• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for December 2013

Ina Puleri O’Carroll, shkencëtarja shqiptare që zbuloi si zhduket AIDS

December 27, 2013 by dgreca

Rëndësia e këtij zbulimi është e madhe, thotë Ina, struktura lejon krijimin e ilaçeve te reja, që mund të zhdukin AIDS . Deri tani gjitha ilaçet kundra HIV funksionojnë kundra proteinës së virusit, Por kjo punë studimore lejon krijimin e ilaçeve që do të funksionojnë kundra gjenomit që e zhduk realisht atë qysh në ARN./

Nga Rafael Floqi/

“Asnjë luftë në faqe të dheut nuk është aq destruktive sa pandemia e AIDS, do të shkruante ish- sekretari Amerikan i Shtetit”, Colin Powell. Dhe kjo luftë kaq e vështirë për një gjeneral me pesë yje tashmë po gjen një shpresë në shpatullat e brishta të një shkencëtareje të re shqiptaro amerikane, Ina Puleri, e cila këto ditë po feston 32- vjetorin e saj.

AIDS /SIDA, kjo sëmundje vdekjeprurëse e shekullit është ulur këmbëkryq pranë nesh dhe nuk pretendon të largohet andej nga ka ardhur. Në këtë moto e gjithë bota ka protestuar kundër sëmundjes së shekullit. 1 dhjetori, është dita në të cilën duhen sensibilizuar të gjithë njerëzit në mbarë botën, nga ky virus që po i pushton dalëngadalë. Të gjithë duhet të pranojmë dhe të jemi të ndërgjegjshëm se AIDS është i pranishëm kudo e në çdo kohë dhe është një kërcënim potent për njerëzimin. Numri i personave të sëmurë me AIDS, sot në botë arrin shifra vërtet shqetësuese, ato luhaten në 42 milionë persona të sëmurë në të gjithë botën, ndër ta më shumë se një milion amerikanë janë të prekur nga kjo sëmundje. Moshat më të prekura janë ato të reja dhe luhaten nga 20 deri 39 vjeç. Vetëm këtë vit janë zbuluar 5 milionë të infektuar me HIV, ndërsa të vdekur ka pasur 3.1 milionë njerëz dhe gjysma e të infektuarve për herë të parë janë gra, të cilat infektohen si persona heteroseksualë me burra të infektuar.

Afrika e Jugut është rajoni më i prekur nga kjo sëmundje, ndërkohë që në të gjithë globin po rritet ndjeshëm edhe numri i grave të infektuara me këtë virus. Një dhjetori ishte dita ndërkombëtare kundër AIDS-s dhe të dhënat e fundit po tregojnë se kjo sëmundje po shkakton gjithnjë e më shumë viktima.  Në Shqipëri krahasuar me tri vitet e fundit, të dhënat flasin për një numër në rritje të rasteve. Sipas raportit të përgatitur nga specialistët e Institutit të Shëndetit Publik (ISHP), deri në muajin nëntor të këtij viti, në vendin tonë janë regjistruar 96 raste të reja me virusin HIV, duke e çuar në 671 numrin total numrin total të personave me AIDS në Shqipëri.

“Por gjithnjë ka një dritë në fund të tunelit”, thotë shkencëtarja e re shqiptaro- amerikane. Me origjinë nga Tirana, Ina Puleri O’Coroll, ajo që zbuloi kohët e fundit së bashku me një grup kolegësh të National Institutes of Health të National Cancer Institute në Frederick, për Programin e Rezistencës të  HIV ndaj medikamenteve, (Drug Resistance Program) zbuloi së fundi mekanizmin celular, sesi funksionon ARN e virusit HIV.

Ky zbulim sipas revistës prestigjioze të Biologjisë Molekulare “Cell” është një zbulim i vërtetë shkencor që do t’i hapë rrugë zbulimit të medikamenteve që do ta luftojnë AID-s qysh në qelizë.  AIDS, apo virusi HIV, është një sindromë e fituar. Kjo sëmundje u përhap fillimisht nga një djalë homoseksual, i cili ishte i infektuar nga ky virus. Shkaktari është virusi i AID-s, i cili shkatërron sistemin imunitar të organizmit të njeriut. Ekzistojnë dy lloje të virusit të AID-s, hiv-1 dhe hiv-2. Mbartja e virusit të AID-s bëhet nëpërmjet aktit seksual, në kontakte me derivate të gjakut dhe kontakti me gjakun, si për shembull me narkomanët nga një gjilpërë e kontaminuar, disa prej tyre infektohen dhe gjatë shtatzënisë, pra nga nëna e infektuar tek fëmija.

“Rrugët e infektimit dihen, por ende nuk dihej mekanizmi i veprimit në qelizë, thotë shkencëtarja e re shqiptaro- amerikane. Në këtë punë studimore, shton Ina Puleri O’Carroll, Ph.D që këtë laborator prestigjioz po kryen studimet e postdoktoraturës, ne kemi zgjidhur strukturën e një elementi të gjenomit të virusit HIV dhe kemi vërtetuar që kjo strukturë është e vlefshme në qelizat (in vivo). Ky element, Rev Response Element (RRE), është i domosdoshëm për jetën e këtij virusi dhe për këtë arsye është objekt ideal për krijimin e ilaçeve të reja kundra virusit. Zgjidhja e strukturës është e çmuarpër dy arsye: 1) zbulon mekanizmin me të cilin virusi eksporton gjenomin nga bërthama tek citoplasma e qelizës, një proces ky që është i domosdoshëm për virusin që të jetë infektues (kjo ka qenë e ditur qysh në 1985 por sesi ky element ishte i nevojshëm për eksportin e gjenomit por mekanizmi nuk ishte ditur deri tani”.

Ina është modeste për punën e saj. Ajo punoi shumë në laborator për të vërtetuar me qeliza të gjalla in vivo, mekanizmin që do të krijojë mundësinë e shfarosjes të AID-s nga bota. Ajo ka bërë lajtmotiv të saj thënien “Shënjestro diellin, ti mund të mos e arrish atë, por shigjeta jote do të fluturoj aq lart sa t’i vesh objektiv vetvetes”.

“Pjesa ime në këtë projekt ishte të vërtetoja që kjo strukture është vërtet e vlefshme in vivo. Struktura vetë nuk ka vlerë po nuk e tregove që është domethënëse (relevante) in vivo. Unë tregova që mutacionet në strukturën rezultuan me reduktim te agresivitetit në funksionim më të ulët ose inekzistent të virusit si in vitro ashtu dhe in vivo.( në qeliza të gjalla) Për këtë arsye jam bashkautore e parë (bashkë me Xianyang Fang dhe Jinbu Wang) në artikullin e revistës prestigjioze “Cell” në numrin e saj të tetorit të 2013.

“Rëndësia e këtij zbulimi është e madhe , thotë Ina, Struktura lejon krijimin (design/engineering) e ilaçeve te reja, që mund të zhdukin AIDS . Deri tani, të gjitha ilaçet kundra HIV, funksionojnë kundra proteinës së virusit, Por kjo punë studimore lejon krijimin e ilaçeve që do të funksionojnë kundra gjenomit që është në ARN dhe jo në ADN.

Ina Puleri O’Coroll është një vajzë e re shqiptare e bija e dy prindërve krenarë Mihallaq Pullerit dhe Zana Pulerit, nëna e një djali dy vjeçar, që po pret fëmijën e dytë, të cilët tani së fundit janë bashkuar me të pas ardhjes nga Greqia pas 20 viteve emigracion për t’u bashkuar me Inën dhe vëllain e saj Dorian Pulerin pedagog i matematikës në Universitetet Amerikane.

Ina e nisi rrugën e studimit në SHBA në vitin e fundit të shkollës së mesme ku që nga Greqia mund të vinte në SHBA dhe Brenda vitit do të dallohej si nxënëse e dalluar, madje do të vlerësohej për rezultate të larta në mësime nga vetë presidenti Bill Klinton. Kjo vajzë shqiptare pasi studio për biologji shkëlqyeshmen në Universitetin per Ph.D.në  Biochemistry me  2009 Virginia Polytechnic Institute dhe State University (Virginia Tech), Blacksburg, VA.  B.A., Biochemistry; B.A., Chemistry.  2004 McDaniel College, Westminster. Gjatë viteve studentore ajo do të njihej me bashkëstudentin,“her sweet heart”, Andrew O”Coroll me të cilin do të lidhte jetën.

Tani ajo zhvillon punën e saj kërkimore pranë laboratorit të “Rezistencës së ilaçeve ndaj   HIV. Ky programi u formua në vitin 1997 me misionin e kryerjes dhe nxitjen e kërkimeve themelore multidisiplinare, translationale , dhe klinike të fokusuar në problemet që lidhen me ilaçet rezistente të HIV. Programi është ndërtuar mbi anët e forta ekzistuese të programeve themelore dhe klinike NCI të kërkimit në retrovirology, zbulimin të ilaçeve të AIDS, duke shfrytëzuar studimet në biologjinë strukturore, biokimi, virologjisë  Këto janë fushat e një rëndësie kritike ndaj epidemisë së AIDS-it  Edhe pse programi fokusohet kryesisht në HIV, rezistenca e drogës është një shqetësim i madh për agjentët e të tjera infektive si kanceri. Këtu ajo arriti të zbulonte misterin që flinte prej më shumë se 25 vjetësh strukturën në formë A të virusit që do të luftojë për zhdukjen e tij. Ina tani po punon së bashku me prof.  A. Rein mbi studimet te aspekteve Molekulare te acideve nukleike virale për t’u futur nëenciklopedinë e biologjisë se qelizës “Cell”. Ajo pëlqen të thotë se lufta kundër AIDS është një autogol që raca njerëzore i ka bërë vetes, por synimi i ekipit tonë shkencor është që ne të mos e humbim ndeshjen për hir të njerëzimit. Për punën e kësaj shkencëtareje të re shqiptare kanë rëndësi synimet e larta, pasi ato formojnë karaktere të larta dhe objektet e mëdha nxjerrin në pah edhe mendje të ndritura.

 

Filed Under: Histori Tagged With: Ina Puleri O'Carroll, qe zbuloi AIDS, shkencetarja shqiptare

U NGUTËT TË NDERUAR KONGRESMENË

December 27, 2013 by dgreca

“Paqa pa drejtësi është tirani”- Uilliam Allen Uajt/

Nga Frank Shkreli/

Siç njoftohet në media të ndryshme, disa kongresmenë amerikanë, i kanë dërguar një letër Komisionit Nobel me të cilën kanë emëruar,  kryeministrin e Kosovës, Hashim Thaçi dhe kryeministrin e Serbisë, Ivica Daçiq si dhe shefen e politikës së jashtme të Bashkimit Europian, Katerinë Ashton, kandidatë për Çmimin Nobel të Paqës për vitin 2014.  Në letrën e përbashkët nënshkruar prej tyre, kongresmenët amerikanë thonë se kjo treshe duhet të nderohet për rolin kritik që ata luajtën për “normalizimin e marrëdhënjeve” midis Kosovës dhe Serbisë.  Ligjvënsit amerikanë i cilësojnë takimet e shumëta të dy kryeministrave me ndërmjetsimin e Bashkimit Europian gjatë këtij viti, si “pikëkëthesë dramatike” në marrëdhënjet midis Kosovës dhe Serbisë.

Para se të shkoj më gjatë, jam i detyruar të them se Kongresmeni Eliot Engel, njëri ndër nënshkruesit  e letrës,  është njëri prej ligjvensëve amerikanë që ka qenë dhe vazhdon të jetë në krye të veprimtarisë mbështetse të Shteteve të Bashkuara për Kosovën dhe për interesat e shqiptarëve në përgjithësi.  Unë kam pasur fatin të kem qenë shpesh dëshmitar i mbështetjes së tij ndaj kauzës shqiptare, duke u bazuar në ato që ai ka bërë gjatë dy tre dekadave të fundit, në përkrahje të shqiptarëve e sidomos të çështjes së Kosovës.  Këtë, kongresmenit Engel nuk mund t’ia mohojë askush dhe jam i bindur se Zoti Engel do të vazhdojë të përkrahë të drejtat e shqiptarëve si më parë, pasi ai, si rrjedhim e kësaj përkrahjeje dhe me të drejtë gëzon një mbështetje të forte dhe të merituar edhe nga komuniteti shqiptaro-amerikan.  Unë këtë nuk e dyshoj,  dhe si një shqiptaro-amerikan i jam mirënjohës kongresmenit Engel, siç jam i sigurt dhe besoj se janë edhe shumica e atyre që e njohin mirë mbështetjen e tij për Kosovën  dhe angazhimin e kongresmenit Engel për të drejtat e shqiptarëve kudo.  Për këtë ai është nderuar nga Kosova dhe Shqipëria, dhe shqiptarët kudo, do t’i jenë atij përgjithmonë mirënjohës.

Por rekomandimi i këtij grupi kongresmenësh për të emëruar si kandidat për Çmimin Nobel për paqë, kryeministrin serb, më duket si një masë e ngutëshme dhe e pa menduar mirë.  Janë mbajtur bisedime dhe janë nënshkruar marrëveshje midis Kosovës dhe Serbisë.   Por sipas analistëve në realitet, shumë pak ose hiç gjë nuk është arritur midis dy shteteve.Vazhdon “status quo ante” në marrëdhënjet midis Kosovës dhe Serbisë.  Për faktin se Serbia as që nuk e njeh shtetin e Kosovës si të tillë dhe si rrjedhim nuk mban ndonjë përgjegjësi për zbatimin e marrëveshjeve të nënshkruara me një ”shtet” që ajo nuk e njeh, as de jure as de facto.  Për më tepër analistët thonë se deri tani, në bazë të këtyre marrveshjeve, Kosova jo vetëm nuk ka fituar asgjë, por edhe arritjet që mund të dalin nga këto marrveshje, për normalizimin e marrëdhënjeve midis dy palëve –mbeten për tu parë. E vërteta është se nga këto marrveshje të deritanishme ka përfituar vetëm Serbia, në rrugën e saj drejtë integrimit europian.Qëllimi i BE-ës është që marrëdhënjet midis Serbisë dhe Kosovës të “normalizohen”, por Beogradit nuk i kërkohet si kusht njohja diplomatike e shtetit të Kosovës.Kaq e tha edhe shefi i Zyrës së BE-së në Beograd, Majkël Davenport për gazetën serbe Novosti. Ai theksoi se“Njëra nga fushat kryesore është respektimi i marrëveshjes Beograd-Prishtinë dhe angazhimi se nuk do të bllokojnë njëra-tjetrën për në BE”.  Me fjalë të tjera, Kosova angazhohet që të mbyllë gojën dhe të mos pengojë antarësimin e Serbisë në BE, ndërsa Serbisë as nuk i kërkohet si kusht antarësimi, njohja e shtetit të Kosovës. Për më tepër, e drejtë ose jo, thuhet se në bazë të këtyre marrëveshjeve, Kosova po kantonizohet dhe se po krijohet një “srpska” në Kosovë, sipas modelit të Bosnjës dhe se komunitetit të vogël serb në Kosovë po i bëhen lëshime të papara dhe po i akordohen privilegje që nuk i gëzon asnjë pakicë tjetër etnike në Europë.

Është vështirë të shihet ndonjë “pikëkëthesë dramatike” në këtë mes në marrëdhënjet Kosovë-Serbi.  Nëqoftse deklaratat e Daçiqit janë ndonjë shënjë treguese, në të vërtetë, dhe ndonëse ka nënshkruar marrveshjet —  në qëndrimin e tij ndaj Kosovës nuk ka ndryshuar asgjë.  Jo më largë se disa javë më parë ai tha se Serbia nuk do e harrojë kurrë veriun e Kosovës dhe se serbët atje duhet të ndëgjojnë Beogradin.   Gjithë këto qendrime pa kompromis të Beogradit ndaj Kosovës po theksohen e ritheksohen për të gjithë ata që duan të marrin vesh, ndërkohë që anë e mbanë Serbisë po zbulohen varreza të reja masive shqiptarësh të vrarë nga regjimi diktatorial i Millosheviçit, e të cilit Daçiqi i ka shërbyer me zell.  Ligjvënsit e nderuar amerikanë thonë në letrën e tyre drejtuar Komisionit Nobel se marrëveshjet e arritura në Bruksel  kanë çuar në “normalizimin e marrëdhënjeve” midis Prishtinës dhe Beogradit. Po çfarë normalizimi dhe me kë?  Kryeministri serb Daçiq gjithnjë insiston se “Ne nuk e  e njohim Kosovën si shtet, por si një territor të veçantë… ndaj të cilit ne nuk kemi ndryshuar qendrimin tonë.”

Daçiqi nuk ka treguar kurrë ndonjë vullnet të mirë ndaj shqiptarëve, qoftë ndaj Kosovës, qoftë ndaj Shqipërisë. Madje, kohët e fundit në një intervistë televizive, ai vuri në dukje ndjenjat e tij të thella antishqiptare, kur me inatin e tij primitiv anti-shqiptar u shpreh se nëqoftse Shqipëria antarësohet në Bashkimin Europian para Serbisë, atëherë sipas tij, serbët si komb duhet të bëjnë vetvrasje kolektive, duke thënë tërthorazi se Shqipëria është një vend i prapambetur që nuk meriton antarësimin e saj në BE.

Është e famëshme thënja se “pa paqë nuk ka drejtësi”.  Çdo marrëveshje për normalizim marrëdhënjesh dhe për vendosjen e paqës së vërtetë midis dy vendeve duhet të jetë e drejtë për të dy palët, por sidomos për viktimën.  Marrveshje të tilla do ishin shpresëdhënse, po të ishin të sinqerta, dhe do të përbënin një hap përpara për marrëdhënjet afat gjata midis serbëve dhe shqiptarëve në Ballkan si dhe një pranim i të drejtave të barabarta universale të njeriut dhe  zbatimit të ligjit në atë rajon.  Por  kam drojë se marrëveshjet e arritura në Bruksel midis Kosovës dhe Serbisë, për të cilat kongresmenët amerikanë propozuan Zotërinjtë Thaçi, Daçiq dhe  Zonjën Ashton për Çmimin Nobel për Paqë, nuk përmbajnë sinqeritetin e vullnetit të mirë dhe as frymën e kompromisit as respektin e ndërsjellët dypalësh. Prandaj si të tilla, është e vështirë të shihet se si këto marrëveshje do të çojnënë  rrugën drejtë një paqeje dhe drejtësie  dhe në normalizimin aq të nevojshëm të marrëdhënjeve midis dy popujve, si një parakusht për të dy vendet në përpjekjet e tyre për tu integruar në Europë.  Këto marrveshje të arritura midis Prishtinës dhe Beogradit siç duket janë një rast i humbur historik për t’i dhënë fund pa-ndëshkueshmërisë shtetërore të Serbisë e cila ka shkaktuar aq shumë vuajtje dhe dhimbje ndër shqiptarë për më shumë se një shekull.Andaj si i tillë të nderuar kongresmenë, megjithë respektin që kam për ju, vendimi i juaj ishte i nxituar sepsepërfaqsuesi i regjimit të Beogradit nuk meriton emërimin për Çmimin Nobel për paqë.Mund të ketë një paqë të brishtë midis Kosovës dhe Serbisë, por siç ka thënë gazetari i njohur amerikan, Uilliam Allen Uajt, “Paqa pa drejtësi është tirani”.  Dhe për ushtrim tiranie fizike dhe psikologjike, të pakën deri më sot, nuk është dhënë Çmimi Nobel për paqë.

 

 

 

 

 

 

Filed Under: Analiza Tagged With: Frank shkreli, kongresmene, u ngutet

Vëllezërit Myslimanë në Egjipt, në listën e organizatave terroriste

December 27, 2013 by dgreca

Sulmi mbi një godinë policore e vrasja e shumë personave u bënë shkak që organizata Vëllezërit Myslimanë të radhitet në listën e grupeve terroriste. Kjo thellon konfliktin me qeverinë dhe kërcënon me shtimin e dhunës.

Ish presidenti i Egjiptit Mohamed Mursi gjendet në burg. Ndërsa kryeministri i qeverisë së tij Haschim Kandil është arrestuar tani. Praktikisht e gjithë udhëheqësia e Vëllezërve Myslimane është në burg. Ata akuzohen për vrasje të demonstruesve, tradhti dhe terrorizëm. Disa procese gjyqësore kanë nisur e të tjerët po presin proceset. Organizata Vëllezërit Myslimanë është ndaluar de facto me vendim të gjykatës në shtator të këtij viti.

Qeveria kalimtare e mbështetur nga ushtria tani ka shkuar një hap më larg, madje më larg se në kohën e Hosni Mubarakut dhe i ka shpalluar Vëllezërit Myslimanë organizatë terroriste.

Organizata e themeluar në vitin 1928 ka qenë deri para pak kohësh një prej forcave politike më të organizuara në vend. Me zgjedhjen e Mursit për president dukej se do të stabilizoheshin në pushtet pas një periudhe të gjatë të sundimit të Mubarakut.

Ndalimi si reagim ndaj terrorit

Sipas qeverisë vendimi për ndalimin e kësaj force politike është pasojë e sulmeve me bomba të martën (24.12.2013) ndaj një godine policore në qytetin Mansura, ku u vranë 16 dhe u plagosën mbi 100 vetë. Edhe pse për këtë sulm përgjegjësinë e ka marrë organizata me emrin “Ansar Bait al-Makdis”, zëvendëskryeministri Hossam Eissa i ka shpallur fajtor Vëllezërit Myslimanë. “Qeveria nuk do t’i nënshtrohet kurrë terrorit të Vëllezërve Myslimanë, të cilët i kanë kapërcyer të gjitha normat morale, fetare dhe njerëzore”, tha ai të mërkurën. Ai paralajmëroi se do të dënohet secili, që merr pjesë në aksionet e kësaj organizate, qoftë edhe anëtarët e rëndomtë.

Edhe “Liberal Constitution Party” e ish zëvendëspresidentit Mohamed El-Baradei i ka fajësuar Vëllezërit Myslimanë për këtë sulm. Ndërsa Lëvizja Tamarod e ka përshëndetur vendimin e qeverisë. Ajo mendon madje se vendimi është i vonuar.

Terror jo vetëm në Sinai

Sulmi në Mansura ishte goditja më e rëndë që prej puçit ushtarak dhe rrëzimit të Mohamed Mursiit nga pushteti me 3. 06. 2013. Deri tani terrori ishte i përqendruar kryesisht në Sinai. Ndërsa me këtë sulm, siç thotë eksperti Günter Meyer, ka filluar një periudhë e re e sulmeve edhe në vendet e tjera. Të enjten ka pasur një sulm tjetër në Nasr City, ku janë plagosur pesë persona. Grupi i afërt me Al-Kaidën, “Ansar Bait al-Makdis”, ka marrë përgjegjësinë për sulmin në Mansura dhe ka kumtuar se “të vrarët janë viktimë e regjimit.

Qeveria deri tani nuk ka paraqitur dëshmi për afërsinë e grupit terrorist “Ansar Bait al-Makdis” me Vëllëzërit Myslimanë. Gazetari egjiptian Samy Magdy thotë se deri tani janë paraqitur vetëm supozime për afërsinë mes tyre. Ndërsa Günter Meyer thotë se pohimet e deritanishme janë vetëm edhe një justifikim për masat, që do të ndërmirren kundër Vëllezërve Myslimanë, gjë që shumë prej tyre i ka detyruar të kalojnë në veprim ilegal.Bëhet e ditur se në rajonin e shkretëtirës në afërsi të kufirit me Libinë janë krijuar pesë kampe për stërvitjen e Vëllezërve militantë Myslimanë dhe sallafistëve, për sulme terroriste. “Vlerësohet se atje janë rreth 1000 Vëllezër Myslimanë”, thotë Günter Meyer. Ndërkohë që kjo organizatë edhe më tej ka një mbështetje të madhe në shoqërinë egjiptiane. Por Vëllezërit Myslimanë i kanë hedhur poshtë pohimet për përzierje në terrorizëm dhe për lidhjet e tyre me grupet terroriste.

Shtimi i dhunës?

Futja prej qeverisë e Vëllezërve Myslimanë në radhën e organizatave terroriste ka hapur mundësinë e rritjes së dhunës në këtë vend. Paratë e organizatave të ndryshme joqeveritare, të cilat dyshohen për bashkëpunim me Vëllezërit Myslimanë, janë ngrirë. Qeveria synon që në këtë mënyrë të ndërpresë burimet financiare të organizatës. “Frontet janë ashpërsuar kaq shumë, saqë për momentin nuk ka shpresë për afrimin mes qeverisë dhe Vëllezërve Myslimanë”, thotë gazetari Samy Magdy.

Me 14 dhe 15 janar 2014 në Egjipt do të votohet për ndryshimet kushtetuese. Qeveria dhe ushtria janë të interesuara që votimi të kalojë pa incidente, por këtë nuk mund ta garantojë askush.(Kortezi DW)

 

Filed Under: Rajon Tagged With: terroriste, Vellezerit myslimane

LABËRIA E VLORËS U MBLODH NË KUVEND

December 27, 2013 by dgreca

nga Albert HABAZAJ/

Konferenca e radhës e Shoqatës Atdhetare – Kulturore “Labëria” për degën e Vlorës i zhvilloi punimet në mjediset e sallës së konferencave të Pallatit të Kulturës “Labëria”, Qendra Kulturore, Skelë, Vlorë, më datën 3 dhjetor 2013. Në këtë takim mori pjesë edhe vetë Kryetari i Shoqatës Mbarëkombëtare Atdhetare – Kulturore “Labëria”, Prof. Dr. Ago Nezha. Shumë i nderueshëm, prekës dhe dinjitoz qe pjesëmarrja në këtë kuvend e z. Ahmet Demaj, kryetar i shoqatës “Labëria” për Vlorën. Akoma ishte e freskët dhe ende është e patharë plaga e rëndë që i shkaktoi  trimit të urtë Ahmet Demaj ikja e parakohshme, aksidentale dhe e padrejtë e bashkëshortes së tij fisnike, mësueses Mirjane Demaj. Burri i Velçës dhe i Labërisë, për hir të nderimit që i bëri shoqëria labe, u ngrit mbi dhembjen dhe bëri zakonin e burrit lab, doli nga shtëpia, se e kërkoi detyra hyjnore e mëmës Labëri, priti shoqërinë e miqësinë në kuvend e mori pjesë në këtë takim të rëndësishëm. Vërtet nuk e mbajti ai raportin, por pjesëmarrja e tij, qëndrimi i tij, mesazhet që transmentoi, folën shumë e kuvenduan labërisht, vëllazërisht. Shembulli i tij është një model i lartë burrëror, që shënohet gati unikal në trevat tona e do të mbahet mend gjatë si gjest fisnik e trimëror dhe shkollë edukimi për të tjerët, sepse jeta i ka edhe këto halle, larg qofshin, sepse, si duket, edhe vdekja i duhet njeriut, për të provuar forcën, kurajon dhe karakterin e tij në këtë jetë “jallane”, me lule e furtunë.

Raportin mbi veprimtarinë e Shoqatës Atdhetare – Kulturore “Labëria” për degën e Vlorës e mbajti sekretari i Shoqatës Atdhetare – Kulturore “Labëria” për Vlorën, z. Albert Habazaj. U bënë pyetje dhe u kthyen përgjigjet përkatëse, qysh në fillim të analizës. Pastaj filluan diskutimet, nga ku do të shënojmë për botim disa prej tyre: Qani Dervishi, përfaqësues i labëve nga Tepelena, me banim në Vlorë, ndër të tjera tha: “Kjo periudhë dy vjeçare ka qenë e sukseshme dhe janë kryer mjaft detyra shoqërore atdhetare – kulturore, sipas Statusit dhe, patjetër, si vijim i traditës më të mirë labe, në kohët e reja. Vlen për punë Albert Habazaj, sekretar i shoqatës; z. Ahmet Demaj, me një punë të shkëlqyer dhe  u them të dyve: “Hallall iu qoftë!”. Kryesia e re të eci në shembullin e punës së këtyre dy viteve. Pjesëmarrja e grave në kryesi është pozitivisht evidente dhe një gjë shumë e mirë për të ardhmen”. Zotëri Dervishi shtroi problemin se, shumica apo, si i thonë tutje, mazhoranca e “qeverisjes horizontale” përbëhet nga burra, sidomos të moshës së tretë, prandaj të punojmë për futjen në shoqatë, – tërhoqi vëmëndjen ai, – dhe patjetër në kryesinë e shoqatës, të moshave të reja. Veprimtarja Vitori Hasani, Prof. As., mjeke në profesion, theksoi se veprimtaria e shoqatës ka qenë e madhe, sidomos në 100 vjetorin e Pavarësisë qe një gur i çmuar. “Dua të veçoj – u shpreh ajo – punën e z. Ahmet Dema dhe të Albert Habazit, prandaj jap dhe mendimin, që të dy, këta zotërinj të qëndrojnë”. Shpresim Kasaj, kryetar i shoqatës Atdhetare – Kulturore “Armeni”, shprehet se është dakort me të dy parafolësit, aq më tepër që Labëria e Vlorës bëri gjithë atë “bum” aktivitetesh të shkëlqyera, që organizuan të dy drejtuesit e shoqatës sonë në Vlorë. Shtrirja e aktiviteteve qe e mirë, që nga Drashovica, Mesapliku, Dukati, sidomos dy aktivitetet në Teatrin “Petro Marko” qenë model e ngelen të papërsëritshëm. Aktiviteti i shoqatës “Labëria” për Vlorën, gjatë 100 vjetorit, qe i shkëlqyer në Vlorë. Po përmend për punë cilësore dy drejtuesit e shoqatës sonë, z. Ahmet Dema e Albert Habazaj”. Sulçe Çela, mësues veteran dhe sekretar i shoqatës “Velça” tha se të gjithë kemi kontribuar për mbarëvajtjen e veprimtarive atdhetare kulturore të Labërisë në Vlorë, por peshën e kanë mbajtur dy të parët, që ne i përmendim gjithmonë me respekt, z. Ahmet Demaj dhe z. Albert Habazaj, që kanë treguar aftësi të rralla drejtuese dhe komunikuese në komunitetin lab këtu, prandaj mendoj që të dy të qëndrojnë në krye përsëri. “Kam dy mendime, – theksoi ai – ta shkruajmë mirë atë që bëjmë. Për mua të mbahet ditar historik për veprimtaritë atdhetare – kulturore që bën kjo shoqëri e madhe e organizuar e Labërisë në Vlorën Bregdetare. Kushdo që të zgjidhet të ketë synim që të punohet për muzetë. Ditari dhe muzeu të jenë në qendër të punës së kryesisë, forumit dhe drejtuesve të rinj që do të zgjidhen”. I ftuar, Dr. Asqeri Llanaj, kryetar i shoqatës Atdhetare – Kulturore “Cakrani” përshëndeti të dy drejtuesit e shoqatës “Labëria” për Vlorën, por edhe Prof. Dr. Ago Nezha, sidomos për rëndësinë që i kushtoi kësaj Konference në Vlorë, duke marrë pjesë vetë personalisht në këtë kuvend të rëndësishëm e nevralgjik labësh. “Keni qenë në krye të aktivitetev kombëtare – theksoi doktori – dhe me ç’di unë, edhe harxhimet janë bërë nga xhepi juaj. Edhe një herë ju falënderoj dhe jam gati t’ju ndihmoj”. Ndërsa mësuesi veteran Xhafo Muçaj, kryetar i shoqatës “Brati”, ndër të tjera, u shpreh: “Binom shumë i mirë dyshja që ka drejtuar këto dy vite “Labërinë” në Vlorë! Rëndësi t’i jepet shkollave të fshatrave për vlerësim. Dhjetë ndër to në rrethin e Vlorës kanë mbushur shekullin, 100 vjet dritë diturie në gjuhën shqipe. Veprimtari i dalluar, Serri Tushi nga Vermiku, vuri në dukje se drejtimi dhe veprimtaria e shoqatës “Labëria”, Vlorë ka qenë e shkëlqyer. “Them që ky binom të mos prishet edhe në të ardhmen” – nëvizoi veterani shembullor i arsimit, në gjakun e të cilit gëlon edhe zjarri ideal i Bajram Tushit, njërit nga katër Heronjtë e Topanasë. Piro Hodo, kryetar i shoqatës së Bashit, theksoi se edhe në Bashaj, këtë gusht të 2013 – ës, që kaloi, krijuam shoqatën. Si shoqatë e re që jemi, presim ndihma konsultative sipas statusit të Labërisë dhe përvojës që kanë Tërbaçi, Dukati, Vranishti, Bolena, Gumenica, Velça, Kuçi, etj. Punë të mirë bën gazeta “Labëria”, por në zona të thella kjo gazetë e dashur nuk vjen. Mirë ka nisur puna me muzetë dhe me lapidarët, të eci më mirë. Jam i mendimit që të dy zotërinjtë të qëndrojnë në drejtim, si element. Me interes u prit fjala e Prof. Dr. Bilal Shkurtaj, kryetar i shoqatës “Vranishti i Vlorës”, nënkryetar i shoqatës “Labëria” për Vlorën, ish – rektor i Universitetit “Ismail Qemali” të Vlorës për 10 vjet, “Personalitet i Shquar i Labërisë”. Profesori dha mendime, se ka vend për shtrirje dhe për pjesëmarrje. Ka shumë intelektualë, bij të Labërisë, me të cilët, duhet të punojmë për t’i afruar atje ku u takon dhe së dyti, – theksoi ai – shumë mirë bëjmë, që bëjmë vlerësime të njerëzve, por të kemi një listë të figurave të shquara, për t’i vlerësuar pë vijimësi. Jam dakort me të dy drejtuesit. Me shumë emocion labërisht u pritën dy fjalët e Ahmet Demës: “Ju falënderoj sinqerisht për ndihmën shpirtërore, që më keni dhënë. Shtëpia nuk mbahet pa themele në këmbë. Falënderoj profesor Ago Nezhën për ndihmën që na ka dhënë si degë në Vlorë. Dhe një herë ju falënderoj”. Pa diskutim, me shumë dëshirë dhe interes u prit fjala e kryetarit të “Labërisë” Kombëtare, Prof. Dr. Ago Nezha: “Kemi bërë një program për zgjedhjet, por aktiviteti i madh u shty për në prill, – tha ai – dhe, sipas modulit të rotacionit, do të bëhet në Gjirokastër. Ngushëllimet për Ahmetin i kam bërë familjarisht në familje, por sot e ngushëlloj në emër të shoqatës “Labëria”. Më tej ai theksoi, se dega e Vlorës ka patur një dinamikë në rritje, sidomos këto dy vitet e fundit, prandaj falënderoj të dy drejtuesit. Është një punë e vlerësuar, por e papaguar. Secili të thotë: “Çfarë i jap unë shoqatës dhe jo vetëm të kërkojmë llogari çfarë bën kryesia. Drejtuesi duhet të thotë, mendoj kështu. Vlora, dega e saj u shqua, sidomos në 100 vjetorin e Pavarësisë. Shoqata “Labëria” nuk është asnjëherë politike, prandaj secili të kontribuojë për Labërinë pa te kutia të bëjë ç’të dojë. Bashkohem me gjithë opinionin, që z. Ahmet Demaj dhe Albert Habazi të qëndrojnë në drejtimin e degës së Vlorës. Kam asistuar në disa aktitivitete dhe kam ngelur shumë i kënaqur nga ata. Të punojmë më shumë për futjen e intelektualëve vlonjatë në shoqatë. Është shumë e drejtë futja e gruas në shoqatën tonë. Mirë është që ne të marrim njerëzit tanë, që të shtëpisë e të afërmit, sepse duke parë, duke qënë afër, ata do të shohin një punë të mirë. Kam qenë dhe jam shumë i angazhuar. Të zgjidhet një kryesie re edhe me gra, edhe me të reja e të rinj aktivistë. Lini edhe vende bosh, që të futen më vonë, me dëshirën e tyre. Më në fund Profesor Nezha theksoi tekstualisht: “Në këto grupimet tona shoqërore dhe konkretisht në shoqatën atdhetare kulturore, mos kërko llogari, jep llogari!” Mesazhi është i qartë, kuptimplotë dhe progresist për të gjithë ne, idealistët e Labërisë dhe bijtë e saj, që u dhëmb mëmëdheu i përbashkët lab.

Sipas procedurës, drejtuesi i konferencës lexoi emrat e kryesisë së mëparshme, të cilët u diskutuan e u votuan, nga ku një një pjesë u rikonfirmuan përsëri, ndërsa u shtuan edhe të rinj, që plotësuan kryesinë e re të shoqatës “ Labëria” për Vlorën, të përbërë për dyvjeçarin 2013 – 2015, si më poshtë: Ahmet Demaj (Velçë), Albert Habazaj (Tërbaç), Bilal Shkurtaj (Vranisht), Kristo Çipa (Himarë), Vitori Hasani (Vranisht), Dane Hoxha (Matogjin), Tajre Bozhani (Dukat), Ruzhdi Bajrami (Bolenë), Qani Dervishi (Sinanaj, Tepelenë), Sulçe Çela (Velçë), Kastriot Karabolli (Kallarat), Mustafa Dedenika (Dukat), Zigur Suli (Kuç), Luto Memokondi (Brataj), Sejmen Gjokoli (Gjirokastër), Astrit Muho (Lops, Tepelenë), Anila Amataj (përfaqëson brezin e ri, vajzat e Labërisë), Fatmir Hodo (Gumenicë), Eqerem Canaj (Smokthinë), Shpresim Kasaj (Armen), Asqeri Llanaj (Cakran – Mallakastër), Flora Malaj (Brataj), Piro Bregu (Kaninë), Nuri Llanaj (Treblovë) dhe Agim Ruka (Matogjin). Kryetar u rizgjodh Ahmet Dema dhe sekretar përsëri Albert Habazaj. Për kryetar i përgjithshëm u propozua Ago Nezha dhe sekretar i përgjithshëm Xhemil Çeli; si përfaqësues i Vlorës në  qendër u propozua Bilal Shkurtaj, ndërsa u sugjerua që nga Tirana të promovohet një emër i ri, ai i  Prof. As. Benard Zotajt, me  origjinë nga Ramica.

Filed Under: Kulture Tagged With: Albert Habazaj, Kuvendi, Laberia e Vlores

Me krenari dhe mburrje: SHKODRA!

December 27, 2013 by dgreca

Nga Fahri Xharra/

E sigurt ishte që Porta lart, qëllimisht kishte zgjedhur hapësirën e Gjakovës, Malësinë së saj, Shkodrën e deri në det për të treguar qëllimet e saj dhe sajimin e një “tampon zoneje” të tmerrit, ngase përherë aty ishin thyer lindja dhe perëndimi në paraqitjen e fuqisë së tyre”… shkruante Gjon Nikollë Kazazi i Gjakovës (1702-1752).Po kush nuk e zgjodhi kete zonë ,ku thyheshin e ende thyhen lindja me perëndimin? Turku ,serbi ,komunizmi e të gjithë ata që kalun këndej pari. Ose, ”Nga të gjithë elementët e padisiplinuar në Perandorinë Turke, pak mund të ketë pasur, që të mund të sillnin aq shumë trazira sa shqiptarët. Për të dënuar grupet e pabindura duhet të dërgoheshin ekspedita ushtarake njëra pas tjetrës. Edhe pse Shqipëria është veçse pak më e madhe se sa Vermonti dhe me zor sa i bën një milionë banorë, ajo është një qendër cikloni e Ballkanit, nga e cila mund të lindin probleme të rënda. Rajoni i liqenit të Shkodrës në kufirin verior është një zonë problematike ku interesa konfliktuale nuk mund të ndahen paq, përveçse nga ndonjë proces i gjatë negociatash dhe rregullimi “Bota e re, problemet e gjeografisë politike” – libër i pabotuar ndonjëherë në shqip (Bowman, Isaiah, The new world; problems in political geography (1921), Yonkers-on-Hudson World Book Co, 1921, Chapter Seventeen; The Albanian Mountaineers, f. 306-312).” Ose“Nuk më befasonte që serbët e urrenin islamin por u gurëzova kur e pashë që ata e urrenin edhe kishën tjetër të Krishterë. Nuk e pritja që katolikët shqiptarë ishin më shumë të urryer nga sllavët se myslimanët ( E.Durham, Londër 1920).

Origjina e emrit të saj, SΚΟΔRΙΝΩΝ (Scodra në transkriptimin latin), mendohet [7] të jetë vendi ku shkon Drini (Shiko Drinon), kur erdhën turqit në Mesjetë e quanin İşkodra ose Işkenderiyye nga Işkender duke pandehur se banorët e këtij qyteti ishin të bijtë e Aleksandrit të Madh (Skënder, emri i myslimanizuar) për nga trimëria që shfaqnin në beteja, nga ku Barleti nxjerr një tezë se Shkodrën mund ta ketë themeluar Aleksandri i Madh, por faktet dëshmojnë për më të vjetër. Nga ky ambjent dolën në dritë humanistë e mendimtarë të shquar, si Marin Barleti e Marin Beçikemi [8], që me veprat e tyre nxitën në futjen e qytetit në vepra e studime e shkenca të aplikuara. Matematicieni Gjon Gazulli, u konsiderua si një nga astronomët më të shquar të kohës. Dallohet me një nga shkollat më të para në trevat shqiptare më 1698. Historiani E. Jacques shton se edhe të tjera shkolla u hapën “në Pllanë, një fshat afër lumit Mat, më 1638, në Troshan, më 1639″. Shkodra ka pasur observatorin e parë astronomik në Ballkan. Por të dhënat tregojnë se “akademia” kulturore për të cilën shquhet ky qytet fshihet pas shekujve e shekujve At Donat Kurti jep edhe një të dhënë të mrekullueshme për marrëdhëniet e vendit tonë me atë revolucion teknologjik që e tronditi botën kulturore me fuqinë e jashtëzakonshme shtytëse që u dha botimeve dhe kulturës në tërësi: për lidhjet me shtypshkronjën. Ai thekson se shtypshkronja kishte hyrë në Obot “fill mbâs të gjetunit”, domethënë fill pas shpikjes së saj nga Gutenbergu. Shtypshkronja e Obotit, shkruan At Kurti, njihet më 1493. Kjo do të thotë se ajo ishte futur në Shqipëri vetëm 38 vjet pasi Gutenbergu i dhá vendit të vet dhe botës prodhimin më të famshëm të krijesës së tij: Biblën e shtypur në shtypshkronjën e vet.

Tridhjetë e tetë vjet për atë kohë janë si tridhjetë e tetë ditë sot, ndoshta më pak. Ai përmend edhe shtypshkronjën tjetër të Shkodrës, që njihet më 1563, por nuk përjashtohet që edhe kjo të jetë më e hershme; Thuhet që njëfarë Shtjefni nga Shkodra pruri nga Venediku dhe ngriti një shtypshkronjë dhe në vitin 1563 shtypi një libër kishtar. Shtypshkronja, siç dihet, vlerësohet si një prej shpikjeve më të mëdha të gjithë kohëve. Studiues të ndryshëm e vendosin Johann Gutenbergun, autorin e kësaj shpikjeje, ndër njëqind njerëzit më me ndikim në historinë e njerëzimit. Madje amerikani Majkëll Hart (Michael H. Hart), e rendit të tetin sipas këtij kriteri. Futja kaq e vrullshme, e menjëhershme, e kësaj teknologjie dëshmon se në Shkodër e rrethina lidhjet me Perëndimin ishin të drejtpërdrejta; dëshmon se aty kishte një jetë intelektuale të dendur, plot energji, aty shkruhej, krijohej, botohej, përhapej kulturë[9].

Oboti shtrihet në jug-perëndim të Shkodrës dhe është i vendosur në të djathtë të Bunës. Administrativisht i përket komunës së Oblikës, kurse etnografikisht e historikisht i përket zonës së Bregut të Bunës.Sipas gojëdhënave, Oboti është ngritur njëkohësisht me kishën e shna Prendes në Shirq (shek. XIII-XIV). Për herë të parë emri Obot gjendet në dokumentet venedikase të shek. XV.

Sipas traditës gojore, popullimi i kësaj zone njihet para 700 vjetësh. Fiset e para, sipas gojëdhënës, ishin fiset Çemeraj e Gjekaj. Mund të ketë pasur edhe të tjerë, por që u shuan nga sëmundja e murtajës. Kështu fisi Mark Gjekaj erdhi nga Shestani, fisi Çulaj nga trevat etnike nga Mali i Zi, po ashtu edhe fisi i Koçobashve dhe fisi Pemaj, kurse ai i Bumejve nga Mirdita, etj. (shih. Gjovalin Muzhani, “Oboti” Kumbona e së diellës” nr. 12, 1994)

Oboti ka qenë qendër relativisht e re me një farë veprimtarie ekonomike. Në të kaluarën ka patur liman ose stacion lumor ku ndaleshin barkat me tonazh të madh, të cilat nuk mund t’i afroheshin qytetit, meqë prurjet e lumit Buna e kishin mbushur shtratin deri tek skela e Shirqit.

Në shekullin e kaluar ky liman ka pasur hane, depo, magazina, dyqane, qendra postale. Në Obot kanë qëndruar edhe vaporë të firmave të mëdha tregtare shkodrane, si Muzhanët, Darragjatët, etj. Më 10 gusht 1913, në Obot dhe në Anën e Malit u ngrit flamuri shqiptar pas kaq shumë vitesh robëri. Kjo ditë u kthye në një ditë feste e entuziazmi, me batare pushkësh, për banorët e vendit. Kisha e parë e Obotit u ndërtua me tepricat e gurëve të kishës së shën Premtes, në Shirq! Pra, pasi u kryen punimet, ajo që mbeti u mbart dhe u soll në Obot, duke përfituar edhe nga afërsia e këtyre dy fshatrave. Për këtë ka mbetur në formë gojëdhëne shprehja: “E patët ‘baft’ ndërtimin e kësaj kishe”.

Shkodra është qyteti që prej shekujsh njihet si djepi i kulturës dhe civilizimit të lartë brenda trojeve etnike shqiptare. Historia e saj është e mbushur me ngritje dhe ulje ndër shekuj. Ajo gjithnjë ka qenë në qendër të vëmendjes gjatë gjithë historisë kombëtare shqiptare. Shkodranët kanë qenë ndër shekuj nderi dhe lavdia, të parë në të gjitha këndvështrimet, duke zënë në këtë mënyrë një vend nderi në histori. Gjurmët më të hershme të veprimtarisë njerëzore të zbuluara në pellgun e Shkodrës i përkasin periudhës së paleolitit të mesëm, por duke filluar nga periudha e bronzit, ato kanë një prezencë intensive e të pandërprerë. Ky territor ka qenë i banuar nga fisi ilir i Labeatëve, lundërtarë e tregtarë të zotë. Ishin shkëmbimet tregtare me zonat e tjera, që u bënë shkak për themelimin e qytetit të Shkodrës si një treg e vendbanim ilir. Kështu, që në shekullin e IV p.K. e fillon jetën ky qytet ilir, i cili njihej në histori me emrin Scodra, Scobre, Skodrai, Skodre, Skydreonopolis, sot Shkodra. Në vitin 181 para Krishtit bëhet kryeqytet i Mbretërisë së Ilirisë, me sundimtar Gentin, dhe kishte një shtrirje të madhe në pjesën veriore. Gjatë shekullit II para Krishtit, në kalanë e qytetit zhvillohen luftërat me Romën dhe në vitin 168 pushtohet nga Roma dhe bëhet një nga qendrat e njësive administrative të Perandorisë Romake. Me reformat e Dioklecianit bëhet qendër krahinore. Aty kalonin rrugë tregtare të rëndësishme drejt bregut Dalmat, nga veriu, dhe nëpërmjet luginës së Drinit për në Kosovë, nga lindja. Mbas vdekjes së heroit kombëtar Gjergj Kastrioti, i cili drejtoi rezistencën e popullit shqiptar ndaj pushtimit të Perandorisë Osmane, në vitin 1479 Sulltan Mehmeti II rrethon përsëri Shkodrën me mbi 100.000 ushtarë, si qyteti i fundit shqiptar i papushtuar.Mbrojtja vazhdoi mbi shtatë muaj nga një garnizon prej 1600 vetash, i cili u dorëzua me kusht. Kjo qëndresë u përshkrua nga historiani i parë shqiptar dhe dëshmitar i kësaj ngjarjeje, shkodrani françeskan, humanisti At Marin Barleti. Libri i tij “Rrethimi i Shkodrës” u botua në Evropë në vitin 1504. Trashëgimia kulturore e Shkodrës për kombin shqiptar fillon që në shekullin XV, me shkrimet e para në gjuhën shqipe. Kemi në këtë qytet shkrimtarët, gjuhëtarët, historianët e parë të vendit. Në shekujt XVIII-XIX kemi institucionet e para shtetërore që pasqyrojnë lidhjet e Shkodrës me botën e qytetëruar evropiane. Për herë të parë në Shqipëri zhvillohet arti, sporti, lindin muzetë dhe bibliotekat. Fillon arti fotografik, shtypshkrimi dhe më vonë kinemaja dhe energjia elektrike. Me ndarjen e Perandorisë Romake, Shkodra, sikurse e gjithë Iliria e jugut kalon nën kontrollin e Bizantit, por vazhdoi të varej nga Kisha Katolike e Romës.

Kështjella Rozafa është monumenti historik më i vjetri, e cila filloi të ndërtohet në shek V-IV para Krishtit, ndërmjet lumit Drin dhe Buna. Në shekullin V-IV para Krishtit filloi ndërtimi i kalasë me gurë ciklopikë të puthitur pa llaç. Kalaja është e vendosur mbi një kodër në hyrje të qytetit, në një lartësi 130 m.

Ajo është vendosur në pikë strategjike për të kontrolluar fushën bregdetare, hyrjen në liqenin e Shkodrës, si dhe kalimin në thellësi të vendit e të Ballkanit në Lindje. Kështjella ka një histori të gjatë luftarake dhe lidhur me qytetin e Shkodrës ka një gojëdhënë popullore.

Prof. Giuseppe Gelcich, nji nder studjozt ma te çenshemt e ma me autoritet te vjetersive shqyptare, tuj fole permbi zhvillim tone kulturar, para te XV shekull, thote: “Shqytari i pajisun prej natyret me ‘i kuptim te forte e me i shijim te bukur, kishte stolise gjytetet e veta me permendore (monumenta) artistike fort te çmueshme e, deri qi kto gjytete ran rrash per toke prej zjarmit e pezmit t’ anmikut, s’pran tuj dergue me shumice rraqe argjanti, fildishi, kureli, kriri (zadefi), si edhe shkallme, arme e ene remi te punueme me mjeshtri e hollim te madh gjithkund neper Ballkan e nder vise, kndej e andej detin. Petkat mandej te qendisuna n’ ar per bukuri, qi u perdorshin asokohe ne Ballkan per stoli shtati e shpije, vishin edhe kto prej andej. Arti rromanesk ne Dalmacje pat shkasin ma te madhi e te paret apostuj prej Shqypnije.

Kta ndodhte sa mbretnote paqa ne vendin tone, pse, si nisen m’ u dynde shqyptaret katolike, gjith perparimin, kulturen e influksin e tyne kah Dalmacija, Gelcich e permbledhe me kto fjale:

“Sa familje, qi sot thirren dalmate, rrjedhin prej te hikunve t’ atyne kohve! Sa sende, qi sot shumica i mban per arte e vepra dalmate, nuk jane tjeter veç krijime e vepra te daluna prej mjeshtris e zhenis shqyptare!”

Prap Prof.Gelcich, tuj rí ne bisede me P. Gjergj Fishten permbi arte te hershme ne Shqypni, dishmoi, se veç mbrenda nji shekullit te vetem, tuj nise gjate Bregut te Bunes e deri ne gjytet te Djokles afer Podgorices, njitfeshin 82 piktora me za, te cillve u dihej edhe emni.”

Po kush nuk e zgjodhi kete zonë ,ku thyheshin e ende thyhen lindja me perëndimin? Turku ,serbi ,komunizmi e të gjithë ata që kalun këndej pari.

Gjakovë.Dhjetor 2013

Filed Under: Kulture Tagged With: Fahri Xharra, me krenari dhe mburrje, shkodra

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 5
  • 6
  • 7
  • 8
  • 9
  • …
  • 67
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Kontributi shumëdimensional i Klerit Katolik dhe i Elitave Shqiptare në Pavarësinë e Shqipërisë 
  • Takimi i përvitshëm i Malësorëve të New Yorkut – Mbrëmje fondmbledhëse për Shoqatën “Malësia e Madhe”
  • Edi Rama, Belinda Balluku, SPAK, kur drejtësia troket, pushteti zbulohet!
  • “Strategjia Trump, ShBA më e fortë, Interesat Amerikane mbi gjithçka”
  • Pse leku shqiptar duket i fortë ndërsa ekonomia ndihet e dobët
  • IMAM ISA HOXHA (1918–2001), NJË JETË NË SHËRBIM TË FESË, DIJES, KULTURËS DHE ÇËSHTJES KOMBËTARE SHQIPTARE
  • UGSH ndan çmimet vjetore për gazetarët shqiptarë dhe për fituesit e konkursit “Vangjush Gambeta”
  • Fjala përshëndetëse e kryetarit të Federatës Vatra Dr. Elmi Berisha për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë në Seancën Akademike kushtuar 100 vjetorit të lindjes së Peter Priftit
  • Shqipëria u bë pjesë e Lidhjes së Kombeve (17 dhjetor 1920)
  • NJЁ SURPRIZЁ XHENTЁLMENЁSH E GJON MILIT   
  • Format jo standarde të pullave në Filatelinë Shqiptare
  • Avokati i kujt?
  • MËSIMI I GJUHËS SHQIPE SI MJET PËR FORMIMIN E VETEDIJES KOMBËTARE TE SHQIPTARËT  
  • MES KULTURES DHE HIJEVE TE ANTIKULTURES
  • Historia dhe braktisja e Kullës së Elez Murrës – Një apel për të shpëtuar trashëgiminë historike

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT