• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for July 2014

Përurohen ambientet e Studimeve Albanologjike ku ruhet Fondi Arkeologjik

July 25, 2014 by dgreca

U përurua me 25 korrik restaurimi i mjediseve ku ruhet Fondi Arkelologjik pranë qëndrës së Studimeve Arkeologjike, ku ishin te pranishem, Ministrja e Arsimit dhe Sportit, Lindita Nikolla, Ministrja e Kulturës, Mirela Kumbaro, Ambasadori i Shteteve të Bashkuara, Aleksandër Arvizu, pedagogë e studiues.
“Ky takim duhet parë si një mundësi e re për studiuesit, studentët dhe publikun e gjërë, kjo falë ndihmës se SHBA që nëpërmjet fondit që Arkeologjia Shqiptare të marë një standard të ri”, u shpreh ministrja Nikolla. Më tej ajo shtoi se “kjo lidhet me cilësinë e arsimit, pasi mundëson studentët në vëzhgimin e tyre, por edhe standard për kërkuesit”.
Gjatë fjalës së saj, Nikolla theksoi se ky fond kapi standardin më të lartë në vlerë dhe që akordohet për realizimin e projektit për trashëgiminë kulturore.
“Ruajtja e Trashëgimisë Kulturore, na jep një mesazh të madh për ne që duhet të zhvillojmë përgjegjësi të reja, protagonizëm të ri, që sjellim jo vetëm një vlerë muzeale që duhet ruajtur, por dhe një pjesë të rëndësishme edukimi, njohëse për studiuesit, profesorët, publikun e gjërë”, tha ajo.
Ministrja e Kulturës, Mirela Kumbaro nëvizoi se “ky inagurim dhe kjo qëndër përban një dimension tjetër, jo thjesht të detyrës por dimensionin e pasionit dhe dashurisë për trashëgimisë kulturore”.
Në fushën e Arkeologjisë, përgjegjësia është shumë e madhe, për t”i ruajtur dhe promovuar ato”, tha Kumbaro duke shprehur mbështetjen e saj për programe të tilla.
Në vijim të fjalës ajo tha se “në bashkepunim me Insitutin e Arkeologjisë ne jemi duke përfunduar punimet në Muzeun Arkeologjik në Durrës, muzeu më i madh Arkeologjik me më shumë se 300 arte-fakte të cilat nuk e kishin parë dritën e ekspozimit prej shum vitesh”.
Ndërsa ambasadori Arvizu tha se ,“projekti që inagurojmë sot do të mbrohet dhe ruhet nga brezat si një investim jetik me fragmente të historisë së Shqipërisë që bart vlera të mëdha për të gjithë popullin”. Ministria e Arsimit dhe sportit në bashkepunim me Ministrinë e Kulturës kanë filluar projekte që kanë lidhje me kulturën, ku shkolla të caktuara do të marin në mbrojtje momumente të caktuara.
Ky projekt u realizua në kuadër të bashkëpunimit të Qendrës së Studimeve Albanologjike për Institutin Arkeologjik me ICOM Albania (Këshilli Ndërkombëtar i Muzeumeve) ku nga marrëveshja e nënshkruar (në shtator 2012) me Ambasadën e SHBA-ve në Tiranë u përfitua një fond prej $103,389. Restaurimi i mjediseve të magazinimit të Fondit të Arkeologjisë është realizuar nga “Programi i Fondit të Ambasadorit për Trashigimin Kulturore”, i cili mbështet mbrojtjen e trashëgimisë kulturore në mbarë botën.(Kortezi:Zina

Filed Under: Kulture Tagged With: e Studimeve Albanologjike ku ruhet, Fondi Arkeologjik, Përurohen ambientet

Joe DioGuardi: Marrëveshja e Ohrit dështoi për faqe të zezë

July 25, 2014 by dgreca

“Marrëveshja e Ohrit dështoi për faqe të zezë (The Ochrid peace Agreement falled dismally)”. Ky ka qenë komenti që ish-kongresisti dhe presidenti i Ligës Shqiptaro-Amerikane, Joe DioGuardi, ka realizuar së fundmi lidhur me situatën me shqiptarët në Maqedoni. Shkëmbim ky me publicistin Nijazi Muhamedi, pasi ky i fundit i ka dorëzuar dokumentin e titulluar “Paqja e shkelur“ lidhur me gjendjen e shqiptarëve në Maqedoni. Dioguardi në përgjigjen e tij ka shprehur shqetësime të mëdha lidhur me gjendjen e shqiptarëve dhe protestat e fundit. Duke premtuar se në Kongresin Amerikan së shpejti do realizohet një takim për të sqaruar diskriminimin dhe siç e quan ai ‘aparteidin’ kundër 800 mijë shqiptarëve në Maqedoni nga palët kontrolluese politike sllave të ndihmuara nga bashkëpunëtorët e tyre politik shqiptarë të korruptuar”, në këtë mënyrë duke krijuar një jostabilitet të rrezikshëm në Evropën Juglindore.

Filed Under: Opinion Tagged With: DioGuardi: Marrëveshja e Ohrit dështoi, për faqe të zezë

Parkingjet publike në Prishtinë

July 25, 2014 by dgreca

Nuk duhemi toleruar që të bëhemi robër të automjeteve,/
duke i humbur të gjitha vetit e një jete të dinjitetshme urbane./
Corbusier/
Nga arch. Ylber Vokshi-Ylli/Prishtinë/
E mirëprita njoftimin e Zyrës për Marrëdhënie me Publikun të Komunës së Prishtinës,lidhur me paraqitjen e “Projektit për rregullimin e komunikacionit në lëvizje dhe krijimin e parkingjeve në territorin e Komunës se Prishtinës”. Aspak nuk është e rëndësishme se kush është angazhuar në ketë projekt,thelbësore është që në mënyrë profesionale të bëhen analizat e duhura të ndërlikuara hapësinore dhe urbane,që si rezultat të kemi të definuara të gjitha elementet që nevojiten për të caktuar vendet, numrin e duhur,llojet e parkingjeve që i duhen kryeqytetit të Kosovës,Prishtinës.
Mendimi i im profesional është që së pari është dashur të bëhet projekti i REKONSTRUIMIT apo RENOVIMIT urban të Qendrës së kryeqytetit,nga ai studim do të shiheshin nevojat dhe kërkesat për hapësira të reja të parkingjeve,të cilat së bashku me ato ekzistueset,duke aplikuar të arriturat teknologjike të shekullit të ri, deri diku do të plotësonin nevojat minimale për parkim të banorëve rezident dhe atyre të tjerëve si vizitor ditor,të cilët janë të shumtë në Prishtinë.
Pik së pari me mjete dhe mekanizmat që i disponon shoqëria jonë,duhet me e ndryshuar filozofinë e të menduarit dhe vepruarit, ku lëvizja me automjet në qendrën e kryeqytetit duhet minimizuar në maksimum,si dhe propozuar parkingje kolektiven,në etazh apo nëntokësore,si një nga mundësit e preferuara për të zbutur ketë problematikë. E di kjo kushton por duhemi me u mësua të paguajmë për luks,si të tjerët në qendrat e kryeqyteteve në tërë rruzullin tokësor.
Si rezultat i një pune të keqe me dekada të cilën e ka trashëguar Qeveria e re e Komunale,ndoshta si një nga problemet ma emergjente që urgjentisht kërkon zgjidhje,nuk duhej të ishte arsye për të marrë veprime të ngutshme si është vepruar në rastin konkret. Caktimi i lokacioneve për parkingje kërkon një punë komplekse ku duhet me qenë të përfshirë shumë profile ekspertësh ku kryesorët duhet me qenë Planerët hapësinor dhe urban e si ndihmës munden me u inkuadrua edhe profilet tjera si janë gjeografët, inxhinierët e komunikacionit dhe të tjerët sipas nevojës,së bashku me bashkëpunëtor të jashtëm si inxhinierët e ndërtimit,gjeometrat,sociologët etj.
Nga ajo çka u prezantua në opinion vërehet se kjo mënyrë e caktimit të lokacioneve të parkingjeve është bërë formalisht,janë paraparë aty ku ka pasur mundësi fizike,hapësira të lira,e jo si rezultat i një studimi të Qëndrueshëm kompleks urban. Nga një vështrim sipërfaqësorë i një pjese të qendrës,fitohet bindja se i tërë ai kompleks i banimit individual dhe kolektiv,si dhe ai i veprimtarive biznesore është i rrethuar nga automjetet,dhe krijon një ndjenjë të keqe të pa sigurisë së lëvizjes së lirë të banorëve,e posaçërisht të fëmijëve dhe të moshuarve. Si mundet të arsyeton një profesionist një mënyrë të tillë të parashikimit të parkingjeve kur një objekt banimi kolektiv në të tri anët është i rrethuar me parkingje,e pa shpjegueshme,kjo të asocion në një burg kolektiv të imponuar !
ME vetëdije apo pa atë është ngulfatur funksionimi normal i aktiviteteve private dhe publike,jeta urbane në atë pjesë të qendrës së kryeqytetit është degraduar me të madhe. As që bëhet fjalë për një rrugë pa automjete që lidhet me sheshin “Nëna Tereze”,ajo është uzurpuar nga parkingjet. Si munden të parkohen automjetet në disa pjesë të parkingjeve ku nuk ekziston as mundësia teknike e funksionimit të tyre. Nuk duhet projektuar sipas asaj se si është duke funksionuar sistemi i parkimit anarkik në këto vite në Prishtinë dhe në tërë Kosovën. Duhet me i respektuar normat dhe standardet ndërkombëtare të planifikimit urban nëse dëshirojmë të kemi zgjidhje të qëndrueshme urbane,dhe të jemi pjesë e shoqërive të civilizuara.
Trotuaret dihet për cilin funksion ndërtohen,nga presionet e mëdha dhe kërkesat në shumë raste të pa arsyeshme,u bënë vendqëndrim i shërbimeve të taksistëve. Një dukuri e tillë e shëmtuar iu mundësoi qeverive komunale të kaluara që të “lejojnë” në fillim parkingje të automjeteve në disa rrugë duke uzurpuar një pjesë të trotuareve në ato pjesë të qytetit jo shumë të frekuentuara. Kjo praktik e vjetër e komunës ende po vazhdon edhe në qendrën e ngushtë të kryeqytetit,duke harruar se trotuaret e qytetit janë të destinuar për lëvizjen e lirë të qytetarëve,e jo për parkim pa marr parasysh kërkesat e mëdha të arsyeshme për parkingje.
Një praktik e tillë në bërthamën e qytetit të vjetër dhe në atë të renë të kryeqytetit, shëmton pamjen e tij dhe e humb kualitetin e rrugës këmbësore “Nëna Terezë”,në të cilën frekuentojnë rrugët tjera që duhej të kishin trajtim “pedonal” pa automjete,nëse Prishtina donë ti ngjason qendrave të tjera evropiane,alternativ tjetër nuk ka. Për ketë ekzistojnë mundësit teknike por ende nuk ka veprime konkrete, përkundër presionit të profesionistëve ( demonstrimi i arkitektëve të PAW-it në muajin korrik),të cilët po dëshirojnë që edhe Prishtina të iu ngjaj kryeqyteteve tjera në botë, ku komunikacioni dhe parkingjet tërësish janë larguar për vizitorët,nga qendra e Kryeqytetit.
Pagesa e parkingjeve dhe kufizimet kohore janë domosdoshmëri,kanë ekzistuar edhe përpara në Prishtinë,ajo nuk është garanci për funksionim normal të komunikacionit dhe shërbimit të parkingjeve në qendër,ajo mënyrë pas një kohe është larguar nga vetë qeveria komunale e asaj kohe. Nuk duhet me u bazuar shumë në ato metoda,duhet me iu përshtatur filozofisë jetësore të banorëve të Prishtinës dhe Kosovës,e cila nuk është as përafërsish e ngjashme me popujt e regjionit dhe ma gjerë.
Besoi se ky projekt i parkingjeve është si një zgjidhje e përkohshme,për të korrigjuar sado pak anomalit e shumta që kanë ndodhur në vitet e pas luftës në Kosovë, e posaçërisht në Prishtinë,ku ka dhe ka pasur përvetësime dhe uzurpime të shumta,në emër të caktimit të lokacioneve për parkingje publike dhe individuale. Gëzon fakti që për problematikën e komunikacionit urban dhe ndër-urban si dhe parkingjeve për tërë kryeqytetin dhe Komunën e Prishtinës,vendimmarrësit komunal janë në kontakt me zyrtarët e kryeqytetit të Kroacisë,Zagrebit, nga të cilët kanë çka të mësojnë.
Së fundit edhe në Planin Zhvillimor Urban (PZhU) i cili është aprovuar në Shtator të vitit 2013,në listën e përpilimit të projekteve prioritare për vitin 2014 parashihen dy projekte që trajtojnë ketë problematik jetike për Prishtinën si:
P1. Hartimi I MASTER PLANIT për transportin në Prishtinë. dhe
P2. Hartimi I Planit për Masat e përkohshme për rregullimin e Parkimeve në Prishtinë në bashkëpunim me policinë e trafikut.
Duhet vetëm angazhim gjithëpërfshirës i të gjithë faktorëve vendimmarrës të nivelit komunal i cili në ketë periodë nuk ka munguar si dhe përkrahja morale dhe financiare e nivelit Qendror pasi Prishtina është kryeqyteti i Kosovës dhe është pasqyrë e të gjithë neve që ne shumicën e rasteve kemi qenë indiferent me atë se çka është duke ngjarë në mjedisin që na kushtëzon një jetë normale urbane.
arch. Ylber Vokshi-Ylli
23.07.2014 arkitekt i pavarur
ylberv1@yahoo.com

Filed Under: Opinion Tagged With: arc. Ylber Vokshi Ylli, ne Prishtine, Parkingjet publike

Pronarët e ligjshëm: Prej 23 vitesh po ju kërkojmë të vendosni ligjin!

July 25, 2014 by dgreca

Deklaratë dërguar edhe ambasadorëve të akredituar në Tiranë/
Pronarët e ligjëshëm te shpronësuar nga diktatura prej 23 vitesh po ju kërkojnë të vendosni ligjin. Një çerek shekulli pritje, që i janë shtuar 45 vjet të grabitjes nga diktatura komuniste, duhet t’i jepni fund. Në emër të subjekteve të shpronësuar që prej gati një çerek shekulli presin nga Qeveritë dhe politikanët postkomunistë të rimarrin pronat që iu grabiti sistemi diktatorial komunist, kryesia e Shoqatës “Pronësi me Drejtësi” dhe e Shoqatës “Bregdeti”, ia drejton këtë Apel, institucioneve drejtuese të vendit, ndërkombëtarëve dhe mediave: realizoni përfundimisht kthimin fizik të pronave tek pronarët e ligjshëm të shpronësuar nga diktatura komuniste, duke respektuar titujt e pronësisë në përputhje me nenet 41 dhe 181 të Kushtetutës dhe shpallni pavlefshmërinë për abuzimet e bëra me pronat tona në këto 23 vitet e fundit. Ritheksojmë se situata anarkike, korruptive dhe kleptokratike me pronat vazhdon dhe do vazhdojë ta mbajë Shqipërinë larg BE-së.
Anarkia e titujve të pronësisë është rezultat i mos zbatimit të Kushtetutës që e ka bazën në mentalitetin komunist që ka dominuar kryetarët e qeverive shqiptare që kanë zëvendësuar njëra tjetrën pas vendosjes dhe deklarimit zyrtarisht të demokracisë në 1991. Kjo psikologji, ka bërë që ligjet e miratuara pas 1991, t’a konsiderojnë pronën e grabitur nga komunizmi si pronë në dispozicion të qeveritarëve dhe si të tilla t’a përvetësojnë, ta dhurojë apo privatizojnë atë sipas interesave personale, klanore dhe elektorale. Shtypi shqiptar ka dokumentuar vazhdimisht se politikanët dhe gjyqtarët janë pasuruar me shpejtësi dhe në mënyrë të pajustifikushme. Korrupsioni me pronat dhe kryesisht me trojet në zonën turistike, kanë nxitur lakmine dhe luftën për pushtet në Shqipëri sepse pikërisht ky të pasuron. Kështu ka ndodhur dhe ky është shkaku pse lufta për pushtet në Shqipëri është kaq e ashpër.
Maxhorancat e derisotme nuk e kanë zbatuar nenin 41 dhe 181 të Kushtetutës, nene që sanksionojnë kthimin fizik të pronës së trashëguar dhe kompensim vetëm kur prona është tjetërsuar për nevoja publike. Për 23 vjet, politikanët, nëpërmjet AKKP-ve, vendimeve absurde të gjykatave, vendimeve dhe ligjeve për legalizim dhe çdo mënyrë tjetër, e kanë penguar kthimin fizik të pronës pronarëve trashëgimtarë, duke pretenduar se zgjidhja do të bëhet nëpërmjet kompensimit. Ky është dështim i programuar.
Zbatimi arbitrar i standarteve të shumëfishta, në kudërshtim me parimet morale dhe kushtetuese, ka për pasojë që familjet janë futur në konflikt të përjetshëm dhe në gjak me njëra tjetërën. Konfliktet për pronën siç është deklaruar në Kuvendin e Shqipërisë edhe nga Kryeministri Edi Rama, kanë shkaktuar mbi 8200 viktima. Ky është konsideruar bilanc lufte edhe më parë nga deputetët në seancat e parlamentit , por me sa duket nuk e ka shqetësuar Kuvedin e Shqipërisë. Çuditërisht ky problem nuk tërheq vëmendjen e duhur të disa përgjegjësve të disa organizmave ndërkombëtarë të rëndësishme prezent në Shqipëri. Pasojat kuptohen: megjithëse Shqipërisë iu dha statusi i kandidatit në BE ajo mbahet larg Europës ndër të tjera për shkak të politikës së gabuar me pronat. Veç mëkateve të politikanëve tanë, zgjatja edhe për 23 vjet e sistemit diktatorial mbi pronat tona, është pasojë e qendrimit të gabuar edhe të disa instancave ndërkombëtare që kanë nënvleftësuar rëndësinë që ka zgjidhja e çështjes së pronës për ndërtimin e një demokracie dhe sistemi kapitalist të mirëfilltë në Shqipëri.
Ish kryeministri Sali Berisha, personi që ndërtoi anarkinë post komuniste me pronën, pas 23 vjetësh, u detyrua t’a pranojë përgjegjesinë dhe deklaroi në intervistë televizive se: “ Klasa Politike Shqipëtare me ligjin 7501 ka GABUAR ”. por edhe pas këtij deklarimi opozita vazhdon të heshtë për korigjimin e gabimeve dhe pasojave të kësaj politike të gabuar.
Platforma e maxhorancës dhe Qeverisë së Kryeministrit Edi Rama, për zgjidhjen e problemit të pronave nëpërmjet kompensimit, është vazhdim i rrugës së gabuar të Sali Berishës. Drejtori i Bankës Botërore Z.Lahi, është shprehur se “Kompensimin e pronave në Shqipëri, s’ka buxhet që e përballon…”, por nuk paraqet zgjidhje tjetër dhe çuditërisht nuk shprehet për kërkesat tona të përsëritura. Zv/Minitri i Drejtesisë z. Peçi në Komisionin e Ligjeve deklaroi se : “ …nëse vazhdohen të jepen vendime të tilla nga Strasburgu, atëherë rrezikohet falimentimi i shtetit Shqiptar..” por edhe Ministria e Drejtësisë nuk ka treguar vullet për zgjidhjen e problemit ndofta duke menduar se ka rënë në ujdi me KE.
Gjykata e Strasburgut, të cilën gjejmë rastin ta falenderojmë, është i vetmi institucion që nuk ka përkëdhelur mungesën e shteti ligjor dhe ka vazhduar të zbardhi vendimet për pronarët por me gjithë këtë politikanët akoma nuk po arsyetojnë.
Shoqatat “Pronësi me Drejtësi” dhe “Bregdeti” shumë herë dhe prej shumë vitesh i kanë denoncuar aktet ligjore për pronat që janë në kundërshtim me Kushtetutën, si dhe vendimet e fundit të Qeverisë për të paisur me çertifikata pronësie pseudopronarët e fabrikuar nga zbatimi i asaj pjese të ligjit 7501, që është e gabuar dhe antikushtetuese, ashtu siç janë të gabuara ligjet për privatizimet dhe legalizimet e ndërtimeve pa leje për të pronësuar persona të tretë në zonat turistike, apo mos veprimet e policisë ndërtimore për personat e tretë që kanë pushtuar pronat e të tjerëve. Kjo maskaradë duhet të marri fund.
Në Apelin që dy shoqsatat i kemi drejtuar zotit Stefan Fyle, ambasadërëve të BE, OSBE, B.Botërore, FMN dhe gjithësej 54 institucioneve të tjera në Mars 2013 kemi përfuduar me këtë pyetje: “Edhe sa jetë të tjera njerëzish do të duhet të humbasin nga abuzimi kriminal me pronat, edhe sa dekada të tjera abuzimi kriminal të të drejtave pronësore duhet të kalojnë, edhe sa herë më shumë të pasur në mënyrë korruptive për shkak të abuzimit me të drejtat pronësore klasa politike dhe sistemi gjyqësor shqiptar do të duhet të jenë para se komuniteti ndërkombëtar të ndërhyjë për një çështje kaq ekzistenciale për një komb?”
Apelit të Marsit 2013 i bashkangjitëm një projektligj, hartuar nga specialistët tanë, i cili përmbledh dhe zevendëson me një ligj të vetëm duzinat e ligjeve e rregulloreve aktualisht në fuqi (projektligji është publikuar në adresën www.defendingproperty.com). Llogjikisht është e qartë, se nëse toka kthehet sipas dokumentave të shtetëzimit tek pronari që e trashëgon dhe kompensimi bëhet për pronat e tjetërsuara për nevojat publike sipas Kushtetutës, siç e kërkon projektligji ynë, problemet zgjidhen përfudimisht nga Shteti dhe detyrimi financiar i Shtetit për kompensim bëhet gati ZERO. Por ky projektligj ka rënë në vesh të shurdhër. Rikujtojmë se kjo zgjidhje duhej të ishte bërë 21 vjet më parë, në 1993, me projektligjin e paraqitur nga shoqata “Pronësi me Drejtësi”, i cili u sabotua nga deputetët e kohës. Edhe letër pozicionimi për pronën dërguar në 11 Nëndor 2013 Komisionit Europjan dhe ambasadorëve nuk ka gjetur jehonën e shpresuar.
Me keqardhje shikojmë se disa nga Ambasadorët përfshi ata të BE dhe OSBE tematizojnë probleme të pa zgjidhura siç janë marveshja mes maxhorancës dhe opozitës për probleme të ndryshme por anashkalojnë kthimin e pronës tek i zoti dhe justifikohen, duke e inkluduar atë në problemin e përgjithshëm të korrupsionit. Prona meriton të evidentohet si kusht prioritar, sepse respektimi i saj është tregues objektiv i nivelit të zhvillimit të demokracisë dhe rendit kapitalist. Dënimet prej Gjykatës së Strasburgut nuk mund të zëvendësojë mungesën e moralit dhe vullnetit politik shqiptar për të mbyllur këtë burim të korrupsionit pushtetar që vazhdon prej vitit 1991.
Për sa më sipër ne apelojmë përsëri para ambasadorit të B. Botërore dhe FMN, Ambasadorit të SHBA, Delegacionit të BE, OSBE-së, KiE, si dhe gjithë Ambasadorëve të vëndeve të Bashkimit Europian në Tiranë, që marrëdhëniet me Qeverinë Shqiptare ti kushtëzojnë me zbatimin e Kushtetutës së Republikës për kthimin fizik dhe të pronës dhe kompensim konform Kushtetutes dhe dhënien fund qëndrimeve elektorale dhe klanore.
Apelojmë edhe një herë para Presidentit, Kryetarit të Kuvëndit, Kryeministrit, Gjykatës Kushtetuese, Avokatit të Popullit e gjithë Institucioneve të tjera qëndrore, që të ushtrojnë përgjegjësitë dhe detyrimet që u ka ngarkuar kushtetuta, në veçanti nenet 41 dhe 181, lidhur me të drejtën e pronësisë.

Kryesia e Shoqatës Kombëtare të të Shpronësurave” Pronësi me Drejtësi”
Kryesia e Shoqatës “Bregdeti”
“PRONËSI ME DREJTËSI”ASSOCIATION “BREGDETI” RIVIERA ASSOCIATION
Defending Property, Pursuing Justice
http://www.defendingproperty.com
P.O. Box 285/8195 Tirana, Albania P.O. Box 258/8195 Tirana, Albania
Phone: 355 33 22 48 83 Phone: 355 69 692 22 51
pronesi_me_drejtesi@yahoo.com shoqatabregdeti@yahoo.com

*KJO DEKLARATË PËR SHTYP QE PO I A NISIM GAZETES DIELLI NE SHBA, I ESHTE DERGUAR DHE TRUPIT DIPLOMATIK NE TIRANE

Filed Under: Opinion Tagged With: deklarate, dhe Bregdeti, Shoqata pronesi me Drejtesi

Sa e bukur na ka dalë nusja…

July 25, 2014 by dgreca

Disa orë të këndshme mes këngëve dhe valleve të bukura shqiptare në dasmën e Zef & Mrika Kçira në New York/
Nga Klajd Kapinova/
BRONX, New York. Dasmat, janë një gëzim i papërshkruar në komunitetin e madh shqiptaro-amerikanë në New York.
Shqiptarët, që jetojnë dhe punojnë në Amerikë, përmes lidhjeve të reja martesore, brenda komunitetit të tyre apo nga vendlindja, ruajnë më shumë vijimsinë e traditës së Atdheut të përbashkët, ku u përcjellin më tej brezave të rinj: gjuhën e bukur shqipe, kulturën e larmishme të zonave dhe trevave të ndryshme, zakonet e vjetra arbërore, traditat e lashta, nga të gjithë trojet etnike shqiptare nga kanë ardhur prindërit e tyre. Kjo vijimësi, është e pandreprerë për shumë dekada, qysh se kur emigranti i parë shqiptar zbriti (në Boston), për një jetë më të mirë dhe lirë në tokën e bekuar të Amerikës…
Një ditë e paharruar plot emocione gëzimi, do të mbetet për çiftin e ri Zef dhe Mrika Kçira, dita e diele, në orët e mbasditës, kur të dashuruarit zbritën nga limozina e bardhë, të shoqëruar nga ndrikulla dhe kumbara e qindra miq dhe të afërm të familjeve Berisha dhe Kçira, që kishin ardhur për të marrë pjesë në meshën e shenjtë, mbas së cilës vendosën kurorën e martesës, në prani të Zotit.
Gjatë vijimit të ceremonisë në kishë, babai i vajzës aktivisti i komunitetit tonë Zef Berisha nën tingujt e bukur të muzikës klasike kishtare, ecte ngadalë, duke pasur në krah vajzën e vet të veshur me fustanin e bardhë të nusërisë, e shoqëroi atë deri pranë altarit, ku qëndronte në pritje dhëndërri elegant Zef Kçira. Babai e përqafon vajzën e vet dhe ia dorëzon dhënderrit, duke i uruar trashigime dhe jetë të lumtur sëbashku me vajzën e tij.
Ata të veshur hijshëm, hyjnë dhe zenë vendet e tyre në Kishën Katolike Shqiptare “Zoja e Shkodrës” dhe ndoqën me kujdes meshën e shenjtë, që dha për të gjithë besimtarët dhe çiftin e ri meshtari Dom Viktor Deda.
Bariu shpirtëror me një buzëqeshje fisnike afrohet pranë çiftit Kçira dhe bën lutjet e rastit, për kurorën e martesës, duke bekuar të rinjtë dhe më pas Zef Kçira & Mrika Berisha, ndërrojnë unazat e martesës, si shenj e dashurisë dhe besinikërisë ndaj njeri-tjetrit për gjithë jetën…
Sërisht, vargu i gjatë i makinave dhe limozinave luksoze, të zbukuara me lule dhe fiongo shumëngjyrëshe, marrin drejtimin drejt parkut të bukur, ku, çifti dhe dasmorët shkojnë për të bërë fotografitë e përbashkëta, pranë bukurive mahnitëse të brigjeve të Oqeanit Atlantik.
Në orën 6 p.m. të ditës së diele, restoranti luksoz “Maestro’s”, që ndodhet në Bronx New York, ishte i mbushur plot më miq të shumtë dhe të afërm të dy familjeve Kçira dhe Berisha. Në hyrje të restorantit shumë të bukur italian, qëndronin të zotët e shtëpisë së dy familjeve, të cilët, u uronin mirëseardhjen miqve, shokëve dhe të afërmve të çiftit të ri.
Në sfond ishte vendosur grupi muzikor me këngetarin e mirënjohur të komunitetit tonë Gëzim Nika, i cili, gjatë gjithë kohës argëtoj me muzikë popullore tradicionale shqiptare nga treva të ndryshme të krahinave dhe qyteteve të vendlindjes, i cili, gjithnjë u shoqëruar me ovacione dhe duartrokitje të zjarrta. Ai gjatë gjithë natës mjeshterisht preku në zemër ndejnjat shqiptare me muzikë dasmash dhe popullore.
Një traditë e re, ka hyrë në dasmat shqiptare. Kështu familjet shqiptare këtu në Amerikë dhe në gjithë trojet e Shqipërisë etnike, po bëjnë dasma të përbashkëta, mbasi edhe gëzimi e hareja për martesën e çiftit është i përbashkët.
E veçanta e dasmës, ishte se çifti i ri vinte nga dy krahina të ndryshme të trojeve arbërore. Zef Kçira, një i ri i shkolluar vjen nga një familje fisnike nga Zhubi i Gjakovës, buzë kufirit artificial Shqipëri-Kosovë, kurse bashkëshortja e tij njujorkeze zonjusha Mrika Berisha, me të cilën ai sot po martohet, është një vajzë e bukur, elegante dhe shumë e kulturuar, e cila me sukses ka mbaruar studimet e larta në New York. Kjo familje është shumë e mirënjohur në komunitetin e madh shqiptaro-amerikanë në New York.
Gjatë kohës së rregjimit komunist në Shqipëri, gjyshi i Mrikës antikomunisti Gjokë Dedë Berisha dhe shumë nacionalistë të tjerë, për arsye të bindjeve politike antikomuniste është arratisur nga Shqipëria, dhe mbas shumë peripecive është vendosur përfundimisht në SHBA. Ai me familjen e tij kalon perden e hekurt në vitin 1952, në drejtim të ish Jugosllavisë. Babai i Mrikës Zef Berisha ka lindur në Galicë të Drenicës Kosovë, i cili, sëbashku me prindërit e tij dhe shumë vëllezër dhe motra emigrojnë në SHBA.
Zefi, më vonë martohet me Marte Deda nga Kosova, ku, sot kanë tre djem dhe tre vajza, të lindur të gjithë në New York.
Sot njëra prej vajzave Mrika, po martohet, mes këngëve dhe valleve të bukura popullore shqiptare në zemër të New York-ut.
Këngëtari i famshëm Gëzim Nika, në orën 9:00 të mbrëmjes, ftoi të hyjnë në sallën e dasmës së madhe, njëri mbas tjetrit përcjellësit e nuses dhe dhëndrrit. Në fillim më flamujt e mëdhenj shqiptarë dhe amerikanë, fton dy flamurtarët: Kastriot Sylën dhe Nikollë Mrijajn, të cilët i vendosin simbolet kombëtare në sofrën kryesore të çiftit të ri.
Nën tingujt e melodive të bukura të muzikës shqiptare, hyjnë në sallë: babai i dhëndrrit Ndrecë Kçira, i shoqëruar nga vajza e tij Arieta, dhe mbas tyre vijnë prindërit e nuses: Zef e Marte Berisha, dasmoresha Lumja me bashkëshortin e saj Lon Sylën; vëllai i dhëndrrit Besnik dhe Antoneta Kçira.
Sërisht një varg i vajzave të bukura dhe djemëve elegantë, vijnë njëri mbas tjetrit, të cilat quhen edhe shoqëruesit e çiftit të ri: Valentina & Viktori, Zoja & Gjoka, Donika & Gjoni, Tereza & Arbeni, Monica & Danny, Isabella & Mikey, Abigail & Robert, Teresa & Vincent, Kathy & George, Francina & Tino, Lora & John Paul, Margarita & Gjin, Bernadetta & Besnik, Rita & Paul, Sofia & Kris; kumbara dhe ndrikulla: Paul & Rita Juliano; fëmijë e luleve Adrian & Melissa dhe sëfundi hyjnë ëmbëlsira e dasmës çifti i ri Zef & Mrika Kçira.
Mbas vallëzimit të porsamartuarve me përcjellësit e tyre, fjalën në emër të dy familjeve e merr kumbara i familjes Berisha dhe njëherazi i afërm i familjes Kçira, aktivisti i mirënjohur i komunitetit tonë në New York, publicist dhe stuiduesi Tomë Mrijaj, i cili, ndër të tjera tha: “Sot e ndjej vetën i privilegjuar, sepse dy familjet, në atmosferën shumë festive, po martojnë fëmijët e tyre. Unë, i afërmi i familjeve: Kçira dhe Berisha, ndaj të njëjtin gëzim sëbashku me familjet e çiftit të ri Zefit & Mrikës, ku nga zemra të gjithë ju zonja dhe zotërinj, miq e dashamirë të dy familjeve, ju dëshirojmë mirëseardhjen në gazmendin tonë, ku, prania e juaj e shton dhe gëzimin e familjeve tona. Lusim Zotin, që të gjithë juve t’ua kthejmë në raste të tilla gëzimi në familjet tuaja. Uroj nga zemra miqsinë e përtërime mes dy familjeve, që sipas traditave shqiptare të kenë miqsi dhe dashuri të përjetshme. Nga zemra formuloj urimin më të ngrohtë për çiftin e ri Zefin & Mrikën, duke u uruar jetë të gjatë dhe të lumtur në çdo hap të jetës…”
Shpesh u ndërpre përshëndetja nga duatrokitjet, për fjalët e zgjedhura të z. Mrijaj, në adresë të familjes dhe çiftit të ri. Më pas ai shtoi, se: “Martesat e tilla mes dy të rinjve shqiptare sikurse janë sot Zefi & Mrika, kanë rëndësi të madhe në ruajtjen e gjuhës dhe traditave të të parëve tanë ndër shekuj…”
Me fjalë emocionuese studiuesi Mrijaj, përcolli në vijim porosinë (amanetin) e kryetarit të familjes Berisha, Ndue Gjokë Berishës, i cili, para disa ditëve u nda nga jeta.
“Ndue Gjokë Berisha, duke e parë shendetin e tij, i la porosinë vëllait të tij Zefit, që gëzimi të përcillet me gëzim. Për këtë burrë të madh, flet edhe aktivisti i shquar i komunitetit shqiptaro-amerikanë pinjolli i familjes së mirënjohur korçare, i biri i intelektuali të shquar Xhevat Korça, personalitet i mirënjohur në nivelet më të larta intelektuale dhe të bisnesit në SHBA Genc Korça (Gene X. Kortsha), në librin e tij: “One Man’s Journey to Freedom” (Escape From Behind the Iron Curtain”, Joseph Karl Publishing, Rochester, Michigan, 2010), ku, ndër të tjera, me shumë respekt përshkruan në kujtime e tij, në bjeshkët e thepisura të Veriut të Shqipërisë, në dhjetor të vitit 1952, bujarinë dhe mikpritjen tipike shqiptare të familjes Gjokë Dedë Berishës dhe djalit të madh të tij Ndue Gjokës, i cili, nuk ishte më shumë se 12 vjeç, kur z. Genc Korça më shumë nacionalsitë të tjerë ishte strehuar në shtëpinë e tyre. Sikurse kujton autori, Ndoi i Ri, ishte shumë i burrëruar, i dashur e i gatshëm për t’i ndihmuar çetat nacionaliste liridashës, që vepronin asokohe në malet e Shqipërisë, duke vënë edhe familjen e vet në rrezik nga Forcat e Ndjekjes së Sigurmit Komunist të diktatorit Enver Hoxha. I tillë ishte dhe mbeti deri sa mbylli sytë në SHBA aktivisti Ndue Gjokë Berisha, i cili, ka lënë emër shumë të mirë në komunitetin tonë.”
Më pas fjalën përshëndetëse e mori dhëndrri i familjes Berisha italo-amerikani Paul Juliano, që njëkohsisht është edhe kumbara i çiftit të ri Zefit & Mrikës. Zoti Paul Juliano, është figurë e njohur në administratën amerikane dhe posaçërisht në Shtetin e New Jersey-it, ku, kryen detyra të larta.
Në një mesazh shumë të bukur, që ai nga zemra kishte hartuar për familjen Berisha dhe çiftin e ri Zef & Mrika Kçira, tha: “Unë, pata një fat shumë të mirë, mbasi u martova me një vajzë shqiptare nga familja Berisha dhe mu dha mundësia të njihem nga afër me Shqipërinë, Kosovën, me traditat, zakonet, kulturën e popullit tuaj të lashtë. Ndjehem shumë krenar, që familja e re Zef & Mrika Kçira, shprehën dëshirën, që unë dhe bashkëshortja ime Rita të jemi kumbarë të tyre.”
Një skulpturë e bukur dhe e madhe prej akulli, ishte vendosur pranë tavolinës së çiftit, ku, binin në sy një çift pëllumbash mbi një zemër të madhe.
Këngë, valle, muzikë, ushqime të larmishme shqiptare dhe amerikane, vijuan deri në orët e vona të natës, ku, më pas erdhi momenti më i bukur i ndarjes së tortës, në maje të së cilës ishte çifti i ri.
Zefi & Mrika, tashmë kanë prerë biletat e udhëtimit drejt ishullit të bukur të Karaibeve, për të kaluar muajin e mjaltit…

Filed Under: Reportazh Tagged With: Klajd Kapinova, na ka dale nusja, sa bukur

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 13
  • 14
  • 15
  • 16
  • 17
  • …
  • 34
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Dashuria që e kemi dhe s’e kemi
  • “Jo ndërhyrje në punët e brendshme”, dorëheqja e Ismail Qemalit, gjest atdhetarie dhe fletë lavdie
  • Arti dhe kultura në Dardani
  • Gjon Gazulli 1400-1465, letërsia e hershme shqipe, gurthemeli mbi të cilin u ndërtua vetëdija gjuhesore dhe kulturore e shqiptarëve
  • “Albanian BookFest”, festivali i librit shqiptar në diasporë si dëshmi e kapitalit kulturor, shpirtëror dhe intelektual
  • VEPRIMTARI PËRKUJTIMORE SHKENCORE “PETER PRIFTI NË 100 – VJETORIN E LINDJES”
  • 18 dhjetori është Dita Ndërkombëtare e Emigrantëve
  • Kontributi shumëdimensional i Klerit Katolik dhe i Elitave Shqiptare në Pavarësinë e Shqipërisë 
  • Takimi i përvitshëm i Malësorëve të New Yorkut – Mbrëmje fondmbledhëse për Shoqatën “Malësia e Madhe”
  • Edi Rama, Belinda Balluku, SPAK, kur drejtësia troket, pushteti zbulohet!
  • “Strategjia Trump, ShBA më e fortë, Interesat Amerikane mbi gjithçka”
  • Pse leku shqiptar duket i fortë ndërsa ekonomia ndihet e dobët
  • IMAM ISA HOXHA (1918–2001), NJË JETË NË SHËRBIM TË FESË, DIJES, KULTURËS DHE ÇËSHTJES KOMBËTARE SHQIPTARE
  • UGSH ndan çmimet vjetore për gazetarët shqiptarë dhe për fituesit e konkursit “Vangjush Gambeta”
  • Fjala përshëndetëse e kryetarit të Federatës Vatra Dr. Elmi Berisha për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë në Seancën Akademike kushtuar 100 vjetorit të lindjes së Peter Priftit

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT