• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for January 2014

The InSeries and Washington Ballet salute French songs in a new show

January 18, 2014 by dgreca

Ms. Esmiana Jani a classically trained ballerina and member of the Washington Ballet who is dancing the lead role in La Vie En Rose the latest production by the Washington Ballet in Washington DC../

By Doug Rul*/

On the surface you might not expect a collaboration between the InSeries’s Carla Hubner — originally from Chile — and the Washington Ballet’s Septime Webre — of Cuban descent — to result in a show devoted to French music. But La Vie En Rose, which Webre has co-directed and co-choreographed with David Palmer, the ballet’s associate artistic director, reflects their professional histories.

”About eight years ago,” Webre says, ”notable New York-based cabaret artist Karen Akers and I did a project using French cabaret songs — Edith Piaf, Jacques Brel. Just wonderful French cabaret music.” So while brainstorming with Hubner and Palmer about the focus for a new show, Webre was quick to add French cabaret to Hubner’s idea of performing French art songs, or short classical compositions from the romantic period. Webre describes these mostly 19th century pieces, known as mélodies in French, as ”really, really touching and affecting, and delicate.”

Says Hubner, ”In my former incarnation as a performing pianist, I played a lot of Debussy — that was one of my specialties — and my master’s thesis as a musicologist was on Henri Duparc.” Hubner still dabbles as a performing pianist: She’ll join Frank Conlon to accompany the five singers and 12 young dancers from The Washington Ballet Studio Company in La Vie En Rose. The show, in a run this weekend at GALA Theatre, is the fifth cross-genre collaboration between the InSeries and The Washington Ballet.

”It’s not just a dance concert with singers onstage,” Webre explains. The dancers and singers perform both alone and together in a show with a loose narrative thread — mais oui — about love and relationships. From a kind of youthful innocence in Act 1 to a more sober, even somber, Act 2. ”But at the end of the day having no regrets,” Webre says.

When asked to sum up the show’s gay appeal, a laughing Webre zooms in to state the obvious: ”Well, it doesn’t get gayer than listening to Edith Piaf.” ‘

La Vie En Rose is Friday, Jan. 17, and Saturday, Jan. 18, at 8 p.m., and Sunday, Jan. 19, at 3 p.m. at GALA Theatre, 3333 14th St. NW. Tickets are $40. Call 202-204-7763 or visitinseries.org.

*Published on January 16, 2014

*PHOTO:  La Vie en Rose: Daniel Savetta and Esmiana Jani

(Photo by By Paul Emerson)

Shenim: Ne rolin kryesor interpreton balerina e trupes se baletit te Washingtonit, meorigjine nga Shqiperia, Esmiana Jani.

Filed Under: Featured Tagged With: Esmiana Jani, lead role in La Vie En Rose

NJË ZË VIOLINE NË NJU-ENGLAND

January 18, 2014 by dgreca

Nga Orkestra Profesioniste e Bukureshtit në orkestrën e Konservatorit të Bostonit/

Nga ROZI THEOHARI, Boston/

Ajo quhej Etleva. Sapo kishte mbushur pesë vjeç, prindërit e dërguan në një nga kopshtet e fëmijëve të  Tiranës. Veshur me përparësen e bardhë, si flutur, kur kthehej nga kopshti, nuk vraponte drejt e në shtëpi. Një mur e ndante oborrin e saj nga ndërtesa e Ansamblit të Ushtrisë . Vogëlushja mbështeste duart e vogla tek xhami I dritares dhe ndiqte provat e orkestrës, me sytë e mbërthyer tek violinat. Rrinte aty çaste të tëra, pa lëvizur, deri sa vinte e merrte e ëma. Duke imituar violinistët, Etleva përdorte dy shkopinj të vegjël me të cilët luante tërë kënaqësi, duke dhënë “koncert” para pjesëtarëve të familjes. Ky ishte dhe shkaku që prindërit I blenë si dhuratë një violinë të vogël. Etleva i hodhi tej kukullat, mbasi violina tashmë ishte loja e saj më e parapëlqyer.

Kur bisedon sot me Etleva Himen, një vajzë tërheqëse e simpatike, tashmë violiniste e kompletuar dhe e afirmuar, ajo buzëqesh përmallshëm duke kujtuar gëzimin e madh të violinës së saj të parë. “Qysh e mitur, – thotë ajo, – fillova të merrja mësime violine nga profesori im i parë, violinisti i Ansamblit të Ushtrisë , Shkëlqim Tafaj. Unë ndjehem krenare sepse e fillova me një pjesë të vogël, të thjeshtë të Moxartit, me të cilën u paraqita edhe në konkurs për t’u regjistruar në klasën e parë fillore të shkollës së muzikës “Kongresi i Përmetit.” Dhe ajo kujton me respekt mësueset e kësaj shkolle Iliriana Sherri dhe Florinda Klimi.

Në moshën 8 vjeç, në solo-violinë, Etleva fitoi çmimin “Nxënësi më i mirë i vitit.” Në shkollën 8-vjeçare u dallua jo vetëm për rezultate të shkëlqyera në mësimin e violinës, por fitoi çmime edhe në “Olimpiadën e matematikës” në shkallë rrethi e republike. Prej vitit 1991’- 95 Etleva vazhdoi Liceun Artistik “Jordan Misja” në Tiranë. Gjatë kësaj kohe ka marrë pjesë në programet e Radio-Televizionit si dhe në aktivitetet vjetore të festivaleve në RT. Në maj 1988 Etleva ishte fituesja e çmimit të tretë kombëtar për interpretuesit më të mirë. Gjithashtu ka qenë tri herë fituese e konkurseve kombëtare për muzikën e të rinjve. Gjatë kohës që ka vazhduar Liceun Artistik, ka qenë pjesëtare e orkestrës me të cilën ka dhënë shfaqje në koncerte jashtë vendit si në Itali e në Greqi, ku ajo ka interpretuar si soliste dhe koncertmaester. Liceun Artistik ajo e mbaroi me çmimin “Studenti më i mirë i vitit” në degën e violinës, të letërsisë dhe bazave të përgjithshme të muzikës. Këtë e arriti në sajë të vullnetit të saj të pamposhtur për të studiuar me këmbëngulje e pa ndier lodhje dhe të kujdesit e të dashurisë së mësueses Proletare Skënderi, të cilën Etleva nuk e harron kurrë.

Mbas mbarimit me sukses të liceut Etleva fitoi një burse studimi nga Universiteti i Muzikës i Bukureshtit, Rumani, në vitin 1998 deri 2000. E nderuar për aktivitetin e saj muzikor në Rumani, ajo ishte pjesëmarrëse e orkestrës së shkollës si dhe anëtare e Orkestrës Profesioniste të Bukureshtit. Ajo mori pjesë me dinjitet artistik në “Moxart Festival” në Bukuresht me 1998. Në Bukuresht, gjithashtu, ishte mësuese e violinës në shkollën e mesme të muzikës.

Por ëndrra që nuk e linte të qetë, ishte dëshira e saj për të studiuar në Amerikë, vendi i mundësive të mëdha për talented e mëdha. Ajo e pati këtë fat dhe në vitin 2000 erdhi në Amerikë me visa-student; u regjistrua në Konservatorin e Bostonit, ku menjëherë u bë anëtare e orkestrës së këtij konservatori, me një gradë të lartë vlerësuese 3,67. Prej asaj dite ajo ka interpretuar në një numër të madh koncertesh brenda e jashtë universitetit, si soliste. Po ashtu, si pjesëmarrëse në grupin “Muzikë dhome”, ka marrë pjesë në “Festivalin e muzikës së dhomës” në vitin 2001 e 2002.

Në të njëjtën kohë, me zotësinë dhe përpjekjet e saj Etleva arriti të fitonte një vend në Orkestrën Simfonike të shtetit të

Vermontit, Mass, gjatë një dëgjimi-provë në verën e vitit 2002.

Nju—Englandi hapi dyert për talentin e saj. Qysh atëherë ajo është pjesëmarrëse korrekte duke luajtur në violinë rregullisht

si anëtare e orkestrës dhe  në qershor të këtij viti ajo do të nënshkruajë kontratën për të punuar me kohë të plotë në

këtë orkestër. Ajo qëndron gjithnjë e para në listën e kandidatëve që kanë marrë pjesë në konkurs. Ja ç’thotë Eleanor

Longu, manaxherja e Orkestrës Simfonike të Vermontit: “Etleva shkon gjithmonë në rritje dhe përsosmëri, është një muzikante

e mrekullueshme dhe shumë serioze në karrierën e saj profesionale. Te lokalizuar relativisht larg nga qendra e muzikës

metropolitane, ne ndjehemi me fat që një kalibër i tillë i lartë i violinës, si Etleva, të bashkëpunojë me ne.” Dhe në fakt, çdo

pjesëmarrës i orkestrës e vlerëson kontributin muzikor të Etlevës si anëtare e denjë e orkestrës së Vermontit. Për më tepër, në

shtetin rural të Vermontit, që ndodhet në kufi me Kanadanë, Orkestra Simfonike gjithnjë vjen duke u shkurtuar në numrin

e orkestrantëve të saj duke zgjedhur muzikantë me standarte të larta profesionale. Një ndër ta është dhe violinistja shqiptare,

Etleva Hima. Prandaj nuk është e rastit që violinisti solist, i famshmi Jaime Laredo, drejtori dhe dirigjenti muzikor i kësaj

orkestre, ka pranuar të planifikojë disa sesione konsultimi me violinisten Etleva, që është një nder i rrallë. Kjo vërteton

vlerësimin e lartë që ka drejtori muzikor për interpretimin, përkushtimin dhe potencialin muzikor të Etlevës.

Tre vitet e fundit Etleva ka qenë anëtare e Orkestrës Simfonike “The Claflin Hill,” në Boston, ku ajo interpreton si

të tjerët, me kapacitetin profesional të violinistit, megjithëse ka qenë një “visa-student” në Amerikë. Si anëtare e kësaj orkestre,

e cila prezanton muzikën e lartë simfonike të të gjithë botës, Etleva ka marrë pjesë në shumë koncerte në të gjithë rajonin

Metrowst të Bostonit. Paul Surapine, drejtori ekzekutiv dhe artistik i Orkestrës Simfonike, “The Claflin Hill” thotë për

Etlevën: “Zonjusha Hima është “first call” musician— muzikantja më e përsosur në orkestrën tonë. Megjithëse është

duke kompletuar një kurs të vështirë e të mundimshëm në studimet e saj muzikore në Boston, ajo asnjëherë nuk është

shkëputur nga detyrimet e orkestrës “The Claflin Hill” duke punuar me dinjitet artistik e profesional në seksionin e violinave

të orkestrës, ku marrin pjesë violinistët më të shkëlqyer të Nju- Englandit…Ajo është një “pasuri,” një “kapital” i organizatës

sonë dhe plotëson të gjitha cilësitë dhe besimet mbi të cilat është ngritur e qëndron kombi ynë. Ajo erdhi në Amerikë të ndërtojë

një jetë të re, të punojë e të realizojë ëndrrat e saj dhe të kontribuojë për një “botë të re.” Etleva Hima është lindur në Europën

Lindore, por unë jam krenar ta quaj atë një amerikane.”

Etleva është një vajzë shumë energjike dhe muzikante e fokusuar. Me muzikën e saj ajo sjell standartet më të larta të

ekzekutimit duke u shkrirë njësh shpirti i saj me instrumentin e violinës. Ajo është gjithashtu një vajzë e mrekullueshme, e

shoqërueshme dhe e dhembshur me kolegët e saj amerikanë, duke ndarë me ta gëzimet ose vështirësitë e profesionit.

Profesoresha e violinës Cora Cooper, në Universitetin Kanzas, ndien kënaqësinë që ka punuar profesionalisht me Etlevën dhe

ka mbresat e përshtypjet më të mira për aftësitë e jashtëzakonshme të Etlevës si violiniste dhe si muzikante. Cora

pohon se violina e Etlevës qëndron mbi të tjerat. Etleva interpreton me nivel të lartë artisitik, ajo punon shumë e

parapërgatitet simbas kalibrit më të lartë të interpretimit. Sipas saj, Etleva i ka të gjitha mundësitë për t’u aktivizuar si violiniste

soliste dhe për t’u shkrirë në harmoni e në unitet së bashku me veglat e tjera të orkestrës. “Unë jam e sigurt, – thote Cora, – se

Etleva zotëron kapacitetin e duhur, tashmë të plotësuar, për të interpretuar si solo-violinë. Teknika e saj ka arritur në shkallën

e parë; ajo “prodhon” tone të pasura e të ngrohta. Dhe ajo që është më e rëndësishmja është zëri individual me të cilin ajo

luan në violinë. Interpretimi i saj është personal, prekës dhe stilistikisht i pëlqyeshëm. Kur dëgjova interpretimin e “Concerto

in A major” të Moxartit, dëshiroja të kisha mundësinë ta regjistroja atë…Etleva e ka dhuratë aftësinë për të luajtur

muzikë gjallëruese, ndezëse. Në të njëjtën kohë, zonjusha Hima është e barabartë në stil dhe në teknikë me standartet e arritura

në periudhën e romantizmit e të barokut.”

Përveç aftësive të saj të jashtëzakonshme në repertorin standart të violinës, Etleva është e interesuar edhe për artin

muzikor e folklorik të vendlindjes së saj, Shqipërisë. Ajo studion e bën kërkime në këtë fushë dhe më informon se duke punuar me

një dirigjent orkestre në Boston, dha koncert me një pjesë nga repertori i muzikës shqiptare në sezonin 2003-2004.

Shumë shqiptaro-amerikanë të Bostonit ndoqën me interes koncertet e violinistes shqiptare në dy recitalet e saj në Boston e në Franklin, Mass.

Ja ç’thotë për të Artisti i merituar Xhoni Athanasi: “ Kam kënduar në një koncert i shoqëruar nga Etleva. Gjithashtu e

kam dëgjuar interpretimin e saj solo në një koncert-provimi ku ajo luajti shumë mirë. Etleva është një vajzë e talentuar dhe

me të dhëna muzikore. Ajo ka teknikë shumë të avancuar, punon me një disiplinë artistike të veçantë. Është studioze,

ç’ka e kërkon instrumenti i violinës. Në repertorin e saj ka vepra nga më të rëndësishmet dhe unë jam i sigurt se Etleva është një

violiniste soliste me perspektivë.”

Jeta e përditshme e violinistes së shquar është e mbushur me data koncertesh, provash, udhëtimesh, studimesh e, veç

këtyre, ajo jep mësim violine në disa shkolla në zonën e Bostonit: në North Benet St. School—shkollë profesionale e violinës, në

Franklin School of Performing Arts—shkolla më e madhe e artit në atë mjedis, me 1500 studente, ne studion private

LexiMusic etj. Studentët e saj janë amerikanë, që nga fëmijët e vegjël deri në moshat më të rritura, me nivele të ndryshme

përgatitjeje. Cilësia e lartë e mësimdhënies e bën atë shumë të kërkuar nga shkollat e muzikës dhe ajo nuk bën asnjë refuzim.

“Megjithëse jam shumë e ngarkuar,—pohon Etleva,—këtu në Amerikë me pëlqen, këtu ndihem mirë. Ia kam krijuar vetes

atë lloj relacioni me kolegët e mi amerikanë, sa, kudo e kurdoherë ndiej ndihmën e përkrahjen e tyre. Po ashtu, ndiej

mbështetje e dashuri nga familja ime që banon bashkë me mua në qytetin e Somervillit, Mass.”

Në sesionin 2003-2004 Etleva dha një koncert solo-violinë së bashku me “Boston Virtuosi Orçestra.” Po ashtu, soloviolinë,

një tjetër koncert me “Claflin Hill Symphony Orkestra (Milford, MA) dhe “Franklin Performing Art Company”

(Franklin, MA.)Kjo është ajo Etleva e vogël e dikurshme me përparëse të bardhë që sot vesh fustane të zeza, të rënda, në koncertet e saj dinjitoze. Zëri i violinës së saj ka pushtuar sallat luksoze të teatrove më në zë të Nju- Englandit, nesër ndoshta ato të Nju-

Jorkut, Amerikës e më larg.

 

VIOLINA E KUQE

Violinistja Etleva Hima e quajti koncertin e saj “Violina e kuqe.” Ajo luajti si soliste në fillim të nëntorit 2003 në recitalin

e saj special në Seully Hall të Konservatorit të Bostonit.” Këtë titull nuk e kam huajtur nga filmi me të njëjtin emër,” – thotë

ajo. – “Unë dua të interpretoj muzikë nga Shqipëria, të sjell dhe të ndriçoj një pjesë të kulturës muzikore të vendit tim.”

Ajo ua kushtoi koncertin e saj festave të mëdha të nëntorit. Prandaj gjysma e sallës së koncertit ishte plot me shqiptarë.

Mes tyre ishin të pranishme disa familje me origjinë nga Çamëria, të ftuar nga Etleva, e cila edhe ajo prindërit i ka nga

Çamëria. Violina e Etleves qan për tragjedinë çame, tragjedi e trashëguar gjak pas gjaku.

Repertori i violinistes ishte i pasur me sonata për violinë solo nga Bahu, sonata për violinë e piano nga kompozitori shqiptar

Çesk Zadeja, sonata nr.10 për violinë e piano, opus 96, e Bethovenit etj. Ajo u shoqërua në piano nga pianisti Skot Nikolas.

Në koncertin e saj Hima luajti me një nivel të lartë.

Përzgjedhja e programit që përfshinte vepra nga periudha barok e klasicizmi dhe muzika moderne shqiptare, kërkonte

në të njëjtën kohë një gamë të gjerë cilësish, të cilat u panë në interpretimin e violinistes shqiptare. Në mes tyre spikatën

kapaciteti teknik për të cilin violinistja ka punuar gjatë në vite si dhe dimensioni e bukuria e tonit violinistik. Te dëgjuesit në

sallë mesazhi muzikor erdhi i plotë dhe me raportin e duhur tingëllor me pianistin. Gjithashtu Etleva ka një frazim të bukur

e origjinal në interpretim, si dhe motivacion të plotë gjatë interpretimit skenik. Me fustanin e saj të kuq elegant dhe

lëvizjen energjike të trupit, të duarve e të gishtrinjve, ajo i ngjante një lulëkuqeje që e lëkund era e freskët pranverore. E

ulur pranë nënës së saj, unë dëgjoja herë pas here psherëtima.

Ajo ndihej e lumtur e krenare për vajzën e saj.Hima kishte zgjedhur për në fund të programit, koncert për violinë e piano të kompozitorit shqiptar Pjetër Gaci. Ajo është shumë e interesuar dhe interpreton të dy llojet e muzikës shqiptare, popullore dhe klasike.

Pyeta violinistin e dëgjuar shqiptar Lorenc Radovani, i pranishëm në sallën e koncertit, për përshtypjet rreth recitalit të Etleves.

“Recitali i violinistes Hima dhe pianistit Nikolas, – tha ai, – më bëri të përjetoj ndoshta një ndër aspektet më të arrira të

botës shqiptare – artin. Kjo është një fushë ku në Shqipëri u investua shumë gjatë periudhës komuniste, frytet e së cilës

vazhdojnë të ndihen e të reflektojnë tek artistët e vjetër e të rinj.

 

Filed Under: Komunitet Tagged With: Etleva hima, ne New England, nje ze violine, Rozi Theohari

Flet Redi Llupa,një nga emrat më në zë të interpretimit pianistik

January 18, 2014 by dgreca

Intervistë me pianistin Redi Llupa, nga Amerika-performon në Shqipëri/

Intervistoi DEMIR GJERGJI/

Kur vëmë gishtat mbi tastierë na kujtohen shumë mjeshtra të tastierës, deri tek Van Vang pianist i madh kinez e shumë të tjerë, por kjo s’do të thotë që edhe ne shqiptarët s’kemi nxjerrë mjeshtra të tillë. Unë kam këtu njërin prej tyre, ai është Redi Llupa. Ai ka ardhur nga Amerika për të performuar këtu në skenat shqiptare. Por si ka arritur ai të jetë sot një nga emrat më në zë të interpretimit pianistik. Këtë do të na i thotë vetë, pra Redi, cila ka qenë rruga për të arritur deri aty ku je tani?

Kureshtja, studimi dhe mbështetja e prindërve. Studioj shumë, akoma studioj. Mbështetja e prindërve ka qënë maksimale, por kur futesh në botën e artit duhet një ingredient i tillë si kureshtja, kureshtje për të njohur botë të ndryshme në art, dëshirë të njohësh përvoja të ndryshme, njerëz të tjerë të artit.
Kur ti flet për kureshtjen unë si një njeri që vetëm e dëgjoj pianon më shkon mendja tek pjesa e pasme e pianos, tek ajo e padukshmja.
Është shumë interesante se pianoja të bën të interesuar edhe pas shkencës akustikore. Pianoja është një miniorkestër dhe kjo lloj kureshtje bëhet e pafundme kur trupi yt bashkohet me këtë krijese jo jetësore në fillim, por kur merr shpirt nga ty ajo bëhet e jashtëzakonshme.
A të kujtohet moment i parë kur ke vënë gishtat mbi pano?
Vështirë e kam ta kujtoj tani, por më kujtohet impresioni i parë nuk di se çfarë më ndodhi se brenda meje ndryshoi diçka, sikur të shpon diçka, unë kujtoj që jam impresionuar nga tingulli.
Në ç’moshë keni qënë kur ka ndoshur kjo? A të kujtohet?
Unë fatmirësisht kam prindërit muzikantë, mamja ime është pianiste dhe që në vogëli e kam prekur pianon. Dëshira për tu bërë pianist më erdhi më vonë.
Veç asaj kureshtje që ju përmendët, çfarë dhuntish të tjera duhet të ketë dikush që të shkojë me besim drejt instrumentit të pianos, që të bëhet pianist?
Mua më pëlqen që njerëzit të më etiketojnë me dhunti, por ju përmendët besimin. Profesori im Pressler, thotë “që po të kesh besim ti je i plotfuqishëm në skenë ” e po s’pate atë, pra besimin, nuk ke as shpresë, asgjë. Kjo është për të gjitha profesionet, po nuk pate ti vetë besim nuk mund të ecësh, besimi të çon tek puna, mëndja punon dhe trupi punon.
Cila ka qënë ajo fazë e vështirë e punës tuaj për tu bërë ky që jeni, ky pianist që jeni sot?
Mposhtja e mungesës së durimit, kam qënë fillimisht i paduruar doja ta mësoja pjesën shpejt, por ti luan shpejt dhe harron që duhet të kuptosh. Është si të lexosh një libër, ti mund të lexosh pesë romane a më shumë brenda një kohe të shkurtër dhe mund të mos kuptosh ç’ka shkruar Remark, Stendal e shumë mund të përmëndim autorë të tjerë. Duhet të kesh durim, dhe problemi qëndron në atë që: a përballesh ti dot me këtë apo jo? Problemi bëhet bardh e zi pastaj, ose po ose jo.
Cili ka qënë pedagogu juaj i parë dhe ç’ kujtoni në atë fazë.
Në jetë pedagogja ime e parë ka qënë mamaja ime, por në shkollë ka qënë Nadjezhda Porodini. Ajo kish besim që unë mund të zhvilloja diçka në instrument, besoj që veçantia e saj ishte që më mësoi që çdo tingulli ti jepja kuptim, ashtu si në poezi që secili varg duhet të ketë thellësi mendimi.
Po a mendoni që pedagogia juaj e parë, pra nëna juaj, është më e mira që të ka mësuar pianon, apo ke pasur të tjerë pedagogë më të mire pas saj?
Mendoj që nëna ime është pedagogia më e mirë e pianos për mua, sepse ajo më mbush shpirtin, asnjë pedagog tjetër pas nënës time nuk ma dhuron këtë kënaqësi as Porodini, as Presleri i madh, as Rodrigues apo të tjerë.
Redi do të doja të dija: periudha e Shqipërsië ç’farë vendi zë në përgatitjen tuaj për tu bërë një pianist i zoti?
Sa herë kthehem këtu edhe si turist përmbildhen gjithë kujtimet, të afërmit mësuesit, kushdo që ka kontribuar në karakterin tim. Këtu të rritet përgjegjësia dhe privilegji, e them me mburrje që jam shqiptar vij nga një vënd i vogël por me shpirt të madh. E kur luaj kompozitorët shqiptarë akoma më shumë emocionohem.
Kujton ndonjë ngjarje që të ka mbetur në mend nga vendi yt, me që vendlindja është një vend kyç në përgatitjen tënde, kur je ngjitur për herë të parë në skenë apo diçka e tillë?
Vëshitrë ta thuash me fjalë, por sa herë që vij këtu ndjej ashtu siç thotë Naimi aromën e fushave diçka ndryshe është edhe në skenë.
Mos doni të thoni që kur vini këtu ju i bini diçka ndryshe pianos?
Mund të themi që ajo influencon e ndofta një gjykues më i imirë është audienca, veçanërisht një audiencë që më ka ndjekur në disa vënde të ndryshme, unë besoj që më ndodh diçka e veçantë kur luaj në Shqipëri.
Si e gjykonit atëhere muzikën shqiptare pianistike dhe si e gjykoni tani pasi ktheheni pas një përvoje nëpër skenat e ndryshme të botës?
Pyetje shumë interesante për mua tani që pasi kam luajtur repertor të pasur edhe gjeografikisht të jap një mendim. Muzika shqiptare është rritur në vetvete se jemi në një repertor origjinal shqiptar. Une e trajtoj në mënyrë të barabartë me repertorin botëror. Të gjithë artistët shqiptarë poetë, piktorë e interpretues janë të barabartë me atë botëror.
Kur bisedon me ty padashur krijon bindjen sikur ke një jetë prej burri por unë do të gaboja në moshën tënde, cila është mosha juaj e vërtet?
25 vjeç është mosha ime, nuk di është shumë a pak por unë shfrytëzoj çastin për të studiuar e kapur gjithçka dhe jam i kënaqur që jam 25 vjeç se kam akoma shumë kohë për të mësuar.
Tani që mësova moshën tënde them se më hoqe nga arsenali i pyetjeve të mia një armë pasi doja të të pyejsa për muziken e para viteve 90 por ti atëhere ke qënë vetëm 2 vjeç. Cila ka qëne mosha kur jeni larguar nga Shqipëria?
U largova në gusht të 2005 e në tetor bëja 17 vjeç, kam qënë në një kolegj britanik në Itali ku 200 nxënës nga 80 vënde të ndryshme të botës tregonin eksperienca të ndryshme, jo vetëm si artistë por edhe si persona p.sh. shoku im i dhomës ka qënë nga Afrika, një tjetër nga Spanja, Egjipti e plot të tjera vënde. Gjuha, psikologjia e ndryshme kanë influencuar shumë. E bukur është të reflektosh çdo moment në mënyra të ndryshme.
Ç’ndodhi me ju në raport me pianon kur raporti me vendin u bë nostalgjik pas largimit tuaj nga Shqipëria, atdheun e kishit larg por e kishit në zemër?
Raporti me pianon u pasurua, pianoja është një shoqe që s’të ndahet orë pas ore, është aty, të dëgjon pa fjalë aty ku fjalët nuk punojnë më, ndërsa personaliteti im u pasurua. Këtë e them me kënaqësi pasi kam pasur fatin të jem me gjithë këto takime me njerës e kultura nganjëherë edhe ekzotike.
Student të kulturave të ndryshme, po para pedagogut si ishit, ju ishit më pranë tij se një egjyptian apo afrikan apo francez, apo ishin ata para teje.
Në muzikë mund të flasësh me gjuhën e muzikës, gjuhën shpirtërore unë mund të ndërlidhesha shumë thjesht me të tjerët, pedagogët shkojne pas egos së studentit, pra egos dhe ambicjes time për punë për tu bërë më i mirë, për tu bërë ajo që unë synoj, Pedagogët janë të hapur ndaj shpirtit tënd për tu bërë i dobishëm edhe ata donin të ishin të dobishëm ndaj meje.
Ma përshkruani dot itinerarin pasi keni ikur nga Atdheu?
Pas Tiranës shkova në Trieste në Itali në kolegj, pas Italisë stacioni im ishte Amerika me 4 vite studimi në Masachustes në Konservatorin e Bostonit ku edhe u diplomova për piano, pastaj në Indiana University kryeva masterin, aty pata mundësinë të isha student i pianistit legjendar Pressler e më pas tashmë jam në Majemi ku kam filluar doktoratën në piano dhe jam edhe asistent pedagog i pedagogut tim Rodrigues.
Ju ka çuar shansi, fati në këtë itinerar, vëmendja e pedagogëve ndaj teje apo këmbëngulja e familjes që të ka mbështetur vazhdimisht?
Mbështetjet nga familja e pedagogët kanë qënë të padiskutueshme, por propabilitetet janë shtuar me anë të punës e përzgjedhjes time, këmbënguljes se sa doja të mësoja, ku doja të arrija. Profesori im Pressler thotë që gjithmonë duhet të jetë edhe 5% fat, pra edhe fati ka bërë punën e vet, unë s’di ti përgjigjem tamam por unë besoj se është edhe puna.
Nëse në vend të kësaj tavoline do të kishit një piano, cilën pjesë do të luanit më parë?
Janë shumë pjesët që mund të luaj, por di të them që këtë vit kam luajtur çdo ditë Apasionatën e Bethovenit, kështu që do të zhytesha me pasion në të.
Juve keni patjetër një disk të regjistruar se këtë emision do ta pasurojmë edhe me pjesët tuaja.
Po pjesë kontemporane të ndryshme, një pjesë e tyre janë edhe në youtube.
Gjykimi yt për muzikën klasike që nga kolosët e saj e deri në ditët e sotme, si ka ndryshuar muzika pianistke në vite që nga koha e Chladermanit, Lan Langut etj që ju mund të na përmendni më shumë.
Pyetje interesante pasi piano ka historinë e saj të evolucionit teknologjik që kur u shpik si instrument. Sa herë që ajo evolonte si instrument evolonte edhe vetë pjesa, muzika që luhej. Pjesët klasike të Bahut kanë qenë të parat që kanë ndryshuar nga 12 tonalitete minor-maxhor, para tij bëheshin vetëm pesë tonalitete se po të bëheshin më shumë pianoja çakordohej, për këtë arsye Bahu u quajt avangard e kompleks për kohën dhe nuk dëshirohej të luhej. Apo Apossionata, me që e përmendëm, ka shkuar nga nota më e ulët deri tek nota më e lartë. Pjesët e tjera të Bethovenit nuk shkonin me këtë diapazon kështu u rrit gama, u shpërnda dhe tingulli u pasurua . Kjo ish arsyja që në disa raste Bethoveni u quajt si kompozitori që kompozonte gabim. Për kohën ai ishte i avancuar, kontemporan le të themi.. Heroika simfonia nr. 3 e Bethovenit është bërë në kohën e revolicionit francez, atëhere kishte topa, klithma heronjsh shpata etj. tani teknologjia ka ndryshuar e gjithsesi një arkitekturë që i është dhënë shpirt si janë ato të Gjirokastrës apo Beratit për shkak të dedikimit qëndrojnë. Ne prandaj luajmë Bethoven akoma, sepse ai qëndron. Pjesët kontemporane të huajat apo tonat luhen sepse reflektojnë kohën. Ne vetëm pasurohemi kemi kompjutera, avione, makina etj ashtu edhe muzika reflekton prandaj ne luajmë edhe kontemporanët tanë Aleksandër Peci dhe Ermir Bejo.
Por përse luhet Bethoven akoma, (një frazë kjo që unë do ta maj mend), nga mënyra se si ai ka kompozuar kuptohet, apo …
Këtu ndoshta do të kundërshtoj pak se mënyra se si ai donte ta luante Apassionatën ka vdekur. Ne thjesht e kemi të vështirë ta luajmë si ai donte ta luante atë. Një analitik muzicist Buczoni apo Adorno muzikant dhe filozof gjerman kanë thënë që transkriptimi i një partiture kalon tre faza: vjen nga mëndja tek pena në letër, i dyti nga zemra dhe nga mëndja tek performuesi, ndërsa transkiptimi i 3 tretë është nga performuesi tek audienca. Fundin nuk mund t’ja gjejmë është e vështirë, Bethoveni do të luhet sepse ne nuk dimë se si ai ka dashur ta luajë Apassionatën psh.
Një 25 vjeçar, pianist i zoti a mendon se zhvillimi i pianos si instrument ka ecur drejt në ditët e sotme?
Po ka ecur, është akoma në ecje po muzika bëhet më komplekse si teknologjia e saj. Po ta krahasojmë me instrumenta të tjerë si perkusionet që kanë një big bang në ditët e sotme se janë mjaft afër teknologjisë së sotme dhe mund të imitojnë shumë tinguj. Po ashtu edhe piano që ka brenda saj çekiça që përdoren në marinba ne nuk i shohim çekiçat se shohim vetëm “dhëmbët” e pianos. Mund të themi që edhe painoja është një instrument perkusional pasi është një instrument edhe me tela, edhe me taste, por gjithsesi jo perkusoinal tërësisht, Amerikanët si eksperimentuesit më të mëdhenj kanë kompozuar pjesë që duhen luajtur nga prapa pianos, jo në tastirë. Pianoja ështe dhomë e hapur ta jep mundësinë të luash edhe brenda saj.
Në vende të ndryshme, në skena te ndryshme si në Rusinë e largët, Itali a Japoni a tingëllon ndryshe e njëjta pjesë në piano të ndryshme?
Unë në Indiana pata fatin të studioja teknologji pianistike e tani di të akordoj dhe të rregulloj vetë piano. Jam çuditur sa ndryshe janë pianot me njëra tjetrën, sepse disa pjesë të saj bëhen ende nga dora e njeriut kjo i bën jo shumë perfekte. Hapësita më e vogel në milimetër jep një tingull çares tjetër dhe një piano mund të jetë vetëm për ninulla, balada dhe imagjino të bashkohet me akustikën e Veronës, Balshoj teatër apo edhe në TOB. Piano përçon ndryshimin një piano tjetër në të njëjtën skenë tingëllon ndryshe.
Madje fatntazia të çon që në Henë do të tingellojë ndryshe fare se s’ka gravitet. Por le të futemi pak në jetën tënde. Një 25 vjeçar ke qënë 18; 20 vjeçar që ka jetën e vet. Mbase me duar ke dashur të luash në fytyrën e një vajze ç’ka ndodhur me ty gjatë kësaj kohe?
Frymëzime të ndryshme normal. kam dashur të bëj edhe profesione të tjera shtyrë nga kuriozitete të ndryshme. Kam edhe unë muzën time, unë tezen time e kam poete, shkrimtare Eva Gavani, shkruan jashtëzakonisht bukur dhe kam dashur edhe unë aq pak ta imitoj sa do pak me fjalët e mia primitive. Kam dashur edhe me mjete shumë të thjeshta të pikturoj, por edhe me shkencën kam dashur të jem në kontakt të vazhdueshëm. Duke gjetur kohë për studim unë kërkoj të gjej kohë edhe për kohën time të lirë.
Në një koncert, në një sallë të mbushur plot cili do të ishte për ty spektatori ideal apo një person për të cilin do të doje të luaje, një person që të inspironte të interpretoje më mirë nga të gjitha netët e tjera në atë koncert?
Do të përdor përgjigjen e profesorit tim duke perifrazuar profesor Presslerin: nuk ka rëndësi se për kë luan por ka rëndësi se kush frymëzohet nga performanca jote, ajo është audienca më perfekte qoftë edhe një person i vetëm që mund të jetë një fëmijë, një i moshuar por që ti me tingujt e tu e ke ndryshuar sa do pak, e ke prekur atë. S’ka rëndësi numri i spektatorëve, pasi ti mund të bësh koncerte të ndryshme, albume që të gjithë ti blejnë e njëkohësisht mund të ndihesh bosh, pasi nuk je bërë i dobishëm me muzikën tënde. A ka rëndësi muzika jote për dikë? Kjo është.
Këmbëngul në pyetjen time në një version tjetër. Do të luaje në një teatër të Pekinit e pastaj në TOB, a ka ndryshim ky interpretim?
Pyetje pak e vështirë se ndryshimin vështirë ta gjesh. Se kur futesh në muzikë del me mendimin se nuk ka ndryshim, sepse audienca do të kuptojë nëse ti shprehesh, por gjithesi ka një farë ndryshimi që përbën paradoksin – është si muzika kontemporane apo si një film i regjizorit Belatar, janë filma simbolikë se nuk të japin përgjigje në moment, ti duhet ta rishohësh e rishohësh derisa ta kuptosh.
Ikën nga Amerika vjen në Shqipëri: si ndryshon Redi, pra ta lëmë pianistin një çast në marrdhënie me shpirtin tend çfarë ndodh?
Unë qëndroj ashtu si më ka bërë nëna i takoj të gjithë me të njëjtën dashuri, më i apasionuar për dituri. Shqipëria më duket si e njohur ashtu edhe e pa njohur, se vazhdimisht ndryshon.
Gjithë kjo karrierë ç’farë ju ka dhënë, ta lëmë anën mateiale ç’keni marrë prej saj? …vlerësime, diploma?
Dua ta përmledh përgjigjen kam marrë dashamirësinë, jam bërë më mendjehapur e kjo lidhet me atë që unë insistoj të jem i dobishëm për dikë, metamorfoza ime është e lidhur me këtë dhe ja ku jemi, duartrokasim.
Do të doja të dija se a mendoni se jeni në majë tani që jeni në moshën 25 vjeçare?
Jo nuk jam në majë, absolutisht nuk e mendoj, nuk e ka ndjerë në majë veten asnjë muzikant besoj. Unë kam një ambicje: dua të tejkaloj Presslerin profesorin tim. Ne studentët e tij themi që të bësh mësim me Presslerin është si të jetë Sokrati gjallë, e pra pak si shumë ego por unë dua të kaloj Sokratin (qesh)
Maja juaj është që të jeni më mirë se profesori juaj.Keni ardhur kësaj here në Shqipëri nga Majemi, për ç’motiv?
Unë isha i ftuar në Pianodrom dhe luajta disa pjese kontemporane të autorëve të juaj dhe shqiptarë, por do të vi gjithmonë në vëndin tim sepse dua të tregoj se sa më ka dhënë vëndi im, qoftë edhe thjesht gjuha shqipe më jep shumë.
Njeriu yt më i dashur që do doje të të dëgjonte në këtë intervistë të sotme?
Nuk dua të ndaj askënd nga njerëzit e mi, janë të gjithë shumë afër zemrës time kështu që s’do të veçoj asnjë. të gjithë famljen time…
Në fund, Eva Gavanit një pyetje, na ka ndjekur me vëmendje,madje është bërë ajo shkaku për tu takuar sot. Ç’dini për Redin dhe për pianon e tij.
Të flas për Redin dhe pianon e tij kam një emocion më të madh se të flas për Evën, Demirin si poet apo edhe për vetë poezinë. Redi është një produkt i shkëlqyer i prindërve të tij, i familjarëve të tij, ai fëmijërinë e tij e ka të lidhur edhe me mua e kjo më bën të ndihem mirë. Po ti rikthehem një pyetjeje tuajën, do të thoja që njeriu të cilin Redi do të donte ta kishte në koncertet e tij e ta dëgjonte në intervistat e bukura që ka dhënë këto ditë të media është mamja ime, pra gjyshja e Redit e cila e ka rritur dhe e ka ndjekur në sazhot e tij të para, e ka duartrokitur e është përlotur që kur Redi ishte fëmijë. Redi ka duart më të bukura në botë, ka qenë një fëmijë shumë human, i dashur dhe i ëmbël. Redi ka njohuri në letërsinë shqipe historinë dhe gjeografinë. Njeh mirë filozofinë si daja i tij i ndjerë, dhe unë mund të them që Redin e kam dobësi. Të telefonova se Redi ka luajtur dhe është promovuar në skena botërore dhe mua më vjen pak keq që në Shqipëri njihet më pak, por Demir Gjergji veç të tjerash do të mbahet mënd si një nga intervistuesit më të mirë të një talenti shqiptar me famë botërore, që do të kapë shumë shpejt majat. Nuk dua të të marr më shumë kohë Demir, por për gjithë buzëqeshjen, duartrokitjet dhe krenarinë ne e falenderojmë Redin familjarisht.

Intervistoi DEMIR GJERGJI

Filed Under: Interviste Tagged With: Demir Gjergji, Interviste, pianisti, Redi Llupa

KUSH DO TA ZEVENDESOJE SEKRETARIN E PERGJITHSHEM TE NATOS RASMUSEN?

January 17, 2014 by dgreca

Italiani Fratini dhe gjermani de Maiziere, dy emrat më të përfolur se mund të jenë kandidatët e vetëm për Sekretar të Përgjithshëm të Natos, në zgjedhjet e Majit/

Nga BEQIR SINA, New York/

BRUKSEL – BELGJIKE : NATO – North Atlantic Treaty Organisation –  Organizata e Traktatit të Atlantikut Verior – është blloku perëndimor ushtarak. Kjo organizatë u themelua me firmosjën e Traktatit Atlantiko-Verior më 4 Prill 1949 me qendër në Bruksel. Organizata, prej atëhere ka themeluar një sistem mbrojtjeje kolektive, ku vendet anëtare bien dakord të mbrojnë njëra-tjetrën në rast sulmi nga një palë e jashtme. Roli kryesor i kësaj aleance është të ruajë lirinë e Shteteve Anëtare dhe mbrojtjen me anë të forcës ushtarake dhe luan një rol nëpër krizat politike, dhe të gjitha shtetet anëtare të saj janë të gatëshme të kontribojnë me forcat dhe pajisje ushtarake të tyre për të siguruar paqen dhe sigurinë.NATO është një Aleancë që përbëhet nga 28 vende anëtare të pavarura, përfshirë edhe Shqipërinë në udhëheqjen e Kryeminsitrit demokrat Berisha, që nga 1 Prill 2009. Vendet e NATO-s prej nga krijimi i saj më 4 Prill 1952 – kan zgjedhur Sekretarin e Përgjithshëm të parë, e cila ka vazhduar me zgjedhjet e shefit të ri në çdo përfundim mandati.

Që nga ajo kohë dymbëdhjetë diplomatët e ndryshëm, kanë shërbyer zyrtarisht si Sekretar të Përgjithshëm të Alenacës së Veri Atlantikut NATO-s: Hastings Ismay   – Britania e Madhe, Paul-Henri Spaak – Belgjika, Dirk Stikker – Halland, Manlio Brosio –  Itali, Joseph Luns  – Holland, Sergio Balanzino (i përkohëshëm) Itali, Peter Carrington  – Britania e Madhe, Manfred Wörner – Gjermani, Willy Claes – Belgjik,  Javier Solana  – Spanjë, George Robertson – Britania e Madhe, Alessandro Minuto-Rizzo ( i përkohëshëm) Itali, Jaap de Hoop Scheffer – Holland, Anders Fogh Rasmussen – Danimark .

Pozita e Sekretarit të Përgjithshëm, si më sipër ka qenë gjithashtu e mbajtur përkohësisht në tre raste nga një ushtrues detyre të Sekretarit të Përgjithshëm në mes emërimit të ri, me disa muaj.

Ndërkaq, me zgjedhjen e kryetarit të ri, Sekretarit të Përgjithshëm i 13-ti, mbasi mandati i të 12-tit, Anders Fogh Rasmussen – Danimark, përfundon në verën e këtij viti –  ka shumë spekullime, dhe këto më së shumti i referohen medias, e jo burimeve zyrtare qoftë nga kancelaritë apo burime diplomatike.
Ka patur spekullime se mbajtësi tjetër i zyrës së Sekretarit të Përgjithshëm duhet të jetë një politikan e lartë i Europës Lindore dhe janë “pëshpëritur” emrat e Presidentit në detyrë i Rumanisë Traian Bashesku dhe ish-Ambasadorin rumun në Shtetet e BashkuaraMircea Geoana, të cilët janë sugjeruar nga media.

Një tjetër emër sipas shtypit perendimor është edhe ajo e Ministrit gjerman i mbrojtjes Thomas de Maiziere, i cili thuhet se është nën “zjarr” në shtëpi , sipas gazetës Spiegel, mirëpo ai ka një perspektivë të mirë në Bruksel. Ministri i Mbrojtjes Thomas de Maiziere, është duke kaluar një kohë të vështirë në Gjermani , por ai mund të marrë një shans të dytë në Bruksel, sipas Spiegel, e cila, thotë se ka mësuar se ai është një kandidat kryesor, për t’u bërë Sekretar i Përgjithshëm i ardhshëm i NATO-s . Ministria e tij kohët e fundit u detyrua të braktisë një kontratë për mbikqyrje , mbasi akuzohet për harxhim mbi 500.000.000 Eurove ( 641.000.000 USD ) nga paratë e taksapaguesve, gjerman . Ai thonë se ka edhe probleme masive financiare, me përpjekjet e ministrisë së tij për të blerë avionët Eurofighter , një program i cili vlerësohet të jetë miliarda euro mbi buxhetin e shetit të tij .   Por, ai mund të ketë një dritë në fund të tunelit për politikanin e “rrethuar” nga akuzat e më sipërme ,i cili është një anëtar i qendrës së djathtë të Bashkimit Demokristian të kancelares Angela Merkel ( CDU ) . Spiegel, thotë se ka mësuar nga burime që de Maiziere, është aktualisht një kandidat që premton të ketë sukses, pas Danimarkës, me Anders Fogh Rasmusen si Sekretar të ardhshëm të Përgjithshëm të NATO-s, mbasi termi Rasmusen përfundon në verën e vitit 2014, ndërsa zgjedhjet mbahen në muajin Maj.
Brenda ministrisë së Mbrojtjes gjermane thuhet se de Maiziere -së , ka mbështetjen e Kancelares Markel për selinë e NATO-s , zyrtarët kanë treguar se 59 – vjeçari mund të bëjë një ofertë e mirë gjermane për postin  e shefit të Natos.

Organizata e Traktatit të Atlantikut të Veriut – NATO, duhet të nënshtrohet një transformimi , në mënyrë që të merren më mirë me çështjet e sigurisë , tha ish- Ministri italian i Punëve të Jashtme Franko Fratini në një intervistë ekskluzive me Allvoices . Fratini, thuhet se do të kandidojë për postin e Sekretarit të Përgjithshëm i NATO-s, në zgjedhjet që do të mbahen këtë Maj .
Fratini vetë beson se në të ardhmen , NATO-ja duhet të fokusohet më shumë për të ndihmuar rindërtimin e vendeve në periudhën e pas-luftës dhe të optimizuar përdorimin e burimeve në kohë të vështirësive financiare .
Kandidatura Fratini – për postin e Sekretar i Përgjithshëm i NATO-s është e mbështetur edhe nga qeveria italiane . Ai i tha axhensisë Allvoices se ai është shumë krenar për të qenë kandidat i mbështetur fuqimisht nga politikanët në vendin e tij . Fratini, tha se ai ka mbështetje edhe nga vende të tjera , por ai nuk ka dashur të jap emrin e tyre .
Nëse zgjidhet , Frattini ai do të zëvendësojë Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s Anders Fogh Rasmussen, të cilit i mbaron mandati këtë verë 2014 .

Kurse, sipas shtypit edhe vende të tjera që janë anëtare të Aleancës ushtarake kanë sinjalizuar gjithashtu interes për kandidatët e Natos, por nga pasardhësit e mundshme më të diskutuara deri më tani , janë politikani gjerman dhe ai italian që besohet të kenë shanset më të mira .

Shtetet e Bashkuara spekulohet se do të jenë të “përgatitura” për të mbështetur për zgjedhjen e ish- Ministrit të Mbrojtjes dhe Ministrin e Jashtëm të Polonisë Radoslaw Sikorski. Kandidatët e tjera të mundshme përfshijnë ministrin belg të Mbrojtjes Pieter De Krem , të cilin thuhet se zyrtarë brenda NATO-s e konsiderojnë të jetë një nga politikanët më me përvojë . Megjithatë, nuk ka gjasa që ai do të mbizotërojë në konkurrencë të drejtpërdrejtë me de Maiziere, duke pasur parasysh se Gjermania është financuesi i dytë më i madh i NATO-s , pas Shteteve të Bashkuara . Herën e fundit që një gjerman ishte në krye të NATO-s, ishte 1988-1994 , kur Manfred Wörner , një ekspert i politikës së jashtme me CDU , pati kryesuar aleancën në rrëzimin e komunizimit në Europën Juglindore.
Ish- Kryeministri danez Rasmusen ka shërbyer si sekretar i përgjithshëm i NATO-s që nga viti 2009 . Termi i diplomatit Rasmusen u vazhdua edhe për një vit në vitin 2012 për shkak se politikani 60 -vjeçar donte të mbetej në krye të Natos, duke mbikëqyrur tërheqjen e forcave të NATO-s nga Afganistani , si dhe kalimin e përgjegjësisë për sigurinë në vend të ushtrisë dhe policisë afgane .

Sipas faqes së internetit të NATO-s , Sekretari i Përgjithshëm duhet të zgjidhet me konsensus : ” Përzgjedhja është kryer me anë të konsultimeve joformale diplomatike midis vendeve anëtare , të cilat vënë përpara kandidatë për postin . Asnjë vendim nuk është konfirmuar deri sa të arrihet konsensus për një kandidat të vetëm . ”
Sekretari i Përgjithshëm emërohet për një mandat katër-vjeçar , por mund të ofrohen për të mbajtur postin edhe për një vit të pestë, apo të gjashtë sipas situatave që krijohen.(Ne foto Sekretari aktual i NATO-s Rasmusen me kryeministrin Thaci)

 

Filed Under: Komente Tagged With: Beqir Sina, Kusha do ta zevendesoje, Rasmusen

KUSH I SHKRIN PËRGJITHMONË AKUJT NË JANAR? FLAKA E JANARIT…!

January 17, 2014 by dgreca

NGA Azgan HAKLAJ/

Janari është muaji i rëndë prej peshës së acarit e akullit, prej cikloneve dhe të ftohtit. Ndoshta jemi kombi i vetëm në kontinent që nuk e veçojmë për keq këtë muaj të zorshëm. Kjo, jo për mospërfillje, por me faktin se ngjarjet që dominojnë janarin, janë të shenjta për kombin shqiptar . E pikërisht kjo koiçidencë herë e mirëpritur e herë fatale ka bërë që janarin ta konsiderojmë e ta nderojmë. E nderimi i shqiptarit për më tepër kur bëhet fjalë për prijësit e tij, nuk pyet për akuj. I shkrin akujt me ngrohetësinë e shpirtit, me duhinë e zemrës.Pikërisht kjo parantezë më ka ardhë në mendje gjashtë vite radhazi tek kam qënë i ftuar në aktivitetin që organizon çdo vit komuna e Gjilanit me mbështetjen e Qeverisë së Kosovës. Titullohet “Flaka e Janarit” dhe është kulturoro-politik mbarëshqiptar. E pikërisht aty në Gjilan, ku me ditë të tëra rri i ndezur flakadani që skuq qilimin e bardhë të dëborës e shkrin akujt e ftohtësinë e janarit, mora shkas e frymëzim të hedh disa rreshta përkujtimi e homazhi.

Janë rreshta për ata burra atdhetarë e prijës legjendarë apo heronj e martir, që fizikisht u shuan në janar. Janë fjalë nderimi për ato kuvende burrash të kombit që përkundër akujve të janarit, u mblodhën, kuvenduan e u besatuan për Atdhe dhe ngrohën jo vetëm zemrat por dhe vet motin si dragojtë në shkrimet mistike.

Akujt e janarit do të shkrihen nga oshëtima e lajmit tragjik për vdekjen e Gjergj Kastriotit. Ofshama e vajit të burrave dhe grave shqiptare, jehoi ndër hone duke rrëzuar ortiqet. Por ajo që shkriu akujt e janarit të zi ishte mesazhi i bashkimit.

Kalandarët do të përcillnin sëbashku me janarët, ngjarje të tjera në histori, për të ardhur tek janari 1920. Akujt që kishte krijuar Konferenca e Ambasadorëve në Londër e prononcimi tragjik për shqiptarët i Bis Markut në Berlin, do të treteshin nga fjala e besatimi i burrave të mëdhenj të kombit tonë të tubuar në Kongresin e Lushnjës. Sulejman Bej Delvina, ky patriot e vizionar i shquar kishte lëshuar kushtrimin për të ndalur coptimin. E ajo ditë e 94 viteve më parë do të ishte jo vetëm barrikada e moscoptimit por dhe fati i themelimit të kryeqytetit të kombit tonë, Tiranës . Kjo pasi burri i shquar i Matit, Ahmet Zogu, në krye të trupave të qeverisë së Lushnjës, do të çlironte Tiranën, e kancelarive të Europës do ju tregonte se për fatet tona do të ishim vet zot.

E kështu, historia e janarëve s’do të kish mbarim.

Më 17 janar 1982 i ftohti e akulli do të ngroheshin nga lotët e nënave kosovare, pasi në Shtutgard të Gjermanisë u vranë tragjikisht nga U.D.B-ja jugosllave, pionierët e lirisë, Jusuf e Bardhosh Gërvalla dhe nipi i tyre, Kadri Zeka.

Dy vite më pas, më 11 janar 1984, në lagjen e Vranjeve të Prishtinës, gjaku i martirëve të kombit, Rexhep Mala e Nuhi Berisha, skuqi kodrën dhe shkrin akullin e status-quosë së rreme të vendosur me dhunë nga Serbia. Jeta fizike e heronjve mbaroi, por mesazhi i atij janari mbijetoi duke u shndërruar më 1998 në simbol të U.Ç.K-së.

Heronjtë e janarit në Kosovë mbetën simbole të lirisë, sepse me jetën e tyre u sakrifikuan që të jetësonin vendimet e Konferencës së Bujanit, për të drejtën e Bashkimit Kombëtar e mbajtur më 1-2 janar 1944.

Por në memorien e janarit mbetet loti i madh i kombit tonë për prijësin e vizionarin, politikanin e misionarin e lirisë e pavarësisë së Kosovës, Dr. Ibrahim Rugova.

Ngjarje si këto, pak nga të shumtat që përmenda në këto rreshta, e bëjnë janarin të nderohet për jetë e të kthehet në muaj pelegrinazhi, respekti e homazhi, duke e vënë në muzeumin e memories të vlerave tona nacionale.

Filed Under: Featured Tagged With: akujt e Janarit, Azgan haklaj, kush i shkrin

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 32
  • 33
  • 34
  • 35
  • 36
  • …
  • 74
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Kontributi shumëdimensional i Klerit Katolik dhe i Elitave Shqiptare në Pavarësinë e Shqipërisë 
  • Takimi i përvitshëm i Malësorëve të New Yorkut – Mbrëmje fondmbledhëse për Shoqatën “Malësia e Madhe”
  • Edi Rama, Belinda Balluku, SPAK, kur drejtësia troket, pushteti zbulohet!
  • “Strategjia Trump, ShBA më e fortë, Interesat Amerikane mbi gjithçka”
  • Pse leku shqiptar duket i fortë ndërsa ekonomia ndihet e dobët
  • IMAM ISA HOXHA (1918–2001), NJË JETË NË SHËRBIM TË FESË, DIJES, KULTURËS DHE ÇËSHTJES KOMBËTARE SHQIPTARE
  • UGSH ndan çmimet vjetore për gazetarët shqiptarë dhe për fituesit e konkursit “Vangjush Gambeta”
  • Fjala përshëndetëse e kryetarit të Federatës Vatra Dr. Elmi Berisha për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë në Seancën Akademike kushtuar 100 vjetorit të lindjes së Peter Priftit
  • Shqipëria u bë pjesë e Lidhjes së Kombeve (17 dhjetor 1920)
  • NJЁ SURPRIZЁ XHENTЁLMENЁSH E GJON MILIT   
  • Format jo standarde të pullave në Filatelinë Shqiptare
  • Avokati i kujt?
  • MËSIMI I GJUHËS SHQIPE SI MJET PËR FORMIMIN E VETEDIJES KOMBËTARE TE SHQIPTARËT  
  • MES KULTURES DHE HIJEVE TE ANTIKULTURES
  • Historia dhe braktisja e Kullës së Elez Murrës – Një apel për të shpëtuar trashëgiminë historike

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT