• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for December 2013

LOJA E RREZIKSHME E VASIL BOLLANOS PËR ANEKSIMIN E JUGUT TË SHQIPËRISË

December 14, 2013 by dgreca

Ne Foto: Vasil Bollano duke shpalosur Flamurin e Vorio-Epirit ne Himare/

Nga Arben LLALLA/

 Ditët të fundit po flitet se kryetari i OMONIA-s dhe ish-kryetar i bashkisë së Himarës Vasil Bollano të zgjidhet me votat e këshilltarëve shqiptar të Qarkut të Vlorës kryetar i këtij qarku. Shqetësuese janë zërat se nëse zgjidhet Bollano a do të ketë incidente në këtë qark sepse Vasil Bollano njihet si provokator që ka shkaktuar nxitje të urrejtjes etnike midis popullit shqiptar dhe atij grek. Vasil Bollano nuk është thjeshtë një emër, as një kryetar i një shoqatave etnike të grekëve në Shqipëri, por ai është një njeri që përgatit kurthe kundër çdo gjëje shqiptare. Nëse vërtetë Vasil Bollano zgjidhet me votat e shqiptarëve të Vlorës jam i bindur se ai do sjelli shumë provokime ndaj kombit dhe kulturës shqiptare gjatë viteve që do drejtoj këtë këshill. Prandaj për politikanët shqiptar që kanë vendosur të zgjidhin ekstremistin Vasil Bollano me votat e vlonjateve në krye të këtij qarku po sjellim disa të dhëna nga aktivitetet antishqiptare ndër vite të Vasil Bollanos kur drejtonte bashkinë e Himarës. Nuk ka qenë rastësi që Vasil Bollano vetëm 15 ditë përpara që Shqipëria të marri statusin kandidat për anëtarësim në BE të deklarojë publikisht se në Shqipëri jetojnë të regjistruar nga OMONIA rreth 300.000 grek.

Ngritjen në karrierën politike Vasil Bollano e filloj duke bërë aktivitete antishqiptare, duke deklaruar se jugu shqiptar banohet nga 300.000 grek dhe duhet të shpallet Autonomia e Jugut të Shqipërisë. Vasil Bollano udhëtoj nëpër disa shtete për të krijuar lidhje me ekstremistët greke, me një greqishtje të çalë Bollano deklaronte se do shpallë Autonominë në Himarë, por populli i Himarës e dënoj më 2011 me votën e lirë duke e nxierr në pension.

Gjatë vitit 2008 Vasil Bollano bëri disa takime me Babis Harallambos, një politikan grek që i përket grupacioneve ekstremiste, Harallambis drejton që nga viti 1981 shoqatës e Autonomisë së Vorio Epirit dhe organizon aktivitete për aneksimin e jugut të Shqipërisë. Bollano ka qenë njeri nga mbështetësit e fortë të shoqatës ekstremiste të minoritarëve grek Rinia e Vorio Epriti që e drejtonte Theofan Kaliviotis, ish-këshilltar në qeverinë Berisha 2009-2013.

Më 26 shkurt 2011, Vasil Bollano zhvilloj një vizitë në prefekturën e Thesalisë duke bërë disa takime me qëllim për të propaganduar Autonominë e Vorio Epirit. Ai në mbrëmje beri një takim me anëtarë të shoqatës autonomia e vorio epirit “PIRRO”, ku mbi kryet e Bollanos qëndronte flamuri i Autonomisë së Vorio Epirit.

Pjesëmarrja e Vasil Bollanos në aktivitetin antishqiptar ishte një veprim i hapur antikushtetues dhe një injorim që i bëhet Republikës së Shqipërisë për vetë faktin se Bollano ishte në atë kohë kryetar i bashkisë së Himarës.

Gjatë aktivitetit Vasil Bollano mbajti edhe një fjalim patriotik për çështjen e Vorio Epirit.

Kur është dashur të dënohej nga Gjykatat e Shqipërisë për korrupsion Vasil Bollano, ai nxirrte gjithnjë nga portofoli i tij një foto që e ka bërë më 2009 me zëvendëspresidentin amerikan Xhon Bajden. Me këtë foto i bënte presion edhe Berishës si mik i Bajdenit, por e vërteta e asaj foto është krejt ndryshe. Më 4 Nëntor 2009 kisha ortodokse në SHBA shtroj një darkë ku të ftuar kanë qenë mbi 2.000 persona, midis tyre Bollano dhe Bajdeni, me këtë rast Bollano i shtrëngon dorën z.Bajden dhe dikush me telefon i bëri një foto mikroskopike që Vasil Bollano do ta shfrytëzonte ndër vite për presione primitive me politikanët injorantë. Sot po të pyesim zëvendëspresidentit z.Xhon Bajden nëse i kujtohet Vasil Bollano i Himarës, ai do të përgjigjej se për herë të parë dëgjon për qytetin e Himarës, ndërsa njerëz me emra Vasilas ka dëgjuar, por Bollano nuk ka dëgjuar kurrë.

Në përfundim pyetja ime për ata që do ta votojnë Vasil Bollanon dhe do ti dhurojnë një postë të lartë shtetëror është

Nëse Vasil Bollano zgjidhet kryetar i qarkut të Vlorës a do ta shpalli e Autonominë e Vorio Epirit më 17 Shkurt 2014 me rastin e 100 vjetorit të shpalljes së saj nga ushtria dhe policia e Mbretërisë Greke? Kush na garanton se një gjë e tillë nuk do të ndodhi në Shqipëri, kur e dimë se kemi një shtet me struktura të brishta të zbulim dhe kundërzbulim kombëtar? Kur shumica e deputetëve shqiptar punojnë vetëm për xhepat e tyre duke shitur edhe ndonjë pjesë të Shqipërisë të tkurrur në shekujt e kaluar.

 Vasil Bollano, shefi për “Vorio Epirin”

 Vasil Bollano nuk është vetëm kryetar i OMONIA-s ai mban disa poste në organizatat ndërkombëtare greke që punojnë dhe luftojnë për Autonomisë së Vorio Epirit. Më 13 dhjetor 2009 është zgjedhur anëtarë i Bordit drejtues të Federatës Mbarë Epiriotase të Evropës, dhe është shefi për “Vorio Epirin”. Zyrat e kontaktit të shefit Bollano për “Vorio Epirit” janë në Sarandë, rruga nr.3 , tel. 003558522522, email v-ipiros@panipirotiki.eu

Gjithnjë shefi i “Vorio Epirit” Vasilis Bollanos kur e ka parë veten e tij se do përballet me ligjin për shkeljet në bashkinë e Himarës dhe mund të përfundojë në burg për korrupsion mafioz ai ka vrapuar në Amerikë, Australi dhe Gjermani për të kërkuar mbrojtje nga Lobi grek. I akuzuar disa herë për përvetësim të pronave, korrupsion, shkeljen e Kushtetutës së Shqipëri Bollano ka ditur të përfitojë nga darkat dhe koktejet që organizohen nga Lobi greko-amerikan për t’ju mundësuar ndonjë fotografi me personalitete botërore deri tek zëvendëspresidenti amerikan Joen Biden. Për këtë takim me sekonda të shoqëruar edhe me një foto Vasil Bollano shfrytëzoj një mbrëmje të organizuar nga Patriakana e Stambollit më 4 nëntor 2009, për nder të Patriarkut Egumenik Bartolomeios.

Gazetari grek provokon State Department SHBA për “Vorio Epirin”

Një nga personalitetet që e ka mbështetur Bollanon në Amerikë ka qenë gazetari grek tashmë i ndjerë Llambros Papandoniu i cili punonte gazetar i Greqisë pranë zyrës së informacionit të Departamentit Shtetëror Amerikan (State Department) si qindra gazetar të vendeve të botës pranë këtij departamenti. Gazetari Llambro Papandoniu gjithnjë me pyetjet e tij ka provokuar përfaqësuesit të shtypit State Department rreth “Vorio Epirit,” Vasil Bollanon dhe pavarësisë së Kosovës.

Më 28 shator 2007, Brifingun ditor të Departamentit të SHBA gazetari grek parashtron pyetje ndihmësit të zëdhënësit z.Tom Casey mbi Shqipërinë.

LlambroPapandoniu pyet: Gjykatat në Shqipëri vazhdojnë tu japin tokat dhe pronat e pakicës greke shqiptarëve. Sot ka pasur shumë protesta në qytetin grek të Himarës. Z.Casey, meqë qeveria shqiptare nisi një fushatë të re kundër grekëve në Epirin e Veriut. A keni ndonjë koment në kornizat e të drejtave të njeriut, për të cilën SHBA është shumë e interesuar?

CASEY përgjigjet: Z.Lambros, nuk jam i njoftuar me incidentin specifik të cilit i referoheni. Por do të kisha thënë gjithsesi, çfarëdo veprimi që ndërmerr qeveria e Shqipërisë apo ndonjë qeveri tjetër, pritja jonë do të ishte që ato veprime të ndiqen në bazë të ligjeve të atij shteti, të ndjekin normat dhe procedurat e vendosura dhe sigurisht që të jenë në pajtim me kushtetutën. Nuk e kam lexuar Kushtetutën e Shqipërisë kohëve të fundit. Por me sa më kujtohet ajo ofron një garanci të përgjithshme dhe të mirë për të drejtat themelore të njeriut.

Në 18 Dhjetor 2007, përsëri gazetari grek Papandoniu provokon zëvendësin e zëdhënësit të Departamentit SHBA z.Tom Casey me pyetje mbi Himarën dhe pakicën greke.

Lambros Papantoniou pyetje: Z.Casey, cila është politika e SHBA rreth pakicës greke në “Epirin e Veriut” në Shqipëri, meqë ditëve të fundit i tërë rajoni i Himarës është nën sulmet e turmave shqiptare, që kanë shkatërruar 35 kisha greke dhe kanë terrorizuar grekët?

Casey përgjgijet: Z.Llambros, nuk kam kurrgjë të re t’u ofroj për sa u përket çështjeve që kanë të bëjnë me integritetin territorial të secilit vend në rajon.

Sigurisht, besoj se është me rëndësi të gjitha shtetet e Ballkanit të kujdesen për mbrojtjen e të drejtave të pakicave dhe lirive fetare. Është ky një parim i përgjithshëm të cilit i aderojmë dhe e promovojmë. Nuk kam diçka specifike lidhur me këto incidente individuale.

Më 19 mars 2009, përsëri Llambro Papandoniu parashtron pyetje provokuese zëdhënësit të Departamentit z.Robert Woord mbi burgosjen e Vasil Bollanos.

Llambros pyet: Z.Wood, prefekti i Himarës në “Epirin e veriut”, Vasilis Bolanos është nën sulme të vazhdueshme nga ana e qeverisë shqiptare të Sali Berishës. Pa ndonjë arsye z.Bollanos do të burgosen qartazi për arsye politike. E di që sekretarja Hillary Clinton ka mendime të ndryshme sa i përket gjyqësisë shqiptare. Edhe njëherë do ti kërkojë menjëherë qeverisë të SHBA të ndalojë këtë plan politik jopopullor të Shqipërisë?

Z.Wood përgjigjet: Nuk kam dijeni për këtë çështje z.Llambros. Më vjen keq.

Llambros pyet: Por a mund ti përgjigjeni kësaj pyetjeje? Meqë është e rëndësishme.

Z.Wood përgjigje: Nuk jam i sigurt që është pyetje. Cila është pyetja?

Llambros pyet: Pyetja është që prefekti i Himarës do të shkojë në burg për çështje politike. Kërkoj ndërhyrjen tuaj për të ndaluar këtë lëvizje.

Z.Wood përgjigjet: Nuk do ti përgjigjem kësaj pyetjeje. Ju nuk parashtruat pyetje. Ju bëtë kërkesë.

Llambros pyet: Jo, pyetja është se ai veç më do të shkojë në burg për çështje politike.

Z.Wood përgjigjet: A më pyesni apo më tregoni çka të bëj? Nuk jam plotësisht i sigurt.

Llambros pyet: Pyetja është që ai do të shkojë në burg për çështje politike. Kjo bëhet me gjykim. Dhe unë do të kisha dash ju të ndërhyni.

 

Filed Under: Analiza Tagged With: arben llalla, loja e rrezikshme, Vasil Bollano

JU TREGOJ BRIGADAT USHTARAKE TE PUNES

December 14, 2013 by dgreca

*Gjatë këtyre dy dekadave të ndryshimeve demokratike në Shqipëri është shkruar  për burgjet famëkeqe të Burrelit, Qaf’barit, Tiranës, Gjirokastrës, Qaf’Muzinës ; është shkruar për kampet e përqëndrimt të Gradishtës, Grabianit, Savrës, Plukut, Gjazës e gjetkë, por nuk u shkrua asgjë për brigadat e ashtuquajtura ushtarake të punës, ku dërgoheshin djemtë e të persekutuarëve politik…/

* Në repartin e punës në Dushk të Lushnjës kishte poetë, artistë, humoristë, përkthyes, si Jorgo Bllaci, Sherif Merdani, Pjetër Radiqi, Gjosho Vasia e të tjerë…/

Nga TEKI GJONZENELI, Bloomfield N.J./*

Eshtë e pabesueshme, por përmbi dy dekada të kaluara nga fillimi i ndryshimeve demokratike, nuk është shkruar asgjë dhe nga askush për të ashtuquajturat: Brigadat Ushtarake të Punës.

Vendosa një të dielë t’i bëj një vizitë bashkatdhetarit dhe mikut tim familiar Prenjo Imeraj i cili banon në Astoria-Queens të qytetit të New Yorkut. Ne komunikojmë me njëritjetrin, pasi edhe ai bën vizita në familien time në Bloomfield NJ ku unë banoj prej 23 vjetësh. Unë e dija se në lagjen e tij banon prej vitesh një komunitet lushnjar dhe, natyrisht doktori ishte i lidhur me të, pasi në atë qytet pat punuar 37 vitet më produktive të jetës së tij si mjek i specializuar. E patëm lënë për ta pirë kafenë sëbashku në Kafe “Milan”, ku edhe mblidhen shumë lushnjarë dhe, doktorin e gjeta me një shokun e tij, i cili pasi u prezantuam u tregua shumë i çiltër gjatë bisedës. Quhej Kristaq Papa me origjinë nga Bubullima e Lushnjës. Ishte njeri përsëmbari dhe shumë i kulturuar. Aty mësova se kishte mbaruar Institutin e Lartë të Arteve, se kishte qenë edhe në Lushnjë me punë si regjizor dhe drejtor i Kinoteatrit dhe Estradës së Lushnjës. Madje kishte  punuar edhe në Fier, kinostudio e në rininë e herëshme kishte luajtur edhe në ndonjë film artistik shqiptar. Konsiderata mu rrit më tepër kur mësova nga dr. Prenjo se z. Kristaq kishte marrë për bashkëshorte vajzën e aktorit të mirënjohur të teatrit dhe kinematografisë shqiptare Ilia Shytit të ndjerë.

Këtu në këtë vend ne takohemi rrallë me njëri tjetrin dhe, unë fillova të flas pa rezerva, po kur z. Papa pa se, unë po flitnja më shumë për Lushnjën se sa për Vlorën time, ai ndërhyri me kureshtie:  -Po ç’ne Ju për Lushnjën, nga e njihni ju atë?

-E njoh, posi! U përgjigja unë, -atje kam kryer dy vjet shkollë të madhe, por edhe dy vjet torturash e peripecish të pa numurta.

– Në shkollën Bujqësore, pyeti z. Papa përsëri?

-Jo, jo! Kam kryer të dy vjetët e shërbimit të detyruar ushtarak në Repartin e Punës 2200 në Dushk. Dhe ndërsa zotëria zuri të mendohej për një çast, mendja ime më shpuri pas në prag vitet 60të të shekullit që kemi lënë prapa. Kaloj shpesh atyre anëve, po thuajse çdo vit, kur shkoj në Atdhe për të parë njerëzit që kemi lënë atje dhe, sapo kaloj urën e Rrogozhinës më lindin kujtime të herëshme dhe nuk ngopem së sodituri ato kodra pa mbarim në të majtë të udhës automobilististike të mbuluara nga vreshtat dhe ullinjtë e pa numurtë, të  punuara, sistemuara dhe mbjella nga duart tona, gjatë dy viteve të shërbimit të detyruar ushtarak në repartin 2200 Dushk të Lushnjës.

Unë kam lindur në Tragjas, por gjatë Luftës së Dytë Botërore babai na lëvizi në qytetin e Vlorës. Në vitin 1945 babanë tonë e arrestuan si antikomunist dhe. Si familie njerëzit e pushtetit nuk na shikonin me sy të mirë.Na pengonin ne fëmijeve të Muamet Gjonzenelit të vazhdonim shkollëat e larta. Kështuqë duke e ditur pozicionin tonë politik bënim punë të rënda krahu me kokën ulur. Kur vëllai im, më i madhi ndër katër vëllezër, Qamili u arratis në Greqi nga Saranda, për ne u rëndua edhe më tepër gjëndja politike dhe ekonomike. Më kujtohet si tani 18 gushti i vitit 1959, kur unë u ktheva nga plazhi në pragmbrëmje dhe e gjeta nënën time të prishur në fytyrë. Duke më zgjatur një copë letër foli tërë pikëllim: Duan të të bëjnë bedel, duket për tët vëlla që ka  përfunduar në Amerikë!  Ishte një fletëthirrje nga Dega Ushtarake e Rrethit për t’u mobilizuar në shërbimin e detyrueshëm ushtarak. E shtrenjta nëna ime! Pasi nxori nga thellësia e shpirtit një psherëtime dhëmbjeje, u largua për të kryer punët e saj. Unë e mora me mend se do më shpinin në ndonjë brigadë pune, pasi edhe im vëlla Qamil Gjonzeneli që andej u arratis. I patën ndërprerë studimet në Institutin e Fiskulturës në Tiranë dhe, e përplasën në një repart pune në Sarandë. (Te plote lexojeni ne  Diellin e printuar)

Filed Under: Featured Tagged With: brigadat ushtarake, Teki Gjonzeneli

“Lufte” Ne Korce

December 14, 2013 by Administrator

Në stadiumin ‘Skëndërbeu’ skuadra e Mirel Josës priste 27 herë kampionët e Shqipërisë, Tiranën, me bardheblutë që kërkon me çdo kusht pikë duke parë situatën e vështirë në renditje. U zhvillua një ndeshje e fortë dhe me nivel të lartë, me bardheblutë që ishin dominues të lojës ashtu siç ka pranuar edhe vetë trajneri Skëndërbeut Josa në fund të ndeshjes. Gjithçka është vendosur në minutën e 60-të të ndeshjes falë golit të ishit Sabien Lilaj që ndëshkon Tiranën e cila një minutë më përpara kishte humbur një rast ideal për gol. Skuadra e Maganit beson deri në fund te rezultati pozitiv por sulmi bardheblu nuk arrin të finalizojë dhe rezultati përfundimtar është 1-0, vendos goli Lilajt që nuk gëzon për respekt të ish tifozëve të tij. Deri këtu situata është normale, mbyllet në fair play ndeshja. Por nuk ishte e thënë të ishte e tillë situata në stadium. Sapo skuadrat janë futur në dhomat e zhveshjes fillojnë dhe incidentet. Ishte e pritshme që të kishte tension, por nuk mendohej asnjë moment që situata do degjeneronte në skena të dhunshme ku nuk kanë munguar gurët, shkopijt e gomës si edhe goditja e policisë. Prej vitesh ndeshjet ndërmjet Tiranës dhe Skëndërbeut janë shoqëruar me tension, kujtojmë këtu Superkupën e përpara katër sezoneve si edhe ndeshjen e parafundit të zhvilluar në ‘Qemal Stafa’.

Një papërgjegjshmëri e policisë që nuk kontrollon një tifoz të Skëndërbeut që shkëputet nga turma e ‘Ujqërve të Dëborës’ dhe drejtohet drejt sektorit të tifozëve bardheblu sjell dhe tensionin e situatës e cila për pak minuta ka dalë nga kontrolli. Tifozët e Tiranës reagojnë dhunshëm, duke goditur me stola tifozët kundërshtar dhe duke u konfrontuar me policinë të cilët humbasin kontrollin e situatës dhe sëbashku me Forcat e Ndërhyrjes së Shpejtë ushtrojnë dhunë ndaj ‘Tirona Fanatics’. Kundërpërgjigjen dhe këta të fundit duke goditur një polic i cili del i përgjakur dhe shoqërohet në komisariat. Nuk ishte e thënë të përfundonte gjithçka këtu. Tifozët shoqërohen në autobusat e tyre por të provokuar nga disa tifozë kundërshtar që ishin afruar aty, nga pakujdesia e policisë, ‘Fanatics’ zbresin nga autobusi dhe masakrojnë tifozët e Skëndërbeut. Policia shoqëronë 3 tifozë nga Tirana, të cilët pasi janë mbajtur për një orë në komisariatin e Korçës janë liruar dhe janë bashkuar me grupimin e tyre për të udhëtuar drejt kryeqytetit.

Në mesjavë mblidhet komisioni disiplinës në FSHF dhe do të jenë ata që do të vendosin për masat që do të merren ndaj kampionëve të Skëndërbeut që kanë dështuar totalisht në organizimin e ndeshjes. Tirana vazhdon të mbetet në vend të fundit, dhe shpresat për të qëndrruar në Superligë sa vijnë e shuhen. Kjo situatë e skuadrës më të titulluar në vend ka sjellë normalisht nervozisëm dhe te tifozët e bardhebluve që tashmë duket se nuk do të ndalen ‘në betejën e tyre’ për drejtësi.

SKËNDERBEU-TIRANA 1-0
Golat: S.Lilaj 58′
Gjyqtarë: L.Alla, I.Tartari, D.Korreshi

Filed Under: Featured

SHOKËT E DHOMËS Nr. 8

December 14, 2013 by dgreca

*Në kujtim të atyne që s’janë ma…/

*Koço Tasi, Foto Bala, Anton Dukagjini, Suad Asllani, Jakë Kodheli, Ali Selenica, Nosh Preka, Lan Kraja, Nikollë Zef Miraka, Sali Vata, Gjergj Gjeto Vushaj, Hamza Kuçi, At Donat Kurti, Loro Vata, etj. që i kujtoj me nderim të thellë edhe sot e kësaj dite/

*I veçanti Lan Kraja. Pader Meshkalla në dhomen e tij të errët, përdhese e plot lagështi çoi nji “Meshë” për Shpirtin e Lan Krajës./

Shkruan: Bep KUQANI/

Në mes të dhjetra dhe qindra shokëve bashkëvuajtës në burgun famëkeq të Burrelit, do të kujtoj disa të dhomës nr.8 që sot nuk janë midis nesh. Ata nuk janë pak. Po permendi disa prej tyne: Koço Tasi, Foto Bala, Anton Dukagjini, Suad Asllani, Jakë Kodheli, Ali Selenica, Nosh Preka, Lan Kraja, Nikollë Zef Miraka, Sali Vata, Gjergj Gjeto Vushaj, Hamza Kuçi, At Donat Kurti, Loro Vata, etj. që i kujtoj me nderim të thellë edhe sot e kësaj dite.

Asht e pamundun që mbas ma se 50 vjetësh të mbahen mend të gjithë, por shokët e kësaj dhome që ishin të gjallë deri në vitin 1998, kur unë emigrova këtu në Sh.B.A. dhe që mund të jenë gjallë edhe sot si  Nazmi Bici, Qemal Cucaj, Bardhosh Gjonzeneli, Syrja Toto, Pelivan Hazizi, Petrit Velaj, Patriot Xhelo etj, të cilët mund të dëshmojnë e ta plotësojnë këte listë edhe ma mirë. Me këtë rast dëshroj t’iu uroj të gjithëve shëndet, jetë të gjatë e lumtuni në familjet e tyne.

Ngjarja i takon vitit 1962. Këtë shkrim due t’ia kushtoj në mënyrë të veçantë njenit prej tyne :LAN KRAJËS, si nji figurë origjinale, krejtësisht e veçantë, i cili kishte nji forcë të tille e tepër të rrallë karakteri e inteligjence sa mundi t’i imponojë cilitdo që pati rastin t’a njohë (përfshi këtu edhe intelektualët që ndodheshin atëherë jo vetëm në dhomën tonë, por në të gjithë burgun), nji dashtni dhe respekt të veçantë.

Po kush ishte Lan Kraja dhe çka e dallonte atë nga të tjerët?

Lani ishte 26 vjeç kur në pranveren e vitit 1952 tentoi të arratiset në Jugosllavi për t’i shpëtue shtypjes së egër të diktaturës komuniste, ku po vuente përveç të tjerash nji vorfni të pa pershkrueshme : i pa punë, nji vëlla pak ma i vogël (edhe ai i pa punë), jetim pa nanë. Vetëm i ati punonte “me shpirt ndër dhambë” si bahçevan për 3800 lekë në muej (paga ma e vogël), sepse e kishte kalue moshën e pensionit të pleqnisë, por nuk kishte vjetërsi pune as për pension të pjesëshëm. Vetëm këto ishin t’ardhunat e tyne mujore.

Kështu mjaftoi kjo tentativë që Lani të dënohej per tradhti të naltë ndaj Atdheut me 15 vjet burg se tentativa për arratisje konsiderohej n’atë kohë si nji ndër krimet ma të randa.

I rritun dhe i “regjun” në vorfni dhe mjerim, langu i kungujve dhe i kasatravecave të ziem që perbante pothuejse menynë e përditëshme të gjellës së burgut, nuk i bante fort përshtypje. Ndërsa langun e groshës e konsideronte si nji miradi. Racionin e bukës prej 600 gramësh në ditë e ndante gjithmonë në tri vakte  megjithë urinë e madhe që e mundonte. Sepse duhet thanë se shumë të tjerë e hanin të gjithë për nji herë porsa e merrnin, që zakonisht vinte rreth orës 11,30-12 të ditës
Lani nuk kishte shkollë, i gjithë formimi i tij arsimor ishte shkolla unike që n’atë kohë ishte 7 vjeçare. Por ai kishte nji mendjemprehtësi dhe nji pjekuri të jashtëzakonëshme për moshën dhe nivelin e tij. Kjo përbante njanën anë të veçansisë; anën tjetër e përbante karakteri i tij i pa epur, ndershmënia dhe morali në shkallen ma të naltë; veçori këto që s’kishin si të mos u binin në sy jo vetëm shokëve të dhomës, por edhe të burgosurve të tjerë.
Ai kishte nji forcë arsyetim dhe nji logjikë që të habiste për shumë probleme që diskutoheshin në dhomë, edhe politike. Mbaj mend se kur  erdhi Hrushovi per vizitë në Shqipni -në vitin 1959- që u prit me aq pompozitet; fill mbas nji fjalimi që mbajti në Tiranë, Lani tha : “Edhe në mes tyne paska fillue kriza”. Për ne të gjithë shokët e dhomës kjo na u duk e pa besueshme dhe e pa konceptueshme; po kur të nesërmen dolem në oborr, në orarin e pajtosit siç e quenim atëherë, ndigjuem se edhe Xhevdet Kapshtica që ishte në dhomën nr.7 dhe Engjell Çoba në dhomën nr.2 kishin të njejtin mendim, gja që në fakt u vërtetue plotësisht ma vonë,
Por Lani kishte nji të “metë”: Nuk pranonte asgja, asnji ndihmë, prej askujt, as edhe nji cigare. Kishin tentue disa herë shumë shokë të burgut t’i ofronin ndonji ushqim, por ishte e pamundun për ta bindun që t’i pranonte.
Pader Pjeter Meshkalla, Hafiz Ali Tare Kraja, Gjergj Kokoshi, Xhevat Korça (që i dha fund jetës me grevë urije në burg) e shumë të tjerë, në orarin e “pajtosit” mundoheshin për t’i lanë diçka në dorë, por ai me shumë njerëzi dhe respekt refuzonte në mënyrë kategorike. “Unë kam ushqim -u thoshte- jepjani ndonji tjetri që s’ka”. Sa për duhanin, kur i ofronte ndokush ndonji cigare, ua priste shkurt “të falem nderës, por e kam lanë”!
Në të vërtetë ai mbante gjithmonë në fund të nji strajce të vogel dy-tri lugë sheqer dhe në fund të nji tjetre nji copë djath rreth 50 gram. Këto ai i siguronte nga “fondi” prej 500 lekësh që i Ati dhe vëllai ia dergonin në krye 4-5 muejsh, të cilat i harxhonte gjysmën për cigare dhe me gjysmën tjetër blente 1kgr. djath dhe 1kgr. sheqer. Kështu që atë grimë djath dhe atë fije sheqer ai nuk i hante por i ruente deri sa ti vinte 500 lekshi tjetër. Në kohën e bukës i vinte përpara dhe bante sikur hante vetëm sa për tu dhanë të kuptonin të tjerëve se “nuk jam pa ushqim”.
Mirëpo ky “marifet” i Lanit, pa shkue shumë kohë u zbulue nga shokët e dhomës dhe në mes të shokëve të tij ma intimë fillonin shakatë : “More Lan -i thonin-  a mundesh me na i dhanë edhe ne ato strajca “magjike” të djathit e sheqerit që s’u mbarokan kurrë”? Dhe ai po me shaka ua kthente “Konsumojini edhe ju në mënyrë po aq racionale sa edhe unë dhe nuk do të ju mbarohet kurrë”!
Nderkohë nuk i kishte mbetë veçse edhe nji vitë burg për të plotesue dënimin, mbasi kishte përfitue diçka nga dy amnisti. Mirëpo kohët e fundit ishte dobësue jashtëzakonisht shumë, kishte mbetun kockë e lëkurë. Të gjithëvë u dhimbej, të gjithë donin ta ndihmonin; por ishte e pamundun  ta bindje që të pranonte edhe gjanë ma të vogël.
Gjergj Kokoshi e Pader Pjeter Meshkalla menduen nji ‘dredhi” : biseduen me Hulusi Spahiun (ish gjeneral, n’atë kohë i burgosun politik që kryente detyrën e llogaritarit të burgut), i cili kur tu komunikonte të burgosunve lekët që u vinin nga familjet, ti komunikonte edhe Lanit çdo muej nji 500 lekësh, sikur ia çonte i Ati. Kur të bahej porosia për blemje ushqimesh, që bahej vetëm nji herë në muej, “shpenzimet e Lanit” do të zbriteshin në emnat e personave që ishin rregjistrue në nji listë që ia kishin dorëzuë Hulusiut.
Në krye të listës qëndronin emnat e Gjergj Kokoshit dhe Pader Pjetër Mëshkallës. Pastaj vinin me radhë Hafiz Ali Tare Kraja, Engjell Çoba, Sheuqet Muka, Dom Lazer Jubani, Xhevat Korça, Dom Loro Nodej, Foto Bala, Jak Kodheli, Suad Asllani e shumë të tjerë. Për hirë të së vërtetës duhet thanë se edhe Hulusi Spahiu kishte vue emnin e vet n’atë listë. Sqaroj se viti i kësaj ngjarje ka qenë 1962.
Vlenë për t’u shënue se kjo punë bahej në fshehtësi të plotë, duke u ruejtun jo vetëm nga Lani, por edhe nga komanda e burgut, sepse po ta merrte vesh kjo e fundit , të gjithë do të ndeshkoheshin jo ma pak se me nga nji muej në birucë, në çimento, pa asnji shtresë a mbulesë e, llogaritari do të hante barazhgen ma të randë.
Me këte “marifet” Lani filloi të porosiste rregullisht çdo muej ato pak ushqime dhe me këshillën e disa shokëve e la me të vertetë edhe duhanin dhe dyfishoi ushqimet duke shtuar edhe ndonji vezë, sallam, domate apo fruta simbas rastit.
Kështu me këte ndihmë bujare të shokëve, që Lani s’e mori vesht kurrë dhe as komanda arriti ta përballojë fizikisht edhe vitin e fundit dhe të dilte i gjallë nga burgu.
Lani nuk jetoi shumë. Vuejtjet e randa të burgut e kishin ba tashma plotësisht efektin e tyne. Vdiq në moshen 59 vjeçare nga nji sëmundje e randë dhe e pa shërueshme. Ai nuk priti të shihte ndryshimet që solli shembja e Murit të Barlinit.
Për koincidencë Pader Meshkalla iu gjet pranë edhe jashtë mureve të burgut me vizitat e shpeshta që i bante sidomos gjatë kohës që lëngonte nga sëmundja. Ai mori pjesë nder të parët në varrimin e tij dhe po atë ditë, në dhomen e tij të errët, përdhese e plot lagështi çoi nji “Meshë” për Shpirtin e Lanit.
Dritë i baftë shpirti dhe pushoftë në paqë shoku i jone i mirë dhe i pa harrueshëm LAN KRAJA!

Filed Under: Histori Tagged With: Bep Kuqani, shoket e dhomes nr 8

NJË REBELIM YNI I RADHËS (I PËRKOHSHËM)!?

December 14, 2013 by dgreca

Shkruan: Fadil LUSHI/

Para disa vitesh unë dhe “toptan” shqiptarë të tjerë u provokuam nga “rishfaqja” e Enciklopedisë (kontestuese) maqedonase dhe aq shumë u “sikletosëm”, sa që prej saj krijuam një faktor opinioni. Për këtë “mesele” u shkruan mbi njëqind  opinione, vështrime, kolumna, analiza a reagime. Se e meritoi a jo vëmendjen tonë “rishfaqja” e kësaj Enciklopedie të sajuar, unë nuk e di, por di vetëm një gjë, reagimi a edhe “rebelimi” ynë kolektiv mbase ishte i përkohshëm, i zbehtë dhe jo maratonik, “karshi” kësaj arrogance të radhës, “karshi” një provokacioni jashtëzakonisht të ulët, provokacion i hapur, i kurdisur, shovinist, diletant, hamam e lesh provokacion provincial dhe fare pak a aspak intelektual a akademik. Të gjitha këto reagime të këtij karakteri që atëherë u absolvuan njëherë e përgjithmonë nga analistët, historianët, intelektualët dhe politikanët shqiptarë, pa dallim se ishin në opozitë a pushtetarë. Më kujtohet se në atë kohë ne, shqiptarët, lehtësisht ramë në grackë të maqedonasve të cilët sapunin na e shitën për djathë të prishur a edhe të mykur!?

Dhe sot, pas sa vjetësh, shtrohet pyetja  se  ç’ishte e gjithë kjo vëmendje jona paksa e tepruar ndaj Enciklopedisë maqedonase, a mos vallë kjo (nuk) e meritoi këtë, ose vallë ishte  një rebelim yni kolektiv (i përkohshëm) ndaj asaj fletushke, që nuk shfletohet e nuk lexohet përtej Tabanovcës. Megjithatë, mua nuk më duhet që kësaj “meseleje” t’ia bashkëngjit paragrafin që trajton segmentin e shtrembërimit  dhe klandestimit të së vërtetës që llafos gjenealogjinë shqiptare. Aq shpejt u provokuam nga Enciklopedia maqedonase, sa që “aty për aty” propaganduam idenë e hartimit të një Enciklopedie tonë shqiptare!?…, një enciklopedi që fatkeqësisht as që filloi të hartohet nga historianët tanë!? Shih, ti lexues i nderuar, po të mos kishte qenë ky provokim djallëzor i akademikëve maqedonas, a thua vallë do shkruanim një të tillë shqiptare, a thua vallë po të mos ishte Enciklopedia, ne shqiptarët (nuk) do ta kujtonim Nënën e përbotshme Terezë, Abdyl  Frashrin dhe vëllezërit e tij, nuk do ta kujtonim Ismail Bej Qemalin, Faik Bej Konicën apo edhe ndonjë figurë tjetër të ndritur shqiptare. Në këtë kontekst të gjithë shqiptarët me plot të drejtë u inatosën pavarësisht se ajo inatosje e tyre “ishte paksa e zbehtë dhe e përkohshme”!

Provokacioni i radhës u hetua disa ditë më parë, kur në “Urën e syrit” në mënyrë “klandestine u vendos” busti a përmendorja e Car Dushanit. Edhe kësaj radhe shqiptarët me të drejtë reaguan, po edhe u rebeluan. Dikush për këtë vaki e dha këtë lajm:.., “një grup qytetarësh nga Shkupi…,  mbrëmë u zbarkuan në sheshin e qytetit për ta “parë” bustin e Car Dushanit. Në internet qarkulluan disa foto që tregojnë një grup shqiptarësh me shkopinj dhe mjete të tjera të forta në duar duke dëmtuar përmendoren e mbretit serb të shekullit të 14-të. Përmendorja, pjesë e projektit “Shkupi 2014”, u kritikua ashpër nga shqiptarët e Maqedonisë që e konsiderojnë atë një provokim të maqedonasve apo edhe të ca të tjerëve, që sot kësaj dite ngelën të paidentifikuar. Sipas historianëve, në trojet shqiptare ai ka kryer krime të mëdha kundër popullsisë vendase.  Sipas autoriteteve vendore dhe qendrore, përmendorja e Car Dushanit nuk është pjesë e projektit “Shkupi 2014”. Ministrja e Kulturës, Elizabeta Kançevska është distancuar nga ngritja e kësaj përmendoreje. E pyetur nëse përmendorja është ilegale, ajo ka thënë se kjo çështje duhet të hulumtohet nga mediet. Vendimi nuk është marrë nga Ministria e Kulturës dhe e shfrytëzoj këtë rast që t’i përgënjeshtroj zërat se ne kemi kërkuar ngritjen e kësaj përmendoreje. Pra, nisma për ngritjen e këtyre përmendoreve në ‘Urën e Syrit’ nuk është nga Ministria e Kulturës. Ju duhet të drejtoheni tek ata që e kanë realizuar projektin pasi Ministria e Kulturës nuk ka kompenteca për ngritjen e përmendoreve”, deklaroi ashtu “ndër dhëmbë”, Kançevska. Një deklaratë përafërsisht të ngjashme e dha edhe ministrja e Punëve të Brendshme, Gordana Jankullovska. Se a duhet t’u besojmë këtyre deklaratave të ministreve në fjalë, unë nuk mund të them gjë.

Në kontekst të kësaj duhet të parashtrohet pyetja se pse ne shqiptarët  nuk provokohemi nga gjymtimet tona, gjymtime këto që në vijimësi  hetohen në përditshmërinë tonë, sidomos në atë politike, kulturore, gjuhësore e në sfera të tjera shoqërore. Dhe, nëse nuk shqetësohemi, atëherë pse shtiremi kinse nuk kemi asnjë “dert”, sikur punët i kemi “krejt në terezi”, ose mos vallë ndoshta kemi shumë kohë që të merremi me identifikimin  apo përcaktimin e lloj-lloj ngjyrash të kopertinave të enciklopedive të ashtuquajtura anonime maqedonase apo edhe me buste pa identitete.

Pse busti i Car Dushanit dhe të tjerë të tillë detyrimisht duhet të “na shqetësojnë” e nuk na “sikletosin bustet tona” që i kemi vendosur anë e mbanë trojeve tona (hiq mënjanë lapidarët dedikuar figurave të ndritura dhe dëshmorëve të lirisë së munguar të vatanit), pse nuk i dëmtojmë dhe nuk i rrënojmë ”bustet që reflektojnë inatet tona homerike”, pse nuk i shkatërrojmë që nga themelet “bustet që nëpërkëmbin” gjuhën tonë të shkruar e të folur (standarde), pse nuk provokohemi nga mbishkrimet tona të denigruara e të ngjitura në hapësirat e bizneseve…, pse nuk parashtrojmë pyetjen se si komunikojmë, si i ndërtojmë vlerat tona arsimore, ato kulturore…, pse nuk na provokon “axhamillëku ynë akademik”, pse nuk na shqetëson “agallëku dhe përgjumja e jonë”, e na provokon busti i carit serb…, pse mua nuk më provokojnë llafet e Mondit nga Poradeci (ai, që bën muzikë të mirëfilltë korçare këtu në Tetovë), ai që sa herë që më takon nuk heziton të më thotë: “Ti Fadil, dhe ca të tjerë tetovarë, e flisni gjuhën e nënës, si në Kapali Çarshi të Stambollit”!??…, përkundër faktit që lehtësisht provokohem me bustin e mbretit nga Shumadija.., pse një jabanxhi kur vjen në Tetovë nuk e koncepton atë si një qytet universitar, por e gjykon si një kasaba a si një katund të madh!??…, pse na mungon vetëkritika kolektive. Pse nuk e qortojmë atë “mësuesin mediokër të Qafë Thanës”, të cilit moti i ka ikur lavdia, mësuesi që më parë kishte thënë:.., unë nuk jam gjuhëtar dhe s’më intereson drejtshkrimi  dhe drejtshqiptimi i nxënësve të mi… dhe për këtë mua nuk më duhet Fjalori i Gjuhës së Sotme Shqipe”!? “Mësuesi” këto llafe i kishte përnjëmend, sepse vërtet kishte një kod mendimor me nismë bythëpraps. Ndërkaq, ne tani aq  shumë  jemi dalldisur me bustin e Car Dushanit, saqë harrojmë të konstatojmë se “punët në arsim e në kulturë nuk na bëjnë”. Nuk “dalldisemi me alamet mësuesin” që ka…, gradë shkencore, edhe pse tetëvjeçaren e ka mbaruar me brekë nëpër këmbë, të mesmen me fener në dorë, kurse të lartën e ka mbaruar para tetëvjeçares”!.., e dalldisemi me shtatoren e carit!? Shi për  këtë, Enciklopedia po edhe busti i carit serb, për “disa pseudopatriotë mëhallash provinciale” është brenda perceptimeve “pozitive” të tyre.., dhe të ca të tjerëve të tillë si ata. Aq shumë jemi “kuturisur” me padrejtësitë që na vijnë nga pala tjetër, sa që shpesh harrojmë të parashtrojmë pyetjen se pse na janë pakësuar intelektualët, pse heshtin ata dhe kush na i paska frikësuar!? Të nderuar lexues të paanshëm të kësaj “shkarravine”, unë nuk do të shkruaj më për bustin e Car Dushanit, kurse sa për të tjerët s’e di…

 

 

 

 

 

 

Filed Under: Opinion Tagged With: Fadil Lushi, rebelim i perkohshem

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 35
  • 36
  • 37
  • 38
  • 39
  • …
  • 67
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Dashuria që e kemi dhe s’e kemi
  • “Jo ndërhyrje në punët e brendshme”, dorëheqja e Ismail Qemalit, gjest atdhetarie dhe fletë lavdie
  • Arti dhe kultura në Dardani
  • Gjon Gazulli 1400-1465, letërsia e hershme shqipe, gurthemeli mbi të cilin u ndërtua vetëdija gjuhesore dhe kulturore e shqiptarëve
  • “Albanian BookFest”, festivali i librit shqiptar në diasporë si dëshmi e kapitalit kulturor, shpirtëror dhe intelektual
  • VEPRIMTARI PËRKUJTIMORE SHKENCORE “PETER PRIFTI NË 100 – VJETORIN E LINDJES”
  • 18 dhjetori është Dita Ndërkombëtare e Emigrantëve
  • Kontributi shumëdimensional i Klerit Katolik dhe i Elitave Shqiptare në Pavarësinë e Shqipërisë 
  • Takimi i përvitshëm i Malësorëve të New Yorkut – Mbrëmje fondmbledhëse për Shoqatën “Malësia e Madhe”
  • Edi Rama, Belinda Balluku, SPAK, kur drejtësia troket, pushteti zbulohet!
  • “Strategjia Trump, ShBA më e fortë, Interesat Amerikane mbi gjithçka”
  • Pse leku shqiptar duket i fortë ndërsa ekonomia ndihet e dobët
  • IMAM ISA HOXHA (1918–2001), NJË JETË NË SHËRBIM TË FESË, DIJES, KULTURËS DHE ÇËSHTJES KOMBËTARE SHQIPTARE
  • UGSH ndan çmimet vjetore për gazetarët shqiptarë dhe për fituesit e konkursit “Vangjush Gambeta”
  • Fjala përshëndetëse e kryetarit të Federatës Vatra Dr. Elmi Berisha për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë në Seancën Akademike kushtuar 100 vjetorit të lindjes së Peter Priftit

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT