• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for April 2014

Peja dhe shkarkimi i një profesionisti

April 1, 2014 by dgreca

A u bë edhe më keq pa Kolonel Ahmet Hasin/

Pas rreth dy vitesh, nga shkarkimi jo-fatlum i Kolonel Ahmet Hasit nga udhëheqja e stacionit rajonal policor të Pejës, problemet në këtë qytet sa vinë e shtohen. Sfidat nuk kanë të ndalur, ndërsa vrasjet e shpeshta kërcënojnë jetën dhe sigurinë e pejanëve padrejtësisht tash e 15 vjet,ani pse një fat të tillë nuk e ka merituar ky qytet dhe banorët e tij.

Fatkeqësia atje,u përsërit edhe një herë më tepër,mu ditën e fillim pranverës së këtij viti,ku duart e trishta të krimit,për më tepër se një dekadë e gjysmë, terrorizojnë gjithë Pejën.
Krismat,helmuan prapë freskinë e bjeshkëve për rreth e cila mjerisht,që sa kohë  mjegullohet nga tymi e përflakja e plumbave duke rritur numrin e vrasjeve më shumë se kudo tjetër në Kosovë.
Ndaj,pejanët të lodhur nga vrasjet “enigmatike” numri i të cilave tanimë ka arritur shkallën alarmante treshifërore,në këto 15 vite “lirie” më në fund sikur e mundën frikën dhe një pjesë e konsiderueshëm qytetarësh, arritën të organizojnë një protestë modeste “ Kundër krimit të organizuar”në qytetin e tyre.

Protestuesit me të drejtë kërkuan dorëheqjen e zyrtarëve më të lartë të sigurisë. Ata u dërguan edhe dy kurora mortore organeve kryesore të cilat për vite të tëra mrizojnë në komë të gjatë mosveprimi, njërën gjykatës dhe tjetrën prokurorisë duke i shpallur edhe ato figurativisht të vdekura, ngase ku kris pushka për 15 vite pa reshtur dhe asnjëherë nuk ndërmerret diçka konkrete nga organet përkatëse,aty nuk kanë më peshë fjalët as premtimet kote.
Për çdo stinë në Pejë,drita e diellit ngryset dhe mjegullohet trishtueshëm,herë pas here nga zhurmat e kallashëve që vrasin edhe kalimtar rasti,duke shtuar emrat e tyre në listën e gjatë të viktimave, bashkë me mallkimet e hijeve mortore që mbisundojnë në këtë qytet.
Atmosfera disavjeçare e “luftës”,vazhdon edhe më tej, nga moszbatimi i ligjit, i cili që nga shkarkimi misterioz i Kolonel Ahmet Hasit, sikur ka marrë edhe më keq tatëpjetën, duke arritur deri në atë shkallë degradimi sa që lirisht mund të thuhet se shteti atje nuk ekziston dhe për rastet që këtu shpesh përsëriten, ligji as që funksion fare, megjithë shënimin delikat dhe me stil “evropian” të tij mbi letrën e bardhë.
Këtë më së miri e vërteton fakti se asnjë nga të ashtuquajturat operacione hetimore, deri më tani,për mbi 300 vrasjet në këtë qytet, nuk rezultoi me zbulimin qoftë edhe të një rasti të vetëm dyshimi.
Kështu, policia rajonale dhe organet e (jo)ndjekjes dhe të (pa)drejtësisë, janë bërë shembulli më i keq i mosveprimit, nëse jo edhe vet pengesa e zbardhjes së krimit,në Pejë dhe pothuajse kudo në Kosovë.
Shqiptarët për afro 100 vite okupimi, të vetmin mision patën-çlirimin e vendit dhe krijimin e një shteti normal me sistem funksional të drejtësisë,ku liritë dhe të drejtat e njeriut do të ishin të shenjta dhe të paprekshme nga korrupsioni,vrasjet dhe haraçi.

Megjithatë, zhvillimet e papritura në 15 vitet e fundit, quan në hiq më pak se 1800 viktima, dhe shkatërruan vizionin e popullit tonë liridashës,i cili shekuj me radhë ka kërkuar rrugë dhe mënyra të mundshme e të pa mundshme,për çlirimin e trojeve të veta.

Në atdheun tonë të helmuar nga politika dhe të trishtuar nga krimi,lufta sikur nuk pushoi asnjëherë.

Këtu jo vetëm se edhe pas lufte ndodhëm mijëra vrasje,por për të qenë fatkeqësia edhe më e madhe, pothuajse asnjë prej këtyre rasteve, nuk u zbulua kurrë nga kuazi drejtësia vendore e nënshtruar tërësisht nga politika,e cila rrezikon të qojë vendin në dështim të plotë të shtet-ndërtimit.

Madje, për të arritur kulmin ironia më e madhe, në Kosovë si në asnjë vend tjetër në rajon, u vodhën dy herë edhe vet dhomat e dëshmive. E para më 2009 në Prishtinë dhe tjetra më 2012 në Pejë.

Por,përderisa në kryeqytet të vendit, nuk u arrestua as shkarkua, asnjë nga përgjegjësit e sigurisë, në Pejë u suspendua vet kreu i komandës regjionale, pa ndonjë arsyetim bindës. U largua për kohë të pacaktuar,njeriu më i zoti dhe kuadri më i përgatitur përkatës, kolonel Ahmet Hasi, i cili nga të gjithë ata që kanë pasur rastin ta njohin,konsiderohet si njëri nga oficerët më të mirë policor në vend.

Ndoshta,mu ky epror profesionist dhe burrë i  ndershëm e i pa korruptuar asnjëherë, që zbatonte ligjin me devotshmëri e seriozitet dhe mbahej fort në popull, me të cilin dinte të bashkëpunonte ngushtë dhe mirëkuptohej njerëzisht, si duket nuk i pëlqente dikujt.

Madje,pas shkarkimit të Kolonel Ahmet Hasit,jo vetëm se nuk u zbulua as fol më kurrë për hajnin e majme që u krye në dhomën e dëshmive,nga hijet e “padukshme” që mbajnë çelësa rezervë për çdo derë hetimi, por edhe problemet në Pejë sa erdhën e u shtuan gjithnjë e më tepër.

Nga kjo mbetet e pa kuptueshme se pse u dashtë,patjetër të shkarkohej Koloneli !? Ishte ky një vendim për zvogëlimin apo vazhdimin e krimeve atje.

Në shtypin ditor që disa herë përsëritet se 24 përgjegjës të lartë policie, të cilët nuk e kaluan testin e përshtatshmërisë, kanë qasje në dokumente e akte të ndjeshme të sigurisë e ndoshta mbajnë shumë çelësa rezervë dyersh të ndryshme dhe janë të ngarkuar me përgjegjësi që nuk do duhej ti kinin.

Edhe marrëveshja e fundit me Serbinë parasheh  inkuadrimin e pjesëtarëve të MUP-it serb, në policinë e vendit, të cilët nuk e kanë pranuar asnjëherë shtetin që do ti punësojë dhe ende kundërshtojnë me këmbëngulje pavarësinë e Kosovës.

Fatkeqësisht,menjanimi i profesionistëve,nepotizmi dhe përzierjet e pandërprera shumëvjeçare të politikës me vendosjen e familjarëve, jaranëve, njerëzve partiak e jo adekuat në postet kryesore, si në gjyqësi, polici, siguri, etj, quan në kolapsin total të drejtësisë dhe moszbardhjen e pothuajse të asnjë rasti nga cilado vepër-qoftë e krimit të organizuar në vend.

Kjo logjikë veprimi e politikanëve vendor, qoi në dëshpërim të thellë,shumicën e banorëve të këtij vendi,madje irritoi aq shumë shqiptarët sa që edhe nga Kosova e “lirë” dhe në shekullin XXI,të simpatizojnë vende dhe qeveri të huaja për ne,për të shkuar aq largë sa disa prej tyre festuan edhe “fitoren”e diktatorit turko-islamik, Taip Erdogan, me të cilin nuk na lidhë asgjë.

Për të arritur kulmin ironia,u kujdesën edhe tragjik-komikët më të mëdhenj që aktualisht ka Kosova,si Bajram Rexhepin dhe vartësin e tij Shpend Maxhuni, të cilët pa u skuqur fare, guxuan të deklaronin se 70% e rasteve të “këtij viti” (tre muaj),pa zënë në gojë vitet tjera dhe tragjeditë e pafundme në Pejë, për të cilin ministri i brendshëm “sugjeron” opinionin se është më i koklavitur dhe duhet gjurmuar më thellë, na qenkan “zbuluar” duke mos dhënë asnjë shembull të vetëm konkret për “sukseset” e tyre.

Amullia e krijuar politike,ekonomike dhe sociale nga ministra si këta dhe tërësisht udhëheqja vendore,e 15 viteve të fundit, siç duket nuk i lanë rrugëdalje as Amerikës dhe BE-së, të cilat si në asnjë vend tjetër në rajon,u detyruan të miratojnë krijimin e një Tribunali Ndërkombëtar për gjykimin e rasteve të krimit të organizuar të para dhe pas luftës në Kosovë.

Për arsye si këto dhe të ngjashme,kudo qoftë në botë,do të dorëhiqej pa kusht e tërë udhëheqësia vendore. Por ja që kjo nuk ndodhë edhe në Kosovë. Ndaj, lind pyetja e pashmangshme se edhe çka u dashka të ndodhë në këtë vend që politikanët tanë deficitar më në fund ta kuptojnë sesa shumë dëme i kanë shkaktuar këtij vendi dhe duhet të  shkojnë? A ishte ky shërbimi më i mirë i mundshëm që ata ditën ti bënin popullit dhe atdheut?!…

Gani Qarri/Cyrih

 

Filed Under: Opinion Tagged With: Gani Qarri, Peja dhe shkarkimi i një profesionisti

PARAGJYKIMI I ÇELEKULLAVE

April 1, 2014 by dgreca

Refuzim i një amze të vjetër racizmi/

Nga Rexhep KASUMAJ/ Berlin/

1.Në një shkrim të posaçëm dedikues për aneksimin  e Krimesë (lexuar tek “Tema”), intelektuali i shquar frëng Bernard-Henry Levy, përjashton simetrizmin justifikues rus me intervenimin ushtarak e moral të aleatëve euroatllantikë në Kosovë.

Ndërsa në Siujdhesën e Detit të zi, shpjegon ai, nuk kishte segregim e represalje të ligjëruar sistematike, në Kosovë, ndërkaq, përtej tyre akoma, pati program gjenocidi mbi shqiptarë, faji i vetëm i të cilëve ishte pse kishin lindur myslimanë.

Athua të ketë qenë, njëmend, ky qëllimi e pasioni i ekspanzivitetit serb, doktrinë e kahershme të cilën, në motin e ri, do ta konfirmojnë  “Memorandumi” i Akademisë dhe  “Franca 7” e selisë së Shkrimtarëve të urrejtjes? Teza thuase rehabiliton diskretisht Millosheviqin, gjakësin që udhëhoqi plojën e ideuar, si Kryqzatarin e flijuar në ledhet e Europës! Veçanësia religjioze, sigurisht, do të duhej të mjaftonte për distancë etike, stigmë dhe ndëshkim mbarëbotërorë. Mirëpo, pandehma nuk është e vërtetë. Ajo është hedhur n’anën tjetër, në anën e mohit të së vërtetës, madje, edhe për boshnjakët që kultivojnë këtë veti si përcaktues qenësie identitare.

Përse ende ky kundrim i vëngër, i anasjelltë dhe i përmbysur i humanistit të njohur? Si është e mundur të kurthohet si peng i amzës së vjetër të paragjykimeve raciste që ndanë popuj në renditje vlerash të subordinuara tabelare? Dhe e gjitha frymëzuar njëj sindromi të trashëguar, për të parë Ballkanin me optikën imperiale serbe? “Kurrë nuk e mora vesh”, shkruan bashkëkombësi i Levy-t, Kouchner, “se kush dha urdhër për të ndaluar Ushtritë çlirimtare tek ura e lumit Ibër ”! Ai mbase nuk e shpallte, por aluzioni ose supozimi ishte i qartë si drita e diellit. Vendi i tij u shtrëngua më pas nga real-politika e joqejfërisht, të njohë vetejetesën e Kosovës, por për kompensim ngushëllues e shplarje detyrimi ndaj miqëve, do të krijonte artificialisht në katrahurën e “interregnum”-it, enklavën veriore për të shantazhuar funksionalitetin e saj, në pritje të një kohe të dytë.

2. E ripohojmë me konsederatë përfundimin e tij mbi teknologjinë e planizuar popullvrasëse, por, njëkohësisht, refuzojmë me përbuzje arsyen (athua kishte fare arsye?) e kryerjes së krimit kolektiv serbian. Në fakt,  shqiptarët janë kryesisht myslimanë laikë, veçse nuk ishte ky tipar religjioz kryemotivi që lëvizte lokomotivën e parambrehur shfarosëse ndaj tyre. Rezistenca e shqiptarëve ishte fundamentisht nacionale: as civile, për ndërrim regjimi, e as fetare, për “Republikën e Zotit”. Kishte aq shumë shqiptarë të krishterë, më shumë se pjesa e tyre përpjestimore në banorësinë kosovare, që i dhanë asaj viktima, dëshmorë e tribunë të denjë për përmendore të ngritura tejendanë.

Luftëra për jetë vdekje pati kudo midis fiseve sllave në zonën perëndimore të Gadishullin ilirik. U gjakosën serbët dhe me sllovenë e kroatë, të dy të konfesionit katolikë, sikundër që, po ti voliste interesit kombëtar do të hartohej zellshëm, poashtu, një strategji gllabërimi kundër “vëllezërve” ortodoksë, malazezë e maqedonës. Porse, prania militare amerikane në Shkup dhe trëmbja nga betonimi i dasisë së përjetshme në Mal të Zi, bënin një rrethanë specifike frenuese që i shtynte serbët të reflektonin për rreziqet e të mblidhnin veten. Maqedonia gjysmëshqiptare, kjo “Serbi e vjetër” si e quajnë prore nostalgjikët, largohej disi vazhdimisht, ndërkohë që “serbëve të vërtetë” të Cetinjes, besojnë t’ua shformojnë ndjesinë dhe projektin e renesancës së tyre: nga brënda, heshtur e me durim të gjatë!

I kujtojmë, pra, filozofit të respektuar, se njandej nuk është ngjizur bërthama e luftës. Gjithçka kishte levë shkakësore yshtjen tradicionale belgradase për dominancë e territor, për “lebensraum” të shtrirë në dëm të hapsirës, poashtu, jetike të kombeve të tjerë. Serbia, fillimisht, desh të rikthente statusin e bjerrë hegjemon në sajesën shtetërore pastitoiste, të lëkundur ngasjeje për të tkurrë e shtypur autonomitetin e subjektëve të barabartë federalë dhe forcat centrifugale legjitime që i druanin prishjes së baraspeshës së brishtë. Pastaj, kur kjo do të rezultonte e pamundur në udhë politike, ata do ti rrekeshin armëve. Prijësi i tyre idhullor, i cili vite më vonë, do të vdiste në Hagë si kriminel lufte, brohoriste triumfalisht (në Fushë-Kosovë, 1989) se “sendërtimi i aspiratës sonë, po të kje nëvoja, do të kalojë nëpër zjarrin e konflikteve dhe se serbët, nëse nuk dijnë të punojnë, dijnë gjithësesi mirë të përleshen”! Taktikat ishin stërholluar qëmoti dhe prisnin orën e tyre. Ngjashëm me Kremlinin e tashëm që shpallte se nuk pati dorë në rebelimin autentik të rusëve të Krimesë, Belgradi do të shplahej me sintagmën tinzare” Serbia nuk është në luftë”. Ushtri e paramilitarë mbillnin mort e shpërngulje, kallje e rrënime përtej imagjinatës së futuristëve për mbarimin e botës, por kjo gjëmë nuk ishte veçse vetëmbrojtje jetimërore e serbëve të pakrahë lokalë. Pikërisht ky është çelësi i artë zbërthyes, i ditur tashmë dhe nga zogjtë në degë: ose federata sllavo-jugore do të shndërrohej sërish në pronësi serbe me resurse e njerëz që i shërbejnë përulshëm shkëlqimit të zotnisë në Dedinje, ose ajo do të çartet themelësisht dhe, në pluhurin e saj, si një feniks i paqenë kurrë, do të lindte ngreha e re – shteti i madh serbian.

Çarkullonin atëbotë dy postulate të llojit arianist që shenjëzonin karakterin dhe përmasat e rrëzomës së tillë. “Të gjithë serbët në një shtet”, ishte njëra anë e ideologjisë së përfaqësuar nga politika oficiale, kurse tjetra vinte nga komuniteti i fashistizuar akademik që duhej ta përligjte shpirtësisht atë. Autor i zbulesës së fundme, V. Drashkoviqi (i dizajnuar më pas), të cilin shtypi gjerman e cilësonte si folklorik në politikë dhe mediokër në letërsi, përvijonte kështu kufijtë e Rajhut të përtrirë: “ Serbi do të jetë nga varret në perëndim dhe deri tek tempujt në jug”, e kjo dmth nga riviera veriore kroate e deri aty ku ajo do prekte trupin e shtetit të cunguar shqiptar. Etnitë që i banonin territoret e shenjuara kompakte, duhej ti bindeshin sundtarit të ri. Por meqë eksperiencat e hershme nuk premtonin shumë, aherë ata duhej zhbërë fare: të vriteshim e shporreshin përgjithmonë. Operacioni ishte i vështirë. Ishte kohë tjetër, kur syri zhbirues i botës së lirë survejonte gjithçka. Ndërmarrja tragjike kërkonte përpunim të hollë e fshehtësi të plotë. Nëse turqit ndërtonin kulla kafkash njerëzore, për të demonstruar fuqi e tmerr, fantazia makabre serbiane, për ta përfeksionuar aktin e krimit, do të shpikte mjeshtërinë autentike të këmbëfshehjes. “Çelekullat” e llojit otoman, tani nuk ngriheshin drejt qiellit, por poshtë dheut. Piketohej efekti mashtrues e preventiv, sepse, ndryshe nga të nëndheshmet, ku trupi i pafat ngujohej në terr bashkë me gjurmët e dëshmisë që do të akuzonte, “Çelekullat” a varrezat publike janë përherë një promemorje dhe farë idhnake e rebelimit të ardhmë!.. Makineria e mnerit synonte, poashtu, dhimbjen dyfishtë: për atë që ishte jetëprerë vetëm pse kishte lindur në kohë e truall të gabuar dhe për të gjallët, të cilëve iu këputej e drejta e ngushëllimit për të dashurin humbak: me lot, lule e kujtesë pieteti në muranën e amshuar. Dhe ata, njësoj si të mbijetuarit, meqë kjenë nga të gjitha besimet, do ti jenë përfalur të gjitha faltoreve dhe mesazherëve hyjnorë. Ky nuk ishte mëkati tyre. Motivi i nëmur i zhbimjes s’kje feja a keqorientimi qytetnues. Ishte nacioni dhe vendzënja e tyre në tokën e lakmuar – verdikti i vdekjes së parathënë qyshkur në skenarët e zinj.

3. Po si mund t’jetësohej ëndërrkeqja? Pushtimet, spastrimet dhe dyndjet e përdhunshme biblike, për vetë esencën e panatyrshme të krijesës së fiksuar, ngeleshin mjeti i vetëm i saj. Mirëpo siç e dijmë tashmë, nga dishrimi i padrejtë, ëndrra u dogj. Ishte joreale dhe e jashtëkohshme. Kurse demiurgët e saj, për mungesë korpusi biologjik e fuqie ekonomike, kjenë krejt të                                                                                            pafuqishëm për ti dhënë jetë dhe së mbrami, serbët nuk kishin, e s’patën si të kenë, magjinë tërheqëse të qytetnisë që të joshnin të tjerët me sipërinë e rrezës së tij. Më e kohës e legjitime dhe, prandaj, më e fortë e bardhësore do të ishte kundërëndrra. Ëndrra e armiqëve të ëndrrës serbe: vullneti i tyre titanik për liri!

Kjo panoramë e shkurtër, ndoshta, arrin të dëshmojë se Luftërat në hemisferën ish-jugosllave, aq më pak drama e Kosovës, nuk patën në gjenealogjinë e tyre, si vlerëson ngushtësisht me syrin e keq, humanisti Levy – as nacionalizmin gjuhësor të romantikëve minoritarë dhe as flamurtarizmin e misionuar fetar. Në gjirin e shpirtit kryengritës të popujve joserbë qëndronte, thjeshtë, e drejta e lartë e jetës!

E jetës së lirë, në atdheun e lirë!

R.Kasumaj, Berlin, mars 2104

 

 

 

Filed Under: Analiza Tagged With: PARAGJYKIMI I ÇELEKULLAVE, Rexhep Kasumaj

Jasharajt dhe Liria Kombëtare

April 1, 2014 by dgreca

Nga Albin KURTI/

Në njërën anë, UÇK-ja, dhe, në anën tjetër, Adem, Hamëz e Shaban Jashari me familjen e gjerë të tyre, nuk mund të paramendohen pa njëra-tjetrën. Në fakt, s’ka vend këtu për formim fjalie me ‘në njërën anë e në anën tjetër’ dhe ‘njëra-tjetrën’ sepse s’ka këtu as dy anë e as ‘tjetër’. Rënia heroike e 58 shqiptarëve të bashkuar, e që iu përkisnin tre brezave, të gjitha moshave dhe të dy gjinive, nuk ishte vetëm luftë për liri por edhe liri për luftë. Ata e shpallën veten të lirë individualisht e familjarisht për të luftuar për lirinë tonë kolektive e kombëtare.

Me Jasharajt nis lufta çlirimtare dhe ushtria çlirimtare. Ata filluan ushtrinë që do të luftonte dhe luftuan për ushtrinë tonë. Forcat e shumta policore e ushtarake të Serbisë po i luftonin ata tre ditë rresht në marsin e vitit 1998 sepse luftonin ushtrinë tonë çlirimtare që po lindte në luftë me ushtrinë okupatore. Vetëmohimi ishte edhe i paparë edhe i paimagjinueshëm, andaj beteja treditore quhet Epope kurse Adem Jashari quhet Komandant Legjendar, thua se ishte personazh e karakter legjendash të pabesueshme që u rrëfehen si përralla fëmijëve. Mbase edhe sot e kësaj dite vazhdon disi të mos besohet Adem Jashari, porsi një e kaluar e pakapërthyeshme mendërisht që i thërret në ndihmë imagjinatës përkundër logjikës. Rrëfimi për Adem Jasharin i shndërron të gjithë në fëmijë që dëgjojnë përrallën për të fjetur por ja që pikërisht për shkak të përrallës bëhen edhe më të zgjuar seç ishin më parë.

UÇK-ja është momenti kur e drejta politike pajiset me forcë të zbatimit. Të gjitha ato që mendoheshin të kenë qenë qëllime politike në vitet e ’90-ta u rikuptimësuan si dëshira shoqërore. Nëpërmjet UÇK-së politika u zhvesh në naivitetin e saj për ta tejkaluar atë një çast më pas. UÇK-ja shënon momentin kur vetëdijësohesh për fëmijërinë dhe njëkohësisht e tejkalon atë. Ajo na ktheu në realitet për ta transformuar atë realitet (e i cili tashmë kishte ndryshuar me vetë kthimin tek ai).

Sot, institucionet zyrtare të shtetit të Kosovës e përkujtojnë Epopenë e UÇK-së së 5, 6 e 7 marsit 1998, sikurse edhe vetë UÇK-në, me një distancë të sforcuar. Ceremonitë e ndryshme shtetërore dhe qeveritare shërbejnë për të kujtuar atë që është harruar por pa nxjerrë mësim dhe që të mos nxirret mësim. Përkujtohet e kaluara në mënyrën dhe masën që të mos mbahet mend ajo. Mbi të gjitha, ajo sjellet në të tashmen si një e kaluar e shkuar përgjithmonë: e depolitizuar sepse pa aktualitetin e saj. Këso përkujtimesh konfirmojnë harresën.

Institucionet e Republikës së Kosovës realisht nuk e njohin UÇK-në. Ajo s’përmendet në Deklaratën e Pavarësisë dhe as në Kushtetutën e shtetit. Në emër të çlirimit, Kosovës iu mor UÇK-ja, ndërkaq në emër të pavarësisë, edhe TMK-ja. Ushtrinë që e krijuan dëshmorët nën pushtim, e zhbënë disa politikanë në liri. Por, liria pa ushtri është liri në rrezik, është liri e brishtë, gjithnjë e më e brishtë, deri atëherë kur nga brishtësia as nuk shihet e as nuk ndjehet liria. Sot, nga Policia e Kosovës dhe nga Forcat e Sigurisë së Kosovës është përjashtuar fryma dhe simbolet e UÇK-së, trashëgimia dhe misioni i saj. Nuk është e rastësishme që shpallja e pavarësisë pa UÇK-në dhe ligji i shtetit pa UÇK-në kanë rezultuar me pavarësi pa sovranitet dhe me shtet pa integritet. Edhe kur (nuk) përmenden nga Qeveria, luftëtarët e UÇK-së konsiderohen si pjesë e problemit (social) në Kosovë e jo si ata që sakrifikuan për zgjidhje (politike).

Dëshmorët janë njerëz të jashtëzakonshëm; Jasharajt janë dëshmorë të jashtëzakonshëm. Dëshmorët me në krye Jasharajt gjithçka që bënë, asgjë s’e kishin për vete. Çkado që ne bëjmë për dëshmorët e bëjmë për vete si komb e si shoqëri. E, mbase, çkado që ne bëjmë për vete individualisht e veçmas, më shumë bëjmë për armiqtë tanë.

 

Filed Under: Editorial Tagged With: Albin Kurti, Jasharajt dhe Liria Kombetare

Demostrata e 2 Prillit ’91 – Endrra e dëshmorëve u bë realitet

April 1, 2014 by dgreca

2 prilli 1991, mbetën të vrarë katër dëshmorët e demokracisë : Arben Broci, Besnik Ceka, Bujar Bishanaku dhe Nazmi Kryeziu,/

Nga BEQIR SINA, New York/

EW YORK : Demostrata e 2 Prillit 1991 përkujtohet në qytetin e demokracisë, Shkodrën si demonstrata antikomuniste e 2 prillit të vitit 1991, ku mbetën të vrarë katër dëshmorët e demokracisë : Arben Broci, Besnik Ceka, Bujar Bishanaku dhe Nazmi Kryeziu, ata mbetën mbetën të vrarë ndërsa u plagosën rreth 30 të tjerë. Ende nuk ka një proces të drejtësisë shqiptare – që të vëri para pergjegjësisë urdhëruesit e kësaj masakre dhe atyre që shtinë me armë zjarri nga ish Komiteti i Partisë së Punës në Shkodër me 2 Prill 1991.

Ngjarja e 2 prillit 1991 në Shkodër nisi si një protestë e qytetarëve kundër komunizmit. Kjo ndodhi vetëm dy ditë pas zgjedhjeve të 31 marsit, kur në popullsinë shqiptare kishte nisur besimi se komunizmi kishte rënë dhe po sigurohej nga Partia Demokratike, se i kishte ardhur fundi. Në valën e kësaj demonstrate anti -komuniste, u vranë pabesisht katër njerëz. Masakra e 2 prillit edhe sot e kësaj dite mbulohet me një mister të madh, disa të akuzuar për këtë ngjarje janë nërye të kupolës së Partisë Socialiste, dhe ndodhitë e asaj dite të kujtojnë se ky mister ka rrënjë të thella në historinë politike të demokracisë sonë pas viteve 90.

Ende nuk ka një “zbardhje të plotë të ngjarjes së 2 Prillit të vitit 1991″!?
Në kete dite, mendimi i shqiptarëve demokratë të gjithë atyre që luftuan dhe ëndërruan këtë ditë, natyrishtë që shkon në nderim e respekt të kujtimit të katër dëshmorëve të demokracisë që u vranë pabesisht gjatë asaj proteste. Ata janë tashmë pjesë e pashlyeshme e qëndresës antikomuniste, e shpirtit demokrat shkodran që nuk pranoi kompromis për demokracinë dhe lirinë e shumëpritur, por edhe e shpirtit shqiptar në përgjithësi që për lirinë ka luftuar e sakrifikuar në shekuj kan deklaruar disa politikan shqiptar për këtë ngjarje duke shtuar se :” 23 vjet nga ajo demonstratë që pati si protagonistë kryesorë studentë e gjimnazistë të Shkodrës,- vazhdon – rruga për ndërtimin e demokracisë në Shqipëri vazhdon të jetë me sfida të rëndësishme, të cilat kërkojnë impenjimin e gjithsecilit me thirrjen për të bashkuar përpjekjet e të gjithëve për “ta konsoliduar demokracinë tonë të re, si një garanci se po ecet në drejtimin e duhur, atë drejt familjes së madhe euroatlantike”.

Pas ardhjes së PD-së në pushtet, katër të vrarët : Arben Broci, Besnik Ceka, Bujar Bishanaku dhe Nazmi Kryeziu, morën titullin “Dëshmorët e Demokracisë”

Ish – Kryeministri Berisha ne Shkodër në 20 vjetorin e kësaj ngjarje për të nderuar kujtimin e 4 Dëshmorëve të Demokracisë, Arben Broci, Bujar Bishanaku, Nazmi Kryeziu dhe Besnik Ceka që u vranë barbarisht në këtë demonstratë ka deklaruar  “Martirët e Shkodrës ranë për vlerat dhe aspiratat më fisnike të qytetarëve shqiptarë, por ëndrra e tyre është bërë sot realitet”, ka thënë Berisha.

Duke nderuar veprën dhe sakrificën e tyre sublime, Berisha ka deklaruar se “ata u ndanë nga jeta 20 vjet më parë në një betejë barbare të regjimit stalinist të bllokmenëve, të cilët zgjodhën gjakun e Shkodrës për të festuar zgjedhjet e dhunuara nga klika Alia-Ruçi”.

“Ky regjim – ka vazhduar në atë përkujtimore me tej Berisha- zgjodhi Shkodrën, Rozafën e lirisë për ta goditur me tanke në mënyrën më barbare. Por Shkodra ishte e pamposhtur. Ajo flijoi bijtë e saj, të cilët u bënë dritë në rrugën e Shkodrës dhe të mbarë Shqipërisë drejt fitores përfundimtare të demokracisë në 22 mars 1991”

Simbas tij  “Shkodra dhe Shqipëria në Europë ishte ëndrra e martirëve të Shkodrës, që u flijuan për të fituar pavdekësinë” dhe premtoi se “vitet që vijnë, do të jenë vitet e ndryshimeve më të mëdha pozitive të këtij qyteti”

 

Demostrata e 2 Prillit 1991

 

Demonstrata ndodhi dy ditë pas mbylljes së kutive të votimit, në zgjedhjet e para pluraliste, ku PD-ja humbi përballë Partisë së Punës. Në sheshin para ish-komitetit të partisë në Shkodër, aktualisht sheshi “2 prilli”, u mblodhën atë të martë nxënësit e dy shkollave të mesme “Jordan Misja” dhe “29 nëntori”, (sot nëntori”). Ata iu rikthyen këtij sheshi, pasi kishin qëndruar së bashku me qytetarët e Shkodrës, edhe me datën 1 prill në darkë, të gjithë të ulur në shesh, por pa asnjë incident. Të martën në mëngjes, situata u  be krejt ndryshe, nxënësit u paralajmëruan vetëm njëherë nga policia, më pas   u lëshua mbi vajzat dhe djemtë e dy shkollave të mesme me shkopa gome, duke lënduar deri në gjendje të rëndë tre vajza. Mësuesit e këtyre dy shkollave pas sulmit të parë të policisë, mblodhën nëpër shesh dhe nëpër lulishte, këpucët dhe gjërat e mbetura nga një vrapim i dëshpëruar që bëjnë nxënësit për t’iu larguar dhunës. Ky ishte fillimi, për të përfunduar në orët e vona të pasdites në një Shkodër të djegur, ku ata që e urrenin pushtetin, duke mos pasur se çfarë t’i bëjnë më atij pushteti, dogjën librat e Enver Hoxhës.

 

 

Njëri prej udhëheqësve të këtyre demostratave, pjesëmarrës i tyre në Shkodër Alfonz Grishaj ka shkruar:

 

Më 1 prill 1991, demokratët e Shkodrës vërshuan para selisë së PD-së, me lot në sy pyesnin për rezultatet. Dikush ishte dhe i acaruar. “Prapë këta kriminelë!”. U munduam t’i qetësonim. Folën para selisë Kolec Ndoja, Viktor Martini, Azem Hajdari. Azemi ishte shumë i qartë në fjalën e tij… Më kërkuan disa herë që të flisja. Isha shumë i lodhur, kisha netë pa gjumë. Ngarkesa dhe barra më e madhe binte mbi mua, jo vetëm për njohjen e madhe me të rinjtë e Shkodrës, por dhe si një demokrat që nuk njihja kompromise me ish-kastën e kuqe.

Është e vërtetë që Dilaveri dhe Gjeka erdhën e kërkuan “bashkëpunim”, për të qetësuar situatën. Por, cila ishte arsyeja e vërtetë? Vetë prania e tyre ngjallte neveri tek demonstruesit. Ata nuk shihnin tek Dilaveri dhe Gjeka figurat e rendit kushtetues, por kukullat e metalta të një rendi antikushtetues dhe ilegjitim, të cilët me serumet e trurëve të tyre të lara i shërbenin një kaste gjakpirëse e delirante që, për 47 vjet kishte burgosur, torturuar e vrarë.

Pse duheshin shqetësuar aq shumë këta policë, kur demonstruesit po demonstronin si qytetarë të një bote të lirë? Ata po protestonin për manipulimin e votës së vjedhur dhe ata nuk protestonin për veten e tyre, por për Shqipërinë se, Shkodra nuk ishte Republikë më vete, ashtu siç kërkonin bashibozukët e Sigurimit, që hidhnin parulla serbe: “Shkodra Republikë!”, etj… Pse nuk u shqetësuan këta zotërinj, kur makinat e tyre të policisë dhe të ushtrisë shkonin për të votuar, sa në një zonë në tjetrën për të manipuluar?

Motrat Zenelaj dy vjetë më parë nga Hollivudi në Shkodër për ngjarjet e 2 prillit

 

Motrat Zenelaj, me sytë tanë pamë çfarë ndodhi : “Ngjarjet e këtij filmi bëjnë fjalë për demonstratën e 2 prillit në Shkodër dhe rrëzimin e diktaturës komuniste në Shqipëri”, ka thënë regjisorja Vilma Zenelaj. Sipas saj “ende nuk janë trajtuar këto tema të rëndësishme kombëtare nga regjisorët shqiptarë”.
Simbas shtypit shqiptarë dy vjetë më parë u tha se :”Dy motrat shqiptare Greta dhe Vilma Zenelaj, të cilat janë bërë të njohura si të parat regjisore shqiptare që themeluan një shtëpi filmike në Hollivud (Colored Films), shkuan  në Shkodër në vitin 2012. Ato shkuan atje jo vetëm që do të xhironin një film të ri me temë shqiptare, por do të ishin edhe vet protagoniste në aktrim”. Gazeta shqiptare shkruante se me aktivitetin e tyre në SHBA dy regjisoret shqiptare kanë bërë të mundur edhe prezantimin e një imazhi të vërtetë për Shqipërinë. Kështu që Vilma dhe Greta Zenelaj simbas gazetës Shqiptare, pohojnë se ky është një nga qëllimet kryesore që i ka çuar ato në shesh-xhirimet e qytetit të Shkodrës. Xhirimet për filmin e ri sipas dy motrave Zenelaj kanë në qendër një histori shqiptare. Historia zhvillohet mes Shqipërisë dhe Amerikës, ku udhëtojnë edhe personazhet e këtij filmi. Motrat rrëfejnë se njëri prej këtyre personazheve quhet Helena dhe sipas tyre “tek ajo përmblidhet drama e emigracionit të detyruar si e shumicës së shqiptarëve në vitet ‘90″. Por ka edhe personazhe të tjerë që u japin kuadrove të filmit rëndësinë historike të ngjarjes. Pra filmi në Shkodër me produksionin e shtëpisë filmime “Colored Film” të Hollivudit ka si pikënisje ngjarjet tragjike të 2 prillit 1991 në Shkodër, që shoqëruan ardhjen e demokracisë dhe rënien e komunizmit në Shqipëri ka shkruar gazeta Shqiptare.

Revolucioni Popullor Antikomunist, 14 Janar 1990-22 Mars 1992

 

Simbas portalit Wikipedia një nga më të kërkuarit në interrnet thuhet se :”Kjo “Lëvizje” klasifikohet tek “Revolucionet” pasi ishte ndërrimi me dhunë i një sistemi dhe rendi shoqëror që i kishte kaluar koha (sistemi komunist) dhe vendosja e një sistemi të ri dhe rendi të ri shoqëror, ekonomik e politik që bazohej tek ideali dhe kauza e “Lirisë, Demokracisë, Pluripartizmit dhe Ekonomisë së Tregut”.

 

Azem Hajdari, drejtuesi i Lëvizjes Studentore

 

Pas afro 46 vitesh nën një tirani të paparë në histori, shqiptarët të nxitur nga ngjarjet në Evropën Lindore por edhe nga gjendja e vështirë në të cilën ndodhej vendi nga politikat e gabuara të qeverisë filluan të kundërshtonin regjimin komunist të Ramiz Alisë.

 

Situata politike para Lëvizjes

 

Gjendja politike ishte e vështirë për Partinë e Punës. Regjimet komuniste në të gjitha vendet e Europës Lindore kishin rënë. I fundit kishte qenë regjimi rumun që kishte mbaruar në mënyrë të përgjakshme. Komunistët shqiptarë nuk po reflektonin. Shqipëria ishte i fundit vend me një regjim komunist në Europë.

 
Protestat antikomuniste Zona e Lëvizjes

 

Shkodra, Kavaja, Tirana, Durrësi, Elbasani, Korça, Pogradeci dhe Fieri.

 
Sali Berisha, drejtuesi i Partisë Demokratike Janar-Nëntor 1990

 
14 Janar 1990 : Zhvillohet në Shkodër demostrata e parë antikomuniste në Shqipëri. Mijëra shkodranë dalin në qendër të qytetit dhe përpiqen të hedhin bustin e Stalinit. Policia dhe ushtria arrijnë të shpërndajnë turmën. Dhjetëra protestues arrestohen dhe dhunohen barbarisht në burgje.

26 Mars 1990 : Zhvillohet një demonstratë masive antikomuniste në Kavajë. Forca të shumta policore e shtypën me egërsi këtë demostratë. Masivisht fyhet diktatori Hoxha.

2 Korrik 1990 : Fillon hyrja masive në ambasada. Me mijëra të rinj hyjnë në ambasada në kërkim të azilit politik. Ambasadat me më shumë persona janë ajo gjermane dhe ajo italiane. Të vetmet ambasada ku nuk pati azilantë ishin ajo kineze dhe ajo kubane. TVSh transmeton pamje ku azilantët kërkojnë të dalin por nuk i “lejojnë” autoritetet e ambasadave. Fillojnë demonstratat antikomuniste në gjithë vendin.

Korrik-Nëntor 1990: Demostrata antikomuniste zhvillohen në gjithë vendin e veçanërisht në Tiranë, Durrës, Kavajë, Shkodër, Elbasan dhe Korçë. Kërkesa kryesore e demostruesve është hapja e Shqipërisë dhe rrëzimi i regjimit diktatorial komunist. Fillon emigrimi masiv drejt Italisë me anë të anijeve. Mbi 20.000 shqiptarë largohen me mjete ujore. Policia kufitare vret shumë të rinj shqiptarë që po arratiseshin drejt një jete më të mirë.

 
 
Emigrimi masiv i shqiptarëve 1990-1991
8 Dhjetor 1990 : Studentët e Universitetit të Tiranës formojnë Partinë Demokratike të Shqipërisë, e para parti opozitare pas afro 50 vitesh. Udhëheqësit kryesorë janë Sali Berisha, Azem Hajdari, Genc Pollo, Aleksandër Meksi dhe Gramoz Pashko. Partia e re bazohet mbi idealet e “Demokracisë, Lirisë, Pluralizmit dhe Tregut të Lirë”.

11 Dhjetor 1990 : Studentët takohen me Presidentin e vendit, Ramiz Alinë. Ata i bëjnë të ditur atij kërkesat e tyre. Alia nuk pranon t’i plotësojë ato.

12 Dhjetor 1990 : Zgjidhet kryetari i Partisë Demokratike. Me shumicë votash fiton Sali Berisha njëri nga doktorët më të njohur të vendit.

 
 
Dëshmorët e 2 Prillit 1991, Arben Broci, Besnik Bishanaku, Nazmi Kryeziu dhe Besnik Ceka
Janar-Mars 199

 

5 Janar 1991 : Fillon botimi i gazetës “Rilindja Demokratike”, organ i Partisë Demokratike.

20 Shkurt 1991 : Demonstruesit pasi përleshen me policinë, rrëzojnë bustin e diktatorit Hoxha i cili sundoi vendin për 40 vjet nën diktaturën komuniste më të ashpër në botë së bashku me atë të Kamboxhias.

21 Shkurt 1991 : Situata për regjimin bëhet shumë kritike. Jep dorëheqjen kryeministri i vendit, Adil Çarçani. Në krye të qeverisë vjen Fatos Nano.

31 Mars 1991 : Mbahen zgjedhjet e para pluraliste. Kodi Zgjedhor dukshëm favorizon PPSH. Me shumë manipulime fiton PPSH. Në qytetet e mëdha fiton Partia Demokratike. PPSH fiton në zonat fshatare ku PD ende nuk ka mundur të arrijë. Vetë Ramiz Alia humbet në zonën ku në vitin 1941 u formua Partia Komuniste Shqiptare. Por ai zgjidhet President i Republikës me votat pro të PPSH dhe ato kundër të PDSH.

 
 
Rrëzimi i bustit të Enver Hoxhës më 20 Shkurt 1991 ngjarjet Prill-Dhjetor 1991

 

2 Prill 1991 : Pas një demostrate paqësore vriten në Shkodër 4 aktivistë të PDSH dhe plagosen mbi 80 demonstrues. Kjo nxiti një valë të re protestash. Demostruesit e egërsuar djegin Komitetin e Partisë së Shkodrës.

Prill 1991 : Zhvillohen greva dhe demostrata të fuqishme. Qeveria komuniste merr goditjen më të rëndë pikërisht nga punëtorët të cilët hyjnë masivisht në greva.

4 Qershor 1991 : Jep dorëheqjen kryeministri Fatos Nano për shkak të protestave masive. Formohet qeveria e re e koalicionit e drejtuar nga Ylli Bufi.

10 Qershor 1991 : Në një Kongres historik PPSH (Partia e Punës e Shqipërisë) ndryshon emrin në PSSH (Partia Socialiste e Shqipërisë). Ndryshon edhe udhëheqja e Partisë.

Qershor-Nëntor 1991 : Zhvillohen demostrata antikomuniste. Thirrjet e demostruesve janë “Ta bëjmë Shqipërinë si gjithë Europa!”, “Liri-Demokraci!”, “Enver-Hitler!”, “Poshtë komunizmi”! etj. Në çdo qytet rrëzohen bustet e Enver Hoxhës, Leninit dhe Stalinit, simbole të diktaturës së egër komuniste. Kërkohet ndryshimi i emrave të institucioneve të ndryshme që kanë emrin e Enver Hoxhës, Leninit, Stalinit ose datën e krijmit të PKSH. Ushtria demostron forcën duke lëvizur tanket nëpër qytetet e vendit. Vazhdon emigrimi masiv. Mijëra të rinj kërkojnë një jetë më të mirë drejt vendeve perëndimore.

6 Dhjetor 1991 : Jep dorëheqjen qeveria e koalicionit për shkak të largimit nga qeveria e ministrave të PD.

Janar-Mars 1992

Janar 1992 : Formohet qeveria teknike e Vilson Ahmetit që do të përgatisë vendin për zgjedhjet e parakohshme.

22 Mars 1992 : Mbahen zgjedhjet e parakohshme. Me një rezultat të thellë fiton PDSH. Rotacioni i rezultatit është 90 %. Në krye vjen një qeveri e djathtë, e para qeveri e djathtë që nga koha e Zogut. Parlamenti i ri zgjedh President të Republikës z. Sali Berisha, i treti President i vendit (më përpara kanë qenë Ahmet Zogu dhe Ramiz Alia) dhe i pari i zgjedhur në mënyrë demokratike. Protestat antikomuniste marrin fund. Revolucioni Antikomunist triumfon.

 

 

Filed Under: Featured Tagged With: 2 Prilli

1 Prilli: Dita Kombëtare e Oligarkisë Politike Shqiptare!

April 1, 2014 by dgreca

Shkruan Bislim AHMETAJ/

TIRANE : Mes trishtimit dhe medyshjes  zgjodha për titull të këtij shkrimi këtë sukses të dhimbshëm të klasës politike shqiptarë. Titull dhe arritje e pamerituar për qytearët shqiptarë por  i provuar dhe I shënuar si arritje e klasës politike  pothuaj 100% që prej vitit 44 e deri më sot kur rraca e komunistëve erdhi  për herë të parë në pushtet. Shqiptarët edhe pse nuk ishin fort të informuar se çfarë të këqiash po i sillte njerëzimit nazifashizmi , për arësyen e thjeshtë se në vendin e tyre kjo gjëmë boterore  kishte demostruar sjellje krejt të ndryshme prej botës tjetër që po përjetonte tmerre dhe vdekje pa fund , ata , ju bashkuan  kualicionit antifashist dhe luftuan me armë në dorë deri në çlirimin e vendit, çlirim që  për fatkeqësinë e tyre solli në pushtet përmes premtimesh kurrë të padëgjuara më parë ata që do ta shndërronin Shqipërinë në kampin më të madh të njerëzve të izoluar dhe të dhunuar në krejt lindjen komuniste. Më pas provuam si asnjë vend tjetër në europën lindore ta shijojmë demokracinë , derivatet e dsaj të para  lirinë e dhe ekonominë e tregut.  Por kjo  aromë lirie dhe frytet e saj do të shembëshin për dy tre muaj  nga Sudja, Xhaferi, Vebiu , ajo gruaja nga Kukësi e të tjerë . Mes grykës së pushkës dhe tymit të barutit ata që po vinin në pushtet njëlloj si baballarët e tyre mbollën farën e mashtrimit që  paratë e investuara në firmat piramidale do të kthehen një më një. Të dëshpëruarit ,të ndërsyerit, të tradhëtuarit, të lëshuarit, të braktisurit nga shteti dhe institucionet   i besuan njëlloj si në 44 kur do hanin me lugë floriri.  Mazhoranca e atëhershme u zbyth nga pushteti e ndjekur nga pushkët që ja rrëmbyen nëpër depot e saj, zbythje  që u  shoqëruar me një proces zgjedhor  të cilin e udhëhiqnin Zani dhe shokët e tij të komiteteve nga Tropoja deri në Sarandë. Premtimi I kthimit të paravë u shua si “shurra e pulës” për pak muaj “herojtë “ e revolucionit  të vonuar të Qoses  përfunduan shumica të vrarë si qen rrugësh dhe një pjesë e tyre në burgje me denime të përjetshme. Kur një zë spikamë i demokracisë dhe pluralizmit politik shqiptarë nisi ti trondiste themelet e mashtrimit dhe rindezi shpresën te liria dhe demokracia, tek e verteta dhe drejtësia  njëlloj si në Dhjetor të 90-s, oligarkia politike shqiptare vendosi t’ja mbyllte gojën me karrikatore plumbash kallashnikovi. Ndryshe nuk mund ta bënin të heshtte Azem Hajdarin. Me vrasjen e tij mashtrimi dhe tregtia e votave dhe deputeteve u shndërrua në biznesin më fitimprurës në Shqipëri.Zgjedhjet e humbën peshën që bartnin më parë pronarë të parlamentit me ligj të miratuar me konsensus u bënë kryetarët e partive dhe jo qytetarët. Interesi dhe besimi i qytetarëve tek institucioni kyç i demokracisë që janë zgjedhjet  e lira dhe të ndershme u zerua. Ai , qytetari me votën e tij nuk zgjidhte më përfaqësuesin e vet  por të zgjedhurin e kryetarit të partisë që ose nuk zgjidhet fare siç është rasti i Edi Ramës tani ose zgjidhej dhe zgjidhet përmes proceses aspak transperente.  Fatkeqësisht të gjithë kemi përfunduar në këtë batak , brenda këtij rrethi vicioz  s’gjen asnjë faktorë , mundësi apo rrethanë që të mund ti shpëtosh katij rrjeti mashtruesish që rrenen dhe mashtrimin kanë shndërruar në çelës të suksesit.  Zgjidhja që kishim projektuar ne qytetarët idealist , demokratë, liberale, socialistë, ballistë, apo legalistë pa shpikur asgje të re njëlloj si kudo nëpër shoqëritë e zhvilluara perëndimore ishin zgjedhjet dhe vetëm zgjedhjet. Tani ato,  zgjedhjet janë shndërruar në  dyqan, kioskë, vilë, thes mielli, shishe rakie, tender, vend pune, leje ndërtimi. Ndaj ky 1 Prill i sivjem e gjen më të konsoliduar se kurrë më parë mashtrimin, rrënën, shpërdorimin e besimit, inkriminimin e parlamentit dhe totolitarizimin e shoqërisë.

Ndaj ky 1 Prilli i sivjetshëm e gjen më të konsoliduar se kurrë më parë oligarkinë politike shqiptarë , ajo ndihet më pak se kurrë ndonjëherë e shqetësuar nga shtetasit e saj , ajo është bërë pronare e ligjshme e shpërdorimit të halleve dhe interesave të qytetarëve të saj.

Mazhoranca Ra-Me-Ta  megjithese e ka kuorumin kushtetues te  votave për të miratuar çdo lloj ndryshimi qoftë edhe të sistemit për tu treguar “tolerante”, “zemërgjërë” dhe “bashkëpunuese” me opozitën  le të ftojë edhe një pjesë të deputetëve të saj kryesisht ata që janë gjysëm të gatshëm  që me 101 vota ta miratojë 1 Prillin: Si ditën e arritjes së nënshtrimit të qytetarëve, si ditën e mbytjes së mendimit ndryshe, si ditën e blerjes dhe pushkatimit të shoqërisë civile.

Si ditën Kombëtare  të Oligarkisë Politike Shqiptare.

 

Filed Under: Komente Tagged With: 1 Prilli: Dita Kombëtare e Oligarkisë Politike Shqiptare, bislim ahmetaj

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 65
  • 66
  • 67
  • 68
  • 69
  • 70
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Kontributi shumëdimensional i Klerit Katolik dhe i Elitave Shqiptare në Pavarësinë e Shqipërisë 
  • Takimi i përvitshëm i Malësorëve të New Yorkut – Mbrëmje fondmbledhëse për Shoqatën “Malësia e Madhe”
  • Edi Rama, Belinda Balluku, SPAK, kur drejtësia troket, pushteti zbulohet!
  • “Strategjia Trump, ShBA më e fortë, Interesat Amerikane mbi gjithçka”
  • Pse leku shqiptar duket i fortë ndërsa ekonomia ndihet e dobët
  • IMAM ISA HOXHA (1918–2001), NJË JETË NË SHËRBIM TË FESË, DIJES, KULTURËS DHE ÇËSHTJES KOMBËTARE SHQIPTARE
  • UGSH ndan çmimet vjetore për gazetarët shqiptarë dhe për fituesit e konkursit “Vangjush Gambeta”
  • Fjala përshëndetëse e kryetarit të Federatës Vatra Dr. Elmi Berisha për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë në Seancën Akademike kushtuar 100 vjetorit të lindjes së Peter Priftit
  • Shqipëria u bë pjesë e Lidhjes së Kombeve (17 dhjetor 1920)
  • NJЁ SURPRIZЁ XHENTЁLMENЁSH E GJON MILIT   
  • Format jo standarde të pullave në Filatelinë Shqiptare
  • Avokati i kujt?
  • MËSIMI I GJUHËS SHQIPE SI MJET PËR FORMIMIN E VETEDIJES KOMBËTARE TE SHQIPTARËT  
  • MES KULTURES DHE HIJEVE TE ANTIKULTURES
  • Historia dhe braktisja e Kullës së Elez Murrës – Një apel për të shpëtuar trashëgiminë historike

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT