Gjykata e Krimeve të Rënda ka pranuar kërkesën e Prokurorisë për arrest me burg pa afat për dy të akuzuarit për trafik droge nëpërmjet ajrit, ngjarje e ndodhur ditën e shtunë në Divjakë, e cila u ndalua nga Policia.
Në seancën gjyqësore të zhvilluar mëngjesin e të martës në Gjykatën e Krimeve të Rënda janë paraqitur dy të pandehurit e çështjes, Saimir Bajrami, i cili po dërgonte drogën drejt plazhit të Divjakës për t’ja dorëzuar Pilotit Italian Giorgio Riformato. Ky i fundit me avionin “Pipero” tentoi të zbriste në plazhin e Divjakës, por pa sukses, çka çoi edhe në kapjen e tyre nga Policia dhe zbulimin e skemës kriminale.
Gjatë senacës avokati mbrojtës i Saimir Bajramaj ka kërkuar ekspertizë psikologjike për klientin e tij, ndërsa prokurori i çështjes kërkoi arrest me burg për ta. Në përfundim të diskutimeve ku dhe të pandehurit janë njohur me akuzat dhe kërkesat e prokurorisë, Trupi Gjykues ka pranuar kërkesën e prokurorisë duke i lënë “arrest me burg pa afat”, dy të akuzuarit.
Pas hetimeve intensive, Prokuroria e Krimeve të Rënda arriti në konkluzionin se dy të pandehurit po ushtronin veprën penale të trafikimit të lëndëve narkotike dhe këtë ata po e realizonin nëpërmjet ajrit.
Nga hetimet e deritanishme mësohet se, Saimir Bajrami në rrëfimin e tij në hetuesi ka thënë se ishte duke transportuar drogën për tek avioni për t’u transportuar drejt shtetit fqinj, ndërsa piloti italian do të merrte 27 mijë euro. Piloti Italian Giorgio Riformato ka hedhur poshtë akuzat ndaj tij dhe ka rrëfyer para hetuesisë se po zhvillonte një udhëtim turistik në bregdetin shqiptar dhe për këtë kisha marrë dhe leje nga organet kompetente. Por ky rrëfim nuk qendroj gjatë pasi hetuesia vërtetoi nëpërmjet fakteve se dy të pandehurit u njiheshin dhe kishin hartuar planin në detajet më të vogla.
Kujtojmë se ditën e shtunë rreth orës 13:56, piloti Italian është ngritur në fluturim nga Rinasi dhe 20 minuta më tej është shkëputur nga kulla e vrojtimit, moment i cili besohet se është edhe çasti i rënies së tij në zonën e Divjakës, pra rreth orës 14:40 dhe sipas dëshmive të pilotit italian ulja ka qenë e detyrueshme për shkak të një avarie.
Policia me të mbërritur në vendngjarje veç avionit ka pikasur edhe një mjet tjetër dhe pas hetimeve, uniformat blu realizuan arrestimin e Giorgio Riformato 67 vjeç dhe Saimir Bajramin 35 vjeç në zonën e Divjakës dhe në sajë të këtij operacioni u bllokua nga Policia e Shtetit një avion tip “Pipper” i pilotuar nga italiani dhe pranë tij makina “Mitsubushi” me 460 kilogramë drogë dhe 27 000 euro, e drejtuar nga shqiptari.
Pas hetimeve të policisë dhe komunikimit me kolegët Italian, Giorgio Riformato, piloti Ialian rezultoi se ka qenë i akuzuar në vendin e tij për mashtrim, sepse nuk kishte leje për kompaninë ajrore që ai zotëronte. 67-vjeçari ka qenë në proces gjyqësor në vitin 2013 i denoncuar si titullar i një shkolle pilotimi, për të cilën nuk kishte leje. Studentët e kanë denoncuar se u merrte 1500-1700 euro për një fluturim, të cilat Riformato i justifikonte si shpenzime për karburante. Piloti italian sipas drejtësisë së shtetit fqinj Riformato kishte marrë vetëm leje për fluturime turistike dhe se s’kishte marrë asnjëherë certifikatën për operator avionësh dhe licencë për ushtrim aktiviteti.(Ne Foto: Piloti italian)
Archives for May 2014
Kievi duhet të zgjedhë midis murtajës dhe kolerës
Dhunë dhe referendum fiktiv në Ukrainën Lindore. Sanksione të reja të BE. Dhe megjithatë, në Ukrainë po përvijohet një zgjidhje. Gjithçka tani varet nga udhëheqja e Kievit./
Nga Ingo Mannteufel*/
Konflikti i Ukrainës ka avancuar muajt e fundit në një krizë jashtëzakonisht të ndërlikuar politike. Të shpresosh për një zgjidhje e thjeshtë dhe konsekuente, kjo nuk të çon më tej. Ngado që ta kthesh kokën, në këtë konflikt nuk do të ketë fitimtarë të qartë, në fakt vetëm të humbur. Dështimi i marrëveshjes së arritur para Pashkëve në Gjenevë tregon se sa të brishta mund të jenë formulat e kompromisit.
Politikë brutale interesash e Moskës
Aneksimi në kundërshtim me të drejtën ndërkombëtare i Krimesë nga Rusia dhe politika pasuese e Kremlinit për të destabilizuar Ukrainën Lindore dokumentojnë se Moska nuk është e interesuar për një deeskalim të situatës. Dhe megjithatë duket se po hapet një dritare e vogël për shtensionimin e situatës. Dhe kjo megjithë faktin, që me referendumet fiktive në Donetsk dhe Luhansk, si dhe sanksionet e reja të BE, në vështrim të parë gjendja po shkallëzohet më tej.
Zgjidhja e avancuar me mundim pas perdeve nga politika e jashtme gjermane konsiston në një Tryezë të Rrumbullakët të të gjitha grupimeve politike në Ukrainë nën kryesimin e OSBE-së, në drejtimin e diplomatit me përvojë Wolfgang Ischinger dhe të përfaqësuesve të Ukrainës. Mund të supozosh me mjaft gjasa se ky plan ka miratimin parimor të Putinit. Propozimi, që ai u tha separatistëve për t’i shtyrë “referendumet”, mund të interpretohet si manovër e qëllimshme shmangieje pa seriozitet politik. Por reagimi i Moskës pas “referendumeve” është – në dallim nga farsa e votimit në Krime – relativisht i vakët. Lutja e shprehur prej separatistëve, për t’u bashkuar me Rusinë, deri tani ka marrë vetëm përgjigje me rezerva. Mbi të gjitha mungon një deklaratë e qartë publike e Presidentit Putin.
Misioni i Steinmeier-it në Kiev
Do të jetë vendimtare, nëse ministri i Jashtëm Steinmeier do të arrijë në vizitën e tij në orët e ardhshme në Ukrainë që ta bindë qeverinë tranzitore rreth Turçinovit dhe Jazenjukut, që të ulen në këtë Tryezë të Rrumbullakët. Është e kuptueshme që ndaj kësaj ideje ka shumë rezerva. Me të drejtë mund të argumentohet që Kremlini tani është i interesuar për një zgjidhje të tillë me negociata vetëm, sepse me aksionet ilegale të separatistëve prorusë ka ndërtuar më parë pushtet negociues. Për më tepër, në elementët për propozimin për një tryezë të rrumbullakët ka edhe pengesa: me cilin mandat mund të marrin pjesë në negociata separatistët në fakt? A do të zhvillohen zgjedhjet presidenciale të 25 majit? A nuk pranohet me to shkëputja e Krimesë? Këto janë vetëm disa prej shumë pyetjeve, të cilat lidhen me projektin e Tryezës së Rrumbullakët. Udhëheqja ukrainase si pasojë nuk ndodhet para një vendimi të lehtë.
Negociata ose ndarje
Por alternativat nuk janë më të mira. Javët e fundit e kanë bërë të qartë se me çfarë brutaliteti dhe rigoroziteti është e gatshme Moska që t’i zbatojë interesat e saj. Aprovimi, që është lënë të nënkuptohet i Rusisë për këtë plan të OSBE-së për një Tryezë të Rrumbullakët, nuk duhet të na shtyjë të besojmë se Kremlini është tërhequr nga objektivat e tij. Naiviteti politik nuk është me vend përballë Rusisë. Përkundrazi: edhe me Tryezën e Rrumbullakët dhe me separatistët prorusë Kremlini synon të sigurojë një të drejtë bashkëvendosjeje për të ardhmen e Ukrainës dhe në rast nevoje të mbështesë edhe një ndarje të Ukrainës.
Po të dështojë propozimi i një Tyeze të Rumbullakët nën kryesimin e OSBE-së mund të presësh që konflikti në Ukrainë të shkallëzohet më tej dhe që Moska të bashkohet me përpjekjet separatiste proruse. Kievi politik ndodhet tani para zgjedhjes së murtajës, ose kolerës.
*Ingo Mannteufel drejton Redaksinë Ruse te DW
Tedi Papavrami luan për herë të parë 6 sonatat e plota të Bahut në Tiranë
Nga Klajdi Musabelliu/- Sot dhe nesër një nga shqiptarët virtuozë të Europës e më gjerë, violinisti Tedi Papavrami, do të luajë për herë të parë në Shqipëri ciklin e plotë të sonatave dhe partitave të Johan Sebastian Bach. Edhe pse cikli i plotë i sonatave dhe partitave të Bahut për violinë, kudo në botë, luhet rrallë në koncert. Në Shqipëri ende nuk është luajtur kurrë i tëri.
Por koncertet e Bahut në 43-vjetorin e tij janë vetëm një nga surprizat . Në këtë rikthim Tedi vjen për herë të parë si shkrimtar. Ai zgjodhi ti dhurojë publikut librin autobiografik “Fugë për violinë”, i cili rrëfen detaje të jetës së tij këtu e andej, në kohërat e vështira dhe në kohërat e famës së merituar, një udhërrëfyes për cilindo që kërkon të gjejë rrugën e suksesit.
“Është emocionuese për mua që libri të botohet në shqip. Është i vetmi vend në botë ku ai do të pritet ndryshe nga vendet e tjera. Sigurisht që jam në pritje dhe kurioz për përshtypjen që do t’u lërë shqiptarëve. Ishte pak e çuditshme për mua që përderisa libri në pjesën më të madhe zhvillohet në Shqipëri, domethënë në gjuhën shqipe, por ndërkohë unë e kisha shkruar frëngjisht. Dhe tani është një rikthim në gjuhën shqipe. Kjo bën një jehonë të çuditshme te mua, po aq sa edhe ardhja ime këtu, si dhe programi i koncerteve që kam parashikuar, i cili nuk është i rastit, pasi i kushtohet kompozitorit Bah, ai që më ka shoqëruar gjatë gjithë jetës sime dhe që është shumë prezent në këtë libër. Shpresoj që ky libër do t’u sjellë shqiptarëve diçka nga ajo që unë jam munduar ta shpreh me sinqeritet”,- tha Papavrami.
Sa i përket koncerteve, ai thotë se “nuk është i njëjti koncert që përsëritet dy herë, por dy koncerte të ndryshëm që përmbledhin një cikël të plotë veprash. Është si një koncert i gjatë i cili zhvillohet në dy mbrëmje…”.
Tedi Papavrami lindi në Tiranë më 13 maj1971. Ai u lidh me violinën që në moshën katër vjeçare. Studioi violinë me të atin, profesorin e njohur Robert Papavrami, i cili ndikoi thellë mbi të ardhmen e tij artistike. Në moshën tetë vjeçare interpreton Cingareskën e Sarasates me Orkestrën Filarmonike të Tiranës dhe tri vite më vonë Koncertin e parë për violinë të Paganinit. Në shtator të vitit 1982, falë flautistit Alain Marion dhe një burse të ofruar nga Qeveria Franceze, ai vazhdon studimet në Paris në “Conservatoire National Superieur de Musique”, nën drejtimin e Pierre Amoyal. Në vitin 1985 fiton konkursin “Rodolfo Lipitzer” në Gorizia dhe në 1986 fiton me unanimitet çmimin e parë të Konservatorit të Parisit. Pas kësaj date, zhvillimi i tij muzikor vazhdon në mënyrë të pavarur, nën këshillat e muzikantëve të ndryshëm që ka pasur rastin të takojë gjatë jetës. Në vitin 1992 vlerësohet nga Sacem me çmimin “George Enescu” dhe në 1993 fiton çmimin e parë dhe çmimin special të publikut në konkursin ndërkombëtar “Sarasate” në Pamplona.
Pas vitit 2000 dhe vdekjes së Jusuf Vrionit, Tedi, krahas karrierës së tij si violinist, ka përkthyer frengjisht veprat e Ismail Kadaresë. Ndërkohë, ai ka luajtur në Evropë, Afrikën e Jugut, Turqi, Japoni, Izrael, Hong Kong, me orkestra të ndryshme ose në recital. Ka interpretuar nën drejtmin e dirigjentëve të njohur si K.Sanderling, C.Hogëood, A. Pappano, M.Honeck, F.X. Roth, etj. Tedi është ndër të paktët violinistë që interpreton në koncert integrale të 24 kapriçiove të Paganinit dhe të 6 sonatave dhe partitave të Bahut. Në muajin e ardhshëm ai do të vlerësohet në Francë nga revistat muzikore Diapason dhe Classica Répertoire me dallimet Diapazon i artë dheChoc për botimin e tij të ri diskografik me 6 sonatat për violinë solo të Wzhen Izaisë.
Dy fjalë për Johan Sebastian Bach
U karakterizua si “poeti i tingujve, gjigandi i papërkulur dhe misterioz”. Shumë studiues kanë mbështetur idenë se nevojitet një përqëndrim i madh shpirtëror për të ndjekur veprat e Bachut, ashtu siç atij i është nevojitur për t’i kompozuar. Johan Sebastian Bach është njeriu që ka lënë shenjat e tij të thella në kohën dhe vendin, jo vetëm të muzikës apo të artit, por të vetë Historisë së Njerëzimit.
Ndërkohë program muzikor i dy mbrëmjeve do të vijojë si më poshtë:
13 Maj 2014, ora 19.00 në TKOB
SONATA I NE SOL MINOR BWV 1001:
Adagio
Fuga (allegro)
Siciliano
Presto
PARTITA I NË SI MINOR BWV 1002:
Allemanda
Double
Corrente
Double
Sarabanda
Double
Tempo di Bourrée
Double
Pauzë
SONATA II NË LA MINOR BWV 1003:
Grave
Fuga
Andante
Allegro
14 maj 2014, Ora 19.00 në TKOB
SONATA III NË DO MAZHOR BWV 1005:
Adagio
Fuga
Largo
Allegro assai
PARTITA III NË MI MAZHOR BWV 1006:
Preludio
Loure
Gavotte en Rondeau
Menuet I
Menuet II
Bourrée
Giga
Pauzë
PARTITA II NË RE MINOR BWV 1004:
Allemanda
Corrente
Sarabanda
Giga
Ciaccona /
****
Tedi Papavrami lindi në Tiranë, më 13 maj 1971. Ai u lidh me violinën që në moshën katërvjeçare. Studioi violinë me të atin, profesorin e njohur Robert Papavrami, i cili ndikoi thellë mbi të ardhmen e tij artistike.
Në moshën tetëvjeçare interpreton Cingareskën e Sarasates me Orkestrën Filarmonike të Tiranës dhe tri vite më vonë Koncertin e parë për violinë të Paganinit. Në shtator të vitit 1982, falë flautistit Alain Marion dhe një burse të ofruar nga qeveria franceze, ai vazhdon studimet në Paris në Conservatoire National Superieur de Musique, nën drejtimin e Pierre Amoyal.
Në vitin 1985, fiton konkursin “Rodolfo Lipitzer” në Gorizia dhe më 1986 fiton me unanimitet çmimin e parë të Konservatorit të Parisit. Në vitin 1992 vlerësohet nga Sacem me çmimin “George Enescu” dhe në vitin 1993 fiton çmimin e parë dhe çmimin special të publikut në konkursin ndërkombëtar “Sarasate” në Pamplona.
Pas vitit 2000 dhe vdekjes së Jusuf Vrionit, Tedi, krahas karrierës së tij si violinist, ka përkthyer në frëngjisht veprat e Ismail Kadaresë. Ndërkohë, ai ka luajtur në Europë, Afrikën e Jugut, Turqi, Japoni, Izrael, Hong Kong, me orkestra të ndryshme ose në recitale./a.gegvataj
Bukurite Shqiptare-Shëngjini, bukuria detare e veriut tonë
Nga Nikolla Lena /-Rripi i gjërë i rërës së pastër, nga njëra anë kufizohet me detin dhe nga ana tjetër me pyllin e rrallë me pisha e drurë te tjerë. Një rrip i ngushtë rëre me bimësi, ndan ujrat e cekta bregdetare me lagunat.
Në plazhin e Shëngjinit dhe të Kunes, pushuesit gjejnë hotele, restorante e mjedise të tjera, të ngritura në përshtatje me kushtet dhe traditat e zonës, por edhe shtëpi tradicionale, me kopshte dhe lulishte të bukura. Kudo ofrohet kuzhina tradicionale, por edhe ajo e huaj, sipas shijes e kerkeses. Mbizoterojnë prodhimet e detit, shpendët e egër dhe mishi i zgarës. E, mbi te gjitha, shërbimi i standarteve bashkekohore.
Shëngjini si nyje e rëndësishme transporti, që nga kohët e lashta, ka pritur e percjellë shumë udhëtar e vizitorë, vendas dhe të huaj. Ndërsa turizmi masiv u zhvillua vetëm në fillim të viteve ‘60 të shek.XX, kur filluan ndërtimet në plazhin e Shëngjinit, i cili kishte kushte dhe mundësi për të pritur një numër të madh pushuesish.
Shëngjini, për vetë kushtet që ka, ofron si të veçantë edhe gjuetinë në rezerva të posaçme, si dhe peshkimin me natyrë sportive, por edhe për biznes, kryesisht në det, si dhe në ujrat e lagunave të Kënallës, Kunës, Merxhanit e Vain.
Shoqata e Gjuetarëve të Lezhës ka krijuar mardhënie të rregullta me shoqata gjuetarësh të vendeve fqinje, të cilët frekuentojnë gjithnjë e më shpesh Shëngjinin, gjë që tregon se kjo formë e turizmit është një mundësi tjetër për zhvillimin e kësaj zone me tradita në këtë fushë.Në Shëngjin vihet për diellin, për detin e rërën, për bukuritë e rralla, që natyra u ka dhuruar banorëve mikpritës e të shoqërueshëm.
Turizmi: Një qytet afër Lezhes, Shëngjini, 8 km në Veriperëndim, në bregun e Adriatikut. Jul Cezari, në veprën “Lufta Civile” e përmend emrin e këtij limani si Nymfeum në vitin 48 para Krishtit. Këtu erdhi Flota e Mark Antonit në fushatën e Cezarit kundër Pompeut. Emri Nymfeun lidhet me çetën e nymfave apo të zanave. Nymfeuni, është njohur në epokën romake, si një liman shumë i mbrojtur “Tutisimuss portus”. Në mesjetë ky liman njihet me emra të tjerë, quhet limani Meduo. Në një hartë të shek.XIII të Pjetër Viskontit njihet madje edhe me emrin Medea. Gjate mesjetës përmendet ky liman si “Portus”, “Medue”, “Porto di Medea”. Etimologjia e ketij emri ka mbetur ende pa u sqaruar. Sipas A.Majerit termi Medua, lidhet me emrin antik të qytetit Medeon – Meduni i sotem, në bregun dalmat.
Emri i Medeas është lidhur edhe me emrin e fshatit Mjedë. Gjithsesi ky toponim mbart një jehonë mitologjike të stërlashtë. Kurse Shëngjin është një kalk i emrit të shënjtorit Shën Gjin, ose i shënjtorit Shën Gjon Pagëzorit, që shkurtimisht ka dhënë fjalën Shëngjin. Pra, një simbiozë mendësishë mitologjike dhe fetare deri në kohën e sotme.
Limani i Shëngjinit ka qenë në të gjithë kohërat limani detar i Lezhës. Kjo lidhje nuk është zhdukur asnjëherë dhe në ditët tona është përjetuar një rol i ri i Shëngjinit, lidhur edhe me rrugët e lidhjes së Shqipërisë me Kosovën.
Limani i Shëngjinit është më i rëndësishmi liman detar në Veri të Durrësit.Rëndësia e Limanit të Shëngjinit u shtua mjaft vetëm pas vitit 1880, kur Ulqini, ky qytet shqipëtar ju dorëzua padrejtësisht Malit të Zi, në zbatim të vendimeve të Kongresit të Berlinit.
Plazhi i Shëngjinit përbën një nga resurset më të veçanta turistike detare, jo vetëm të Lezhës por edhe të Shqipërisë, sidomos duke patur parasysh parkun ekologjik të rrethinës.
Plazhi i Shëngjinit mbetet si plazhi më i përshtatshëm për zonat veriore të vendit duke përfshirë dhe Kosovën. Ndodhet në distance të afërta me qytetet Lezhë, Shkodër, Laç dhe me Tiranën.
Infrastruktura rrugore dhe ajo e shërbimit hotelerik është mjaftë komode dhe bashkëkohore
KRYEMINISTRI RAMA I SHMANGET MARRJES ZYRTARE TË PETICIONIT
*Ky mesazh u është dërguar 5300 nënshkruesve online/
Të nderuar Miq dhe Kolegë,/
Iniciatorët e peticionit ishin në Shqipëri nga data 4-11 maj në kuadrin e aktiviteteve lobuese në Peshkopi, Tiranë dhe Vlorë. Qëllimi kryesor i vizitës ishte dorëzimi formal i peticionit Kryeministrit z. Edi Rama.
Në Peshkopi më 5 Maj ata organizuan një takim me qytetarë në të cilin morën pjesë edhe Kryetari i Bashkisë Peshkopi z. Ilir Krosi, dhe Kryetari i Komunës së Dibrës së Madhe, z. Ruzhdi Lata. Delegacioni u prit edhe nga Prefekti i Qarkut të Dibrës z. Melaim Damzi.
Në Tiranë delegacioni zhvilloi bisedime konstruktive me Presidentin e Republikës z. Bujar Nishani, Kryetarin e Kuvendit z. Ilir Meta, dhe Ministrin e Transportit dhe Infrastrukturës z. Edmond Haxhinasto.
Në Tiranë delegacioni organizoi edhe Tryezën e Rrumbullakët për Dibrën në të cilën, përveç deputetëve të Dibrës dhe deputetëve me origjinë dibrane, morrën pjesë edhe përfaqësues të shoqatave dibrane në Tiranë, intelektualë dhe diplomatë të shquar dibranë dhe përfaqësues të mediave.
Ajo që spikati në takimet me drejtues të pushtetit lokal të Peshkopisë dhe Dibrës së Madhe dhe deputetët e Dibrës është se përsa i përket Rrugës së Arbërit, të dyja Dibrat dhe të gjitha partitë politike përbëjnë një front të bashkuar. Leitmotivi i bisedimeve ishte se Dibra është injoruar që nga fillimi i shtetit shqiptar dhe veçanërisht në 24 vitet e fundit.
Për fat të keq, me gjithë përpjekjet e tyre të vazhdueshme që nga shtatori 2013, Kryeministri Rama nuk ra dakord të pres delegacionin që të merte në dorëzim peticionin. Për këtë qëndrim të z. Rama, përgjegjësi ka edhe Ministri i Financave, deputeti i Dibrës z. Shkëlqim Cani, i cili megjithëse e nënshkroi peticionin para zgjedhjeve, para vizitës së delegacionit në Tiranë është shprehur me shkrim se nuk e shikon të arsyeshme dorëzimin formal të peticionit.
Për hir të premtimit të bërë më 18 Mars 2013, intelektualët dibranë janë te gatshëm të kthehen në Tiranë në çdo kohë që të ftohen nga z. Rama.
Qëndrimi i z. Rama i ka vënë në pozitë të vështirë organizatorët e peticionit për shumë arsyje, veçanërisht pasi u duhet të përballen me mediat e huaja që janë të interesuara të mësojnë se si u pritën nga Tirana zyrtare.
Iniciatorët e peticionit nuk do të pushojnë së ushtruari presion me mjete demokratike mbi qeverinë deri sa të përfundojë plotësisht Rruga e Arbërit. Po kështu, po qe se heshtja nga Zyra e Kryeministrit në lidhje me kërkesën për të bërë një dorëzim formal do të vazhdojë në mënyre të pa justifikueshme, ata do të gjejnë një formë për t’ja dorëzuar peticionin z. Rama në një kohë që ata do ta konsiderojnë të arsyeshme.
Siç duket, 6500 nënshkrime online dhe në formularë nuk i duken shumë z. Rama. Prandaj, që ta ngremë zërin e Dibrës edhe më me force, do t’ju lutemi të inkurajoni sa më shumë njerëz të nënshkruajnë online ose në formularë. Nuk thonë kot, Zoti është me shumicën.
- « Previous Page
- 1
- …
- 42
- 43
- 44
- 45
- 46
- …
- 73
- Next Page »