Opinion nga Faik KRASNIQI/Prishtine/
Pikë së pari duhet theksuar se Kryetari i LDK-së z. Isa Mustafa, u zgjodh në mënyrë të ligjshme me 65 vota kryetar i Kuvendit, si dhe dy nënkryetarët z.Glauk Konjufca dhe zonja Duda Balje. Kjo gjë s’mund të zhbëhet për një arsye: sepse 120 deputetët e Kuvendit bën betimin dhe ishte vullneti i shumicës për t’i zgjedhur organet e Kuvendit, kryetarin dhe dy nënkryetarët. Kështu që do të ishte kundër vullnetit të shumicës dhe shkelje e Kushtetutës nëse çdo gjë kthehet nga pika ”zero”. Puna e konstituimit të Kuvendit ka marrë fund, pavarësisht veprimit skandaloz të Gjykatës Kushtetuese. Kthim prapa nuk ka. Me këtë fakt duhet të pajtohet edhe koalicioni i PDK-së, por edhe filiali i saj juridik Gjykata Kushtetuese që po merrë vendime arbitrare dhe të njëanshme në favor të PDK-së.
”Topi” është tek Presidentja!
Presidentja Jahjaga pa nevojë është futur në konflikt me koalicionin LDK-AAK-NISMA. Shqetësimet e koalicionit LDK-AAK-NISMA, janë shumë të arsyeshme duke parë veprimet e saja të njëanshme, të pamatura dhe shpesh herë të çuditshme. Veprimet e njëanshme të Presidentes nuk kanë qenë shqetësuese vetëm për koalicionin, por edhe të popullit.
Duke e parë indiferencën e Presidentes ndaj zhvillimeve të fundit, është shumë i arsyeshëm që koalicioni LDK-AAK-NISMA ka ngritur dyshimin për paanshmërinë e saj. Presidentja e Kosovës si e para e vendit, nuk duhet të rrijë indiferente për çdo çështje madhore. Ajo për çëshjet e mëdha duhet të reagojë, në bazë të kompetencave që i ka.
Nuk është e arsyeshme që ajo t’i drejtohet Gjykatës Kushtetuese për çdo gjë. Kur ka pranuar të jetë Presidente e një shteti, ajo është dashur ta dijë që posti i Presidentit është me përgjegjësi të madhe dhe përgjegjësisë nuk guxon t’i ikë për t’i zgjidhur problemet madhore, e aq më pak një ngërçi politikë të shkaktuar nga PDK-ja dhe ”filiali” i saj juridik Gjykata Kushtetuese. Një pjesë të fajit për këtë ngërç politikë e ka edhe Presidentja Jahjaga. Pikë së pari ajo s’ka pasur nevojë t’i dërgoj pyetje fare Gjykatës Kushtetuese, por në bazë të kompetencave që i ka, t’i thërras koalicioniet që kanë shumicën për kirjimin e Qeverisë. E dyta, Gjykata Kushtetuese nuk është e thirrur t’i komentojë çështjet politike, kështu që Presidentja Jahjaga ka bërë shkelje të ligjit duke iu drejtuar Kushtetuesës.
”Tash ‘topi” është tek Presidentja Jahjaga dhe asaj i takon që ta zgjidh këtë ”ngërç” politikë të shkaktuar nga PDK-ja dhe ”filiali” i saj juridik Gjykata Kushtetuese. Çdo gjë tash varet nga Presidentja dhe ajo si e para e vendit në bazë të kompetencave që i ka duhet të reflektojë, e jo të rri duarkryq. Presidentja Atifete Jahjaga në bazë të kompentecave që ka, ajo duhet ta thërras koalicionin që ka shumicën ta mandatojë për krijimin e Qeverisë. Për të mos humbur më shumë kohë, Presidentja Jahjaga duhet ta thërras koalicionin që ka shumicën dhe mund ta krijojë Qeverinë. E, duke e ditur që PDK-ja respektivisht koalicioni i PDK-së nuk i ka numrat e nevojshme, atëherë ajo duhet ta mandatojë koalicionin LDK-AAK-NISMA për krijimin e Qeverisë. Kosova s’ka nevojë të shkojë në zgjedhje të jashtëzakonshme vetëm për dëshirat e PDK-së, kur kemi koalicionin LDK-AAK-NISMA që ka votat e mjaftueshme për krijimin e Qeverisë. Nëse Presidentja Jahjaga donë t’i evitojë zgjedhjet e jashtëzakonshme dhe të tregoj se me të vërtetë është e paanshme, ajo duhet ta mandatojë koalicionin LDK-AAK-NISMA për krijimin e Qeverisë. Nëse ajo vepron ndryshe, me të vërtetë do të ishte skandaloze dhe antikushtetuese, dhe me këtë do tregonte se edhe ajo sikurse Gjykata Kushtetuese është vegël e PDK-së. Kam bindjen se Presidentja Jahjaga s’do të bie pre e provokimeve dhe kërcënimeve të koalicionit të PDK-së, por do të veprojë sipas vullnetit të shumicës së deputetëve të Kuvendit të Kosovës.
Archives for July 2014
Justin Timberlake, mbreti i ri i muzikës POP
Rreth koncertit të J T në Montreal në kuadrin e turneut botëror 20 / 20/
Nga Ajet Nuro, Montréal,Kanada/
Pas mbi 8 muajsh pritjesh, pasi koncerti në Montreal fillimisht ishte paraparë në tetor 2013, admiratorët e Justin Timberlake, mundën të shijojnë një koncert në lartësinë e pritur dhe ndoshta edhe më shumë. Jo vetëm se Justin Timberlake u bëri homazhe dy figurave mitike të muzikës si Elvis Presley e Michael Jackson mais nga ky i fundit, muzika dhe mënyra e paraqitjes në skenë Timberlake ka marr shumë, por gjithë paraqitja e Timbërlake lë të mendosh se ai është sot mbreti i muzikës POP.
Një zë i jashtzakonshëm
Timberlake është i njohur për albumet e suksesshme por kur e dëgjon « live » ai është edhe më tërheqës me zërin e tij sidomos kur këndon akapela. Sidoqoftë, ai i la shumë vend publikut në koncertin e tij duke e ftuar të këndoj me të këngët që publiku, sidomos të rinjtë i njihnin për mendësh. Siç u shpreh edhe vet në skenë, Montreali i rezervoi një pritje të paparë gjatë turneut t ë tij botëror.
Timberlake shkelqen edhe si instrumentist teksa ai shoqëron disa nga këngët e tij në piano dhe kitarë për të mos folur për talentin e tij koreografik që i ngjan aq shumë lëvizjeve në skenë të Mickael Jackson.
Zgjidhje skenike
Për të qenë edhe më afër publikut, Timberlake kishte paraparë një pjesë të skenës në formë shkalle gjigante të levizshme që kalonte përsipër spektatorëve në zonën përdhé dhe që u afrohej spektatorëve në anët tre anêt e tjera të sallës. Në një moment artisti zbriti në sallë shumë afër spektatorëve për t’i përshëndetur e për të kënduar me ta.
The Tennessee Keds
Suksesi i Timberlake qëndron edhe tek banda e tij The Tennessee Kids që integrohen në çdo këngë të tij si nga ana muzikale edhe nga levizjet në skenë nëpërmjet vallëzimit apo numrave të tjerë koreografik.
Komunikim i shkëlqyer
J T është shumë komunikues me publikun. Jo vetëm duke e ftuar të këndoj apo duke e falenderuar por edhe me humorin e tij ai i bëri spektatorët për vete. Kështu, pasi i uroi një spektatoreje ditëlindjen dhe ajo e emocionuar filloi të qaj, ai iu drejtua të mos qante se ishte herët. « Ti duhet të qash në orën 3 të mëngjesit pasi të kesh pirë mirë… » dhe filloi të imitoj të dehurin…
Me interpretimin e MIRRORS u mbyll kjo mbrëmje, një nga dy koncertet e Justin Timberlake në Montreal, një sukses i padiskutueshëm i mbretit të ri të muzikës bashkëkohore.
Montreal, Kanada
Korrik 2014
KOSOVA DHE UNIVERSI LIRIK I VARGUT TË KRISTALTË
(Gentiana H. Muhaxhiri, Heshtje e trazuar, Amanda Edit, Bukuresht 2014)/
Shkruan nga Bukureshti:Baki Ymeri/
Ja edhe një vepër e re e një autori nga Kosova që e sheh dritën e botimit në Bukureshtin e rilindësve tanë! Sipas autorit të parathënies (Daniel Marian), metafora e poemave të Gentianës është e interpretuar si një rrugë e ekzistencës apo e artit, një rrugë simbolike e përshkuar ndërmjet realitetit dhe poezisë. Duke cituar eseisten Carmen Firan lidhur me Fuqinë e fjalëve, konstatojmë se fjala e përshtatshme në momentin e përshtatshëm, përfaqëson provokimin që e propozon krijuesi, duke i dhënë prioritet funksioneve të gjuhës poetike, artit të komunikimit dhe shpëtimit shpirtëror përmes përforcimit të forcës së fjalës, e aftë të na influencojë fatin dhe të na optimizojë ekzistencën.
Një mendim i tillë shkon edhe në adresë të Gentianës. Si mund ta shfrytëzojmë metaforën për të tejkaluar përkufizimet, për t’u çliruar nga tmerret e jetës dhe për t’u pajtuar shpirtërisht me vetveten? Cili është roli i metaforës shëruese në jetën e përditshme dhe si mund ta bëjmë atë aleate? Andrei Codrescu nga SHBA, thekson se në momentet kur një botë e vjetër shpartallohet dhe një tjetër e re ngrihet mbi themelet e saj, fenomene të çuditshme e shndrisin qiellin. Kështu ngjet edhe me Kosovën. Është koha kur shkrimtarët e bekuar me dhuntinë e kundrimit dhe me shansin e përkushtimit, e zbusin penën në materien stelare duke konfiguruar ardhmërinë.
Gentiana Muhaxhiri ka edhe talentin, edhe ndjenjën e kohës. Dëgjon në poezinë e saj se si kthehet rrota e kohës, e sheh se si ndryshojnë gjendjet, përjetimet, provokimet. Ndjen përpjekjen e dhembshme të njerëzve për të shpëtuar nga tirania e historisë, duke e gjetur shpëtimin në krahët e dashurisë. Ajo e boton librin e saj, i dyti apo i treti sipas radhës, në moshën më të bukur të jetës. Vargu i saj ta përkujton pasditen e një engjëlli, heshtjen e trazuar, shkrumbin e një kohe të perënduar, iluzionet e një parajse të re. Pse? Sepse, sipas saj: „Hapave të vargut të kristaltë/ E tashmja më flakëzon pranë vetes/ Jam ëndrra, jam hiri, jam bija e saj”.
Tejtamatë vetvetes kur dielli i ri e sjell qetësinë time
Nga një diskurs i zgjedhur deri në përshkimin e fjalëve sipas prejardhjes së koncentruar të ekzistencës, dhe në të njëjtën kohë e ndërgjegjësuar, e matur, me një nivel të lartë linguistik, lind poezia e qartë. Rrugët janë të shumta, por të gjitha duke patur për qëllim të përbashkët shkreptimën e atyre ideve të transponuara mbi faqen e paprekur kurrë më parë nga nënhija e penës. Libri i Gentiana Muhaxhirit përfaqëson një univers lirik të magjepsur, absolutisht mahnitës, ku jeta, vdekja, pasioni, vuajtja dhe koha, janë të përshkruara definitivisht nga një vetëdije poetike e denjë për ta admiruar.
Nëse nuk dimë nga ta kapim të paparashikueshmen, nganjëherë madje të pamundshmen, kurse në një moment të dhënë edhe infinitin, atëherë me siguri duhet të kërkojmë „Përtej vetvetes”: “Copëzohem shkrumbeve të së kaluarës/ Hapave të vargut të kristaltë/ E tashmja më flakëzon pranë vetes/ Jam ëndrra, jam hiri, jam bija e saj”. Ja pra, një poezi që zhvillon përreth bërthamës së saj një atmosferë të ritualit dhe magjisë, një përvojë milenare të një shpirti të ri e të frymëzuar.
E ardhur me dëshirën për të përcaktuar gjërat dhe për t’i shpënë ato nga ngjyra e përhirtë drejt universales, jo medoemos të definuara, por me siguri në pragun e definimit, Gentiana rimemoron rrënjët drejt një kërcelli të tërë, një trung i famshëm që të magjeps me kalimin e kohërave. „Heshtja e zgjuar” mund të kundrohet dhe kuptohet si një fakt, si një rifabrifikim i të pathënave, i shmangieve, i përpjekjeve të rënda për hulumtim, i interseksioneve të shkëputura dhe të dëshmuara të jetës. Mu për këtë duhej të ekzistojë „Dielli i ri”. Thjeshtë dhe natyrshmërisht, ashtu siç duhet të jetë sublimja: „Kërkoj një flakë/ Kalldrëmeve të qytetit tim/ Një flake/ Dhe ta flak tutje çdo trishtim/ E nesër/ Një tjetër diell le të lindë/ Të ma kthejë sërish/ Flakën e shpirtit tim”. Prej këtu fillon aspekti i një bote ku çdo gjest të shpie në kotarin e një kuptimi simbolik.
Pa patur asnjë gjurmë konfuzioni, zemërimi vazhdon gjithsesi i pazbutur. Del në pah nevoja kategorike për një qetësi magjike: “Mes rrugësh të krisura/ Që s’çajnë kokën për ne/ Mes qiejsh që zemërimin/ Hedhin me rrufe/ Të gjeta ty/ Qetësi e grisur e shpirtit tim.” (Qetësia ime). Është qetësia e poetes, e pahomologuar në kalendarët e shpirtit, madje as në muzeumet e memories. Është qetësia e kundruar nga një këndvështrim i shpirtit absolut. Shqetësimi i Gentiana Muhaxhirit përfaqëson vokacionin poetik për të gjetur motive të reja të vuajtjes, për zbutjen e tyre. Është një urë e shëndetit për purifikimin e mundimit.
Mrekullia e kalimit nëpër shtresat e jetës ndahet ndërmjet emancipimit të pa fshehur, i përforcuar me barrën e përditshmërisë, duke arritur deri te zhgënjimet e natyrës: “Mos ma hesht fjalën qyteti im/ Të përgjërohem/ Në agimet e panumërta/ Që pritëm të dy// Fjalën mos ma hesht/ Se më rrënohen kështjellat e durimit/ Se rrënohemi vetë/ E s’i ik dot zhgënjimit” (Mos ma hesht fjalën), – dhe ja më në fund kundërshtimi i kristalizuar, kur „Mbi heshtje vara dhimbjen/ Dhimbja heshti/ Heshti dhe cicërima përtej/ E diku larg kënga ndali fjalën/ Melodi e zbrazët si nata/ Tha diçka/ Diçka tha…/ Por qyteti i mbylli dyert e fjalës”. (Pa fjalë). Autorja sjell kështusoj një qetësi të trazuar e të përbujshme, e denjë për të lindur pyetje e përgjigje, kujtime nga paraekzistenca e heshtjes, të gjitha në një amallgamë përfytyrimesh dhe gjendjesh ekstraordinare (të jashtëzakonshme).
Ajo “Melodi” nuk do të mbarojë kurrë. Mbetet si një jehonë në drejtim të kuptimit, gjithnjë e më i mbushur me kuptime: „Melodi kjo natë/ Melodi// Një notë e re lind/ Lind një varg i ri// Përjetësi kjo natë”. Kurse diku, në një moment të caktuar, vjen edhe hipostaza e konkluzivitetit, sidomos atëherë kur me çdo kusht duhet „Të vazhdojmë”: „Le të ecim sonte/ Po erdhi lodhja/ Le të vijë/ Ne të lodhur jemi edhe kështu// Le të heshtim sonte/ Më mirë pa fjalë/ Edhe ashtu nuk themi gjë// Le të vazhdojmë…”. Kështusoj, del në pah një anë e veçantë e poezisë shqipe në Kosovë, nëpërmjet lirizmit që manifestohet si rezultat i një gjendjeje të përjetuar. Poezia e Gentianës që vjen në gjuhën rumune falë përkthimit besnik të poetit Baki Ymeri, na sugjeron një shpirt të ri me një tension lirik të vetëpërmbajtur.
Nuk shoh se çka mund të jetë më e lartë se poezia. Autores i duket se transmetimi i idesë perpetuum mobile zhvillohet tani dhe këtu. Ja rezultati i disa sintagmave të jashtëzakonshme përmes të cilave reflektohet arti poetik dhe përlindja e universit: Përtej yllit të fatit, Flaka e shpirtit tim, Kështjellat e durimit, Qetësi e shkëputur e shpirtit tim, Loti i fjalës sime, apo: Qyteti i mbyllte dyert e fjalës, pas perdeve të heshtjes. (Daniel Marian)
BOX
Pasi botoi disa poezi nëpër gazetat e përditshme, Gentiana Muhaxhiri na vjen me përmbledhjen e poezive të cilën e titulloi “Ëndërrime”, ku janë përfshirë poezi të ndryshme. Ky vëllim lë përshtypjen se trajton një temë qendrore, që është tema e dashurisë dhe çështjet e ndërlikuara që dalin prej saj. Me aq sa na flasin poezitë e saj. Gentiana me anë të poezive bën përpjekje për të hyrë në jetën e vërtetë, por me një dozë frike. Ajo kërkon rrugë shpirtërore për t’i realizuar ëndrrat e veta. Të gjitha poezitë e këtij libri përbëjnë një poemë lirike, që flet për dashurinë si shpëtim, si zhgënjim, si fatbardhësi, si fatkeqësi, si mashtrim, si tradhti, si besnikëri, si ëndërr, si frikë. Gjatë këtyre meditimeve, poetja vë në shënjestër të keqen, të ultën njerëzore, atë që ndjehet si pengesë kryesore gjatë realizimit të dëshirave të saj. Poetja na bind me krijimet e veta se dashuria e vërtetë e ka vështirë të jetësohet në mjedise, ku ka primitivizëm, mashtrime të ngjyrave të ndryshme, ku ka idiotizëm, egoizëm, smirë, xhelozi, fanatizëm. Megjithatë, poetja bën përpjekje me vjershat e veta për të gjetur një shteg që do ta shpjente në botën e idealeve të saj, përkundër gjithçkaje që i del përpara si pengesë. (Cituar nga Din Mehmeti, Ëndërrime, 2008)
BIO-BIBLIOGRAFI
Gentiana H. Muhaxhiri u lind në Gjakovë më 25 tetor 1984. Magjistroi në Universitetin e Prishtinës, Fakulteti i Filologjisë, dega Letërsi Shqipe. Aktualisht është doktorante në Universitetin e Tiranës, Fakulteti Histori–Filologji, Departamenti i Letërsisë. Vepra letrare: Ëndërrime (vëllim poetik, Gjakovë, 2008); Kush jam unë (Panoramë e poeteshave të Gjakovës, Gjakovë, 2004); Antologji e poetëve të Malësisë së Gjakovës (antologji, Gjakovë, 2013); Korsi e hapur (antologji); Jam pjesë e qiellit tënd (antologji, Bukuresht 2014); Heshtje e trazuar (vëllim bilingv, Bukuresht 2014). Laureate e një serë çmimesh letrare, pjesëmarrëse në seminare dhe konferenca të ndryshme, redaktore e disa revistave shkollore, anëtare e Klubit Letrar “Gjon Nikollë Kazazi” në Gjakovë, pjesëmarrëse në Mitingun e Poezisë (2008, 2013, 2014). Që nga viti 2009 është ligjëruese në Universitetin e Prishtinës.
MUND TË JETË KRIM LUFTE
Nga Frank Shkreli/
Komisionerja e Lartë e Organizatës së Kombeve të Bashkuara (OKB)për të Drejtat e Njeriut, Navi Pillay dënoi të hënën rrëximin eaeroplanit të pasagjerëve tëlinjes ajrore Air Malaysia mbi territorin e Ukrainës që kontrollohet nga forca rebele pro-ruse, e që shkaktoi vdekjen e 283 pasagjerve dhe ekuipazhit prej 15 vetash. Ajotha se “kur të merren në konsideratë rrethanat e kësaj ngjarjeje tragjike që mbizotërojnë tani, kjo shkelje e ligjit ndërkombëtar mund të jetë një krim lufte”.Ajo paralajmëroi të gjithë, përfshirë edhe simpatizantë të kauzës ruse nga vende të huaja që u janë bashkuar forcave rebele ruse – si për shembull nga Serbia (shënim i autorit) — se do të ndërmirren të gjitha masat e mundura për të siguruar se, “çdonjëri që të kryej shkelje serioze të ligjit ndërkombëtar, përfshirë krime lufte, do të sillen para drejtësisë, pa marrë parasyshë se kush janë ata” dhe nga vijnë, tha zyrtarja e lartë e Kombeve të Bashkuara. Ajo bëri thirrje njëkohësisht për një hetim sa më të shpejtë, të gjithëanshëm, efikas, të pavarur dhe të pa-anshëm”, të rrëximit të aeroplanit të pasagjerve civilë.Zonja Pillay e bëri këtë koment ndërsa OKB-ja botoi raportin e kërkuar më heret mbi konfliktin në Ukrainë në të cilin, ndër të tjera, thuhet se megjithëse është vështirë të konstatohet numëri i vërëtetë i viktimave, ç’prej mesit të muajit prill, nga konflikti në atë vend janë vrarë të pakën 1,129 veta, ndërsa janë plagosur 3, 442 persona, ndërkohë që, sipas raportit të OKB-ës më shumë se 100,000 veta janë çvendosur nga shtëpitë e tyre, si rrjedhim i konfliktit. Ajo shtoi se raportet janë tepër alarmuese mbi luftimet në rajonin Donetsk dhe Luhansk, ndërkohë që sipas saj, të dy palët kanë dërguar në atë zona armë të rënda, përfshirë artilerinë, tankse, raketa dhe misile.
Raporti i OKB-ës mbi konfliktin në Ukrainë nënvijon gjithashtu një rritje alarmuese të shkeljeve të të drejtave të njeriut në zonat lindore të Ukrainës që kontrollohen nga rebelët e armatosur pro-rusë.Në raport theksohet se grupe rebelësh të armatosur që mbështeten nga Rusia, rrëmbejnë njerëz, i burgosin i torturojnë dhe i ekzekutojnë ata, si masa këto që i përdorin me qëllim për të frikësuar dhe për të kontrolluar popullatën e asaj zone.Në raport thuhet se vihet re një profesionalizëm i dukëshëm në radhët e grupeve të armatosura ruse, duke akuzuar drejtë për drejtë se ato, “udhëhiqen politikisht dhe ushtarakisht nga shtetas të Federatës Ruse”. Ajo u bëri thirrje të dy palëve në konflikt që të tregojnë kujdesin më të madh, në mënyrë që të parandalojnë vrasjen dhe plagosjen e civilëve.
Konflikti midis rebelëve pro-rus dhe forcave të Ukrainës është diçka për të ardhur keq, por rrëximi i një aeroplani civil me pasagjerë ndërkombëtarë është një krim lufte, siç alludoi edhe Komisionerja e Lartë e OKB-së për të Drejtat e Njeriut.E vërteta është se deri tani bota ka reaguar me një përmbajtje të pashpjegueshme ndaj këtij krimi që shkaktoi vdekjen e qindëra pasagjerve të pafajshëm nga vende të ndryshme të botës, e të cilët nuk kishin aspak të bënin me konfliktin në Ukrainë.Duke komentuar këtë akt mizor, Presidenti Obama ka thënë se “Ekzistojnë prova se aeroplani civil i Malajzisë u rrëxua nga një raketë tokë-ajër e cila ishte hedhur nga një zonë e cila kontrollohet nga separatistët e mbështetur nga Rusia, mbrenda territorit të Ukrainës”. Ndërsa zëdhënsja e Departamentit Amerikan të Shtetit, Marie Huf ishte më e përcaktuar duke drejtuar gishtin e akuzës atje ku duhet. Ajo tha se, “Ndoshta ne nuk e dimë ende me saktësi se kush e rrëzoi aeroplanin, por përgjegjësia për këtë incident pushon mbi krahët e Presidentit rus Putin.” Ajo u tha përfaqsuesve të medias ndërkombëtare të akredituar pranë Departmentit Amerikan të Shtetit se, “Këta separatistë rusë, të cilët ne besojmë se ishin ata që rrëxuan me raketë aeroplanin e vijës ajrore të Malajzisë, nuk do të vepronin atje pa mbështetjen e Presidentit Putin dhe të qeverisë ruse, dhe se ata nuk do të armatoseshin po mos të kishin mbështetjen e Presidentit Putin dhe të qeverisë ruse.” Si rrjedhim, shtoi zëdhënsja e Departmentit të Shtetit, “ne jemi zotuar që të zbulojmë se çka ndodhi atje, me qëllim që të ata të cilëte kryen këtë akt të shëmtuar të mbahen përgjegjës dhe se vendet, të cilat mbështesin këta separatistë ashtu siç bën Rusia”, shtoi ajo, “duhet të mbahen gjithashtu përgjegjëse”. Ndërsa zevëndës zëdhënsi i Shtëpisë së Bardhë, Eric Schultz pohoi para përfaqsuesve të medias se, “Ne e dimë se Rusia ka furnizuar me armë dhe stërvitje këta separatistë.”Këto ishin reagimet më të ashpëra megjitëse të përmbajtura, të zyrtarëve më të lartë amerikanë me përjashtim të ndonjë anëtari të Kongresit, të cilët ishin shumë më kritikë ndaj rolit të Rusisë në konfliktin e saj me Ukrainën. Ndërkohë, vendet europiane, nepërmjet deklaratave të zyrtarëve të tyre, janë shprehur ditët e fundit, se në bashkrendim me Shtetet e Bashkuara,ato janë gati t’i imponojnë Rusisë së Putinit sanksione të tjera në sektorët financiar, energjetik dhe të industrisë së armëve.
Një numër analistësh kanë vërejtur ditët e fundit se reagimet e vendeve perëndimore ndaj rrëximit të aeroplanit të vijës ajrore të Malajzisë mbi Ukrainë, duhej të ishin më të forta dhe më të vendosura.Shumë prej tyre kanë krahasuar rrëximin e këtij aeroplani nga ata që mendohet se ishin rebelët pro rusë në Ukrainë, të mbështetur dhe të financuar nga Rusia — me rrëximin e aeroplanit të vijës ajrore të Koresë së Jugut nga një aeroplan luftarak sovjetik 30-vjetë, pikërisht në shtator të vitit 1983, sulm ky nga i ciliasokohe mbetën të vrarë 269 persona të pafajshëm.Natyrisht se atëherë ishte kulmi i luftës së ftohtë, por kjo nuk e bënte më të lehtë as më të justifikueshëm sulmin barbar të regjimit komunist sovjetik kundër një aeroplani civil, me justifikimin se kishte hyrë në hapësirën e tij ajrore. Në krahasim me reagimet e sotëme, reagimi i Presidentit të atëhershëm amerikan Ronald Reagan ishte i ashpër dhe i vendosur, duke e quajtur masakër sulmin e Bashkimit Sovjetik kundër aeroplanit të vijes ajrore koreane ku si përfundim gjetën vdeljen 269 viktima të pafajshme, përfshirë edhe një numër të madh amerikanësh.
Presidenti Ronald ReaganSenatori demokrat Henry Jackson
Ky krim kundër njerëzimit, pat thënë Presidenti Reagan nuk duhej harruar kurrë këtu në Amerikë dhe as anë e mbanë botës. Presidenti Reagan, duke i folur kombit dhe botës mbi rrëximin e aeroplanit korean nga sovjetikët në vitin 1983, e pat cilësuar atë sulm të ngjashëm me sulmin mbi Ukrainë, duke thënë se ai,“ishte një sulm i Bashkimit Sovjetik kundër botës dhe kundër ndjenjave morale të cilat drejtojnë marrëdhënjet njerëzore kudo”. “Ky”, ka thënë Presidenti Reagan,“ishte një akt barbarizmi i kryer nga një shoqëri që nuk respekton të drejtat e individit dhe që nuk tregon respekt për vlerën e jetës së njeriut”, duke e cilësuar atë edhe si akt i një vendi i cili gjithmonë përpiqet të zgjerojë me forcë influencën e tij në përpjekje për të dominuar kombet e tjera.”Do të ishte tepër lehtë, tha ish-presidenti amerikan “që në raste të tilla të mendohej për hakmarrje, por kjo nuk është përgjigjëja e duhur. Ne duam drejtësi dhe veprim për të siguruar se një gjë e tillë nuk do të ndodhë kurrë më”, ka thënë Presidenti Reagan.
Gjatë debatit me Presidentin Obama në fushatën e vitit 2012 për president, kandidati republikan Mitt Romni me të drejtë pat deklaruar se ishte Rusia ajo që përbënte kërcëniminkryesor ndaj sigurisë dhe interesave kombëtare të Shteteve të Bashkuara dhe të gjithë njerëzve vullnet mirë të cilët besojnë në liri, dhe jo Al Qaeda siç pretendonte Presdienti Obama.Këtë e kishte pohuar 30-vjetë më parë edhe ish-Senatori demokrat Henry Jackson, i cili kishtedeklaruar se Bashkimi Sovjetik përbënte kërcënimin më të madh ndaj Amerikës dhe botës.Andaj, ka thënë Senatori demokrat, nëqoftse Shtetet e Bashkuara dëshirojnë të vazhdojnë të luajnë rolin udhëheqësnë përpjekjet për sigurimin e një paqeje të qëndrueshme midis kombeve, atëherë Amerika duhet të jetë e fortë jo vetëm me fjalë por edheme vepra, përfshirë edhe gatishmërinë ushtarake, për t’u përballur me të këqiat e kësaj bote që kërcënojnë lirinë dhe të drejtat e nejrëiut të popujve anë e mbanë botës.
Analistë të ndryshëm kanë shprehur dyshimet e tyre nëse administrata e Presidentit Barak Obama është me të vërtetë serioze mbi rolin, që sipas ish senatorit demokrat Henry Jackson dhe ish-presdientit Reagan, Shtetet e Bashkuara duhet të luajnë në botë në përgjithësi, dhe në raste si rrëximi i aeroplanit të vijës ajrore të Malajzisë, në veçanti.Ky, sipas Presidentit Ronald Reagan, nuk është një rol që e kërkojnë Shtetet e Bashkuara. Por sipas tij, ashtu si edhe roli që luajtën amerikanët e dikurshëm që themeluan këtë vend si “shpresën e fundit dhe shpresën më të mirë për njerëzimin”, historia është shprehur ai, kërkon shumë nga çdo brez i amerikanëve. Sipas Presidentit Reagan, gjatë historisë,“Amerika ka dhënë shumë për botën, por duhet të jemi kurdoherë gati të japim edhe më shumë.” Kurdoherë, veprat janë më bindëse se fjalët.
Prandaj, nëqoftse Shtetet e Bashkuara nuk e luajnë këtë rol udhëheqës në botë –si në kohë paqeje ashtuedhe në kohë konfliktesh — siç rekomandonte një president republikan dhe një senator demokrat 30-vjetë më parë, atëherë kush do e luaj një rol të tillë? Ndërsa, përsa i përket rrëximit të aeroplanit të vijës ajrore të Malajzisë mbi Ukrainë — kur të merret parasyshë mbështetja e Presidentit rus Putin për rebelët pro-rus si dhe agresioni rus ndaj Ukrainës gjatë vitit të kaluar — provat dhe hetimet mbi këtë “tragjedi botërore”, siç e cilësoi edhe Presidenti Obama –eventualisht mund të vërtetojnë se Moska ishte përgjegjëse në mënyrë direkte ose indirekte për masakrimin e pasagjerve të pafajshëm. Si e tillë, Rusia dhe Presidenti i saj Vladimir Putin duhet të mbahen përgjegjës nga opinioni botëror dhe nga ligjet ndërkombëtare për këtë akt barbar.
Civiliteti i shqiptarëve
Uk Lushi/New York/
Jeta në demokraci është një debat dhe cikël interaktiv që nuk përfundon kurrë. Në shoqëri, politikë dhe medie njerëz nga spektri i djathtë, majtë dhe i qendrës rrahin çështje të ndryshme dhe kështu ndihmojnë evoluimin dhe përparimin e një populli. Personat që vendosin të angazhohen dhe jenë të zëshëm në jetën publike duhet të jenë të ndershëm, të kenë mendime të pavarura dhe nuk duhet t’i bëjnë favore askujt apo kenë frikë nga askush. Armiqtë më të mëdhenj të atyre që hyjnë në arenën publike janë padituria, hipokrizia, padrejtësia dhe interesi vetjak i pafre; assesi personat që mund të jenë në opozitë apo mospajtim.
Krahasuar me kohën e thyerjeve të mëdha viteve të 90-ta të shekullit XX-të, populli shqiptar, sot, është në gjendje më të mirë gati në çdo pikëpamje. Pa asnjë dyshim baza e këtij progresi është liria jonë. Megjithatë liria nuk është postulat që lejon keqpërdorim dhe shfrytëzim. Liria është e drejtë të mendosh, shprehesh dhe veprosh sipas dëshirës, mirëpo pa e cenuar të drejtën e njëjtë për të tjerët. Fatkeqësisht kohëve të fundit hapësira publike shqiptare ka filluar të uzurpohet me agresivitet nga disa klika dhe individë të cilët kujtojnë që liria u takon vetëm atyre dhe në debate kanë të drejtë veç ata.
Grafomanë dhe llafazanë kanë nisur të përdorin fjalën dhe shprehjen e lirë si armë për të realizuar qëllime personale apo synime të padronëve që ua tërheqin penjtë tinëz nga prapa perdeve. Ngadalë, por sigurt, nëse nuk ndalen dhe zbohen nga ligjërimi dhe jeta publike, këta sherr-budallenj dhe të prapë mund të hedhin shoqëritë shqiptare përjashta orbitave të civilitetit dhe traditës shekullore të respektit dhe nderimit të tjetrit dhe kështu ndoshta të fusin popullin në rrethin vicioz të sharjeve dhe fyerjeve vulgare derisa eventualisht të arrihet në pikën ku mund të ndodh ndonjë konflikt qytetar.
Civiliteti është parimi themeltar i jetës publike. Pa të një popull gjallëron në “xhunglën hobesiane” ku secili është në luftë me secilin. Civiliteti apo njerëzia mbështeten në idenë që secili nga ne duhet të marrë parasysh interesat dhe aspiratat e tjerëve dhe të trajtojmë çdokënd sikur kemi dëshirë të trajtohemi ne vetë. Mirësjellja është shenjë e qytetërimit dhe refleksion i virtyteve dhe standardeve të vlerave. Civiliteti në politikë, biznes, medie dhe jetën e përditshme nuk do të thotë që konkurrenca, mospajtimi dhe argumentimi duhet të shuhen; përkundrazi, civiliteti do të thotë, që përkundër vështirësive dhe nxehtësisë që shkaktohen nga jeta, ne gjithmonë duhet të respektojmë dhe nderojmë të tjerët si qenie të barabarta njerëzore.
Më kujtohet, ka disa vite që kam lexuar, një fjalim mbi njerzillëkun të John Fletcher Moulton— shkollar, gjykatës dhe ministër i Anglisë para më shumë se 100 viteve. Në fjalimin e tij ai thotë që janë tri gjëra kryesore që përcaktojnë bashkëpunimin njerëzor.
E para është ligji, i cili na tregon se çfarë mund të bëjmë. Pjesëtarët e një populli të lirë duhet të zbatojnë ligjin pa kundërshtime. Nëse vërtetohet se nuk janë të mira dhe nëse u ka kaluar vakti, ligjet mund të zëvendësohen me më të mira dhe më të reja.
E dyta është zgjedhja e lirë, sipas të cilës ne mund të bëjmë çfarëdo që duam dhe të tjerët nuk duhet të na (para)gjykojnë për vendimet tona si duam të jetojmë.
Por, sipas Moultonit, mes këtyre dy gjërave është bota e manireve— gjegjësisht mirësjelljes— dhe është mu kjo gjë e ndërmjetme që e determinon suksesin e një kulture dhe një shoqërie.
Civiliteti është i vjetër sa jeta njerëzore në bashkësi. Konturat formale i mori që në kohën antike në Greqi dhe më vonë në Romë. P. sh. në Perandorinë Romake jo të gjithë banorët mund të ishin qytetarë. Nderi special i votimit u jepej vetëm atyre që angazhoheshin në diskursin publik dhe mund të influenconin shkrimin dhe miratimin e ligjeve. Familjet dhe individët që kualifikoheshin duhej të demonstronin histori aktive të civilitetit dhe kontributit për stabilitetin dhe përmirësimin e shoqërisë romake.
Në botën shqiptare sot ka individë që pa asnjë dëshmi e thonë apo shkruajnë që filan fisteku është spiun, e bile terrorist, dhe nuk ka asnjë konsekuencë morale, etike, profesionale apo juridike për akuza të tilla të rrejshme. Një politikan e quan tjetrin të sëmurë psikik dhe nuk ofron asnjë dokument mjekësor dhe askujt asgjë. Një gazetar hidhet si zagar mbi çdo kënd që ja prek interesat pronarëve të medies për të cilën punon duke përdorur gjuhë linçuese dhe shpifëse, për të cilën në një vend vërtetë demokratik dhe ligjor media dhe shkronjësit do të paguanin miliona kompensim financiar dhe redaktorët dhe pronarët do të shkonin në burg për vite të tëra, por, në vendet ku jetojnë shqiptarët, redaksitë në fjalë nuk mërziten të botojnë as reagimin e palës së dëmtuar. Zbritja më e madhe e tatëpjetës së civilitetit shqiptar mund të shihet në portalet dhe faqet tona në Internet ku persona të frustruar dhe pa edukatë nuk e kanë fare problem të shpallin secilën femër kurvë apo secilin burrë bandit ndërkaq që hingirizen pas maskës së anonimitetit.
Sidoqoftë, përkundër zymtësisë, ka shprese që situata do të ndryshohet dhe piramida e vlerave dhe civilitetit do të kthehet me maje përpjetë përsëri. Optimizmi bazohet në mospërfshirjen e pjesës më të madhe të publikut në lojën e shëmtuar të kastave dhe individëve të dobët të cilët me zhurmë e potere kujtojnë që do të zaptojnë hapësirat publike ndërkaq që publiku do të rrijë e shikoj seri. Këtë shpresë ma shtoi edhe një eksperiment i vogël që bëra në Facebook para ca ditësh ndërsa shtrova pyetjen publike për të gjithë miqtë dhe të njohurit e mi se për çfarë teme do të dëshironin që të shkruaja. Secili person që u përgjigj u deklarua që donte temë konkrete dhe konstruktive dhe askush nuk kërkoi sharje, përgojime ose diskreditime. Njëri nga ta, më duket që e përthekoi shumë mirë dhe punën e civilitetit ndër shqiptarë tek më shkroi: “Nuk është mirë të thuhet fjala e fundit e para, siç po bëjnë disa shqiptarë në publik sot. Kur fjala e fundit qitet e para aty nuk ka çfarë të thuhet më.”
Çfarë porosie antologjike për të gjithë jocivilistët, të cilët, herët a vonë, populli i civilizuar shqiptar do t’i ndalojë ose me mospërfillje ose me ligj.
- « Previous Page
- 1
- …
- 5
- 6
- 7
- 8
- 9
- …
- 34
- Next Page »