• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for February 2014

MINISTRI MAKOLLI, ME MERGATËN NË POLONI

February 19, 2014 by dgreca

Në Varshavë të Polonisë, me rastin e 6-vjetorit të Pavarësisë së Kosovës, u mbajt një akademi solemne, e cila u organizua nga Shoqata Poloni -Kosovë. Në këtë ceremoni morën pjesë ministri i Diasporës, z. Ibrahim Makolli, anëtarë të shoqatës Poloni – Kosovë, si dhe mërgimtarë që jetojnë dhe punojnë në Poloni.

Kryetari i shoqatës, z. Haxhi Dulla, e falënderoi ministrin Makolli për pjesëmarrje në shënimin e 6-vjetorit të pavarësisë së Kosovës. Kryetari i shoqatës tha se bashkërisht të punojnë për ndërtimin e urave të miqësisë mes Polonisë dhe Kosovës.

Në fjalën e tij, ministri Makolli i përmendi të arriturat e Kosovës, bashkëpunimin e institucioneve të Kosovës me mërgatën, si dhe zgjerimin e këtij bashkëpunimi në të ardhmen me mërgatën në Poloni.

Ministrit Makolli e vizitoj mërgatën shqiptare në Poloni me qëllim të përgatitjeve për hapjen e shkollës shqipe për nxënësit shqiptarë.

Shoqata Poloni-Kosovë tubon rreth vetes studentë shqiptarë, familje shqiptare me prejardhje nga Kosova, Shqipëria, Maqedonia Mali i Zi dhe Lugina e Preshevës.

Filed Under: Komunitet Tagged With: Makolli, ne Poloni, takim me Mergaten

Nuk vendoset qerrja para kalit

February 19, 2014 by dgreca

Në përgjigje të replikë së zotit Alban Daci/

Nga Eshref Ymeri/

Pas botimit në internet më 16 shkurt 2014 të shkrimit tim me titull:”Të gjitha këngët i thamë,Por më të mirën e lamë,”

në të cilën bëhej fjalë për intervistën e zotit Alban Daci për formimin e Forumit Demokristian Shqiptar, të botuar në internet më 15 shkurt 2014, vjen reagimi i tij me titull:“Replikë në lidhje me shkrimin e Eshref Ymeri me titull “Ribashkimi i trojeve shqiptare! 17-02-2014- (Nëntë pyetje dhe nëntë përgjigje)”  Në replikën me mua, zoti Alban Daci deklaron për veten e vet:

“…unë jam pjesë e Lëvizjes Federaliste Europiane, e cila kërkonte e kërkon të krijoi një federatë europiane që do të kishte për qëllim të krijonte Shtetet e Bashkuara të Europës. Ajo që kam shkruar unë se edhe nëse nuk do të ekzistonte Bashkimi Europian, do të kishim krijuar një të ngjashëm. Kjo është një ndër filozofitë e Lëvizjes Federliste Europiane dhe nuk e kam shpikur unë”.

Me këtë deklaratë, zoti Alban Daci e ka sqaruar bukur mirë se cili qenka qëllimi i krijimit të Frontit Demokristian Shqiptar. Ndërkohë unë mendoj se Fronti Demokristian Shqiptar, në programin e vet, duhej të kishte si detyrë parësore organizimin e mbarë Diasporës Shqiptare që ajo të bëhet pjesë e pandarë e problemeve të brendshme që ka kombi shqiptar brenda trojeve etnike. Dhe si detyrë parësore, për mendimin tim, duhej të ishte pjesëmarrja e drejtpërdrejtë e Diasporës në proceset zgjedhore që zhvillohen në mbarë trojet tona etnike. Në këtë mënyrë, Diaspora e organizuar do të ndiqte shembullin e Zvicrës, në zgjedhjet parlamentare të së cilës marrin pjesë edhe rreth 700 mijë votues të Diaporës Zvicerane pëmes votimit elektronik. Kësisoj, Diaspora Shqiptare do të ushtronte ndikimin e vet të drejtpërdrejtë edhe në jetën politike në mbarë trojet tona etnike.

Së dyti, unë përsëri këmbëngul se pa bashkimin e trojeve etnike shqiptare në një shtet të përbashkët, çdo pjesëmarrje në lëvizjen federaliste evropiane është në dëm të interesave tona mbarëkombëtare. Sepse, me trojet shqiptare të ndarë pikë e pesë, Evropa Federaliste do të sillet si agai me shërbëtorin.

Nga faqet e shtypit është bërë i njohur ky informacion:

“Hungaria është kundërpërgjigjur ndaj penalizimeve të bëra nga Bashkimi Europian. Kryeministri i këtij vendi Viktor Orban akuzoi BE-në se po përpiqet të kolonizojë vendin. Gjatë një takimi me mbështetës të tij Orban deklaroi në Budapest se vendi nuk kishte ndër mend të jetonte në bazë të urdhrave dhe dëshirave që ka Brukseli” (Citohet sipas: “Orbani i përgjigjet BE: Hungaria nuk është koloni”. Gazeta “Start”. 16 mars 2012).

Kur Brukseli e trajton si koloni një shtet me autoritet, si Hungaria, merret me mend se si do të sillet ai me Shqipërinë Londineze dhe me Kosovën në Evropën Federaliste.

Prandaj, të merresh me lëvizje federaliste evropiane pa zgjidhur çështjen kombëtare – shkrirjen e trojeve tona etnike në një shtet të bashkuar – do të thotë të veprosh si puna e atij që gjë në shtëpi nuk ka dhe kërkon të japë sadaka, ose të vendosësh qerren para kalit.

Në artikullin tim unë nuk përdorja asnjë fjalë fyese në adresë të zotit Alban Daci, për të cilin shprehja respekt për formimin e tij si intelektual. Kurse ai, në replikën e vet, ka përdorur një sërë fjalësh dhe shprehjesh fyese në adresën time. Unë po rezervohem këtë herë të përdor fjalë fyese në adresë të tij. Ai është i ri dhe në turrin e vërtikshëm që ka marrë drejt federalizmit evropian dhe krijimit të Shteteve të Bashkuara të Evropës, të kujton dhëndrin e ri, të cilit nuk i dilet përpara.

Ftoj lexuesit e nderuar të shprehen se kush ka të drejtë.

Santa Barbara, Kaliforni

18 shkurt 2014

 

Filed Under: Opinion Tagged With: Alban Daci, EshrefmYmeri, Replike

Lulzim Basha “qetëson” ambasadorët

February 18, 2014 by dgreca

Ja arsyet e protestës, do jetë paqësore/

2 dite para protestës së thirrur nga  Partia Demokratike, kryetari Lulzim Basha ka shtruar një drekë pune për  Ambasadorët e akredituar në Tiranë, për ti njohur gjerësisht me shqetësimet që bënë të thirrej kjo protestë, por dhe për ti garantuar ata për mbarëvajtjen e saj.Basha ka njohur Ambasadorët lidhur me shqetësimet e fundit politike dhe sociale në vend, duke filluar nga vendimet e qeverisë, të cilat në syrin e opozitës janë arbitrare dhe jashtë themeleve kushtetuese.

Këtu ai ka përmendur moszbatimin e vendimit të Gjykatës Kushtetuese për Aktin Normativ për Nëpunësin civil, por dhe mbi tentativën e qeverisë për ta ndryshuar në themele atë ligj, ndryshime që sipas Bashës synojnë që në administratë të mos ketë më nëpunës që mbrohet me status.Gjithashtu Ambasadorët janë njohur dhe me vendimin e opozitës për të mos u bërë pjesë e reformës administrative-territoriale, pa u garantuar më parë votimi me konsensus i kësaj reforme.Në drekën e punës me Ambasadorët, jashtë vëmendjes nuk është lënë edhe situata ekonomike në vend, por dhe situata e rendit.Partia Demokratike ka thirrur më 20 shkurt në orën 14:00 një marshim proteste, ku ka ftuar qytetarët të bëhen barrikadë kundër mashtrimeve, varfërisë dhe arbitraritetit.

Basha nga Shkodra: Marshimi ynë për t’i vënë kufij gënjeshtrës, paaftësisë, arbitraritetit

Nga qyteti i Shkodrës, kreu i opozitës, Lulzim Bashka bëri thirrje për pjesëmarrje të rinisë shkodrane dhe shqiptarëve në protestën e 20 shkurtit, kundër çiftit Rama-Meta. Kreu i demokratëve tha se shkodranët duhet të dalin në protestë kundër premtimeve të pambajtura të qeverisë Rama.Lulzim Basha premtoi një protestë paqësore, ashtu siç edhe demokratëve iu ka hije tha ai, ndërsa shtoi se protesta do të jetë një leksion për pushtetarët.Kryetari i opozitës u shpreh gjithashtu se nuk ka qeveri që i bën rezistencë bashkimit të popullit, e cila sipas tij vetëm sa kërkon zbatimin e ligjit.

Fjala e plotë

Dhe ja po takohemi sërish, me një entuziazëm  të madh, tipik për Partinë Demokratike këtu në Shkodër por të jashtëzakonshëm, takohemi në atmosferën e një  ringjalljeje dhe shpërthimi të fuqishëm të shpresës, si të mos kenë kaluar vetëm  katër  javë, por shumë me tepër që kur u takuam për herë të fundit. Ju mund ta dini dhe sigurisht e dini më mirë se unë  në tërësi  të vërtetën e këtij   ndryshimi kaq të shpejtë,  kaq prekës dhe kaq frymëzues. Më lejoni të them përshtypjen time, mendimin tim, pse jo bindjen time për këtë. Është rinia. Po vjen  rinia. Ka ardhur rinia. Ja, kjo rini e bukur, e çiltër, e  mësuar, e kultivuar, e vendosur, bashkëkohore, moderne, atdhetare, shqiptare, europiane që shohim në këtë sallë  dhe përtej mureve  të kësaj salle anembanë Shkodrës, anembanë Shqipërisë.

Brezi i ri po vërshon në dyert e hapura të shtëpisë së madhe të lirisë të Partinë Demokratike. Ky  është  lajmi më  i mirë jo vetëm për demokracinë  anembanë vendit, por për demokracinë dhe për shpresën  shqiptare në këtë kohë  të zymtë kur  vendi bombardohet çdo ditë me lajme që flasin  vetëm për përkeqësim të gjendjes ekonomike dhe shoqërore, vetëm për rënie të treguesve të  punësimit, zhvillimit, konsumit, investimeve, vetëm për rritje  në krahun tjetër të treguesve të varfërisë,  krimit, trafiqeve, drogës, korrupsionit; vetëm për  rritje të rreziqeve që kërcënojnë gjithmonë e më shumë aspiratën mbarëpopullore të  integrimit të vendit në Europë dhe vetë demokracinë  në kolonat  e saj të  ligjit, të drejtave dhe lirive.

Prapa këtij realiteti  gjithnjë e më dramatik është  qeveria Rama-Meta e cila tallet sa bukur ua hodhi shqiptarëve me premtime kallpe. Është qeveria  që përzien çdo ditë  ngjyrat e bojërave të dala boje  për qeverisjen propagandistike. Qeveria që provokon dhe tenton me të gjithë format e paligjshmërisë dhe pandershmërisë të  pushtojë administratën publike, të kapë institucionet, të kapë shtetin, të  zhbëjë gjithçka  kemi arritur këto vite me Kushtetutë, ligj, demokraci dhe konsensus. Qeveria që kërkon të  kthejë prapa demokracinë, të vendosë  oligarkinë me para të pista dhe vota të blera mes tyre,  me  deputetë të peshkuar në format më të neveritshme të poshtërimit të votës së lirë dhe dinjitetit të qytetarëve.

Rinia e ka kuptuar, shqiptarët i madh e i vogël e kanë kuptuar dhe po e kuptojmë: Rilindja  doli  rrenë! Puna e Rilindjes ishte loja, dhe kjo lojë s’ka të bëjë fare me hallet dhe problemet e shqiptarëve, me dëshirat dhe projektet e shqiptarëve, me të ardhmen e shqiptarëve, me të ardhmen tuaj,  por vetëm me interesat e ngushta të  atyre që e nxorën në tregun e politikës  si Kalin e Trojës.

Prandaj po vërshon  rinia në partinë më të madhe të opozitës; prandaj po ngrihet e do ngrihet kudo fryma e protestës së fuqishme  qytetare; po ngrihen njerëzit e lirë, po ngrihen populli  shqiptar, që në të mirë  e në të keqe,  e ka bërë shkollën e demokracisë gjatë këtyre dy dekadave. Kanë njohur e shijuar frytet e demokracisë  gjatë këtyre viteve  dhe nuk pajtohen  në asnjë mënyrë  as me  shartime neoenveriste, as me kthim prapa të demokracisë shqiptarë për të cilën kemi sakrifikuar kaq shumë.

Shkodra, jo vetëm nuk do të mungojë  në  vërshimin e madh të rinisë shqiptare drejt Partisë Demokratike, në zgjimin  e madh të shpirtit të lirë  protestues të shqiptarëve, por, më lejoni ta them me bindje dhe zë të lartë:

Shkodra nuk mund të mos jetë e para! E ka detyrë ndaj të parëve, brezave dhe së ardhmes që të jetë e para.

E para për ringritjen, e para për shpresën, e para për të ardhmen,  e para, pse jo, edhe në marshin e protestës popullore të   përkujtimit  dhe protestës që kemi thirrur në Tiranë  këtë të enjte, në 23 vjetorin e rrëzimit të  monumentit të Enver Hoxhës si  personifikim dhe simbol  i diktaturës gjysmëshekullore.

20 shkurti i vitit 1991  është një  ngjarje e  shënuar në historinë e demokracisë dhe qytetarisë shqiptare. Në këtë ditë rinia, studentët  dhe njerëzit e lirë vërshuan në sheshin  “Skënderbej”  dhe duke sfiduar me trimëri të rrallë dhunën policore,  rrëzuan përmendoren hijerëndë  të atij që e kishte rrëzuar në mundime,  në mjerim dhe  izolim të papërshkrueshëm  popullin  e vetë gjatë sundimit të tij gjakatar.  Ishte përmbysja e madhe, ndarja  e madhe dhe drejtësia e madhe me diktatorin që vetëm populli i lirë mund ta bëjë dhe e bëri.

Nga Shkodra, përkulemi me  nderim dhe respekt  të thellë para atyre qytetarëve, para rinisë së Tiranës, para  të gjithë atyre burrave dhe grave që u mblodhën në sheshin “Skënderbej” atë ditë, para  qytetarëve trima e kurajozë që kanë shënuar emrat  e tyre në panteonin e historisë kombëtare si njerëzit që  rrëzuan monumentin e Stalinit të Shqipërisë.

“Lirinë e meritojnë vetëm ata që përballen çdo ditë për të”, thotë një sentencë  e njohur.

Koha që po jetojmë, me  qeverinë Rama-Meta në pushtet që ka tendencën e qartë  për t’u instaluar jo si një  qeveri normale e përgjegjshme, por si një oligarki antidemokratike,  na thërret të  ngrihemi, të  dalim në shesh, të tregojmë forcën e opozitës dhe të  Shqipërisë  së lirë për t’u dalë zot lirive të rrezikuara e ligjit të dhunuar,  për të mbajtur hapur me çdo kusht rrugën e Europës, për të  demaskuar me  fuqinë e bashkimit  mashtrimet dhe dështimet e qeverisë,  për të ndaluar me sa kemi në dorë rrokullisjen dhe  krizën e gjithanshme, para se kriza e gjithanshme para se ta këtë zënë  vendin dhe qytetarët nën gërmadhat e saj.

Kryeministri nuk është padroni i këtij vendi por një i punësuar i tij. Për ketë do të marshojmë të enjten. Ti tregojmë kufijtë arbitrares, gënjeshtrës dhe paaftësisë. Për ne është i qarte roli i pushtetarit, për vllazninë antishtet jo. Të gjithë në shesh, si europiane te vendosur, ti japim një leksion demokracie oligarkëve të rinj. Protesta do jete paqësore, do të jetë dinjitoze, ashtu siç i ka hije Shqipërisë, siç i ka hije demokratëve, siç i ka hije mijëvjeçarit te ri, Shqipërisë moderne europiane që ne përfaqësojmë e që do të përfaqësojmë gjithmonë.

Si gjithmonë, dua të jem shumë i hapur me ju, zonja dhe zotërinj shkodranë, vëllezër dhe motra demokratë dhe me të gjithë qytetarët shqiptarë. Me premtimet e tij kolosale për vota, të cilat  i braktisi   sapo hodhi lumin, Edi Rama ka vendosur një rekord që nuk e kemi parë në asnjë  demokraci në botë. Ai e bëri këtë duke shkuar me mendimin se ajo që demokracia e quan kontratë vote është një rreckë, se populli ka qejf të gënjehet, se populli harron, por edhe nëse nuk harron, nuk ka çfarë bën se nuk më kap dot në zyrat e mia!

Me marshimin tonë të protestës, ne u krijojmë  mundësinë  çdo qytetari, gjithë kategorive  të qytetarëve shqiptarë që e  gjejnë  vetën e tyre  në serinë e mashtrimeve të njohura elektorale të Edi Ramës të dalin dhe ti thonë  atij me zërin e  fuqishëm  të  bashkimit se nuk kemi harruar ne, por ke harruar ti mashtrues, nuk jemi  gënjyer ne por ke gënjyer ti gënjeshtar, na ke borxh, duhet të  mbash fjalët ose të kthesh votat që ke marrë, që nuk ti kemi dhënë për revansh, por për të  na bërë legalizimet  falas, shëndetësinë falas,  çmime  të ulura, vende  te reja pune,  e tjerë e tjerë premtime me të cilat mori votat.

Marshimi kundër mashtrimeve është  një mësim, një leksion që  politikanët duhet ta mësojë sot e përgjithmonë,  është  vendosja  e  një vije të re, e një raporti të ri midis popullit  dhe politikës  me qëllim që të marrë fund praktika e shëmtuar e  mashtrimeve elektorale për vota. Duke bërë këtë, populli, qytetarët po   hapin rrugën e tyre drejt së ardhmes. Ata që nuk e bëjnë  i japin qytetari gënjeshtrës , i japin shtetësi mashtrimit, dhe s’kanë pse të presin ditë të mira. Dua të  vazhdoj të jem i hapur me ju si kryetari i ri i opozitës,  si një politikan i brezit të ri që ka një ëndërr për ta parë Shqipërinë në Europë dhe për  të vendosur  në vend demokracinë e re, demokracinë pjesëmarrëse si një element i munguar i demokracisë së derisotme.

Opozita është një forcë e madhe,  por jo gjithnjë forca  në demokraci. Ne kundërshtuam me forcën e argumenteve Aktin Normativ për Nëpunësin Civil, përshembull. Nuk e fituam këtë  betejë në Kuvend, ku për fat të keq argumenti vazhdon të jetë bira e fundit e kavallit. E vazhduam betejën në Gjykatën Kushtetuese dhe e fituam.  Por  Rama-Meta, siç dihet botërisht, siç e dini edhe ju, atë që  nuk e  morën dot me një akt antikushtetues duan ta marrin me një ligj antikushtetues dhe antikonsensus duke rrezikuar seriozisht marrjen e statusit edhe në qershor. Opozita ka detyrimin tu  argumentoje shqiptarëve pasojat e gjithë kësaj arrogance dhe këtij  arbitrariteti  për jetën  dhe ëndrrën e tyre. Opozita ka detyrimin të zhvillojë brenda hapësirave parlamentare gjithë betejat politike në  mbrojtje të demokracisë.

Po më tej?  Si t’ja bëjmë?  Si t’i ndalojmë, kur këta as për parlament nuk pyesin, as për kushtetutë nuk pyesin, as për  konsensus nuk pyesin, as për standarde nuk pyesin, as për vendime të Gjykatës Kushtetuese nuk pyesin. Përgjigja është një dhe vetëm një:  sheshi, marshimi, protesta. Kur opozita dhe populli bashkohen në  një qëllim për ligjin dhe kushtetutën, për liritë dhe të drejtat nuk ka qeveri arbitrare që t’u rezistojë. Të marshojmë të enjten!

Me rininë e Shkodrës dhe mbarë Shqipërisë, me njerëzit e lirë të Shkodrës dhe mbarë Shqipërisë, me  Partinë Demokratike  dhe opozitën që do t’i prij  këtij zemërimi popullor, që nuk mund të kthehet prapa, sepse demokracia shqiptare  nuk mund ta ulë kokë, por do të lëshohet përpara shumë më e fortë, shumë më e sigurt. Demokracia është fati i popullit në duart e popullit. Këtë na kanë mësuar etërit e saj,  këtë na ka mësuar  historia, kështu  ka qenë  e kështu  do të jetë.

Të  gjithë në sheshin e  krenarisë  dhe dinjitetit për të shkruar një faqe të re në historinë e qytetërimit tonë, faqen e papajtueshmërisë me mashtrimet, faqen e papajtueshmërisë me dështimet, faqen e papajtueshmërisë më vllazninë antidemokratike, antishtet, faqen e marrjes  në mbrojtje si asnjëherë tjetër  të demokracisë, që  është pasuria e më e madhe e Shkodrës dhe gjithë Shqipërisë.

 

 

Filed Under: Featured Tagged With: ambasadoret, Basha, Protesta

18 të vrarë në përleshjet mes policisë dhe protestuesve ne Ukraine

February 18, 2014 by dgreca

Zjarri dhe granata tymuese përfshinë qendrën e kryeqytetit ukrainas sot herët ndërkohë që policia speciale filloi një operacion në njërin nga kampet kryesore të protestuesve të opozitës pas përleshjeve në të cilat u vranë të paktën 18 njerëz, duke përfshirë shtatë policë.Policia dhe përfaqësuesit e opozitës thanë se shumë njerëz u vranë nga të shtëna me armë zjarri dhe qindra të tjerë janë plagosur. Dhjetra protestues të plagosur janë në gjendje të rëndë.

Kreu i opozitës ukrainase Vitali Klitschko u bëri thirrje demonstruesve pro-perëndimor të pushtojnë Shehin e Pavarësisë në Kiev për të mbrojtur pozitat e tyre. Ai paralajmëroi gratë dhe fëmijët që të largohen nga zona.
Më vonë, zoti Klitschko ishte në plan të fillonte bisedime urgjente me presidentin Viktor Janukoviç në një përpjekje për të zgjidhur krizën vdekjeprurëse, më e përgjakshmja që kur Ukraina fitoi pavarësinë nga Bashkimi Sovjetik në vitin 1991.

Ashton: BE shumë e shqetësuar për përshkallëzimin e dhunës

BRUKSEL- Shefja e diplomacisë evropiane, Catherine Ashton, u shpreh sot shumë e shqetësuar nga shkallëzimi tronditës i dhunës në Kiev, ku, sipas policisë, pesë civilë janë vrarë .
“Jam shumë e shqetësuar për shkallëzimin e ri dhe alarmant të dhunës në Kiev”, deklaroi Ashton në një komunikatë. “Dënoj përdorimin e dhunës dhe u kërkoj me forcë autoriteteve ukrainase të luftojnë rrënjët e krizës”, shtoi ajo.

Shtëpia e Bardhë i kërkon me forcë Janukoviçit t’i japë fund dhunës

UASHINGTON- Shtëpia e Bardhë i kërkoi me forcë sot presidentit ukrainas Viktor Janukoviç t’i japë fund shkallëzimit të dhunës që po ndodh në Kiev, duke paralajmëruar se përdorimi i forcës nuk do ta zgjidhë krizën.

“Shprehim keqardhjen për aktet e dhunës në qendër të Kievit”, deklaroi Laura Lucas Magnuson, zëdhënëse e Këshillit të Sigurisë kombëtare (NSC), duke i bërë thirrje presidentit Janukoviç “t’i japë fund përleshjeve dhe të rifillojë dialogun me opozitën.

Policia në sulm frontal kundër manifestuesve në Kiev

KIEV- Policia filloi një sulm frontal kundër manifestuesve në sheshin qendror të Kievit, ”Maidan”, me tre autoblinda të pajisura me ujë me presion që po përparojnë në shesh dhe po i shtyjnë protestuesit.Manifestuesit po kundërpërgjigjen me bomba molotov. Disa tenda të vendosura në sheshin ”Maidan”, i pushtuar që prej afro tre muajve, u dogjën.Nga protestat e sotme kanë humbur jetën pesë protestues dhe dy police.

Pushkov: vendi në prag të luftës civile

Ukraina është në prag të luftës civile, u shpreh sot shefi i komisionit të Çështjeve të Jashtme të DUMA-s, Dhoma e Ulët e parlamentit rus, duke akuzuar perëndimorët si përgjegjës.“Mendoj se në Ukrainë po zhvillohet një skenar ‘portokalli’ i marrjes së pushtetit nëpërmjet kaosit dhe arbitraritetit”, deklaroi parlamentari Aleksei Pushkov, anëtar i partisë në pushtet, ”Rusia e Bashkuar” duke aluduar për Revolucionin Portokalli të vitit 2004 që kishte sjellë në pushtet properëndimorët.

“Mendoj se Perëndimi dhe politikanët perëndimorë janë kryesisht përgjegjës për këtë duke bërë presion të vazhdueshëm mbi autoritetet ukrainase për rivendosjen e rendit në vend dhe duke lejuar veprimtarinë e organizatave ultraradikale të cilat qëllojnë tani mbi policinë dhe po e çojnë situatën në luftë civile”, shtoi ai, i cituar nga agjencia Interfax.
Ky është reagimi i parë rus që prej njoftimit të vdekjes së pesë civilëve dhe dy policëve nga aktet e dhunës./

 

Filed Under: Rajon Tagged With: 18 te vrare, ne Ukraine

Kuba, 2 000 dokumente për Heminguejin…

February 18, 2014 by dgreca

…i vë në dispozicion të studiuesve amerikanë/

Telegrami që njoftonte marrjen e çmimit Nobel për Letërsinë nga romancieri amerikan Ernest Hemingueji bën pjesë në rreth 2 000 dokumentet që Kuba vuri në dispozicion të shkencëtarëve të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, njoftoi sot një revistë kulturore kubaneze.Më tepër se 2 000 dokumente të ruajtura në muzeun Finca Vigia të Havanës, rezidenca e Heminguejit në lartësitë jugore të kryeqytetit kubanez, janë tashmë në dispozicion të shkencëtarëve amerikanë pasi janë dixhitalizuar dhe transferuar në bibliotekën dhe muzeun John F. Kennedy, shpjegon revista “Cuba Comtemporanea” në faqen e saj të internetit cubacontemporanea.com.

“I gjithë ky material pasqyron jetën e përditshme të Heminguejit në Kubë dhe ofron një vizion shumë personal të jetës së tij”, i shpjegoi revistës Susan Wrynn, punonjëse në bibliotekën ”Kennedy”.

“Ndër të tjera, është telegrami i doktor Anders Osterling, i Akademisë suedeze, ku njoftohet Hemingueji se ka fituar çmimin Nobel në vitin 1954, dhe disa mesazhe urimi nga Carl Sandburg, Spencer Tracy, Veronica Cooper, bashkëshortja e Gary Cooper, apo edhe John Huston.

Ernest Hemingueji jetoi në Kubë nga viti 1939 deri në 1960-n ku ai u frymëzua veçanërisht për veprën “Plaku dhe deti”./

 

 

Filed Under: Featured Tagged With: 2 mije dokumente, Hemunguej, Kuba, studiueseve

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 30
  • 31
  • 32
  • 33
  • 34
  • …
  • 84
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Bahamas njeh Kosovën!
  • Legjenda e portës shkodrane, Paulin Ndoja (19 dhjetor 1945 – 16 prill 2025) do të mbushte sot 80 vjeç
  • “Roli dhe kontributi i diplomacisë shqiptare në Maqedoninë e Veriut nga pavarësia deri sot”
  • Marie Shllaku, kur një jetë e re u shndërrua në përjetësi kombëtare
  • Në sinoret e Epirit…
  • Mbrëmë hyri në fuqi Ligji i SHBA për autorizimin e mbrojtjes kombëtare
  • Skënderbeu “grek”, ose si të bëhesh grek pa e ditur
  • A historic moment of pride for the New Jersey Albanian-American community
  • U zhvillua veprimtaria përkujtimore shkencore për studiuesin shqiptaro-amerikan Peter Prifti
  • Dashuria që e kemi dhe s’e kemi
  • “Jo ndërhyrje në punët e brendshme”, dorëheqja e Ismail Qemalit, gjest atdhetarie dhe fletë lavdie
  • Arti dhe kultura në Dardani
  • Gjon Gazulli 1400-1465, letërsia e hershme shqipe, gurthemeli mbi të cilin u ndërtua vetëdija gjuhesore dhe kulturore e shqiptarëve
  • “Albanian BookFest”, festivali i librit shqiptar në diasporë si dëshmi e kapitalit kulturor, shpirtëror dhe intelektual
  • VEPRIMTARI PËRKUJTIMORE SHKENCORE “PETER PRIFTI NË 100 – VJETORIN E LINDJES”

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT