• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for February 2014

Kosovë, Shefi i Misionit të OSBE-së viziton qendrat e votimit në Mitrovicë të Veriut

February 23, 2014 by dgreca

Nga B.Jashari/.-Shefi i Misionit të OSBE-së në Kosovë, Ambasadori Jean-Claude Schlumberger, vizitoi sot qendrat e votimit në Mitrovicë të Veriut. Schlumberger do t’iu përgjigjet pyetjeve te gazetarëve në mesdite  për të vazhduar me pas me nje vizitë ne shkollën fillore “Aziz Sulejmani” në Suhodoll të Ulët, njoftoi  Misioni  i OSBE-së në Kosovë.

OSBE po i lehtëson zgjedhjet lokale në katër komunat në veri të Kosovës në perputhje me marrëveshjen e Brukselit.

Zgjedhjet lokale të Kosovës, të parat në gjithë territorin – në 38 komunat, përfshirë veriun, janë mbajtur në 3 nëntor dhe kanë vazhduar me balotazhin e 1 dhjetorit 2013 dhe me disa rivotime të pjesëshme.

Në Mitrovicën Veriore po votohet sot përsëri për kryetarin e komunës në zgjedhje të jashtëzakonshme, pasi fituesi, i komunitetit serb, refuzoi të japë betimin duke mos pranuar ligjet e Kosovës. Betimin e dhanë të gjithë të zgjedhurit tjerë në komuna në gjithë territorin e vendit.

 

Filed Under: Featured Tagged With: Mitrovica e Veriut, OSBE, Shefi i Misionit

“Hekuba”, e Vefi Rredhit në Festivalin Ndërkombëtar të Sarajevës

February 23, 2014 by dgreca

Nga Harilla Koçi/.-Tragjedia “Hekuba” e Euripidit, një nga më të njohurat e antikitetit vënë e skenë nga regjisori me origjinë shqiptare, Enke Fezollari dhe protagoniste, aktoren nga Vlora, Vefi Rredhi, do të përfaqësohet në Festivalin Ndërkombëtar të Sarajevës(The InternationalFestival Sarajevo,“Sarajevska zima”), që nis të dielën në mbrëmje në kryeqytetin e Bosnje Hercegovinës.

Në një prononcim për ATSH-në, aktorja Rredhi, thotë se, “ndihem mirë  që marr pjesë në këtë festival”. “Hekuba” është në gjuhën greke, por këngët e vajit në Sarajevë do të jenë në shqip”, thekson ajo. Për aktoren që jeton e interpreton prej vitesh në Greqi, pjesmarrja në aktivitete të tilla është kënaqësi të dyfishtë, sepse është mundësi për të prezantuar vlerat e vendit të saj. “Kudo që paraqitem sjell diçka nga vendi im, sjell mënyrën se si qajnë në Vlorë…dhe kur dhimbja të mbyt..ne  këndojmë gërshetuar me vaj…Në një moment vaji unë them…u mbush deti me të rinj, o bir i nënës o bir…të nisi nëneja larg…për një jetë më të mirë o bir..”; Kështu shprehet Rredhi, një ditë përpara këtij festivali, që është një nga aktivitetet më të rëndësishme teatrore që zhvillohen sot në Evropë.

Premiera e tragjedisë “Hekuba”, me regji të Enke Fezollarit dhe protagoniste Vefi Rredhit, u shfaq për artësashësit grekë pranverën e vitit të kaluar. Për disa muaj artëdashësit grekë, ndoqën me interes në Teatrin “Thision”, të Athinës, këtë premierë, që sjell një nga tragjeditë më të njohura të antikitetit.

Kjo shfaqje u realizua me regji të artist të  talentuar me origjinë shqiptare, Enke Fezollari dhe në të interpretuan emigrantë nga vende të ndryshme, që jetojnë e punojnë ne vendin fqinj.

Por, në imazhin e artëdashësve, figura e Hekubës, mbretëreshës trojane, mbeti dhe do të mbetet i pashlyer nësajë të intepretimit plot ndjenjë e realizëm, në një nivel profesional, nga aktorja vlonjate, Gjenovefa Rredhi, e cila jeton prej vitesh në Greqi.

Roli i Rredhit, gjen mishërim jo vetëm në staturën e Hekubës, por edhe në mesazhet e fuqishme që përcjell, në aktualitetin ku dhimbja, largimi dhe harresa, përzihen bashkë. Këtu qëndron  veçantia e veprës, e mirëpritur jo vetëm nga artdashësit grekë, por edhe nga kritika, e cila ka vlerësuar aktoren vlonjate, që përcolli në skenë një Hekubë që flet për të shkuarën dhe për të tashmen, një Hekubë që qëndron mes dy kohëve, ndonëse të largëta nga njera tjetra.

Sot, njerëzimi po përjeton një nga krizat më të vështira. Emigracioni është më i ndjeshëm se asnjëherë tjetër. Në këto kushte, kuptimi “I tjetrit”, “I të huajit”, ç’rrënjëzimi, që cilësohen në tragjedi, janë në këto momente reale, sa asnjëherë tjetër në botë dhe në Greqinë e sotme. Njerëz të ndryshëm, në kushte dhe për arsye të ndryshme, detyrohen të lenë vendin e tyre, shtëpitë, jetën e tyre dhe të emigrojnë në vende të tjera, për një jetë më të mirë. Në atdheun e tyre, mund të ishin mjekë, arsimtarë, artistë, por nevoja për të jetuar i çoi në vend tjetër ku shpesh, detyrohen të punojnë në profesione dhe në punë që as nuk i kishin menduar kurrë më parë. Këta janë personazhe realë sot. Ata vërtiten në skenë,në sfondin e saj, diku dhe gjithkund. Këtë pasqyron Hekuba. Rënia e një mbretëreshe, që bëhet skllave dhe detyrohet të lusë kundërshtarët dhe…përfundon të jetë “e huaja”.

“Në realitetin e sotëm, Hekuba është një nënë që e shohim përreth,është nëna e djalit nga Pakistani, nëna nga Siria që vrapon mes plumbave me foshnjë në krahë, është nëna e djemve të rinj që aq shpesh tani, deti i nxjerr të mbytur. Është nëna, motra, (unë jam nga Vlora) e gjithësecilit prej tragjedisë së Otrantos”, thotë për ATSH-në, aktorja Gjenovefa(Vefi) Rredhi. Sipas saj, figura “e tjetrit” është gjithësecili prej nesh sot, që kemi ikur,jemi larguar nga vendi. Por, shton ajo, në këto kohë të vështira, në këtë pozita janë sot edhe grekët. Në këto kushte, Hekuba nuk është vetëm një nën, është një vend i tërë, një atdhe i humbur, ose i shkatërruar, një atdhe që shpesh humbet bijtë e tij, sepse i detyron të ikin larg.

Duke sjellë në kujtesë vargjet e poetit grek, Jani Rico, Rredhi thotë se, “ne nuk këndojmë për t’u veçuar, vëllai im, nga bota (nga të tjetrët). Ne këndojmë të bashkojmë botën”. “ Po . Arti ekziston që të ndihmojë bashkimin dhe të jetuarit në paqe”, shprehet aktorja vlonjate për ATSH-në.

Rrethi thotë se, “Është hera e parë që interpretoj në gjuhën greke dhe theksoj në rolin e Hekubës, një rol me kërkesa, një rol që flet në vite”.  Ajo veçon drejtimin regjisorial të regjisorit Enke Fezollari, që sot jeton në Athinë. Ajo nuk harron ndihmën e grupit mbështetës dhe të theatrologes së njohur greke,  Natali Minioti, që u konkretizuan me arritjen e kuptimit të plotë të tragjedisë së Euripidit dhe realizimin e saj me një këndvështrim bashkëkohor. Përdorimi i të dy gjuhëve, ndërhyrjet me këngë dhe të qarët në shqip, plotësuan më bukur Hekubën dhe vështrimin e saj bashkëkohor. “Ndjehem shumë bukur dhe e pasur të jem rritur mes dy kulturave dhe dy gjuhëve qe së bashku më ndihmuan tek Hekuba…të mendoja si qajnë në Vlorë, si këndojnë kur ikën vajza..Por dhimbjet e shpirtit, dhimbjet njerëzore, nuk kanë kombësi. Ato janë një..”, vijon në prononcimin e saj, aktorja nga Vlora.

Gjatë vitit të kaluar, shfaqja e tragjedisë “Hekuba” u dha në Teatrin ”Thision” nga 4 shkurti deri në fund të muajit maj. Po shfaqjet vijuan edhe në qytetin e Selanikut, në 8 dhe 9 qershor, në përfundim të Festivalit të Kulturës të organizuar nga Ministria e Kulturës e Greqisë membështetjen e BE-së.

Duke vlerësuar këtë shfaqje dhe rolin e Hekubës, shkrimtari, regjisori dhe përkthyesi grek Ahilea Kiriaqidis, shprehet: “U emocionova me të vërtetë nga tragjedia e antikitetit,ashtu siç e dëgjova dje në mesa vajeve dhe këngës së dasmës nga Shqipëria, si dhe me vargje nga Kavafi e Seferi. Interpretime të nivelit të lartë nga ana e aktorëve.Kush përjetoi eksperiencën tronditëse teatrale, nuk do të harrojë kurrë Hekubën e Rredhit, teksa ndërronte njëmijë fytyra dhe njëmijë shprehje të fjalës, kur vajtonte, ose mallkonte, ose kur shtronte planin e hakmarrjes”.

Ndërkohë, me nota të larta vlerësimi u shpreh edhe gazetari i njohur grek, Niko Dilavera. Sipas tij, “Në rolin e Hekubes, aktorja Vefi Rredhi, jep me interpretim cilësor, pathos dhe ndjeshmëri, emocionet e rënies nga vajtimi në shpresë, nga shpërthimet emocionale në “diplomacinë”e logjikës,nga dëshpërimi në hakmarrje të mbretëreshës së dërrmuar, me një mënyrë interpretimi,që të rrëmben”.

 

Filed Under: Featured Tagged With: festival, Hekuba, sarajeve, Vefi Redhi

Revolucioni tretë

February 23, 2014 by dgreca

Nga Gani Qarri /             

Populli ukrainas që sa kohë është hedhur në demonstrata nga më të përgjakshmet me dhjetëra të vdekur e qindra të plagosur, gjaku dhe plagët e të cilëve,nga sot ndryshuan Ukrainën.Acarimi i gjendjes në vend arriti kulmin,kur qeveritarët në pushtet provuan të miratonin një ligj për forcimin e të ashtuquajturave masa të sigurisë kundër protestuesve me ç`rast një grup demonstruesish më agresiv, tentuan të hynin me forcë edhe në godinën e parlamentit.Por heroi i ngjarjeve, dhe lideri i opozitës, boksieri me famë botërore Vitali Klitqko, karriera e të cilit bashkë me atë të të vëllait- Vlladimirit, lulëzon me sukses për shumë vite në Gjermani, ku që të dy u bënë kampion të shumëfishtë botëror në kategoritë e rënda të boksit profesionist, i mësuar me gjakftohtësinë dhe prakticitetin e diplomacisë perëndimore,parandaloi ndërhyrjen e dhunshme të protestuesve radikalë, në këtë institucion shtetëror.

Madje,për të shmangur gjakderdhjet e mëtejme në mes protestuesve dhe policisë,ai u pajtua me ngritjen e një komisioni ndërparlamentar për zgjidhjen e krizës së krijuar.

Sado që Vitali nuk është ndonjë politikan karriere dhe as ka përgatitje të veçanta shkollore e diplomatike,i shtyrë ndoshta edhe nga Kancelarja Gjermane, Angela Merkel dhe politikan tjerë euro-perëndimor me të cilët gjatë gjithë kohës sa zgjatën demonstratat në Ukrainë,vazhdimisht konsultohej,ai përfundimisht la kushtet jashtëzakonisht të mrekullueshme që ka krijuar me mundin,djersën e punën e tij shumëvjeçare në Gjermani,dhe shkoi për të udhëhequr e mbajtur nën kontroll demonstratat përvëluese të Ukrainës,duke vepruar me shumë maturi dhe mbi parimet e një demokracie të njëmendët, të cilat pa heroin e tyre, vështir se do të zhvilloheshin kështu.

Ndaj,Kliqko edhe po nuk erdhi asnjëherë në krye të udhëheqjes ukrainase, vet angazhimi dhe i gjithë mundi që dha për ndryshimet pa gjakderdhje dhe masakra edhe më të mëdha me ndërhyrje forcash shtesë policore e ndoshta edhe atyre të ushtrisë, ai do të hyjë në historinë e popullit të vet, si pishtar ndryshimesh dhe udhërrëfyes human e njerëzor i demokracisë në vendin e tij.

Si për vëzhguesit e brendshëm dhe ata të jashtëm, përshtypje jashtëzakonisht të madhe bëri vet pjesëmarrja në protesta, e një njeriu me pasuri dhe famë botërore si Vitali Kliqko në të ftohtin dhe acarin e netëve të errëta të dimrit të këtij viti, i cili në Ukrainë është më i ashpër se në shumë vende tjera evropiane.

Të vihesh në ballë të protestave ukrainase pas një kohe të gjatë që nuk ke jetuar as ushtruar ndonjë profesion atje,me siguri kjo dëshmon se ai është një hero i vërtetë, i cili jo vetëm se është boksier i fortë e i pamposhtur në ring, por edhe atdhetar  trim, i vendosur e i pathyeshëm edhe në protesta.

Ukraina me siguri ka shumë figura të njohura politike dhe intelektuale,megjithatë ishte Vitali ai që në çastet vendimtare të vendit, pranoi sfidën, mori përsipër sakrificën dhe me angazhimin e tij, qoi misionin deri në fund, pa pyetur për pasojat dhe rreziqet të cilat mund ta kërcënonin apo merrnin edhe jetën si shumë demonstruesve tjerë në protesta.Ndaj, përderisa ky popull ka njerëz të tillë, me gjithë infiltrimin e parave të shumta dhe ndikimet e mëdha ruse mbi Ukrainën,nuk çuditet askush në botë sesi ukrainasit vetëm brenda 20 vitesh ,realizuan tri revolucione të njëpasnjëshme, për rrëzimin pa pardon, të tri qeverive të korruptuara në vend.

Dhe për fund,bashkëkombës të nderuar, paramendoni vetëm një herë- një krahasim sado të vogël,duke marrë shembull udhëheqësit partiak e shtetëror shqiptar,se si ata mbrojnë të drejtat e qytetarëve të cilët derisa janë në opozitë i lënë të demonstroj vetën,kurse menjëherë pas ardhjes në pushtet, bashkëqeverisin pa fije turpi mu me ata kundër të cilëve dje ftonin qytetarët të vdisnin në protesta, duke keqpërdor, vjedhë e rjepur këtë popull të shkretë të gjithë bashkë. Gjendje për keqardhje të pafund-Mjerim!

         Cyrih, 22 Shkurt 2014

 

Filed Under: Analiza Tagged With: Gani Qarri, i trete, Revolucioni

KUVENDI I TETE ZGJEDHOR I LDK-SE NE SUEDI

February 23, 2014 by dgreca

Njoftim nga punumet e Kuvendit të VIII zgjedhor të Degës së LDK në Suedi/

Nga Qibrije HOXHA/

Sot me 22 shkurt 2014, në Landskrona të Suedisë,  Dega e LDK në Suedi mbajti kuvendin e VIII zgjedhor.Kryesia e punës e përbërë nga Qibrije Hoxha, Jusuf Bajraktari dhe Osman Ahmetgjekaj hapi punimet e kuvendit.Në fillim të punës së kuvendit u aprovua rendi i ditës i propozuar nga komisioni konsultativ i përbërë nga anëtarët e e kryesisë së Degës së LDK në Suedi.Menjëherë në vijim komisioni verifikues konstatoi legjitimitetin e Kuvendit të VIII zgjedhor të Degës së LDK në Suedi.U zgjodh Saranda Iseni për mbajtjen e procesverbalit si dhe dy verifikues.

Në fillim të punimeve të Kuvendit, ish kryetari i Degës së LDD në Suedi, Hysen Ibrahimi edhe formalisht njoftoi delegatët e pranishëm për aderimin e Degës së LDD në Degën e LDK në Suedi, ku  për dy dekada më parë e kishin filluar aktivitetin si veprimtarë të LDK.

Ky veprim u aprovua pa kundërshtime dhe me duartrokitje nga të gjithë të pranishmit.

Menjëherë u aprovua rregullorja e punës së Kuvendit Zgjedhor.

Në një frymë demokratike dhe konstruktive,  kuvendi  zgjodhi  kryesinë e re me kryetar Zymer Qupevën – veprimtar i shquar shumëvjecar i Degës së LDK në Suedi.

Nënkryetar u zgjodhën Qibrije Hoxha dhe Osman Ahmetgjekaj ndërsa sekretar Jusuf Bajraktari.

Arkëtar u zgjodh Avdi Rama.

Kuvendi zgjodhi edhe një përfaqësues per rini, Fitim Sejdiun. Ndërkaq Saranda Iseni u zgjodh përgjegjëse e komisionit për informim dhe Jusuf Bajraktari anëtar i këtij komisioni.

Rrahman Rrahmani u zgjodh kryetar i komisionit revizionues kurse anëtarë Naser Leci dhe Arif Ismajli.

Poashtu anëtarë të komisionit statutar u zgjodhën Saranda Iseni , Idriz Gashi dhe Rushit Imeri.

Kuvendi morri vendim që Qibrije Hoxha dhe Hysen Ibrahimin të jenë delegat për Kuvendin përgjithshëm të LDK.
Në mes tjerëve Remzi Basha dhe Shefqet Tafilaj poashtu u zgjodhën anetarë të Kryesisë së Degës së LDK në Suedi.  Duhet të përshëndetet edhe aderimi dhe zgjedhja i disa të rinjve në kryesinë e Degës së LDK në Suedi.

Në këtë kuvend zgjedhor morrën pjesë delegatë nga nëntë nëndegë të LDK në Suedi: Landskrona,  Lund, Kristianstad,  Malmö, Båstad, Höor, Halmstad,  Hässleholm dhe Stockholm.
Delegatët e Kuvendit përshëndetën Kryesinë e LDK dhe njëkohësisht shprehën gadishmëri për bashkëpunim me Kryesinë e LDK ne Prishtinë. Kuvendarët u zotuan se i mbesin besnik veprimtarisë institucionale gjë që gjithmonë ka qenë karakteristikë e degës së LDK në Suedi, duke punuar gjithmonë në vijën institucionale dhe demokratike të cilën e projektoi dhe e la amanet, Presidenti Historik, dr.Ibrahim Rugova.

Delegatët i shprehën mbështetje të plotë kandidimit të Kryetarit të LDK z. Isa Mustafa për Kryeministër të ardhshëm të Republikës së Kosovës, që është edhe vendim i Këshillit të Përgjithshëm të LDK.

Në një atmosferë konstruktive dhe demokratike të bazuar në Statutin e LDK, Kuvendi përfundoi punimet.

Fjalën përmbyllëse e mbajti kryetari i posagjedhur i Degës së LDK për Suedi, z. Zymer Qupeva.

_________________________________________________________________________________

Anëtarët e Kryesisë së Degës së LDK në Suedi:

Zymer Qupeve -Kryetar

Qibrije Hoxha -nënkryetare e parë Delegat

Osman Ahmetgjekaj- nëkryetar i dytë

Isuf Bajraktari-Sekretar-komisioni informativ

Avdi Rama-Arkëtar

Fitim Sejdaj -përgjegjës për rini

Hysen Ibrahimi-delegat

Remzi Basha – anëtarë

Rizah Zejnullahu-

Shefqet Tafili

Emin Rrustemi

Saranda Iseni-komisioni informativ

Idriz Gashi

Rashit Gashi

Adem Ahmeti

Bislim Zogu

Naser Leci

Filed Under: Politike Tagged With: Ldk ne Suedi

MBI EKZISTENCDEN E SHPIRTIT

February 23, 2014 by dgreca

Esse nga Bep Kuqani/

 Pa shtue asnji argument tjeter, por vetem tue u bazue mbi tri eset-ë e maparëshme “Kredoja e ime Filozofike “, “Kredoa e ime Religjoze” dhe “Bota Sensuale”, mund të vertetohet  me disa prova të thjeshta “ekzistenca e shpirtit” ose Pavdeksia e tij”.

Dihet se nji pjesë e konsiderueshme e njerëzimit nuk beson ne ekzistenecen e “Shpirtit”, ose në “Pavdeksinë e tij” dhe në vazhdimësinë e pafund të “jetës shpirtnore” në nji formë krejtësisht të ndryshme nga pikëpamja “cilësore” me ate të jetës Tokësore.

Kjo sepse njerëzit e zakonëshem besojnë ma shumë n’atë cka shohin, cka ndigjojnëtij”, cka prekin, cka nuhasin dhe cka shijojnë. Dmth besojnë vetëm n’atë pjesë të realitetit të kësaj bote që perceptohet nga shqiset tona. Besojnë gjithashtu edhe në realitetin e botës shkencore, megjithëse edhe këto nuk janë të verteta perfundimtare

Në këte mosbesim perfshihen jo vetëm individë të vecantë nga të gjitha vendet e kësaj Toke, nga të gjitha shtresat shqnore dhe nga të gjitha nivelet intelektuale dhe kulturale, por edhe “Besime Fetare”, tue fillue qysh nga feja ma e vjeter simbas “Biblës” : Judeizmi, e deri te feja ma e re : Jehovajt ; pa permendë fenë e fundit të Realianëve, që s’dihet në se besojnë ose jo në “Pavdeksinë e Shpirtit” që unë besoj se ata duhet t’a kenë zgjidhë me kohë këte problem, në favor të ekzistencës së “përjetësisë së shpirtit”.

Nji ndikim të madh në krijimin e frymës  së këtij mosbesimi kanë ushtrue edhe Kristianizmi dhe Islamizmi me shpikjen në jeten e pertejme te “ferrit” dhe “parrizit” (xhehnetit dhe xhehnemit) me mundimet dhe gëzimet e pa imagjinueshme, per nji kohë që s’merr fund kurrë, ku perfundojnë shpirtnat e njerëzve mbas ndrrimit të kësaj jete të shkurtë, varësisht nga veprat e këqija ose të mira të kryeme në këte jetë.

Në “Bibël” nuk permendet dhe nuk njihet fare ekzistenca e shpirtit dhe as e “ferrit” dhe e “parrizit” në boten tjeter. Per hebrejt, “ferri” e “parrizi” gjinden këtu, në këte jetë e mbi këte Tokë. Parrizi mbi këte Tokë ka kenë “Kopshti i Edenit” që Adami e Eva e humbën porsa hangren “mollen e ndalueme” e, bashkë me ‘ta edhe gjithë njerëzimi mbas-ardhës; ndersa me “ferrin’ kuptohej jeta e veshtirë dhe e mundimëshme jashtë këtij “Kopshti”.

Edhe “Deshmitarët e Jehovajt” mësojnë se ‘shpirti nuk asht i pa vdekshëm dhe i perjetëshem : KUR NJERIU VDES, NUK EKZISTON MA. Vdekja asht e kunderta e jetës -mësojnë ata-. Asnji pjesë e jona nuk ekziston mbas vdekjes. Ata mësojnë gjithashtu se “Jehovaj e dergoi Jezusin në Tokë që të vdiste per ne e të na faleshin mëkatet”. Këtu lindë pyetja : Pse duhej të vinte Jezusi në Tokë per ne e të na falesin mëkatet kur shpirti nuk asht i pa vdekëshem dhe kur me vdekjen e njeriut “ai nuk ekziston ma”, Pra “merr fund gjithshka”?

Asht fakt që edhe pse “Bibla” nuk e njeh fare ekzistencen e shpirtit, asht e gjithëpranueshme në tanësinë e vet edhe nga Kristianizmi dhe Islamizmi.
Dhe jo vetem Judeizmi (feja e hebrejve). por asnji nga besimet fetare të vjetra si Hinduizmi, Budizmi, Paganizmzi dhe cdo besim tjeter fetar që ka ekzistuje në lashtësinë e thellë të jetës mbi Tokë, nuk gjejmë asnji gjurmë të predikimeve të tyne mbi “Jetën e përtejme” dhe asnji gjurmë të besimit të tyne ne nji jetë tjetër përtej Varrit : Nuk ekzistojnë dy jetë, nji e këtejme dhe nji e përtejme, por ekziston NJI Jetë e Vetme, NJI GJTHËSI e Vetme dhe NJI ZOT i Vetëm pa Fillim e pa Mbarim.
Nji tjetër motiv që i largon njerëzit nga besimet fetare asht edhe fakti se në themel të doktrinave të tyne fetare qëndrojnë “të pa vertetat”,   trillimet dhe ngjarjet absurde, të pamdununa me ndodhë.
Dihet se burimet e para të dijes njerëzore mbi “Boten dhe Mendjen’ i kanë fillesat te “Feja” dhe te “Shkencat”.
Guri themeltar i dijeve fetare asht “Bibla” e Vjeter dhe e RE si dhe “Kurani”, dmth në pergjithësi “Shkrimet e Shejta” që pretendojnë  të jenë “të verteta absolute”, “të perjetëshme”, “të pagabueshme” dhe të “pa kundershtueshme”.
Ndersa guri themeltar i dijeve shkencore asht “Filozofia” : Fillesa e të gjitha shkencave të realizueme deri më sot dhe që na zbulon vazhdimisht gjana të reja mbi “Boten e Mendjen” të pa njohuna ma parë.
Pikrisht  këtu qëndron paradoksi i madh dhe absurditeti që edhe sot në shekullin e XXI-të, njerëzit

vazhdojnë me besue në dy burimet kontradiktore të dijes, asaj fetarë që ka si premisë “Zoti krijoi gjithshka prej asgjaje” dhe asaj shkencorte që ka si premisë “Asgja nuk krijohet, asgja nuk zhduket, cdo gja transformohet”.
Dhe kjo shpjegohet me faktin sepse besimi në dijet fetare ka kenë jashtëzakonisht i madh dhe ka dominue per nji periudhë të gjatë kohore prej disa shekujsh në shoqninë primitive të atëherëshme, si i vetmi burim ditunije i asaj kohe, kur filozofia ishte në hapat e para të saj dhe shkencat nuk kishin krijue ende bazat e veta te shndoshta; kështu që  ato  dije fetare nguliteshin mire në trunin e zbrazët të asaj shoqnije primitive, ku dijet shkencore mungonin pothuejse krejtësisht.. Per ta ba edhe ma të besueshme këte fe të re. ata trilluen edhe  historinë shumë tërheqëse të krijimit të botës dhe të jetës qysh prej njeriut të parë profetit Adam e deri te profeti ma i fundit i tyne Malakia, që vazhdon edhe sot të tërheqë dhe të besohet nga nji mase jo e vogel njerëzish sepse ishte kjo ndoshta shpikja e parë që trajtonte historine e krijimit të botës dhe të njeriut edhe pse jashtë cdo kriteri shkencor e real.
Feja p.sh. mësonte se Toka asht në qender të Gjithësisë; se ajo asht e sheshtë dhe e pa lëvizëshme; se dielli rrotullohet rreth tokës;e plot kësi absurditetesh rë tjera.
Por kur filozofia dhe shkencat filluen të thellohen dhe të pasunohen me njohuni të reja, atëherë filloi të duket kjartë edhe kontradikta e thellë në mes këtyne dy fushave të njohunisë. Zbulimet shkencore pergënjeshtronin komplet “shkrimet e shejta” mbi krijimin e botës dhe të Njeriut. Këto kontradikta, me zhvillimin dhe perparimin e dijeve shkencore, u kthyen në konflikte të ashpra dhe të pergjakëshme, aq sa shumë shkencëtarë  i paguen me vuejtje, me tortura dhe edhe me jetë zbulimet e tyne shkencore, vetëm pse binin
ndesh me “shkrimet e shejta”
Te ese-ja “Kredoja ima Religjoze” janë trajtue ma hollësisht këto ceshtje, prandaj nuk po zgjatem ma mbi këte argument.
Le të kthehemi tash te  argumentat mbi ekzistencen e shpirtit :
Besoj se nuk ka njeri që të më kundershtojë se kjo “Botë” që na rrethon nga të gjitha anët asht edhe e “dukëshme”, edhe e “pa dukëshme”; edhe “konkrete”, edhe “abstrakte”; edhe “objektive”, edhe “subjektikve”; edhe “e fundme”, edhe e “pa fundme”; edhe “e perkoheshme”, edhe “e perjetëshme”.
Pjesa e kësaj bote që në perftyrimin tonë na paraqitet “e dukëshme”, “konkrete”, objektive”, e “fundme” dhe e “perkohëshme”; asht pikërisht bota e kësaj jete tokësore “Bota e Ndijshme”, të cilen e kam trajtue te ese-ja  “Bota Sensuale”.
Ndersa pjesa tjeter e botës që në vetëdijen tonë na pasqyrohet e “pa dukëshme”, “abstrakte”, “subjektive”, e “pa fundme” dhe e “perjetëshme” asht “Bota Shpirtnore” bota e pa peceptueshme, prej
shqiseve tona; ajo Botë “misterioze” ose “Bota Mendore”, energjinë e së cilës e ndjene apriori cdo individ në qenien e tij. Asht kjo energji që mbanë gjallë jeten, vazhdimësinë e saj të pa fund : Jeta pa shpirt nuk mund të ekzistojë. “Shpirtin” Leibnitzi e perkufizon si nji “monadë”, si nji thermi jashtëzakonisht të vogel konsubstanciale me shpirtin e Gjithësisë, që asht vetë ZOTI.  Afersisht po kështu e perkufizon edhe Hegel-i: “Si nji moment i procesit të krijimit të Universales dhe shuma e këtyne momenteve perban ABSOLUTEN (Zotin) ”
Shpirti e mendja janë nji gja e vetme. Shpirti e ka seline e vet në trunin e njeriut, ndersa ndnjenjat ose sentimentet në zemren e tij.
Këto perkufizime të   dhana nga dy dijetarë të medhaj, nuk mund të mos konsiderohen si dy prova per ekzistgencen e shpirtit. Por këto nuk janë të vetmet prova. Per ekzistencen e shpirtit ka edhe shumë prova të tjera, nder të cilat unë do të vecoj tri ma kryesoret e ma bindëset :
1) RELIGJONIN; 2) ARTET dhe 3) SHKENCAT.

RELIGJONI :
Religjoni nuk asht nji objekt i “botës tokësore” të perceptueshme nga shqiset sic janë dielli, hana, hyjet, oqeanet, flora, fauna, etj. por asht nji subjekt i bashkëlindun me prejardhje nga “bota shpirtnore” në të gjitha qeniet e arsyeshme , kudo ku mujnd të ekzistojnë. Ai asht NJI I VETËM në të gjithë Universin. Edhe shkalla e ndjeshmënisë dhe e vetëdijes së pranisë të këtij Religjoni asht e njejtë në të gjitha qeniet e arsyeshme, pavarsisht nga niveli i tyne intelektual e kultural.
Te njerëzit e lashtë, në fillimet e jetës njerëzore mbi këte Tokë, niveli intelektual e kultural i dijeve fetare dhe shkencore ishte “zero” sepse nuk ekzistojshin as njena dhe as tjetra. Por Religjoni ekzistonte.
Besimi në “perjetësinë e shpirtit” ishte i pa tundun. Ata  ndjenin instiktivisht nji siguri absolute se njerëzit kur vdisnin nuk zhdukeshin, por pësonin nji transformim të kësaj jete në nji tjeter të ndryshme, ma të zhvilluerme dhe ma të naltë intelektualisht dhe se ky cikël transformimesh, zhvillimesh dhe ngritjesh perherë e ma nalt në sferen e ditunisë vazhdon pafundësisht.
Kjo intuitë, ky ndricim i mendjes dhe këte besim të plotë nuk kishte kush t’ua mësonte sepse n”ato kohna tejet primitive nuk ekzistojshin as “shkrimet e shejta” dhe as “vepra shkencore”, por ishte thjeshtë “Besimi ose Religjoni i lindun bashkë me ‘ta.

Pra Religjoni e ka origjinen nga nji botë tjeter krejtësisht të pastërt, predispozitat morale të së cilës janë të perjetëshmë dhe të pa ndryshueshme. Këto predispozita perbajnë esencen e Religjonit dhe janë të gdhenuna në ndergjergjen e cdo individi që vjen në këte botë. Respektimi sa ma i mirë i tyne garantojnë paqen, lumtuninë dhe mirëqenien në këte jetë.

ARTI
E njejta gja mund të thuhet edhe per Artin dhe per origjinen e tij. Le të marrim artin e “Muzkës.”
Në “boten objektive” të perceptueshme nga shqiset tona nuk ekzistojnë ‘tone”, “akorde” as “melodi”. Në këte botë kemi vetëm “zhurma”, nga njiherë të forta, të fuqishme, të frikshme e jo rrall katastrrofike. Të tilla janë zhujrmat e vullkaneve, të termeteve, të rrebesheve të shinave të rrëmbyeshem, të vetimave e bumbullinave, të ernave të shpejta dhe të fuqishme. që janë absolutisht të pa krahasueshme me tingujt melodiozë të muzikës.
Muzika, harmonia e tingujve, janë të hueja per boten shqisore. Burimi i të gjithë krijimtarisë në këte art  si dhe krijimi i dhjetra instrumentave të ndryshëm muzikorë, tingujt e mahnitëshem të të cilave nuk gjinden askund mbi këte rruzull, por na vijnë nga nji botë tjeter; nga bota shpirtnore. Ndryshe si spjegohet fakti i ekzistencës së dhjetra dhe qindra kompozitorëve dhe instrumentistave virtuozë në moshat adoleshente, pa asnji pervojë nga jeta e kësaj bote shqisore? Po fakti që BET’HOVENI kryeveprat ma të mëdha muzikore i krijoi mbasi u shurdhue komplet dhe s’kishte asnji kontakt me zhurmat e kësaj Toke ? Janë të pashterrëshme krijimet melodioze aq të mrekullueshmë, me nji bukuri të pa pershkrueshme të këtij Arti Suprem të supergjenive Bah, Bet’hoven, Vagner, Moxart e plot të tjerë; krijime të cilat do të vazhdojne persëri pafund,sa të jetë jeta në të gjitha gjinitë e këtij arti, sepse e bukur dhe e pafund asht edhe vetë bota shpirtnore.

Piktura dhe Skulptura nuk janë kopjime të thjeshta të Natyrës, por janë imazhe të nji bukurije ideale të saj, plot jettë e gjallni, plot dritë e hijeshi. Në boten e dukëshme na gjejmë vetëm shtatë ngjyrat e ylberiit ndersa në veprat e gjenive të mëdhej të pikturës e skulpturës:  të Mikelangelos e Da Vincit, të Raffaelos e Rembrandit,të Van Goghut e Picassos, të Rubensit e Samsonit e të sa e sa gjenive të tjerë të këtij Arti, na gjejmë nji pafundsi ngjyrash të krijueme nga nuancat e ngjyrave të ylberit. Asnji nga veprat e tyne, kjofshin piktura apo skulptura, nuk mund të identifikohen me asnji objekt të botës reale në sensin e bukurisë, të cilat janë të pa krahasueshme dhe inekzistente në boten reale: Ato janë imazhe fantastike të nji bukurije të persosun me origjinë nga bota shpirtnore.
Letersia asht nji tjeter Art i mrekullueshem që na pasunon boten shpirtnore me njohje në fushen e psikologjisë njerëzore. Janë të pavdekëshme dhe të pa arrijtëshme veprat artistike të Homerit, Shekspirit, Dantes, Gëtes, Servantesit e të sa e sa të tjerëve në të gjitha gjinitë e këtij Arti si në Poezi e në Prozë; në Epikë e Lirikë; në Tragjedi e Komedi.

SHKENCAT

Janë fushat e ditunisë që studjojnë e na mndësojnë njohjen e ligjeve të Natyrës. Arsyeja, Logjika dhe Kujtesa (Memoria) janë fakultete thellsisht shpirtnore. Shpirti asht ajo thermi e vogel konsubstanciale me Mendjen Universale që Leibnitzi e quente “Monadë”, ndersa Hegel-i e quente ” nji Moment i procesit të krijimit të Universales”, shuma totale e të cilave perban Mendjen Universale që ata e identifikojnë me Zotin.  Me zhvillimin e shkencave, me njohjen e saktë të  disa ligjeve të Natyrfës, Njeriu mrrijti të eci jo vetëm mbi Tokë por edhe nën Tokë; jo vetëm mbi det, por edhe nën det; jo vetëm të fluturojë në hapsinat për rreth Tokës por edhe të shkëputet fare nga gravitacioni i saj dhe të fluturojë në hapsinat e pa matëshme të Kozmosit  Asht merita e Gjenive të mëdhej të shkencave si Pitagora e Arkimedi,  Galileu e Koperniku, Dekarti e Paskali. Njujtoni e Ainshtaini, Leibniytzi e Maksëelli dhe i dhjetra shkencëtarve të shquar Astronome e Fizikantë, Matematicienë e Arkitektë, Filozofë e Antropologë, Arkeologë e Kimistë që me zbulimet e tyne bane të mundun arritjen e këtyne mrekullitë të verteta.
Të gjitha këto janë frute të prodhimtarisë shpirtnore që provojnë ekzistencen e shpirtit, i cili edhe pse asht vetëm nji thermi infinitezmale e SHPIRTIT ose e MENDJES UNIVESALE permbanë potenciale të
pakufishme në zhvillimet dhe aftësitë njohëse per ditë e ma teper të Botës dhe të Mendjes.
Keto tri Prova që heret a vonë do ti kuptojmë  dhe do ti përjetojmë realisht, mund ti quejmë edhe kështru :
Religjoni asht E MIRA;
Arti asht E BUKURA dhe
Shkenca asht E VERTETA
Pra Natyra na ka dhurue tri mundësitë absolute ma të mira per ta gëzue dhe per ta shjiue jeten trupore dhe shirtnore; në këte botë dhe në këte jetë.
Asht gabimi shekullor mija vjecar i njerëzimit me origjinë fetare që na privoi nga këto tri dhurata ma të cmueshme të Natyrës tue krijue diktaturen, dhunen, ligjet anti njerëzore, luften, burgjet, ndeshkimet me vdekje,
torturat, rrenat, mashtrimet e plot mundime të tmerëshme, per ti imponue njerëzve besimet e tyne fetare, të ushtrueme me egersi kjoftë nga Hebraizmi, Kristianizmi dhe Islamizmi.
Para ekzistencës së këtyne besimeve, jeta e njerëzimit ka kenë ma paqësore, ma shpirtnore ma e arsyeshme, ma dinjitoze e ma e lumtun . Sa ma shumë të ecim në thellësi të shekujve, aq ma e bukur ka kenë jeta; aq ma afer këtyne dhuratave të Natyrës.
Evolucioni i jetës njerëzore, potencialet e pakufishme të  botës shpirtnore dhe predisponibiliteti per tu zhvillue per ditë e ma teper në këto tri fusha, perbajnë bazen e krijimit në nji t’ardhme jo të largët të parajsës se vertetë tokësore, tue i ndrrue krejtësisht drejtimin  rrugës së gabueme të ndjekun prej mija e mija vjetësh, që  e shndrruen  në nji “ferrë” të pamerituem shejtninë e kësaj jete.

Filed Under: Kulture Tagged With: Bep Kuqani, Mbi ekzistencen e shpirtit

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 16
  • 17
  • 18
  • 19
  • 20
  • …
  • 84
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Bahamas njeh Kosovën!
  • Legjenda e portës shkodrane, Paulin Ndoja (19 dhjetor 1945 – 16 prill 2025) do të mbushte sot 80 vjeç
  • “Roli dhe kontributi i diplomacisë shqiptare në Maqedoninë e Veriut nga pavarësia deri sot”
  • Marie Shllaku, kur një jetë e re u shndërrua në përjetësi kombëtare
  • Në sinoret e Epirit…
  • Mbrëmë hyri në fuqi Ligji i SHBA për autorizimin e mbrojtjes kombëtare
  • Skënderbeu “grek”, ose si të bëhesh grek pa e ditur
  • A historic moment of pride for the New Jersey Albanian-American community
  • U zhvillua veprimtaria përkujtimore shkencore për studiuesin shqiptaro-amerikan Peter Prifti
  • Dashuria që e kemi dhe s’e kemi
  • “Jo ndërhyrje në punët e brendshme”, dorëheqja e Ismail Qemalit, gjest atdhetarie dhe fletë lavdie
  • Arti dhe kultura në Dardani
  • Gjon Gazulli 1400-1465, letërsia e hershme shqipe, gurthemeli mbi të cilin u ndërtua vetëdija gjuhesore dhe kulturore e shqiptarëve
  • “Albanian BookFest”, festivali i librit shqiptar në diasporë si dëshmi e kapitalit kulturor, shpirtëror dhe intelektual
  • VEPRIMTARI PËRKUJTIMORE SHKENCORE “PETER PRIFTI NË 100 – VJETORIN E LINDJES”

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT