• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for January 2014

MIRASH IVANAJ FIGURË E NDRITUR E KOMBIT SHQIPTAR

January 14, 2014 by dgreca

Nga Nikë Gashaj , Podgoricë – Mali i Zi/

 Prof. Dr. Mirash Ivanaj, ka lindur me 1891 në Podgoricë, Mali i Zi dhe ka vdekur me 1953 në Tiranë. Mirash Ivanaj është me prejardhje nga Bëkajt e Trieshit, respektivisht nga Malësia. Ka qenë një personalitet i shquar në kohën kur jetoi dhe punoi. Shkollën fillore e ndjeku në Podgoricë, të mesmen në Serbi, ndërsa studimet e larta i ka  kryer në Universitetin e Romës, ku ka mbaruruar dy degë studimore: letërsi-filozofi dhe jurisprudencë dhe ka arrijtur titullin Doktor i shkencave juridike. Po ashtu i ka di i disa gjuhë botërore. Andaj ai ishte në atë kohë një nga intelektualët më të njohur të kombit shqiptar:  profesor, publicist, jurist, filozof, poet dhe politikan.Mirëpo, Mirashi Ivanaj është dallua dhe për cilësitë e karakterit të tij, si njeri me dinitet të lartë, i ndershëm dhe i drejtë, humanist dhe patriot, burr trim e guximtar dhe  i shkëlqyeshmëm në punën e tij në arsim, kulturë dhe politikë. Me 1923 ka ardhur nga Roma në Shkodër, ku ka qenë drejtori i parë i gjimnazit shtetëror deri me 1930. Gjithashtu në Shkodër themeloi Gazetën”Republika”, si një mjet për të shpalosur idetë e lirisë,  demokracisë dhe atdhedshurisë. Pastaj ka punuar si mësimdhënës nëpër shkolla në Tiranë. Puna e tij në arsim dhe kulturë ka pas jehonë të madhe si njeri me dituri, me vizion përparimtar, me moral të kristaltë dhe atdhetar i flakët. Si i tillë me 1933 u bë Ministër i arsimit të Shqipërisë. Si Ministër ka dhënë një kontribut të jashtzakonshëm në reformimin  e arsimit kombëtar. Reforma e tij ishte e afruar me arsimin perendimor, por me një profil tërësisht shqiptar.  Një reformë e tij e arsimit dhe edukimit ka rezultuar në formimin e shëndoshë të brezave të ri,  me çka ka kontibuar në afirmimin dhe përparimin e kombit dhe shtetit shqiptar. Andaj reforma e arsimit kombëtar e Shqipërisë të asaj kohe, është quajtur dhe” Reforma Ivanaj”. Mu për këtë arësye Mirash Ivanaj  duke iu falenderuar meritave të mëdha të tij në arsim e kulturë, ka hyrë si figura më e ndritur në historinë e kombit shqiptar, për çka është dhe fitues i shpërblimeve e dekoratave më  të larta shtetërore dhe kombëtare.  Ndër to po nënvizojmë: në vitin 1929, Mbreti Ahmet Zogu e dekoroj Mirash Ivanaj me Urdhin”Kumandar”i urdhërit të Skënderbegut”; më 1992, Presidenti i Shqipërisë, Sali Berisha i jep Mirash Ivanaj, Medaljen “MARTIR I DEMOKRACISË”, ku thuhet: “Intelektual erudit, drejtues dhe organizator i arsimit kombëtar, i përkushtuar ndaj çështjes si drejtues shoqëror, demokrat dhe atdhetar i shquar, armik i betuar i diktaturës komuniste deri në flijim”; më 1995, Presidenti i  Republikës së Shqipërisë, Sali Berisha, ia jep  Mirash Ivanaj, Titullin: “MËSUES I POPULLIT”ku thuhet: “Reformator dhe njëri nga kollosët e arsimit shqiptar. Dha  kontribit të shquar si drejtor i parë i gjimnazit shtetëror në Shkodër dhe si ministër i arsimit në fillimet e viteve “30”;  me  2003, Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Alfred Moisiu, e dekoroi Mirash Ivanaj me Urdhërin”NDERI I KOMBIT”,  me motivacionin”Figurë e shquar e kombit dhe kulturës shqiptare, reformator i madh i arsimit dhe shkollës kombëtare shqiptare, luftar i paperulur i indipedencës, lirisë dhe progresit kombëtar e shoqëror”.

Prandaj, Mirash Ivanaj, si shkencatar dhe atdhetar në gjurma të rilindasve kombëtar dhe të përpjekjeve të mëdha të tij, ka  kryer të ashtuquajturën”Reformën Ivanaj”. Ai vlerësonte se shqiptarëve u duhej një shkollë e përbashkët unike kombëtare e drejtuar nga shteti shqiptar.

  Vizioni i tij  i sistemi arsimor ishte lufta për shkollën kombëtare si përçuese e ndërgjegjes kombëtare dhe  kosolidimi i unitetit kombëtar, pavarësisht nga përkatësia fetare. Sipas Mirash Ivanaj krijimi dhe afirmimi i shkollës kombëtare shqiptare duhet të jetë jo vetëm shqipe nga gjuha, por edhe ilumuniste nga përmbajtja, jo vetëm laike, por edhe masive, e përbashkët për të pasurin e të varfërin, për myslimanë e të krishterë, për djelmë e vajzat, një  shkollë ku të arsimoheshin e edukohshin qytetarë të ndërgjegjshëm, jo vetëm të ditur, por edhe atdhetarë. Kjo ka qenë një platformë arsimore dritëdhënëse për kombin shqiptarë.

Ai  vinte në dyshim çdo mision të të huajve në sektorin e arsimit. Edhe sikur të vinin këtu me qëllime bëmirëse. Ata nuk e njihnin realitetitn e vendit. Problemi i edukimit moral, patriotik e  shoqëror- thoshte Ivanaj, ishte shumë më i rëndësishëm se ai “diturak në Shqipëri”.

Në prill 1933 Parlamenti i Shqipërisë i ndryshoj nenet 206-207 të Statutit që  lëjonin çeljen e shkollave private. Në Nenin 206 u përcaktua: Mësimi dhe edukimi i shtetasve shqiptarë janë një e drejtë e  shtetit. Jepen vetëm ndër shkolla dhe institucione shtetërore shkallash të ndryshme si mbas ligjit…Shkollat private, çdo kategorie qofshin, që kan veprua deri sot, mbyllen. Në nenin 207 thuhet: Shkollat fetare për përgatitjen e klerit, të mbajtura prej Komuniteteve fetare shqiptare, janë të lira dhe rregullohen me ligj…

Arsyet e këtij ndryshimit…shkollat private nuk kanë dhënë frytet që priteshin…personeli i tyre nuk është i zhveshur prej ndjesive në kundërshtim me Statutin e parimit e edukatës kombëtare… pse rrënjosin ndjesi anti bashkimore.

Ligji u dekretua nga mbreti më 22 prill dhe u zbatua me 25 prill 1933. Në fund të prillit 1933, reforma Ivanaj u vu në zbatim   me mbydhjen e të gjitha shkollave private, sikurse ishin: shkolla private jofetare 21, shkolla klerikale myslimane 14, shkolla klerikale katolike 17, shkolla klerikale ortodokse 4, shkolla të huaja për shqiptarë 19, shkolla private të minioritetit grek 10. Gjithsejit 85 shkolla ( Arben Puto, Shqipëria Politike 1912-1939, Tiranë 2009, fq. 502 ) 

Duhet theksuar se me zbatimin e reformës arsimore, kryesisht u mbyllën shkollat private të drejtuara dhe të finansuara nga tri qendra të jashtme, nga tri kultura të ndryshme, nga tri shtete “mike” të asaj kohe të Shqipërisë: Greqisë, Turqisë dhe Italisë. Shkollat e huaja shikoheshin si përçues të influencave të jashtme dhe një rrezik për unitetin kombëtar. Në shtypin e vendit dhe në qarqet e diasporës shqiptare  ngrihej zëri kundër një gjendjeje të tillë dhe kërkohej një shkollë më e organizuar dhe e drejtuar nga shteti. Shkolla e shtetit duhej të ishte e vetmja vatër e formimit të njëtrajtshëm kombëtar të brezave të ri.

Shkollat private në Shqipëri të asaj kohe në historiografinë shqiptare por dhe nga studjuesit e huaj vlersohen në mënyrë shumë kritike. Për shembull, historiani i njohur amerikan, Edwin Jacques,  shkruan: Qeveria shqiptare me mbylljen e shkollave private u përpoq të eliminonte propagandën shkombëtarizuese, që ishte e pashmangshme në shkollat e agjencive të huaja përçase” ( Edwin Jacques, Studimi:”Historia e Popullit Shqiptar nga  lashtësia deri në ditët e sotme”, SHBA, Carolina, 1995, fq.433 ).

Po ashtu,  profesori i njohur francez i të drejtës ndërkombëtare, Gilber Gidel, është shpehur: “Asnjë shtet në botë nuk mund të  heq dorë nga kujdesi për arsim, prandaj as shteti shqiptar”.

Sipas Statutit monarkik shteti ishte i ndarë nga feja, por kjo nuk do të thoshte që shteti nuk kishte të drejtën e kontrollit të institucioneve fetare për të mënjanuer çdo veprimtari në dëm të kombit dhe ndërhyrjes të huaj në punët e fesë e të vendit. Kjo spjegohej për arësye të përvojës së hidhur të së kaluerës, kur disa klerik të bashkësive të ndryshme fetare u bënë vegla të ndikimeve të huaja në dëm të interesave kombëtare (Historia e Popullit Shqiptar, Tom III , Akademia e Shkencave e Shqipërisë, Tiranë, 2007, fq. 300 ).

Përfundim: Reforma  e Shkollës komëbëtare  e Mirash Ivanaj ka pasur rëndësi substanciale kundra asimilimit të kombit shqiptar, për tejkalimin e pëçarjes fetare dhe zgjimin e ndëgjegjes kombëtare. Ajo ka qenë digë e pengesës së ndikimit politik dhe kulturor të shkollave private të shtetëve të huaja në arsimimin dhe edukimin e shqiptarëve, respektivisht në asimilimin e tyre.  Pikërisht, shkollat e huaja private kanë qenë pengesë në lëvizjen për çlirimin kombëtar të  shqiptarve. Prandaj shkolla kombëtare ka qenë domosdoshmëri historike, me të cilën ishte e lidhur qenia dhe ardhëmeria e Shqipërisë dhe kombit shqiptar.

Filed Under: Kulture Tagged With: figure e ndrtitur, Kombetare, Mirash Ivanaj, Nike Grishaj, Podgorice

AFIRMIMI I LETËRSISË SHQIPE NË BOTË- ALI PODRIMJA – POET I MADH I RANGUT EVROPIAN

January 14, 2014 by dgreca

NGA JAN MICHAŁ STUCHLY (POLONI)*/

Poet i madh, melankolik, patriot dhe një njeri i thjeshtë – ky ishte Ali Podrimja, që më mbeti në kujtesën time, poet lirik i rallë i revoltës, i  dhembjes dhe vuajtjes njerëzore, i njohur dhe i çmuar jasht kufijve të atdheut të vet, një poet i papërsëritshëm në artin e vet brilant poetik, që e ngriti poezinë shqipe në majet e poezisë evropiane.

         Poezinë e Ali Podrimjes  pata rastin  ta lexoj për herë të parë në revistën e njohur letrare polake „Literatura na świecie” (Letërsia botërore”) qysh në vitin 1979 në polonisht, të përkthyer nga miku im, poeti dhe përkthyesi i njohur Mazllum Saneja. Ndërkaq, veprën e tij më të plotë poetike e kam hasur më vonë në librin e botuar aq të bukur  te edicionit „Pogranicze” „Flaka e vjedhur”( në përkthim të Mazllum Sanejes dhe të Ewa  Śmietańskes) , të poetit tashmë të njohur në Evropë. Ali Podrimja na paraqet botën paralele, të thjeshtë dhe homogjene, të ndërlikuar dhe komplekse, botën që është një  „planet i mërguar” që „ vetëton”, një botë përplot gjarpërinj dhe luanë, një botë e të vetmuarëve dhe e atyre të kërkuarëve. Poezia – letërsia kërkojnë nga shkrimtari një përkushtim të tërë të flijuar e besnik dhe një vetëdije  të thellë kombëtare. Problemet vetjake madje ato më personale dhe intime bëhen dhe ngriten në çështje të përgjithshme të shoqërisë, gama e të cilave është e gjërë dhe komplekse. E këtillë është poezia e Ali Podrimjes, të cilën e karakterizon një gamë e gjërë e problematikës dhe një shumëllojshmëri e mjetëve shprehëse.

Në poezinë e tij Podrimja nuk shtron vetëm probleme të ekzistencës kombëtare, po vete  edhe më larg, duke shtruar dhe kapur probleme universale të njerëzimit, qofshin ato evropiane , botërore , kozmike, ku luftojnë në mes vete Zoti dhe Djalli, ndonëse nganjëherë nuk dihet se kush është Zot a Djall. Ali Podrimja gjithnjë është ballafaquar duke luftuar në mënyrë të paepur me fatin dhe historinë, gjithnjë ballëlart, me guxim, nder dhe dinjitet, i vetëdishmë  për “mjerimin njerëzor”, duke ditur se mund të jetohet edhe me “litar rreth kokes”.

Ndërkaq, shkruaj këtu edhe për thjeshtësine dhe qartësinë kreative, që është një punë e vështirë në të shkruarit çfarë ndodh me magjistarin e poezisë jo vetëm shqipe Ali Podrimjen, i cili si një magjistar i fjalës poetike krijoi gjuhën moderne poetike në tërë historinë e letërsisë shqipe. Konciziteti, shprehjet lakonike me shkurtime të rrufeshme, kontrapunktet, oksimoronet, personifikimet, ndryshueshmëria e rrëfimit, pikat e befasishme kulmore me ato mendime te bukura, të thella, të cilat gjatë leximit zëmë  t’i njohim si fragmente të mendimeve tona.

Dhe shtrohet pyetja  me cilët poetë ka ngjashmëri Ali Podrimja dhe kush është më i afërt përkah mënyra e të menduarit, me format e përshkrimit etj me poetin e madh shqiptar. Duke lexuar me kujdes dhe kënaqësi veprën e plotë poetike “Flaka e  vjedhur” në polonisht të Podrimjes në një përkthim brilant të Mazllum Sanejës më përfytyrohen poetët e mëdhenj botëror Federico Garcia Lorca, Paul Eluard, Pablo Neruda, Salvatore Quasimodo apo Konstantinos Kawafis si dhe poetët tanë Czeslaw Milosz dhe Zbigniew Herbert.

Si përfundim, mund të theksoj se kjo poezi tronditëse dhe rrëqethëse lexohet si një tragjikë e thellë, e përjetuar e një liriku ekzistencial, që dëshmon fillimin e një epoke të re në zhvillimin e formës dhe gjuhës poetike jo vetëm në letërsinë shqipe…

 Sa keq,  që nuk arrita ta njoh fizikisht poetin Ali Podrimja, i cili më në fund e mbaroi udhëtimin e vet prometeik ne atdheun e artit të poezisë , ashtu fillikat i vetëm.

Do ta përfundoja këtë shkrim për poetin Ali Podrimja me vargjet e një poezie antologjike të poetit të madh polak Zbigniew Herbert, kur ia lë porosinë si një dhiatë heroit të vet Zotit Cogito:

       “ Shko se vetëm kështu do të pranohesh në rrethin e kafkave të ftohta

          Në rrethin e stërgjyshërve të tu: Gilgameshit Hektorit Rolandit

          Mbrojtësve të mbretërisë pa kufij dhe qytetit të hirave

          Bëhu besnik Shko”!

*Jan Michal Stuchly, poet dhe piktor polak – deri me sot ka bere bukur shume per afirmimin e letersise shqipe ne hapesiren kulturore te Polonise, duke botuar panorama te tera ne gazeta dhe revista letrare polake.
* (Përktheu nga polonishtja:Mazllum Saneja, i gjate vitit 2013 perktheu dy libra shqip ne polonisht: librat me poezi te zgjedhura te poeteve te njohur Fatos Arapi (“Me jepni nje emer” dhe  Agim Gjakova (“Saga flurore”, perurimi i te cilit u be ne mes te majit 2013 ne Varshave). Nderkaq, perurimi i librit me poezi te zgjedhura te Fatos Arapit do te behet ne maj te ketij viti. 

 

 

 

Filed Under: ESSE Tagged With: Ali Podrimja, Jan Michal Stuchly, Mazllem Seneja, Poloni

Bill de Blasio dhe Kardinali Dolan dëshirojn që Papa Francis të vizitojë qytetin e Nju Jorkut

January 14, 2014 by dgreca

Kryetari i Bashkisë Bill de Blasio u zotua se do të punojë me Kardinalin Timothy Dolan në çështjet si ato të strehimit të përballueshëm gjatë një takimi me dyer të mbyllyra në mes tyre më 13 janar 2014/

NGA BEQIR SINA, New York City/

MIDTOWN NYC – Kryetari i Bashkisë së Nju Jorkut, Bill de Blasio dhe Kardinali Timothy Dolan , Kryepeshkopi i New York-ut , u takua me dyer të mbyllura të hënën për të diskutuar mbi vizionin e tyre të përbashkët për mënyrën se si të punojnë së bashku për çështjet më të ngutshme të qytetit .
De Blasio , i cili u pagëzua katolikë dhe simpatizon teologjinë e majtë me prirje revolucionare( ka pasur lidhje në rininë e tij, me grupet revolucionare në Kubë, Salvador dhe Nikaragua), u zotua për të punuar me Kardinalin Dolan në përpjekje për të sjellë Papën Francis në New York City , në atë që ai e quajti një ” gjë e jashtëzakonshme ” për banorët e metropolit të botës – qytetit të Nju Jorkut.
” Ne kemi peshë të madhe të përbashkët për çështjet e strehimit të përballueshëm , duke ndihmuar ata që janë në nevojë nëpërmjet organizatave bamirëse katolike dhe shumë vepra të tjera të mira që janë bërë nga ana e kishës katolike, në qytetin e Nju Jorkut ” tha de Blasio pas takimit 45 -minuta në banesën private të Kardinalit Dolan -së e cila ndodhet shumë afër me Katedralen St Patrick -së në mes të qytetit – Midtown . ”

Më tej De Blasio shtoi se për këtë qëllim : “Natyrisht që ne kemi një bazë të përbashkët për çështjen themelore të luftuar pabarazinë dhe duke u përpjekur për të ndihmuar ata në nevojë në qytet . ”
Dolan me anë të dekelratës së tij pas takimit me dyer të mbyllyra sipas shtypi njujorkez i bëri jehonë të madhe mesazhit të bashkëpunimit, që solli takimi i tij me kryetarin e Bashkisë zotin de Blasio  i cili siç dihet është pagëzuar katolikë dhe simpatizon teologjinë e majtë me prirje revolucionare(shtypi thekson se ai ka pasur lidhje në rininë e tij, me grupet revolucionare në Kubë, Salvador dhe Nikaragua), .
” Unë vij në këtë konferencë shtypi me ju gazetarët e Nju Jorkut, i frymëzuar nga angazhimi i tij( de Blasios) për shumë nga çështjet që ne jemi të pasionuar për të bërë dhe unë vijë i ngazëllyer për ato që dëgjova për të punuar ngushtë me të , kryetarin e sapo zgjedhur të Bashkisë së New Yorkut, zotin de Blasio ” tha Kardinali Tomothy Dolan .
Mirëpo Kardinali Dolan tha se të dy nuk kan diskutuar diçka mbi fenë e de Blasios dhe bindjet e tij majtiste gjatë takimit , por tregoi se ai do të jetë i lumtur për të mirëpritur de Blasion, përsëri në “Shtëpinë e Zotit” në se ai do të jetë i interesuar.
“Edhe nëse ai nuk dëshiron , përsëri dyert e Kishës sonë janë të hapura” tha Kardinali Timothy Dolan , Kryepeshkopi i New York-ut , pas takimit me dyer të mbyllura me  Kryetarin e ri të Bashkisë së Nju Jorkut, Bill de Blasio.

 

Filed Under: Kronike Tagged With: Bill del Blasio, Kardinal Dolan, Papa Francis

SHBA: Presidenti Nishani, do të marrë pjesë në “Mëngjesin Kombëtarë të Lutjeve”

January 13, 2014 by dgreca

Në këto takime, ftohet edhe Shqipëria rregullisht në 15 vitet e fundit/

 NGA BEQIR SINA, New York/

WASHINGTON D,C: Presidenti i SHBA-ve, Barak Obama do të enjten e parë të muajit shkurt pra më 6 Shkurt 2014, personalitet nga më shumë se 100 vende të ndryshme të botës, në takimin tradicional që thirret “ Mëngjesi Kombëtar i Lutjeve – National PrayerBreakfast”.

Mësohet se Komiteti organizatore i ka ftuar si çdo vit edhe përfaqësuesit të shtetit nga Shqipëria dhe shtetit të Kosovës për të marrë pjesë në njërën prej ngjarjeve tradicionale amerikane, e cila ka karakter të një forumi lideresh. “ Mëngjesi Kombëtar i Lutjeve – National Prayer Breakfast”, është njëra nga ngjarjet tradicionale amerikane, ku në organizim nuk është e përfshirë drejtpërdrejt Shtëpia e Bardhë, por Presidenti amerikan.

Në këto takime, ftohet edhe Shqipëria rregullisht në 15 vitet e fundit. Kësaj rradhe pjesmarrës si përfaqësues i Shqipërisë do të jetë i ftuar Presidenti i Republikës së Shqipërisë, zoti Bujar Nishani, kështu të paktën deklaroi dje në një takim me komunitetin e Wateburyt , ambasadori i R. Shqiperisë në Washington Shkëlqesia e Tij, Gilbert Galanxhi.

Ndërkohë, që thuhet se edhe përfaqësues nga Ministria e Jashtëme e Kosovës do të jenë në Mëngjesin Kombëtar të Lutjeve

Mëngjesi Kombëtar i Lutjeve

Mëngjesi i Parë Kombëtar i Lutjeve është një ngjarje vjetore e mbajtur në Uashington, DC , të enjten e parë të muajit shkurt të çdo viti . Themeluesi i kësaj ngjarje ishte Abraham Vereide . Ngjarja – e cila është në fakt jo vetëm lutje por edhe një vend me një seri takimesh , dreka , dhe darka – ka filluar të mbahet që nga viti 1953 dhe është mbajtur të paktën që nga vitet 1980 në Washington Hilton në Connecticut Avenue NW, jo shumë larg Capitol Hill dhe Shtëpisë së Bardhë .

Gati çdo Mëngjesi Kombëtar i Lutjeve , që është mbajtur në Ballroom të Hotelit Hilton , është ndjekur nga më shumë se 3,500 të ftuar , duke përfshirë edhe të ftuarit ndërkombëtarë nga mbi 100 vende . Mëngjesi i Parë Kombëtar i Lutjeve është pritur nga anëtarët e Kongresit të Shteteve të Bashkuara dhe është e organizuar në emër të tyre nga The Foundation Fellowship , një organizatë e krishterë konservator i njohur gjerësisht si “Familja ” . I quajtur fillimisht “Mëngjesi i Lutjeve Presidenciale”, emri u ndryshua në vitin 1970 për të thirrur “Mëngjesi Kombëtar i Lutjeve .
Kjo ngjarje është projektuar të jetë një forum për elitën politike , sociale , dhe të biznesit për të mbledhur dhe për të ndërtuar marrëdhënie nëpërmjet takimeve që realizojnë duke përfituar nga ftesat që ju bëhen. Që nga fillimi i Mëngjesit të Lutjeve , disa shtete dhe qytete dhe vende të tjera të SHBA kanë krijuar ngjarjet e tyre vjetore mëngjes lutje .
Çdo president i SHBA që nga Dwight D. Eisenhower, thuhet se ka marrë pjesë në ngjarjen vjetore Mëngjesi Kombëtar i Lutjeve

Filed Under: Featured Tagged With: Beqir Sina, ne mengjesin e Lutjeve, presidenti Nishani

KUJT I TAKON REXHO MULLIQI ?

January 13, 2014 by dgreca

Shkruan: Hys Shkreli/

Duket se koha po e bën gjithnje e më madh, nga se  edhe sot, tri dekada pas vdekjës, disa  etnicitete e rrethe kulturore, akoma debatojnë rreth faktit së kujt i takon.  Kompozitorin Rexho Mulliqin, për së gjalli e ndoqen, izoluan, burgosen , heshtën  e anatemuan . Pas vdekjës,  kombe e institucione ,  u perpoqen ta “përvetsojnë” e bëjnë pjesë të kulturës së tyre..

Serbët thonë se ai ishte jugosllav-serb, ndaj është i tyre.  Boshnjakë thonë ishte boshnjak me origjinë, ndaj është pjesë e këtij nacioni . Malaziazët mendojnë se u takon kulturës së tyre,  pasi ka lindë në rrethin e Plaves , maqedonasit lavdërohen më faktin që talenti i tij u zbulua gjatë shkollimit në Shkup , kurse shqiptarët e dinë, e duan dhe e respektojnë si kompozitor shqiptar. Mbi këto polemika qëndron një fakt i fuqishem: Çdo gjë qe Rexho Mulliqi  krijoi, ishte shqiptare. Kritikët e kundershtarët e  Mulliqit,  mund  ta shpallin atë edhe kinez apo meksikan, mirëpo, e tërë krijimtarija e tij është komplet shqiptare. Vetem shqiptare, dhe  shumë – shqiptare. Edhe sikur Rexho Mulliqi , të ngritej nga varri, e të vetëdeklarohej  i pakombësi, përseri arti i tij ,  e bën atë shqiptar, dhe pjesë e fryt të kulturës tonë.

Gjenerata e reja, e njohin më tepër si autor të këngës së popullarizuar “Baresha”, qe pas “Shotës”, është kënga më e njohur në Kosovë. Mirëpo  Mulliqi vet, mbase sot  nuk do ta pelqente  një prezentim ose identifikim  të tillë. Sepse, ai krijoi vepra shumë më të mëdha e më komplekse se “Baresha”. Fatkeqsisht, duke i   takuar një rrethi pa ndonjë traditë të gjatë në muzikën klasike, ne,  kohëhecjen në kronologjinë e kujtimeve tona, e lidhim shpesh më këngë të caktuara popullore e jo më vepra klasike.  Mbase për këtë arësye “Baresha” më famën e vet, ka tejkaluar edhe autorin. Disa, këtë kompozim e identifikojnë vetem më  Nexhmije Pagarushën. Mirëpo, “Baresha” s’do të lindëte pa idenë muzikore të Rexho Mulliqit dhe tekstin e Rifat Kukajt.

Mulliqi, i njohur në rini si Rexhep Mullaj, lindi në Guci  të Malit të Zi në vitin 1923. Shumë heret i  la  imazhet idilike të vendlindjës dhe bukurinë pitoreske  të Bjeshkëve të Nemura  për të u shkolluar në Shkup. U rexhistrua në Medresën e Madhe të  këtij qyteti, e cila, ndonëse ishte menduar si shkollë fetare, u shëndrrua në vatër intelektualësh, patriotësh e disidentësh politik nga të gjitha viset shqiptare. Mulliqi shumë shpejtë ra në sy në këtë shkollë për talentin e tij, jo në muzike, por në pikturë. Në këtë shkollë  asokohe, pos shumë lëndëve tjera  mësohej edhe muzika, e pesë gjuhë të huaja. Megjithëkëtë, pak kush ka mund të parashikojë  që nga një medrese të dal një krijues i muzikës klasike. Aty, Mulliqi kishte arsimtar muzike një rus (Aleksander Zalijev),  i cili i pari  zbulojë talentin e djaloshit për muzikë dhe  i sygjeroi rexhistrimin në Akademinë e Muzikës. E futi në korin e shkollës, dhe i propozoi violinën, instrument në të cilën Mulliqi do të dashurohet shpejtë. Mirëpo, kjo përkrahje e arsimtarit rus , një ditë do të i kushtoi Mulliqit. Do ti hakmerret  e bëhet njollë politike, e akuzë e mëvonëshme.

Nga vitët e Shkupit, dashuri e Mulliqit do të bëhet violina. Më atë instrument, Mulliqi i ri, do të u bie ne sy edhe ushtarëve pushtues italian në vendlindje, ku ushtronte në një  depo të zbrazët pranë rezervoarit të ujësjellësit. Ushtarët italianë, një ditë rrethojnë vendin, mirëpo më të dëgjuar violinën, ulin armët dhe të befasuar më virtuozin e ri, e pagëzojnë atë “Paganini i vogël”…

Nga Shkupi ku qëndroi deri më 1941, Mulliqi transferohet në Shkollën Normale të  Prishtinës. Tri vjet më vonë , fillon studimet në Akademinë e Muzikës  në Beograd. Në këtë qytet, një ditë, të gjitha planet e ëndrrat e tij krijuese do të thyhen. Në vend të diplomës, do të  i dorëzohet fletëarresti, dhe  do të perfundoj në burg, si anti-titist e kundërshtar i sistemit . Në vitin 1948, Jugosllavia prishi marrdhënjet më Bashkimin Sovjetik dhe Stalinin. Pushteti  filloi gjuetinë  kundër politikanëve e  intelektualëve opozitar.  Kjo atmosferë, do të shfrytëzohet për të akuzuar, etiketuar e denuar shumë  njerëz të pafajshem. Të gjithë kritikët e opozitarët e sistemit jugosllav u futen në nje thes dhe në një burg të ngritur mbi një ujdhesë të izoluar në Detin Adriatik. Ishte ky  burgu më i errët e më famëkeq i ish Jugosllavisë, në Goli Otok. Aty gjendej edhe një numer i madh shqiptarësh tjerë të burgosur. Vet emri Goli Otok, apo  “Ishulli i  xhveshur”, për ironi,sikur përkonte më qellimin e pushtetit: xhveshjën nga dinjiteti, liritë peronale e personaliteti i të burgosurëve dhe “krijimi i njeriut të ri” sipas dizajnimit komunist të kohës. Mulliqi nuk u thye…

Pas përfundimit të burgut, në vitin 1953,  Rexho Mullqi do ta lidhë ardhmërinë e tij më Kosovën; Sëpari me Prizrenin, ku punoi si pedagog,  pastaj më Prishtinën (1956) ku do të bëhet përgjegjës i Programit Muzikor të Radio Prishtinës, të vetmit radiostacion  më program në gjuhën shqipe në Kosovë.  Aty  themeloi Korin Radio Prishtinës, dhe sëbashku më Lorenc Antonin i vunë themelet institucionale traditës popullore dhe  muzikës artistike në Kosovë. Edhepse tani në liri, etiketa e zezë – ish i burgosur politik, do të i rri e kercënohet mbi kokë edhe për shumë vite. Megjithëkëtë, jeta  në Prishtinë do ta aktivizojë shpirtin e tij krijues. Më Kosovën, do ta lidhë jo vetëm muzika por edhe  gjëra tjera…

Mulliqi, kishte një fjali, si totem motivues: “Muzika ishte dashurija ime e parë dhe e fundit”, thoshte ai. Mirëpo në jetën e tij është një përjashim nga kjo thënje. Ishte një kohë kur Rexho Mulliqi  kishte edhe një dashuri të dytë – pos muzikës… Duke punuar  në Prishtinë, ai  afrohet më një këngëtare të re  e të bukur, e cila përmbledhëte  në unin e sajë tërë atë qe një krijues muzikor mund ta këtë ëndërr  frymezuese: Bukurinë,  sharmin e zërin. Ajo këngëtare quhej Nexhmije Pagarusha, dhe asokohe punonte në fonotekën e Radio Prishtinës. Dashuria  midis Mulliqit e Nexhmijës u rritë në martesë. Nga ajo martesë lindi i vetmi djal, Leonardi, kurse nga ajo dashuri , lindi kënga e famshme “Baresha”.

Sot,  mund të sypozojme se inspirimi krijues për  “Bareshen” , mbeshtetej në dy burime:  Zërin briliant  të Nexhmije Pagarushës, dhe natyrën magjepse të vendlindjës së  kompozitorit . Ai ishte lindë e rritur pranë Bjeshkëve të Nemura , midis  peisazheve kolorite, ku baresha është frymzim e simbol i bukurisë femrore. Baresha , mbase  ishte një Nexhmije e ëndërruar dikur moti,  larg në rininë e jetën pastorale të lënë në vendlindje. Ndonëse martesa e Mulliqit më Nexhmijën një ditë përfundoi , ata mbetën në lidhje të pafund nëpërmjet këngës së përbashkët  “Baresha”.  Kjo këngë, ka një strukturë të pasur dhe komplekse për zhanrin të cilit i perket. Duket se kompozitori duke krijuar ate, kishte në mend një projekt më të madh. Në të vertetë, elemente e sentenca  muzikore të “Bareshes” hasen edhe në dy simfonitë e Mulliqit. Më vonë, ai bëri edhe një variantë orkestrale të “Bareshes” dhe  kështu, ky kompozimi u bë kriter i standardeve për komponimin e këngëve në frymën e melosit popullor, për krijuesit tjerë.

Vitët e Prishtinës,  do të jenë periudha më e frytshme në jetën artistike të Rexho Mulliqit. Ai u shëndrrua në  institucion, që vuri themelet e  muzikës artistike në Kosovë , posacërisht të simfonisë, si gjini e rëndësishme e këtij arti. E ndiej veten i hendikepuar, që nuk i takoj profesionalisht kësajë fushe për të u thelluar në vlerësimin e  veprave të Mulliqit. Mirëpo, duke studijuar jetëhecjën e tij, më lehtë kuptohet e përjetohet muzika që ai  krijoi dhe anasjelltas: Duke dëgjuar veprat e tij, ne sot lexojmë jetën e kompozitorit. Rexho Mulliqi është autor i simfonise së parë shqiptare të krijuar në Kosovë dhe pionier i muzikës kamertale në  këtë ambient. Ai është edhe i pari shqiptar që shkroi muzikë filmi në Kosovë.  Më përjashtim të operas,  Mulliqi krijoi në të gjitha gjinitë, nga muzika kamertale  e deri tek këngët për fëmijë. Ndër veprat tjera  të njohura të tij janë , Simfonia nr. 1 (1955), Simfonija e Dyte Kosovare, Fantazija simfonike, “Akuarelet e Prizrenit”, “Legjenda per violine dhe piano”, pastaj  kantatat  “Vdekja e heroit”, “Poema per ata”, “Baresha”, kompozimet vokale per kor “Vjeshta” I dhe II, “Kosova”, “Suita e vogel” etj.

Në opusin e tij të pasur artistik,veçohën veprat orkestrale, nga të cilat kurorë e punës së tij është Simfonija e Dyte Kosovare. Ajo është një biografi e Kosovës dhe poetit. Fillon më një shpërthim jete –  në tinguj, si një frymëlindje e  nevojë per hapsirë e energji, dhe pastaj qetësohet më piano, flautë e instrumente të lehta qe sikur pikturojnë   natyrën shqiptare të femijërisë  së autorit , apo edhe Dardaninë antike, para një shkundjeje që sikur paralajmëron fortunat historike nëpër të cilat kaloi ky vend. Në pjesën e dytë, ashtu si edhe jeta e kompozitorit dhe ambientit ku jetoi, ky motiv përshkrues piktural ngritet në një dialog dramatik më orkestrën e plotë, zhvilluar në etapat qe secila në vete përbën një rrefim të veantë muzikor, ndonëse kompakte në tërësinë e veprës. Eshtë një veper antologjike cfarë nuk ka egzistuar më heret si gjini në Kosovë. Elemente nga kjo simfoni, janë shfrytëzuar nga autori edhe në muzikën për filmin “Uka i Bjeshkëve të Nemura”, i cili ishte i pari koproduksion i shtëpisë së dikurshme filmike “Kosovafilmi”.

Mulliqi shkroi edhe muzikën për  baletin  “Nita” dhe “Legjenda mbi ngadhnjimin”, si dhe për shfaqjet teatrore:”Besa”,” Erveheja”,”Nita”, “Fosilet”,”Dundo Maroje”etj. Të gjitha këto, vepra janë realizuar në skenën e Teatrit Kombtar të Kosovës (ish Krahinor). Perpunoi dhe harmonizoi mbi 150 kenge te ndryshme popullore shqipe. Muzika e tij, u jetësua edhe në ekranin filmik e televiziv.  Ishte i pari kompozitor shqiptar nga Kosova që komponoi muzikë per film. Filloi me filmin “Kapiten Lleshi” në vitin 1960, ku përdorë motivet e këngës së njohur “Po vijnë krushqit”, mirëpo në një ritem paksa komercial. Ky film i  produksionit  jugosllav më akorë kombësish të ndryshme,  kishte  për subjekt  luftën antifashiste shqiptare, dhe konfliktin midis komunistëve dhe ballistëve. Filmi është shfaqur gadi në tërë botën, dhe një kohë,  ishte  hit në vendet e Ballkanit e deri në Kinë. Ne film paraçitën disa aktorë shqiptarë, kurse një rrol kryesor e luan Abdurrahman Shala. Motivi “Po vijnë krushqit”, që në film fatkeqsishte këndohet ne gjuhën serbokroate, është perkëthyer e kënduar ne disa gjuhë të huaja, madje edhe në gjuhën kineze (mandarin). Duke mos dijtur se si ka arrijtur kjo këngë në  film, viteve të fundit, në media digjitale, disa të rinjë shqiptarë kanë zhvilluar debate kritike duke besuar se  “serbët,  e kanë vjedhur këtë këngë shqiptare për filmin e tyre”. E vërteta është se kjo këngë shqipe ka hyrë aty nga Rexho Mulliqi, emri i të cilit qëndron më autorët tjerë të filmit. Sot, ky detal duket i parëndësishem, mirëpo në vitët e gjashtëdhjeta ishte pjesë e afirmimit të folklorit tonë.  Mulliqi, shkroi muzikën edhe per filmat: ” Uka i Bjeshkëve të Nemura”,  ” Era e Lisi”, “Qerim hesapesh”, si dhe për një numer  filmash dokumentar.

Rexhep Mulliqi  ishte njeri  i qetë e modest,  më një kulturë  europiane për kohën e tij. Një shpirt lirik, në një kohë të zymtë. I kishte ndodhur qe të fitojë edhe shpërblime ndërkombtare dhe këtë informatë të mos e ndaj as më miqët më të afertë.. Një vullkan i qetë –  plot energji artistike.  Tradicional në komponim, por në hap e në kominikim më kohët e rrjedhat kulturore. Dukej apolitik ne jeten publike, por ishte  thellë i shqetësuar për ngjarjet qe e rrethonin. Ishte i heshtur, por plot ide e inovacione krijuese. Mulliqi nuk  fliste shumë për të kaluaren e tij as biografinë e tij. Një kohë, edhe disa individë shqiptarë, nga smira ose për arësye tjera,  ja mohuan përkatësinë etnike shqiptare. Kur gjatë një vizite në Tiranë e kishin pyetur  se çfarë kombësie i takon,  ai ishte  përgjigjur shkurt : “Pyeteni muzikën time”.  Heshtja e tij, fliste gadi sa edhe muzika qe kompononte. Ai nuk e zgjodhi heshtjën, por ajo ju imponua. Ishte i vetëdijshem që hapi dhe fjala e tij kontrolloheëshin  nga pushteti. Heshtja e tij ishte protestë. Kompozitori Akil Koci e quajti  “kompozitor i harruar”. Ndonjëherë, i vetmuar shoqërohej më një gotë. Por, kur gota e tradhtonte, atëherë nga goja e tij dilte e vërteta, sic kane thënë latinët. E kur Rexho fliste, të tjerët iknin, sepse fjala e tij shixhetë , godiste aty ku të tjeret s’ guxonin. Për shkak të së kaluarës se tij politike, flitej së ishte radhitur në listën e personave nën mbikqyrje të perherëshme nga sherbimi sekret. Njerëzit nga ajo listë, para cdo vizite të Titos  ose ndonjë partiaku të lartë jugosllav në Kosovë,  izoloheshin ose arrëstohëshin. Pushteti i frigohej fjalës se Rexhës .

Muzika e tij, hyri në në Europë, atëherë kur ne  ishim larg sajë. Kompozimet e tij u kënduan ose ekzekutuan, nga Austria deri në  Angli, në kohën kur të tjerët fare pak dinin për ne. Dy kënget e tija më të njohura, për kor, janë  “Vjeshta” dhe “Vendi im”. “Vjeshta”, në vitin e 1966 ka fituar shpërblimin e parë ne Festivalin Nderkombtar Artistik në Langolen të Anglisë.

Për të i qetësuar  pushtetarët e kohës, të cilët  mbanin nën llupë punën e tij, Mulliqi aty këtu shkroi edhe ndonjë këngë ose kantatë  në tema që u imponohëshin krijuesëve nga regjimi. Mirëpo, ky fakt nuk ia zbeh as ulë vlerën  kompozitorit as thesarit muzikor qe la pas.

Jeta e Rexho Mulliqit nuk ishte e qetë as e thjeshtë. Ai dukej sikur bënte jetë boemi, mirëpo në shpirtin e tij, zirëshin kohët e ngjarjet që kishte shkelur e jetuar. Nga fëmijërija barte një plagë të thellë . Ishte gadi foshnje,  kur në derë të shtëpsisë së lindjës, i kishin vrarë të atin. Fqinjët joshqiptarë, i kishin thëne “…babanë ta vranë shqiptarët”,  kurse pushteti kishte sulmuar shtëpinë më pretekst se aty fshiheshin kaçakët shqiptarë. Dy detale që nuk qëndrojnë sëbashku. Rexhoja u rritë, jetoj e vdiq më këtë enigmë në zemer.

Jeta e tij ishte gadi si muzika që krijoi; E pasur më ngjarje, më ndonjë dashuri,  por edhe me drama të stuhishme. Mulliqi vdiq në Prishtinë në vitin 1982. Ishte ai vit i turbulltë për shqiptarët e Kosovës, ndaj shumë adhurues e miq të tij, munguan në ndërimin e fundit para varrit, për shkaqe objektive ose pengesa të natyrës politike. Nuk dijmë  saktësisht ku dëshironte ta ketë varrin. Hyri në dheun e vendlindjës, më një ceremoni modeste, duke na e lënë terë pasurinë artistike qe kishte krijuar, si trashegim dhe obligim.Në varrim, nuk u dëgjua asnjë tingull i tij.

.    Ata që e harruan për se gjalli, e refuzuan edhe pas vdekjës. Në vendlindjën e tij në Guci, u shpreh ideja që një rrugë të emrohet më emrin e tij, mirëpo kjo  u refuzua. Kundërshtarët  kishim po atë arsyetim i cili ishte akuzë kundër kompozitorit 60 vjet më parë: Ishte anti-tist,  kundërshtar i  sistemit etj. U refuzua poashtu  edhe vendosja e bustit të kompozitorit në një vend publik afër shtëpisë së lindjës. Duket se prapa këtyre kundërshtimeve, qëndronte  një inat i  disa fosileve të sistemit të kaluar, të cilët, nuk ja falen Rexhës faktin pse u identifikua – shqiptar. Më vonë një bustë “enigmatike” e kompoziorit u vendosë mbi varrin e tij , mirëpo ajo u coroditë më mbishkrimin cirilicë, i cili fare pak përdoret në këtë mjedis më shumicë shqiptare.

Pas vdekjës së Mulliqit, posaçerisht gjatë luftës, në Kosovë filluan të zhduken deshmitë e punës së tij. Në Prishtinë u zhdukë  busta  origjinale e kompozitorit, punuar nga i ndjeri Agim Cafëderbasha, pronë e Shoqatës së Kompozitorëve . Nuk dihet nese kjo është  busta e vendosur mbi varrin në Guci, ose jo.  Familjarët dhe  gruaja e tij e parë, Lubica, kishin deklaruar se, busta që po vendosnin ishte punuar nga miqët e Rexho Mulliqit në Kosovë. (!)

Dikush u përpoq të fshijë  gjurmët krijuese të  Mulliqi lënë në Kosovë . Janë zhdukur të gjitha partiturat origjinale të kompozitorit në Prishtinë. Disa akuzojnë të bijen, e disa thonë se ato gjenden në Vjenë e Berlin. Janë djegur madje edhe disa kopje të  partiturave, që gjëndëshin në ndërtesën e ish Radiotelevizionit të Prishtinës, tash RTK. Ky fakt, poashtu ngritë dilema e pyetje të reja, pasi që e bija e tij, ishte përgjegjëse e Pruksionit  muzikor të RTP-së në prag , dhe gjatë luftës në Kosovë. Pas dëbimit të punëtorëve shqiptarë nga Radio Prishtina, në vitin 1990, ajo  mori timonin e drejtimit të Produksionit Muzikor të këtij institucioni, ndaj ka pasur të gjitha kompetencat dhe obligimin moral e familjar për të i siguruar ato nga “zhdukja”.

Muzeu Kombtar i Kosovës, nuk besojmë të ketë ndonjë dokument apo gjësend të ruajtur nga kompozitori më i madh i shtetit të ri. Në vend të investimit për gjetjen e partiturave, apo konzervimin e ndonjë shënje personale të  kompozitorit, ky muze shpenzoi para do vitësh mbi 10.000 euro, për të bërë një video-klip të këngës “Baresha”. Realizmi ishte nën nivelin e këngës, ndaj  këngëtarja Pagarusha e ndaloi atë . Nuk kishim dëgjuar më parë qe muzeu të bej klipe muzikore. Pas gjashtë dekadash, Tirana arrijti të siguroi partiturat e Çesk Zadesë nga muzika e filmit “Skenderbeu” te humbura në Moskë në vitin 1952. Një shembull për  mësim…

Disa individë e institucione, si Filharmonija e Kosovës, i shprehen respektin e tyre Mulliqit, aq sa kishin mundësi. Në solemnitetin e shpalljës së pavarësisë, u egzekutua  premierë, Simfonija e tij e Parë . Kompozitorit  ju nda, pas vdekjës, edhe shpërblimi “Niket Dardani”.

Para një viti, edhe vajza e tij e vetme, nga martesa e parë, Vesna, hodhi një gurë akuze. Ajo na kritikoi  pse po e “bëjmë” Mulliqin shqiptar, cfarë ai nuk ishte, shkroi ajo. S’ka dyshim së vajza  është e ndikuar nga e ëma ose rrethi i sajë nacionalist serb. Ajo vetë,  jetoi në Kosovë dhe ishte e privilegjuar pikërisht pse mbante mbiemrin Mulliqi, të cilin ajo preferon ta shkruaj “muliç”. Këndoi edhe në festivalin “Akordët e Kosovës”. Megjithëkëte, për hir të Rexho Mulliqit, shqiptarët ja shtrinë dorën Vesnës, duke e ftuar ate në manifestimin përkujtues për të atin, në  Prishtinë. Ajo refuzoi ftesën..

Edhe pas tërë këtyre gjurmëve të thella lënë në kulturën tonë, disa akoma kontestojnë  origjinën dhe biografinë  artistike shqiptare të Rexho Mulliqit. Ata qe sot duan ta përvetsojnë  Mullqin, nuk treguan këtë interesim për së gjalli. Rexho Mulliqi më se paku u ekzekutua në Serbi. Veprat e tij u  ekzekutuan në Vjenë, Berlin, Amsterdam e disa qendra qytete tjera europiane, por jo në Beograd, ku u shkollua e  burgosë. Para një muaji (dhjetor 2013) Simfonija e Dytë Kosovare , u ekzekutua madje edhe në Podgoricë, nga Orkestra Simfonike e Malit të Zi. Ishte ky  i vetmi ekzekutimi i gjallë premierë  i kësajë vepre, në këtë pjesë të Ballkanit. Kjo simfoni e shkruar në vitin 1972, ishte  publikuar më heret,   por vetem si  inçizim,  nga Orkestra Simfonike e Lubjanës. Polemika rreth Mulliqit na e kujton betejen midis serbeve e kroateve, per “pervetesimin” e nje kompozitori tjeter te famshem. Njerin nder kompozitoret me te medhenj te Ballkanit Josip Shtolcer (Sllavenski), serbet e quajn serb, ndonese ai, gjithnje eshte deklaruar kroat dhe ka lindur ne Kroaci. Shtolcer eshte i pari kompozitor nga ky rajon qe ne muziken e tij perdori folklori shqiptare. Qysh ne vitin 1936 ai publikoi ne Paris “Kenget shqiptare”.

Kuj i takon Rexho Mullqi? Ai sëpari i takon muzikës. Artit më të vjetër të botës. E muzika u takon të gjithëve. Pastaj i takon kulturës shqiptare. Por, u takon edhe të gjithë atyre qe e duan e respektojnë punën e tij. Ate nuk kemi nevojë ta bëjmë ne – shqiptar. E bëjnë veprat e tij. Aktori Bekim Fehmiu, për së gjalli gjithnjë u identifkua si shqiptar, mirëpo mungoi në filmat shqip. Rexho Mulliqi, e bëri të kundërtën: Nuk eksponoi  shumë nacionin e tij, mirëpo punoi, e krijoi – shqip.  Kritikë e kundërshtarë ,  ja  lëkunden emrin e eshtrat  disa herë, por, veprën e tij – jo. Ai mbetet kompozitori më i madh qe ka dhënë Kosova,  dhe  njëri ndër krijuesit më të mëdhenjë të muzikës artistike  në botën shqiptare. Më Çeskë Zadenë ,i cili priu në këtë fushë, janë dy etërit e simfonisë shqiptare.Foto 1: Rexhep Mulliqi

 

 

 

 

 

Filed Under: Kulture Tagged With: Hys Shkreli, Kujt i takon Rexho Mulliqi

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 42
  • 43
  • 44
  • 45
  • 46
  • …
  • 74
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • “Shënime për historinë antike të shqiptarëve”*
  • Si funksionon sistemi juridik në Shqipëri dhe pse ai ka nevojë për korrigjim?
  • Emisionet postare festive të fundvitit në Kosovë
  • JAKOBSTADS TIDNING (1939) / MBRETI ZOG, SHUMË BUJAR ME BAKSHISHE. — EMRI I TIJ NUK DO TË HARROHET KAQ SHPEJT NGA PRONARËT DHE PERSONELI I HOTELEVE NË VARSHAVË.
  • HAFIZ SHERIF LANGU, DELEGATI I PAVARËSISË TË CILIT IU MOHUA KONTRIBUTI PËR 50 VJET ME RRADHË, KLERIKU DHE VEPRIMTARI I SHQUAR I ÇËSHTJES KOMBËTARE
  • RIPUSHTIMI I KOSOVËS – KUVENDI I PRIZRENIT 1945
  • Nikola Tesla, gjeniu që u fiksua pas pëllumbave dhe u dashurua me njërin prej tyre
  • Bahamas njeh Kosovën!
  • Legjenda e portës shkodrane, Paulin Ndoja (19 dhjetor 1945 – 16 prill 2025) do të mbushte sot 80 vjeç
  • “Roli dhe kontributi i diplomacisë shqiptare në Maqedoninë e Veriut nga pavarësia deri sot”
  • Marie Shllaku, kur një jetë e re u shndërrua në përjetësi kombëtare
  • Në sinoret e Epirit…
  • Mbrëmë hyri në fuqi Ligji i SHBA për autorizimin e mbrojtjes kombëtare
  • Skënderbeu “grek”, ose si të bëhesh grek pa e ditur
  • A historic moment of pride for the New Jersey Albanian-American community

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT