luftoi me shpatë në dorë kundër hordhive turke dhe barbare.  Lufta e tij prej një strategu ushtarak ishte një sfidë për ushtritë e mëdha turke, i cili sa qe gjallë nuk la këmbë turku në tokën arbërore.

Ajo skenë me tre aktorë nën interpretimin e poemës dramatike Gjergj Kastrioti Skënderbeu solli epokën më të lavishme shqiptare epokën e Skënderbeut.  Veshjet që përdorte Skënderbeu, shpata gjigande që vetëm ajo dorë dinte ta përdorte dhe përkrenarja e Tij mbi kokë medoemos që sillnin duartrokitje dhe respekt të veçantë për interpretimin e tij tejet profesional.  Përkrenarja ishte e punuar artistikisht duke sjellë me saktësi origjinalen.

Aktori Limani nëpërmjet monologjeve të shumta të Skënderbeut solli historinë tonë të lavdishme, gjakun e derdhur lumë të shqiptarëve për Liri, strategjinëe tij të jashtëzakonshme ushtarake që u përballë me një perandori të madhe dhe e mundi.  Poema dramatike për Skënderbeun do të mbetet reale për çdo kohë, ngase mjerisht Shqipërisë nuk i kanë munguar dhe faqezinjtë si ballaban pashët.  Kjo ishte një pjesë tronditëse e shkeljes së besës, e tradhëtarëve të cilët me dredhira dhe dhurata u munduan ta blenin Skënderbeun.  Por Skënderbeu Ballaban Pashës në vend të dhuratave të cmuara i dërgoi një shkop çobani dhe një gunë, sepse i tillë ishte ballabani për çoban dhe të shkonte më mire të ruante bagëtinë në fshat se sa të tradhëtonte Atdheun.

Efekte të magjishme solli dhe loja e bukur dhe zëri i një zane shqiptare, sopranoja Era Hoxha.  Ariet e intepretuara mjeshtërisht nga ajo e cila kishte rolin e Donikës në skenë e bënin dhe më emocionante shfaqjen.  Era kishte rolin e Donikës, një rol që kërkon përkushtim dashuri dhe punë të pakufishme.  Aktrimi i saj ishte arisokrat, ajo solli pranë nesh Donikën e bukur të Kaninës së Vlorës.  Dasmës së Skenderbeut me Donikën të bijën e Gjergj Arianitit populli i këndoi:  Ç’dasmë që bë Araniti/ Atë natë kalaja ndriti/ Kënga dhe vallja buçiti/ Çelën llamba, ndezën pisha/ Plot tryeza me të gjitha/ Mish dashi, Labërie/ Verë Parge Çamërie…”

Ariet muzikore ishin përgatitur nga kompozitori i shquar Aleksandër Peçi ndërsa muzika e shfaqjes nga Elvis Peçi.  Zëri dhe eleganca e lëvizjes së krahëve si një mjelmë ishin në një harmoni perfekte.  Betejat e Skënderbeut së bashku me ushtarët e tij kishin tronditur botën, kishin frymëzuar shkrimtarët dhe artsitët e famshëm botërorë ku një prej tyre ishte poeti amerikan Longfellow i cili ka shkruar poemën për Skënderbeun dhe e ka përkthyer Fan S.Noli.  Po sjellë disa vargje prej Tij:  Nga Kështjella shpejt ka rënë/ Flamuri me gjysmë-hënë/ Edhe populli shikon/ Që në vent të tij valon/ Flamuri i Skënderit n’erë/ Shkab e zezë me dy krerë/ Dhe një thirrje lart u ngrit/ Se çdo zemër e çdo shpirt/ U mërzit nga turku i lik/ Që e bër atë Krujë/ Zi, murtajë dhe rrëmujë/ Ay zë me gas me bujë/ Q’oshëtin brek më brek/ Eshtë: “Rrofsh o Skanderbeg”!

Aktori Limani pruri Kombin të bashkuar në skenë, ashtu siç donte Kryetrimi Skënderbeu, me lojën aktoreske solli ushtarët trima shqiptarë që dhanë jetën për Lirinë kundër barbarëve turq, me poemën hymn për Heroin Kombëtar Gjergj Kastriot Skënderbeun iu solli Diellin ndriçonjës shqiptarëve, se vetëm nën këtë prijës Shqipëria jonë do të mbijetojë dhe do të jetë kryezonjë.

 

Në 101 Vjetorin e Pavarësisë, më 28 Nëntor, 2013

Bronx, New York

 

 

Filed Under: Kulture Tagged With: Keze Zylo, Lehman College, Skenderbeu, Xhevat Limani

VLORË MOJ E BUKUR VLORË!

November 28, 2013 by dgreca

SHKRUAN: ANGJELINA  KRASNIQI/ GJERMANI/

– Kombit në 101 vjetor -/

 

Vlorë moj flakëz e ndezur,/

Me flamurë mijra qirinj,/

Përmbi kuaj trimash hedhur,/

101 vjet janë më të rinj./

 

Kalërojnë shpate e brigje,/

Nga Kosova për në Vlorë./

101 vjet kërkuan shtigje,/

Të të vinë krushq me kurorë./

 

Nuk u vonuan si dikur,

Nga Kosova këta delegatë.

Përmbi shkëmb e përmbi gur,

U dëgjohet troku i artë.

 

Ata që 101 vjet më parë,

Nuk e morën se s’ua dhanë.

Sot keputën dhe litarë,

Zëmrën – Vlorë, nënën Tiranë.

 

101 vjet porsi lumënjtë,

Rrodhi gjaku, rrodhi jeta.

Me të urtë dhe me të sertë,

Herë me pushkë dhe trompeta…

 

Ismail bej, dil pranë detit,

Sepse Isa plot me shokë,

Nuk i ndal pushka e dovletit,

Për këto troje, për këtë tokë.

 

Si më parë …JO…këtë radhë,

Pa vonesë, mbi shkëmb e gur.

Kosova vjen dy ditë më parë,

Veshur e tëra me flamur…

 

Isai është krushku i parë,

Kosovën e bie për nuse,

Me nur dhe liri të larë,

Nëpër mijra burime e puse.

 

Veshur ka bjeshkën e lartë,

Në trup shtatin gjelberimin,

101 vite që po i mbart,

Kërkoi dhe gjeti agimin…

 

Prisni tani krushq të tjerë,

Mali Zi, dhe Maqedonia,

Prisni flladin me pranverë,

Që percjell dhe Çameria…

 

Ndizni vallen, me xhuplete,

Fustanella dëborë të bardhë,

Pavarsisë ti japim fletë,

Se dita e pritur ka ardhë…

 

Shrehe pushkën Ismail,

Nxirr flamurin të valvitet,

Në ballkon si dikur dil, s

Si qendroke, si të pritet ?…

 

Nënë ballkonin si një kodër,

Është derdhur tërë kombi,

Kjo shtëpi zemër e vogël,

Rreh, e dëgjon gjithe globi…

 

Ejjjjjjjjjjjj, vëllezer, motra, nëna,

Të shperndarë nëpër botë,

Qeshni, të dëgjohet kënga,

Sa me e madhe dhe e plotë…

 

Brohoritja nëpër vite,

Përqafim, puthjet e urimit,

Do sjellin si sot një dite,

Festën e madhe të gëzimit…

 

Mos i ndalni meloditë

Deri në ditën e bashkimit…

 

Gjermani…2013

 

 

AMANETI I BABËS

 

Amanetin që kur linda,

E mbaj mbi supe, pasaportë.

Kur u rrita, dhe vetë u binda,

Kur vrapova dhe nëpër botë.

 

Bashkë me puthjet shpesh im atë,

Bashkë me ledhet, bekimurimin,

Kur hëna përkundej gjeth i artë,

Më kërkonte edhe bekimin…

 

“Bijë, do rritesh, por kur linde,

Fytyrën e kishe nga Tirana,

Për të parë shqipen u grinde,

Kështu, më tha, atëherë nana…

 

Prandaj amanet prej zemre,

Kur si zog në Krujë të shkosh,

Bashkë me tingujt e një kënge,

Edhe betimin tim ta çosh…

 

Atje, pranë kalasë së lashtë,

Në ato gurë, dhe në ato mure,

Që një gjuhë flasim, të gjith’ bashkë,

Pimë ujë në një burim kulture…

 

Rozafën, Ne, kur e ndërtonim,

Si një kult dhe si një vepër,

Ata që s’na donin na e rrëzonin,

Veç armiqtë, dhe askush tjetër…

 

Nga lart na kafshonte Sllavi,

Nga jugu çirrej, lehte Greku,

Kërkonin për ne jetë skllavi,

Pak të gjallë, shumë të vdekur…

 

Porse malet janë të larta,

Por një mal është më i lartë,

Aty ku qëndroi shpata,

U ngrit dhe histori e lashtë…

 

Puthe, bijë, Ti monumentin,

Gjergj Kastriotin mbi kalë,

Me buzë ta lësh amanetin,

Puthje që të jepja mbi ballë…

 

Puthe përkrenaren prej dhie,

Që vjen në pervjetoret tona,

Na e bien dhuratë prej historie,

Atë, që përjetësisht është jona”…

 

***

Amanetin se tret toka,

Trupin tim nuk e ha dheu,

Mora krah mbi male e flota,

Shkova vetë te Skëndërbeu…

 

Putha krahun, putha dorën,

Putha shpatën që firmosi,

Putha më në fund kurorën,

Që firmë mbi kombin vendosi…

 

Nuk di përse u ndjeva e lehtë,

Krahë – puthje, zëmërmadhe,

Shpirti vuri fletë, dhe retë

I pushtova, dhe jam krenare…

 

E pashë amanetin e babës,

Pashë dhe te nënës dëshira,

Pashë sytë e bukur të Drinvalës,

U bë e imja tërë gjithësia…

 

Krujë, o qytet i bekuar,

Bashkojë vëllezrit dhe trojet,

Dora jote u ka munguar,

Të rrjedhë liria si krojet…

 

Të pimë bashkë e të kuptojmë,

Sepse veç një burim, kemi,

Në të ardhmen të ndërtojmë,

Një Rozafë, një shtet të jemi…

 

Le të lehi Serbi e Greku,

Të mos e njohi Dardaninë,

Ujku don plumb prej dyfeku,

Në kokë, në zemër dhe në brinjë…

 

Ç’far vlerë ka, a të njeh kush,

Dardani, truall i Ilirisë,

Ti shqipe në mal e në fushë,

Je vetë e zonja e shtëpisë…

 

Eja Pejani, dhe ti Berat,

Thoni me fjalë guri – gërma,

Lashtësinë që mbi sup mbart,

Kur dëshmitare ishte vetëm hëna…

 

Më jep pak strrall nga yti gur,

Më jep pak baltë me gjak përzier,

Që botës t’ja jap, të shohë kultur’,

Të pastër, të lashtë e të përkryer…

 

Më jep një puthje, sikur im atë,

Ta marr prej teje, malin e detin,

Të rend me ditë, fluturoj me natë.

Në varr babës t’ja çoj amanetin…

 

Ti them, se shqipet sot nëpër botë,

Po bëjnë një çerdhe, të madhe, të fortë…

Krujë…2012

 

Filed Under: Featured Tagged With: Angjelina Krasniqi, Gjermani

KRYEHEROI ADEM JASHARI DËSHMON DIFERENCAT POLITIKE E PUBLIKE TË LULZIM BASHËS ME EDI RAMËN

November 28, 2013 by dgreca

Nga Ramiz LUSHAJ/

Në ditën e sotme të 101 vjetorit të Shpalljes së Pavarësisë Kombëtare Shqiptare, teksa kryebashkiaku i Tiranës e lideri i PD e i opozitës së djathtë në opozitë, politikani i ri Lulzim Basha, po bante homazhe në Memorialin e Adem Jasharit,(foto 1) po mendoja se burrat e shtetit të çdo kohe e të çdo moshe përveçohen e lartohen si të tillë në karierën e tyre politike e publike edhe nga sjellja shpirtërore e jetësore në gjithanshmëri e vazhdimësi ndaj figurave emblematike të kombit. Kjo duket kjart në koft se iu bën një përballje krahasimore Edi Ramës e Lulzim Bashës me qëndrimin e tyre ndaj kryeheroit të Pavarësisë së Kosovës, legjendarit Adem Jashari.

Edi Rama, prej shtatë vitesh kryebashkiak i Tiranës e prej dy vitesh kryetar i PS e përuroi më 28 nëntor 2006 Bustin e vogël të Adem Jasharit në Rrugën e Durrësit, në anë të Bllokut të Ambasadave, (foto 2) të Cilin edhe në vizitën e parë kryeministrore në Prekaz, në shtator 2013, e cilësoi si “frymëzim e motiv për rilindje”. Kjo vepër e Skulptorit të Popullit, Thoma Dhamo, qëndroi aty, ashtu, për mbi gjashtë vite. Në 100 vjetorin e Pavarësisë, Lulzim Basha, prej dy vitesh kryebashkiak i Tiranës e, aktualisht, kryetar i PD e koalicionit të Opozitës së Djathtë, i dha përmasat meritore Adem Jasharit duke ia naltue një shtatore të madhe e të bukur, vepër e të shquarit Skulptor i Popullit, Muntaz Dhrami (foto 3). Një bust kaq i vogël për një burrë kaq të madh si Adem Jashari nuk e justifikon Edi Ramën, një piktor kariere, një pedagog të Institutit të Lartë të Arteve, një ish ministër i Kulturës në tre mandate qeverisëse, kryebashkiak me dy mandate, kryetar i ma të madhes parti të majtë në opozitë(!)

Edhe diçka tjetër dëshmon diferenca të ndjeshme të Lulzim Bashës ndaj Edi Ramës. Kryebashkiaku Edi Rama një muaj para përurimit të bustit të Adem Jasharit doli me vendim të këshillit bashkiak për ngritjen e tij, ndërsa kryebashkiaku Lulzim Basha, më 28 nëntor 2011, gjatë homazheve tek memoriali i Adem Jasharit (foto 4) premtoi publikisht se do të ngrinte një shtatore. Plot një vit kohë dhe ajo u përurue në 100 vjetorin e Pavarësisë.

Një tjetër dallim madhor: Edi Rama e kreu ceremonialitetin e përurimit të bustit me pjesmarrje pothuaj partiake. Nga Tirana zyrtare ishin kryebashkiaku Edi Rama, njëherash kryetar i PS, Fatmir Mediu, ministër i Mbrojtjes e kryetar i PR, ndërsa nga Kosova një delegacion i PDK i kryesuar nga kryetari i saj Hashim Thaçi e Fatmir Limaj (nënkryetar), Jakup Krasniqi (sekretar i përgjithshëm), Xhavit Haliti e Ramë Buja, antar kryesie. Lulzim Basha, në përurimin e shtatores së Adem Jasharit, më 27 nëntor 2012, siguroi një pjesmarje mbarëkombëtare e mbipartiake: kryeministri i Shqipërisë, Sali Berisha, etj.; nga Kosova: presidentja Atifete Jahjaga, kryeparlamentari Jakup Krasniqi, kryeministri Hashim Thaçi, ministri i Forcës së Sigurisë, Agim Çeku, etj.; nga familja e Jasharave, Rifat Jashari, vllai i heroit; nga Maqdonia: kryetari i BDI, Ali Ahmeti, etj.; nga Lugina e Preshevës, kryetari i komunës së Preshevës, Ragmi Mustafa, etj; përfaqësues nga shqiptarët e Malit të Zi dhe nga diasporat shqiptare në botë.

Sivjet, Lulzim Basha, kryetar i Bashkisë së Tiranës e i Partisë Demokratike, në Ditën e Pavarësisë,në këtë 101 vjetor,  bani prapë homazhe tek shtatorja madhështore e Adem Jasharit. Është një ritual i tij i përvitshëm qyshse kur u zgjodh kryebashkiak i Tiranës, është nderim e mirënjohje për Adem Jasharin e UÇK-në, është vet ndërgjegjia e përkushtimi kombëtar i tij. Krejt ndryshe ngjet me Edi Ramën ndër vite: kur ishte kryetar i bashkisë së kryeqytetit, kryetar i socialistëve e i opozitës së majtë, kryeministër i Shqipërisë, që pas përurimit të bustit u pa aty vetëm një herë.

Në të njëjtin vit, më 1998, Edi Rama kthehet nga Parisi e bahet ministër i Kulturës, ndërsa Lulzim Basha nga Hollanda shkon në Kosovë, në UNMIK-un e OKB-së. Faktikisht Lulzim Basha është nga të parët e të vetmit liderë shqiptar që iu dha kënaqësia e mundësia të shkonte shpesh në Prekaz të Drenicës, edhe para se të ndertohej tek Kompleksi Memorial “Adem Jashari”, pasi  deri në fundvitin 2004 ishte në Prishtinë. Edhe Edi Rama ka shkue disa herë tek varri i Adem Jasharit, qyshse më 28 nëntor 2008. Po të marrim në krahasim vizitat e tyre të fundit: Lulzim Basha ishte me 12 qershor 2013 në Kosovë, kur iu dha titulli i lartë “Qytetar Nderi” i Prishtinës dhe Medaljen e Artë “Shkëlzen Haradinaj” në Deçan, bani vizita tek varri i Adem Jasharit e Ibrahim Rugovës, tek Varrezat e Dëshmorëve në Prishtinë e në Gllogjan të Deçanit, tek busti i dëshmorit të kombit, Zahir Pajaziti. Kryeministri Edi Rama gjatë vizitës së tij në Kosovë më 13 shtator 2013 foli në Kuvendin e Kosovës po nuk e përmendi Ibrahim Rugovën e Adem Jasharin, ndërkohë që në fillniset e përmbyllet me Rexhep Qosjen, pati takime me liderët e Kosovës, po bani vizita vetëm tek varri i Adem Jasharit dhe i Ibrahim Rugovës. Ndaj kur fjalatha tek varri i Adem Jasharit se Prekazi është frymëzim e motiv për rilindje, duket se është ma së shumti demagogji

Mendimi, qëndrimi e veprimi edhe ndaj Adem Jasharit është një nga treguesit që dëshmon se çfarë diference të madhe kanë ndërveti Lulzim Basha me Edi Ramën, se cili është portreti e pushteti real i tyre, se cilët janë parametrat e tyre politik e publik si burrshtetas të rinj.

Filed Under: Analiza Tagged With: Adem Jashari, Lulzim Basha, Ramiz Lushaj

NJE EKSPOZITE E BUKUR NE FESTEN E PAVARESISE

November 28, 2013 by dgreca

(JAVA E  SHQIPERISE )/

Shkruan:Petro Luarasi, Washington, DC/

Instituti i Sherbimeve te  Jashtme (Foreign Service Institute) krijuar ne 1947 ndodhet ne Arlington, VA  dhe eshte institucioni kryesor trainimi per punet e jashtme te SHBA-ve. Aty punojne midis te tjereve, instruktore nga tere vendet e botes duke sjelle me vete gjuhen, kulturen e zakonet e vendeve te tyre qe pervetesohen nga ana e studenteve te cilet do shkojne te jetojne e punojne pikerisht ne ato vende.
Vete natyra e tille punes ne kete Institut ka nxitur punonjesit te krijojne forma te larmishme per te ekspozuar kulturat e traditat e vendeve te tyre me qellim njohjen e studenteve me sa me shume karakteristika te popujve te ndryshem, si te gjuhes, te zakoneve, te muzikes, te ushqimeve, te veshjes etj. Mbi kete baze dhe ne bashkepunim me Biblioteken e Institutit  eshte krijuar edhe tradita e bukur e Javes se nje vendi te caktuar. E jo rastesisht JAVA SHQIPTARE perkon  me fundin e Nentorit.

Aktivitetet per festen e pavaresise ketu ne Washington, DC filluan qe te shtunen,  me 23 Nentor kur u mblodhen dhjetra e dhjetra shqiptare te Washington, DC dhe te North VA e Maryland e qe festuan me biseda e kujtime, me muzike te bukur,  kenge e valle te folklorit tone, me ushqime tradicionale shqiptare dhe te vendit etj., nje aktivitet I bukur e festiv qe u organizua nga Organizata Kombetare Shqiptare Amerikane (A.A.N.O.) ne Washington.

Po le ti kthehemi mini-expozites shqiptare te hapur ketu ne pjesen me te dukshme te Bibilotekes se Institutit. Krahas Flamurit kombetar, aty pasqyrohen pamje filmike nga me te bukurat e natyres shqiptare, vecanerisht plazhet e pikat e tjera turistike e arkeologjike. Kostumet popullore te trevave te ndryshme shqiptare, punimet artistike ne lesh, baker etj zene nje vend te vecante ne ekspozite dhe terheqin vemendjen e shikuesve. Fotografi, libra, albume  e objekte te tjera mbushin kendin e expozites. Skenderbeu, nene Tereza, Kadareja e bejne edhe me te qarte vizionin e te huajve per Shqiperine tone dhe shqiptaret. Madje disa prej shikuesve habiten kur mesojne se Nene Tereza e Kalkutes eshte shqiptare.

E vecanta e kesaje ekspozite te vogel por shume kuptimplote eshte se ajo u ideua vullnetarisht nga punonjesja shqiptaro- amerikane e ketij Instituti, Aferdita Bocka dhe tashme eshte bere tradite puna krijuese e saj per nxitjen e bashkekombasve te saj per te sjelle objekte sa me te bukura e interesante qe pasqyrojne me se miri traditat e kulturen e kombit tone.

Eshte viti I katert qe hapet kjo ekspozite, thote Aferdita dhe kureshtja e vizitoreve eshte perseri e madhe.  Ata jane te interesuar te mesojne per personalitetet shqiptare si Nene Tereza, per doket dhe zakonet shqiptare, per prodhimet tona artistike, per autore te shquar si Kadareja etj.  Kjo mini-ekspozite ju krijon mundesine shikuesve te njihen edhe me shqiptaro amerikane te talentuar dhe me fame si vellezrit Belushi, Toni Donovani , Elisa Dushku etj. Ajo shton se te tilla expozita mund e duhen te hapen edhe me te plota e te larmishme me qellim njohjen me te mire te vendit tone neper bote.

Expozita do qendroje e hapur nje jave.

Petro Luarasi, Washington, DC

 

 

 

Filed Under: Kulture Tagged With: Ne Washington, Nje ekspozite per pavaresise

  • « Previous Page
  • 1
  • 2
  • 3
  • 4
  • 5
  • 6
  • …
  • 68
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Dashuria që e kemi dhe s’e kemi
  • “Jo ndërhyrje në punët e brendshme”, dorëheqja e Ismail Qemalit, gjest atdhetarie dhe fletë lavdie
  • Arti dhe kultura në Dardani
  • Gjon Gazulli 1400-1465, letërsia e hershme shqipe, gurthemeli mbi të cilin u ndërtua vetëdija gjuhesore dhe kulturore e shqiptarëve
  • “Albanian BookFest”, festivali i librit shqiptar në diasporë si dëshmi e kapitalit kulturor, shpirtëror dhe intelektual
  • VEPRIMTARI PËRKUJTIMORE SHKENCORE “PETER PRIFTI NË 100 – VJETORIN E LINDJES”
  • 18 dhjetori është Dita Ndërkombëtare e Emigrantëve
  • Kontributi shumëdimensional i Klerit Katolik dhe i Elitave Shqiptare në Pavarësinë e Shqipërisë 
  • Takimi i përvitshëm i Malësorëve të New Yorkut – Mbrëmje fondmbledhëse për Shoqatën “Malësia e Madhe”
  • Edi Rama, Belinda Balluku, SPAK, kur drejtësia troket, pushteti zbulohet!
  • “Strategjia Trump, ShBA më e fortë, Interesat Amerikane mbi gjithçka”
  • Pse leku shqiptar duket i fortë ndërsa ekonomia ndihet e dobët
  • IMAM ISA HOXHA (1918–2001), NJË JETË NË SHËRBIM TË FESË, DIJES, KULTURËS DHE ÇËSHTJES KOMBËTARE SHQIPTARE
  • UGSH ndan çmimet vjetore për gazetarët shqiptarë dhe për fituesit e konkursit “Vangjush Gambeta”
  • Fjala përshëndetëse e kryetarit të Federatës Vatra Dr. Elmi Berisha për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë në Seancën Akademike kushtuar 100 vjetorit të lindjes së Peter Priftit

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT