Një qeri djeg afresket dhe ikonostasin 300 vjeçar/
Imzot Ignati – Afresket dhe kolonat e mbetura tregoj dhimbjen tragjike/
Nga Sulo GOZHUNA/
KUÇOVË – Një zjarr i rënë nga një qeri apo dhe të njdonjë arsyeje tjetër në orët e vona të mbrëmjes të 24 orëve më parë ka bërë që kisha së bashku me Ikonostasin dhe me Afreskat 300 vjeçare të mos jetë më mes besimtarve ortodokës, por dhe të bësimeve të feve të tjera që në rast festash mblidheshin pranë saj si i vetmi objekt besimi dhe kulturor i zonës dhe më gjerë. Kisha që edhe në kohën e diktaturës u ruajti si syt e ballit, vdes sot në ditët tona. Ndonse ende ngjarja është e pa zbardhur nga organet kopetente hetimore banore të fshatit Salcë – Kozare ku dhe ndodhet kisha shekullore, kanë pohuar jashtë kamrave dhe fotove se në mbrëmjen ditës së enjëte shumë besimtarë dhe banor të fshatit dhe për rreth tij kanë vizituar kishën dhe kanë filluar ritualin e faljeve dhe ndezjen e qirinjëve. Banor të fshatit thanë për gazetën se rreth orës 10.30 – 11.00 minuta kanë vrejtur tym dhe më pas flak në ambjetet e kishës, të alarmuar këta të fundit duke lajmruar njëri tjetrin kanë rendur drejt saj por zjarri ka qënë tepër i fuqishëm dhe ndëryrja e tyre edhe pse vendimtare ka rrezultuar pa sukses. Gjatë këtyre përpjekjeve në luftë me flakët për të shpëtuar tempullin e shenjët banorë kanë parë se çatija e saj që mbante mbi supe peshën e rreth 300 vjetve është shëmbur për disa minuta për para tyre duke iu gjengjezuar përpëlimit të flakve. Edhe zjarrfiksit e qytetit të cilit nuk kanë munguar nga çasti që janë lajmruar nuk kanë mundur të shpëtoin pikturat e murosura si dhe ikonostasin, ndonse kanë luftuar për disa orë me flakët e zjarrit të ulura këmbkryq të vëndosura për të shuar tragjikisht tempullin e shënjët, ndërsa kanë mundur të shëptojën haurin e saj. Pranë bëimtarve dhe kishën që vazhdonte të tymosej nga cikrimat e fundit të po jepnin shpirët ka mbritur dhe Metropoliti i Beratit, Kaninës, Vlorës, dhe gjithë Myzeqes Imzot Ignati. I shoqëruar nga sekretati Metropolitit At Kristaq Sybashi dhe prifti i Kuçovës At Bartolomeo Bullari dhe i shoqëruar nga banorët e zonës Imzot Ingani duket qarët se dhimbja e ka trishtuar: “Është trishtim dhe dhimbje teksa shikon këtë tragjedi, është një tempull bësimi që deri më tani banorët e zonës e kanë ruajtur si sytë e ballit, por që nga ky moment nuk do ta kemi më mes nesh ashtu si më parë. Ndaj bëjë apel që monumente të tilla ti ruajmë e mbrojn nga të gjithë llojët e agjentve atmosferik të merën masa për ti ruajtur këto pasuri të pa përsëritshme të njerzimit si dhe ishte kisha e Ungjëllizimit (Fjetja e Shën Marisë) në fshatin Salc-Kozare, e cila daton që prej fundit të viteve 1700 dhe fillimit të viteve 1800. Ndjesi për afreskat të cilat në këtë moment vajtojn në heshtje në mjerim të plotë. Keqardhje për këtë monument sa të vjetër dhe të rrallë për formën arkitektonike dhe afresket murale unike që ndodheshin në këtë Kishë. Të njëtën veprim bëjën dhe kolonat e mbetura por që na tregojn rrugën nga kanës ardhur dhe dhimbjen që po mbajn mbi supe. Por do të punojm së bashku me besimtarët që të rikthejm jo vetëm kishën e besimit të tyre por do punojm që këto afreska të rindërtohen e nëse mundemi të shpëtojm sa të mundemi nga afreskat e murosura qoft dhe një prej tyre si dëshmi e gjallë e një tragjedije të tillë, pasi ato flasin në gjuhën e tyre në këtë moment mjerimi. Janë piktura nga i njëti zograf ikonografik e argjiograf, pasi ky i fundit pikturon figurat e shënjëtorve dhe të tilla kisha me të tilla afreska ka dhe në disa kisha të myzeqesë“, do të përfundonte prononcimin e tij Imzo Ignati. Pak histori Kisha e Ungjëllizimit (Fjetja e Shën Marisë) në fshatin Salc-Kozare – daton qëë prej fundit te viteve 1700 dhe fillimit te viteve 1800. Eshtë një një kishë e tipit bazilikal. Monumneti përbehet nga tri navata, qëndrorja ka një gjerësi prej 4.4 m dhe një gjatësi prej 15.9 m. Dy navatat anësore kanë një gjerësi prej 2.1 m dhe gjatësi të njëjtë sa navata qëndrore. Navatat ndahen midis tyre nga dy kolonada me kollona katrore. Absida ndodhet në Lindje dhe ka formë gjysëm rrethore, nga ana e jashtëme ajo ka tri kontrafortë guri. Në pjesën jugorë të kishës ndodhet portiku i përbërë nga 8 kollona në formë rrethore prej guri ku mbështeten harkadat, interkolumi këtu është rreth 1m. Narteksi i kishës paraqitet një kuadrat në formë drejtëkëndshi me përmasa (10.7 x 5.8 m). Struktura ndahet në dy ambjente nëpërmjet një kolonade të përbërë nga tri kollona në formë katrore. Të të dy anët e narteksit ndodhen dy amjente të tjera shërbimi. Ndërsa në anën veriore të kishës ndodhet një ambjent shërbimi me përmasa (18.8 x 3.2 m) i cili shkon paralelisht me drejtimin lindje-perëndim të monumentit. Në pjesën Jugore ndodhet edhe këmbanorja e kishës. Kisha e Ungjillizimit së Kozarës spikat së tepërmi për vlerat që prezanton ruajtja në një gjendje të mirë e afreskut mural, i cili shtrihet në gjithë sipërfaqen e brendshme të mureve. Në afresk paraqiten skena të ndryshme nga historitë biblike. Në këtë kishë në vitin 1996 u vodh këmbana 1 metër e gjatë me perimetër 130 cm. Vlen të përmendet se – Edhe pas të gjitha ankesave të bëra në çdo institucion përkatës që prej vitit 2004, pasi muret e kishës dhe çatia ishin prishur dhe uji që hynte brenda po shkaterronte afreskëtm askush deri sot nuk vuri dorë për restaurimin e saj, deri natën e mbrëmshme kur zjarri shkrumboi gjithçka.(Dergoi per Diellin Sulo Gozhina)
Archives for August 2014
“FLI TË BËHET NATË”
Një libër si këngë serenate, kushtuar dashurisë dhe mallit me Autore Mimoza Berisha/
Shkruan:Kadri Tarelli/
Në sallën “Odeon” të pallatit “A.Moisiu” në Durrës, më datën 17. 08. 2014, Klubi i shkrimtarëve dhe artistëve durrsak, zhvilloi përurimin e librit “Fli të bëhet natë” të autores durrsake Mimoza Berisha. Në sallën e mbushur me dashamirës të letërsisë dhe poezisë, mësues dhe miq të Mimozës, veç shkrimtarëve dhe artistëve durrsak, merrnin pjesë edhe të ftuar Zejnepe Alili Rexhepi, autore e librit “Refleksione lirike” dhe Safet Hyseni nga Maqedonia, bshkë me ta edhe aktori Agim Xheka nga Tirana.
Unë pata kënaqësinë të them fjalën time si mësues i Mimozës, njëkohësisht si lexues i poezisë. Aty theksova:
Kam folur edhe më parë nga kjo foltore e nderuar, por të them të drejtën, këtë herë ndihem disi ndryshe: i privilegjuar, mund të them i lumturuar, por edhe në vështirësi, pasi po flas për Mimozën, nxënësen time, gjimnazisten e viteve të shkuar, sot poete. Cili mësues nuk e lakmon një ditë e ngjarje të tillë? Cili nga kolegët mësues nuk ndjehet në siklet kur ka përballë ish nxënësen e tij me një vepër në dorë, që thotë: “Më lexoni edhe mua, pasi kam diçka për të thënë”? Nuk është një orë mësimi e “profesori” thotë ato që duhen thënë. Sot po flas për poeten, kolege në fushën e letarve dhe krijimtari. Pavarësisht se kam shkruar shumë artikuj në shumë gazeta të përditëshme, pavarësisht se edhe unë kam botuar librin “Misionarë në udhën e dijës”, sot fjala duhet menduar e matur mirë, pasi po flas për një poete. E këta poetët e shkrimtarët, janë një lloj soji që s`të falin kur gabon, qoftë edhe kur e tepron.
Gjithsesi e prita me shumë kënaqësi ftesën dhe fjalën. Kam bindjen se jam i saktë në gjykimin tim kur mendoj se, cilido prej nesh kur kalon një kohë të gjatë në punë e në jetë, rri e bën llogarinë e viteve. Artitekti numëron veprat e ndërtuara, mjeku pacientët e shëruar, piktori e skulptori pikturat e skulpturat që e kanë bërë të njohur, shkrimtari e poeti librat e shkruar, ndërsa mësuesi numëron “yjet”, nxënësit që u bënë dikushi në jetë. Ata janë vepra e tij, me ta mburret, me ta e mat edhe hijen e shtatit të tij.
Pas kaq shumë viteve mësues në shkollën e Mesme të Katundit të Ri, sot ndjehem i vlerësuar, sepse pata mundësi t`u jap mësim shumë djemëve dhe vajzave, të mençur e të talentuar, të cilët pasi mbaruan shkollëne mesme, ndoqën studimet e larta dhe arritën të bëhen kuadro me vlerë, duke i shërbyer bashkësisë, qytetit, vendit dhe kombit. Natyrisht, për të mos e marrë për vete gjithë kënaqësinë, të gjithë këta nxënës të mirë, mes tyre edhe poete Mimoza, të cilën e kemi mes nesh, janë produkt i shumë mësuesve ndër vite, por që meritat u mbeten në dorë mësuesve të shkollës së mesme, pasi ata janë të fundit që i përcjëllin në udhët e jetës e të dijes. Gjithsesi unë po veçoj disa, pa u mbetur hatri shumë të tjerëve, sepse bëhen aq sa nuk numërohen dot. Mes tyre përmend:
Dom Gjergj Meta, shërbyesi i zotit në katedralen “Shën Luçia” këtu në Durrës, që po shkëlqen edhe në publicistikë e filozofi, Agron Myftari ushtaraku i specializuar në Turqi, sot dëshmori i atdheut, Arben Çeku diplomat kariere ish ambasador, prof. dr. Mitat Mema, rektor i Universitetit “A. Moisiu” në Durrës, me doktoraturë të mbrojtur në Spanjë dhe që mban firmën e mbretit Huan Karlos. Shpend Shahini prof. doktor, i shkencave bujqësore, pedagog në Universitetin Bujqësor të Kamzës, Alban Allkoçi doktor shkencash, pedagog në fakultetin e inxhinerisë elektrike në Universitetin Shtetëror të Tiranës, Pëllumb Berisha ish deputet, shtojmë këtu disa pedagogë të universitetit “A. Moisiu” Durrës, Hazbi Lika pedagog i shkencave politike me shumë artikuj të publikuar në shtyp, Shqipe Kusi pedagoge për shkencat ekonomike, Shkëlqim Sula drejtor i auditit në këtë universitet. Veç tyre ka edhe të tjerë, përmend Julian Priska i dipllomuar për fizikë bërthamore, shtojmë këtu ekonomistë, arsimtarë, mjekë, agronomë, veterinarë, gazetarë, stomatollogë, ushtarakë, radha e emrave të tyre është shumë e gjatë.
Mbase e teproj në fantazi, por kur numëroj gjithë këta yje, më dukej se një copë qielli ishte bosh. Për kë është lënë vallë? Pyesja veten dhe shtoja: Në gjithë kata yje, s`doli një poet, që të ndriçojë me zjarrin e shpirtit dhe forcën e fjalës? Tani e besoj. Ajo copë qielli e gjeti hënën, poeten Mimoza Berisha, që aq bukur i shkojnë vargjet e këngës popullore kënduar nga Eli Fara: “Rreth e rrotull yjet, në mes tyre hëna”
Mos t`i mbetet qejfi Mimozës, pasi kur mora në dorë librin, mbeta pak në mëdyshje. Në kapak shkruhet “poezi”. U bë kohë që, rrallë lexoj të tillë libra, sidomos të poetëve të rinj, të cilët në emër të modernizmit e vargut të thyer i rendisin vargjet “Një më hu, një në kërcu”, pa rimë, pa muzikë. Lodhu sa të duash e hajde gjeje ku rreh nervi i poetit, kur mendimi s`duket gjëkundi. Le të thonë si të duan, unë e dua poezinë që, veç mendimit të ngjeshur e fjalës së zgjedhur, të këndojë, të ketë rimë, të ketë melodi, të kënaq buzën dhe veshin. Merreni si shaka. Të tillë “poezi” mua më ngjasojnë me rrugën që bënim çdo mëngjez nga Durrësi në Katund të Ri, vite të shkuar, gjithë gropa e baltë, e ne kërcenim sa në një anë në tjetrën, ec e ndalo, si topalli që çalon nga të dy këmbët. Në fund lodhje e mendje të çoroditur. Mimoza nuk është si ata. Ajo ka bërë libër me poezi, ndaj duhet përshëndetur. Po kisha edhe një merak tjetër: Unë nuk jam poet e as mësues letërsie që ta shpie fjalën degë më degë. Druhesha e kisha frikë, mos janë vjersha që të venë në gjumë, meqë Mimoza kastile na fton “Fli të bëhet natë”!? Poetët i njohin dhe i ndajnë mirë këto punë. Vjershat janë rradhitje fjalësh që rimojnë, por s`kanë mendim e as zjarr shpirti, aq më pak ide filozofie. Përsëri them: Mimoza ka bërë poezi. Lëxojeni dhe do të bindeni.
Në këtë libër, dy zjarre e mbajnë ndezur shpirtin e poetes: dashuria dhe malli. Ato si fjalë s`ngjasojnë, por në thelb s`bëjnë dot pa njëra – tjetrën. Veç koha i ndan e i dallon. E kanë thënë të moçmit, se dashuria është zjarr e flakë që të ngre e të çon në shtatë qiejt nga ku s`ke dëshirë të zbresës, ndërsa malli, kjo magji e shpirtit, të lëndon, të bën të vuash, të tret, të djeg e të zhurrit së largu. në faqet e librit, ndjejmë Mimozën me shpirt të butë e të ndjeshëm, që sinqerisht përjeton dashurinë, këtë ndjenjë hyjnore, lidhur gërshet me mallin e kujtimet për vendlindjen, për prindrit, nënën, babën, motrat, shoqet e shokët e shkollës. Kur flet për fëmijërinë, Mimoza bëhet e vockël, e brishtë, që kërkon ndihmë, strehë e mbrojtje. Mjafton të lexoni: “Në tokën time”, “E mira nënë”, “Jam larg tokës sime”, “Dëshirat e një pulbardhe”, “Mallit, di si t`i përgjigjem”, etj. Këto dy ndjenja do t`i zbuloni dhe do t`ju prekin trup e shpirt, që në nisje të librit, pa arritur në faqen e fundit.
Pikërisht në këtë hulli endet frymëzimi i shpirtit të saj, që i ngjason lumit Erzen në muajt e dimrit, kur fryhet e del nga shtrati, valëzimit të grurit në pranverë, të ftohtit në ditët e shkurtit, të nxehtit në vapën e gushtit, freskisë së puhisë detare, pulbardhës që fluturon mbi valë, gëzimit në diellin e mëngjezit dhe trishtimit të hënës që rronitet netëve. Pavarësisht shpirtit ëndërrimtar e romantik, Mimoza i këndon lumturisë dhe brengave, ku fryma e optimizmit ndjehet në të gjitha poezitë e saj edhe kur ka pak vend për shpresë. Kjo përbën një vlerë të shtuar, sepse cilido kupton e mëson, se jeta duhet përballuar e jetuar ashtu siç është, pa zbukurime. Mimoza nuk qahet e as ankohet, veç i flet zemrës, duke bërë shumë pyetje që enden pa përgjigje, sepse kërkon e lakmon të bukurën në shpirtin e saj dhe të gjithkujt. Gjykojini vetë ç`forcë e melodi kanë këto vargje:
“…Dita s’po na do,
po na ndjek me gurë,
na paska inat…!
Fli, fli të bëhet natë…”. Poezia: “Fli, fli të bëhet natë”
Unë jam hëna, ti je dielli,
larg sa larg, nuk di kurkund,
të të mbaj pranë, mund të më djegësh,
të të kem larg, kam frikë se të humb. Poezia: “Unë dhe ti, si dielli me hënën”
“Ti më the: më lër të të puth flokët,
Se pe hënën të ulur në flokët e mi.
Unë sa dëgjova zërin, ktheva kokën,
Erdhe si frymë e lehtë, e mbolle stuhi”. Poezia: “Erës”.
Unë e vlerësoj si poezia më e bukur e librit, ku në katër vargje gjen një univers frymëzimi.
“Një grusht dhe, at… atdhe,
Ta mbaj përherë me vete në gji,
të më mbrojë nga e keqja,
mos ndihem vetëm, kur s`kam njeri”. Poezia: “Lavdi nga lavdia jote “babait tim”
“Do të ulem në shkallët e mia të vjetra,
Në diell flokët e lagura unë do thaj,
Në dollap varur përparsja e shkollës,
Që kur ika, nënës ia lashë si pajë”.
Poezia: “Mall për shtëpinë ku u rrita”.
Kur janë larg dy zemra dhe në heshtje flasin,
Pëshpërima e tyre s`ju dëgjohet kurrë.
Çdo natë numërojnë yjet, largësinë masin,
Forcë e dashurisë lëviz çdo gur.
Poezia: “Forcë e dashurisë”.
Libri i Mimozës, është si këngë serenate, që i këndon jetës dhe dashurisë, ndaj u vjen përshtat të tre brezave: Rinisë, ku dashuria ulet këmbëkryq dhe ndez e ledhaton trup e shpirt. Brezit të mesëm, që të lodhur nga hallet e ditës, mos harrojnë se duhet të lenë pak vend edhe për dashuri. Të moshuarëve, të cilët në heshtje përtypin kujtimet dhe i shtyn në vitet e shkuar, duke psherëtitur para filxhanit të kafesë: Eh, kur ishim edhe ne të rinj!!
Kur mbarova së lexuari librin, s`di pse m`u kujtuan fjalët e Rumiut, poetit e filozofit persian të mesjetës, i cili me siguri, për Mimozën ka shkruar këtu e 800 vjet të shkuar:
I thashë natës, “Mbase je e dashuruar me hënën, sepse kjo kurrë s’qëndron gjatë”. Nata u kthye e më tha, “Nuk është faji im. Kurrë nuk e shikoj diellin, nga ta di që dashuria është e pafund?”.
Urime Mimoza, dhe libra të tjerë kaq të bukur!
Në mbyllje, po citoj dy vargje të ujdisura nga fjalët e të vuajturve në dashuri:
“I trishtuar, trazoj prushin fshehur nën hi,
s`më vjen ligsht që u plaka, më vjen keq që s`jam i ri”.
Faleminderit poete Mimoza!(Ne Foto: Gjergj Vlashi, M. Berisha, N. Spathari. Z. Alili dhe S. Hyseni)
Durrës më 17. 08. 2014
MAQEDONIA E ILIRISË MADHËSHTORE
Nga Rasim Bebo, Addison, Çikago/
Në gazetën “ILLYRIA” të datës 25-31 korrik 2014, në faqet 16, 17, 30 deri 31, fillova të lexoj artikullin e z. Spiro Butka. Gjatë leximit, mendova i habitur, se mos kam në dorë gazetën “Borba” të Beogradit. Në të gjitha evenimentet historike që përshkruante, ky autor, mohonte qenien e Maqedonisë. Sllavёt dhe grekët u bien të njëjtës violinë. Z. Spiro nuk është as sllav as grek, por është i sinkronizuar me avazin e qeverive shqiptare të Tiranës , Prishtinës dhe Shkupit, që ndjekin boshtin serb-rus-grek. Historianët grek duke shpifur dhe intriguar, se çamët janë kolonë turq, dhe pasi nuk patën rezistencë nga atdheu nënë, e zyrtarizuan se “Çamëria nuk ekziston”. Tani “oficeri madhor shqiptar” i Enver Hoxhës, i dërguar në krye të UÇK-së, ish Zv/Komandant i operacionit “Shigjeta” në luftën e Kosovës, aktualisht Kryetar i SHVL, të UÇK-së në Tiranë, bën propagandë antishqiptare dhe gazeta “Illyria” e boton pa u menduar thellë.
Këtë shkrim unë e botoj për diskutim në mbarë vendin, për të vënë pikën mbi “i” .
Shqipëria e filloi demokracinë në vitin 1990, vetëm me lejimin e përkthimeve dhe botimeve të librave historike të disa autorëve të dëgjuar të brendshëm e të jashtëm, të cilat në kohën e “Hoxhës” ishin të ndaluara: si Historiani Amerikan Prof. Dr. Edwin Jacques, Prof. Dr. Robert Anxheli, Prof. Dr. Mathieu Aref, Prof. Dr. Dhimitër Pilika, prof. Dr. Karl Rainholdi, Fishta, Tajar Zavalani, Aristidh Kola, Konica, Noli, Mit’hat Frasheri etj.
Ju, zoti Spiro Butka, në artikullin “Shqiptarët e Shqipërisë Lindore mes vërtetësisë historike dhe aktit final të Hesinkit”, në vend që të shkruanit “Shqiptarët e Maqedonisë, keni shkruat sipas serbëve , “Shqipërisë Lindore”. Serbët nuk duan ta dëgjojnë e ta shkruajnë emrin MAQEDONI, përballë shqiptarëve autoktonë, që përbëjnë afërsisht gjysmën e popullatës maqedone. Ju z. Spiro, për artikullin që shkruat, nuk preferuat asnjë referencë nga autorët e mësipërm, por u përqendruat te historianët sllavo-serbë.
Studiuesi serb, M. I. Andronoviqi, te libri i tij “Sllavët e Maqedonisë janë serbë, se as në kohën e Nemanjiqëve, nuk përmendet kurrë – fare Maqedonie”. Duke shkuar më tej në shkrimet e veta, ai thekson se “Me një fjalë, Maqedonia nuk ekziston, as popull Maqedon, as shteti Maqedon”. Autori tjetër serb I. Ivaniq, duke mbështetur Andronoviqin, shprehet: “Jam i bindur, se nuk ekziston ndonjë popull Maqedon i gjakut sllav dhe as ka ekzistuar ndonjëherë ai”.
Prof. Dr. Edwin Jacques thotë; “Hulumtimi i qytetërimit të hershëm shqiptar na çon te pararendësit Pellazgë. Dorëshkrimet më të hershme tregojnë se pellazgët ishin zotër të gadishullit Ballkanit me qendra të fuqishme në Mikenë, Spartë, Argos dhe Athinë… Popullsia që u vendos më vonë në Maqedoni Epir dhe Iliri ishte pikërisht nga kjo kryeqendër pellazge…”. Për shkallën e qytetërimit pellazgë shënojmë: “Tuqididi na siguron se akropoli më i njohur i botës, ai i Athinës fqinje, nuk u ndërtua nga grekët por nga këta pellazgë. 107 Banorët e parë u vendosën aty para vitit 2000 p.e.s.”. (“Shqiptaret”, f. 66).
Z.Spiro shkruan: “…zhvillimi gadishullor hap pas hapi mori statukuonë e vet, duke u quajtur Iliri. U mbizotërua nga fise Ilire. Që shtriheshin në trojet pellazgjike, … u pasua me dyndje të ndryshme refugjatësh … Muhaxhirë të ardhur nga anë të ndryshme të horizontit, duke spekulluar në mikpritjen e vendorëve…”. A Mundet të jenë këta pushtues të pa mëshirshëm sllavë “refugjate” dhe “Muhaxhire? Ju nuk zutë në gojë popullin Maqedon dhe Epirot, që kanë ardhur në një kohë me popullin Ilir të shpërngulur nga epiqendra pellazge e Argosit në vitin 815 p.k. Dhe vazhdon ecuria historike. Z. Spiro, ju citoni: “… u dyndën për herë të parë sllavët me synimet e tyre pushtuese, për të sllavizuar gadishullin e zjarrtë, … Ëndrra e tyre u ndërpre në mes nga ndërhyrja e përgjakshme të Perandorisë turke, Osmanët nisen të turqizojnë gadishullin … Ilirët e asaj kohe, në vazhdimësi të ruajtjes të identitetit autokton dhe gjuhësor”. Z. Butka, shqiptaret nuk u turqizuan por u myslimanizuan dhe jo vetëm Ilirët, por edhe Maqedonët dhe Epirotët. Sot janë ata Maqedonë shqiptare mysliman me identitetin shqiptar që mbrojnë trojet e tyre në Maqedoni.
Prof. Dr. Uran Asllani pyet: “Ku janë shqiptarët ortodoksë të Maqedonisë? A janë sllavizuar nga sërbet e greket?…
Prof. Georg Shtad Myller thotë: “Shkaqet e përhapjes së shpejtë të islamit në Siujdhesën Ballkanike – para së gjithash në Shqipëri – nuk ishin religjozë por të llojit juridik dhe ekonomik”.
Z. Butka vazhdon: “Ballkani Ilirik nisi të bëhet arena e përleshjeve, midis shqiptarëve autokton, muhaxhirëve Sllav e grek, të ardhur nga Uralet e brigjet e Nilit…”. Z. Spiro, Ju pushtuesin e quani “muhaxhirë”, sllavët nuk kanë qenë të parët pushtues, këta (sllave) kanë ardhur 1000 vjet pas grekëve. Z. Spiro ju shkruani: “Maqedonia e sotme nuk ka të bëjë me atë antike. Shkrirja gjeografike e sotme me atë antike, nuk i përkasin më njëra-tjetrës… periudhë kjo që në historinë e vet nuk njeh asnjë lloj Maqedonie… ” Sa keq shkruan si shqiptar, z. Spiro! Qyteti Edesa (Vodena) e djeshme si kryqytet Maqedon dhe Shkupi i sotëm si kryeqytet, i përkasin të njëjtit popull Maqedon, që jeton në tokën e vet, bashkë me popujt vëllezër Ilirë dhe Epirot të ardhur nga epiqendra pellazgo – shqiptare e Argosit në shek. IX p.e.s. Prej kësaj kohe Maqedonia ekziston si popull shqiptar, vend, flamur, histori, ashtu si Iliria dhe Epiri.
Z. Spiro, ju shkruani shprehjen e Bismarkut që ka thënë se gjoja “nuk ekziston komb shqiptar”. Nga historiani Marash Mali, citojmë: “U bënë më shumë se 125 vjet që spekullohet me thënien e kancelarit gjerman (Oto Von) Bismark. Kjo gënjeshtër e trilluar nga prof. Vlladan Gjeorgjeviç, vazhdon të përsëritet edhe sot e kësaj dite në shtypin shovinist serb. Në mbledhjen e 7 dhe 13, Bismarku nënvizon: Shqipëria, popull etnik evropian që ka hapësirën e vet, hapësirë që duhet të rruhet e paprekur në kuadër të Perandorisë Osmane” (Në këtë kuadër futet hapësira: Prevezë – Preshevë – Nish – Tivar – Durrës – Shkup). (“Demaskimi i një gënjeshtre”. Gazeta “Illyria”, 12-12-2005). Z. Spiro, Ju flisni me një urrejtje të madhe kundër Maqedonisë, si historianët grek që flisnin kundër Çamërisë, derisa arritën të deklarojnë se “Çamëria nuk ekziston”. Kur flasim për Shqipërinë, flasim për gjithë truallin Shqiptar, ju këtë nuk doni ta kuptoni por vazhdoni: “… tri ngjarje të mëdha, që shoqërohen me vendime të ndryshme, pa përmendur gjëkundi ekzistencën e Maqedonisë, si popull, si vend, e aq me tepër si shtet”. (Z. Spiro ju prapë shkruani: “Në atë Konferencë Londineze, nuk u fol dhe nuk u përmend asgjëkundi emërtimi Maqedoni, …”. Ismail Qemali nga Kuvendi i Vlorës shpalli: “Kongresistët me një za vendosën që Shqipëria të bëhet më vete, e lirë dhe e mosvarme”. Në kuvendin e Vlorës morën pjesë 8 delegate nga viset shqiptare të Maqedonisë: Shkupi, Dibra, Tetova, Gostivari, Struga dhe Ohri (Myfti Vehbi Agolli, Sherif Langu, Mehmet pashë Dërralla, Hamdi Ohri, Dr. Myrteza, Nuri Sojli dhe Mustafa Baruti). Nga këta u zgjodh me vota unanime Kryetar i Këshillit Kombëtar (Parlamentit) Myfti Vehbi Agolli, kurse Mehmet Pashë Dërralla u zgjodh ministër i Mbrojtjes Kombëtare.
Mehmet Pashë Dërralla
Kur flitet për trevat shqiptare, flitet edhe për Maqedoninë, si për gjithë “Shqipërinë Natyrale”. Ju jeni në rolin e një historiani serb në këtë rast dhe kjo është fatkeqësia e kombit tone. Z. Spiro, ju vazhdoni të thoni: “Tarktati i Versajës edhe pse zgjati në vijimësi, si akt politik vendimtar e përcaktues, nuk përmendi asgjëkundi ndonjë shtet apo popull Maqedon, por “Shqipëria Lindore”, (Emri “Lindore” është pjellë e serbëve, për të mohuar emrin Maqedoni, shën. im), vazhdon të përjetojë kolonizimin serb, duke i ndërruar emrin nga Maqedoni në “Banovina të Vardarit”, pa njohur asnjë lloj Maqedonie. “Në ato tavolina politike, nuk mori pjesë asnjë vend i quajtur Maqedoni”. Z. Spiro, ju vazhdoni mohimin e Maqedonisë. “Pyetja duhet shtruar, se nga lind kjo Maqedoni e pa qenë, me toka shqiptare, në mes të shqiptareve”? Herodoti (485-425), thotë: “…Ilirët janë pasardhësit e pellazgëve në gadishullin tonë. Si lashtësi e si qytetërim vetëm tre popuj numërojnë mijëvjeçarë të thellë: Ilirët, Maqedonët dhe Epirotët. Herodoti quajti themeluesin e Maqedonisë Perdikën. E. J. “Shqiptaret”, f. 97). Prof. Oto Myleri, thotë: “Mbretëritë e këtyre tre provincave: Epir Maqedoni dhe Iliri, vishnin një lloj rrobash, kishin të njëjta zakone, dhe ishin lidhur me krushqi e me gjini kurdoherë midis tyre. Kësisoj Nunela e Aleksandrit të Madh ishte Iliriane dhe e ëma, Olimpia, prej Epirit, nga dera e Pirros. (“Maqedonia shqiptare”, bot.2009, f. 323). “… Për herë të parë në histori të tri mbretëritë pellazge: Maqedoni, Epir dhe Iliri, dmth shqiptarët e hershëm, u vunë nën një prijës, nën mbretin Filipi II”. (f. 102) “Edhe në rastet ekstreme, shtetet shqiptare nuk i kërkuan ndihmë Greqisë fqinje, as vetë kjo e fundit nuk ua afroj atë. Maqedonia, Epiri dhe Iliria, ndonëse të mbërthyer me grindjet e tyre, prapë gjenin gjuhë të përbashkët midis tyre si farefis që ishin: (f. 142).
Vdekja e Aleksandrit të madh, shënoi fundin e bashkimit të shkurtër të tri mbretërive shqiptare: Maqedonisë, Epirit dhe Ilirisë … nga mungesa e një trashëgimtari për fronin. Gjatë atyre viteve të trazuara, në Maqedoni sunduan mbretër Maqedonas: Kasandri (317-298 p.e.s.), Antigon II Gonata 279-243 p.e.s.), Demetri II (243-225 p.e.s.), Antigon Dosoni (225-220 p.e.s.), Filipi V (220-179 p.e.s.), Perseu 179-168 p.e.s.). Plutarku jep hollësi mbi betejën e Pidnës. Emil Pauli, brenda një ore luftimi të ashpër romakët e mundën Perseun …” (f. 134).
Fan Noli shkruan: “… kur shkatërroheshin qytetet e Ilyrisë, Maqedonisë dhe Epirit, atëherë fillonin lulëzimin e tyre qytetet e Europës. Luftërat Iliro-romake vazhduan nga viti 231-168 p.e.s. Nga Iliria dolën 12 perandorë të Romës. (Maqedonia shqiptare f.185).
Maqedonia ka qënë e ngjeshur me banorë maqedonë, me një popullsi shumë dinamike, nga gjiri i saj dolën gjatë shek. të VI, tre perandorë të Bizantit nga kjo trevë. Ata qenë i pari Justini (518-527) nga Bederiana afër Shkupit, i dyti, Justiniani (527-565), i mbiquajtur “I Madh”, nipi i Justinit, nga një fshat afër Bederianës, i treti, Justini II (565-578). Është fakt se Justiniani ndërtoi në Dardani në mes te shek. VI më shumë se 158 kala. (në Epirin e Ri 58 kala; ne Epirin e vjetër 36 kala; në provincën e Maqedonisë 46 kala. (Maqedonia shqiptare f,35 ). Historiani Çek Prof. Dvornik thotë: “Sllavët nuk kanë asnjë legjendë heroike që të kujtojnë vendosjen e tyre në Gadishullin e Ballkanit. (T. Zavalani, bot. 1998, f. 71).
Robert d’Angeli shkruan: “Nëse serbët gjithmonë janë përpjekur të përvetësojnë gjithçka që u përket shqiptarëve: gjuhën ilire, doket zakonet, traditat e kostumet stërgjyshore, përkundrazi shqiptarët gjithmonë e sistematikisht kanë refuzuar çfarëdo kontakti, sidomos me martesa, me pushtuesin e tyre. (“Enigma”, bot. 1998, f. 282-283). Mania sllave. Sllavo-bullgarët kishin marrë zgjerim nën carin Semion. Flitej se: “Nga muret e Korinthit drejt në muret e Stambollit shkon fjala e Semionit.” Falmerayer citon: “Ambicia e Semionit ishte, të kurorëzohej Perandor në Katedralen e “Shën Sofisë”. Një luftë e pareshtur vazhdoi në mes të Bizantit dhe mbretërisë bullgare. Mbas vdekjes së Semionit vjen në fuqi Samueli, i cili në mbarim të shek. X-të pushton Durrësin. Ndërkaq Perandori Bizantit Vasili i II u drejtua me ushtrinë e tij kundër mbretërisë së Samuelit. Një luftë për vdekje vazhdoi për 4 vjet. Beteja e fundit u zhvillua në lumin Strumë, në vitin 1014. (është 1000 vjetori i kësaj kasaphane 1014-2014 a duhet kujtuar?) 15.000 bullgaro-sllavë u zunë rob dhe perandori urdhëroi që të verboheshin të gjithë, me përjashtim të një njeriu në çdo grup prej 100 vetësh. Ata që shihnin, tërhoqën me vete të verbrit dhe u kthyen te car Samueli. Kur pa këtë procesion të llahtarshëm, ai vdes nga një goditje në zëmër. (T. Z. f., 76).
Prof. Kristo Polljanski flet paturpësisht për Maqedoninë, thotë: “… nga popullsitë e lashta të kësaj treve (Maqedoni) , kishin shpëtuar pa u zhdukur disa “ashkla.” Ky historian ne dhe maqedonët na quan ardhacakë dhe radhën e fundit të ardhjes së shqiptarëve e vendos pas vitit 1944. Ju Z. Butka jeni në garë me Polljanskin për mohimin e emrit MAQEDON?
Doktor M. Aref shkruan: “Malësitë e pa mposhtura dhe relievi tepër i thyer i Shqipërisë, … viset rreth saj Kosovë, Maqedoni,Mal i Zi dhe Epir i kanë bërë të mundur këtyre popullsive t’i quajnë të paprekura, kulturën, gjuhën, zakonet, doket dhe kostumet e lashta të tyre. Këto male kanë qenë një mbrojtje e vërtetë e gjuhës dhe kulturës pellazge. (f.67) …
Sipas Lavirei dhe Flëri, Pellazgët përbëjnë popullin të njohur si më i lashti i Maqedonisë, Greqisë dhe Italisë. (f74).
Nga epoka klasike deri në fund të epokës helene, përfshihen në thelb katër degë: Ilirët, thrakët, epirotët dhe maqedonët”. (“Shqipëria”, bot. 2007, f. 66).
Njihet në histori, më 21 korrik 1843, udhëheqësi i kryengritjes së madhe të Shkupit kundër masave tanzimatiste, ishte Dërvish Cara. Kjo kryengritje u përhap në vise të tjera të Maqedonisë në Tetove, Kaçanik, Kumanovë, Gostivar etj. Vazhduan kryengritjet deri në vitin 1875. Vatra kryesore të lidhjes së Prizrenit me drejtues: Iljas Pashe Qokun, Sheh Mustafa Tetova, Jashar Bej Shkupi. Bajo Topulli organizoi çetën e parë patriotike “Ja vdekje ja liri”. Më 1908 u mblodh Kongresi i Alfabetit Shqip në Manastir. Krahina e Maqedonisë u shqua edhe në kryengritjen e madhe çlirimtare antiosmane të Shkupit, që u çlirua më 11-8- 1912.
Studiuesi francez L. Jaray shkruan: “Shkupi më 1913, kishte 45.000 banore (55%), 25.000 shqiptare myslimane, kurse bullgare 10.000-15.000, serbë 3.000, 2.000 izraelite. (G. L. Jaray, L/Albanie income, Paris 1913, f.40). ..
JOSIF BAGËRI
Josif Bagëri (1870 – 1930), dëshmitar i përjetshëm i shqiptarëve ortodoks të Rekës: “…asimilimi u përballua gjatë 540 viteve të sundimit osman, ndodhi vetëm në vitin 1913 e këtej, kur e pushtoi serbia dhe vazhdoi gjatë sundimit komunist.”
Aristidh Kola thotë: “Kush na ka faj, se vetë i kemi verbuar sytë tanë, me duartë tona!” Volteri qysh në vitin 1756 i kushtonte dy faqe Skënderbeut, midis të tjerave thekson: “Ç’farë grekë e bizantë, shqiptarët janë ata, që nxorën Skënderbeun dhe këta dinë të bëjnë histori”. (“Maqedonia shqiptare”, bot. 2009, f. 192),
Pra, Z. Spiro Butka, kur flasim për Shqipërinë dhe Skënderbeun, këtu flitet edhe për Maqedoninë. Nga Viktor Hygo: “Madhështia e një populli, nuk varet nga numuri i banorëve, ashtu si madhështia e një njeriu nuk varet nga gjatësia e trupit”. Kjo është Maqedonia e Ilirisë madhështore.
Rasim Bebo, Addison, Çikago, gusht 2014
Shkodër- Kisha katolike, meshë lutje për paqe në Irak
Nga Gasper MARKU/
SHKODËR, 17 Gusht/ – Kisha Katolike e Shkodrës organizoi paraditen e së dieles një meshë solemne ku duke reaguar ndaj akteve kriminale që po ndodhin kundër besimeve fetare në luftën e Irakut, u ka kërkuar besimtarëve të luten për paqe. Gjatë predikimit që Arqipezhgvi Metropolitan i Dioqezes Shkodër Pult, Angelo Masafra, njëherazi edhe në cilësinë e kryetarit të Konferences Ipezhgvnore të Shqipërisë, bëri përpara besimtarëve të shumtë katolike në katedralen “Shën Shtjefni” të qytetit, duke folur për luften në Irak, dënoi aktet kriminale, që sipas tij, nuk kanë asgjë të përbashkët me parimet themelore të besimeve fetare. Me këtë rast, ai i kërkoi besimtarëve, që të gjithë të bashkuar të luten dhe të jenë solidare me Kishën në Irak, për rikthimin e paqes dhe për respektim të të drejtave njerëzore dhe që njerëzit me fe të ndryshme të jetojnë së bashku në paqe.
Më herët, Këshilli Ndërfetar i Shqipërisë dhe antarët e tij (Komuniteti Musliman i Shqipërisë, Kisha Orthodhokse Autoqefale e Shqipërisë, Kisha Katolike e Shqipërisë dhe Kryegjyshata Botërore Bektashiane) mbështetur dhe nga Vëllazëria Ungjillore e Shqipërisë, përmes një deklarate për shtyp dënuan aktet e dhunës dhe përndjekjen që po i bëhët popullsisë së krishtere në Irak nga formacionet ushtarake ISIS. ”Këshilli Ndërfetar i Shqipërisë dhe anetarët e tij po ndjekin me shqetësim situatën që po ndodh këto ditë në Lindjen e Mesme, në mënyrë të veçantë përndjekjen kriminale që terroristët e ISIS në Irak po ushtrojnë ndaj popullsisë lokale të krishterë, madje edhe ndaj myslimanëve dhe minoriteteve të tjera, e në mënyrë mizore përndjekjen dhe dëbimin e detyruar me dhunë të të krishterëve irakenë dhe të irakenëve të feve të tjera prej vendit të tyre. Ne dënojmë me forcë akte të tilla kriminale që nuk kanë asgjë të përbashkët me parimet themelore të besimeve tona”, thuhej ndër të tjera në deklarate. Ne emër të Këshillit Ndërfetar i bëhej thirrje edhe faktorit ndërkombëtar të ndërhynte për ndalimin e dhunës dhe shpërnguljen e banorëve të Mosulit dhe rrethinave për shkak të besimit(Gaspër Marku)
Kosovë, ndahet nga jeta akademiku Besim Bokshi
Presidentja Jahjaga: Vepra e Besim Bokshit do të jetoj ndër mote/
PRISHTINË, 17 Gusht /-Shuhet në moshën 83 vjeçare akademiku Besim Bokshi, i vlerësuar si njëri nga gjuhëtarët më të shquar të Kosovës dhe të shkencës së albanologjisë në përgjithësi.
Besim Bokshi lindi në Gjakovë më 12.XI.1930. Gjashtë klasë të mësimit fillor i kreu në Tiranë, për të vazhduar pastaj shkollimin në Gjakovë, Prishtinë dhe në Beograd. Ka qenë anëtar i komisionit për konkluzione të Konsultës Gjuhësore të Prishtinës më 1968 dhe delegat në Kongresin e Drejtshkrimit të Gjuhës Shqipe në Tiranë më 1973.
Ka qenë deputet në Dhomën për Arsim në Kuvendin Federativ më 1967-69. Në zgjedhjet kosovare parlamentare e presidenciale të vitit 1992, që ishin pjesë e lëvizjes për liri, pavarësi e demokraci, është zgjedhur deputet i Kuvendit të Kosovës. Në vitet 1993-96 ka qenë kryetar i Partisë Socialdemokrate të Kosovës.
Ishte anëtar i Lidhjes së Shkrimtarëve të Kosovës. Anëtar korrespondent i Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Kosovës është zgjedhur më 1991, ndërsa nga viti 1996 ka qenë anëtar i rregullt i kësaj Akademie. Në vitin 2002 u zgjodh nënkryetar, ndërsa në vitet 2008-2011 ishte kryetar i Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Kosovës.
Kryetarja e Komunës së Gjakovës, Mimoza Kusari Lila, në një telegram ngushëllimi familjes është shprehur se, “me hidhërim të thellë morëm lajmin për ndarjen nga jeta të Akademik Besim Bokshit, të bashkëshortit, prindit, vëllait, gjyshit dhe profesorit të çmuar dhe të respektuar gjerësisht nga kolegët, nxënësit dhe studentët e shumë brezave, të cilëve ua mësoi gjuhën e bukur shqipe, letërsinë dhe artin shqiptar, ashtu siç dinte vetëm i madhi Besim Bokshi, poeti, profesori, gjuhëtari, Akademiku ynë. Ai me jetën dhe veprën e tij na bëri të krenohemi se ishim bashkëvendës të tij. Me dijen e thellë në fushën e gjuhës, me krijimtarinë dhe veprat gjuhësore, profesor Besimi dha kontributin e vet të çmuar në pasurimin e shkencës së albanologjisë”
Jahjaga: Vepra e Besim Bokshit do të jetoj ndër mote
Presidentja e Republikës së Kosovës, Atifete Jahjaga, ngushëlloi sot familjen Bokshi, me rastin e vdekjes së më të dashurit të tyre, akademik Besim Bokshi.
“Me dhembje e morëm lajmin për ndarjen nga jeta të më të dashurit tuaj, poetit e intelektualit të shquar, ish-Kryetarit të Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Kosovës, akademik Besim Bokshi”, thuhet në telegram.
Presidentja Jahjaga shprehet se, humbja e akademik Besim Bokshit, nuk është humbje vetëm për familjen Bokshi, por është humbje e madhe për kulturën, gjuhën shqipe, është humbje e madhe për Akademinë e Shkencave dhe të Arteve të Kosovës dhe për Kosovën në përgjithësi.
“Akademik Bokshi do të mbahet në mend për punën e tij dhe kontributin e vazhdueshëm për krijimtarinë dhe veprat gjuhësore, për kontributin e çmuar në fushën e albanologjisë si dhe për angazhimin dhe punën e tij për Akademinë e Shkencave dhe të Arteve”, thekson Jahjaga. Sipas saj, vepra dhe krijimtaria e akademik Besim Bokshit do të jetoje ndër mote duke shërbyer si motivim për studiuesit e rinj dhe për intelektualët e Kosovës
- « Previous Page
- 1
- …
- 26
- 27
- 28
- 29
- 30
- …
- 59
- Next Page »