• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for April 2014

NJË DOLLI PËR VATRËN NË 102 VJETORIN E LINDJES!

April 26, 2014 by dgreca

Të hënën me 28 Prill, Federata Panshqiptare e Amerikës VATRA ka ditëlindjen e 102.Një grup shqiptarësh që jetojnë e punojnë në Uashington DC dhe që komunikojnë përmes rrjetit elektronik “Albanian Professionals of DC” dhe Dega e VATRËS për Uashington DC, u mblodhën të Premten me 25 Prill pikërisht për të shënuar ditlindjen e 102-të Federatës PanShqiptare të Amerikës “VATRA”.
Në këtë aktivitet që u emërua” Toasting VATRA’s 102nd Birthday- Një dolli për VATRËN, në ditlindjen e saj të 102-të” morën pjesë shumë bijë e bija shqiptarë. Disa prej pjesmarrësve kishin sjellë edhe fëmijët e tyre. Disa kishin udhëtuar nga larg. Dr.Indrit Reso dhe zonja e tij kishin udhëtuar nga Williamsburgu për të marrë pjesë në festim e për t’u bërë pjesë e festës. Përtërihet kështu me këtë veprimtari një traditë e kahmotshme vatrane.
Festuesëve u ishin bashkuar edhe diplomatet në Washington si Znj. Daniela Kristo Nesho dhe znj. Edita Bucnica, përfaqësuese përkatësisht të Ambasadës shqiptare dhe asaj të Kosovës në Uashington DC.
Aktiviteti kaloi në një frymë tepër miqësore, argëtuse , por edhe diskutuese për tema të ndryshme dhe meqë ishte rasti për VATRËN shumë kush shprehu interes dhe drejtoi pyetje lidhur me Federatën Panshqiptare të Amerikës, të djeshmen,historinë mes dy shekujve jetë.
Shqiptarët në DC shpesh herë mblidhen për të shënuar ditë gëzimi apo për të kujtuar ditë të vecanta nga historia e kombit shqiptar por edhe për të këmbyer përvoja, për të ndihmuar njëri-tjetrin apo thjesht për të këmbyer dy fjalë në gjuhën e bukur shqipe. Dhe nuk mund të mbeste jashtë kujtesë një ditë si kjo, ditëlindja e Vatrës që orientoi Kombin, të Vatrës, që luajti rolin e shtetit, kur shteti pat ”vdekur”. Kush prej popujve të ballkani,nuk do ta ëndrronte një organizatë të atillë në fondin e historisë së vet, që ta kishte ditëlindjen para shtetit të vet të Pavarur?
Aktivitetet e shqiptarëve në DC kanë qenë tepër mbresëlënëse dhe janë pasqyruar dhe mirëpritur në shtypin shqiptaro-amerikan si edhe në shtypin e vendlindjes.
Vlen të theksohet dëshira dhe vullneti i Z.Holti Banka i cili jo vetëm siguroi lokalin e takimit, por komunikoi dhe siguroi organizimin e aktivitetit si dhe kishte sjellë edhe flamurin kuq e zi për këtë aktivitet. Fotot shoqëruese, për të cilat falenderojmë të palodhurin Z.Arsim Cejku, flasin më shumë se një lajm në fjalë dhe nga Uashingtoni, sikurse dukemi në foto, plot gëzim e dashuri, të gjithë shqiptarët përshëndesim dhe urojmë:VATRA GËZUAR DITLINDJEN E 102-të!
Me këtë thirrje bashkohen të gjithë shqiptarët që nga Bostoni historik, Nu Jorku i qëndresës e deri në Alaska dhe Toronto!(Korresp i Diellit)

Filed Under: Vatra Tagged With: e lindjes, NJË DOLLI, PËR VATRËN NË 102 VJETORIN

“Njeriu me shenjë” mbush 74 vjeç!

April 25, 2014 by dgreca

Nga Klajdi Musabelliu/Alfredo James Pacino është emri I vërtetë I aktorit të njohur me fame Botërore Al Paçino, i cili ka lindur në 25 prill të vitit 1940 në East Harlem të New York-ut, të Shteteve të Bashkuara të Amerikës.Motorri I kërkimit ‘Google” ia ka dedikuar sot faqen e pare Gjigandit të Hollivudit, i cili u bë mjaft I njohur dhe I pëlqyer me triologjinë “ The Godfather’ (Kumbari) një prodhim I vitit 1972, e 11 vite më pas në një tjetër sukses Botëror I qujatur ‘Scarface’(Njeriu me shenjë) 1983.Si të mos mjaftonin këto 2 bume, Titani I Hollywod-it I njohur me pseudonimin ‘Sonny’ apo edhe ‘Tonny Montana’ në vitin 1992 vjen me një tjetër personazh mjaft të pëlqyer tashmë nga audienca femërore në filmin “Scent of a Woman” (Aromë gruaje) i cili i dha edhe çmimin e parë dhe të vetëm Oscar në karrierën e tijë në vitin 1993.
Aktori është djali I një çifti Italian Salvatore dhe Rose Pacino, të cilët u divorcuan kur al mbushi 1 vjeç.Ndëkohë, në adoleshencën e tij, “Sonny” siç thirrej nga miqtë e asaj kohe, arrin të bëhet një “Baseball Player” (lojtar bejzbolli) dhe ekipi ku ai luante në atë moshë i vendos edhe një tjetër pseudonim “The Actor” (Aktori). Në moshën 17 vjeçare ai braktis shkollën dhe pasionin e tij për sportin, dhe nis të punojë si ndihmës kamarier, portier, për të financuar talentin e tij të fshehur e të pa shfaqur, atë të ndjekjes së studimeve për aktrim.
Ai nisi të aktronte nëpër kantinat e nëndheshme të teatrit të New York-ut ndërkohë që ishte ende adoleshent, e në këto prova refuzohej gjithnjë. Ai njihet me Charlie Laughton, i cili u bë mentori I tijë dhe një ndër miqtë e tij më të mirë dhe që e ndihmoi mjaft Al-in edhe të fitonte pas 4 vitesh konkursin e ‘Actor Studio” organizuar nga HB Studio me një juri të përbërë nga aktorë profesionistë dhe regjisorë teatrosh.
Mbas intepretimeve të shumta në ‘Actor Studio” u desh viti 1970 ku Paçino të thirrej nga kinemaja, e më konkretisht për rolin e tijë të pare në filmin The Panic in Needle Park 1971 ku nga I cili tërhoqi vëmëndjen e regjisorit të madh Francis Ford Coppola, i cili i besoi edhe rolin që i ndryshoi jetën, roli I ‘Kumbarit” në filmin ‘Kumbari”. /a.ke/

Filed Under: Kulture Tagged With: “Njeriu me shenjë”, mbush 74 vjeç!

Basha priti Imzot Donato Oliverio

April 25, 2014 by dgreca

Kryetari i Bshkisë së Tiranës dhe njëherësh kryetar i PD, Lulzim Basha, priti në një takim Peshkopin e arbëreshëve të Italisë, Imzot Donato Oliverio, Peshkop i Eparkisë së Ungrës, i arbëreshëve të Italisë.
Basha gjatë takimit vlerësoj kontributin e jashtëzakonshëm të klerikëve arbëreshë të cilët përveç veprimtarisë së tyre fetar, japin ndihmesë të ndjeshme edhe në ruajtjen e gjuhës shqipe (arbëreshe), të trashëgimisë kulturore dhe të gjitha traditave arbërore.
Po ashtu, Basha ka shprehur gadishmërinë për të dhënë kontributin në këtë mision fisnik dhe shumë të çmuar, për ruajtjen dhe trashëgiminë e vlerave të kulturës dhe traditës së arbëreshëve të Italisë.
Imzot Donato Oliverio, duke falënderuar Bashen për pritjen e veçantë, ka vlerësuar tolerancën fetare të shqiptarëve, si model për të gjithë botën dhe që do të ndikonte për paqen, mirëkuptimin dhe bashkëpunimin ndërfetar. Peshkopi i arbëreshëve të Italisë u angazhua personalisht dhe me të gjithë bashkëpunëtorët e tij, për të përhapur sa më shumë dhe në çdo vend të botës vlerat që mbartin shqiptarët, tolerancën fetare, fjalën e dhënë, besën, mikpritje, vëllazërinë.
Imzot Donato Oliverio, ftoi zotin Basha për një vizitë zyrtare, e cila u prit me kënaqësi.

Filed Under: Kronike Tagged With: Basha prriti Imzot, Donato Oliverio

Të ushqesh frikë

April 25, 2014 by dgreca

Nga Sami MILLOSHI/
Çfarë nuk po na dëgjojnë veshët?!!! Drejtoria Arsimore e Tiranës, u paska kërkuar mësuesve që ata të dorëzojnë librezat e pagesave të energjisë elektrike në drejtoritë e shkollave. Qëllimi? Të mësohet nëse e kanë paguar apo jo ata faturën e energjisë elektrike në shtëpitë e tyre.
Unë këtë çudi nuk e kam dëgjuar dhe nuk e besoj se ka bërë vaki në ndonjë vend tjetër të rruzullit tokësor. Ca kohë më parë, pata dëgjuar se Ministria e Brendshme kishte kërkuar që ata qytetarë që nuk kanë paguar gjobat që u ka vënë policia për arsye të ndryshme, nuk do të lejoheshin të dilnin jashtë kufijve të Shqipërisë.
Pasi njeriu njihet me këtë lajm, pyetja e parë është: “More, po çfarë i duhet Ministrisë së Arsimit nëse unë i paguaj apo jo dritat? A është kjo puna e saj në bazë të ligjeve që ka një shtet normal nga trutë e kokës?” Nuk e besoj se ka njeri me dy pare mend në kokë që të thotë se Ministria ka bërë mirë. Pse? Sepse nuk është punë saj. Është komplet problem privat i mësuesit në rastin konkret.
Ta supozojmë se një mësues nuk ka paguar energjinë. Ka organe të caktuara që e detyrojnë atë me ligj ta paguajë. Është sistemi i gjykatave që futet në lojë. Kur shuma e mospagesës është e madhe, gjykata mund të vendosë edhe për konfiskim pasurie. Të merr makinën, të merr shtëpinë, të merr nga depozitat bankare, etj, etj,. Kështu bëhet në një shtet ligjor. Të paktën, kjo është atmosfera që përjetoj dhe di unë këtu në Amerikë.
Po pse e bëjnë kështu, pse e anashkalojnë gjykatën? Sepse padrejtësisht e paragjykojnë si “të korruptuar”. Dhe në vend të ligjit fusin një urdhër ekzekutiv, të një zyrtari të rëndomtë të hierarkisë arsimore, që nuk ka kurrfarë forcë ligjore. Përveçse të një “force” iluzore, për të futur frikë te mësuesit, që nëse nuk paguajnë energjinë e kanë të rrezikuar edhe vendin e punës. Thjesht fare, duan ta bëjnë mësuesin e gjorë të ketë frikë zyrtarin që ka përsipër, i cili merret me mend, ka “moral” të lartë dhe “garanci” 100 % se ai vetë, pra zyrtari, e ka paguar faturën e energjisë. Po ky, ky zyrtari kujt do t’i dëshmojë se e ka paguar faturën e energjisë? Nëse është drejtor i drejtorisë arsimore, i bie që t’ia tregojë faturën Ministres, dhe kjo e fundit nga ana e vet, sigurisht, i duhet t’ia tregojë Kryeministrit.
Jo, kjo nuk është rruga e ndërtimit të shtetit ligjor. Kjo është rruga e mbjelljes së Frikës. Frikë nga zyrtarët e ulët, ndaj zyrtarëve më të lartë, frikë nga qytetari ndaj zyrtarit, frikë, frikë, frikë gjithandej. E megjithatë, askush nuk ka siguri që nga ushqimi i kësaj frike faturat do të paguhen…. Po ta zëmë se nuk do të paguhen edhe pas “kërcëllimit të dhëmbëve” të drejtorëve ndaj mësuesve, çfarë do të ndodhë? Do t’i pushoni mësuesit automatikisht? Mbi ç’ligj? Ku do të shkojnë nxënësit? Ku do t’i gjeni mësuesit e tjerë? Do t’i merrni nga rruga dhe do t’i shpallni mësues? Kjo është të futesh në labirintet e katrahurës dhe nga një problem i pazgjidhur, të prodhosh probleme të tjera edhe më të mëdha. Dhe mbi të gjitha, kjo do të thotë të prodhosh urrejtje për zgjidhjet voluntariste, që në thelb nuk janë zgjidhje ligjore.
Kur ia tregova këtë lloj “ndëshkimi” një miku tim këtu në Amerikë, ai bëri një spirale shakaje duke më drejtuar disa pyetje: “Po nëse mësuesit i kërkohet të paraqesë raportet seksuale me gruan? Po nëse i kërkohet të raportojë nëse e ka shëtitur qenin apo jo? Po nëse i kërkohet të raportojë se çfarë kanalesh televizive shikon? Po nëse i kërkohet të raportoje kë ka miq në Facebook? Po nëse i kërkohet të deshifrojë ëndërrat që ka parë natën e kaluar? Po nëse i kërkohet të përpilojë një plan strategjik për t’i vënë fre ambicieve të Putinit në Ukrainë??”.
“Miku im, shkove shumë larg me këto pyetje, i thashë. Por, gjithsesi ti ke të drejtë. Nëse i kërkohen të gjitha këto, ai do të duhet të jepte atë përgjigjen që jepte në diktature: Edhe jetën ia jap Partisë”. Me fjalë të tjera, të ktheheshim nja 30 vjet mbrapa dhe të humbnim kohë. Siç zakonisht kemi humbur.

Filed Under: Analiza Tagged With: Sami Milloshi, Të ushqesh frikë

“Vetëtimat” që lëshon Xhevua…

April 25, 2014 by dgreca

Libri me poezi “Vetëtimë” i Xhevahir Spahiut/
(esse)/
Nga Përparim Hysi/Nuk ka përkim më të bukur: si emri ashtu dhe vepra. E kam fjalën për Poetin e bukur Xhevahir Spahiu. Poezia e tij është e tillë që jo vetëm e rreshton autorin në shkallë të epërme të Poezisë Shqipe ,por dhe më tej si një poet që pëlqehet në të gjitha ato gjuhë ku është përkthyer.
Unë e kam dashur poezinë e Xhevos që nga fillimet e tij dhe, kur u vu në kryq nga vet Enver Hoxha, jo vetëm më erdhi keq, por u ula dhe shkrova duke e marrë në mbrojtje poetin, Xhevahir Spahiu. Shkrova… po nga e thëna në të bërë, shkon e vjen një det i tërë. Shkrova dhe, sado kjo qe vetëm protestë imja vetiake, autocensura e frikës më ktheu nga rruga, pasi i kisha bërë nja dy km për në shkollë. Se nuk ishte shaka e vogël për atë kohë. Se qeveria,- thotë Xha Myrtja, një personazh i tregimit tim,- as turp dhe as frikë nuk të ka. Enver Hoxha e akuzonte Xhevon se po shkonte në gjurmët e Zhan Pol Sartrit me atë poezi ekzistencialiste dhe kaq mjaftonte që ta përzinin nga gazeta ku punonte. Se pas Enver Hoxhës ia hoqi korën e plagës edhe Mehmet Shehu, atëkohë kryeminisër i Shqipërisë. Kështu që, për të qenë idrejtpërdrejtë me lexuesit, u ktheva dhe grisa ç’kisha shkruar. Nuk qeshë aq trim dhe nuk mund të rrah gjoksin. Këtë lloj “grisjeje” e kam bërë dhe për një shkrim, të aty të përatyshëm, për artistin e madh, Kujtim Spahivogli, kur e ndesha tek vuante “golgotën” e gulagëve të kohës. Sado që në vitet e demokracisë, ju ktheva asaj rrëfenjës për Kujtim Spahivoglin me titullin e atëhershëm “Hamleti në Mbrostar-Ura”, po jam i ndërgjegjshëm, se shkrimi i dytë nuk kish atë”vlagën” e atëhershme. Unë jam fshatar dhe e di mirë: përsheshi i parë nuk është si i dyti. Nga ana tjetër, kur merr të rishkruash diçka që ke shkruar dikur, të jesh i sigurt: diçka ka “rrjedhur” në vrimat e shoshës së kujtesës. Artilierët janë më të saktë se krijuesit. Ata porosisin:- Kurrë një predhë artilerie nuk bie në gropën ku ra njëherë. Dhe për të marrë “dekoratën e vërtetë të trimërisë sime” ja tek pohoj: jo vetëm kam djegur letra dhe krijime, por kam djegur dhe libra. Nga letrat që grisa kam ndjerë dhimbje të veçantë për letërkëbmimin që kam patur me poetin Genc Leka. Më kujtohet mirë që ka ndodhur pas atij botimi të poezisë së bukur të tij “Nxënësve të mi”, botuar,veç tjerash, dhe tek gazeta “Mësuesi”.
E sa për Xhevon – se ky është objekti i shkrimit tim- e kam “qarë” tri herë. Së pari, për “prerjen e veshit” nga Enver Hoxha e kryeministri që, mandej, vazhdoi deri tek kryetari i frontit të lagjes siç tregon poeti. Qe kohë e vështirë që një poet trim si Xhevoja diti t’i bëjë ballë.

* * *
Së dyti, kam qarë (tani dhe unë isha bërë trim,se kish ardhur demokracia) në vitin e mbrapshtë 1997. Qe koha e revoltave dhe ndërsa Vlora po digjte barotin e revoltave kundër qeverisë (epo kush tjetër dinte ta digjte barotin më mirë se sa Vlora?), poeti Xhevahir Spahiu nuk mund të fuste kokën në rërë si struci,siç bënë plot shkarrashkrues, “se ç’po ndodhte atje, nuk kish të bënte me ta”, por shkoi atje dhe “kapuçinët e zinj” desh i morën jetën. Poetin e bukur e shpëtoi Vlora. Unë atëherë shkrova poezinë kushtuar poetit me titull: “Xhevahir Spahiu”. Tani kisha dalë nga “vrima e frikës” dhe jo vetëm e shkrova, por dhe e botova në gazetën e asaj kohe dhe e përfshiva në librin tim me poezi ” Rektimat e dashurisë”. Poezinë po e sjell për lexuesit se, dhe në nuk ka vlera letrare, por e jep si në pëllëmbë të dorës rrezikun real të jetës së autorit.

Xhevahir Spahiut
XHevahir Spahiu! Xhevahir Skrapari!
Në një anë Poeti, në tjetrën:luftëtari!
Në një anë Poeti,në tjetrën Njeriu
Me gërmë të madhe: XHEVAHIR SPAHIU!

I përbuzje dredhat, mbroje veç të drejtën
Në rrugën e sheshtë,kërkoje përpjetën
Ndaj u “rrebelove”,shkove në Vlorë
Nuk të trëmbi ndjekja s’pyete për terror.

Kupol e Mesjetës dërgoi kapuçinjtë
Të rrahën me grushte, varda ranë shkopinjtë
Të goditën, Xhevo,me grushta barbarisht
Ty që ishe ëngjëll; qe Budë apo Krisht!

Krisht për fjalë të lirë,pa shtypje e dhunë
Që të rrojmë të lirë,si ti edhe unë
Farën e urrjetjes mbolle për pushtetin
Dhe e le rehatin,se zgjodhe Poetin!

Pa gatove vargje në magje revolte
Helm për diktatorët, pjellë të çdo epoke

pranverë 1997.

* * *
Në vitin 2000 kur mora rrugën për tek im bir, në Amerikë, një valixhe tepër të madhe me mbi 250 libra (atëherë s’kish kufizim për bagazh) kisha dhe dy libra të Xhevos “Kohë e krisur” dhe “Nesër jam aty”. Kjo e dyta ( e sillja dhe e risillja sa herë nëpër duar) sikur më bënte apel për t’u nisur dhe për të qenë aty: aty, në mëmëdhe. Mjerisht këtij apeli iu përgjigja pas 12-vjetësh, ama iu përgjigja me mëndje të kthiellët. Vërtet që jetova larg SHqipërisë për afro 12-vjet, po asnjë ditë nuk kam qenë larg saj. Interneti – shpikja më e bukur në botë,- ta jepë Atdheun me vete. Dhe unë “me vete” e pata. Pse e kisha me vete “Atdheun”, e ndiqja në gjithë dinamikën e vet dhe, ja tek marrë vesh një lajm që më sëmboi keqas. Erdhi ministrja e kulturës dhe tek gjen kshilltar të kësaj ministrie, Xhevon, e pushon. Ou!- vura alarmin unë. Po nuk qeshë i vetmi. Nga Kanadaja shpërthente një poet e prozator me vlerë si Faruk Myrto dhe thotë pak a shumë: ministrja të shkojë kshilltare dhe Xhevoja-ministër. Dhe kish të drejtë. Unë gati shkrimin në mbështetje të Xhevos, por ma dogji shkrimin Xhevoja që tha tek e intervistonin: – Po vure kuzhiniere bythën, prit që t’i hashë mutin !!! E,sa para do bënte një shkrim imi? Ikën socialistët dhe sa m’u bë qejfi: sado që pushtetin e kish marrë e djathta, Xhevahirin e zgjodhën Akademik. E meritonte dhe u mbusha me frymë, se jam një nga ata mijëra që e duan Xhevon. Por nuk shkoi shumë dhe ja lajmi tronditës: Xhevoja goditet nga një ishemi cerebrale. Ka ndodhur në prill të vitit 2009 dhe unë e “qava” prapë Xhevon me një poezi”Lutje Zotit”. Poezinë e kam shkruar më 27 prill të vitit 2009 dhe e kam përfshirë atë në librin tim “Njerëz që dua”. Për të mos i mërzitur lexuesit, nuk po e risjellë edhe këtë poezi këtu, por, në vija të trasha, i lutesha Zotit që ta kthente Poetin e bukur në jetë. T’i kthente fjalën,se fjala është “oksigjeni” për çdo poet apo krijues dhe, fjalën le “t’ua heqë politikanëve që e thinjën këtë popull”.
Pas të vrëjturit, dihet që kthiellet. Zoti, siç duket, më dëgjoi mua dhe mijëra dashamirës të Xhevos që ta kthejë Xhevon në jetë dhe gëzimi im është më buçitës për t’ju thënë: çdo ditë në ora 11.00 Xhevon e gjeni tek kafe “Evropa” ku ka 23 vjet pa e ndrruar vëndin. Unë, pothuaj, një herë në muaj pi kafe me të.

* * *
Xhevahir Spahiu jo vetëm ka poezi me vlerë, por është dhe prodhimtar. Shumë poezi të tij, për arsye subjektive dhe objektive, kanë mbetur sirtarëve. Se Xhevoja vërtet e ka kapërcyer atë “atak” kundër shëndetit, por ende nuk ka arritur riaftësimin për të shkruar siç shkruante. Lexoj,- më pohoi,- por ende nuk shkruaj. Vërtet që ky është një “handikap” i përkohshëm që Xhevoja do ta kapërcejë, po pikërisht, në këtë kohë relativisht të vështirë, tak dhe del një dorë kujdestare: dora aq e ngrohtë e një poeti të bukur që quhet Arian Leka. Arian Leka duke nxjerrë në dritë lbrin me poezi të Xhevos “Vetëtimë” sjell një prurje “vetëtimë”, veç është një vetëtimë e bukur. Arian Leka për Xhevon ka bërë atë që dikur ka bërë Mitrush Kuteli që solli “Lasgush Poradecin” apo ca më vonë edhe “Ligjëron Fan Noli”. Po në fund të fundit, kush më bukur se Arian Leka do redaktonte dhe do bëhej alter egua i Xhevahir Spahiut? E dëgjova Arian Lekën tek fliste për Xhevahirin me superlativa. Shkëmbej edhe ndonjë kafe me çiftin Leka aty pas klinikës 9 të Tiranës dhe, tek po e falnderoja për atë që kish bërë për Xhevon, ai më sfidoi duke më dhënë librin “Vetëtimë”. Natyrisht, gëzimi im qe i madh.
Duke lexuar, më dukej sikur dhe Xhevon e kisha përballë dhe gëzimi mbrrinte në apogjenë e tij.
* * *
Arian Leka librin e ka titulluar “Vetëtimë”, kurse unë duke ia marrë “tapitë nga dora”, them: “Vetëtimat ” e Xhevos. Ka poezi sa të shkrutëra,aq dhe të bukura. Ngjajnë me shkrepjen e një vetëtime, por që lënë gjurmë. Natyrisht, që unë nuk do merrem me gjithë poezitë e vëllimit, por për disa që më kanë lënë mbresa të veçanta, edhe do ndaloj. Të shumtat nuk kanë titull, por Poeti (po këtu qëndron dhe madhështia e tij) grish lexuesin për ta bërë pjesëmarrës aktiv të krijimit të tij. Më ndiqni:
Natë pa yll
Humbellë pa skaj
Zot, si rri fill?
Qaj…
A ka se si flitet më shkurt? A ka se si mund të grishet më bukur lexuesi?
Ose…
A ka gjëkundi ndonjë shitore
A ndonjë tezgë kot më kot
të ble me ca qindarka qorre
jo bukë, po pak durim, o Zot?
Shkurt, po rreh gjatë. Mesazhi i madh. I lexueshëm. Të blesh durim? Po pse me të vërtetë durim?
Ja dhe një “vetëtimë” tjetër:
Edhe… Edhe…
Kur më shumë besoja e më pak dyshoja,- e p ë s o j a;
Kur më pak besoja e më shumë dyshoja,- përsëri e pësoja.

Shumë mbresëlënëse janë dy poezitë e poetit kur qan për ndarjen me prindërit. Babanë e ka përejtsuar me poezinë “Loti”.
Një fjalë.
Vetëm një:
-A erdhi?

Dhe koka iu var..

Fjeti përgjithmonë
babai.
Në cep të syrit
Një pikë loti
Dhëmbje pa gjumë.

Loti i tij i fundit
isha unë.
S’ka poezi më prekëse. Dhe në vargje ka një detmalli në raport të barabartë: prind e bir. Për t’u vënë në kornizë apo si një leksion psikologjie për adoleshentët në ciklin “Etër e bij”. Amplituda e mallit bymehet e zgjerohet kur këndon për nënën: “Dy fjalë, një dhimbje/ nëna ime!… deri “… fjalët më dalin si një psherëtimë/nëna ime!, poeti sikur e ka shtrydhur mallin që del nga shpirti. Psherëtimat rrënjët i kanë në thellësi të shpirtit.
Dhe mund të vazhdoja me “Hajket” e tij aq të bukur, (nuk dallohen nga ato japoneze) dhe ca më shumë me “shkurtinat” që flasin aq bukur dhe aq “gjatë”.
Por jo të gjitha mund të përfshihe në një shkrim.

* * *
Xhevahir Spahiu është Akademik. Është Mjeshtër i madh. Është “Nderi i Skraparit”, por, mbi të gjitha, ky Poet i bukur është nga më njerëzorët. Në një intervistë e pyetën Xhevon:- Si është e mundur që të duan kaq njerëzit? Dhe ai u përgjigj:- Mos vallë ndodh që unë i dua shumë njerëzit?
Dhe unë, tek e mbyll, uroj që Xhevoja sa më parë të kthehet në “Botën e Poezisë” për të lëshuar të tjera vetëtima!

Tiranë, 25 prill 2014

Filed Under: ESSE Tagged With: "Vetëtimat" që lëshon Xhevua..., perparim Hysi

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 7
  • 8
  • 9
  • 10
  • 11
  • …
  • 70
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Kontributi shumëdimensional i Klerit Katolik dhe i Elitave Shqiptare në Pavarësinë e Shqipërisë 
  • Takimi i përvitshëm i Malësorëve të New Yorkut – Mbrëmje fondmbledhëse për Shoqatën “Malësia e Madhe”
  • Edi Rama, Belinda Balluku, SPAK, kur drejtësia troket, pushteti zbulohet!
  • “Strategjia Trump, ShBA më e fortë, Interesat Amerikane mbi gjithçka”
  • Pse leku shqiptar duket i fortë ndërsa ekonomia ndihet e dobët
  • IMAM ISA HOXHA (1918–2001), NJË JETË NË SHËRBIM TË FESË, DIJES, KULTURËS DHE ÇËSHTJES KOMBËTARE SHQIPTARE
  • UGSH ndan çmimet vjetore për gazetarët shqiptarë dhe për fituesit e konkursit “Vangjush Gambeta”
  • Fjala përshëndetëse e kryetarit të Federatës Vatra Dr. Elmi Berisha për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë në Seancën Akademike kushtuar 100 vjetorit të lindjes së Peter Priftit
  • Shqipëria u bë pjesë e Lidhjes së Kombeve (17 dhjetor 1920)
  • NJЁ SURPRIZЁ XHENTЁLMENЁSH E GJON MILIT   
  • Format jo standarde të pullave në Filatelinë Shqiptare
  • Avokati i kujt?
  • MËSIMI I GJUHËS SHQIPE SI MJET PËR FORMIMIN E VETEDIJES KOMBËTARE TE SHQIPTARËT  
  • MES KULTURES DHE HIJEVE TE ANTIKULTURES
  • Historia dhe braktisja e Kullës së Elez Murrës – Një apel për të shpëtuar trashëgiminë historike

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT