• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for December 2013

Vrasësi në petkun e viktimës

December 23, 2013 by dgreca

Në spikame/

Nga Ibush R. Hetemi*/

-A kanë të ndalur koncesionet në favor të atyre që deri dje nga kallën, na vranë dhe na masakruan. Zbulimi i varrezave masive me trupa të shqiptarëve në brendi të territorit të Serbisë është dëshmia më e mirë se çfarë ka bërë Serbia me popullin shqiptar, e si atij gjakatari t’i bëhen kaq shumë koncesione, madje edhe të favorizohen karshi pakicave tjera në Kosovë.

– Cila është “fytyra” e vërtetë e gjendjes së sotme në Kosovë;

– Çfarë po ndodhë në Kosovë:

– A është e vërtetë se serbët po formojnë autonomi duke mos e njohur legjislacionin e Kosovës, respektivisht Shtetësinë e Kosovës dhe se ata me “bekimin” e kujt po punojnë për Autonomin e tyre në truallin shqiptar;

– Përse Evropa vazhdon t’i injorojë shqiptarët?

Këto dhe shumë pyetje të tjera të ngjashme mund t’i ndigjosh në shumë mjedise e vende të ndryshme ku shqiptarët takohen dhe zhvillojnë biseda nga më të ndryshmet.

Kosovën  tonë heroike vazhdojnë ta rëndojnë ngjarje dhe ndodhi të shumta politike që nuk janë në harmoni me vullnetin shumicë të popullatës së saj. Krahas kësaj politike po e rëndon varfëria e skajshme dhe papunësia shumë e madhe. Gjendja shumë e rëndë në Arsim( u pa ditëve të fundit se çfarë ndodhi me disa profesor, studentë … që kishin bërë punë të jashtë ligjshme nëpër disa fakultete), gjendja akoma më e keqe në Shëndetësi,etj. Gjendja e luftëtarëve të lirisë gjithnjë e më tepër është e vështirë dhe si pasoj e saj me qindra familje të veteranëve të luftës luftojnë për kafshatën e gojës, derisa në anën tjetër shokët e tyre që tashmë janë në pushtet nuk din as ata vetë për pasurinë e tyre. Natyrisht ka nga ata që e nuk pajtohen me gjendjen e vështirë të shokëve të tyre, por mjerisht nuk kanë mundësi që t’ua ndryshojnë gjendjen.

Për të gjitha këto dhe shumë çështje të tjera politikanët tanë, ku më pak e ku më shumë bëhen sikur të gjitha këto po bëhen në ndonjë shtet tjetër e jo në Kosovë. Jo, jo me kaq nuk përfundojnë të ligat që e kanë kapluar Kosovën tonë të dashur. Mjerisht shumë të liga janë edhe në fushat e drejtësisë, të liga ka edhe tek prona shtetërore, tek liritë dhe të drejtat e njeriut…! Vallë sikur të vepronim e të punonim në mbështetje të këtyre tri koncepteve të drejtës Romake:  1. Të jetosh me nderë;  2. Askujt të mos i sjellësh dëme dhe 3. Të japësh secilit atë që e meriton, me siguri se gjendja politike, ekonomike, shëndetësore, arsimore…, dhe e drejtave të njeriut do të ishte për lakmi, aq më përpara kur merren parasysh të mirat(pasuritë) që i ka Kosova me siguri se gjendja jonë do të ishte larg më e mirë si në rrafshin politik po ashtu edhe në rrafshe të tjera.

Gjendja mund të ndryshohet vetëm nëse secili e kryen punën e vetë me ndërgjegje dhe me profesionalizëm. Për hir të vërtetës ka edhe rrugë tjera të ndryshimit të gjendjes, e ajo është kur pakënaqësia e popullatës shpërthen dhe ushtron presion në organe përkatëse, atëherë gjendje domosdoshmërish ndryshohet, pra njeriu i pakënaqur, respektivisht populli i pakënaqur sigurisht që ka mekanizma për ndryshime në favor të t’mirës.

1. Të jetosh me nderë!

Ky mendim filozofik i nxjerrë nga e Drejta Romake e lashtë vlen për të gjithë klasën politike qoftë ajo pozitë apo opozitë, vlen për të gjitha komunitetet pa dalim gjuhe, race, religjioni. Njeriu që përpiqet për të jetuar me nderë, njeriu që përpiqet dhe angazhohet për zhvillim ekonomik, angazhohet për arsim kualitativ, angazhohet për mirëqenien e popullit, …, të gjitha këto janë postulate dhe themel i shtetit ligjor, ku shteti vepron me forcën e së drejtës, pra të gjitha këto mund të thuhet se janë vlera kombëtare.

2. Askujt të mos i sjellësh dëm

Sipas kësaj sintagme njeriu duhet të veprojë dhe të punojë duke mos i sjellë askujt asnjë lloj dëmi. Mjerisht ka veprimeve dhe sulme nga më të ndryshmet të kameleonëve politik dhe kombëtar që shumë mirë din me gjuajt gurin dhe me e fshehë dorën. Të mjerët ata, ata mendojnë se fshihen por  nuk do të arrijnë që punët e tyre të mos diktohen.

E vërteta shumë kujt nuk i pëlqen, sidomos sajuesve të miteve të rrejshëm që në këtë mënyrë duan të mbijetojnë politikisht dhe materialisht. Pra ka edhe asilloj që duke fshehur veprimet e tyre të dëmshme për kombin dhe popullin në përgjithësi, në publik paraqiten si “burra të mirë”.. E vërteta godet posaçërisht mbi të gjithë trilluesit, mbi falsifikatorët dhe mbi shpërdoruesit e ndryshëm, të cilët në mënyrë të vazhdueshme bëjnë përpjekje që antivlerat t’i shndërrojnë në vlera, frikacakët dhe dezertorët t’i shndërrojnë në hero, dmth atë që nuk ka “qejiz- pajë”  kombëtar,  të shpallen fytyrë pozitive kombëtare. Ka raste e raste kur antikombëtarët paraqiten si figura të fuqishme kombëtare.

3. Ti japësh secilit atë që e meriton.

Është shumë e qartë se askush nuk mund “shitet në vend të tjetrit”, nuk duhet të ndjehet i fyer askush nëse nesër…, i këndohet CV-ja, por në anën tjetër askujt nuk duhet t’i shkelet privatësia, fillimisht duhet të vërtetohen gjërat tek atëherë të flitet për N.N.-in se është kësi apo asi, pra jemi për vërtetimin e plotë dhe të sigurt, me argumente të flitet për secilin, dhe tek atëherë duhet gjykuar, për njeri të mirë apo të keq.

Politikani dhe ideologu i Platformës për Shqipëri Natyrale, z. Koço Danaj përveç tjerash ka shkruar: Politika mbarë shqiptare në marrëdhëniet me Brukselin është “Lypsare”. Por shpërblimi i “Lypsarit” është lëmosha dhe Brukseli ju dha shqiptarëve “Lëmoshë”.

Përgjigja JO për shqiptarët do të jetë edhe më tutje, gjersa lëshimet e shqiptarëve nuk kanë kufi, gjersa kërkesat e shqiptarëve nuk kanë vendosmëri.

Si mund të shpjegohet injorimi i gjenocidit që Serbi ka kryer ndaj Shqiptarëve, këtë gjë askush nga BE-ja nuk e foli, gjersa Shqiptarët refuzohen dhe anatemohen në çdo hap, askush nga pala shqiptare e të gjitha institucioneve të Kosovës nuk duhet t’i lejojë vetes që të vazhdojë me bisedime me palën serbe për çështje të brendshme të Kosovës, kjo është vulosur në Kumanovë, atëherë kur kanë kapitulluar forcat e shkieve. Për këtë që po e themi e kam parasysh varrezat masive që u gjendën në lokalitetin e Rashkës. Çfarë padrejtësie bëri Bashkësia e gjerë Ndërkombëtare, në vend se ta gjykojë tashti Serbinë për aktet makabre që i ka bërë ndaj shqiptarëve, Bashkësia e gjerë Ndërkombëtare, Serbinë e shpërbleu, asaj i caktoi afat për një hapë më përpara drejt bashkimit të saj me BE-në, komenti është i tepërt.

Duke i parë këto dhe shumë çështje të tjera që po bëhen në dëm të shqiptarëve, Fronti Bashkimit Kombëtar Shqiptar ripërsëritë qëndrimin e saj:

Duhet të ndërpriten bisedimet me palën Serbe menjëherë, duke ia bërë të ditur Bashkësisë Ndërkombëtare se për çfarë arsyeje Kosova po i ndërpret bisedimet me Serbinë.

1. Të gjithë kryetarët e Komunave serbe kanë deklaruar se nuk do të punojnë me ligje të Kosovës dhe se nuk e njohin Kosovën si Shtet të Pavarur, sjellja e tyre është e përkrahur nga Serbia, pra,Serbia vazhdon të mos e njoh Kosovën dhe pavarësinë e saj, ajo madje edhe më tutje në Kushtetutën e saj, Kosovën e sheh si pjesë përbërëse të saj(shih Kushtetutën e Serbisë)

2. Bashkësia Evropiane, bllokon çdo mirënjohje për shqiptarët

3. Në organet e policisë hynë njerëzit që deri dje kanë prerë fëmijët dhe jo vetëm fëmijët shqiptar, po ata që deri dje, besa akoma edhe sot i mbajnë barrikadat mbi urën e Ibrit dhe gjetiu.

4. Rregullimi dhe funksionimi i Prokurorisë dhe gjykatave në Veri po përgatiten të jenë të ndara.

5. Serbia në veri dhe jo vetëm në veri, serbët e Kosovës i shfrytëzon për hesape të veta. Është e dhembshme kjo çka po thuhet, por kjo është e vërtetë. Sa herë që diçka nuk i shkon për qejfi Serbisë, rruga për në veri ka qenë e mbyllur dhe e pa kalueshme për shqiptarët besa edhe për ndërkombëtarët. Ende nuk i është tharë trupi i pajetë zyrtarit ndërkombëtar që u vra kohë më parë, dhe askush nuk u mor në përgjegjësi!!!

6. Si është e mundur që të hyrat edhe pse derdhen në arkën shtetërore të Kosovës, ato duhet të kthehen strukturave serbe në veri të Kosovës dhe jo vetëm në veri. Paratë e Kosovës shkojnë nëpër xhepa të atyre që deri dje besa edhe sot u nxjerrin shqiptarëve të zitë e ullirit e në anën tjetër me qindra e qindra luftëtarë të lirisë vuajnë për kafshatën e gojës, a është e drejtë kjo oj Evropë?.

Po me arsimin, shëndetësinë…, me ata pak shqiptar dhe pakica të tjera në veri të Kosovës, çfarë do të ndodhë, çfarë do të ndodhë me gjithë atë pasuri të popullit shqiptar dhe jo vetëm shqiptar përtej Ibrit?

Të gjitha këto që u përmendën ia “thajnë krahun Kosovës”, e çka është edhe më keq po bëhen përgatitjet që edhe më tutje t’i falen serbëve me dhjetëra vende në parlamentin e Kosovës si dhuratë, a thua a ka ndonjë vend tjetër në botë që bëhet kështu siç bëhet në Kosovë?

Faktorizimi i komunitetit serb në Kosovë ka qenë dhe është kryekëput politika e dobët, politika jo unike e Shqiptarëve.

Nëse gjerë sot për ne Shqiptarët kanë vendosur të tjerët, është koha e fundit që të vetëdijesohemi e të mendojmë kombëtarisht në mënyrë që ta shpëtojmë atë që e kemi amanet nga gjaku i shumë e shumë dëshmorëve, martirëve të kombit. Ne nuk jemi pajtuar me atë gjendje të mjerueshme prandaj e kemi kapë pushkën në dorë, po sot ç’po ndodhë me neve?

” Mos bëni pazare pa hongjin sepse ai Pazar nuk del me dobi gjithëkombëtare”

Në fund të gjithë bashkëkombësve të mi, veçanërisht atyre që me pushkë në dorë na e sollën këtë liri që ne sot po e gëzojmë. Me fat u qofshin festat e fundvitit.

*Autori është kryetar i përgjithshëm i FBKSH-së

Filed Under: Featured Tagged With: Ibush r. Hetemi, ne petkun e viktimes, spikame, vrasesi

“MORALI” I NJË VITI NË IKJE E SIPËR

December 23, 2013 by dgreca

PS: I nderuari Zoti Shtefan Fyle, “Gëzuar Viti i Ri 2014!”/

Nga Fadil LUSHI/

“Morali” i këtij viti që është në ikje e sipër u karakterizua me lloj-lloj paragjykimesh, inatesh homerike, “çallëmesh”, etiketimesh dhe mbase edhe me denigrime banale, saqë në fund i doli edhe ajo pak ngjyrë që i kishte mbetur. Shumë intelektualëve, analistëve dhe njohësve të shkëlqyeshëm të rrethanave kulturore gjithandej trevave shqiptare, sot e kësaj dite “do  t’u mungojë takati mental” karshi konceptimit të moralit të vitit 2013. Disa njerëz, me plotë gojë do të thonë se ishte “mish”, disa të tjerë do të thonë se ishte “peshk”…, ndërkaq ata që e “hëngrën” këtë “mish a peshk” thanë se kishte shije të thartë, të hidhur dhe mbase edhe (shumë) të kripur!? Vegjetarianët këtë vaki e heshtën, pasi që kjo nuk u hynte në punë.

U paragjykua edhe një manifestim kulturor që u organizua muajin e kaluar, më saktë me datë 21 nëntor të motit 2013, në hapësirat e Qendrës Kulturore në Tetovë nga Shoqata e pedagogëve shqiptarë, kushtuar 105 vjetorit të Kongresit të Manastirit, gjegjë-

sisht alfabetit shqip. Në atë manifestim u dhanë, pos të tjerash, mirënjohje arsimtarëve të cilët një kohë të gjatë vuajtën dënimet politike në Petrova Rupa të Goli Otokut famëkeq. Dashamirësit e arsimit shqip pa hezitim e përshëndetën po edhe vlerësuan, ca të tjerë dolën të kënaqur, pos një pseudopatrioti, i cili “që nga vakti i gjyshërve të tij, i ka punët  në terezi”. Ai me fjalën e tij të thënë “bythëpraps”, lëre që nuk tha asnjë “llaf përgëzimi”, por edhe këmbë e krye e paragjykoi këtë eveniment, sa kulturor po aq edhe human. Dhe ky “trap a dylber Stambolli”, që mbase është tipik për trevat tona,  parashtroi “breshëri pyetjesh” se ç’na ishte ky Kongres i Manastirit, ç’kishin kërkuar shqiptarët mendjendritur në kasabanë e konsujve në motin 1908, me ç’detyrë  ishin ngarkuar, ç’punë kishin bërë atje, në ç’gjuhë kishin kuvenduar dhe ç’emër i kishin dhënë “qitapit” që kishte lindur në Manastir!?

Para se ta përmbyll këtë paragraf kushtuar manifestimit në fjalë dhe manifestimeve të tjera kulturore, do të më duhet të parashtroj pyetjen se mos vallë ky mot a vit  (kokëlartë a kokulur) në ikje e sipër u karakterizua me “moral të dyfishtë”, a mos vallë u karakterizua me atë heshtje varri tonën kolektive ndaj mungesës së vlerave arsimore, kulturore po edhe politike, a mos vallë kjo heshtjerëndë jona kolektive për kryefjalë, kryeshtyllë a kallëzues duhet ta ketë njeriun që abuzon apo që shkel mbi çdo vlerë, nga njëra anë, dhe, nga ana tjetër, nuk i hyn asnjë gjemb në këmbë…, a mos vallë qëndrimi ynë ndaj kësaj katrahure edhe në të ardhmen duhet të jetë i “afërt, miqësor, i butë…, herë-herë folklorik a edhe megaloman” apo duhet të jetë i ftohtë, i ashpër dhe goditës. Këtij paragrafi do t’ia shtoj një mendim të Shekspirit, i cili dikur moti kishte thënë: “Mendja e një kombi është arsimi, ndërkaq zemra e një kombi është morali”.

Edhe në këtë mot në ikje sipër, u paragjykuan zgjedhjet vendore në Republikën e Kosovës dhe të asaj të Maqedonisë…, nuk mbetën pas pa u denigruar edhe zgjedhjet parlamentare në Republikën e Shqipërisë. Pavarësisht nga “rezultatet” e dala të (pa) pritshme nga këto “gara”, mbetet të themi e të konstatojmë se këto zgjedhje duhet të jenë përfundimisht një leksion a edhe një test përballë Bashkimit Evropian. Këto zgjedhje ngërthenin në vete votën deliberative të sovranit (zgjedhësit), e cila votë më shumë ishte ndëshkuese sesa për ndryshime. Kjo votë e trekëndëshit politik shqiptar kësaj radhe ashtu pamëshirshëm ndëshkoi arrogancën, gjegjësisht qëndrimin përbuzës e mospërfillës të “pushtetarëve” kundrejt votuesve…, ajo votë  tronditi themelet e korrupsionit (sot sikur t’i parashtrosh pyetje atij politikani nga Tirana, që vuan opozitarin e çmendur e të rebeluar, se ç’nënkupton me nocionin korrupsion ta jep “hazërxhevapin” me sa vijon: t’i vjedhësh lekët e popullit apo të vësh dorë në thesarin e shtetit, ajo votë deliberative ndëshkoi makiavelizmin e politikanëve provincialë si dhe keqqeverisjen vendore dhe atë qendrore në Shqipëri dhe në Kosovë…, ajo votë e sovranit ndëshkoi edhe premtimet fëmijërore, të zbehta dhe të zbrazëta që dilnin nga gojët e gjithfarë sejmenësh, ndërmjetësuesish dhe “tyxharësh aksham pazari” të Tiranës, Shkupit dhe Prishtinës. Pavarësisht nga kjo që thamë më lart, këto zgjedhje nga pala humbëse sot e kësaj dite mbeten të kontestuara, “të kurdisura, të vjedhura, të blera” e tjerë. Të mëtosh që këtij paragrafi t’i shtosh diç më tepër, do të thotë ta prishësh krejt atë që ke shkruar.

Edhe në “këtë vit politik, po edhe diplomatik”, Republika e Shqipërisë dhe ajo e Maqedonisë nuk “kaluan klasën”, sepse nuk i mësuan a nuk i shkruan “detyrat e shtëpisë” që ua kishte caktuar paraprakisht komisioni evropian. Ky komision, nga dy shtetet e lartpërmendura nuk kërkoi retorika politike boshe, përkundrazi u kërkoi që të bëjnë reforma rrënjësore si në aspekt politik, njashtu edhe në aspekt ekonomik…, mandej nga ata kërkoi zgjedhje parlamentare të lira dhe të ndershme, kërkoi që të çrrënjosin zakonet e vjetra, të flakin korrupsionin, kërkoi krijimin e një klime dhe filozofibërje politike krejt tjetërfare. Dhe kur ky komision konstatoi se këto detyra shtëpiake ishin tipike ballkanase, ministrive për punë të jashtme të shteteve të lartpërmendura ua “ngriu” marrjen e statusit kandidat. “Skepticizmi im ndaj kësaj meseleje politike” më detyron të parashtroj pyetjen se a mos vallë e gjithë kjo JO ishte një “hile” e radhës e komisionit evropian, apo “kjo vaki” përputhet me 100-vjetorin e “krijimit të Shqipërisë londineze”. Ku ta dijë njeri!? Po të më pyesni mua, unë nuk do të përgjigjem. Që unë ta kuptoj këtë “refuzim”, më duhet ta lexoj mes rreshtash alfabetin e diplomacisë së Brukselit… Nuk jam i marrë ta bëj këtë…

Republika e Shqipërisë, po edhe e Maqedonisë, edhe kësaj radhe nuk arritën deri në fund t’i mësojnë leksionet sa u përket kritereve dhe standardeve që të mundësojnë anëtarësimit në familjen evropiane…, për këtë dhe arsye të tjera “babagjyshi, gjegjësisht komisari evropian për zgjerim, Shtefan Fyle nga Brukseli”, edhe për këtë fundvit nuk do t’i sjellë peshqeshe Republikës së Maqedonisë, po as Republikës së Shqipërisë… Në vend të “karameleve dhe sheqerkave” do t’u dërgojë vërejtje publike, po edhe diplomatike se si duhet bërë detyrat shtëpiake…, dorën në zemër, këto pyetje dhe detyra gjithsesi se janë shumë të vështira për këto treva të Gadishullit Ilirik, sidomos për shtetet  që nuk përfundojnë më atë ndërkalim (politik, ekonomik e tjerë) të tejzgjatur, të bezdisshëm dhe zhvatës, atë ndërkalim (tranzicion) ku njerëzve që s’u bëjnë punët nuk penalizohen, po as nuk i avancojnë e as nuk i lavdërojnë njerëzit që punët i bëjnë me përkushtim dhe me ndërgjegje!?

P. S.

I nderuari Zoti Shtefan Fyle, “Gëzuar Viti i Ri 2014!”

 

 

Filed Under: Opinion Tagged With: Fadil Lushi, morali i nje viti, ne ikje e siper

” NJË HARK YLBERI” I NIKOLLË LOKËS

December 23, 2013 by dgreca

Shkruan: Sokol DEMAKU /

Franc Nopçe,1908:“Një nga tiparet më interësante të karakterit të malësorit të veriut qëndron në aftësinë e dallueshme organizative të popullit, dhe nuk ka vëzhgonjës të popullit shqiptar, i cili nuk e vën në reliev këtë cilësi të veçantë.”

 Me një art të pastër të brenbdësisë shqpirtërore prej malësori dhe me një botë të nduardurt të vargut të tij lirik poeti Nikollë Loka na vjen me përmbledhjen e tij poetike të radhës “Një hark ylberi” e cila përmbledhje ngërthen në vete vargje nga më të zgjedhurat nga llojllojshmeria e tyre duke fillau nga ato idilike të cilat janë aq bukur të thurura e ku zënë vendin themltar në këtë vargëtim  poetik.

          Edhe vet libri mori titullin nga një poezi e tillë “Ta çova një hark ylberi” e ku autori për mrekulli përshkruan ndjenjen e tij të dashurisë me një metaforë të fortë e cila edhe i jep ngjyrën e duhur vargut kur ai thotë:
Ta
çova

Një hark ylberi

E një gjysëm hëne.

Shtatë ngjyrat

I trazova

Në shtatë telajo vjeshte,

Dhe e mbajta shiun pezull

Duke e shtyrë drejt teje,

Parfum

I ëndërrës sime.

          Vëllimi poetik “Ta çova një hark ylberi” është një lirkë dashurie si e tham, por është edhe një prezentim i jetës së vet poetit dhe na vjen si një pasqyrë e artit krijues të autorit, duke u endur në kohë dhe çaste të ndryshme të jetës. Filozofija e tij e jetës është ajo që ia rritë vlerën vëllimit sepse vargu na del sa optimist dhe i permbushur me ndjenjen e gëzimit dhe të arritjes së objektivit në ate çka autori aludon në dashurinë. E këtë lexuesi do e ndjej kur lexon vargjet e poezisë “Tek ëndrra jote”:
Deri tek ëndrra jote,

Ngjitem

Me fluturimin e zogut

Në shtatë bjeshkë hirëplote.

Clodhem

Në shtatë lëndina shprese,

Dhe vij

Te hija jote

E të ulem mbi vetull,

Pa të prekur,

Qerpikhënë e bjeshkës.

         Vargjet ndëthuren me ndjenjen e shpirtit te poetit e që në vete ngërthejnë filozofinë e dashurisë se virgjër të vendit ku ka burimin poezia, pra atë ndnjenjën malësore dhe idilën e  cila është e fuqishme dhe me plotë jetë. Këtë  e gjejmë tek peozia e tij me titull “Të fola me gjuhën e zemrës” kur poeti shprehë ndjenjen e zemrës dhe ate e krahason me aromën dhe gjuhën e luleve kur ato bisedojne me njëra tjetrën kur ai thotë:

Të fola

Me gjuhën e luleve në syth,

Para çeljes së gjetheve.

Pranvera m`u shfaq në ty,

E në sytë e tu.

         Me metaforën e tij prej vargëtari, poeti i jep kontrast, i fal nota dashurie edhe natyrës me fjalën e thejshtë të bukurisë poetike. Edhe lexuesi ndjehet sikur është pjesë e kësaj bukurie natyrore, pjesë e kësaj pranvere që mbështjellë misterin e ëndërrës së poetit. Por misteri është në lumturinë njerëzore, në lumturin e shpritit shprehur me dashuri.

Në çdo pranverë

Ndjej brenda meje

Ty dhe pranverën,

Mbështjellë

Me misterin e ëndërrës

Që s`e prek.

          Rrugët e njerëzve janë të ndryshme, por ato kanë një pikëtakim dhe ndoshta mund të themi se edhe përputhen diku, sikur kryqëzimet, janë njësoj si edhe horizontet që shtrihen në kaltërsinë e shprishurë nganjëhere të reve me shi. Por ky horizont është vet ajo, është ajo që për çdo ditë prekë me shikimin e saj shpirtin e tij, e që ky vështrim ringjallë ndjenjat të cilat e bejnë më pesimist në jetë sepse dashuria është si një: hënë e plotë, si një horizont që lëvizë në një hapsirë me plotë hënë e diell.

Je ti një horizont,

Që lëviz

Në pak hapësirë.

Një hënë e plotë,

Që del ditën për diell.

         Një mall, një ndjenjë, një brengë ndoshta e cila do përfundoj si një agim i lodhur, një dritë e brishtë e që shprehë pesimizmin e poetit në dashuri kur ai thotë tek poezia “Një perëndim fatkeq”:

Në sytë e tu të zinj

Shoh agimin e lodhur,

Brishtësinë e ditës

Që thyhet si qelq.

Prandaj kur të flas

Më vret

Në thellësi të shpirtit,

Moj vajzë syzezë!

          Një temë që nga pak kush është rrahur në vargun poetik, e që me mjaft mjeshtri filozofike e ve në varg Nikolla, është edhe tema mbi gjurmët e mitit dhe historisë, e që me mjaft sukses mendoj unë e ka leruar këtu në këtë buqetë poetike Nikollë Loka. Ky një përbërës shume i rëndësishëm i rrefimit të Nikollë Lokajt, miti. Një fuqi që ndoshta është përdorurë më shumë në prozë e ja sot me shumë sukses e gjejmë të gershetuar në vargun e Nikollë Lokaj. Këtë do e gjejmë tek poezitë “Plaku dhe korbi”, “Meditim mbi Rozafën”,”Miti i Europës”,”Shkëmbi i vashës”, “Hija e Zepës”, “Vdekja e hijshme”. Miti është përbërës i rëndësishëm me një funksion mjaft të fortë në magjin e të varguemit, sepse nxjerrë shumë gjëra në pah e lexuesi ato i asimilon në ndjenjen e tij.

I pari burri Hotit

Malet i drishi,

Kur u rrëzua

Në gjakun e vet.

Le të rrojë Shqipëria, tha

Edhe në frymën e fundit,

E shpirti iu ngjit

Mbi Malin e Shenjtë.

…….

Shtatë mirditas

E përgjakën ballin,

E dhimbjen për plakun

Ia dhanë gurit e lisit.

Për Dedë Gjo Lulin,

Ne vdesim,- i thanë hasmit

Dhe jetën mbi gurë e lanë

Në Shpellën e Akullit.

          Ose tek poezia “Meditim mbi rozafën” ku autori thotë:

Varrin s`ta gjetëm askund,

Veç një copë mermer

Në mes të gurëve të vjetër.

As një epitaf

Ku të shtonim një varg,

A ninullën e djalit tënd

Mbi liqenin e plakur.

….

E ajo kodër

Do të shejtërohej pas flijimit,

Pas një pabesie ndër vëllezër,

Pas një krimi.

          Një mall, një nostalgji për kohën e ikur, një ndjenjë e cila nuk mund të ikën, por mbetet në vargun e poetit, sepse për të arritur cakun duhet sakrificë kur ai thotë në poezinë e tij me titull: “Amshimi”

Linda

Në një sekondë të paemër…

U rrita

Pa numëruar ditët…

Mpreha shikimin,

Pashë një ëndërr,

U lodha

Pa e kapercyer dritën.

         E vazhdon me vargun prej nostalgjie tek poezia e etij e radhës “Kujtimet e mia” e që hyn në palcën e ndjenjave përmes vargut me një optimizëm për një të ardhme me të bardhë.

Kujtimet e mia,

Si pëllumba jetimë

Në fluturim të pasosur.

Pluhur i natës

Që shkundet,

Mbi gurra mendimesh.

Valë që ikin

Çasteve të humbura.

         Filozofia e jetës ka kuptimin e plotë në vargjet e Nikollë Lokaj. Lexuesi e ndjen ate në çdo varg mbështjellur me metaforën kuptimplote të autorit përdodurë me mjeshtri në vargun e tij. Por nga nje herë poeti shpërthen përmes lirizmit të vargut të ngarkuar me emocione, e të cilat emocione i shprehë me filozoifinë e tij të jetës dhe duke kërkuar ndihmë ndoshta edhe nga Zoti, duke shprehurë atë ndjenjën e atdhedashurisë përmes vargut të tij filozofik, si tek peozia “Për këtë Zot që u bë njeri”

Malet tona vazhdojnë të rriten,

Dhe për pak qiellin do ta prekin.

Do ta çojnë atje një gur e pak dhe,

Ku të bëhet Zoti:

Për këtë gurë që mabj në shpinë,

Për këtë qiell, përzier me tokën!

          Pra kjo është filozofia e vargut dhe e shprehjes së ndjenjes mbi jetën dhe mbi vlerën e njeriut e jetës, e le ta shofim si e paraqet në vargun e tij filozofik poeti tek poezia “Uji që(S)ecën”thotë:

Uji që s`ecën

Bëhet pellg.

Askush atij kryet s`ia hedh,

Gjithë llumin mbledh.

Mos e shih fytyrën sipër tij,

Se do ta nxijë.

          Lexuesi përmes metaforës së fortë të përdorurë për mrekulli nga Nikolla pothuja në të gjitha vargjet e tij do e ndjej dhe përjetoj këtë filozofi, por është interesant se jeta është e mbushur me plotë befasi, intriga, rreziqe të cilat janë një sprovë e njeriu e që duhet të jetë i gatitur për përballimin e të gjitha këtyre e ne e verejtëm më heret se mendimet filozofike të poetit janë të lidhura shumë ngusht me Zotin dhe se njeriu e ndjen ate dhe se për të gjitha këto gjen mbeshtje te Zoti e këtë e gjejmë tek poezia “Shpresa” kur thotë:

Për ta prekur mëshirën

Deri në frymën e fundit,

E për t`ia dhuruar qiellit,

Me urimin:

Të bëhet më mirë!

Por ecjet në leximin e vargjeve në këtë buqetë poetike të Nikollë Lokaj vazhdojnë nga lexuesi në njerën anë e në anën tjetër si duket autori është ai i cli jeton brenda ndjenjes, e mban shpresa  dhe se ai ne poezinë:”Litarit të fatit” thotë : Litarit të fatit/ do t`i ngjitet / deri te burimi. E kjo duket se është një shpresë për një të ardhme me te mirë por duke mundurë veshtirësitë.

Kush eshte Nikollë Loka

Nikollë Loka lindi në Fanë të Mirditës me 25 mars 1960. Diplomohet për mësuesi në vitin 1983. Në vitin shkollor 1987-1988 ka kryer një specializim njëvjeçar pasuniversitar në Universitetin e Tiranës. Ndërsa më vonë, në vitet 2003-2004, një specializim në shkencat humane pranë ICHEC-Culture në Bruksel, si dhe një kurs katërmujor për marrëdhënie europiane në Qendrën Studimeve Europiane në Bruksel. Fituar gradën shkencore “Master në edukim” në Universitetin e Tiranës, doktorant në proces në Historinë e Arsimit Shqiptar në Universitetin e Tiranës.

Mësues, zevendësdrejtor dhe drejtor i shkollës së mesme “Ndrecë Ndue Gjoka” në Klos të Mirditës, mësues në shkollën e mesme jopublike “Drita e Dijes” në Tiranë dhe specialist në qendrën e kualifikimit “Soal” në Tiranë.

Dekoruar nga Presidiumi i Kuvendit Popullor me medaljen “Naim Frashëri” me motivacionin: “Për rezultate të larta në procesin mësimor-edukativ”.

Publicist, fitues i çmimit të dytë për shkrimin publicistiko-shkencor më të mirë të vitit 1988, shpallur nga gazeta “Zëri i Rinisë”.

Analist në gazetat “Albania”, “Ballkan”, “Ndryshe” dhe redaktor i gazetës javore “Politika”.

Autor i dhjetë monografive historike.

Në letërsi

Autor i katër vëllimeve poetike:

“Njerëz që plaken udhëkryqeve” 1998, “Koha e shkelur” 1999, “Larg Atdheut” 2001 dhe  “Një hark ylberi” 2013.

Pjesëmarrës në antologjitë poetike: “Kontakt poetik” 1999,  “Antologjia-Sofra e poezisë shkodrane” -Gegnisht, vëll. I, 2012,  “Antologjia e dhimbjes-101 poetë për Ali Podrimjen” 2012 “Pesë degë trungun thërrasin” 2012,  “Antologjia-Sofra e poezisë shkodrane” -Gegnisht, vëll.II. 2012 “Antologjia Federiciana V”, Roma 2013, në gjuhën italiane.

Cikle poetike në suplementet letrare të gazetave “Studenti”, “Republika”, “24 orë”, gazetës “55” dhe “Mirdita”, si dhe në gazetën letrare “Muzgu”.

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

Filed Under: Kulture Tagged With: Nikolle Loka, Nje hark Ylberi, Sokol Demaku

GËZUAR KRISHTLINDJEN!

December 23, 2013 by dgreca

Nga Vjollca TIKU PASKU/

Harpa magjike e krishlindjeve tingëllon,/

valët qiellore e përhapin nëpër vezullime./
Nata e bekuar rilind,/
për vite e veshur me yje./

Zëri i urimeve përhapet,si mëndafsh,/
të mbështjellë zemrat ngrohtësisht,/
me kundërmim,/
aroma e parfumit engjllor/
të mbështjellë shpresat
me dritën e besimit,
në përjetësinë e shpëtimit.

Urimi ushton,
rritet nga toka në qiell,
natë e ëmbël krishtlindjesh gëzon,
çdo shpirt,
në fjongon e frymarrjes tokësore.

Atherë ngjitem në qiell,
dhe puth çdo yll, me buzët e mia,
teksa flurojnë të kuqe shkëdijat,
e bien: “GEZUAR !!!…”

Vjollca Tiku Pasku

 

Filed Under: Sofra Poetike Tagged With: Gezuar Krishtlindjet, Vjollca Pasku Tiku

Po…Ç’e deshe, ç’e deshe!

December 23, 2013 by dgreca

Nga Mimoza Dajçi/

Kisha disa vite pa shkuar në Shqipëri, po statusi që kisha si azilante politike, paratë. Përpara se të udhëtoja për atje hartova një listë me njerëzit e afërt që më duhej ti jepja ndonjë dhuratë të vogël. Me thënë të drejtën lista u rrit aq shumë saqë edhe pse i kthehesha disa herë përsëri qëndronin ato shifra ose më tepër. Jo, tezja, jo burri i tezës, jo halla, jo çuni i hallës, jo daja , jo çuni i dajës. Komshia përballë që më është kujdesur për prindët. Komshia në kat të dytë që është doktoreshë e më ka vizituar prindët, po një shoqe një shok e kështu me rradhë.

Zbrita nga avioni e arrita në shtëpinë e prindërve, se shtepi timen nuk kam atje. As ketu ku banoj ne SHBA nuk kam se me te ardhurat qe mar nuk kam arritur te blej nje saper te futur koken. Çuditem me disa njerez ne Shqiperi, se si per nje periudhe 7 apo 8 vjeçare kane blere nga dy tre vila apo apartamente. Ku i kane gjetur parate qe i kane ndertuar apo blere ato vila e apartamente. Apo qe levizin edhe me makina te shtrenjta. Mire ata/ato qe meren me bisnes, po gazetaret, e te tjere me rradhe. Çuditem vertete…

Nejse, pa u ambjentuar e çmalluar mire me prindet bie zija e deres. Komshinjte tha mamaja, i ka mare malli per ty, kane kaq vite pa te pare. Shume mire, i prtia i qerasa e i dhashe nga nje dhuarte simbolike. Po ç’e deshe me thane e kemi nje te tille.

Perseri bie dera vjen nje shoqe e vjeter e mamase. U puthem u perqafuam, beme nje dore muhabet e me duhej ti jepja diçka qe me kishte porositur mamaja per ti sjelle qe andej. Ç’e deshe ma tha, e kam nje te tilla. Ktheva koken  nga mamja, ajo ma beri me shenje qe te heshtja. Çfare te beja mbylla gojen, gjeta edhe diçka tjeter ne valixhe e i a dhashe, sikur i çeli pak fytyra. Nejse..

Pas nja nje ore vjen tezja me burrin e niper e mbesa. Qame me mall, u shnukem nga te puthurat e me ne fund erdhi rradha e dhuratave. I dhashe te dyve burre e grua nga nje ore 10 dollareshe. Ndersa te vegjelve nga nje loder seicilit e qese me karamele e çemçakeza.

– Ç’e deshe – me tha tezja, – kemi nje te tille dhe une dhe ky, – per te shoqin.

Mbeta. Me erdhi mire qe ishte ngritur pjaca e njerezia nuk vuanin me per buke, por per diçka me teper, por une aq sa kisha mundesi aq edhe u kisha blere. Nje pune sa per te mbajtur veten bejme ne emigracion e jo jete lluksi. Nuk jam miliardere. Edhe kete pune pas 6 vitesh me veshtiresi te madhe e kam gjetur. Dikush do te ngrej supet, por shishe kam shitur per mbijetese vite te tera, pasi pronari i pallatit megjthese shqiptar me nxori ne rruge te madhe, nuk kisha mundesi ti paguaja rregullisht qirane. Isha pa pune e sapo me kishte filluar nje ndihme ekonomike e vogel nga shteti, por qe nga nje pakujdesi e zyres se asistences akoma nuk i kishin vajtur parate pronarit te pallatit.

Ka halle e halle. Ndersa ne Shqiperi te pakten ata qe kane perfituar apartamente falas nga shteti nuk vuajne per buken e gojes. Nuk them, ka papunesi, ka te varfer, te pastrehe edhe atje, siç jam edhe vete, por te pakten siç paguajme ne ketu treçerekun e rroges vetem per nje apartament ndoshta atje nuk ndodh keshtu. E duke qene se kete shume te madhe ma mer pagesa mujore e apartamentit, pagesa e dritave etj, nuk kisha mundesi ti jepja dhurata te çmuara  njerezve te mi te gjakut apo edhe me tej

Nga te gjithe degjova; – Ç’e deshe, ç’e deshe.

Edhe po ti flisje diçka me shume se si eshte situta ketej, qe ka papunesi, te hidheshin ne fyt.

– Aman – me thonin – mos fillo e flit kodra mbas bregut si disa te tjere.

Deri ime moter kete pergjigje me jepte.  E quajne Ameriken parajse ku çdo njeri ha me luge floriri. Por edhe Amerika e emigracioni ne pergjithesi kane veshtiresite e veta. Nuk eshte fushe me lule. Nese ke nje pune eshte ndryshe. Uhe nuk po them se ketu ka varferi te madhe, pasi standard i jeteses eshte me i larte krahasim me Shqiperine e vende te tjera te botes, pasi eshte nje vend me i qete e demokratik ne bote, ku zbatohet ligji, por qe ka edhe te pa pune, kete nuk mund ta mohoj.

Dhjetor, 2013

 

Filed Under: Opinion Tagged With: Mimoza Dajci, po c'e deshe...

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 12
  • 13
  • 14
  • 15
  • 16
  • …
  • 67
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Kontributi shumëdimensional i Klerit Katolik dhe i Elitave Shqiptare në Pavarësinë e Shqipërisë 
  • Takimi i përvitshëm i Malësorëve të New Yorkut – Mbrëmje fondmbledhëse për Shoqatën “Malësia e Madhe”
  • Edi Rama, Belinda Balluku, SPAK, kur drejtësia troket, pushteti zbulohet!
  • “Strategjia Trump, ShBA më e fortë, Interesat Amerikane mbi gjithçka”
  • Pse leku shqiptar duket i fortë ndërsa ekonomia ndihet e dobët
  • IMAM ISA HOXHA (1918–2001), NJË JETË NË SHËRBIM TË FESË, DIJES, KULTURËS DHE ÇËSHTJES KOMBËTARE SHQIPTARE
  • UGSH ndan çmimet vjetore për gazetarët shqiptarë dhe për fituesit e konkursit “Vangjush Gambeta”
  • Fjala përshëndetëse e kryetarit të Federatës Vatra Dr. Elmi Berisha për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë në Seancën Akademike kushtuar 100 vjetorit të lindjes së Peter Priftit
  • Shqipëria u bë pjesë e Lidhjes së Kombeve (17 dhjetor 1920)
  • NJЁ SURPRIZЁ XHENTЁLMENЁSH E GJON MILIT   
  • Format jo standarde të pullave në Filatelinë Shqiptare
  • Avokati i kujt?
  • MËSIMI I GJUHËS SHQIPE SI MJET PËR FORMIMIN E VETEDIJES KOMBËTARE TE SHQIPTARËT  
  • MES KULTURES DHE HIJEVE TE ANTIKULTURES
  • Historia dhe braktisja e Kullës së Elez Murrës – Një apel për të shpëtuar trashëgiminë historike

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT