• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for January 2014

Raporti i Human Rights Watch për Kosovën

January 23, 2014 by dgreca

Nga Isabela Çoçoli/Zeri i Amerikes/

Human Rights Watch publikoi të martën më 21 janar 2014 raportin vjetor për të drejtat e njeriut nëpër botë në vitin 2013. Në kapitullin për Kosovën vihen në dukje arritjet në marrëdhëniet me Serbinë, por edhe mangësitë e udhëheqjes në drejtimin e vendit,  nga e cila kërkohet të forcojë shtetin ligjor. Të ndjekim për hollësi kolegen Isabela Çoçoli.
Në Raportin e Human Rights Watch, thuhet se në Kosovë, gjendja e të drejtave të njeriut vazhdon të jetë e dobët. Megjithë reformat e deritanishme, sistemi i drejtësisë vazhdon të përballet me një numër të madh çështjesh që presin për t’u gjykuar. Komunitetet etnike, roma, ashkali dhe veçanërisht egjiptianët, vazhdojnë të diskriminohen. Gazetarët dhe mbrojtësit e të drejtave të njeriut kanë qënë objekt i kërcënimeve dhe sulmeve gjatë vitit 2013, thuhet në raportin e organizatës për mbrojtjen e të drejtave të njeriut.
Hera herës, thekson më tej raporti, gjendja u tensionua në veriun e ndarë, megjithë përmirësimin e marrëdhënieve politike me Serbinë pas arritjes së një sërë marrëveshjesh,  si ajo e muajit prill për krijimin e postit të një komandanti të posaçëm policie dhe të një  gjykate apeli për pakicën serbe; marrëveshja e gushtit për krijimin e pikave të kalimit kufitar mes Kosovës dhe Serbisë në vitin 2014;  dhe eliminimi në shtator i strukturave paralele serbe në veri të Kosovës.
Në muajin korrik, Sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara, Ban Ki-moon, u bëri thirrje Kosovës dhe Serbisë të bashkëpunojnë për zgjidhjen e çështjes së personave të humbur në Kosovë. Deri më sot, vë në dukje raporti, 1700 njerëz ende figurojnë të humbur që nga lufta me Serbinë.
Në muajin shtator, vë gjithashtu në  dukje Human Rights Watch, një sulmus i paidentifikuar vrau një oficer të policisë së EULEX-it që po udhëtonte pikërisht me makinën e policisë së EULEX-it.
Ndër problement kryesore, në raport theksohet se gazetarët punojnë në një mjedis armiqësor. Në muajin maj, në bombë me gaz u hodh në shtëpinë e  kryeredaktorit të Radio Televizionit të Kosovës, duke shkaktuar vetëm dëme materiale. Raporti flet edhe për kërcënimin e gazetares Jeta Xhara nga një ish funksionar dhe kolegë gazetarë. Po ashtu në raport përmendet edhe rasti i mbrojtëses së shquar të të drejtave të njeriut, Nazlie Bala, e cila u sulmua nga të paktën dy persona jashtë apartamentit të saj. Gjatë 2013 pati edhe raste të tjera sulmesh të organizuara kundër gazetarëve dhe readaksive të tyre.
Raporti i Human Rights Watch, vë gjithashtu në dukje edhe rezolutën e miratuar në muajin janar nga Asambleja e Këshillit të Evropës që kërkon nga autoritetet e Kosovës të luftojnë korrupsion, të kryejnë reforma në gjyqësor, të trajtojnë çështjen e krimeve të luftës, të mbrojnë dhe të promovojnë të drejtat e pakicave rome, ashkali dhe egjiptine, të sigurojnë pavarësinë e medias dhe mbrojtjen e mjaftueshme për gazetarët, si dhe për forcimin e luftës kundër trafikimit njerëzor. Rezoluta i bën gjithashtu thirrje Bashkimit Evropian ta përqendrojë dialogun e tij me Kosovën në forcimin e shtetit ligjor, përfundon  Raporti i Human Rights Watch.

 

Filed Under: Featured Tagged With: Human Right Watch, Isabela Cocoli, per Kosoven

LIRIA NËN PRESION ANË E MBANË BOTËS

January 23, 2014 by dgreca

Nga Frank Shkreli/

Organizata  jo-qeveritare Freedom House me qëndër në Uashington, botoi më 23 Janar raportin vjetor mbi lirinë, demokracinë dhe të drejtat e njeriut anë e mbanë botës.  Në raportin, Liria në Botë 2014, mbi liritë politike dhe civile në çdo shtet dhe territor të botës,   Freedom House pohon se liria në botë ka rënë për të 8-tin vit me radhë.   Në raportin e 41 të Freedom Haus, që konsiderohet si enti më i vjetër dhe më i besueshëm mbi gjëndjen e lirisë dhe të demokracisë në botë, thuhet se  gjithsejt në 54 shtete, është shënuar një rënje e dukshme në fushën zbatimit të të drejtave politike dhe lirive civile, ndërkohë që në 40-vende janë venë re përparime në këtë fushë.    Në raportin vjetor thuhet se disa udhëheqës botërorë kanë përdorur, atë që  raporti cilëson, si “autoritarizëm modern”, për të thyer ose margjanalizuar opozitën politike , por pa e zhdukur atë krejtsisht, ndërkohë që sa për sy e faqe pretendojnë të ruajnë rendin,  qetësinë dhe begatinë.  Objektivi kryesor i autoritarëve modernë, thotë Freedom House, është kapja e institucioneve në përpjekje për të dominuar jo vetëm degët ekzekutive dhe legjislative të qeverisjes, por duan të kontrollojnë njëkohësisht edhe median, gjykatat, shoqërinë civile, ekonominë si dhe forcat e sigurimit. Këta pra janë, sipas raportit të Freedom House, autoritarët modern, të cilët i gjenë në çdo rajon të botës.

Raporti i sivjetëm thotë se zona e Euro-azisë  vazhdon të mbetet njëra prej rajoneve gjeografike më shtypëse në botë, duke thënë se Bjellorusia, Turkmenistani  dhe Uzbekistani janë ndër vendet më shtypëse të lirive në botë, ndërsa shton se Rusia ka rritur shtypjet duke intensifikuar persekutimin e kundërshtarve politikë dhe të grupeve etnike të pambrojtura anë e mbanë vendit.  Në raportin mbi Azinë thuhet se Kina, gjatë vitit të kaluar është treguar gjithnjë e më shumë jo tolerante ndaj kundërshtarve politikë, ndërkohë që autoritetet kineze, ndër të tjera, kanë arrestuar me dyzina aktivistë të cilët kanë bërë thirrje për reforma anti-korrupsion.

Në lidhje me Europën, raporti i Freedom House thotë se gjatë viti të kaluar, shumica e vendeve europiane treguan respekt për standardet demokratike dhe për liritë civile, edhe ndonëse disa prej tyre u përballen me lëvizje të tendencave  dhe të një natyre nacionaliste.  Raporti veçanërisht kritikon Kryeministrin e Turqisë, Recep Taip Erdogan se në qeverisjen e tij, ka treguar tendenca gjithnjë e më autoritare, duke përmendur  shtypjen e protestave në Stamboll dhe fushatën e tij që ka ndërmarrë kundër zërave kritikë në media.

Raporti  i përcakton 195 shtetet dhe 14 territore, si të ”lira”, “pjesërisht të lira” dhe “jo të lira”.   Raportet individuale për secilin shtet dhe territor do të botohen kur të jenë gati, por kjo hartë me ngjyra përcakton kategoritë e ndryshme për secilin vend dhe rajon botëror.

Zëvendës presidenti i Freedom House, dhe njëkohësisht autori i raportit,  Arch Puddington i tha rëvistës amerikane Atlantic me rastin e botimit të raportit se, “Gjatë 30-vjetëve të kaluar nuk është shënuar asnjë përparim i dukshëm përsa u përket lirive në vendet e rëndësishme autoritare dhe të cilat vazhdimisht kanë rezistuar demokratizimin —  siç është Rusia dhe vende të tjera në Euroazi,  përfshirë vendet e Lindjes së Mesme, si dhe Kina, Irani, Venezuela” ndër të tjera.  Zyrtari i Freedom House u shpreh se udhëheqsit e këtyre vendeve kanë mësuar nga shkatërrimi i Bashkimit Sovjetik, 20-vjetë më pare, që të mos ndërmarrim bërjen e reformave të rëndësishme, të cilat ata nuk mund i kontrollojnë, duke mos lejuar, ose të pakën duke penguar edhe veprimtarinë më të vogël të grupeve pro-demokratike të shoqërisë civile.  I pyetur për protestat nepër rrugë dhe sheshe, përfshirë Tajlandën, Turqinë dhe Ukrainën, Z. Puddington tha se në disa vende ekziston tendenca që politikën ta zëvëndësojnë me protesta, duke dhënë si shembull Turqinë dhe Ukrainën, ku udhëheqsit e këtyre vendeve, besojnë se nëqoftse kanë një shumicë prej 52-për qind të votave, kjo, sipas mendimit të tyre i lejon ata të bëjnë si të duan dhe çka të duan. Andaj, tha ai, kur këta udhëheqës tejkalojnë mandatin e tyre duke kërcënuar demokracinë, dhe duke shkelur liritë dhe të drejtat e njeriut, atëherë popullit nuk i mbetet gjë tjetër veç të dalë në rrugë e të protestojë.

Autori i raportit vjetor mbi lirinë në botë, Arch Puddington tha për median se, “Jetojmë në një kohë, kur udhëheqsit e vendeve autoritare janë më të sigurt dhe më arrogantë se në të kaluarën dhe se  tani midis tyre ekziston një lloj koalicioni, si të thuash, një aleancë e vendeve shtypëse, ” nënvijoi Z. Puddington.

Në lidhje me Shtetet e bashkuara, Raporti i Freedom House thotë gjithashtu se Shtetet e Bashkuara janë një prej vendeve më të lira në botë, por Presidenti i kësaj organizate  kritikoi administratën e Presidentit Barak Obama se është treguar pasiv ndaj keqësimit të gjëndjes së lirive në botë, duke shtuar se Uashingtoni ka humbur rastet për të promovuar demokracinë dhe lirinë anë e mbanë botës.   Zyrtari i lartë  I Freedom House, Arch Puddington fajësoi gjithashtu edhe vendet demokratike në përgjithësi për mungesë interesimi në lidhje me shtypjen e lirisë në botë.  Në lidhje me këtë, ai tha se “vihet re një mungesë vendosmërie nga ana e vendeve demokratike ndaj forcave demokratike të cilave po u bëhet presion ndaj veprimtarisë së tyre në vendet e mëdha autoritare”, dhe i akuzoi vendet perëndimore se janë të “gatëshme  të bëjnë marrëveshje me shtetet autoritare me qëllim për të përmirësuar atmosferën diplomatike, por duke injoruar masat shtypëse të këtyre vendeve autoritare” ndaj popujve të tye, tha ai.  Në lidhje me këtë, raporti i Freedom House, pohon se vendet demokratike, e sidomos Shtetet e Bashkuara nuk janë treguar të gatëshme për të vepruar në mbrojtje të lirive në vendet që raporti i cilëson si autoritare.  Mbi këtë, eksperti Dejvid Shenker i Institutit Uashington i tha Zërit të Amerikës se, ” ndonëse publiku amerikan nuk është aspak i interesuar për një ndërhyrje tjetër ushtarake në Lindjen e  Mesme, madje sipas sondazheve nuk dëshiron asnjë përzierje diplomatike e as financiare…përkrahësit dhe aktivistët e të drejtave të njeriut anë e mbanë botës, i drejtojnë sytë dhe shpresat e tyre për mbështetje kah Shtetet e Bashkuara, por fatkeqsisht nuk po hasin në një përkrahje që ata do të dëshironin.”

Andaj, nuk është për tu habitur se kur Shtetet e Bashkuara dhe vendet e tjera demokratike nuk promovojnë dhe nuk mbështesin liritë dhe të drejtat e njeriut kudo në botë, ndodhë kjo që raporti i sivjetëm i Freedom House pohon rishtazi se është viti i 8-të me radhë që e pësuan keq  liritë, të drejtat e njeriut dhe demorkacia anë e mbanë botës.   Mbështetja dhe promovimi i lirisë, i demokracisë dhe i individëve dhe grupeve që i mbështesin këto liri anë e mbanë botës, historikisht  ka qenë pjesë e pa ndarë e politikës së jashtme dhe ndërkombëtare të Shteteve të Bashkuara.  Bota demokratike duhet të jetë më e angazhuar në mbrojtje të lirive individuale dhe në promovimin e demokracisë se ç’ka qenë gjatë dekadës së fundit, pasi duke promovuar vlerat e lirisë dhe të demokracisë në mbarë botën, ndihmon të tjerët të sigurojnë lirinë për veten e tyre dhe njëkohësisht mbron edhe interesat kombëtare të botës demorkatike. Pasi siç tha edhe presidenti i Freedom House, David Kramer, “kur liria është në rënje anë e mabnë botës, si rrjedhim, ka më pak vende stabile dhe më pak vende partnere, duke pakësuar kështu mundësitë për bashkpunim në botë.”    Prandaj, Shtetet e Bashkuara dhe e vendet aleate demokratike duhet ta marrin më seriozisht mbështetjen dhe  promovomin e lirisë anë e mbanë botës, duke e bërë atë pjesë të pandarë të politikës së jashtme dhe ndëkombëtare, ashtuqë që liria dhe demokracia anë e mbanë botës, vitin që vjen të shënojnë rritje e jo rënje.

 

 

 

 

 

Filed Under: Analiza Tagged With: ane e mbane Botes, Frank shkreli, Liria nen presion

JAM BIJË E KORÇËS

January 23, 2014 by dgreca

RAIMONDA MOISIU: KORÇA PËR MUA ËSHTË AROMA E BLIRIT, SERENATES, INTELIGJENCES E QYTETARISË  –  UNË PËR KORÇËN JAM BIJË E SAJ!/

– Me sa di unë, vendlindja juaj është Korça, një qytet që më ka lënë mbresa të pashlyera, kur kam qenë në verë të vitit 1979, ku edhe sot kujtoj rrugët e pastra, aromën e blirit dhe bisedat mes njerëzve si pëshpëritje serenatash  që shpalosnin kulturë, ndaj doja të dërgoja në vitet e fëmijërisë tënde, atëherë kur vatra familjare të pikturohet në shpirt  me penelin e kujtesës për t’u marrë me vete gjithë jetën… a mund të na thoni  diçka që ju kujtoni në çaste vetmie, apo prej ngaçmimeve të ndryshme të jetës?

– Kësaj pyetje që në krye po i përgjigjem me termin shpirtëror “lokalist”: Jam 24 karat korçare! Korça për mua është aroma e  blirit, serenatës, kulturës, inteligjencës e qytetarisë korçare. Ndërsa unë për Korçën – jam bijë e saj. Përmes qytetit tim dikur  kalonte një lumë që e ndante atë në dy lagje –të krishterë e myslimanë.  Unë jam lindur e rritur në pjesën perëndimore të qytetit, pikërisht në  lagjen e aristokracisë myslimane,  lagje e hershme e ngritur  në shekullin e 15-të me ndërtimin e Xhamisë nga Iljas Bej Mirahori, kleriku historik e i shquar korçar nga ku hodhi themelet e Korçës, të  qytetit modern për kohën.

Rrjedh nga një familje e thjeshtë qytetare dhe intelektuale, me tradita patriotike dhe atdhetare. Babi im një idealist e patriot, bir i një fanolisti dhe partizan i plagosur në kokë nga lufta, ku humbi pjesërisht dritën e syve, punoi nëpunës i thjeshtë në ndërmarrje shtetërore, ndërsa nëna ime ishte nga mësonjëset e para të dala në dekadën e parë të çlirimit të atdheut me arsim 7 vjeçar, më pas mbaroi shkollën e mesme pedagogjike në Korçë dhe dyvjeçar në Shkodër, punoi mësonjëse në fshatrat e Kolonjës rrëzë malit të Gramozit, dhe  edukatore kopshti në qytet.

Unë jam rritur dhe edukuar e rrethuar nga  erudicioni i kockës  qytetare e intelektuale, jo vetëm i familjes sime, por edhe familjeve të dëgjuara korçare, si ajo e Merdanëve, Mytevelinjve, Tabakëve, Tuxharëve, historianit Nedim Thëllimi,  dhe fermerëve të thjeshtë, fisnikë, shumë punëtorë e duarartë, që në termin popullor i quanim “bostanxhinj”. E rrethuar nga erudicioni i dijes e kulturës i mësuesit Shefqet Selimaj, një burrë i mençur dhe i ditur,  mësuesit tjetër për arsimin fillestar Haxhi Çili dhe mësueset, Zhani Zheku, Vasilika Grameno e Nimete Shtylla. Mësuesi e gjuhës dhe letërsisë në arsimin e hershëm, që ka pasur ndikim të jashtëzakonshëm te unë – ishte Sotir Naçi, biri i mësuesit të shquar të Mësonjtores së Parë shqipe, Nuçi Naçi.  Vëllai i vetëm i nënës sime, inxhinier pyjesh, por edhe  pasionant mbresëlënës i letërsisë, do të ndikonte  tek unë, mbesa e tij, me detyrimin ndaj leximit të krejt bibliotekës së tij të  pasur me libra të autorëve më të shquar botërorë që nga; Fan Noli e Konica,  Tolstoi, Dostojevski, Aleksandër Dumas, Gorki, Petro Marko, Dritero Agolli, Ismail Kadare, Fatmir Gjata, Haki Stërmilli  etj. Nuk e ekzagjeroj po t’iu them se në moshën 12 – 13 vjeçe  kam lexuar librat e ndaluar për kohën: “Zonjusha me orkide” e “Belami” të Dumas,  “Qyteti i Fundit”, dhe “Hasta La Vista” të Petro Markos, “Sikur të isha djalë” i Haki Stërmillit, “Marsejeza” e Justin Godart dhe “Nëna” e Gorkit. Kështu që unë u rrita dhe u edukova, duke vështruar erudicionin e mençurisë dhe urtësisë  intelektuale e krijuese të atyre sa përmenda më lart. Të gjitha këto së bashku me kujdesin dhe rigorozitetin e nënës sime, si mësuese, ndikuan në formimin tim të dijeve dhe letrare. Ajo më mori kohë për të kuptuar se çfarë duhet e si duhet të sfidosh që të bëhesh një shkrimtar, poet apo artist.

Kam pasur  një fëmijëri normale të lumtur e të gëzuar. Ajo ç’ka e bënte më të hareshme fëmijërinë time ishte vëmendja e gjithë pjesëtarëve të familjes ndaj meje, jo vetëm si vajza e vetme me dy vëllezër, por mësoja shumë dhe ata krenoheshin dhe gëzoheshin me arritjet e rezultatet e mija në mësime. Me mbarimin e arsimit tetëvjeçar me rezultate të shkëlqyera fitova të drejtën e studimit për gjuhë të huaja, dega anglisht. Në të mesmen do dëshiroja të përmend mësuesen e letërsisë Liri Dhrimo, ajo për mua ngelet modeli shembullor dhe profesional i dijeve, njohëse e shquar e gjuhës e letërsisë shqipe e botërore.  Statura e saj qytetare, intelektuale e dijeve dhe e mësonjëses  ka pasur një ndikim të jashtëzakonshëm tek unë. Në të lartën dua të përmend studimin në gjuhë të huaj të letërsisë botërore. Mbas mbarimit të studimeve mendova se hapi tjetër ishte puna, të ushtroja profesionin e mësueses të gjuhës angleze në Korçë e rrethinat e saj, deri ditën që kam emigruar në SHBA.

– Si mendoni ju, një krijuese në Shqipëri, a mund të jetë vetvetja në krijimtarinë e saj, po në diasporë, apo ka pengesa të dukshme dhe të padukshme që e stepin atë? Ju ku e vendosni veten, në krijuese që shpalosh pa hezitim ato që ndjen dhe mendon? Cilat janë disa nga problemet aktuale në Shqipëri e në Diasporë?

– Ka ndryshime dhe pengesa duke filluar që nga mentaliteti dhe atavizmi maskilist ndaj krijimtarisë femërore, sigurisht. Nuk më pëlqen ta ndaj në krijuese në Shqipëri e Diasporë. Zëri krijues, qytetar e intelektual femëror është i pranishëm në tërë botën shqiptare në të dyja kahjet e Atlantikut. Megjithatë, ju këmbëngulni për diçka esenciale dhe mbase esencialja mund të jetë kjo: duke e  filluar nga vetja ime, unë me mund e sakrifica kam fituar pavarësinë dhe forcën gjatë jetës, jam shumë e lirë, dhe liria ime është modeli i sinqeritetit – pra- Vetvetja. Këtë e reflektoj edhe në krijimtarinë time, ku liria ime është e pafrikshme, e çiltër e pa komplekse. Që do të thotë se frymëzimi, muza, idetë, ëndrrat janë diktuar në një pjesë të jetës dhe lirisë për të jetuar e shprehur.

Ka ëndrra prej tyre që kanë kuptim, por ka edhe të pakuptimta, sigurisht të gjithë kemi të tilla, por ato kanë rëndësinë e tyre të veçantë në jetën tonë, pra në rastin tim ato marrin kuptim nëpërmjet letërsisë. Sepse unë nuk mund ta shpjegoj, pse unë shkruaj disa gjëra që unë kurrë nuk e kam menduar edhe kur kam qenë vetvetja. Ka drama sociale, tragjedi të dhimbshme përtej dhimbjes, që mua më dhëmbin në shpirt, lënë gjurmë të thella në shpirtin tim, ka dashuri të mëdha e të bukura në lirinë dhe jetën time dhe të gjithsecilit dhe unë i kam përjetuar me forcën e shpirtit dhe reflektuar në krijimtarinë time.

Në udhëtimin tim krijues poetik e në prozë  gjen vajzën, femrën qytetare emancipuese, kurajoze, ekspozoj brishtësinë femërore, e cila jep e merr dashuri, gjen tonin qytetar e intelektual, me guxim ndaj ambientit, rrethanave, mentaliteteve, dhunës ndaj gruas, -përcjell mesazhin e dashurisë njerëzore. Sa herë ulem të shkruaj, më krijohet ndjesia e një udhëtimi të  lumtur e të trishtë, pra  më duhet të ekuilibroj gjendjen shpirtërore e pasionin në  përshkrimin e realiteti plot jetë, mbresëlënës që mbart në vetvete magjinë e ndryshimit e të shpresës, të mëkoj ëndrrat, që unë dëshiroj të arrij në rrugën e krijimtarisë. Një femër krijuese është vetvetja edhe në rastin kur shkruan për tema tabu duke përshkruar aktin intim me imtësia, ashtu sikundër ajo e ka përjetuar vetë, përpiqet sadopak të jetë e mundur transparente dhe me elokuencë, që është ajo pjesë aq tërheqëse dhe e ndjeshme për meshkujt e tërë botës.

Sot letërsia e femrave autore po zë një vend të veçantë në letrat, ku aderojnë shkrimtare të shquara si Elvira Dones, Natasha Lako,  Diana Çuli, Besa Myftiu, Irma Kurti, Flutura Açka, Luljeta Leshanaku, Mira Meksi, Rozi Theohari, Albana Mëlyshi, Ilirjana Sulkuqi, Entela Safet Kasi, Mimoza Ahmeti, Elinda Marku, Lindita Arapi, Yllka Filipi, Ilire Zajmi, Albina Idrizi, Drenusha Zajmi,  Eva Gavani, Merita Bajraktari McComarck, Julia Naçi Gjika, Elida Buçpapaj, Vilhelme Vranari, Shpresa Vrana, etj, dhe veçmas prurjeve të reja në letërsinë shqiptare. Të qenit vetvetja në të shkruar do të thotë se dashuria njerëzore triumfon në të bukurën e të përditshmen njerëzore. Për mua më e vështira në artin e të shkruarit ka qenë pjesa kur dhimbjen dhe dashurinë time në shpirt, apo harenë e gëzimin ta kthej fenomen shoqëror apo historik.

– Unë kam lexuar disa krijimtari të shkrimtarëve dhe poetëve të emigracionit dhe vetëm në pak autorë shikoj ngritje cilësore, shumica nuk sjell ndonjë risi të re për letërsinë shqipe, si mendoni ju, pse vjen kjo?

– Sigurisht ka  një masivitet të madh të njerëzve që shkruajnë, sepse janë shtuar edhe streset në jetën e përditshme. Disa shkruajnë fjali e paragrafë “të mrekullueshëm”, por nuk kanë asnjë ide si t’i renditin ato së bashku në një rrëfim apo si t’i bëjnë personazhet e veprës të vijnë realë e jetësorë. Të shkruara mjaft çekët, një drejtshkrim gjuhësor analfabet,  nën nivelin e mesatares letrare e artistike, jepen më shumë pas sasisë së faqeve, se sa pas cilësisë artistike e letrare, vetëm e vetëm për të fituar imagjinaren – statusin e reputacionit të një shkrimtari të madh, “të talentuar”, të një “poeti të shquar”. Këta janë  autorë të importuar nga sindromakarrieriste e përfitimit të famës e parasë, pehlivanët e letërsisë. Verbohen aq shumë nga kjo famë dhe të bëjnë emër, sa nuk kursejnë as financat e tyre ta blejnë reputacionin dhe karrierën si shkrimtarë, bilës kanë guximin shkojnë deri aty sa të vetëquhen “gjeni”. Kjo racë krijuesish  janë fenomene groteske paralajmërojnë vulgaritetin dhe mediokritetin në letërsi, injorancën dhe paditurinë, vetëgjymtimin dhe vetëvrasjen intelektuale të shoqërisë, skllavërinë shpirtërore dhe krijuese të talenteve që ripërcaktojnë karakterin e dyfishtë të udhës së artit dhe letërsisë artificiale, realitetin mjeran të kësaj lloj letërsie. Krijues, që nuk kanë asgjë të freskët apo të re për të rrëfyer.  Pse ndodh kjo? Ngaqë kemi letërsi jo cilësore e artistike, artificiale, dashuri të rremë, vetëkënaqësi mediokre, plagjiaturë e naivitet letrar. Sepse ata janë të vetëdijshëm në mediokritetin dhe melagomaninë e tyre që përfaqësojnë kokëboshësinë nën kurorat e famës e lavdisë. Ka mjaft poetë  e shkrimtarë në ekzil, që me grintën e mençurisë, talentit, profesionalizmit dhe fuqisë shpirtërore përcjellin krijimtari të mirëfilltë letraro – artistike dhe  përcaktojnë denjësisht letërsinë më të mirë në nivel letrar e cilësor të viteve të fundit në emigracion.

– Ç’është poezia për ju? Çfarë poezie shkruani ju dhe ku e gjeni më shumë veten në poezi apo në prozë?  Kur shkruani prozë, mendoni se e rëndoni me më shumë figuracion se ç’ka duhet? Kjo gjë ndodh tek poetet që shkruajnë edhe prozë, po tek ju?

– Respektoj poezinë në maksimum, ashtu si ai fetari që respekton fenë e tij. Unë besoj shumë në të qenët poet në të gjitha çastet e jetës. Të qenët poet është njerëzore, jo luks. Nganjëherë unë kaloj net pa gjumë duke medituar për funksionimin e poezisë. Poezia për mua është përpjekja që të bashkosh idetë me fjalët, figurat e goditura artistike, muzikalitetin, rimën, kadencën, vargun e lirë, modernen, kombinimin e artit me filozofiken, psikikes me shpirtëroren. Fjalët e përdorura nga poetët janë fjalët ndjellëse dhe kanë anën e tyre intelektuale, ndjejnë sensin që përshkon çdo poet që krijon. Jeta e njeriut është poezi, – poezia është Poeti!

Në prozë humbet në honet e thellësisë së shpirtit, kujtesës dhe  përvojave jetësore në këndvështrimin metaforik. Në prozë je thellësisht i vetmuar, ndërsa në poezi bisedon me natyrën, me zogjtë, me dashurinë , me jetën. Poezia e proza kanë  vështirësitë e veta. Poeti e prozatori duhet të jetë  i aftë për të dyja.  Por edhe poezia e proza ecin së bashku si dy nimfa të dashuruara.

– Kam vënë re që ju i shkruani shumë dashurisë në një këndvështrim të veçantë dhe tepër kurajoze, si është pritur fillimisht nga  opinioni shqiptar? Çfarë keni parasysh kur botoni, lexuesin, apo veten? Si mendoni ju për kualitetin e lexuesit të poezisë?

– Vetëm dashuria shpëton botën! Fjala dashuri në vetvete është një! E bukur, e brishtë inteligjente dhe gjthpërfshirëse. Ekzistojnë dy shprehje për dashurinë: – Të dashurosh dhe të jesh në dashuri! Që të dyja kanë në themel brishtësinë e sinqeritetit të ndjenjës njerëzore. Të jesh grua të të dashurojnë është art dhe të përjetosh një dashuri nga më të bukurat e jetës është vërtet –art. Pikërisht ky lloj model i sinqeritetit të dashurisë, më ka dhënë mua kurajon, forcën, guximin e besimin për të lëvruar pjesën më të guximshme të poezisë atë liriken, erotiken, meditativen e krehur bukur me skena hipotetike të besueshme të ndjeshme dhe me etikë intimiteti poetik e prozaik. Kam pasur tre lloj vlerësime; të ndershme e objektive – vlerësime lajkatare maskilistësh, – vlerësime ambiciozësh që i shtojnë vetes strese duke pasur zili gjërat të shkruajtura nga unë, një emër jo fort i njohur në poezi para pak vjetësh. Gjithsesi, të gjithë i përshëndes, se fundja ata/ato e kanë lexuar poezinë dhe prozën  time. Sa për mbështetjen e poetëve të talentuar kam ndjerë mbështetjen e tyre dhe kemi ndarë së bashku eksperiencat. Është klishe e lashtë;  “Çfarë shkon rreth, vjen rreth e rrotull” – një gjetje kjo veçanërisht e vërtetë e mbresëlënëse për komunitetin e poetëve. Unë jam një e apasionuar pas të shkruarit brenda realitetit që jetoj, jo për të qenë e pasur apo të fitoj famë – unë vetëm bëj kompromis me lirinë time dhe lirinë e lexuesit, bëj kompromis me vetveten dhe përshëndes emocionalisht dhe artistikisht lexuesin e krijimtarisë sime, bëj kompromis me mesazhin e emancipimit shpirtëror, qytetar e intelektual që ja edhe ai/ajo/lexuesi/lexuesja  të ndjehet ashtu sikundër ndjehem unë –gjithçka në emër të dashurisë njerëzore.

– A mendon se letërsia shqiptare i ka shkallmuar prangat e diktaturës dhe a mendoni ju që një shkrimtar i realizmit socialist të shkruajë vepra të letërsisë moderne?

 

– Po është më se e vërtetë se ekziston dhe ndjehet ndryshimi thelbësor mes dy epokave –realizmit socialist dhe periudhës postkomuniste, është rrotacion  konceptesh e përmbysje dogmash, dhe letërsia ka fituar  lirinë dhe forcën shprehëse. Gjithsesi asnjë shoqëri nuk është statike. Shkrimtari, poeti e artisti i shërben një periudhe të caktuar historike, popullit e  kombit të tij. Por e përbashkëta brenda krijimtarisë  letraro – artistike mes dy epokave janë, frymëzimi, bota shpirtërore e secilit nga ne dhe vlerat njerëzore të saj. Të gjitha këto duhen kuptuar thellësisht në kohën e kushtet kur ajo krijimtari është  shkruar. Ne kemi sot shkrimtarë të shquar që u përkasin dy epokave,  shkrimtarë që kanë bërë emër dhe janë vlerësuar nga kritika e kohës në epokën që ata kanë jetuar e shkruar. Ndërsa këta shkrimtarë të vjetër shpalosën ide të mëdha, që bota duhet të ndryshonte, për një kohë të re e me koncepte të reja, ata ditën si t’jua kalojnë të rinjve stafetën, dhe të marrin përsipër luftën për ndryshim që është luftë e vazhdueshme. Dhe lexoni letërsinë postkomuniste sa vërehet ndryshimi e progresi, – ndonjëherë ajo merr gjenerata, por shpresa për ndryshim nuk vdes.

– Në vlerësimet e veprave në letërsinë shqipe, a mendoni ju që duhet një komision mbarëkombëtar me specialistë të letërsisë për të bërë veçimin e më të arrirave dhe për të bërë një kritikë të mirëfilltë të tyre dhe si e mendon nëse po?

– Çdo krijues  dhe autor duhet të dijë se puna, praktika, eksperiencat jetësore  dhe durimi i bëjnë shkrimtarë dhe  poetë. Jo gjithçka që shkruhet është perfekt e duhet ta botojmë. Që shkrimtarit apo poetit t’i botohet vepra, së pari ai/ajo duhet patjetër të vetë ndërgjegjësohet për atë që ka shkruar dhe të kërkojë që vepra e tij/e saj të vlerësohet së pari nga një Bord Letrar dhe Kritika e Kohës i përbërë me specialistë profesionalë të gjinive të ndryshme për cilësinë, nivelin letraro – artistik, drejtshkrimin e gjuhës shqipe, si edhe  ruajtjen e pastërtisë gjuhësore nga huazimet e gjuhëve të huaja. Kur them që të vlerësohen, dua të theksoj që edhe botuesit e veprës së tyre do të konkurrojnë më pas. Botuesit janë biznesmenë njëlloj si bizneset në profesione të tjera. Nga ata kërkohet “nivel monetar,…”jo artistik, kërkohet për qokë  dhe famë. Sepse ata – botuesit – nuk janë filantropistë, ata janë aty për të fituar para. Është domosdoshmëri jetike dhe unike që veprat e reja para se të çohen për botim të vlerësohen nga një komision mbarëkombëtar, jo vetëm për të na dhënë vepra të mira e të arrira, por rritet edhe  interesi për të lexuar dhe detyrimi ndaj lexuesve sikur plotësohet më dukshëm e më mirë. Nëse shkrimtari dhe poeti kanë  pasionin dhe talentin e lindur, nuk ka rëndësi sa kohë merr, libri do ta shohë dritën e botimit, fundi e justifikon mjetin.

– A mendoni ju, që përveç Ismail Kadaresë, kemi shkrimtarë që e meritojnë të kandidojnë për çmimin “Nobel” dhe cilët janë ata?

– Kjo është  temë e prekshme, ka shumë për të thënë rreth saj. Vlerësimi letrar në Shqipëri është i përqendruar vetëm në emra të veçantë e të përhershëm. Për këtë temë po jap vetëm mendimin tim personal. Po kemi sigurisht shkrimtarë dhe shkrimtare që meritojnë të kandidojnë për Çmimin Nobël, bilës nga letërsia shqipe kemi autore  femra që e meritojnë atë çmim. Në rast se merret parasysh krijimtaria e Petro Markos mbas vdekjes ai meriton Çmimin Nobel – ndërsa mes gjeneratës së artë të shkrimtarëve dhe figurave të njohura tashmë të letrave shqipe,  e meriton Fatos Kongoli, ndërsa për  femrat autore shqiptare në poezi Luljeta Leshanaku dhe  si shkrimtare e kompletuar, nuk e ekzagjeroj kur e shpreh – e meriton Elvira Dones.

– Në vlerësimet që bën Ministria e Kulturës, apo dhe Bashkitë nëpër rrethe, unë kam shprehur mendimin se këto jepen jo për vepra të arrira, por sa e si ndihmojnë autorët në politikat partiake që janë në pushtet, ju çfarë mendimi keni?

– Si krijuese, intelektuale, qytetare dhe bashkëkombase, ju drejtohem Ministrisë së Kulturës,  kolegëve në Shqipëri e krejt botën e trojet shqiptare,  të hedhin sytë nga Letërsia që shkruhet në egzil, që jo vetëm  i përket periudhës së shtrirjes kombëtare jashtë kufijve të atdheut dhe idealizmit, pasionit dhe shprehjes,  zbulimin e zërit të veçantë rreth veprave të Rilindjes të shpirtit shqiptar krijues të letrave shqipe, rreth ideve të artit si frymëzim shpirtëror dhe metaforës së rritjes intelektuale dhe letraro – artistike, dhe shprehin më së miri të vërtetën universale për individin e shoqërinë, dhe ta vlerësojnë këtë letërsi. Të qëndrojnë larg vlerësimit nën sindromën e klaneve dhe qokave.

– Diçka konkretisht rreth krijimtarisë suaj, librat që keni botuar dhe dorëshkrime, po në të ardhmen keni projekte?

– Unë kam punuar shumë fort që ta ndërtoj krijimtarinë time. Nuk ka qenë e lehtë, me mund e sakrifica fizike, mendore, financiare dhe pasion. Jam përpjekur gjithmonë që të jap më të mirën e të bukurën në krijimtarinë time. Deri më tani jam autore e 12 librave në prozë, poezi e publicistikë dhe bashkëautore në gjashtë antologji kombëtare e ndërkombëtare me poezi shqipe dhe angleze, jam bashkëautore në antologji me prozë e publicistikë, që shkojnë në 18 libra. Shpresoj që këtë vit të botoj disa libra që i kam në dorëshkrim në gjininë e romanit, vëllim me poezi në gjuhën shqipe e angleze, një libër me përsiatje, esse dhe kritika letrare, dhe librin voluminoz me  publicistikë me intervista. Vajza ime e vetme, Evisa është menaxhere e botimeve të mija dhe shpreson shumë që ato këtë vit të shohin dritën e botimit.

– Si funksionon Shoqata e Shkrimtarëve  Shqiptaro – Amerikanë, a ndihmohet nga shteti amerikan, apo nga donatorë të  tjerë? Po për botimin e veprave si veprohet, a ka ndonjë grup kritik në Amerikë që merret me kritikën dhe në ç’nivel është ajo? Roli yt si Kryetare, planet për shoqatën?

– Në kapërcyellin e shekullit 21-ë, poeti, përkthyesi, kritiku letrar dhe publicisti shqiptaro -amerikan Prof. Gjekë Marinaj doli me teorinë në lidhje me Letërsinë Postkomuniste të Diasporës Shqiptare; Grupimin e krijuesve, autorëve, poetëve e shkrimtarëve në egzil, në  Shoqatë apo Lidhje Shkrimtarësh, – ide që pati efekt të thellë dhe mbështetje nga figura të njohura të Letrave Shqipe, mërguar në ShBA – ës, në  dekadën e fundit të shekullit të kaluar, – ide që do të bënte rrotacionin spektakolar dhe historik në letërsi; Themelimin e Shoqatës së Shkrimtarëve Shqiptaro – Amerikanë. Shumica e shkrimtarëve shqiptaro – amerikanë i përkasin Letërsisë Postkomuniste të Diasporës,  ata ndajnë e tregojnë historinë nën efektin e karizmës, aureolës të rrënjëve historike dhe kulturës shqiptaro – amerikane. Është një Shoqatë e regjistruar me ligj, jo fitimprurëse, dhe nuk ndihmohet nga shteti amerikan aspak, gjithshka bëhet në bazë të kontributit financiar të vetë krijuesve  dhe aktivitetet e Shoqatës përballohen me shumë vështirësi, në bazë të kuotës së anëtarësimit në Shoqatën e Shkrimtarëve. Angazhimi im,  me zgjedhjen si Kryetare e Shoqatës,  është  aktiv, angazhim ekstra me vullnet e dëshirë, që pavarësisht mundësive që ofron Amerika,  përballemi me vështirësitë që hasen në emigracion prej punës e obligimeve të ndryshme familjare e ekonomike. Me mbështetjen e Kryesisë, të Presidentit të SHSHSHA – së,  poetit e publicistit Adnban Mehmeti dhe anëtarëve të saj, ndaj idesë sime për të mbajtur një simpozium shkencor rreth  – i dha frytet e veta dhe në fund të vitit të kaluar zhvilluam Simpoziumin Shkencor  me temë “Letërsia dhe roli i saj në Diasporë. Vëmë re se prurjet në letërsi janë të shumta, shtëpitë botuese të shumta, të cilat tashmë janë bërë në modë, duke e trajtuar literaturën, sikur të jenë mallra me shumicë, në një mjet përfitimi material, financiar dhe më shumë gjasa për përfitim moral e intelektual, kështu që veç  kumtesave që u referuan aty dhe certifikimi i referuesve,  u trajtua dhe ramë dakord në parim, ngritja e një bordi kritik letrar, që do të merret me kritikën e librit para se vepra të shkojë për botim. Aktualisht jemi në koordinim e kontakt të vazhdueshëm me kolegët e kryesisë dhe së shpejti ky bord do të funksionojë. Në muajin prill ose maj nuk e kemi vendosur akoma datën, organizojmë aktivitetin letrar  dhe në atë aktivitet do të ndajmë  çmimet për veprat më të mira, por jo si para ca viteve me Penda e Artë, por me emrat  e korifenjve të letrave shqipe në Diasporë si psh Çmimi: Faik Konica, Fan Noli, Arshi Pipa, Isuf Luzaj, Bilal Xhaferi etj.

– Një mesazh për krijuesit shqiptarë…

– Ëndrrat për t’u bërë krijues – poet apo shkrimtar është sa e bukur aq edhe e ndjeshme. Secili krijues duhet të ruajë besimin, guximin dhe kurajon për të hedhur në letër atë që ndjen e përjeton në udhëtimin e lumtur e të trishtë të jetës. Kjo realizohet vetëm  me punë e integritet, pasion e talent, por edhe fat.

Bisedoi:Zyba Hysa

 

Filed Under: Interviste Tagged With: Interviste, Jam bije e Korces, Raimonda Moisiu

KIRURGU I FAMSHËM AMERIKAN DORIAN J. WILSON

January 23, 2014 by dgreca

Nga: Zeqir Lushaj/

…I qeshur, gjithnjë i qeshur. Me një trup sportisti të vertetë. I gjatë mbi 1 e 85. Me një ecje tejet të sigurt dukej si një gjeneral në paradë. Bluzën e bardhë të mjekut thuajse gjithnjë e mbante të hedhur mbi supe pa e veshur dhe pa e mberthyer!Ngjyra e zezë e lëkurës, krahët e fuqishëm,   sytë plot besim e afri, sidomos nën kapelen e bluzën e bardhë i jepnin një pamje gati si legjendare. Zoti e kishte falur at Rob për të hequr dhimbje e për të dhuruar shpresë. Gjithnjë i rrethuar me kolegë që e ndiqnin (me një distance nga pas) e sikur i thonin gjithkujt nga larg: -Ky është i pari ynë, ky është udhëheqësi…!

Mbas 11 ditë qendrimi në një ndër spitalet me emër të mirë të Nju Xhersit, (Spitali me emrin e Shenjëtit), mjekja kirurge që e kishte në patronazh si paciente gruan time Sabrien, na tha në esencë, këto fjalë:

-Gjendja e Sabries është shumë serioze. Melçia e saj ka arritur në dimensione të frikshme. Ne nuk e marrim dot pergjegjësinë e operimit… Ju, tani do të paraqiteni në Kliniken nder me të mirat e globit per transplatimin e organeve në Newark dhe aty do të merrni kontakt me shefin e asaj klinike doktorin me famë botrore Dorian J. Wilson. Ai, vet Ai, do e kryej këtë operacion…!

Dolëm nga spitali disi me zemer të thyer. Siguria e mjekes së nderuar e shumë të sjellshme sikur nuk na dha shumë besim e shpresë!… Në mendjen time e të Sabries, vërtiteshin turlifarë hipotezash: “a mos po dojnë me na heq dere”, “a mos është kancer dhe hezitojnë të na thonë”, “a mos insuranca jonë e shendetit nuk i mbulon krejt shpendzimet?”, etj etj.,  insinuata të njeriut hallexhi, të njeriut që e sheh veten në mes jetë-vdekjes!

…!

… I qeshur, gjithnjë i qeshur. Me një trup sportisti të vertetë. I gjatë mbi 1 e 85.  Me një ecje tejet të sigurt dukej si një gjeneral në paradë. Bluzën e bardhë të mjekut thuajse gjithnjë e mbante të hedhur mbi supe pa e veshur dhe pa e mberthyer! Ngjyra e zezë e lëkurës, krahët e fuqishëm, sytë plot besim e afri, sidomos nën kapelen e bluzën e bardhë i jepnin një pamje gati si legjendare. Zoti e kishte falur at Rob për të hequr dhimbje e për të dhuruar shpresë. Gjithnjë i rrethuar me kolegë që e ndiqnin (me një distancë nga pas) e sikur i thonin gjithkujt nga larg: -Ky është i pari ynë, ky është udhëheqësi…!

Pa e parë kurr si njeri (as në foto), por ju siguroj që e njoha dhe prezentimi i tij para nesh në dhomën e pritjes së pacientëve ishte ndoshta thjeshtë një formalitet. Me një dosje në dorë, ai ju drejtue gruas time sikur e kishte parë kushedi sa herë dhe thue se e kishim gjak të afërt:

-Zonja Sabrina! Unë jam doktor Dorian Wilson. Ju kërkoj falje se ju lash me prit pak më shumë se zakonisht prandaj  per viziten e stome nuk do të ju dergoj billë-pagese. Ju ftoj në dhomen e vizitës dhe ju siguroj se kam kënaqësi ti sherbej një familje si ju, -tha ai dhe na prini nëpër ato koridore të mëdhaja që dukej sikur frymonin  me ritmin e frymëmarjes së tij.

…!

…Mbas disa analizash të thella, ishim në herën e tretë në takim me dr Wilson. Nga takimi në takim, nga biseda në bisedë, ai njeri të bëhej me i dashur, më i afert, më shpresëdhënës e bindes në çdo spjegim e deklarim të tij.

Mbasi na foli per gjendjen shendetësore të Sabries, ai doli per dy tre minuta jashtë dhe u kthye me një hartë, më mirë të themi me një grafikë ku paraqitej skicë-diagnoza per të cilën po flisnim. Solli edhe disa mjete plastike që tregonin melçinë dhe me shumë durim, si në një orë mësimi me studentet, na spjegonte ç’ka ndodhur në organin e dëmtuar dhe se, ç’do të bente ai me tej. Perfundimisht tha:

-Sabrina! Ju keni në bark një “top beisbolli”…Po unë do ta heq at’ top! –Ta lëmë per 11 janarin 2001. Ora 8 am? …Fiksoj daten e operimit, e shenoi në kompjuterin e tij sa një telefon i vogel dora dhe na u drejtua:

-A keni ndonjë diçka per të pyetur miqtë e mi të nderuar?

Ndoshta unë u nxitova pak sa nga meraku e diçka ndoshta edhe nga frika dhe e pieta:

-Doktor! –A keni siguri per këtë nderhyrje kirurgjikale?

-Mister Lushaj, -mu pergjigj ai, buzëgas dhe shumë i sjellshem:

-Jam kirurg i vjeter dhe si shef i këtij pavjoni kam plot 13 vjet. Kurr në jeten time nuk më ka ndodhur të më mbetet ndonjë pacient në dorë… Sabrina nuk ka frikë, po ti ç’ke?- më tha ai dhe më ra miqsisht me pëllëmbën e dorës së tij mbi sup.

…!

Data 10 janar 2001. Një natë para operimit. Në ora 9 të darkës në shtepinë tonë në Cliffside Park, ra telefoni:

-Jam doktor Dorian Wilson. Dua të flas me Sabrinën. (Keshtu e shqiptojnë amerikanët emrin Sabrie, ku emri Sabrina është shumë i perhapur).

-…Sonte të lutem të flesh heret, të pushosh sa më e qetë se nesër…, nesër Sabrina më duket se e kem’ lënë që të takohemi!!… Takohemi nesër në mëngjes në klinikë. -Natën e mirë!

…!

Djali ynë i vetem, Lulzimi (profesor në kolegjin “Champittet” të Lozanës), kish një javë që kish ardhur nga Zvicrra per të ju gjetur afër të emës në këto çaste delikate. Kështu që, me djalin Lulin, me nipin Hamitin që jeton këtu në USA, në mëngjes ishim në orën e vendin e caktuar në dhomë-pritjen e para-operimit të ketij pavjoni në Qendren Mjeksore Universitare të Newark,NJ.

…Ora 7-45’ e mëngjesit dhe hapet dera. Shend e gas pershendet i mirnjohuri Prof Dr Wilson dhe i drejtohet Sabries:

-Sabrina! Unë e di që ti je e fortë por edhe unë i fort jam. Të mos kesh asnjë merak.

I bashkoi të dy duart para fytyrës, ngriti shikimin plot besim lartë, dhe foli:

–I lutna Zotit që sot me qenë me Mue e me Ty!!

-Shihemi pas 15 minutave në sallën e operacionit!…

Dhe doli, plot besim, si një fortunë që len pas vetes heshtje e qetësi…

…!

Kishin kaluar 4 orë nga futja në sallë dhe ishte ora plot 12 kur, dr Wilson, u fut vrullshëm në dhomen ku ne ishim në pritje. Si instingtivisht u ngritem njeheresh në kembë.

-Si është gjendja doktor? –Mbaruat?,- -pyeti i pari djali, Luli?

-Gjithçka simbas parashiklimit tim dhe jam shumë i gëzuar. Deri tani kemi kryer vetem hapjen e organeve të mbrëndeshme dhe i kemi vendosur në furka, në tavolinë!… Pra, tani jemi gati të fillojmë nderhyrjen. Jemi tre kirurg por operacionin e udhheq vet-Unë. Po pres edhe një koleg tjetër që vjen per 5 minuta dhe do fillojmë të presim në mëlçi…

…!

-Dola nga salla që të ju takoj juve, Luli. Unë e di se sonte në darkë ju e keni bileten kthyese per në Lozanë të Zvicrrës. Zvicrrën e njoh mirë se atje kam patur fatin të specializohem si kirurg dhe të shtoj se -frengjishtja është një nder pasjonet e mia. Kështu që Ti-Luli, nisu, mos e anullo bileten e per nenen të mos kesh asnjë merak…!

Djali mbasi e falenderoi per këtë vemendje deri tek bileta e tij e udhtimit, i tha se kjo nuk mund të ndodhë, sepse perndryshe unë “përse erdha!”.

-Si të duash, -tha dr Willson duke qeshur, –Veç mos u merzitni se ne edhe 3-4 orë mund të vonohemi.

…!

…Ora 7 e darkës. 11 orë operacion dhe akoma asnjë fjalë, asnjë lëvizje, asnjë lajm veç takimit të orës 12 siç ju pershkrova më sipër…

Unë, djali Luli e nipi Hamitit e kishim humbur qetësinë e gjithçka ishte kthyer në një ankth të paspjegueshem, në një ankth ndjellakeq. Nuk mund të rrimin më në dhomen e pritjes dhe endeshim nëpër koridore per ti dhënë vetes sado pak qetësi… Mbas njefarë kohe, një grua e mbajtur, e kujdesshme në paraqitje e sjellje, na u drejtua:

-Ka kohë që ju shoh të silli këndej. Keni ndonjë hall…?

Ia tham problemin…11 orë në pritje dhe asnjë lajm…!!

-Mos u shqetësoni,- na tha ajo. Unë jam një ndermjetese e shtetit me spitalin dhe kjo këtu është zyra ime. Do shkoj dhe do hy në sallë të operacionit…per një informacion… Dhe ashtu bëri…

Mbas tre katër minutash doli me fytyrën tërë gas dhe nga larg nesh, zgjati të dy duart përpara dhe i ngriti dy gishtat e medhenj lart (konvencioni anglo-amerikan =shkëlqyeshëm!) dhe na foli:

-Asnjë merak mos keni. Sabrina është shumë mirë. Doktor Wilson ka bërë një punë të shkëlqyer…! Për 10 minuta, Ai do të takohet me ju… Prisni te dhoma e vizitorëve ju lutem.

Emocjonet tona u fashiten si një ortek i fuqishëm bore që mbasi ka fshirë ç’ka gjetur perpara në shpatet e maleve, nivelohet mbi shkumen e bardhë të valëve duke bashkuar si një digë e bardhë të dy anët e brigjeve të lumit  me një oshtimë-duhamë larg-përçuese e të pashoqe.

…!

-Ju të tjerët prisni. Luli do vijë me mua dhe do shkojmë të takojmë Sabrinën, –tha dr Wilson dhe i futi krahun djalit e dolën… E shoqroj deri  në reaminacjon. Ju dha porosi personelit: asnjë pengesë per vizitoret e Sabrinës. Zotria ka ardhur nga Europa per të qenë sot afër të ëmës. Pastaj, ju drejtua djali tim: -Infermeret e mia, nga 5 që janë sonte këtu, katër e flasin frengjishtin perfekt, kështu që s’do të keshë asnjë problem…

Sabrieja, mbas atij opracioni odise, ku nga melçia e saj u hoqen plot 7 kilogram e gjysëm mish e gjak, ishte shumë mirë dhe ditën e dytë u ngrit në këmbë.

Zoti në qiell dhe dr Wilson në tokë e kishin bërë mrekullin e tyre duke e rikthyer në jetë.

…!

Mbas disa kohesh, me dërgon djali nga Zvicra një pako të vogël me një brisk-zviceran, si dhuratë per dr Wilson. Shkova te spitali por at’ditë doktori nuk ishte aty e pakon ma mbajten punonjësit e sherbimit per tia dhënë atij.

Të neser-mbrëmen doktori na mori në telefon në shtëpi:

-…Jam i prekur nga dhurata e djalit tuaj. Shumë-shumë faleminderit. Ishte një dhuratë e gjetur me finese… Do e ruaj si një gjë të shtrenjtë, -na tha ai.

…!

Të  nderuar lexuesit e mi të dashur:

-Këtë publikim qëllimisht nuk e quajta “portret”. Pse do thoni ju? Sepse e kam shumë të veshtirë ta bëj portretin  e një mjeku të njohur, portretin e një kirurgu të famshëm në Amerikë e, këta këtu thonë se është i njohur edhe në kontinente të tjera. Pra, pena ime kështu ndjehet e varfër, e brishtë, e paaftë ta japë siç duhet atë figurë. Eshtë kjo arsyeja që ky shkrim është në mendjen e skedat e mia të shtypit plot tash 12 vjet pa u zbardhur në leter as në ekranin e kompjuterit.

Sot vendosa ta shkruaj, tua jap e ta lexoni, por jo si portret… E inkuadrova në rubriken time të kohëve të fundit në ZSh -Njeriu dhe…Njerëzorja- Dhe unë u mundova që të flas sa më pak per tia lënë vendin sa më shumë Atij, kirurgut të famshëm që do të thoja se: -më shumë se Kirurg i famshëm, i tillë ishte (dhe është), edhe si Njeri-

Kur njeh doktor të tillë si shumë i nderuari Dorian J. Wilson, (edhe koleget e tij), kur sheh e provon kaq shumë herë një sjellje tejet njerëzore, njeriu thotë me veten e tij se: -Edhe vdekja në doren e kësi Mjekësh dhe kësi Njerëzish behet diçka si e parëndësishme, ndoshta edhe krejt e papërfillshme….Kjo që ju tregova unë është vetem një rast në jetën e tejmbushur me ngjarje të tilla të dr Wilson. Por “për të provuar verën nuk duhet të pish tërë fuçinë. E njeh me një gotë…”.

…!

Dua tua them të drejten me dorë në zemer: -I mendoj këto që shkrova më lart, e shumë të tjera dhe…mendja më fluturon fill e në atdheun tim, per të cilin, per të mos e prishur shijen e këtyre radhëve sot nuk po flas.

…Por e di që do të flisni ju, lexuesit e dashur .

Një pyetje kërkon përgjigje, nga ne të gjithë, e sidomos nga emigracioni:

-Vallë, a kemi ne të drejtë ta ëndërrojmë e përfytyrojmë atdheun tonë si vendet e tjera mbi këtë tokë në të cilen na fali i Madhi Zoti?

E nëse -Po,  -ju lutëm më thoni se: – Kur?

(Shkrimi është pjesë e librit që autori ka në projekt me titull : ”Amerikë, i thonë këtij vendi”).

 -Per Dielli, USA, Janar 2014-

 

Filed Under: ESSE Tagged With: Dorian J Wilson, Kirurgu, Zeqir lushaj

15 vjet pas krimit makabër në kafenenë “Panda”

January 23, 2014 by dgreca

Serbia nuk mundet ta mashtrojë përgjithmonë opinionin serb me shpifje e fabrikime në llogari të shqiptarëve…/

Nga Fetnete Ramosaj/

Pesëmbëdhjetë vjet pas kryerjes së krimit makabër në kafenenë “Panda” në Pejë, ku më 14 dhjetor 1998, u ekzekutuan gjashtë të rinj serbë, tre prej tyre të mitur, zyrtarët e lartë të Serbisë filluan ta pranojnë publikisht autorësinë e këtij krimi, ndonëse atëbotë me automatizëm ia mveshën Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, edhe pse kjo e fundit gjatë gjithë kohës kategorikisht e mohoi përfshirjen në një akt të tillë terrorist. Dihet se këso kohe qyteti i Pejës kontrollohej dhe terrorizohej nga forca të shumta pushtuese serbe si: nga policia, ushtria dhe njësitet speciale: JSO (Njësitet për Operacione Speciale), OPG (Operativna Grupa / Grupet Operative), PJP (Posebne Jedinice Policije/Njësitë Speciale të Policisë), etj.

Ditë më parë “Kutinë e Pandorës” lidhur me aktin terrorist në “Panda”-n e Pejës e hapi publikisht para medieve serbe, ai që sot konsiderohet njeriu më i fuqishëm në Serbi, zëvendëskryeministri i parë i Serbisë, Aleksandar Vuçiq (ish-sekretari i Përgjithshëm i Partisë Radikale Serbe (SRS) të Vojisllav Sheshelit, që në kohën e Millosheviqit ishte ministër i Informatave, i njohur për qëndrimet e tij ekstreme gjatë luftës në Kosovë, por edhe para saj), mbase për kusuritje politike me kryeministrin aktual të Serbisë, ish-zëdhënësin e luftës të Sllobodan Millosheviqit, Ivica Daçiq.

Vuçiq iu drejtua opinionit serb, duke ia bërë të ditur se Serbia ka kryer krime monstruoze dhe se duhet të ballafaqohen me shumë gjëra të tmerrshme. “Shteti ynë ka kryer krime monstruoze. I ka vrarë kundërshtarët politikë dhe të gjithë ata që nuk mendonin njëjtë me shtetin”, ka thënë Vuçiq, për të vazhduar se “janë shumë gjëra të tmerrshme me të cilat duhet të ballafaqohemi”, duke përmendur si shembull vrasjen e gjashtë të rinjve serbë në lokalin “Panda”, për të cilin tha se “nuk ka dëshmi se vrasjen e kryen shqiptarët, ashtu siç besohej”.

Ndërkaq, kreu i Lëvizjes së Ripërsëritjes Serbe (SPO), Vuk Drashkoviqi, e plotëson edhe më tutje mozaikun e këtij rasti, kur medieve serbe lidhur me këtë rast u deklaroi se Sigurimi Shtetëror i Serbisë (DB), në krye me Radomir Markoviqin, nëpërmjet “paramilitarit” Millorad Ulemekut – “Legija”-s, e ka kryer masakrën në kafenenë “Panda”. Sipas tij, krimi është kryer, me urdhrin e presidentit të atëhershëm serb Sllobodan Millosheviq.

Për ata që nuk e dinë, veç tjerash, Millorad Ulemeku – Legija (i akuzuar dhe i dënuar edhe për vrasjen e kryeministrit serb Zoran Gjingjiq dhe krime të tjera të pasluftës), gjatë luftës në Kosovë, nuk ishte thjesht një “paramilitar”, siç e cilëson Drashkoviqi, por ishte komandanti i të ashtuquajturës Njësia për Operacione Speciale – JSO (Jedinice za Specialne Operacije), e cila ishte njësi ekzekutive e RBD-së (Resorit të Sigurimit Shtetëror serb).

Është me interes pohimi i Drashkoviqit (në gazetën “Kurir”) kur thotë se “vendimin për një seri të krimeve kundër serbëve dhe shqiptarëve që e kanë mbështetur Serbinë dhe e kanë akuzuar UÇK-në, e ka sjellë Millosheviqi, në nëntor të vitit 1998 dhe shtabi i tij strategjik”. (Ky pohim i vërteton ato që i kam shkruar në publikimet e mëhershme, ndonëse bazuar në fakte, gjatë periudhës në fjalë (që nga fillimi i dhjetorit 1998 deri në mars të vitit 1999), në serinë e vrasjeve “enigmatike” nga njësitet operative të sigurimit sekret serb nuk janë vrarë vetëm shqiptarët që e kanë mbështetur Serbinë, por janë vrarë madje edhe shqiptarë – atdhetarë të njohur, që një jetë u dergjën burgjeve e që punuan për çlirim e Kosovës, të cilët Beogradi zyrtar, pas vrasjes, nuk ngurroi t’i etiketojë si “qytetarë lojalë” të Serbisë, duke i vrarë për së dyti! Raste të tilla ka mjaft!).

Sipas Drashkoviqit, “atëherë u vendos që me një seri të sulmeve terroriste që do të kryente DB-ja, pra legjioni i vdekjes i Legijas, në sytë e ndërkombëtarëve UÇK-ja do të paraqitej si organizatë terroriste, dhe në të njëjtën kohë të shkojë në maksimum pasioni antishqiptar në Kosovë dhe në Serbi”. “Të gjitha këto veprime janë kryer nga i ashtuquajturi “Grupi Operativ i Përndjekjeve”, i formuar në atë kohë, që i kishte 18 njerëz në përbërje, të cilët ishin trajnuar nga Legija për aktivitete terroriste në Kosovë, përfshirë edhe krimin monstruoz në “Panda”, nënvizoi Drashkoviqi, i cili edhe vet personalisht në disa raste ishte objektiv i tentim-vrasjeve nga ana e të njëjtit njësit.

Sipas informatave të Drashkoviqit, derisa ish-kryeshefi i RDB-së, Radomir Markoviq, para disa muajsh ka kërkuar amnisti nga presidenti serb, Tomisllav Nikoliq, ai ka kërcënuar që do ta gjunjëzojë Serbinë nëse i publikon të gjitha krimet ndaj serbëve dhe shqiptarëve në Kosovë, si dhe ndaj serbëve e myslimanëve në Bosnjë, krime këto që i ka kryer Serbia me urdhër të Millosheviqit.

Lidhur me këtë, gazeta “Kurir” e Beogradit (e njohur për qëndrimet e saj antishqiptare), duke iu referuar burimeve të afërta me Qeverinë e Serbisë, shkruan se autoriteteve serbe u janë ofruar dëshmi se vdekja e gjashtë të rinjve serbë në lokalin “Panda” në Pejë, më 1998, është kryer nga shërbimet sekrete serbe, pra nga shteti serb. Sipas gazetës, Radomir Markoviqi, ish-kreu i DB-së, u ka ofruar dëshmi autoriteteve se sulmin e ka bërë Millorad Ulemeku – Legija. Markoviqi ka dëshmi për këtë, shkruan gazeta, derisa gjithçka është organizuar nga JSO. Qëllimi ishte që në sytë e ndërkombëtarëve UÇK të dilte si organizatë terroriste dhe të arsyetojnë sulmet në Kosovë. Nga ana tjetër, Ulemeku është i gatshëm të dëshmojë për përgjegjësinë direkte të Radomir Markoviqit në këtë krim. Ulemeku ka zbuluar se urdhri është dhënë nga strukturat serbe të sigurisë, pra se për vrasjen në Pejë urdhri ka ardhur nga kreu i DB-së, post të cilin e kishte Radomir Markoviqi, shkruan “Kurir”.

Se krimi monstruoz kundër të rinjve serbë në Pejë, është kryer nga forcat serbe, për mua personalisht, por edhe për të tjerët që e kanë studiuar sadopak veprimtarinë dhe elaboratet serbomëdha të hartuara qysh para 160-vjetësh e këndej, kjo nuk ka pasur asnjë dyshim, gjë që e kam nënvizuar edhe në publikimet e mëhershme. Kur ka ndodhur rasti kemi qenë të bindur se është vepër e sigurimit sekret serb dhe e “Dorës së Zezë” (sipas “Crna Rukës” famëkeqe), siç i referoheshin shqiptarët njësisë që këso kohe kishte filluar të bënte ekzekutime enigmatike në mbarë Kosovën, me theks të veçantë në rajonin e Pejës, të Istogut, të Mitrovicës, etj. Për krimet e tilla të Serbisë, kanë dëshmuar edhe dëshmitarë të koduar, ish-bashkëpunëtorë të ngushtë të Millosheviqit, në gjyqin kundër këtij të fundit në Tribunalin e Hagës, të cilët kanë ofruar fakte të pakontestueshme se Serbia për të përfituar politikisht nuk i ka kursyer qytetarët serbë, madje duke kryer akte terroriste ndaj tyre, për të pasur pretekst për ndërmarrjen e fushatave të spastrimit etnik kundër “terroristëve shqiptarë”. Por ajo që është me rëndësi në këtë rast, adresimi për planifikuesit, urdhërdhënësit dhe kryesit e krimit është më i qartë, pikërisht në ajsbergun e politikës shtetërore të Serbisë: urdhrin e Sllobodan Millosheviqit dhe të shtabit të tij strategjik, e zbatoi ish-kryeshefi i Sigurimit Shtetëror serb, Radomir Markoviq, nëpërmjet komandantit të Njësisë Ekzekutive të RDB-së (JSO), Millorad Ulemeku – Legija. Me këtë linjë komanduese dhe ekzekutuese, ndërlidhen edhe krime të tjera, vrasje e masakra të shumta kundër shqiptarëve, zhdukja dhe zhvendosja e trupave të shqiptarëve të vrarë në drejtim të Serbisë, por është interesant se me Legijan e Markoviqin dhe me qarqet më të larta shtetërore të Serbisë  ndërlidhet edhe njëri ndër aktet më të rënda terroriste të pasluftës në Kosovë – vrasja e dymbëdhjetë banorëve serbë në fshatin Grackë e Vjetër të Lypjanit, në korrik të vitit 1999, e cila po ashtu iu mvesh shqiptarëve.

Të kthehemi edhe një herë te masakra e 14 dhjetorit në kafenenë “Panda” dhe zhvillimet që ndodhën pas saj. Së pari, akti terrorist në “Panda” u krye vetëm 12 orë pas vrasjes së komandantit Mujë Krasniqi – Kapuçi dhe 41 bashkëluftëtarëve të tij në pritën e ushtrisë serbe në Gorozhub të Hasit, ku u zunë rob edhe nëntë pjesëtarë të UÇK-së (të cilët një muaj më vonë u shkëmbyen me ushtarët serbë të zënë robër në Zonën Operative të Shalës) dhe sulmi në Pejë u krye për të tërhequr vëmendjen e opinionit dhe të diplomacisë ndërkombëtare nga krimet e ushtrisë serbe në Gorozhub, ku një pjesë e madhe e të vrarëve ishin ekzekutuar e masakruar nga afërsia pasi ishin zënë rob; Së dyti, njëkohësisht me këtë akt, filloi një ofensivë e ashpër diplomatike e Serbisë në arenën ndërkombëtare për ta shpallur me çdo kusht njëherë e përgjithmonë Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës si organizatë terroriste; Së treti, vrasjen në Pejë, Serbia e bëri dhe e përdori me qëllim që të thellojë urrejtjen kundër shqiptarëve, gjë që e dëshmojnë edhe grevat e demonstratat masive të serbëve që pasuan pas aktit; Së katërti, e bënë për të arsyetuar praninë e shtuar të forcave ushtarako-policore serbe, kinse për t’u mbrojtur nga shqiptarët dhe për të arsyetuar fushatën e keqtrajtimeve e arrestimeve në masë, rikthimin e forcave ushtarako-policore në terren dhe ndërmarrjen e ofensivave të reja kundër njësiteve të UÇK-së në Dukagjin, në Drenicë, në Llap, në Nerodime, etj.

Vrasjen e të rinjve serbë në kafenenë “Panda”, Serbia e shfrytëzoi për ashpërsimin e fushatës terrorizuese kundër shqiptarëve. Në ditët në vijim pasuan masakrat e tmerrshme si në Raçak të Shtimes, në Rakovinë të Gjakovës, në Rogovë të Hasit, etj. Pikërisht më 17 dhjetor, filloi fushata terrorizuese kundër banorëve të Pejës, veçanërisht kundër atyre të lagjes “Kapeshnica”, me ç’rast u arrestuan mbi 150 qytetarë shqiptarë. Të njëjtën ditë forcat ushtarako-policore serbe e ndërmorën edhe ofensivën e parë frontale, që pas vendosjes së vëzhguesve të OSBE-së në Kosovë, kundër Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në Zonën Operative të Dukagjinit.

Që nga 17 dhjetori, për një muaj radhazi, deri më 18 janar 1999, forcat serbe përdorën gjithë makinerinë e rëndë në ofensivën kundër pozicioneve të UÇK-së në Gllogjan të Deçanit për të vazhduar në pozicionet luftarake në Ratish e Dashinoc, në një vijë frontale prej më se tetë kilometrash të gjatë, ku me gjithë epërsinë në teknikë lufte dhe në numër forcash (merrnin pjesë edhe njësitet ushtarake të Armatës së Tretë të Serbisë, të ardhura nga Nishi), njësitet e UÇK-së korrën fitore bindëse dhe i detyruan forcat serbe të tërhiqen me turp, veç tjerash, duke u mbetur në vendluftime disa tanke e blinda të shkatërruara, dy blinda në gjendje të rregullt, etj.

Është fakt i pamohueshëm se serbët kanë marrë pjesë masivisht në luftën e Kosovës dhe në tri luftërat tjera të përgjakshme që i shkaktuan në territorin e ish-Jugosllavisë në dekadën e fundit të shekullit XX. Këtë masivitet, përveç numrit të të vrarëve në operacionet luftarake në Kosovë e gjetiu, e dëshmon edhe numri tepër i madh i veteranëve serbë të luftës. Numri i tyre sillet prej 500 mijë (sipas Ministrisë serbe të Mbrojtjes), deri në 800 mijë sish (sipas organizatave të veteranëve serbë të luftës)!

Pranimi publik i autorësisë së aktit terrorist në “Panda”-n e Pejës, është një hap përpara në adresimin e drejtë të kryesve të krimeve dhe gjenocidit serb në Kosovë. Është në shërbim të faktit se Serbia nuk mundet ta mashtrojë përgjithmonë opinionin serb me shpifje e fabrikime në llogari të shqiptarëve. Familjarëve të të vrarëve serbë, Serbia duhet t’ua thotë të vërtetën për rrethanat, kohën dhe numrin e pjesëtarëve të forcave serbe të vrarë në frontet e luftës në Kosovë, pasi që deri më tani, asnjëherë para opinionit serb nuk e ka bërë publike të vërtetën për humbjet reale, për dëmet në njerëz, që i pësoi gjatë luftimeve në Kosovë. Në anën tjetër, Serbia deri më tani asnjëherë nuk ka kërkuar falje për krimet dhe gjenocidin e bërë ndaj popullit shqiptar.

Shteti serb me çdo kusht është përpjekur të fshehë gjurmët e krimeve, gjurmët e varrezave masive, siç është edhe rasti i fundit me varrezën masive në Rudnicë të Rashkës, zbardhjen e të cilës Serbia e pengoi për vite të tëra me dekrete presidentësh, ndërkaq kur u konfirmua ekzistimi i saj, pa kurrfarë shkaqesh po e zvarritin nxjerrjen e eshtrave të qindra shqiptarëve.

“Serbia mund të vazhdojë të gënjejë dhe të mohojë gjenocidin, por kjo nuk është mirë, sepse i gjithë rajoni është paralizuar për shkak të këtij mohimi”, do të shprehej vite më parë Janja Bec Neumann, ish-kandidatja për çmimin Nobel, dhe një ndër zërat e rrallë në Serbi që i ftonte bashkëkombësit e saj për pranimin e gjenocidit.

Në vazhdën e këtyre ndriçimeve të krimeve të kryera nga shteti serb, duhet kërkuar edhe ndriçimin e veprimtarisë së të ashtuquajturës “Drejtoria e Gjashtë” apo “Drejtoria e Vrasjeve” e Sigurimit Shtetëror Serb, e themeluar ekskluzivisht “për kryerjen e shërbimeve të fshehta dhe aktiviteteve operative jashtë vendit”, në të cilën janë këmbëkryq edhe dy akterët e lartë serbë, të akuzuar për rastin “Panda”, për vrasjen e gazetarit serb Sllavko Çuruvija, vrasjen e gazetares së BBC-së, Jill Dando, pastaj vrasjen në Grackë të Vjetër të Lypjanit e dhjetëra vrasje të tjera, të kryera brenda e jashtë Serbisë. Veçanërisht duhet të insistohet në ndriçimin e veprimtarisë së kësaj drejtorie në raport me Kosovën dhe me vrasjet politike që kanë ndodhur këtu, kur dihet se që nga viti 1999 deri në vitin 2003, Millorad Ulemeku me njësitin e tij ekzekutiv të RDB-së, ishte i vetmi që nuk i kishte shkëputur lidhjet me Kosovën.

 

 

 

Filed Under: Analiza Tagged With: 15 vjet pas krimit makaber, Fetnete Ramosaj, ne kafe panda

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 17
  • 18
  • 19
  • 20
  • 21
  • …
  • 74
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Kontributi shumëdimensional i Klerit Katolik dhe i Elitave Shqiptare në Pavarësinë e Shqipërisë 
  • Takimi i përvitshëm i Malësorëve të New Yorkut – Mbrëmje fondmbledhëse për Shoqatën “Malësia e Madhe”
  • Edi Rama, Belinda Balluku, SPAK, kur drejtësia troket, pushteti zbulohet!
  • “Strategjia Trump, ShBA më e fortë, Interesat Amerikane mbi gjithçka”
  • Pse leku shqiptar duket i fortë ndërsa ekonomia ndihet e dobët
  • IMAM ISA HOXHA (1918–2001), NJË JETË NË SHËRBIM TË FESË, DIJES, KULTURËS DHE ÇËSHTJES KOMBËTARE SHQIPTARE
  • UGSH ndan çmimet vjetore për gazetarët shqiptarë dhe për fituesit e konkursit “Vangjush Gambeta”
  • Fjala përshëndetëse e kryetarit të Federatës Vatra Dr. Elmi Berisha për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë në Seancën Akademike kushtuar 100 vjetorit të lindjes së Peter Priftit
  • Shqipëria u bë pjesë e Lidhjes së Kombeve (17 dhjetor 1920)
  • NJЁ SURPRIZЁ XHENTЁLMENЁSH E GJON MILIT   
  • Format jo standarde të pullave në Filatelinë Shqiptare
  • Avokati i kujt?
  • MËSIMI I GJUHËS SHQIPE SI MJET PËR FORMIMIN E VETEDIJES KOMBËTARE TE SHQIPTARËT  
  • MES KULTURES DHE HIJEVE TE ANTIKULTURES
  • Historia dhe braktisja e Kullës së Elez Murrës – Një apel për të shpëtuar trashëgiminë historike

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT