• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for April 2014

Kisha e Shën Kollit, që mbrojti ortodoksinë në pushtimin Turk

April 3, 2014 by dgreca

ga Miranda Sadiku/.- Në majën e fshatit Shelcan, rreth 7 kilometra në lindje të Elbasanit, i shtrirë në faqe kodrash dhe i përbërë prej disa lagjesh, larg njëra tjetrës, ndodhet Kisha e Shën Kollit. Nga ndërtesa e vjetër në këtë kishë më e rëndësishme mbetet veshja e brendshme me afreskat e piktorëve të mesjetës Onufri dhe Kostandin Shpataraku.

Riparimi i fundit mësohet se është bërë në vitin 1988 ku edhe u bë e mundur restaurimi i gungës dhe të hajatit, por mbeti pa rindërtuar këmbanorja. Vlen të përmendim se kanalizimet dhe rrethimi i plotë i këtij objekti me rëndësi jo vetëm fetare krijuan një farë mbrojtje. Prifti i fshatit Pal Qosja kërkon restaurimin sa më shpejt të veshjeve të brendshme të mureve të plasaritura në shumë vende.

“Një dëmtim i tillë shkatërron në mënyrë të pariparueshme ikonat që vijnë në këto ambiente që nga shekulli i XV- XVI-të. Nga ana arkitekturore historiani Kreshnik Belegu deklaron se “kisha është njënefshe me hajate të vona, sot të zbuluara, nga jugu dhe perëndimi. Në anos hyhet nga ana perëndimore, ndërsa dikur ka pasur edhe një portë në anën jugore, që sot është murosur. Kisha është me dysheme me pllaka guri të çrregullta, ndërsa është e mbuluar me çati me kapriata pa tavan, restaurim i vitit 1969. Naosi ndahet nga ambienti i altarit nga një ikonostas prej muri të pikturuar. Ai ka dyer, një në qendër dhe një në anën veriore. Me përjashtim të murit lindor të kishës, muret e tjera janë të suvatuara, kështu që nuk dallohet teknika e ndërtimit të tyre”.

Është pikërisht muri lindor që dëshmon se kisha e Shën Kollit ka qenë e ndërtuar përpara pushtimit turk. Muri lindor ka në qendër një apsidë rrethore me një dritare të ngushtë dhe të lartë në mes. Dritarja mbulohet nga një hark me tulla radiale rrethuar nga tulla përgjatë harkut.

Apsida ka në pjesën e sipërme një dekor tullash të vendosura zigzak, që duhet të jetë e vonë. Si absida ashtu edhe i gjithë muri lindor janë ndërtuar në klausonazhe me dy tulla vertikale apo që kanë nga dy rreshta tullash horizontale. Përsa i përket datimit mendohet se duhet t’i takojë fundit të shekullit të XIV, duke u nisur për këtë nga teknika e ndërtimit, me dy madje dhe me tre radhë tullash horizontale.

Vizitori gjen në ikonat e Onufrit të pikturuar nën maskë shenjtorësh banorë të trevave të shpatit, gjë që shprehet me gjallërinë dhe sytë shprehës të të pikturuarve, me të kuqen karakteristike të Onufrit.
“Ky ikonograf i madh ka nisur të pikturojë në këtë kishë, në vitin 1554, ku ngjyrat ruhen të freskëta edhe sot” , thotë Belegu.
Mjeshtri Onufri është piktor i lindur, afresket e tij të çudisin me përpjestimet e përsosura, me plastikën në trajtimin e figurës, me elegancën dhe hollësinë e jashtëzakonshme të formës, dhe kjo vërteton më së miri se ai i përket shkollës së Kostandiopojës, tradita e së cilës ka qenë e gjallë në Shqipëri edhe shumë vjet pas rënies së Kostandinopojës.
Kjo kishë disa herë në vit, por kryesisht në vigjilje të pashkës grumbullon disa qindra besimtarë jo vetëm nga Shelcani, por edhe nga fshatrat përreth që nga Kryezjarthi Trepshenishti e deri nga fshatra të thella të shpatit.
“Ndërtesa e vetë kishës është e vogël për të mbajtur në gjirin e saj ata qindra besimtarë të ardhur, kështu që festa vazhdon edhe jashtë mureve të saj”, thotë Pal Qosja. Sipas tij, “instituti për mbrojtjen e Monumenteve të Kulturës ka caktuar e ka ndalur ndezjen e qirinjve jo vetëm në brendësi, por edhe në hajatin e kishës për të mbrojtur afresket e rralla, por ky vendim nuk para gjen zbatim, duke venë në një rrezik të përhershëm dëmtimin përfundimtar të këtyre veprave të rralla të artit figurativ e kishëtar”.

Kisha e Shën Kollit si e vetmja që i ka shpëtuar rrënimit të viteve në këtë fshat që ka mbrojtur ortodoksinë e tij gjatë 500 vjetëve të sundimit otoman, vazhdon të shikohet nga shelcanakët si një perlë e ardhur nga lashtësia dhe që duhet mbrojtur nga çdo dëmtim. Është edhe ky interesim i fshatarëve që kjo kishë relativisht e lashtë vazhdon të qëndrojë në këmbë për t’i shërbyer besimtarëve dhe turistëve të shumtë që trokasin çdo vit dyerve të saj

 

Filed Under: Histori Tagged With: Kisha e Shën Kollit, Miranda Sadiku, në pushtimin Turk, që mbrojti ortodoksinë

DUKE HEDHUR SYTË NGA E SHKUARA

April 3, 2014 by dgreca

Nga Petrit DERRAJ, professor i gjuhës dhe letërsisë shqipe*/Lepenica është një fshat i Labërisë, që shtrihet rrëzë malit hije rëndë të Quramëngës, në anën e majtë të lumit të Vlorës, ku shtëpitë e reja të ndërtuara me kujdes e shije prej banorëve vendas ngjajnë nga larg si një qëndisëm e blertë. Ky vendbanim i lashtë, i vendosur rrëzë malit, nga larg  të duket si një fole shqiponjash.Përpara fshatit, shtrihen fushat e gjera, që përshkohen mes për mes nga lumi i Vlorës, që duket si një fjango e kaltër e cila rrjedh vrullshëm e me rrëmbim në dimër dhe që i lodhur bie në qetësi në pranverë e verë, përmes kodrave të buta.

Në këtë fshat të vogël por me tradita të mëdha patriotike ka lindur në vitin 1872, Ahmet Canaj, ai që në histori do të hynte me emrin Ahmet Lepenica, patriot dhe luftëtar deri në frymën e fundit për liri e Pavarësi Kombëtare.Mësimet e para i mori në plotoren e Vlorës  dhe më pas ushtar i Perandorisë Osmane, ku kreu në Stamboll edhe një kurs dy vjeçar me rezultate të shkëlqyera dhe u gradua oficer. Në luftë në tokat e gjera të Perandorisë, për vleftë trimërie u gradua jasht radhe dhe arriti shumë shpejt gradën kapiten i parë.Atje, në tokat e Perandorisë, u lidh me Ismail Qemalin dhe rrethet patriotike dhe filloi të mendojë për lirinë e atdheut të tij.Sapo u shpall Pavarësia Kombëtare u arratis prej trupave turke dhe shërbeu në shtetin shqiptar deri sa dorëzoi shpirtin e tij të bardhë më 1941.

*      *      *

Këto të vërteta të vështira, jetën dhe veprën heroike të Ahmet Lepenicës, ka marrë përsipër të na i tregoi, bazuar mbi dokumenta e burime arkivore të shumta, Enver Memishaj – Lepenica  me veprën voluminoze “Major Ahmet Lepenica, Komandant i Përgjithshëm i Trupave Kombëtare në Luftën e Vlorës 1920”, botuar me rastin e 100 vjetorit të Pavarësisë Kombëtare.Historiani, publicisti dhe studiuesi Enver Memishaj – Lepenica, me këtë libër kushtuar këtij patrioti të shquar të historisë sonë, ka hedhur dritë mbi këtë figurë të madhe të Labërisë, e lënë në harresë jo pa qëllim nga regjimi që lamë pas.Autori përshkruan me një gjuhë tërheqëse, veprimtarinë e kapiten Ahmet Lepenicës në qeverinë e Ismail Qemalit, si patriot e ushtarak i talentur punoi pa u lodhur për ngritjen e ushtrisë dhe xhandarmëtrisë dhe për mbrojtjen e shtetit të ri, i kërcënuar nga jashtë dhe prej çakejve të brendshëm.

Në vitin 1914, kur bandat greke, dogjën e shkretuan Jugun e Shqipërisë, vlonjatët u hapën vëllezërve të tyre të shpërngulur andej, dyert e shtëpisë dhe të zemrave. Gratë me plaçka ngarkuar, me fëmi në duar e me shpirt ndër dhëmbë ecnin të lemerisuar pa ditur se ku shkonin.

Janë këto skena çnjerzore që ua ndezën edhe më shumë zemrat vlonjatëve, që ua shtuan urrejtjen dhe i ngritën në këmbë për të mbrojtur tokat e tyre dhe vëllezërit e tyre Kurveleshas. Autori librit ka treguar, bazuar në fakte dhe dokumenta të shumta se në krye dhe në udhëheqie të forcave shqiptare për mbrojtjen e tokave të Jugut u vu Ahmet Lepenica që i udhëhoqi ato forca me trimëri aftësi dhe i çliroi krahinat jugore të Shqipërisë. Nën komandën e tij luftuan edhe 400 ushtarët e Isa Boletinit.

Kapiten Ahmet Lepenica iu gjend atdheut të tij edhe në katrahurën e vitit 1914, pas rënies së qeverisë së Ismail Qemalit, kur rebelët e Haxhi Qamilit me flamurin turk përpara e mbytën Shqipërinë në gjak dhe lot. Trimi dhe patrioti Ahmet Lepenica u dolli përpara në Vjosë dhe i theu rebelët anti shqiptar. Kaq e vlerësuar kjo fitore sa qeveria e Turhan Pashë Përmetit e gradoi për vleftë trimërie me urdhër ekstra me gradën major, gradë të cilën e mbajti me nder gjithë jetën e tij.

Deri këtu major Ahmet Lepenica ka luftuar për mbrojtjen e shtetit shqiptar nga lakmitë e fqinjëve dhe tradhëtarët e vendit.

*       *       *

Autori e ka dhënë veprimtarinë e major Ahmet Lepenicës, sipas kritereve historike,  kronologjikisht, tashmë nga viti 1915, atij do t`i duhej të luftonte kundër një pushtuesi të huaj, Italisë që kishte zbarkuar në Vlorë me trupa të shumtë më 24 dhjetor 1914.

Merita e autorit qëndron në faktin se e ka dhënë veprën e majorit të pa shkëputur nga kuadri historik: vrasja e Sali Nivicës më 11 janar 1920, kryeredaktor i gazetës “Populli”, vrasja e Abdyl bej Ypit po në janar 1920, vrasja e Shuko Dalipit etj., vepra frikësimi nga agjentë të qeverisë së Durrësit nën nxitjen e pushtuesit italian, për të penguar Kongresin shpëtimtar të Lushnjës.

Patriot si Ahmet Lepenica nuk u trembën dhe nuk u tërhoqën përpara rrezikut, ai vrapon në Lushnje dhe së bashku me shumë patriot të tjerë e mbrojtën me armë atë kongres që ishte shpresa e vetme e shqiptarëve për të shpëtuar Shqipërinë nga copëtimi.

Pra, autori e ka dhënë figurën e Ahmet Lepenicës si dorë e fortë që ishte gati dhe iu gjend atdheut në momentet më të vështira.

Me ngjyra të gjalla dhe mbështetur në dokumenta të shumta, ka dhënë autori lavdinë e major Ahmet Lepenicës: aktiviteti për organizimin dhe udhëheqien e Luftës së Vlorës më 1920.

Në Lepenicë në shtëpinë e tij u mblodh paria e fshatarve të Lumit të Vlorës, atje ata pritën edhe një mik të nderuar të Ahmet Lepenicës, kryeministrin patriot Sulejman Delvinën, që kishte ardhur fshehtas për të bërë thirrje për luftë kundër Italisë, për të shpëtuar Vlorën.

Me një përshkrim të bukur dhe emocionues por real është dhënë nga autori Kuvendi Barçallasë i mbajtur më 29 maj 1920. Kuvend burrash që bëri thirrje për luftë.

Autori na ka dhënë me hollësi organizimin e forcave vullnetare fshatare për luftë me një perandori të madhe siç ishte Italia, që kishte dalë edhe fitimtare nga Lufta e Parë Botërore.

Në libër përshkruhet me hollësi edhe ngritja e organeve të luftës:

Komiteti “Mbrojtjes Kombëtare” me 12 burra në krye të të cilëve qëndronte Osmën Haxhiu dhe shtabi u luftës në krye të të cilit u emrua major Ahmet Lepenica dhe në malin e Beunit më 4 qershor 1920, ai u emërua edhe Komandat i Përgjithshëm i Trupave Kombëtare, një detyrë siç shkruhej në urdhërin e emërimit “ e rëndë dhe e shenjtë”

Në këtë faqe të lavdishme të jetës së këtij patrioti të shquar autori librit është ndalur më gjatë pasi këtë detyrë të major Ahmet Lepenicës e quan me të drejtë: lavdia e tij.

Autori na tregon pas këtyre përgatitjeve, zhvillimin e luftës, me dokumenta, me emra fshatrash dhe njerëzish, me emocione të veçanta pasi luftohej për jetë a vdekje.

Autori është ndalur në faktin që ngre lart shqiptarët: trimat vlonjatë, kishin të drejtë të sulmonin pabesisht sepse edhe ashtu edhe ishin pushtuar, por ata nuk i lejonte besa, burrëria dhe veç kësaj ata donin që lufta të merrej vesh e të njihej edhe nga bota e jashtme dhe për këtë ata i dërguan Komandës italiane ultimatum me një trim nga të Labërisë, Mehmet Selim Mallkeqin.

Pasi nga Komanda italiane nuk erdhi ndonjë përgjigje, forcat e dragojve shqiptarë u hodhën në sulm më 5 qershor 1920. Ishin vetëm një grusht trimash, të pa veshur, të pa armatosur mirë, kishte edhe luftëtar me një shkop apo me një kosor, këta trima ishin hedhur në luftë kundër një fuqie të madhe të armatosur deri në dhëmbë.

Këto pamje rrënqethëse autori na i ka dhënë me detaje me një gjuhë të bukur por edhe me vërtetësi sa që lexohen me një fryme, e të bëjnë krenar për emrin shqiptar, se me të vërtetë e kemi fituar lirinë me gjak.

Në këtë luftë vlonjatët, tepelenasit, dhe pas datës 10 qershor 1920, shqiptarët shkruan një faqe të lavdishme, më të lavdishmen pas luftarve të Skënderbeut thotë Ago Agaj.

Autori librit, qëndron pastaj të analizojë, duke iu referuar shumë historianëve dhe studiusve të historisë se Lufta e Vlorës e vitit 1920, vulosi me gjakun e 400 dëshmorëve vendimet e Kongresit të Lushnjës dhe rishpalli Pavarësinë e Shqipërisë, të harruar e të përmbysur nga Lufta e Parë Botërore, pasi Shqipëri ishte ndarë ndërmjet fqinjëve më 15 prill 1915.

Pikërisht në rëndësinë e kësaj lufte qëndron edhe pesha dhe rëndësia e veprës së major Ahmet Lepenicës të cilën autori ka ditur ta paraqes me mjeshtëri, trimerinë e tij, aftësinë si strateg e ushtarak, patriotizmin, sakrificën, në çdo fazë të luftës  deri sa vijmë ne fitoren e sajë me 2 gusht 1920, e që festimi u bë më 3 shtator 1920.

Edhe pas Luftës së Vlorës major Ahmet Lepenica iu gjend atdheut, atje ku ishte rreziku më i madh: ai luftoi dhe çliroi krahinat e Veriut nga pushtuesi serb nën komandën e kolonel Ahmet Zogut, si Qarkkomandant i Gjirokastrës, si udhëheqës i revolucionit të qershorit të vitit 1924, kur edhe i dha fund kariekës tij ushtarake dhe u tërhoq në vendlindjen e tij ne Lepenicë. Ai vdiq i nderuar më 14 janar të vitit 1941, zemërdjegur sepse vendin e la prapë nën pushtimin e Italisë.

*     *    *

Autori librit Enver Memishaj, ka meritën sepse për herë të parë na ka përshkruar me detaje zhvillimin e Luftës heroike të vitit 1920, analizon imtësisht rrethanat, ngjarjet,  dhe nëpërmjet tyre vë në dukje dhe zbulon aftësitë dhe cilësitë e çmuara dhe talentin e një strategu që shfaqi Komandanti i Përgjithshëm i kësaj luftë major Ahmet Lepenica.

Autori me durim ka gjurmuar e zbuluar gjithë problematikat që iu shfaqën major Ahmet Lepenicës në udhën e vështirë për të mbrojtur lirinë dhe për të bërë shtetin dhe aftësitë e zotsinë e tij për t`i kapërxyer vështirësitë dhe për t`u orjentuar drejt udhës së drejtë dhe të ndershme.

Rëndësia e kësaj vepre qëndron në faktin se autori u ka dhënë lexuesve nje vepër historike, duke afirmuar veten si një studiues serioz që shikon larg e thellë në çdo situatë dhe me të drejtë kjo vepër u vlerësua nga profesorati historisë dhe u promovua nga Akademia e Shkencave dhe Ministria e Mbrojtjes.

Autori ka meritën e madhe sepse ka trajtuar një fakt historik determinues në fatin e Shqipërisë, të pa përmëndur qëllimisht nga historianët komunistë, por të nënvleftësuar edhe në ditët tona, se ata që bënë Luftën e Vlorës: Osmën Haxhiu, Duro Shaska, Alem Mehmeti, Ali Beqiri, Ahmet Lepenica etj., e bënë luftën me mallin e gjënë e tyre, me pasurinë e tyre dhe ky fakt duhet thënë se pa atë pasuri ajo luftë nuk bëhej e Shqipëria do të ishte coptuar ndërmjet fqinjëve.

Autori me fakte, prova e dokumenta ka hyrë në polemikë dhe ka hedhur poshte mendimet e disa autorë edhe të njohur si Gjergj Fushta etj., të cilët janë munduar ta zbehin Luftën heroike të Vlorës

Figura e major Ahmet Lepenicës është parë e plotë, nga ana njerzore, ushtarake, atdhetare, folkorike, me këngë të shumta nga folklori dedikuar atij, si një shembull për brezat e ardhëshëm.

Enver Memishaj – Lepenica  i cili ka botuar vetëm gjatë viteve të demokracisë sepse më parë nuk i lejohej ( !? ), është shquar për nxjerrjen në dritë të shumë figurave të shquara dhe qëllimisht të mbuluara me harresë, me vlera kombëtare edhe kësaj radhe ai i dha lexuesit një figurë të ndritur të historisë sonë atë major Ahmet Lepenicës.

*Mendime Rreth veprës së Enver Memishaj – Lepenica “Major Ahmet Lepenica … “, Tiranë 2012.Vepër e vlerësuar nga profesorati historisë dhe e promovuar nga Akademia e Shkencave dhe Ministria e Mbrojtjes.

Filed Under: Kulture Tagged With: DUKE HEDHUR SYTË, NGA E SHKUARA, Petrit Derraj

Kërkesë publike:T’i jepet mirënjohje post mortum Vaclav Havelit

April 3, 2014 by dgreca

INSTITUCIONEVE SHTETËRORE TË REPUBLIKËS SË KOSOVËS/

PARTIVE POLITIKE QEVERITARE DHE OPOZITARE/

E nderuara Presidente e Republikës së Kosovës, zonja, Atifete Jahjaga/

I nderuari Kryeministër i Republikës së Kosovës, z. Hashim Thaçi/

I nderuari Kryetar i Kuvendit të Kosovës, z. Jakup Krasniqi/

«Edhe unë gjithashtu ndihem shqiptar»- Vaclav Havel/

Pesëmbëdhjetë vite më parë, më 29 prill 1999, gazeta franceze «Le monde» solli pikëpamjet e humanistit, shkrimtarit dhe Presidentit të Çekisë, Vaclav Havelit, lidhur me bombardimet e caqeve ushtarake dhe policore të regjimit të Millosheviqit.

Në shkrimin e titulluar  «Edhe unë gjithashtu ndihem shqiptar» Vaclav Haveli njoftoi opinionin se kishte marrë shumë shkresa nga aktorët serbë që kishin vënë në skenë pjesët e tija teatrale dhe që e vlerësojnë shumë veprën e tij letrare

“Më pyesin se çka kanë bërë të keqe ata që të bombardohen në këtë mënyrë? Natyrisht mua nuk më kanë bërë asgjë të keqe. Por, regjimi i tyre përdorë ushtarët për të masakruar qytetarët e vendit të vet, për të masakruar një grup shumë të madh të bashkë vendasve të tyre (…) Milošević-i i ka duart e përgjakura dhe nuk mund të vazhdojë të jetë bashkëbisedues për gjetjen e një zgjidhje politike (…) Në përputhje me parimin që rrjedh nga solidariteti njerëzor e që i tejkalon kufijtë e shteteve, të regjioneve… atë që ky regjim ua bën shqiptarëve është njëlloj sikur të ma bënte mua. Prandaj, edhe unë gjithashtu ndihem shqiptar»- deklaroi  Vaclav Havel-i.

Pesëmbëdhjetë vite më vonë, kur ende nuk janë gjetur të gjitha kufomat e gjenocidit serb në Kosovë, Presidenti i ri Çekisë, Millosh Zemani, prononcohet kundër shndërrimit të Forcave të Sigurisë së Kosovës në Forca të Armatosura të Kosovës.

Reagimin  e tillë nga udhëheqësi i një shtetit anëtarë të BE-së dhe NATO-s duhet ta shohim si rezultat të shpërndarjes në botë të interpretimit serb të asaj se çka ka ndodhur në Kosovë dhe mungesës së veprave që do të informonin objektivisht për tragjedinë që përjetoi populli shqiptar i Kosovës.

Publikimi i veprave në gjuhë të huaja dhe shpërndarja e tyre nëpër bibliotekat universitare të vendeve të ndryshme në botë kërkon mund, angazhim dhe shumë më shumë kohë. Atë që mund ta bëjmë vetëm me vullnet të mirë është që, ndër të tjera, në pesëmbëdhjetë vjetorin e publikimit të deklaratës së lartpërmendur dhe kontributit që ky shtet anëtarë i NATO-s dha për lirinë e Kosovës, institucionet e Republikës së Kosovës duhet të gjejnë një formë se si t’i njihet një mirënjohje, Post mortum, Vaclav Havelit.

Me respekt

Bardhyl Mahmuti

3 prill 2014

Filed Under: Opinion Tagged With: Kërkesë publike:T’i jepet mirënjohje post mortum, Vaclav Havelit

SHOQATA KULTURORE SHQIPTARE”ALEKSANDËR MOISIU”NË AUSTRI-TË NJËZËSHËM NË PUNËN E TYRE

April 3, 2014 by dgreca

 Shkruan:Shaban Cakolli/ Në Austri sot ka shqiptarë thuajse në çdo qytet austriak,madje edhe në disa qytete të vogla ku më parë nuk mund të bëhej fjalë për këtë,raste të rralla para viteve të 90-ta,do të jenë vendosur këtu individ të shtyrë nga motivet ekonomike.Presioni  i pushtuesit sërb mbi shqiptarët me qëllim të ndryshimit të strukturës etnike në Kosovë,në dobi të elementit sërb,mbyllja e të gjitha institucioneve kulturore e shkencore,pozita e vështirë ekonomike e sociale,mobilizimi i dhunshëm  në ushtrinë sërbe,bënë që në shumë shtete të  Evropës Përendimore të vendosen shumë shqiptarë të përndjekur nga regjimi pushtues sërb.Edhe  Austria është vendi ku nga vitet 90-ta janë vendosur shumë shqiptarë.E rëndësishme ishte dhe mbetet,se shqiptarët e strehuar në Austri nuk ndejën duarkryq,ata kishin aftësitë e nevojshme,bindjet e drejta,vullnetin dhe guximin për të shtruar çështjen shqiptare para popullit mik austriak,madje duke ngritur lart vetitë e mira të karakterit të tyre,kulturës e traditës kombëtare shqiptare.Padyshim çdo shqiptarë i strehuar atje ka bartur me vete një copë malli për atdheun e vet në të cilin kanë nisur rininë e tyre.Ky mall venitej gjithnjë e më shumë, andaj mërgimtarët tonë në Austri nuk e patën të lehtë të kalonin këtë piramidë dhimbjesh,për ta u desht një punë e mundimshme,vetdijësim i  gjeneratave të mërguara,vendosje e njerëzve të aftë e veprimtarë në krye të kësaj piramide,punë e rreshtur për organizim,internacionalizim të çështjes kombëtare para popullit austriak,organizimin e  hapjeve të shkollave shqipe atje,mbrojtëjen e gjuhës,kulturës dhe traditës kombëtare,ndihmën e atdheut,etj…Shqiptarët këtu e kuptuan me kohë se kishin vetëm dy rrugë;njëra ishte të punosh shumë punë krahu,i pa përfillur nga askush,pa liri e dinjitet,llustragji i rrugëve të huaja,kurse rruga tjetër ishte e mundimshme por e drejtë,e kjo ishte aktivizimi i çdo shqiptari këtu për çështjen e vet kombëtare,një organizim i fuqishëm me veprimtarë e intelegjent në krye të organizimit,pra këtë e zgjodhën shqiptarët e mërguar në Austri.Shqiptarët në Austri dolën të pregaditur mirë,të organizuar nëpër dhjetëra klube e shoqata,duke mos kursyar mund as lek,sepse vetëm kështu mund të realizonin qëllimin final.Rreth këtyre Qendrave Kulturore  Shqiptare „A MOISIU“ në Austri edhe sot e kësaj dite me zell punojnë veprimtarë të dalluar, të cilët premtojnë  se këto vatra kulturore te mërgimtarëve, e themeluar ndër të parat me përcaktim kombëtarë në diasporën shqiptare në Austri, do të vargoj suksese të mëtejshme në të gjitha sferat e veprimit. Vazhdimësia e traditës shumëvjeçare të punës ka rëndësi të veçantë edhe aktualisht, mbase numri i klubeve shqiptare jo vetëm në Austri po pakësohet,në vend të tyre po themelohen Qendra të ndryshme kulturore,Lidhje shkrimtaresh e artistesh,organizime të fuqishme,me njerëz intelegjent veprimtarë e atdhetarë të shquar të kombit,të cilët pa hezitim i ndjek pas mërgata jonë.Në Austri lindin nisma, dije, aksione e aktivitete nga më të ndryshmet dhe të rëndësishme kombëtare. Ndaj, me të drejtë thuhet se aktivitetet   këtu nuk kan të ndalur.Në Vjene  dy vite më parë është themeluar shoqata kulturore „Aleksander Moisiu“. Anëtaret e shoqatës vijnë nga treva të ndryshme shqiptare si: Kosova, Shqiperia  e Maqedonia. Kryetar i saj u zgjodh Besim Xhelili.Qëllimi i formimit të kësaj shoqate, sipas anëtarëve të kryesisë, është promovimi i kulturës shqiptare në Austri si dhe bashkimi i krijuesve të  rinjë shqiptarë që jetojnë në kryeqytetin Vienez.E kujtoj kur kjo Shoqatë me veprimtarë të zgjedhur shprehu dëshira për të bashkëpunuar me mërgimtarët shqiptarë kudo në Evropë dhe më gjërë,ku bashkëpunimin e parë e nisi me ne Lidhjen e Shkrimtarëve Artistëve dhe Krijuesve Shqiptarë nëGjermani (LSHAKSH).Ishte një moment gëzimi e kënaqësie kur u takuam dhe u njohëm me ta,mbase ajo çka zgjoi interesimin tonë ishte se kjo shoqatë e sapo krijuar kishte realizuar një mori aksione e aktivitete me rëndësi kombëtare.Takuam burra  të mençur e veprimtarë të cilët për punën e tyre i njihnim si emra, por nuk i kishim njohur për së afërmi si:Hazir  Mehmetin një mësues  i shkollës shqipe në Austri,gazetar i cili na njihte në faqet e shtypit rregullisht rreth aktiviteteve të mërgimtarëve tanë në austri,Anton Markun,një njeri i ngrohët,intelektual e veprimtarë,poet,Besim Xhelilin,Dan Kosumin, Ragip Dragushen,e shumë të tjerë.Edhe sot pas dy vjetësh njohëje me ta,ndajë mendimin se në asnjë qytet tjetër atje nuk mund të gjejmë shqiptarë më të organizuar,më të bashkuar ,më të njëzëshëm në punën e tyre se kjo Lidhje Shkrimtaresh”Aleksandër Moisiu”.Aleksander Moisiu,aktori i madh shqiptarë i cili ngriti lartë vetitë më të mira të karakterit,traditës e kulturës shqiptare para botës,sikur dëshmohet me sukseset dhe organizimet e këtyre veprimtarëve atje,të cilët lidhjen e tyre e pagëzuan”A.Moisiu”.Një veprimtari e tyre mjaft e frytshme e me ndikim,ka kontribuar që shqiptarët të kenë imazh të mirë tek autoritetet austriake.

Lidhja e Shkrimtarëve dhe Krijuesve Shqiptarë në Austri “Aleksandër Moisiu” (LSHKSHA) , po arrin suksese të vazhdueshme në afirmimin e krijimtarisë artistike e letrare. Fryti kulmor ishte antologjia “Illiricum” e cila u promovua me sukses me rastin e 100 vjetorit të shtetit shqiptarë, duke krijuar një interesim tek vendorët dhe shoqatat kulturore të kombeve tjera. Kjo solli aktivitet e shumta në kontaktet dhe leximet letrare në disa qytete në Austri dhe jashtë saj. Njëra nga sukseset e fundit ishte kontakti me Shoqatën e Shkrimtarëve P.E.N-Club me seli në Vjenë.Në fakt, kjo shoqatë e mirënjohur në Austri dhe jashtë saj në ruajtjen, mbështetjen dhe afirmimin e krijuesve nga popujt e mundësoj promovimin e “Illiricum”-it i përkthyer në gjuhën gjermane. Ishte hera e parë që krijuesit shqiptarë po mbanin promovim dhe lexim në lokalet e P.E.N-Club-it. Kryetari i saj, shkrimtari i njohur në botë z. Helmuth A. Niederle e hapi mbrëmjen. “Është kënaqësi që po hapim sonte një mbrëmje promovimi të krijuesve shqiptar këtu në Austri. Ne do jemi të gatshëm në përkrahjen e aktiviteteve dhe pjesëmarrjen në shfaqjet në vazhdimësi”.

Illyricum – gjermanisht -shqip.Padyshim gjuha dhe kultura  kombëtare,janë ura që lidhin shqiptarët me kultura të popujve tjerë,andaj botimi të cilin bëjnë shqiptarët atje në gjuhën gjermane është shumë i rëndësishëm për kulturën tonë.

Kryetari i Lidhjes… “Aleksander Moisiu” në Austri z.Besim Xhelili ,në një takim me LSHAKSH;falemnderoi për pritjen dhe përkrahjen në aktivitetet e përbashkëta. Ai foli edhe mbi historikun e Lidhjes “Aleksandër Moisiu”. “Lidhja e jonë ka një histori të shkurtër, më pak se dy vjet, por kemi bërë hapa të mirë në bashkimin e krijuesve nga shumë lëmë krijimi dhe nga disa qytete të Austrisë. Para pak muajsh ishim 18 anëtarë të rregullt tani në “Illiricumi” në gjermanisht jemi 26 anëtarë. Shpresojmë se Lidhjes sonë do i bashkëngjitën edhe krijuesit tjerë nga gjithë Austria.

Ne jemi të hapur edhe për krijuesit shqiptarë, e të tjerë, nga shtetet tjera.” Rreth botimit në gjermanisht foli z.Anton Marku, duke i  falënderuar të gjithë krijuesit dhe donatoret, në veçanti përkthyesin. Z. Kurt Gostenschnigg, përkthyes, në fjalën e tij shprehu kënaqësinë që ndihmon në ofrimin e lexuesve austriak një antologjie të krijuesve shqiptarë në Austri. Ne jemi të hapur edhe për krijuesit shqiptarë, e të tjerë, nga shtetet tjera.”kështu pat thënë kryetari i LSHKSHA,z.Besim

Xhelili një vit më parë në mesin e LSHAKSH në Gjermani,e cila tani gjashtë muaj më parë është bërë realitet.Më 23-24 nëntor 2013,në Koblenz të Gjermanisë me nismën e LSHAKSH e cila bashkoi të gjithë krijuesit shqiptarë të mërguar kudo në botë,organizoi kuvendin themelues të krijuesve shqiptarë në mërgatë,ku si rezultat i këtij kuvendi doli LKSHM.Ne mërgimtarët kudo që jemi të strehuar këtë themelim të LKSHM e kemi pritur me shumë gëzim,sepse koha na kërkon më të bashkuar, më të dijshëm,më të fuqishëm,nga se intelektualët shqiptarë,krijuesit tanë sidomos në mërgatë duhet të jenë vetëm në shërbim të kombit,intelegjenca jonë thërret gjallëri e shpërthim ,jo vetëm të krijuesve që tani kanë bërë emër,por nevojë urgjente është në gjirin tonë të i bashkoj të rinjët e mërguar,të i aftësojmë ata,të i afirmojmë, pregadisim dhe shpëtojmë nga asimilimi.Të presish kohë më të mira se tani për të bashkuar zërin dhe dijen,mund të vonohemi.Duhet të bashkohemi sado më shumë që është e mundshme të përfaqesohemi para botës ku jemi strehuar si shqiptarë të dijshëm,të përfaqësojmë çështjen tonë,kulturën tonë,duke punuar me përkushtim të madh  me rininë tonë,e cila është e ardhmja jonë.Rinia jonë e mërguar është si pema me rrënjë të dobëta,për të cilën po nuk u përkujdesëm ashtu si duhet,nuk do jep fruta.Mos vetdijësimi i rinisë,sjell deri te asimilimi,i cili vite më vonë do të bëjë të vetën,kohën kur asimilimi do të mbisundonte kjo nuk do të jetë vetëm klithmë e rinisë sonë,do të jetë klithma e vet kombit,urojmë që rininë tonë të e mbajmë sa më larg asimilimit.

 

Filed Under: Kulture Tagged With: Aleksander Moisiu, Shaban Cakolli, shoqata

“Ndalini sa nuk është vonë”!

April 3, 2014 by dgreca

* Kërkim falje irakianëve të pafajshëm, viktima   të një të manipuluari shqiptar !/

*(Familja e kamikazit kosovar, Blerim Heta, i cili javës që shkoi vrau, në një sulm vetëvrasës në Bagdad, mbi 50 persona, thonë që atë e mashtruan. Ata thonë se atij ia shpërlanë trurin me ligjërata.(gazetaexpress,01.04.14)/

Nga Fahri XHARRA/

Që moti nuk jamë tronditur më shumë se me këtë shkrim ; nuk më tronditi as stili arab i vetëzhdukjes ,as hesapet e tyre që janë pashpresa , as ëndërrat e tyre të kota ; por mbeta i shtangur nga:“Vëllai ka filluar me fe kah prilli i vitit 2012 dhe tek pas një viti ia ka nisur që të na flas edhe neve në shtëpi për fe. Pas një viti, duke u shoqëruar me një shoqëri që ne nuk i dinim saktë se kush ishin, por e shihnim që ishin më ekstremistë se sa njerëzit që kishim parë kohë më parë duke shkuar në xhami, ai ndryshoi komplet, sa që u izolua. Nuk ia jepte dorën as çikave të axhës dhe as nuk na bashkohej nëpër festa familjare”, thotë Arjeta. Pse shqiptarët , mu pas pavarësisë ranë në kurthën e qoftlargëve?

Kush po del fitimtar , me kete shthuerrje kombëtare ?

Me habitë gjakftoftësia qeveritare ne te dy shtetet shqiptare,me habitë : “Ata thonë se atij ia shpërlanë trurin me ligjërata. Blerimi, konfirmojnë ata, ishte dëgjues i rregullt i ligjëratave të Shefqet Krasniqit, por edhe i ligjëratave të Bekir Halimit e Omer Bajramit nga Maqedonia.”

A jemi ata që mendojmë apo një dreq i madh na është futur në mes ?“Ai ka qenë pothuajse e i rregullt në ligjëratat e Shefqet Krasniqit. Ka shkuar edhe në Maqedoni. Në fillim e kem ditur se po shkon me shoqëri për qejf, por më vonë e kemi marrë vesh se ai ka qenë në ligjërata të atyre hoxhallarëve si Bekri Halimi ose Bajrami e të tjerë që folin për xhihad. Edhe në internet i ka dëgjuar shumë ligjëratat e tyre”, thotë Arjeta për Express.

Po , kush na qenka ky Shefqet Krasniqi , ky Bekir Halimi apo ky Omer Bajrami ? Kush janë vallë këta që po na e helmojnë rininë , djelmërinë, vajzërinë ?

E meritojmë ne si shqiptar të futemi në listën e kombeve terrorriste të botës? Kush është kjo pjellë e dreqit , që ka lëshue shtat në tokat tona?“Fenë po e perdorin mir po thua ti edhe unë po them ashtu shumë e vertetë se Fenë po e perdorin për qëllimet e tyre financiare e grupore e çka jo tjetër ;por e them hapur askund në asnjë Fe nuk shkruan të vritën njerëz të pa fajshëm,,, Kurani thote: Te marrësh një shpirt është sikur te vrasësh tërë njerëzimin ,thote SHpirt  e nuk permend asFe as komb por shpirt njeriu,,, ata le të dalin natëe ditë le te qjerren rrugëve duke bertitur se janë musliaman apo se feja thotë kështu ( sipas tyre) apo të bertasin Allahu Ekber — kot e kanë ( Zyhdi Hazeri , Hoxhë në Pejë ) “

Më ngjalli dhëmbshuri për të mashtruarit : “Ai nuk flet gjatë, pos thotë se ka një mesazh për të gjithë ata prindër që i shohin fëmijët e tyre se po bëhen ekstremistë.“Ndalini sa nuk është vonë”, shprehet  Remzi .Heta. Kemi edhe brenga tjera. Jemi te ngërthyer me lloj lloj grabitjesh. Jemi të mbërthyer nga fara e keqe .Vështirë e kishim gjithmonë , e kemi edhe tani. Por së bashku të krishterë dhe muslimanë , do te kuptojmë se jemi një.Kemi shembuj ndër ne që feja shikohej ndryshe e jo si po e shohim sot:” Veprat kryesore që S. Najdeni (Hoxhë Voka i Dibres) i botoi me alfabetin latin janë dy. E para është “Fe rrëfenjësja e myslimanëve”, botuar në Sofje më 1900, dhe e dyta “Abetare e gjuhës shqipe ndë të folë gegënisht”, botuar po në Sofje më 1900, por pa emër të autorit, pra anonime. E para është një vepër fetare e mbështetur në parimet Kur’anore, që janë të detyrueshme për të gjithë besimtarët myslimanë. Ky përfaqëson një manual fetar, por me mjaft të dhëna patriotike dhe filozofike. Problemin e diturisë dhe të prapambetjes Najdeni e trajton gjerë. Ai pranon dy dituri: atë fetare dhe atë të mendjes, të cilat, duke u mbështetur në Kur’an, nuk i kundërvihen njëra-tjetrës. Dituria për të është një armë e fuqishme, që mëkon ndërgjegjen kombëtare, që e njeh njeriun me shumë të dhëna, i jep atij pavarësi dhe e bën të barabartë me të tjerët.”fxh. Kemi edhe brenga tjera. Jemi të ngërthyer me lloj lloj grabitjesh. Jemi të mbërthyer nga fara e keqe .Vështirë e kishim gjithmonë , e kemi edhe tani. Por së bashku të krishterë dhe muslimanë , do te kuptojmë se jemi një. “Vërtetë ne kemi Bajram e Pashkë, por Shqiptarinë e kemi bashkë!”(At Gjergj Fishta )  Fol te drejten.. Pergjigju shqip

Më në fund po iu them troç : ”Kemi tri fe, por kemi vetëm një atdhe të përbashkët, një gjak vëllazëror, një gjuhë, një diell e një Zot. Detyrë mbi detyra kemi bashkimin dhe mbrojtjen e atdheut. ” Boll mo!

Fahri Xharra, 02.04.14

Filed Under: Analiza Tagged With: “Ndalini sa nuk është vonë”!, Fahri Xharra

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 61
  • 62
  • 63
  • 64
  • 65
  • …
  • 70
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Kontributi shumëdimensional i Klerit Katolik dhe i Elitave Shqiptare në Pavarësinë e Shqipërisë 
  • Takimi i përvitshëm i Malësorëve të New Yorkut – Mbrëmje fondmbledhëse për Shoqatën “Malësia e Madhe”
  • Edi Rama, Belinda Balluku, SPAK, kur drejtësia troket, pushteti zbulohet!
  • “Strategjia Trump, ShBA më e fortë, Interesat Amerikane mbi gjithçka”
  • Pse leku shqiptar duket i fortë ndërsa ekonomia ndihet e dobët
  • IMAM ISA HOXHA (1918–2001), NJË JETË NË SHËRBIM TË FESË, DIJES, KULTURËS DHE ÇËSHTJES KOMBËTARE SHQIPTARE
  • UGSH ndan çmimet vjetore për gazetarët shqiptarë dhe për fituesit e konkursit “Vangjush Gambeta”
  • Fjala përshëndetëse e kryetarit të Federatës Vatra Dr. Elmi Berisha për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë në Seancën Akademike kushtuar 100 vjetorit të lindjes së Peter Priftit
  • Shqipëria u bë pjesë e Lidhjes së Kombeve (17 dhjetor 1920)
  • NJЁ SURPRIZЁ XHENTЁLMENЁSH E GJON MILIT   
  • Format jo standarde të pullave në Filatelinë Shqiptare
  • Avokati i kujt?
  • MËSIMI I GJUHËS SHQIPE SI MJET PËR FORMIMIN E VETEDIJES KOMBËTARE TE SHQIPTARËT  
  • MES KULTURES DHE HIJEVE TE ANTIKULTURES
  • Historia dhe braktisja e Kullës së Elez Murrës – Një apel për të shpëtuar trashëgiminë historike

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT