• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for February 2014

Kosova nuk është shtet islamik

February 13, 2014 by dgreca

Nga Fahri XHARRA/

”Me sot lirisht mund të thuhet se përfaqësues radikal të Islamit në Kosovë i kanë ofruar një argument Rusisë dhe Serbisë që këto dy shtete asnjëherë nuk e kanë pasur deri më tash. Sidomos përfshirja e shqiptarëve në luftën e Sirisë është përdorur gjatë fjalimit në Këshillin e Sigurimit të OKB-së nga përfaqësuesi rus si një rrezik që po vjen nga shqiptarët. Historikisht Rusia dhe Serbia janë munduar të paraqesin shqiptarët dhe të drejtën e tyre për shtet si rrezik për tërë Ballkanin, pasi sipas tyre “ata vetëm duan krijimin e shtetit Islamik”. (Lajme 10.12.14).Ky lajm më goditi shumë, jo pse nuk e prisja  por e kundërta se e dija që një ditë do të na thonë në gojë.Dhe na e thanë.
Vetëdija e ultë kombtare shqiptare në Kosovë është pasojë e një pas lufteje plot skandale shoqërore , turbulenca mediale dhe e një varfërijeje të pa kuptueshme dhe të papritur.Zakonisht për zhvillimin e e ndonjë sëmundjeje ,bakterjeve apo virusëve trupi i lodhur ,i cfilitur dhe i pa yshqyer iu ofron një mjedis shumë të lehtë për shumëzim. Po na  a jemi ata që po ia përgatisim vetës sonë terrenin për një sëmundje të rëndë deri vdekje prurëse? Pak e rëndë kjo pyetje , por tmerruese në suazat e luftës së madhe serbe kundër nesh në arenën ndërkombëtare.
Serbia është ajo e njejta gjithë kohën .Serbët janë të njejtë që kur erdhen kendej pari , me të njejtat apetite për zvoglimin tonë apo edhe mundësisht zhdukjen tonë të tërësishme si komb.Ata e dinë se ku të qëllojnë , i kanë caqet e tyre të shenjuara mirë , i kanë planet e tyre, i kanë stratëgjitë e tyre kundër nesh. Në çdo kohë janë të gatshëm dhe të përgatitur me ”argumentet” e tyre që të na sulmojnë. E ne heshtim , mashtrohemi dhe bijmë pre e propagandave armiqësore të përgatitura posaçërisht për ne.

A jemi shtet islamik ? Jo. A po manifestohemi si i tillë ? Po. Nuk futet muzdraku në thes.

I kam me mijëra pyetje të cilat lypin përgjegje nga të gjithë ne , por kryesorja është se si po arrinë Serbia të na mashtron me lojën e radikalizmit islamik.

Te kalojmë në planet e tyre , në ato plane që janë në publik, të cilat çdo shqiptar që di shkrim -lexim mund ti kupton dhe ta sheh vetën se a është lojtar në lojën e përgaditur antishqiptare.

Botës dhe neve  ,na janë të njohura planet e Garashaninit,Çubriloviqit dhe Ivo Andriqit.Ato janë dhe me ato shërbehet edhe sot politika serbe . Por e keqja që ne nuk i lexojmë dhe nuk bindemi që ujku është gjithnjë tek dera.Dhe , i besojmë buëqeshjës së tij.

Vaso Çubriloviöi ishte një historian , mësues dhe politikan. Në rini kishte marrur pjesë në vrasjen e Franc Ferdinandit në Sarajevë Në Jugosllavinë e vjetër ishte këshilltar politik i shtetit. Pas  Luftës së dytë botërore ishte edhe anëtarë i Akademisë së Shkencave të Serbisë- Çka thot ai në planin e tij për ne? :” Si  që dihet Masat Muslimane , në përgjithësi janë lehtë të ndikuara ( mashtruara ) nga feja dhe besimet e kota dhe janë shumë fanatikë.Kështu ne duhet që  shqiptarëve të iu marrim nën kontrollë njerzit e tyre të fesë me kërcnime apo me para që të kemi më të  lehtë për dirigjimin me ta ( me shqiptarë fxh)….Duhen të gjinden agjitatorët sa më shpejtë të jetë e mundur , dhe special ata të Turqisë , sepse atyre iu besohet më shumë”..Kur vjen puna tek feja, shqiptarët janë shumë të prekshëm, prandaj ata duhet të ngacmohen në këtë pikë Kjo mund të arrihet nëpërmjet keqtrajtimit të tyre . Klerikët e tyre duhen manipuluar , të ndalojmë poligamin e tyre dhe sidomos të mundësojmë mos shkollimin e vajzave te tyre..”.

“Në momentet e fundit të jetës , para se t’i pushoj edhe për pak qaste rrahja e zemrës, Hoxhë Saidi i Dibrës e kishte lënë këtë porosi: “Pa fituar Shqipëria lirinë, mos më vini gurë mbi varrin tim. Pasi të fitohet liria të m’i vini gurët duke i shkruar shqip. Mbi ta të vini një flamur.” Pra siç po shihet Saidi nuk e humbte shpresën se do të vijë dita kur edhe zogu edhe bilbili do të këndojnë lirisht shqip.” po juve cka t iu shkrujnë ne gurin e varrit , apo do që të varrosin në zallin e Afrikës ,pa shenjë e pa dokë?

Filed Under: Analiza Tagged With: Kosova nuk eshte, Shtet Islamik

Kremtohet Dita e Pavarësisë së Kosovës në Hungari

February 13, 2014 by dgreca

 Orë letrare festive në Budapest/

“…bashkë do të arrijmë që ajo që sot na duket e pamundur ta bëjmë të mundur…”. “Ju krijuesit e artistët jeni ambasadorët e vërtetë të Shqipërisë…”. “…Ne duhet të jetojmë për Shqipërinë…”. Nënshtetasi sllovak që e ndien vetën shqiptar dhe veproi deri në sakrificë për kauzën shqiptare./

Nga Hazir Mehmeti, Budapest/
Në kryeqytetin e bukur hungarez nën përkujdesjen e Ambasadës së Republikës së Kosovës dhe në bashkëpunim me Lidhjen e Shkrimtarëve dhe Krijuesve Shqiptarë “Aleksandër Moisiu” në Austri, u organizua orë letrare artistike në kuadër të shënimit të gjashtë vjetorit të pavarësisë së Kosovës. Mbrëmja festive e pasur me program të larmishëm kulturo-artistik ishte nën patronatin e z.Sami Ukellit, ambasador i Kosovës në Hungari. Manifestimin e nderoi me praninë e tij z.Ibrahim Makolli, ministër për diasporë. Të pranishëm ishin edhe znj. Mira Hoxha, ambasadore e Republikës së Shqipërisë në Hungari; Z.Iljaz Feta, këshilltar në Ambasadën e Maqedonisë në Hungari;  Dr.Etleva Lala, drejtoreshë në Katedrën e Albanologjisë në Budapest;  z. Kurt Gostentschnigg, shkrimtar dhe përkthyes;  z.Kamil Weiner, mysafir nga Sllovakia, një aktivist dhe shkrimtar i cili së fundi shkruan edhe në gjuhën shqipe;  Z. Driton Smakaj, veprimtar, krijues, ideator dhe koordinues në realizimin e orës letrare me krijues nga Austria.  Paraqitje e programit u bë me sukses nga znj. Jehona Muja-Sukaj.
Në fjalën e tij përshëndetëse ministri, z.Ibrahim Makolli, mes tjerash tha:” Ku flet arti, politika heshtë, kudo që jemi do angazhohemi, pavarësisht se herë-herë edhe do të lodhemi e mërzitemi, por asnjëherë dhe në asnjë moment të mos e humbim besimin, ne si komb kemi mundësi. Por ajo që nevojitet është t’i bëjmë bashkë të gjitha pjesët e trupit të shpërndarë gjithandej botës. Dhe, duke i bërë bashkë do të arrijmë që ajo që sot na duket e pamundur, ta bëjmë të mundur dhe të realizueshme, sepse në të kundërtën edhe ajo që sot na duket e mundur, nëse nuk bëhemi bashkë, nëse nuk i mobilizojmë kapacitetet tona sikur i kemi mobilizuar në një kohë, atëherë edhe e mundura do të bëhet e  pamundur. Gëzuar Dita e Pavarësisë! Shkrimtarëve suksese në artin e tyre! Edhe njëherë, sikur edhe herëve tjera kur jemi takuar, e shprehi gatishmërinë e Ministrisë së Diasporës për të qenë afër në secilin moment në plotësimin e shumë nevojave që ne kemi brenda dhe jashtë.” Znj.Mira Hoxha, ambasadore e Shqipërisë në Hungari në fjalën e saj mes tjerash tha: “Dyert e ambasadave janë të hapura si gjithnjë. Nuk është hera e parë që ne organizojmë mbrëmje artistike. I përgëzoj Lidhjen e Shkrimtarëve dhe Krijuesve dhe të gjithëve, urime pavarësia e Republikës së Kosovës.  Ju krijuesit e artistët jeni ambasadorët e vërtetë të Shqipërisë. Imazhi i juaj është imazhi më i mirë i Shqipërisë. Ju faleminderit dhe jetë të gjatë Kosovës”.Fjalën e rastit e mbajti nikoqiri i mbrëmjes z.Sami Ukelli, ambasador i Republikës së Kosovës në Hungari. “Krijuesit dhe të pranishmit tjerë i falënderoj shumë, të cilët kanë gjetur kohe të vijnë këtë mbrëmje. Po ashtu e falënderojmë ministrinë, z. Ibrahim Makolli. Ardhja e juaj nga Austria kur dihet se ju vini pas angazhimit tuaj ditor në vendet e punës atje, na nderon në veçanti. Ne po festojmë ndër të parët sonte duke e nisur kështu shënimin gjashtë vjetorit të pavarësisë së Kosovës. Jemi shtet i ri por me ministri të diasporës, kjo tregon për përkushtimin tonë përgjithësisht për mërgatën tonë kudo që gjendet. Shpresoj se edhe Republika e Shqipërisë do ketë një dikaster të ngjashëm për koordinim më të mirë rreth mërgatës edhe me ministrinë tonë të diasporës, kjo edhe po ndodhë.”
Në emër të LShKSh “Aleksandër Moisiu” përshëndeti kryetari i saj, poeti Besim Xhelili. “ Krijues të bashkuar arrijnë më shumë, nga ky cak i yni tani në shoqatën tonë kemi një numër të kënaqshëm krijuesish, mes tyre edhe nga Hungaria z.Driton Smakaj. Jemi të hapur edhe për shkrimtarë e krijues tjerë nga vendet tjera për rreth nesh. E filluam disa veta, kurse tani kemi 27 shkrimtarë e krijues tjerë arti të përfaqësuar me veprat e tyre. Në pikturë prizrenasi Gazmend Freitag, momentalisht me pikturat e tij në Verona të Italisë i cili nga atje ju përshëndetë. Krijuesit  rrjedhin nga të gjitha viset etnike shqiptare me artin e tyre kanë treguar vlera arti edhe para kombeve tjera.” Z.Anton Marku prezantoj botimin e antologjisë së shkrimtarëve dhe krijuesve shqiptarë në Austri, i botuar në dy gjuhë, shqip dhe gjermanisht. Nga krijimtaria e tyre lexuan poezi Anton Marku, Besim Xhelili, Kurt Gostentschnigg,  Mërgim Osmani. Z. Kamil Weiner, përkthyes, regjisor e publicist në fjalën e tij në një shqipe të rrjedhshme mes tjerash tha: “Jam themelues i shoqatës “Besa” në Sllovaki e cila nxori edhe revistën mujore në shqip “Besa”, ku shkruhej për problemet e Kosovës dhe të shqiptarëve në përgjithësi në trojet tona. Kisha bashkëpunëtor të gazetës kroat, slloven e nga kombe tjera ku trajtoheshin problemet e Kosovës dhe shqiptarëve. Isha gjatë gjithë kohës së luftës në Kosovë si prijës i gazetarëve sllovak dhe çek. Kam përkthye disa vepra të autorëve shqiptarë në sllovakisht dhe të atyre sllovak në shqip” z.Weiner lexoi dy poezi në gjuhën shqipe. Ai mes tjerash tha: “Ne duhet të jetojmë për Shqipërinë e jo të vdesim për Shqipërinë”. Poeti shkodran Ragip Dragusha e entuziazmoi publikun me poezitë e tij “Breshka” dhe “Zana e Malit” duke i interpretuar ato bukur dhe me plotë pasion, për çka publiku e shpërbleu me duartrokitje të gjata. Mbrëmjen e ndihmuan edhe afaristë shqiptarë të suksesshëm, mes tyre edhe z.Lutfi Kabashi i cili shtroi darkë pritje për mysafirët.

Filed Under: Reportazh Tagged With: dita e Pavaresise, Hungari, Kosoves, Ore letrare ne budapest

Pas festimit të Shën Vlentinit

February 13, 2014 by dgreca

Nga Pierre-Pandeli Simsia/

Ai hapi derën e apartamentit dhe hyri brenda me ngadalë, ashtu siç hynte çdo ditë. Edhe nëse ndjehej i lodhur kur kthehej në shtëpi, përpara nënës së tij mundohej të shtirej i qeshur dhe i gëzuar. Në dorë mbante një gonxhe trëndafili ngjyrë vishnje.

– Erdhe? – i tha e ëma dhe u çua në këmbë nga ndenjësja ku po rinte ulur. Sytë i shkuan menjëherë tek ajo gonxhe trëndafili. “Është Shën Valentini sot…” – mendoi dhe ndjeu një gëzim në shpirt.
Ai e përqafoi si gjithmonë, e puthi dhe hyri në guzhinë. E ëma i shkoi nga pas. – Ma jep mua – i tha, – ta vendos në një gotë me ujë, ti shko lahu.
Atij nuk i pëlqeu që e ëma të ndjente  gëzimin e asaj luleje dhuratë që ai nuk e dëshironte. Nuk e kishte adhuruar kurrë atë vajzë, shoqen e klasës, madje as shenjën më të vogël të simpatisë së tij ndaj saj nuk kishte treguar. Ishte ndjerë krejt i befasuar, kur ajo me gonxhe trëndafilin në duar ishte drejtuar tek ai duke i uruar festën e Shën Valentinit. Ai me mirësjellje e kishte falenderuar dhe për të mos e fyer e kishte pranuar lulen. Kërkesës së saj për një festim së bashku në mbrëmje, ai e kishte refuzuar.

– Sonte është dita juaj – i tha e ëma, kur po rinin ulur në tryezën e ngrënies. Po të lutem… të jesh i kujdesshëm dhe… mos u vono shumë në mbrëmje.
– Ai duke u përtypur, buzëqeshi dhe lëvizi kokën në shenjë pohuese, si për të aprovuar ato ç’farë tha ajo.
Ndryshe nga vitet e tjera, atë vit, Shën Valentinin kishte menduar ta festonte me një shoqëri të re.
Një shok latino-amerikan i kishte propozuar që atë mbrëmje të shkonin së bashku në klub me një grup vajzash edhe ato latino-amerikane. I kishte pëlqyer propozimi i shokut, aq më tepër që për të ishte hera e parë që do festonte me vajza të huaja…
Mendoi të pushojë në shtrat, derisa të vinte ora e lënies së takimit.

– Mos merr shumë para me vete – i tha e ëma, tek e shihte përpara pasqyrës, ndërsa ai krihte flokët.
– E pooo… një herë në vit është kjo ditë moj mama, pastaj…
– Kujdes edhe me pijen, je edhe në timonin e makinës, mos pi shumë.
Ai nuk foli, nënqeshi duke parë fytyrën e saj në anën tjetër të pasqyrës .
– Më pëlqen shumë kjo era e kolonjës që përdor – i tha ajo, duke ndjerë dënesë për fjalët që tha dhe për të ndëruar bisedën që ajo vetë e nisi.
– Po ti, ku do shkosh për ta festuar? – i tha ai dhe qeshi siç e kishte zakon kur bënte shaka me mamanë.
– Eh! Shën Valentin zeza për mua… unë do ta festoj duke të pritur ty.
– E po mirë atëhere, kalofsh edhe ti gëzuar mama – tha duke qeshur dhe e përqafoi.
Ai doli jashtë, ndërsa e ëma po qendronte te pragu i derës dhe po e shoqëronte me sy nga prapa.
– Dëgjo bir,  mos e mbaj fikur telefonin kur të të marr unë. Më dërgo edhe ti nganjëherë zile.
Ai ndaloi dhe ktheu kokën   – Mos u bëj merak mama – tha dhe e përshëndeti me dorë.
Gruaja mërmëriti disa fjalë, duke e ndjekur me sy nga prapa. “Zoti të ndihmoftë bir”
Shkoi në guzhinë, qendroi përpara gotës me gonxhe trëndafili dhe buzëqeshi. “Të keqen nëna” – tha dhe afroi kokën duke i marrë erë. Iu duk se ndjeu erën e të birit.
Ai ecte rrugës drejt vendit ku ishte makina. “Më mjaftojnë paratë që kam” – mendoi.
Rrugës me makinë iu kujtuan ato, vajzat latino-amerikane që s’i njihte dhe s’i kishte parë kurrë. “Kanë trup të bukur dhe… kulturë seksuale …” mendoi. Ndaloi CD-në me këngët që po dëgjonte dhe vuri një tjetër me muzikë latino-amerikane. “Muzika “Salsa” më pëlqen shumë. Më japin shumë kënaqësi këto trompat dhe kitarat kur i dëgjoj në këngët e tyre” – dhe iu parafytyruan vajzat latino-amerikane në përgjithësi me bluzet e hapura përpara kraharorit, që ua tregonin gjokset ngjyrë gruri… dhe pantallonat xhinse, të ngushta, që u rrinin ngjitur pas trupit…
Diçka mendoi dhe një “aahh” i doli pa e kuptuar as ai vetë.
Tingullin melodik të  ziles së telefonit nuk e dëgjoi nga tingujt e lartë që po dëgjonte  këngët e CD-së.
Shoku që i kishte dërguar zile ishte shqetësuar nga mospërgjigjja e tij. Kishin kaluar pothuajse 15 minuta që i kishte lënë mesazh dhe ai nuk po i përgjigjej. Shoku më tepër do ndiente druajtje nga vajzat nëse për ndonjë arësye ai nuk do vinte.
Pas pak, atij iu kujtua t’i dërgojë një telefonatë shokut. Uli zërin e muzikës që po dëgjonte dhe nxorri telefonin. Atëhere e pa se shoku i tij i kishte dërguar thirrje dhe i kishte lënë mesazh.
Nuk vonoi shumë dhe ata u takuan në vendtakim.
– Ku janë ato, nuk do vijnë sonte? e pyeti shokun sapo zbriti nga makina.
– Do vijnë, por, vajzat… ti e kupton vetë…
Cigarja që e ndezën ishte djegur deri në gjysëm, kur përballë tyre u shfaqën gjashtë vajzat. Të gjashtave fytyrat e tyre ngjyrë gruri u shkëlqenin nga kremrat që kishin venë. Ishin të bukura dhe elegante në trup, vetëm dy nga ato kishin një shëndet më të theksuar që binte në sy.
Ato u afruan buzagaz, u përshëndetën, duke u prezantuar secila emrin e saj.
– Ju latino-amerikanet keni emra të bukur, ashtu siç jeni edhe vetë – tha ai, si për të hyrë i pari në bisedë.
– Edhe emri yt është i bukur – tha njëra nga ato dhe qeshi. E qeshura e saj u pasua edhe nga të tjerat.
– Vetëm emri i tij është i bukur? – pyeti shoku vajzat.
– Ty të njohim ne, por po themi për këtë shokun e ri. Shumë tërheqës qenka. – foli një vajzë tjetër.
– Që të mos vonohemi, – tha ai, – të shkojmë atje për ku jemi nisur. Hajde shpejt, tre vajza të vijnë në makinën time dhe tre të tjerat të shkojnë në makinën e tij.
Vajzat panë njëra tjetrën në sy. Nuk dinin në cilën makinë të shkonin.
– Hajde, – foli përsëri shoku dhe zgjati dorën, duke prekur tre vajzat që kishte më pranë. – Ju të treja hajdeni me mua; kurse ju, shkoni me të.
Në klub ishte vërtet një mbrëmje e këndëshme dha gazmore, siç është vetë dita e Shën Valentinit. Drita e zbehtë që lëshonin flakët e qirinjve mbi tavolina e bënte eksituese ambientin gjithandej. Djem dhe vajza të reja kërcenin dhe këndonin nën ritmet e muzikës frenetike që ndryshonte herëpashere ritmin e saj. Dikush gjatë vallëzimit mbante një shishe birrë në dorë, dikush një gotë me konjak, uiski, pije të ndryshme.
– Të lutem zemra ime, më thuaj çfarë të pëlqen tjetër të pish? – po i thoshte një djalë, që dukej se e kishte zënë pija, shoqes së tij, që rrinte ulur mbi gjunjtë e tij në një tavolinë më tej dhe nxorri paratë nga portofoli. Vajza iu avit më pranë, mbështeti shpinën në gjoksin e tij dhe ngriti kokën. – Dua një puthje të nxehtë tani mjalti im,vetëm puthje dua tani, puuthje – dhe zgjati buzët…
– Ju ç’dëshironi të pini tjetër? – pyeti shoku latino-amerikan vajzat.
– Jo, jo!  Është radha ime për të paguar – tha ai dhe menjëherë nxorri paratë nga portofoli.
Njëra nga ato e pa me bisht të syrit kur ai nxori portofolin dhe u duk sasia e madhe e parave dhe shikimin e hodhi nga shoqja e saj. I bëri një shenjë me kokë që askush nuk e pa. Edhe shoqja iu përgjigj shikimit të saj, të shoqëruar me një buzëqeshje të lehtë dhe shkelje të syrit të djathtë.
Vajzat donin të pinin përsëri birrë.
Dy nga ato gjashtë vajzat u çuan dhe filluan të spërdridhnin belin dhe vithet në mënyrë të pahijshme sipas ritmit të muzikës që ishte e mprehtë dhe shurdhuese. Më pas i shkuan edhe katër të tjerat që imitonin shoqet e tyre. Njëra nga ato zbërtheu kopsat e këmishës, sa iu dukën mbajtëset e gjoksit ngjyrë qielli, të qarkuara me tyl.
Djemtë po i kundronin ëmbël. Mbi fytyrat e tyre rëshkiste buzëqeshja e lehtë që ia vijosi fytyrën.
– Çohemi të vallëzojmë edhe ne – i tha ai shokut latino-amerikan. U çuan dhe nën tingujt e muzikës kërcenin edhe ata mes atyre njerëzve të shumtë. Atë e çuan këmbët tek vajza që kishte zbërthyer këmishën. Ai i qe avitur fare pranë, ndërsa ajo i hodhi  krahët në qafë. Aroma e fortë e parfumit të saj ia goditi fytyrën. Shihte gjoksin e saj gjysëm të zbuluar që e kishte fare pranë, ndërsa ndjente prekjen e kofshës së tij nga kofsha e saj.
– Rroftë Shën Valentini – tha shoku duke qeshur i cili në atë çast ishte pranë tyre. Nga tingujt e fortë të muzikës nuk u dëgjua ç’tha ai, vetëm u kuptua nga lëvizja e buzëve.

Ajo mbrëmje kaloi këndshëm, ashtu siç kalohet përherë festa e bukur e të dashuruarve.
Kur dolën jashtë për të ikur, kërkesës së djemve për të kaluar disa çaste të këndshme dhe intime në një nga motelet aty pranë, vajzat e refuzuan, duke premtuar se miqësia e tyre do të vazhdojë edhe në ditët që do të vijnë.

E ëma e tij edhe pse kishte kaluar ora 3:15 e mëngjesit, rrinte në dhomë dhe priste të birin të vinte.

– Si do t’i çojmë vajzat tani në shtëpi? – pyeti ai shokun kur dolën jashtë.
– Ashtu siç edhe erdhëm, tre në makinën tënde dhe tre në makinën time.
Vajza që kishte kërcyer me këmishën e zbërthyer e pa ëmbëlsisht atë, si për t’i thënë që dëshironte të ishte në makinën e tij. Edhe ai vetë e donte një dëshirë të tillë, prandaj edhe i buzëqeshi në shenjë aprovimi.
Kur vajzat hipën në makinë, për çudinë e tij, në ndenjësen e parë në krah të tij u ul një vajzë tjetër. Ai nuk i tha gjë asaj edhe pse donte që në atë vend të ishte ajo…, e cila u ul në ndenjësen prapa tij.
– Të dëgjojmë pak muzikë latino-amerikane? – tha ai, – se keni muzikë të bukur ju, ashtu siç jeni edhe vetë – dhe pa marë përgjigje nga ato shtypi butonin. Tingujt e ëmbël të muzikës u përhapën brenda kabinës së  makinës, ndërsa vajzat filluan ta shoqëronin muzikën me përplasjen e pëllëmbëve.
– Vetëm më tregoni rrugën nga duhet të shkojmë – tha, pa e lëvizur kokën dhe shikimin para.
Befas ndjeu një prekje në pjesën e qafës. Gishta të lëmuar po e ledhatonin. Pastaj dëgjoi një frymëmarje përzierë me erë alkooli që i ishte afruar pranë, një puthje të lehtë në qafë dhe më pas fjalët: “Unë kisha shumë dëshirë sonte…” – Ishte vajza me këmishën e zbërthyer e ulur prapa tij ajo që po i fliste dhe që i bënte ato veprime.
Ai nuk foli, vetëm buzëqeshi. Ndjeu përsëri një puthje tjetër në qafë dhe dy duar përpara gjoksit të tij që po lëviznin me ngadalë.  – Paske shumë trup të bukur – dëgjoi përsëri zërin e saj. Vajza tjetër e ulur në krah të tij në ndenjësen përpara, shikonte me bisht të syrit veprimet e shoqes dhe buzëqeshte.
Dy duart e saja po lëviznin në pjesët e trupit të tij: – Sa trup i bukur…!” – dhe e puthi përsëri në qafë. Ai nuk foli, shikonte përpara në timon dhe ndjente kënaqësi nga ai veprim i vajzës.
Pastaj iu duk se ishin katër duar që po ledhatonin trupin e tij. – “Ç’më ndezën…! S’kanë faj, vajza të reja në moshë, i është ndezur gjaku, por tani ndikon edhe pija… Ku ma gjetën dhe mua tani që kam timonin në duar…”
Dy duar të zgjatura nga prapa shpinës iu afruan shumë pranë pjesës së barkut të tij, ndërsa dy duart e tjera, lëviznin lirshëm në pjesë të ndryshme të trupit, të shoqëruara me puthje në qafë dhe në shpinë. Nuk mund t’i ndalonte veprimet e tyre, sepse edhe ai vetë kishte hyrë në të njëjtën botë si ato, në botën e eksitimit. Vetëm kishte një merak, të ishte i vëmendshëm në timon. Rruga ishte e shkretë dhe e qetë. Kulmi arriti, që edhe ai vetë nuk do ta besonte, kur duart e shtrira nga prapa me trupin pak të përthyer pranë tij, filluan e t’i zbërthejnë pantallonat. Vajza e arriti atë që dëshironte dhe bashkë me ato të dyja nga prapa në atë lojë, hyri edhe vajza në krah tij. Tre vajza të shthurura bënin veprime të “çmendura” ndaj një mashkulli që nuk kishte forcë t’i ndalonte, sepse vetë ndjenja e kishte mposhtur forcën dhe logjikën në ato çaste.
Në atë kabinë makine që ecte me shpejtësi mesatare, në orët e para të atij mëngjesi dëgjoje vetëm muzikë, të qeshura,…
Sa shpejt dhe pa u kuptuar mbërritën në vendin ku duhet të zbrisnin vajzat. Dy makinat qendruan njëra pas tjetrës. Vajzat dolën nga makinat, i falenderuan djemtë, u përqafuan, madje edhe i puthën. Ato u larguan me dëshirën edhe në takime të tjera…
Ai donte t’i tregonte shokut të vetë latino-amerikan për atë që i kishte ndodhur,”çmendurinë” e tyre, por tingulli i ziles së  telefonit celular që u dëgjua në atë çast, nuk e la që ai të fillonte bisedën. Kur vuri dorën për të marrë telefonin, ndjeu se i mungonte portofoli i parave që e mbante zakonisht në xhepin e djathtë të pantallonave. I shqetësuar po kërkonte me duar nëpër xhepa; e ndjeu portofolin në xhepin e majtë. Edhe pse pak i dehur, e mbante shumë mirë mend që portofolin e kishte vënë në xhepin e djathtë të pantallonave, ashtu siç e mbante përherë, ndërsa tani, portofoli kishte ndërruar vendin. Kjo e bëri të dyshojë. E nxorri portofolin dhe e hapi. Nuk po u besonte syve kur e pa portofolin bosh në vendin e mbajtëses së parave. Mendja i shkoi menjëherë tek dokumentet e tjera dhe tek kartat e kreditit që mbante në portofol. Ato ishin të paprekura, vetëm paratë mungonin. I shqetësuar vrapoi në drejtim të tyre, duke u thirrur edhe me zë. Shoku i tij i tronditur nga ajo ç’i kishte ndodhur shokut të vetë, filloi edhe ai të vrapojë pas tij. Në vrapim e sipër shokut latino-amerikan diçka iu kujtua; ndaloi dhe nxorri edhe ai portofin nga xhepi ku e mbante. Të njëjtin fat kishte pasur edhe ai si shoku i vetë; edhe atij i mungonin të gjitha paratë e mbetura nga mbrëmja. Vazhdoi të vrapojë përsëri pas shokut. Të tronditur në kulm iu afruan vajzave. Ato si të mos dinin gjë, ndaluan dhe hapën krahët për t’i përqafuar, por u zhgënjyen kur ndeshën me zemërimin dhe sharjet e tyre. Ato me ëmbëlsinë femërore e mohuan çdo gjë. Njëra nga ato pati guzimin që edhe t’i fliste me ton të ashpër, si akuzonjës ndaj atyre vajzave të “pafajshme”. Guximin e saj e morrën pastaj të gjitha ato duke mbrojtur “pafajësinë” e tyre.
Djemtë u dorëzuan, s’kishin ç’të bënin. Nuk e kishin të drejtën t’i preknin me dorë kundër dëshirës së tyre, për një kontroll.
U kthyen të dëshpëruar pa i përshëndetur.

Kur ai hyri në shtëpi në orët e para të mëngjesit e ëma po rinte në dhomën e pritjes. Po shihte  programet televizive. Ajo nuk kishte fjetur gjithë natën, derisa i biri të kthehej në shtëpi.

Filed Under: Sofra Poetike Tagged With: pas festimit, Pjer Pandeli Simsia, te Shen Valentinit

Gregori Lima – (1925 – 2014) u perkujtua ne Nju Jork

February 13, 2014 by dgreca

 ” Një veprimtar i madh dhe hulumtues i palodhur për zgjidhjen e çështjes shqiptare, i cili ka luajtur një rol dhe ka dhënë kontribut në fushën e gazetarisë hulumtuese gjatë luftës në Kosovë, duke lënë përshtypje të thellë dhe ka mbetur në kujtesën e shumë  shqiptarëve të cilët patën rastin t’a njohën nga afër”/

 BEQIR SINA, Bronx – New York/

BRONX NY: Tre javë pas vdekjes së tij në Bronx New York, është mbajtë një veprimtari përkujtimore për të kujtuar jetën dhe veprën dhe nderuar, shkrimtarin, gazetarin, politikanin dhe veprimtarin, Gregori Lima, autor i disa librave por i njohur tek shqiptarët për dy librat e tij – për Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës – UÇK-ën, me poemë të Xhevat Limanit, me tituj: “Journey to Macedonia – Udhëtim në Maqedoni” dhe  “The Americani – Poema – Agron Mirdita”
Me këtë rast, në qendrën kulturore Bronx House në Pelham Pkwy – Bronx, New York  u organizua veprimtaria përkujtimore, nën kujdesin e mikut të tij të ngushtë, aktorit dhe producentit të njohur shqiptaro – amerikan Xhevat Limani, së bashku me Televizioni AAvision dhe Akademin e shkencave të shqiptarëve të Amerikës.Në këtë veprimtari ishin të i pranishëm gruaja e tij prej 52 vjetëve martesë Karina Arzooian një anëtare e një pakice të armenëve në Amerikë edhe dy djemtë Vincent dhe Eric,”zbuluesi” i tij miku familjar Nua (Tony) Shala, si edhe veprimtari i dalluar nga Las Vegasi Fatmir Hamza, ri-kandidati shqiptar për në kongresin amerikan Emin Eddie Egriu, protogonisti kryesor i librit “Amerikani” – Agron Mirdita, zoti Gazmend Lleshi, professor Prend Qetta, skulptori Kristaq Kapedani, veprimtarët Rrape Ruci, Destan Aliu, Ylli Alizoti, dhe nënkryetari i ASHASH, doktor Adem Harxhi, shkrimtari Mëhill Velaj e të tjerë .

Gregori Lima, vdiq më 22 Janar 2014,  në moshën 88 vjeç në mënyrë paqësore – një ditë pasi kishte përjetuar një “goditje” në tru – në shtëpinë e tij në Danbury , Connecticut , në shoqërinë e gruas së tij – , i rrethuar nga dy bijtë e tij dhe e bija – nipër e mbesa!

Duke kujtuar jetën dhe veprën e zotit Lima, folësit thanë se ai ishte një veprimtar i madh dhe hulumtues i palodhur për zgjidhjen e çështjes shqiptare, sipas tyre, i cili ka luajtur një rol dhe ka dhënë kontribut në fushën e gazetarisë hulumtuese gjatë luftës në Kosovë, duke lënë përshtypje të thellë dhe ka mbetur në kujtesën e shumë  shqiptarëve të cilët patën rastin t’a njohën nga afër.

Disa nga folësit e kësaj veprimtarie thanë se ai ishte padyshim figura më faqendritur që mori pjesë dhe ishte suportues i luftës së drejtë të UÇK-së prej frontit të luftës, në Rambuje dhe deri në Pavarësinë e Kosovës, hulumtues i denjë i çështjes shqiptare nën Maqedoni, nën Mal të Zi, Preshevë Medvegjë e Bujanoc si dhe një suportues i drejtë i çështjes çame.

Në këtë veprimtari folën kreu u Akademisë së Shkencave Shqiptaro- Amerikane, professor Skënder Kodra,  gazetari Qazim Doda, veprimtari Gazmend Lleshi, miku i tij, familjar Nue Toma,- dhe djali i Gregori Limas – professor Eric Lima.

Protogonisti i librit  “The Americani” Agron Mirdita, pos një keqardhje të thellë që shprehu ndaj familjes së Gregori Limas, nënvizojë gjatë fjalës së tij : “Ndjehem i privilegjuar që publicisti Gregory Lima më zgjodhi mua si protagonist per Librin e tij “The Americani”. Kjo nuk më bëri nder vetëm mua por mendojë terë UÇK-së” u shpreh Mirdita.

Miku i tij i ngushtë aktori dhe producenti Xhevat Limani, i cili edhe udhëhoqi këtë veprimtari përkujtiomore  lexoi disa telegrame ngushëllim të dërguara nga : Ardian Hoxha nga American School of Kosova dhe Albafon-Fol shqip, prof.Sabahudin Zhuta Shkup, Resul Shabani shkrimtar, Muhamet Halimi veprimtar , Abdullah Zeneli botues i Buzukut Prishtinë etj. Si dhe shkrimet post-morte, duke u ndalur tek një shkrim për Gregori Lima, i shkruar nga professor Agron Fico.

Limani më pasë ai lexoi premeorien “Misionari Gregori Lima”:

Ne u gjendëmi sot këtu për t’i shprehur respekt njeriut me personalitet më   dinjitoz që pa fije rezerve intelektuale, diplomatike, politike dhe ushtarake mbështeti kuzën e drejtë kombëtare shqiptare pa kursyer as qelizën më të imtë përballë interesit dhe çështjes madhore shqiptare, u shpreh Limani
Sipas Limanit, Gregory Lima, nuk u ndal edhe kur mbaroi lufta e UÇK-së, sepse ai përcillte me vëmendje dridhjet e reja ballkanike që do të pesonin ne territoret e okupuara shqiptare nën Maqedoni, Mal të Zi, PMB dhe Çamëri. “Pas shpalljes së Pavarësisë së Kosovës, tha Limani,  eruditi i çështjes shqiptare Gregory Lima nuk e ndali veprimtarinë e tij, se e dinte fort mirë që një pjesë e madhe e territoreve shqiptare gjenden nën okupim. Bëri disa udhëtime pa e respektuar moshën e tij, duke hulumtuar kodrinave ballkanike fatin shqiptar, me të vetmen kredo sintagmë: Shtetet e bashkuara të Shqipërisë.”

Artisti shqiptar në Amerikë, Xhevat Limani e quajti z. Gregory Lima, të ishte më tepër se një misionar në vizionin e tij.

“Ai shpesh e përsëriste qëndrimin e tij se paqa do të mbizotërojë në Ballkan vetëm atëherë kur kombi shqiptar do ta reslizojë të drejtën e ëndërrimit shekullor të jetojë në një shtet nën flamurin kuq e zi, theksoi gjatë fjalës së til Limani duke shtuar se ai hulumtoi shkeljet eklatante të shqiptarëve të Malësisë së Mbishkodrës, të genocidit serb në Luginën e Preshevës dhe u doli në mbrojtje vëllezërve çam të përzënë me dhunë nga vatrat e tyre shekullore nga diktatura neofanariote e vestfalise greke. Veçmas bëri hulumtime në Maqedoni, duke përsëritur publikisht dhe institucionalisht se shqiptarët e pushtuar nën Maqedoni janë realisht çelësi i zgjidhjes së mbarë çështjes kombëtare.”

Më tej njeriu më i afërt i tij nga shqiptarët e Amerikës, aktori dhe producenti Xhavat Limani tha se :”Prej 22 dhjetorit kur Zoti Gregory Lima ndërroi jetë, më duket sikur marathona jonë kombëtare është ndalur. Unë e di dhe besoj në platformën e z. Greg : “Shtetet e bashkuara të Shqipërisë” ndaj shpirti i tij më ringjall ndjenjën e Feniksit për një zjarr të Ri, se vetëm duke e mbajtur të ndezur flakën e Atdhedashurisë kemi paguar tagrin e rëndë të Lirisë së popullit tim të nëpërkëmbur nga politikat e ndyta neobizantine evropjane. Tani kur shpirti i zotit Lima fluturon qiejve parajsor, dua të tingëllojë shqipërisht:O misionari im i dashur Greg, ti që njihje shpirtin tim prej Aktori dhe bindjet e mia profetike, të betohem O shpirthyjnori im, se unë Xhevat Limani dhe gjaku im që ëndërron shqip, nuk do të ndalemi, pa pushtuar dritën përtej Tunelit terr sllavo-bizantin.

 

Filed Under: Featured Tagged With: Grigor Lima, Nju Jorku, u perkujtua

ËSHTË E RREZIKSHME NOSTALGJIA KOMUNISTE NË NJË DEMOKRACI TË PAPJEKUR

February 13, 2014 by dgreca

 Nga Frank Shkreli/

Duket se kohët e fundit në Shqipëri po frynë një erë e re nostalgjie për ish-regjimin komunist, ku politikanë, historianë dhe intelektualë, me vepra dhe me fjalë po përpiqen t’i imponojnë shoqërisë një rivlersim të ri të regjimit komunist dhe të diktatorit Enver Hoxha. Mjaftë, thonë ata, është folur keq dhe boll është denoncuar regjimi komunist, tash 20 e sa vite. Ka ardhur koha, sipas tyre, të këthehet rrota e historisë, duke shikuar mbrapa! Me rastin e 29 nëntorit të viti që kaloi, portreti i diktatorit Enver Hoxha ishte i pranishëm gjatë homazheve në Varrezat e Dëshmorëve të kombit, ku  morën pjesë udhëheqsit më të lartë të shtetit dhe të qeverisë shqiptare.Mediat shqiptare njoftuan me atë rast se portreti i Enver Hoxhës ishte vendosur aty në përputhje me protokollin dhe me dijeninë e plotë të zyrtarëve përgjegjës për atë ceremoni.Ndërsa pak ditë më parë, udhëheqës politikë dhe historianë duke folur për rolin historik të 4 shkurtit, me rastin e 70-vjetorit të vrasjeve në Tiranë, kanë bërë thirrje për rivlersimin e figurës së Enver Hoxhës,  për të vendosur drejtësinë, sipas tyre, por pa dhënë asnjë vlersim kritik të krimeve dhe dështimeve kolosale të regjimit komunist. Zbulimi i së vërtetës mbi 4 shkurtin, si edhe i shumë ngjarjeve të tjera të gjysëm shekullit të kaluar, do të bëhet nga historianët e ardhëshëm të Shqipërisë dhe nuk mund të imponohet nga ideologët dhe mësuesit e makrsizëm-leninizmit dhe as nga politikano-historianët.  Për më tepër, debati mbi vendimin me konsensus të palëve, dhe tani  thirrjet nga disa për ç’emërimin e rrugës “Ibrahim Rugova”, të kujton   termin përbuzës për një vend që vepron si ”republikë bananash” –sot kështu nesër ashtu– e që përshkruan një diktaturë servile, ose një vend që qeveriset si një ndërmarrje tregtare për përfitime dhe interesa private, politiko-partiake të përkohëshme.   Fatkeqsia është se këto deklarata për rivlersimin e rolit të Enver Hohës,  nuk bëhen nga njerëz që mund të kenë vetëm një kuriozitet i një teme anësore historike, por bëhen nga pjesëtarët më të lartë të elitës politike dhe intelektuale të vendit, të cilët e kanë përjetuar atë sistem çnjerzor e të cilët i dinë mirë pasojat  e atij regjimi, dhe si të tillë duke e ditur influencën e tyre politike dhe shoqërore, ata duhej të ishin më të ndërgjegjëshëm moralisht dhe politikisht, kur bëjnë prononcime të tilla.
Me deklarata të tilla të papërgjegjëshme, ata as nuk i shërbejnë së vërtetës historike as paqës dhe pajtimit kombëtar, për të cilin shqiptarët kanë aq shumë nevojë.  Nostalgjikët e komunizmit enverist, ndërsa bëjnë thirrje për rivlersimin e Enver Hoxhës dhe regjimit të tij, ata nuk thonë asgjë, as nuk tregojnë asnjë mëshirë ndaj të ashtuquajturës “klasë e pëmbysur”,  sikurë të deklasuerit dhe armiqtë e përhershëm, siç quheshin ata, nuk kanë vuajtur mjaftë. A ishin/a janë edhe këta shqiptarë?  Megjithëse çdo gjë që bëhej kundër tyre nga regjimi komunist –përndjekjet, arrestimet, burgosjet, kampet e përqendrimit, ndarja e familjeve e tjera — bëheshin në emër të popullit,  sikur këta të mos ishin pjesë e atij populli, as njerëz, lere më të konsiderohen si vëllëzër e motra të një gjaku.  Por, e vërteta është se ishin këta “armiq të popullit”, të cilët me punën e tyre ndërtuan “veprat e mëdha socialiste” me të cilat krenohej Enveri dhe regjimi komunist dhe me të cilat mburren edhe sot nostalgjikët e tij.  Ata të shkretët thanë kënetat, ndërtuan  rrugë, aeroporte dhe hekurudha dhe punuan në minjerat e vendit.  Është e vështirë të merret me mend se si dikush mund të ketë vizione nostalgjie për një sistem që ka abuzuar në këtë mënyrë me të drejtat e qytetarëve të vet për pothuaj një gjysëm shekulli.   Megjithëse kuptohen zhgënjimet që njerzit në përgjithësi mund të kenë me zhvillimet politike dhe ekonomike pas përmbysjes së komunizmit, nostalgjia për ferrin komunist të Enver  Hoxhës nuk mund të jetë sot një alternative dhe me shprehje të tilla i bëhet një shërbim shumë i keq brezave të ardhëshëm. A është e mundur se krimet e njërit prej sistemeve më brutale të ish botës komuniste  po zhduken nga kujtesa kolektive në Shqipëri?
Kjo është një temë që duhet të debatohet seriozisht!  Këta njerëz që flasin dhe shkruajnë në këtë mënyrë, a kanë me të vërtetë, vetëm vizione nostalgjike të gabuara, apo janë gjithnjë  ideologë mbështetës të atij sistemi —  apo është një elitë ish komuniste e zemëruar që konsideron se ka humbur statusin dhe privilegjet e saj, megjithëse shumë veta do të thonin se këta që flasin me mall për regjimin enverist, si dhe ata që heshtin ndaj deklaratave të tilla, janë e njëjta elitë politike dhe intelektuale, ose pinjollët e ish-elitës komuniste, ata që kanë udhëhequr Shqipërinë këto 20-vitet e fundit.  Një debat i tillë i sinqertë,  është tepër i nevojshëm që vendi më në fund, të përballohet njëherë e mirë me të kaluarën komuniste të vendit, por më me rëndësi janë efektet që kjo histori vazhdon të ketë në zhvillimet politike, shoqërore dhe ekonomike, tani dhe në të ardhmen.   Është kjo një histori, trashëgimia e së cilës meriton të denoncohet dhe jo të mbrohet, nëqoftse vendi dëshiron të shkojë përpara dhe të integrohet në Europën e bashkuar.

Udhëheqsi rus,Vladimir Putin ka thënë se e konsideron përmbysjen e komunizmit në ish Bashkimin Sovjetik, si “Tragjedinë më të madhe gjeopolitike të shekullit të 20-të.”  Pasi  ai ka siguruar tanimë se do të qëndrojë në krye të pushtetit në Kremlin për jetë, ai me përpjekjet e tija politike, diplomatike dhe ushtarake është duke bërë ç’mos për të ringjallur, në mos në emër, atëherë në fakt, ish-Bashkimin Sovjetik.  Vall mos mendojnë kështu edhe nostalgjikët e regjimit komunist në Shqipëri?  Njëzet e sa vjetë më parë, shqiptarët i thanë jo komunizmit duke  shprehur dëshirën e tyre për liri e demokraci dhe për një jetë më të mirë, madje duke rrezikuar edhe jetën, në përpjekjet e tyre për të përmbysur një tirani që e kishte këthyer Shqipërinë në një burg në midis të Europës, duke mos lejuar askënd të hynte as të dilte. Shqiptarët e rrëxuan murin e tyre të berlinit.  Kjo revoltë ishte një alternativë e qartë që shqiptarët kishin zgjedhur më shumë se dy dekada më parë, duke u përcaktuar qartë dhe me vendosmëri për fitoren e së mirës mbi të keqen.

Prandaj deklaratat e elitës politike dhe intelektuale, të kohëve të fundit, për rivlerësimin e rolit të Enver Hoxhës, si dhe vendosja e portretit të diktatorit në një ceremoni zyrtare nëntorin që kaloi dhe heshtja, në përgjithësi, ndaj këtyre fenomeneve në shoqërinë shqiptare 20 e sa vjetë pas përmbysjes së regjimit komunist, venë në dukje një dështim të përgjithshëm moral dhe politik për tu përballuar me të keqen dhe për tu marrë me trajtimin e drejtë të historisë.  Por për më tepër, në fakt këto fenomene, që në të vërtetë nuk janë të reja, të bëjnë të dyshosh nëse, siç ka thënë edhe Ismail Kadare, “Muri i mbrojtjes së solidaritetit të së keqës, po ngrihet”, në Shqipëri.  Ngritja e një muri të ri në mbrojtje të së keqes, do të ishte tepër e rrezikshme për një vend që ende cilësohet nga organizatat ndërkombëtare i të drejtave të njeriut si pjesërisht i lirë dhe si një demokraci e papjekur.  Shqipëria dhe kombi shqiptar meritojnë më shumë përgjegjësi morale dhe politike se kaq nga udhëheqsit dhe nga elita intelektuale dhe politike e sotëme!

 

Filed Under: Analiza Tagged With: Frank shkreli, ne nej demokraci te papjekur, nostalgjia komuniste

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 48
  • 49
  • 50
  • 51
  • 52
  • …
  • 84
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Kontributi shumëdimensional i Klerit Katolik dhe i Elitave Shqiptare në Pavarësinë e Shqipërisë 
  • Takimi i përvitshëm i Malësorëve të New Yorkut – Mbrëmje fondmbledhëse për Shoqatën “Malësia e Madhe”
  • Edi Rama, Belinda Balluku, SPAK, kur drejtësia troket, pushteti zbulohet!
  • “Strategjia Trump, ShBA më e fortë, Interesat Amerikane mbi gjithçka”
  • Pse leku shqiptar duket i fortë ndërsa ekonomia ndihet e dobët
  • IMAM ISA HOXHA (1918–2001), NJË JETË NË SHËRBIM TË FESË, DIJES, KULTURËS DHE ÇËSHTJES KOMBËTARE SHQIPTARE
  • UGSH ndan çmimet vjetore për gazetarët shqiptarë dhe për fituesit e konkursit “Vangjush Gambeta”
  • Fjala përshëndetëse e kryetarit të Federatës Vatra Dr. Elmi Berisha për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë në Seancën Akademike kushtuar 100 vjetorit të lindjes së Peter Priftit
  • Shqipëria u bë pjesë e Lidhjes së Kombeve (17 dhjetor 1920)
  • NJЁ SURPRIZЁ XHENTЁLMENЁSH E GJON MILIT   
  • Format jo standarde të pullave në Filatelinë Shqiptare
  • Avokati i kujt?
  • MËSIMI I GJUHËS SHQIPE SI MJET PËR FORMIMIN E VETEDIJES KOMBËTARE TE SHQIPTARËT  
  • MES KULTURES DHE HIJEVE TE ANTIKULTURES
  • Historia dhe braktisja e Kullës së Elez Murrës – Një apel për të shpëtuar trashëgiminë historike

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT