• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for January 2014

KURSI I KËMBËPËRTHYERJES

January 7, 2014 by dgreca

Tregim nga Kujtim Dashi/

Në zemër të kryeqytetit, ndanë buleverdit “Dëshmorët e Kombit”, njëqind e pesë metra larg portës veriore të Kryeministrisë, shtatë-tetë metra larg një porte tjetër, asaj të rezidencës të delegacionit të Këshillit të Europës, nën hijen e njërës prej dy kullave binjake, në një lulishte të lënë krejt pasdore, ku dikur gjallonte bar “Amerika”, pas busteve të vëllezërve Frashëri romët ditë për ditë ngrejnë një si biçim kampingu. Brenda këtij kampingu funksionon “Kursi i këmbëpërthyerjes”, i paliçencuar ende, por që përgatitë ditë për ditë praktikantë të rinj. Ata, pas një kursi, ndoshta, nga më kohëshkurtit në botë, vetëkthehen në ulokë, me ç’rast fitojnë të drejtën të lypin të hipur mbi karrocat e paraplegjikëve, që kushedi ku në ç’rrangullishte i kanë psonisur a lypur borxh.
– Më ngjoni këtu, e mos m’i hallakatni sytë poshtë e përpjetë, se vallahi, asht ba jeta e vshtirë…Kafshatë e zorshme! Hë, pra, më ngjoni më vmëndje, se për të mirën tuj e kam, vallahi! Jena ba shumë! Po secili do me hangër e ka riskun e vet! Aiii, s’di me folë shumë, por po e kapa ndonji që s’e ka vmëndjen, ktuna, kam me ja përdredh kokën si t’zogut të pulës! Ngjoni ktu, pra. Kama e majtë, kush munet edhe të djathtën, përdridhet fort e futet poshtë kamës së djathtë a të majtë, e manga e pantallonave varet si zhangël, si loqet e plakut. Pse qeshni, ë? S’i keni parë nonjëherë n’ksollat tueja, a?! Mun ta futësh edhe poshtë kamës, me medemek të preme. Të dhemb? Të mpihet? Nuk e duron? Po punë e madhe fort! Do të rrish pa hangër? Atëherë mos e përthyj. Vdis urie! Jena ba shumë! Papunësi e madhe! S’na kush më në tefter! Besa, ma shumë janë të bardhë se sa na. Ka zdrypë teposhtë maloku i pafalë. Shihni si janë mushë rrugët plot e për plot! Tash po ia kërkojmë kockat atij gaxhait të madh, që as emrin po kanë frygë me ia përmenë ma. Hë, pra, për Enverin e kam llafin, ç’kini që hutoheni. Për sy të ballit s’kishte me na lanë kshtu as dhe një ditë…Ça demukracie asht kjo me të lanë pa punë e pa hangër?! S’po ka punë për profesora, pa lë për ne që s’kemi asnjë klasë shkollë. E shihni atë profesorin që shet libra në trotuar? Në Moskë ka ba studimet e tash në pleqni, i gjori, del e shet libra, në vend që të ngrohet me plakën te zjarri…Gjithë halli, a më ngjoni, asht me iu dhimb tjetrit sa ma shumë ktuna para semaforit! Mos mendoni se janë shumë një minutë, dy minuta, sa del e kuqja, shejtanja, e hyn frap jeshilja, e mira, shpresa…I duhet vu fytyrës një maskë! Çfarë thom edhe unë kështu! Po ne kena vetë fytyrën tonë si maskë! Maska e dreqit, e skamjes, e fukarallikut! Hajde, kush do ta provojë i pari? Hajde ti çuni i Zanit, se jeni kalamaj ma shumë, e Zanin e shkretë e mbyti krejt rakia, helmi…
Nga grumbulli i romëve ngrihet ngadalë, me përtesë e me droje një fëmijë zhelan, me një fytyrë të zbehtë e të palarë, me sy të pangopur me gjumë, të trembur e të lodhur. Kapërcen thesin e parë me kanoçe të shtypura, të dytin dhe del para kursantëve të tjerë, që e shohin me zili.
– Ec ktu, se s’të hamë. Çohu ti Ardit prej karrocës se s’e kemi xhezlong me ba qejf tina. Hajde, çou shtyp matanë kanoçet, që kanë sjellë çunat, në daç me hanger ndonjë gja sot. Shih sa je ba sa nji magjar! Dhe, shuajeni zjarrin. Me shurrë, e me ç’ka të mundeni. Nuk kam hall tjetër, po mos të na digjen këta komshinjtë tonë, mos na digjet Europa, që na sheh përditë, pra se s’kanë ku me hy pastaj këta politikanjtë tanë, që nga mëngjesi në darkë, bajnë dùa me hy në të…Hajde, hip ti çuni i Zanit. Ashtu, edhe pak. Mos ke frikë se të mbaj una. Ashtu de, mos ma mbaj trupin drejt me tangërllik si kapadai, se kështu nuk i hyn në sy askujt. Kujtojnë se po ban lojë, se po i rrenë, ditën për diell. Kurrkujt, vallahi, nuk i dhimsemi. Duhet me iu dhims gurit e drurit që të fitojmë nonjë gja. Shih, shih, qenka i fortë, dreqi! Ç’ke ashtu që mezi merr frymë: a je asmatik a të ka marrë uria? Askush s’e ka msue kaq mirë e shpejt sa tina! Ashtu, shumë mirë. E ngjo këtu, ti çuni i Zanit. Ça t’fitosh ktuna ke me i pru, lekë më lekë. Dakort? E di unë, çfarë të jap, pastaj. Se mos ia jep Zanit lekët, mor qyq, se i ban, naaa, raki ai. Nanës çoja të gjitha, mirë? E shkreta, ka tetë gojë me ushqye përditë. Hajde, nisu tash shpejt e te semafori! E mos u muno me ma hedh mu, se një sy e kam ktuna e nji te ti. A m’ngjon apo jo?! Ne magjypët nuk vjedhim, ne lypim.
Nga grumbulli amorf i kursantëve ngrihen turravrap dy fëmijë dhe e ndihmojnë djalin e Zanit të dalë në ditën e parë të punës si ulok dhjetëvjeçar. E ngrejnë peshë karrocën, djali nga njëra rrotë e vajza nga rrota tjetër dhe e hypin në trotuar. Pastaj, nga aty e zbresin poshtë në bulevard, si të hedhin një kaike në kanionin e rrëmbyer të makinave.
– Ec, vetë tani, të keqen motra!-i thotë vajza si t’i japë bekimin e prindërve, që s’kanë mundësi të marrin pjesë në këtë ditë të shënuar, kur i biri vetulokohet për të fituar ndonjë gjë dhe i jep një të shtyrë karrocës, e cila futet në mes të makinave të ndaluara para semaforit.-Paç këmbën e mbarë!-ia bëri zhelani tjetër, duke i shkelur syrin, si për ta nxitur që të flakë tej ndrojtjen, ngathtësinë, se për krenari, atë asqë e kanë njohur ndonjëherë.-Ruaju, të keqen motra, se mos të shtypin makinat!-i bërtet nga trotuari vajza teksa sheh djalin e Zanit, që manovron me shpejtësi dhe iu afrohet me të shpejtë te dritarja shoferëve të makinave, që frenojnë njëra pas tjetrës. Sytë i ka ngulur te semafori. Dreq sa shpejt ndërron e kuqja me jeshilen!-mendon alarmueshëm dhe turret turravrap për te shoferi tjetër me shpresë se do të jetë, në mos më i mëshirshëm, të paktën më pak cinik, më i sjellshëm se ai i mëparshmi. Me ngut fshin pështymën që i ka hedhur pamëshirë në fytyrë shoferi i benzit të zi, fytyrën prej banditi të të cilit e ka fiksuar mirë në kujtesë.-Pas teje, e kam rradhën unë!
Me një sy te kursanti tjetër, që është ulur te karroca e paraplegjikëve për të bërë njëherësh teorinë e praktikën e këmbëpërthyerjes e një sy te djali i Zanit, që fluturonte hareshëm sa te njëra makinë te tjetra, duke iu gëzuar lëmoshave të njerëzve, që begenisin t’i hedhin një sy botës së semaforëve, drejtuesi i kursit, Meti rinisi mësimin:
– Hë, pra, ku e lamë? Qe, pra, edhe djali i Zanit, jo i partizanit si jeni msue ju tuj e pa në televizor, po i Zan gjynahnaqarit të shkretë, po e fiton nonjë lekë. Shih, shih, qenka i shkathtë, dreqi! Eh, çfarë të bën kafshata e gojës? A kishte hangër gja? Si, mor, si një misër të pjekur që nga dreka e djeshme? Pse nuk më thatë të dilte dikush tjetër në kamë të tij? E kush do hipë tash në karrocë? Eja ti goca e Selimit. Ju jeni të bardhë, po jeni ma të shkunun se ne. A iu bie nonjë lekë baba prej Greqiet, apo iu ka harru krejt? Ashtu, ë? Sa vjet moj që s’bëhet i gjallë? Pesë vjet?! Vagabondi! Ndoshta, ka marrë nonjë tjetër atje. A, noshta, kalbet në nonjë burg…Kush dreqi po din…
Syri tjetër i Metit ka dalluar në të qindat e sekondës se si djali i Zanit nga nxitimi ka rrëshqitur poshtë rrotave të një makine të madhe që transportonte tulla dhe ajo e ka marrë ysh përpara si të ishte një qeskë plastmasi me plehra të hedhura diku në mes të rrugës. Makinat ndaluan rrufeshëm njëra pas tjetrës dhe prej tyre dalin me të shpejtë shoferë, udhëtarë. Kalimtarë të rastit nga të dy trotuaret kanë vënë ulërimën dhe derdhën në rrugë, kush mundi. Një gruaje i bie të fikët dhe rrëzohet shakull përtokë. Meti si shqiponjë fluturon e, duke ulëritur si i marrë “Djali, more, më iku, djali!” për disa sekonda, gjendet mu aty ku ka ndodhë mënxyra. Karroca ishte shtypur, ishte bërë si kanoçe dhe, bashkë me të pa asnjë dyshim, të njëjtin fat kishte pësuar edhe djali i Zanit. Ai me një shikim të lamtumirtë vështroi Metin dhe në atë gjendje si është, i zgjati grushtin e vogël të shtrënguar fort, brenda të cilit kishte futur lekët që kishte fituar në minutat e para të punës së tij, si ulok.
-Naanëëës, Met, naaaanëëëës…,-shqiptoi djali i Zanit dhe humbi ndjenjat.
_________
Nga vëllimi me tregime e novela (pjesa e parë e triptikut) “Në muajin e nëntë…”, Botimet “OMBRA GVG”, Tiranë, 2006.

Filed Under: Sofra Poetike Tagged With: Kujtim Dashi, Kursi i kembethyerjes, Tregim

Rrëfehet “Mjeshtrja e Madhe”, këngëtarja e shquar Irini Qirjako

January 7, 2014 by dgreca

Irini Qirjako i përkët binomit të madhërishëm Artist & Njeri, që i kapërxen kufijtë e mirësisë, vitalitetit dhe talentit që ajo përcon me zërin e saj si gurra e ujit të kristaltë mes dinamikës së muzikës, të kënduarit dhe interpretimit emocional, e cila u jep fuqinë e tingujve, melodisë së këngës popullore por edhe asaj të trevave të ndryshme shqiptare, vecmas të polifonisë. E kanë quajtur Princesha e Polifonisë, e kanë nominuar me “Mjeshtre e Madhe”, “Qytetare nderi” e Sarandës, por te kjo grua e shquar shqiptare qëndron modestia fisnike, që me muzikën popullore të interpretuar prej saj qetëson shpirtrat e njerëzve dhe i largon për disa momente nga streset e mosmarrëveshjet e ditës,  mes të përditshmes e të bukurës njerëzore. Dhe jo vetëm kaq! Ajo nuk nguron t’i përqafojë njerëzit në rrugë që i flasin dhe e përgëzojnë për kënaqësinë shpirtërore që ajo iu dhuron. Në turneun e Gjermanisë,  drejtori i Teatrit Kombëtar të Munih-ut do të ngazëllehej nga forca e këngës polifonike dhe duke duratrokitur  shprehej: “Fatnatstike, Fantastike”. Ka kënduar duet me këngëtarin e madh italian Albano  Karizi  si:“Eja , Eja lule borë” dhe “O Solo mio” nje moment mbresëlënës I kënaqshëm dhe I paharruar.Ajo është aq e talentuar dhe  shquar sa  ja si e vlerëson Poeti i Madh Lefter Cipa ndër vargje:

“Duaje Polifoninë

moj Irini moj Princeshë

se atë gjen Perëndinë

Ndaj këjo bot s’të vdes!”. 

Në këtë intervistë Artistja e dashur për të gjithë  shpalos dashuritë e saj të jetës-Familja, Muzika dhe  Atdheu. Kënga e kënduar prej saj, “Këngët e Atdheut tim”, është bërë tashmë Prelud i Atdhedashurisë për  të gjithë shqiptarët. Artistja nuk harron të shprehe mirënjohje dhe nderim për atë brez të artë artistësh  që kanë bërë historinë  në muzikë, artin e kulturën shqiptare. Me buzë në gaz ajo  përcjellë mesazhin:

“Ruajtja e zhvillimi i këngës polifonike, i këtij thesari fantastik është një detyrë jo vetëm i institucioneve përkatëse të shtetit, por e çdo grupi artistik e çdo këngëtari  profesionist apo amator.”

 Për më shumë ndiqni intervistën.

Bisedoi Raimonda MOISIU

-Mes kësaj atmosphere të ndezur muzikore  le të bisedojmë edhe për karrierën tuaj. Cila është kënga e parë që keni kënduar? Cfarë viti?

Në  Prill të vitit 1979 pas përfundimit të Institutit të Lartë  të Arteve , fillova punën si këngëtare pranë Ansamblit Shtetëror të Këngëve e Valleve Popullore. Për herë të parë,  në Maj 1979, në skenën  e Teatrit të Operas dhe të Baletit,  këndova këngën polifonike “Këngët e Atdheut tim”. Kënga pati shumë sukses si nga niveli i interpretimit  ashtu  dhe nga forca epike,  që poeti i madh Lefter Çipa pasqyronte ne të. Theksoj, se kjo këngë  e fuqishme dhe shume e kërkuar më ka  shoqëruar gjatë gjithë karrierës time artistike, si brënda dhe jashtë vendi.

Gjithashtu, dua të nënvizoj  edhe faktin , se me këtë këngë u paraqita  në testimin e pranimit  në TOB përpara komisionit të përbërë nga artistët e  mëdhenjsi; Çesk Zadeja, Avni  Mula, Gaqo  Çako , Xhemal Laçi, Agim Krajka e Panajot Kanaçi, të cilët më thanë:-nuk do të shkosh në Opera, por në Ansambël. Pra,kjo këngë përcaktoj  vendin   tim në Ansambël, ç’ka  vitet vërtetuan  vendimin e drejtë të komisionit.

-Të kënduarit ka qënë një pasion i hershëm i juaji, apo talent i lindur?

Dashuria ime  për këngën  përmban  dhe ushqehet nga pasion dhe talenti,të cilat së bashku me punën e vazhdueshme kanë ndikuar në formimin tim si këngëtare  e këngës popullore. Në përgjithësi, si çdo këngëtar, edhe unë fillesat i kam  nga fëmijëria, ku gradualisht  shfaqet talenti e pasioni. Prindërit  dhe një gjitone  më kanë thënë se kur isha 5 a 6 vjeç këndoja hera herës këngën ‘Më dërgoj babai me shqerra”. Me këtë këngë  vija në gjumë vajzën time kur ajo  ishte e vogël

-Kush ka ndikuar më së shumti në zhvillimet tuaja muzikore? Cfarë iu shtyhu të bëheshit këngëtare dhe pse?

 Mjedisi familjar dhe  veçanërisht ai shkollor, ndikuan shumë tek mua për të filluar rrugën e këngës.Kujtoj me  respekt mësuesin  e arsimit fillor Petro Kurti, i cili duke evidentuar talentin tim për këngën më nxiste vazhdimisht për të  kënduar  para klasës. Kështu, shoqet e shokët e klasës  u bënë spektatori i parë i këngës time. Gjithashtu, me shumë dashuri kujtoj  mësuesen e muzikës në arsimin  8- vjeçar Lica Kordha ,e  cila  këngët tona  i shoqëronte mjaft bukur me  mandolinën e saj. Këta mësues, më aktivizuan  në veprimtaritë e ndryshme artistike, fillimisht brenda shkollës e rrethit të Sarandës  dhe më tej në Festivalin Kombëtar të Pionierëve në Tiranë.

Por, veçanërisht  një ndikim të madh për zhvillimin  e  talentit  për muzikën dhe këngën pati arsimimi i mëtejshëm pranë Liceut Artistik “Jordan Misja” dhe në  Institutin e i Lartë të Arteve  në Tiranë. Në këto institucione  bashkë me formimin kulturor e muzikor në tërësi u rrit edhe niveli dhe forca e interpretimit të këngës.

Mirënjohje e respekt për  të gjithë mësuesit e pedagogët, që me durim e përkushtim na mësonin për të ecur përpara drejt dijeve e përparimit.

-Ju jeni e njohur kryesisht për të kënduar këngë lirike, balada,  me iso  të muzikës  popullore? Na tregoni dicka për karrierën tuaj?

Formimi i plotë si këngëtare profesioniste e këngës popullore u bë pranë Ansamblit të Këngëve e Valleve Popullore. Në këtë  institucion, brënda veçorive folklorike,  lëvrohen e përpunohen kënga popullore  në të gjitha gjinitë, llojet dhe shtrirjen gjeografike të saj; lirike, epike, historike, kurbetit, dashurisë, dasmës, të Shqipërisë së veriut, të mesme, të jugut  dhe atë  arbëreshe. Kjo shtrirje e këngës, së bashku me artistët e mëdhenj profesionistë  përbënte një shkollë të madhe në formimin tim artistik. Mirënjohje e respekt  për këngëtarët; Vaçe Zela, Fitnete Rexha, Naile Hoxha, Sali Brari, Xhevdet Hafizi,Hysni Zela, Garentina Gjoka, Zeliha Sina,Valdete Hoxha, Fiqerete Kapaj, Sabahete Vishnja  dhe drejtuesit artistik  Çesk Zadeja, Tish Daija, Panajot Kanaçi , Agim Krajka , Xhemal  Laçi, Limoz Dizdari, Aleksander Peçi  .

Në Ansamblin e Këngëve e Valleve Popullore u bëra e njohur  veçanërisht për interpretimin e këngës polifonike, të asaj kënge  që qëndronte brënda shpirtit tim. Unë e adhuroj këngën polifonike jo vetëm për muzikalitetin e veçantë të saj, por edhe për vlerat unikale që ajo mbart.Në një kohë kur në shumë vende të botës, polifonia  konsiderohet  si një relike e kohëve të lashta, për  ne shqiptarët përbën një thesar të  botës sonë  shpirtërore. Ndaj  kjo  perlë unikale në botë  mbrohet edhe nga UNESKO.Poeti dhe mjeshtri i madh i polifonisë shqiptare Lefter  Çipa në shënimin për dhurimin e librit të tij “Dheun tim përsipër mbaj” shkruan …..

“Duaje Polifoninë

moj Irini moj Princeshë

se atë gjen Perëndinë

Ndaj këjo bot s’të vdes!”

.,Në koncertet e ndryshme  që kam dhënë në Francë, Itali, Gjermani, Holandë, Suedi, SHBA, Kanada, Danimark, Belgjik, etj., kjo këngë është pritur  mjaft mirë duke vazhduar duartrokitjet deri ne ripërsëritjen  e saj.

Natyrisht, nuk kanë munguar vlerësimet e shumta  për këngën tonë polifonike. Një e tillë pasqyrohet në librin “Shansi i humbur  të   gazetarit të mirënjohur Ymer Minxhozi,  i cili në vitin 1983 shoqëronte Ansamblin e KVP gjatë një turneu në Gjermani. Ai duke përshkruar  shfaqjen e dhënë në Teatrin Kombëtar   në Munih, ndër të tjera shkruan; “Ndërsa këndojnë Irini Qirjako e Hysni Zela, drejtori i teatrit që është ulur  në të majtën  time, kthehet nga unë e më thotë “Fantastike”!

Ndaj , ruajtja e zhvillimi  këngës polifonike, i këtij thesari fantastik është një detyrë jo vetëm i institucioneve përkatëse të shtetit, por e çdo grupi artistik e çdo këngëtari  profesionist apo amator.Veprimtaria ime  si këngëtare e këngës popullore është e gjatë dhe mjaft e pasur. Ajo nuk  përfshin   vetëm  veprimtarinë prej 33vjet e gjysmë (Prill 1979-tetor 2013 në Ansamlin e KVP  por edhe pjesëmarrjen  në  grupet e ndryshme   artistike dhe ato vetjake  në festime, gëzime familjare, spektakle  e festivale të ndryshme.  Kështu  mund  të veçoj  pjesëmarrjen në grupin artistik “Kënga labe në shekuj” të krahinës së Kardhiqit (1995), në grupin polifonik “Tirana” (1996-2001), në grupin artistik “Kurveleshi në këngë” Kapariel (2002), në grupin artistik minoritar të fshatit Finiq, në spektaklin  e regjisores Vera Grabocka“`12 të shtuna në Hollivud” , në spektaklet e organizuara si fituese e anketimit “Yjet e Folk Univers (2004,2005,2006)  në spektaklet të organizuara  në qytetet kryesore te vendit e në Kosovë e Maqedoni  nga TV Klan të titulluar “Maratona e këngës popullore  (2009,2010,2011), në programin  e TV Klan  “Këngët popullore të shekullit “ (Tetor 2010- Mars 2011), në Festivalin e Këngës Popullore të TVSH (Tetor 2013)

–Si një adhuruese e hershëme e juaja, kam vënë re se ju kini një mirëkuptim mes dinamikës së muzikës, të kënduarit dhe interpretimit emocional, e cila u jep fuqinë e tingujve, melodisë së këngës popullore por edhe asaj të trevave të ndryshme shqiptare në përgjithësi. A keni pasur ndonjë trajnim apo eksperiencë në këto gjini?

 

Faleminderit shumë , që   Ju  shkrimtare e gazetare e njohur shqiptare, e vlerësuar me disa çmime në SHBA  jeni një nga adhurueset e mija. Në këtë adhurim unë shoh dashurinë tuaj për muzikën dhe këngën e bukur shqiptare. Të gjithë së bashku,  kudo që ndodhemi , me shkrime apo me këngë  të  punojmë parreshtur  për  Atdheun tonë të dashur,

Kënga me të gjithë komponentët që e përbëjnë atë ; vokali , melodia e teksti  poetik  ka aftësi të fuqishme depërtuese tek  dëgjuesi, me të përcillen mesazhe të ndryshme , duke ndikuar  në  botën  shpirtërore të tij. Ndaj, duke patur parasysh këtë aftësi të këngës  unë si  çdo artist  që jeton me rolin, personazhin, skicën,  portretin apo peizazhin, etj.,  edhe unë jetoj me këngën  e bëjë pjesë të shpirtit tim. Pikërisht, kur kënga bëhet pjesë e shpirtit tënd dhe ti jeton me emocionet e mesazhet e saj, atëherë  bëhet e mundur interpretimi emocional dhe harmonizimi muzikë vokal. Kjo kërkese më ka shoqëruar gjatë gjithë karrierës time, si  në skenë ashtu dhe jashtë saj. Në këtë drejtim krahas arsimimit profesional  më ka ndihmuar shumë përvoja e përfituar  nga  këngëtaret e Ansamblit  e të Teatrit të Operas.

 -A keni shkruar ndonjë tekst këngësh?

 Përsa i përket shkrimit të teksteve të këngëve, nuk jam përpjekur të bëjë ndonjë të tillë, por në disa  raste  gjatë bashkëpunimit me kompozitorin  Edmond Zhulali  kam ndikuar për të bërë rregullime të veçanta në interes të harmonizimit më të mirë muzik- tekst. Kështu mund të përmend këngën e bukur dasme “Të përcolla nuse bij e nënës  o “  Shumë nga këngët e mija  lirike apo epike  janë marrë nga krijimtaria  e poetit të madh Lefter Cipa, disa prej tyre janë; “ Këngët e Atdheut tim”. “28 mijë yje”,  “ Vito pëllumbesha “, Bejke e bardh “. etj, etj,

-Kini nxjerrë disa vidioklipe dhe albume muzikore, por keni dhënë edhe koncerte brenda e jashtë atdheut .C’mund të na thoni për këtë? Cfarë mund të presin adhuruesit nga këto  vidioklipe e albume  debutues? Cilët janë producentët e tyre?

Zhvillimet e vrullshme  elektronikës kanë krijuar kushte që muzika, kënga të përcillet menjëherë e kudo  tek dëgjuesi, në salla e jashtë tyre, në  radio,TV, kompjutër, automjet celular e mjete të tjera. Ky komunikim bashkë me kënaqësinë  e  dyfishtë që marrin dëgjuesi dhe këngëtari, i nxit këta të fundit  për të realizuar  sa më shumë albume muzikore e vidioklipe cilësore. Kuptohet në kushtet tona, ku ende nuk është shtrirë siç duhet veprimtaria me producent dhe zbatimi i legjislacionit  në fushën e të drejtave  të  autorit  ka mjaft dobësi, shpenzimet për to mbulohen kryesisht nga vetë këngëtarët dhe raporti shpenzim  përfitim lë shumë për të dëshiruar. Disa nga albumet  që  kam realizuar janë: Francë, 1998  e 1999 nga “ARCO IRIS” albumet  të emërtuar “Ensemble TIRANA  CHANTS POLYPHONIQUES D’ ALBANIE”dhe “TIRANA xhevahir”;  Tiranë ne studion e kompozitorit Edmond Zhulali dhe nga    “Elrodi Raks Muzik” e “Eurostar “ albumet  të titulluar ; “Dy  shelege në një portë” , 2003;“Këngët e Atdheut tim” , 2004;“Sorke moj “ , 2oo5  “Më kërkon portë më portë”, 2007;”Koncert recital , Irini Qirjako  2011 (Këngë popullore të shekullit) dhe së fundi dy albume me 20 këngë polifonike.

-Jetoni në Tiranë . Cfarë ju lidh me Sarandën?

Unë jetoj në Tiranë. Vendlindja ime është Saranda dhe Finiqi  im i shtrenjtë. Me Gjirokastrën, Vlorën, Mallakastrën, Tepelenën, me gjithë Labërinë, Pilurin e Himarën  më lidhin  dashuria  e  madhe për këngën e bukur polifonike dhe  kujtimet e shumta  për mikpritjen  e ngrohtë  në turnet e zhvilluar  në cdo fshat e qytet. Ndërsa veçanërisht  me Gjirokastrën   më lidh  edhe pjesmarrja si këngëtare  e anëtare  jurie në Festivalet  Folklorike Kombëtare .

–A do të këndonit ndonjë këngë të muzikës së lehtë? Cilat këngë preferoni të këndoni më shpesh baladat apo populloret?

Kënga me muzikë të lehtë më pëlqen dhe e dëgjoj me shumë ëndje  atë dhe natyrisht si këngëtare edhe e këndoj, por angazhimi im për  të është shumë i pakët,  për të mos thënë fare.  Ndër angazhimet e para mund të përmend  interpretimet në Estradën e Sarandës, kur isha studente stazhiere dhe më vonë me pjesëmarrjen  me dy këngë në anketën muzikore të Radio Tiranës . Kënga e fundit  që kam  realizuar me muzikë të lehtë është kënga  e titulluar “ Pa ty si mundem të jetoj” me muzikë të Edmond Zhulali e tekst  Jorgo Papingji. Kjo këngë është përfshirë në albumin “Sorkë moj “.

 –Si nënë, bashkëshorte intelektuale dhe Artiste e Kombit si ndiheni kur dëgjoni për krimin në familje, apo veset e tjera që kanë përfshirë një pjesë të komunitetit, sikundër droga e krimi? Dhunën ndaj gruas?Si mund të reflektojë shoqëria shqiptare për lehtësimin e këtyre plagëve?

Si grua, nënë e artiste shfaqjet negative si: krimi në familje e jashtë saj, droga, prostitucioni e trafikimi i femrave, dhuna ndaj  gruas, vrasjet për motive të ndryshme etj, të cilat  kanë përfshirë një pjesë të shoqërisë shqiptare  më trishtojnë jashtë mase. Këto plagë e shëmtojnë botën njerëzore dhe për lehtësimin  tonë  prej tyre  shteti dhe e gjithë shoqëria  duhet të rrisin forcën goditëse ndaj tyre. Zhvillimi ekonomik, përmirësimin  e sistemit të edukimit dhe zbatimi i ligjit me drejtësi do të çojnë gradualisht në lehtësimin e shoqërisë sonë nga këto plagë.

 -Kë dëshiron të falenderosh për realizimin e ëndrrës tuaj si këngëtare?

Për realizimin e ëndrrës time  si këngëtare  dua të  shpreh një falënderim të veçantë për mamanë time të shtrenjtë. Unë konkurrova dhe fitova të drejtën për të vazhduar studimet e larta pranë Institutit të Lartë të Arteve në Tiranë , por babai ,për arsye ekonomike  hezitonte. Ishte këmbëngulja e mamasë që më mundësoi mua vazhdimin e shkollës. Kjo grua e fortë, e zgjuar, f jalëpakë dhe rreptë për gabimet  që bënim  ne gjashtë fëmijët e saj, hezitimit të babait  iu përgjigj  “Vajza e fitoi vetë  shkollën  dhe unë nuk lejoj që të drejtën e saj  t’a marrë  tjetër njeri  që nuk e meriton përpara saj. Do të punoj në zetor  ngarkim-shkarkim  me burrat dhe  Irini  do të shkojë patjetër në shkollë”  Dh e ashtu ndodhi. I  përulem  përjetësisht me dashuri nënës time të shtrenjtë, Dimitrulla.

-Gjërat janë duke ndryshuar në rrjedhën e muzikës komerciale. Cfarë mendimi kini për këtë?

Komercialimi bën punën e vetë. Jam e bindur që koha do të nxjerrë në pah vlerat e vërteta artistike. Nuk ka si të ndodhi ndryshe.

 -Cili është instrumenti muzikor i preferuar i juaji? A mund të luani me të?

Instrumenti im i preferuar është pianua. Dashurinë time për këtë instrument  ia dedikoj  mësues  së dashur e të palodhur të  pianos në Liceun Artistik  “Jordan Misja ‘  Afërdita Morina. Në shtëpi kam piano dhe për kënaqësinë time studioj  pjesë të ndryshme të muzikës klasike. Tingujt  dhe  vokali i muzikës klasike më japin një ndjesi të veçantë dhe duke qenë brenda TOB ndjek të gjitha shfaqjet që jepen në këtë institucion.

-Çfarë mëkati i njihni vetes si këngëtare që i përket   dy kohëve, para dhe pas ’90-s ?

Si një këngëtare që u përkas dy kohëve,para e pas viteve  90  nuk i njoh vetes asnjë mëkat, pasi si këngëtare profesioniste  kam punuar e punoj për të realizuar sa më cilësisht këngën .Duartrokitjet e spektatorëve të çfarë do kohe të çliron nga çdo mëkat i mospëlqimit të këngës.

 -Kush është Irini Qirjako? Cfarë është dashuria për ju?Kur e ndjen një grua  se është e dashuruar? A keni shkruar ndonjë poezi dashurie?

Vetë portretizimi i Irini Qirjakos  është  nënë e bashkëshorte e mirë ,por veçanërisht shumë e përkushtuar ndaj vajzës, e thjeshtë, e dashur dhe respektuar me njerëzit, sportive, e kujdesshme me lulet, urren gënjeshtrën e mosmirënjohjen, respekton të kaluarën, duke i kushtuar më shumë rëndësi të tanishmes e të ardhmes. Dashuria është  një forcë e madhe njerëzore që  të  mban të lidhur  ngushtësisht  me  familjarët , atdheun. muzikën, këngën, shoqërinë dhe me çdo gjë të natyrës e shoqërisë njerëzore.

 –Kur shprehemi  “brezi i mëparshëm”, kë keni ndërmend sipas jush? Cilët janë këngëtarët  tuaj më të preferuar, shqiptarë e të huaj?

Kur isha këngëtare e re dhe dëgjoja zërin e ëmbël e të fortë të artistit të madh Mentor  Xhemali,  brenda meje qëndronte dëshira për  të realizuar një duet me këngë Përmetare  e për këtë shpresoja shumë, por vdekja e këtij këngëtari të madhërishëm e bëri të pamundur. Megjithë atë artisti në jetë,  ka shumë evenimente.Një e tillë është  kur këndova së bashku me këngëtarin  italian  me famë botërore Albano Karizi. Falë Fondacionit Nermin Vlora Falaski, me  Presidente , gazetaren e mirënjohur  znj.  Zenepe  Luka pata fatin të takoja  në kështjellën e tij  fantastike këtë këngëtar të madh. Të dy së bashku , të  shoqëruar me piano nga  pianistja e mrekullueshme shqiptare Aksija Xhoja, kënduam këngë shqiptare “ Eja,eja lule borë” dhe atë italiane “O sole mio “.  Të dy zërat, ai tenor e unë mexosoprane  u harmonizuan mjaft mirë. Ky realizim më dha  një

kënaqësi të veçantë.Çdo brez ka muzikën e këngëtarët  e tij të preferuar, të cilët marrin,  japin e përcjellin  ndaj njeri tjetrit atë më cilësoren. Unë nga brezi i mëparshëm  mund  të përmend disa nga këngëtarët brilant të skenës shqiptare si : Tefta Tashko, Maria Kraja, Mentor Xhemali, LukKacaj, Gaqo Cako,  Avni Mula,   Vace Zela, Lucie Miloti,  Fitnete Rexha, Naile Hoxha,  e shumë të tjerë.

-Cilat janë aftësitë profesionale që këngëtaret  e reja kanë nevojë sot? Ndonjë këshillë për ata/ato që aspirojnë të bëhen këngëtarë?

Shkolla jonë e muzikës, si dhe veprimtaritë e ndryshme artistike  kanë evidentuar mjaft këngëtarë  të rinj të talentuar  të cilët duhen mbështetur fuqishëm  për të mbajtur e zhvilluar më tej këngën e bukur shqiptare. Për këta  këngëtarë të rinj   këshilla ime  është : punë të parreshtur për të rritur aftësitë profesionale; këmbëngulës  në arritjen cilësore të këngës; të mos kënaqen me pak, por të luftojnë për t’u ballafaquar drejtpërsëdrejti me spektatorin  në festivale apo në veprimtaritë e ndryshme; disiplinë artistike  dhe zbatim rigoroz të rregullave të etikës në skenë e jashtë saj.

 -Projektet tuaja në të ardhmen?Cfarë iu ka mbetur peng?

Ndër  projektet e mija për të ardhmen  është  realizimi i vidioklipeve  e  dy albumeve me këngë polifonike  dhe i  vidioklipit me këngën  e Festivalit të Këngës Populloretë TVSH, tetor-2013-“Tundi flokët moj leshverdhë”. Gjithashtu , krahas   angazhimit në koncertet e Ansamblit të KVP, do të vijoj punën  për  grumbullimin, seleksionimin  dhe  incizimin në studio të këngëve të tjera polifonike.

–Mesazhi tuaj për inteligjencën e shoqërinë shqiptare sot….

Zhvillimi i artit  në tërësi  dhe  i muzikës e këngës në veçanti i shërben  zhvillimit të shoqërisë , prandaj  të gjithë ne artistët si brenda e jashtë vendit  të bashkojmë forcat për të bërë më të mirën për vendin tonë të shtrenjtë.Krahas kësaj , artistët  dhe  inteligjenca  e kudo ndodhur shqiptare brenda hapësirave që krijon liria, të shfaqin  mendimet  e tyre për çështjet që preokupojnë vendin, të flaket indiferentizmi, tulatja, strukja   dhe  përgjumja. Fjala e fuqishme  e tyre  jep forcë, zemër e kurajë  dhe vë në lëvizje  shoqërinë për të ecur përpara. Politika e zgjuar dhe që i shërben interesave të popullit gjen mënyrat e format  për të  vënë në lëvizje trurin e inteligjencës shqiptare.

Bisedoi:Raimonda MOISIU    

Filed Under: Interviste Tagged With: i rrefehet Raimonda Moisiut, irini Qiriaqi

ROLI I FESË NË POLITIKË

January 7, 2014 by dgreca

Xhon Kenedi; ”Unë besoj në një Amerikë, e cila zyrtarisht nuk është as katolike, as protestane as hebreje”… /                     

Nga Frank Shkreli/

Kohët e fundit në median shqiptare është venë re një debat mjaft i nxehtë në lidhje me rolin që duhet të luaj feja në politikën dhe shoqërinë shqiptare.   Është pak i çuditshëm fakti se feja dhe roli i fesë në shoqërinë dhe politikën shqiptare po debatohen në këtë kohë, sikur shqiptarët nuk kanë probleme të tjera jo fetare, me të cilat duhet të merren në këtë moment, siç janë problemet e mëdha ekonomike dhe sfida të tjera politiko-shoqërore të botës shqiptare.  Por ndoshta nuk duhet të habitemi për këtë debat  mbi influencat e huaja,  ndërkohë që  Shqipëria pret të marrë statusin e vendit  kandidat për antarësim në Bashkimin Europian dhe ndërkohë që edhe Kosova gjëndet përballë sfidash të mëdha të konsolidimit të shtetit si dhe të përpjekjeve diplomatike për shtimin e njohjeve ndërkombëtare të pavarësisë së saj.  Disa analistë shprehen se ky debat po nxitet dhe inkurajohet edhe nga element të huaj me influencë në hapësirat shqiptare, në përpjekje për të mbjellur ngatërresa, dhunë e përçarje dhe për të përhapur urrejtje në radhët e shqiptarëve dhe si rrjedhim për të vonuar ose për të zhdukur përgjithmonë aspiratat e kombit shqiptar për integrim në organizmat eurotlantike.

Megjithëse çështjet e ditës dhe taktikat e përdorura në të kaluarën kanë ndryshuar,  duket se edhe sot si gjithmonë më parë në periudha kur kombi shqiptar është gjëndur para vendimeve historike për  të ardhmen e vet, ndërkohë që shqiptarët, si kurrë më parë në histori,  janë në prak të një të ardhme më të mirë — diçka ose dikush del për të penguar përparimin e këtij kombi, duke sulmuar gjënë më të shënjtë të tij, harmoninë fetare.  Kësaj here po debatohet dhe diskutohet mbi influencën e fesë dhe rolin që duhet të luaj feja e shumicës apo e pakicës, sidomos në jetën politike, kryesisht në Kosovë, por edhe në Shqipëri dhe në trojet e tjera shqiptare në Ballkan.  Kush po e lufton dhe kush po përpiqet të dhunojë këtë dhunti morale që Perëndia ia ka falur kombit shqiptar?!

Feja është një faktor me rëndësi në jetën e individit dhe të një populli.  Shqiptarët, historikisht, me të drejtë janë njohur për tolerancën e tyre fetare ndaj njëri tjetrit dhe i janë paraqitur edhe botës së qytetëruar, dhe atje ku mbizotërojnë konfliktet fetare, si një shembull i bashkjetesës dhe harmonisë fetare.  Kjo ka qenë dhe është një ndjenjë krenarie për të gjithë shqiptarët e tri besimeve kryesore.   Shqiptarët deri tani e kanë konsideruar fenë si një çështje që ka të bëjë me jetën private të individit, dhe si një rit që praktikohet mbrenda mureve të xhamisë, të  kishës, të teqesë ose në ndonjë objekti tjetër fetar dhe nuk e kanë konsideruar fenë si pjesë e pandashme të jetës politike të shoqërisë dhe të influencës së saj në qeverisje dhe  në bërjen e politikës së shtetit.   Prandaj, ky dallim pra mbi rolin që duhet të luaj feja,  dmth., nëse  feja duhet të jetë  diçka private për indidvidin, si plotësuese e nevojave shpirtërore të njeriut, a po të  shikohet  si një fenomen i rëndësishëm i  jetës politike dhe shoqërore të një vendi, është tepër i rëndësishëm.  Ky dallim midis këtyre dy roleve që duhet të luaj feja, është tepër i nevojshëm të bëhet, kur të merren parasyshë dhuna, përçarjet dhe urrejtjet  që kanë prekur vendet, të cilat historikisht  kanë vuajtur dhe vuajnë nga dhuna dhe mosmarrveshjet fetare.  Nëqoftse nuk bëhet ky dallim dhe nëqoftse një shoqëri, përfshirë edhe shqiptarët, nuk vendosë se feja është çështje private dhe si e tillë, influenca e saj duhet të rrijë larg dhe të mos ndikojë në sferat publike dhe politike të jetës shoqërore, atëherë një shoqëri me probleme të tilla pasqyron vendet ku feja është bërë shkak konfliktesh e dhune, madje edhe lufte. Për ndryshe, pa këtë dallim të qartë, mbi rolin e fesë, nuk ka shpresë për ruajtjen ose zhvillimin e një shoqërie civile progresive.

Me dilemën mbi rolin e fesë në jetën publike dhe politike janë përballur e përballen shumë shtete dhe shoqëri, përfshirë edhe Shtetet e Bashkuara.  Ndonëse kushtetetuta e Amerikës është e qartë mbi ndarjen e shtetit nga feja, pasi ato luajnë role të ndryshme në jetën e njeriut dhe të shtetit, roli i fesë në politikë u debatua ashpër dhe haptas gjatë fushatës për president  me 1960. Në atë kohë, kandidati i Partisë Demokrate ishte Xhon F. Kenedi, i besimit katolik, por që deri atëherë Amerika nuk kishte pasur president që i përkiste këtij besimi dhe si e tillë, ajo fushatë ishte e para ku u debatua haptazi roli që duhej të luante feja në një shoqëri,  si ajo e Amerikës.  Xhon F. Kenedi, i vetdijshëm se shumica protestane e shikonte atë si një kandidat që i përkiste fesë katolike, u detyrua të  fliste lidhje me rolin e fesë në politikë, një fjalim që edhe sot konsiderohet si një kryevepër në lidhje me këtë subjekt, e që mund të shërbejë si një përvojë historike nga e cila mund të  marrin mësim edhe të tjerët.

Në shtator të vitit 1960, kandidati për president Xhon Kenedi, në një përpjekje për të zhdukur dyshimet e shumicës prptestane në lidhje me përkatësinë e tij katolike mbajti fjalimin para një grupi priftërinjsh protestanë në qytetin Hjuston të shtetit Teksas.  Me atë rast, ai bëri disa deklarata në lidhje me rolin, që sipas tij duhej të luante feja në politikë dhe në shoqëri.  Ai u tha atyre se besonte fuqishëm në ndarjen absolute të shtetit nga feja, duke theksuar, ndër të tjera, se asnjë besim nuk duhet të favorizohet mbi të tjerat, pa marrë parasyshë shumicën përbërëse të njërës ose tjetrës fe.  Ndërkaq, ai nënvijoi besimin e tij të thellë në lirinë e fesë duke thënë se, ”Unë besoj në një Amerikë, e cila zyrtarisht nuk është as katolike, as protestane as hebreje”,  duke shtuar se ai besonte në një Amerikë, ku asnjë zyrtar qeveritar nuk kërkon as nuk pranon udhëzime mbi politikën e shtetit, nga asnjë burim as udhëheqje kishtare ose fetare.   Xhon Kenedi pat thënë me atë rast se ai besonte në një Amerikë ku asnjë ent fetar të mos përpiqet të imponojë, në mënyrë direkte ose indirekte, vullnetin e tij mbi publikun e gjërë ose të ushtrojë influencë mbi aktet dhe veprimtarinë publike të zyrtarëve të shtetit.  Ai ka thënë gjithashtu se beson në një shtet ku, “Liria e fesë është pa dallime dhe e barabartë për të gjithë”, duke shtuar se “një akt kundër një enti fetar duhet të konsiderohet si një akt kundër të gjitha feve.”  Xhon Kenedi me fjalimin e tij, përkrahu idenë se njerëzit duhet të jenë të lirë të besojnë çfarë dëshirojnë, pa iu imponuar asgjë atyre, duke theksuar se besonte në një Amerikë ku amerikanët nuk janë të ndarë  në bazë të feve, por besonte në një Amerikë ku të gjithë kanë një ndjenjë vëllazërimi dhe ku anëtarët e të gjitha feve trajtohen si të barabartë.

Shqiptarët mbi të gjitha besojnë në liritë bazë të njeriut, përfshirë lirinë e fjalës dhe të besimit, për veten dhe për të tjerët. Për këto liri është derdhur shumë gjakë dhe gjatë shekujve janë humbur aq jetë shqiptarësh.  Kurrë shqiptarët nuk ka njohur ndasi dhe as urrejtje fetare midis tyre as me të tjerët.  Shqiptarët u dalluan si të vetmit në Europë që strehuan dhe shpëtuan hebrejtë nga nazistët.  Kjo është fryma vëllazërore e shqiptarit që nuk ka njohur asnjëherë kufij  as dallime fetare.  Andaj, shqiptarët sot nuk guxojnë të bien pre e influencave të huaja që nuk ua duan të mirën shqiptarëve, por të jenë besnikë të traditës dhe kulturës kombëtare, përfshrirë edhe harmoninë fetare.  Kjo është në interesin kombëtar dhe  ky shqetësim duhet të jetë në ndërgjegjen e çdo shqiptari, por duhet të jetë sidomos e ngulur në ndërgjegjen e çdo udhëheqsi fetarë dhe politik që feja të mos përdoret për qëllime përçarjesh dhe konfliktesh vëllazërore.      

 

Filed Under: Featured Tagged With: Frank shkreli, John Kenedy, Roli i fese ne politike

DESHMIA E POETIT TE PUSHKATUAR: ME JEPNI NJE TOP, T’I GJUAJ SISTEMIT TUAJ!

January 7, 2014 by dgreca

Nga Visar Zhiti*/

Ndodhi 50 vjet më parë. “Më jepni një top t’i gjuaj sistemit tuaj! Këto ishin fjalët e fundit të tij, që po trondisnin trupin gjykues. Nuk kishte ndodhur asnjëherë kësisoj. I pandehuri nuk po kërkonte mëshirë, si zakonisht, që ata, xhelatët, të ndjeheshin të gjithëfuqishëm, gjysmë perëndi, si ato emblemat e dhunës me sëpatë në dorë, që drithëronin botën. Jo vetëm që s’kishte kërkuar mëshirë, po kishte kërkuar një top… është artiljer… ashtu?… po, po… dhe poet… E dëgjove, e do topin që t’i bjerë Partisë, Komitetit Qendror… zyrës së shokut Enver, ta shembë me gjithë atë brenda…. Qenka i çmendur… kam frikë… se mos duhet t’i kërkojmë ne atij mëshirë…

Në sallë arritën dhe dy vëllezërit e të pandehurit, sapo qe dhënë dënimi me pushkatim. U panë sy më sy… – …kokën lart, siç e do nderi i Xhagjikëve! – thirri një nga vëllezërit, më i madhi, Ylli…

– Po ku është liria? – përhapej gjithandej ajo që kishte thënë me zë të lartë ai që do të pushkatohej, që policët me të shtyra e futën në makinën e burgut. Ishte dhjetor i vitit 1963. Kështu po vinin Vitet e Rinj në Shqipëri…

Trifon Xhagjika kishte lindur në Peshtan të Tepelenës, në vitin 1932. Familja e tij u shpërngul në Tiranë, në kohën e pushtimit italian në po atë vit, kur në një lagje diku themelohej në ilegalitet Partia Komuniste, ajo që do të sundonte duke vrarë dhe pushkatuar dhe poetë. Pasi përfundoi studimet në Shkollën Normale të Elbasanit, në fillim të viteve ‘50 u diplomua për oficer i artilerisë kundërajrore dhe për disa vite punoi si oficer në një repart ushtarak në Rrapin e Treshit në Tiranë. Kreu një kurs për Gazetari e Histori, këmbënguli që ta bënte medoemos dhe deshi të vazhdonte fakultetin për Letërsi. Boton poezi nëpër gazeta dhe tërheq vëmendjen e lexuesve e të poetëve të tjerë…

E kalojnë me punë në Ministrinë e Mbrojtjes, fillimisht si redaktor në sektorin e botimeve dhe rregulloreve, e më vonë në gazetën “Luftëtari”. Në vitin 1959 botoi vëllimin e parë me poezi “Gjurmët”. Shihej rebeli guximtar, me ritëm gjaku, që seç kërkonte… Mjaft poezi të tij kompozitorët i bënin tekste këngësh. Himnin e shkollës së tij ai e shkroi, kompozim i K. Trakos, dhe do ta këndonin breza të tërë nxënësish, edhe kur ai s’ishte më, pa e ditur.

E ndjente se do ta arrestonin shumë shpejt. Bënte vapë. Gusht…. grusht… të merrej fryma, vapë politike… Poeti po dilte nga shtëpia e së motrës, Santës, i veshur civil, dhe siç nuk e kishte zakon, nuk e la motrën ta përcillte deri jashtë… mos e priste Lina, e dashura? Qindra vargje i kishte kushtuar asaj… Po kur do fejoheshin?… Së shpejti, – qeshte Trifoni serioz… teksa jashtë po e prisnin një duzinë me civilë të armatosur. “Trifon Xhagjika, në emër të popullit jeni i arrestuar!” Britma e tyre sikur theu xhamat e pallateve pranë. Motra e ka peng që s’e pa më. Kishte kohë që kishte nisur kundërshtimi, në “monotoninë e ditëve që vrasin lirinë”.E motra, kujton se po rrinte veç me të pakënaqur, me ata që flisnin kundër, me ata që donin… të arratiseshin. “Njërit prej tyre, – tregon ajo, – i gjeti një kamerdare të madhe, ia mori kushëririt, dhe e përcolli vetë që të ikte andej nga Liqeni i Pogradecit… Vuante me ata që ishin ndarë me gratë e tyre ruse  mbas prishjes me Bashkimin Sovjetik dhe i ndihmonte që të bashkoheshin me to… të arratiseshin… Ah, një shok tjetër të Trifonit, gazetarin Fadil Kokomani, e kapën, e çuan në burgun e Spaçit… dhe do ta pushkatonin… Miqtë e tij, nga ata që kërkonin ndryshim të sistemit në Shqipëri, po përfundonin internimeve dhe burgjeve.

Në gjyq Trifon Xhagjikën e akuzuan për agjitacion dhe propagandë kundër shtetit dhe… për terror. Terror po bënin ata që e akuzonin. Gjithsesi shpëtim nuk do të kishte… Shkak ishin dhe poezitë e tij kundërshtare. Artiljer është apo poet, që kërkoi një top t’i binte sistemit?! Por poeti artiljer është, shemb. Lirikat e Xhagjikës janë revolucionare, shkaku i revolucioneve, thellë-thellë është lirik, poezia e tij të befason dhe të trondit, pikërisht për këtë…Poeti-artiljer… Dhe më nuk u pa… dhe do të përhapej lajmi gjithandej, në redaksitë e gazetave, në kafenetë ku shkonin poetë, gazetarë se atë… kë?… atë që guxonte, që qeshte aq çíltër dhe i shkëlqenin sytë?… emrin ia thoshin me mërmërimë… e kishin pushkatuar… Ku?… Ku-ku… Në ç’ditë të dhjetorit?…

*   *   *

Në librin tim “Ferri i çarë”, që e quaj burgologji se për burgjet tregoj, kam dhe këtë pasazh të pakët: Edhe me vëllanë e poetit Trifon Xhagjika u bëmë kokë më kokë si në gjëmat e burrave në Veri. S’dihej ku e kishin mbuluar me dhé, i pavarr endej fantazmë dhe mërmërinte po atë poezi që e buçiti në bankën e të akuzuarve, kur e dënuan, “Atdheu është lakuriq”. I kishte shpërndarë edhe si trakte poezitë e veta. “Mbaje kokën lart, krenar”, – i thirri i vëllai, doktor Ylli, nga salla e gjyqit. I hodhën hekurat edhe atij dhe e burgosën. Telat me gjemba po më bëheshin inkandeshentë si nervat. Do ta përktheja elegjinë e Atdheut lakuriq me miq italianë, kur do të ikja andej, ndërsa eksodi i madh vazhdonte. Do të recitohej dhe në një kështjellë buzë detit dhe mua m’u duk sikur shpirti i Xhagjikës erdhi nga bregu matanë, vinte rrotull mbi kokët e dëgjuesve, vorbull ere…

Punoja në gazetën e parë opozitare. Kishte rënë Muri i Berlinit dhe pllakat e tij të betonta sikur na kishin zënë nën vete dhe ne po dilnim me mundim. Ishim ballë për ballë, Ylli Xhagjika dhe unë dhe poezitë mbi tryezë, fërgëllonte si drita. Po përlotesha edhe unë pas Yllit… Do t’i botojmë, t’i vëmë titullin librit “Atdheu është lakuriq”… E përgatiti një poet i njohur, Xhevoja, përmbledhjen e tij të parë dhe si redaktorë vumë emrat ne, dy ish të burgosur, që shkruanim poezi, poeti Jorgo Bllaci dhe unë. Donim t’i ishim pranë. Dhe donim të ringjallnim sado pak diçka të shenjtë nga Trifoni ynë. Varr s’kishte, po jo ta linim pa libër tani… jam i lumtur që e botuam. Po ç’lumturi zeza! Më pas do t’i dilte e plotë “Poezia”, nën kujdesin e poetit Agron Tufa, në shekullin e ri dhe mijëvjeçarin e ri. Shqipëria ka nevojë për shpirtin e tij.

* Ne Foto: Visar Zhiti ne New York gjate promovimit

(Marrë nga libri “Antologjia e të vrarëve”)

 

Filed Under: ESSE Tagged With: deshmia e poetit te pushkatuar, Visar Zhiti

GJUHA DHE TË MBJELLAT E SAJ

January 7, 2014 by dgreca

Ese për 12 vepra të Prof. dr. Bahtijar Kryeziut/

Zotërimi i mirë i gjuhës standarde shqipe është detyrë intelektuale, detyrë qytetare, e në radhë të parë, detyrë e çdo mësuesi, të çdo lënde. që atë ta zbatojnë dhe ta respektojnë… )  B. Kryeziu/

 Shkruan, Rrustem Geci – Dortmund, Gjermani/

Bahtijar Kryeziu lindi në Roganë të Dardanës, më 1.8.1949. Shkollën fillore e kreu në vendlindje, ndërsa Gjimnazin në Dardanë. Pas shkollës së mesme, Bahtijari, rend drejt universit për mësim e dije, rend rrugën,  me jo pak sakrifica, për t’u ngjitur drejt majave të dijes e të shkencës, atyre majave të cilave ua mësyjnë shumë e ia dalin pak vetë.

Në Universitetin e Prishtinës, Bahtijar Kryeziu, regjistrohet në Fakultetin e Filologjisë (atëherë Fakulteti Filozofik), Departamenti Gjuhë dhe Letërsi Shqipe. I pasionuar pas artit dhe shkencës, ai mëson dhe zbulon më të panjohurat. I dashuruar në gjuhën dhe artin e fjalës, me ambicie të mëdha, si pak shokë të tij, Kryeziu, në afat rekord merr diplomën e fakultetit. Në moshën më të bardhë të rinisë (siç themi ne), sa për të plotësuar nevojat elementare ekonomike të asaj kohe të rëndë, po aq edhe për të mbjellë farën e shqipes te brezat e rinj,  Bahtijari, merr ditarin në dorë për të ligjëruar gjuhën e zjarrtë – gjuhën shqipe. Atë gjuhë që e lëruan, e pasuruan dhe e pastruan me aq përkushtim e mjeshtri: bilbili i zëëmbël – Naim Frashëri, babai i shqipes – Kristoforidhi, artisti i fjalës së shkruar – Gjergj Fishta, arushani dhe ustai më i mirë i letrarishtes sonë, mësuesi shumë i respektuar i Kryeziut – akademik Idriz Ajeti, po edhe akademik Besim Bokshi, akademik Gjovalin Shkurtaj, akademik Rexhep Ismajli, prof. dr. Emil Lafe, prof. dr. Enver Hysa, prof. dr. Seit Mansaku dhe emra të tjerë, të cilët si dje, ashtu dhe sot janë kryefjala e gjuhës sonë të bukur, asaj gjuhe të cilën Kadare me të drejtë e rendit ndër 10 gjuhët e përparuara në planetin tokë.

Asnjëherë nuk kam menduar t´i rrëfej ato vite, më thotë Bahtjari. Idetë e të krijuarit janë në secilën shkronjë. Që kur isha student unë e kuptova qartë mesazhin e Rilindjes Kombëtare. Dhe në saje të atij mesazhi, unë i caktova vetes detyrat e së ardhmes.

Libri i tokës – shton Bahtijari, është libri më i lashtë. Në atë libër janë të gjitha artet dhe shkencat.

Leximi im fillestar ishte onomastika ( toponimia – emërvendet, patronimia, antroponimia dhe zanafilla e tyre ), fosilet gjuhësore të së kaluarës dhe gjaku  e rrënjët e shqipes. Shkrimet e mia të para dhe më serioze, siç cekëm më sipër, qenë ato për emërvendet, si nga aspekti diakronik, ashtu edhe nga ai sinkronik, si dhe debatet për problemet e gjuhës, në librat tanë, në mjetet e informimit elektronik, në shtypin e ditëve tona etj., pra, sidomos sot, në kohën e një globalizimi edhe gjuhësor dhe të statusit goxha shpërfillës të shqipes, të kësaj shenje  kombëtare.

Gjatë punës sime shumëvjeçare, vazhdon profesor Kryeziu, kam hetuar se emërvendet (toponimet) janë minierë e pashtershme që dëshmojnë për rrënjët dhe shtrirjen e gjuhës shqipe në ato tërthore ku jetojnë ose kishin jetuar bijtë e shqipes- të parët tanë. Profesor doktor Bahtijar Kryeziu është personalitet i nderuar, si në shkencën e albanologjisë, ashtu edhe në veprimtarinë edukativo-arsimore në Universitetin e Prishtinës e më gjerë, këtu e 33 vjet më parë.

Përse i takon epiteti “personalitet” dëshmon fakti se veprat e tij në fushë të gjuhësisë janë vlerësuar lart, nga 40 studiues të shquar fushash të ndryshme albanologjike (akademikë, profesorë doktorë e ekspertë të tjerë). Bahtijar Kryeziu është autor i 12 veprave të botuara, i një libri në botim, i dy veprave në dorëshkrim  (me gjithsej 5 mijë e 7 faqe tekst të shkruar e botuar), pa llogaritur dhe mbi 140 publikime shkencore: në revista, gazeta e botime të veçanta, të botuara në Kosovë dhe jashtë Kosovës.

Nga veprat e botuara të Prof. dr. Bahtijar Kryeziut mund të veçojmë:

Onomastika e Hashanisë (studim monografik), Instituti Albanologjik i Prishtinës,  Prishtinë, 2000, faqe 264.

“Shkolla fillore “Metush Krasniqi” e Roganës 1945-2000 I” (Monografi), Gjilan, 2001 (me  bashkautor), faqe 298.

Biobibliografi e magjistrave dhe e doktorëve të shkencave dhe arteve të Anamoravës I, Prishtinë, 2003, faqe 583.

“Shkolla fillore “Metush Krasniqi” e Roganës 2000-2005 II”, Gjilan, 2006, f. 219. (me bashkautor).

Fjalor onomastik i Malësisë së Bujanocit, IAP, Prishtinë, 2006, faqe 240.

Si të flasim dhe si të shkruajmë drejt, ShB “Libri shkollor”, Prishtinë, 2006, faqe 218.

Fjalor i homonimeve të gjuhës shqipe, “Shkëndija”, Prishtinë, 2008, faqe 230 (me bashkautor).

Gjuhë amtare – Njohuri për gjuhën, Fonetikë, Morfologji, Sintaksë (tekst universitar), Universiteti i Prishtinës dhe Universiteti i Korçës, Prishtinë, 2010 (me bashkautor), faqe 472.

Trajtesa onomastike, “Shkëndija”, Prishtinë, 2010, faqe 266.

Shqipja e sotme – këndvështrim teoriko-praktik, ShB “Libri shkollor”, Prishtinë, 2011, faqe 271.

Gjuhë amtare – Njohuri për gjuhën Fonetikë, Morfologji, Sintaksë (tekst universitar – botimi II i plotësuar), Universiteti i Prishtinës dhe Universiteti i Korçës, Prishtinë, 2011 (me bashkautor), faqe 472.

Për fjalën shqipe, “Shkëndija”, Prishtinë, faqe 263.

Prof. dr. Bahtijar Kryeziu, përveç veprave të zëna në gojë dhe publikimet e tjera, për nevojat e studentëve të Fakultetit të Edukimit, ka botuar edhe katër dispensa: në fushën e gjuhësisë (të kulturës dhe standardit të gjuhës), të shkrimit akademik dhe të metodologjisë së gjuhës amtare. Krahas angazhimit të tij mësimdhënës, punës hulumtuese-shkencore, ai, në institucionet universitare, ka ushtruar edhe detyra me përgjegjësi: për disa mandate ishte shef i departamentit të Programit fillor, një mandat zëvendësdrejtor, dy man­date drejtor i ShLP-së, kurse me themelimin e Fakul­tetit të Edukimit të Prishtinës (2002), dy mandate ishte zëvendësdekan i FE-së – Qendra në Gjilan. Edhe 4 mandate ka qenë anë­tar i Senatit të UP-së, anëtar i Këshillit Shtetëror të Kosovës për Kurrikulën parauniversitare etj. Po ashtu, Kryeziu, ka bërë edhe punën e lektorit dhe të recensuesit të disa veprave, si dhe të recen­sentit për shumë kandidatë për titujt universitarë. Ka marrë pjesë në mbi 46 try­eza shkencore, konferenca, simpoziume, kongrese e tubime të tjera shkencore, në vend dhe jashtë vendi, si dhe mbi 15 herë ka pasur qëndrime studimore në univer­sitete të shteteve të jashtme.

Prof.dr, Bahtiar Kryeziu është anëtar i kryesisë së Shoqatës së Gjuhës Shqipe të Kosovës dhe anëtar i Redaksisë së revistës “Kuturë gjuhe” që e boton kjo shoqatë etj. Shih për këtë, edhe njësia akademike e Universitetit të Prishtinës, Fakulteti i Edukimit, më 3 shtator 2012, profesor Bahtijarin e kishte propozuar për anëtar të Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Kosovës – një mirënjohje dhe pranim për zotimin e tij që edhe i takon. Ky shkrim do të jetë tepër i shkurtër për të përmbledhur dhe analizuar 12 veprat e prof. dr. Bahtjar Kryeziut dhe për gjithë atë veprimtari të tij aq të gjerë dhe aq të thellë.

Publik i nderuar, pasionantë të gjuhës, është kënaqësi e madhe për mua, të intervistoj një artist të fjalës, një shkencëtar, një publicist, një monografist, një moderator krijues dhe një mbjellës të gjuhës së ëmbël shqipe. Shkencëtarët e gjuhës (që studiojnë rrënjët e shqipes dhe të kombit tonë), jo rrallë, janë heronj të pranuar të dijeve.  Në këtë vazhdë edhe Prof. dr. Bahtjar Kryeziu, vazhdon të hulumtojë pareshtur për çështje të pashkruara, të pazbuluara, të pathëna deri më tashti në shkencën e gjuhës sonë.

Veprat e Bahtiar Kryeziut, si në rrafshin kohor, ashtu edhe në atë hapësinor, janë të mirëfillta, aktuale dhe me interes për gjuhësinë dhe kulturën tonë. Studiuesi i shquar, Emil Lafe, profesor nga Shqipëria, recensent i librit të prof. dr. Bahtjar Kryeziut, “Shqipja e sotme – këndvështrim teoriko-praktik”, duke folur për këtë vepër vlerëson se libri “Shqipja e sotme”që doli nga shtypi, përfaqëson një përmbledhje shkrimesh tematike: “Kundrime gjuhësore”, “Kumtime”, “Gjuha dhe shkolla”, “Gjuha në praktikë”, dhe trajtesat e renditura që zënë një të tretën e vëllimit të librit, u kushtohen çështjeve që diskutohen sot më së shumti lidhur me shqipen standarde, me kërkesat për përmirësime, ndryshime, rishikime etj., dhe që frymëzohen jo rrallë nga motive jashtëgjuhësore.

Me këtë libër prof. dr. Bahtijar Kryeziut pasuron bibliotekën e gjuhësisë Normative Shqiptare me një vepër jo vetëm me vlerë shkencore, por edhe me rreze veprimi të gjerë. Libri u drejtohet të gjithëve e veçmas, kolegëve të tij në fushën e studimit e të mësimdhënies, të cilët do të gjejnë aty pikëpamje, ide, argumente, probleme, shqetësime, rreth të cilave edhe ata vetë kanë shkruar  e  menduar. Me të drejt shkruan Lafe, libri “Shqipja e sotme”,ka vlerë të veçantë për mësuesit e gjuhës, për studentët dhe për ata që merren me probleme praktike të gjuhës standarde në Ente të ndryshme botuese, në gazeta e revista, në administratë etj.

Prof. dr. Bahtiar Kryeziu është një mësues i mirë dhe një autor i librave të mirëfilltë. Mendimi im – vazhdon Lafe, se prof. dr. Bahtjar Kryeziu, ka aftësinë dhe durimin që studentëve të vet t’u krijojë bindjen e shëndoshë se zotërimi i mirë i gjuhës standarde është detyrë intelektuale, detyrë qytetare, e në radhë të pare, detyrë e çdo mësuesi të çdo lënde.

Ndërsa akademik Gjovalin Shkurtaj, profesor nga Shqipëria, i cili, duke folur për veprën e prof. Bahtjarit, shprehet: “Me doktoraturën dhe pastaj monografinë e tij “Onomastika e Hashanisë”, z. Bahtiar Kryeziu hyn “me këmbë të mbarë”në shkencë, duke e vijuar me sukses punën e tij hulumtuese e shtjellimet, jo vetëm në lëmin e onomastikës, po edhe duke shkruar e botuar një varg të tërë veprash: monografi, libra për kulturën e gjuhës dhe për aspekte me rëndësi të shqipes së sotme dhe tekste e parashtresa me vlerë për shkollën shqipe.

Shkenca albanologjike dhe studimet mbi të tashmen janë të zgjeruara në të gjitha fushat e dijeve humanistike: nga arkeologjia, mitologjia e deri te antropologjia e semasiologjia. Rogana (ish-Rogaçica, të cilën profesor Kryeziu e “kryqëzoi” shqip, madje 10 vjet para fillimit të standardizimit të emërvendeve në Kosovë) dhe qytetarët e saj, janë krenar për birin e tyre: shkrimtar, shkencëtar dhe publicist. Gjuha dhe të mbjellat e saj nuk kanë të përcaktuar, as kohë as stinë. Krijuesit e saj të mirëfilltë, janë brenda zemrës së shkronjave dhe gjelbërimit të tyre. E uroj  prof. Bahtijar Kryeziun, për këtë vepër monumentale dhënë gjuhës

Filed Under: ESSE Tagged With: Dortmund, Gjuha dhe te mbjellat e saj, Prof. Bahtijar Kryeziu, Rrustem Geci

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 57
  • 58
  • 59
  • 60
  • 61
  • …
  • 74
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Dashuria që e kemi dhe s’e kemi
  • “Jo ndërhyrje në punët e brendshme”, dorëheqja e Ismail Qemalit, gjest atdhetarie dhe fletë lavdie
  • Arti dhe kultura në Dardani
  • Gjon Gazulli 1400-1465, letërsia e hershme shqipe, gurthemeli mbi të cilin u ndërtua vetëdija gjuhesore dhe kulturore e shqiptarëve
  • “Albanian BookFest”, festivali i librit shqiptar në diasporë si dëshmi e kapitalit kulturor, shpirtëror dhe intelektual
  • VEPRIMTARI PËRKUJTIMORE SHKENCORE “PETER PRIFTI NË 100 – VJETORIN E LINDJES”
  • 18 dhjetori është Dita Ndërkombëtare e Emigrantëve
  • Kontributi shumëdimensional i Klerit Katolik dhe i Elitave Shqiptare në Pavarësinë e Shqipërisë 
  • Takimi i përvitshëm i Malësorëve të New Yorkut – Mbrëmje fondmbledhëse për Shoqatën “Malësia e Madhe”
  • Edi Rama, Belinda Balluku, SPAK, kur drejtësia troket, pushteti zbulohet!
  • “Strategjia Trump, ShBA më e fortë, Interesat Amerikane mbi gjithçka”
  • Pse leku shqiptar duket i fortë ndërsa ekonomia ndihet e dobët
  • IMAM ISA HOXHA (1918–2001), NJË JETË NË SHËRBIM TË FESË, DIJES, KULTURËS DHE ÇËSHTJES KOMBËTARE SHQIPTARE
  • UGSH ndan çmimet vjetore për gazetarët shqiptarë dhe për fituesit e konkursit “Vangjush Gambeta”
  • Fjala përshëndetëse e kryetarit të Federatës Vatra Dr. Elmi Berisha për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë në Seancën Akademike kushtuar 100 vjetorit të lindjes së Peter Priftit

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT