• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for April 2014

Ra ky mort (Zdravko Çoliç-i) dhe u pamë!

April 21, 2014 by dgreca

-Është herët të na këndojnë qyqet në shtëpitë tona!/
Nga Fahri XHARRA/
Me u pa po shihemi shpesh , po shihemi ashtu si po e duam por edhe ashtu si nuk po na e ka ëndja. Nuk dij . Më shkroi një mik me plot të drejtë :”Ta duash atdheun nuk do të thot t´i urrejsh të tjerët ” Por… ” Kundërshtarët e historisë, kundërshtarët e gjuhës, ithtarët e kombit kosovar, nuk marrin parasysh pasojat e kësaj përçarje, por destruksionin e tyre e cilësojnë si akt patriotik. Për të ndërtuar një ndjesi kombëtare me vlera tërësore, të përbashkëta, një identitet kolektiv, nevojiten disa dekada, ose shekuj, për ta rrënuar, më pak se një dhjetëvjeçar. Çdo komb ka kodet e veta dhe një tërësi vlerash, që konsiderohen si të shenjta. Ato mund të rrahen nga të gjitha anët nga specialistë të fushave përkatëse: analizohen, bëhet debat, polemizojnë në mes vete derisa të kristalizohen mendimet në dobi të një etnie, që pastaj në trajta të ngurtësuara, na shfaqen në librat shkollorë.”( Lis Bukuroca ) …por ”shyqyr”që ra Zdravkoja dhe u pamë ashu si nuk e kisha dëshiruar e as mënduar. ” Vet fakti se marrin guximin të kërkojmë ndryshimin e emrit të kombit, vet fakti se kërkojnë rrënimin e gjuhës, vet fakti se kërkojmë të ndryshojmë historinë duke u bazuar në gjykimet e sotshme, flet se ne jemi të dominuar nga mendësia fisnore dhe për këtë, shumë herë nuk jemi të vetëdijshëm, përndryshe nuk do të shpërndanim leksione se si duhet të ndjehen, çfarë duhet të besojnë dhe si duhet të flasin miliona shqiptarë. ”
Nuk di , por prap qëndroj në mëndimin që na duhet patjetër e sa më parë një qendër e vendosjes mbarëshqiptare ,pra një qendër e rëndesës gjithëkombëtare.

“Të nderuar miqtë e mi kosovarë.E kuptoj indinjatën tuaj për ftesën që i bëmë këngëtarit Zdravko Çoliç, ftesë e cila përkoi me eksodin e kosovarëve në Shqipëri 15 vjet më parë.
Ju siguroj se gjithçka ishte e pafajshme. (gazetatema.net/web/2014/04/16/sandri-leter-ndjese-kosovareve-per-zdravko-colic/)Ishte kjo një letër , një tallje, në shikim të parë e pafajshme por plotë sarkazëm , ironi dhe mospërfillje as kombëtare e as njerëzore . Ishte në stilin e zakonshëm e të tutorizuarëve , të cilët edhe frymë kur marrin duhet te janë të kujdesshëm se mos po e teprojnë.

Por , sidoqoftë ! Po shoh papjekuri kombëtare të cila po na habisin , na vejnë në dyshim, dhe padashtas ia bëjmë pyetjen vetit : A jam mirë ?

Deri sa :” Grupi “Druzhina” nga Odese e Ukrainës dërgon mesazhe kërcënuese për Kosovën.Ata thonë se nuk i harrojnë krimet e NATO-s kundër serbëve në Kosovë, dhe se për çdo ukrainas dhe rus kudo në botë, Kosova është tokë serbe, raporton Reporteri.
Anëtarët lëvizjes “Antimajdan”, grupi “Druzhina”, që po luftojnë në qytetin jugor të Ukrainës, përmes një video kanë dërguar një mesazh për popullin serb, duke thënë se serbët, rusët dhe ukrainasit, janë një popull, sllav ortodoks, raportojnë mediat serbe.
Forcave separatiste ruse në Ukrainë u janë bashkuar edhe shumë qytetarë nga Serbia. (Gazetaexpress ) “ , atëherë e shoh bukur si herët dhe hap të papjekur ardhjen e Çoliçit në Shqipëri ; nëse nuk është bër me qëllim të keq!
Mos pjekuria e sjellë edhe këtë reagim , i cili është lexuar me x herë: “KUSH JANE KOSOVARET QE KERKON FALJE TI MORE SANDRI…….????????????? PO KUJT I PLASI PER KOSOVARET MORE SE DUAN APO NUK E DUAN LEGJENDEN ZDRAVKO COLIC…????????????????????? KENGA JUGOSLAVE KA QENE ME KOHE E DESHIRUAR NE SHQIPERI DHE KENGETARET JUGOSLAVE JANE TE MIREPRITUR SA HERE NE SHQIPERI. Kosovaret TE SHIKOJNE PUNET E TYRE DHE TE MOS I FUTIN HUNDET SHUME KETEJ NGA SHQIPERIA..Kosovaret TE FTOJNE KENGETARE TURQ DHE ARABE NE KOSOVE SE NE NUK NA PLAS SHUME PRE TURKOSHAKET ISLAMIKE KOSOVARE: BRAVO PANDI LACO PER FTESEN QE I KE BERE LEGJENDES SE KENGES YUGOSLAVE ZDRAVKO COLIC: DHE BENI AKOMA FTESA TE TJERA QE TE VIJE LEPA BRENA DRAGANE MIRKOVIC INDIRA RADIC etj.
(Miro — 17 Prill, 2014 në 1:59 pm, Gazeta Tema).” E shifni sa largë që shkon puna , e pastaj habitemi pse na ndodhi! Fjala e qet fjalën dhe lindin kundërshtitë : ”Veç shqiptarët dalldisen, kalojnë në delirium e karikaturohen para pjesëtarit të një populli që i urrenë deri në asgjësim, siç bënë atë natë publiku (madje edhe burra pleq) para Coliqit. Dolën të kompleksuarit nga ndjenja e inferioritetit dhe shpërthyen e vunë në pah gjithë obsesionin dhe lakminë ndaj gjithçkaje që s’është si vetja e tyre, ndaj dikujt që i urren për çka janë. Rast i vecantë psikopatie kolektive e një popullate që nençmon vetveten. Kjo shihet edhe te emrat e huaj qesharakë që u vënë fëmijëve. Prandaj ishin te fundit që fituan lirinë, që bënë shtet dhe të parët që do ta humbasin identitetin.( Leter nga Kosova — 17 Prill, 2014 në 10:15 am .Po aty!)

E keqja është që pak ndëgjohet zëri rikujtues i mediumeve për të ligat nga Serbët . Të ligat historike , me pasoja po ashtu historike.

Nacionalizmi i një kombi shprehet ne dy mënyra; duke e ngritur moralin dhe kujdesin ndaj identitetit të tij dhe mënyra e dytë duke u angazhuar në arritjen e qëllimeve për vetëqeverisje -Pavarësi. ( Gellner, E., 1983, Nations and Nationalism, Oxford: Blackwell.) Në rastin e Shqipërisë dhe të Kosovës, çdo lëvizje për nacionalizëm është vetëm se ngritja e asaj ndjenje e cila me “kujdesin” e elementeve të caktuar lufton me të madhe për zbehjen e tij. Nëse nuk kemi nacionalizëm shqiptar e i cili po shihet me sy të keq nga vetë shqiptarët atëherë do të na mundin -izmat tjerë. Mu atëherë fillon katrahura kombëtare. (Fahri Xharra)
Të mos jesh nacionalist, “nuk merresh me këto probleme të vockla, por vetëm më çështje të mëdha. Çdo pushtues do ta kishte dëshiruar një elitë të tillë politike, si ajo shqiptare në Luginë, si ajo shqiptare në Maqedoni, që firmosi diskriminimin e shqiptarëve dhe të gjuhës shqipe.(L.B.). “ Pra , ç`të keqe ka nga nacionalizmi shqiptar?
Nacionalizmi shqiptar është kur “nderimi dhe respektimi i përkasin veprës nacionaliste, si një ndihmesë me shumë vlerë në njohjen e qytetërimit shqiptar dhe rolin e faktorit shqiptar në periudhën e zhvillimeve globalizuese në mjedisin ballkanik, për mbijetesën e shqiptarizmit në mes të nacionalizmave agresivë e kriminalë serb dhe grek dhe nacionalizmit agresiv turk. (N. Loka). Po ne, duhet të jemi nacionalist sepse jemi të rrethuar nga kombet nacionaliste me qëllime hitleriane, me qëllime pansllaviste dhe megalogreke. Europa nuk i frigohet nacionalizmit tonë, sepse ai nacionalizëm gjithmonë ka qenë duke e ngritur moralin dhe kujdesin ndaj identitetit te tyre Thjesht e thënë të mbijetojmë.

Është herët të na këndojnë qyqet në shtëpitë tona!

Filed Under: Featured Tagged With: Ra ky mort (Zdravko Çoliç-i) dhe u pamë!Fahri Xharra

Ikona të thyera, si imazh poetik dhe risi për poezinë e sotme bashkohore

April 21, 2014 by dgreca

Nga Agron SHELE/
Shpesh herë kur vizitoj bibliotekën time nuk e di pse dora më shkon tek vëllimi poetik « Ikona të thyera » të autorit Gentjan Banaj. I kam rilexuar disa herë poezitë dhe sërish më duket sikur diçka ka mbetur ende për tu riparë, ose duket sikur diçka ka mbetur pezull në hamendsionet dhe parafytyrimet e mia, për mënyrën dhe këndvështrimin artistik rreth këtij libri. Në poezinë e tij takon dhimbjen dhe mallin, takon dramën jetë dhe përvuajtjen, takon rrebelimin dhe pasthirrmat dhe në pamje të parë duket sikur mbart shumë trishtim ose shumë shtjella gri që përfshijnë qiejt e muzës poetike të autorit, por këto nuk janë mestastaza që prodhohen nga kreativiteti individual, por krahët e errët të përjetimit të një shoqërie, e cila në misionin dhe gjykimin profarm të poetit , identifikohen si vlera të krisura, ose ikona të thyera. Sintetizimi metafizik poetik gërshetuar me hermetizmin përbëjnë stilistikën që e veçon këtë zë poetik tashmë të njohur, qoftë në formë, qoftë në hapësirë, por edhe në mënyrën konceptuale, si idol të përcjelljeve dhe mesazheve tejet ndjesore . Që në fillim ndeshemi me një titullim sa grishës, por dhe kaq befasues. Diçka ka ndodhur. Imazhi është shprishur. Ikonat janë rrëzuar dhe thyer .
« E sërish në drita krismash
Zeusi na ndiqte në harresë,
Të ikur, të anuar, vajtueshëm
diku midis humbjes dhe rënies. «
Kapërcimi i shpejtë i fateve ( ikje, anuar, përvuajtur), ringrihet dhe përndiqet deri nga krypersonazhi mitik (Zeusi), njëlloj si në lashtësinë e mjegulluar, por që çuditërisht përsëriten e ripërsëriten njëlloj edhe sot në kohët më moderne . Në paratezë të ravijëzimit të këtij mendimi ndeshim sindromën e dritës, e cila në këtë rast nuk shfaqet si bardhësi surreale, por si flakë krismash, po e njëjtë me flakën e rrufeve kur perënditë përndiqnin njëri tjetrin, dhe në përmbyllje dozohet rënia, përhumbja apo thyerja e ikonës .
Eshtë domethënëse por dhe karakterizuese për të kuptuar strukturën e këtij vëllimi poetik, boshtin që e përshkron atë, kolonat në të cilat ringrihet kjo vepër dhe jo pa qëllim skematizimi saj ndahet në katër nën tituj, që thjesht mund ta përkufizojë +1 mbi tredimesionalin e zakonshëm artistik.
1- Laku i karafiltë

Kapitulli hapet me poezinë « Pa titull », dedikuar birit, e cila në formë grafike krejt tjetër nga ato që jemi mësuar të shikojmë shpesh , por e sjellë në mënyrën postmoderne, me vendosje fjalësh figurativisht dhe estetikisht, shpreh ndërvarjen dhe intuitivitetin e gjallimit të jetës.

« …në çengelin e përmbysur
gjalloj për ty
i varur atje »
Sigurisht që shtrishmëria e dashurisë për njerëzit më të shtrenjtë padyshim që do qendërzojë edhe figurën e nënës, figurë që nëpërmjet tespijeve lakonizon ditët , pastaj ylberet psherëtimë, rrudhat dhe thinjat dhe sikurse thotë autori : dhemb / sa dhimbje ndjen një nënë ?

« Nën bekimin tënd u gjunjëzua çdo burrë
I mbrojtur nga mëshira që ty ta vodhën hyjnitë. »
Këto vargje janë një tjetër dedikim për nënën, një kapërcim që shkon përtej perëndive, e ringre atë në piedestale hyjnish, për të përunjur forcën dhe karakterin e çdo burri.
Vlen të theksohet se në këtë lloj poezie ka një sendërtim prefekt vargjesh, ka dhe një subkoshiencë që depërton magjishëm dhe kjo mënyrë e të bërit poezi shpreh natyrshëm, forcë vargu, mendim, dhe filozofi.

2- Absurd mbijetese
Poezitë e përfshira në këtë kapitull absorgojnë drejt mendimit filozofik dhe ideve të thella dhe në mënyrë krejt instiktive të çojnë në vizonialitetin por dhe iluzionalitetin e fjalës, metaforikën dhe simbolikën e saj, deshifron kontrastet bardhë e zi, (ditë-natë ) kontraste jetësore dhe menopauza të përditshmërisë, ose objeksioni i kontrastit (perëndim -agim), që më së shumti përqas tablotë e beftësisë ikje dhe atë të rilindjes shpresë .
« Ag,
zbulohet pak nga pak trupi i ditës »
E bardha dritë zbret dhe përhap magjinë jete, vjen ashtu në vagullim por e sigurtë dhe dal ngadale zbardh besimin për rifillimin e një dite të re.
Dhe në vazhdim :
« Jeta të kryqëzon
Pas ngjarjeve të mëdha »
Përditshmëria rrëmben në kuptimin fizik dhe shtyn përherë e më tepër drejt dëshirës, qëllimit, sfidave të përballjes dhe jo pa shkas autori i quan kryqëzimet e jetës, sepse instiktivisht të gjithë jemi skllevër të iluzioneve dhe pasioneve të ngritura.
Dhe së fundi :
« Vdesim nga pak
duke i ikur agimit »
A ka rënë poeti në nota pesimiste ?
Të gjithë vdesim nga pak, të gjithë shuhemi ngadalë, të gjithë i largohemi agimit dhe shkojmë drejt kujt ? Hiçit apo asgjësë. Këtë e deshifron vetë titulli poezisë, « Muzg ».
Në të njëjtin bosht vërtitet edhe poezia « Bardhë e Zi », të cilën për trajtesë koshiente nëse do përgjithësohej në kuptimin panoramik do impononte analitikë të drejtëpërdrejtë si : poezi e iluzionit të trishtë, e veshur me ereminë e përbrendshme të gjendjes fillestare kur është shkruar, përshkohet nga nota të thella pesimiste (ëndrra tymi , mesnatë e errët, agim i trishtë ) etj etj.
« Në sfondin e zi shquhen mirë
ëngjëlli e djalli tek uni »
Duke u nisur nga analogjia e këtyre termave por në depërtimin psiko-analitik do shikojmë se edhe përbrenda kësaj errëtie ka një fokus drite, ka diçka egzistenciale, ka qënësinë që edhe në momente të errëta e shquan dhe e drejton.
3-Maria e kaltër
Vëllimi poetik i autorit Banaj përshkohet edhe nga boshti i fuqishëm lirik, ku metaforat , simbolika, kompzicioni, tablotë ngjyra shumë, percepetimet e fluidizuara, ndjesitë më të thella, brishtësia e fjalëve si dhe elokuenca e përdorur e bën tejçues të inspirimeve dhe emocioneve të forta . Në kontrast me kapitujt e parë këtu ndeshemi me ndjesi të pazakontë dhe befasi, me temperament dhe shpirt estetik .

« Maria
Avitet në një mug
Rizgjon një shenjt të përgjumur
ikën e kaltër, qielli rrugë…
Ave ylber në mug…
Maria »
Përbrenda këtyre vargjeve ndjenjëa sinkronizohet e kaltër, rend nëpër qiej rrugë, rizgjon ëndrrat më të bukura gati deri në shenjt dhe mbetet ashtu, e kristaltë, e bukur, magjepëse, e përjetshme .Në vazhdimësi ndeshemi edhe me nota të tjera pateizmi, me dlirësinë dhe pafajësinë e ndjenjës, ndeshemi me zjarrminë dhe përjetimet teje ndjesore, gati në shpërthime eseniane :
« Një ditë në vdeksha
dhe në varr të zi
Tek një fije bari
shpirti do t’ më rrijë »
Ky është amaneti i dashurisë, i këtij sublimi deri në flijim, por që endet me shpirtin, përtej kufijve të jetësisë .

Bibël Urie
Pjesa e fundit e vëllimit poetik shpreh botëkuptimin dhe këndvështrimin e plotë të autorit rreth problematikës shoqërore dhe vetë fatit të njeriut, ngre zërin ndaj fenomeneve dhe paranojës që bren çdo ditë vendin, merr atributet e misionit që përfaqëson dhe lufton, si Krisht për shpëtimin e botës nga errëtia, nga demonët, nga e keqja, nga ligësia dhe nga absurdi. Nëpërmjet zbërthimit ideo-artistik të vargjeve kuptojmë edhe dimesionalitetin dhe formimin e plotë të autorit, i cili si qytetar, si intelektual, si poet, si njeri i shqetësuar tregon të patreguarën, dhe këtë jo në mënyrë spontane ose të ndërvarur nga çasti, por me koshiencë të plotë, me ndjenjë dhe mjeshtëri ringre fjalën në varg dhe vargun në art.
« Fjalë
si ushtarë medalje keni hak
Por, sa u shpreh me ju, ndjenja
Zemra ?
Ajo …vulos me gjak… ! «
Njeriu , si individ dhe qënie, jepet në konceptim universal, si trup dhe shpirt , si ndërgjegjie dhe memorie.
« I nëmuri me padashuri »
Pse kjo pjesë e errët rishfaqëse ?
Për të vazhduar :
« Myket për zërin
Ku s’ ka tingull shpirti. »
Ndoshta qënia njeri është shkëputur nga qënia shpirt dhe mendimi më i parë filozofik të çon në proçesione të tjera, ato të kuptimeve primare tashmë të shkëputura ngë kuptimet sensuale.
« Shpirti uritur
Përtyp mjegulla ere »
Shpirti mbetet shpirt, dhe përherë mbetet në kërkim të ndjenjës, vlerës dhe ashtu i përhumbur pas vesit apo përjetimeve momentale endet në zbrazëtinë haluçionale. Mesazhi poetik është më se i qartë :
Njeriu është në rrezik ! Poeti i bën thirrje që të ringrihet mbi unin dhe të sendërtojë vlerat shoqërore dhe humane.
I gjithë vëllimi poetik megjithëse ndahet në katër pjesë është unik, universal, ngre telajo ngjyrimesh dhe për më tepër farfurin muzën më të thellë krjuese.
« Ikona të thyera « vjen si pjesë e fonetekës poetike të përzgjedhur, mbart esencën e mendimit të sotëm letrar postmodern , ka gjithë hapësirën dhe përmbajtjen e një vepre letrare të mirfilltë dhe si e tillë ajo shënon një pikëkthese për poezinë bashkohore shqiptare sot.

Filed Under: ESSE Tagged With: Agron Shele, Ikona te Thyera

Prift, po rrëzohet Manastiri!

April 21, 2014 by dgreca

Nga Gëzim Llojdia*/
1.
Shkallina e parë.Silueta e manastirit në ishullin e vogël dhe të bukur me emrin Zvërnec është shfaqur për një kohë rreth shekullit 13-14,nëse s’është i kësaj kohe, mjegulla e kohës i fshinë kufinjtë,le të përcaktohet kjo vepër në qëndrimin tonë stoik ka ardhë më shpejt në jetë në shekullin e 10.
Shkallina e dytë.
Shfaqet ishull i Zvërnecit.Një pyll dhe disa ndërtesa në të verdhë.Përpara kemi një urë druri.Imazhi i saj dhe godina e manastirit enden në botimet turistike,ato kishat dhe manastiret bizantine.Ura mund të jetë mbi 1000m e gjatë, e ngushtë.Drurët e saj vende-vende kanë filluar të kalben.Ura prej druri një atraksion i bukur dhe më i veçanti, pra udha lidhëse që të shpie në ishull është bërë një vit më e vjetruar.Nën këmbët tona kërcisnin e rënkonin nga pesha,dërrasat.Kishin zëvendësuar dërrasa,mirëpo tanimë ajo urë nuk mund të mbajë më. Koha e saj dhe orët e saj kanë firuar,jetëgjatësia s’ka më limit.Të duket se nga çasti në çast,mund të thyhen,ato vetëm rënkojnë, koha,llohërat,zhegu,disa faktorë gjithsesi nëse nuk rindërtohet do të rrëzohet,d.m.th kjo kohë e urës tash e tutje quhet :“koha e fundit. Rrathët e urës prej këtij casi bëhen më të zymta.Ata shtërngonin duart,dhëmbët pas parmakëve,fëmijtë rrugëtonin në manastir.Komuna Qendër dhe institucioni religjioz fetar,që administron manastirin dhe godinat duhet të hedhin sytë tek një urë tjetër. Kjo urë ekzistuese nuk mund të shërbejë më,ngase në motet me erë,shi,kalimi për në ishull mbetet i rrezikuar.A do ta zerë dimri tjetër urën?
Në ishull ndodhet Manastiri:”Fjetja e Shën Mërisë” apo Hyjlindeses një ndërtim tipik bizantin.Ky monument është i stilit të veçantë.Kujtojmë se dikur kamë shkruar: Murgu i fundit nga ky manastir është larguar në vitet ‘67. Pas këtij viti u dogj edhe biblioteka e pasur e manastirit.Ngrehina në këtë ishull e ndërtuar nga dora e mjeshtrave,bekuar në gurët e themelisë,që kishte parë murgjë të lodhur nga lutjet dhe punët e manastirit,pra atë dimër kur u shkrua:”Feja opium për popullin”u pa se c’mund të bëhej me ngrehinën përtej ujërave,ngrehina mbijetoi,por mbeti stallë me banorë:” kuajtë e lodhur” të kooperativës.Pra sic shkuan punët,ngrehina i shpëtoi rrëzimit.D.m.th:” gjumi i vdekjes” gjendej larg.Nuk do të kishte rrëzim,por ’kohë të llangosur,që do të vuante tërësisht këto pasoja të shpërbërjes në një katastrofë të pritshme.
2.
Manastiri tregon një ndërtesë,ose kompleks ndërtesash , i cili përfshin lagjet e brendshme dhe të vendit të punës (s) e monastics,nëse murgj apo murgesha , dhe nëse jetojnë në komunitete apo vetëm ( eremitët ).Manastiri në përgjithësi përfshin një vend të rezervuar për lutje, që mund të jetë një kishëz , kishë apo tempull , dhe mund të shërbejë si një oratori .
Shkallina e tretë:Etimologjia e fjalës : Manastiri vjen nga fjala greke μοναστήριον , neut . i μοναστήριος – monasterios nga μονάζειν – monazein ” për të jetuar e vetme ” [ nga μόνος rrënjë – monos ” i vetëm “( murgjit e krishterë fillimisht të gjithë ishin eremitët ) ; prapashtesë ” – terion ” nënkupton një ” vend për të bërë diçka ” .
Shkallina e katërtë:Nëse themeluesi i jetës manastiriale thuhet në një broshurë Pakomi i cili lindi dhe jetoi në Egjipt gjatë shekullit IV. Ai krijoi komunitetin e parë të njerëzve, që jetonin të veçuar dhe i përkushtoheshin vetëm besimit. Këta njerëz u quajtën murgj dhe jetonin në kuvende, nga ku i largoheshin jetës së përditshme dhe kërkonin në vetmi paqen dhe qetësinë. Ata kishin si detyrë kryesore që ti luteshin zotit së bashku kurse pjesën tjetër të kohës e kalonin duke ju përkushtuar zejeve, shkrimit të librave, kopjimit të traktateve, veprimtarive të tjera, etj.Duke e njohur si praktike qëllimin se çfarë ishin manastiret në literaturë citohet kështu Manastiri është një institucion i veçantë që vepron brenda kishës si organizatë fetare zyrtare. Mirëpo cili ishte objekti dhe përse shërbente ai? Ai përbëhet nga një objekt në formë katërkëndëshi ku në qendër të tij është vendosur kisha, e cila zakonisht mban emrin e një figure të Panteonit Kristian. Kisha rrethohet nga një oborr i gjerë rreth të cilit janë vendosur një kishëz më e vogël, banesat e murgjve, mensa (trapezeria), punishtja, depot, stallat, etj. Manastiret ndërtoheshin në vende të veçuara, dhe të mbrojtura larg qendrave të banuara.
3.
Shkallina e pestë:Ishte llohe dimri,gjithsesi kur u bënë përpjekjet e para nuk mbetet shumë përcaktuese stinë-ardhja .Çfarë po e bren objektin?Qysh në hyrje të tij do të ndeshësh gjurmët e një restaurimi që është kryer në vitin 2003.Sakaq në mëndje,gjurma ka lënë qartazi mënyrën se ky lloj restaurimi.Pllaka guri me një shtresë llaci.Pllakat me ngjyrë,tej orgjinalietit.Ku është ngjyra gri? Një shtresë pllakash majolike,me ngjyrë të kuqe ishte filluar të shtrihej në dyshemenë e pjesës së jashtme të tij, por që ishte braktisur. Ka pasur një ndërhyrje nga DRMK dhe është bërë mirë sepse shtresa e pllakave bashkëkohore do të mbulonte gjurmët e historisë shumë shekullore, që ruan manastiri. Madje ato pllaka mund të hiqen për efekt sepse kanë krijuar një shëmti dhe shenjë të një pune që tregon mungesën e restautorëve. Manastiri ruan bukurin e tij në formën origjinale ashtu sikurse ai u rezistoi kohëve me mjegull dhe shekujve të jetës së tij.
4 kolona kryesore janë të degraduar deri në shkallën e fundit. Duke njohur përbërjen e tyre rreziku që shtohet bëhet edhe më prezent .Ngase ditët kalojnë ,por restaurim i objektit s’duket fare në horizont .Madje kjo bëhet kryesore duke njohur edhe faktin që këto kolona kërkojnë ndëryrhje të menjëhershme sidomos nga specialistët e monumenteve për t’i rikthyer ato në pozicionin e tyre fillestar. Gjurmët e restaurimit të ndërhyrjes rreth 11 vjet më parë shfaqen qartazi si punime të kryera jo me cilësi dhe jashtë parametrave.
Ndërhyrjet që janë kryer nga personeli që aktualisht zotëron pronësinë dhe kryen rituale fetare janë të dhimbshme. Kabllo, që përshkojnë që dalin e hyjnë kudo. Në këtë thesar që ende ruhet i tillë duhet të ndërhyhet me projekt restaurimi.Si pronësi është e kishës por duke qenë një monument kulture ai kërkon një ndërhyrje te specializuar në një kohë të shpejt marrë si shenjë edhe nga vizitueshmëria e madhe e frekuentimit në rituale fetare por më shumë nga vizitat turistike të qindra të huajve që e kanë të regjistruar nëpër guida turistike. Ky monument kërkon ndërhyrjen e shtetit për të nxjerre një fond të nevojshëm për punime restaurues dhe mirëmbajtje objekti. Gjendja e saj tejet e trishtueshme, po shpie drejt rrënimit një ndër monumentet historike fetare me peshë në rajonin e Vlorës.I cilësuar si një ndër perlat religjioze që ende qëndron në këmbë, Manastiri i Zvërnecit, po shket vajtueshëm nën peshën e dhimbjes erozionit mos vënies dorë dhe shpresës që tek shqiptarët vdes e fundit.Nuk ka dhimbje më të madhe për njerëzit që merren me trashëgiminë kulturore kur shikojnë gjendjen në të cilën është katandisur ky objekt monumental.
5.
M. Karrocieri ing,pedagog në “Pavarësia” ka realizuar një projekt për restaurimin e
këtij objekti religjioz në funksionim prej 10 shekujsh. Në problematikën urgjente ai ka konstatuar dobësimin e 4 kolonave të portikut,dobësimi i xhuntimi të llacit lidhës,në 4 zona të tjera,në nëdë rhyrjet, që këshillon ing Karrocieri janë :përforcimi i kolonave të portikut materiali prerë prej shkëmbinj sedimentar,ambient agresiv cikle lagje – tharje kanë cuar në gë rryerje sipërfaqë sore.Dobësimi struktural vetë m i portikut kolapsi i kolonave do të conte në rrëzimin e një pjese të harqeve si dhe i catisë së portikut .Përforcimi i kolonave të portikut – ndërhyrja e dallueshme e rikthyeshme strukturalisht e pranueshme.
6.
1 km nga qyteti i hershë m i Treportit,në ishullin e Zvë rnecit,gjendet monument që ka rëndësi dhe peshë në objektet e kultit dhe të historisë së ndërtimit arkitekturor në rajonin e Vlorës.Gjiri i Nartës në perëndim të qytetit ka një ndër ishujt magjepsës me një bukuri të jashtëzakonshme.
4.
Manastiri “Fjetja e Hyjlindëses”.Shqyrtimi i studiuesit prof.dr. Aleksandër Meksit.Kisha e Shën-Mërisë së Manastirit të Zvërnecit është e tipit “kryq i lirë” me kupolë,shkruan Meksi. Ajo mbart në vetvete dy faza ndërtimi, duke u veçuar në pjesën e vjetër dhe atë të re. E vjetra përbëhet nga Naosi (salla) dhe Narteksi (parasalla). Naosi ka formën e një kryqi të lirë, ku krahët lindore dhe perëndimore janë më të gjatë se krahët jugore dhe veriore. Ai përbëhet nga absida, një protezës gjysmërrethore dhe diakonikoni. Pjesën më të madhe të tij e zë tamburi me kupolën, i cili është ndërtuar me gurë e copa tullash të vendosur me llaç midis tyre. Narteksi është pjesa tjetër e ndërtimit të vjetër që përfaqësohet nga një zgjatim katërkëndor. Ndërsa pjesa më e re e kësaj kishe përbëhet nga ekzonarteksi (Portiku) dhe këmbanorja. Ekzonarteksi është ndërtuar me të njëjtën teknike si pjesa e vjetër e kishës dhe është shtuar më vonë. Fasada e tij përbëhet nga shtatë harkada të mbështetura në gjashtë kolona, të cilat janë ndikim i arkitekture romake në atë bizantine. Në pjesën perëndimore të kishës ndodhet këmbanorja, e cila mund të jetë e të njëjtës kohë ndërtimi me ekzonarteksin.
5.
Në të djathtë të manastirit, ku gjenden varrezat.Aty gjendet Marigoja prej vitit të më rgimit 1932. Ka edhe një gojëdhënë që letra e një të afërmi ka nxitur autoritete e kohës të gjejnë varrin e Marigosë, i cili gjendej brenda manastirit në të djathtë të tij poshtme kishte një kryq hekuri te ngulur ne toke. Ndërkaq duhet që pastrimi i vegjetacionit përreth këtij objekti të bëhet ndoshta edhe 4 herë në vit ,duke njohur faktin e zhvillimit të madh të vegjetacionit në këtë zonë bregdetare. MTKRS duhet të nxjerre fonde për këtë vepër dhe në bashkëpunim me institucionin religjioz që e ka në përdorim do të mund të bëjnë restaurimin në kohë për ti ruajtur thesarët e kësaj trashëgimie kulturore. Manastiri i Zvërnecit aktualisht ka dy funksione të rëndësishme.
Në të këtë objekt kryhen ritual fetaret ndër më të përmendurat është 15 gushti ditëlindjen e Shën Mërisë e cila festohet qysh nga mbrëmja dhe fjetja në territorin e ishullit pas ritualeve të shumta të kishës dhe shoqërimi në mëngjes me degën e dafinës. Funksioni tjetër është turizmi kulturor që tërheq mjaftë vizitorë. Mirëpo ka nevojë për restaurim edhe ura mund të jetë 1km ndërtuar prej druri e cila lidh dy brigjet përmes lagunës në ishull për te manastiri. Duhet përmendur edhe një fakt që shumë organizime shoqatash kanë realizuar projekte për këtë lagunë e pasuri të listuara në trashëgimin kulturore,mirëpo gjurmët që ato kanë lënë edhe këtu në ishull janë vetëm ndonjë epitafë dhe më shumë prej tyre, asgjë.Pas teje ishulli magjik,dafinë e qiparisë.
Ndërtesat religjioze i cek muzgu. Lëmë një lutje:
”Prift -po rrëzohet manastiri!Erdhëm u ngopëm me ajër, madhështin e tij e ishullit pa kufij, po ikim ,a të kthehemi vitin tjetër, lamtumirë …..
*Ms.Anëtar i Akademisë Evropiane të Arteve

Filed Under: ESSE Tagged With: Gezim Llojdia, Manastiri, po rrëzohet, Prift

Teatri Kombëtar Shqiptar nuk është vetëm ai i Tiranës

April 21, 2014 by dgreca

Nga Reshat Kripa/
Me termin “Teatër Kombëtar Shqiptar” nuk duhet të nënkuptojmë vetëm teatrin që ndodhet në Tiranë, por të gjitha ato teatro kombëtare që e zhvillojnë aktivitetin e tyre në trevat ku banojnë shqiptarë, në Shkodër apo Prishtinë, në Vlorë apo Gjakovë, në Korçë apo Shkup, në Durrës apo Ulqin. Mendoj se fizionominë e tij teatri kombëtar shqiptar duhet ta mbështesë, në rradhë të parë, në krijimtarinë kombëtare. Duhet të ketë një barazpeshë midis pjesëve kombëtare me ato të huaja, në mënyrë që peshorja të anojë nga ajo kombëtare. Ka një diferencë ndërmjet teatrit kombëtar dhe teatrove private ku këta të fundit, për interesat e tyre komerciale, mund t’i kushtojnë epërsi pjesëve të huaja. Një shembull i tillë nuk duhet të ndiqet nga teatrot kombëtare.
Një vëmendje e veçantë mendoj se duhet t’i kushtohet dramaturgjisë së traditës. Me termin dramaturgji e traditës nuk duhen mohuar edhe disa drama ose komedi dinjitoze të krijuara gjatë periudhës totalitare. Natyrisht, ne duhet të mbështetemi më tepër në dramat e krijuara para asaj periudhe të errët, drama të lënë në harresë nga politika që buronte nga lufta vrastare e klasave. Më lejoni t’ju sjell një shembull:
Në vitin 1920, kur u vu në skenë, për herë të parë, në sallonin e shfaqjeve të Kolegjit Saverian në Shkodër, melodrama “Ora e Shqypnisë” e njërës prej figurave më të shquara të intelektualve të ekzekutuar nga diktatura, qysh ne ditët e para të regjimit, Dom Ndre Zadesë, kur protagonisti i shfaqjes këndonte:

Adrijes, m’thuej krenare,
Vlona asht tokë shqyptare.

Spektatorët shpërthyen në duartrokitje të stuhishme dhe, në këmbë, thërrisnin:

Rrnoftë Vlona shqyptare! Rrnoftë Vlona Jonë!

Më thoni, të nderuara zonja dhe zotërinj, a nuk do ta nderonte skenën shqiptare sot shfaqja e një melodrame të tillë, sidomos për të rinjtë e nxënësit? Pra, dalim te një ide, te vënia në skenë e pjesëve për kategori të caktuara spektatorësh, nga teatrot kombëtare Po tragjedia e kollosit të letërsisë shqipe, At Gjergj Fishta, “Juda Makabe, drama “Prej robnijet në liri” e Vinçenc Prenushit, tragjeditë e Etem Haxhiademit apo drama e Ernest Koliqit “Rajët lëvizin”, ngjarjet e së cilës zhvillohen në Shkodër në vitet 70-të dhe që është një parashikim i shkëlqyer i rënies së perandorisë komuniste, ku rrëfen triumfin e ardhshëm të një shoqërie në të cilën nuk ka hakmarrje, por fisnikëri sipërane, a nuk mund të vihen në skenë?. Unë mendoj se ndonjëra prej tyre mund të mos i përgjigjet kritereve të dramaturgjisë së sotme, por jam, gjithashtu, i mendimit se një regjizor i mirë mund të nxjerrë prej tyre një shfaqje dinjitoze
Me të drejtë lind pyetja: A ka dramaturgji të vërtetë shqiptare? Unë jam i të njëjtit opinion me ata që mendojnë se ka, por nuk vlerësohen si duhet. Arsyet mund të jenë të ndryshme, por kryesorja është se regjizorët, aktorët dhe punonjësit e tjerë të teatrove kombëtare ndoshta ngurojnë për shkak të koncepteve të krijuara si rezultat i presionit të politikës.
Disa kohë më parë, Gabriel Partosh, në një intervistë dhënë televizionit “Top Channel” deklaronte:

Në Gjermani dhe në Francë dënohe po deklarove se nuk është zhvilluar gjenocid gjatë
Luftës së Dytë Botërore.

Për fat të keq në Shqipëri nuk ekziston një opinion i tillë. Po të vëresh me vëmendje realitetin e Shqipërisë së sotme do të arrish në përfundimin se opinionin publik po mundohen ta orientojnë drejt tendencës së harrimit të periudhës totalitare. Nuk mund të ndërtohet e ardhshmja pa kujtuar të kaluarën, qoftë ajo e ndritur apo e errët. Një gjë e tillë është mjaft e gabuar. Ka 70 vjet që ka përfunduar Lufta e Dytë Botërore dhe veprat me subjekt nga holokausti nazist kundër hebrejve janë ende mjaft të kërkuara. Mjafton të sillja si shembull filmin e mrekullueshëm “La vita e bella” me Roberto Beninjin i cili në vitin 1997 fitoi tre çmime Oskar. Mendoj se dramaturgjia shqiptare i ka mbetur mjaft borxh pasqyrimit të holokaustit komunist kundër vetë shqiptarëve.
Kjo përsa i përket dramaturgjisë së traditës. Ndërsa për dramaturgjinë e ditëve tona, ku autorët janë vetë gjallë, mendoj se bashkëpunimi i tyre me regjizorin ose edhe protagonistin do të jetë çelësi i suksesit të pjesës çka, për fat të keq, ka munguar pothuajse fare. Më lejoni ta ilustrojë këtë me një shembull personal.
Në vitin 2008 botova romanin “Shkallët e Ferrit”, kushtuar depersonalizimit të intelektualit në sistemin totalitar. Këtë roman në vitin 2012 mendova ta shndërroj në një monodramë por, me të vetmin ndryshim nga romani, që ngjarjet e tij vazhdojnë deri në ditët tona, duke goditur një plagë të shoqërisë së sotme siç është ajo e riciklimit të disa prej figurave të përlyera gjatë periudhës totalitare në krye të organeve drejtuese të shtetit shqiptar, gjë që nuk ndodh në vendet e tjera të ish perandorisë socialiste. Mjafton t’ju sjell vetëm një shembull, në Hungari në muajin mars 2014 filloi gjyqi i ish ministrit të brendshëm të viteve 1957-1961, 92 vjeçarit Bela Biszku, i akuzuar si urdhërues për masakrat e kryera kundër pjesëmarrësve në revoltën e vitit 1956
Këtë monodramë ua dhashë për të më dhënë opinionin e tyre dy regjizorëve të dëgjuar, emrat e të cilëve nuk dëshëroj t’i përmend. por njeri prej regjizorëve nuk denjoi të më kthente përgjigje. Përse? Nuk vlente monodrama apo druheshin se mos i dogëndiste dikujt me detyrë të lartë? Mua nuk do të më vinte fare keq po të më kishin thënë se monodrama nuk vlente. Megjithatë përgjigja nuk erdhi.
Regjizori tjetër, që aktualisht banon jashtë shtetit, midis të tjerave më dërgoi përgjigjen e mëposhtme:

Nga pikepamja artistike me la nje pershtypje te bukur forma, permbajtja, ritmi skenik. Subjekti nuk eshte fare i virgjer, por thene me autoritet dhe besueshmeri. M’u duk se ju zoteroni dhe nje vizion mjaft te pelqyeshem skenik, pervec kultures qe rrezaton, fraza, shkrimi, gjuha dhe bukuria e logjikes. Pra ju pergezoj sinqerisht dhe jo formalisht, sic eshte bere zakon i peshtire ne rrethet tona.

Regjizori më premtoi se do të vinte në tetor dhe do të më takonte. Në fakt u kthye, por me mua nuk mori asnjë takim. Përse? Mos përmbajtja e monodramës cënonte dikë?
Atëherë ia dërgova ish-Drejtorit të Teatrit Kombëtar i cili, për të thënë të vërtetën, e dërgoi për konkurim në konkursin e organizuar me rastin e 100 vjetorit të Shpalljes së Pavarësisë. Ia dhashë edhe sime motre, e cila më këshilloi për disa ndryshime që i kreva, madje i ndërrova edhe titullin. Motra bisedoi me një regjizor dhe një aktor që do të interpretonte. U treguan të gatshëm për ta venë në skenë, por nevojiteshin fondet, në një kohë kur vetë teatri, që është shtetëror, i disponon regjizorët, aktorët dhe fondet e tjera të nevojshme për shfaqjen. Mendoj se është korrekte që kujtdo autori t’i jepeshin argumentet pse pjesa teatrore nuk është e përshtatshme për t’u vënë në skenë, ose kur ka vërejtje të pjesshme, t’i bëhen ato. Këto do të ishin përgjigje dinjitoze.
Si përfundim, mendoj se teatri kombëtar shqiptar, në rast se kërkon të quhet i tillë, duhet të shkëputet me më shumë guxim nga influencat partiake që ndërohen çdo katër apo tetë vjet dhe të ketë më shumë pavarësi për të arritur nivelin që kërkon koha dhe për rritur në mënyrë të konsiderueshme numrin e spektatorëve. Historia botërore ka treguar se dramaturgë të shquar kanë ngritur në veprat e krijuara zërin e protestës kundër padrejtësive shoqërore që sundonin në vendet e tyre, megjithatë ato vepra kanë gjetur rrugën e vënies në skenë në teatrot me zë të botës. Shembull për këtë mund të japim rastin e dramaturgut të mirënjohur amerikan, Artur Miller që, megjithse i ndjekur nga i famshmi ligj i mbiquajtur “Mac Carti” , gjeti rrugët për shfaqjen e kryeveprave të tij “Pamje nga Ura”, “Shtrigat e Salemit” e të tjera. Unë mendoj se këtë rrugë duhet të ndjekin edhe teatrot kombëtare shqiptare.
Mbajtur në takimin mbarëkombëtar për dramaturgjinë shqiptare.

Filed Under: Opinion Tagged With: reshat kripa, Teatri Kombetar

26 Prilli – Një votë me rëndësi historike për shqiptarët –

April 21, 2014 by dgreca

Në SHBA dhe Kanada është obligim moral dhe patriotik i çdo votuesi shqiptar që të votojë më 26 prill duke ritur kështu shanset për fitoren e kandidatit shqiptar, Tefik Abdullai. Ai do të jet i pari deputet shqiptarë nga diaspora mbas 90 vjetëve – prej se kur Noli shkoi në krye të qeverisë së Shqipërisë me 1924/
Nga BEQIR SINA, New York/
BENSONHURST – BROOKLYN NY : Frika nga pasojat e mos arritjes se një qeverie me dy të tretat – pra 62 deputet, po luan rol të rëndësishëm në fushatën zgjedhore në Maqedoni. Para zgjedhjeve parlamentare më 26 dhe 27 Prill, në vend është rritur ekstremizmi dhe nacionalizmi i sëmurë sllavo – maqedonas, i kryesuar nga fushata që bënë dy partitë më të mëdha Maqedonase, dhe që pretendojnë të fitojnë edhe këto palë zgjedhje.
Kryeministri i Maqedonisë, Nikola Gruevski u shpreh nga Shkupi se VMRO-së, i duhen 62 deputetë në Kuvend, me qëllim që të “mund të realizojë reformat” pra duke shmangur shqiptarët. Kurse kandidati për president të Maqedonisë, George Ivanov, ka thënë në paraqitjen për media se “sot ka fituar Maqedonia dhe se në raundin e dytë do të fitojë ai dhe koalicioni i kryesuar nga VMRO DPMNE, duke kërkuar edhe ai 62 deputetë”.
Nëse shqiptarët e maqedonisë, do t’a kuptojnë gjuhën nacionaliste që po përdorin Gruevski dhe Ivanovi, nuk duhet të bëhen “mish për top”, i themi ne shqiptarët. Sepse, ata jo vetëm 62 deputet që si marrin kurr sesi! si do që të votohet, ose manipulohen zgjedhjet prej tyre – megjithëse kan pushtetin në dorë, dhe janë të udhëhequr dhe mësuar me parrullën staliniste : “Nuk ka rëndësi se kush voton – por kush i numëron votat” ata kurr nuk i marrin 62 deputetë.
Matematikisht, në një përqindje një shifrore, Gruevski dhe Ivanovi i kan të humbur të paktën kësaj radhe 4 deputet. Pse? Po sido që t’i luajn ata kartat dhe t’i bëjnë llogaritë e tyre, ata i kan të humbur dy deputet e diasporës atë në Europë, dhe këtë në SHBA dhe Kanada. Që i bie dy deputet të fituar nga shqiptarët dhe dy deputet të humbur nga maqedonasit, pra dalin katër deputet kështu simbas llogarisë shifërore.
Komisioni zgjedhor në Shkup njoftoi disa javë më parë simbas shtypit atje se :” 20 përqind e maqedonasve në SHBA dhe Kanada me pashaporta biometrike, janë regjistruar për të votuar, pra në se është e vërtet atëhere maqedonasit nuk i kalojnë dotë as 300 ose 400 vota. Në një kohë që shqiptarët kan dorzuar deri tani mbi 1300 regjistrime, me pashaporta biometrike, dhe simbas ligjeve të kodit zgjedhor te Republikës së Maqedonisë, duhet të votojnë më 26 prill.
Çka do të thotë sido që të manovrojë Gruevski me argatët e tij në komisionet zgjedhore, në asnjë mënyrë se fiton dotë deputetin e diasporës për SHBA dhe Kanada.

Mirëpo, çfarë kërkohet dhe çfarë duhet të bëjnë shqiptarët, ” A duhet që të flenë mbi dafina – dhe të i hapin oreksin Gruevskit , apo të dalin të shtunën masivisht në votime dhe ta mbrojnë votën e tyre? kjo është pyetja. Përgjigjeja është se :”Të shtunën nuk është më koha që të valëvisnin flamujtë kuq e zi dhe të këndojn këngë patriotike, por, është koha për ata që të paktën janë të regjistruar të shkojnë e të votojnë – për të mos humbur qoftë edhe një votë. Dhe, qysh të djelën si ai që votojë dhe ai që nuk kishte të drejtë të votojë, le të bëhemi së bashku dhe të festojmë duke valëvitur flamujtë kuq e zi dhe të këngë këngë patriotike, në mes të Amerikës, në mes të Nju Jorkut e Çikagos”.
Sot, mos të harrojmë se “Fryma nacionaliste maqedonase rritet” sepse, ata e dinë mirë se si nacionalitet si numër, ata janë minoritet ndaj shqiptarëve dhe sidomos në diasporë karshi shqiptarëve. Edhe ngjarjet karshi shqiptarëve në Shkup, kanë çuar qartësisht në rritjen e armiqësisë kundër ne shqiptarëve. Frymëzime të tilla dëshpërimi gjithmonë tentojnë t’i gjejnë fajtorët tek nacionalitet e tjera, dhe bëhen nxitje nga politikanët. Ku shpesh kohët e fundit për deri sa Gruevski ka fituar zgjedhjet me “kartën e nacionalizmit maqedonas”, shqiptarët, që përbëjnë mbi 28 përqind të Maqedonisë, bëhen tabelë qitjeje për agresivitetin, e rrezikshëm edhe nga prezenca e huliganëve të futbollit dhe kriminelëve maqedonas dhe sllavo maqedonas, nëpër lagjet shqiptare në Shkup.
Thirrja e Gruevskit për 62 deputetë në Kuvend, me qëllim “që të mund të realizojë reformat” dhe të mos ketë më shqiptarët për të krijuar qeverinë dhe qëllimi që parlamentin t’a kontrollojë edhe me 2/3 e votave, tregon qartë se “Gruevski dhe VMRO DPMNE, janë duke kërkuar 62 deputetë” sepse kanë tendenca radikalizimi të nacionalizmit maqedonas, të cilin ai e nisi me statujat dhe tani me ndërsymjen me anë të ekstremistëve dhe hulganëve maqedonas. Çka edhe ekstremistët, por edhe huliganët janë të gatshëm për dhunë, shpesh albanofobë dhe nxitëse të urrejtjes kundër shqiptarëve.
Shqiptarët e Maqedonisë, që diasponojnë dokumentat e rregullta dhe janë regjistruar – për sa citova më lart, nuk duhet t’ja falin vetes kurr “mos daljen në votime ditën e shtunë më 26 prill” dhe të votojnë Tefik Abdullain – deputetin shqiptarë nga diaspora. Nese ata mendojnë ( e kam fjalën për çdo votë – mbasi dalja masive as që duhet të diskutohet dhe të vihet në dyshim) se do t’a shprehen pakënaqesinë e tyre kësaj radhe për procedurën e kandidimit, duke mos e hedhur votën për mendimin tim ditën e shtunë ( 26 Prill) kjo :” do të thotë të mos votosh veten dhe t’ia lehtësosh fitoren kandidatit maqedonas” . Pra të jesh një votë kundra vetvetes dhe të “realizosh ëndrrën me sy hapur” të Gruevskit-
Shqiptarët në diasporë, tani nuk duhet të harrojnë se në vitin 2011 në diasporë fituan kandidatët maqedonas dhe me një konkurim qesharak 560 vota me 11 vota. Tani ka ardhur koha për një përfaqësimin të interesave të kombit shqiptarë dhe se ka ardhur koha që ky përfaqësim në veçanti në rastin e diasporës t’i jepet përsëri BDI-së, meqense, ajo qe e para që u angazhua në këtë zgjedhje, me Tefik Abdullain. Tani, çdo demarsh është shumë vonë saqë do ta konsideroja gabim historik me çdo votë të numëruar.
Unë nuk jamë me as një parti dhe asnjëherë nuk kam përkrahur ndonjë parti nga Maqedonia, por u bëjë thirrje mërgimtarëve shqiptarë nga Maqedonia, atyre që jan regjistruar të mos humbasin këtë rast hsitorik, që u ka rdhur në dorë, duke shkuar e të votojnë më 26 prill. Të tregojnë edhe një herë veten siç e treguan për çlirimin dhe pavarësinë e Kosovës, dhe luftën në Maqedoni në vitin 2001, ku roli dhe kontributi i kësaj diaspore ishte historik.
Tani shanci i erdhi në dorë të zgjedhi një shqiptarë, pavarësisht se është i BDI, PDSH, RDK, DR, apo PPD, për herë të parë diaspora e Maqedonisë, do të ketë mundësinë për të zgjedhur përfaqësuesin, e tij i cili do të mbrojë interesat e tyre në Parlamentin e Maqedonisë, dhe do të jetë zëri i një shqiptari nga shqiptarët e Amerikës.
Në SHBA dhe Kanada është obligim moral dhe patriotik i çdo votuesi shqiptar që të votojë më 26 prill duke ritur kështu shanset për fitoren e kandidatit shqiptar, Tefik Abdullai.
Në këto zgjedhje bashkëkombasit tanë në SHBA kanë mundesinë dhe rastin e shkëlqyeshm që të përfaqësohen në Parlamentin e Maqedonisë me delegatin e tyre, i cili në mënyre direkte do të reflektojë interesin dhe vullnetin e diasporës shqiptare, për mbrojtjen e interesave tona kombëtare dhe mbarëvajtjen e proceseve integruese në Maqedoni.
Në kohën kur kabineti i Gruevskit është angazhuar me gjithë potencialin e vet në përpjekje të manipulimit edhe të këtyre zgjedhjeve më qëllimin e vetëm që të grabitë edhe dy deputetet e diasporës në Europë dhe SHBA e Kanda, kandidati i tyre të dalë edhe njëherë fitues në zonën që përfshin SHBA dhe Kanadanë, është obligim moral dhe patriotik, i çdo votuesi shqiptar, qe të votojë të shtunën më 26 prill 2014.
Nuk duhet të egzistojë as edhe dyshimi më i vogël se mes z. Tefik Abdullai dhe kandidatit maqedonas se është në interesin tonë kombëtar dhe në interesin e çdo bashkëkombasi në SHBA – besim vetëm tek fitorja e kandidatit shqiptar.
Fitorja e z. Tefik Abdullait, nuk ka vetëm rëndësi politike – por do të rrisë dhe numrin e deputeteve shqiptar në parlamentin maqedonas, çka do të bëjë që të vdes ëndrra e Gruevskit për 62 deputetët maqedonas. Kjo do të jetë një fitore njëkohësisht, që do të mundësojë vendosjen e një ure direkte komunikimi mes diasporës shqiptare dhe institucioneve me relevante të SHBA, si aleati më i mirë, dhe besnik dhe më i fortë i shqiptarëve, “Miku i përjetshëm i Shqiptarëve ka thënë presidenti historik i Kosovës Rugova..
Fitorja e kandidatit shqiptar, është fitore e juaj e vetvetes dhe familjes suaj. Vota e çdo shqiptari të Maqedonisë më 26 prill, është votë e dinjitetit dhe e krenarisë së të qenurit shqiptar, eshte votë e cila jo vetëm që rrit fuqinë tonë politike, në Parlamentin e Maqedonisë, por tregon edhe epersinë tonë numerike ndaj qytetareve maqedonas në kontinentin Amerikan –
Ndaj vota e 26 prillit është apelim tek të gjithë ata që janë regjistruar që t’i përgjigjen kësaj sfide dhe me indiferentizmin e tyre mos të krijojnë hapsirë për politikat shoviniste maqedonase, të cilat kanë për qëllim dobësimin politik të shqiptarëve dhe përpjekjet për të minimizuar përqindjen e shqipëtarëve si në Republikën e Maqedonisë, ashtu edhe në diasporë.
Vota e juaj për kandidatin shqiptarë nga Amerika na bënë të ndihemi shumë më mirë…! dhe më të fortë dhe më krenarë, edhe ne si shqiptarë, që luftojmë në kauzën tonë, për atë që ju edhe ne së bashku kemi luftuar dhe kemi dhënë një kontribut historik. Dhe jam shumë i bindur – bindje e cila nuk krahasohet me asgjë tjetër! – këtu në SHBA, pra që ju do të votoni Tefik Abdullain dhe ai do të jet i pari deputet shqiptarë nga diaspora mbas 90 vjetëve – prej se kur Noli shkoi në krye të qeverisë së Shqipërisë me 1924

Filed Under: Mergata Tagged With: 26 Prilli - Një votë me rëndësi historike, Beiqr Sina, per shqiptaret, TEFIK ABDULLAI

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 20
  • 21
  • 22
  • 23
  • 24
  • …
  • 70
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Kontributi shumëdimensional i Klerit Katolik dhe i Elitave Shqiptare në Pavarësinë e Shqipërisë 
  • Takimi i përvitshëm i Malësorëve të New Yorkut – Mbrëmje fondmbledhëse për Shoqatën “Malësia e Madhe”
  • Edi Rama, Belinda Balluku, SPAK, kur drejtësia troket, pushteti zbulohet!
  • “Strategjia Trump, ShBA më e fortë, Interesat Amerikane mbi gjithçka”
  • Pse leku shqiptar duket i fortë ndërsa ekonomia ndihet e dobët
  • IMAM ISA HOXHA (1918–2001), NJË JETË NË SHËRBIM TË FESË, DIJES, KULTURËS DHE ÇËSHTJES KOMBËTARE SHQIPTARE
  • UGSH ndan çmimet vjetore për gazetarët shqiptarë dhe për fituesit e konkursit “Vangjush Gambeta”
  • Fjala përshëndetëse e kryetarit të Federatës Vatra Dr. Elmi Berisha për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë në Seancën Akademike kushtuar 100 vjetorit të lindjes së Peter Priftit
  • Shqipëria u bë pjesë e Lidhjes së Kombeve (17 dhjetor 1920)
  • NJЁ SURPRIZЁ XHENTЁLMENЁSH E GJON MILIT   
  • Format jo standarde të pullave në Filatelinë Shqiptare
  • Avokati i kujt?
  • MËSIMI I GJUHËS SHQIPE SI MJET PËR FORMIMIN E VETEDIJES KOMBËTARE TE SHQIPTARËT  
  • MES KULTURES DHE HIJEVE TE ANTIKULTURES
  • Historia dhe braktisja e Kullës së Elez Murrës – Një apel për të shpëtuar trashëgiminë historike

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT