NGA Azgan HAKLAJ/
Janari është muaji i rëndë prej peshës së acarit e akullit, prej cikloneve dhe të ftohtit. Ndoshta jemi kombi i vetëm në kontinent që nuk e veçojmë për keq këtë muaj të zorshëm. Kjo, jo për mospërfillje, por me faktin se ngjarjet që dominojnë janarin, janë të shenjta për kombin shqiptar . E pikërisht kjo koiçidencë herë e mirëpritur e herë fatale ka bërë që janarin ta konsiderojmë e ta nderojmë. E nderimi i shqiptarit për më tepër kur bëhet fjalë për prijësit e tij, nuk pyet për akuj. I shkrin akujt me ngrohetësinë e shpirtit, me duhinë e zemrës.Pikërisht kjo parantezë më ka ardhë në mendje gjashtë vite radhazi tek kam qënë i ftuar në aktivitetin që organizon çdo vit komuna e Gjilanit me mbështetjen e Qeverisë së Kosovës. Titullohet “Flaka e Janarit” dhe është kulturoro-politik mbarëshqiptar. E pikërisht aty në Gjilan, ku me ditë të tëra rri i ndezur flakadani që skuq qilimin e bardhë të dëborës e shkrin akujt e ftohtësinë e janarit, mora shkas e frymëzim të hedh disa rreshta përkujtimi e homazhi.
Janë rreshta për ata burra atdhetarë e prijës legjendarë apo heronj e martir, që fizikisht u shuan në janar. Janë fjalë nderimi për ato kuvende burrash të kombit që përkundër akujve të janarit, u mblodhën, kuvenduan e u besatuan për Atdhe dhe ngrohën jo vetëm zemrat por dhe vet motin si dragojtë në shkrimet mistike.
Akujt e janarit do të shkrihen nga oshëtima e lajmit tragjik për vdekjen e Gjergj Kastriotit. Ofshama e vajit të burrave dhe grave shqiptare, jehoi ndër hone duke rrëzuar ortiqet. Por ajo që shkriu akujt e janarit të zi ishte mesazhi i bashkimit.
Kalandarët do të përcillnin sëbashku me janarët, ngjarje të tjera në histori, për të ardhur tek janari 1920. Akujt që kishte krijuar Konferenca e Ambasadorëve në Londër e prononcimi tragjik për shqiptarët i Bis Markut në Berlin, do të treteshin nga fjala e besatimi i burrave të mëdhenj të kombit tonë të tubuar në Kongresin e Lushnjës. Sulejman Bej Delvina, ky patriot e vizionar i shquar kishte lëshuar kushtrimin për të ndalur coptimin. E ajo ditë e 94 viteve më parë do të ishte jo vetëm barrikada e moscoptimit por dhe fati i themelimit të kryeqytetit të kombit tonë, Tiranës . Kjo pasi burri i shquar i Matit, Ahmet Zogu, në krye të trupave të qeverisë së Lushnjës, do të çlironte Tiranën, e kancelarive të Europës do ju tregonte se për fatet tona do të ishim vet zot.
E kështu, historia e janarëve s’do të kish mbarim.
Më 17 janar 1982 i ftohti e akulli do të ngroheshin nga lotët e nënave kosovare, pasi në Shtutgard të Gjermanisë u vranë tragjikisht nga U.D.B-ja jugosllave, pionierët e lirisë, Jusuf e Bardhosh Gërvalla dhe nipi i tyre, Kadri Zeka.
Dy vite më pas, më 11 janar 1984, në lagjen e Vranjeve të Prishtinës, gjaku i martirëve të kombit, Rexhep Mala e Nuhi Berisha, skuqi kodrën dhe shkrin akullin e status-quosë së rreme të vendosur me dhunë nga Serbia. Jeta fizike e heronjve mbaroi, por mesazhi i atij janari mbijetoi duke u shndërruar më 1998 në simbol të U.Ç.K-së.
Heronjtë e janarit në Kosovë mbetën simbole të lirisë, sepse me jetën e tyre u sakrifikuan që të jetësonin vendimet e Konferencës së Bujanit, për të drejtën e Bashkimit Kombëtar e mbajtur më 1-2 janar 1944.
Por në memorien e janarit mbetet loti i madh i kombit tonë për prijësin e vizionarin, politikanin e misionarin e lirisë e pavarësisë së Kosovës, Dr. Ibrahim Rugova.
Ngjarje si këto, pak nga të shumtat që përmenda në këto rreshta, e bëjnë janarin të nderohet për jetë e të kthehet në muaj pelegrinazhi, respekti e homazhi, duke e vënë në muzeumin e memories të vlerave tona nacionale.