• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for September 2014

Një shqiptaro-amerikan, emërohet nga Washingtoni zëvendës ambasador në Podgoricë

September 9, 2014 by dgreca

B. Bix Aliu, është i pari dhe i vetmi deri tani – që emërohet në detyrën më të lart në diplomacinë e Shteteve të Bashkuara – Ai është lindur dhe rritur në Çikago, Illinois. Prindërit e tij, janë shqiptarë nga një prej trevave shqiptare Zajasi – Kërçovë, në Maqedoni, familje që emigroi në Shtetet e Bashkuara në vitin 1960.Diplomati i parë shqiptaro-amerikan që punon në departamentin e Shtetit Amerikan./
Nga BEQIR SINA, New York/
WASHINGTON D.C: B. Bix Aliu, është i pari dhe i vetmi deri tani – që emërohet në detyrën më të lart në diplomacinë e Shteteve të Bashkuara. Ai mori mandatin si Zëvendës Shef i Misionit në Ambasadën e SHBA në Podgoricë, Mali i Zi. Ai është lindur dhe rritur në Çikago, Illinois. Prindërit e tij, janë shqiptarë nga një prej trevave shqiptare Zajasi – Kërçovë, në Maqedoni, familje që emigroi në Shtetet e Bashkuara në vitin 1960.
B. Bix Aliu arriti në Mal të Zi për të shërbyer si zëvendësshef i Misionit të Ambasadës së SHBA në fund të muajit gusht, 2014.
Departamenti i Shtetit thotë se para se të shërbejë në Podgoricë, Bix shërbeu si Koordinator i Diplomacisë kulturore – kursit në Departamentin Punëve të Jashtme Qendra Kombëtare e Trajnimit Shtetror . Në vitin 2009, Bix është detajuar në Kongres si një Kongresit Fellow Pearson, ku shërbeu si këshilltar special dhe ka punuar për politikën e brendshme për Qarkun Virxhinia zona e dytë të Kongresit.
Bix filloi karrierën e tij të Shërbimit të Jashtm në Shkup, Maqedoni, ku ai shërbeu si zëvendës i shefit të Punëve Publike dhe më vonë si ndihmës special i ambasadorit. Gjatë kësaj kohe, Bix ishte i përfshirë në Marrëveshjet e Paqes të Rambujesë si anëtar i të dërguarit të posaçëm amerikan në delegacionin e Kosovës dhe më vonë ka punuar me të dërguarit special të SHBA gjatë krizës në Maqedoni.
Bix u bë një anëtar karriere i Shërbimit të Jashtëm në vitin 2001, dhe që atëherë ka shërbyer si Zëvendës Konsulli dhe Zyrtari i Punëve Publike Dega në Dubai, Emiratet e Bashkuara Arabe, si zëvendës Atashe Kulturor në Varshavë, Poloni, si Zëvendës Koordinator për Zyrtarët e shërbimit të jashtëm në Institutin e Shërbimit të Huaj të Departamentit të Shtetit, dhe si Zyrtar i Çështjeve Publike në Ambasadën e SHBA në Tiranë, Shqipëri.
Ai është marrësi i çmimeve të shumta nga Departamenti i Shtetit, duke përfshirë gjashtë çmimet e nderit “Awards Superior” dhe gjashtë çmimet nderi “Merituar Awards. Në vitin 2005, Bix u zgjodh si anëtar i klasës inauguruese të Kolin Pauell, një program për të zgjedhur zyrtarët e shërbimit të jashtëm të cilët demonstrojnë cilësitë frymëzues dhe të përsosmërisë dhe të udhëheqjes. Në vitin 2008, komuniteti shqiptaro-amerikan i Çikagos, e zgjodhi Bix si “Person i Vitit.”
Në vitin 2014, Bix u zgjodh nga shqiptarët e Amerikës në Nju Jork- në një mbrëmje Gala si një nga 150 shqiptaro – amerikanët më të suksesshëm në mesin e komunitetit shqiptaro-amerikan në SHBA.
Bix mban një diplomë në mjekësi të marrë në Universitetin e Prishtinës Fakulteti i Mjekësisë së Kosovës dhe një Diplomë dhe Master në Akademinë e Studimeve Strategjik nga Kolegji i Luftës të Ushtrisë amerikane.
Ai flet shumë mirë shqip, dhe rrjedhshëm gjuhën malazeze, maqedonase, serbe dhe polake. Bix dhe gruaja e tij Dr Nora Zajazi, kanë dy fëmijë, vajzën Tean dhe djalin Bledin .
Diplomati amerikan i SHBA, B. Bix Aliu (Begzat Azem Aliu) që është i përfshirë në marrëveshjet e paqes, krizat, dhe zhvillimin e demokracisë, dhe tani aspiron të jetë, ndoshta edhe ambasadori i parë shqiptar i Amerikës në SHBA, në mbrëmjen Gala – ku ai ishte zgjedhur si një nga 150 shqiptaro – amerikanët më të suksesshëm, në mesin e komunitetit shqiptaro-amerikan në SHBA, foli me shumë kënaqësi me gazetën tonë – për të cilën ai tha se e kishte lexuar shpesh herë dhe e njihte shumë mirë.
Jam shumë i lumtur dhe të jem prezent e të shohë një pjesëmarrje kaq të madhe -, tha ai në fillim të bisedës, duke shtuar se po shoh njërëz që kan punuar kaq shumë në SHBA . Duke patur pas vetes edhe gjeneratat e reja, të cilët, edhe ata mundet të ëndërrojnë dhe të arrijnë ëndrrën amerikane këtu në Amerikë.
A mendoni se ky është një sukses dhe një mirënjohje për SHBA – çka bënë Shtetet e Bashkuara për Shqipërinë dhe Shqiptarët?
Sigurisht po! dhe është shumë me rëndësi të kuptohet kjo! që Shtetet e Bashkuara të Amerikës të japin shumë mundësi dhe ofrojnë gjithëçka- Si përshembull historia ime është pjesë e këtij suksesi prej se kur Babai im erdhi si emigrant dhe punoi shumë – dhe arriti çfarë arriti deri teksa djali i tij sot është zëvendës ambasador i Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe aspiron të jetë edhe ambasador. Çka do të thotë shumë jo vetëm për mua por dhe të gjithë shqiptaro amerikanët.
Meqenëse përmendet suksesin tuaj si zëvendës amabasador, ku dhe kur jeni emërur në këtë detyrë ?
Kam disa muaj që e kam marrë emrimin tim si zëvendës ambasador i SHBA në Podgoricë kryeqytetin e Malit të Zi – dhe në fundin e muajit gusht marrë mandatin zyrtarisht
Mirëpo çfarë dini ju ose çfarë keni mësuar për shqiptarët që jetojnë në Mal të Zi ?
Unë mendojë se si shqiptarët dhe malazezët duhet të punojnë së bashku drejt përparimit të këtij shteti për të shkuar në Europë dhe Mali Zi të anëtarësohet në Nato
Po për shiptarët e Amerikës – kontributin dhe integrimin e tyre në shoqërinë amerikane ?
Mendojë se shqiptarët janë plotësisht të integruar në shoqërinë amerikane, dhe kan dhënë një kontribut të madh në fusha të ndryshme të jetës. Megjithëse, ata kan ende për të bërë edhe më shumë dhe u urojë suksese.
Bix Aliu kur shërbente në Ambasadën e SHBA në Tiranë u shfaq drejtpërdrejt në TV kombëtar Klan për të ndarë me audiencën shqiptare emocionet e inaugurimit në ceremoninë presidenciale në Washington. Bix thuhet se shpjegoi me një shqipe të rrjedhshme atë çfarë simbolizmin Lincolni lidhur me ceremonitë inauguruese presidenciale në SHBA. Kur u pyetën në lidhje me politikën e administratës së re drejt Ballkanit Perëndimor dheShqipërinë në veçanti, Bix vuri në dukje se SHBA do të vazhdojnë të mbështesën dhe zhvillojnë marrëdhëniet historike, të forta dypalëshe midis SHBA dhe Shqipërisë. Ai në atë intervistë ( janar 2008) përsëriti rëndësinë ezgjedhjeve të ardhshme të përgjithshme në Shqipëri, pasi vendi sipas tij vazhdon rrugën e saj drejt integrimit të plotë euro-atlantik.
Ndërsa, një revistë e Tiranës, Bix Aliun, e pati zgjedhur si “Diplomatin më popullor,”

Filed Under: Komunitet Tagged With: B. Bix Aliu, emerohet, ne Podgorice, zv/ambasador

Profili filozofik i Pipës

September 9, 2014 by dgreca

Nga Anton CEFA/
Filozofia duket se e joshi Pipën që në moshë të re. Në vitet e mëvonshme, ai e përjetoi shkencën e mendimit universal jo thjesht e vetëm si prirje, po më së tepërmi si preference dhe si një nga synimet e tij kryesore në fushën e veprimtarisë shkencore. I pajisur me pajën e një inteligjence të mprehtë, ai u shqua në shtjellimin e temës së doktoranturës “Morali dhe feja tek Bergsoni”, ku spikat taltenti i tij padiskutueshëm.
Siç na e ka treguar Uran Kalakula, në veprën e tij “Arshi Pipa – Njeriu dhe vepra”, Arshiu me një guxim të pashembullt shpalosi pa ndrojtje pikëpamjet e tij kritike ndaj Bergsonit, filozofit të njohur francez, një prej përfaqësuesve më të mëdhenj të intuitivizmit, pa u merakosur fare sa për habinë aq edhe për kundërvënien e rektorit të madh të Universitetit të Firencës, Paolo Lamanna, që aso kohe ishte një nga patriarkët europianë të filozofisë.
Që në fillimet e veprimtarisë së tij shkencore e artistike, në revistën e tij “Kritika” (1944) dhe me botimin e vëllimit poetik “Lundërtarët” (1944), u ravijëzua portreti i tij krijues në tri rrafshe: kritikë letrare, filozofi dhe krijimtari artistike. Eseistika e revistës nxjerr në pah natyrën e tij kritike ndaj çdo dukurie shoqërore, shkencore dhe artistike, e cila është dëshmuar, po aq, edhe në jetën e tij të përditshme.
Përgatitja teorike dhe veprimtaria e tij mësimdhënëse lidhet me filozofinë. Ai kreu studimet në degen e filozofisë, në Universitetin e Firencës, ku mori gradën shkencore të doktorit në filozofi dhe qe mësues filozofie në Liceun Shtetëror të Tiranës (1941-1944); duke filluar nga viti 1960, dha kurse të kësaj disipline në disa kolegje dhe universitete të Shteteve të Bashkuara: në Kolegjin Philander Smith, Little Rock, Arkansas (v. 1960); në Kolegjin e Arteve të Lira në City University, Georgia (1962-63); në Universitetin Berkley, California (1963-1965); në vitin 1966, drejtoi këtu disertatcionet për gradën e doktorit në filozofi (Ph. D). Në Universitetin e Minnesotas (1966-1970), trajtimin teorik në kurset e qytetërimit dhe të kulturës, letërsisë dhe teorisë letrare e mbështeste gjithnjë mbi mendimin teorik filozofik, duke zhvilluar cikle tematike të kësaj natyre, si p. sh. “Marksizmi dhe ekzistencializmi në dramë dhe në tregim”, etj.
Dëshmi e preferencës për filozofi dhe e tendencës së gjykimit kritik është traktati filozofik: “Abbozzo di una concezione della vita- Sul Genio”, “Skicë e një konceptimi mbi jetën”, ku është përfshirë edhe eseja “Mbi gjeniun”. Kjo vepër u shkrua në kondita të vështira të burgut të Burelit, në vitin 1955, mbasi kishte kaluar burgjet e Durrësit, Tiranës, Gjirokastrës dhe kampin e tmerrshëm të Vloçishtit, ku kishte humbur krejtësisht shëndetin.
Vepra, e shkruar në gjuhën italiane, u botua kohët e fundit në dy gjuhët, në shqip dhe italisht, me përkthimin e motrës së autorit, Nedrete Kalakula, në saje të kujdesit të çmuar të Myftar Gjanës, që ka marrë përsipër t’i zbulojë botës shqiptare sa më të plotë veprimtarinë e Pipës. Botimi u bë në shtëpinë botuese “Princi”.
Kështu, dalëngadalë, po thellohet tek lexuesit njohja e kontributit madhor shkencor e artistik të Pipës, një prej personaliteteve më të afta e më të frytshme të kulturës së anatemuar gjatë kohës së diktaturës. Ndihmesa e tij në fushën e filozofisë do të ishtë më e plotë sikur mos të kishte humbur dorëshkrimi i një vepre tjetër të kësaj natyre, me titullin “Letra didaktike”. Kësaj çështjeje, d. m. th., një njohjeje më të plotë të profilit të tij filozofik, do t’i shërbente edhe botimi i disertacionit të dokturanturës, i eseistikës filozofike të botuar në atdhe para vitit ’44, dhe ajo e botuar në revista të huaja a e mbajtur në mbledhje të ndryshme akademike ndërkombëtare jashtë atdheut.
Libri hapet me një paraqitje të Ardian Marashit, drejtor i Qendrës së Studimeve Albanologjike. “Skicë e një konceptimi mbi jetën’ është, për shumë arsye, unik në historinë e letrave shqipe e madje i veçantë në krejt historinë moderne të mendimit universal.”, shkruan ai. Më pas vjen parathënia e Arshiut. Botimi është pajisur me foto e faksimile të arkivit familjar të Pipejve.
Në parathënie, Pipa shkurtazi na tregon kushtet në të cilat është shkruar libri: “Erdhën vitet monotone të burgut tim. Kohët e para nuk kam mundur të përqendrohem aq sa duhej që të mund të mendoja në kuptimin e mirëfilltë. Me mendimin gati të humbur në labirintin e vështirësive që pengonin studimin serioz dhe, në anën tjetër, duke jetuar i detyruar nga domosdoshmëria e ngutshme e momentit, në një fluks të rrëmujshëm emocionesh politike dhe, më në fund, duke pasur kthjelltësinë e shpirtit, shkaktuar nga një seri fatkeqësish familjare, për të mos përmendur këtu arsye të tjera të rëndësishme – më shumë personale, më është dashur, për të gjitha këto, të jetoj larg filozofisë. Jam ngushëlluar me artin duke u shprehur në të, si dhe me studime të një angazhimi më të vogël. Kam jetuar e ndier më shumë sesa kam menduar.”
Më poshtë, pas disa radhëve për përvojën e hidhur të burgut, shkruan: “nëse nga njëra anë kjo eksperiencë ka kaluar në art, në anën tjetër ajo ka ushqyer dhe mbarsur mendimin tim. Pak nga pak kthjelltësia është kthyer: mbi fundin e rëgjyrtë të mjerimit e të dhimbjeve të përditshme, është ngritur si një ylber mendimi i rigjallëruar. Është ngritur mbi një burg. Kanë prangosur trupin tim, por nuk kanë mundur të prangosin mendimin tim. Dhe – gjë vërtet e mrekullueshme – kur trupin tim e kanë bërë pothuajse një kufomë, atëherë mendimi ka fituar lirinë…”
Kur lexon këto fjalë, pa dashur të shkon mendja tek dëmtimi aq i madh që i bëri kulturës shqiptare politika diktatoriale e mohimit të shprehjes së mendimit të lirë, të drejtën më të parë të njeriut, që është mishërimi i vetë njeriut, qenësia e tij: “Corgito ergo sum”, pikënisja e pikënisjeve të dijes njerëzore, siç e ka përmbledhur kuintesencën e filozofisë së vet Rene Descartes që në fillimet e shek. XVII. Me energjitë që të blaton vetëm një shpirt energjik tejet i pamposhtur nga pengesat, tejet i paepur në vuajtjet dhe mundimet, tejet i shpërfillur nga të gjithë ata që i rrinë mbi krye për t’ia bërë jetën ferr, Pipa thotë: “Unë mendoj të heq dorë nga gjithçka, por jo nga mendimi, kjo është e mira ime më e lartë, madje e mira më absolute”; fjalë që himnizojnë personalitetin e tij dhe vetë dinjitetin njerëzor.
Na zbulohet në këtë vepër jo më poeti i talentuar, jo më historiani i aftë i letërsisë, kritiku i mprehtë letrar, politologu polemizues, përkthyesi i palodhur, mbledhësi i durueshëm i folklorit dhe studiuesi i zellshm i tij, linguisti i përkushtuar, por mendimtari origjinal që rreh t’i japë shpjegim jetës njerëzore, kuptimit të saj, trajtuesi risor i problemeve të përgjithshme të filozofisë, të teorisë së artit, dhe po aq edhe të çështjeve themelore të kritikës së artit, sidomos atij letrar. Një demiurg i pashoq që lavron në zagna kulture të palavruara ndonjëherë në kulturën tonë kombëtare.
* * *
Lënda në “Skicë e një konceptimi mbi jetën” shtjellohet në15 kapituj: “Koncepti i së vërtetës, “ Metodologjia e veprimit”; “Rruga e veprimit”; “Arsyeja praktike”; “Veprimi moral”; “Mbi vetëdijen”; “Mbi intuitën”; “Domethënia e artit”; “Kontakti me materien”; “Burimi i fesë”; “Probleme false”; “Eksperienca shqisore”; “Shkallët e ndërgjegjes”; “Spontaniteti në univers”; “Edukim dhe personalitet”. Ndërsa eseja “Mbi Gjeniun” ka dy kapituj: “Fizionomia dhe forma të gjenialitetit”; “Kulti i eonëve”. (Në një rast tjetër, do të paraqesim idetë rëndësore për secilin kapitull, ndërsa sot, po japim vetëm një ide të përgjithshme të veprës).
Në mungesën e një biblioteke të nevojshme për këtë qëllim, autorit iu desh të shkruante lirshëm, vetëm duke u mbështetur në erudicionin e tij, kështu që problemet që trajtohen vijnë si rezultat i mendimit të tij të bazuar jo vetëm në filozofi, po edhe në shkenca të tjera si etikë, psikologji, sociologji, logjikë, teori arti, kritikë arti, sidomos atij letrar, etj. Veç kësaj, kjo ecuri pune i ka krijuar autorit mundësinë e trajtimit të lëndës, parashtrimit të ideve, duke iu shmangur referencave spekulative teorike, çka i rrit vlerën origjinalitetit dhe përfton një stil më të komunikueshëm me lexuesin.
Bota shpirtërore e njeriut është botë e mendimit, e vullnetit që shfaqet në veprim, dhe e ndjenjës. Nëpërmjet ndjenjës, simbas Arshiut, ne njohim botën, e pasqyrojmë atë në ndërgjegjen tonë. Shpjegimi i problemit të burimit të njohjes historikisht është luhatur mes arsyes dhe intuitës; por nuk ka munguar edhe ndjenja. Paskali ka thënë: “Ne e njohim të vërtetën, jo vetëm prej arsyes, po edhe prej zemrës”, çka nënkupton ndjenjën. Ndërsa Pipa, duke folur për shkallët e ndërgjegjes, shkruan: “Veprimi dhe mendimi nuk e shterojnë jetën psikologjike. Është një element i tretë që vazhdon të ekzistojë, edhe kur dy të parët mungojnë; dhe ky element është ndjenja. Ndjenja është kuptimi i jetës. Nëse, çfarë është vepruese dhe çfarë është e vetëndërgjegjshme, është gjithmonë shprehje jete, ndjenja duhet t’i përmbajë logjikisht të dy këta elementë.”
Ndërsa, duke shpjeguar domethënien e artit, shkruan: “Me anë të ndjenjës, më fort se me anë të arsyetimit, njeriu zbulon . . . . Ndjenja e kulluar . . . , që na përshkon kur vihemi në pozicionin e spektatorit përpara natyrës, është ajo që quhet soditje . . . . Gjatë soditjes shpirti është i prirur të njohë. Cili është objekti i soditjes? Vetja ime, së pari, dhe pastaj të ngjashmit e mi; por edhe ata të ndryshmit, bimët e kafshët, gjithçka që jeton në përgjithësi. Pastaj edhe çka nuk jeton . . . . Soditja është qëndrimi karakteristik i ndërgjegjes para ndjeshmërisë, është perceptimi që s’ka lidhje me një qëllim praktik, është përceptim i painteresuar.”
Si në një traktat të plotë filozofik, Pipa shtron e argumenton problemet themelore të kësaj shkence, siç na e dëshmojnë edhe titujt e kapitujve të trajtimit të lëndës që i dhamë më lart; por një nga shqetësimet dhe synimet e tij kryesore është të na japë një koncept human e dinjtoz për jetën, për kuptimin e saj, “një konceptim të plotë harmonik të jetës, me anë të të cilit njeriu të ekzaltojë vetveten në dritën e vlerave të pavdekshme të shpirtit”, siç shprehet ai. Ndriçimit të këtij problem kardinal i shërben e gjithë vepra. Sipas tij, njeriun e krijoi Zoti nën shëmbëlltyrën e vet. Nëpërmjet mendimit të tij dhe veprimit moral, njeriu duhet të realizojë gjithë potencialin e vet njerëzor, të gjitha kapacitetet e veta krijuese, gjë që bëhet e mundur në bazë të vënies në jetë të imperativit “Vepro në interes të njerëzimit!”, sepse kështu, duke vepruar për të mirën e njerëzimit, individi vepron në interes të vetës.
Në dy kapitujt e fundit tek eseja “Mbi Gjeniun” është dhënë profili i njeriut të realizuar, në plotërinë e tij, sipas konceptimit filozofik të autorit.
Veç vlerave shkencore dhe edukative të gjithmbarshme, vepra ka një vlerë të veçantë, në radhë të parë, për ne shqiptarët. Ajo është si një vravashkë dritëdhënëse që na ndriçon rrugën e një ringjalljeje dhe fisnikërimi shpirtëror. Duke konstatuar këtë aspekt të veprës, linguistja Merita Bruçi, e cila ka transliteruar dorëshkrimin, ka shkruar me çiltërinë e një ndjenje atdhedashurie: “Kur e lexova m’u duk si njëlloj testamenti që ai i lë bashkatdhetarëve të tij”.
“Skicë e një konceptimi mbi jetën” është i pari dhe i vetmi traktat integral filozofik për mendimin filozofik shqiptar. Megjithëse ai u botua me një vonesë prej një gjysmë shekulli, si një traktat filozofik origjinal, ai përbën një ndihmesë për kulturën europiane dhe botërore në fushën e mendimit universal.
Me emrin e Arshiut, kultura shqiptare është bërë e pranishme në kulturën botërore edhe në fushën e kritikës letrare, me veprën e tij “Montale dhe Dante”, pa të cilën, siç ka shkruar Astrit Lulushi, “kritikka letrare botërore sot me siguri do të ndjehej e varfëruar”.
Po në këtë fushë, në fushën e gjykimit kritik letrar, është me rëndësi të përmendet studimi i thellë dhe serioz i Pipës për De Radën, në veprën “Hieronymus De Rada”, (vëllimi II i “Trilogia Albanica”, botuar në Münhen në v. 1978), që e paraqet poetin tonë të Rilindjes përkrah romantikëve më të njohur europian. Dihen vlerësimet superlative të Hygoit, udhëheqësit të shkollës romantike franceze; poetit dhe diplomatit francez, Lamartinit; poetit të njohur francez, Frederik Mistral, dhe dhjetëra personaliteteve të tjera për “Këngët e Milosaos”; por është vula e kritikës moderne komparative e Pipës që argumenton vlerat europiane të kësaj poeme.
Si eksponent i kulturës sonë në kulturën europiane dhe botërore, Pipa rreshtohet në rrethin më të ngushtë të atyre personaliteteve kulturore shqiptare që kanë dhënë kontributet e tyre në këtë drejtim.

***
Historia e librit
Nga Nedrete Kalakula

Ky libër ka një histori të veçantë. Ai nuk u shkrua në ndonjë studio, në kushte të rehatshme apo të favorshme për mendimin. Ai u shkrua ndenjur mbi një dyshek të shtruar mbi çimenton e një dhome të burgut të Burrelit, në zhurmën e të burgosurve të tjerë të asaj dhome dhe nën trysninë e rreptë të kontrolleve të herëpashershme të gardianëve.
Arshi Pipa kishte bërë nëntë vjet burg kur arriti të shkruante në një fletore të vogël të maskuar me një kopertinë me figurën e Stalinit, “Konceptin e tij mbi jetën”. Ai e ruajti atë fletore të vogël deri ditën që u lirua, pas një viti, më 1956.
Këtu fillon rrugëtimi i “Konceptimit. . . .” Dorëshkrimi nuk doli nga qelia, si “Libri i burgut”, në fletë cigaresh, të fshehura në ndërresat e palara, por doli i fshehur në një dyshek të vjetër, që gardianet nuk kishin marrë mundimin ta kontrollonin meqënëse ishte tepër i ronitur dhe i ndotur.
Para arratisjes së tij nga Shqipëria në vitin 1957, Arshiu i kishte besuar mikut të tij shkodran, Ruzhdi Çoba, “Konceptimin, . . .”, tezën e laurës së Universitetit të Firences, si dhe një bllok shumë të vogël me përkthime nga Lirika Evropiane.
Vite më vonë, kur u dëbova nga Tirana, u ktheva me banim në Shkodër. Ruzhdiu, sikur ta parandiente arrestimin e vet të dytë dhe dënimin me dhjetë vite të tjera burg, m’i dorëzoi këto vepra të Arshiut. Kështu, unë i ruajta me kujdes dhe ato më ndoqën në internim dhe, pas lirimit, sërish në Shkodër, deri ditën që u bë e mundur t’i shkonin në dorë Arshiut, mbas vitit 1991.
Në njërën nga vizitat e mia në Uashington, mbas vdekjes së Arshiut, fillova të lexoja “Konceptimin . . .”, me dëshirën për të njohur më mirë një vëlla që aq pak kisha pasur mundësinë ta njoh. Dhe, meqenëse “Konceptimi, . . .” bashkë me tezën e laurës, përcaktoheshin si vepra të pabotuara nga Arshiu, mendova se duheshin përkthyer dhe botuar. Pavarësisht nga vështirësitë që ndesha, jam përpjekur t’i respektoj tërësisht, mendimin e tij dhe stilin e tij.

Filed Under: ESSE Tagged With: Anton Cefa, Profili filozofik i Pipës

IKE MIKU IM, IKE PA U NDIER FARE…!

September 9, 2014 by dgreca

In memoriam mikut tim, Abdurrahman Kreshpa/
Nga Reshat Kripa/
Ike, miku im, ike pa u ndier fare. Për ikjen tënde nuk shkruan as gazetat dhe nuk folën as ekranet televizive. Ike siç ikin burrat e vërtetë, në heshtje. Por mbete i pavdekshëm në zemrat tona, në zemrat e miqve të tu të idealit që na bashkoi. Deshëm të të kishim gjithmonë pranë, gjithmonë në krye të rrugës që kishim nisur së bashku, sepse kishim nevojë për prezencën tënde, për fjalën tënde. Të kishim mësuesin tonë. Por ti ike. Zoti kishte vendosur të të merrte pranë vetes dhe Zoti gjithmonë zgjedh më të mirët dhe ti ishe më i miri.
Çfarë të të kujtoj më parë i dashur mik? Qysh në moshë fare të re e fillove aktivitetin tënd patriotik. U ngrite kundër pushtimit fashist të vendit dhe e pagove me internim në Ventotene. Pas lirimit nga internimi u bashkove me atë lëvizje të madhe nacionaliste, që do të hynte në historinë e këtij vendi me emrin “Organizata e Ballit Kombëtar” dhe për këtë ordhitë komuniste të burgosën porsa rrëmbyen pushtetin. U ende nga burgu në burg dhe nga kampi në kamp, nga një krahinë e vendit në tjetrën, nga jugu në veri. Megjithatë ti nuk u theve. Ato dallgë i përballove me krenari dhe dinjitet. Fisnikët e tregojnë veten edhe në rrethana shumë të vështira. Ti i mbijetove asaj kohe barbare, i mbijetove sepse në venat e tua rridhte gjak fisniku. Ky gjak nuk të mungonte ty, i dashur vëlla! Fisnikërinë e familjeve të mëdha nuk mund ta errësojnë klithmat e korbave të zinj.
Kalove një jetë të vështirë, i dashur mik. Por pate fatin të njiheshe dhe të martoheshe me një zonjë që rrallë mund t’i gjendet shoqja në botë, me Lilin, motrën e legjendarit Xhelal Koprencka, pesë herë i dënuar nga regjimi komunist dhe, së fundi, ekzekutuar për një letër që i kishte shkruar diktatorit. E kaluat jetën të dy së bashku, në harmoni të plotë. Fati nuk ju fali fëmijë. Por, kur kishe ende nevojë për praninë e saj, Zoti e rrëmbeu bashkëshorten tënde. Mbete vetëm, pa asnjë njeri pranë. Edhe ndonjeri apo ndonjera, për të cilët ishe kujdesur si prind, të braktisi në një moshë tepër të thyer. Në këto çaste të vështira, të doli për zot mbesa jote, Liliana Shehu, që të mori në shtëpinë e saj dhe filloj të kujdesej për ty si për prindërit e saj.
U njohëm në kampin e punës së detyruar në Urën Vajgurore, në verën e vitit 1952. Unë isha fare i ri. Deri atëherë dija vetëm ato që më kishin mësuar në shkollën komuniste, ku çdo ballist ishte një tradhëtar dhe çdo partizan një patriot. Por njohja me ty dhe burra të tjerë si ty, më treguan se Shqipëria paska pasur një histori tjetër të shkëlqyer, historinë e pavdekshme të nacionalizmit shqiptar, se paska pasur burra të tjerë të shkëlqyer si Mit’hat Bej Frashëri, Mbreti Zogu i Parë, Hasan Dosti, Ali Këlcyra, Abaz Kupi, Skënder Muçua, Hysni Lepenica, Ernest Koliqi, Rexhep Mitrovica, Xhevat Korça, Lef Nosi dhe plot e plot burra të tjerë që lanë gjurmë të pavdekshme në historinë e këtij kombi.
Shpesh herë rrinim deri vonë në mbrëmje dhe atje, në errësirën e kampeve të punës së detyruar, ti me fliste për nacionalizmin shqiptar, për parimet e tij dhe luftën e zhvilluar kundër pushtuesve të huaj. Ti më mësove të luftoja për flamurin kuq e zi, për një Shqipëri të lirë, demokratike, etnike, me baza shoqërore moderne, për një Shqipëri ku të mbretëronte liria e fjalës dhe e mendimit. Më mësove të luftoja për një Shqipëri të drejtuar nga njerëz të pakompromentuar, nga shqiptar që nuk janë kursyer, në çdo kohë e në çdo rrethanë, për shpëtimin dhe të mirën e këtij vendi, prej burrash punëtorë, të aftë dhe të ndershëm, për një Shqipëri ku nuk do të ketë vend për dallkaukët, servilët, Më mësove të luftoja per një Shqipëri të shqiptarëve.
Do ta ruaj për gjithë jetën kujtimin e atyre ditëve kur zhvillohej greva e urisë e një grupi të përndjekurish politikë për zbatimin e rezolutës së Kuvendit të Shqipërisë “Për dënimin e krimeve të kryera nga regjimi komunist”. Megjithse në një moshë shumë të madhe, mbi 95 vjeç, ti erdhe dhe kërkove të futeshe në këtë grevë. Grevistët u munduan të të bindin që të shkoje të qetësoheshe në shtëpi, por t’i këmbëngulje. Ndërhyra edhe unë. Më vështrove me një shikim sikur do të më përpije
– Edhe ti, djali im, më thua kështu? – më the.
Unë heshta. Nuk dija si të të përgjigjesha. Të ngujuarit u mblodhën të gjithë rrotull teje
Së fundi, ti u binde. U larguam. Në mendjen time vinin rrotull mendime nga më të ndryshmet. Të përfytyroja ashtu siç të kisha njohur vite më parë por, më shumë, më vinte para syve qëndrimi yt përpara kësaj greve urije. Para syve të mi lartësoheshe si një vigan. I tillë do të mbetesh për mua përgjithmonë.
I pavdekshëm kujtimi yt i paharruar! .Zoti qoftë pranë teje!

Filed Under: ESSE Tagged With: Abdurrahman Kreshpa, Ike Miku im, nderroi jete

A PO TALLET RUSIA ME ARMEPUSHIMET NE UKRAINE?

September 8, 2014 by dgreca

BE ashpërson sanksionet ndaj Rusisë ekspansioniste, të cilat do ta vështirësojnë seriozisht ekonominë e këtij vendi, ndërsa në anën tjetër, siç raportohet, pesë shtete të NATO-s do ta ndihmojnë Ukrainën me armë/
Shkruan: XHAVIT ÇITAKU/
Putini kinse po bën përpjekje për të parandaluar sanksionet më të ashpra nga perëndimi duke paralajmëruar një armëpushim në Ukrainë. Mirëpo për këtë “ lojë” të Putinit përgjigje më të mirë dha njëri nga ministrat e punëve të jashtme nga shtetet e BE-sëi cili tha: “ Unë besoj në një armëpushim, kur e shoh atë”. Megjithatë, BE është i vendosur për sanksione më të ashpra kundër Rusisë nëse ky shtet vazhdon agresionin e tij. Sanksionet kanë për qëllim që të vështirësojnë jashtëzakonisht shumë ekonominë ruse. Këto masa “ ndëshkuese “ duhet të fillojnë së zbatuari në shumë shpejt. Derisa Putin “ hedhi në dritë” një plan armëpushimi, në anën tjetër një numër i njësive ushtarake kishin avancuar në Lindje të Ukrainës. Dhe në këtë rast regjimi i Kremlinit u tall kur tha se ato aksidentalisht kishin hyrë në këtë vend edhe pse dihet që 20 mijë ushtarë rusë qëndrojnë disa kilometra larg kufirit me Ukrainën. Ky pra nuk është aksident, por pushtim klasik i asaj pjese nga Rusia hegjemoniste. Frika më e madhe është se nëse vazhdon ky agresion me këtë ritëm atëherë kjo luftë gradualisht do të shkoj në drejtim të perëndimit.
Farsa tragjike e një konvoji “ humanitar”
Shumica e vëzhguesve ndërkombëtar dyshojnë se konvoji “ humanitar” rus është një mbulesë për aktivitete tjera. Pjesërisht për të sjellë furnizime dhe paisje për separatistët pro- rus, por ka raporte se rusët sollën edhe makineri e teknologji tjetër luftarake. Përveç kësaj gazetari i gazetës “ Guardian” ishte dëshmitar kur vërejti një kolonë ushtarake ruse e përbërë nga 23 transportues të blinduar dhe personel tjetër përcjellës që kishin kaluar kufirin dhe kishin hyrë në Ukrainë. Nga një kamerë televizive ushtarët rus ishin kapur brenda territorit rus dhe të Ukrainës duke qëlluar caqet brenda Ukrainës.
“ Modeli” i tashëm i ndërhyrjes ushtarake ruse në Lindje të Ukrainës është ndryshe nga ai që është parë në Krime. Së pari atje u panë disa burra të veshur në të gjelbër, të cilët pa shenja kombëtare u paraqitën papritmas në gjithë zonën. Pastaj ata morën nën kontroll pikat më të rëndësishme strategjike, ndërsa Rusia mohonte se ishte aty. Më pas burrat në të gjelbër rrëfyen se janë rus dhe kështu aneksuan gjithë zonën. Kjo ishte lufta “ moderne” ku operacionet e informacionit janë të rëndësishme, ndoshta më të rëndësishme se forca e armëve. Dhe prapë Rusia paralajmëron një konvoj tjetër “ humanitar” propagandë kjo e këtij vendi imperialist që me dhunë e kërcënime të dhunës po bën përpjekje për të kontrolluar fqinjët e tyre.
Krizë më e keqe e sigurisë që Evropa ka pasur në 50 vjetët e fundit
Nuk dihet me saktësi se sa perëndimi është i ndarë dhe i pafuqishëm, ndërsa Rusia shkel ligjin ndërkombëtar. Samiti i NATO-s u organizua në një krizë më të keqe të sigurisë që Evropa ka pasur në 50 vjetët e fundit. Dhe kjo forcë ushtarake për të ruajtur një sasi të vogël të besueshmërisë duhet të tregoj një përgjigje të qartë ndërhyrjes ushtarake të Rusisë në Ukrainë. Jemi mësuar që samitet e NATO-s pas luftës së ftohtë të jenë pilula si një rutinë gjumi. Mirëpo, takimi i fundit ishte më i rëndësishmi për shumë dekada. Edhe pse ishte marrë vendim që të mos ndihmohet me armë, por ishte lënë “ klauzula” se ato shtete që dëshirojnë ta bëjnë këtë mund ta furnizojnë Ukrainën. Reagimi i shpejt në këtë “ Klauzul” ishte i Italisë, Norvegjisë, Francës, SHBA-ve dhe Polonisë, të cilat siç raportohet veç kanë arritur armët e tyre në territorin Ukrainas. Megjithatë, këto shtete demantojnë lajme të tilla të paverifikuara.
Pranverën e kaluar filloi një luftë e përgjakshme në kontinentin e vjetër dhe kjo për shumëkë konsiderohej e paimagjinueshme: një konfrontim i drejtpërdrejtë ndërmjet perëndimit dhe Rusisë. Edhe në vitin 1968 Rusia pushtoi Çekosllovakinë që ishte një kërcënim për paqen ndërkombëtare, ngjashëm kjo e pranishme edhe tani me pushtimin e hapur rus që ia bën Ukrainës. Në të ashtuquajturin “ Memorandumi i Budapestit” i vitit 1994 Rusia ( së bashku me SHBA-të dhe Britaninë e Madhe) kishte garantuar integritetin territorial të Ukrainës. Po ashtu në vitin 1997 u arritë një Traktat- Miqësie ruso – ukrainase në bazë të të cilit këto dy vende do të respektojnë kufijtë e njeri- tjetrit. Mirëpo, jo që nuk po respektohen këto dy marrëveshje por në territorin e Ukrainës tanimë janë vendosur mbi dhjetë mijë ushtarë rusë të cilët nuk do të kthehen vullnetarisht në vendin e tyre.
Në situatë më të vështirë gjenden shtetet baltike për shkak të sistemit të dobët të mbrojtjes dhe nëse këto vende nuk kanë një kujdesje të shtuar nga NATO atëherë ato do të mund të pushtohen për pak orë. Mbetët të shihet se cilat janë synimet e Rusisë Imperialiste, por edhe seriozitetit të perëndimit për të parandaluar apetitet e sëmura të Putinit. Po ashtu, mbetët të shihet se sa do të realizohet premtimi i Kryetarit të SHBA-ve Obama, i cili citohet të këtë thënë gjatë vizitës në Talin se shtetet baltike dhe Polonia nuk do të lihen vetëm.

Filed Under: Featured Tagged With: A PO TALLET RUSIA, ME PUSHIMET NE UKRAINE?, Xhavit Citaku

Muzikë dhe verë në qytetin 2400 vjeçar

September 8, 2014 by dgreca

Nga Sulo Gozhina/ Berat/
BERAT – Pikat e shiut që kanë lajmruar se vjeshta ka startuar tek portat e shtwpive nuk kanë mundur të ndalojn një festë brenda të cilës ka dhe shijen e verës. Artistë nga vendi dhe të huaj kanë performuar në ambjetet e muzeut “Eetnografik“ për dy ditë rresht muzikë “jazz and ëine” me një publik të zgjedhur si dhe janë banorët e qytetit të lashtësisë. Ndjesija e muzikës e gërshetuar me shijen e verës të servirur nga prodhuesit vendas dhe freskia e dy netve të këtij shtatori kanë mbajtur të mberthyer deri pas mesnate banorët të qytetit, pushtetar, politkan dhe admirues të kësaj muzike të ardhur nga qytetet e tjera të vendit.
Fillimin e eventi të vaçant për nga performanca e kanë lajmruar tingujt e një kitare, ndërsa organizatorja Eda Zari ka bërë prezent për publikun arsyet e zhvillimit të këtij aktiviteti. Organizatorja mes të tjerash citoj: “E nisëm këtë edicion internacional kulturor në Berat, jo vetëm për të sesibilizuar qytetarët ndaj vlerave të rralla historike e muzeale që ky qytet trashgon ndër breza, por dhe se vetë qyteti lashtësisë është i pasur në artë, muzikë, kulturë, kuzhinë tradicionale, kulinarinë e verës, pra qyteti i miteve dhe legjendave ka përfunduar E. Zari fjalën e hapjes për tja lënë vendin muzikës Jazz – dhe Iso Polifonisë.
Kryetari i bashkisë Fadil Nasufi tha se kalendari kulturor duhet të ketë çdo ditë evente të tilla, ndaj dua të falnderoj organizatorët e tij, ndërsa citoj : “Jemi sonte këtu për promovimin e vlerave të qytetit të Beratit, në këtë event shumë të rëndësishëm, mua më ngelet që të falenderoj përzemërsishtë Eda Zaharin, për këtë shanc që i jep qytetit. Ndwrsa dua të falenderoj gjithashtu grupet që janë bashkangjitur aktivietetit, ardhur nga Berlini, Hamburgu, Berna, Nju Jorku, Tirana, Durrësi e Prishtina, pohoi ai. Nuk ka skenografi më të mirë se sa ansambli i kësaj shtëpie që besoj se sfidon çdo skenograf dhe çdo regjizor, pasi janë të gatëshme si vlera të trashëguara në breza, vijoj Nasufi. Nuk ka ansambël kulturor se sa “Mangalemi” që sfidon gjithë arkitektët me atë pamje madhështore dhe panoramike. Ky është Berati, qytet i cili, meriton të ketë të mbushur çdo ditë me evente të tjera. Aktiviteti është një shembull dhe një model se si promovohen vlerat, si vitalizohen ato, që krahas restaurimeve, krahas investimeve, jeta kulturore artistike dhe eventeve të tjera, duhet të jenë në kalendar të përjavshëm”, përfundoi ai.
Muhamrem Çobo, president i Kantinës Çobo, në emër të prodhuesve falenderoi organizatorët për këtë event promovues.
Ndjesinë e muzikës të gërshetuar me shijen e verës e lëshuar në këto dy mbrëmje feste e ka bërë të mundur mbështetja e Ministrisë së Kulturës, Bashkisë së Beratit dhe një sërë përkrahësish të tjerë, eventi që synoi ngjizjen e elementëve të dy botëve magjike muzikës Jazz – dhe Iso Polifonisë, u bënë realitet mbrëmjen, 5 e 6 shtatorit. Kantinat verës janë vlerë e shtuar viteve të fundit në këtë qytet, por dhe shumë të tjera të ardhur të rrethet, Kavaja etj, prezantuan në hapje të ditës së parë të festës, produktet e tyre.
Prodhuesit e verës: Rilindja, Skënderbeu, Çobo, Luani, Bardha, Arberi, Sara, Vintage, Nurellari, Kardinal, Kokomani, Koto Balaj, Belba, Malinati, bashkuan produktet e tyre, për të krijuar një atmosferë festive e shkrirë në muret e moçme që mbajnë mbi supe mijra vite histori e që shkojn në harmoni me rrugët e rrugicat e kalldrëmta ku tingëllojn si në legjenda tehjet e shpatave, trokëllimat e kujave, krismat e armëve, muzika dhe këngët qytetare, dasma dhe belbëzimat e bebeve në një qytet të pa ndërpren në jetes për më shumë se 2400 vjet.
Atmosferën e kësaj feste të vaçant për nga performanca dhe për të mbetur në kujtesën e ndjesisë për të gjithë admiruesit e muzikës jazz dhe shijes të verës me shpresën që eventi në fjalë të kthehet në një ritual të përvitshëm në qytetin e lashtësisë e bënë të mundur artistë dhe grupe muzikore nga Shqipëria, Kosova, Gjermania, Zvicra, që performuan në mjediset e muzeut “Etnografik” deri në pas mesnatë dhe që mbajti të mbërthyer pas tingujve qindra admirues të saj.

Filed Under: Reportazh Tagged With: 2400 vjeçar, Muzikë dhe verë, në qytetin, Sulo Gozhina

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 37
  • 38
  • 39
  • 40
  • 41
  • …
  • 57
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Bahamas njeh Kosovën!
  • Legjenda e portës shkodrane, Paulin Ndoja (19 dhjetor 1945 – 16 prill 2025) do të mbushte sot 80 vjeç
  • “Roli dhe kontributi i diplomacisë shqiptare në Maqedoninë e Veriut nga pavarësia deri sot”
  • Marie Shllaku, kur një jetë e re u shndërrua në përjetësi kombëtare
  • Në sinoret e Epirit…
  • Mbrëmë hyri në fuqi Ligji i SHBA për autorizimin e mbrojtjes kombëtare
  • Skënderbeu “grek”, ose si të bëhesh grek pa e ditur
  • A historic moment of pride for the New Jersey Albanian-American community
  • U zhvillua veprimtaria përkujtimore shkencore për studiuesin shqiptaro-amerikan Peter Prifti
  • Dashuria që e kemi dhe s’e kemi
  • “Jo ndërhyrje në punët e brendshme”, dorëheqja e Ismail Qemalit, gjest atdhetarie dhe fletë lavdie
  • Arti dhe kultura në Dardani
  • Gjon Gazulli 1400-1465, letërsia e hershme shqipe, gurthemeli mbi të cilin u ndërtua vetëdija gjuhesore dhe kulturore e shqiptarëve
  • “Albanian BookFest”, festivali i librit shqiptar në diasporë si dëshmi e kapitalit kulturor, shpirtëror dhe intelektual
  • VEPRIMTARI PËRKUJTIMORE SHKENCORE “PETER PRIFTI NË 100 – VJETORIN E LINDJES”

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT