• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for March 2014

15-Vjetori i Shërbimit Shqip të Radios Europa e Lirë

March 10, 2014 by dgreca

 Nga Frank Shkreli/

Javën që kaloi,  Shërbimi Shqip i Radio Europa e Lirë (REL) festoi 15-vjetorin e themelimit të tij.  Radio Europa e Lirë, si një ent transmetimesh ndërkombëtare i financuar nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës (SHBA) ka një histori më shumë se 60-vjeçare.  Radio Europa e Lirë, tani me qëndër në Pragë të Republikës çeke, filloi transmetimet e saja në fillim të luftës së ftohtë, me programe lajmesh, komentesh dhe analizash, në gjuhët e ndryshme të Europës Lindore dhe të ish-Bashkimit Sovjetik, përfshirë edhe transmetimet në gjuhën shqipe, pasi politikanët dhe diplomatët e njohur amerikanë të asaj kohe, si  Xhorxh Kenen dhe Xhon Foster Dulles e shihnin Luftën e Ftoftë me komunizmin ndërkombëtar si një luftë ideshë, që duhej zhvilluar nepërmjet valëve të radios.  Përsa i përketë shërbimit shqip të REL, sipas autorit të librit mbi historinë e Radios Europa e Lirë, Michael Nelson, “seksioni shqip i REL filloi transmetimet me disa vështirsi në vitin 1951, për tu mbyllur më 1953”.  Por, pas një mungese prej pothuaj dyzet vjetësh, qeveria e Shteteve të Bashkuara  vendosi që më në fund të rifillonte transmetimet shqip të REL pak para fillimit të luftës për çlirimin e Kosovës më 1999, me programe drejtuar kryesisht  Kosovës, por edhe më gjërë.  Unë kam patur rastin të takoja stafin e ri të seksionit shqip në Pragë, në kohën kur isha i angazhuar tek Zëri i Amerikës dhe më patën lënë mbresa positive me entuziazmin rinor, në fillim të veprimtarisë së tyre gazetareske, tani 15-vjeçare tek REL. 

Kështuqë 15-vjetë më parë, transmetimet në gjuhën shqipe (përveç atyre të Zërit të Amerikës) bëhen pjesë e një organizate tjetër lajmesh ndërkombëtare, financuar nga Kongresi i SHBA me objektivin për të transmetuar lajme, informacione, komente dhe analiza drejtuar pothuaj ekskluzivisht Kosovës.  Si mision të sajë, Radio Europa e Lirë i ka venë vetes obligimin për të promovuar vlerat dhe institucionet demokratike, duke transmetuar lajme dhe informacion atje ku nuk ekziston liria e medias ose ku liria e shtypit nuk është ende plotësisht e zhvilluar.  REL furnizon dëgjuesin ose lexuesin me lajme të pacensuruara, kryesisht mbi zhvillimet vendore dhe rajonale, si dhe diskutime dhe debate të hapura mbi ato zhvillime. REL, gjatë gjithë historisë  së saj ka vepruar me besimin se,   që një  demokraci të jetë e suksesshme, duhet të ketë qytetarë të mirë-informuar, dhe se  “Stabiliteti — i bazuar në demokraci dhe në  një ekonomi të tregut të lirë — anë e mbanë zonës ku transmeton, është jetike edhe për paqën në botë.”  Roli i REL gjatë luftës së ftohtë, së bashku më Zërin e Amerikës dhe BBC     në rrëximin e  Murit të Berlinit– njihet tanimë dhe pothuajse është bërë legjendë.  

Edhe Shërbimi Shqip i REL, megjithëse i ri në krahasim me disa shërbime të tjera të këtij enti, gjatë 15 vjetëve të ekzistencës së tij, ka shënuar suksese të dukshme në informimin e dëgjuesve dhe lexuesve të tij dhe ka lënë gjithnjë gjurmë të një burimi informcionesh të sakta, të panashme dhe të përgjithshme, gjithnjë duke ndihmuar në projektimin dhe në zhvillimin e vlerave të një shoqërie demokratike, pro-perëndimore në Kosovë.   Shërbimi shqip i REL, në portalin e saj ka shënuar këtë përvjetor duke pasqyruar deklarata dhe urime të ndryshme, përfshirë edhe Presidenten e Republikës së Kosovës, Atifete Jahjaga, e cila me rastin e 15 vjetorit të themelimit të Shërbimit shqip të Radios Evropa e Lirë,  ka përgëzuar punën që kjo redaksi ka bërë gjatë kësaj periudhe 15-vjeçare. Presidentja Jahjaga i dërgoi këtë mesazh seksionit të REL në gjuhën shqipe. ”Ju uroj për profesionalizmin dhe objektivitetin me të cilin REL e ka ushtruar misionin e saj që nga fillimi. Programi juaj në gjuhën shqipe për vite me radhë ka krijuar një forum shumë të nevojshëm që inkuadron kriteret në debat rreth politikë-bërjes dhe që na bën të gjithëve përgjegjës dhe transparent në punën tonë.”  Presidentja Jahjaga vazhdoi urimin e saj duke thënë se, “REL ka kontribuar njëkohësisht në ndërtimin e urës midis qytetarëve dhe institucioneve, duke na bërë shpesh të vëmendshëm për nevojat e qytetarëve tanë, prioritet ky për të ndërtuar demokracinë e vëretëtë”, përfundoi kryetarja e Kosovës.

Edhe Dr. Elez Biberaj, Drejtor i Divizionit të Euro-Azisë të Zërit të Amerikës përshëndeti kolegët dhe gazetarët me rastin e 15-vjetorit të shëbimit shqip të REL, duke i përgëzuar ata,  “për këtë arritje të madhe dhe për përkushtimin tuaj që t’i shërbeni popullatës shqip-folëse në Evropën Juglindore, posaçërisht në Kosovë, përmes komunikimit të hapur të informacionit dhe ideve…Shërbimi shqip i Radios Evropa e Lirë”, thotë Dr. Elez Biberaj në mesazhin e tij, “ka ofruar në vazhdimësi lajme dhe informacione të sakta, të balancuara dhe të zgjëruara, dhe ka promovuar demokracinë, qeverisjen e mirë, paqën dhe stabilitetin në një rajon të trazuar, por shumë të rëndësishëm të Evropës”.  Drejtori i Divizionit të Euroazisë të Zërit të Amerikës dhe eksperti i çështjeve europiane dhe të Ballkanit  thekson  nevjën për rolin e vazhdueshëm të Shërbimit shqip të REL duke thënë se, “Evropa Juglindore vazhdon të vuajë nga jo stabiliteti politik dhe ekonomik, qeverisja e dobët, tensionet etnike, përparimi i ngathtë në vendosjen e shoqërive demokratike dhe shumë-kombëshe, dhe nga një ambient i njëanshëm medial”.   Veterani i transmetimeve ndërkombëtare shton se puna e shërbimit shqip të REL është sot aq me rëndësi sa ishte 15 vjetë më parë dhe njëkohësisht, Elez Biberaj ofron ndihmën dhe bashkpunimin e tij me kolegët e shërbimit shqip të REL .
Shërbimi shqip i REL mori me këtë rast urime edhe nga zyrtarët e REL, Kevin Klose, Xhef Trimble dhe Nenad Pejiç si dhe nga ekspertë dhe miqë të shërbimit shqip të REL si,  eksperti i politikës së jashtme , ish diplomati amerikan Xhejms Huper, tani Drejtor Menaxhues  i “Public International Law & Policy Group”, i cili në mesazhin e tij të urimit thotë se, ” Jam në vazhdimësi i mrekulluar me faktin se sa shumë ngjarje të rëndësishme, që prekin interesat e Shteteve të Bashkuara dhe aleatëve të Shteteve të Bashkuara në Europë, nisin në Kosovë dhe ato raportohen në programet tuaja.”  “Kjo”, sipas tij,  “me gjithë faktin se Kosova është vend i vogël, por e ka “hijen e gjerë” në ngjarjet botërore”, tha Xhejms Huper.

Shërbimi shqip i Radios Europa e Lirë feston 15-vjetorin e themelit të tij në një kohë të vështirë buxhetore dhe sfidash me të cilat përballen tani transmetimet ndërkombëtare të Shteteve të Bashkuara. Është e pamundur të merret me mendë shkurtimi i këtyre transmetimeve, qoftë nga pikëpamja praktike, diplomatike e politike, qoftë edhe nga një këndvështrim moral.  Prandaj si i tillë, roli i transmetimeve ndërkombëtare perëndimore, sidomos të atyre që sponsorizohen nga Shtetet e Bashkuara, siç është shërbimi shqip i REL — sidomos në kohë krizash — duhet të konsiderohet si një armë e pazëvendsueshëme në informimin e saktë në zona ende të konfliktuara.  Siç nënvijon situata e krijuar kohët e fundit në Ukrainë, gjëndje kjo e shkaktuar nga agresioni rus në Krime, roli i transmetimeve ndërkombëtare siç është Shërbimi Shqip i simotrave të saj të Radios Europa e Lirë, nuk ka marrë fund.  Siç ka thënë edhe Lech Walesa, duke komentuar rolin që ka luajtur REL gjatë ekzistencës së saj, se “Përballë valëve të radios, perdja e hekurt ishte e paaftë.  Asgjë nuk mund të pengonte përhapjen dhe pentrimin  e lajmeve , as sputnikët, as minat, as muret e larta dhe as telat me gjëmba. Kufijtë mund të ishin të mbyllur por fjalët nuk mund të shuheshin.”   Radio transmetimet ndërkombëtare të Shteteve të Bashkuara, si Zëri i Amerikës dhe Radio Europa e Lirë, vazhdojnë të jenë mjete të nevojshme që ndihmojnë në transformimin e shoqërive nepërmjet informacionit të saktë, të balalncuar dhe gjithpërfshirës,  dhe jo diçka që i përket të së kaluarës.

Si një ish-transmetues ndërkombëtar i lajmeve,  në këtë përvjetor i shpreh urimet e mia Shërbimit Shqip të Radios Europa e Lirë dhe lutem që fjala e lirë e transemtuar prej tij tani dhe në të ardhmen të mos shuhet kurrë, pasi historikisht është provuar se fjala e lirë është me e fuqishme se shpata. 

Filed Under: Kulture Tagged With: 15 vjetori i sherbimit shqip, Europa e Lire, Frank shkreli, Radio

Presidenti do të mbledhë Këshillin e Sigurisë Kombëtare për Tritolin dhe Krimin

March 10, 2014 by dgreca

Situata e rënduar e sigurisë dhe rastet e frikshme të atentateve me tritol, në disa raste në përmasat e akteve terroriste, kanë detyruar Kreun e Shtetit që të thërrasë pas shumë kohësh pushimi Këshillin e Sigurise Kombëtare.

Lidhur me këtë takim që do të mbahet ditën e nesërme ne oren 10:30 ne ambjentet e Presidences, ka pasur dhe një takim mes Presidentit Bujar Nishani dhe kryeministrit Edi Rama.

Edhe pse nuk ka kaluar pa debate ideja e Kreut të Shtetit, sipas burimeve të afërta me dy krerët e lartë të vendit, mësohet se një tjetër argument që lidhet me mbledhjen ka sjellë debate të forta mes Presidentit dhe Kryeministrit në mardhënie sigurisht të acarta që prej 23 qershorit.

Sipas burimeve të sigurta, krahas atyre që përbëjnë edhe bërthamën e Këshillit të Sigurise Kombëtare, Nishani ka lëshuar një ftesë edhe për kreun e opozitës Lulzim Basha, ftesë e cila nuk është mirëpritur aspak nga zoti.Rama.

Sipas burimeve, Kryeministri është dakorduar me Kreun e Shtetit për mbledhjen, por ka kundërshtuar fort pjesmarrjen në mbledhje të rivalit të tij politik që në këtë rast përfaqëson edhe Bashkinë e Tiranës si qytetar i parë i kryeqytetit.

Rama dhe maxhoranca e konsiderojnë si absurde dhe të papreçedentë pjesmarrjen e Kreut të opozitës në një mbledhje të tillë, ndërsa për Presidentin kjo konsiderohet si normale pasi edhe opozita ka rolin e vet në sigurinë kombëtare.

Sipas nenit 13 të ligjit themeltar të shtetit shqiptar, pika 5, “Anëtarë të Këshillit të Sigurise Kombëtare janë: Kryetari i Kuvendit, Kryeministri, Ministri i Punëve të Jashtme, Ministri i Mbrojtjes, Ministri i Rendit Publik, Ministri i Pushtetit Lokal, Ministri i Financave, Ministri i Transportit, Shefi i Shtabit të Përgjithshëm, Drejtori i Shërbimit Informativ Shtetëror”.

Një inisiativë e tillë e Nishanit është një tjetër pikë e fortë ku tashmë do të ndërtohet marrëdhënia në krizë mes shumicës dhe Presidentit, e cila hyn në një akt të vështirë pasi bëhet fjalë për një çeshtje të mprehtë siç është siguria kombëtare e vënë seriozisht në pikëpyetje nga seriali vdekjeprurës i tritoleve.

Gjithsesi, Rama e Nishani tashmë janë në një betejë, ku këtë herë në mes është lideri i opozitës, Lulzim Basha.

 

Filed Under: Featured Tagged With: Keshilli Kombetar, presidenti, tritoli

Hapet gjyqi ndaj Gjikës, Shtyhet gjyqi i Mziut

March 10, 2014 by dgreca

Me argumentin se Prokuroria nuk ka prekur asnjë nga të drejtat e të pandehurve në dosjen, ku ndodhet nën akuzë edhe kryebashkiaku i qytetit të Vlorës, Shpëtim Gjika, gjyqtari Arben Micko hodhi poshtë kërkesen e avokatëve për pushimin e çështjes. 

Pasi gjyqtari deklaroi çeljen procesit gjyqesor, prokurorët lexuan kërkesën për gjykim, në të cilën pretendohet se në dy episode, pa qenë nën diskutim të mbledhjeve të KRRT-së të Bashkisë Vlorë është vendosur për ndertimin e dy objekteve në këtë qytet.
Sipas Prokurorisë, kjo shkelje është bërë duke falsifikuar dokumentet dhe për këtë ka prova dhe dëshmi. Seanca e radhes u caktua për të hënën e ardhshme, ndërsa kryebashkiaku Gjika u shpreh se prania e medias ne salle do te nxjerre ne pah historine e nje hetimi te montuar.
“Falenderoj median që po angazhohet për ta bërë sa më transparent këtë gjykim, transparencë që nuk i vlen vetëm publikur, por vlen edhe për të parë dhe për të kuptuar se sa i montuar është ky proces nga ana e prokurorisë. Prokuroria në cdo moment kërkon kohë për të sqaruar ato që realisht i ka ngritur vetë prej gati një vit e gjysmë”, tha Gjika.

Shtyhet gjyqi ndaj Mziut

Procesi gjyqesor ndaj kryebashkaikut te Kamzes, Xhelal Mziu edhe ne seancen e dyte nuk u arrit të realizohej.
Shkak u be mungesa e njerit prej te akuzuarve, shefit te tatimeve te kesaj bashkie Bujar Loshi, i cili kishte depozituar nje kerkese per shtyrje te seances pasi kishte probleme shendetesore.
Nderkohe qe ne salle ishin te pranishem, drejtori juridik Atli Hoti dhe kryebashkiaku Xhelal Mziu qe tha se do te jete i pranishem ne te gjitha seancat. Kryebashkiaku Mziu, i cili gjykohet per dy akuza te shperdorimit te detyres dhe te abuzmit me taksat, e konsideroi kete çeshtje si politike.
“Besoj që kjo akuzë e ngritur nga Prokuroria tashmë, jo vetëm për mua, por edhe për specialistë dhe një masë e gjerë e kanë parë që është një akuzë e pathemeltë, nuk ka asnjë bazë ligjore, përveçse një prapavijë politike. Unë kam qenë i angazhuar për të respektuar Prokurorinë dhe kam marrë pjesë në çdo thirrje të prokurorisë. Po ashtu, edhe me Gjykatën”, tha Mziu./ Top Channel

Filed Under: Kronike Tagged With: Gjika, gjyqi, Mziu

Thethi, mes turizmit dhe trashëgimisë kulturore

March 10, 2014 by dgreca

Nga Nikolla Lena/-Në bukuritë e rralla të vendit tonë, futet dhe Thethi.Ai gjendet në mes të Alpeve me një bukuri mahnitëse, në Veri të Shqipërisë, shtatëdhjetë kilometra nga qyteti i shkodrës, i mbrojtur nga tre malet Radohima, Sheniku, Papluku, me lartësi mbi 2500m mbi nivelin e detit.Lugina e lartë e Thethit, një nga zonat më të veçanta të këtyre alpeve, ndodhet 750 deri 950 m mbi nivelin e detit, me një sipërfaqe prej 2630 hektarësh.

                                                                                          Maja Arapit

Historia e Thethit dhe e shalës ështe e lidhur me atë të fisit ilir të Labeatëve.. Thethi është vendbanim shumë i hershëm duke u bazuar në të dhënat historike dhe zbulimet arkeologjike. Këtu kanë banuar Oksetët, Bythdosët, Berbati, Vladët, Kelmendas e ndoshta edhe grupe te tjera popullsie të pa njohura. Thethi për herë të parë shfaqet i dokumentuar në Defterin e regjistrimit të  sanxhakut të Shkodrës, në vitin 1485, me emrin Fusha dhe në atë kohë kishte vetëm 7 shtëpi të mëdha. Në shekullin e XVI–të, turqit e izoluan këtë zonë nga Shkodra dhe Malësia e Madhe, duke e bashkuar administrativisht me Sanxhakun e Dukagjinit me qendër në pejë. Që nga ajo kohë Thethi konsiderohet pjesë e Dukagjinjt. Edhe sot,Shala,Shoshi dhe Pulti konsiderohen pjesë e Dukagjinit. Më pas në fillim të shekullit të XIX-të, fisi i Ahcajve nga Thethi arriti ta bashkojë këtë zonë me bushatëllinjtë e shkodrës. I pari që  përmend Thethin në hartën e vitit 1668, është Cornelli, ndërsa në vitin 1916-1917 shkon në fshatin Theth at Shtjefën Gjeçovi, i cili shkruan për të dhe e bën të njohur. Viti 1921 e gjen Thethin me shkollë të ndërtuar nga Kryqi I Kuq Amerikan dhe më pas në 1936 hapet rruga automobilistike që shoqërohet një vit më vonë me hapjen e një agjencie turistike. Me kalimin e viteve që nga viti 1968 e në vazhdim do të hapen disa qendra të tjera turistike dhe do të ndërtohen godina, hotele e shumë objekte të tjera, që do të prisnin vizitorë të shumtë nga e gjithë Shqipëria dhe Evropa Lindore për 35 vjet rresht. Kapaciteti i sezonit veror ishte mesatarisht deri në 600 vetë dhe në dimër mbi 400 vetë, mesatarisht 1 pushues për 1 banor. Në vitin 1976, Thethi shpallet “Park Kombëtar””. Pas ndryshimeve të ‘90–tës, pati shumë ndryshime dhe sotë është një nga pikat turistike më të frekuentuara nga vendasit dhe turistët e huaj.Aty ndodhen hotele dhe bujtina që presin dhe strehojnë vizitorët dhe pushuesit. Bukuritë e papërsëritshme të këtij fshati malor në zemër të Alpeve Shqiptare e bëjnë Thethin që të zërë një vend të rëndësishëm në natyrën dhe turizmin shqiptar. Duke u nisur nga veçoritë e tij dhe nga vendndodhja pranë kufirit, Parku Kombëtar i Thethit është propozuar që të jetë pjesë e një parku ndërballkanik të quajtur Parku i Paqes, ku të përfshihen territore edhe nga Kosova dhe Mali i Zi.

 Emri, midis historisë dhe gojëdhënës

Mbështetur në të dhënat historike te grumbulluar, në toponimet që janë në këtë fshat dhe të dhënat gojore të banorëve, origjinën e këtij emri mund ta kërkojmë : Nga emri “thep”,Thethi ndodhet midis malesh të larta dhe të thepisura. Njerëzit duke punuar, kullotur bagëtinë, gjuajtur e te tjera, shpreheshin : “Në ata thepa kullota bagëtinë”, “Po shkoj në ata thepa për të gjuajtur”, “…në thepa…”, “…thepa…” e të tjera. Në këtë fshat ka shumë vende që emërtohen dhe rreth fjalës “thep-a, -i, -at” si : “Thepi i Krysë”, “Thepi i Rrgadhës”, “Thepi i Kodrës Botës” e të tjera. Në kuptimin që emërton fjala “kuj” (kunj) pothuaj është shumë e përafërt me fjalën “thep”. Toponime me fjalën “kuj” ka më shumicë, p.sh. “Kuji i Dhive”, “Kuji i Lopëve”, “Kuji i Shqypes”, “Kuji i Zhareve”, ‘Kuji i Nenave”, “Kuji i Rupës”, “Kuji i Praçes”, “Kuji i Pulave” etj. Krahas këtyre, malet e larta dhe të mprehta si “thika” që njerëzit në mënyrë të zakonshme e përdorin shprehjen “…në thika të majave…”, “…në thika…”, “…prapa atyre thikave që duken…”, e te tjera, mund të shkojnë në favor të prejardhjes së emrit Theth nga fjala “thep” i cili ka përparësi me emrat “kunj” dhe “thika” në kuptimin e vendit që emërtojnë. “Thekër”, duke zhvilluar një bujqësi ekstensive, duke prerë e djegur pyjet, banorët mbillnin thekër. Atëherë nga përdorimi i shprehjes “në thekën”, në të folurën krahinore, “…po shkoj në thekën”, “…isha në thekën…”, “…thekën”, “Thekna”, rrugës deri në fiksimin e emrit, evoluoi dhe na erdhi “Theth”. Toponime me emrin “thekën” ka disa në Theth si “Theknat” disa : “Thekna e Hasës”, “Zhari i Theknës” e të tjera. ”Thellë” Thethi është një gropë e thellë në krahasim me malet që e rrethojnë. Edhe si luginë është mjaftë e thellë në drejtim të burimit të lumit të Shalës, sa që edhe banorët më të afërt janë mbi një orë larg. Gjatë veprimtarisë së tyre, njerëzit mund të kenë përdorur shprehjet : “…isha atje thellë…”, “…në thellësi…”, “…thellë…” e kështu me kalimin e kohës u formua emri “Theth”.

 Kurora mes maleve

Thethi rrethohet nga male të larta dhe qafa mahnitëse, duke filluar nga Qafa e Thanës, Shtegu i Dhenve, Radohima,Sheniku, Papluku, Maja e Alisë, Qafa e Pejës, Gropa e Bukur, Qafa e Jezercës, Maja e Zezë, Maja e Zorgjit, që fshehin në brendësinë e tyre ballafaqime të panumërta me alpinistë, speleologë, botanistë, gjeografë dhe shumë dashamirës të alpeve, te të cilët kjo zonë lë mbresa të pashlyeshme.

Fshatrat e kësaj zone shtrihen në të dy anët e lumit nga Okolideri në Grunas, ku spikasin shtëpitë karakteristike që të gërshetuara me sfondin alpin, të shfaqen si peizazhe të papërsëritshme dhe të papara ndonjëherë. Thethi si park zoologjik natyror Quhet i tillë nga banorët dhe nga vizitorët, pasi ka një hapësirë të admirueshme, e cila i ofron kushte të mira jetese disa llojeve të ndryshme të kafshëve të egra si :ariu, dhia e egër, derri i egër, kaprolli, dhelpra, ujku, lepuri, pa harruar rrëqebullin, zardafin e iriqin.

Po përveç shumëllojshmërisë së kafshëve të egra, pylli i Thethit është mjaft i pasur edhe me shpendë të ndryshëm sishqiponja, skifteri, thëllëza, pëllumbi i egër, gjeli i egër dhe pula e egër e shumë shpendë të tjerë që shtegtojnë në Theth gjatë sezonit të riprodhimit. Nuk duhen lënë pa u përmendur edhe pasuritë e lumit të Shalës, që buron në Okol dhe tëlumit të Kapresë, që shquhen për peshkun karakteristik : troftën pikaloshe e kryemadhe, pa harruar edhe liqenin e akullt të Tërthores, ku gjendet peshku triton alpin dhe shumë lloje të tjera.

Turizmi

Pasuritë natyrore të kësaj zone janë të lidhura së bashku edhe me trashëgiminë kulturore dhe historike të banorëve vendas, duke formuar kështu, bazat më të rëndësishme për zhvillimin e turizmit. Lidhur me këtë fakt ka shkruar edhe alpinisti Georg Heinshemer, i cili e ka konsideruar Thethin, padyshim, vendin më të përshtatshëm për turizëm ndër Bjeshkët e Veriut të Shqipërisë, duke e krahasuar atë me viset e bukura të Tirolit, Austri.

Ndërsa për banorët e kësaj zone, Dr. Franc Nopca ka shkruar se ”po t’u biesh në besë, në asnjë vend tjetër të botës nuk do të ndihesh më i sigurt”. Resurset natyrore i dallon çdo vizitor, sa lëGrykën e Ndërlysës dhe ballafaqohet me mrekullinë e kanionit të Grunasit që është rreth 2 km i gjatë, 40 deri 60 m i thellë dhe vetëm 2 deri në 3 m i gjerë. Përveç kanionit, në Theth gjenden një numër i konsiderueshëm shpellash, por ato që kanë tërhequr vëmendjen e shumë alpinistëve, speleologëve, gjeografëve etj, janë Shpella e Harapit dhe Bira e Rrathëve, të cilat me përmasat e tyre dhe dukuritë interesante që mbartin brenda tyre si liqenet nëntokësore, galeri, sifone etj., janë bërë shkak i shumë legjendave të krijuara nga vetë banorët e zonës.

Një bukuri natyrore, të veçantë, të bjeshkëve të veriut, shpalos në këtë zone, Ujëvara e Thethit me lartësi 25 m, ku së bashku me cirqet përreth dhe Mullirin e Blojës, formojnë një nga vendet më interesante për t’u vizituar. Por jo më pak tërheqës është edhe vendburimi i lumit të Shalës në Okol, burimet e të cilit nxjerrin 2.5 deri në 3 m kub ujë në sekondë, që vë në punë një hidrocentral të vogël dhe 12 mullinj, që shërbejnë për ujë të pijshëm, cilësia dhe pastërtia e të cilit është për t’u admiruar.

 

Filed Under: Kulture Tagged With: bukurite e alpeve, Thethi

Kosovë/ Takim me Misionin Vlerësues për Liberalizimin e Vizave

March 10, 2014 by dgreca

Nga B.Jashari/.-Prishtinë, 10 Mars/ Ministrja e Integrimit Evropian, Vlora Çitaku, dhe ministri i Punëve të Brendshme, Bajram Rexhepi, organizuan sot një takim plenar në Prishtinë,  me ekspertët e Misionit Vlerësues të Komisionit Evropian, të cilët do të vlerësojne kriteret që dalin nga udhërrëfyesi për liberalizim të vizave, respektivisht blloku 2  – menaxhimi i integruar i kufirit  dhe blloku 3 – mbi  rendin publik dhe sigurinë.

Misioni vlerësues do të verifikojë zbatueshmërinë e kritereve që dalin nga udhërrëfyesi, rekomandimet e identifikuara në raportin e fundit për viza.

Ministrja Çitaku tha se, Raporti që është përgatitur dhe i është  dorëzuar misionit vlerësues. “Ky është  një raport gjithëpërfshirës i përcjellur me shumë anekse”, tha ajo. Nga ana e tij, ministri Rexhepi theksoi nevojën  për të dhëna statistikore të harmonizuara dhe kërkoi nga zyrtarët relevantë që këto të dhëna të prezantohen sa më saktë pranë Vlerësuesve të Komisionit Evropian.

Udhëheqësi i Misionit Vlerësues për  Liberalizimin e Vizave, Ioan – Dragos Tudorache tha se, “Kosova është në rrugë të mbarë  drejt përmbushjes së kritereve që dalin nga udhërrëfyesi  për liberalizimin e  vizave”.

Në njoftimin e Ministrisë së Integrimit Evropian theksohet se Misioni Vlerësues do të ketë takime me zyrtarë të nivelit qendror dhe lokal, si dhe do  t’i inspektojë pikat  kufitare në tërë territorin  e  Kosovës.  Në këtë mënyrë është duke u realizuar kordinimi gjithëpërfshirës për të prezantuar zbatimin e të gjitha kritereve që kanë dalë nga udhërrëfyesi për liberlizimin e vizave

 

Filed Under: Rajon Tagged With: komisioni i vizave, Kosove, takim

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 65
  • 66
  • 67
  • 68
  • 69
  • …
  • 97
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Dashuria që e kemi dhe s’e kemi
  • “Jo ndërhyrje në punët e brendshme”, dorëheqja e Ismail Qemalit, gjest atdhetarie dhe fletë lavdie
  • Arti dhe kultura në Dardani
  • Gjon Gazulli 1400-1465, letërsia e hershme shqipe, gurthemeli mbi të cilin u ndërtua vetëdija gjuhesore dhe kulturore e shqiptarëve
  • “Albanian BookFest”, festivali i librit shqiptar në diasporë si dëshmi e kapitalit kulturor, shpirtëror dhe intelektual
  • VEPRIMTARI PËRKUJTIMORE SHKENCORE “PETER PRIFTI NË 100 – VJETORIN E LINDJES”
  • 18 dhjetori është Dita Ndërkombëtare e Emigrantëve
  • Kontributi shumëdimensional i Klerit Katolik dhe i Elitave Shqiptare në Pavarësinë e Shqipërisë 
  • Takimi i përvitshëm i Malësorëve të New Yorkut – Mbrëmje fondmbledhëse për Shoqatën “Malësia e Madhe”
  • Edi Rama, Belinda Balluku, SPAK, kur drejtësia troket, pushteti zbulohet!
  • “Strategjia Trump, ShBA më e fortë, Interesat Amerikane mbi gjithçka”
  • Pse leku shqiptar duket i fortë ndërsa ekonomia ndihet e dobët
  • IMAM ISA HOXHA (1918–2001), NJË JETË NË SHËRBIM TË FESË, DIJES, KULTURËS DHE ÇËSHTJES KOMBËTARE SHQIPTARE
  • UGSH ndan çmimet vjetore për gazetarët shqiptarë dhe për fituesit e konkursit “Vangjush Gambeta”
  • Fjala përshëndetëse e kryetarit të Federatës Vatra Dr. Elmi Berisha për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë në Seancën Akademike kushtuar 100 vjetorit të lindjes së Peter Priftit

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT