• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for February 2014

ENVER HOXHA ELIMINOI TË GJITHË ATA QË ISHIN KUNDËR BASHKIMIT ME JUGOSLLAVINË

February 7, 2014 by dgreca

Falsifikimi i historisë kombëtare për hir të vëllazërim-bashkimit me Titon (3)/

Shkruan: Prof.Dr.Vebi Xhemaili/

Enver Hoxha, për të fituar besimin e Titos, do të deklarojë, për forcat kombëtare shqiptare: “Ata përdorën parullat e vjetra të përçarjes, duke i stërholluar me metodat e Gebelesit dhe të Musolinit. Shovinistët dhe shqiptarë mëdhenjtë më kot përdorën demagogjinë e tyre. Përalla e Oso Kukës s’pinte më ujë, në Shkodër e në Liqen, atje ku përzihen ujërat e Shqipërisë dhe të Malit të Zi, ashtu sikundër përzihen dhe ndjenjat më të pastra të popujve tanë, u shkrua me gjakun e kulluar të malazezëve Vaso Strugar, Filip Popoviçit dhe të shqiptarit Vasil Shantos, epopeja e përbashkët nga më të lavdishmet e historisë të vendeve tona, epopeja e madhe e çlirimit. Populli shqiptar do të ruajë kujtimin e pavdekshëm të patriotëve malazezë që ranë për Shqipërinë dhe njëkohësisht për kauzën e atdheut të tyre, Miladin Popoviçit, Vaso Strugarit, Filip Popoviçit. Çfarë, demagogjie komuniste, kjo parullë është barabartë, sikur ti falen mëkatet Vaso Çubrillovit, për elaboratin që bëri, për pastrimin e shqiptarëve nga Kosova dhe Banovina e Vardarit. Hoxha, falsifikon letrën, pasi kërkohej që lufta të organizohej sipas kritereve jugosllave Enver Hoxha për të mashtruar popullin liridashës shqiptar, do të deklaroj:”Në male, na erdhi letra e parë e Titos, ( Është fjala për letrën që Titoja i dërgonte KQ të PKSH me anë të Bllazhë Jovanoviçit, i cili mori pjesë në Konferencën e Parë të Vendit të PKSH ( mars 1943) si i deleguar i KQ të PKJ-së. (Enver Hoxha i falsifikon faktet: Për letrën e Titos ishte në dijeni vetëm udhëheqja e PKSH, as komunistët as partizanët, as populli nuk mësoi asgjë kurrë për këtë letër. Por Jugosllavët: te Enver Hoxha shihnin personin më të përshtatshëm për politikën e tyre hegjemoniste.(V.Xh.). Enver Hoxha, falsifikon letrën, pasi aty kërkohej që lufta partizane të organizohej në bazë të kritereve jugosllave. Njësitet partizane në Shqipëri tani e tutje duhej lëvizur nëpër tërë Shqipërinë, Pasi ata deri në këtë kohë fare nuk kishin ndikim në veri. Hoxha për të forcuar pozicionin e tij drejt marrjes së pushtetit, shkruan: “Me këtë letër Tito, përshëndeste nga zemra popullin shqiptar që po luftonte për liri. Letra historike shënon një datë historike në historinë e popullit tonë, pse eksperiencën e luftës partizane në Jugosllavi e shihnin tash më konkretisht dhe kjo na shërbeu pa masë ne luftën tonë. Dhe kur nga peripecitë e luftës sonë të ashpër kundër fashizmit priteshin muaj dhe vjet me radhë, lidhjet tona me partizanët jugosllavë, zëri i Radios” Jugosllavia e Lirë” na sillte në malet tona të çlirura erën e freskët të maleve kreshnike të Jugosllavisë, ku luftonin me heroizmin e papërshkrueshëm partizanët jugosllav të Josip Broz Titos. (Edhe Radion “Jugosllavia e lirë” nuk e dëgjonte njeri në Shqipëri. Kryesisht në Shqipëri dëgjohej “Radio Londra” kjo dëshmohet në bazë të dok. ekzistuese V.Xh).

Përpjekja për krijimin e kultit të Titos dhe partizanëve serbë në Shqipëri

Sa më parë të shtrohet kjo çështje, aq më parë do të binden të gjithë ata që e kanë gabuar rrugën dhe e kanë udhëhequr gabimisht këtë popull me ideologjinë e kuqe. Pasi edhe Tito edhe Stalini kurrë nuk kanë qenë të sinqertë ndaj shqiptarëve dhe aspiratave të tyre për Bashkim kombëtar. Prandaj nuk mund të qëndroj më thënia e Enver Hoxhës, për Titon: “I madh dhe i vogël e njeh Titon në Shqipëri…?. (Titoja u bë i njohur në Shqipëri vetëm pas luftës, kur shtypi zyrtar çdo ditë ishte mbushur me lajme dhe artikuj për Jugosllavinë, për vëllazërimin me popujt jugosllavë e për Titon, kur e Enver Hoxha, e udhëheqës të tjerë në çdo fjalim të tyre ngrinin në qiell emrin e Titos e të Jugosllavisë, duke i detyruar njerëzit të brohorisnin për Titon e për vëllazërimin e bashkimin shqiptaro-jugosllav, kur nëpër rrugë e sheshe të qyteteve e fshatrave si edhe në çdo zyrë ndodheshin portretet e Titos e të Enver Hoxhës së bashku, TITO, përfaqëson popujt heroikë të Jugosllavisë, i madh e i vogël e do Titon në Shqipëri………!?, pse ai përfaqëson luftën e lavdishme e të popujve vëllezër jugosllav, pse ai ka qenë zemra dhe koka e saj, pse ai mësoi, i edukoi popujt e Jugosllavisë të rrojnë të bashkuar dhe të vëllazëruar me njëri-tjetrin, pse ai i bëri luftëtarë të lirisë dhe të demokracisë, se ai i mësoi të duan popujt e tjerë si veten e tyre dhe në radhë të parë, popullin e vogël shqiptar, të cilin e ndihmuan dhe e përkrahën si në kohën e luftës, ashtu dhe tash në kohen e paqes…Enver Hoxha në të gjitha këto lëvdata për Titon, fare nuk përmend shtetrrethimin në Kosovë, Bashkëngjitjen e saj me Serbinë në vitin 1945. Largimin e shqiptarëve me dhunë dhe vendosjen e tyre në pjesët lindore të Maqedonisë.

Enver Hoxhën lavdëron Titon dhe Jugosllavinë

Enver Hodha do të deklaroj: Titioja dhe Jugosllavia e re, vepra e pavdekshme e mareshalit Tito ishte për ne pasqyra dhe shembulli më i afërt i gjenialitetit të këtij njeriu të madh të popujve të Jugosllavisë, ishte dhe një mbështetje dhe ndihmë e çmueshme. Masat e gjera të popullit tonë nuk e shihnin dhe nuk mund ta kuptonin independencën, lirinë, përparimin, rindërtimin e vendit të tyre të shkëputur nga ajo e Jugosllavisë. Një popull i vogël, si i yni, nuk mund të rrojë dhe të ndërtojë një jetë të lumtur pa miqësi dhe përkrahjen e popujve të Jugosllavisë. Këtu shihet qartë se sovraniteti i popullit shqiptar dhe shtetit, tani më ishte në duar të jugosllavëve në krye me Titon. Me anën e popullit shqiptar, që në ditën e parë të çlirimit Mareshali Tito u ndodh përkrah dhe ndihmoi popullin tonë me gjithë zemër, me të gjitha forcat e tij. Ai njohu qeverinë demokratike të Shqipërisë, ai dërgoi ambasadorin e vet i pari në Tiranë, ai e ndihmoi me shpejtësi popullin tonë që në ditët e para të çlirimit. Titoja e dinte sa vuajtje kishte në vendin e tij, por ai e ndau kafshatën e gojës së popullit të tij me popullin e vogël shqiptar. Titos i dhimbej populli ynë…, ( Po ta dëgjojnë këtë farsë të Enver Hoxhës, sa e sa nëna la pa djemtë e tyre, Ky satrap (Tito), ku numri është disa dhjetëra mijë të vrarë, ku sot e kësaj dite nuk u dihet vari, nga Kosova, Dibra e Struga, deri në Preshevë, gjatë rrugës për në Srem, Tivar e Goli Otok…, pas luftës me mijë ka pastruar OZN-a e Titos e themeluar në Kumanovë me direktivat e Tempos. Vetëm për të zhdukur shqiptarët që kërkonin bashkimin e kombit. Vetë Tito ka deklaruar: kur e vizitoi Shkupin në vitin 1946, unë mendova se jam në Shqipëri e jo në Maqedoni. Ky sinjalizim i Titos, për qarqet shovene-maqedonase ishte dritë e gjelbër. Ata ditën ta shfrytëzojnë në mënyrë perfide. Prandaj Shkupi sot figuron në aspektin nacional, 30% me 70% për ata, që erdhën në këto troje si vandalë. Tito atyre u dha shtet, ndërsa shqiptarëve ua bëri më zi se Nokolla Pashiqi dhe Kral Aleksandri. Prandaj nuk jemi dakord me Enver Hoxhën, as edhe në varr, se Tito, e paska dashur aq shumë popullin shqiptar-V.Xh). Emri i Titos dhe i popujve të Jugosllavisë janë të lidhur ngushtë me mbrojtjen e lirisë dhe të independencës së vendit tonë të kërcënuar nga neofashistët grekë dhe përkrahësit e tyre. Në Shqipëri, edhe janë përpjekur me çdo mënyrë ta pengojnë popullin tonë në rrugën e drejtë, që kish caktuar dhe ku ai ecën me vendosmërinë më të madhe. Kudo ku ishte për të mbrojtur interesat e popullit tonë, shokët e Titos kanë luftuar me vendosmërinë më të madhe për popullin tonë. Kardeli dhe Mosha Pijade me rekuizitorët e tyre, demaskuan çdo orvatje të monarko-fashistëve grekë dhe përkrahësve të tyre. Por e vërteta është krejt tjetër-fare: “Jugosllavët nuk donin ta ndanin Shqipërisë me asnjë shtet, pasi ata tani më e kishin Shqipërinë dhe Qeverinë e saj, pasi për këtë ishte pajtuar edhe vetë Enver Hoxha, me vizitën që i bëri Titos në Bled.

Enver Hoxha eliminoi të gjithë ata që ishin kundër bashkimit me Jugosllavinë

“Shqipëria është aleatja jonë, -tha Mosha Pijade në Konferencën e Parisit, -dhe ne jemi të vendosur t’i mbajmë detyrimet që i kemi karshi aleates sonë deri në fund”. Kështu e kupton Titoja aleancën me popullin shqiptar dhe populli shqiptar këtij miku të madh të tij i përgjigjet po, në atë mënyrë. Miqësia dhe aleanca jonë mbrohet dhe me sakrificën e fundit dhe me këtë mënyrë ne jo vetëm që mbrojmë interesat dhe ekzistencën e vendeve tona, por mbrojmë njëkohësisht paqen në Ballkan dhe në botë. Aleanca jonë me Jugosllavinë nuk u përngjet aleancave të zakonshme që firmosen prej diplomatëve dhe shlyhen sipas interesave të atyre njerëzve ose klikave që shtypin popujt, por aleanca jonë është shprehja më e gjallë e aspiratave të dy popujve tanë, të cilët luftuan së bashku, punuan së bashku për të arritur në këtë rrugë. Enver Hoxha edhe këtu nuk është i sinqertë ai deri në Kongresin e Parë të Partisë së Punës në vitin 1948, Ata shqiptarë që iu kundërvunë marrëdhënieve shqiptaro-jugosllav, e Enver Hoxha i eliminoi nga skena politike, siç ishte rasti me Nako Spiron dhe të shoqen. Ashtu sikundër marrëveshja e bashkëpunimit dhe ndihmës reciproke që ekziston në mes dy vendeve tona është një garanci për independencën dhe lirinë e vendit tonë, marrëveshjet ekonomike që ekzistojnë në mes nesh e kompletojnë këtë aleancë dhe e bëjnë të pa thyeshme. Zhdukja e barrierave doganore, unifikimi i planeve të shteteve tona dhe ndihma konkrete që qeveria jugosllave po i jep vendit tonë për të u mëkëmbur, për t’u rindërtuar, janë bazat e shëndosha dhe siguria e një jete më të mirë për vendin tonë. Ata që s’ia duan të mirën e popullit tonë shpifin gjëra të paqena dhe vjellin vrer duke thënë se “Shqipëria e humbi independencën dhe pavarësinë e saj, duke u lidhur kaq ngushtë me popujt e Jugosllavisë”. Enver Hoxha nga dëshira e madhe për pushtet, si duket nuk ishte në gjendje që ta pranojë këtë të vërtetë edhe pse ishte shumë e hidhur. Kjo u pa me rastin e Korfuzit, kur jugosllavët ngritën barrikada minash në ujërat detar të Shqipërisë në Korfuz. Ku Flota angleze pësoi humbje të mëdha në njerëz, ku u vranë mbi 44 marinarë. Diplomacia shqiptare përjetoi në gjendje tejet kritike. Ndërsa Jugosllavët për qëllime të tyre strategjike në Ballkan, kërkonin që Shqipëria të sulmonte flotën angleze.V.Xh). Kjo situatë u rëndua edhe më shumë me rastin shpërthimit të dy anijeve luftarake të Anglisë në gjirin e Korfuzit më 22 tetor 1946. Në këtë incident të eksplodimit të minave nëndetësore, mbetën të vrarë një oficer e 43 marinarë anglezë, kurse 3 oficerë e 39 marinarë të tjerë u plagosën.

Kreu i komunistëve shqiptarë u dorëzua tërësisht para Titos

Ndërsa Enver Hoxha këtë periudhë të marrëdhënieve shqiptaro-jugosllave deri në vitin 1948, do të deklaroj: “Jo, Shqipëria përkundrazi e siguroi dhe e forcoi independencën dhe pavarësinë e saj duke u lidhur ngushtë me Jugosllavinë e re, në bashkëpunimin e ngushtë dhe në vëllazërimin kaq të sinqertë në mes dy popujve paqedashës, përparimtar dhe fqinj, në mes dy popujsh që kanë marrë fuqinë në duart e veta dhe kanë vendosur në vendet e tyre demokracinë më të shëndosh dhe më përparimtare, atje gjendet kuptimi më i lartë i respektit të të drejtave të njëri-tjetrit, atje merr kuptimin e vërtet respekti i independencës, i lirisë dhe i sovranitetit të popujve”. Dora që i është nderuar kaq sinqerisht popullit shqiptar është dora e Titos, hero i popujve të Jugosllavisë, ndërtues i madh i Jugosllavisë së re. Këtë e di dhe e çmon populli ynë dhe brohorit me gjithë zemër për Titon. Kam dëgjuar të rrahurat e zemrës të popullit shqiptar për Titon, kam dëgjuar gjithashtu ato të popujve të Jugosllavisë për udhëheqësin e tyre të madh me rastin e udhëtimit tim në Jugosllavi dhe mund të them se ato shkojnë paralel. Me rastin e udhëtimit tim në Beograd në qershor 1946, Titoja më priti si shok lufte, si vëlla, ai më foli me zjarr dhe me dashuri për popullin tim. Shprehjet e tij për popullin shqiptar ishin të njëllojta me ato të qindra mijë njerëzish të popullit Jugosllav, që më prisnin në çdo stacion, ku kaloja me rastin e udhëtimit tim në Jugosllavi, ishin të njëllojta me ndjenjat e mëmave të dëshmorëve jugosllav, që më ndalonin dhe më flisnin për vendin tim me atë kujdes, me atë dhembshuri sikundër që flisnin për vendin e tyre. E ardhmja e popujve tanë është e siguruar dhe do ta ndërtojmë me mundim dhe me djersën tonë dhe kjo është e sigurt, pse ekzistojnë të tilla marrëdhënie në mes popujve tanë. Të dy popujt tanë po ecin në rrugën që ata i kanë caktuar vetes dhe që është rruga e bashkëpunimit sa më të ngushtë dhe s’ka forcë që ta pengojë një zhvillim të tillë, shpëtimtar për vendet tona dhe paqësor për të gjithë botën. Populli shqiptar nuk është një popull prej origjine sllave, por një studim serioz i historisë së tij tregon në mënyrë të padiskutueshme se afinitete e mëdha e lidhin me sllavët e jugut. Pozita gjeografike dhe ekonomike, natyra e vendit tonë me traditat dhe zakonet e veta, shpirti liridashës dhe përparimtar, bujaria, karakteri luftarak dhe burrërorë i popullit shqiptar janë aq të ngjashëm me të popujve jugosllav sa që shpjegojnë qartë prirjet e popullit tonë për një vëllazërim dhe bashkëpunim sa më të ngushtë me jugosllavët. Kundër këtyre prirjeve të natyrshme të të dy popujve punuan me zellin më të madh shovinistët e të dy vendeve tona dhe imperialistët shtypës dhe skllavërues. (Enver Hoxha, kërkesat e nacionalizmës shqiptarëve për liri e barazi në Kosovë dhe trojet tjera shqiptare i trajton si shoviniste. Më 5 tetor 1947 Enver Hoxha në Gjirokastër do të deklarojë: “Mendoni shokë dhe shoqe çfarë fati do ta gjente popullin shqiptar të vogël pa Jugosllavinë demokratike dhe mike. Populli i vogël shqiptar nuk do të kishte lirin që ka sot, por do të pësonte ditët e zeza dhe fatin e errët. Kështu duhet çmuar miqësia, vëllazërimi dhe aleanca që na lidhin me Jugosllavinë e Titos. A thua do të mundej vendi i ynë i vogël, i varfër, kur të ishte i rrethuar me shtetet siç është Greqia të mbrojë frytet e gjakut të derdhur në luftë për vendosjen e rregullimit të tij të sotshëm demokratik, një ndër më përparimtarët, a do të mundej vendi i ynë të ngrihet në këmbë dhe me nderë dhe në liri të ndërtojë jetën e re? Kjo do të ishte shumë e vështirë, do të ishte e pamundshme. Qe, pse është kaq e shenjt për popullin tonë, miqësia e ngushtë me popujt e Jugosllavisë”. (Vijon)

 

Filed Under: Histori Tagged With: eliminoi, Enver Hoxha, kundershtaret e bashkimit, me Jugosllavine, Prof. Vehbi Xhemaili

NE PRITJE TE GODOSE(EVROPES)

February 7, 2014 by dgreca

Nga Ervin SHKULAKU/ Gazetar ne Turqi/

Ka pothuajse një muaj që lexojmë në mediat shqiptare, lajmet më të këqija të viteve të fundit. Çdo ditë lexojmë akuza për korrupsion të administratës shtetërore, kurthe vdekjeje kundrejt biznesmenëve, vrasës të cilët dolën hapur duke rrëfyer mëkatet e tyre, vrasje në gjakftohtësi, krime në moshë të mitur, protesta të studentëve kundrejt dekanëve të politizuar, vrasje të shqiptarëve në Maqedoni, shqiptarë të cilët kanë marrë pjesë në luftën në Siri dhe të cilët po vriten çdo ditë edhe më shumë.
Kjo periudhë për shqiptarët do të shkruhet një periudhë e zezë në histori. Politika shqiptare në republikat përkatëse po tregohet e dobët kundrejt krimit. Këto pasoja ndodhin për shkak të politizimit të vazhdueshëm të institucioneve. Problemi i korrupsionit nuk do i lejojë shtetet shqiptare që të ngrihen nga ana ekonomike. Korrupsioni është kanceri i një shteti. Mund të marrim shembull edhe raportin antikorrupsion në Bashkimin Evropian dhe shohim që shtetet me nivelin më të madh të korrupsionit janë Greqia, Italia dhe Spanja. Edhe ky raport tregon realitetin, sepse sot kemi një Greqi në krizë të thellë ekonomike dhe një Itali e Spanjë të ngujuar nga ana ekonomike.
Kjo për shqiptarët nuk përbën risi, sepse fatkeqësisht shtetet shqiptare kanë dekada që nuk po e rrënosin fenomenin e korrupsionit. Atëherë meqenëse kaluan vite dhe gjendja nuk ndryshoi, duhet urgjentisht të merren masa. Sektori i parë që duhet të ndryshoje është sistemi i edukimit. Mësimi është një element i rëndësishëm në formimin e karakterit të njeriut. Prandaj duhet të përgatitet nga qeveritë një projekt për “riformimin e mësuesve” sepse në bazë të sondazheve, mësuesit nuk janë të interesuar në formimin e studentëve. Gjithashtu, në këtë sektor politika duhet të ndalojë ndikimin e saj. Skandali me tezat e diplomave false të profesorëve në Kosovë është një dukuri trishtuese.  Ky lajm e shton edhe një njollë në historinë e shqiptarëve.  Në Republikën e Shqipërisë çdo ditë po dalin në dritë njollat e zeza të sistemit të kaluar. Ish-zyrtarët, të frikësuar po mundohen me të gjitha mjetet që të fshehin gjurmët e tyre të pista të korrupsionit. Biznesmenët e korruptuar po goditen nga qeveria e re, por nëse kjo goditje është politike, atëherë po ndryshojnë vetëm trupat. Por dukuria më urgjente është niveli i lartë i krimit në Shqipëri. Me ardhjen e tranzicionit, shteti shqiptar u fut në një krizë që pavarësisht se kaluan 23 vjet, akoma nuk po e kapërcen. Shpërndarja e pasurisë në mënyrë të pabarabartë, ftohja e lidhjeve fisnore, varfëria ekstreme po ndikon në psikologjinë e njerëzve, të cilët edhe për problemet sporadike përfundojnë me dhunë të tmerrshme.  Ndërsa shqiptarët në Maqedoni fatkeqësisht vazhdojnë duke mos i pasur të drejtat e tyre, që i fituan në Marrëveshjen e Ohrit. Edhe këtu partitë shqiptare tregojnë dobësi në politikë.  Sot në Ballkan ka 2 shtete shqiptare dhe një shtet të bashkëqeverisur me shqiptarët, por përsëri vazhdojnë të jenë shtete të varfra. Strategjia politike shqiptare u tregua humbëse dhe i zhgënjeu votuesit e saj.

Prandaj kjo politikë duhet të ndryshojë strategjinë dhe t’i japë më shumë të drejtë pjesëmarrjeje rinisë shqiptare. Kemi vite që po presim “Godonë” dhe nëse gjendja nuk ndryshon, do rrimë në pritje edhe për qindra vjet. Godoja (Evropa) nuk vjen te ne, por ne duhet të shkojmë pranë saj dhe pse jo ta udhëheqim ne atë.

 

Filed Under: Opinion Tagged With: Ervin Shkulaku, Evropes, ne pritje te Godose

PERGJIGJA E KRYETARIT TE VATRES PER PROTESTEN E STUDENTEVE TE PRISHTINES

February 7, 2014 by dgreca

I dashtun Getoar,/

letrën tande e kam lexue me kujdes (nga mosha po lejohem me t’u drejtue në veten e parë). Ndiej kënaqsi që ti, student në pragun e doktorimit këtu në Amerikë, interesohesh për kolegët studenta në vendlindje dhe solidarizohesh me ta për ankesat dhe nevojat që kanë./

Logjikisht, mendimi dhe dëshira e jonë janë që studentat të gëzojnë trajtimin e drejtë dhe përkujdesjen e entevet arsimore, qofshin ato shkolla fillore, të mesme apo universitete, tue pasë parasyshë nevojën jetike të nji kombi për edukimin dhe rritjen e gjeneratave të reja në frymë të shëndoshë të drejtësisë dhe të dashunisë për vendin dhe për fisin arbnor. Ardhmënija mëvaret tek gjeneratat e reja, prandej çfarë kombi do të jemi nesër, mëvaret se çfarë gjeneratash përgatisim sot. Nga kjo kuptohet randësia e jashtëzakoshme e kualitetit të atyne që i edukojnë studentat dhe të atyne që i administrojnë.

E çmoj kërkesen tande që Vatra t’u dali krah studentave të Universitetit të Prishtinës, edhe si dëshmi e besimit që ke në këtë organizatë kombëtare, por, mundësitë dhe mënyrënat tona për t’u dal zot, janë të kufizueme. Besoj se mënyra ma praktike, si fillim, asht publikimi i letrës s’ate, ku përshkruhet mjaft mirë gjendja shqetësuese në Universitetin “Hasah Prishtina”, si dhe nevojat e kërkesat e studentavet. Prandej letrën do t’ia dërgoj Editorit të gazetës “Dielli”, bashkë me përgjegjen time, ku do të pasqyroj, shkurtimisht, disa mendime të mijat dhe të bashkëpuntorëve të mij.

E pëlqejmë rrugën e Grupit të Pavarun të Studentave për protesta paqësore, pse violenca nuk ka vend në universitet dhe asht e damshme kudo.  Mënyra paqësore asht arma ma e fuqishme për fitoren e studentavet në kërkesat e tyne, kurse violenca asht rruga e deshtimit.

E mbështesim edhe na mendimin se politika partiake duhet t’i rrijë larg Universitetit dhe institucionevet arsimore në përgjithësi, por si klasa politike, ashtu edhe institucionet shtetnore, qeveritare dhe shoqnore, duhet t’u qasen shqetsimeve të studentavet me interes të përbashkët dhe bashkarisht  t’i  shqyrtojnë kërkesat e tyne me seriozitetin ma të madh, për të gjetë nji zgjidhje të drejtë, para se protestat të dalin jashtë ambjentit universitar.

Asht fakt i njoftun se protestat e studentavet universitarë, zakonisht, janë shej pakënaqsishë ma të gjana, të cilat vëlojnë në shoqninë civile, por studentat janë të parët që fillojnë me reague. Problemet që shkaktojnë pakënaqsina në shoqninë civile të Kosovës nuk janë të pakta dhe origjina e tyne ka nji emnues të përbashkët, i quejtun KORRUPSION.

Ky përbindsh shumë i përhapun, në proporcion me nivelet: sa ma nalt, aq ma i madh, i ka nxanë frymën përparimit të shoqnisë kosovare në çdo drejtim, por sidomos pengesa e përmirësimit ekonomik ka shkaktue vorfni dhe pakënaqsi të madhe, deri në dëshprim!

Klasa politike nuk mund të rrijë indiferente ndaj gjendjes së tillë. Nuk të vrasin vetëm veshët, por të therin edhe zemrën, klithmat jo të rralla të deshprimit: ”Jena kanë ma mirë nën Serbi!”

Uroj që konflikti mes studentave dhe administratës së Universitetit të Prishtinës të zgjidhet me urgjencë, në mënyrë të drejtë dhe paqësore, para se trazimet të marrin përmasa ma të gjana.

Paqa dhe drejtësia janë borxh i gjakut që u derdh për lirinë, të cilën duhet t’a gëzojnë të gjithë.

Uroj, i dashtun Getoar, që ti edhe na të gjithë, të gëzohemi së shpejti me lajme të mira nga Universiteti që mban emnin e Hasan Prishtinës, njenit nga patriotët ma të kulluet të Rilindjes, i cili, për lirinë e vendit dhe të popullit të vet, sakrifikoi gjithëçka pat, ma në fund edhe jetën.

Të fala të përzemërta,

Gjon Buçaj

6 shkurt 2014         

 

Filed Under: Komunitet Tagged With: dr. Gjon Bucaj, per Getoar Mjeku, Pergjigja e Kryetarit te Vatres

JU LUTEM, DILNI NE KRAH TE STUDENTEVE TE UNIVERSITETIT TE PRISHTINES!

February 7, 2014 by dgreca

Getoar Mjeku i shkruan Kryetarit të VATRËS/

I nderuem Dr. Buçaj;

Po ju shkruaj me nji kërkesë të veçantë për Federatën Vatra, tue ju lutë që t’i dilni krah studentëve të Kosovës.  Kujtoj se jeni në dijeni se studentët e Universitetit të Prishtinës ka ditë që po protestojnë kundër korrupsionit dhe ndikimit politik në kët institucion arsimor, tue kërkue dhe dorëheqjen e rektorit.  Rektori Ibrahim Gashi ka botue disa shkrime me cilsi të dyshimtë në disa revista indiane, që hiqen si botime shkencore por pranojnë çfarëdo teksti në këmbim të pagesës.

Protestat deri tash i ka organizue nji tubim joformal të rijsh, i shquem si Grup i Pavarur i Studentëve.  Siç ma bajnë të ditun krenët e tij, grupi asht jopolitik dhe po kërkon larigmin e politikës nga universiteti.  Ata më thonë se deri tani nuk e kanë pasë të lehtë me i organizue protestat.  Nji përqindje e vogël e studentave po merr pjesë, organizatat studentore nuk po arrijnë me folë e veprue njizani, ndërsa protestuesit po hasin në mospajtime edhe rreth mënyrës së protestimit.

Drejtuesit e Grupit të Pavarur të Studentëve më lajmërojnë se po kambëngulin për protesta të vazhdueshme por gjithherë paqsore, tue iu shmangë veprimeve radikale që mund të nxisin dhunë.  Kët javë, policët përdorën forcën dhe arrestuan disa protestues për ta shpërnda turmën, që kishte bllokue hymjen e godinës së rektoratit.  Ndërkohë që veprimi i policisë ishte i shëmtuem, vetë studentët mund ta kenë shmangë ate.

Në protestë janë dallue disa organizata studentore që kanë shprehë në mënyra të veçanta mllefin për gjendjen e universitetit.  Grupi “Studim, Kritikë, Veprim” (SKV), forum studentor i Lëvizjes Vetëvendosje, asht angazhue fuqishëm, ndonse tue parapëlqye nji qasje që e ka shqetsue Grupin e Pavarur të Studentëve.  Këta të mbramët druajnë se përpjekjet e studentëve mund të politizohen dhe ta humbin fuqinë.

Personalisht nuk kam ndonji interes n’afirmimin e Grupit të Pavarur të Studentëve.  Por jam i shqetsuem me gjendjen e randë në të cilën ndodhet Universiteti i Prishtinës “Hasan Prishtina”.  Korrupsioni, ndikimi politik, pandershmënia akademike, ndamja e titujve shkencorë për punime të dyshimta, shkeljet ligjore e morale dhe trajtimi i padenjë i studentëve duhet të marrin fund.  Megjithate, studentët dhe shoqnia kosovare duhet të flasë njizani dhe të punojë e bashkueme për ta kthye universitetin aty ku e ka vendin.

Fatkeqsisht, uniteti i duhun mungon.  Deri më tash vetëm Lëvizja Vetëvendosje (LVV) – grupi SKV por edhe antarë ma të naltë, përfshi pegagogë të respektuem universiteti – asht angazhue mjaftueshëm për të kërkue përmirësimin e gjendjes në ngrehinën ma të randësishme të dijes në Kosovë.  Por LVV, e aq ma pak krahu i saj studentor SKV, nuk janë në gjendje të fitojnë të vetme.  Edhe sikur të mos ishin me vend shqetsimet për mënyrat e protestimit, fakti se ka vetëm nji subjekt politik t’angazhuem në kët çashtje po e politizon ate padrejtësisht.

Studentët jopolitikë po ngurrojnë të veprojnë për ndryshimet që padyshim se i duan.  Protestat në nji mënyrë po rrezikojnë të duken si përpjekje e nji grupi për pushtet.  Politika duhet patjetër të rrijë larg lëvizjes së studentave, ndërsa partitë duhet të shprehin mbështetje morale pa ngurrim.  Detyra e politikanëve asht të flasin në të mirë të studentëve, tue mos imponue kurrsesi agjenda të ngushta partiake.

Prandej, po ju lus që me udhëheqjen e Federatës Vatra ta shqyrtoni mundësinë për të reague në mbrojtje të studentëve dhe të bani thirrje për bashkëpunim dhe për nji universitet të pastër e të ndamë prej politike.  Posaçërisht, si bashkatdhetarë nga Shtetet e Bashkueme duhet ta theksojmë përkushtimin që amerikanët kanë ndaj integritetit e ndershmënisë akademike dhe ndaj arsimit si shtyllë e zhvillimit të shoqnisë.

Ju falënderoj paraprakisht për ndihmesën. Mirënjohjen ma të madhe, shpresoj, do t’jua shprehin brezat që vijnë.

Çiltërsisht,

Getoar Mjeku

Candidate for Juris Doctor 2014
SMU Dedman School of Law

Filed Under: Komunitet Tagged With: dr. Gjon Bucaj, Getoar Mjeku, leter, lryetarit te Vatres

Dr. Anna Kohen, a Jewish daughter of Albania is recognized by Albania’s Head of State in Washington DC.

February 7, 2014 by dgreca

In one of the conference rooms at the American Jewish Committee (AJC) in Washington Mr. Bujar Nishani, President of Albania awarded Mrs. Joanna Neumann and Dr. Anna Kohen the medal of Recognition for Civil Merits.

President Nishani was accompanied by Mr. Gilbert Galanxhi, Ambassador of the Republic of Albania to the USA. Among the distinguished guests at the ceremony were Mr. Enver Hoxhaj, Kosova’s Foreign Affairs Minister and Mr. Akan Ismaili, Kosova’s Ambassador. ACJ’s leadership and many personalities of the Jewish American community were present as well, along with representatives of the Albanian-American Diaspora and the awardees’ family and friends.

The ceremony began with a warm and welcoming introduction by Mr. Jason Isaacson, the AJC’s Director for Government and International relations. Then the audience watched the documentary film “Rescue in Albania”, by director Dardan Islami, a very touching piece, based on survivors’ testimonies, about Jews in Albania and Kosova during World War II.

Mr. Bujar Nishani spoke of the special relationship between the Jewish and the Albanian nation and he elaborated on Albanian hospitality, on the importance of “Besa” and on the value and dignity of human life. He then awarded the medals for Civic Merits to the two outstanding ladies, Mrs. Johanna Neumann and Dr. Anna Kohen.

Several questions were posed to the President, some from the AJC and some from the public, including one by a VATRA member about Israeli policy towards Kosovo. In response to this question, Mr. Nishani graciously shared Albanian’s efforts to lobby on the issue. The President also shared future plans for honoring those Albanians and their families who directly rescued the Jews, in response to a question raised by another VATRA activist. It is a fact that the number of Albanians honored at Yad Vashem as Righteous Among the Nations does not reflect the real figure, which is significantly higher. Dr. Kohen recognized in her accepting speech, for example, the late Mr. Behxhet Reso of Tirana, and the grandfather of Dr. Indrit Reso of Williamsburg, VA. The elder Reso had run an underground network to assist, provide shelter and rescue many Jews of former Yugoslavia in Tirana in 1943-1944, but has yet to be recognized at Yad Vashem.

Mrs. Johanna Neumann, who spent several years in Albania and whose family was protected by the Pilku family, shared her touching testimony. She quoted Talmud by stating that “he who saves one life saves the entire humanity”. Her family spent more than six years in Albania moving from town to village through 17 houses in total. She has four children, 17 grandchildren and 12 great-grandchildren. Their lives are dedicated to the people of Albania who protected and saved Johanna and her family during the Holocaust.

Dr. Anna Kohen, the sweet daughter of Vlora, Albania, the sister of many who know her or have heard about her, the President of the Albanian-American Women’s Organization “Motrat Qiriazi”, was as lovely and cheerful as ever. Surrounded by her family and friends, supported by all who have come to know her, friends from childhood and friends from her professional life, she surely was touched. With a trembling voice, with teary eyes, and with a lot of love and appreciation, she expressed her deepest and overwhelming gratitude to all Albanians. She spoke from the heart, remembering her childhood and her friendships, manifesting her dreams as the realities, inviting Jewish people to visit Albania and invest in Albania. “Dielli” would not miss out on her acceptance speech and is publishing it in full.

The pictures speak for themselves. Dr. Kohen was as caring as always as she asked about everyone’s health, welfare and family. She kindly posed with VATRA members and thanked them all. It was a night to remember! Congratulations to both Mrs. Neumann and Dr. Anna Kohen!

 

 

 

 

Filed Under: Komunitet, Kronike Tagged With: are recognized, Dr. Anna Kohen, Johanna Nruman, ny Albania's President

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 67
  • 68
  • 69
  • 70
  • 71
  • …
  • 84
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Kontributi shumëdimensional i Klerit Katolik dhe i Elitave Shqiptare në Pavarësinë e Shqipërisë 
  • Takimi i përvitshëm i Malësorëve të New Yorkut – Mbrëmje fondmbledhëse për Shoqatën “Malësia e Madhe”
  • Edi Rama, Belinda Balluku, SPAK, kur drejtësia troket, pushteti zbulohet!
  • “Strategjia Trump, ShBA më e fortë, Interesat Amerikane mbi gjithçka”
  • Pse leku shqiptar duket i fortë ndërsa ekonomia ndihet e dobët
  • IMAM ISA HOXHA (1918–2001), NJË JETË NË SHËRBIM TË FESË, DIJES, KULTURËS DHE ÇËSHTJES KOMBËTARE SHQIPTARE
  • UGSH ndan çmimet vjetore për gazetarët shqiptarë dhe për fituesit e konkursit “Vangjush Gambeta”
  • Fjala përshëndetëse e kryetarit të Federatës Vatra Dr. Elmi Berisha për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë në Seancën Akademike kushtuar 100 vjetorit të lindjes së Peter Priftit
  • Shqipëria u bë pjesë e Lidhjes së Kombeve (17 dhjetor 1920)
  • NJЁ SURPRIZЁ XHENTЁLMENЁSH E GJON MILIT   
  • Format jo standarde të pullave në Filatelinë Shqiptare
  • Avokati i kujt?
  • MËSIMI I GJUHËS SHQIPE SI MJET PËR FORMIMIN E VETEDIJES KOMBËTARE TE SHQIPTARËT  
  • MES KULTURES DHE HIJEVE TE ANTIKULTURES
  • Historia dhe braktisja e Kullës së Elez Murrës – Një apel për të shpëtuar trashëgiminë historike

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT