• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for April 2014

ALO VAÇE!

April 9, 2014 by dgreca

Nga ELIDA BUÇPAPAJ/ Midis 9:00 dhe 10:00, pak a shumë rreth kësaj kohe, kur mendoja se ajo e kishte kryer ritualin e mëngjesit dhe tash qëndronte e ulur përpara televizorit duke patur pranë telefonin, telekomandën dhe një orë të vogël, që i tregonte se kur duhej të merrte ilaçet, unë do ta merrja në telefon për t’i uruar ditën e lindjes. Sa niste muaji prill, gjëja e parë që mendoja ishte ditëlindja e Vaçes. Pushtimi nga Italia, lindja e princit trashëgimtar, ikja e Zogut – të gjitha vinin pas ose nuk vinin fare. Unë besoja se Zoti kishte bërë që Vaçja të jetonte afër nesh. Si për të na e lehtësuar peshën e mungesës së Atdheut. Prania e saj në Zvicër, edhe e zvogëluar prej sëmundjes në atë kolltukun e dhomës së miqve kur priste shqiptarë dhe ndiqte me vëmendje lajmet që vinin nga vendi i saj, përfaqësonte për mua 28 mijë kilometra katrorë të një Shqipërie europiane. Të një Shqipërie siç do të bëhet, ashtu siç e deshte zemra e Vaçes, të një Shqipërie që Zoti e ka vendosur në mes të të mirave. Kur kjo klasë politike që e ka lënë kockë e lëkurë atdheun tonë, të mos jetë më. Vaçe Zela simbolizonte Shqipërinë nuse, kur të bëhet si Zvicra e Ballkanit.

Rreth kësaj ore, midis 9:00 dhe 10:00 të paradites, si tani që po i shkruaj këto rradhë, në vend të telefonatës që do të bëja. Unë do t’i bija ziles dhe kur do t’i thosha „Alo, Vaçe“ – ajo nga ana tjetër do të më përgjigjej menjëherë „Elida“. Sepse e dinte shumë mirë që unë lumturohesha kur ajo ma njihte zërin menjëherë, kjo jo vetëm për shkak të veshit të saj të ndjeshëm muzikor. Por sepse midis nesh kishte një sintoni të bukur. Që unë e desha Vaçe Zelën, kjo nuk përbën ndonjë diçka të re sepse shqiptarët që deshën dhe e duan janë një oqean i madh, por sintonia jonë ishte e veçantë.
Sot provova t’i bie ziles me shpresë se mos më përgjigjej që nga parajsa. Këto janë gjëra që deri tani nuk kanë ndodhur. Por diçka është e sigurt se edhe prej parajse ajo rrezaton një diell dashurie për të na ngrohur e shkrirë ne shqiptarëve nga ngrica e përçudnimi.
Gjithë jetën më ka shoqëruar Vaçja. Me mrekullinë e zërit të saj jam rritur. Edhe kur dëgjoja fshehtas Beatles. Nuk vija ndonjë ndryshim midis tyre. Nuk e di nëse Beatles, John Lennon me shokë si do t’ja kishin dalë në Shqipërinë burg, ku këndonte Vaçja. Nëse do t’ia kishin thyer vargojtë diktaturës përmes këngës, ashtu si Vaçe Zela.
Tek Vaçja, Zoti i kishte dhuruar të gjitha bashkë. Ajo kishte zërin, talentin, zemrën, interpretimin, feminitetin. Ishte një artiste e kultivuar e cila i thyente të gjitha barrierat nën diktatin e një sistemi mizor. Si askush. Si asnjë.

Asnjëherë nuk pati lidhje me regjimin. Nëse do të kishte, regjimi do ta shpërblente ashtu si i ka shpërblyer të gjithë artistët dhe shkrimtarët që i pati shërbëtorë të bindur.
Vaçen diktatura e dënoi në mënyrën më kriminale të mundshme. Nuk mundi dot ta burgoste si i burgosi të tjerët. Sepse i friksohej Vaçes, dimensionit të saj gjigand. Atëherë gjeti mënyrën më tragjike. Duke ia hequr të drejtën e këngës. Duke e nxjerrë Vaçe Zelën në pension në moshën 45 vjeçare.
Ta nxirrje Vaçe Zelën në pension në moshën 45 vjeçare, t’i hiqje të drejtën e këngës, do të thotë që ta ekzekutoje me mënyrat më të përbindshme që përdorte diktatura. Si mund të ishte pushkatimi apo varja në litar.
Dhe më vjen keq, se mediat në Shqipëri vazhdojnë dhe e fshehin këtë fakt. Më vjen keq kur dëgjova në fjalët e lamturës që u thane për të, se Vaçe Zela iu largua vetë skenës si Greta Garbo! Kjo s’është e vërtetë. Vaçe Zelën e largoi nga skena diktatura. Sepse ajo ishte titane! Diktatura përpara saj dukej qesharake.
Sa nuk ishte sëmurë, gjatë qëndrimit të saj në Zvicër, kur ne të dyja flisnim bashkë dhe unë i referohesha kthimit të saj në skenë, ajo asnjëherë nuk më tha „jo“. Që do të thotë se ajo gjithnjë e mbante mendjen dhe shpirtin tek skena. E cila iu mohua nga diktatura dhe nga tmerret e tranzicionit. Sepse Vaçe Zela nuk do të largohej kurrë nga Shqipëria edhe fizikisht, ashtu si nuk u largua kurrë as mendërisht e shpirtërisht. Ajo vuante për të gjitha mbrapshtitë që i vuante Shqipëria dhe shqiptarët gjatë këtyre 23 viteve pasdiktaturë, kur shteti nuk kishte kohë për qytetarin, kulturën dhe artistët sepse ishte i përqendruar tek pangopësia për pushtet.
Kur ajo vdes, shteti e kujton Vaçe Zelën postmortum, kur shtanget nga pesha prej titaneje e Artistes, të cilën diktatura e largoi nga skena në prillin e vitit 1984 – plot 30 vjet më parë, ndërsa ajo vazhdon të qëndrojë në skenën e shpirtit të kombit që është i pavdekshëm. Sepse Vaçe Zela ishte një talenti i lirë dhe sovran, i pastër dhe i papërlyer. E kështu do të mbetet. Në përherësi.
Unë po i bie ziles së telefonit. Sinjali po bie pa pushim. Unë po pres mrekullinë që ajo pas telefonit të më përgjigjet « Elida ». Jam duke pritur që të paktën të më dërgojë një shenjë nga Parajsa. Padyshim që këtë shenjëz do ta marr.

Filed Under: ESSE Tagged With: Elida Buçpapaj, Lamtumire, Vace Zela

LAOKOONTI E SHQIPTARËT…

April 9, 2014 by dgreca

Nga Fritz RADOVANI/

Në vitin 1962, në sallen e pikturës pranë Shtëpisë së Kulturës në Shkoder, kam vizatue koken e Laokoontit, veper e skulptorit madh Mikelangjelo…Ishte 50 vjetori i Pavarsisë së Shqipnisë.

Edhe pse gjarpni e kishte kafshue Shqipninë që në vitin 1468…Na dukej se në vitin 1912, kishim fitue dishka… Sikur, dervishët na e kishin largue friken.

Kjo statujë, sikur, na e kthjelloi shikimin dhe mendimin e turbulltë… Ishim të rijë…Që në vitin 1944, Shqipnia vazhdonte me kenë e lidhun nga një gjarpen i mnershem dhe i pakrahasueshem në Shekullin e XX, me asnjë tjeter që kishte lidhë dhe kafshonte perditë Popullin e vet, ku dhimbja dhe helmi depertonin në krejt trupin e çveshun të Shqiptarit…

Gati askush nuk e dallonte koken e tij të maskueme me “Yllin e kuq” që ushqehej me gjak Atdhetarësh, e vazhdonte me kafshue dhe me helmatisë Rininë Shqiptare.Ata baballarë që ishin të lidhun prej tij do të shihnin me sytë e tyne edhe trashigimtarët e vet, pa asnjë shpresë shpëtimi nga kafshimi i këtij perbindshi me pamje gjarpni…

Gjarpni nuk falë as nuk dihet se ndonjëherë asht tregue i mëshirshëm…Podrume, biruca, qeli, lagështinë, uri, errësinë, etje, ndytsinë, pisllek, torturë, rrahje, thyemje kockash, djegëje syshë me cigare, vezë të zieme nenstjetulla, mace të egersueme nder thasë, tredhje organesh gjenitale, perdhunime vajzash nder sytë e baballarëve të vet,gra të lidhuna nder sy të burrave, burra të vuem në hell, e vllau tue dishmue per vllaun… Të gjithë të lidhun prej një gjarpni që quhej Enver Hoxha në mënyren ma mizore e që, me helmin e tij “lufta e kllasave”, shkatrroi Atdheun, Shqiptarin, Virtytet dhe Fenë e Tij.

Besa, Burrnia dhe Bujaria e trashigueme nder shekuj… u shue me helmin anadollak…

Çapini shovenist sllavokomunist ushqente me helmin vllavrasës gjarpnin e kobren…

Populli Shqiptar nder shekuj i robnuem dhe i coptuem copa copa, duhej perça e robnue ashtusi persa shekuj vepruen pushtuesit turq me veglat e tyne tradhëtare anadollake.

E gjarpni ngopej e knaqej tue pa një Popull në dhimbje, vorfni e pashpresë shpetimi…

Mbi 50.000 Shqiptarë, i mbyti me helmin e tij… E virrmat e Tyne humben nder labirintet e podrumet e golleve të hapuna nga gjarpni per 47 vjet, pa asnjë minut dritë në Shqipni.

Mbi 500.000 Shqiptarë, nder kampe pune, ferma e minjera…leckoheshin perditë në trup dhe në Shpirtë, per me knaqë epshet e gjarpnit dhe kobres që lëshonin vezë e jarg helmi.

E zemra e gjarpnit me “Urdhën nga Naltë”, njëditë… do të plaste… me 11 prill 1985…

“Amaneti” i sulltanit per Shqipninë e Gjergj Kastriotit ishte: “Të bie shehadet per veprat që ka bërë në jetë kundër Allahut! Këte e ka dhe Kur’ani, që është shumë më i përparuar dhe më njerëzor se Bibla, dhe si përfundim: Shqiptarët duhet t’i pershtatën atij.” (E.Hoxha, “Shënime për Lindjen e Mesme” 1958 – 1983. Botue Tiranë, 1985.)

Melbourne, 2014.

Filed Under: Opinion Tagged With: Fritz radovani, LAOKOONTI E SHQIPTARËT...

Kalaja në Porto-Palermo në 15 destinacionet e pazbuluara europiane

April 9, 2014 by dgreca

NGA GËZIM LLOJDIA/   1./9 prill 2014 ,Huffpost travel sjell 15 destinacionet e pazbuluara europiane. Kur është fjala për destinacionet shumë të mira evropiane, më i madh nuk do të thotë gjithmonë  më e mira. Ndërsa udhëtarët zakonisht shkojnë  në drejtim të  qyteteve të   mëdha si në: Londër dhe Paris, disa nga sekretet më të dobishme dhe më të mirë-mbajtur të rajonit janë të vendosur si alternativë e mirë jashtë tyre. Nga një qytet të vogël shkëmb shqiptar me pamjet mahnitëse malore, në një fshat malor zviceran i njohur për birrë e saj dhe djathëin, kjo është edhe vlerë në përpjekje shtesë për të marrë një  nga 15 zgjedh tona për destinacionet më të mira evropiane të pazbuluara.Strehim ndër kodrina kodra e gjelbër vetëm në jug të qytetit të Himarës është Porto Palermo. Ky fshat shqiptar mban një profil , por përmban një kështjellë  të shekullit të 18-të që mbikëqyr një gji detar. Vizitorët mund të eksplorojnë bazë  e saj të mirë-ruajtur, dhe të marrë në peizazh piktoresk  të vijës bregdetare.

2. Nga objektet arkeologjike sipas informatave të fillim vitit ‘ 91  në brigjet shqiptare të detit Jon, nga Kepi i Gjuhëzës gjer në Kapoqefal të Sarandës, janë zbuluar 20 fortifikime pre-historike. Qarku Vlore është i përberë prej rretheve:Vlore, Sarande, Delvine. Shtrihet ne pjesën jugperëndimore të vendit dhe laget nga deti Adriatik dhe deti Jon. Qendër e Qarkut është qyteti i Vlores, e cila është qendër tregtare, industriale dhe e ndërlidhjeve te shumta.Himara .Ne krahinën e Himarë bëjnë pjese qyteti  i Himares se bashku me fshatrat Palas, Gjilek, Dhermi, Iliaz, Vuno, Qeparo, Kudhes, Piluri. Krahina e Himares shtrihet përgjatë bregdetit te detit Jon, duke filluar nga veriu ne Llogora e deri ne lumen e Borshit ne Jug. Nga veri- lindja, lindja dhe jug-lindja rrethohet nga vargmali  i Akroceraunit me majën me te larte atë te Çikës me lartësi 2045m mbi nivelin e detit. Ne krahinën e Himarës rrjedhin përrenjtë e Ksarrollakos, të Polopotamo, të Gjipes,të Vishes dhe të Qeparoit, të cilët në periudha shume të nxehta te vitit mund dhe te shterojnë. Gjiret kryesore ne det janë ato te Spilese dhe te Panormit (Porto-Palermos). Pasuritë kulturore, historike dhe artistike prezentë. Në territorin e Bashkise Himarë objektet kryesore te cilat përbejnë pasuri kulturore, historike dhe artistike janë Ne Panormi: Kalaja e Porto-Palermos dhe Kisha e Vasilikes (gruas se Ali Pashes). Kjo kala thërritet ndryshe edhe Kalaja Pashe Tepelenës, ndodhet ne afërsi te Himarë, ne gjirin me te njëjtin emër. Kjo kala u projektua nga një inxhinier francezne formën e një pesekendeshi. Porta e hyrjes ndodhet nga ana e lindjes. Muret janë te trashe 1.6m. Në shënimet e tij konsulli francez Pukevil shënon se me 1806 ali Pashe Tepelena, i rezervoi atij një pritje ne kalanë e Kastrise, Himarë. Sipas studiuesve te quajtur te bregdetit Janko Palit, ne ballin e portës te kësaj kalaje jene te gdhendura me germa greke ne stilin bizantin.

3.-Në ballin e portikut të kështjellës së Ali Pashait,në Porto Palermo,në jug të gdhendura gjenden në një stil,ndoshta në atë  bizantin, vargjet nga mënyra e të kënduarit duken që janë të bejtexhinjve të oborrit:”Ktheni ploret o detarë…afrohuni pa frikë,inati  i erës dhe dallgët janë frikë…Ky është varianti i parë që unë gjeta dhe ne fund do tju paraqese variantin e dyte  te mesuesit Janko Pali nga Qeparoi.Çfarë do të kuptojë ky rapsod oborri i Ali Pashait me fjalët,ktheni ploret o detarë…,Flitet për anijet detare, që të ankorohen aty buzë vendit ku prehej pashai. Një ditë do të kthehem tek ju i ka thënë edhe  Pukevil  ,i cili ka shkruar për këtë takim dhe ka përmendur vitin 1806,kohë këtë cilin Ali Pasha e mirëpriti në kalanë pesë këndesh e projektuar nga një inxhinier bashkëkombës i Pukevilit, po francez. Afrohuni pa frikë besoj shqyrton,aty për ku je nisur,po të them në gjuhën vendase  ”Mirëardhësh ! Në një sterre,dallgët të krijojnë ndenjën e madhe të frikës,zhurma e tyre,shkrumbëzimi,përplasjet,lartësia e tyre e matur në disa ballë,dhe kësisoj inati i erës,nuk mund të përballohen përveçse tu thuash hapu ,janë goditje që ndryshojnë format e shkëmbinjve .Ktheni ploret o detar… në qiellin e kthjelltë nëpër natë,nuk ka ndonjë formulë të fshehtë mikpritje,për të kthyer anijet në gjirin e kështjellës ku qëndronte pashai plak i menduar,që ishte  e rebeluar me perandorin.

Frynë jug erë e fortë, që ndihet më tepër në jug ,por sidomos në këtë pjesë jugore. Kalaja është në vendin më të bukur,një ishull deti e rrethon më tre pjesët me ujë,ndërsa përkarshi është rruga që mbrinj deri atje. Duken muret e kalasë, frëngjitë e vogla të mbuluara me rrasa guri. Murre,portik, frëngji .Kalaja është mirëmbajtur mirë. Brenda ka dhoma,puset  e ujit. Dhoma të errtë si biruca. Koridorre dhe mjedise të tjera. Punuar me gurë. Një ndër specialistët e monumenteve të kulturës në rrethin e Vlorë, N .B shprehet se ka një ide interesante. Duke parë se në ishullin e Janinës,   kanë krijuar një muze për Ali Pashën,përse ndoshta në të ardhmen mund të projektohet dhe të ndërtohet një muze për Ali  Pashën.  Aty mund të përmblidhen të gjitha të dhënat si dhe dokumentet,reliktet dhe foto për sundimtarin Ali Pasha. Duhet thënë se pas Skënderbeut,është Ali Pasha ,sundimtari që sundoi jugun e vendit duke e taposur pushtimin osman. Duke bashkëvepruar më bektashinjtë për një aleancë të vetme të dy palët kishin një kundërshtar,shteti i Ali Pashës është i njohur duke ekzistuar ,ku Ali ishte sundimtari një lloj kryeministri shqiptar .Dhe është e kuptueshme koha e tij,por është pak e njohur si kohë e qëndrimit te ekzistencës së shtetit shqiptar karshi  osmanllinjëve . Në muzeun e Ali Pashës mund të vendosen dokumente origjinale që gjenden në shtetin turk,por edhe në ishullorin e Janinës .A duhet menduar sa për fillim duhet thënë se është një ide e mirë për ti hapur udhë realizimit të më vonshëm. Kjo edhe nga fakti sepse sivjet kalaja në Porto Palermo pati vizitorë të shumë,turistë tëhuaj që interesoheshin për Ali Pashën dhe kalanë e tij,kohën e sundimit,rreth dy shekuj më parë. Kalaja e Ali Pashës mbart një tregim të moçëm. Ali Pashai e ndërtoi këtë kala për gruan e tij Vasiliqinë. Thuhet se thesari i saj është zhytur në katakombet e saj dhe pas mërgimit të pashit dhe gruas së tij ,thesari nuk u gjet,duke treguar se legjenda ishte më tepër një sajim popullor.

Kështjella -Kështjella në jug, e Ali Pashës mësuar me gjuhën e fjalëve të patregueshme,ku të shfaqet  Vasiliqia ,që e parandien ardhjen e orëve te territ,në dyert e saj nga shenjat pluskuese i solli koha. Ti hënëz e plotë,në flokë!O pishës e ndezur në muzg!Sa shikime janë ngurosur përmbi ty:” C’pret moj e gjorë,Aliu s’është më i gjallë…

Kjo kala me shkruante një ish i burgosur aty ka shërbyer si burg, Ata shkruan aty vite te rinise.Thuhet se në Himarë kalonte trakti i Egnatias jugore, që përshkonte Aulonën, Llogora, Himarë, Finiq. Himara e ka plazhin në Spile më të mirin. Ajo,që mund të tërheq kureshtar është shpella e Odisesë në Spile. Si i shpëtoi Ciklopit varur në leshin e deleve. Në Porto Palermo,kështjella e Ali Pashait ka formë pesëkëndëshe. Muret janë të trashë 1.6 m .Në ballinë gjenden vargje poetësh,gdhendur me stilin bizantin. Ndërtuar poetika e tyre me kaq ëmbëlsi me detin:Mbishkrimi i dyte na e ka dërguar nga USA Pertaq Pali ibiri i Janko Palit.

Mbishkrim ne deren e forteses se Palermos te ngritur me 1806 nga ALI PASHA, Vezir i Janines.

Stripste tis pllores afova thallasopori kseni
S’tin thallasa tu Panormu, thimos vjeni !
Q’eme pu tora vlepete s’ton urano san astro
Ime tis niqis tropeo astrapovollo Kastro !
Nifadhes Himarjotises m’ektisane me zillo
Afillo pros tus afillus qe pros tus fillus fillo !
M’ezilepse o Faethondas m’ihe nakari o Pirros
ALIS o protos me krati Tepelenjotis iros !
Afendis plireksusios s’tis Ipiros ta meri
Qe stratighoa Asirios me ta spathi s’to heri !
Pende mirjadhes stratevma Krata s’ton orismo tu
Afovos penda q’atromos anandja s’ton enthrotu !
S’ta Janin’ ahapavete t’atromito londari
Tis Athinas to jenima q’anathrema tu Ari !

Ngritur ne kopje ne vend me 1932 nga Arsimtar Janko Pali

Ktheni plloret o detare,hyni ne liman rehat
Këtu ne Panormen deti s’trembet erës me inat
Edhe mua qe shikoni lart ne qiell qe çaj rete
Jam e fitores trofe fortes’ qe shkrep rrufete !
Nuset e Himarjoteve me ngritën me kujdes
Armike për armiqtë, për miq mike me bese !
Me pati zili Fatheondi dhe Pirro me pat nakar
I Tepelenës me sundoi heroi Aliu i par
I plotfuqishem është sot ne ç’mban Epiri vende
Dhe gjeneral Asirian me shpat’ e me mende !
Pese dekada mijëra ka n’urdher ushtare
Pa frike e pa u tutur u ben armiqve balle
Tani Janine prehet luani pa frike
Nga Athinaja lindur , qe Marsi vete ka rrite !

Përkthyer dhe përshtatur ne shqip nga arsimtar Janko Pali ne vitin 1932 (shkruar me makine shkrimi mare nga origjinali i vitit 1932 dhe ne dy ½ flete, formati ) .Qeparo me 29. XI. 1979

*Mr.Anëtar i Akademisë Evropiane të Arteve

 

Filed Under: Featured Tagged With: 15 destinacione, Kalaja ne Porto Palermo, Nga Gezim Llojdia

Qëndrimi i Ahmet Zogut kundër pushtimit fashist të Shqipërisë

April 9, 2014 by dgreca

Nga Prof. Dr. Muharrem Dezhgiu/

 Stabiliteti politik i shtetit shqiptar në vitet ’20-’30 të shek. XX ishte kusht i domosdoshëm për prosperitetin e mëtejshëm të vendit në një proces historik normal të zhvillimit të tij. Ky proces historik është i lidhur me Mbretin Ahmet Zogu “një prej figurave më të rëndësishme politike në historinë e Shqipërisë moderne”[1].

          Agresioni fashist italian i 7 prillit 1939, për fat të keq, e ndërpreu në mënyrë arbitrare këtë proces historik normal të ecjes së Shqipërisë. Kjo ngjarje tronditi thellë pozitën politike të Mbretit Ahmet Zogu dhe të sensit të marrëdhënieve italo-shqiptare.          Edhe pse gjatë marrëdhënieve italo-shqiptare, në vitet ’30-të, Ahmet Zogu ndoqi një politikë koncesionesh ndaj Italisë, ai nuk pranoi koncesione të atilla që cenonin apo rrezikonin sovranitetin dhe pavarësinë e vendit. Qëndrimi i Ahmet Zogut dëshmonte jo vetëm vullnetin e tij për të ekzistuar politikisht, por edhe për një shkallë të lartë patriotizmi të tij.

Duke parë vendosmërinë e Zogut ndaj Italisë, për të mos lejuar që ajo të kontrollonte krejtësisht Shqipërinë, Italia shfrytëzoi mjetin e fundit, agresionin, për pushtimin e saj. Mbështetur në këtë fakt historik, të pushtimit ushtarak të Shqipërisë, njëherësh kjo një provë e suksesit politik të Ahmet Zogut, në mbrojtje të sovranitetit të vendit, kuptohet absurditeti i historiografisë së mëparshme shqiptare që, pushtimin fashist të Shqipërisë, e ka cilësuar “si përfundim logjik të politikës antikombëtare dhe antipopullore të Ahmet Zogut”[2].

Pushtimi i Shqipërisë nga Italia fashiste ishte rezultat i planeve strategjike të fashizmit për sundim botëror. Me anë të dhunës, fashizmi do të vinte në pozita ekzili jo vetëm Mbretin Zog në Shqipëri, por dhe figura të tjera të larta politike.

Vetë qëndresa politiko-diplomatike e Ahmet Zogut dhe qeverisë së tij, për të mos pranuar ultimatumin italian të fillimprillit 1939, për vendosjen e protektoratit italian mbi Shqipërinë, ishte një rezistencë politike në mbrojtje të integritetit të shtetit dhe të pavarësisë së Shqipërisë.

Përballë një raporti disproporcional të forcave shqiptare me ato të pushtuesit italian, pa asnjë mbështetje të fqinjëve dhe të fuqive evropiane, Zogu u bind se, pushtimi i Shqipërisë ishte i pashmangshëm. Organizimi total i bashkatdhetarëve në një konflikt të përgjakshëm, pa asnjë mundësi reale për fitore, ishte veçse një aventurë. Veç kësaj, prania e tij në këtë pushtim të pashmangshëm, do të kompromentonte legjitimitetin e sovranitetit të shtetit shqiptar. A.Zogu nuk preferoi të mbetej një kukull në duart e italianëve, duke pranuar humbjen e pavarësisë së vendit. Ai u pozicionua, që në fillim dhe deri në fund të luftës, si një kundërshtar i pushtimit italian, në mbrojtje të pavarësisë së vendit. Që më 8 prill 1939 u kërkua nga qeveria shqiptare që Këshilli i Lidhjes së Kombeve të merrte qëndrim për pavarësinë e Shqipërisë, mbështetur në nenet 10, 11 dhe 17 të Traktatit të saj[3]. Ahmet Zogu rezervoi gadishmërinë për veprim në jetën politike shqiptare, për rifitimin e pavarësisë në kushtet e reja të Luftës Botërore.

Duhet thënë se, qëndrimi i A.Zogut, pas pushtimit fashist të vendit, duke kaluar në ekzil politik, u përcaktua dhe nga rrethana të tjera, të disfavorshme për qëndrimin e tij në Shqipëri.

“Politika e mosndërhyrjes” që ndoqën Fuqitë e Mëdha i lanë dorë të lirë fashizmit italian të sulmonte Shqipërinë. Kryeministri britanik, Çambërlen, më 6 prill 1939, deklaronte se Britania e Madhe nuk ka interesa të drejtpërdrejta në Shqipëri”[4]. Ndërsa, më 8 prill 1939, qeveria britanike arrinte në përfundimin se Shqipëria duhej të sakrifikohej “për hir të paqes evropiane”[5].

Ky qëndrim i qeverisë britanike ndaj agresionit italian në Shqipëri do të reflektohej edhe në qëndrimin e saj ndaj Mbretit Zog, gjatë azilit në Angli. Ahmet Zogut iu dha përgjigje pozitive për strehim në Angli “si person i shquar privat”, por, nuk iu njoh statusi i mbretit, që të gëzonte “imunitetin e sovranit” të shtetit shqiptar.

Qëndrimi i diplomacisë dhe i politikës britanike ndaj Mbretit Zog, duke i vënë kusht që të mos merrej me politikë, do të reflektonte në fakt qëndrimin britanik ndaj statusit të ardhshëm të Shqipërisë. Sipas politikës britanike, “konsiderohej gabim nxjerrja në pah e emrit të Zogut, si figurë e rifitimit të pavarësisë së Shqipërisë, duke mos e angazhuar veten për statusin e ardhshëm të Shqipërisë”[6]. Sipas kësaj politike, deklarohej se “ne nuk do të angazhohemi ndaj rikonstruktimit të një Shqipërie të pavarur, mbasi “Statusi i ardhshëm i Shqipërisë është një çështje që do të zgjidhet në Konferencën e Paqes”[7].

Megjithë këtë pozitë të pafavorshme politike, Ahmet Zogu nuk rreshti përpjekjet, për të luajtur rol aktiv në interes të Shqipërisë. Madje, në letrën drejtuar presidentit amerikan, Rusvelt duke iu referuar Deklaratës së Atlantikut, të janarit 1942, i kërkonte mbështetjen, që Ahmet Zogu të njihej si përfaqësues legal i Shqipërisë[8]. “As morali ndërkombëtar, as të drejtat e njeriut, as oportuniteti politik i çastit… – thuhej, ndër të tjera, në letër – nuk mund të justifikojnë një trajtim të ndryshëm për Shqipërinë nga ana e Fuqive të Mëdha Aleate”. Dhe më tej vazhdonte: “Zbatimi i parimeve të pranuara për gjithë kombet e robëruar, pa bërë një përjashtim për Shqipërinë, do t’i heqë një armë të fuqishme propagandës së armikut”. Kështu, ai, me këtë qëndrim, e rreshtonte veten dhe Shqipërinë në anën e Kombeve të Bashkuara, në luftën kundër armikut të përbashkët të demokracisë.

Edhe pse, Ahmet Zogu ishte pozicionuar qartë në krahun antifashist të luftës, politika britanike evitonte çdo angazhim të saj për njohjen e Mbretit Zog me statusin e tij apo çdo angazhim për të ardhmen e Shqipërisë. Dukej qartë se, politika britanike ndaj Shqipërisë u ndikua nga interesat politike greke, duke iu përmbajtur postulatit, sipas të cilit, asnjë veprim nuk do të ndërmerrej në Shqipëri pa marrë pëlqimin e qeverisë greke ose të paktën pa diskutuar me të[9]. Vetë ministri i Jashtëm britanik, A. Eden ishte shprehur se “grekët dhe jugosllavët kishin synime (ndaj Shqipërisë – M.D.) që i kanë shprehur me forcë dhe që ne duhet t’i marrim parasysh, në momentin dhe mënyrën e duhur”[10]. Qëllimi i qeverisë greke ishte, që, duke shpërfillur autoritetin e A. Zogut, si vazhdues i ruajtjes së legjitimitetit të shtetit shqiptar, të vepronte me duar të lira për aneksimin e Shqipërisë së Jugut pas luftës. Kjo ishte arsyeja që Greqia mbajti një qëndrim refraktar ndaj të gjitha ofertave që i bëri A.Zogu, për të jetësuar bashkëpunimin e dy vendeve në luftën kundër fashizmit[11]. Këtë qëndrim të Greqisë e adaptoi dhe politika britanike, me arsyetimin se, “në mbarim të luftës mund të jetë e vështirë të gjendet për grekët një kompensim tjetër territorial, përveç krahinave shqiptare[12].

Këmbëngulja e Ahmet Zogut për njohjen e vazhdimësisë së legjitimitetit të shtetit shqiptar gjatë luftës dhe për rivendosjen e sovranitetit të shtetit të paraluftës, u shpërfill jo vetëm nga faktorë të jashtëm, por edhe nga forcat politike shqiptare që vepronin në Shqipëri. Këta të fundit, duke shpërfillur legjitimitetin e shtetit shqiptar, të përfaqësuar nga mbreti i përzënë me dhunën e armëve të pushtuesit, vunë në diskutim jo vetëm formën politike të shtetit shqiptar të pasluftës, por edhe vetë pavarësinë e Shqipërisë.

Me këtë qëndrim përjashtues ndaj Mbretit, forcat politike shqiptare në mënyrë të tërthortë ishin në një linjë qëndrimi politik e propagandistik me atë të pushtuesit në qëndrimin ndaj Mbretit shqiptar. Në programin e forcave politike u shpall si detyrë strategjike përveç luftës kundër pushtuesit, edhe shkatërrimi i shtetit të vjetër shqiptar dhe vendosja e organeve të reja të pushtetit. Me fjalë të tjera, propaganda dhe programet e këtyre forcave politike, për bashkim të gjithë shqiptarëve, pa asnjë dallim, mbetej një refren propagandistik, duke përjashtuar nga ky bashkëpunim një krah të fuqishëm, të rezistencës shqiptare, Mbretin shqiptar, dhe përkrahësit e tij me peshë të madhe për mobilizimin e shqiptarëve në luftë kundër fashizmit. Mosbashkëpunimi i faktorit të brendshëm politik shqiptar me faktorin e jashtëm, me Mbretin shqiptar, minoi organizimin e një fronti të bashkuar të shqiptarëve, brenda e jashtë vendit, të cilët duhet të kishin si mision zgjidhjen e një detyre të përbashkët strategjike – rivendosjen e pavarësisë së Shqipërisë së paraluftës. Duke nënvlerësuar mbështetjen e faktorit të jashtëm shqiptar, qoftë edhe në planin politiko-diplomatik, forcat politike në Shqipëri e cenuan rëndë detyrën e përbashkët strategjike për rivendosjen e pavarësisë së Shqipërisë të paraluftës.

Shkaku i këtij mosbashkëpunimi duhet kërkuar në faktin se forcat politike në Shqipëri, në verë të vitit 1943, konsideruan si detyrë prioritare çështjen e marrjes së pushtetit. Pikërisht për këtë, “në vjeshtë të vitit 1943 lufta për çlirim kombëtar u shkri me luftën civile, që mori karakter të përgjithshëm”[13].

Lufta civile në Shqipëri, në kushtet e luftës për çlirim kombëtar, minoi dhe përçau, në përmasa kombëtare bashkimin e të gjithë shqiptarëve, duke rrezikuar seriozisht rivendosjen e pavarësisë.

Krejt ndryshe, nga lufta politike për pushtet që zhvillohej në Shqipëri nga forcat e brendshme politike, Ahmet Zogu, edhe në kushtet e kufizimit për veprimtari politike, u vendos qartë, për një politikë bashkëpunimi, me të gjithë rrymat e emigracionit politik shqiptar, për të gjetur rrugën më të mirë të rivendosjes së pavarësisë së Shqipërisë në fund të luftës. Përballë rrezikut që i kanosej Shqipërisë nga fqinjët, emigracioni politik shqiptar kërkoi të krijohej një unitet kombëtar shqiptar. Figurë qendrore e këtij uniteti ishte Ahmet Zogu. Noli dhe F.Konica shprehën qëndrimin e tyre me një deklaratë, në të cilën thuhej: “Mbreti Zog është më i shquari personalitet shqiptar i gjallë dhe përjashtimi i tij do t’i hiqte fuqinë lëvizjes që propozohet të bëhet”[14].

I bindur për këtë rol politik qendror, që duhej të luante Ahmet Zogu, Fan Noli e kushtëzonte vlerën e Deklaratave të dhjetorit 1942, të Fuqive të Mëdha, për pavarësinë e Shqipërisë, “me njohjen zyrtare të mbretit Zog si kryetar legjitim dhe logjik i qeverisë shqiptare në mërgim, së cilës t’i garantohej dhe një vend në Konferencën e Paqes”[15]. Noli për bindjen e ndonjë emigranti, kundërshtar të Mbretit, se, “Në rrethanat e tanishme ata që janë kundër Mbretit Zog, po luajnë pa dyshim lojën e armiqve të Shqipërisë”[16].

Për hir të bashkimit kombëtar, në përpjekjet për krijimin e qeverisë shqiptare në mërgim, F. Nolit iu ofrua posti i kryeministrit. Ndërsa, A. Zogu nga ana e tij, po për këtë qëllim, deklaronte se, forma e qeverimit do t’i nënshtrohej verdiktit të popullit.

Kapërcimi i divergjencave politike midis dy kundërshtarëve politikë, për hir të interesave kombëtare, përbënte një shembull ideal për forcat politike shqiptare, se si duheshin kapërcyer të gjitha ndasitë, në shërbim të kombit, për rivendosjen e sovranitetit të shtetit të paraluftës.

Ahmet Zogu dhe Fan Noli, si përfaqësues të dy rrymave të opinionit shqiptar, konsideroheshin nga shqiptarët si simbole të bashkimit të tyre. Me bashkimin e tyre mendohej se, “asnjë nuk do të mund të pretendojë se shqiptarët janë të përçarë”[17].

Qeveria britanike ngurroi dhe nuk e përkrahu idenë e krijimit të qeverisë Shqiptare, sepse, në bazën e politikës së saj, kishte shqetësimet për të zgjidhur pretendimet e Greqisë dhe të Jugosllavisë në drejtim të Shqipërisë.

Madje, Greqia shfrytëzoi dhe situatën ndërkombëtare të pasluftës, për të shpalosur në forume ndërkombëtare pretendimet për aneksimin e Shqipërisë së Jugut, duke përdorur si “argument”, tezën e preferuar të saj, sipas së cilës, “mbreti Zog kishte qenë një instrument i penetrimit italian në Ballkan”. Ish-ministri britanik në Shqipëri, Robert Hodgson, e hidhte poshtë këtë tezë, duke vënë në dukje se, “grekët kishin harruar faktin esencial, që ky sulm u krye pikërisht se Mbreti Zog nuk pranoi të jetë një instrument i tillë”[18].

Qëndrimi i Ahmet Zogut, kundër pushtimit fashit të Shqipërisë, u minua si nga faktorët ndërkombëtarë ashtu dhe nga faktorë të brendshëm. Secili prej këtyre faktorëve vepronte për interesin e vet dhe aspak për interesat kombëtare të Shqipërisë. Rezultante e veprimit të përbashkët të faktorëve që goditën përfundimisht pozitën politike të Ahmet Zogut në arealin e politikës shqiptare, në fund të luftës, ishte Kongresi i Përmetit (24 maj 1944).

Vendimi i tij, për të ndaluar ardhjen e Zogut në Shqipëri, si dhe vendime të tjera që lidheshin me të, ishin një goditje vendimtare kundër legjitimitetit të shtetit shqiptar të paraluftës. Ai Kongres spekuloi, për këtë problem, me slloganin “vullnet i popullit”, i cili nuk mund të shprehej lirisht në kushtet e një partie të vetme që kishte në dorë pushtetin.

Pushteti i dalë nga Kongresi i Përmetit, përbënte një diktaturë të një partie të vetme, ardhur në fuqi me dhunën e armëve, kundër të gjithë kundërshtarëve politikë të saj, përfshirë dhe zogistët. Në se më 1939, Mbreti Zog u detyrua të largohej nga Shqipëria me dhunën e armëve të një fuqie pushtuese të huaj, në vitin 1944, ishte dhuna e pushtetit komunist, që u vendos në Shqipëri, që i dha goditjen përfundimtare pozitës politike të Mbretit Zog në fund të Luftës Botërore. Në këtë rezultat historik kishte ndikuar tërthorazi edhe politika e aleatëve, të cilët duke u bazuar vetëm në interesat e tyre ushtarake, kishin furnizuar forcat partizane me armë, të cilat u përdorën në mënyrë efektive që PKSH të mposhtte rivalet e saj politike. Pa dyshim në këtë ndërmarrje kanë pjesën e përgjegjësisë dhe aleatët që ndihmuan me armë për ardhjen e komunistëve në pushtet. Patriotët shqiptarë, dhe mbështetës të A. Zogut, do të reagonin ndaj aleatëve se “ishte një veprim prej qorri dhënia e armëve në duart e atyre, (komunistëve – M.D.) që do t’i përdornin për të asgjësuar të gjithë ata që drejtojnë sytë nga perëndimi[19]. Departamenti Jugor i Forin Offisit britanik do të bindej, për A. Zogun, vetëm në fund të vitit 1944, që “Nuk ka arsye të dyshojmë për bindjet e tij proangleze dhe ndikimi ynë në Shqipëri do të ishte shumë i fuqishëm me atë si mbret se sa me një qeveri të Frontit Nacionalçlirimtar (Komunist)”[20]. Britanikët u bindën për qëndrimin proanglez të Ahmet Zogut, por ishte tepër vonë për ndryshimin e rrjedhës së ngjarjeve.

 



[1] Bernd J. Fischer, Mbreti Zog dhe përpjekja për stabilitet në Shqipëri, Tiranë, 1996, f. 320.

[2] Historia e Shqipërisë, III, Tiranë: 1984, f. 446.

[3] Ufficio Storico, Ministero Affari Esteri Italiano, Affari Politici (më tej: US, MAEI, AP) (Albania), B.90, fasc. 1, Telespresso 2175/ 5 i Konsullatës së Përgjithshme të Italisë për Ministrinë e Punëve të Jashtme, Gjenevë, 24 maj 1939.

[4] Arkivi i Institutit të Historisë (më tej: AIH), Dokumente britanike PRO-FO 371, Albania 1939, File nr. 23712.

[5] Po aty. Procesverbali i mbledhjes së posaçme të qeverisë Britanike mbi qëndrimin e saj kundër “aksionit italian” në Shqipëri.

[6] Foreign Office (më tej: FO) 371/ 24866/ 7677. Telegram i P.Dixon, 18 shtator 1940.

[7] Po aty, 23 nëntor 1940.

[8] Oxhaku famëmadh Zogu, Tiranë: SHB “Dardania”, 1995, f. 22.

[9] Beqir Meta, Tensioni greko-shqiptar (1939-1949), Tiranë: 2002, f. 416.

[10] FO 371/ 29711. Relacion i A.Edenit për kryeministrin Çërçill, 31 tetor 1941.

[11] Elisabeth Barker, British Policy in South-East Europe in the Second World War, f. 50; FO 371/ 24868/ 6586/ 90. Bisedë e Rajanit me Zogun, 8 nëntor 1940. A. Zogu i bëri ofertë Greqisë për të hapur një front lufte kundër Italisë në Selanik, ku ai të vihej në krye të 14.000 shqiptarëve.

[12] FO 371/ 24868/ 8783. Protokolli i takimit midis zyrtarëve të FO dhe SOE, 2 dhjetor 1940.

[13] Ndreçi Plasari, “Disa tipare themelore të Luftës Nacionalçlirimtare të popullit shqiptar kundër pushtuesve fashistë…”, në: Konferenca e parë e Studimeve Albanologjike (Tiranë 15-21 nëntor 1962), Tiranë, 1965, f. 617-625.

[14] Gazeta Dielli, Boston, nr. 5550, 28 nëntor 1942.

[15] AIH. Dokumente britanike A.V.139, 70.371/ 37136. Telegram i Nolit drejtuar Anton Logorecit.

[16] Po aty.

[17] Mehdi Manç Bushati, “Pse nuk u krijua Qeveria Shqiptare në mërgim”, në përmbledhjen: 100 vjetori i lindjes së Mbretit Zog I, Tiranë, 1995, f. 65.

[18] FO 371/ 43569. Letër e R. Hodgson dërguar botuesit të gazetës “Chicago Sun”, shtator 1944.

[19] AIH. Dokumente diplomatike, viti 1944, vëll.III (Marrëdhëniet e Jashtme të SHBA). Tel. i Kirk, Këshilltar politik pranë Komandës së Forcave Aleate, në Kazerta, drejtuar ministrit të Jashtëm të SHBA, 13 nëntor 1944.

[20] Elisabeth Barker, Politika britanike në Europën Juglindore gjatë Luftës së Dytë Botërore, pjesa: “Shqipëria, Britania dhe rezistenca”, f. 173.

Filed Under: Histori Tagged With: Prof. Dr. Muharrem Dezhgiu, pushtimi i fashist, Qendrimi i Ahmet Zogu

Putini po ecën në gjurmët e Stalinit

April 9, 2014 by dgreca

Shkruan: Prof.dr. Eshref Ymeri/ Santa Barbara, Kaliforni/

Para pak ditësh, gazeta franceze “Le Figaro” botoi një analizë, kushtuar ngjarjeve pas pushtimit dhe aneksimit të Krimesë prej Federatës Ruse, pas një referendumi që u zhvillua atje me një nguti të habitshme. Me këtë rast, gazeta citon një fjalë të urtë që e përmend ish-i burgosuri i GULAG-ut, disidenti sovjetik Sergej Kovalov (1930), pjesëmarrës i lëvizjes në mbrojtje të të drejtave të njeriut në Bashkimin Sovjetik dhe në Rusinë passovjetike, personalitet politik dhe shoqëror rus, ish-deputet i tri legjislaturave të parlamentit rus (1993-2003).

Duke pasur parasysh synimet ekspansioniste të Putinit në qëndrimin ndaj ish-republikave sovjetike, Kovalovi thotë se “oreksi vjen duke ngrënë”. Me këtë fjalë të urtë, Kovalovi ka parasysh qëndrimin e Putinit ndaj Gjeorgjisë, së cilës, në vitin 2008 i gllabëroi Osetinë e Jugut dhe Abhazinë. Siç del nga zhvillimi i ngjarjeve, Putini, me sa duket, mbrojtjen e rusëve që jetojnë përtej kufijve të Rusisë, e ka vënë në qendër të politikës së vet ekspansioniste. Dhe kjo me pretekstin se atyre “po u shkelen të drejtat”.

Në të vërtetë, në Ukrainë nuk ishin vënë re kurrfarë shkeljesh të të drejtave të rusëve. Të ashtuquajturat të drejta të shkelura të rusëve në Krime ishin thjesht inskenime të Kremlinit, të orkestruara drejtpërsëdrejti nga Putini. Prandaj edhe rusë të Krimesë dilnin me pankarta në duar, në të cilat bëhej thirrje “për t’i shpëtuar” atdheu-mëmë.

Pas shpërbërjes së Bashkimit Sovjetik në vitin 1991, rreth 25 milionë rusë mbetën në ish-republikat sovjetike. Duke përdorur si vjegë gjoja mbrojtjen e tyre se “po u shkelen” të drejtat, Putini i është kthyer politikës ekspansioniste të carizmit për pushtime territoresh të huaja. Në këtë mënyrë, ai po mundohet të vërë në jetë politikën e shovinizmit rusomadh, përmes së cilës kërkon të ringjallë ish-Bashkimin Sovjetik. Se jo më kot ai pati deklaruar dikur se shpërbërja e Bashkimit Sovjetik na paskej qenë tragjedia më e madhe e shek. XX!

Kësisoj Putini është duke nxitur një reaksion zinxhir: fill pas aneksimit të Krimesë, në Pridnjestria, (ish-pjesë e territorit të ish-Republikës Sovjetike të Moldavisë), të cilën trupat ruse vazhdojnë të mbajnë të okupuar që prej viteve ’90 të shekullit të kaluar, kanë filluar të dëgjohen thirrje për të hyrë në përbërjen e Federatës Ruse.

Në ish-republikat sovjetike të Azisë së mesme, rusët përbëjnë afërsisht 10% të popullsisë. Por në Kazikstan, me një popullsi prej rreth 17 milionë banorësh, rusët përbëjnë rreth 27% të saj. Prandaj presidenti (i përjetshëm) Nazarbajev i Kazakistanit, në kushtet pas aneksimit të Krimesë prej Kremlinit, tani ndodhet në një pozitë me të vërtetë delikate. Por pas aneksimit të Krimesë, edhe presidenti Lukashenko i Bjellorusisë nuk e ndien veten fort rehat. Seç ka një shqetësim që po e bluan përbrenda.

Pakicat nacionale ruse nuk janë të pakta edhe në ish-republikat sovjetike të Priballtikut, sidomos në Estoni. Pas shpërbërjes së Bashkimit Sovjetik, Kremlini, përmes këtyre pakicave kombëtare, bëri ç’është e mundur për të penguar hyrjen e tyre në Bashkimin Evropian dhe në NATO, por nuk mundi t’i pengonte dot. Gjithsesi, tre shtetet e Priballtikut e ndiejnë veten të mbrojtur nga aleanca e NATO-s, në krahasim me Ukrainën, e cila ka mbetur e zbuluar para epsheve shoviniste të Putinit.

Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës Xhorxh Bush, pikërisht në pranverën e vitit 2008, pati propozuar që Gjeorgjia dhe Ukraina të përfshiheshin në programin e përgatitjes për të hyrë në NATO. Por Franca dhe Gjermania nuk pranuan.

“Ky hap i Parisit dhe i Berlinit, – nënvizon gazeta “Le Figaro”, – duhej të kishte shërbyer si një gjest paqtimi në marrëdhëniet me Moskën. Por Vladimir Putini e vlerësoi atë si një shenjë dobësie… Që asokohe kanë kaluar gjashtë vjet dhe Perëndimi aneksimin e Krimesë e quan po aq të papranueshëm, sa edhe copëtimin e Gjeorgjisë. Ai, me shumë të drejtë, heq dorë nga përdorimi i forcës, por a i ka vallë mjetet dhe mundësitë për t’ia disiplinuar në njëfarë mënyre orekset presidentit të Rusisë? (Citohet sipas: “Le Figaro: Hapat e Perëndimit për pajtim, Putini i merr për dobësi”. Marrë nga faqja e internetit “charter97.org”. 26 mars 2014).

Para pak kohësh, udhëheqësi i tatarëve të Krimesë, ish-udhëheqësi i Kuvendit Kombëtar (Mexhlisit) të Krimesë, Mustafa Xhemilev, zhvilloi një bisedë me Putinin, në të cilën theksoi rëndësinë e ruajtjes së tërësisë territoriale të Ukrainës, në përputhje me marrëveshjen e nënshkruar më 1994 prej vendeve garantuese: Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Britanisë së Madhe dhe Rusisë. Dhe cili ishte reagimi i Putinit, sipas Xhemilevit?

“Për këtë temë, Putini preku një të tillë çështje, sipas së cilës vetëshpallja e Ukrainës si vend i pavarur, nuk përputhej krejtësisht me normat sovjetike që parashikojnë procedurën e daljes nga përbërja e Bashkimit Sovjetik. Ja ky ishte qëndrimi i tij” (Citohet sipas: Udhëheqësi i tatarëve të Krimesë rrëfen për bisedën me Putinin”. Marrë nga faqja e internetit “utro.ru”. 12 mars 2014).

Duket fare sheshit që Putini ka dalë me një deklaratë paradoksale në qëndrimin ndaj Ukrainës. Normat sovjetike për daljen nga përbërja e Bashkimit Sovjetik kishin fuqi ligjore për aq kohë sa Bashkimi Sovjetik ishte më këmbë si një strukturë shtetërore unike. Por asokohe cila nga republikat mund të kuturiste të bënte kërkesë për të dalë nga përbërja e Bashkimit Sovjetik? Asnjëra, se Kremlini do ta mbyste në gjak. Por kur ngrehina sovjetike u shkërmoq, atëherë për çfarë normash sovjetike e ka fjalën Putini, për të cilat kërkuaka që t’i respektojë Ukraina? Epshet shoviniste ndaj Ukrainës, Putinin e kanë verbuar keq, prandaj ai arrin të nxjerrë nga goja edhe deklarata të pamatura, si kjo që u përmend më lart.

Në qëndrimin ndaj Ukrainës, Putini udhëhiqet nga mendësia hegjemoniste e Bashkimit Sovjetik, i cili shfaqjet e nacionalizmit nëpër republika, i vlerësonte si tendenca për minimin e ngrehinës sovjetike. Në këtë aspekt, ai është duke ndjekur gjurmët e Stalinit, i cili nacionalizmin ukrainas e kishte halë në sy. Madje ndjenjat nacionaliste nëpër republikat sovjetike duhej të çrrënjoseshin tërësisht dhe në mbarë Bashkimin Sovjetik, domosdo, duhej të lulëzonte vetëm nacionalizmi rus. Po çfarë deklaronte Stalini konkretisht?

          “Jo, ne po veprojmë drejt që po i ndëshkojmë kaq rreptë nacionalistët e të gjitha kallëpeve dhe ngjyrave. Ata janë ndihmësit më të mirë të armiqve tanë dhe armiqtë më të tërbuar të popujve të vet. Se me ëndrrën e vet të përhershme, nacionalistët kanë për qëllim ta shkërmoqin Bashkimin Sovjetik në shtete të veçanta “kombëtare” dhe atëherë ai do të bëhet kollaj pre e armiqve. Kurse popujt që banojnë në Bashkimin Sovjetik, në shumicën e tyre, do të shfarosen fizikisht, kurse ata që do të mbeten do të shndërrohen në skllevër të pagojë dhe mjeranë. Jo rastësisht tradhtarët e përbuzur të popullit ukrainas, udhëheqësit e nacionalistëve ukrainas, të gjithë këta melnikët, konovallët, banderat, kanë marrë tashmë detyra nga zbulimi gjerman për të ndezur mes ukrainasve, që janë po ashtu rusë, urrejtje për rusët dhe të arrijnë ta shkëpusin Ukrainën nga Bashkimi Sovjetik… Prandaj ata duhen mbajtur nën fre, të mos lejohen t’i vënë minat unitetit të Bashkimit Sovjetik” (Citohet sipas: J.V. Stalin. Vepra të plota. Vëll. 15. Bisedë me A.S. Jakovlevin. 26 mars 1941, f. 17. Marrë nga faqja e internetit “Mësimet e harruara të historisë. Stalini për nacionalizmin ukrainas”,“ahtubinskpilot.ru”. 28 shkurt 2014).

Zhvillimi i ngjarjeve pas shpërbërjes së Bashkimit Sovjetik, vërtetoi në praktikë se deklarata e Stalinit kundër nacionalistëve nëpër republikat sovjetike dhe sidomos në Ukrainë, rezultoi se kishte qenë thjeshtë një demagogji e pastër që kishte për qëllim vetëm lartësimin e nacionalizmit rus dhe justifikimin e tendencave ekspansioniste të shovinizmit rusomadh në kurriz të popujve jorusë. Republikat u pavarësuan pas shpërbërjes së Bashkimit Sovjetik dhe askush nga vendet perëndimore nuk e vuri në rrezik tërësinë e tyre territoriale dhe sovranitetin kombëtar. Përkundrazi, integritetin tokësor dhe sovranitetin e tyre kombëtar e ka cënuar dhe po vazhdon ta cënojë pikërisht shovinizmi rusomadh, si në rastin e Moldavisë, të Gjeorgjisë dhe të Ukrainës.

Ish-republikat sovjetike, fill pas shembjes së Bashkimit Sovjetik, u larguan marramenthi nga tutela e Moskës sepse gjatë shtatëdhjetë vjetëve, ajo kishte arritur t’i nënshtronte plotësisht. Madje qe përpjekur që të ndryshonte ca nga ca edhe përbërjen demografike të tyre përmes rusifikimit të shkallëshkallshëm. Se po të kishte ndodhur e kundërta, domethënë nëse Moska do t’i kishte trajtuar republikat me të drejta të barabarta, nëse do t’u lejonte sa më shumë pavarësi, sa më shumë të drejta për vetëqeverisje, për vetëzhvillim dhe për ngritje të nivelit të mirëqenies, ato me siguri që nuk do të shkëputeshin nga Moska me aq shpejtësi.

Të gjitha konfliktet që kanë lindur me Moldavinë, me Gjeorgjinë dhe me Ukrainën dhe që nesër pasnesër mund të lindin edhe me shtete të tjera fqinje, ish-republika sovjetike ose, si fjala vjen, me Finlandën, e kanë burimin jo vetëm te shpërfillja dhe përbuzja që shovinizmi rusomadh ushqen ndaj tyre në vazhdimësi, i kapluar keq nga ndjenja e madhështisë, por edhe te ringjallja e stalinizmit, i cili, pas ardhjes në pushtet të Putinit, është rehabilituar në një mënyrë të pabesueshme. Një shpërfillje dhe një përbuzje të tillë e ushqejnë jo vetëm politikanët por edhe populli rus, siç del qartë nga burimi i mëposhtëm:

“Vladimir Putini i ka propozuar Bjellorusisë të hyjë në përbërjen e Rusisë me krahina. Shembuj të tillë të një qëndrimi përbuzës jo vetëm nga ana e politikanëve, por edhe nga ana e rusëve të thjeshtë ndaj Bjellorusisë dhe ndaj Kazakistanit, mund të gjesh me shumicë. Duke i vlerësua këto qëndrime në tërësi, ne arrijmë në një përfundim të thjeshtë: Bjellorusia, përgjithësisht, nuk është kurrfarë shteti, kurse në përbërjen e Kazakistanit ka shumë krahina “ruse”. Nëse Putini do të arrijë ta copëzojë Ukrainën, atëherë për Kazakistanin dhe për Bjellorusinë do të nënshkruhet dënimi me vdekje” (Сitohet sipas: Valerij Portnjikov. “Agresori i vetëm Putin”.  Marrë nga faqja e internetit “glavred.info”. 04 mars 2014).

Qëndrimi përbuzës që Putini ka mbajtur dhe vazhdon të mbajë ndaj Ukrainës, është me të vërtetë i përmasave skandaloze. Këtë të vërtetë tragjike e pranon zonja Lilia Shevcova (1949), politologe ruse, doktor i shkencave historike, profesore e Katedrës së Politologjisë Krahasuese të Institutit Shtetëror Rus të Marrëdhënieve Ndërkombëtare, bashkëpunëtore shkencore përgjegjëse e Qendrës Karnegi të Moskës.

Ajo deklaron:

“Ukraina është, së pari, një projekt personal i Putinit që prej vitit 2004. Udhëheqja politike e Rusisë e konsideron Ukrainën si një vend që s’ka arritur të bëhet shtet, si dikë që s’ka arritur  të bëhet njeri, si një bashkësi që nuk ka komb, që nuk ka identitet. Prandaj jo më kot Putini i deklaroi Bushit në vitin 2008: “Xhorxh,  çfarë po thua për Ukrainën, se ajo, përgjithësisht, nuk është shtet dhe i tillë s’ka për t’u bërë kurrë”. Përveç  gjithë të tjerave, Ukraina, për shumë njerëz në Rusi, konsiderohet si kryenëna e shtetit rus, pikërisht si puna e Kosovës për serbët. Dhe madje më shumë” (Citohet sipas: Lilia Shevcova. “Ukraina është një dackë për elitën politike ruse”. Marrë nga faqja e internetit “LB.ua”. 02 mars 2014).

Pas shpalljes të së ashtuquajturës “Republika Popullore e Donjeckut” më 07 prill 2014, sipas të gjitha gjasave, Putini do t’i zgjerojë kufijtë e Federatës Ruse me të tjera “republika popullore”, me të vetmin qëllim që ta shndërrojë Ukrainën në një “bashkësi pa komb dhe pa identitet”. Domosdo, përderisa Ukraina është katandisur në një vend pa zot. Se gjatë 22 viteve nuk qe në gjendje të nxirrte në krye një klasë politike me dinjitet kombëtar.

Ky qëndrim prej shovinisti të kulluar i Putinit ndaj Ukrainës, nuk mund të vlerësohet ndryshe, veçse si një stalinizëm i pastër në ndërtimin e raporteve me ish-republikat sovjetike.

Shkrimtari, publicisti dhe veprimtari politik Aleksandër Prohanov (1938), në një konferencë shtypi, të zhvilluar para disa vjetësh në qytetin e Ekaterinburgut, ka deklaruar:

“Pothuajse 60% e banorëve të Rusisë janë stalinistë të bindur… Josif Visarionoviçi po rend nëpër hapësirat e vendit me shpejtësinë e dritës. Duhet kuptuar mrekullia e stalinizmit” (Citohet sipas: “Ditari i Eduard Volkovit”. Marrë nga faqja e internetit “liveinternet.ru”. 15 prill 2010).

Nënkuptohet që merita kryesore për ringjalljen e stalinizmit në Rusi, i takon Putinit, i cili është dashuruar keq pas një pushteti autokratik. Në bazë të orientimeve të tij të drejtpërdrejta, fryma e stalinizmit po injektohet me shumë kujdes në radhët e brezit të ri. Nga një sondazh i kryer kohët e fundit, kanë rezultuar të dhëna me të vërtetë befasuese:

“Në një mënyrë të çuditshme, pikërisht brezat e rinj, të cilët s’e kanë jetuar kurrë periudhën e stalinizmit, janë duke përjetuar nostalgjinë më të madhe për të kaluarën. Por në këtë mes nuk ka asgjë për t’u habitur, sepse kjo valë e kthimit të nostalgjisë për stalinizmin e ka burimin në arsimimin shkollor dhe universitar, përmes programeve të “historisë politike”, të frymëzuara prej Vladimir Putinit” [Citohet sipas: “Rusia: kthimi i stalinizmit”.  Marrë nga faqja e internetit “inosmir.ru”. 23 mars 2014].

Duke ndjekur gjurmët e Stalinit, Putini e ka armiqësuar keq Ukrainën me politikën e Kremlinit. Në këtë mes, siç thotë Xhejms Bruk, ish-gazetar i “Zërit të Amerikës” në Moskë, “Rusia e ka humbur betejën me Perëndimin në përpjekjet për të fituar zemrat dhe mendjet e ukrainasve. Këta nuk i kthen më dot prapa. Duke e pranuar këtë fakt, Putini kërkon të hedhë në veprim një variant rezervë: ta destabilizojë Ukrainën, duke ndezur përçarje gjuhësore dhe ndëretnike” (Citohet sipas: Xhejms Bruk. “Rusia me sytë e një amerikani. Vladimir Putin ka të drejtë: Perëndimi ndikoi mbi zgjedhjen që bëri Ukraina”. Marrë nga faqja e internetit “voanews.com”. 16 mars 2014).

Ёshtë e qartë se Putini nuk mund të veprojë dot ndryshe, sepse nuk mund ta braktisë dot psikologjinë e Kremlinit, sipas së cilës Rusisë i intereson që shtetet rreth e rrotull saj të jenë shtete të mekura që i bluajnë vazhdimisht konfliktet e brendshme. Prandaj edhe Ukraina, megjithëse kanë kaluar më shumë se 22 vjet pas shpërbërjes së Bashkimit Sovjetik dhe pavarësimit të saj, vazhdon të mbetet ekonomikisht dhe politikisht një shtet me sovranitet të dyshimtë. Pra, gjendja e tanishme e Ukrainës është pasojë e drejtpërdrejtë e politikës hileqare të Kremlinit ndaj saj, çka ka gjetur pasqyrim në korrupsionin skanadaloz të elitës së saj politike dhe në tradhtimin prej saj të interesave kombëtare të popullit ukrainas.

Në këtë aspekt, politika e Kremlinit ndaj Ukrainës është vite drite larg politikës amerikane ndaj dy shteteve fqinje: Kanadasë dhe Meksikës. Duke bërë krahasimin mes këtyre dy politikave, gazetari Xhejms Bruk ka shumë të drejtë në gjykimin e vet kur deklaron:

“Po të bëjmë një krahasim mes bëmave të Rusisë në Krime dhe qëndrimit të kontinentit amerikanoverior, atëherë do të dukej sikur gjoja Shtetet e Bashkuara të Amerikës të vendosnin ta përçanin dhe ta dobësonin Kanadanë, duke nxitur tendenca separatiste në Kuebekun kanadez, ose të fillonin të financonin ndonjë kryengritje në Meksikë. Në vend të një politike të tillë, populli amerikan dhe politikanët e tij besojnë dhe janë të bindur se zhvillimi i suksesshëm i Kanadasë dhe i Meksikës është në interesin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Prandaj edhe qe nënshkruar dhe vazhdon të respektohet Marrëveshja Amerikanoveriore për Tregtinë e Lirë, një asociacion vullnetar ky i shteteve demokratike, si puna e Bashkimit Evropian, i leverdishëm për të gjithë anëtarët e vet” (po aty).

Kremlini, fatkeqësisht, është shumë larg një mendësie të tillë politike në marrëdhëniet me Ukrainën. Dhe gjasat janë se zor se mund të çlirohet ndonjëherë nga një psikologji e tillë, përderisa Putini përdor autoritarizmin në ushtrimin e pushtetit. Kjo ka bërë që ai, si një figurë e dalë jo nga radhët e inteligjencies së kultivuar ruse, por nga radhët e KGB-së, t’i kthehet stalinizmit, çka do të thotë që ai, jo vetëm brenda vendit, por edhe në marrëdhëniet ndërkombëtare, parapëlqen të komunikojë me gjuhën e forcës. Prandaj edhe Vashingtoni, edhe Brukseli duhet ta kenë parasysh faktin që edhe Putini gjuhën e forcës e kupton më mirë. Sepse vetëm kështu mund të vihen në zap epshet e tij ekspansioniste.

Santa Barbara, Kaliforni

08 prill 2014

Filed Under: Analiza Tagged With: Prof. Dr. Eshref Ymeraj, Putini po ecën në gjurmët e Stalinit

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 46
  • 47
  • 48
  • 49
  • 50
  • …
  • 70
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Kontributi shumëdimensional i Klerit Katolik dhe i Elitave Shqiptare në Pavarësinë e Shqipërisë 
  • Takimi i përvitshëm i Malësorëve të New Yorkut – Mbrëmje fondmbledhëse për Shoqatën “Malësia e Madhe”
  • Edi Rama, Belinda Balluku, SPAK, kur drejtësia troket, pushteti zbulohet!
  • “Strategjia Trump, ShBA më e fortë, Interesat Amerikane mbi gjithçka”
  • Pse leku shqiptar duket i fortë ndërsa ekonomia ndihet e dobët
  • IMAM ISA HOXHA (1918–2001), NJË JETË NË SHËRBIM TË FESË, DIJES, KULTURËS DHE ÇËSHTJES KOMBËTARE SHQIPTARE
  • UGSH ndan çmimet vjetore për gazetarët shqiptarë dhe për fituesit e konkursit “Vangjush Gambeta”
  • Fjala përshëndetëse e kryetarit të Federatës Vatra Dr. Elmi Berisha për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë në Seancën Akademike kushtuar 100 vjetorit të lindjes së Peter Priftit
  • Shqipëria u bë pjesë e Lidhjes së Kombeve (17 dhjetor 1920)
  • NJЁ SURPRIZЁ XHENTЁLMENЁSH E GJON MILIT   
  • Format jo standarde të pullave në Filatelinë Shqiptare
  • Avokati i kujt?
  • MËSIMI I GJUHËS SHQIPE SI MJET PËR FORMIMIN E VETEDIJES KOMBËTARE TE SHQIPTARËT  
  • MES KULTURES DHE HIJEVE TE ANTIKULTURES
  • Historia dhe braktisja e Kullës së Elez Murrës – Një apel për të shpëtuar trashëgiminë historike

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT