• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for December 2013

Shkrimtari Petraq Zoto në udhëtimin e gjatë krijiues!

December 20, 2013 by dgreca

Intervistë me shkrimtarin Petraq Zoto/

Bisedoi:Raimonda Moisiu/

Ajo c’ka e bën edhe më interesante jetën dhe krijimtarinë letrare të shkrimtarit të mirënjohur korcar Petraq Zoto, është se ai në radhë të parë i përket binomit jetësor Njeri & Shkrimtar. njeriu që transmeton mesazhin hyjnor të dashurisë njerëzore. Kjo,  jo për shkak  se ka lindur në Ziçishtin e dashurisë e të traditës kulturore,  por sepse ai sjell për lexuesin tregime e romane me dashurinë e një zemre humane. Me një mënyrë tepër ndjesore të këndvështrimit  personal e origjinal të botës e njerëzve që e rrethojnë, ka pasur arritje dhe suksese në karrierën e tij, por dhe i vëmendshëm ndaj kritikës letrare e kërkesave gjithnjë në rritje.  Zoto është një rrëfimtar I talentuar dhe krijon karaktere realiste  bazuar në përvojën e tij personale, por edhe në eksperiencat jetësore, në vazhdën e paraardhësive të tij, elitën e shquar korçare të letrave shqipe, si Sterjo Spasse, Sotir Andoni,  Teodor Laco, e cila vijon më tej më të rinjtë Thani Naqo, Andon Andoni,Gjergji Dushku, etj, Tregimtar terrifik, midis të mundshmes e të paparashikueshmes, zotëron një  ndjeshmëri mahnitëse në transformimin e një subjekti të vështirë në një subjekt të dritës e shpresës. Ai shkruan tregime e romane.  I pëlqen të eksperimentojë me prozën, i paparashikueshëm në ambicien e tij krijuese, sjell në vazhdimësi vlera të reja artistike. Për këtë flet shumë krijimtaria e tij dhjetravjecare. Ai  vazhdon të shkruajë e të na befasojë  në  udhëtimin e gjatë  të krijimtarisë e tij…

Për më tepër ndiqni bisedën që unë bëra me shkrimtarin e shquar Petraq Zoto.

 

  -Kur e mësuat se lindi pasioni e dëshira për të shkruar?  Si keni mundur të arrini deri këtu?

– Fillimin zor ta ketë kush qartësisht të përcaktuar. Në rininë e hershme isha i pranishëm në një takim të Sterjo Spasses me lexuesit. Trupmadh, me flokë të gjatë e të dredhur përfund, e shihja me kërshëri të zbuloja ç’gjë të veçantë kishte ai njeri që tashmë ishte shkrimtar i mirënjohur. Gjeta rastin e i thashë se kisha lexuar një roman të tij dhe se bëja përqasje ndërmjet personazheve e njerëzve që njihja. Ai më pa me vëmendje. Lexo sa më shumë, më tha. Dhe provo të shkruash…Që atë ditë bëra një shkrim me mbresa nga takimi me të, e dërgova në gazetën “Zëri i rinisë” e prisja të botohej. Nuk u botua, po ndërkohë nisa të shkruaja tregimet Bëra disa, dy ia çova Sotir Andonit, ai më tha si punonte me tregimin. Pastaj frekuentova rrethin letrar pranë pallatit të kulturës në Korçë, një rreth tejet aktiv, bënim diskutime të shumta krijuese, ia lexonim krijimet njëri-tjetrit e bisedonim për to, një shkollë e vërtetë letrare. Në atë kohë shokët e mi të afërt ishin Teodor Laço e Koçi Petriti. Mbaj mend se Andon Mara më përzgjodhi një tregim për almanakun “Korça letrare”, një tjetër m’u botua në gazetën “Pionieri”, pastaj dhe një në faqen letrare të revistës “Ylli” e kështu në vijim. U inkurajova e shkruaja vazhdimisht, pas një kohe tregimet për fëmijë i mblodha në një libër me titullin “ Tirka” e i dërgova në konkursin kombëtar të vitit 1966, ku u vlerësua me çmimin e tretë. Kështu qe fillimi.

  – Ku qëndron forca juaj për të ecur përpara? Është ambicje , sfidë apo të dyja bashkë?

Më tepër dëshira për të bërë sa më shumë, për t’ia vjelë të gjitha frytet e mundshme jetës e për të shtuar vlera të reja.

  – Cili është elementi më i rëndësishëm dhe interesant për të shkruar  prozë të suksesshme? 

– Përveç talentit, të kesh jetë të pasur dhe kulturën e nevojshme letrare. Këto jo përherë varen nga autori, por ai mund e duhet t’i kompletojë vazhdimisht.

 -Kur e mësuat se mund të shkruani  prozë? Si ju lindi ideja të bëni novelë dhe roman?

– Besoj se kjo ka të bëjë me prirjet krijuese. Krijimtarinë e mirëfilltë letrare e  nisa me tregime, më vonë erdhi edhe romani. Atëherë isha mësues e shkrova romanin “ Verka”, në të cilin pasqyroja jetën e një klase të shtatë. Mësuesit e pritën me kënaqësi, bënin  lexime jashtë klase me të e shpreheshin me entuziazëm. Në atë kohë jo unë, por as letërsia jonë s’kishte përvojë në prozën e gjatë për fëmijë e të rinj ( dy romane të mëparshëm, “Debatiku” i S. Vaqarit dhe “ Shpella e piratëve” e P.Markos ishin hequr nga qarkullimi për shkak të autorëve). “Verka” pra, ishte përvojë e inkurajim.

  – Sa kohë ju merr shkrimi i një libri?

– Nuk është diçka e dhënë njëherë e përgjithmonë. Librin “Gjahu i së dielës” e kam shkruar brenda një muaji, romanin në punim e hodha në letër gjatë dimrit 2005-2006, iu riktheva në fillim të vitit 2009 e them ta përfundoj brenda gushtit 2010.

  – Si ka mundësi që ju shkruani kaq shumë dhe nuk konfuzoheni aspak në shkrimet tuaja?

– Më parë shkruaja shpejt dhe po shpejt i çoja për botim. Me fitimin e përvojës, mënyra e të shkruarit s’ka ndryshuar; kur jam i frymëzuar, shkruaj vrullshëm, shpesh trembem se mos më zbehen a më shuhen ato që kam në mendje, mirëpo prej kohe nuk ngutem më për botim, krijimet  i mbaj gjatë në dorë e iu rikthehem e i ripunoj vazhdimisht. Po të mos ndihem mirë e s’më ecën, nuk shkruaj, por bëj punë përgatitore ose merrem me ndonjë rishikim të krijimeve në proces.

Në fillim kam shkruar vetëm tregime, më pas edhe romane, pra kam qenë i qartë në prirjet e mia e s’kam ndier kurrfarë konfuzioni.

-A keni bërë poezi?

– Kam shkruar edhe poezi, po s’pata nxitje për t’i botuar, as për t’iu kushtuar poezisë.

– Si e balanconi jetën midis të qenit shkrimtar dhe familjar?

– Njerëzit e mi përherë kanë qenë të përkushtuar ndaj meje, pasi puna si drejtues i  institucioneve kulturore e artistike më merrte shumë kohë. Punoja  para e pas dite, krijimtarisë  i kushtohesha kryesisht kur e merrja lejën krijuese.  Tani ndihem mjaft i qetë në këtë aspekt.

    -Kur shkruani një libër, ç’ aspekt është më i vështirë, shtjellimi  i personazheve apo i ngjarjes në tërësi? 

– Asnjëherë s’ndodh të kem një rend të caktuar. Bëj kujdes t’i hedh sa më parë ato që më shtjellohen në kokë, pastaj vijoj me çfarë kam më të qartë. Qysh herët përvijohet një piketim i librit e  i personazheve, punoj qetësisht kur arrij ta fiksoj hyrjen dhe fundin. Shpesh një gjetje e bukur të bën me krahë. Fjala vjen, para se të shkruaja romanin “Genta”,e kisha të qartë mesazhin, i cili thotë se sa keq është kur mendohet për martesën pas martesës. Si krejt të veçantë do të përmendja ciklin me tre romane fantastike, ideja për të cilët më lindi menjëherë, pasi lexova librin e Thimi Mitkos “ Bleta Shqiptare”.

– Jam impresionuar sa mirë i trajtoni personazhet në tregimet dhe romanet tuaja. Si ia arrini kësaj?

– Sado e fuqishme qoftë, fantazia e shkrimtarit nuk i krijon dot gjithë ata tipa që na ofron me bujari jeta njerëzore. Krijuesi  zgjedh ndër tipat e përafërt që ka njohur e i plotëson sipas synimeve të tij artistike. E rëndësishme është të ketë jetë aktive, pra t’i njohë njerëzit.

    – Cilët janë librat që ju keni punuar në të njëjtën kohë?

– Nuk punoj me dy a më tepër libra njëherësh. Madje më duket disi e çuditshme që një autor të lëvrojë disa gjini e lloje letrare. Krijimtaria e suksesshme do përqendrim sa më të plotë. Vetëm në dy raste më ka ndodhur të merrem me dy libra në të njëjtën kohë, më mirë të them njëri i hyri në hise tjetrit. Në verën e vitit 1984 isha me lejë krijuese e po punoja për vëllim me tregime “Nesër bëhet vonë”. Befas, një mëngjes vetiu nisa të shkruaja diçka tjetër, një tregim për fëmijë. E shkrova me një frymë e vazhdova tregimet me personazhe kafshë e mbresa gjuetie. Në 24 ditë shkrova 18 tregime. E përfundova edhe librin për të rritur, të dy fituan çmim të dytë në konkursin letrar të atij viti, ditën e fundit u vendos që një autor të mos merrte më shumë se një çmim, kështu m’u dha vetëm ai për “ Nesër bëhet vonë”. Por tjetri, “Gjahu i së dielës”, e nisi mbarë dhe në vitin pasues u vlerësua si libri më i mirë i viti 1984 në prozën shqiptare për fëmijë e të rinj. Një gjë e ngjashme më ka ndodhur edhe me romanin “Kali fluturues”.

    – A ka kritikë të mirëfilltë letrare sot? Ç’ mund t’u thoni kritikëve të sotëm?

– Tani kritika është sporadike, s’ka më institucion kritike, dua të them s’ka ndonjë organizëm që të inkurajojë kritikën. Bëhen promovime, shpesh të bujshme, ku shokë e miq të autorit flasin për librin që promovohet, pastaj mendimet e tyre i publikojnë në shtyp e media televizive si arritje të veçanta në letrat shqipe. Kohët e fundit lexova dy shkrime vërtet cilësore nga Gëzim Alpion, njëri për një libër të Thanas Jorgjit, tjetri për romanin e fundit të Visar Zhitit, dhe një shkrim mbresues nga Ardian Kyçyku kushtuar një novele të Istref Haxhillarit. Përveç nivelit të lartë të trajtimit, është kënaqësi të vëresh se të dy studiuesit nuk druhen aspak të bëjnë vlerësime të larta edhe për autorë që s’janë aq shumë të njohur.

    – Të largohemi paksa nga tema. Jeni nga Korça. Çfarë nënkupton vendlindja për ju?

– Unë kam lindur në Ziçisht, një fshat me shtëpi dykatëshe e rrugë të shtruara me kalldrëm  ku që në vitet ’30 bëheshin mbrëmje vallëzimi e këndoheshin serenata dhe martesat lidheshin përmjet dashurisë. Fshat arsimdashës e me kulturë të hershme, ka nxjerrë vazhdimisht personalitete të spikatura. Nga Ziçishti  kanë qenë Evllogjio Kurila, doktor i shkencave në filologji e histori që në fillim të shekullit të kaluar, mitropolit i Korçës në vitet ’30; Kosta Çekrezi, një ndër personalitetet më të shquar shqiptarë të gjysmës së parë të shekullit XX; Vasil Xhaçka, Sotir Andoni, mjaft shkrimtarë të rinj si Thani Naqo, Andon Andoni, Gjergji Dushku, Llaqi Zoto, profesorë e doktorë shkencash, artistë. Nga Ziçishti qe Llambi Andrea, i cili solli automobilin e parë në Korçë.

Në Korçë kam kaluar pjesën më të rëndësishme të jetës sime. Korça u bë qyteti im dhe unë qytetari i saj i përkushtuar. Më bëri për vete qysh herët qyteti që i priu lëvizjes kombëtare dhe kulturës e artit shqiptar, Korça e shkollës së parë shqipe dhe e Liceut me kontribut universiteti, qyteti i  serenatave e i korit pasionant karakteristik dhe i teatrit brilant, sikurse i një aradhe shkrimtarësh e artistësh me emër në mbarë vendin, ndërmjet të cilëve punova e pata mirëkuptim, dhashë e mora mirënjohje. Korça më afirmoi si shkrimtar e si drejtues në sferën e kulturës e të artit, për më se 30 vjet kam qenë drejtor i Pallatit të Kulturës, pastaj i Teatrit, kryetar i degës të Lidhjes së shkrimtarëve e të Artistëve me 120 anëtarë. I inspiruar nga patriotët Themistokli Gërmenji, Mihal Grameno,Vani Kosturi, Sevasti Qiriazi e të tjerë në vitin 1981 botova një libër me tregime historike. Për Korçën refuzova dy emërime të konsiderueshme në Tiranë.Bashkëshortja ime është po ashtu korçare, qytetin e magjishëm e kemi përherë me vete, në trevën e saj e ka marrë dhe e merr nektarin krijimtaria ime letrare.

    – Cili është shkrimtari Petraq Zoto për lexuesin shqiptar?

– Autor i disa librave të vyer për fëmijë, mosha e adoleshencës së hershme. Një cikël prej tre romanesh me pikënisje nga përrallat e hershme shqiptare dhe “ Gjahu i së dielës” po ribotohen shpesh, çka  dëshmon vlera të qëndrueshme artistike e jetëgjatësi, gjë fort e dëshiruar për çdo shkrimtar. Me botimet e fundit, ( romani “Genta” e libri me tregime “Universi njeri”),  dhe me romanin në përfundim e tregimet e zgjedhura që synoj t’i përgatit së shpejti, them se sjell kontribut dhe në prozën për të rritur.

    – A jeni zhgënjyer ndonjëherë?

– S’besoj të ketë njeri pa zhgënjime, veçanërisht një shkrimtar. Sapo del nga shtypi një libër i ri, bëhem kritik i vetes. Por kam edhe libra që, edhe pas botimit, vijoj t’i dua e s’resht së ripunuari, fjala vjen, romani “ Burimi i drerit” këtë vit pati botimin e 8-të të përmirësuar.

    – Sot vemë re një mërgim të inteligjencës shqiptare. Si e shikoni ju të ardhmen e Shqipërisë?

-Mërgimi i postdiktaturës ishte tronditës. Është e dhimbshme të mendosh sa shumë intelektualë e lanë vendin e bëjnë punë të rëndomta, por dhe kënaqësi që shkrimtarët e  vazhdojnë me sukses krijimtarinë e tyre, sikurse brezi i ri po shkollohet e afirmohet në vende të zhvilluara. Nga ana tjetër, kombi ynë është vital, gjeneron vlera. Në fillimet e demokracisë kujtonim se do të qe e lehtë, s’na doli kështu, kemi pësuar mjaft zhgënjime, por e ardhmja tashmë s’vihet në dyshim, besoj në një të ardhme evropiane.

– Ç’është dashuria për ju? Cilat janë dashuritë tuaja? Sa i ruani ato brenda shpirtit ? Kur e ndjen se një burrë  ka të tilla në jetë?

– Dashuria në kuptimin e gjerë të fjalës, për njeriun e jetën, natyrën, të bukurën e të mirën dhe të drejtën, po edhe në kuptimin më të ngushtë,  është pjesë e jetës. Duke pasur një ndjeshmëri të lartë, krijuesit janë më të prekshëm prej saj. E jetuar a virtuale, kalimtare apo jetëgjatë, sido qoftë, dashuria injekton prushitjen e shpirtit krijues dhe të vetë krijimtarisë. Kur privohet nga  një dashuri, njeriu bëhet edhe më i dëshiruar ndaj dashurisë. Njëzet vjet që jetoj me Tatianën, herë më duket se tani sapo jemi njohur, herë të tjera se së bashku kemi qenë gjithnjë. Lexuesja e parë e krijimeve të mia, prej saj e pres miratimin e parë, sikurse edhe sugjerimet për përmirësime të mëtejshme. Ajo bën përkujdesjen letrare të librave të mi. Dhe e bën me zell e dëshirë, me dashuri.

    – Si jeni ndjerë përballë botës së frikshme të mediokritetit, klaneve, hipokritëve dhe inferioritetit ?

– Prej vitesh nuk përzihem shumë në mjediset krijuese, le që tashmë thuajse mungojnë krejt. Në këtë vështrim klubi Bota e Re përbën oazin e një klime të frytshme bashkëpunimi, ndoshta i vetmi mjedis krijues me vazhdimësi, ku publikohen krijime e debatohet rreth tyre.

    – Ç’synime keni për më tej?

–  Ju s’e bëtë pyetjen e rëndomtë ç’po shkruaj, e cila më parë qe grahje për të shkruar sa më shumë. Nxitja bëhej me konkurset letrare, me dhënien e lejëve krijuese, oraret e reduktuara, me informimet mbi krijimtarinë që kërkonte LSH e organizma të tjera. Për pasojë shtohej sasia e krijimtarisë dhe ulej cilësia e tyre artistike. Tani kemi shpëtuar nga kjo lloj nxitje e bezdisshme, secili shkruan kur të dojë e çfarë të dojë, ekziston realisht mundësia që krijimtaria letrare të jetë e lirë e vetjake. Jam duke përfunduar një roman mbi raportin ndërmjet fajit dhe pranimit të tij, në kushtet e mjedisit dhe gjyqësorit tonë që e ndërlikojnë problemin dhe e vështirësojnë zgjidhjen. Pas kësaj do të përgatit një përmbledhje me tregime të zgjedhura. Projektet krijuese nuk reshtin,njëherë tjetër për libra të tjerë.

       – Çfarë ju ka mbetur peng?

– Sikur ta nisja nga e para, do të isha më racional në raportin ndërmjet punës për të tjerët e për veten si shkrimtar, pasi kjo është puna që s’e fshin koha e  ndihmesën s’ta mohon dot askush. Peng e kam, gjithashtu, ndikimin e keq të grahjeve krijuese, sidomos në periudhën e parë të krijimtarisë. Nga viti 1966 deri në fillim të viteve ’80 botova 11 libra, për disa prej të cilëve s’jam dhe aq krenar.

    – Hobi e pasioni juaj.

– Kohë më parë pata pasion gjuetinë e pokerin. I përhershëm e i pareshtur ka qenë e mbetet pasioni ndaj librave, sidomos letërsia artistike. Kam lexuar shumë e lexoj vazhdimisht.

    – Mesazhi për inteligjencën shqiptare dhe talentet e reja.

– Të bëjnë më të mirën e mundshme. Të shkruajnë kur e ndjejnë se kanë vërtet për të thënë diçka të vlertë.

Ju faleminderit

Bisedoi: Raimonda Moisiu

 

Filed Under: Interviste Tagged With: bisede me shkrimtarin, Petraq zoto, Raimonda Moisiu

New Jersey : Ministri Makolli hodhi idenë për rrjetëzimin e bizneseve të diasporës

December 20, 2013 by dgreca

Makolli : :” Ka ardhur koha që niveli i organizimit tonë në realacionin vendëlindje – diasporë të avancohet. Në mënyrë që të eci në hap me kohën duke faleminderuar edhe potencialit që kemi famirësisht sot në diasporë.”/

Nga Beqir SINA/ Nju Xhersi/

SUMMIT – NEW JERSEY : Ky konceptim për krijimin e një rrjeti të përbashkët “Rrjetëzimi i bizneseve të diasporës në Diasporë”, ka nisur duke pasur parasyshë se Kosova, dhe Shqipëria, si dhe viset e tjera shqiptare në Ballkan, kan një numër të madh të qytetarëve, që me dekada jetojnë në vendet e tjera, kryesisht në Evropë, Amerikë, por edhe më gjerë. Ky konceptim e shikon diasporën shqiptare si një pasuri për Kosovën, Shqipërinë, vendorigjinën e shqiptarve në Mal të Zi, Maqedoni, dhe Luginën e Preshevës.

Prandaj iniciativa është nga Qeveria e Kosovës e cila thotë se synon ta kultivojë atë, të ofrojë kushte për t’i mbajtur lidhjet e saj me vendin e origjinës, si dhe t’ia bëjë më të lehtë përfshirjen e Diasporës shqiptare në zhvillimin e vendit, duke krijuar një bazë ligjore që e hap rrugën për ta stimuluar dhe për ta mobilizuar diasporën tonë kudo në botë.
Mbasi dihet se Diaspora ka kontribuar në faza të ndryshme të historisë së Kosovës, Shqipërisë dhe vendorigjinës së saj, prandaj ka merita të mëdha në mirëqenien e shoqërisë shqiptare dhe në ndërtimin e zhvillimin e Kosovës dhe Shqipërisë dy shtetet shqiptare në Ballkan.

Në kuadër të axhendës së tyre, delegacioni nga qeveria e Kosovës, përkatësisht Ministria e Diasporës u ndal mbrëm në Summit – New Jersey, ku u mbajt një takim me një grup afaristësh, biznesmen dhe veprimtar të komunitetit, për të shpalosur idenë në prag të Konferencës, që mbahet nesër me moton “Rrjetëzimi i bizneseve të diasporës në Diasporë”.

Konferencë, e cila sipas tyre ka si qëllimi të saj krijimin e një rrjeti të përbashkët të bizneseve shqiptare në botë. Konfrenca e së shtunës në Royal Regency Hotel në Yonkers New York, do të  mbahet nën kujdesin e Ministrisë së Diasporës, Ministrit Ibrahim Makolli, përkatësisht, Departamentit të Hulumtimeve dhe Përkrahjes së Investimeve, drejtorit të departamentit, z.Naim Dedushaj, në kordinim ky edhe me MZHE-në, MTI – IPAK, Odën Ekonomike Amerikane, UNDP-në dhe IOM-in, si dhe në bashkëpunim me Ministrinë e Zhvillimit Ekonomik, Agjencinë për Promovimin e Investimeve (MTI), Odën Ekonomike Amerikane në Kosovë, Ambasadën e Kosovës në Gjermani, UNDP-në dhe me IOM-in.

“Këtë lloj përvoje, tha në hapje të këtij takimi drejtori i departamentit, z.Naim Dedushaj,  Departamentit të Hulumtimeve dhe Përkrahjes së Investimeve, pra duke krijuar një shoqatë të këtill, të përbashkët e kemi konceptuar, duke menduar se dotë ecim më përpara ddhe ndjekur përvojën e nisur së pari në Zvicër, Austri e Gjermani, ku është edhe numëri më i mdha i mërgatarëve tanë, por edhe në vende të tjera të Europës, për t’a shtrirë edhe këtu në Shtetet e Bashkuara të Amerikës”.

Takimi mbrëmshëm u iniciua nga Ministri i Diasporës zoti Ibrahim Makolli dhe zoti Naim Dedushaj , drejtor i departmentit me një grup biznesmenësh, afaristeësh dhe veprimta të komunitetit:

Ministri Makolli i nisi fjalën e tij, duke përshëndetur dhe faleminderuar diasporën shqiptare në Amerikë. Ai me këtë rast ka sinjifikuar emrin e Ambasadorit Bekim Sejdiu – Konsulli i Përgjithshëm i Kosovës në Nju Jork, i cili tha Makolli “personifikon lidhjet e mira, që ka ai me shqiptarët e Amerikës, dhe punën e madhe që ka bërë në komunitetin shqiptarë. Kurse, në emër të pjesmarrësve, Ministri Makolli iu drejtua mërgimtarit më të vjetër, veprimtarit të njohur të komunitetit z. Musli Mulosmani, të faleminderojë të gjithë pjesëmarrësit”

Në takimin e mbrëmshëm Ministri Makolli, nënëvizojë se ” besoj që së bashku me angazhmin e gjithë secilit nga ne, disa gjëra që sot ndoshta për arsye të ndryshme na duken të pa mundura, nesër do të bëhen realitet – Dhe, në këtë besoj shumë për shkak se e kaluara jonë tregon se ” aty ku e kemi filluar diçka, kemi pas edhe rezultate edhe me sukses në bazë të potencialeve dhe mundësisve tona”.

Ai shprehu bindjen se në këtë kohë, që jemi nuk do të ketë sfida të na pengojnë në rrugën tonë, mbasi e kemi theksuar, edhe më parë tha Makolli, së bashku me ju në 100 vjetorin e themelimit të  Vatrës dhe 100 vjetorin e pavarësisë së Shqipërisë se :”Ky shekull është shekulli i Shqiptarëve”.

Në shpalosjen e kësaj ideje para takimit të së shtunës Konferencën “Rrjetëzimi i bizneseve të diasporës në Diasporë”, Minsitri Makolli, i cili shoqërohet edhe nga një grup afaristësh dhe biznesmenesh shqiptar nga Gjermania, Zvicra, dhe Austria, tha se  se i kan kaluar të gjitha fazat e organizmit dhe se në mërgatë, janë duke punuar për të qenë në një fazë kohore, ku për shkak të rrethanave të reja edhe me vendin e origjinës, por edhe me vendin ku shqiptarët në diasporë jetojn dhe punojn. Sipas parimit se :” Ka ardhur koha që niveli i organizimit tonë në realacionin vendëlindje – diasporë të avancohet. Në mënyrë që të eci në hap me kohën duke faleminderuar edhe potencialit që kemi famirësisht sot në diasporë.”

Duke parë atë se Mërgata shqiptare në Amerikë, vazhdon të jet e lidhur drejtëpërdrejt me të gjitha hallet e problemet e vendit për nga vjen – dhe duke demostruar në të gjitha kohërat e saj proukupim dhe përpjekje të mëdha për ti zgjidhur ose ndihmuar ato në të gjitha hallkat e saj , Ministri Makolli, u shpreh  se :” Qëllimi ynë është se duhet së pari t’i krijojmë këto rrjete biznesesh me shqiptarët në diasporë, kudo qofshin ata dhe më pastaj t’i lidhim ato në një bazë, e cila do t’ua mundësojë edhe funkcionimin – duke shpërndar përvojën dhe eksperiencën e njëri tjetrit .”

Kështuqë, mërgimtarët në Euopë, sipas tij të ken se çfarë të mësojnë e japin në Amerikë dhe ansajelltas ata në Europë të ken se çfarë të tregojn dhe merrni nga njeri tjetri. Mbasi kjo përvojë dhe eksperiencë e mirë është shumë e nevojshme në zhvillimin e Kosovës Shqipërisë dhe vend-origjinës, tha ai.

Në fund Ministri Makolli, sqaroi se me këtë konceptim për krijimin e një rrjeti të përbashkët gjithë shqiptar “Rrjetëzimi i bizneseve të diasporës në Diasporë”, në asnjë mënyrë :”Nuk kemi për qëllim që të bëjmë thirrje “ejani invistoni në Kosovë”, mbasi kemi si parim që kudo të investohet nga shqiptarët në vendlindjen e tyre është i njëjtë. Qoftë në Uqin apo Plavë e Guci, Luginën e Preshevës, Tetov, Dibër dhe Shkup, apo në Kosovë dhe Shqipëri, pa pasur ndonjë përcaktim specifik në orientimin tonë në fushën e biznesit dhe investimeve.”

 

Filed Under: Featured Tagged With: Makolli, rrjetezimi i bizneseve, shqiptare en diaspore

LOKALIZIMI I KËNGËS EPIKE TË LUFTËS SË VLORËS …

December 19, 2013 by dgreca

Nga Albert HABAZAJ*/ studiues/

1. Krijuesit e parë të folkorit të EHLV gjenden në burimin e këngës/

Krijimi folklorik e ka një fillesë krijuese individuale, që, edhe sipas prof. Xhagollit, nëse do të hyjë në qarkullimin folkorik të një bashkësie të caktuar, shndërrohet në krijimtari folklorike[1]. Sikur të kishte mundësi të ngjiteshim në kohë deri në burimet e këngëve të popullit, ndoshta do të gjenim, mes mjegullës së viteve e shekujve, krijuesit e parë. Një nga këta poetë modestë të popullit, që s’ humbi, si humbisnin dikur emrin, duke lënë shpirtin e mendjen në vargje, është dhe Xhebro Gjika nga Tërbaçi i Vlorës (1900 – 1978).

Këngët e tij, ashtu si ato të Mato e Selim Hasanit, Rrapo Metos, Nase Benit, apo Sheme Sadikut, veshur me fustanellë të bardhë, etj., patën fatin e madh të hyjnë në gojën e popullit, si këngë e mirëfilltë popullore që ka fituar anonimatin, edhe pse mund të njihet autori, se dallon nga stili, reflekset, thjeshtësia, “të qepurit” drejtëpërdrejtë, aty për aty, ngyrat poetike, ritmike, rimore apo gjatësia e vargut të kënduar dhe qartësia. Pushka, kënga dhe kërraba janë trinia e jetës së luftëtarit të Njëzetës dhe këngëtorit të asaj epopeje. Qysh 20 vjeç koha e kërkoi ta provonte në dy fronte se sa peshonte ai djalë. Në frontin e luftës me “Italinë e parë” e mori vulën e trimësisë, se u plagos. Ndërsa për në frontin e këngës, komentet për të janë të tepërta, sepse në Labëri njihen ato që “ka qepur” xha Xhebrua. Po qepi këngë Xhebro Gjika dhe Mato Hasani, – thonë banorët e Lumit të Vlorës – e ka zënë buba atë punë!...Kjo është shkalla sipërore e vlerësimit të komunitetit për krijimet e këtyre këngëtarëve trima, me humor, të guximshëm dhe të hapur. Xh. Gjika i ka kënduar në llogore shpirtit liridashës e luftarak të shqiptarit, për guximin e heroizmin e tij tradicional, të manifestuar në atë luftë të madhe të të gjithë popullit shqiptar, jo vetëm popullit të Vlorës, për liri, ekzistencë e përparim.

Këtu e ka zanafillën rrëfimi i këngëzuar me kaq dashuri e krenari për dëshmorët e Luftës, për trimat e LV që bën trimi i këngës, sepse edhe kënga ka e kërkon trima. Krenaria e krijuesit këngëtor është e shkrirë në një me krenarinë legjitime të popullit. Ja vargjet e Xh. Gjikës kushtuar Luftës së Vlorës, 1920, e cila nuk është botuar në asnjë botim të deritanishëm folkloristik. Është një këngë disi e gjatë, në natyrën e Xh. Gjikës, të cilat i niste vetë me dy – tre strofa dyshe, shtruar,vënçe, pastaj i thoshte fjalët që qepte atij që kishte në krahë, dy – tre strofa dyshe, të cilat ai i këndonte po në atë vijë melodike, në shtrat, me atë avaz që e niste marrësi i parë, e kështu me radhë qarkullonte kënga deri sa e mbyllte prapë thurësi i këngës. Kjo natyrë të kënduari ka qenë karakteristike e pleqve për komunitetin nga vjen e këndohet kënga. Kujtesa jonë i ka të regjistruara të freskëta këngët me natyrë recitative, që me narracionin e tyre të gjallë e jetësonin ngjarjen, e binin afër, pranë nesh, që bënim iso, se na mbanin pas vetes moshatarët, që të rriteshim dhe me frymëmarrjen e këngës labçe vënçe, si të parët. Pas moshatarëve shkonim si qengjat pas dashit përçor, ne, si të thuash, bënim pas pleqve “solfezhin”, veçse nuk na lejonin të dilnim si kërriçi para gomarit, se kështu na qortonin kur hidheshim, ngaqë na dukej se e mësuam mjeshtërinë e të kënduarit atë çast. Kënga e xha Xhebros na jep dhe një informacion të bollshëm dhe të besueshëm, sepse ai ka qenë vetë në Luftë, jo thjesht një dëshmitar, por një njeri në veprim, me zjarrin e armës dhe me flakën e këngës: “Në Vlorën me histori/ Është lufta që ka bërë,/ Njëzetën me Itali/ Me ca të rrallë dyfekë/ Të rrëmbyer në Turqi,/ Ca sëpata dhe hanxharë/ U derdh’ mbi artileri./ Kush e njih Selam Musanë,/ Luftëtar si ai!/ Zigur Lelo hanedanë,/ Ra në Kotë tek dha furi./ Toto Hosi, burrë i gjallë,/ Sulmoi, bëri kërdi!/ Po Hodo Zeqir Dukanë/, M’u si sorkadhi me bri!/  E mori plumbi në ballë,/ Si luan për tokë u shtri./ Kapedan Sali Muranë/ Plagë plumbi mori tri/ Selman Hysen, zemërstrallë/ I ra gjylja në kërci…/ E ç’ gjë t’u këndosh më parë/ Një argjënd e një flori!/ Gjaku që u skuqi ballë/ Mbeti vulë për liri./ Njëqind e dyzet të vrarë/ Plagosur dyqind e dy,/ Dhanë jetë e derdhën gjaknë/ Fyta fyt me mizori./ Ish – bejlerë e agallarë/ U hodhë në tradhëti;/ Shushënja do kapitalë/ S’mendonin për Shqipëri./ Për luanët që u vranë,/ As që pyeti njeri,/ As emër e as nishanë -/ Bishtdredhura qeveri;/ I përcëllonte të gjallë/ Ai det me trimëri,/ Po ata mben’ yj të rrallë,/ I mban populli në gji./ Italianët e paguan,/ Sa u vranë, kjo balt’ e di!/ Njëmijë u dorëzuan/ Me gjithë artileri;/ Në Vajzë u grumbulluan,/ I ruajn’ si bagëti/ I vunë në pun’, i shtruam,/ Ah, ç’ishin për bujqësi!/ O Shqipëria kreshnike,/ E vogël po heroike,/ Me armiq thikë për thike/ As u trembe, as u lige/ Nga qindra hordhi armike”.

Janë 54 vargje monokolonë, në interpretim recitativ, që përbëjnë këtë këngë të gjatë me nota realiste, të cilat mund t’i quajmë edhe historia e LV në këngë; që na shkakton emocione të fuqishme me frymën baladeske, e cila mban në këmbë lëndën e këngës, ku trimëria dhe dhembja për të njohurit, bashkëfshatarët, trimat e rënë shkrihen në një masë bazike, që i ngjiz krijuesit – luftëtar nderimin për të rënët, forcën dhe frymëzimin, që nuk është vetëm krisma e pushkës, që sjell fitoren, por, ajo e shoqëruar me krismën e këngës, e bën më të afërt, më të bukur, më madhështore dhe fisnike fitoren ndaj pushtuesit matanas. Historia na ka njohur me shumë trima, heronj e dëshmorë të LV, 1920, dhe njerëzit e dinë që LV ka patur shumë heronj. Ndoshta krijuesi mund ta ketë njohur atë “det me trimëri”, por atij dhe komunitetit të tij nuk i interesojnë të gjithë. Xh. Gjika këndon për ata që ka të “tijët”, për dëshmorët e rënë, për ata që ka njohur më nga afër, për ata me të cilët ka luftuar ai me çetën e tij të Tërbaçit. I këndon kryetrimit Selam Musai të Njëzetës; i këndon komandantit të çetave të Rrëzës, kapedanit Sali Murati, nga Vranishti, se Vranishti është fqinji juglindor; i këndon patjetër Selman Hysenit, vëllait të tij, komandantit të çetës së Tërbaçit; i këndon Hodo Zeqirit të Dukat, komandantit të çetës së Dukatit,  se Dukati është fqinji perëndimor; i këndon edhe Toto Hosit nga Bolena, se Bolena është fqinji lindor dhe Tërbaçi i tij ka shkuar mirë me fqinjët ndër kohëra, ka patur vajtje – ardhje, si i thonë banorët. Është rasti të evidentojmë se deri në ç’imtësi e detaje futet kënga: “mori tri plagë plumbi”  apo “ i ra gjylja në kërci”. Dhe këtë e bën vetëm ai që ka qenë pjesëmarrës i drejtpërdrejtë në ngjarje, në tym e flakë, se po të mos ishte kështu, të tjerët që kanë qenë në llogore me trimat, me të rënët nuk do ta pranonin dhe nuk do ta këndonin këngën e tij dhe, më keq akoma, ai do të ishte i shpërfillur dhe i përbuzur nga komuniteti. Realiteti dhe koha ka vërtetuar se ky krijues dhe marrës këngësh ka qenë pjesëmarrës e mbetet i besueshëm, se nuk është kontestuar dhe për vlerat e tij shpirtërore dhe për plagët e luftës është vlerësuar edhe nga komuniteti. Nuk e quajmë të tepërt që Xhebro Gjika është vlerësuar me dekoratën më të lartë që jep Shoqata Mbarëkombëtare Atdhetare – Kulturore “Labëria”: “Personalitet i shquar i Labërisë”, sikurse dhe Mato Hasani i Bratit e pak të tjerë që mbartin vlera të tilla dhe shembulli i tyre jep mesazhe për sot dhe nesër. Na bëri përshtypje nga teksti vlerësimi i krijuesit popullor për trimin: “luftëtar si ai”, duke përdorur spontanisht shkallën më sipërore të krahasimit, që ai trim krahasohet vetëm me veten, se s’ka me kë të krahasohet  e të tjerët do të krahasohen me të. Një krahasim i bukur e origjinal del i dallueshëm tek kjo këngë, që tregon edhe adhurimin e krijuesit, njëkohësisht bartës i këngës, kur këndon: “ m’u si sorkadhi me bri”,  duke dhënë figurativisht cilësinë e trimit, si një djalë  me trup të hajthëm, të hollë, të zhdërvjellët e të hedhur, që shumë të lehtë e të shkathët e bën era e lirisë, dhe që sakrifica sublime që bëri Hodo Zeqiri e bën sorkadh mali dhe i zbukuron emrin heroik.

Historia lokale e komunitetit tërbaçiot, na tregon se nga Tërbaçi kanë qenë 226 atdhetarë pjesëmarrës në LV, ku kanë dhënë jetën dy dëshmorë (shehitë u thoshin atëherë). Kujtesa e më moshatarëve ka ardhur si stafetë tek të më pasmit nëpërmjet rrëfimit gojë më gojë, gjithashtu edhe nëpërmjet botimeve monografike apo kujtimeve të të parëve. Sipas Mujo Gjondedës, shënojmë këtë ngjarje: “Në LV, ku i pari i këtij fshati, Halim Xhelo në Beun të Velçës mblodhi burrat e krahinës, hodhi kushtrimin për çlirimin e Vlorës nga pushtuesit. Në atë mbledhje, mori pjesë jo vetëm Halimi, si organizator, por edhe shumë burra të shquar tërbaçiotë. Fill pas mbledhjes, pjesëmarrësit mblodhën fshatin dhe çdo familje pa përjashtim u përfaqësua në çetë me një burrë. Këtë çetë e komandoi biri i fshatit Selman Hysen Gjondeda. Në këtë luftë fshati i Tërbaçit dha dy dëshmorë: Sali Selman Gjikën dhe Qamil Mezin Cacën. Gjithashtu, në këtë luftë pati dhe shumë të plagosur, midis tyre edhe komandanti i çetës Selman Hysen Gjondeda. Atij gjylja i plagosi të dyja këmbët, por pa pasoja për jetën. Kjo luftë pati jehonë dhe bëri që zëri i Shqipërisë të dëgjohej edhe në Europë. Dhe populli i këndoi kësaj epopeje: “Ç’ është kështu si dëgjojmë! / Bëhet dyfek në Vlorë,/ Shqiptarët po luftojnë/ Me një mbret dyzet milionë”[2].

 

1. 1. 2. Krijues të tjerë të këngëve të Epikës Historike të Luftës së Vlorës

 

1. 1. 3. Rasti i Sinan Mullahut

 

 

Folklori lokal, si të thuash, i ve pikat mbi ì, këndon për atë që do, që ndjen, që i dhemb shpirti e i qan zemra, për atë që nderon e respekton. E ngushtojnë më shumë rrezen e krijimit e të interpretimit krijues e bartës të tillë, si Sinan Mullahu e Arshi Xhelili. Sinan Mustafa Mullahu (Kabella) u lind në Tragjas më 1898, por u  mbështet në Ndreraj të Tërbaçit, u rrit, krijoi familje, ku s’punoi për bukën e gojës dhe vdiq në Tërbaç më 1949. Ishte 22 – vjeçar kur u organizua me çetën  e fshatit, për të marrë pjesë në LV. Me patos të fuqishëm gatoi Sinan Mullahu këngët për heroizmin popullor në LV, më 1920, duke u dhënë kurajë trimave: “O ju, trima, mo u trëmbi? Jemi bij të këtij vëndi,/ Jemi betuar që kur/ Për Atdhe e për Flamur”. Dhe, mbasi jep në vargje shembullin e komandantit të çetës e të disa luftëtarëve tërbaçiotë, e mbyll ciklin e këngëve për këtë luftë me këngën drejtuar Ismail Qemalit ditën e fitores, kur pas hedhjes në det të pushtuesve italianë më 1920, luftëtarët vullnetarë parakaluan në Vlorën e çliruar: “Ngreu, o Smahil beu, ngreu!/ Si rri shtrir’ e të mba’ dheu?!/ Djemt’ e tu e bënë forra/ M’u këtu, brënda te Vlora./ Pa shikona si kalojmë/ Flamujt e kuq valojnë/ Edhe zhgaba me dy krerë/ Në të dy anët vështrojnë.” Këto vargje na bëjnë të besojmë se krijuesi, marrës i këngës dhe heqës, prijës i valles (siç do ta shikojmë konkretisht në vijim) ka qenë në luftë, ngaqë kënga vjen si dëshmi e 3 shtatorit, festës së fitores. Kënga, duke qenë dëshmitare shpirtërore e pjesëmarrjes në luftë, i mbush mendjen komunitetit t’i japë çertifikatën morale krijuesit bartës të kësaj epike historike. Duke qenë se njësitë folklorike të këtij krijuesi i kemi të regjistruara për herë të parë në terren; duke qenë se janë përhapur gojë më gojë e janë pëlqyer në komunitetin ku kanë lindur; duke menduar se kanë vlera njohëse, edukative e artistike, menduam, që, si mbledhës (aq sa) i visareve të gurrës popullore, t’i bëjmë të njohura, si një kontribut modest për folkoristikën. Saktësia e informaciont që bartin këto njësi folklorike është e verifikueshme në shumë e shumë burime, të botuara apo në kujtesën sociale,  pasi ato kanë ardhur të përhapura gojë më gojë dhe kanë qarkulluar deri në vitet ’75 – ‘80 – të të shek. XX, se deri në atë periudhë bënë jetë folkorike, fakt për të cilin jemi vetë dëshmitarë okularë. Më tej nuk këndoheshin këngët e babë Sinanit, po vargjet e tij.

Pse shprehemi kështu? Po, sepse humbi karakteri sinkretik i këngës e krijimet e “origjinalit” kalonin në hapësira folklorizante, skenike, teatrale, me aktorë dhe spektatorë, por në folkor të gjithë janë pjesëmarrës, aktorë dhe spektatorë, interpretues dhe shijues të produktit të tyre shpirtëror njëkohësisht. Kërkimet në terren, dikur në mënyrë pasionante dhe sot me synim kërkimor – shkencor, na kanë siguruar një informacion afërsisht të plotë folklorik, duke respektuar dhe të folurën e bartësit, sepse, nga ç’do të mbjellim prej farës së tij folklorike, do të presim të korrat e respektit, që nga bartësi i përveçëm, deri te komuniteti i përgjithshëm.

Shtatë a tetë janë njësitë folklorike të Sinan Mullahut për LV: E para, “Do këndoj sot – ë një këngë/ Për fjalën që kemi dhënë/ Atje ku bëmë kuvëndë./ S’ është këngë, është valle/ Valle e Dasmës së madhe,/ Prej Beuni e Barçallaje/ Si në valle, dor’ për dorë/ Selmani do na përçojë/ Për në Beun e në Vlorë…”. Vetëm nga sa cituam, marrim vesh që Sinan Mullahu ka qenë pjesëmarrës në takimet e burrave të kuvendeve e të luftës për liri, në të dy vendet historike: Beun e Barçalla, ka qenë krijues, këngëtar e vallëtar i labërishtes edhe më 3 Shtator. Ndeshemi dhe me një peronazh, Selmanin, që “do na përçojë” (kështu i thonë në Labëri dashit me këmborë që prin kopenë). Selmani, Selman Hysen Gjondeda, ishte komandant i çetës së Tërbaçit në LV, 1920, ku qe luftëtar vullnetar dhe krijuesi i kësaj njësie folkorike. Kënga e dytë: “Italianët na luftojnë/ Me ballon e me pamporë./ S’i rrihej të ziut plak/ Mbathur opingat me lak/ Me kacature, biçak./ I ngjitej përroit lart,/ Nëpër gërxhe, nëpër shkarp’/ Del kundruall, bën xhevap:/ – O djem, e paçi hallall!/ I zini si gjah në çark,/ Bëni poshtë nëpër shtigje/ Se janë bërë pirgje – pirgje…”

Në vetëm 12 vargje kemi një tablo të gjallë, konkrete folkorike e etnografike, të një situate luftarake që ka përjetuar krijuesi popullor në disa rrafshe, sepse ai na jep një element të veshjes së asaj kohe, të mjeshtërisë së tekstileve popullore, mjetet natyrore që përdorte banori i asaj kohe për mbrojtje etj.

Kënga e tretë: “Metush Gjika nga Tërbaçi,/ Trim’ i trimave!/ Në Shashicë sapo vajti/ I dha urdhër komandanti./ Në Jonufër vet’ i gjashtë/ Me lëkur’ si barkë vajti/ Atje, ku ish motoskafi./ Italianët i pataksi./ Kur futej në prapavijë/ Si në tokë, edhe në det,/ Italanët dot s’e zinë,/ Ai zhdukej posi retë/ Si në det e në sterre,/ Metushi çan si rrufe./ O Metush zemër me çika,/ Asnjëherë s’tu qas e liga”. Këtë personazh e njeh mikrohistoria lokale, e vlerëson për aktin e veçantë trimëror dhe të guximshëm, krahas të tjerëve duke e cilësuar si trim e ujk i tërbuar; e njeh dhe folklori i komunitetit tërbaçiot[3], të cilit i përket. Ndoshta për këtë arsye dhe këngëtari, që thur e këndon vargjet, futet në detaje deri në imtësi për aksionin, se e ka parë me sy ngjarjen. Kënga kushtuar atij heroi popullor është koncize, ka plastikë emocionuese, kolorit dinamik, saqë ka tërhequr edhe vëmendjen e studiesve tanë[4], sidomos me vargjet “O Metush zemër me çika,/ Asnjëherë s’tu qas e liga”, ku metafora emër përdoret nga krijuesi popullor për realizimin sa më të plotë dhe emocionues  të personazhit të nderuar të këngës së tij.

Shpirti dhe zëri i këngëtarit i qëndis këngë trimash Metush Gjikës, dëshmor i Njëzetës, sepse e kishte bashkëfshatar, ishte në krah të tij, si pjesëtar i çetës së Tërbaçit. Në aksionin e Jonufrës bëri akt trimërie, përdori një lëkurë (kacek) për të notuar e për t’u dalë italianëve pas shpine. Kënga rrjedh në shtratin e vet karakteristik, natyrale, tradicionale, shtruar, qetë – qetë e me refren, e cila ecën, rritet gradualisht, bën dallgë e merr zjarr në kolektivin e këngëtarëve luftëtarë. Ajo, atje në brinja të Jonufrës, lindi, në një mjedis spontan, se fillesë individuale ka Sinan Mullahun, po mori përmasa kolektive e bëri jetë kënga. Edhe në këtë këngë vërejmë disa elementë të tipologjisë së folklorit, si përhapjen me gojë të tingullit të fjalës, pasqyrimin e drejtpërdrejtë të realitetit, karakterin kolektiv të folkorit dhe ruajtjen e normave të traditës në metër, në rimë, në ritëm, në stil, në mënyrën e të kënduarit, në gjestet që shoqërojnë vargjet e melodinë, me veshjen, në hapësirën dhe kohën e kërkuar. Kënga e trimit është e thjeshtë, shumë e qartë, e hapur, e drejtëpërdrejtë. Është këngë tabani, si i thonë banorët, dhe nuk kaçurelohet dot, s’ pranon kollaj “manikyr”, është xanxare për atë që s’e njeh e s’e përdor dot. Këngëtari këndon për atë sepse, sipas psikologjisë së tij, ”Metush Gjika është yni”. Kështu, nëse pranojmë që folkori  shqiptar ka funksion etnopërveçues dhe etnopërbashkues, krahasuar me folklorin e popujve të tjerë të Ballkanit, rajonit e më gjerë, si diversitet kulturor, edhe folkori lokal i EHLV, si pjesë e së tërës folklorike shqiptare të EH, e ruan këtë funksion – përveçues. Kënga e dëshmorit Metush Gjika realizon karakterin përveçues të komunitetit të Tërbaçit, nga komunitetet e tjera. S’këndohet kjo këngë jo më në Përmet, Kolonjë, Krujë a Peqin, po as në Dhëmblan e Kuç, as në Bolenë, Brataj, Vranisht apo Dukat, që janë fqinjët në kufijtë natyrorë të Tërbaçit.

Kënga e katërt me vetëm  8 vargje i kushtohet dëshmorit tjetër të Tërbaçit, rënë në LV, Qamil Mezin Caca. Ka shumë dramacitet, nota elegjiake, si këngë e përvajshme, cifël legjendare: “O Tërbaç, o gur,i zi!/ Rrite një djalë kalli,/ Që s’ja kish çiftin njeri,/ Djal’ o Qamil Mezinì!/ Luftove bashkë me çetë/ Të mos kishte robëri/ Po na u ndave përjetë/ Nderove fshat e shtëpi”. Tek kjo këngë, vargjet 7 dhe 8 realizojnë karakterin përbashkues me këngë të komuniteteve të tjera, të krahinave të ndryshme të vendit ku ka këngë të natyrës së EH, sikurse edhe te katër vargjet e fundit që marrin natyrë përgjithësuese dhe evidentohen elementët përbashkues, që japin karakterin integrues së njësisë folkorike. Sa i matur, i saktë e me logjikë është krijuesi bartës në vlerësimin që i bën “ të tijit”, “vëllait” të rënë në luftë: të paktën një gjë është e padiskutueshme, që me rënien e tij për liri dëshmori nderoi “ fshat e shtëpi”. Kaq varen nga ai si këngëtar dhe banor i Tërbaçit, Kaq janë kompetencat e tij, nuk thotë ai nderove Vlorën, Rrogozhinën apo Shqipërinë, se nuk është në natyrën e tij dhe folklori po doli nga shtrati, denatyrohet.

Ja dhe kënga e pestë, me gjashtë vargje  lakonike: “Doli Selmani e foli:/ – Mbani vesh e më dëgjoni:/ – Kur të bëj një vërshëllimë,/ Ju pas mua –  vetëtimë,/ Pa marrë mirë sabanë)/ T’i hedhim përtej Sazanë”. Prapë me Selmanin këngëtari luftëtar. Atë ka vëlla, komandant, trim për këngën e tij. S’i interesojnë të tjerët. As i lavdëron, as i fyen. Ai realizon misionin e tij, këndon ç’i sheh syri, ç’i dëgjon veshi e ç’i do shpirti i tij, sa i thjeshtë, aq i bukur. Kënga na njeh edhe me mjetet e thjeshta sinjalizuese që janë përdorur në atë luftë, mundësi natyrore, praktike, utilitare, si vërshëllima për sulmin e fundit.

Këto njësi folklorike na japin të drejtën të themi se këngët historike janë shumë lokale, me hapësirë të kufizuar, deri brendapërbrenda fshatit. Nuk kanë kohë të caktuar se sa do të jetojnë, sepse një komunitet i pranon, një tjetër jo, për arsye konfliktesh të ndryshme apo thjesht se nuk paraqet interes të një kolektiv njerëzish, që banojnë në një kohë dhe në një hapësirë të caktuar. Në këta kapilarë të atyre muajve të përflakur vere, jo më historia kombëtare, por as historia lokale nuk mund të futet, sepse historia ka parime e kritere të tjera për biografinë e ngjarjeve e personazheve, masën përkatëse të shkrimit, metodologjinë e duhur etj. Si duket, EH, kënga e luftës futet atje ku s’hyn as dielli. Sipas mendësisë popullore të kohës kur thuhej “Mbretëri –  40 milionë”, nënkuptohej ushtria fashiste italiane e pushtimit të kufirit dhe territorit shqiptar. Njësia tjetër folklorike, me gjashtë vargje koncize, të goditura artistikisht, me sarkazëm të thantë, sipas parimit të zbukurimit e hiperbolizimit, jep një pasqyrim artistik përgjithësues të situatës finale të asaj ngjarjeje të madhe kombëtare, duke shfaqur karakterin përbashkues: “Mbretëri dyzet miljonë/ As bota nuk ta besojnë/ U turpërove në Vlorë./ U mbyte me gjith’ pamporrë./ Ç’i bëre ata ballonë?/ – Gjithë me benzin’ u dojnë” (dialekt.: u dogjën).

Kënga e tetë, me 7 vargje, në trajtë monokolonë, me rimë të përputhur AABB, në tetërrokshin popullor, vjen si një harmonizim logjik i dy këmbëve që lindin urën e historisë. Duket sikur s’ka të bëjë me njëzetën, por historia na ka mësuar se ka lidhje logjike në atë areal të pasur, të ngjeshur, kombëtarisht të ndezur ngjarjesh e personazhesh historikë. Në gjuhën popullore KMK nuk njihej me këtë emërtim, por shkurt e popullorçe: “Komisjoni”. Ja dhe kënga “Komisjoni bëri pllanë/ Të dërgoj’ në Franc’ një djalë”/ “Avni Rystemin – ë” thanë,/ Që të vras’ Esat Pashanë,/ Që kërkon si mbret të dalë,/ Të ngrerë veten në majë,/ Siç kish pas sulltan Muranë”.

 

1. 2. 1. Poezia dhe proza popullore e Epikës Historike të Luftës së Vlorës në kujtimet e Arshi Xhelilit

 

 

Sipas kujtimeve të shkruara, që ka lënë në dy fletore 64 fletëshe, Arshi Xhelili (10. 03. 1903 – 1980), marrim vesh se edhe ai ka qenë vullnetar në LV. Ishte 17 vjeç kur shkoi në Kuvendin e Barçallasë më 20 maj 1920. Në vijim do të përshkruajmë panoramën e Kuvendit të Barçallasë, ashtu si ai e  ka jetuar vetë atë periudhë historike, me ngjarjet dhe njerëzit që ka parë me sytë e tij. Jemi në periudhën kur revolta e popullit të Vlorës, që nga Panajaja në Kuç e në Himarë u shtua së tepërmi pas atyre që ndodhën atë ditë nëntori të vitit 1919. Që nga ajo ditë njerëzit panë se Italia po zbatonte programin e Konferencës së Londrës, 1913, për aneksimin e  Vlorës. Patriotët shqiptarë filluan të organizonin popullin. O. Haxhiu, H. Xhelo e shumë të tjerë shkonin nga stani në stan, nga fshati në fshat, bisedonin me fshatarët dhe parinë e fshatrave. Populli ishte i gatshëm. U dhanë udhëzime që të gjithë fshatrat të formonin çetat e tyre. Të gjitha këto bënë që përpjekjet për fillimin e luftës kundër italianëve të shpejtoheshin shumë. Osman Haxhiu mori pjesë në Kongresin e Lushnjës, që u mbajt më 28 – 31mjanar 1920. Në të morën pjesë 50 përfaqësues të tërë krahinave të vendit. Kongresi rrëzoi qeverinë e Durrësit dhe ndërtoi një qeveri përparimtare, me fytyrë kombëtare.

 

1. 2. 2. Kuvendi i Barçallasë (Beuni dhe Lufta e Vlorës)

 

 

Atmosfera luftarake ishte ndezur në të gjitha krahinat e pushtuara. Nuk durohej më hasmi, i cili kalonte deri në fyerje, përbuzje, prekje në nder e në cenim moral.

Të mëdhenjtë, të fortët s’përdornin frena fare në maratonën e makutërimit, në kurriz të kombeve të vegjël. Si Kujtesë e Ditës evidentohet  fjalët e mençura të Ismail Qemalit: “Fatet e kombeve të vegjël dalin nga dyert e tragjedive të mëdha”, ngaqë “Kur flenë fëmijët, rriten, kur flenë kombet, vdesin”[5]. KKM ose Komisioni, si thirrej me të folurën popullore, mori në dorë drejtimin e situatës në Vlorë dhe krahinat e pushtuara të saj.

Shfletojmë kujtimet e xha Arshiut, ku gjejmë mbresa të drejtpërdrejta, të përjetuara, të para me sy, që na vijnë si dëshmi reale, ku ashtu, thjesht, siç di krijuesi popullor, me zgjuarsi natyrale, të na paraqesë të shkrira në njëra – tjetrën, të vërtetën logjike, me përjetimin emocional, si një mozaik me kolorit vezullues dhe të freskët. Ka dhe shumë fakte historike, në dukje të vogla, të imta, që sikur s’të hyjnë në sy, por mendojmë se kanë vlerë, jo thjesht se po paraqiten për herë të parë fragmente interesante nga kujtimet e plakut, por se ato të dhëna pasurojnë njohuritë tona për këtë ngjarje historike, ku folkori është si në shtëpi të tij:

“Ishte një ditë shumë e bukur pranvere, blerimi kishte mbuluar gjithshka. Lulet dhe gjethet e pemëve dukeshin si yjet e zjarrtë në kupën e kthjellët të qiellit. Tutje dukej deti i pastër dhe reflektimi i qiellit në të i jepte atij ngyrë blu në të thellë. Ishte vendosur që aty, në Barçalla të Dukatit të bëhej një mbledhje për të parë gjendjen e për të vendosur se çfarë do të bëhej. Unë me disa shokë prumë mishrat në Barçalla. Falë zërit tim, unë e këndoja dhe e kërceja mirë labçen (e hiqte, ishte prijës i valles labërishte, shën. im: AH). Nuk kishte dasmë që të bëhej në fshat e të mos isha unë. Bile edhe Brahim Aliu, më i pari i fshatit tonë, ishte ngritur dhe më kishte vënë mua atje. Kur ja merrja këngës, nga dredhja e zërit dridheshin edhe penxheret e odës. Në atë kohë kush këndonte, kush luante kumar dhe kush ishte pijetar, hante bukë me të mëdhenjtë. Mua më njihnin disa vetë. Pasataj një zë më ftoi atje lart në hijen e rrapit të madh, ku ishte ulur paria. Unë ktheva kokën dhe pashë Halimin.

– Ky është Arshiu.  Duket i vogël por këndon shumë, më mirë se kushdo tjetër, ke për ta parë Osmën efendi, – tha Halimi dhe u drejtua nga mua. – Hajt mo ki turp, merrja një herë këngës së bilbileje. Dhe zëri i këngës ushtoi e u ngrit deri lart në kupë të qiellit: “Biblilejtë trembëdhjetë/ Vanë në litare vetë…”

Kur mbarova këngën, Osman Haxhiu më mori afër dhe më tha me zë të lartë: – Aferim u qoftë ty dhe gjithë djalërisë. Kështu nuk vdes Shqipëria…Më pas filloi kuvendi. I pari e mori fjalën Osman Haxhiu…Pastaj e mori fjalën Halim Xhelua…Pastaj demaskoi tradhëtarët e vendit si Esat Toptanin, Myfit Libohovën, Eqrem bej Vlorën,  e shumë të tjerë, bejlerë që nuk ndodheshin në ballin e luftës bashkë me popullin e Labërisë, po rrinin e prisnin “makarona” nga italianët. Ata e pengonin luftën e popullit, ishin lidhur me pushtuesin dhe nuk e kishin për gjë ta shisnin vatanin për një grosh…Në këtë kuvend morën pjesë 700 vetë. Këtu u zgjodh një komision me në krye Osman Haxhinë dhe Sekretar H. Xhelon. Komisioni përbëhej prej 12 vetësh. Më në fund u caktuan masat që do të merreshin për organizimin e luftës.

Kuvendi i Beunit . Në qershor të vtit 1920, u mblodh përsëri një kuvend në Beun të Vajzës, tek Rrapi i Burrave, në vendin e quajtur Burimi i Gurrave, nën këmbët e malit të Tartarit, midis përrenjve të thellë dhe të thepisur. Në këtë ditë të bukur qershori, në orën 7 të mëngjesit, populli u mblodh i tëri sikur të kishte festë…të gjitha fshatrat ishin organizuar në çeta dhe në krye të tyre kishin nga një kryetar. Rreth 40 % kishte armë. Fishekë kishin 7 a 8 për çdo burrë. Pjesa tjetër ishin armatosur me kosore dhe me spata. Ky ishte armatimi i tyre. A të mbushet syri që këto kosore dhe spata të fitojnë mbi mitralozët dhe topat e Italisë?! Ndonjë nuk  besonte, ashtu siç nuk besonte dhe vetë Piaçentini, kur duke qeshur me përbuzje: – Unë Shqipërinë e mund me shurrën e putanave.

Ai që mendon kështu, gabohet rëndë sepse këta njerëz ishin të vendosur për atë që do të bënin, nuk luftonin si ushtarët italianë të shtyrë nga eprorët e tyre, por luftonin të urdhëruar nga dëshira për të jetuar të lirë në tokën e tyre, me vullnetin e tyre. Halimi e mori fjalën i pari: – Gjer nesër, pasi të kemi marrë gjashtë fortesat që janë Panajaja, Drashovica, Llogoraja, Gjormi, Kota, Tepelena, të gjithë ne do të jemi të armatosur. Pushkët do t’ua rrëmbejmë italianëve – !

Pastaj u bë një ultimatum që do t’i dërgohej gjeneral Piaçentinit në Vlorë. Në këtë ultimatum kërkohej që italianët të largoheshin nga Vlora. Ndryshe forcat patriotike do t’i hidhnin në det. U caktua një njeri që do të shkonte në Vlorë. Ky ishte Mehmet Selimi nga Mallkeqi. Kishte një pelë të shpejtë. Kur arriti në komandën italiane i dha letrën gjeneralit, i cili e mori në dorë, e hapi ngadalë dhe kur e lexoi, qeshi me të madhe. Mehmetin nuk e mbante vendi. Gjenerali u kthye nga ai dhe i tha: “Shqiptarët unë i mund me shurrën e putanave”. Me të dalë ai, dëgjoi gjeneralin të thotë italisht: – Mitroloz e topa e bum, këtu urdhëroj unë!

Lajmi që gjenerali kishte qeshur me të madhe me ultimatumin u hap me të gjithë luftëtarët që prisnin vetëm urdhër. U bë e qartë. Lufta ishte pashmangshme. Në orën dy mbasdite u ndanë çetat. Vranishti, Kuçi, Kallarati, Bolena, Tërbaçi, Brataj, Velça dhe Vajza zunë Shashicën dhe Sherishtën se mos dilnin italianët nga lart. Gjormi dhe Lepenica shkuan në Llogora; Dukati dhe Tragjasi shkuan në Gjorm; Kudhësi dhe Smokthina, Shkoza, Mavrova vanë në Kotë. Trevëllezëri Myzeqeja, Llakatundi, Armeni, Panajaja, Oshtima dhe Kërkova do të fillonin luftën në kalanë e Panajasë. Çetat e Kurveleshit do të sulmonin kalanë e Tepelenës. Komandant ishte trimi dhe ushtaraku i zot Ahmet Lepenica. Ai hartoi pllanin e luftës me Ismail Hakiun e ushtarakë të tjerë.

Lufta e Vlorës. Në orën tre pas mesit të natës të datës pesë qershor të vitit 1920, plasi lufta. Kjo luftë hyri në histori si Lufta e Vlorës. Nata ishte me hënë, yjet ndrisnin në kupën e qiellit. Forcat shqiptare depërtuan me shpejtësi në të gjithë frontin. Sulmi ishte i papritur dhe goditja e fortë. Në orën shtatë të datës 6 qershor, forcat shqiptare kishin çliruar Kotën, Llogoranë, Gjormin, Drashovicën dhe Panajanë. Panajaja u muar pa luftë. Puna ishte kështu: Dano Hasani që ishte kryetar i çetës së Panajasë e dinte mirë italishten. Me këshillë të Murat Tërbaçit dhe Halim Xhelos, ai u lidh me një marshall italian që  mbronte kalanë dhe kishte aty dhe xhenapen. Ky bëri që Halimi e Murati të takohen me marshallin. [Ai] ishte me ide socialiste…, kur e pa që kalaja u rrethua, e dorëzoi atë pa luftë. Mbetej vetëm xhepaneja. [Xhephane, (turqisht) depo municioni; municioni vetë. Shën. im, AH]. Luftime të përgjakshme u bënë në Kotë, Gjorm, Llogora. Në këtë të fundit u vra Isa Lepenica, Hysen Beqiri Lazaj nga Dukati, në Gjorm u vra Zenel Ramohitua nga Tragjasi, Hodo Zeqiri nga Dukati. Lufta më e ashpër u bë në Kotë. Këtu ra duke luftuar heroikisht Zigur Lelo nga Smokthina. U plagos Cane Rustemi nga Mavrova, Hito Dalani nga Tërbaçi, Caush Tafili nga Smokthina, u vra Zyber Bejto Kudhësjoti, Dino Mysteaku, Alush Caushi nga Gumenica, Deli Beqiri. U plagos Kanan Mazja nga Shkoza, Çoban Nuredini nga Vajza etj. Ja se si u është kënduar këtyre trimave që ranë për çlirimin e Vlorës në luftën kundër ushtrive italiane: “Të dekur mbi presa mbenë,/ Hodo Zeqir’ nga Dukati,/ Meçan Isa Lepenica,/ Zenel Ramadan Tragjasi/ Zigur Lelua nga Smokthina, /Trim i shokëve, Asllani,/ Kur u hodh si vetëtim,/ Trimi tek u hodh i pari,/ U plagos Cane Rustemi,/ Trimi ishte nga Mavrova,/ Shokëve gjakun ua ndezi:/ O djema t’ja bëni fora!”/U vra Dino Mysteaku,/ Për luft’ i qe ndezur gjaku,/ Kurrë s’ka dekur i gjori/ Dhe në Vajzë mirë e shpunë,/ Kishin Çoban Nuredinë,/ Me plumb e theu kërcinë./ U tha shokëve: “amani,/ E çorra me driz’ e xinë”./ Për një trim e them një fjalë,/ Ësht’ e pabesuar kurrë/ Zyber Bejto Kudhësjoti/ I par’ i shokëve shkojti./ Vritet – ë Mullah Halimi,/ Meso burrë nga Gorishti,/ Me dhjetë shokë trimi,/ Plumbat – ë në gji i priti,/ U plagos Selman Hyseni,/ i Tërbaç ish’ kryetari,/ U tha shokëve: “Amani!/ Burra, me dorë t’i ziri,/ Topat e këtij barbari!”

Pas sulmit të parë, në të cilën u muar Kota, Gjormi dhe Llogoraja. Komisioni që drejtonte luftën u vendos në Kotë. Të gjithë robërit që u zunë u vendosën në Vajzë. Selam Musai, mbasi solli robërit nga Tepelena, shkoi në Kotë. Ai mendonte se udhëheqja e luftës që këtej ishte larg frontit të luftimeve. Më 11 qershor të vitit 1920, Komisioni u vendos në Drashovicë. Hëngër, pinë dhe kënduan në drekë. Në orën 1 pas dite Selam Musai iku nga Drashovica vetë i shtatë. Një nga Komisioni i tha: – Qëndro pak këtu, sa të mbarojë pllani i luftimeve. – Nuk dalte për luftë, po do piqem me luftëtarët në Sherishtë, t’i sho’ qysh janë!… Nuk foli më as hajdeni, as mos hajdeni. Kaloi Qafën e Zallit, aty afër Xhuerinës dhe arriti në qafën e Babicës, aty ku janë varret e dëshmorëve. Këtu italianët kishin topat dhe  mitrolozët. Ishin rrethuar edhe me tela me gjemba. Selami, duke sokëllitur, kaloi telin dhe u fut në frontin e italianëve. Sulmi vazhdonte furishëm. Mbas kësaj çetat iu drejtuan Vlorës. Gunat përmbi tela, gjokset përmbi topa. Selam Musai kaloi Qafën e Vlorës. Me të ishte dhe Dule Dalani nga Sinanaj dhe Shefqet Islami nga Nivica. Me mijëra italianë po iknin me vrap si derrat kur vërsulen mbi misër. Sado që Piaçentini çirrej: “Ku vini? Do t’u vras, po kthehuni!”, ata nuk ktheheshin. Tmerri dhe paniku u kishte hyrë në zemër. Një top shtinte pa pushim mbi luftëtarët. Selami e pa dhe nuk priti më. U sul mbi të dhe e pushtoi me trupin e tij. Zëri i tij u dëgjua gjer tek spitali, poshtë nën grykë e u shua si ai kandili që s’ka vaj. Sa heroizma të tilla ndodhën në ato ditë! Namlënës. Dashuria për liri lindte guximin titanik dhe heroizmin e pashembullt. Çetat më tej nuk mund të avanconin, se nuk i linin predhat që binin si zinxhirë. Zjarri i tyre që buronte nga deti, nga Kalaja e Kaninës dhe nga Qafa e Topit, kryqëzohej duke formuar një perde zjarri. Fronti kapte vijën Panaja – Jonufër, ndërsa prozhektorët dhe kryqëzorët e fllotës italane e bënin natën ditë në kodrat e ullishteve që stolisnin qytetin. Më 14 qershor Qamil Risilia vate te gjeneral Piaçentini. Ky e priti te zyra. Ishte ngrysur e vrejtur në fytyrë. Ishte vënë nën darën e hekurt të një ushtrie që ai nuk e kishte quajtur asnjëherë ushtri, e për të cilën qe shprehur në mënyrë fyese. Mos vallë kjo ishte pasojë e këtij nënvleftësimi? Ushtrinë e madhe të një vendi të madh e kishte mbyllur në një rreth të hekurt ushtria rebele. Ku të shkonte?Ata i kishin zënë jugun, veriun e lindjen. Nga perëndimi ishte deti. Mos vallë duhej të hidhej në det? Po kjo është ikje, ikje…

– Uluni – i tha Qamilit. Vetë rrinte në këmbë e nuk e mbante vëndi.  – Zoti gjeneral, zoti gjeneral, – ngriti zërin Qamili. – Flisni, flisni – tha gjenerali prerë. – Shqiptarët më 18 qershor kanë Bajram. – E ç’ do të thotë kjo? Mos duhet të falen tek unë? –  Po atë natë radhët e tyre do të pakësohen pa masë. Është dita më e mirë për të dalë nga kjo darë. Nëqoftëse nuk do t’u biesh shqiptarëve këtë ditë, nuk keni për ta fituar luftën, – përfundoi Qamil ziu.

Gjenerali ishte kthyer nga ai dhe një rreze drite ia përshkoi fytyrën e në sytë e tij u panë shënja jete. Piaçentini e donte shumë Qamil Risilinë, se i shërbente si qen besnik. Ata ishin dy kufoma në një shpirt. Piaçentini i kërkoi Romës të vinin tetë mijë arditas. Pak a shumë ashtu ndodhi, siç e kish parashikuar Qamili. Atë natë radhët e shqiptarëve ishin pakësuar shumë. Më 18 qershor, ora tre mbas mezit të natës, italanët filluan sulmin për ta çarë rrethimin. Ata dolën në Grykën e Zgurës së Kaninës. Atë front e mbronte çeta e Tërbaçit. Nga e gjithë çeta kishin mbetur aty 4 topçi dhe 14 këmbësorë. Nuk kishte as kryetar e as nënkryetar çete, se ishin në Drashovicë. Me një fjalë, kishin mbetur si ato dhëntë  pa çoban. Kur panë italianët, luftëtarët u trëmbën.

–  Na paska tradhëtuar dikush, – thanë. Të trëmbur dërguan një njeri te stani i Dalan Rrapo Bojkos. Ky ishte plak 74 vjeç. I folën: – O xha Dalan, mo na hanë qënt’?! Dalani pandehu se mos erdhën për të marrë bukën. Duke bërë yzmet mishrave që po piqte për ta, iu kthye: – Ç’kini more, në këtë orë? –  Në Grykën e Zguros dolën më shumë italanë se sa bexga, – iu përgjigjën. – Paski humbur tërë Shqipërinë, a u shofshi të tërë! O burra, të lëftojmë njëra sa të vijnë shokët, – tha xha Dalani. La gruan te mishrat e rrëmbeu dykekun, duke thirrur: – Nëpër pozicione! Shpërndahi më larg që ta zëmë të gjithë pozicionin!

Xha Dalani kishte një martinë me 6 fishekë. Qamil Mezin Caca kishte një dyfek me 100 fishekë. Qazimi ishte një djalë 20 vjeçar. Xha Dalani i dha djalit martinën e tij dhe i mori dyfekun. – Do të shkosh në buzë të malit të Lapardhasë dhe aty do të qëllosh tri herë, se me këtë sinjal na vinë forcat. Kur të kthehesh do gjësh dyfeqe e çdo lloj arme tjetër, sa të duash. Ik shpejt, se koha nuk pret – përfundoi xha Dalani. Me t’u ndarë me djalin, xha Dalani shkoi në grykën e Zguros, kaloi shok më shok duke thënë: – Mo trëmbi, se na ka zënë shtëpinë qëni dhe nuk ja kemi zënë ne!

Ishin 20 vetë. Të gjithë të rij. Ca pa dirsur akoma. Dojnë një njeri t’u ip kuraj’. Mbasi kishin zënë pozicionet, dëgjuan hapa që afroheshin dhe zëra. Ishin italanë. Dalani dinte pak nga lufta. Në kohën e turkut kishte qën’ topçi, caush siç i thoshën. Pasi u dha porositë e fundit me zë të ulët djeme, plaku u foli italanëve: – Ku viji more breshkaxhij. Sos u kemi zënë vatan. Hajdeni, hajdeni tek xhaxhai – dhe ndërkohë një krismë e thatë u dëgjua. Mbas kësaj filluan dhe djemtë të qëllojnë.

Lufta filloi në tërë frontin, që nga Panajaja deri në Jonufër. Shqiptarët kudo vigjëlonin. Talanët që nuk e prisnin këtë, u befasuan e ua mbathën këmbëve nga kishin ardhë, duke lënë brinjave kush dyfekun, kush thikën, kush mushkën, kush topin e kush kokën… Kur dual karshi Kalasë së Kaninës, Piaçentini dha urdhër që të gjithë harditasit që do lijnë frontin, të vriteshin. Në ora pesë Qazimi u kthye dhe filloi të mbledhë pushkët dhe fishekët. Në ora gjashtë erdh’ ndihma nga Lapardhaja, nga Mazhari dhe nga Vodica. Në Sherishtë erdh’ ndihma nga Armeni, Kropishti, Treblova, Koculi dhe disa fshatra të tjera aty përreth. Në ora shtatë e gjysmë erdhë gumenicjotët, lepenicjotët, bratajt, vranishnjotët dhe ramicjotët. Në ora 12 erdhi ndihma nga Kallarati, Kuçi, Bolena, Matogjini. Pas dy orësh erdhi Nivica, Lopsi. Lufta u ndez e ashpër. Deti, Kalaja e Kaninës dhe Qafa e Topit vazhdonin të qëllonin me topa. Luftëtarët nuk e kishin për qeder, sepse ishin fshehur mirë nëpër pozicione. Vallet vinin dyshe dhe treshe. Forcat u shtuan më shumë. Erdhi dyfishi i atyre që priteshin. Kryetari i çetës së Tërbaçit, Selman Hyseni i foli Qamilit, i dha një duhan dhe i hoqi vërejtje që të mo mblidhte më dyfeqe, se boll i kishin. I tha që të shkonte të flinte. Në ora tre mbasdite vallet nuk kishin të sosur. U dëgjua një zë; ishte xha Dalani që flit’: – O Kapo Miftari, merr nja shtat’ a tetë djem e hajdeni lart more! – Çar’ o që na flet? – e pyeti Kapua. – Nxito këmbët, Kapo, se do therë dhënt’ të tëra ai!  Ja nje’ mëndjen Dalan Bojkos ti apo jo? – iu kthye Selmani. Kapua  mori tetë djem e bëri lart. Kur mbërriti në stan,ç’të shihte: xha Dalani me thikë në dorë e i lyer me gjak deri në brryla, kishte prerë 30 kokë dhën. Kapua e mori për dore, duke i thënë: – Ç’bëre more, se i shove të gjitha?! – Mirë bëra, se 15 janë të mijat, 15 janë të agait. Kemi mysafirë shumë sot. Pa mendo njëherë, sikur të kish dalë Italia lart sot. Do t’i kishte ngrënë të gjitha, me lopë, me dhën  e me dhi, bile edhe me kuaj.

 I ropën delet dhe i futën në hell dhe i lanë në shpuzën e zjarreve të ndezur më parë. Xha Dalani dhe Kapua u ulën e drodhën nga një duhan, ndërsa djemtë rrotullonin mishrat. Xha Dalani ishte merakçi, ngrihej shpesh herë, u bënte vërejtje djeme e ulej prapë. – Po hajde, o Dalan mo ki kaq merak, djemtë i kemi të flakës. Ata mbyllën italanin në Vlorë e jo të mo pjekin mishrat. – Po jo, o Kapo, s’e kam nga ajo, por në pleqëri njeriu u bëka kararsës. Hahet edhe me vete, – përfundonte xha Dalani, duke qeshur. Mbasi mbaruan këngët dhe vallet, i shqyen mishrat copë – copë dhe i ndanë. Muço Delua, që u ndante hisetë shokëve tha: – Doli një tepër. Kush mungon? – Duhet të jetë Qamili – tha njëri. – Në bregun përtej Kalasë së Kaninës janë tre italianë të vrarë. Atje do ketë vajtur edhe ai për të mbledhur dyfeqe, – tha Kapua, që rrinte aty mbanë tij. – Të nisen me të shpejt dy djem e ta kërkojnë! – urdhëroi Selmani. Dy djem u nisën me vrap. Hëna ishte 15 ditëshe [Hënë e plotë, shën. im – AH]. Mbas tyre shkuan edhe Selmani e Kapua me gjashtë djem të tjerë. E gjetën ashtu të shtrirë, me të tre dyfeqet ndër duar të shtërnguar fortë. E kishin vrarë me gjyle topi. E përcollën me nderime e të shtëna pushkësh. Çfarë fatkeqësie?! Në moshën e rinisë. Lufta i ka këto. Ajo është një shtrigë e fuqishme që kërkon të përpijë njerëzit. Çdo popull ka dëshmorët e tij. Më 22 korrik çetat shqiptare muarrën një sulm të përgjithshëm kundër ushtrive italane. Komisioni vendosi që sulmi të fillonte në ora dy e gjysmë mbas mezit të natës, pra në kohën kur çdo gjë fle. Sulmi filloi nga ora katër. Ishte një goditje e vrullshme. Kalaja e Kaninës u sulmua nga Sali Murati e Azem Sulua. Në tërë frontin shqiptarët filluan të hidheshin mbi telat, mbi gjëmba, duke shtruar mbi to gunat e duke sokëllitur. Italianët nuk e prisnin këtë sulm. Goditja qe e njëkohëshme në tërë frontin. Italanët iknin me vrap. Lanë Ujt’ e Ftohtë të Kaninës, u hodhën matanë vreshtave të Kaninës dhe kërcyen në Vlorë. Nga të gjitha fortesat, italanët zunë të zbrisnin tufa – tufa. Kush të ikte më parë. Paniku ishte i fortë. Në sulm e sipër, i zuri dita. Sikur sulmi të kishte filluar në orën e caktuar, italanët do të ishin hedhur që atë ditë në det. Piaçentini, kur pa ushtrinë e tij në tërheqje të plotë, dha urdhër që të rritej forca goditëse e artilerisë. Mbi Kaninë, Qafën e Koçiut, Qafën e Shegës predhat e gjylet binin si pikat e shiut. Luftëtarët u tërhoqën nëpër pozicione. Mbetën me mijëra të vrarë. Vetëm nga sulmi i 18 qershorit mbetën të vrarë qindra arditas dhe shumë të plagosur. Nga tanët u plagos Sali Murati, u vra Mullah Halimi nga Gorishti. Ky mori katër plumba dhe vdiq në spital në Kotë. Selman Hysenit i këputi gjylja pulpën e këmbës. Zyk Matani nga Dukati mbeti i vrarë në një llogore të italianëve në Ujë të Ftohtë. Pranë tij mbetën të vrarë edhe Bejko Numani nga Tragjasi, Sinan Bilbili nga Radhima. Përmbi spital mbeti i vrarë Sherif Arizi, vetë i pestë. U vra Islam Shanua nga Velça. U plagos kryetari i çetës së Mavrovës Isuf Rustemi. Në Qafë të Koçiut u plagos Islam Harizi nga Tërbaçi. Ishte një djalë  njëzet vjeçar. Dhe shumë të tjerë u plagosën. Edhe populli u këndoi trimave: “Yxhym kapedan Sali,/ U plagos e s’ pat’ fuqi,/ Në mëngjez, kur sokëlli,/ Të kishin patur gjemi/ Vanë të gjith’ në Itali./ Itali, moj qofsh lanet,/ Pse s’ke turp, goxha dovlet?/ Bënë luftë me një milet,/ Tre muaj të pa nimet,/ Me një thelë mish në xhep/ Nga u erdhi ku kuvet,/ Të mbyllë si qëni në det./ Rrofsh, moj rrofsh, o Shqipëri,/ Rrofsh, o Korçë e Gegëri!/ Të bukur opostrofì,/ Halim Xhelo gjarpërì…”. [Kjo këngë, edhe pa e parë fletorkën e xha Arshiut, duket, se dallon nga stili, nga natyra e saj që është krijuar dhe kënduar në momentin e ngjarjes nga vetë Arshi Xhelili].

Një tjetër thotë “Ata trimat që luftojnë/ Me plumb e vranë ballonë,/ Në fushë të Peshkëpisë,/ Ra ballon’ i Italisë./ Nga manzer’ i vegjëlisë/ Ra përsheshi, mu si mizë”. Si duket, për krijuesit, njëkohësisht dhe interpretuesit e këngëve të EHLV, aeroplani luftarak konsiderohej si një mizë, diçka e përfillshme, si personazhi i Gishtos në përralla?!

Piaçentini i kërkoi Komisionit paqe me kusht që të mbante Skelën dhe Sazanin. Komisioni nuk e pranoi dhe kërcënoi se do t’i hidhte në det ushtritë italiane. Pas dy ditësh Piaçentini dërgoi prapë Bozon që të bisedonte me Komisionin. Qëllimi ishte që të mbante vetëm Sazanin. Kjo kërkesë u pranua/ Forcat italiane  filluan tërheqjen nga Vlora. Tërheqje apo ikje? Ikje, ikje, ikje…

Pas kësaj Komisioni u vendos në Vlorë. Ditën që Komisioni kërceu në Vlorë u bë festë. Nga të gjitha rrugët vërshuan në Vlorë çetat të pritura mes gëzimit dhe haresë. Bërtisnin dhe këndonin, hidhnin valle. Çdo fshat pruri 50 mishra, sipas madhësisë së fshatit. Kështu, përshëmbull, Dukati solli 300 mishra. Festa u bë në rregull. Vlora ishte e çliruar. Nga gjaku i luftëtarëve dhe fshatarëve patriotë  buroi përsëri liria. Luftëtarëve  u dhanë nga një qylafe u shpërndanë në shtëpitë e tyre. Ata u kthyen në stane dhe rrëmbyen kërrabën, u kthyen nga ara e rrëmbyen parmëndën, por pushkën nuk  e lanë. E varën në degën e pemës aty buzë arës, apo në kasollen e stanit. Zëri i Atdheut do t’i thërriste përsëri…”.

Shumë nga krijuesit e EHLV nuk njihen me emër, kështu që një tufë e mirë  e këtij cikli qarkullon rrjedhave të anonimatit. Po ashtu, ka edhe plot të tjera që u dihet  autorësia, fillesa krijuese individuale, para, në prag apo njëkohësisht me marrjen e statusit të jetës kolektive që bën kënga në shtratin e vet. Një ndër ata krijues të asaj poezie popullore, që këndohet e na vjen nëpërmjet fjalës, vargut, tingullit, melodisë së këngës a valles, është dhe Arshi Xhelili. Ndër 43 njësi folklorike që janë regjstruar e mbahen mend nga Arshi Xhelili, 12 këngë trajtojnë Luftën e Vlorës.

Kënga e parë: “Në atë të bukur Vlorë,/ U nxin’ ullijtë me kurorë,/ Se na shkeli breshkaqeni,/ Thërret Mualua; – Djem, ku jeni?/ Pse flamuri nuk valon?/ Pse Labëria s’këndon?/ Pse në Skelë s’ngrihet në erë/ Shkab’ e zezë me dy krerë?/ Na u nxi e shkreta Vlorë,/ Nga flamuri tre kolorë./ Në nëntor, ishte mesnatë/ U ngrenë në demostratë,/ Osman Haxhiu namlartë,/ Qëndroi zog në shtërngatë,/ I tha popullit: – E mbarë,/ S’durohen këta barbarë./ Nuk durohet Vlor’ e nxirë,/ Domosdo do rroj e lirë!” Për t’i dhënë mundësi shtjellimit të subjektit disa këngë të tij (sikurse edhe krijues të tjerë të  këngëve epike të kësaj ngjarjeje) nisin me pyetje retorike.

Kënga e dytë: “Pse Flamuri po mban zi,/ Ah, e shkreta Shqipëri,/ Gjith’ jetën luft’ e pusi,/ Nga fqinjët me pabesi,/ ‘Talia me dhelpëri,/I shkreti Osman Haxhi,/ Në atë luft’ bë’ belì/ Shkriu mall, gjë e shtëpi,/ Iku shkoi në arrati,/ Në çdo katund e shtëpi,/ Në Vranisht, në Labëri,/ Tërbaçin  e kish karshi,/ Mblodhi djemt’ me trimëri,/ Bë yxhym mbi breshkaxhi”.

Kënga e tretë: “Itali, moj e mallkuar,/ Në të heça dot në duar!/ Ç’deshe në të bukrën Vlorë,/ Që e le vendin të gjorë?/ U ngrenë djemtë u ngrenë,/’Barçalla e bënë benë./ në Beun shkuan e vanë,/ Një nga një çetat i ndanë./ Amet Islami me forrë/ Xhafer Aliko kaçator/ Nisi lufta, u bë hataja,/ Kota, Gjormi, Llogoraja/ Tri beteja të mëdhaja/ Gjëmuan e derdhën flakë,/ U vranë ca djem në Dukat./ Ishin trima për bajrak,/ U vra Zigur Lelo Nuri,/ U plagos Kanan Flamuri”.

Tjetra: “Luft’ e madhe qe në Kotë,/ U ndez mitroloz i fortë./ O trima, thërret Ziguri,/ M’u te ura, pranë një guri,/ Kanan Mazja me shkozjotë,/ Ju sos katundit mbi portë,/ Po një predh’ i ra atija,/ U ngrit lart trimëria./ Luf’ e Kotës dha fitore,/ Mben’ armiqt’ përmbi llogore”.

Kënga tjetër: “N’atë luftë me Italinë/ U ngrenë djemtë me sqimë,/ Në Beun, atje në brinjë/ Bukur e bënë bashkimë./ Osmën Haxhiu ka folë:/ “Djema, yxhym përmbi Vlorë!/ Vlora jon’ ësht’ shqipëtare,/ Po do shkabën dykrenare./ N’ato ditët e rrebeshit,/ Luftojn’ djemt’ e arbëreshit./ Dhe Vlora u bë e lirë,/ Mben’ shehit’ ca djem të mirë!”.

Kënga tjetër: “I shkreti, që s’di të shkruaj,/ Nuk kam kartë, penë, bojë,/ Po për trimat që luftuan/ Zemra ma thot’ të këndojë./ Mullah Halim e Selmani,/ Predhat seç i bën’ harbì,/ Në Kot’ i prunë të gjallë,/ Halimi gjeti jatrì./ Si Gani Butkë Kolonja,/ U përpoqn’ për Shqipëri./ K’ta trima të paharruar/ Të shkruhen në histori,/ Në thënçin me se luftuan/ Me një dyfek kapsolli…”. Bëmat kombëtare të Gani Butkës, si duket, kishin bërë jehonë aq të madhe, në një hapësirë të gjerë, për një kohë të shkurtër, saqë edhe një banor i largët i maleve të Labërisë, siç qe luftëtari dhe këngëtari Arshi Xhelili kishte dëgjuar për emrin e tij, dhe po këndonte për të, duke parë tek ai një shëmbëlltyrë model të shqiptarizmës, ndërkohë që LV po vuloste me gjak pavarësinë e Shqipërisë nëpër brinja, në llogore, deri në kufijtë tanë, trashëguar nga të parët.

Kënga e shtatë: “Me spat’ e hanxhar’ në duar,/ Gjaku u derdh për liri,/ Bukën e kishin harruar,/ Me një thelë mish në gji,/ Ç’u derdhën labët në brinja,/ Në luftën me Itali./ Burra, o shokë mo trëmbi,/ Nevej nuk desim nashti,/ Të shporret këtej ky qëni,/ Të gjith’ e bëmë belì./ Osmën Haxhiu me trimat/ E morën dekjen në sy”.

Tjetra: “Osmën Haxhiu, o dritë/ Ike me Sali Muranë,/ Nuk the se keshje çiflik,/ T’u doq shpirti për vatanë,/ Halimi kish dituritë,/ Ameti e ip kumandë,/ Xheneralit i ry’ frikë,/ Mbushi vëndin breshkamanë,/ Me borsalier’ e arditë,/ Me bumje, me aropllanë,/ Po s’kishte njohur të bijtë,/ Që pa buk’ e dhanë xhanë,/ Kur luftuan në Sherishtë,/ Tymi mbuloj’ Panajanë”.

Tjetër këngë: “Vlora ç’e bëri belì,/ Rrofsh ti moj, Shqipëri,/ Lumthi ti, moj Toskëri, / U ngrenë ca djem të ri,/ Nuri Osmën Efendi,/ Bimbashi ‘Smail Haki,/ Ameti me gjith’ fuqi,/ Sali Vranisht mjekërzi,/ Alem Memet Tragjasì,/ Në saba’, kur sokëlli,/ Të paskej pasur gjemì,/ Të gjith’ van’ në Itali,/ Nga pëndët deti u nxi…”.

Një këngë tjetër me 7 vargje, që cituam më sipër: “Itali, moj qofsh lanet,/ Tre muaj të pa nimet,/ S’deshëm krevat e dyshek,/ Se u dha zoti zoti kuvet,/ Të mbyll’ si qëni në det,/ Të bënë luftë të rreptë,/ Se ashtu kishin adet”.

Një tjetër këngë, që mendojmë se ngjall interes dhe zbukuron mozaikun e personazheve dhe zgjeron gjeografinë tematike dhe të autoriteteve të respektuar në komunitet, si Dom Mark Vasa, Jani Minga, Alem Mehmeti, që ishte anëtar i KMK dhe me kapital, Hamza Isai e Ali Asllani, të cilët Plaku i Flamurit i kishte si fëmijët e tij dhe si pasuri u la Shqipërinë amanet. Me këta personazhe të njohur nga historia, por pak të “klikuar” nga folklori, Njëzeta ka pika specifike kontakti. Ja si i trajton kënga e A. Xhelilit, me atë mendësi që bart në atë kohë e me atë intuitë që pak “kolegë” bashkëkohës të këngës, të valles dhe të dyfekut njëkohësisht;  ndoshta nga të rrallat që rrokin personazhe të tillë të fuqishëm, sidomos nga dituria, në shërbim të kombit: “U’ një prift nuk e njo’ mirë,/ Që punon për një dëshirë/ Dom Marku, vlonjat i mirë,/ Rrofshin me zotëri Mingë./ Rrofshin patriotët tanë,/ Që përpiqen për vatanë./ Ashtu kan’ nisur e shkruar,/ Si bletët të papërtuar,/ Me ‘Smail benë janë pjekur,/ Për flamurin jan’ përpjekur/ Kishin plotë miq e shokë,/ Brahimin me patërjotë,/ Alem Memet kapedanin,/ Që Vlorës i rriti namin./ Hamza Isan’ gjith’ e njonë,/ Që kur la të shkret’ Stambollë,/ Erth’ edhe u ngul në Vlorë,/ U përpoq të na hap’ shkollë./ Shkoll’ e bukur, Muradie,/ Si djell maleve kur bie./ Ç’t’u them për Ali Asllanë/ Që firmosi për vatanë”. Dhe kënga e fundit, shënuar nga xha Arshiu është “I fukarasë ilaçi/ Halim Xhelua nga Tërbaçi,/ Në luftën që bë’ në Vlorë/ Doli me flamur në dorë, / Atje, majë Barçallaje,/ Në Kanin’, mbi gur’ kalaje/ Osmënin ç’e mori prapa/ Në ato brinja dhe qafa./ Me Avnin’ ish i pandarë,/ Të dy Vlorës i dhanë zjarr,/ Që të bënin Shqipërinë,/ Për fakirët me opingë./ Ike, o Halim, na ike,/ Të mben’ fëmija si qyqe,/ Të qan Havaja me ligje,/ E lige merakn’ e miqe./ Lajm’ i hidhur kur na erdhi/ Të gjith’ve zëmra na theri,/ Se atje, larg i mërguar,/ Zemra të paska pushuar./ Të duaj Vlora, krahina,/ Tërbaçi me gjithë trima,/ Çika edhe Vetëtima,/ o Halim, ballë dafina”.

 

 

 

2. 1. Interpretim i këtyre teksteve të kënduara apo të hequra valle

 

 

Nganjëherë, kur ballafaqohemi me tekste të tilla të këngëzuara, ato s’kanë nevojë as për koment, as për analizë e as për interpretim. Në formë lakonike, si në rastin konkret, në segmentin vargëzues nga 7 – 24 vargje, sipas mënyrës së vetë të të menduarit, të gjykimit, të perceptimit dhe përfytyrimit, me logjikën e këngës, krijuesi dhe bartësi i folkorit të vërtetët i ka thënë të gjitha, siç i ka ardhur frymëzimi i mbushur në burim. Mjafton të dish t’i lexosh ashtu siç ato janë kënduar apo hequr valle drejtpërdrejt në teatrin e lufimeve, edhe menjëherë pas ndodhjes së luftës, më 3 shtator, apo edhe kur ato njësi folkorike vijnë si vegime të stuhive të luftës, si gjurmë të kohëve të përflakura, për njerëzit e dashur e të lartë që bënë emër me bëmat e tyre e fituan nderim me Njëzetën e në vijim të periudhave historike. Rasti i këngës për H. Xhelon është i veçantë dhe logjika e rrjedhës së ngjarjeve historike, na jep të drejtën të mos e diskutojmë se kjo këngë është kënduar dhe krijuar pas vitit 1937, kur H. Xhelua iku si meteor lirie, vdiq, e vranë apo e helmuan… Edhe poeti popullor nuk thotë “të pushoi zemra”, por “zemra të paska pushuar”. Çuditet, habitet a dyshon edhe vetë populli se si mund të vdesë “djal’ i popullit Halim”, njëri nga viganët e njëzetës, pa mbushur akoma 43 vjeç, larg Dheut, larg Vatrës, larg… Dhe kush? Vetëtima e lirisë, prushi atdhetar, simbioza kombëtare e Abdyl Frashërit për Njëzetën, Halim ballëdafina, siç këndon populli, që nënkupton simbolin e Lavdisë! Halim Xhelua vetë  e ka quajtur Vlorën Meka dhe Jeruzalemi i përpjekjeve shqiptare për lirinë dhe pavarësinë e vendit. Jo më kot ngjarjet madhore të vitit 1920, që u mbyllën me hedhjen në det të perandorisë 40 milionëshe të Savojës, ndodhën në Vlorë.

Kënga e Arshi Xhelilit është dhe na vjen si lëndë  shpirtërore sinkretike. Ajo, shpesh herë, na vjen si ditar luftimesh në vargje. Kjo lloj kënge, që është e rrallë, por jo e vetme, ka këtë veçori specifike nga “ kolegët”. Ajo ka një fillesë krijuese individuale, që regjistron emrin e përveçëm Arshi Xhelili, i cili është edhe  interpretues, si marrës i këngës, heqës i valles, prijës i saj, korife i shpirtit në zjarrin e luftës dhe luftëtar me armë në dorë në krahë të trimave për çlirimin e Vlorës nga zaptuesit fodullë. Kënga e tij shërben edhe si gjendje civile, nga ku çregjistrohen nga trungu familjar fizikisht të rënët në luftë, por që akti i vdekjes fizike të tyre shndërrohet në akt të heroizmit lokal dhe kombëtar. “Po një bredh’ i ra atija/ U ngrit lart – ë trimëria”, i këndon krijuesi popullor Selman Hysenit. Qenkej thënë që bredhi i gjallë i trimërisë të radhitej me bredhat e gjelbër të natyrës, në mal, (se e zuri bredhi nën vete) atje sipër, ku i kishte hije trimit! Përsëri ligjëron biblili në një çast kujtimor të jehonës së bëmave të shokut tjetër: “Po një predh’ i ra atija/ U ngrit lart – ë trimëria”. Nuk thotë u vra, u plagos rëndë apo vdiq Kanan Mazja. Nuk thotë u vra, u plagos rëndë apo vdiq Selman Hyseni. Evidentohen bukur vlerat estetike në vargje të tilla, si këto. Figurat stilistike i japin jo vetëm koloritin artistik, por e jetësojnë këngën, e mbushin me frymë, me shpirt: “Zigur Lelo Nuri” apo “Kanan Flamuri”. Folklori, populli urdhëron, del natyrshëm sovran nëpërmjet këngës. “Të shkruhen në histori”- e thotë qartë e jo me të lutur, amani, hë mor hë, ju lutem, poqese…Trupëzimi i malit, animizimi  i natyrës e të tjerë elemente, që vërehet dhe në këto vargje të kënduara, vijnë si “hise” të mitologjisë në folklor, duke e shndërruar lëmdën mitike në lëndë estetike. “Çau Metush Gjik’ dragoi/ Përpara shokëve shkoi/ Brinjat me gjak i mbuloi…”. Qeniet mitike vijnë nga etnologjia, ku kanë tjetër funksion dhe futen në folklor për tjetër funksion, sepse krijimtaria folklorike është art sinkretik. Demonologjia na e dërgon dragoin si mbrojtës dhe gjaku i dragoit shërben për të luftuar shtrigën, sipas mendimit parak, të ardhur brezash në krahinat shqiptare toske (më e specifikuar në trevat e Labërisë së Brendshme)  ku u zhvillua LV. Raporti bazë që evidentohet si nevojë është ai midis të mirës dhe të keqes, midis shqiptarëve në punë të tyre dhe pushtuesve që u ranë në qafë, pa asnjë të drejtë më të vogël. Se janë pasqyrim i drejtëpërdrejtë i realiletit e besohen si të tilla, mitet nuk janë art. Vetëm kuptimi estetik i bën mitet me ato vlera që mbart folkori, kur ato kanë një komunitet të caktuar që i pranon.

Edhe ky folklor është paqyrim artistik i realitetit, që përfshihet në qarkullim e krijon variantet. Në Tërbaç këndohet një variant, në Treblovë një tjetër variant, që për një mosnjohës të imtë të veçorive përkatëse do t’i quante njëlloj e s’do të mundte të bënte dallime, por ndërkohë ato kanë veçanësi në melodi, në veshje, në mimikë, gjestikulacion e imtësi të tjera, që mund t’i dallojmë, se si këndohet nga lagjia në lagje, jo më nga fshati në fshat, nga krahinëza në krahinëz e nga krahina x në krahinën y. Këngët që ngelen në kujtesë e bëjnë jetë akoma, të kufizuar patjetër, e kanë një fillesë indiviluale dhe pranohen e qarkullojnë  në komunitet. Në të njëjtën bashkësi njerëzish ekziston e njëjta formë pranimi. Nëpërmjet përcjelljes gojore krijohet tabloja folklorike, ku në anonimatin folklorik, në rrjedhat e jetës shqiptare në kohë, është evidentuar në gjysmën e parë të shek. XX  krijimtaria e A. Xhelilit, S. Mullahut, xha Matos e Selim Hasanit, Xh. Gjikës e Sheme Sadikut, Sejdi Kondit nga Çamëria, etj. Kënga  e tyre ka ngjitur, se ata kanë qenë vetë pjesëmarrës në luftë, e kanë përjetuar atë, kanë luftuar vetë dhe e kanë përcjellë mesazhin artistik nëpërmjet valles e këngës drejtpërdrejt, në një çast të caktuar të ngjarjes, apo menjëherë pas saj e sa të mbante vlagë. Na bën përshtypje se asnjë nga krijuesit popullorë që dolën në gjysmën e dytë të shekullit XX, të cilët, ndërkohë, e rritën cilësisht krijimtarinë folkorike në komunitetet e tyre, nuk kanë këngë për Njëzetën, as Lefter Çipa i Pilurit, as Kujtim Mici i Tërbaçit, as Maliq Lila i Bënçës, as Hamdi Pulo i Tragjasit etj. nuk kanë në repertorin e tyre njësi folklorike për këtë ngjarje, ose në se kanë, nuk janë folklor i mirëfilltë, por i sforcuar, i denatyruar “ta bëjmë, se na thanë ta bëjmë”. Ndërkohë, për motivet që u kanë dalë së brendshmi, ata kanë krijuar perla të folklorit dhe kanë shkëlqyer. Kthehemi përsëri te ato këngët e vjetra, të thjeshta në dukje, që ecin e ecin në shtrat, ashtu si me shushurimë dhe fare spontanisht shpërthen një metaforë, një krahasim, një epitet që të mbërthen e ta ngjiz artin e shpirtit të shqiptarëve me këngë e valle në shpirtin tënd. Po ashtu, hiperbolizimi i gjendjes duket kollaj, kur këndon: “Kur luftuan në Sherishtë/ Tymi mbuloi Panajanë”, sidomos për ata që e njohin terrenin, sepse largësia nga këto dy toponime nuk e mundëson një peizazh të tillë, janë dy – tre kodra larg njëra – tjetrës. Intuitivisht similituda të tilla si “Osman Haxhiu namlartë,/ Qëndroi zog në shtërngatë” apo “Shkoll’ e bukur, Muradie/ Si djell’ maleve kur bie”, të këtij krijuesi popullor, ngrihen në trajektoren e similitudave naimjane te “Bagëti e Bujqësia” apo tek ato të Fishtës te “Lahuta e Malësisë”, që e kanë origjinën ndoshta që nga trajtimi homerik. Imazhi i këtij këngëtori të Njëzetës na vjen si një plak i dalë nga legjendat e Labërisë, me një kujtesë fenomenale, me fjalën e mençur e të urtë popullore, i cili të pushtonte me prozën popullore që rrëfente dhe me poezinë popullore që krijonte, këndonte a kërcente valle. Studiuesi B. Gaçe bën këtë cilësim: “Arshiu është si Mato Hasani, këngëtari i famshëm i Bratit”[6]. Qëndrimi fyes, tallës e shpërfillës i Piaçentinit shkaktoi reaksion të fuqishëm në komunitet dhe na kujton një fjalë të urtë të popullit shqiptar “Ndalu bek, se ka hendek”. Na duket jo normale, ndoshta dhe  me ligjet e luftës, manovra e pabesë dhe sulmi italian kur shqiptarët festonin Bajramin, natën e 18 qershorit. Është ngrënie fjale, thyerje bese, sepse edhe lufta ka ligjet e saj, ka marrëveshje, armëpushime, megjithëse armiku, armik është, nuk është mik, dhe armiku është shëmbëlltyra e të pabesit. Po ashtu, na duket shumë interesante dhe e mprehtë zgjuarsia natyrale e krijuesit dhe luftëtarit popullor, me vënien në dukje të ndodhisë që “Sikur sulmi të kishte filluar në orën e caktuar, italanët do të ishin hedhur që atë ditë në det”. Mjafton ky fakt që të kuptojmë se kemi të bëjmë me një luftë të rregullt, të organizuar dhe me drejtim; që të kuptojmë se ç’domethënie e rol të madh ka drejtimi i luftës së trupave çlirimtare. Sipas historisë lokale të Tërbaçit, në Luftën Antiimperialiste të Vlorës, më 1920, janë numëruar 226 burra pjesëmarrës të çetës patriotike, nga të cilët dy dëshmorë, Sali Selman Gjika dhe Qamil Mezin Cacaj; 16 të plagosur, ndër ta edhe kryetari i çetës Selman Hyseni, edhe poeti popullor Xhebro Gjika. Pjesëmarrës në njësitë partizane, gjatë periudhës së LDB, që në Shqipëri u quaj LANÇ, 1939 – 1944, kanë qenë 203 persona, nga të cilat 24 gra. 74 tërbaçiotë e tërbaçiote luftuan për çlirimin e Kosovës në vitet 1944 – ’45. Pjesëmarrës në të dy luftrat kanë qenë 37 tërbeç. Përse i paraqesim këto të dhëna statistikore? Po merremi vetëm me një një njësi të vogël banimi, siç është fshati Tërbaç, në planin krahasues dhe vërejmë se në Luftën e Parë ka patur më shumë luftëtarë se sa në Luftën e Dytë. Jemi të mendimit se LV dhe EHLV bënë celebrimin e Vlorës me Lirinë, me ëndrrën ideale të shqiptarëve në rrjedhat e kohës.

Në këngët e krijuesve që trajtuam, kemi të bëjmë me një realitet artistik, ku pasqyrimi i tij na vjen me një natyrë ritmike të dallueshme burimore, me karakter sinkretik, ku shkrirja e nevojave praktiko – utilitare me ato estetike në fillim, kur shpërthyen nga shpirti krijues e liridashës i luftëtarit, u harmonizua në sinkretizmin e tekstit, muzikës (melodisë, avazit), mimikës, gjestikulacionit në praktikim, mjedisit, veshjes në kohë e në hapësirë të caktuar, kërcimit, vallëzimit popullor kur hidhej valle e rëndë labërishte trimërore. Këngët e tyre ishin të pëlqyeshme, por ato kalonin gojë më gojë te shoqëria e këngës a valles, te grupi, komuniteti – djep. Po s’u pëlqente ndonjë varg, e hiqnin, a shtonin një tjetër, gjithmonë sipas “ligjësive” të pashkruara, sipas “Kanunit të Folklorit”. Pra të gjithë ishin “firmëtarë”, që i jepnin “çertifikatën” tekstit gojor për të marrë vulën e folklorit, për të qarkulluar, për të bërë jetë folklorike. Duke qenë brenda natyrës së saj, që epika operon me klishetë, në mjaft variante e motërzime të mëvonshme, Njëzeta bëhet frymëzim për LANÇ. Për të luftuar pushtuesit fashistë, Sinan Mullahu, duke bërë aluzion për  LV, lëshon thirrjen me vallen:“Të ngrihemi që të tërë!/ Jemi ne që kemi qenë…”, duke kujtuar shpartallimin e ushtrisë pushtuese në mënyrë figurative: “Ç’i bë’ pupëlat këndezi?…”, se erdhi si kolonizatore dhe iku si kapitullante.    

 

 

 

2. 2. Ndihmesa e lokalizimit të Epikës Historike të Njëzetës për historinë e Luftës së Vlorës. Rasti i Tërbaçit

 

 

Lumi i Vlorës është një krahinë e dëgjuar, jo vetëm në Labëri, që ka mbajtur peshë të madhe, qysh me fillimin e LV deri në kurorëzimin e saj me fitore. Ka 100 fshatra, me 50 mijë banorë dhe zë 80 % të sipërfaqes së rrethit të Vlorës. Një nga këto fshatra është dhe Tërbaçi, që shtrihet rrëzë të shpatit lindor të malit të Çikës, në l.m.d. 505 m, në jug të Vlorës, me 1287 banorë në vitet e LV (1926). Bën pjesë në krahinëzën etnografike të Mesaplikut, ndërsa sot është fshat i komunës Horë Vranisht. Si gjithë të tjerët, edhe tërbaçiotët, sa u dha kushtrimi:  “një burrë për dere me armë në dorë”, me këmbë e me mushka, u nisën të mobilizuar për Njëzetën. “Organizimi i çetave të çdo fshati u bë me bashkimin e tyre në formacione të mëdha duke krijuar 5 grupime të tilla”[7] – shkruan studiuesi Adem Osmani.

Tërbaçi me Vranishtin, Bratin, Lepenicën e Gjormin përbënin çetën e Rrëzës. Në prag të Luftës së Vlorës, më 1920, një tjetër tërbaçiot u ngarkua me detyra ndërlidhjeje nga Komiteti “Mbrojtja Kombëtare”. Ai ishte Gani Iliaz Habazaj që u bë edhe kronikan i kësaj lufte me shënimet e mbajtura në llogoret e Epopesë së madhe, nëpër plumbat e armikut. Më 1995 u botua libri i tij: “Lufta e Vlorës në kujtimet e mia” nga shtëpia botuese “Naim Frashëri” Tiranë. Ndërsa Ago Agaj në librin e vet “Lufta e Vlorës” Kanada, shkruan: “Në majë të Bregut doli një figurë e gjatë, e hollë që dukej për qiellsh, tundte krahët dhe bërtiti pareshtur me sa fuqi zëri që kish: “Hajdeni, hajdeni se kalaja ra!” Ishte Gani Abazi nga Tërbaçi që thërriste shokët. Ju ngjitën brinjës përpjetë si sorkadh mali, arritën te Ganiu e me të bashkë i gjeta më vonë në pjesën e ballinës që kishin lënë më parë…” Nga libri i Gani Iliazit mësojmë faktet e shkruara, që i njeh dhe historia, i këndon dhe populli. Çeta e Tërbaçit kishte Selman Hysenin (Gjondeda), nënkomandant Selam Abazi, i cili ishte krijues këngësh, marrës dhe heqës, prijës i valles: “Do këndojmë apo sh’do bëjmë?/ Hall’ i math që na ka zënë:/ S’na lë gjyleja të flëmë./ Po lëftojm’ e punë z’bëjmë,/ Në Qafë na e ka zënë;/ mu në Qafë të Koçiut,/ Bërë vrimet si të miut./ Në Qafë, kundreq nga deti,/ Më të tejm’ është qyteti/ Mbet muhasere i shkreti,/ Prandaj bëjn’ hyxhym mileti,/ Se në Qafë na ka zënë,/ Shokë ta marrim me dhëmbë”[8]. Këtë këngë, në këtë variant që cituam, na e kanë treguar më 3 shtator 2010, dy djemtë e Selam Abazit, Mustafai dhe Fetiu, që banojnë në Vlorë dhe sot janë pleq. Vërejmë që s’kemi të bëjmë me një këngë pompoze, deklarative, zhurmuese, për t’u dukur, por me një dert njerëzor, kombëtar deri familjar. Në bregore, ku i zuri lufta, janë ulur banorët tërbaças e kuvendojnë me këngë, natyrshëm, me të folurën e tyre dialektore, qajnë hallet me njëri tjetrin e vendosin për më tutje. Ka edhe turqizma në fjalët e tyre, si p.sh., muhasere, që do të thotë u rrethua, etj (por mos të dalim nga tema). Gjykojmë sot se ajo kohë nuk mund të pastrohej me urdhër dite nga huazimet e huaja, se kishin zënë vend në të folurën lokale dhe në gjuhën shqipe turqizma, persizma, greqizma, italianizma etj. Shtojmë pyetjen: Mund të jetë kjo, ndoshta jo e para, por nga të parat këngë për LV? Themi se po. Na vjen në ndihmë edhe ky fakt. I rritur në luftëra për liri, qysh në Janinë etj., bashkë me Sali Muratin, Selam Abazi njihej si këngëtar me emër në mëhallën e Bite, në fshat e krahinë. Ndërkohë njihej dhe si trim me nam. Mendojmë se është këngë bazë, e mirëfilltë si njësi folklorike dhe nga të parat për LV edhe për këto arsye: I) Në librin e nivelit akademik “Kujtime dhe këngë popullore për luftën çlirimtare të viteve 1918 – 1920” është e botuar dhe kjo këngë me shënimin: “Kënga është ngritur më 29 qershor 1920, në Kallafet të Kaninës (në fakt Kallafeti i përket Drashovicës, shën. im – AH). Me këtë këngë në gojë çetat e luftëtarëve u hodhën atë natë në sulm.”[9] 2) Te “Epika historike, 3”, nga ku morën këngën në fjalë, për ta parë në planin krahimtar me variantet e mundshme të gjetura, është dhe shënimi “Kënga është ngritur nga Selam Abazi, nënkomandant i çetës së Tërbaçit, më 29 qershor 1920, në Kallafet të Kaninës. Me këngë të tilla në gojë çetat e luftëtarëve hidheshin në sulme kundër armikut. KK popullore 1918- 1920. AIKP  M. [Musa] Muho, Tërbaç – Vlorë, 1964 ( fl. 16, f. 50.” [10] 3) Informacioni i marrë nga të dy djemtë e krijuesit luftëtar është i besueshëm dhe i verifikueshëm jo vetëm nga tre burime, por nga të gjitha burimet, se në Tërbaç pleqtë e dinë dhe e pranojnë që këtë këngë e ka bërë Selam Abazi, që, sipas tyre, qe “trim i tërbuar dhe këngërek i math”.

Në fillimet e luftës, çeta e Tërbaçit dhe e Dukatit kishin malin e Shashicës, qysh nga ana e detit e deri në Qafën e Brumbullit…Mësojmë se një plak nga Tërbaçi, por trim i fortë, i quajtur Selman Aliko, doli në buzë të përroit Megallako dhe i foli anës sonë në Brumbull për t’i dërguar municion. I dërguam menjëherë me Elmas Ademin nga Ramica një kafshë me municione… Rapsodi Xhebro Gjika ka një këngë të gjatë “Lufta e Vlorës 1920”. Ja disa vargje: “Në Vlorën me histori/ është lufta që ka bërë/ më njëzetë me Itali/ me ca të rrallë dyfekë/ të rrëmbyer në Turqi/ ca sëpata dhe hanxharë/ u derdh mbi artileri/…Kapedan Sali Muranë/ plagë plumbi mori tri,/ Selman Hysen zemërstërrallë,/ i ra gjylja në kërci…/ E ç’gjë t’u këndosh më parë/ një argjend e një flori…”

Gani Iliazi më tej vazhdon: “Për luftën e Shashicës, gazeta “Dielli”, organ i Vatrës në Amerikë, shkroi një kryeartikull, në të cilin duke lavdëruar luftën dhe trimërinë e luftëtarëve të Shashicës më kujtohet se thoshte: “Tërbaç – por duhet t’u thonë të tërbuar”. Kështu lavdëronte gjithë trimat e Luftës së Vlorës. Komandanti i çetës Selman Hyseni vlerësonte vullnetin e sekretarëve Muço Delo, Nuro Ahmeti e Gani Iliazi, që s’u ndaheshin luftëtarëve, edhe pse i çmonte dhe i ruante për të tjera detyra. Nga libri njihemi me të tjerë trima tërbaçiotë si Hysen Sinani, Sali Gjika, Ali Bozheku, Musa Muho fare i ri, Beqir Selimin e papërmbajtur. Dëshmorë të kësaj lufte nga Tërbaçi janë Qamil Mezini e Sali Gjika. Shehitë i quan autori. Të plagosur janë Selman Aliko, Selman Hyseni, Islam Harizi, Ali Bozheku, Cano Aliu, Xhebro Gjikaj etj.

Në librin e tij “Të njohësh gjakun tënd”[11] Mujo Halili (Gjondeda) jep këtë portret për komandantin e çetës së Tërbaçit në Luftën e Vlorës: “Selman Hysen Gjondedaj (1882 – 1940)”. Që në moshë të re, Selmani dallonte për zhvillimin e tij trupor. Ai kishte një trup të gjatë, muskulor dhe të fuqishëm. Lidhur me fizikun e tij nëna më ka treguar: Sipas zakonit, kur në fshat ndërtohej një shtëpi merrte pjesë duke ndihmuar pothuajse i gjithë fshati. Në kohën kur Ali Gjoka ndërtonte shtëpinë kishin shkuar shumë të rinj nga fshati duke ndihmuar në transportimin e materialeve. Ndër djemtë e tjerë transportonin dy vetë me trarin i vetëm në sup i tha: “Subuhan alla”…Selmani së bashku me Halilin dhe Çaushin, (vëllezërit e tij – shën. im, AH) mori pjesë në ngritjen e flamurit në Vlorë, më 28 nëntor 1912. Gjithashtu, së bashku me Halilin, Laze Malon, Abaz Koçiun etj., në vitin 1913, ai mori pjesë në Kuvendin e Mesaplikut, ku drejtues ishte Ismail Qemali. Selmani ishte jo vetëm i fuqishëm, por edhe trim e zemërzjarr. Për këto cilësi në Luftën e Vlorës, më 1920, me propozimin e Halim Xhelos e Murat Tërbaçit, fshati e zgjodhi komandant të çetës së fshatit. Këtë detyrë ai e kreu më së miri. Megjithëse u plagos në të dy këmbët, nga gjylet e topave të armikut, ai nuk u tërhoq deri në çlirimin e plotë të Vlorës nga pushtuesit italianë. Për trimëritë e tij, të treguara në luftë, rapsodi popullor i ka thurur këto vargje: “Selman kobure argjendi,/ U flet shokëve: mos u trembni,/ Po i bini këtij qeni,/ Sa të shporret nga vendi…”. Në Luftën e Vlorës, më 1920, kundër pushtuesve italianë, Selman Hyseni në frontin e luftës e të betejave bashkëpunoi ngushtë edhe me udhëheqësit e kësaj epopeje si: Osman Haxhiu, Ahmet Lepenica, Ibrahim Abdullahu dhe me kryetarët e çetave të tjera. Trimëritë e tij Selmani i tregoi edhe pas Luftës së Vlorës. Në vitin 1925 kishte ardhur në Tërbaç një ekspeditë me xhandarë, të drejtuar nga Emin Kalivaçi, për të mbledhur armë dhe për të djegur shtëpitë e Jahojve. Kjo për faktin se Hito Dalan Jaho kishte dalë firar (kaçak) dhe kërkohej nga regjimi i Zogut. Ata, të grumbulluar në shtëpi të Jahojve, ushtruan një dhunë të paimagjinueshme ndaj fshatarëve për dorëzimin e armëve dhe të kaçakëve. Në këto momente, sa mori vesh ngjarjen, Selmani, hyn me forcë, duke shtyrë xhandarët nga dera kryesore dhe shikon Emin Kalivaçin, i cili kishte zënë nga mustaqet Çelo Shakon. Duke parë këtë skenë poshtëruese, për një burrë, ai i bërtet Eminit me zërin e tij kumbues: “Hiqe dorën nga mustaqet se jemi burra dhe jo pula”. “Kujt i flet ashtu?- i përgjigjet kryexhandari. – E di cili jam unë? Unë jam Emin Kalivaçi”. Flakë për flakë Selmani i përgjigjet: “Ndërsa unë jam Selman Tërbaçi”. Në moment filloi përleshja. Kryeplaku, që ishte brenda, Halil Hyseni dhe njëkohësisht vëllai i madh i Selmanit, me intuitën dhe zgjuarsinë e tij, duke parë se gjakderdhja ishte pranë, del nga dera e pasme e shtëpisë (porta e vogël) dhe jep alarmin. Brenda një kohe të shkurtër u mblodhën me dhjetëra burra, gra e fëmijë të armatosur me armë e mjete rrethanore. Gratë, të udhëhequra nga Dike Alika (Gjoka), Sado Kajtaz Gjondedaj, Pero Koçiaj (Gaçaj) etj., i bëjnë thirrje shtetarit të tërhiqet. Ndërkohë, kryeplaku hyn brenda i irrituar dhe armatosur jashtë: Emin Kalivaçi iu drejtua kryeplakut për të ç’tensionuar situatën. Kryeplaku i vuri dy kushte: së pari, të largohej menjëherë nga fshati, së bashku me xhandarët dhe të raportonte se në Tërbaç nuk kishte armë dhe, së dyti, në vend të djegies së shtëpisë së Jahojve të digjej një mullar me bar.

Dhe kështu ndodhi. Ai u largua me “bisht ndër shalë”. Kjo falë trimërisë së Selmanit, kombinuar me zgjuarsinë e Halilit. Trimëria në Luftën e Vlorës e bëri Selmanin të njohur në krahinë e kaza, sidomos me familjet patriote të njohura si: Sharraj, Xhindaj, Abdullahu, Mezini etj., familje këto me të cilat Halili kishte njohje dhe miqësi më të hershme. Dëshirojmë të trajtojmë një rast konkret, tepër të ngushtë e lokal, me synimin që nga e veçanta shkojmë tek e përgjithshmja, sepse pjesët përbëjnë të tërën dhe duke përmbledhur e përgjithësuar pjesët e veçanta të dukurive, ngjarjeve, dokeve, traditave, virtyteve, komuniteteve, si një e tërë shqiptare, me lidhje e marrëdhënie ndërmjet pjesëve të këtyre komuniteteve dhe vlerave vitale që ata mishërojnë arrijmë në përgjithësim, në sintezën e fitores së Njëzetës. Patriotizmin, ashtu sikurse gjithë shqiptarët, edhe toskët, labët, lumasit, mesaplikasit, edhe tërbaçiotët e kanë pasur në gjak dhe, si gjithmonë, edhe në në LV kanë dhënë prova për të. Atdhedashuria ishte ylli polar që frymëzoi pleqtë, burrat, gratë dhe rininë në luftën për çlirimin e Vlorës dhe trojeve të tjera shqiptare të pushtuara nga kolonizatorët italianë. Në LV, ku i pari i Tërbaçit Halim Xhelo në Beun të Velçës mblodhi burrat e krahinës, hodhi kushtrimin për çlirimin e Vlorës nga pushtuesit. Në atë mbledhje, mori pjesë jo vetëm Halimi si organizator, por edhe shumë burra të shquar tërbaçiotë. Fill pas mbledhjes, pjesëmarrësit mblodhën fshatin dhe çdo familje pa përjashtim u përfaqësua në çetë me një burrë[12]. Ky ishte ligj i padiskutueshëm edhe pse i pashkruar, se ashtu qe vendosur nga krahinarët, burrat e kuvendeve. Nuk qe vetëm për Tërbaçin, ky vendim burrash, por për të gjithë, atje ku ra e u ndie bobla: nga Kolonja e Devolli në Çamëri, nga Skrapari në Elbasan e Kavajë, nga Myzeqeja në Korçë e jo vetëm në Lumin e Vlorës, Kurvelesh, Tepelenë, Mallakastër, Himarë e Labëri. Edhe kënga e thotë: “Binte bobla fshat më fshat…”. Bobla, një mjet akustik prej briri me të cilin jepej kushtrimi, një bri dashi në formë hinke, ishte sinjali i alarmit, i kushtrimit për liri, për të shporrur hasmin që shkeli në kufi e livadhiste në trojet e tyre, as i ftuar si mik, as për ndihmë kërkuar. Duke u kthyer tek detaji, vijojmë me rrëfimin e 82 vjeçarit Mujo Gjondeda se çetën e Tërbaçit e komandoi biri i fshatit Selman Hysen Gjondeda. Në këtë luftë fshati i Tërbaçit dha dy dëshmorë: Sali Selman Gjikën dhe Qamil Mezin Cacën. Gjithashtu, në këtë luftë pati edhe shumë të plagosur, midis tyre edhe komandanti i çetës Selman Hysen Gjondeda. Atij gjylja i plagosi të dyja këmbët por pa pasoja për jetën. Kjo luftë pati jehonë dhe bëri që zëri i Shqipërisë të dëgjohej edhe në Europë. Dhe populli i këndon kësaj epopeje: “Ç’është kështu si dëgjojmë?/ Bënet – ë dyfek në Vlorë,/ Shqiptarët po luftojnë/ Me një mbret dyzet miljonë”[13].

Edhe nga Mexhit Kokalari marrim një informacion të rëndësishëm për një nga bijtë e shpatës shqiptare, për njërin nga trimat e kryengritjeve popullore, Selman Hysen Gjondeda, që nis me vargjet e këngës: “Sokëllin Selman Hyseni,/ I tërbeçe kryetari/ – O burra me dorë t’i zëmë/ Topat e atij barbari.” Ishte një burrë gjigant, rreth dy metra i gjatë, shpatullgjerë, truplidhur, me duar të fuqishme dhe me sy shqiponje. Mbante mustaqe të gjata e të kthyera deri tek mollëzat e faqeve. Buzëqeshja dhe fjalët e tij të ëmbla qysh në fillim të bënin për vete. Gjithë ai gjigant të vështonte në sy, kur kuptonte mikun dhe sikur gjithë fytyra i ndritte. Me armikun shpërthente si harku që shkrep vetëtima mbi Çikë  në një natë dimri me tufan. Trimëri e patriotizëm, fisnikëri e bujari kullonte. Fjala e tij në kuvendet e burrave të fshatit e të krahinës peshonte si guri, dallohej veçanrisht për logjikën e fortë dhe për këmbënguljen e tij në zbulimin e së vërtetës, ndërsa kur flitej për mbrojtjen e Atdheut, çika i lëshonin sytë, s’e mbante dot vendi: “Mor, sido që të na bëjë hasmi, nuk na e shkul dot Shqipërinë nga duart tona, ka zot vatani” – thoshte xha Selmani. Furtuna të shumta kaluan mbi Atdheun tonë, por në çdo kohë Selman Gjondedën e gjeje në këmbë, vazhdimisht me armë në dorë pranë vegjëlisë kryengritëse fshatare të Lumit të Vlorës.

Kur lufta lufta me shovinistët grekë, të cilët qysh në fillim të marsit 1913 kishin vërshuar në brendësi të vendit dhe kishin arritur deri në Salari, ndërsa nga krahu i Bregdetit e kishin kaluar Palasën dhe e kishin rrethuar Vlorën me luftanije, “bijtë e gjalmëzezave” rrëmbyen përsëri armët. Sipas folklorit: “Ngrehu moj e shkreta Vlorë,/ Të rrethosën me pamporrë./ Jorgua me kriq në dorë…”.

Më 25 dhjetor 1914 forca të shumta detare italiane të komanduara nga admiral Patrisi zbarkuan në Vlorë. Toka shqiptare u nxi nga uniformat blu të marinarëve të shumtë italianë. Ky admiral grabitqar e lajmëroi me mburrje Romën se imperializmit italian iu shtua dhe një bazë e fortë matanë detit. Kanali i Otrantos u vu krejtësisht nën kontrollin e plotë të Italisë. Por këta imperialistë i kishin bërë hesapet pa pyetur të zotët e vërtetë të vendit.

Sipas kujtimeve të veteranëve, çeta e Tërbaçit, mbas disa ditë luftimesh të egra rreth kalasë së Kaninës, më 1 korrik 1920, me urdhër të KMK, u vendos afër qafës së Koçiut. Kryengritësit, duke rrëshitur nën hijen e ullinjve, çdo ditë e ngushtonin rrethimin. Vlora, skela e bukur shqiptare, vendi ku u ngrit për herë të parë, mbas 500 vjet robërie Flamuri Kombëtar, duhej çliruar. Pushtuesi italian duhej të hidhej në det. Ky ishte urdhëri i prerë i KMK.  Italianëve çdo ditë u ngushtohej laku në fyt nga trimat e Shqipërisë. Luftëtarët shqiptarë u qenë afruar shumë pozicioneve të armikut, të rrethuara me tela me gjemba, ku vareshin me qindra e mijëra kuti bosh konservash, të vëna me qëllim nga italianët që të ndjenin zhurmën e tyre, po qe se prekeshin telat nga kryengritësit. Natën gjithë zona e luftëtarëve shqiptarë ndrinte nga projektorët e shumtë që kishte vënë ushtria italiane për të diktuar lëvizjet e tyre. Pushtuesi italian jetonte ditët e fundit në tokën shqiptare. Erdhi dita e sulmit. Ishte mënges herët. U dha sinjali i sulmit të përgjithshëm. Të gjithë u lëshuan si petrita. Krismat e maliherëve dhe të mauzerëve u përzien me sokëllimat e luftëtarëve shqiptarë të ardhur nga të gjitha anët e Atdheut për çlirimin e Vlorës. Nga trimat e Tërbaçit që i hodhën të parët gunat mbi tela ishin Selman Hysen Gjondeda, Selam Abazi, Boro Salati etj. Sipas këngës popullore, “Selman Gjondeda kërceu/ Italianët – ë  i shqeu…/ Me dyfet të austriakut/ U grisi zhapën e barkut…”. “Përpara vëllezër, o burra, t’i zëmë të gjallë”, thërriste komandant Selman Gjondeda, dhe lufta kudo vazhdonte me tërbim. Italianët kishin vënë në përdorim të gjitha llojet e armëve të zjarrit nga më modernet e asaj kohe. Me qindra gryka zjarri të italianëve derdhnin zjarr dhe hekur mbi kokat e luftëtarëve shqiptarë. Fortifikatat e pushtuesit ishin krejt të veshura me betonarme, por shqiptarët s’pyesnin për llojet e shumta të armëve të tyre dhe as për divizionet e gjeneral Piaçentinit. Të gjithë këta bij të vegjëlisë shqiptare, pa i rrahur qepallat, u hodhën mbi fortifikatat e italianëve, duke u përleshur dhe brenda tyre grykë më grykë. Komanda italiane, në këtë gjendje të vështirë, edhe pse mund të rrezikonte ushtarët e saj, filloi të rrihte me artileri dhe vijën e parë të frontit. Gjylet kudo binin si breshër, por shqiptarët përlesheshin fyt më fyt me italianët. Në këtë kohë, një copë e predhës së artilerisë armike i këputi një pjesë të kofshës dhe të krahut komandantit trim Selman Gjondeda. Byrazeri (vëllami- shën. im: A. H) i Selmanit, Boro Salati, i mbiquajturi flutura e çetës, u hodh haptas në pozicionin e Selmanit. Një mur me gjokse luftëtarësh u ngrit rreth komandantit të plagosur. Atë menjëherë e mbartën në krahë dhe e shpunë mbas frontit. Gjaku i kësaj shqiponje të Tërbaçit i mbuloi dhe shokët që e ngritën në krah. Luftëtarët e Tërbaçit e shpunë komandantin e tyre në spitalin e patriotëve në Kotë. Veteranët thonë se, edhe kur i prisnin muskujt dhe kockat e copëtuara këtij trimi të paepur të Labërisë, ai asnjë rënkim nuk lëshonte gjatë operacionit. Sipas kujtimeve të bashkëkohësve, fjala e parë e tij pas operimit ishte: “A u çlirua Vlora?” dhe mbasi u vu në dijeni për këtë sihariq të madh, i përqafoi shokët duke u thënë: “Tani do të vdes i qetë, nuk na vajti kot gjaku që derdhëm për Shqipërinë”. Trimërinë dhe patriotizmin e madh të kësaj shqiponje të Tërbaçit populli e përjetësoi në këngë. Portreti moral dhe fizik i luftëtarëve është gdhendur si me daltë dhe në mënyrë origjinale nga këngët popullore: “Kush e njeh Selman Hysenë,/ Copat e gjyles e shqenë,/ Derdhi gjak për mëmëdhenë…/ Selman kobure ergjëndi,/ u thosh djeme: – Mos u trëmbi,/ jemi bij të këtij vëndi”[14]. Caush Tafili karakterizohet “Zorkath mali”; “vetëtimë shëndreu” paraqitet Selman Hyseni. “Në Bolen’ kush qe i parë?/ Mato Robi, djal’ i gjallë,/ Trimi me shokë të rrallë./ Selman, gjarpëri me pika/ Nga Tërbaçi, n’ato gryka,/ Që s’e nji’ se ç’ ishte frika,/ Vetëtimë shënëndreu,/ Si ujku në dhën kërceu,/ Italianët – ë i shqeu”[15]. Rapsodi, me fjalë të ngjeshura mirë, i kursyer në fjalë, duke e përdorur atë si thesar, jo duke e shpërdoruar, na jep portrete shumë tërheqës, ku buisin figurat stilistike bukur, marrë nga mjedisi floreal, nga fauna, fenomenet atmosferike, meteorologjike, natyrore, që ndodhin në trevën përkatëse.

Luftëtarët idealist për luftën që bënë u shpërblyen me nga një qylaf të bardhë dhe u kthyen nga erdhën. Të dëshpëruar këndonin këngët e tyre të preferuara popullore, si: “…Ca të parë të kombit tënë,/ Shitën baltë, nder e nënë,/ Për një lugë të ergjëndë,/ Seç u mori dreqi mëndë…/ O të shitur në Evropë,/ Të nderuar mbemë na,/ Ata që qenë të holltë,/ Aferim, o fukara…”). [16]

Punimi i studiuesit M. Kokalari, me të cilin bëmë verifime e krahasime, si dhe perifrazuam e morëm ndonjë paragraf a variant kënge, nuk është një trajtesë e mirëfilltë historike, as edhe një punim i mirëfilltë folkloristik, por një harmonizim i fakteve historike me trajtimin folklorik, ku gërshetohet argumenti logjik me elementin emocional. Paraqitëm të dhëna nga ky material, duke paraparë ecurinë atdhetare të atyre që bënë Luftën e Vlorës për të kuptuar se të gjithë personazhet historikë që u shfaqën në LV, se të gjithë heronjtë që këndohen në EHLV, nuk dolën në skenën e historisë papritmas në verën e vitit 1920, por ata ishin formuar më përpara nëpër luftra e bejeta kundër koshadheve dhe forcave të errta të huaja që kërcënonin, sulmonin dhe pushtonin vatrën e tyre, Shqipërinë.

Ago Agaj, si  një Marub i portretit të shkruar për ata luftëtarë që ka njohur, vetëm me 9 rreshta, ja si na e paraqet Selman Hysenin: “… vinte nga malet e Tërbaçit, me karakter të thjeshtë e burrëror, u shqua në LV si kryetar i çetës së fshatit të tij dhe u simpatizua prej të gjithë atyre që e njihnin. Vigan me trup, nuk mund të përmbysej, veçse prej një vigani të madh dhe ashtu ngjau: në Çikën e Tërbaçit e zuri nën vete një bredh kolos e i dha fund jetës së tij që në rini, aty nga fillimi i dhjetëvjeçarit të tretë të këtij shekulli (v. 1940, shën ynë. AH). Të gjithë u përlotën për të e më shumë Qazim Koculi atje larg në Vjenë, ku ndodhej syrgjyn[17].”. Vite më parë, botuam një monografi me bashkëautor Haki Gjondeda, të birin e njërit prej viganëve të Njëzetës, Selman Hysenit. Libri çelet me “BALADË KRESHNIKE – komandantit të çetës së Tërbaçit në Luftën e Vlorës, kapedanit Selman Hysen Gjondeda -Ecën një njeri,/ Lartuar si lis,/ Nëpër histori./ Kur përmbi Atdhe/ Moti u bë pisë -/  Shkëlqeu mbi re./ Vet’ Selman Hyseni,/ I gjatë sa plepi/ Atje shkroi emrin./ Eshtër e lavdisë,/ Pipinot i shqepi,/ Ujk i Labërisë./  Del sokol i Qores,/ Syri yn’ i ndritur,/ Portret i fitores./ Shkëmbinj rrokulliste,/ Si kreshnik i ngritur,/ Të errtën vithiste,/ Bashkë me Zigurin,/ Bashkë me Kananin/ Dhe Sali Flamurin;/ Me Sado Koshenën,/ Hodon e Selamin/ E nisën legjendën./ Dhembja pas furtunës,/ Shtërngatës që grisi,/ S’ja gërvishi udhën./ Plagët grindavece,/ As i begenisi,/ Drejt legjencë eci./ Ligjëron epike/ Nëpër qiell nami/ Oh, për një bredh Çike. ALBERT R. HABAZAJ, Vlorë, 20. 09. 2002”[18].

Hasan Dosti, një nga “dëshmuesit e vërejtësit  më të cilësuar” për ngjarjet para, gjatë dhe pas LV, e quan LV, mbështetur edhe në dokumente, luftë të shpëtimit të Kombit tonë. Ai mban qëndrim, që na duket objektiv e realist, ndaj lojërave diplomatike të të mëdhenjve, të të fortëve të botës qytetare.  E thekson që Wilsoni kishte ngulur këmbë për shpëtimin e Korçës, që, me mesazhin e 10 shkurtit, deklaron se e quan të padrejtë zgjidhjen e gjetur më 13 janar, porse virtualisht mbetet në vendimet e Memorandumit të 9 Dhjetorit 1919. “Për këtë, pra, – shkruan Dosti – kufizohet roli i Wislonit, rol mbi të cilin është bërë gjithë ajo bujë. Kështu, pra, vula e Amerikës e vënë më 9 dhjetor 1919 mbetet e pashuar”[19], sepse Londra njihte një shtet shqiptar të pavarur, por në segmentin kufitar të ’13 – ës nga Veriu, në Lindje me Korçën brenda, por me Gjirokastrën dhuruar Greqisë, sipas kufijve të Memorandumit të 9 Dhjetorit 1919, të hipotekuar dhe me aktin e Senatit Amerikan, rezoluta e 17 Majit 1920. Ndër faktorët e shumtë ndikues të brendshëm dhe ndërkombëtarë për shpëtimin e Shqipërisë nga rreziqet, që erdhën si rrjedhim i LPB, i pari dhe më kryesori mendohet, gjykohet dhe pranohet se është gjesti trimëror i popullatës së Vlorës, rrethinave dhe gjithë shqiptarëve të tjerë pjesëmarrës e kontribues në këtë fitore vendimtare për fatet jetike të krahinës së Vlorës dhe të shtetit shqiptar.  Politika e krerëve vendorë (me prefektë Seit Qemalin e Qazim Kokoshin, me kryetar Bashkie Ali Asllanin, që sinkronizuan bukur, mirë, dobishëm vlerat atdhetare e qytetare me Osmën Haxhiun dhe KMK) mori format e një politike të të gjithë kombit, në kohën më dramatike, falë rrjedhimesh e rrethanash të caktuara, parë me syrin e kohës. Ajo luftë u drejtua nga Paria, nga agallarët, një pjesë e mirë dhe pa shkollë, por burra me influencë, me emër e një barrë nder, të pajisur me shumë  zgjim kombëtar, me virtytet civile më të mira, me shpirt therorie shembullore, nga të cilët shumë u vranë apo u plagosën, e nga plagët e rënda të marra në ballë të luftës me çetat e mbi 60 e ca fshatrave që luftuan për liri, disa edhe u fikën një nga një, pas 3 shtatorit, me ditë, me  muaj, me vite, si meteorë, për të mbetur të pashuar në kujtesën sociale të banorëve të mallëngyer nga bëmat e tyre. Mund të themi se atë luftë e bëri shtresa e mesme ekonomike e Vlorës dhe e krahinave, nga ku doli Paria (ose Parësia) dhe Komisioni, nëqoftëse  flasim me gjuhën popullore. Njihen në qytetin e Vlorës shtëpitë e para që janë Kokoshajt, Sharrajt, Mezinajt, e të tjerë, të cilët ishin lidhur me parinë e fshatrave me gjak, me anë kryshqish, miqësish, mendimi e gjykimi në kuvende, me ndihmë konkrete e besnikëri në luftëra, halle e nevoja ekonomiko – sociale përgjatë rrjedhave të  kohërave. Njiheshin Osmën Haxhiu e Duro Shaska, edhe më parë, që ishin nga më të pasurit në shoqëri, miqësi e në kaza, thuhej atëherë; ashtu sikurse njihej edhe shpirti i tyre bujar, i përzemërt, mikpritës e derë e hapur, jo vetëm për miq, por sidomos për hallexhinjtë, për të cilët shtëpitë e tyre ishin hane të papara. Ka një vrojtim nga H. Dosti, i cili i shkruan mikut të  tij A. Agaj, se politika atdhetare e Vlorës u drejtua  pikërisht nga produkti më cilësor i shtresës së mesme dhe “jo prej bejlerëve  e intelektualëve  politikanë e diplomatë të profesionit të karrierës”[20], se nuk duhej prishur qejf me të huajin, me të  madhin, (punë e madhe se qe pushtues!), se pastaj s’ka më ofiqe, kolltuqe, vertikalitet karriere.

Kur historia thotë se lufta e armatosur kundër pushtuesve imperialistë, si hapësirë, u shtri në trekëndëshin Vlorë – Tepelenë – Himarë, sepse këtë krahinë qeveria e Romës kërkonte ta aneksonte dhe aty ishin përqëndruar forcat kryesore ushtarake të pushtuesve italianë, na kujtohet trekëndëshi mitik. Kur këndohen vargjet e këngës: “Kota, Gjormi, Llogoraja/ Tre beteja të mëdhaja…”, vetvetiu trinia e shenjtë mikike na vjen ndër mend. Mitologu Mark Tirta, duke trajtuar kultin e numrave, në interpretimet e parakëve të njerëzimit, e quan treshin numër të shenjtë, numër fati, që në rit magjik, ka natyrë kultike. “Treshi në popujt primitivë është përdorur përveçse si sasi dhe “shumë”, “pasuri”, “lumturi”, “fat”, pra si numër fatndjellës, magjik, i mbinatyrshëm…Treshi thuajse në tërë popujt është numër magjik e lidhet me dukuri shenjtërie…Tripjesëshi ishte ndarja e universit në shumësinë kozmologjike të shenjtë: qielli – toka – ujët”. [21] Kulti i numrit tre edhe këngëtarit tonë i sjellka fat, ia bën më të sigurt fitoren, të bekuar, me atë gjeografi historie, me atë gjeografi folklori. Në fakt, bekimin fitorja e vulosi me trimërinë e bijve të vendit të shqipes, me luftën e drejtë që bëri, me mbështetjen që pati dhe me gjakun e derdhur për liri. Gjaku i derdhur për një ideal të lartë është substanca materiale, mbi të cilën mbin e rritet pema e lirisë. “Lufta e Vlonës asht një kunorë nderi e mburrjeje për kombin shqiptar”, shkruan studiuesi I. Strazimiri, duke e cilësuar vepër të lartë patriotike. “Vlonës i shkoi fuqi ndihmuese nga Shqipnija e Mesme e shumë anë të tjera,… Në Vlonë shkuen edhe bandat muzikore të viseve të ndryshme për me dyfishue guximin e luftëtarëve”[22], vë në dukje ai.

Si për çdo komunitet e popull të Ballkanit, të Europës apo të mbarë botës, edhe për shqiptarët, edhe për popullin e Vlorës, të rrethinave e të krahinave nga Toskëria dhe Gegëria që  morën pjesë a kontribuan për LV, pushtuesi ishte pushtues dhe pushtuesi pritej me luftë e jo me lule, si kudo.

Përveç burimeve të shkruara, materialeve tekstore të shtypura, kemi mundësuar krijimin e një blloku informativ me intervista, shënime bisedash me pyetësor, për të testuar mendimet që kanë sot njerëzit; si e mendojnë ata, si e gjykojnë dhe si e vlerësojnë qytetarët Luftën e Vlorës. Gjithashtu kemi vjelur këndvështrimin vlerësues të studiuesve, historianëve e folkloristëve bashkëkohorë, që bëjnë jetë aktive me botime dhe veprimtari konkrete kërkimore, studimore shkencore.

[1] XHAGOLLI, Agron, Etnologjia dhe folkori shqiptar, vep. e cit., f. 16[2] GJONDEDA, Mujo H., “Të njohësh gjakun tënd”, Toena, Tiranë, 2010, f. 20.

 [3] EH, 3, vep. e cit., nr. 303, f. 418.

[4] DIBRA, Miaser, “Metafora në këngët popullore shqiptare”, bot. i ASHSH, IKP, Nënë Tereza, Tiranë, 2007, f. 283.

[5] ZEQO, Moikom, “100 – vjet Pavarësi, Flamuri që ringjalli një komb”, ERIK, Tiranë, 2012, f. 108.

[6] GAÇE, Bardhosh, shih: parathënia e librit “Gjurmë të kohëve të përflakura” të Arshi Xhelilit, Eurorilindja, Tiranë, 1999, f. 4.

[7] OSMANI, Adem, “Do na bënet Shqipëria? Do na bënet në e do!”, Pavarësia, Vlorë, 2010,  f. 168.

[8] EH, 3, vep. e cit., nr. 272, f. 386.

[9] “KUJTIME dhe këngë popullore 1918 – 1920”, vep. e cit., nr. 92, f. 324.

[10] EH, 3, vep. e cit., f. 386.

[11] GJONDEDA, Mujo H.: “Të njohësh gjakun tënd”, vep. e cit., f. 58 – 61.

 

[12] KOKALARI, Mexhit, Trima të kryengritjeve popullore, Naim Frashëri, Tiranë, 1983, f. 188 – 197.

 

[13] GJONDEDA, Mujo H., vep. e cit., f. 20.

[14] KOKALARI, Mexhit, vep. e cit., f. 194.

[15] EH, 3, vep. e cit., nr.274, f. 388.

[16]  ALMANAK folkloristik, “Buçet kënga labe, përmbledhje këngësh popullore kushtuar LV”, Shtëpia e Kulturës dhe Krijimtarisë Popullore, Vlorë, Tiranë, [1970], f. 19.

[17] AGAJ, Ago, “Lufta e Vlorës”,Toena, Tiranë, 2002, f. 347.

[18] GJONDEDAJ, Haki; HABAZAJ, Albert, “Tokë e spërkatur me gjak”, Pavarësia, Vlorë, 2005, f. 4 – 5.

[19] AGAJ, Ago, vep. e cit., f. 364.

[20] AGAJ, Ago, vep. e cit., f. 366.

[21] TIRTA, Mark, “Mitologjia ndër shqiptarë”, bot. i ASHSH, IKP, Dega e Etnologjisë, Shkenca, Tiranë, 2004, f. 358, 359, 360, 363.

[22] STRAZIMIRI, Ismail, “Politika shtypëse mizore e pushtuesve serbë serbë në Dibër (Peshkopi) dhe lufta kundër tyre në muej gusht – shtator 1920”, “KK popullore 1918, 1920”, vep e cit., f. 211 – 212.

Filed Under: Featured Tagged With: Albert Habazaj, lokalizimi i kenges epike, te Luftes se Vlores

MITI I MALIT I ROVENA VATËS NË LETËRSINË SHQIPE

December 19, 2013 by dgreca

Shkruan: Sokol DEMAKU*/

Shumë akademik, historian, gjuhëtar të huaj me kohë e vite kanë rrugëtuar në vendin tonë, dhe nga ato rrugëtime ata kanë lënë dorëshkrime, të cilat përshkruajnë dhe paraqesin në mënyrë të denjë ndjenjat e tyre për vendin dhe popullin tonë.Akademiku anglez Henri Hollant i cili kaloi në vendin tonë i mahnitur nga natyra dhe bukuritë shënon tiparet dhe karakteristikat e banorëve te vendit tonë.

Liri gjatë udhëtimit të tij thotë: male me pamje të mrekullueshme, ngushtica dhe kalime të përkryera të një bote të mahnitshme, e peisazhe që asnjë shpirt artisti apo piktori nuk do mund ti paraqes apo krijoj. Këto mrekulli shtrihen njëra pas tjetrës, shfaqën mbas pyjeve larg e larg deri në pafundësinë e asaj që të kap syri. Pllaja dhe krahina të ndara nga përdredhja e lumenjëve, fushtat shtrihën nën një ngjyrë blu të ngrohtë e të qetë. Tomorri qëndron mes tyre  si një ishull blu i errët. Ai ndjek sytë e mendjes time duke më përzier të tashmen më të kaluarën…..
Malet e Shqipërisë janë të mahnitshme e përrallore.

Camille Paganel thekson: Egërsisë së këtij vendi i imponohen shqiptarët që në pjesën dërrmuese të tyre i takojnë një brumi të ashpër e të çeliktë, me një fytyrë të rreshkur, me një vështrim tejshpues, luftëtar trima e me instikte të tmerrshme. Bukuria maleve shqiptare trondit burrat, ndërsa eleganca shtang femrat.E reja Rovena VATA në studimin e saj monografik “Miti i malit në letërsinë shqipe” element dominant ka përfaqësimin e çdo cepi të Shqipërisë në aspektin gjeografiko- letrar që nga Veriu e gjerë në Jug me malet tona legjendare të cilat janë edhe themeli apo baza e këtij studimi e që edhe në të kaluarën këto male kanë qenë objekt studimi si u përmend më lartë nga shënimet e autorëve të huaj vite me parë.

Puna e kësaj studiueses të re të studimeve letrare dhe antropologjike në këtë fushë duhet përgëzuar dhe mendoj se kjo është një nismë e mirë e institucioneve tona që të përkrahen talentet e rinjë të cilët kanë mundësi ti japin shkencës sonë atë çka e meriton dhe ka nevojë për të.

Deri më sot nga shumë punime të autorëve të huaj që janë bërë në këtë drejtim, unë do ndalem dhe përmend në këtë aspekt dijetarin tonë të shquar profesor Eqrem Çabej (1908-1980), i cili që në vitin 1939 do na jap një pasqyrë të shkurtër, por duhet të them shumë të qartë, të mitologjisë sonë popullore shumë të pasur. E tani këtë me punën e saj madhore ka vazhduar e reja Rovena VATA, me punimin e saj shkencor “Miti i malit në letërsinë shqipe”.

Doket, adet dhe zakonet e caktuara, këto veprime magjike lidhen në shumicën e rasteve më jetën e malësorit tonë më stinët e motit, më festat e ndryshme, më ditë të shënuara, më kohën apo pjesën e ditës, por çka është më e rëndësishme ato lidhe më objekte dhe vende të caktuara. Është e njohur se disa adete apo rite bëhen në pranverë e të tjerat në vjeshtë, disa bëhen të martave e të tjerat të premteve, disa para dreke e ca pas dreke, është interesant se disa zakone apo rite lidhen me një vendbanim, të tjerat me një kodër, me një mal, apo lis, me varre apo vende të shenjëta ose te respektuara e kjo është ajo magjikja e tyre.

At Gjergj Fishta

Randsija e Folklores komtare.
Kushdo nieri i leters e i kalemit, e qi të jetë i zoti me perftue në mende të vet idén «Atdhé», kupton mirfillit randsín e madhe qi per kóm ká në vedvedi të mbledhunt e «folklorës» së tij komtare.
«Folklora» âsht pasqyra e kthjelltë e psihes së komit; âsht rrasa mermerit, më të cillen historija zgavrron t’endunt e të shendunt e popujvet; asht cehja e pashterrshme e gjuhsís e e letersís komtare.

«Folkloren», po, do të skjyrtojsh, po deshte me shkrue historín e komit, e cilla me hamende nuk shkruhet, por qi edhè pa tê komi jetë nuk ká; «folklores» do t’i siellesh, po deshte me shtue pasunín e gjûhës me fjalë të permvehtsueme, me frazeologí shprehsore, me shembulltyra të gjalla, dramatike; në «folklorë» prap ké me ndeshë më type mâ të nalta, më karaktere mâ të forta, e më motive mâ t’ardhuna e të perkueshme per zhvillimin e leteratyrës komtare.Kjo vepër mongrafike është e ndarë në tetë kapituj, të cilët pothuajse autorja rrugëton në kohë dhe vite me temën të cilën ajo ka zgjedhur ta trajtoj në monografinë e saj.

Do marrë pikënisjen në kohën e Lekë Dukagjinit me mitin e malit në Kanunin e Lekës duke vazhduar me traditën e malit në letërsinë e vjetër në kohën e Buzukut, Budit e Bogdanit, e do e trajtoj këtë mit si ai është realizuar në kohën e letërsisë romantike tek ne shqiptarët, pa i mbetur borxh romantizmit të shek. 20 me malin, malësorin dhe mitet e Fishtës, për të bërë një retrospektivë mjaft të thuktë me Kodin, Malin dhe Kanunin e Ernest Koliqit, por duke vazhduar me kohën migjeniane dhe ikjen e mitit të malit dhe fundin e romantizmit, për të kaluar te “Mali pa kod” i Martin Camajt  me “Mali si dhimbje” dhe “Mali si fatalitet” dhe duke përfunduar me rikthimin e  mitit të malit në letërsi në kohën e realizmit socialist tek ne.

Por është me vlerë edhe literatura e shfrytëzuar nga autorja në punimin e kësaj monografie sa voluminoze po aq edhe me vlera. Figurat mitologjike, të cilat në trojet tona dhe në popullin tonë janë aq të shumta janë shfrytëzuar me mjaft mjeshtri nga pena e saj, duke u nisur nga gjithë krahinat tona gjeografike në kohë të ndryshme, të cilat secila në regjionin e  tyre ka specifikat e veta, por duhet parë këtë edhe në aspektin se edhe individi si qenie ka veçoritë e tij në botën e tij vetjake në sferën e mitologjisë.

Kur lexuesi i hynë leximit të kësaj monografie ai do mishërohet me të dhe se nuk ka mundësi që për asnjë moment të ndahet nga leximi, sepse tematika e shtjelluar është ajo që atë e magjepsë dhe nuk e lejon të ndahet nga leximi dhe studimi i brendisë dhe përmbajtjes së monografisë. E këtu ai do bindet në atë se mitologjia është një minierë e pafund, në të cilën nuk ka të sosur xehja e cila hulumtohet, nxirret dhe përpunohet.

Pra Rovena i ka hyrë një punë serioze për të dhënë një pasqyrë sa më të plotë të mitlogjisë sonë, por realiteti është se duhet kohë dhe punë voluminoze sistematike hulumtuese si kjo e saj në terren, sikur veproi e reja Rovena VATA me gjithëpërfshirjen e trevave tona në njërën anë dhe në anën tjetër duke u mbështetur edhe në literaturën ekzistuese nga lashtësia gjerë në ditët e sotme.

Ky është ndoshta një inspirim që në të ardhmen të bëhet edhe me në këtë drejtim e ndoshta duhet një punë konkrete për mbledhjen dhe përpunimin e botimin e botës sonë mitologjike e cila në bazë të të dhënave është mjaft e pasur dhe po të hulumtohet si duhet do shihet se në popull është e ruajtur me fanatizëm deri më sot. Por, pra po shihet se brezat e rinjë kanë forcë dhe guxim që ti hyjnë një pune të tillë me vlera kombëtare si Rovena VATA me materialet e punuara dhe të hulumtuara fragmentare, të cilat i ka sistemuar dhe botuar në monografinë e saj studimore “Miti i malit në letërsinë shqipe”, pra duhet të themi se edhe ne kemi njerëz të aftë në mbledhjen, hulumtimin, përpunimin, interpretimin dhe studimin e folklorit tonë dhe lëndës folklorike dhe aq më tepër të saj letrare në trojet tona.

Mendja e një kombi është arsimi, zemra e tij — morali i përgjithshëm.

Fjalë e urtë filozofike shqipe

* Recension mbi studimin e monografisë së Dr. Rovena VATA

 

 

 

Filed Under: Kulture Tagged With: miti i malit, Rovena Vata, Sokol Demaku

PREZANTIM:POET NGA MËRGATA SHQIPTARE

December 19, 2013 by dgreca

Shkruan: Shaban Cakolli*/

Unë kurbetqari i pa fat,të cilin vala e migrimeve shqiptare,më përplasi në strehimoret e huaja, nuk jam as më shumë dhe as më pak,se mërgimtarët e tjerë shqiptarë,të cilët si rezultat i përndjekjeve,u detyruan të bredhin strehimoreve të Europës.Shkaqet e këtyre shpërnguljeve nuk duan  shpjegime,nga se ato i njeh çdo cep i botës.Ato shpërngulëje të viteve 90-ta,kishin arritur kulmin,i cili mund të krahasohet me me shpërngulëjet  më të mëdha shqiptare, gjatë historisë sonë,të realizuara sipas planeve,memorandumeve,emarrëveshjeve të fshehëta e të hapura,të strategëve të politikës pansllave.Megjithatë,këtë fat të keq e patën shumë vëllezër,punëtorë,shkrimtarë,poet,shkencëtarë,intelektual e fëmijë.Në strehimorën time ku banoj unë,kam një kthinë me libra mijëra sosh,nga shkrimtarë,poet,shkenctarë e historian,thjesht një pasuri të cilën më kanë dhuruar miqët.Kjo është pasuria ime më e madhe.Eh,kjo nuk ishte e lehtë për të e fituar!Si e fitova këtë pasuri të cilën e çmoj aq shumë?Këtë më mundësoi bashkimi ynë me mërgimtarët,bashkërenditja e veprimtarive tona,organizimet nëpër klube,shoqata,bashkësi,Lidhje Shkrimtarësh,e gjetiu,me një të vetmin qëllim:Për të ndihmuar arsimin,kulturën e traditën tonë  kombëtare,hulumtimin  e formave më adekuate,për mbrojtëjen e gjuhës,kulturës e traditës,rritëjen e gatishmërisë për të ndihmuar atdheun  nga mërgimi.Padyshim bashkimi e bënë fuqinë,forcon  miqësinë,kulturën,e forma më e mirë e njohëjeve e lidhjeve të miqësive është arti.Duke iu bashkangjitur këtyre aktiviteteve kam njohur shumë miq  krijues, më kanë dhuruar shumë libra nëpër takime,e shumë më kanë dërguar edhe mes postës.Në ato kthina të strehimores sime,kam një bibliotekë të madhe e të pasur me libra,të cilën e shquaj ndër pasuritë  më të mëdha që kam.Natyrisht unë nuk mirrem vetëm me libra,kam edhe shumë obligime tjera,por saherë gjejë kohë të lirë ato libra më thërrasin.Më thërret vet shpirti,e syri zgjedh tituj të tyre për të i shfletuar.Pasi të kem lexuar njërin nga librat e ndajë anash,të mos e ngatërroj me librat e palexuar.Sot duke i bërë një vështrim titujve të librave,më ra në sy një titull  i një libri interesant”Një copë atdhe”,e poetit  Sylë Bajrami.Një copë atdhe!Ende pa nisur leximin e këtij libri të mirë,disi në kokë më mbështollën mbamendjet e këtij emërtimi”Një copë atdhe”;të cilin nga fëmijëria e kam dëgjuar nga burrat në biseda nëpër oda,në këngët e rrapsodit,e gjetiu,për atdheun e copëtuar ku secili nga ne lëngonte për copëzen e vet të atdheut!Shumë prej tyre edhe kanë vdekur,pa e shijuar lirinë e asaj copëze të vendit të vet!Po,përse një copë atdhe?Atdheu ynë nuk është një copë,ai është i madh aq sa janë shtetet tjera të Ballkanit,vetëm se politika europiane e dënoi kombin shqiptarë më 1913,duke ia grabitur më shumë se gjysmën e teritoreve,për të ua dhuruar të ashtuquajturës Aleancë ballkanike!Po atdhetarët tanë gjatë gjithë historisë nuk kanë rreshtur punën,për ngritëjen e vetëdijes kombëtare.Shqipëria e shqiptarët kudo që ishin luftuan e fituan,ishin,janë e do të jenë të pavdekshëm.Ata kurrë nuk u përkulën e as nuk do të përkulen,para pushtuesëve lakmitarë.Frytet e tyre të përgjakura,i dhanë për të fituar secili copëzen e atdheut të vet,për të e bashkuar ate,për të mos e lënë copa-copa.Për këtë flet historia,flasin dëshmorët,dëshmitarët,edhe pse armiqët u munduan të bëjnë çmos që zëri ynë të mos dëgjohej askund.Po zëri i luftëtarit,poetit nuk okupohet,as nuk ka fuqi të e ndalë.Kush më mirë se poeti  Sylë  Bajrami,do të ngriste zërin për atdheun e vet,i cili drithëron e nxjerr nga shpierti,ate çka ndien për copëzen e atdheut të vet,të cilën e shpalos me vargje në përmbledhjen e tij poetike”Një copë atdhe”?Askush më bukur,më fuqishëm,më zëshëm,më artistikisht,se sa ia thotë Sylë  Bajrami.E ky poet i madh,rrugën e poezisë e ka nisur në kohën e shpërthimeve të mëdha,në ato kohë stuhirash kur pushtuesi po na burgoste,vriste,e na përndiqte në çdo cep të Europës.E në këto vlime të mëdha,në këto kohë stuhirash të mëdha,ndizeshin shpiertërat e poetëve,shpërthente art i fuqishëm sidomos te poetët e mërgimit,të cilët ishin dyfish të ngarkuar nga hallet:me hallin e atdheut të robëruar dhe mallin për te.Ishte ai fundshekull,kur Sërbia fashiste e kishte mbushur botën me shqiptarë të përndjekur,kurse bota fliste për një lloj demokracie;për njëfar bashkimi europian,e kur në Europë të vetmit të copëtuar jetonin shqiptarët,nga padrejtësitë europiane dhe nën thundrën fashiste sllave.Shqiptarët e dinin mirë se pa çlirimin e tyre nuk ka demokraci.Këtë e ka ndier më së miri poeti ynë Sylë  Bajrami,i cili çdo ditë po vargëronte vargje për copën e atdheut të vet,asaj cope të robëruar padrejtësisht,të cilën po e ndiqte me mall nga mërgimi.Poezia e mirë bëhet armë në duart e lexuesit,është këmbanë e frymëzimit për liri,është shprehëje e kohës në të cilën jetonim ne mërgimtarët,poeti dhe populli ynë i okupuar atëbotë,andaj poeti ynë Sylë  Bajrami nisi këtë shtegëtim,me shpiertin e ndezur,për të luftuar padrejtësitë e shekujve,nëpër hapësirën tonë kombëtare,duke protestuar me vargje,me talent e përkushtim kombëtarë.Para se të fusemi thell në shtjellimin e kësaj përmbledhëje të bukur”NJË COPË ATDHE”,të njohim pak lexuesit me biografinë e poetit  Sylë Bajrami: Sylë Bajrami u lind më 1959 në Kishnarekë të  Drenicës.Shkollën  fillore e kreu në  fshatin e lindjes, kurse gjimnazin në Drenas.Ka mbaruar studimet në Univerzitetin e Prishtinës në degën Filozofi-Sociologji.Me shkrime ka filluar të merret që nga koha e studimeve,poezitë e para i pati botuar në”Alternativë”,e cila botohej në Lubjanë,e më pas ka botuar edhe në revista e gazeta tjera,si edhe në”Bota Sot”:Që nga viti 1987,jeton,vepron e krijon në Gjermani,kurse ky është libri i tij i parë me poezi.

Motivi i poezive të tij është fund e krye motiv atdhedashuriePoeti  Sylë Bajrami u takon trevave të Drenicës,e asaj treve të përvuajtur,të cilët me gjakun e tyre gjithmonë hynë në historinë kombëtare të shqiptarëve.E me lavdinë e përjetshme të burrave të Drenicës,të cilët ranë për një qëllim të shenjët me qindra e mijëra,në atë rrugëtim Jasharajt u radhitën në krye të legjendës e u bënë legjendë e gjallë. Si për këtë,Sylë Bajrami me vargjet e tij poetike bëhet fanar,në dritën e fanarit të tijë flasin vargjet,të cilat na dëftojnë se liria e  Kosovës nuk mund të imagjinohej pa kontributin e çlirimtarëve.Herë-herë,pak vargje të tij flasin më tepër se mund të flet vargu,bëhen histori kombëtare.Si shembull,vargjet e tijë shtrojnë një sofër në Drenicë,ku poeti gjallon në sofrën e asaj kulle prej guri dhe shprehet:

E ka shtrue  Drenica sofrën

e fjalës e të bukës

në  Kullë te  Shaban Jashari

si në Kullë të Oso Kukës

Poezia shpalosë  motivin e jetës përballë vdekjes,në të gjitha kohërat e qëndresës,për të shenjëten Liri,nisë nga  Oso Kuka,deri te legjenda e  Jasharajve për të njejtin qëllim.Poeti nëpër vargje bënë dialog me dëshmorët e rënë,me të cilët jeta dhe vdekja rrinin ballë për ballë,vetëm për realizimin e ëndërres së madhe kombëtare.Poeti shprehë dhimbjen dhe krenarinë kombëtare nëpër sofrën e Drenicës,në ato kulla prej guri,që ishin qëndresa të popullit trim  Drenicas,e në strofën e fundit,i jep vulën poetike,duke u shprehur:

Kush lufton në atë kullë guri

Paska pvet Europa

Është Drenica  e  Adem Jasharit

Me  Azema e  Shota.

Poezia flet për përpjekëjet heroike nëpër kohë,për çlirimin,ku zjarri i lirisë gjëthnjë mbeti i pashuar,deri te  Epopeja e UÇK-së,e cila solli  lirinë e shenjët të një pjese të atdheut,edhe pse ideja jonë shkon përtej çlirimit të Kosovës,në shtetin natyral të cilin e njohën kohët e lashtësisë,e cila është detyrë dhe vullnet i çdo shqiptari.Vargjet e  Sylë  Bajramit janë vargje  dhimbje e krenarie,të cilat të i shtjellosh të tëra në një vështrim të shkurtër është e pamundur.Ato nisin me poezitë:Është Kosova djep trimërie,Kosharja e  Krenarisë,Ka ra Dielli mbi Tivar,Për Lirinë e shumëpritur,Çamërinë,Molla e Kuqe,e shumë tituj tjerë historiko-kombëtarë.Sylë Bajrami me përmbledhjen poetike “Një copë atdhe”,na del një poet i pjekur,ku poezia e tijë bëhet shkëlqim,me subjekt,lëndë e aftësi për të ndërtuar heronj me personazhe të spikatur,ku shprehet dhimbja,malli,dashuria,shpresa,krenaria dhe shenjtëria,si tek Adem Jashari,Agim Ramadani,Fehmi e Xhevë LLadrofci,Salih ÇEKU;etj…….Tek këto  fytyra eminente nëpër vargje subjekti është ndërtua aq bukur,sa lexuesit i duket sikur ngjarëjet janë zhvilluar mu para syve të tyre.Poezitë e  Sylë Bajramit janë me lëndë të pasur,me një shpirtërore të dëlirë,shprehëje me thelb artistik,sa të duket sikur një poezi  përmbledh tërë një kapitull,Shembullë tek poezia”Nëntor,2012″ku poeti shprehet:

28 Nentore 2012 !!

Njeqind vjete po e ruaj gurin,

pesqind vjete po e ruaj Flamurin!

Njeqind vjet me nate mbi krye,

njeqind vjete s’kan mujt me me thye!

Njeqind vjete me djepa plot,

njeqind vjet po e pres kete mot!

Njeqind vjet se humba shpresen ,

njeqind vjete e mbajta besen!

Njeqind vjete me zjarr ne oxhak ,

njeqind vjete s’muj mora hak!

Njeqind vjete po e rriti trimin ,

njeqind vjete po e prese bashkimin!

Njeqind vjet po u therras me loder,

njeqind vjete po u pres ne kete voter!

Njeqind vjete po e pres kete Mot,

marrue kjofte kush nuk vjen sot!!

Një poezi kushtrimi,thirrëje për agim kombëtarë.Çka mund të themi më shumë?Ishte fat që arritëm të kemi në dorë këtë përmbledhje,u pasuruam me imagjinatën dhe botën e pasur poetike,shpirtërore e ndjenjave të poetit,i cili përmes frymëzimeve na sjell poezi të cilat na e ngjallin kujtesën mbi historinë,mbi personalitetet kombëtare,,kujtesën mbi historinë e lavdishme dhe krenare.Padyshim edhe në përmbledhjen e  Sylë Bajramit,sikur të gjithë poetët e mërgimit gjejmë edhe tematikën e kurbetit,mall,dhimbje e thuajse gjysmës së kombit të mërguar,të cilin e shohin si detyrim të e trajtojnë poetët e mërgatës.Libri “Një copë atdhe” del si libër i arrirë,me vulë historiko-kombëtare,i pasur dhe i dashur për çdo lexues.Ne e përgëzojmë poetin për këtë libër të arrirë dhe i dëshirojmë edhe shumë libra tjerë.

* NJË  COPË  ATDHE

Sylë Bajrami

Biblioteka:FENIKSI

Redaktor:Naim Kelmendi

Design:Çajup  Kajtazi

Shtëpia Botuese:Rugova Art

Prishtinë 2013

 

 

Filed Under: Kulture Tagged With: poet nga mergata, Prezantim, Shaban Cakolli

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 22
  • 23
  • 24
  • 25
  • 26
  • …
  • 67
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • IMAM ISA HOXHA (1918–2001), NJË JETË NË SHËRBIM TË FESË, DIJES, KULTURËS DHE ÇËSHTJES KOMBËTARE SHQIPTARE
  • UGSH ndan çmimet vjetore për gazetarët shqiptarë dhe për fituesit e konkursit “Vangjush Gambeta”
  • Fjala përshëndetëse e kryetarit të Federatës Vatra Dr. Elmi Berisha për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë në Seancën Akademike kushtuar 100 vjetorit të lindjes së Peter Priftit
  • Shqipëria u bë pjesë e Lidhjes së Kombeve (17 dhjetor 1920)
  • NJЁ SURPRIZЁ XHENTЁLMENЁSH E GJON MILIT   
  • Format jo standarde të pullave në Filatelinë Shqiptare
  • Avokati i kujt?
  • MËSIMI I GJUHËS SHQIPE SI MJET PËR FORMIMIN E VETEDIJES KOMBËTARE TE SHQIPTARËT  
  • MES KULTURES DHE HIJEVE TE ANTIKULTURES
  • Historia dhe braktisja e Kullës së Elez Murrës – Një apel për të shpëtuar trashëgiminë historike
  • Lirizmi estetik i poetit Timo Flloko
  • Seminari dyditor i Këshillit Koordinues të Arsimtarëve në Diasporë: bashkëpunim, reflektim dhe vizion për mësimdhënien e gjuhës shqipe në diasporë
  • Ad memoriam Faik Konica
  • Përkujtohet në Tiranë albanologu Peter Prifti
  • Audienca private me Papa Leonin XIV në Selinë e Shenjtë ishte një nder i veçantë

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT