• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for January 2014

Mesazh për bashkimin e Shqiptarëve të Amerikës

January 11, 2014 by dgreca

OPINION NGA ARTUR VREKAJ/

Mbledhja e dy qeverive Shqiptare më 11 Janar 2014 duhet parë si një mesazh i fortë kombëtar sot për sot për bashkimin ekonomik dhe kulturor të Shqipërisë dhe Kosovës si dhe kujdesin për Shqiptarët e Malit të Zi, Preshevës dhe Maqedonisë.

Zërave se dy qeveritë Shqiptare u këputën në mes me 100 mijë Euro për maternitetin e Preshevës unë u përgjigjem se nuk duhet parë nga sasia e lekëve apo nga fotografia e bukur, por nga mesazhi i bashkimit për paqe e harmoni  në rajon që i dërgon Shqipëria dhe Kosova  në Bruksel dhe Uashington si dhe në qeveritë fqinje, në territorin e të cilave kanë trojet dhe banojnë Shqiptarët.

U lodhëm duke parë çfarë bën faktori ndërkombëtar me ne, me politikën Shqiptare të ditës, që ka edhe gabime, sepse ne Shqiptarët e Ballkanit jemi shoqëri në zhvillim e përbashkim. Nuk bëhemi kollaj bashkë. Tani sikur mori udhë. Kështu qoftë!

100 vjet më parë faktori ndërkombëtar na ndau në copa-copa. 100 vjet më parë, Greku i Parë na masakroi në Çamëri dhe në Shqipërinë e Jugut  me tmerre çnjerëzore që vetëm Shqiptarët e Kosovës mund ti kenë ende të freskëta nga ç’bëri dhe Serbia në fund shekullin që shkoi aq sa edhe Jezus Krishti nuk i ka kaluar këto tortura nën kryq e me kryq.

Po çfarë po ndodh me Ramën dhe Thaçin?

Nuk kanë rrugë tjetër. Ose të plaken si kombëtarë, ose të plaken si poltikanë të dështuar të rradhës.

Ata nuk besoj se do derdhin miliona dollarë në Amerikë për agjensitë lobiste private për të rregulluar biografitë e tyre në vijim. Ata kanë një fat të madh se Amerika na do si popull dhe si komb dhe nuk kanë shumë nevojë të harxhohen me kohë e para në Uashington.

Po faktori ndërkombëtar çfarë kërkon nga Shqiptarët e Ballkanit? Paqe, harmoni ndër vete në radhë të parë, ndër Shqiptarët! Boll u faktorizuam poltikisht, aq sa kemi dhe parti politike në Amerikë.

Boll e kemi Diasporën të ndarë nga bindjet dhe nga shoqatllëku duke krijuar secili një bajrak më vete.

Po përse jemi faktorizuar politikisht deh atdhetarisht ne Shqiptarët në Ballkan dhe Diasporë? Sepse kemi patur qeveri makute që kanë patur në praktikë qeverisje vetëm korrupsionin! Por edhe kanë bërë pazare në dëm të Shqipërisë dhe Kosovës. Nuk do fakte kjo gjë.

Vetëm Nano bëri burg për shpërdorim detyre. Po të tjerëve nuk u është futur gjëmbi në këmbë edhe pse i kemi parë të tundin flamurin e duarve të pastra si kryeministra , ministra apo kryetarë vendorë.

Boll është luftuar edhe Diaspora nga Shqipëria për 50 vjet rresht!

Por, sikur po kthjellet edhe mendësia në Diasporë, sepse nisma e bashkimit të Shqiptarëve më 1912-ën u bë realitet dhe parapriu Shpalljen e Pavarësisë së Amerikës. Dhe boll po mburremi me këtë pa bërë ndonjë projekt përbashkimi në Amerikë.

Nuk qe vetëm VATRA, por edhe Kristo Dako dhe Kostë Çekrezi me Shqipërinë e lirë që kundërshtuan copëtimin e Shqipërisë deri në vitin 1942 kur me të vërtetë ishte akoma në axhendën Greke sa u ligjërua edhe me ligj lufte. Dhe ka patur një rivalitet të fortë përgjatë zhvillimeve të luftës së Dytë Botërore këtu në Worcester,Massachusetts kur vepronte si dega e Vatrës dhe shoqata Shqipëria e Lirë në luftë frontale me shoqatën e Vorio-Epiriotëve Grekë që donin të mbanin gjallë fantazmën e Vorio-Epirit.

Dhe pastaj vjen radha e DioGuardit që më shumë e mbështeti biznesi i Shqiptarëve të Kosovës në Amerikë për Lirinë dhe Pavarësinë e Kosovës.

Po sot? Në Amerikë flenë gjumë. Një pjesë e madhe sidomos në New York apo Michigan akoma i bien daulles se në Shqipëri kanë fituar ish-komunistët. E paraprinë me një thirrje të VATRA para 23 Qershorit se duheshin votuar forcat demokratike?! Por ne në Amerikë nuk duhet kurrsesi të bëhemi viktimë e politikës së ditës. Jo! Feja jonë është Shqiptaria.

Dhe nuk mund të fshihemi më pas emrit të Nolit dhe Konicës.

Ka ndryshuar rrjedha e nismës përbashkuese pas 102 vjetësh shtet në Shqipëri.Pra, në fakt nismën e bashkimit kombëtar sot e ka në dorë Tirana si shteti amë jo se në pushtet është Rama. Këtë bindje kam patur edhe më parë kur i drejtohesha Zotit Alfred Moisiu apo zotit Rama të kemi një ministri Diaspore në Tiranë. Po kujt ti thuash tjetër?

Po Shqiptarët e Amerikës? Heshtin kur bie fjala për një Kuvend të Shqiptarëve të Amerikës. Sepse u duket sikur do humbasin pronat në shoqata. Ja këta jemi. Të dobët për tu bashkuar. Të na rrojnë fotot që bëjnë xhiron e botës se dalim bukur edhe me gotë në dorë.

Lëre pastaj kur dalim me kongresmanin Engel që propozon për Nobelin e Paqes edhe kur Serbia nuk e njeh genocidin në Kosovë!

Tani do presim orën kur qeveritë e Tiranës dhe Prishtinës të na thonë mbledhja tjetër do jetë me Shqiptarët e Amerikës. Po mbledhje me strategji kombëtare ama, jo darkë lobiste me klientelë.

Sepse ne në Amerikë nuk jemi të zotë ta bëjmë. E kemi provuar më 2006-ën dhe nuk u bë, e kemi në program me disa veprimtarë në vijimësi, por në New York heshtin. Edhe pse ka disa reagime atje në New York po të duan bëjnë çudira po nuk kanë vizion për ti bashkuar Shqiptarët e Amerikës!Por sot për sot as që nuk duan!

Ndaj Bashkimi i Shqiptarëve të Amerikës pritet nga Tirana dhe Prishtina!Deri sa ta kuptojmë se mesazhi i mbledhjes së Prizrenit si të vërtetë! Sepse ka vënd edhe për Diasporën në Prizren!

Filed Under: Opinion Tagged With: artur vrekaj, e shqiptareve te Amerikes, mesazh per bashkimin

ELIDA BUÇPAPAJ:ME RËNIEN E DIKTATURËS KAM FILLUAR TË RIFITOJ KOHËN E HUMBUR

January 11, 2014 by dgreca

INTERVISTE EKSKLUZIVE  E ELIDA BUCPAPAJ ME  REVISTEN “ILIRIA” NE KROACI/

Elida BUÇPAPAJ: jemi të vonuar si komb – respektoj të vërtetën pa marrë parasysh se nuk pëlqehet nga politika – unë i qëndroj besnike opinionit publik/

–  Intervistoi: SHENIDA BILALLI/

Kur e kam parë për herë të parë fotografinë e gazetares Elida Bucpapaj në një revistë shqiptare me tituj të guximshëm më tërhoqi vëmendjen si person, jo vetëm si femër atraktive dhe e bukur, por si një opinioniste me një qëndrim antikonformist në publicistikën shqiptare. Një figurë dominuese e zërit femëror intelektual dhe krijues.
Elida Buçpapaj është kolumunistja e njohur e shkëlqyer, një grua shumë e guximshme, krijuese e mirëfilltë. Analiste e ngjarjeve që na ndjekin, duke ezauruar me sukses të gjitha zhanret e gazetarisë, që nga kronika, reportazhi dhe analizat. Në prag të rrëzimit të diktaturës, ishte gruaja e parë korrespondente nga Tirana që informonte për Radion“Zëri i Amerikës”. Njëkohësisht është poetja, publicistja dhe përkthyesja nga katër gjuhë të huaja. Por ishte edhe e bija e vetme e Vehbi Skënderit, poetit dhe publicistit të persekutuar nga regjimi. Dhe ky fakt ia ndryshoi tërësisht jetën.
Elida Buçpapaj është diplomuar në universitetin e Tiranës për Gjuhë–Letërsi. Shkrimet e para filloi t’i botojë në shtypin e postdiktaturës, në gazetat Atdheu, Kosova, Rilindja Demokratike dhe Tribuna Demokratike.
Pas të gjitha analizave dhe hulumtimit të jetës të Elida Buçpapajt, konkludova se është një person jashtëzakonisht i fortë, por në brendinë e asaj force fshihet një femër, princeshë e butë, shumë e ndjeshme dhe e qytetëruar, të cilën e lënduan emotivisht si shumë fëmijë në Shqipëri gjatë  ish sistemit komunist. I dënuan të jatin, Elidën nuk e lanë të shkollohej duke ia bërë jetën shumë të rëndë për ta jetuar. Vehbi Skënderin, të jatin e saj, poetin, gazetarin dhe intelektualin e shquar e përfshinë në një grup anti-parti bashkë me Akademikë të shquar si Prof.Selman Riza, Prof.Zija Shkodra, sepse bashkë me ta kritikonte institucionet e superstrukturës komuniste.
Elida ishte me fat, sepse arriti që t’i përballonte të gjitha këto vështirësi duke mbetur një zonjë, nënë krenare, grua besnike dhe gazetare e njohur në Shqipëri dhe jashtë kufijve të saj.Ështe autore librash poetikë dhe publicistikë, po ashtu ka përkthyer e botuar në shtypin e ditës majat e poezisë botërore. Me një aktivitet të plotë, për mbi dy dekada në shtypin shqiptar, si korrespondente, redaktore, editore,kolumniste – tek Zëri i Amerikës, tek Rilindja Demokratike, Zëri i Rinisë, Republika, Revista RTSH, ajo është shumë aktive si gazetare në Diasporë, me një kontribut dhjetë vjeçar tek Bota Sot dhe si bashkëpunëtore e rregullt me gazetën më të vjetër në Amerikë, Dielli. Sot me bashkëshortin e saj, publicistin dhe shkrimtarin e mirënjohur Skënder Buçpapaj, janë editorë të portalit Voice of Albania – Zëri i Shqiptarëve www.voal-online.ch.
ILIRIA:Këto ditë doli nga shtypi libri “TRAUMAT E TRANZICIONIT”, i dyti që botoni këtë vit pas TIRANISË SË TRANZICIONIT…
Elida Buçpapaj:Libri TRAUMAT E TRANZICIONIT, siç e thatë edhe ju, është i dyti me publicistikë që unë botoj këtë vit pas librit të parë që titullohet TIRANIA E TRANZICIONIT. Në të dy përmbledh artikuj, komente, analiza, esse dhe blogje, të dy viteve të fundit. Redaktori i librit të parë është Akademik Mark Krasniqi, ndërsa parathëniet janë shkruar nga Jusuf Buxhovi dhe Dr.Përparim Kabo. Parathënia e librit të dytë është shkruar nga publicisti i shquar shqiptaro-amerikan Frank Shkreli, ish-drejtor i Zërit të Amerikës dhe divizionit të Euroazisë po në këtë radio në Washington D.C., ndërsa redaktor është Skënder Buçpapaj. Të dy librat janë botuar nga ONUFRI, shtëpia botuese që ka ekskluzivitetin e librave të Ismail Kadaresë.
ILIRIA: Temat qendrore të këtyre dy librave cilat janë?
Elida Buçpapaj: Të dy librat kanë si temë qendrore vonesën si komb, shkaqet dhe pasojat e kësaj vonese. Librat kanë një theks kritik ndaj klasës politike në të gjitha trojet shqiptare, e cila ka nxjerrë nga qendra e vëmendjes prioritetet kombëtare, që  lidhen me integrimet e shqiptarëve në BE dhe NATO, si dhe me plagët dhe dramat sociale që vijnë prej këtij tranzicioni torturues. Në ato që shkruaj, përpiqem të jem e sinqertë dhe t’i referohem së vërtetës, sado e hidhur qoftë ajo. Pa marrë parasysh se e vërteta nuk pëlqehet zakonisht nga politikat zyrtare, unë i qëndroj besnike opinionit publik dhe përpiqem të bëhem zëdhënëse dhe orientuese e tij, pasi që politika kërkon ta ushqejë popullin me iluzione, por populli ka nevojë për bukë, punë dhe mirëqenie sociale.
ILIRIA: Çfarë jehone prisni prej botimit të tyre?
Elida Buçpapaj: Çdo autor pret që libri i tij të lexohet nga publiku dhe të marrë frytet e meritueshme të punës, të marrë kritika, vërejtje, vlerësime. Por për botën shqiptare kjo është e pamundur, sepse shteti nuk tregon interesin sa duhet për kulturën. Po ashtu mungon vullneti i biznesit për të rimëkëmbur vlerat, pasi kapitalizmi në Shqipëri e trojet shqiptare është  shumë  i ngatërruar me politikën. Mungon kultura vlerësuese e veprave letrare, nga krijues  e kritikës shkencore që e orienton lexuesin. Në këto kushte unë pres shumë pak ose aspak. Ndërkohë si autore ndihem mirë pasi si redaktorët e librave ashtu edhe parathëniet që shoqërojnë ato janë shkruar nga emra me shumë reputacion në botën e letrave dhe publicistikës shqiptare. Pastaj unë kam aleat publikun shqiptar, i cili ka mbi njëzet vjet që më lexon. Gazetaria e përditshme ose e nxjerr në dritë gazetarin ose e fundos, pasi duhet ta thuash në mënyrën më të mirë të mundshme atë që kërkon koha. Nëse nuk ia arrin duhet të ndryshosh profesion, sepse publiku kërkon të ketë si përfaqësues të tij zëdhënësin e tij më të mirë.
ILIRIA: Prezantoni pakëz jetën tuaj nga çfarë familje rridhni dhe si jetuat gjatë komunizmit në Shqipëri ?
Elida Buçpapaj: Rrjedh nga një familje intelektuale. Gjyshi im nga babai, Demir Skënderi ishte imam, i shkolluar në Stamboll me kulturë shumë të gjerë, tolerant dhe antikomunist. Gjyshi nga nëna, Gani Shyti, emigroi që fëmijë në SHBA, ku u punësua tek FORDI dhe u edukua me kulturën amerikane. U kthye në Shqipëri vetëm për t’u martuar me gjyshen time, të bijën e Abdulla Starovës, nga familjet më të pasura të Pogradecit, por rrethanat e detyruan të mbetej në Shqipëri. Mund të jetë shqiptari i parë që ka sjellë në Shqipëri veturën Ford. Ai hapi një nga benzinatat e para në rrugën me Greqinë. Kjo ndodhi në fillim të shekullit të kaluar. Nga nëna ime duhet të trashëgoj prona, por në Shqipëri kthimi i pronave tek pronarët legjitimë akoma është proces i pa zgjidhur, duke rrezikuar kështu sistemin e brishtë, sepse nuk ka kapitalizëm pa pronë private. Në kohen e fundit ka vetëm pronarë të rinj. Kështu që vazhdojnë të mbeten të cenuara të drejtat e pronarëve të dikurshëm.
Iliria: Te kthehemi tek jeta  nga fëmijëria ?
Elida Buçpapaj: Kur mbyll sytë dhe kujtoj fëmijërinë, më ngjan si një përrallë. Më kujtohet kur im atë punonte si gazetar në revistën Ylli, unë isha në kopsht dhe ai i thoshte mamasë time të m’i krihte flokët “alla Jacki Kennedy”. Më kujtohet, kur sëmuresha  dhe im atë më pyeste se çfarë dëshire kisha që të ma plotësonte. Unë i lutesha të më tregonte përralla. Ai më merrte në prehër dhe i krijonte përrallat aty për aty. Veç për mua. Shpesh herë unë ndërhyja që personazhët e këqij, të mos e pësonin si e meritonin. Në jetën tonë dukej gjithçka perfekte, deri kur regjimi iu vërsul atit tim dhe familjes tonë të re, të përbërë nga tre veta. Një burrë, e një grua, fare të rinj dhe një fëmijë.
Iliria: Me siguri jeta juaj ndryshoi?
Elida Buçpapaj: Po ndryshoi për 180 gradë. Në këtë kohë njoha frikën, frikën se mos im atë nuk kthehej më në shtëpi, sepse regjimi e hoqi nga puna, ia mohoi të drejtën e botimit. Pastaj regjimi e syrgjynosi për riedukim në kantieret e klasës punëtore duke bërë gjithçka për ta depersonalizuar si njeri. Im atë mbijetoi. Mbijetuam edhe ne. Por është një mbijetesë me plagë në shpirt, me zemër të copëtuar, duke kaluar nëpër trauma. Sepse vuajtja më e madhe vinte pasi shoqëria shqiptare ishte katandisur në një përbindësh dhe mezi priste që diktatura të dënonte armikun e radhës. Merrni me mend zemrat e dridhura të fëmijëve. Ky ishte krim i diktaturës dhe shoqërisë.
ILIRIA: A mos ajo„Biografia e keqe“ ishte mallkim për atë pjesë të jetës tuaj?
Elida Buçpapaj: Pikërisht ashtu, dhe jo vetëm për mua. Por janë mijra e mijra familje që kanë përjetuar një dramë të madhe shoqërore, sepse regjimi i degdiste nëpër fshatra të humbura, në kampe përqendrimi, ku jetohej ne kushte të pamundura, vetëm për të mbajtur frymën gjallë.
ILIRIA: Vdekja Enver Hoxhes dhe rrëzimi i Murit të Berlinit solli një erë të re në jetën tuaj apo jo?
Elida Buçpapaj: Po, është e vërtetë. Përmes përpjekjeve të pafundme të tim ati arrita të vazhdoj Universitetin e Tiranës, fakultetin e Filologjisë dhe të filloj punë në Institutin e Kulturës Popullore pranë shkencëtarëve të mirënjohur si Qemal Haxhihasani, Jorgo Panajoti, Andromaqi Gjergji, Spiro Shkurti, Mark Tirta, Afërdita Onuzi, Yllka Selimi etj.. Por diktatura nuk bënte asnjë lëshim. Unë mbeta e ekskomunikuar nga regjimi komunist, ashtu si dhjetëra mijra të rinj shqiptarë, deri në përmbysjen e regjimit.
ILIRIA: Në atë kohë filluat lidhjen me bashkëshortin Skënderin Buçpapaj. Me siguri keni investuar shumë në këtë martesë të suksesshme?
Elida Buçpapaj: Po, pikërisht në atë kohë u lidha me Skënderin, një intelektual brilant, selfmademan dhe një njeri i ndershëm. Dashuria jonë ishte jashtë klishesë së lidhjeve që krijoheshin asaj kohe. Ishte një thyerje tabush. Një dashuri që mbështetej në ndjenjën e pastër dhe në një lidhje të fortë shpirtërore si krijues, që na lidhte talenti dhe interesat e përbashkëta për letërsinë.
Natyrisht që kemi investuar shumë të dy në mënyrë reciproke për këtë lidhje, sepse kështu u ndërtuan themelet e shëndosha për familjen tonë, dy djemtë që i kemi, që janë  gjithçka si për mua, ashtu edhe për Skënderin.
ILIRIA: Po letërsia, poezia, krijimi?
Elida Buçpapaj: Letërsia, poezia, krijimi, profesioni filloi për mua pas rrëzimit të diktaturës. Sepse përpara gjithçka ishte e pamundur. Ishte po aq e pamundur, sa edhe takimi i shqiptarëve të Kosovës me shqiptarët e Shqipërisë, paçka se ishim pjesë e të njëjtit komb dhe aq pranë me njëri-tjetrin. Me rrëzimin e diktaturës, unë nisa të rifitoj kohën e humbur. U aktivizova në shtypin shqiptar. Botova libra. Por gjithçka e arrita me ngulmim dhe profesionalizëm të lartë, pasi në Shqipëri demokracia është shumë fraxhile, dhe këtu vazhdojnë e funksionojnë ende ingranazhet e së shkuarës.
ILIRIA: Në kohën e lëvizjes demokratike në 1991-1992, ju niset të raportoni për “Zërin e Amerikës”, ndërsa bashkëshorti juaj ishte drejtor i përgjithshëm i RTSH?
Elida Buçpapaj: Pikërisht. E kujtoj atë kohë sikur të jetë sot. Tirana i përjetonte netët në një blackout të plotë, jeta bëhej nën dritat e venitura të qirinjve, ku heshtjen e thyenin rafalët e kallashëve. Djali jonë i madh, Prizreni, që asaj kohe sapo kishte filluar të ecte, kishte frikë nga errësira. Skënderi ishte një nga emrat më të spikatur të publicistikës shqiptare, me një zë të qartë kritik kundër regjimit. Ai luajti një rol shumë pozitiv në drejtimin e RTSH, i cili deri atëherë kishte qenë institucioni më i kontrolluar nga diktatura.
ILIRIA:  Në atë kohë edhe ju keni  kontribuar, duke raportuar për Zërin e Amerikës
Elida Buçpapaj: Asaj kohe Zëri i Amerikës transmetonte me valë të shkurtra, por kjo nuk i lodhte aspak shqiptarët që të qëndronin pranë radiove për të marrë sinjale shprese e për t’u trimëruar. Pas fitores së PD-së, më emëruan zëdhënëse të kryeministrit Alekandër Meksi, por unë preferova të vazhdoj punën time si gazetare thjeshtë. Dhe mendoj se kam bërë mirë, sepse kështu arrita që të krijoj personalitetin tim sa më larg zyrave të shtetit .
ILIRIA: Në vitit 1996 bashkëshorti juaj,Skender Bucpapaj nisi punën në Zvicër si diplomat, por shpejt ndodhën ngjarjet e 1997, ku në Shqipëri shpërtheu luftë civile. Çfarë ndodhi me ju, kërkuat azil politik?
Elida Buçpapaj: Po, Skënderi filloi punë si diplomat në Ambasadën e Republikës të Shqipërisë në Bernë, ku unë punoja aty si sekretare teknike. Aty na gjetën ngjarjet aq dramatike të 1997, që ishin një tragjedi e madhe për vendin, sepse shteti i ri demokratik  u shkatërrua si të ishte prej rëre dhe shqiptarët u vunë përballë rrezikut të një lufte vëllavrasëse. Ajo kohë mjerisht sot vazhdon të mbetet tabu. Nuk analizohet që shoqëria të përballet me të vërtetën, me qëllim që të mos përsëritet kurrë më.
ILIRIA: Ne  eksodusin e njohur  të asaj kohe, sa shqiptarë u larguan nga shteti amë.
Elida Buçpapaj: Eksodusi biblik i shqiptarëve nga shteti amë ka nisur prej 1991 e deri sot vendin e kanë lënë rreth 3 milionë shqiptarë. Ne morëm azil politik në Zvicër dhe në të njëjtën kohë filluam kontributin tonë dhjetë vjeçar tek Bota Sot, ku bashkëshorti  im Skënderi ishte kryeredaktor dhe unë redaktore-kolumniste. Letërsia, poezia, krijimi, profesioni filloi për mua pas rrëzimit të diktaturës. Startuam të punonim në gazetën Bota Sot kur Milosheviçi dërgoi makinerinë e tij agresore kundër familjes së Adem Jasharit dhe na larguan nga gazeta, dy muaj përpara se Kosova të fitonte pavarësinë.
ILIRIA: Ndërkohë sot, së bashku me kolegun dhe bashkëshortin tuaj Skënder Buçpapaj, jeni editorë të Zërit të Shqiptarëve, portal online.
Elida Buçpapaj: Po vazhdojmë, kontributin tonë në gazetarinë online, e cila është shumë konkurruese – ku raportimi i fakteve, apo analizave bëhet përmes internetit, një mënyrë shumë e shpejtë dhe shumë sfiduese, sepse arrin të lexohet në të njëjtën kohë në çdo cep të globit. Në shoqëritë e dala nga regjime diktatoriale dhe me një tranzicion shumë të vështirë si ky i shqiptarëve, gazetaria online është mënyra e vetme për të shprehur të vërtetën, kur ke parasysh se politika dhe oligarkët e rinj bëjnë gjithçka për të mbajtur nën kontroll shtypin. Përmes gazetës tonë ne raportojmë lajmin, duke e respektuar të vërtetën, dhe në të njëjtën kohë përmes shkrimeve tona dhe të bashkëpunëtorëve mbajmë një qëndrim kritik ndaj asaj që ndodh në trevat shqiptare,  duke patur një vizion properëndimor dhe proshqiptar.
ILIRIA: Dhe në fund, e dashura Elida, na tregoni për rolin e femrës shqiptare në atë sistem dhe sot në demokraci. Cilat janë përparësitë?
Elida Buçpapaj:  Femra shqiptare në diktaturë nuk gëzonte asnjë lloj lirie. Gjithçka vendosej prej regjimit. Shkollimi, punësimi, jeta. Kur ishe mirë me biografi, regjimi kujdesej deri për martesat. Një mjerim i pafund shpirtëror, një jetë pa asnjë lloj perspektive, ku Vëllai i Madh – regjimi diktatorial – kishte gjithçka nën kontroll.
Prandaj kam një vlerësim të pakufishëm për Ismail Kadarenë, sepse me veprën e tij ishte përjashtim dhe na edukoi në subkoshiencë për të mbetur të pavarur, të paktën shpirtërisht të mos ishim skllevër të botës tepër te vrazhde që na rrethonte.
Natyrisht koha që jetojmë është koha kur femra shqiptare mund të pohojë vlerat e saj, me gjithë barrierat. Më duket vulgare kur personaliteti i femrës të reduktohet apo varet nga hiret e saj, por përsëri liria ka krijuar shanse që të aftat të arsimohen dhe të luftojnë për të fituar të drejtat e tyre. Duke triumfuar mbi vështirësitë, sepse ende botëkuptimi i shqiptarëve ka mbetur ballkanik, shpresoj tek roli i femrës shqiptare për të ndikuar në shërimin e plagëve të këtij tranzicioni të vuajtshëm si dhe në ndërtimin e një shoqërie të denjë për të rritur fëmijët. Sepse femra, duke qenë nënë, është shumë më e përgjegjshme.
Në fund të kësaj interviste, përfitoj nga rasti për t’ju falenderuar ju Shenida Bilalli, që jeni një nga emrat më të shquar të diasporës shqiptare në Kroaci. Dhe unë ndihem krenare që ju kam kolege.

Filed Under: Featured Tagged With: Elida Buçpapaj, Iliria, interviste per revisten

PRIZREN:SHQIPERI-KOSOVE, MARREVESHJE STRATEGJIKE PER UDHETIM TE PERBASHKET DREJT BE

January 11, 2014 by dgreca

*100 mije Euro per Luginen e Presheves

*Rama: Jemi bashkudhëtarë; gjuha, ëndrra dhe qëllimi ynë është një

* Thaçi: Të jemi shembull për rajonin. Rama: Nuk cenohet kufiri mes Shqipërisë e Kosovës

 PRIZREN– Kryeministrat Edi Rama dhe Hashim Thaçi kanë zgjedhur pikërisht Prizrenin për të krijuar lidhjen e ngushtë mes dy qeverive e dy vendeve. Ashtu siç edhe ishte lajmëruar, mbledhja e përbashkët ka nisur në orën 11:00 në ambientet e hotel ‘Theranda’, me fjalën e kryeministrit Thaçi, i cili i uroi kabinetit të Shqipërisë mirëseardhjen në tokën e përbashkët të shqiptarëve. Kryeministri Thaçi theksoi se kjo mbledhje do t’i shërbejë avancimit, afirmimit dhe kultivimit të marrëdhënieve mes dy vendeve, që siç tha ai duhet të ecin në një të ardhme të përbashkët. Nga ana e tij, kryeministri i Shqipërisë Edi Rama nënvizoi se takimi i Prizrenit për bashkëqeverisjen strategjike mes dy vendeve është pikënisje e një rrugëtimi të përbashkët institucional drejt zhvillimit të 2 vendeve, forcimit të ekonomive dhe modernizimit të shteteve. Kryeministri Rama siguroi të gjithë ata që mund ta shohin me shqetësim këtë mbledhje të përbashkët dhe partneritetin e ngushtë me Kosovën, duke theksuar se kufiri mes dy vendeve është i qartë dhe i pandryshueshëm.

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama dhe ai i Kosovës kanë nënshkruar marrëveshjen për bashkëpunim dhe partneritet strategjik mes Shqipërisë dhe Kosovës pikërisht në vendin ku është mbajtur Lidhja Shqiptare e Prizrenit.

Në praninë e përfaqësuesve të dy kabineteve qeveritare dhe shumë njerëzve të tjerë pjesëmarrës me këtë rast janë nënshkruar edhe marrëveshjet për lehtësimin e tregtisë mes dy vendeve dhe bashkëpunimin në fushën e transportit dhe infrastrukturës.

Në fjalën e tij pas nënshkrimit të marrëveshjeve të përbashkëta me qeverinë e Shqipërisë, Kryeministri Thaci e konsideroi takimin e parë mes dy qeverive si të suksesshëm, ndërsa e cilësoi angazhimin e Ramës për iniciativë si mjaft efikase.

“Në fushën e politikës së jashtme dhe sigurisë do të fuqizojmë dialogun. Synimi ynë final është anëtarësimi i Kosovës në OKB, BE dhe NATO”, u shpreh Thaçi.

Sa i takon marrëdhënieve me fqinjin verior, Thaçi theksoi se do të ketë thellim të bashkëpunimit për intensifikimin e dialogut me Serbinë, ndërsa shtoi se objektiv mbetet shtimi i numrit të njohjeve të Kosovës në arenën ndërkombëtare.

Nga ana e tij kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama e cilësoi nënshkrimin e këtyre marrëveshjeve si fillimin e një kapitulli të ri në rrugëtimin e përbashkët të dy vendeve drejt integrimit europian, rrugëtim i cili sipas kryeministrit Rama duhet të vijojë edhe nga qeveritë e tjera që do të vijnë në pushtet në të dyja vendet.

Prizren, Thaçi: Të jemi shembull për rajonin. Rama: Nuk cenohet kufiri mes Shqipërisë e Kosovës

Rreth orës 11:00 të ditës së sotme ka nisur në Prizren mbledhja e dy qeverive, asaj te Shqipërisë dhe Kosovës. Fillimisht fjalen e ka marre kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, i cili e vlerësoi këtë mbledhje si një moment për nisjen e punës për të ardhmes së përbashkët.

“Unë besoj se ekspertët tanë do të punojnë bashkërisht për shqyrtimin e marrëveshjeve tona dhe thellimin e bashkëpunimit tonë. Qëllimi i këtij takimi ka qenë zbatimi i marrëveshjeve të mëparshme dhe forcimi i marrëdhënieve tona”, u shpreh Thaçi, duke theksuar se marrëdhëniet tregtare mes dy vendeve duhet të jenë të forta.

Thaçi vuri në dukje se rruga e Kombit duhet të jetë më efikase për kalimin e mallrave dhe lëvizjen e njerëzve, si dhe theksoi se ndërtimi i linjës së interkonjeksionit është me rëndësi të madhe.

“Ka vullnet politik si në Prishtinë ashtu edhe në Tiranë që marrëdhëniet tona të jenë shembull për të gjithë rajonin”, u shpreh Thaçi.

Thaçi e vlerësoi këtë takim si shumë të rëndësishëm për të gjithë shqiptarët, që do të hapë një kapitull të ri për Kosovën, Shqipërinë dhe rajonin.

“Shpreh krenarinë për homologun tim Edi Rama që ishte ndër të parët intelektualë që iu kundërvu regjimit komunist. Ata kanë luajtur rol kyç në nxjerrjen e vendit nga izolimi. Por ne jemi sot këtu për të punuar për të ardhmen, nuk ka asnjë dyshim se shpallja e pavarësisë së Kosovës dhe përfundimi i mbikëqyrjes ndërkombëtare përbën një nga arritjet më të mëdha për dy shtetet shqiptare. Ky takim shënon një kapitull të ri për Kosovën, Shqipërinë dhe rajonin”, tha ai.

Rama: Jemi bashkudhëtarë; gjuha, ëndrra dhe qëllimi ynë është një
Në fjalën e tij në mbledhjen e përbashkët të dy qeverive, kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama theksoi se kjo nismë është pikënisja e një rrugëtimi të përbashkët institucional për zhvillimin e Shqipërisë dhe Kosovës, forcimin e ekonomisë, thellimin e bashkëpunimit, pasurimin e jetës kulturore të dy vendeve. Rama theksoi se Kosova dhe Shqipëria janë bashkudhëtarë pasi ka shumë më tepër gjëra që i lidhin në raport me vende të tjera fqinje që gjithashtu mbajnë mbledhje të përbashkëta. “Ne jemi bashkudhëtarë pasi gjuha, ëndrra dhe qëllimi ynë është një”, u shpreh Rama.

Rama theksoi se kufiri mes Shqipërisë dhe Kosovës është shumë i qartë dhe i patjetërsueshëm.

Më tej kryeministri shqiptar theksoi se qëllimi është që këto mbledhje të përbashkëta të zgjaten përtej mandateve të dy qeverive dhe se një rëndësi e posaçme do t’u kushtohet shqiptarëve që jetojnë përtej kufijve zyrtarë të dy vendeve, duke shprehur vendosmërinë për të mbështetur shqiptarët e Luginës së Preshevës.

“Rëndësi e posaçme do t’i jepet të drejtave të shqiptarëve përtej kufijve tanë zyrtare. Kjo mbledhje përfshin një gjest të mirëpritur, në mbështetje të shqiptarëve të Preshevës. Kjo përpjekje tregon mbështetjen e dy qeverive shqiptare për pakicat shqiptare jashtë kufijve tanë”, tha Rama.

Qeveria niset me autobus drejt Prizrenit

Kryeministri Edi Rama dhe gjithë kabineti qeveritar u nisën drejt Prizrenit ku në orën 11 të paradites së shtunë mbahet mbledhja e përbashkët mes dy qeverive.

Për udhëtimin e gjithë kabinetit qeveritar ishte zgjedhur një autobus. Vetë kryeministri Rama nuk lëshoi asnjë koment para nisjes. Një gjë të tillë e bëri zv.kryeministri Niko Peleshi.

“Sot hapet një kapitull i ri në marrëdhëniet me Kosovën. Një sërë marrëveshjes të rëndësishme në fushën tregtare dhe ekonomike do të firmosen. Kjo do të pasohet nga bashkëpunimet të tjera me partnerët tanë strategjikë, por kjo jo rastësisht nis me Kosovën, një mbledhje e dy qeverive të dy popujve që i përkasin të të njëjtit komb”, tha para nisjes zv.kryeministri Peleshi.

 

Filed Under: Featured

”Shenjtërimi” i Martinoviqit!

January 11, 2014 by dgreca

Serbët janë të aftë që edhe nga një automaniak të krijojnë të shenjtin !/

Shkruan: Fahri Xharra/
Shumë e zonja kjo Serbi! Sa i çmon të “përvuajturit” e saj; asgjë nuk ia lë rastit. Nga çdo situatë, nga çdo ngjarje mundohet të gjen dhe përfiton diçka. Janë krejtësisht të kundërt me ne. Ne nuk e pranojmë rrenën, e mohojmë bile edhe të vërtetën kurse serbët nga rrena krijojnë ngjarje, tragjedi; shkruajnë libra, kompozojnë himne, oda, ditirambe dhe mbesin përballë botës si “të përvuajturit ” e Ballkanit. E bota iu zë besë! Dhe Evropa e ndanë dhimbjen me ta; vajtojnë së bashku dhe vajtojnë e vajtojnë deri sa një rrenë e sajuar të ngulet në trurin e tyre dhe nuk harrohet kurrë. Serbët janë në gjendje për gjithçka, janë në gjendje edhe nxisin luftëra me një arsyetim të asaj rreneje të krijuar nga vetë ata. E bota iu zë besë.

“Me Një Maj të vitit 1985, Gjorgje Martinoviq, një serb 56 vjeçar i Kosovës nga Gjilani, mbërriti në spitalin e qytetit me një shishe qelqi gjysmëlitërshe të thyer në rektumin e tij” raportonte shtypi i kohës. Ai i fajësonte dy burra shqipfolës të cilët e sulmuan gjatë kohës sa ishte duke punuar në arën e tij, dhe si pasojë e dhunës i mbeti shishja e qelqit e thyer në prapanicën e tij. “Të mjerët shqiptarët se çka i priste..filloi furtuna antishqiptare, për dy vjet e gjysmë ne s`mund të flinim, të ishim të qetë nga “derti” (droja) për prapanicën e Gjorgjit….

Ai transferua menjëherë në Beograd për hulumtime dhe hetime te tjera. Rasti numër një në politikën antishqiptare të kohës, të viteve 1985. Në duar u murr nga AM.U. dhe aty u arrit përfundimi që nuk është rast që njeriu i bën vetes. Mjekët me zë një nga çdo republikë e Federatës Jugosllave duhej të sjellin përfundimin që plagosjet trupore :’ “ishin nga një futje me dhunë të një shisheje 500 ml, nga ana e fundit më të gjerë në rektumin e tij “dhe që ishte e pamundur të bëhej nga vetë Martinoviqi. Ekipa mjekësore-ligjore erdhi në përfundim : “që dhuna është ushtruar nga dy apo tre e më shumë dhunues”. Pa dyshim mendohej, shënjohej, aludohej në shqiptarë. Kush do jenë ata të mjerë që në atë kohë kur ndihej miza duke fluturuar, ta kryen këtë vepër aspak të mirë.

“Martinoviqi e kishte vështirë të sillej deri te rruga nga se shishja e birrës që i ishte thyer në anus. Dikush e barti deri në spitalin e Gjilanit dhe copat e shishes ia nxorën dy mjek shqiptarë dhe një serb. Lajmi heshtej. Ne nuk dinin asgjë, kur them ne mendoj në popullin e thjeshtë: duhej pritur vendimi se çka të thuhet. Zemrat e shprishura nacionaliste të pa skrupullta serbe, lajmin e japën më 4 Maj 1985, nga gazeta shtetërore Politika: “Qytetari Gjorgje Martinoviq, i gjallë u ngul në hu në arën e tij Jaruga, dy kilometra larg Gjilanit. Këtë krim e bën terrorristat shqiptar (shiptarski terroristi) (Politika).

Eu ç`na gjeti!

Grupi i intelektualëve dhe gazetarëve i shkruan me të shpejtë shtypit vendas dhe atij të jashtëm një protestë të shkruar: “E vërteta e ngulur në hu” . Shkrimtari dhe Akademiku u Dobric Qosiq u angazhua në mënyrën e tij për këtë “krim”. Kuvendi Federativ diskutoi për “rastin Martinoviq” tetë herë. E ne në kohën e përmendur çka s`përjetonim.

Që në fillim kur e dërguan “të mjerin Martinoviq”në Beograd, dhe u hesht për katër ditë për rastin e tij, në AMU të Beogradit ishte vërtetuar që “plagët ishin shkaktuar nga vetë Martinoviqi në tentim për vetë masturbim. Prokurori publik kishte shënuar se në një përfundim me shkrim, se ishte rast i vetëkënaqësimit me shishe të birrës”

Me rastin e shpalljes së Pavarësisë së Kosovës, 2008 ,shkrimtarja serbe Svetlana Velmar-Jankoviq paska pas shkruar në një artikull autorial se “ rasti” Martinoviq “i para tridhjetë vjet i kishte hapur të gjitha rastet e ardhshme të vuajtjeve dhe mjerimeve të Serbëve”. Popi Atanasije Jeftiqi paska pas shkruar: “se ky njeri i mjerë.. një fotografi e gjallë e e vuajtjeve dhe e zhbërjes së serbëve të Kosovës që nga koha e okupimit nazist 1941

“I përvuajturi i Kosmetit ( Kosovës dhe Metohisë) “s`ka të harruar, ai u rikujtua edhe pas 15 vjet, kur ai vdiq nga vdekja natyrale në vitin 2000. ”Shiptarski terroristi e ngulën në hu Gjorgje Martinoviqin” shkruhej përsëri në atë rast.

Pra rasti Martinoviq, sot mund të thuhet se ishte xixa nismëtare për shumëçka ndodhi më tutje në Kosovë dhe Jugosllavi, sipas tyre “Gjorgje Martinoviq u bë simbol i së keqës që Serbët duheshin pa tjetër ta duronin në Jugosllavi”!. Serbia ishte vendi i vetëm në botë që mund të fillonte edhe luftërat për shkak të një autopederi. Tmerr i njerëzimit.

“Aftonbladet”, gazetë prestigjioze norvegjeze me shkrimin e saj “Shishja që e nisi luftën në Jugosllavi” e shkruar nga gazetari Peter Kadhamar, rrëfen: Ajo çka kishte ndodhur me një maj 1985 nuk ishte vetëm tragjedi për familjen Martinoviq. Luftërat që pasuan, pasuan me 100. 000 të vdekur dhe dy milion të shpërngulur ishin pasojë e drejtpërdrejt nga ajo që ndodhi në arat e Jarugës së Gjilanit”

“Pas deklaratës të cilën e dha në vitin 1987, Televizionit të Lublanës, Ministri i Punëve të Brendshme të Jugosllavisë së asaj kohe, slloveni Stane Dollanc mediet nuk shkruanin më për “martirin” e Serbisë:

Sa i përket rastit të Gjorgje Martinoviqit, është ndërprerë çdo hetim i mëtutjeshëm, gjykim nuk do të ketë sepse organet e mija të kriminalistikës e kanë vërtetuar që ai është vetë lënduar. Pastaj ai me në qeshje ironike shtoi: Më vjen keq që Gjorgje Martinoviqi samuraj serb e ka kryer mbi vetveten një akt harakiri. Kjo deklaratë është ende në fuqi. “shkruanin gazetat e 1987-ës.”

Çka ndodhi në atë kohë? Propaganda serbe “rastin Martinoviq” e ç’frytëzoi si pretekst të heqjes së autonomisë se Kosovës dhe luftërave të mëtutjeshme. Analizat mjekësore në Lublanë, pas 5 ekspertizash të ndryshme në botë dhe Jugosllavi, vërtetuan që Gjorgje Martinoviqi, ishte lëshuar në akt vetëhomoseksual që të vetëkënaqej, por “puna nuk i vajti siç e deshi”.

Kjo ishte Serbia e viteve 1985-1987. Kjo ishte Serbia, po ashtu e njejtë deri në vitin 1999. Po e njëjta Serbi është edhe sot! Martinoviqi së shpejti edhe ndoshta do të shpallët i shenjt.

Një qytetar i thjeshtë sa do i informuar që të jetë nuk mund të kuptoj qëndrimin evropian ndaj Serbisë, ndaj këtij vendi që është krijuar me rrena, që i ka përvetësuar dhe është rritur me toka në saje të gënjeshtrave. Si mundet Evropa që të sakrifikon një komb të tërë, kombin shqiptarë vetëm nga rrenat dhe çpifjet e një garnitureje të mobilizuar në përvetësime vetëm në principin e rrenës.?

Me qëllim lundrova nëpër internet që të gjejë ndonjë rast të ngjashëm me atë të Gjorgje Martinoviqit që iu ka ndodhur serbëve në Serbi apo nëpër botë: të masturbosh apo të vetëkënaqesh seksualisht është krejt normale, por të krijosh presedan politik, të demonizosh një popull të tërë për shkak të një geji të çmendur është e padëgjuar.

“Prill 2009, një grua serbe kishte marrëdhënie seksuale me një boçë pisheje. Një grua seksualisht e pa ngopur e provoi të kënaqej me një boçë të madhe piseje: aq të madhe se që u deshën dy orë operacion për ta shpëtuar. Këtë e vërtetonte operatori Dr. Sava Bojoviq” në kryeqytetin serb Beograd. Rasti i dytë në SHBA. “Incidenti kishte ndodhur në mes të janarit dhe Marsit të vitit 2008 në shtetin Ohio, kur serbi Radosllav Vojvodiq ishte filmuar duke bërë seks me tavolinën e tij në dhomën e tij. Vovodiqi ia kishte pranuar policisë se kishte pasur marrëdhënie seksuale me tavolinën e tij të piknikut dhe me plot krenari serbe deklaronte: “Një sjellje e tillë është normale për një serb.”!!!!

Pasi i lexova edhe këto dy lajme sa qesharake aq edhe të pakapshme për një njeri normal: m`u sollën ndërmend vitet e 80 në Kosovë. Të mendojmë se ç`na kishte gjetur neve shqiptarëve sikur të ndodhnin të tillat në Kosovë, te Serbet e ardhur në Kosovë, në vitet e 80-ta dhe 90-ta? Dhe Evropa e vazhdon edhe në mijëvjeqarin e tretë dashamirësinë dhe bëhet ortak me rrenat ,insinuatat dhe çpifjet serbe.

Shikoni kur ta lexoni shkrimin, foton e shenjterimit te Martinoviqit. neser a pasneser i behet edhe freska ne ndonje Kishe ortodokse serbe.Ardhmeria e serbeve e formuar me rrena ,ne dem te shqiptareve , dhe na heshtim. …. E i “shenjti ” Martinoviqi mbrohet edhe nga UNESCO.(ndoshta)

Shenjterimi i Martinoviqit

Filed Under: Featured

Jan Michał Stuchly – Poet i një ndjeshmërie të thellë

January 11, 2014 by dgreca

ESSE NGA MAZLLUM SANEJA*/ Varshavë/

        E nis këtë shkrim për poetin dhe piktorin Jan Michał Stuchly, duke cituar fjalët e dy poetëve të mëdhenj: poetin e madh të romantizmit polak Cyprian Kamil Norwid, i cili me të drejtë shkori se, “e bukura është formë e dashurisë”  dhe, poetin e simbolizmit frëng Mallarme, i cili tha se “synimi i botës, është krjimi i një libri të bukur”.

Megjithatë, edhe në kohën e sotme, këto dy konstatime tingëllojnë si mendime aktuale përsa i përket krijimtarisë të poetit  Jan Michal Stuchly.

“Në përvojën time, poezia  lind nga një gjendje e veçantë, të cilën do ta quaja si një errësirë të brendshme” – shkroi me të drejtë  qysh në vitin 1936 poeti dhe eseisti i njohur polak, Mieczysław Jastrun, apo siç shkroi diku poeti i njohur frëng i simbolizmit Novalis: “Poezia e vërtetë nuk është asgjë tjetër veçse një lidhje shpirtërore”. Njëqind vite më vonë, poeti bashkëkohës frëng Valery kështu shkroi për poezinë:  “përpiqet të krijojë në ne, një gjendje dhe, këtë gjendje të jashtëzakonshme të ngre deri te njohja e përkryer”.

Poeti ka prirjen e të përshkuarit dhe të kuptuarit e botës dhe, në mënyrë të veçantë të vetëdijës së vet çfarë në të është e fshehur. Poezia – tashmë e shkruar, pastaj ia transmeton lexuesit gjendjen e veçantë të njohjes, e begaton në brendësi, natyrisht, me sa mundet të zgjojë në të barabar mbresa të forta.

Vëllimi poetik i fundit i poetit Jan Michał Stuchly dëshmon , se ai gjithnjë më thellë e kupton domosdoshmërinë poetike dhe shoqërore të dialogut të vet. Ai gjithnjë përpiqet, që në krijimtarinë e vet të ngre në kohë, në histori: një botë më të bukur e më të mirë, dhe një botë më favorizuese për njeriun. Ai iu përket atyre poetëve, për të cilët poeti anglez P.B.Shelly thotë me të drejtë se “janë ligjdhënësit e papranueshëm të botës”.

Poeti e vështron peizazhin e vërtetë përmes shprehjës së pikturimit të njeriut, nëpërmes transformimit dhe dukurive të natyrës. Që t’i besojmë poetit, duhet vështruar botën përmes optikës së vështrimit të tij, t’i bindemi vështrimit të tij dhe të mos i frikësohemi  këlthitjes të mahnitjes.

Poetika e poetit Jan Michał Stuchly synon gjithnjë më shumë kah bashkimi, pikë-takimi më i saktë dhe më i rafinuar  i shprehjes së drejtpërdrejtë, të thjeshtësisë të gjuhës, dukshmërisë – me forcën e imazhit konkret, nëpërmes të së cilës shpreh botën e ndjenjave.

Poezia e poetit Jan Michał Stuchly është pa mëdyshje një fenomen i jashtëzakonshëm, si përkah  lloji ashtu edhe përkah tematika. Kjo është një lirikë diskursive-filozofike dhe metafizike. Në qendër të vëmendjes të kësaj poezie gjenden dy momente: ajo në të cilën vetëdija zë të shërbejë me shqisa dhe, ajo me të cilën shqisat e braktisin. Këtu është e gjithë-pranishme barabar  si jeta ashtu dhe vdekja, të cilat pareshtur e shoqërojnë poetin, këmba-këmbës.

Jan Michał Stuchly  është, para së gjithash, poet i dhembjes ekzistenciale, poet i dhembshurisë, i ndjeshëm në mënyrë të veçantë karshi padrejtësive dhe ligësive njerëzore. Poezinë e tij e karakterizon një ndjenjë e thellë dhe frymë shpirtërore dhe, njëherazi një thjeshtësi në mjetet shprehëse.

A thua unë di

e Ti

gjithnjë thua

di

 

Unë nuk di

kush di

e Ti

gjithnjë thua akoma

di

nuk di

kur

e ti

në heshtje qan

pyes

kush je ti

Zot apo Poet

pikërisht dëgjoj

diku jehonën

dhe kjo është

e vërteta

(„ Nuk di”)

 

Thjeshtësia e poezisë e poetit Jan Michał Stuchly është një thjeshtësi kreative, thjeshtësi vazhdimisht e kuptueshme.

Panta rei

une dhe kalimi i kohës

 

kalimi i kohës

dhe jo vetëm koha e papërfytyrueshme

 

unë megjithatë e kaloj kohën

sepse ashtu e deshi Zoti im

duke i dhënë secilit shpresë

 

Ndaj

provoje ta shfrytëzosh

 

 

(“Kalimi i kohës”)

 

*                  *                          *

 

 

Memeci

në çalimin e vet këlthet

të shurdhërit

vetëm qetësia

kokën ia trazon

i verbëri

veç vështrimit

me të gjitha shqisat e tjera

sheh dhe dallon

derisa njeriu i shëndoshë

nuk kupton deri në fund

se sa i lumtur i pasur është

me të gjitha ankesat e shumta të përditshmërisë

 

(“Në mendime”)

 

 

*                                *                                  *

 

nuk di

çfarë di

 

derisa ti

gjithnjë di

 

nuk di

kush

diku

ku

kur

 

dhe ti

prapë di

 

pyes

me druajtje

kush je

e ti

tashmë e di

a thua e di

 

 

 

 

 

Poet

vetëm ty të lejohet

duke mos ditur

di

 

(“Dyshim … siguri “)

 

Është kjo një poezi individuale, që e karakterizon individualitetin e tij prej poeti të veçant, ngase përfytyrimi metafizik i poetit është saktësisht i ndërlidhur me problematikën ekzistenciale dhe të përjetuar thellë në shpirtin e trazuar të poetit.

Poeti Jan Michał Stuchli ndonëse e shikon botën dhe njerëzit me një distancë, ai nuk qëndron indiferent karshi dramës njerëzore.

Jan Michał Stuchly si një poet i pjekur, shpreh mendimet e hidhura mbi shekullin e qytetërimit  të zbulimeve teknike, i cili njëherazi u bë një shekull i shfarosjeve dhe krimeve masive, ku në fund të shekullit XX njeriu u shndërruar në egërsirë. Së këtejmi, ai hidhërimi,dhembja dhe vuajtja e poetit të ndjeshëm, i cili është i vetëdishëm, se përmes artit të vet, nuk e ndryshon dot këtë botë, nuk e shpëton nga gama e së keqes dhe e dhembjes.

Dobësia dhe plogështia karshi indiferencës të qytetërimit të sotëm lind dhe krijon hidhërimin, ndjenjën e zbrazëtirës dhe shqetësimin.

Poezia e tij e afirmon të Mirën, Mirësinë, Dhembshurinë, po, a thua këtë zë diku në një skaj të botës,këlthitjen e mbytur të poetit – sikur “ Këlthitjen” e Frikës të piktorit të njohur Edvard Munchit a thua e dëgjon ndokush? Apo si në poezinë e poetit tonë Jan Michał Stuchly “Këlthitja ime”:

Njeri

Ti i vetmi në mes të qenieve të gjalla

I zoti të bësh zgjedhjen

ndërmjet të mirës e të keqes

Sa bukur për këtë shkruan kritiku dhe eseisti i njohu polak Jerzy Kwiatkowski: “Jetojmë në një epokë të magjepsur me të keqen, në një epokë e cila ka degraduar dhe, është e privuar të përqesh dhe të përbuz nocionet e tilla çfarë janë: E Mira, Mirësia, Dhembshuria, Mëshira …

E keqja, agresioni, vrazhdësia, mizoria vazhdojnë të tërheqin imagjinatën e shkrimtarëve, krijuesve të filmit, regjisorëve, studiuesve të kulturës …”

Është me të vërtetë një ngjarje befasuese se si poeti Jan Michał Stuchly në poezitë e veta, në një mënyrë të veçantë, në vëllimin poetik të fundit ” Licentia Poetica” ka mundur me sukses të mbyll, në mënyrën e vet, vizionin  e vetëm të njerëzimit dhe vizionin e vetëdijes.

Mjafton  të lexojmë këtu me vëmendje poezitë e shkelqyera dhe të mrekullueshme: „A thua”,”Kalimi i kohës”,”Këlthitja ime”,”Kronos”, „Njeriu”, „Nuk di”, „Përditshmëria”, „I kredhur në mendime”, „Dyshimi … siguria”,  „Sekrete të lëna” etj. që përbëjnë një tërësi të shkëlqyer poetike.

Paralelisht me trishtimin, dhembjen dhe vdekjen, në poezinë e poetit Jan Michał Stuchly gjejmë edhe elementin poetik e të kërkuarit – të kërkuarit e shpresës, ringjalljes të jetës,besimit dhe ngritjes të sistemit të vlerave njerëzore. Zatën kjo është kredoja poetike e poetit Jan Michał Stuchly.

Dhe, një ideal i tillë i artit në kohën e sotme, më duket veçanërisht i çmueshëm dhe i bukur.(* Jan Michał Stuchly: „La Grande Reportage” Galeria 2010, Racibórz 2010 )

Varshave, Fillimi i janarit 2014

Filed Under: ESSE Tagged With: Jan Michał Stuchly. poet i ndjeshmerise, Mazllum Seneja, se thelle

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 49
  • 50
  • 51
  • 52
  • 53
  • …
  • 74
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Bahamas njeh Kosovën!
  • Legjenda e portës shkodrane, Paulin Ndoja (19 dhjetor 1945 – 16 prill 2025) do të mbushte sot 80 vjeç
  • “Roli dhe kontributi i diplomacisë shqiptare në Maqedoninë e Veriut nga pavarësia deri sot”
  • Marie Shllaku, kur një jetë e re u shndërrua në përjetësi kombëtare
  • Në sinoret e Epirit…
  • Mbrëmë hyri në fuqi Ligji i SHBA për autorizimin e mbrojtjes kombëtare
  • Skënderbeu “grek”, ose si të bëhesh grek pa e ditur
  • A historic moment of pride for the New Jersey Albanian-American community
  • U zhvillua veprimtaria përkujtimore shkencore për studiuesin shqiptaro-amerikan Peter Prifti
  • Dashuria që e kemi dhe s’e kemi
  • “Jo ndërhyrje në punët e brendshme”, dorëheqja e Ismail Qemalit, gjest atdhetarie dhe fletë lavdie
  • Arti dhe kultura në Dardani
  • Gjon Gazulli 1400-1465, letërsia e hershme shqipe, gurthemeli mbi të cilin u ndërtua vetëdija gjuhesore dhe kulturore e shqiptarëve
  • “Albanian BookFest”, festivali i librit shqiptar në diasporë si dëshmi e kapitalit kulturor, shpirtëror dhe intelektual
  • VEPRIMTARI PËRKUJTIMORE SHKENCORE “PETER PRIFTI NË 100 – VJETORIN E LINDJES”

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT