• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for September 2014

Ndërgjegja dhe kurajua civile

September 15, 2014 by dgreca

Shkruan: Reshat Kripa/
Gjatë jetës së tyre njerëzit kalojnë nëpërmjet një rruge të gjatë. Në këtë rrugë, nisur nga rrethanat që iu paraqiten, ata shpesh herë ndërrojnë mendimet dhe bindjet e tyre. Kjo është një gjë normale. Nuk është e thënë që një individ të mbajë të njejtin mendim apo bindje për gjithë jetën e tij. Kushtet në të cilat jeton njeriu janë determinante në formimin e bindjeve. Por kushtet mund të ndryshojnë disa herë gjatë rrugës së jetës dhe, një gjë e tillë, nuk duhet të na çudisë për ndryshimin e mendimeve dhe bindjeve të njerëzve. Por ka një gjë që është konstante dhe që njerëzit duhet ta kenë parasysh. Kjo është ndërgjegja, është kurajua civile.
Vendi ynë kaloi një periudhë mjaft të gjatë, gati një gjysmë shekulli, nën sundimin totalitar të sistemit socialist apo, më saktë, të sistemit komunist. Pranohet prej shumicës së popullsisë së vendit tonë se në atë sistem, individi nuk ishte gjë tjetër veçse një manekin që ishte i detyruar të vepronte sipas shkopit të dirigjentit. Në të kundërt e priste gjëma. I ndodhur në këto rrethana individi ishte i detyruar të vepronte jo siç i thoshte ndërgjegja e tij, por siç e urdhëronin. Këtë rrugë, për fat të keq, e ndoqi shumica e qytetarëve të këtij vendi.
Në këtë shkrim nuk dua të flas për turmën e madhe të popullsisë së vendit, megjithse edhe asaj i zunë duart kallo nga duartrokitjet për diktatorin dhe pasuesit e tij. Në këtë shkrim dua të flas për inteligjencën shqiptare., Dua të flas për drejtuesit e Kuvendit Popullor të Shqipërisë dhe ata të dikastereve qëndrore, për drejtuesit e komiteteve ekzekutive apo kooperativave bujqësore, për punonjësit e organeve të diktaturës, atyre të Sigurimit të Shtetit dhe të burgjeve e kampeve famëkeqe, për sekretarët e komiteteve të partisë në rrethe apo institucione të ndryshme, për drejtuesit e Bashkimeve profesionale, organizatave të gruas, rinisë e të tjera. Por dua të flas edhe për shkrimtarët, për poetët, për kritikët letrarë, për dramaturgët, për skenaristët, për kineastët, për piktorët, për skulptorët, për aktorët, për regjizorët, për muzikantët, për këngëtarët e të tjerë të kësaj kategorie.
Por, edhe këta, ishin ndarë në tre kategori. Në kategorinë e parë përfshiheshin të gjithë ata që, nën ndikimin e indoktrinimit, besonin se ndodheshin në pozita normale dhe i shërbenin verbërisht me ndërgjegje sistemit. Ky shërbim karakterizohej nga cinizmi dhe imoralitetit. Për këta fanatikë nuk ekzistonin norma morale. Ishin të gatshëm që atë që deri më dje e kishin mik, ta shpallnin, papritur dhe pakujtuar, armik dhe kjo vazhdoi gjatë gjithë periudhës së sundimit totalitar. Janë të njohura eliminimet e grupeve të ndryshme të mbiquajtura “kundra pushtetit popullor” ku sharlatanët sulmonin miqtë e dikurshëm deri sa iu vinte rradha edhe atyre të sulmoheshin nga miq të tjerë. Këta ishin njerëz ndërgjegja e të cilëve kishte vdekur, ishin njerëz që u mungonte krejtësisht kurajua civile.
Në kategorinë e dytë hynin ata që, megjithse ndërgjegja u thoshte se rruga nëpër të cilën po ecnin nuk ishte e drejtë, vazhdonin në po atë rrugë. Kishte politikanë që i brente ndërgjegja për veprimet e kryera por, megjithatë, vazhdonin përsëri pasi nuk kishte kthim prapa. Një kthim i mundshëm prapa do të thoshte shkatërrim moral dhe fizik për të dhe trashëgimtarët e tij. E njëjta gjë mund të thuhet edhe për punonjësit e artit, kulturës dhe letërsisë. Muzikantët ishin të detyruar të kompozonin pjesë me një përmbajtje thellësisht totalitare dhe këngëtarët ishin të detyruar t’i ekzekutonin këto pjesë. Dramaturgët dhe skenaristët ishin të detyruar të shkruanin drama dhe skenare ku ngrihesh në qiell “njeriu i ri socialist” dhe aktorët e kineastët ishin të detyruar t’i interpretonin apo t’i regjistronin në shirita kinematografik. Shkrimtarët dhe poetët ishin të detyruar të shkruanin për armikun e klasës dhe ta paraqisnin atë në mënyrën më diskredituese, ndërsa kritikët letrarë ishin të detyruar t’i ngrinin sa më lart këto vepra dhe kur shihnin se te ndonjëri diçka nuk shkonte ta groposnin. Për të njëjtat arsye edhe piktorët dhe skulptorët krijonin vepra ku dilte në pah forca e madhe e klasës punëtore. Të gjithë vepronin sipas skemave të të ashtuquajturit “realizëm socialist”. Në mes të kësaj kategorie kishte njerëz që ndërgjegja e tyre nuk i linte të qetë. Kurajua civile e tyre i shtynte për të gjetur rrugë që, në një mënyrë apo tjetër, nëpërmjet alegorisë apo formave të ndryshme, të tregonin se ka edhe rrugë të tjera nëpër të cilat duhet të ecë njeriu. Këta individë në më të shumtën e rasteve, përfundonin në humnerë.
Ndërsa në kategorinë e tretë përfshiheshin të gjithë ata që patën kurajon t’i kundërviheshin sistemit dhe që e paguan shumë shtrenjtë kundërshtimin e tyre. Në këtë kategori bënin pjesë të gjithë ata që nëpërmjet grupimeve të ndryshme antikomuniste, apo formave të tjera të protestës, të ngriheshin kundër totalitarizmit. Ata më stoikët e paguan kundërshtimin e tyre me humbjen e jetës. Të tjerë e paguan me prangat e rënda në duar. Shumica tjetër me heshtjen, me mbylljen në vetveten e tyre. Ndërmjet tyre pati edhe disa që shkruanin. Ata shkruanin për lirinë, për mendimin e lirë, për demokracinë. Por veprat e tyre nuk i lexonte askush. Ato mbetën të panjohura për lexuesin shqiptar. Me ato kënaqej vetëm autori i tyre, i cili priste ditën kur do t’i shpallte pa patur frikë. Këta i përkisnin asaj shtrese që e kishin ndërgjegjen të qetë dhe që nuk iu mungonte kurajua civile.
Më së fundi, pas gati një gjysmë shekulli, në saj të rezistencës së gjatë ndër vite dhe revoltës së fundit popullore,, sistemi totalitar u përmbys dhe filloi ndërtimi i shtetit të ri demokratik. Së bashku me konturet e këtij shteti, në vend filluan të shfaqen edhe fenomene të ndryshme që vinin si rezultat i mentalitetit të krijuar gjatë viteve të obskurantizmit komunist dhe që ishte ngulitur në ndërgjegjen e këtij kombi. Më të pastër në këtë drejtim, dolën përfaqësuesit e kategorisë së tretë, të përshkruar më lart, pasi ata kishin vite që e kishin braktisur atë sistem dhe atë mentalitet, ndaj u rreshtuan në të djathtën shqiptare.
Përfaqësuesit e kategorisë së parë u rreshtuan përkrah forcave më të errëta të vendit duke ëndërruar për një rikthim të sistemit të rrëzuar. Ata u rreshtuan me të majtën ekstreme. Ndërsa përfaqësuesit e kategorisë së dytë u ndanë në dy krahët e politikës shqiptare. Ata më konservatorët u rreshtuan majtas, ndërsa më liberalët djathtas.
Natyrisht nuk mund të pretendosh që të gjitha segmentët e popullsisë të rreshtohen në të njëjtin krah. Ky është regulli numër një i demokracisë. Secili ka të drejtë të rreshtohet në krahun që e ndien më afër vetes. Sikundër e kam theksuar edhe në fillim të këtij shkrimi, secili ka të drejtë t’i ndërrojë bindjet e tij kur bindet se ato të mëparshmet nuk ishin të drejta. Por kryesorja është se ai duhet të reflektojë për kët.ë ndryshim. Këtu del në pah ndërgjegja e individit, del kurajua civile e tij. A e lejon ndërgjegja dhe a e ka kurajon civile ta hedhë plotësisht dhe zyrtarisht të kaluarën e tij? A ka fuqi ta deklarojë hapur një gjë të tillë?
Sot,, me përjashtim të një pakice fare të vogël, nuk gjen asnjë individ që zyrtarisht të mbrojë sistemin e përmbysur. Gati të gjithë thërrasin “Poshtë komunizmi”! Por a e luftojnë me të vërtetë atë? Për fat të keq kjo nuk vihet re. Gati për ditë lexojmë në faqet e shtypit të shkruar apo ekranet e medias elektronike intervista të personaliteteve të larta të së kaluarës së errët, apo fjalime dhe kujtime të shkaktarëve të asaj tragjedie. Një gjë e tillë bie ne sy kryesisht në të majtën shqiptare. Ajo është deklaruar haptazi se është në mbrojtje të mentalitetit të atij sistemi. Them të mentalitetit se, pasi po të mendosh se po t’i pyesësh dhe do të të përgjigjen sinqerisht, nëse dëshërojnë të rikthehet përsëri ai sistem, përgjigja do të ishte negative dhe kjo për arsyen e thjeshtë se niveli i jetesës së tyre sot është qindra herë më i lartë se atëherë kur ishin në pushtet. E vetmja gjë që u mungon është pushteti absolut që kishin atëherë dhe nostalgjinë ata e kanë pikërisht për këtë pushtet.
Po te e djathta si qëndron çështja? Zyrtarisht ajo e ka kurajon të dënojë të kaluarën. Ajo e ka, gjithashtu, inisiativën për të përmbysur çdo gjë të errët të asaj të kaluare. Por, të djathtës shqiptare i mungon kurajua civile individuale për të demaskuar të kaluarën e tyre personale. Deri më sot nuk kemi dëgjuar asnjë politikan, drejtues institucioni, artist apo shkrimtar të hedhë poshtë atë pjesë të aktivitetit apo veprave të tij të kryera si pasojë e shtypjes së ushtruar nga regjimi. Nuk do të ishte turp apo fyerje e personalitetit të tyre hedhja poshtë e së keqes që secili ka patur mbi veten e tij, përkundrazi, do të kishte qenë një xhest human dhe lehtësues për ndërgjegjen e atij që kryen një veprim të tillë.
Megjithse e kam shkruar edhe herë të tjera por ia vlen ta përsëris edhe një herë me këtë rast. Kam para sysh një shprehje që princi Hamlet ia drejton s’ëmës, mbretëreshës Gertrudë, në tragjedinë me të njejtin tirull të Uilliam Shekspirit,ku ai i thotë:“O nënë, hidhe poshtë gjysmën e keqe të zemrës tënde dhe rro me gjysmën tjetër më të mirë!”
Nuk e di nëse këtyre qytetarëve u ka mbetur një gjysmë zemre më e mirë, përndryshe do të ishte një fatkeqësi për këtë komb.

Filed Under: Analiza Tagged With: dhe kurajua civile, ndergjegja, reshat kripa

NJI VIZITË E PRITUN PREJ SHEKUJSH

September 15, 2014 by dgreca

Foto: AT KONRRAD GJOLAJ O.F.M.(1918 – 2000)/
Vizita e Shejtnisë së Tij Gjon Pali II, dashtë e padashtë, do të hyjë n’ analet e historisë si ajo ma e shkurta ndër komunitete, gati si provë e s’ dij se çkahit, si nji udhëtim nga A në B, rekord i vërtetë shpejtësie.
Shtypi katolik e ai laik, agjensitë botnore të lajmeve, ndoshta edhe vetë qarqet e Vatikanit e patën shumë të vështirë t’a percaktojnë e t’i japin nji emen këtij evenimenti tepër të madh per vendin tonë të vogël. Sepse asht përnjimend e vështirë me përcaktue karakterin e kësaj lëvizjeje fort të shkurtë, me nji program ma se konçiz për t’u quejtë “pelegrinazh” për nderim të gjakut të derdhun gjatë 500 apo 50 vjetëve.
Nuk mund të quhet as ost-politikë e Vatikanit, pse nuk pat asnji element të kësaj natyre, posë nji puthjeje toke, puthje duersh, fjalime e përshëndetje për popullin shqiptar e për lidhjet e tij të vjetra me Selinë e Shejtë.
Qe pozitiv tipari i vetëm se nuk pati asnji incident, as prej të huejve, as prej vllazënve të vjetër, as prej anmiqve të sotëm.
Nuk mund të ndodhte ndryshe.
Zyrtarisht u tha se kjo vizitë kishte për qellim të vetëm, shugurimin e katër ipeshkëve shqiptarë. Ashtu duhet të ketë qenë. Por ndoshta faqja tjetër e medaljes mund të jetë edhe ma interesante. Shumë shprehje tepër bombastike për miqsinë e vjetër ndriçuese…por gati kurrgja për pozitën historike të kristianizmit në Shqipni, as për rezistencën primare kundër metodave dhe eksperiencës së komunizmit shkencor, koncentrat i të zezave të nji periudhe jo vetëm 500 vjeçare, por 2000 – vjeçare.
Vlera e nji populli matet me forcën e kulturës së ndërgjegjës, aftësinë aktive në mjedisin ku jeton dhe aftësinë e transmetimit si rrezatim ndriçues të kozmopolitizmit, përçues ndër vende e nëpër arteriet e etapave historike të kulturave etnike, të pasunisë së traditave, gojëdhanve e sagave, shprehje të dinamikës. Matet edhe nëpër forcën e rezistencës së tregueme gjatë atapave historike të pafavorshme. Nji popull asht aq i madh sa të jetë e madhe rezistenca e tij. Nji popull nuk zhduket si komb nga historia, shtypjet, okupacionet e kulturat anësore, po qe se ai ka me çka të rezistojë, madje, po pati vitalitet e thesar kulturor e sidomos shpirtnor që t’asimilojë t’ ardhunit, qoftë edhe me armë.
Banorët e gadishullit të Ballkanit Përendimor, të papërcaktuem si fuqi etnike qysh më zhdukjen e forcës ushtarake romake dhe të stancimit filozofok grek, qendrojnë në histori vetëm në saje të ruajtjes së zakoneve e traditave të mbështetuna përherë në boshtin fis–gjak, të ruejtuna që prej fillimit të Erës së Re. Ndonse qe fjala për nji shoqni shumkombëshe, për arsye të ligjëve t’ egzistencës ajo kuagulohet tue marrë tiparet e nji shoqnie tribale plot me vlera historike.
Asht kjo periudhë që, si rrjedhim i ballafaqimeve të ndryshme në trekandshin ballkanik, qet në sipërfaqe nji përmbledhje gjithë kontradikta, si rrjedhim i fillimit të përplasjeve të dyndjeve të hueja dhe popujve vendas, që përfundon me zhdukjen e dalëngadalshme por sistematike të sistemit ekonomik e politiko – etnologjik të të dyja palëve, tue nxjerrë në dritë nji shoqni shumënyjshe, tepër heterogjene, pa kurrfarë tiparesh as të trashëgimnisë së kalueme historike, as të atyne pushtuese të ndryshëm që dominuen mbi këta rajone.
Vetëm mbas invadimesh të njimbasnjishme të sllavëve dhe formimit të shtetit sllav në shekuj të mavonshëm, të coptuem në krahina të vogla, ata do të luenin rol me randësi, herë pozitiv, herë negativ, sidomos në periudhën historike të invadimit osman, bashkë me etnitetet e vogla fisnore, mbetje etnike të popujve të ndryshëm të vjetër.
Asht interesante të konstatohet se edhe etnia e vjetër greke pëson ndryshime të mëdha psikologjike e kulturore, tue mbetë materialisht vetëm si kujtim i gjuhës e i kulturës së vjetër greke, plus shtresave të dinastisë së vjetër: bizantinizmit dhe levantinizmit.
Era kristjane luen nji rol me randësi në formimin shpirtnor, por edhe në galvanizimin etniko – kulturor, tue ruejt mbrenda strukturës së re etnitetin kulturor e tradicional fetar, pak a shumë të pastra, por gjithmonë të forta. Forcat e doktrinës kristjane vëprojnë ma intensivisht në fshat se në qytet, ku jetojnë klasat që mbajnë fuqinë në dorë. Megjithëkëte bërthamat ilegale të komunitetëve kristjane janë tepër aktive dhe përpiqen t’a transmetojnë shoqninë skllavopronare n’anë të depërtimit t’ ideve jetëdhanse të barazisë e dashunisë njerzore edhe ndër klasat sunduese.
Kur kristjanizmi legalizohet dhe bahet forcë zotnuese e drejtuese e asaj periudhe, – dhe i tillë mbetet për shumë shekuj me radhë, – nisë me veprue mbi invadimet e popullsive sllave tue i ba pjesë integruese në mbarë aparatin administrativ, për me anue ma vonë në drejtim të Perandorisë Lindore, tue marrë gjithshkahën në dorë, që prej fuqisë ushtarake dhe deri n’ ate gjyqtare e periferike me njerëz vendas e tue e transformue krejt strukturën e vjetër. Kristjanizmi, shpeshherë i përçamë e i përndjekun, përpiqet të plazmojë jetën e mbrendëshme shpirtnore, strukturat familjare dhe ato shoqnore.
Gjatë pushtimit të gjatë osman mbështetet n’ antitezën e popujve ballkanikë edhe si ruejtës i kombësive për gati 500 vjetë. Zhvillon luftat legjendare për vetëmbrojtje kombtare, kulturore e shoqnore, me Gjergj Kastriotin në krye, për hesap të vet e të Botës. Asht nji mrekulli historike se si nji grusht i vogël populli, nën gjithë atë shtypje psikologjike, ekonomike, kulturore e strukturore, shoqënore e fetare, i primë gjithmonë prej udhëheqsash të ndritun, të dijtun e plot ideal, të përcjellun përherë prej salvimesh, t’ ia mërrijnë të shpëtojnë kombsinë e nji populli të vogël, me të gjitha tiparet e nji populli të madh, si të gjitha kombet tjera, me nji kulturë, histori, tradita e virtyte të veta specifike. Kjo meritë i takon klerit katolik, që me vullnetin e çeliktë, me gjakun e derdhun pa kursim, me pishtarin e gjuhës e të dijes, i hapën rrugën popullit shqiptar drejt pamvarsisë e qytetnimit: lista e tyne, që prej Buzukut deri te Fishta, asht aq e gjatë sa nuk numrohet. Periudha e komunizmit, kulmi i barbarizmit të këtyne shekujve, synonte me la hesapet njiherë e përgjithmonë me klerin dhe katoliçizmin në Shqipni; këte e kanë të qartë të gjithë shqiptarët dhe kurrkush nuk mund të mohojë, as t’a shtremnojë.
Ishte për këtë që pritej aq shumë ardhja e Shejtnisë së tij Gjon Palit II në Shqipni: shpërblim këtu në tokë i asaj rezistence burrnore. Pritej që të bekonte të gjitha vorret e martirëve të ramë gjatë këtyne shekujve ndër malet tona, luginat e fushat, të shpërndamë në të katër anët e Atdheut. Pritej me entuziazëm prej 500mijë katolikëve shqiptarë mbrenda kufijve, e po ashtu, prej vllazënve të tjerë kureshtarë, por të sigurtë për rranjët e prejardhjes. Kjo Kishë gati 2000 vjeçare, në vendin ma të afërt me Vatikanin për kah largësia gjeografike, nuk mjaftohej me nji bekim prej së largu. Ishte nji vizitë e pritun pothuej prej shekujsh.
Por ç’ u kuptue nga fjalimet e mbajtuna zyrtare?
Nuk u çek aspak se prej këtyne tribunave publike tirani dhe suita e tij çirreshin para Europës e mbarë Botës, se ia kishin mbyllë gojën Papës së Romës, dhe prej këndej baheshin fyemjet ma provokuese që ka njoftë historia.
Nuk u fol asnji fjalë për dhunimin barbar të Elterit të Shejtë të Katedrales Katolike, në rastin e delirit euforik të kongresit të grave të Shqipnisë me 1973. Nuk u dha kurrnji deklaratë publike se sot e mbrapa elementi katolik i Shqipnisë dhe kleri i tij, nuk do të vuejshin prej asnji forme të Gjenocidit të praktikuem deri tash…
Ndoshta diplomacia shqiptare mbeti pak e zhgënjyeme nga që nuk ia doli t’ implikonte Atin e Shejtë ndër ngatrresat ballkanike, as me realizimin e vizitave të dyshimta, as me miratimin për atë ost – politikë shqiptare të projektueme dikur në librin “Shënime për Lindjen e Mesme”, të shpallun ma vonë prej Alisë e Çarçanit, e që korri “sukseset e para” nëpërmjet diplomacisë demokratike, me dorëzimin e krejt fushave katolike të Shkodrës e Maleve të Mirditës katolike, si konçesione afatgjata oazeve arabike, tue marrë shpërblim nji kothere bukë misri e nji kanaçe vajguri, për me ndezë përsëri këtu bishtukun famëmadh si “fener ndriçues i Europës”.
Vizita e Papës u mbyll pothuej sikur nji eveniment i madh i zhvilluem në terr.
Asht punë për mbas-median: bahet zhurmë e madhe për nji , dy, tri ditë e hidhet në histori, pa dijtë se kur nisi e kur mbaroi.
Vetëm ajo thirrja e lëshueme Popullit Shqiptar prej Sheshit Skenderbeg, duhet të mbetët e ngulun gjithmonë: “Shqipni, qindro në naltësinë e kësaj beteje të madhe…” !
***
Shenim nga F. Radovani: Ky material u botue në vitin 1993 në Revisten “Hylli i Dritës” dhe në vitin 1996, në librin e At Konrrad Gjolaj, “Çinarët”, në faqe 226, botue në Shkodër.
At Konrrad Gjolaj O.F.M. (ose Tomë Marku) (1918–2000) ka le në Velipojë të Shkodres. Ishte nxanës i Don Alfons Trackit. Vazhdoi studimet në Kolegjin Saverian në Shkoder dhe ata të naltat teologjike në Romë. Në vitin 1943 ka krye stydimet mbasuniversitare po në Romë, ku asht laurue për Dirito Canonicum. Në 1943 vjen në Shkoder dhe ishte profesor i Gjimnazit Fretenve. Në vitin 1948 arrestohet dhe mbas një viti hetuesi lirohet “pa faj”. Nuk pranon me nenshkrue Statutin e Kishës Katolike Shqiptare, perpilue nga shteti komunist, kështu me 10 Janar 1959, arrestohet bashkë me Don Dedë Malaj, që u pushkatue. At Konrradi lirohet në vitin 1972.
Punon në punë të randa dhe jeton tek mesa e vet Angjelina. Në vitin 1994 fillon me shkrue librin “Çinarët”, ku pershkruen me saktësi pikrisht atë pjesë të pashkrueme të Historisë së vertetë të Popullit Shqiptar nën diktaturen komuniste.
At Konrrad Gjolaj, mbasi i la Shqiptarëve këte thesar, mbylli sytë në vitin 2000.
***
Ky artikull botohet nga Fritz Radovani, në pragun e vizitës një ditore në Tiranë, me 21 Shtator 2014, të Shejtnisë së Tij Papës Françesku.
Melbourne, Shtator 2014.

Filed Under: Opinion Tagged With: At Konrrad Gjolaj, Fritz radovani, Vizita e Papa Franceskut

VËREJTJA E NJË MENDIMI TË PAMËSHIRË

September 13, 2014 by dgreca

Mbi provën gjenerale të luftës civile/
Nga Rexhep KASUMAJ/Berlin/
1.Ç’do të ndodhte me Kosovën paszgjedhore sikur të mungonte Prania e huaj? Ngjan e rëndë për një truall, bijtë e të cilit ende janë të tretur gropash të paemër, por dhe fantazia më optimiste nuk do ta përjashtonte lehtë një sprovë të luftës civile.
Pasioni instinktiv, gati parasocial për dominancë mbi llojin a fisin, i ka hequr pudrosjen Kosovës së re. Në vend të partive politike moderne alternativash prosperuese, janë fortifikuar dy vrajë organizimesh të përçudshme e përballëse: njëra, tirania e kooperativave familjare patriarkale, „oxhaqeve“, tashmë josojnike, prirë nga dinastë provincialë e të errtë dhe tjetra, grupimet e kartelave të krimit që vërviten e kërcëllejnë dhëmbët e prishur për të ruajtur a për të rrëmbyer pushtet! Të pleksura fort në turrin dhe mendësinë, ato krijojnë një realitet të vështirë që humneron themelet e shtetit, sikur dhe gropën e thellë mes tij dhe Europës. Që hibriditeti të jetë mnerisht i përkryer, ndër ta pështillet dhe një kastë, poaq e veçantë, ajatollahësh: Baballarë të vetëçertifikuar gjyqesh të fundme, Tribunë të hargjuar të vegjëlisë, dhe Instanca shpërdoruese të flijimit brënda gjakut të vet. Kurse krejt poshtë, nën këmbët e të gjithëve, janë shtruar elektorët e shkretë, të lodhur e fatpajtuar, të cilët, të trandur nga drita e fortë e lirisë, nuk e përvetësojnë dot nenin 3 të Kushtetutës frënge që përligj të drejtën e kryengritjes kur guvernat shkelin liritë e tyre.
2.Sepse “kur humbet kuptimi i jetës, aherë humbet dhe e drejta për jetën”, do të shkruante rebelshëm dhe Niçe, ky shpirt i shkumëzuar i Europës. E tani, qindra vjet më pas, e gjejmë të konformohet, ndoshta, mendimi i tij i pamëshirë në miljeun politik shqiptar: ndër dy Shqipëritë e jashtme përplot heronjë – të Ohrit që nëpërkëmbet dhe të Rambujesë që vetëpërtallet!..
Vërtetë, ç’kuptim ka rrnesa dhe e drejta për të, nën hekurat e pushtimit që shtrëngojnë me formulën klasike apo nën darët e dinastëve të mafiokracisë nacionale që, thuase, i kanë ndërruar të keqes veç petkun etnik?!
Imperialiteti nuk ngrihet gjithmonë mbi kontrollin fizik të një territori të huaj, por, shpesh, është i mjaftë kontrolli virtual i resurseve të tij. Këtë përskajim, në fakt, do ta bëj H. Münkler në „Logjikën e sundimit të botës”, tek jep mjeshtërisht panoramën dhe filozofinë e perandorizmit ç’prej Romës e këndej. Ndaj, rrjedhimisht, vetëjetesa sovrane do të cilësohet e përmbaruar kur Instanca shtetërore të ushtrojë të dy kontrollet bashkë: edhe mbi tokën edhe mbi të mirat e saj. Natyrisht, duke presupozuar legjitimitetin demokratik të elitës dhe barazinë e të gjithëve në shansin për fat e lumni jete!..
Ndërkaq, a bëjmë ne tutje? Përgjigja ngjan, ndonjëherë, deshpëruese, sepse, me gjasë, gjendemi ende brenda definicionit të sipërthënë. Në shpalesën e tij negative, mjerisht! Mirëpo, për paradoks, kjo fatkeqësi ka dhe një të mirë. Vonestarë siç janë dhe pa edukatë demokracie e kulturë shteti, shqiptarët e sidomos, personeli politik i tyre, s‘do të dinte ç’të bënte me lirinë e vet. A nuk ndodhë kështu me shqiptarët e matanshëm tash 100 vjet? Asistenca e huaj, sado e përzjerë tipash të larmë e hedonizmash të ulët, mund ta shtyjë e vetmja përpara karron e shkallmuar. Në fakt shqiptarët nuk janë rëndomësuar të lëvizin vet asnjëherë. Gjëndjen sociale dhe statusin politik në rrotullime kohësh, ua ndryshonte prore faktori i jashtëm: ose pushtues ose çlirimtarë i tyre. Madje as zgjedhja e tyre nuk ishte e lirë. U mbetej vetëm afiniteti i shkëlqyer i përshtatjes dhe identifikimit me ideologjinë dhe administratat e hegjemonit madhnor!
3.E tani i referohemi sërish pyetjes së fillimshkrimit: si do venin punët sikur të mos ishte ky faktor në Kosovë? A do evoluonte zjarri i vërbër për Fuqi, e përmes saj, për sundim e grabitje pronash e lirish, i titajve të barrikaduar luftarakisht, në një zjarr tjetër, në zjarr armësh, civil e total, që do të përvëlonte të gjithë? Duke rrezikuar keqkuptimin, mund të thuhet krejt sigurisht: mbase zor të rrëzohej një pandehmë pohuese!
Fundja, së paku teorikisht, nuk do të ishte fundi i botës. Shumë kombe historikë kanë kaluar kalvar të tillë dhe janë këndellur si kurrë më parë. Por në këtë tokë të ngushtë, drama e saj do të ishte e barabartë me tragjedinë. E para, pse ajo është larë me shumë nga gjaku se nga shiu, pastaj e dyta, kombet e tjerë, duke qenë të mëdhenj e konsolidë, ishin të pakanosje për zhbërje dhe e mbrama, përplasja, në mungesë të një kauze sublime, do të përfundonte e katrahurshme. Kudo që pati shpërthyer në botën e qytetnisë, ajo kishte një kauzë të epërme: ata të shumtët që merrnin anë kishin një idhull që përsonifikonte idealin e tyre. E këtej, ndërkaq, nuk do të gjendej kund as idhulli, as ideali e as misionari i tyre. Përse? Thjeshtë sepse në skenë, në të gjithë anët e krahët, ka një të vetme pamje, mendësi, flamur dhe yshtje: alternimin e radhës së figurantëve pa moral, kredo, besë e dedikim publik. Të ndryshëm i kanë veç emrat dhe fytyrat. Madje dhe këto të fundmet, si tek teoria kriminale e Lombrozës, sikur përgjasojnë hutueshëm duke krijuar tipologjinë unike të tyre. Edhe sikur e keqja të shmanget, ata nuk meritojnë stolisjen me suporet e lavdisë, sepse, thjeshtë, faktori frenues gjendet diku tjetër. Fundja a nuk është tragjike vetë ngasja dhe potenciali i tyre i afishuar për të prekur pragun e saj? Ata, në fakt, po e bëjnë këtë: kjo është prova gjenerale e saj. Dhe ja, kjo është, pra, ndjenja e tyre, ndërgjegja e tyre, Kosova e tyre!
Ndaj, nuk i thurim odë aspak Prezencës së jashtme, por ngjanë të jetë e tillë, shpëtimtare, pse njeriu politik kosovar është i krejtësisht i çorientuar nga fiksioni i mirëqenies që vjen pas suspendimit të represaljeve serbiane…Në vend të ndërsymjes nga politika e ndërkryer që i mbanë në jermi dhe i kërkon gjakun, ai do të duhej të formonte vetë një bosht të tretë: të organizuar e inteligjent, kritik e vetmohues, për të çelur një kaptinë të re të historisë.
Është në duart e tij… Çdo status që do të gëzojë, po të shprehemi sipas mësimit hegelian, është real dhe i arsyeshëm!..Dhe ky i përtashmi i nëpërkëmbur, mjerisht!
Berlin, shtator 2014

Filed Under: Opinion Tagged With: nje mendim i pameshirshem, Rexhep Kasumaj, Verejtje

Adrian Hadribeaj mposht amerikanin Michael Hamida dhe mbron titullin

September 13, 2014 by dgreca

SHBA: Bellator 124 Adrian Hadribeaj, në Arena Copuware në Plymouth, të Michiganit,ka mposhtur amerikanin Michael Hamida me decision vendim : 29-28, 28-29, 29-28

Fiton përsëri shqiptari Adrian Hadribeaj! me nofkën “-The Eagle – Shqiponja ”
Nga Beqir SINA
Plymouth – Michigan : Bellator 124 i zhvillojë dyluftimet e saj të premten në mbrëmje në pallatin e sportit Arena Copuware në Plymouth, të Michigan it, me një ngjarje kryesore për të mbrojtur kurorën e tij të peshës gjysmë të rëndë kundër amerikanit Michael Hamida.
Kampioni shqiptarë në SHBA , Adrian Hadribeaj, në sportin nga më të përhapurit dhe vështirë në botë dhe më i avancuar që quhet Mix Martial Art’s (MMA), duke fituar titullin Kampion i Madh i shtetit të Michiganit më 10 gusht 2013, arriti mbrëmë Arena Copuware në Plymouth, të Michigan it, edhe një fitore tjetër dhe atë me vendim unanim në ndeshjen në MMA Bellator, duke mposhtur amerikanin Michael Hamida me decision vendim : 29-28, 28-29, 29-28
Për mbështetjen e tij mbrëmë në këtë dyluftim kan qenë dhjetëra shqiptarë, mjaft entusiat, duke valvitur flamurin kuq e zi – dhe inkurajuar shqiptarin Hadribeajn me thirrjet energjike – “Go Eagle! Fito Shqiponja!”. Në mesin e tifozve shqiptarë, kan qenë edhe një grup të rinjësh nga organizata Rrënjët Shqiptare, me president zotin Marko Kepi dhe udhëheqësit e tjerë të saj – përfshirë dhe Kryetarin e degës së Michiganit Endrit Topalli .
Kampioni shqiptarë në SHBA , Adrian Hadribeaj, megjithëse ka një karrierë, relativisht të shkurtër, 2 vjecare në USA, në CV e tijë ka regjistruar – “shtuar” trofe “të pafund”, si në sportin e KARATESË duke arritur të bëhet kampion i SHBA-ve dhe, pra në sportin nga më të përhapurit dhe vështirë në botë dhe më i avancuar që quhet Mix Martial Art’s (MMA), që ndeshjet janë si gladiatorët në kohën e Romakëve ku ndeshesh brënda kafazit, duke arritur një rekord 7 fitore 0 humbje dhe duke fituar titullin Kampion i Madh i shtetit të Michiganit më 10 gusht 2013, por edhe në gara të tjera të sportit ku matet forca fizike.
Adrian Hadribeaj – është vetëm 25 vjeçar. Këtu në Amerikë atë e njohin me nofkën “-The Eagle – Shqiponja Shqiptare ” për shkak të gjakut të tij nga Shqipëtar, dhe shpirtit luftarak, që tregon brenda ringut si një shqiptarë i “fort i guximshëm dhe trim”.
Ai është ndër shqiptarët e rrallë të cilët kanë nisur të bëjnë karrierë në një nga sportet më ekstreme dhe më të rrezikshme në botë. Bëhet fjalë për luftërat në aportin MMA (Mixed Martial Arts – Arte të Përziera Marciale).
Hadribeaj është nga Tirana dhe deri në moshën 20 vjeçar ka fituar gjithçka që ka qenë për tu fituar në sportin e karatesë në Shqipëri dhe më gjerë, në arenën ndërkombëtare ku ka graruar.
Ai është fitues i shumë kampionateve kombëtare, mbarëkombëtare, ballkanike si dhe I ligave të ndryshme evropiane dhe botërore si British Open, USA Open, German Open etj.
Sukseset e njëpasnjëshme në këtë sport dhe dëshira për tu rritur edhe më shumë profesionalisht kanë bërë që Adriani të synoj edhe më lartë. Të synoj sportin ku bëhen bashkë të gjitha artet luftarake në një vend. Ku “luftëtarët” më të kompletuar sfidojnë veten përballë më të mirëve prej të mirëve.
Karriera e pasur që ka ndërtuar në Shqipëri e ka bindur atë që mundet edhe më shumë dhe i ka dhënë vetëbesimin e duhur për të nisur këtë rrugë. Të bëhet një luftëtar i kompletuar i MMA.
Ish Studenti i UNIVERSITETIT AMERIKAN TË TIRANËS z.Adrian HADRIBEAJ, kampioni i SHBA-ve në ARTET MARCIALE vite më parë kur u largua nga Shqipëria në një letër falenderimi për UAT, Adminstratorin e Përgjithshëm z.Lulëzim NDREU dhe stafin e UAT, shkruante:
Unë quhem Adrian Hadribeaj, ish-student i Universitetit Amerikan të Tiranës ne profilin Juridik, vitet- sezonin akademik 2009-2010, 2010-2011 derisa vendosa të largohem drejt USA për aktivitetin tim sportiv profesional.
Kam për te dhënë një falenderim të madh për Administratorin e Përgjithshëm të UNIVERSITETIT AMERIKAN TË TIRANËS, z. Lulëzim Ndreu dhe UAT, që më hapën rrugët e studimeve në Arsim duke më dhëne bursë të plotë arsimimi duke më nderuar si 15 vjet Kampion Kombetar ne Artet Marciale (KARATE) si dhe një kampion Europian, Ballkanik dhe në renditjen botërore në vend të 7-të.
Doja të falenderoja të gjithë stafin akadamik, më të shquar që kam njohur, dhe më të përgatitur.
Në UNIVERSITETIN AMERIKAN të gjithë studentët shikonin përditë e më shumë një dritë jeshile për të ardhmen e tyre, si unë dhe të gjithë ne studentet. Kushtet ishin të shkëlqyera,njerëzit profesionistë të vërtetë. Nga të gjithë universitetet e tjera që kam vizituar, programet dhe mësimdhenia në UAT ishin me kualitet shumë të lartë. Duke punuar me profesorët më të mirë të vendit, jam krenar që vitet e mia akademike arrita t’i bëj pranë ketij Universiteti gjigand.
Kam një karrierë 2 vjecare në USA, në CV time kam shtuar trofe pafund si në sportin e KARATESË duke arritur të bëhem kampion i SHBA-ve dhe, në sportin nga më të përhapurit dhe vështirë në botë dhe më i avancuar që quhet Mix Martial Art’s (MMA), që ndeshjet janë si gladiatorët në kohën e Romakëve ku ndeshesh brënda kafazit, duke arritur një rekord 7 fitore 0 humbje dhe duke fituar titullin Kampion i Madh i shtetit të Michiganit më 10 gusht 2013.

Filed Under: Sport Tagged With: Adrian Hadribeaj, Michael Hamida, mposht amerikanin

100 kriminelët më të mëdhenj të shekullit

September 12, 2014 by dgreca

Shekulli i kaluar përveç revolucionit ekonomik dhe shkencor, pas vetes ka lënë disa njerëz, që do kujtohen me shekuj nga shoqëria botërore. Nuk janë këta njerëz që kanë fituar “Nobelin” për paqe ose shkencë, por si politikanë e diktatorë, do të mbahen mend për krimet që i kanë bërë njerëzimit.
Gazeta “Tirana Observer”, ka botuar historitë e 32 njerëzve që kanë qenë të veçantë nga gjithë bota. Quhen të tillë pasi shifrat e viktimave që kanë lënë pas i kalojnë mijërat madje edhe milionat.
Ndërsa nëse bëhen të gjithë bashkë, nga fuqia e tyre politike dhe ushtarake, kanë vdekur gati 100 milionë njerëz në shekullin XX.
“Është e qartë që njerëzit e thjeshtë nuk e duan luftën. Përse një fshatar duhet të rrezikojë lëkurën e tij në luftë, kur qëllimi i tij më i madh është të kthehet në shtëpi shëndoshë e mirë. Janë drejtuesit ata që vendosin për politikën ata që e duan luftën…”, citohet të ketë thënë gjenerali gjerman Herman Goring duke folur për Luftën e Dytë Botërore.
Në krye të listës prej 32 diktatorëve të shekullit të kaluar është Adolf Hitleri,të cilit i faturohen 60 milionë viktima të Luftës së Dytë Botërore.
Pas tij, sipas alfabetit është: Ante Paveliç, ustashi kroat i cili gjatë viteve ’41-’45, shkaktoi 300 mijë deri në 1 milionë të vrarë, ku përfshihen 30 mijë hebrenj, mbi 29 mijë romë dhe 300-600 mijë serbë.
Anastasio Somoza Debayle ishte president i Nikaraguas prej dy mandatash, nga viti 1967 deri në vitin 1979. Megjithëse nuk ka të dhëna të sakta për viktimat gjatë regjimit të tij diktatorial, Debayle mbahet përgjegjës për të paktën 50 mijë të vrarë gjatë “revolucionit” nikaraguan dhe për 120 mijë të arratisur nga vendi.
Ahmet Cemal Pasha, Ismail Enver Pasha dhe Mehmed Talat Pasha, janë futur si vrasës në historinë e shekullit të 20-të, me një emër, “Tre pashallarët”. Të tre, drejtues të xhonturqve në kohën e Perandorisë Otomane, mbahen përgjegjës se në periudhën 1914-1918 kanë vrarë rreth 600 mijë armenë, mbi 300 mijë grekë dhe mbi 100 mijë asirianë.
Augusto Pinoçet ishte një gjeneral ushtarak, por që e qeverisi Kilin si diktator, nga 11 shtatori 1973 deri në mars të 1990. Ai është përgjegjës për vrasjen e 3 197 njerëzve dhe burgosjen e shumë të tjerëve, krime që ai i ka bërë gjatë regjimit të tij diktatorial. Në vitin 1988 regjimi i tij mori fund pas një referendumi popullor.
Benito Musolini, diktatori italian i cili e futi Italinë nën një regjim fashist nga viti 1922 deri në 1943. Ai akuzohet se gjatë 11 viteve të regjimit të tij janë vrarë mbi 400 mijë italianë dhe mbi 30 mijë etiopianë, të cilët janë vrarë gjatë pushtimit të Etiopisë nga Italia.
Elie Hobeika ishte komandant i “Forcave Libaneze”, një ushtri që financohej nga Siria libanezi gjatë viteve 70-80. Elie Hobeika është akuzuar se ka urdhëruar për masakrat e kryera në dy kampe refugjatësh në Liban, ku janë vrarë 1700 gra dhe fëmijë palestinezë.
Gjithashtu ai është edhe autor i shumë vrasjeve të popullsisë së pafajshme gjatë luftës civile në Liban, por edhe të kundërshtarëve të tij politikë.
Enver Hoxha, i sh udhëheqësi i Shqipërisë nga viti 1945 deri në vitin 1985. Ai akuzohet se gjatë regjimit të tij janë vrarë, zhdukur dhe internuar mijëra njerëz në Shqipëri. Enver Hoxha është cilësuar edhe si një nga diktatorët më të egër të shekullit të kaluar.
Ferdinand Marcos ish presidenti i Filipineve, për të cilin thuhet se nuk ka shifra të sakta por vrasjet mund të jenë me mijëra, ndërsa arrestimet burgosjet dhe internimet kishin qenë desert për të.
Francisco Franco Bahamonde, diktatori i Spanjës, i vënë në krye të shtetit më 29 shtator 1936, akuzohet se me trupat e tij nacionaliste ka shkaktuar vdekjen e mbi 500 mijë vetëve gjatë Luftës Civile të Spanjës. I ndihmuar nga Hitleri dhe Duçja, Franko fitoi luftën pa kushte pas 3 vitesh, më 1 prill të 1939-ës.
François Duvalier u zgjodh president i Haitit më 22 shtator të vitit 1957. I vetëshpallur president për jetë i Haitit, Duvalier vendosi një regjim të përqendruar në Haiti, dhe së bashku me djalin e tij, të cilin e shpalli pasardhës të kreut të shtetit, Duvalier akuzohet të ketë vrarë 20-60 mijë njerëz.
Haji Mohammad Soeharto shërbeu si ushtarak në luftën për pavarësi të Indonezisë, por kulmi i karrierës së tij ishte emërimi si president në vitin 1967, post të cilin e mbajti gjer në vitin 1998. Regjimi i tij u shoqërua me spastrime politike dhe me vdekjen e mbi dy milionë njerëzve, sidomos komunistë indonezianë dhe kinezo-indonezianë.
Hermann Göring, komandant i ushtrisë gjermane gjatë Luftës së Dytë Botërore dhe ministri i Aviacionit Gjerman, Hermann Göring është shpallur fajtor për vrasjen e miliona njerëzve. I cilësuar si një nga vrasësit më të mëdhenj të shekullit të XX, ai është përgjegjës edhe për zhdukjen e miliona hebrenjve, kjo pasi ai është autori i organizimit të eliminimit të tyre.
Idi Amin, i cilësuar si “Kasapi i Afrikës”, është akuzuar për vrasjen e rreth 300 mijë njerëzve. I lindur në vitin 1923, në veri të Ugandës, dhe i rritur mes tensionesh të grupeve etnike në vendin e tij, Idi Amin u ngjit në krye të Ugandës në janar të vitit 1971 me anë të një grushti shteti.
Ion Antonescu ishte kryetar i Rumanisë në vitet 1940-1944. Ai është përgjegjës për vrasjen e 300 mijë e hebrenjve në Rumani si dhe të 500 mijë ushtarëve rumunë, të cilët vdiqën gjatë betejës së Stalingradit në Rusi. Ion Antonescu ishte një nga gjeneralët më të famshëm në Rumani.
Joseph Stalin është një nga diktatorët më të egër dhe një nga vrasësit më të mëdhenj të shekullit të XX. Stalin është përgjegjës për vrasjen e gati 30 milionë njerëzve, shumica e të cilëve bashkëpatriotë të tij, si dhe burgosjen e miliona të tjerëve. I ardhur në fuqi pas vdekjes së Leninit, në vitin 1928, Stalini zhduku të gjithë kundërshtarët e tij politikë.
Joseph Goebbels, ministri i Propagandës i Gjermanisë naziste, Goebbels është përgjegjës për vrasjen e 46 milionë njerëzve, dhe për këtë është cilësuar si një nga vrasësit më të mëdhenj të shekullit të XX. Goebbels ishte personi që udhëhoqi propagandën e partisë naziste të Hilerit, duke bërë që partia e tyre të fitonte zgjedhjet në vitin 1933.
Josef Mengele, mjeku gjerman i kampit nazist të Aushvicit, është cilësuar si një nga vrasësit më të mëdhenj të shekullit të XX, madje është quajtur edhe “Engjëlli i vdekjes”. Kjo për shkak të eksperimenteve vdekjeprurëse që ai kryente me çifutët e burgosur në Aushvic.
Jorge Videla, ishte një gjeneral argjentinas, diktator dhe president i vendit nga viti 1976 deri në vitin 1981. Videla është cilësuar si një nga vrasësit më të mëdhenj të shekullit të XX dhe është akuzuar për vrasjen e 30 mijë njerëzve. Gjatë regjimit të tij ai u bë i njohur për dhunën dhe eliminimet që ai u bëri ndaj kundërshtarëve politikë.
José Efrain Ríos Montt, ose ndryshe “Gjenerali” akuzohet për vrasjen e rreth 70 mijë fshatarëve majanë dhe politikanëve disidentë në Guatemala. Ai u vu në krye të Guatemalës në vitin 1982, duke sunduar si diktator.
Kim Il Sung, kreu i Koresë së Veriut, i cilësuar si “Udhëheqësi i madh”, akuzohet si përgjegjës për vrasjen e 3 milionë njerëzve gjatë luftës civile të Koresë. Rreth 1 milion koreano-veriorë vdiqën nga uria gjatë regjimit të Kim Il Sung.
Në vitin 1950 ai nis sulmin ndaj Koresë së Jugut pa paralajmërim, luftë e cila përfundoi në vitin 1953. Sipas të dhënave, mbi 2 milionë civilë u vranë, ndërsa shënohen rreth 317 mijë ushtarakë të vrarë, 304 mijë të plagosur dhe 102 mijë të zhdukur në luftë.
Mbreti Leopold II i Belgjikës, i cili u vendos si sovran i Kongos në vitin 1885, akuzohet për vrasjen e 15 milionë kongolezëve. Monarku i Belgjikës, duke shtuar skllavërinë në Kongo, provokoi revolta të shumta të fiseve kongoleze, të cilat u shtypën me ashpërsi.
Mao Tse-Tung, ose “Timonieri i madh” i Kinës, akuzohet se është përgjegjës për vdekjen e 14-20 milionë njerëzve nga uria gjatë “Kapërcimit të madh përpara”. Plus këtyre, shtohen edhe dhjetëra mijëra të vrarë dhe miliona jetë të shkatërruara gjatë “Revolucionit Kulturor” në Kinë.
Ne Win, “Babai i madh” erdhi në pushtet në vitin 1962 me anë të një grushti shteti. Kreu i Burmës e mbajti regjimin e tij diktatorial deri në vitin 1988. Rreth 3-10 mijë të vrarë janë regjistruar në të ashtuquajturën “Demokracia e Pranverës”, protesta të mëdha të drejtuara nga studentë ndaj regjimit militar.
Nicolae Andruta Ceausescu, i quajtur “Gjeniu i Karpateve”, kreu i Rumanisë akuzohet për vrasjen e rreth 5 mijë njerëzve gjatë revolucionit të vitit 1989 që e përmbysi Ceausescu-n. Ndërkohë në listën e vrasjeve shtohen edhe me mijëra vdekje gjatë viteve’80, të shkaktuara nga privimet e regjimit, të cilin ai drejtoi.
Pol Pot, ishte drejtues i Partisë komuniste në Kamboxhia (Khmer Rouge) dhe kryeministër nga viti 1976-1979. Gjatë kohës së regjimit të tij diktatorial janë vrarë mbi 3 milionë kamboxhianë. Sipas të dhënave, në një qendër ku mbaheshin njerëz të arrestuar, janë torturuar dhe ekzekutuar rreth 15 mijë “elementë antiparti”, ku përfshiheshin edhe gra e fëmijë.
Prince japonez, Yasuhiko Asaka, i cilësuar si orkestruesi i masakrës së Nanjing, ku u vranë 200 -350 mijë civilë kinezë dhe ushtarë të dorëzuar. Robërit kinezë u torturuan, u dogjën të gjallë, u vranë me bajoneta në formë masive. Maskara ndodhi në vitin 1937, gjatë luftës së dytë kino-japoneze.
Radovan Karazhiq, politikani serbo-boshnjak është akuzuar për vrasjen e 20 mijë njerëzve gjatë luftës në Bosnje – Hercegovinë në vitet 1992-1995. I shpallur president i republikës serbe të Bosnje-Hercegovinës në vitin 1992, Radovan Karadzic akuzohet se ka urdhëruar gjatë luftës së Bosnje- Hercegovinës spastrimin etnik të myslimanëve boshnjakë.
Rafael Trujillo, president i Republikës Domenikane nga viti 1930 deri në vitin 1961, akuzohet për vrasjen e rreth 20 mijë haitianëve në vitin 1937. Kësaj i shtohet edhe një listë e madhe e disidentëve domenikianë dhe figura të opozitës, të vrarë gjatë regjimit të tij 31-vjeçar.
Ratko Mladiç, gjenerali serbo-boshnjak është ndoshta ndër vrasësit më të fundit të shekullit të XX. Ai është akuzuar për vrasjen e 8100 myslimanëve boshnjakë gjatë luftës në Bosnje-Hercegovinë në vitet 1992-1995, si dhe 10 mijë boshnjakëve të tjerë.
Sadam Hysein, ish-diktatori irakian është cilësuar si një nga vrasësit më të mëdhenj të shekullit të kaluar. Ai është akuzuar se gjatë regjimit diktatorial në Irak ka vrarë me mijëra njerëz, ndër ta shumë kurdë dhe shitë. Gjatë regjimit të tij diktatorial, Sadami eliminoi të gjithë kundërshtarët e tij politikë.
Sllobodan Millosheviç, i quajtur ndryshe si “Kasapi i Ballkanit”, është përgjegjës për vrasjen e 230 mijë njerëzve dhe shpërnguljen e nga trojet e tyre e 3 milionë të tjerëve. Në vitin 1989, Millosheviç merr postin e Presidentit të Republikës së Serbisë, të cilin e mban deri në vitin 1997.

Filed Under: Histori Tagged With: 100 kriminelët më, të mëdhenj, të shekullit

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 29
  • 30
  • 31
  • 32
  • 33
  • …
  • 57
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Bahamas njeh Kosovën!
  • Legjenda e portës shkodrane, Paulin Ndoja (19 dhjetor 1945 – 16 prill 2025) do të mbushte sot 80 vjeç
  • “Roli dhe kontributi i diplomacisë shqiptare në Maqedoninë e Veriut nga pavarësia deri sot”
  • Marie Shllaku, kur një jetë e re u shndërrua në përjetësi kombëtare
  • Në sinoret e Epirit…
  • Mbrëmë hyri në fuqi Ligji i SHBA për autorizimin e mbrojtjes kombëtare
  • Skënderbeu “grek”, ose si të bëhesh grek pa e ditur
  • A historic moment of pride for the New Jersey Albanian-American community
  • U zhvillua veprimtaria përkujtimore shkencore për studiuesin shqiptaro-amerikan Peter Prifti
  • Dashuria që e kemi dhe s’e kemi
  • “Jo ndërhyrje në punët e brendshme”, dorëheqja e Ismail Qemalit, gjest atdhetarie dhe fletë lavdie
  • Arti dhe kultura në Dardani
  • Gjon Gazulli 1400-1465, letërsia e hershme shqipe, gurthemeli mbi të cilin u ndërtua vetëdija gjuhesore dhe kulturore e shqiptarëve
  • “Albanian BookFest”, festivali i librit shqiptar në diasporë si dëshmi e kapitalit kulturor, shpirtëror dhe intelektual
  • VEPRIMTARI PËRKUJTIMORE SHKENCORE “PETER PRIFTI NË 100 – VJETORIN E LINDJES”

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT