• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for March 2014

NE FESTAT E MARSIT ME ANAMALASIT

March 11, 2014 by dgreca

Nga Keze Kozeta Zylo/

Shoqata e mirënjohur “Ana e Malit” nderoi dhe festoi me madhështi 7-8 Marsin, Diten e Shenjtë të Mësuesit dhe Ditën Internacionale të Gruas.  Në mjediset e bukura të restorantit Vanderbilt qindra gra pjesëmarrëse në këtë festë erdhën me lule në duar dhe me sytë dritë për të festuar dhe kaluar disa orë të gëzueshme së bashku.  Hapësira me dritaret nga Oqeani që ishte aq i paqtë si një mendafsh blu reflektonte mahnitshëm në veshjet gjithë shije të grave të bukura që më së shumti ishin të Anës së Malit, Ulqinit.. dhe gjithë Shqipërisë.  Eleganca e shtruarjes së tavolinave me trëndafila të freskëta ngjyrë rozë dhe lule bore mbi to së bashku me zonjat aromë gruaje tregonte qartë se sa kujdes i kishin shtruar të zotët e shtëpisë së Anes së Malit këtij aktiviteti kaq të rëndësishëm, jo vetëm për shoqatën, por dhe për Diasporën.  Në hyrje të sallës të prisnin ngrohtësisht zonja e parë e shoqatës Naile Kurti dhe Besiana, një studente simpatike. 

Mbrëmjen e ka hapur z.Ismet Kurti kryetar i shoqatës “Ana e Malit” i cili ka përshëndetur plot dashamirësi dhe mirënjohje të gjitha gratë.  Z.Kurti tha se:  Sot nuk është ditë e fjalimeve, por sinqersisht u jam mirënjohës dhe falënderues për pjesemarrjen tuaj, angazhimin tuaj, dhe çmoj lart kontributin që ju të nderuara nëna dhuroni për ruajtjen dhe edukimin e familjeve tona këtu në mërgim.  Sot dhe gjithnjë ne duhet të reflektojmë mbi kontributin e gruas në të kaluaren dhe inkurajojmë gratë e reja që të shfrytëzojnë potencialin e tyre për të frymëzuar një të ardhme më të mirë.

Më lejoni që për angazhimin e tyre dhe organizimin e këtij manifestimi të falënderoj arkëtaren e Shoqatës zonjën Mina Salaj anëtaren e bordit zonjën Suada Ceka dhe Zonjën e parë të Shoqatës Naile Kurti.

Shoqata jonë “Ana e Malit” është një ndër shoqatat më aktive në komunitetin tonë e këtë e kemi arritur fal edhe angazhimit që ju bëni në  çdo sferë të jetës e kjo po dëshmohet edhe sot me pjesëmarrjen tuaj.

Më vjen mirë të shoh gra të fuqishme nga çdo fushë të jetës ne mesin tonë. Ne e kemi parë fuqinë transformuese që gratë posedojnë dhe kontributin që ato kanë dhënë dhe mund të japin sa herë që bëhen pjesë aktive e shoqërisë.  Kemi parë se investimi për gruan, nuk është vetëm investim në një individ, por është investim dhe në të ardhmen e fëmijëve tanë.  Sot Shoqata “Ana e Malit” shpreh mirënjohje për të gjitha gratë shqiptare, por në veçanti do të dallojmë disa nga ju për kontributin e tyre në shoqëri dhe shpresojmë që arritjet e tyre të frymëzojnë gjeneratat e reja që të arrijne potencialin e tyre.

Një mirënjohje të veçante u japim mësuesëve të shkollës shqipe këtu në State Island, Brooklyn dhe në Bronx për punën e tyre të shkëlqyer që po bëjnë me fëmijët tanë për të ruajtuar gjuhën tonë të bukur shqipe dhe vogëlushëve tanë po ua mësojnë kulturën, historinë dhe traditatat tona të bukura shqiptare.  Qofshi gjithnjë të lumtura në jetë!  Urime 7-8 Marsin dhe ju dëshiroj argëtim të kandshëm!

Pas fjales se tij z.Kurti ka ftuar znj.Etrita Ibroci një aktiviste e mirënjohur e komunitetit e cila ndër të tjera tha:  Në këto festa të bukura ne nderojmë gratë këtu dhe të gjitha gratë në botë ku punojnë me devotshmëri, përkushtim, pasion dhe dashuri duke frymëzuar miliona gra në botë.  Si një forcë e madhe gratë shqiptare mund të përmirësojnë shumë gjëra në botë.  Ne kemi shembuj si Elena Gjika (Dora D’Istria), Nënë Tereza dhe së fundi Rita Ora që tregojnë se sa shumë një person mund të arrijë.  Si komunitet ne kemi nevojë të suportojmë gratë tona dhe t’i inkurajojmë të rejat të vazhdojnë edukimin më lart.

 

Përshëndetja e Kongresistit Amerikan z.Michael Grimm dhe Asambleistit të shtetit të Nju Jorkut z.Mark Gjonaj

 

Mes duartrokitjesh është pritur kongresisti amerikan z.Michael Gerard Grimm për Staten Island dhe Brooklyn, New York i shoqëruar nga z.Ismet Kurti dhe Marko Kepi president i organizatës “Rrënjët” i cili bashkëpunoi për këtë aktivitet të rëndësishëm.  Kongresisti amerikan është zgjedhur për të dytën herë në Kongresin Amerikan dhe është anëtar i partisë republikane amerikane.  Ai përshëndeti të gjitha gratë, kryetarin e shoqatës z.Ismet Kurti dhe çmoi punën e shoqatës Ana e Malit dhe të gjithë diasporës shqiptare për kontributin që po japin.  Shqiptarët janë njerëz shumë punëtorë dhe çmojnë lirinë, Amerikën dhe e duan shumë vendin nga kanë ardhur.  Unë kam takuar kryeministrin e Shqipërisë, z.Edi Rama, të Kosovës HashimThaci si dhe shumë përfaqësues nga të gjitha trevat shqiptare dhe jam informuar mirë për Shqipërinë.  Kongresisti amerikan foli shkurt dhe tha gjithcka.  Ajo që më ka bërë përshtypje në përgjithësi tek politikanët amerikanë është se nuk përdorin fjalor vulgar që e sheh rëndom tek politikanët tanë, por me mëncuri dhe dipllomaci i ftoi të gjitha gratë dhe shqiptarët që të marrin pjesë në votime.  Nuk ka rëndësi në se votoni për mua apo dikë tjetër, e rëndësishme është që të votoni për vehten dhe pikëpamjet tuaja.  Duke dëgjuar me vëmendje kongresistin amerikan kujtova se sa e sa shqiptarë në Amerike e neglizhojnë votimin, regjistrimin dhe për rrjedhoje mosvotimi dhe mosregjistrimi nuk është pa pasoja.  Kongresisti amerikan lirshëm dhe me humor tha se jam dhe beqar kështuqë pse jo mund të më bjerë fati me ndonjë nikoqire dhe grua shqiptare, për të cilat kam dëgjuar fjalë aq të mira.  Fjala e kongresistit amerikan u ndërpre disa herë nga duartrokitjet.

Pas Kongresistit amerikan z.Michael Grimm fjalën e ka marrë asambleisti i shtetit të Nju Jorkut z.Mark Gjonaj, shqiptari i parë i zgjedhur në këtë detyrë kaq të rëndësishme.  Z.Mark Gjonaj të befason me vëmendjen e tij dhe kujdesin që tregon për të gjitha organizatat në aktivitete të ndryshme.  Z.Gjonaj është një politikan plot perspektive dhe në se vazhdon me këtë temp, pohoj me plot gojën se e ka të sigurtë përsëri fitoren, pse jo dhe në shtëpinë e Bardhë.  Ardhja e z.Gjonaj në çdo aktivitet bashkon Diasporën dhe sjell frymë të re.  Z.Gjonaj përshëndeti të gjitha gratë pjesëmarrëse dhe me humor solli një episod nga familja e tij.  Ne vazhdoi Gjonaj duhet t’i respektojmë gratë në maksimum për kontributin e tyre, kujdesin mëmësor karshi fëmijëve, edukimin e gjithanshëm që u bëjnë fëmijeve të tyre dhe kudo.  Ato janë pasuri e paçmuar botërore.  Ishte interesante t’i shikoje dy politikanë anëtarë të partive të ndryshme dhe të respektonin dhe të cmonin njeri-tjetrin aq shumë.  Të dy së bashku, Grimm dhe Gjonaj shkuan kokë më kokë dhe takuan gratë, por jo vetëm kaq por dhe komunikuan fare thjesht me to.

Fotografët fiksonin momente të takimit të tyre me gratë.

 

Dr.Zylo Watkins, Emmie Salaj dhe Haxhire Redzovic u vlerësuan me çmime mirënjohjeje

 

Zonjusha Salije Rexha me plot profesionalizëm prezantoi zonjat para pjesëmarrësve të cilat ishin përzgjedhur nga Shoqata për t’i vlerësuar për kontributin e tyre.  Ajo lexoi një biografi të shkurter për punën e secilës, të cilën e filloi me Dr.Zylo Watkins e cila ka lindur në Tiranë dhe ka 20 vjet në Amerikë. Ka mbrojtur doktoraturën nga PennStateUniversity për letersi dhe gjuhën spanjisht.  Dr.Zylo Watkins ka dhjetë vjet që jep mësim në Universitet duke filluar me PennState, KeanUniversity, Montclair dhe së fundi është në College of Staten Island.  Përvec kësaj ajo ka një kontribut të vyer për Shkollat Shqipe në Staten Island dhe Brooklyn dhe ka përgatitur mjaft materiale për aktivitete të ndryshme si me 7 Marsin, festën e abetares, etj.  Ka bashkëpunuar dhe ka prezantuar mjaft aktivitete të rëndësishme si për festën e Pavarësisë së Shqipërisë, për çështjen e Pavarësisë së Kosovës në simpoziumin që është organizuar në BramsonORT College në Brooklyn, ku folësi kryesor ishte kongresisti amerikan Joe Di Guardi.  Ajo është vlerësuar me çertifikatë mirënjohje në Ditën e Mësuesit nga shoqata “Dibra” dhe është e fokusuar t’ju mësojë në shkollë gjuhën shqipe fëmijëve të komunitetit shqiptar që janë lindur dhe rritur në Diasporë.

Prezantimi ka vazhduar me znj.Emmie Salaj e cila punon në një korporatë lluksoze Bulgari Coorporation në Amerikë si zv/presidente e saj në Ameriken e Veriut.  Ka Master në studimin profesional në kozmetikë, marketing nga Instituti i modës dhe teknologjisë.  Ajo është në këtë kompani nga viti 2012.  Më parë ka qenë zv/presidente e marketingut për Ralf Lauren, një divizion i L’Oreal USA.  Ajo ka arritur shumë suksese në inisiativa të ndryshme si në World Polo dhe Big Pony Collegiate Tour.  Ka qenë menaxhere në disa vende dhe njëkohësisht ajo është një vizionare dhe lidere frymëzuese e kompanive ku jep vetëm rezultat.

Ajo ka vazhduar studimet e mëtejshme në Angli, Francë, Kinë dhe Tokio.  Gjithashtu ka diplomën në Anglisht dhe komunikim nga BaruchCollege.

Ajo është një anëtare aktiviste e grave ekzekutive të kozmetikës dhe është në Bordin e produkteve të kujdesit personal.

Eshtë e specializuar në kozmetikë, kujdesin e lëkurës, në media marketing, në reklama të ndryshme, në produkte e mjaft të tjera.

Ka përfunduar me zonjën Haxhire Redzovic.  Në vitet e kaluara znj.Redzovic ka ndarë historinë personale në websitin: afterall-this.com e cila qëndron për rrugët pafund të jetës përmes shpresës, frymëzimit dhe suportit.

Ajo është një grua e afirmuar.  Ka përfunduar studimet për kompjuter në BaruchCollege ku 20 vjet më parë ishte e dominuar nga burra.  Ajo ka punuar për 8 vjet në Wall Street.  Ajo filloi si instruktore e teknologjisë dhe shumë shpejt filloi menagere dhe drejtore e Wachovia Securities.  Znj. Salaj jep mësim çdo të dielë, leksione të vallëzimit dhe të këngës, rekordon episode të shfaqjes së gatimit dhe paraqitet në dokumentarët komercialë në Broadway, punon pas skenës në javën e modës së New Yorkut dhe ndryshon stilin sa më shumë të jetë e mundur.  Në 2003 ajo humbi binjakët dhe ka pasur probleme me shëndetin.  Ka qenë dy muaj në reaminacion me veshka pa funksion dhe mushkëri të sëmura, ka bërë transfuzion gjaku dhe dializë, humbi shikimin, ra në koma, dhe më vonë mësoi të ecte përsëri.  Vetëm 20% kishte shpresa shpëtimi nga doktorët.  Ajo i surprizoi doktorët, familjarët me luftën e saj dhe pozitivitetin absolut.  Në vitin 2006 ajo pati një vdekje tragjike të motrës së saj dhe të kunatit.  Ishe shumë vështirë për çdo njeri, por ajo luftoi dhe i mbajti njerëzit me shpirt dhe moral të lartë.  Ajo ka 10 vjet që punon për komunitetin, ajo mëson të rinjtë dhe frymëzon për të ecur më tej.  Të gjithë e dini që është Haxhireja tha zonjusha simpatike Rexha, por unë preferoj ta quaj mami.

 

Zonjat e vlerësuara janë përshëndetur nga Kongresisti Amerikan z.Grimm dhe asambleisti z.Mark Gjonaj.

Aktiviteti është filmuar nga Amir Suka dhe Qemal Zylo per TV Alba Life.

Pjesëmarrësit janë argëtuar nën tingujt e D.J. me drejtues z.Adriatik Çobaj.

Ishte një aktivitet tepër mbresëlënës, realizuar plot kulturë dhe elegancë, që do të mbahet mend gjatë në kujtesën e tyre.

 

9 Mars, 2014

Staten Island, New York

 

 

 

 

 

 

 

Filed Under: Komunitet Tagged With: 7-8 Marsin, Kozeta Zylo, madhështi, Shoqata e mirënjohur "Ana e Malit" nderoi dhe festoi me

Dita e verës, festime në Tiranë

March 10, 2014 by dgreca

14 marsi, Dita e Verës, një feste popullore, i rikthen kryeqytetit festimet . Ministria e Kulturës, Ministria e Mirëqënies Sociale dhe Rinisë, Ministria e Zhvillimit Urban dhe Turizmit, në bashkëpunim me bizneset kanë hartuar një kalendar të pasur veprimtarish në Ditën e Verës.

Në bashkëpunim me institucionet artistike, bizneset, etj, Tirana do të krijojë disa sheshe, lulishte dhe kënde arti, ku qytetarët e Tiranës do të kenë rastin të ndjekin përgjatë ditës aktivitete të ndryshme për të gjitha grupmoshat.  Veprimtari të ndryshme artistike do të organizohen nga Ansambli i Këngëve dhe Valleve Popullore, Cirku Kombëtar i Tiranës, Teatri Kombëtar i Kukullave, Orkestra Rinore, Liceu Artistik “Jordan Misja”, grupet e muzikës alternative, këngëtarët e muzikës popullore, etj.

Në ambientin përpara Galerisë Kombëtare do të kompozohet “Qyteti i Artit”, i rrethuar me piktura të nxënësve të shkollave të ndryshme të kryeqytetit dhe me koncert harqesh nga Orkestra Rinore e nxënësve  të Liceut Artistik  “Jordan Misja”, pa harruar edhe parakalimin përgjatë  bulevardit të arlekinëve dhe këmbajkave  të Cirkut.
Festimet në Ditën e Verës do të nisin në orën 10.00-14.00.

 

Filed Under: Featured Tagged With: Dita e Veres, do te efstohet, ne Tirane

Kronike nga Kuvendi- Topalli: Qytetarët nuk ndihen më të sigurtë

March 10, 2014 by dgreca

*Interpelanca me Kryeministrin Edi Rama/

*Rama-Topallit:Po deformoni dhe fabrikoni shifrat e kriminalitetit!/

-Punimet e Kuvendit vijuan te henen me interpalancën e Kryeministrit Edi Rama në lidhje me sigurinë dhe rendin në vend, të thirrur nga deputetja e PD-së, Jozefina Topalli.

Sipas Topallit kjo interpelancë  vjen në një kohë kur në vend janë rritur rastet e shpërthimit me tritol ndërsa akuzoi qeverinë se ka dështuar për të vendosur ligjin dhe sigurinë në vend.

Topalli deklaroi se qytetarët nuk ndihen më të sigurtë, ndërsa bëri një bilanc të krimeve të ndodhura kohëve të fundit.

Në vijim ajo tha se vetëm një herë në parlament, Kryeministri ka folur për rendin, ndërsa shtoi se bilanci i krimeve është tragjik.

“A mund ta masësh me përqindje suksesin për vrasjet, po kur fëmija vritet në shkollë, a mendoni për nënën e fëmijës? A mund të thoni në këtë pasiguri se nuk keni asnjë dështim, në një kohë kur shoqëria është e kërcënuar nga revanshi i drogës, krimit dhe mafias. A nuk ishit ju zoti Kryeminsitër që sollët modelin e tritolit, kur kryenit shpërthime me C4”, tha Topalli.

Deputetja opozitare theksoi se më e rënda ishte përdorimi i dhunës mbi shoferët e furgonave, duke shkelur kësisoj ligjin.

Po ashtu, ajo theksoi se Kryeministri mund të mohojë çdo gjë por e vërteta është aty. “Vetëm sot tritol, dje dy herë tritol, dje dy të tvrarë, unë ju pres t’iu dëgjoj”, mbylli fjalën e saj Topalli.

 Rama-Topallit: Po deformoni dhe fabrikoni shifrat e kriminalitetit

Kryeministri Edi Rama në interpelancën e kërkuar nga deputetja e Partisë Demokratike, Jozefina Topalli, mbi situatën e rendit dhe sigurisë në vend, akuzoi opozitën se po luan në mënyrë makabre me shifrat e kriminalitetit, duke shtrembëruar faktet.

Duke krahasuar periudhën e mes shtatorit 2013 – fund shkurtit 2014, me të njëjtën periudhë të një viti më parë, bazuar në shifrat zyrtare, Rama tha se “kemi ulur me një të tretën numrin e vrasjeve dhe të viktimave”.

Ai tha se opozita sot nuk ka moral të gjykojë punën e kësaj qeverie, kur u largua nga qeveria duke lënë këtë vend në mëshirën e pasigurisë totale, policinë e shtetit me moshën më të vjetër të mesatares në rajon dhe Europë, të rrënuar, të demotivuar, të tkurrur në numrin më të ulët për frymë popullsie në rajon dhe Europë”.

Nga foltorja e Kuvendit, Kryeminisri tha se ndërsa opozita po bën politikën e krimit, qeveria po rilind Policinë e Shtetit, ku veçoi si arritje, stimulin më të madh financiar të 20 viteve të fundit, siç e cilësoi ai, përmes rritjes së rrogave dhe taksimit të ndershëm.

Sipas tij, policia nën drejtimin e qeverisë së kaluar, ishte me nivelin më të ulët të arsimimit në rajon e më gjerë. “E latë policinë me mbi 70% të trupës me arsim të mesëm, shifër marramendëse që nuk gjendet as e përafërt në rajon dhe Europë. Policia e Shtetit për ju ishte shumë më tepër një mundësi për asistencë sociale për të papunët e pashkolluar, se sa forca e shtetit në mbrojtjen e rendit dhe sigurisë publike”, iu drejtua Rama opozitës në sallën e Kuvendit.

Kryeministri tha se, “sulmi i opozitës ndaj policisë së shtetit, nëpërmjet dizinformimit, është një sipërmarrje për prishjen e imazhit të policisë dhe qeverisë shqiptare në Europë dhe botë.

“Kjo sjellje nuk dëmton qeverinë, çka është dhe qëllimi i opozitës, por dëmton vendin dhe vet opozitën” tha Rama duke shtuar se “shumica ka një mision dhe mandat shumë të qartë: të bëjë shtet dhe të ndryshojë Shqipërinë”. “Nuk jemi as të përsosur dhe as të pagabueshëm, por të vetëdijshëm dhe të përgjegjshëm para njerëzve të këtij vendi”, theksoi Rama, ndërsa premtoi se, “pas 6 muajsh të tjera fakte dhe shifra në rend dhe ekonomi do të flasin shumë më fort dhe pse e latë vendin në kushte të vështira”.

Akuzës së opozitës për shkarkime dhe emërime të kundraligjshme në radhët e policisë, kreu i Qeverisë iu përgjigj me gjuhën e shifrave.

“Po propagandoni në Europë sikur po largohen dhe emërohen padrejtësisht mijëra punonjës në radhët e policisë, por faktet dhe shifrat flasin ndryshe”, tha ai duke cilesuar se , “nga mesi i shtatorit 2013 deri në fund të shkurti 2014, janë liruar 378 punonjës policia, në një kohë kur nga shtatori 2005 deri në 2006, kur morët qeverinë, ju larguat nga policia 1003 punonjës policie. Në kohen e  drejtimit tuaj, larguat nga radhët e policisë 3188 punonjës, pa llogaritur katrahurën e lëvizjeve brenda përbrenda strukturës, ku vetëm nga viti 2010- 2013, u lëvizën 9 866 punonjës”, nënvizoi kryeministri  në interpelancën e kërkuar nga deputetja demokrate, Jozefina Topalli.

Maxhoranca miraton me 84 vota ndryshimet në ‘Kodin Penal’ dhe ‘Aministinë’

Kuvendi miratoi të hënën në seancë plenare me 84 vota pro të maxhorancës, dy projektligje të rëndësishme, atë të ndryshimeve në Kodin e Procedurës Penale në Republikën e Shqipërisë, si dhe p/ligjin “Për dhënie amnistie”.

Opozita ndërkohë nuk mori pjesë në votim.

Më herët opozita u largua nga Kuvendi pas gati dy orë debatesh, ku akuzuan kryetarin Ilir Meta për shkelje të rregullores, që kishte të bënte me mos mbledhjen e seancës plenare të enjten e javës së shkuar.

Por, z. Meta shpjegoi se Kuvendi u mblodh në datën 5 mars dhe se p/ligjet e parashikuara për datën 6 mars nuk kishin përfunduar diskutimet në Komisionet Parlamentare.
Pas përfundimit të votimit të dy p/ligjeve që kërkonin shumicë të cilësuar, opozita u rikthye në Kuvend për të vijuar me interpelancën e Kryeministrit, Edi Rama kërkuar nga deputetja e Partisë Demokratike, Jozefina Topalli për rendin dhe sigurinë në vend

 

 

 

Filed Under: Featured Tagged With: Edi Rama, Kronike nga Kuvendi, Topalli

Otranto, 9 mars 1996

March 10, 2014 by dgreca

Në kujtim të 30 dibranëve të humbur mes dallgëve/

9 mars… !

Kjo datë, kjo ditë, nuk figuron në asnjë kalendar as si ditë e bardhë dhe as si ditë e zezë. Është lënë në kornizën e një dite të zakonshme, si të gjitha ditët e tjera të rëndomta të kalendarit të jetës. Kështu e kanë lënë politika dhe politikanët, publicistika dhe publicistët, familjet dhe familjarët. Askush prej tyre, këto TETËMBËDHJETË  vjet, që nga 9 marsi i vitit 1996, nuk është kujtuar dhe nuk kujtohet për të hedhur pak dritë për të çarë pak errësirën e natës së madhe që mbështolli ajo ditë. Një natë që të vë gishtat në sy, nën ujë e mbi ujë…

Natën e 9 marsit të vitit 1996, e premte në të shtunë, tridhjetë dibranë u tretën si kripa në ujë në ngushticën detare të Otrantos në udhëtimin klandestin drejt Italisë…

As mëngjesin e së shtunës, të dielë, të hënës, të martës, të mërkurës…as edhe një lajm, as edhe një germë e shkruar në gazetat e kohës, as edhe një zë në të vetmin televizion e radio të vendit !

Një fonogram nga Vlora në adresë të komisariatit të policisë të Peshkopisë përcillte lajmin e kobshëm se një djalë i ri nga Kllobçishti i Maqellarës, Sulejman Qoku, ishte gjetur në brigjet e Italisë, i mbytur…

Ishte ky “zë në kasafortë” që do të trondiste jo vetëm familjen Qoku por edhe dhjetëra familje të tjera që dinin se me të kishin qenë edhe djemtë e tyre. Kjo bëri që në zyrat e PTT në Peshkopi e Maqellarë të vërshonin burra e gra, nëna e motra me lot në sy në përgjigje të pyetjes “Ku janë djemtë tanë?”…

I kam jetuar dhimbshëm ato momente…

Më 14 mars 1996, e enjte, në një cep në faqen e parë të gazetës “Zëri i Popullit” botohet shkrimi: “Viktima të eksodit” – Një i mbytur në det dhe 30  të tjerë të humbur. Të gjithë nga Maqellara e Dibrës.

Ishte shkrim me firmën time…

Më 15 mars, e premte “Gazeta Shqiptare” boton lajmin mbi humbjen e një skafi ku kanë qenë ”34 vetë nga Dibra” dhe gjetjen në brigjet e Otrantos të kufomës së Sulejman Qokut nga Maqellara.

Më 27 mars, e mërkurë, Televizioni Shqiptar, pas  18 ditë heshtjeje, më në fund bëhet i gjallë. Spikerja njofton thatë se në brigjet e Italisë  është gjetur një kufomë dhe se 29 dibranë të nisur me një skaf më 9 mars  kanë humbur…

Më pas asnjë lajm, asnjë zë, as në gazeta, as në radiotelevizion, as në Kuvend, as nga “e majta” në opozitë, as nga “e djathta” në pushtet, asnjë veprim demokratik – protesta të familjarëve, greva urie…

Shteti dhe partitë politike ishin në ethet e zgjedhjeve të 26 majit 1996. Tragjedia dibrane e 9 marsit 1996 ishte hedhur në koshin e harresës…

 

*        *        *

 

Koha kalon. Deti Jon përsëri ngre dallgë. Vjen 28 marsi i vitit 1997. Vjen tragjedia e madhe ku “kateri i radhës” goditet nga “Sibila” dhe Otrantoja merr në gjirin e vet të errët shtatëdhjetë e ca jetë njerëzish, burra e gra, fëmijë që ende nuk kishin hedhur hapin e parë mbi tokë…

Kohët kishin ndryshuar. Zërat në kërkim  të njerëzve formuan dallgë të mëdha, dallgë që kurrë, as atëherë dhe as sot e kësaj dite, nuk janë qetësuar…

…Më 28 mars, çdo vit, në gjirin e Vlorës dhe në det të hapur, nëna e nuse shamizeza u hedhin valëve lule të pranverës, të asaj pranvere që ata e lan pas  në kërkim të një pranvere në vende të tjera…

… 9 janar 2004. Përsëri Otrantoja merr jetë njerëzish, kësaj radhe 28 vetë, 27 prej të cilëve shkodranë…
Nuk po zgjatem në përshkrim të “varrezës” gjigante të Otrantos, varrezë pa varre. Po kthehem tek “Tragjedia dibrane”…

Më 15 janar 2004 ministri i rendit Toska, duke bërë një përmbledhje të viktimave që humbën në valët e detit për herë të parë deklaron publikisht në Kuvend: “Do të isha i padrejtë të mos përmendja edhe tragjedinë  e 30 dibranëve më 9 mars 1996 që u mbytën; askush nuk tentoi t’i shpëtonte dhe mizorisht fakti iu fsheh publikut dhe familjeve të tyre!”

Më 29 mars 2005 (sipas shtypit) ministri Toska bën një vizitë në familjen e Abdulla Hakores në Brezhdan i cili  humbi djalin në këtë ngjarje tragjike. Ndërsa u ka dhënë familjarëve lajmin e hidhur ka qenë i pari që i ka ngushëlluar sipas zakoneve të vendit. Ministri Toska ka premtuar në emër të qeverisë se do të shihen të gjitha mundësitë për të ndihmuar financiarisht fëmijët e viktimave…(!)

Në një letër të hapur në adresë të ministrit Toska më 2 prill 2005 shkruaja:
Ju i nderuar Ministër thoni:
“Nga kontrolli i dokumenteve përkatës rezultoi se në vitin 1996 Policia Italiane ka njoftuar Policinë e Vlorës për gjetjen e dy kufomave me emrat  Sulejman Qoku dhe Petrit Qoku nga fshati Kllobçisht i Maqellarës dhe më pas edhe katër kufoma të tjera të cilat nuk mund të identifikoheshin për shkak të dekompozimit” (!)

Unë, në atë kohë, kam pas mësuar për gjetjen e kufomës vetëm të njërit, të S. Qokut që deputeti i PD-së, njeri i afërt i tij, Agron Qoku shkoi dhe e njohu vetë dhe e solli në Kllobçisht ku ka edhe sot e kësaj dite varrin e vet. Ju jepni edhe një emër, që të paktën unë nuk e kam ditë si të vdekur, të Petritit, por nuk jepni emrat e katër personave të tjerë që “nuk mund të identifikoheshin për shkak të dekompozimit”. Një përgjigje të tillë mund ta presësh nga kushdo por jo nga një ministër rendi. Çelësi për identifikimin e kufomave tashmë është kaq i njohur sa është bërë dhe po bëhet edhe në dhjetramijëra apo më shumë njerëz, viktima të Cunamit, është ADN-ja. A është bërë, qoftë edhe një veprim i vogël në testimin e atyre kufomave nëpërmjet testeve bashkëkohore? Me njoftimin që dhatë  mendoj se keni sjellë një tronditje të re, të thellë, midis familjarëve të viktimave. Ata, me siguri, duan të dinë emrat e atyre djemve, të marrin eshtrat dhe t’i varrosin në fshatin e tyre, pranë dhimbjeve të tyre. Këtë, i nderuar Ministër, duhet ta bëni. Dhe ta bëni sa më shpejt të jetë e mundshme”.

Kaq është hapësira informative për djemtë e Dibrës. Shteti pas 9 vjetësh i deklaron të gjithë të mbytur. Katër prej tyre nuk u ve as emër dhe as mbiemër. Ata janë varrosur në tokën italiane pa identitet. Për të tjerët, ata që i mori deti, nuk flitet fare përveç një personi i cili edhe në vitin 2008 deklaron se ata “mbahen peng” në një burg të sigurisë së lartë në Korfus të Greqisë duke i dhënë ngjarjes ngjyrë mitologjike…

Tragjedia dibrane ndodhi në prag të zgjedhjeve të 26 majit 1996, zgjedhje të njohura për dhunën dhe arrogancën, për manipulimin ekstrem. Politikës së djathtë në pushtet nuk i interesonte publikimi i ngjarjes. Kështu do t’i deklaronte “shoqërisht” një gazetari një personalitet i lartë i shtetit të kohës: “Ata janë mbytur por ne nuk na intereson publikimi i ngjarjes”.

Ishte i justifikueshëm për  partinë demokratike në pushtet një veprim i tillë. Heshtja për të ishte votë për zgjedhje.

Por a ishte e justifikueshme heshtja në ato ditë të marsit, prillit dhe majit 1996 për partinë në opozitë, atë socialiste?

Pse deputetët socialistë nuk thanë as edhe një fjalë të vetme në Kuvend?

Kanë kaluar tetëmbëdhjetë vjet dhe “fjala kryengritëse” në kërkim të të vërtetës së 9 marsit 1996 është zënë (apo e kanë zënë) në fyt.

Më 9 janar të vitit 2009, në përvjetorin e pestë të “Tragjedisë së Karaburunit” as gazetat, as televizionet, as politikanët as familjet nuk heshtën. Nuk heshtën as edhe ato ditë kur tre shkodranë me tre arkivole të hapur kërkojnë nëpërmjet grevës së urisë ose të sillen eshtrat e fëmijëve të tyre ose të futen ata të vdekur. Politika e të dy krahëve të mëdhenj, PD e PS, hesht.

Të mos heshtësh, të ngrihesh në këmbë, të protestosh me të gjitha mënyrat demokratike është shenjë kulture, shenjë qytetërimi të atij kahu që kërkojmë të shkojmë të gjithë.

Shkodra nuk hesht dhe nuk do të heshtë kurrë për 9 janarin 2004.

Vlora nuk hesht dhe nuk do të heshtë kurrë për 28 marsin 1997.

Mua, si gazetar, më ka takuar fati i keq i përcjelljes publike të një ngjarje të rëndë. Do të doja të jenë gjallë, qoftë edhe në një “burg të sigurisë së lartë”, të mbyllur si në legjendat dhe mitet e moçme helene. Por mbi të gjitha do të doja të vërtetën, do të doja që njerëzit pranë ngjarjes të flasin, do të doja që arkivat të hapen deri në rreshtin e fundit. Nuk e dua unë. E do e vërteta, e do historia. Ata djem, duam s’duam ne, donë apo nuk donë politika, kanë hyrë në histori, janë bërë pjesë e tragjedive shqiptare të këtij tranzicioni pa kuptim.

Sot është 9 mars. Jam larg Dibrës, që të ndalesha pak tek ura e Topojanit e t’i jepja Drinit një tufë “kukrekësh – Dite Vere” për t’ia përcjellë…detit.

Jam larg Vlorës që, bashkë me shamizezat dibrane, të hidhja edhe unë një karafil mbi dallgët e detit…

Jam larg atdheut por pranë detit, një deti të huaj. Po këpus nga pjeshka e kopshtit ku punoj një degë me  lule të sapoçelura. Po e hedh në detin e Pireut duke iu lutur dallgës t’i çojë në detin e shpirtit të “Djemve të Dibrës”

Abdurahim Ashiku

Athinë, 9 mars 2014

 

Filed Under: Histori Tagged With: 9 mars 1006, Abdurrahim Ashiku, Otrranto

“Crimea is not Kosovo”

March 10, 2014 by dgreca

By David L. Phillips/

Russia is pointing to the “Kosovo precedent” as justification for its actions in Crimea. This is a false argument. There are fundamental legal and political differences between the internationally sanctioned process, which culminated in Kosovo’s independence, and Russia’s land-grab in Crimea. Kosovo’s independence is based on international law; Russia’s annexation of Crimea is not.

Yugoslavia’s 1974 constitution established Kosovo as an autonomous province with the same rights as Yugoslavia’s republics, which included the right to secession. Kosovars exercised their constitutional right to secede in a 1992 referendum. Ethnic Albanians comprised about 95 percent of the population. Almost all eligible voters cast their ballots in favor of independence.

Slobodan Milosevic cracked down, declaring a state of emergency and imposing martial law in Kosovo. By virtue of atrocities against Kosovo’s ethnic Albanian super-majority, Serbia lost its legitimacy and moral authority to govern.

As a result, NATO intervened to stop the slaughter of Albanians in 1999. After Serbian forces withdrew, the UN Security Council (UNSC) adopted Resolution 1244 that established an interim UN administration in Kosovo. It also required a plebiscite to determine Kosovo’s future political status in accordance with the will of its people.

While UNSCR 1244 affirmed “the sovereignty and territorial integrity of the Federal Republic of Yugoslavia (FRY),” the FRY was reduced to a rump state consisting only of Serbia and Montenegro. When Montenegrins voted to secede, leaving only Serbia, the FRY ceased to exist and so did Kosovo’s legal obligations.

Between adoption of UNSCR 1244 and Kosovo’s declaration of independence on February 17, 2008, Kosovo worked for 9 years to satisfy international criteria needed for recognition. It ran the gauntlet set out by the UN’s policy, “standards before status.”

The international community created a Contact Group, which included Russia. After two years of international mediation, the UN Special Envoy on Kosovo’s Status, Martti Ahtisaari, submitted his final report to the UN Secretary General recommending independence for Kosovo.

Since Kosovo’s declaration of independence, 110 countries have recognized Kosovo as a sovereign state and established diplomatic relations. More countries would have recognized Kosovo, but for Russia’s heavy-handed diplomacy. The process of gaining international recognition is ongoing.

Russia’s attempt to draw parallels between Kosovo and Crimea is convoluted. Kosovo’s situation was unique (sui generis).

Yugoslavia collapsed, liberating Kosovo from legal claims by Belgrade. Ukraine was recognized by the international community within its current borders, including Crimea, after the Soviet Union ceased to exist in 1991.

The scope and scale of human rights abuses against Albanians in Kosovo was egregious. No pattern of human rights abuses exists in Crimea.

Crimea’s population is diverse, including ethnic Russians, Ukrainians, and Tartars. When NATO intervened, Kosovo was more than 95 percent ethnic Albanian.

Kosovo’s political leaders endorsed an extensive package of minority rights for ethnic Serbs and promised autonomy for communities where Kosovo Serbs lived. Crimea’s regional parliament makes no such assurance. Muslim Turkic Tartars have a well-grounded fear of expulsions and ethnic cleansing, given their history of persecution by Russia.

Kosovo’s independence ensued after a long process of international mediation, under management by the UN, which enforced strict criteria. Crimea’s annexation is being engineered by a foreign power — Russia.

NATO, a multilateral alliance, intervened so that Kosovars could realize their dream of independence. Masked Special Forces from Russia are creating conditions to justify Crimea’s annexation by Russia.

An international Contact Group facilitated Kosovo’s path to independence. There is no international support for Crimea’s referendum, or its annexation by Russia. To address the Crimea crisis, Moscow has rejected a contact group comprised of Russia, Ukraine, Britain, France, and the United States.

Kosovo welcomed the UN’s engagement. Russian-backed thugs in Crimea physically threatened the UN special representative and expelled a delegation led by the OSCE’s High Commissioner on National Minorities.

The process by which Kosovo attained independence was an affirmation of international order. Russia’s naked land-grab in Crimea is a violation of international norms. The UN Charter enshrines “peaceful and good neighborly relations” between States.

Russia would be well advised to abandon its provocative policy toward Ukraine. It may achieve short-term objectives, but risks becoming a pariah with contempt for international law.

Mr. Phillips is Director of the Program on Peace-building and Rights at Columbia University’s Institute for the Study of Human Rights. He served the Clinton, Bush, and Obama administrations as senior adviser and foreign affairs expert. Phillips is author of “Liberating Kosovo: Coercive Diplomacy and U.S. Intervention”.(Huffington Post)

 

Filed Under: Analiza Tagged With: “Crimea is not Kosovo”, David L Philips

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 64
  • 65
  • 66
  • 67
  • 68
  • …
  • 97
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Bahamas njeh Kosovën!
  • Legjenda e portës shkodrane, Paulin Ndoja (19 dhjetor 1945 – 16 prill 2025) do të mbushte sot 80 vjeç
  • “Roli dhe kontributi i diplomacisë shqiptare në Maqedoninë e Veriut nga pavarësia deri sot”
  • Marie Shllaku, kur një jetë e re u shndërrua në përjetësi kombëtare
  • Në sinoret e Epirit…
  • Mbrëmë hyri në fuqi Ligji i SHBA për autorizimin e mbrojtjes kombëtare
  • Skënderbeu “grek”, ose si të bëhesh grek pa e ditur
  • A historic moment of pride for the New Jersey Albanian-American community
  • U zhvillua veprimtaria përkujtimore shkencore për studiuesin shqiptaro-amerikan Peter Prifti
  • Dashuria që e kemi dhe s’e kemi
  • “Jo ndërhyrje në punët e brendshme”, dorëheqja e Ismail Qemalit, gjest atdhetarie dhe fletë lavdie
  • Arti dhe kultura në Dardani
  • Gjon Gazulli 1400-1465, letërsia e hershme shqipe, gurthemeli mbi të cilin u ndërtua vetëdija gjuhesore dhe kulturore e shqiptarëve
  • “Albanian BookFest”, festivali i librit shqiptar në diasporë si dëshmi e kapitalit kulturor, shpirtëror dhe intelektual
  • VEPRIMTARI PËRKUJTIMORE SHKENCORE “PETER PRIFTI NË 100 – VJETORIN E LINDJES”

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT