• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for May 2014

LEKSION I KEQ BALLKANIK

May 2, 2014 by dgreca

Nga Ramiz LUSHAJ/
1.
Lidhja Social-Demokrate e Maqedonisë (LSDM) si astenjiherë tjetër qyshse nga 21 prilli 1991 i (ri)themelimit apo riformatimit të saj, po e keqpërjeton dhe njëherash po e reflekton ashpërsisht krizën ma të thellë të identitetit të vet politik, demokratik e nacional, tue u rropatë e rrokaçë ta kthejnë në krizë të sistemit elektoral e postzgjedhor, në krizë të pushtetit të ri e të shtetit të derisotëm FYROM, tue u përlye e hakërrye me e vrellë e përcjellë edhe si problematikë euro-atlantike, shqiptare, pansllave, helenike, bullgare, turke, etj.
Kjo parti, ndoshta në “depresion politik”, “reaminacion demokratik” e “delir nacional e elektoral”, me qëndrime e veprime të këtilla pubike e vendimore si kthimi i mandatit të deputetit, etj. etj. po i ikën në ekstrem boshtit të vet si parti e qendrës së majtë; po iu rikthehet si shpeshherë fellutave të origjinës e trashëgimisë së saj si pasardhëse e Lidhjes të Komunistëve të Jugosllavisë në Maqedoni (LKM); po e largon në kohë Maqedoninë nga integrimet euro-atlantike e ndëretnike; po e çon ma së forti vetveten e ma së pakti Ish republikën Jugosllave të Maqedonisë në rrugën e pasigurisë; etj.
Këto rrjedhoja e pasoja kanë ndikime jo vetëm në shtete kah i rrjedhin lumenjtë kësaj Maqedonia të Re me mbi tre dekada shtet i pavarur e sovran, shtet multietnik prej zorit e demokratik për hatër…Prandaj, përkundrejt kësaj e të tjerave, po trokon e troket koha kur LSDM duhet të vetpërcaktohet qartas në ecuritë, mangësitë e lartësitë e veta, veçmas në kit’ farë udhëkryqi apo kryqëzate politike, se cila është fytyra e vërtetë politike e saj?! I përket të djeshmes komuniste si LKM apo ende mbetet e “përzier” politikisht si në rithemeli të saj me emrin e dyshtë e të (pa)dyshimtë: LKM-PTD (Parti e Transformimit Demokratik)?! A do të vazhdojë të qëndrojë e militojë në skenën politike si një parti e vërtetë social-demokrate?! Po, me sa duket, kjo parti, e dyta dhe në disa vite edhe e para në Maqedoni, ka nevojë me nguti për “difuzion demokratik” në përvujtitë e saj elektorale, ideologjike, politike, demokratike e nacionale?! Mbi të gjitha, LSDM, prej kohësh e prej 27 prillit 2014 po jep një leksion të keq ballkanik.

2.
LSDM ka plot 8 vjet që ndoshta pret nga votuesit e saj në Maqedoni e jaranitë e veta politike në kojshi e përbotni që t’ia çojnë fitoren tek selia e saj në Shkup, në rrugën “Pavel Shatev”, nr. 8.
Këta të LSDM kur nuk iu vjen “torta e fitores” nga pazari, nisin e nxjerrin si ngahera nga sunduqet e veta “skenare politike” si ky i kthimit të mandateve të deputetit, etj. sikurse haparoj dikur simotra e saj politike, Parta Socialiste e Shqipërisë.
Natyrisht në tri raste vargavijë nuk po i bie tupanit të shifrave me ndie veç timpani politik i LSDM me koalicionin e saj elektoral, pasi “dromca” elektorale po tregojnë ashiqare se LSDM është e “dromitur”. Ajo, kësisoj, nuk po jep aq kokrra por po nxjerr disi dokrra.
Rasti i parë: Kandidati për president i LSDM, Steve Pendarovski, sipas KSHZ të Maqedonisë, ka marrë rreth 200 mijë vota ma shumë se partia e tij me koalicion. Kandidati i VMRO-DPMNE, Gjorgje Ivanov, rifitues i një mandati tjetër si President i Maqedonisë ka rreth 100 mijë vota ma shumë se partia e tij në koalicion. Diferenca mes këtyre dy partive e koalicioneve të tyre, në mes Gurevskit të Pozitës e Zaevit të Opozitës, duket qartë: është mbi dy herë ma e madhe.
Rasti i dytë: LSDM në zgjedhjet parlamentare të 27 prillit 2014 mori 200 mijë vota ma pak se partia fituese e Gruevskit?! Përndryshe, po të krahasojmë del se LSDM ka marrë kësaj here gati dy herë ma pak vota se VMRO-DPMNE.
Rasti i tretë: LSDM në dy palë zgjedhje të parakoshme, nga ato të 5 qershorit 2011 tek këto të 27 prillit 2014 ka një rënie të ndjeshme të elektoratit të saj me rreth 85 mijë vota e, sipas mekanizmit elektoral, do të thotë 8 deputetë ma pak.
Natyrisht për kryeministrin maqedonas Gruevski do të thoja se është mbrapshti e shekullit, diktatori i ri i Ballkanit, diskriminues mafioz i të drejtave e lirive të shqiptarëve etnik në trevat e veta në këtë shtet, etj. po shembujt e diferencave të tilla të LSDM me VMRO-DPMNE në elektoriada si për presidentin dhe për deputetët flasin se ky “baba i manipulimeve elektorale” nuk i mundëson Zaevit të hiqet “nana” e të Drejtës e të Vërtetës.

3.
LSDM duhet të mësohet për ta zbritë Gruevskin prej shpinës së saj politike. Po kjo s’ka fuqinë e duhur politike partiake, nuk po i mjaftojnë kilogramët e shëndetit politik e nuk po i dalin kaloritë e fushatës elektorale për me e mund Gruevskin. Përkundrazi, po ndodh keq e ma keq, po i japin kilogram e kalori Gruevskit për me ndejt gatë e rehat në pushtet edhe për katër vjet.
Fakti i parë: Në zgjedhjet lokale, në dy rrathët e saj elektoral, më 24 mars e 7 prill 2013, LSDM në koalicion me 13 parti të tjera si Partinë e Re Social-Demokrate, Partinë për Ardhmëri Europiane, Partinë Liberale, Partinë Përparimtare Serbe, Partinë për Emancipimin e Plotë të Romëve, Alternativën e Re, Lidhjen e Forcave të Majta të Titos, Partinë për Lëvizjen e Turqëve, Lidhjen Demokratike të Serbëve, Lidhjen Demokratike të Vllehëve, Partinë e Demokratëve të Lirë, Partinë e Pensionistëve e Ligën e Sanxhakut fitoi vetëm në 4 komuna. Ndërkohë, rivali kryesor politik, partia tjetër maqedonase VMRO-DPMNE në koalicion, fitoi 56 komuna.
Përndryshe, në zgjedhjet lokale të para një viti VMRO-DPMNE fitoi 14 herë ma shumë komuna se sa LSDM. Edhe partia shqiptare BDI e Ali Ahmetit fitoi 3.5 herë ma shumë komuna se sa LSDM, ndërsa partia tjetër shqiptare, PDSH e Menduh Thaçit sa gjysma e LSDM.
Në koft se LSDM krahasohet me vetëveten do të shohin ma qartë humnerën e saj elektorale. Në ta parat zgjedhje lokale në Maqedoni në vitin 1996 LSDM fitoi 51 komuna, ndërsa në Elektoriadën Lokale – 2013 mbeti me vetëm 4 gjithsej. Pra, mbi 12 herë ma pak.
Fakti i dytë: LSDM në koalicion elektoral në zgjedhjet parlamentare më 1994 mbrrini kulmin e vet me 85 deputetë, ndërsa në Elektoriadën 2014 fitoi vetëm 34 deputetë. Përndryshe: 51 deputetë ma pak. Apo tjetra: në zgjedhjet e 15 shtatorit 2002, një vit pas Marrëveshjes Kornizë të Ohrit, arriti të fitojnë 60 deputetë. Ndërsa sivjet gati dy herë ma pak. Këto janë humnera elektorale të LSDM, e cila flakadon sot sikur do të bajnë “namin” për të marrë pushtetin politik në Maqedoni.
Pothuaj njësoj si LSDM ka pësue rënie elektorale edhe Partia Shqiptare e Prosperitetit Demokratik në Maqedoni (PPD), e cila në zgjedhjet parlamentare të nëntorit 1990 e vetme kishte 17 deputetë, ndërsa në zgjedhjet e sivjetme të prillit 2014 nuk ia siguroi mandatin as të vetmit kandidat të saj, Muhamed Halili, në njësinë zgjedhore nr. 6 të Tetovës.
Aktualisht LSDM është partia e dytë në Maqedoni, sepse ka krijuar koalicion partiak elektoral me 8 parti, të cilat i ka edhe si ombrellë me i fshehë disa të meta e fajësi të vetat ndër vite, si përplasjet e plasaritjet politike, oktapodimi i partisë nga politikanë që rrijnë gjatë e me rikthime në krye të saj, kryetarët përkohor të saj, etj. Politikani Branko Cërvenkovski, dy herë kryeministër e një herë president i Maqedonisë, që në moshën 28 vjeçare u zgjodh kryetar partie i LSDM në vitin 1991 qëndroi në vitin 2004 e rikthehet prapë më 2009 derisa tërhiqet në vitin 2013 pas zgjedhjeve lokale. Tani, kryetar partie i LSDM prej më se një viti është Zoran Zaev. Ai ka pasë një mandat nga Kongresi i LSDM si ushtrues i detyrës të kryetarit të saj pas dorëheqjes të Radmilla Shekerinskës për humbjen në zgjedhjet e vitit 2006 dhe deri në ardhjen e ish presidentit Branko Cërvenkovski më 2009. Tashti, si po vijnë punërat, në maj 2014, mundet që edhe Zaevi të largohet nga drejtimi i LSDM, sepse edhe loja politike me kthimin e mandateve nga LSDM do të jetë e pafat sikurse edhe dy mandatet e tij si kryetar partie. Në të dy rastet, nga kryetarët politik jetëgjatë e nga ata jetëshkurtër po damtohet LSDM, e cila po jep një leksion të keq ballkanik.

4.
Askush nuk po ia mohon kontributet e atributet LSDM e koalicioneve të saj ndër elektoriada, pavarësisht disa politikave e qëndrimeve të saj antishqiptare. Mirëpo, kjo parti, LSDM, prej vitit 2006 ende nuk është mësuar me të qëndruarit në Opozitë, pasi ende po i merr punët disi hapët përtej mundësive të veta e sheh lart përtej hapave të saj. Në historikun e vet të pas ’90-tës ka raste elektorale që kjo parti maqedonase, LSDM, mund të krahasimohet me partitë shqiptare në Maqedoni.
Krahasimi i parë: Në zgjedhjet parlamentare të 1 qershorit 2008 partia maqedonase LSDM e kryetares Radmilla Shekerinska (ish kryeministre e Maqedonisë) mori 18 deputetë po aq sa edhe partia shqiptare BDI e Ali Ahmetit (ish Komandant Suprem e Përfaqësues Politik i UÇK në Maqedoni), e cila asokohe fitoi 18 deputët dhe sivjet, më 2014, edhe një ma shumë: 19 deputetë.
Krahasimi i dytë: Prapë, edhe në koft se i shohim si koalicione del se koalicioni i madh i partisë maqedonase LSDM, i titulluar “Dielli – Koalicioni për Europë”, mori 27 deputetë gjithsej, ndërsa dy partitë shqiptare (ndonëse secila për llogari të vet, secila kokë më vete) fituan gjithsej 29 deputetë, nga të cilët 18 deputetë BDI dhe 11 deputetë PDSH e Menduh Thaçit (bashkëpunëtor e vazhdimtar kauze politike i Arbën Xhaferit).
Edhe ma herët, sikurse në vitin 1994, LSDM ka marrë 27 mandate deputeti, bile ma pak se kanë marrë dy partitë politike shqiptare BDI e PDSH në vitin 2008.
Në zgjedhjet e fundit parlamentare të parakohshme të 27 prillit 2014 pamë të konkuronin katër parti politike shqiptare të ndara ndërveti si BDI, PDSH, RDK e PPD përballë 47 partive (në pesë kualicione e disa parti më vete) maqedonase e të etnive e komuniteteve të tjera. Nëse partitë shqiptare do të bashkoheshin si, fjala vjen, BDI me RDK e Rauf Osmanit, ky grupim politik shqiptar do të kishte medoemos 21 deputetë gjithsej e shqiptarët etnik mund të fitonin deri në 2 ose 3 “deputetë të Diasporës”. Nëse PDSH do të bashkohej me PPD e Abdyladi Vejselit dhe do të kishte një tjetër klimë politike partiake në Strugë, sigurisht do të kishte edhe deputetin e 8-të apo të 9-të. Kështu, përtej teorikës e brenda praktikës mund të kishim 30-33 deputetë. Nëse këto dy parti kryesore shqiptare apo dy koalicione të pritshme shqiptare do të vepronin sikurse dy partitë kryesore maqedonase VMRO-DPMNE e LSDM, si edhe GROM, etj. që i futin në koalicion disa komunitete në Maqedoni si turqit, vllehët, boshnjakët, serbët, romët, etj. dhe nëse do ta shtrinin edhe gjeografinë e tyre partiake-politike deri në shtatë nga rajonet e Maqedonisë, atëherë shqiptarët etnikë do të ishin të dytët për nga numri i deputetëve në Parlamentin e Maqedonisë, shtu sikurse janë të dytët edhe nga popullsia në këtë shtet problematik ballkanik.

Filed Under: Analiza Tagged With: LEKSION I KEQ BALLKANIK, Ramiz Lushaj

Maqedoni, Fitoi “diktatura”…

May 2, 2014 by dgreca

Opinion nga Dionis Xhafa/
Diktaturat përgjithësisht ushqehen me mite, me heronj, me figura të lartësuara dhe me zmadhim të realitetit dhe identitetit kombëtar. Thuajse në po të njëjtën lartësi përmbajtësore të elementëve të tillë “diktatorialë” janë edhe objektet e ngritura së fundmi në Shkup, me figura kombëtare të zmadhuara, me kisha po ashtu tejet të glorifikuara dhe me një këmbëngulje në një identitet kombëtar më tepër nga sa ekziston. Për të shtuar më tej faktin se Gruevski u cilësua nga media me rëndësi ndërkombëtare si një “diktator i vogël”. Edhe pse të gjithë këta elementë të thonë se në Maqedoni kemi të bëjmë gati me një diktaturë, vetë popullata sërish e voton këtë lloj qeverisje. Në një kohë që kemi një popullatë të ushqyer me mite, me ndjenja nacionaliste e etnike, të ushqyer me urrejtje ndaj etnisë tjetër, edhe politika e përdor mjaft mirë këtë element për ti bërë pjesë e ideologjisë së vet njerëzit. E diela e 27 prillit kaloi, por rrënimi i një politike që ka ngulur rrënjë të thella në ideologjinë e vet edhe në popullin “patriot”, nuk ra e vështirë të bjerë. Në një shoqëri ku flitet për mbijetesë e ku presioni me vend pune është akoma prezent, liria është më e çmuara fjalë. Që nuk ka liri dhe që është më e larta vlerë e demokracisë, mjaft të përmendësh faktin se partia shqiptare në pushtet, BDI doli me ultimatume ndaj njerëzve për bojkot zgjedhjesh, gjë që vetëm demokratike s’mund të jetë. Edhe sikur kjo mini-diktaturë të zgjasë, është vetëm kënaqësi e pushtetarëve, pasi do vij një ditë që do të mbahet mend si e tillë, e do të kujtohet për së keqi. Ballkani është aq i mbushur me mite dhe njerëzit aq “dehen” nga ta, saqë mashtrimi me vepra që marrin taksa pa fund qytetarësh “për identitet kombëtar” ecën mjaft mirë. Mini-diktaturë është se kryeministri kur të tjetër e akuzojnë për korrupsion i akuzon se duan ta përmbysin, mini-diktaturë është, se të gjitha insttucionet janë të kapura politikisht, diktaturë është, se “Shkupi 2014”, kryqet nëpër malet e kryeqytetit, statuja e Car Dushanit, që paguhen me taksa qytetarësh, janë marrëzia e një politike që deh masat me patriotizma të paqenë. Mund t Mund të thuhet me pak fjalë, se në Maqedoni triumfoi ‘diktatura’.

Filed Under: Opinion Tagged With: Fitoi “diktatura”...Dionis Xhafa, maqedoni

Kur gurët flasin – Obelisku i Ksantit!

May 2, 2014 by dgreca

Nga Fahri XHARRA/
Profesori dhe akademiku rus V.A. Çudinov në mënyrë shkencore e paska ”zbuluar” se serbët e kanë prejardhjen nga aty ku janë sot por edhe më gjerë. I gjeti faktet bindëse se serbët jo vetëm që ishin banorë të Azisë së Vogël por edhe të Ballkanit. Çudi ! shkollat gjermane paskan dashur të iu mohojnë të vërtetën e origjinës së tyre sepse ardhja e sllavëve në shekullin e 7-të pas Krishtit ishte vetëm s një trillim mohues. ”Janë gjetur dokumente të shkruara në guri , e që datojnë nga shek i 7-të para Krishtit, e që ”bindshëm” e dokumentojnë të kundërten e shkollave gjermane. Bile edhe Dragoljub P. Antiç-i në librin e tij ” Vijueshmëria e Kulturës së Vinçës” e ka ” përjetësuar” teorinë se teknikisht dhe fizikisht ka qenë e pamundur të ketë pasur ”shpërngulje të mëdha serbe në shek. VII psK .
Ne e dijmë se ”ajo që është më bindësja për egzistimin e një populli është Gjuha e tij, shkrimi i tij dhe arsimimi i tij ” shkruan akademiku rus Çudinov .”Me shkrimet në Obeliskun e Ksantosit ( sot në Turqi) , të cilat janë të gjetura , të gdhendura në qytetin Serbin ( sot Ksantos) dokumentohet qartas se serbët ishin banorët e parë të kësaj anëje ”.
Kur flasin gurët , dhe gurët e Ksntosit po flitkan serbisht !
” Ligjet e shkruara në Obeliskun e Ksantit i ka përkthyer famullitari Svetslav Bilbija.”
-shkruan akademiku rus. ”Shkencëtarët, historianët , linguistët dhe arkeologët e botës , edhe në ditën e sotit nuk kanë mundur të deshifrojnë shkrimet etruske-, shkrimet e popullit që ka jetuar para 3 000 vjete në zemër të Italisë së sotme.” dhe vazhdon ai :” Për deshifrim janë përdorur të gjitha gjuhët e njohura të botës, bile bile edhe gjuhët e Afrikës Qendrore , dhe pa sukses. ”
A e dini se ku ishte çelsi ? Vetëm me çirilikën e gjuhës serbe , atë të Vuk Karaxhiçit u arrijtë që pa vështirësi të lexohet ajo që ishte shkruar 1400 vje më parë.
Sipas burimeve të Institutit Rus të Civilizimeve të vjetra europiane dhe aziatike (Institut drevneslavяnskoй i drevneevraziйskoй civilizacii ) : ” Ligji i vjetër Likeas i shkruar në obeliskun e gurit në qytetin Sërbin ( Ksanti fxh) rrjedhë nga shek i VII prK ,është i shkruar në gjuhën serbo-rasiane. Anën veriore të tekstit të obeliskut të Sërbinit (Ksanti fxh) , perkthyesi Bilbija e quan ” Porosia drejtuar serbëve e cila ishte gdhendur para 2600 – 2 800 vitesh në qytetin e Likesë ” I tërë shkrimi qenka i regjistruar në përmbledhjen ”Catena Mundi” me titull : ”Libri i gurit mbi ligjet dhe zakonet e Serbëve të vjetër ”,dhe të cilat janë grumbulluar sipas temave për të cilat flitet. Shkrimi në tërësi i kësaj përmendoreje të shkrimeve serbo-rasiane të Likesë së Azisë së vogël , dhe ligjeve të vjetra serbo-rasiane i ka 232 urdhëra. Urdhërat janë të ndara në 16 grupe dhe janë mirë të vrejtura ( të dukshme) në Obelisk. Aty shkruhet (1) Udhëheqja e shteti- detyra e shtetit (2) Detyrimet humanitare të shtetit (3) Lirija e punës dhe e ushtrimit të punës (4) Doket dhe Zakonet (5) Zgjedhja dhe vetitë që duhet ti ket udhëheqësi (6) Detyrat e luftëtarëve (7) Mbi armiqt (8) Fjale të urta dhe këshilla (9) Këshillat e të parëve për bujqit (10) Detyrime e gropusve të minierave të arit (11) Këshillat mjeksore (12) Veprat penale, dhe dënimet (13) Edukimi i fëmijvet (14) Mbi ushqimin dhe përgatitjen e tij (15) Mbi ushqimin dhe mënyra e të ushqyerit (16) Të gdhendurat e mësipërme duhet lexuar , të mbahen në mend , dhe të zbatohen ”( Nga :Institut drevneslavяnskoй i drevneevraziйskoй civilizacii)
Ju lutem për vëmendje në këte që po e lexoni, serbët janë shumë mirë të vetdijshëm se kush janë banorët e parë të Ballkani ( Ilirikut) , ata e dijnë mirë se çka thonë, por pse janë aq të zotët në përvetësime së të huajës , unë me zemër të grimcuar i përgëzoj. I përgëzoj edhe nga inati që ne t ´tonën e bëjmë të huaj dhe atyre iu ndihmojmë në përforëcimin e rrenëve të tyre në arenën ndërkombëtare.:” Gadishulli Ballkanik është regjioni i parë i banuar nga i cili më vonë , po nga këta njerëz janë përbanuar dhe përhapur në viset tjera të Europës. ” e shkruan të vërtetën akademiku rus , dhe pastaj devijon duke menduar të shtrembëron historinë: ” Banorët e sotëm të Ballkanit j anë nipërit trashëgimtarë të Rashanëve të cilët banonin këtu që nga kohërat më të vjetra. Shumica e tyre ka mbetur në stërstër atdheun e tyre , dhe një pjesë tjetër më shpërngulje kanë ndërruar vend në pjesët tjera të Europës dhe të Azisë” e vazhdon ” akademiku rrenc ” rus.
Por , përkundër kësaj ai në një mënyrë e thot të vërtetën duke harruar që as Europa e as shqiptarët nuk janë te shek. të 18-të , dhe se ne e dijmë fort mirë që banorët që ai i quan ”Rashan” ishin fisi i Tribalëve Dardanë. Pra? .
”Pasi u lexuan dhe u ndriçuan kuptimet e tëgjitha shkronjave etruske , likejase dhe lidijase, ”i famshmi ” Bilbija i krahasoi me me shenjat e cirilikës së Vuku Karaxhiqit. Por pasi që arrijti që të lexon të gjitha përmendoret e aryre popujve , iu vërsul formimit të fjalorit të gjuhës së vjetër europiane , gjuhës së lashtë serbe. Dhe si rezultat : të gjithë ata popuj ishin nga nën Danubi, pra vendi ku sot jetojnë serbët.”.
Por, sopata e serbëve dhe e rusëve nuk prenë dy herë me një vend: ” Etruskët . të cilët që para latinëve jetonin në Italinë e sotme , vetvetën e quanin Rashan, Për prejardhjen e emrit Ras ka patur shumë diskutime në mes të shkencëtarëve dhe përfundimi i ishte i përbashkët se fjala ishte për të njejtin fis dhe që e fliste të njejtën gjuhë ,Rasët. Nga fjala Ras ka lindur edhe fjala Rus. e cila e ka të njejtin kuptim.” ( akademia e rusëve).
”Rasianët ( rashanët) – vazhdohet më tutje në studimin e rusëve – quheshin edhe banorët e shtetit të Rashkës së Nemanjiqëve. Pra kur flasim për Etruskët , ne në të vërtetë ( serbët e rusët fxh) flasim për rashanët të cilët kanë jetuar edhe më gjerë se territori i Kulturës së Vinçës dhe nga aty ishin shpërngulur nëpër vendbanime të reja të Europës dhe Azisë së vogël.”
U gjet ”corpus delictii ” thot rusi kur i ” lexoi ”shkrimet në gurët e Obeliskut të Ksantit ,
” këto dukumente , me shumë se cindrat e rëndë me avull i ndrydhën falsifikatet t´ashtuquajtures shkollë te Vjenës- Berlinit- Vatikanit. ”
Vetëm një pyetje për ne , nga fjalia e tyre :” ….falsifikatet t´ashtuquajtures shkollë te Vjenës- Berlinit- Vatikanit. ” , a po e shofim mirë se kush na e mbrojti historinë e të vërtetës , historinë tonë ?
Studjuesi Altin Kocaqi , thotë:” Mbishkrimet like jane faktorë i pellgut të madh
pellazgjik që fliste mëmën e gjuhëve.Ky pellg kishte kryeqendër të hershme Dodonën.
Pellazgët janë pellgu i kërkuar në shkencën e gjuhësisë, ai pellg që e fliste mëmën e gjuhëve dhe se me Dodonën në Tomorr , shqiptarët autokton në trojet e tyre janë më të vjetrit në këto anë”Një këshillë : ” Njeriu mund të mos dij, edhe pse mosdija nuk e arsyeton askënd, por kur t´i tregohet dhe spjegohet dhe ai përsëri nuk do që të di,atëherë ai ose është i marrë ose i prishur në shpirt.Për derisa nuk ia kemi dhënë faktet , mosdijen e tij e kemi shikuar me pafajsi . Por pas të gjithave : ata të cilët ende e gjuajnë popullin e vet me poshtërsina dhe rrena armiqsore , ata e kanë vendin në Obeliskun e imagjinuar të TURPIT”

Filed Under: Analiza Tagged With: Fahri Xharra, Kur gurët flasin - Obelisku i Ksantit!

“VENDI I DYTË I HUMBËSIT”

May 2, 2014 by dgreca

(Një fitore e vetëvuajtjes heroike)/
Nga Rexhep KASUMAJ/
1.
“Mbaje mend mirë biri im, vendi i dytë i përket humbësit”, i thoshte në fillimvitet 60-të i ati Xhosef, pasunar e diplomat i shquar, Xhonit të ri, që i kishte hyrë betejës e gatitej të fronsohej në Shtëpinë e bardhë! Dhe punët do rridhnin ashtu që (diku me votën rregullare e diku të trafikuar nga Monro e Sinatra nëpër kazinot e tymta) ai t’ia dhuronte kundërshtarit politik vendin e të dytit, e pra të humbësit deshpërimtar.
Saherë reflektoj për sprovimin elektoral të vullnetit politik në Maqedoni, më pëlqen ta rievokoj, si një çelës të artë, këtë mendim të vyer të emigrantit irlandez. Urtia e plakut të Kenedëve, s’do të dëshmohej e njëmendtë vetëm në Amerikën e largët. Më dramatikisht se atje, ajo do t’nxënte jetë në Ballkan, ku vendi i humbësit nuk është vetëm politik e personal, por, mbi të gjitha, jetik e kolektiv. Atje, e shumta, do të shuhej një karrierë, kurse këndej në arenën e ashpër të mbijetetesës historike, prishen përjetë fatet e vogla në stuhinë e kohëve të mëdha. Madje, ndërsa nëvojat komunitare në shoqëritë e lira, kanë një dimension e interpretim tjetërsoj, kryesisht rivandikues e individual – në hemisferën e mugët përplot “hazjajinër” të idolatruar e shpupuritës, çdo përplasje cënon djegshëm vetë ekzistencën e tij: gjëndjen dhe ardhmërinë e tejandejme!
2.
A do gjente, vite më pas, truall e kuptim këshilla proverbiale “për vendin dytë humbëtar”, në atdheun e Ali Ahmetit, si ka qejf ta quajë ai me dedikim përulës Maqedoninë? Absolutisht! Veçse me një të lehtë ndryshim: këtu humbësi nuk përjeton blamazh publik a demisionim të justifikuar – por glorifikohet si triumfator! Si ngaherë, në një ornament oriental, ranë e jehuan këmbanat e fitores në njërin dhe u zymtuan dritaret e mbyllura në kampin tjetër. Po kush kje fitimtari i lumtur dhe cili humbësi i pikëlluar? Pyetja duket e palëndë sepse kjo ndarje rolesh nuk është aspak klasike: humbamanë të vërtetë janë krejt bashkë! Që nga agu i shumëpartisisë, ata do të mundnin alternativisht njëri-tjetrin në orët e farsës zgjedhore, por të dy, për vetë kundrimin kryeposhtë të gjërave, do të dilnin përgjithmonë humbës!.. Natyrisht, efekti i “fitoreve humbëse” do t’ishte i keqvlefshëm veç për votrat politike me ndjekës, ithtarë e vdektarë të thjeshtë në fatamorganën e lirisë! Kasta meskine do ti shijonte fort favoret pushtetare, legalisht a dorëfshtësisht, ndër vitet e balsamit që pikon vajtueshëm nga Shkronjat e gjakosura të Ohrit. Mirëpo mrekullia libertare, ajo fitorja e ëndërruar që pajisë me fuqinë e vetëvendosjes, nuk do të ndodhte kurrë.
Ç’mjerim! Fitimtari, edhe kësaj here nga radhët e Integrimorëve të ekzaltuar ahmetjanë, ngjan, prandaj, iluzorisht i tillë: një levë e mirëmbrehur në përpjekjen për të mashtruar si turma altari elektorët e shkretë, po duke rënë ngadalë dhe viktimë e besimit të gënjeshtrës së vet. Në fakt, Ai, dashnori i përbetuar i koekzistencës (që nëse s’do të mbruhet një ditë n’politikë – si parashikon naivisht B. Blushi – do të ngjizet në shtratin bashkëshortor) ka fituar, ndaj, vetëm kundër shqiptarëve të krahut përballës, kurse ka humbur keqas në raport me bllokun e sllavëve, të rrjeshtuar në armiqësi e përçmim. Ndërkaq, kriter, masë reale e fitores dhe, pra, çështje e të gjitha çështjeve nuk është kurrësesi mundja e shqiptarit, por mposhtja e sllavit. Një mposhtje që do arrinte njëjtësinë e baraspeshuar mes korpusit etnik dhe votës së ligjëruar në shkallë të vendimmarrjes paritive në Kuvendin qendror, atje ku akoma ndjehet tehu a prapaskena e teatrit bizantin!..
Por, jo! Prijësi i tipit të mbetjeve sovjetike zonash të iruna kaukazjane, por që, për origjinalitet, ngërthen dhe veçanësi stili autoritar (nuk merr poste, si kudo në botën e qytetnisë, po tërheq fije nga thellësia e errtë mistike), gjëndet prore andej: në anën tjetër të arsyes së lartë të shtetit dhe pozitës së brishtë të kombit! Po si? Ja pra: në mënyrë të suksesshme e besnike ia del, tash sa vite, të mundë shqiptarin dhe të disfatohet nga rivali sllav. Ky është përfundimi dhe asnjë stoli a sofizëm terminologjik nuk e rrotullon dot. Poashtu ky është motivi i ngrohtë i mburrjes çekulibruese dhe i vetëdehjes snobiste në mejhanet e intrigave provinciale. Një skemë trishtuese që, duke pasur në magmën e saj paedukatën kombëtare dhe padijen monumentale, i ka rezervuar stoikisht popullit shqiptar i cili bën gjysmën (në mos më tepër) e banorësisë maqedonëse, një vend përpjestimisht të poshtëm, tepër të poshtëm: vëndin e dytë të humbësit, të një humbësi tragjik!
Ky status lexohet edhe në prekjen e përditshmërisë edhe në strategjinë e afatgjatësisë: në rangimin konstitucional, në të drejtat politike dhe në emnesën shtetërore. Në rangim – sepse sllavët rezultojnë gjithnjë bartës unitar të shtetësisë, e shqiptarët spostohen “ndër të tjerë”, pastaj në të drejta – sepse, civilisht e nacionalisht, bashkëvendësit e Ahmetit, këtij këmbëputhësi të sllavomëdhenjëve artificialë, janë të nënshtruar dhe, së mbrami, me emërtimin sepse sllavët, duke arnuar biografinë e rreme etnike me copëza të vjedhura, i kanë dhënë nocionit gjeografik atribut të nyjëtuar kombëtar, kurse shqiptarëve, nga ana e tyre, u mbetet veçse pozicioni i një bashkësie të huaj minoritare në trojet e tyre autoktone që nga mbamëndja njerëzore.
Janë infantile a spekuluese teoritë se këso udhe ushtrohet vlera mondane e demokracisë multikulturale. Asaj kanë filluar ti tundin fletëvdekjen dhe në Europë. Para ca vitesh pati një debat të ethshëm gjerman mbi “Leit-kulturën” dhe përparësinë e saj ndaj kulturave dytësore të ngulimtarëve të vonë. Për dallim nga përvojat europianiste me emigrantë, këtej kultura e maqedonësve sllavë, anise inferiore në objektivitetin historiko-etnik, pretendon sipërinë duke prodhuar e ushqyer, ashtu, segregacionin brutal ndaj mbipranisë së rrënjësve shqiptarë. Çdo lektyrë shkollore e fushës shpjegon se segregimi e demokracia e bekuar nuk takohen e s’kohabitojnë dot asnjëherë. Është kjo dyta që, si një formulë, tretet në bizhu falsiteti të neotiranisë! Nuk admirojmë qasjet etnofauliste (si ajo e Miss Durhamit për ta), por shtrëngohemi të kujtojmë se sllavët maqedonës nuk posedojnë as resursin e as legjitimitetin për këtë hierarki tabelare që shtynë shqiptarët drejt fundit të saj!..
3.
A bëjnë, vallë, shqiptarët rezistencë, luftë e parlamentarizëm me një të vetmen yshtje e bilans, mundjen edipiane të vetëvetes? Ndërkohë që maqedonësit sllavë organizohen në principin e rrezikut shqiptar, këta vetë, për çudi, pa kultivuar maturisht një kauzë të ngjashme simetrike, organizohen me një perfeksion negativ poashtu mbi rrezikun, tashmë brendashqiptar! Ideja politike është shmagjepsur fare dhe, në leckërinë e saj, ngrihet kulti i pushtetit të kuotës së mëshiruar! Dhuratë më danaike s’mund të prisnin flamujt e krekosur të renesancës folklorike sllave në ngasjen për të asgjësuar vendarët e hutuar dhe për të pronësuar territoret e tyre të lashta! Dhe ja akti dëftues: Ngadhnjysi mbi njeriun e vet dhe rrëzimtari i përulshëm në pragun e njeriut sllav, shpallet krenueshëm kurorëmbajtës i lavdisë! Një krenari mizore që endet shesheve të injorancës me përkushtim kopshtari të devotë për ruajtjen e “mëkatit të zanafillës” që pat përcaktuar nismërisht natyrën e kësaj tampon-sajese të ndërgjegjes robnore.
Marrëzi, oh ç’marrëzi që përtall kulturën elementare politike dhe trondit themelet e kodit moral kombëtar! Njëj gjirizi të tillë ndotës mund të prehet vetëm shpirti i çoroditur politik shqiptar, që, si do thoshte Niçe, feston ende saturnalet, këtë orgji të dhimbshme të vetëvuajtjes heroike!

Filed Under: Analiza Tagged With: “VENDI I DYTË, I HUMBËSIT”, Rexhep Kasumaj

Promovohet në Nju Jork, jeta dhe vepra një emigranti shqiptarë

May 2, 2014 by dgreca

Në 102 vjetorin e themelimit të Vatrës, u bë promovimi i dy librave “Rrugëtimi i Përjetësimit të Ali Ibër Nezaj në Bronz” dhe “Udha e ëndrrës së thyer” të autorit Halit Nezaj/
Nga BEQIR SINA, New York/
BRONX NEW YORK : Botimi i veprave të reja, respektivisht paraqitja e një vepre të re në duart e lexuesve, shqiptaro amerikanë, natyrishtë, që është bërë kohët e fundit një lajm i gëzueshëm, në komunitet. Sidomos, për dashamirët e fjalës së shkruar – Librit, por edhe për bashkëatdhetarët e tjerë, ku ata mund të gjejnë me këtë rast një pikë – takimi, për të mësuar më shumë për historinë e shqiptarëve të Amerikës, veprimtarinë dhe prejardhjen e tyre, ose vendorigjinën – apo një vepër tjetër letrare (libër me poezi a tregime) që ka autor nga diaspora apo edhe vendlindja jonë .
Në veçanti sot në diasporë kemi shumë autorë librash, nga Shqipëria, Kosova, Lugina e Preshevës, Maqedonia, Mali i Zi e Çamëria, studiues dhe krijues të njohur, duke pasur raste mjaft të shpeshta të nxjerrjes së librave të rinjë, nga autor të shumtë shqiptarë, që tashmë kan mënyrën e promovimit të librave, duke e bërë atë ngjarje të gëzueshme për komunitetin shqiptarë. Dhe, tani, që kemi një prurje kaq të madhe autorësh nga vetë diaspora, e cila ka edhe shoqatën e saj : “Shoqata e Shkrimtarëve Shqiptaro Amerikanë”, por edhe shumë shkrimtar të njohur që vinë nga vendorigjina e jonë, ngjarje të tilla – promovime kemi shumë më shpesh.

Kjo ka bërë, atë që të ketë edhe më shumë interesim – kur kemi ndonjë promovim libri, dhe autorin e njohim mirë, pra ai gëzon respekt, të bashkombasit e tij – por edhe që ia lexojmë librat me shumë dëshirë, edhe kur autorin e librit e kemi “burim” librash nga diaspora, atëhere kemi rastin e mirë, që t’a kemi prezent në përurimin e veprave të reja, por edhe që të tregojmë se edhe këtu në mërgim – tek ne shqiptarët e Amerikës krijimtaria jonë ka qenë dhe është e pashtershme, burim frymëzimi duke filluar prej nga klubet, kolonitë e shoqëritë e para të shqiptarëve në Amerikë, dhe duke u transmetuar deri në ditët e sotme.

Një promovim i tillë, me autor nga diaspora shqiptare në Amerikë, u organizua nga ajo që mund të quhet tashmë në Amerikë “Qendra Shqiptare e Promovimeve” – Shoqata e Shkrimtarëve Shqiptaro-Amerikanë dhe Federata Pan-Shqiptare e Amerikës VATRA, të cilat ashtu si kan nderuar dhe ngritur vlerat e autorve të tjerë, më parë, promovojnë të Dielën me 27 Prill 2014,, në një nga sallat e lokalit EastWood Manor, librat : “Rrugëtimi i Përjetësimit të Ali Ibër Nezaj në Bronz” dhe “Udha e ëndrrës së thyer” të Halit Nezaj.

Madje, kjo ngjarje, mori një rëndësi të veçantë – Mbasi, ajo për koncidencë, kësaj rradhe lidhej me diçka të veçantë, si me këtë rast me 102 vjetorin e bekuar të themelimit të Vatrës, shoqatës së parë të shqiptarëve të Amerikës. Promovimi i librit të ketij Vatrani, u bë edhe :”si një nderim për Vatrën, si Vatër e dritës së kombit shqiptar, si Vatër e shpresës së pashuar kombëtare”.

Edhe, vetë autori mori shumë urime të përbashkëta, me vatranët, për këtë ditëlindje rrezatuese ashtu si mori edhe për dy veprat e tij – sepse, edhe ai është Vatranë, dhe në veprën e tij kan emrat edhe disa nga figurat e shquara të Vatrës, madje Halit Nezaj dhe anëtarë të tjerë të fisit Nezaj, shumë miq dhe shok të tij, janë nga ata të parët, që e nisën rrugën e patriotizmit me këtë Vatër, që ishte dhe mbeti zjarri i pashuar i Shqiptarisë, në diasporë.

Dhe, ja që vjen rasti i promovimit të këtyre veprave, të kujtojmë edhe një herë çdo fund prilli Vatrën – Vatrën shqiptare në Amerikë, për të cilën, ish Kryemnistri i Shqipërisë, Berisha, ka thënë në 100 vjetorin e saj se :”Vatra jonë është një homazh i madh për ata burra që 100 vjet më parë themeluan këtu në atdheun e lirisë në vendin e madh të lirisë, themeluan “Vatrën” , si vatër të lirisë së kombit shqiptar ”. Berisha, ka kujtuar me nderim dhe mirënjohje themeluesit e saj, të cilët në një kohë përcaktuese për fatet e kombit, qysh atëhere u bashkuan dhe themeluan organizatën e vlerave të mëdha kombëtare. Ai e ka vlerësuar rolin dhe kontributin e jashtë- zakonshëm historik që “Vatra” dhe Vatranët, luajti në momentet më deçisive për kombin shqiptar, përgjatë një shekulli”.

Por, përsëri mund të thuhet se promovime të tilla, kan rëndësi e vlerësohen – gjithashtu, kur dimë diçka si ky rast me autorin Halit Nezaj pra për vet autorin ose për librat që ka shkruar ai.

“Rrugëtimi i Përjetësimit të Ali Ibër Nezaj në Bronz” dhe “Udha e ëndrrës së thyer” të Halit Nezaj, janë dy vepëra – ku lexuesi do të gjejë përpos një historie të shkurtër të jetës dhe veprës së patriotit Ali Ibër Nezaj, por edhe vetë jetën e autorit – peripetitë që ka kaluar ai dhe familja e tij të paraqitura me të gjitha angazhimet dhe aktivitetet që i kanë paraprirë të gjitha lëvizjeve të shqiptarëve të Amerikës. Vendlindja e tij Shipshani – Tropojë, familja, të afërmit, miq dhe shokët në klubet e të arratisurve në ish-Jugosllavi, Gjakova, qyteti që ka bërë histori, dhe vendi i lirisë Amerika, lufta disa vjeçare për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës dhe rënjen e komunizmit në Shqipëri.

Veprimtarinë, e bukur të këtij promovimi e drejtojë, sikur të recitonte ndonjë poezi – Mëhill Velaj – poetë dhe shkrimtarë i njohur në komunitet, i cili në çdo prezantim interpretoi fragmente dhe vargje nga librat e Nezajt.

Pjesmarërsit i ka përshëndetur fillimisht zv/kryetari i Vatrës Asllan Bushati. Përshëndetën dhe përgëzuan autorin: Ambasadori Bekim Sejdiu, Konsull i Përgjithshëm i Republikës së Kosovës në New Jork, Kryetari i Vatrës, dr. Gjon Buçaj, Presidenti i Shoqatës së Shkrimtarëve Shqiptaro-Amerikan Adnan Mehmeti e të tjer.Folëse kryesore, dhe rencensuese e kësaj veprimtarie ishte ; ajo që i kishte lexuar librat e Nezajt, dhe u kishte bërë një “autopsi” të thellë, e cila është vetë autore e disa librave, gazetare, shkrimtare, dhe poete, Raimonda Moisiu :
Për librin “Udha e ëndrrës së thyer”, tha zonja Moisiu, paraqita këndvështrimin tim në formën e përsiatjes, ndërsa për librin “Rrugëtimi i përjetësimit të Ali Ibër Nezaj në bronz” , m’u desh të gërmoja në arkivat shqiptare e të huaja, referencat dhe studimet historike, shkruar nga publicistë e studiuesë profesionistë të mirënjohur shqiptarë e të huaj, të cilët kanë shkruar në mënyrë sistematike, e të admirueshme për figurën madhështore luftarake, poliadrike të patriotit të shquar Ali Ibër Nezajt”.

Një kumtesë rreth librave të z. Halit Nezaj e mbajti edhe vatrani Mehmet Kadrija nga Tropoja

Diskutuan rreth librave edhe editori i Diellit Dalip Greca ( duke sjell një përshëndetje të professor Murat Gecaj), kryetari i degës më të re të Vatrës në Amerikë, asaj në Hartford – Kenektikët, Iliam Peci, profesor Prend Cetaj, zoti Shaban Gashi, e të tjerë. Ndërsa, u duartrokit gjatë në këtë promovim edhe aktori nga Kosova Halil Teta, që recitoi fragmente poetike, me motive patriotike.
Në fund të këtij promovimi autori i dy librave Halit Nezaj – një emigrant e i vjetër i komunitetit, ka përshëndetur gjithë mbështetësit dhe drejtuesit e këtij aktiviteti, folësit dhe pjesëmarrësit,; Shoqatën e Shkrimtarëve Shqiptaro Amerikanë dhe Federatës PanShqiptare të Amerikës VATRA, dhe me theks të veçantë mbështetjen pakursyer të familjes së tij, bashkëshortes dhe fëmijëve, nipave dhe mbesave.

Gjithashtu, sikurse, në vepër autori Halit Nezaj, ka feleminderuar gjithë kontribuesit financiar, për çfarë, ai u është shprehur mirënjohës, pasi si tha Nezaj:” pa ndihmën e tuaj, edhe shtatorija e Ali Ibër Nezajt e cila është përjetësuar tashmë në qendër të qyteti historik Gjakovës, por edhe këto dy vepëra , nuk do të ishte realizuar”.

Në fund u shtrua edhe një koktejl i përgatitur nga familja Nezaj – me ushqime dhe pije nga tradita shqiptare.

Filed Under: Vatra Tagged With: Beqir Sina, New York

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 68
  • 69
  • 70
  • 71
  • 72
  • 73
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Dashuria që e kemi dhe s’e kemi
  • “Jo ndërhyrje në punët e brendshme”, dorëheqja e Ismail Qemalit, gjest atdhetarie dhe fletë lavdie
  • Arti dhe kultura në Dardani
  • Gjon Gazulli 1400-1465, letërsia e hershme shqipe, gurthemeli mbi të cilin u ndërtua vetëdija gjuhesore dhe kulturore e shqiptarëve
  • “Albanian BookFest”, festivali i librit shqiptar në diasporë si dëshmi e kapitalit kulturor, shpirtëror dhe intelektual
  • VEPRIMTARI PËRKUJTIMORE SHKENCORE “PETER PRIFTI NË 100 – VJETORIN E LINDJES”
  • 18 dhjetori është Dita Ndërkombëtare e Emigrantëve
  • Kontributi shumëdimensional i Klerit Katolik dhe i Elitave Shqiptare në Pavarësinë e Shqipërisë 
  • Takimi i përvitshëm i Malësorëve të New Yorkut – Mbrëmje fondmbledhëse për Shoqatën “Malësia e Madhe”
  • Edi Rama, Belinda Balluku, SPAK, kur drejtësia troket, pushteti zbulohet!
  • “Strategjia Trump, ShBA më e fortë, Interesat Amerikane mbi gjithçka”
  • Pse leku shqiptar duket i fortë ndërsa ekonomia ndihet e dobët
  • IMAM ISA HOXHA (1918–2001), NJË JETË NË SHËRBIM TË FESË, DIJES, KULTURËS DHE ÇËSHTJES KOMBËTARE SHQIPTARE
  • UGSH ndan çmimet vjetore për gazetarët shqiptarë dhe për fituesit e konkursit “Vangjush Gambeta”
  • Fjala përshëndetëse e kryetarit të Federatës Vatra Dr. Elmi Berisha për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë në Seancën Akademike kushtuar 100 vjetorit të lindjes së Peter Priftit

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT