• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for September 2014

NE, KONICA dhe britmat….

September 1, 2014 by dgreca

Nga Fadil LUSHI/
“Nyja Gordiane”, në mitologjinë greke ishte një lidhje e komplikuar dhe e bashkuar fortë prandaj i rezistoi çdo përpjekje për ta zbërthyer.., derisa nuk u zgjidh me shpatë nga ana e Aleksandrit të Madh! Shprehja në fjalë përdoret edhe në ditët tona, sidomos nga politikanët, gjithmonë si metaforë për çështje që nuk zgjidhen.
Ne që e shkruajmë këtë vështrim gazete, do të bëjmë përpjekje që sadopak të mënjanojmë apo përjashtojmë çdo paralelizëm a krahasim mes njerëzve që kanë jetuar dhe vepruar në periudha të caktuara kohore. Faik Konica, një njeri i cili në komunitetin intelektual shqiptar, konsiderohet si një ndër eruditët më të mëdhenj, kushedi sa herë kishte bërë përpjekje ta rrënojë atë kështjellën e inatit homerik të bashkëkohanikëve të tij. Nuk e bëri dot, sepse edhe ai “këmbë krye ishte pjesë e inateve në fjalë”. Të tilla inate kishte me Fan Stilijan Nolin, Shahin Kolonjën dhe me të gjithë kongresistët e Manastirit (hiq mënjanë Ndre Mjedën dhe At Gjergj Fishtën). Njohësit e mirëfilltë të biografisë së tij thonë, se ai pos që ishte një njeri mendjefemër, njëkohësisht konceptohej a njihej me “higjienën e tij cerebrale” skajshëm të zhvilluar, dhe si rrjedhojë e gjithë kësaj nuk i duronte po edhe nuk i parapëlqente “retorikat spekulative” të njerëzve që i shkonin vërdallë. Për këtë dhe çështje tjera, Arshi Pipa në vitin 1944, shkroi këtë paragraf briliant “.., e sigurisht Konica qe mendja ma e ndrituna e gjithë historis sonë letrare. Noli punoi shumë ma tepër e ma me fryt. Por Konica qe për cilsin. Të tjerë dhanë punën: ai dha tonin. Aristokrat i lindun. Por ndodhi shpesh qi nuk e kuptuen. Aristokrat edhe kur shau, ashtu si vetëm ai dinte të shante! Kishte nji faj sidomos (faj tamam aristokrati!): nuk mund të shifte tjetër kënd sipër vehtes, bile as pranë vehtes. Por në të vërtetën cili mund t’i afrohej? Dhe në se gjejmë ma të madhin përfaqsues të gegnis te Fishta, ndeshim kulmin e faqes tjetër jo te Naimi, jo te Noli, por te Konica”.
Mbajmë mend vitet e gjashtëdhjeta të shekullit të kaluar, kur ne kalamanjtë e lagjës sonë, “hanim dajak” nga bashkëmoshanikët, dhe kur nuk na e mbante prapanica që t’ ua kthejmë me të njëjtën masë, fillimisht i shanim dhe më pastaj e lakonim atë fjalinë: “Do shihni kur do kaloni kah mëhalla e jonë?” Dhe ata nuk kalonin dot kah mëhalla jonë. Sot dhe si përherë, ka do gjëra që janë dhunti të Perëndisë, ca të tjera janë dhunti të natyrës, do të tjera pjellë të trashëgimisë familjare, politike dhe ca të tjera që me kohë kalojnë në vese negative. E ato mbase duhet të jenë sharjet (një herë në një opinion t’imin kisha shkruar se kjo “dynja e jona shqiptare u kurdis me të shara”). Tekefundit, sharjet tona ishin fëmijënore, ishin sharje të përditshme, mujore dhe “sharje sezonale, siç sot do të thotë doktori i lagjës sonë”. Po cilët ishin sharjet e të përzgjedhurve të popullit shqiptar!?.., rrahjet dhe sharjet mes deputetësh shqiptar, në institucionin ligjdhënës të Republikës së Maqedonisë (para ca ditësh), mos vallë ishin një “delikatesë politike” e zbehtë dhe e shëmtuar, a mos vallë ishte një “sihariq i madh”, një dijarizëm dhe diletantizëm i radhës apo një shfaqje rebelizmi i kurdisur, i sajuar dhe mbase edhe (mos dhashtë Zoti) i porositur!? Pavarësisht se të gjithë ishin me faj, pavarësisht se të gjithë kishin të drejtë, pavarësisht se të gjithë, sot e gjithë ditën vuajnë padrejtësitë e “pronarit të kazinos politike të Shkupit”, pavarësisht se të gjithëve u shteret durimi, megjithatë, atyre nuk mund t’u lejohet që kur do t’ua dojë qejfi e kur do u teket të hapin trastën e tyre të mbushur me: kushedi sa palë mend, me kushedi sa palë siklete, me kushedi sa palë qejfe e fodullëke, me kushedi sa mijë inate, me kushedi sa “furgona” të (mbi)ngarkuar me britma a ulërima, me kushedi sa fyerje që nuk janë në natyrën e burrërisë shqiptare, me kushedi sa e sa derte.., megji-thatë ata nuk kanë të drejtë të fyejnë nënën dhe motrën, ata nuk kanë të drejtë t’i bëjnë “zullum” të drejtës së çdo shqiptari për të qenë në pozitë a opozitë, nuk kanë të drejtë ta kontestojnë mendimin ndryshe.., nuk kanë të drejtë që në “emër të ca budallakive” të tyre që sakaq të nxisin e ndezin armiqësinë, grindjet dhe urrejtjet ndërmjet njëri-tjetri, ata nuk kanë të drejtë të krijojnë gënjeshtra dhe më pastaj tu besojnë verbërisht. Ju të nderuar, që lexoni këtë vështrim gazete, pa më kallxoni e më thoni, se ç’faj kanë nënat dhe motrat tona, ç’faj ka sovrani dhe vota e tij deliberative, e tjerë.
Në çdo profesion dhe në veçanti në kuadër të lëmisë së filozofisë së politikëbërjes, ka do gjëra e do finesa që mësohen në kohë të caktuar dhe, po nuk i mësove, përgjithmonë mbetesh i mangët, i painformuar dhe në instancë të fundit, mbetesh i paragjykuar. Psikiatrit thonë se ky çrregullim i sëmurë, vështirë kurohet. Që “forca e intelektëve të tyre” të mos konceptohet si ajo e kalamanjëve të vaktit tonë, do të ishte mirë që deputetët a të përzgjedhurit e popullit, refrenet e tyre paranojake t’i zëvendësojnë me ato të arsyes, me ato të aristokratit, me atë të butësisë dhe urtësisë së atdhetarit të mirëfilltë.., dhe, nëse këto nuk do t’i bëjnë, atëherë misioni i tyre politik (zyrtar) përgjithmonë do mbetet si ai mendimi i padrejtë, i paqartë, i paredaktuar dhe në instancë të fundit si ajo Puna e Sizifit.
Thonë, se fukaraja nuk ngopet me bukë, dikush me frymë, tjetri me inate, dikush me cinizëm, me gjëra të paqena, me veprime mashtruese, me sajime të rrezikshme, të kota dhe skajshëm të ulëta.., intelektuali nuk ngopet me perceptime a mendime të kualifikuara, ca të tjerë nuk ngopen me shtrembërimin a nëpërkëmbjen e gjenealogjive të familjeve të njohura, ca nuk ngopen me fjalët dhe buzëqeshjet cinike, ca të tjerë nuk ngopen me thashetheme, me fodullëke, me budallakina dhe të gjithë (toptan) edhe me paragjykime. Të gjitha këto (mos) ngopje nuk ua zgjidhin hallet dhe dertet e jetës qofshin ato materiale, morale, politike, atdhetare e tjerë halle. Askush nuk dialogon me arsye po as nuk merret me qetësi. Dhe kur nuk e bëjnë këtë, atëherë hallin e trashin dhe e shndërrojnë në “Nyjë gordiane”: gjegjësisht në një çështje shumë të ndërlikuar.
Nga kjo mesele e koklavitur që u “hetua” në hapësirat e kuvendit të Republikës së Maqedonisë, gjithsecili shqiptar i ndërgjegjshëm detyrimisht duhet të distancohet.., jo nga frika, jo nga hatëri, jo për hirë të përcaktimit partiak (politik), jo për interesat personale a edhe të dikujt.., por thjeshtë për hirë të vëmendjes dhe ndërgjegjës sonë kolektive.., thuaj për mirëqenien tonë materiale dhe kulturore.

Filed Under: ESSE Tagged With: Fadil Lushi, Konica, ne dhe britmat

ZËRI YT – SHI I SHPIRTIT TËND TË BARDHË

September 1, 2014 by dgreca

Proze Poetike nga Xhemail Peci/
Sa shumë bie shi në Zërin tënd! Sa shumë shi ka Zëri yt. Sa shumë pika shiu në Zërin tënd! Sa shumë ka rrugëtuar etja për të gjetur tingujt e Zërit tënd! Sa shumë është kredhur nata për t’u dehur në magjinë e Zërit tënd, në butësinë dhe në bardhësinë e tij, në meloditë që u ngjajnë rrëkeve të ujëvarave, në tingujt që u ngjajnë Himneve të Përjetshme të Parajsës. Sa shumë ka shtegtuar Hëna për të pushuar në muzikën e Zërit si një Paqe e Përjetshme, si një marrëveshje e nënshkruar në heshtje: në mes të artit dhe natyrës. Po vallë, bekimi i kujt qe, kur erdhi e ra mbi Zërin tënd? Vallë, kush e ka bekuar kaq shumë Shiun e Shpirtit? Sa shumë kanë rrugëtuar yjet për ta shtruar shtegun e dritës, e rrezja e diellit sa shumë është djegur për ta zënë shpejtësinë e Zërit. E Zanat me Shtojzovallet, sa shumë kanë ecur miteve dhe legjendave, për ta shtruar rrugën me qerpikët e syrit e me gjak të zemrës: andej nga vie ai Zë me forcë prej magjije! Sa shumë kanë folur kanarinat, derisa humbën fjalët në përgjërimin e tyre të pafund! Pastaj, nga dhembja: nuk folën më kurrë. Dhembjen me Zë e thonë, gjithmonë pa fjalë, në një muzikë që flet përmes tingujve, muzikë që i falet Zërit tënd. Sa shumë u dogj kënga e zogjve për dashurinë e plagosur, derisa u poq me Zërin tënd. Sa shumë shi ra në honet e shekujve, e sa shumë pika shiu shkruan kronikat e thërmuara nëpër gurë, në shtegtimin e tyre të lashtë sa dhembja, sa malli. Kronikat e tyre nëpër kalldrëmet e kujtimeve. E vetëtimat e mëndafshta rënë përmbi tufët e trëndafilave të freskët, këpusin dhembjen nëpër meloditë dhe magjitë e tingujve të Zërit. Parajsa u takon engjëjve. E Zemra jote – më e shenjta e kësaj bote – Parajsë e Zërit: nga thellësitë e pafundshme të stendave të muzeut të përjetësisë në krahanorin tënd, dalin si Himne të Zjarrta: Flatrat e Zërit. E Flatrat e Zërit shkëlqimin e Flatrave të Engjëjve e kanë. Sa shumë e duan Engjëjt Zërin tënd, sepse me Zërin tënd si një Bekim i Bardhë Perëndie, e heqin vallen e universit, dhe nga shpirti i luleve e shpirti i shiut, shpirtit të dritës i falin veç amshim. Sa shumë shi ka Zëri yt, sa shumë melodi dehëse, sa shumë hire dhe flatra sa shumë, sa shumë lenta ylberi në shkëlqimin e atij Zëri. Sa shumë shekuj rendën për të folur me Zërin tënd, sa shumë engjëj veshur me të bardha në qiellin e kaltërt: shpalosën mesazhe dashurie në ata tinguj melodie! Sa shumë ranë pikat e shiut – si ca copëza kristali përmbi kujtimet e netëve mbështjellura me vetminë e heshtjes! Për ku rendin ato pika shiu, në butësinë dhe në pafajësinë e tyre, për ku bien ata yje që thërmon nata me hënën e varur si një zemër-klithje e Zërit tënd, për ku digjen ata qirinj të vockël në qiellin blu – si qielli i pafund i syve tu?! Dhe prapë engjëjt, si ca shtegtarë të rrallë nëpër mijëvjeçarë, që nuk duken sheshit por që me fletët e tyre të bardha hije u bëjnë pikave të shiut – tej 77 perdeve të dritës: Përgjërimet e Parajsës si ca poema të përjetshme thurin nëpër pika shiu. Pastaj e shkruajnë emrin tënd të bardhë si një trëndafil në gotë, nëpër xhamat e dritares sate. Pikat e shiut rendin me ritmin e Zërit tënd, e Zëri yt rend me ritmin e Zemrës sate (Zemra jote – më e shenjta e kësaj bote!). E pikat e shiut puthin tingujt e Zërit. Bien në ca melodi gjithë dashuri përmbi fletët e luleve, përmbi krahët e shkruar të fluturave. Me butësinë e Zërit tënd bien. Gjuha e pikave të shiut është më e lashta. Më e lashtë se dhembja e gurit. Me ritmin e tyre, pikat e shiut i flasin gurit me gjuhën që veç shiu e di! Në rrugëtimin e gjatë sa shtegu i dritës, shiu zbret prej shkallëve të qiellit. Engjëjt ngjiten lart përmes bardhësisë së Shpirtit. Gjeniu i Paqes tha se një Gur Hënor që ndrinte në Zyrën Ovale, kishte një moshë prej 3. 6 miliardë vjetësh. Gjuha e shiut është shumë më e lashtë. Sa vetë dhembja, sa vetë malli, sa vetë dashuria. E Zëri yt – si Shpirti yt i Bardhë. Zëri me të cilin Krye-Engjët u flasin botëve: Zëri si margaritarë i rrallë. Të lutem, mos më thuaj se Zëri të takon vetëm ty! Gjuha e shiut u flet gjithmonë gurëve: Është çmendur zë i dhembjes! Më shumë se Zëri yt: Mëshirës Hyjnore, kush do t’i lutet për të treturit dhe të pagjeturit?! Kush e solli Doruntinën? Në netët me shi, kur pelerinë e natës shtrihej mbi Tokën e Arbërit: Kush e solli Doruntinën? Konstantini?! Fjala e dhënë, apo malli? Kush ra mbi muranën e zezë si honet e shekujve tinzarë? Lotët e motrës apo troku i kuajve me krifët e tyre të bardha, të bardha si dallgët e detit shkumbëzuar…Ka kohë që është çmendur zë i dhimbjes!…TË LUTEM MOS MË THUAJ SE ZËRI TË TAKON VETËM TY!…Në agimet e trëndafilta e në muzgjet e portokallta…Më thuaj: Kush u nda (si nëpër mitet dhe legjendat) për herë të fundit nga Poeti i Plisave të Dherit, i Vargut të Gjakut rënë sipër Pragut? Shami e kujt ra e bardhë si një mermer monumental, në qëndismën e fjalëve gjithë shkëlqim filigrani? Kush e paraljmëroi zgjimin e perëndive ilire? Në Tempullin e Dodonës, Elikonën ilire kush e ngjalli? Etlevën dardane kush e nxorri nga kryevepra e Poetit të Përjetësisë: Shenjtëresha duke lexuar?.. Shpresat, kreshta e bardhë e fjalës, lajmëtari i dritës apo ritmi i pikave të shiut në gjuhën me të cilën shiu i flet vetmisë kozmike?! Si lulet zemrën e si shiun shpirtin! Zëri është vetë Shiu. E Shiu është vetë Shpirti. Sa Shpirt i Bardhë! Shpirt i Luleve e Shpirt i Dritës! Shpirti si e Mirushës Ujëvarë. E Engjëjt i flasin Parajsës me gjuhën e pikave të shiut: SHPIRT I BARDHË!…

Filed Under: ESSE Tagged With: Shi, shpirtit tend te bardhe, Xhemail Peci

Liderët politik duhet t’i kthehen qasjes konstruktive

September 1, 2014 by dgreca

Dardan Molliqaj nga Lëvizja Vetëvendosje nuk e përjashton mundësinë për organizimin e protestave në shenjë pakënaqësie për shkak se nuk po mund ta fitojnë betejën kundër PDK-së, mirëpo në këtë krizë të thellë politike protestat do ta destabilizonin tej mase vendin/
Shkruan: XHAVIT ÇITAKU/
Në asnjë demokraci të zhvilluar nuk ka ndodhur e as që ka pasur përpjekje për të bllokuar ndërtimin e institucioneve shtetërore pas zgjedhjeve pavarësisht sakrificave të një apo të disa subjekteve politike që do të mund t’i bënin me atë rast. Ndërkaq tek ne kjo po ndodh dhe kjo që po ndodh është aq naive sa që do të duhej t’iu vjen turp të gjithë këtyre liderëve se në çfarë situate e kanë shpjer vendin. Blloku opozitar nuk dëshiron të bashkëpunoj me partinë fituese, në rend të parë, për shkak të inateve dhe xhelozisë, ndërsa sipas vendimit të Gjykatës Kushtetuese Kryeparlamentarin mund ta propozoj vetëm PDK. Dhe në këtë lëmsh aq shumë të ngatërruar nuk po bëjnë punë asnjë sugjerim, propozim, këshill e shumëçka tjetër që po adresohet sidomos tek LAN-i dhe subjekti politik që i fitoj zgjedhjet. Secili syresh këmbëngul se e ka të drejtën për ta zgjedhur Kryekuvendarin dhe kështu sipas asaj që njeriu mund të lexon nga ajo çka doli nga Kushtetuesja kjo situatë mund të zgjas me muaj derisa më në fund mund të ndodh eventualisht diçka e papritur pozitive apo ç’është edhe më keq vendi do të shkoj në zgjedhje të jashtëzakonshme.
Të mbretëroj logjika e arsyes
Pas vendimit të Kushtetueses duhet të mbretëroj logjika e arsyes dhe liderët tanë duhet të lëvizin nga pozicionet e tyre bllokuese dhe të tregojnë shembullin e bashkëpunimit ndërmjet vete në të mirë të vendit, në të mirë të prosperitetit të gjeneratave të tashme dhe të ardhshme. Me një fjalë, liderët tanë duhet t’i kthehen qasjes konstruktive të tejkalimit të këtij ngërçi politik që e ka katandisur në mënyrën më të keqe vendin tonë dhe që në masë të madhe po ndikon në imazhin karshi BE dhe të të gjitha atyre vendeve që e njohën Republikën e Kosovës. Nuk ka me keq, nuk ka më ligështi se sa që vendi të mbetët peng i tekeve, inateve, gjelozisë por edhe i urrejtjes që ndiejnë liderët tanë ndërmjet veti. Kjo po i kushton shumë demokracisë, kjo po e përbuz votën e sovranit, kjo po e degradon gjithë atë që është arritur deri me tash, sidomos në fushën e organizimit të zgjedhjeve, zgjedhje këto të fundit që u vlerësuan me notë kaluese nga BE dhe organizata të tjera të ndryshme kredibile. Sjellja e deritashme jo konstruktive e të gjithë liderëve politik është e pafalshme, e dënueshme dhe shumë e patolerueshme. Nuk është më rëndësi se a do të zgjedhet Thaçi, Haradinaj, Mustafa, në njerën nga postet që kanë synuar, po më rëndësi të madhe është që të tejkalohet kjo krizë politike që nuk po i dihet fundi. Nuk do të bëhet nami nëse në udhëheqje të vendit të nominohen edhe personalitete të tjera. Kosova edhe pse një vend i vogël ajo shquhet për kapacitetin intelektual që kanë njerëzit e saj. Ndaj, nuk do të bëhet kiameti nëse këta liderë i lënë anash lakmitë dhe pa asnjë hamendje t’ua këshojnë vendin të tjerëve në mënyrë që së paku të filloi puna e institucioneve të reja qoftë edhe për një periudhë dy vjeçare, derisa të bëhen ndryshimet e nevojshme të ligjit zgjedhor. Është një absurd i llojit të vetë kjo situatë bllokuese e krijuar: Edhe partia fituese PDK edhe blloku opozitar kanë paralajmëruar zëshëm së do të vazhdojnë dialogun me Serbinë, armike e së kaluarës, por mund të thuhet edhe e të sotmes për shkak të bllokadave që i shkakton Kosovës në shumë procese të integrimit të saj në institucione të rëndësishme evropiane dhe të tjera ndërkombëtare, ndërsa në anën tjetër liderët tanë nuk dëshirojnë të bashkëpunojnë ndërmjet vete për shkak të tekeve të tyre të sëmura. Kjo është e pafalshme.
Kjo lë të mbetët hera e fundit e krijimit të ngërçit politik
Duke parë se në çfarë situate ka ardhur vendi shtrohet domosdoshmëri e të gjitha subjekteve politike që të reagojnë pozitivisht, të punojnë e veprojnë konform kësaj gjendje të palakueshme që është krijuar në vendin tonë. Sidomos anëtarësia e gjerë në çdo degë e nëndegë duhet t’i “ hap” sytë dhe të fillojnë një përtëritje të udhëheqjes se tyre, apo me mirë më thënë të zhvillojnë një aktivitet të pasur e me përmbajtje në reformat rrënjësore që duhet të pësojnë partitë politike. Po ashtu këto celula partiake duhet të reagojnë ashpër dhe të bëjnë presion të vazhdueshëm ndaj liderëve të tyre dhe t’ua bëjnë me dije se ata nuk mund të frenojnë demokracinë në vendin tonë për shkak të karrierës së tyre personale. Kjo lë të mbetët hera e fundit e krijimit të një ngërçi politik të këtij lloji sepse sovrani nuk e dëshiron këtë, nuk e votoj këtë dhe nuk duhet të lejoj as tash e as kurrë të përsëritën këso veprime të pakuptimta, apo më mirë më thënë veprime lakmitare që po ndikojnë shumë keq edhe në raportet ndërnjërëzore, që do të duhet kohë për t’i vënë në binarë të shëndosh. Askujt deri me tash nuk i ka shkuar mendja se sa larg mund të shkojnë liderët e sotëm me këto apetite për pushtet , apetite këto absurde që më së shumti po e dëmtojnë qytetarin. Së këndejmi, sovrani lë të mendoj mirë se kujt duhet me ia dhanë votën në të ardhmen , disa liderëve të tashëm që u bën gaz i botës jo se jo.
Protestat do ta destabilizonin vendin
Dardan Molliqaj, nga VV-ja ndër tjera nuk e përjashton mundësinë për organizimin e protestave në shenj pakënaqësie se nuk po mund të fitojnë betejën ndaj PDK-së. A është ky edhe qëndrim i subjektit të tij politik të veprohet kësisoj nuk mund të thuhet, por nëse është atëherë lirshëm mund të konstatohet se këtu nuk ka fare sens politik, sepse një gjë duhet ta dijnë përfaqësuesit e VV-së, por edhe ata të bllokut opozitar se po të fillojnë protestat e të dy krahëve atëherë vendi do të destabilizohet tej mase. Në këtë krizë të thellë politike mjafton vetëm ndezja e një shkëndijë për të filluar ajo më e keqja, ajo që e dëshiron vetëm armiku. Ndaj, larg këtyre thirrjeve absurde e konfrontuese nëse vërtetë këta lider e posaçërisht ata të VV-së ia dojnë të mirën vendit të tyre. Pushteti nuk fitohet në rrugë e protesta, por me votën e sovranit.
Dhe krejt në fund: Edhe Ardian Gjinaj duhet me marrë vesh se është humbës dhe nuk është në nderin e tij që të trumbeton për bllokad, për mosbashkëpunim me partinë fituese. Nuk është fort larg që këtë e dëshiruat. “ Pirolla” i qoftë atij që thenë akullin e angazhohet për zhbllokim të ngërçit politik e jo atij që thërret për të kundërtën. Edhe SHBA-të edhe Zyra e BE-së bëjnë thirrje për respektim të vendimit të Kushtetueses dhe të fillimit të bashkëpunimit të subjekteve politike për ndërtimin e institucioneve të shtetit. Në këtë frymë duhet të punojnë të gjithë.

Filed Under: Opinion Tagged With: duhet t’i kthehen, Liderët politik, qasjes konstruktive, Xhavit Citaku

GJERMANIA DHE SHTETET E KORRUPTUARA TE BALLKANIT…

September 1, 2014 by dgreca

Opinion nga Ajet Delaj/New York/
Ne paranteze duhet thene se shtetet dhe shoqerite zhvillohen mbi bazen e shanseve historike pra si lideret e kombeve te vegjel apo te medhenj qofshin ata dine te kapin shanset per zhvillim e perparim per kombet e e tyre qe udheheqin.
Shqiptaret ne hapesirat e tyre ballkanike historikisht kane nxjerre lidere popullore por fatekeqesisht duhet thene se i kane munguar lideret shteterore ne 100 vitete e fundit kur shoqerite e perendimit ndertuan shtetet e tyre moderne funksionale ne sherbim te zhvillimit e perparimit te tyre.
Pergjithsisht ne shoqerite e pazhvilluara ballkanike lideret politik e shteteror i ngjiten popullit ne shpine si rriqnat dhe nuk i shkulen pa ja mbaruar gjakun apo hequr nje “cope lekure” apo me grabitjen e pjeshme apo te plote te thesrit te shtetit .
Ketu eshte gjithe problem i shoqerive ballkanike ku pa dyshim shqiptaret dallojne me primitivizmin e tyre ne kete fushe.
Pra lideret politike shqiptar ne tere hapsirat shqiptare ne ballkan nuk e pranojne konkurencen e vlerave ne politike, respektivisht nuk e pranojne gjarkullimin e elitave ne formacionet politike pamvarsisht rezultateve elektorale pasi asnjera pale nuk e respekton vullnetin e popullit te atij gjysme populli qe ka mbetur ne hapsirat shqiptare ne Ballkan pasi vullneti i gjysmes tjeter ne diaspore nuk ju intereson.
Me mire te themi e shikojne si rrezik te qendrimit te tyre perjetshem ne krye te partive shtetit e pushtetit pasi nuk munden ti blejne me nje thes miell, me kercenim per varferi duke i kercenuar, shitur e blere tera vendet e punes.
Nese themi qe politika ne hapsirat shqiptare ne Ballkan nuk e pranon alternative e vlerave ne politike respektivisht diktatoret e vegjel nuk e pranojne atlernativen si motor i shoqerive te lira as ne ne sferat e tjera te jetes shoqerore e politike pasi shtetin e kane kthyer ne sherbim te nje grushti njerzish sherbetore te kupolave e ekonomine monopol i po ketyre rriqnave.
Ky eshte realiteti i hillur i shoqerise shqiptare ne Ballkan ku sundimtaret i kane hypur ne qafe popullit dhe per ironi te fatit e rezultat i ketyre rriqnave te ndyra sic ka thene Gjergj Fishta shqiptaret jane populli me i varfer i Europes ne token me te bukur e te pasur ne tere boten nese i referohemi per njesi siperfaqje.
Ne kete dite halli jane shqiptare ne Ballkan jo se tjeret jane me mire por une po mundohem te qaj hallin tone kur fap vjen si rrufe e ndritshme konferenca e Berlinit dhe premtimi i Kancelares Gjermane se do ndihmoje vendet e Ballkanit ku per te miren tone gjithsesi Kryeministrin shqiptar e vuri ne krye te vendit ne sofren ballkanike.
Duhet thene , pranuar e mbase edhe falenderuar se Perendimi e ka ndihmuar edhe me perpara vendet ish-komuniste te Europes se Lindjes. Problemi madhor ne kete ceshtje eshte se nuk degjuam nga Kancelarja Gjermane asnje fjale per miljardat e meparshme dhe sa efikase kane rezultuar ato para qe popujt e perendimit i kane ndare per lindjen ish komuniste nga taksat e tyre.
Nuk u tha qe ndihmat e pakursyera dhe te pakushtezuara te perendimit ringriten ne kembe kriminelet komuniste ruse saqe “Brezhnjevi i Ri” po kercenon me arme nukleare tashme tere boten se fqinjeve ka kohe qe u ka hyre ne shtepi.
Ndersa ne anen tjeter ne ish hemisferen sovjetike u konsoliduan ca rregjime hibride te korruptuara deri ne gen, ku kriminelet komuniste e mafjoze u shnderruan me propogande ne democrat ku padyshim Ukraina si vendi me i madh i lindjes ish komuniste pas Moskes mbante vendin e pare edhe pse rusi i mori pjesen me strategjike te territorit te saje nuk e qiti kush nje pushke.
Nuk eshte se situate eshte me e mire ne vendet e Ballkanit sesa ne Ukraine persa I perket atishtetit antiligjit ku oligarket e rinj te panginjur as me gjakun e popullit te tyre qe i kane hypur ne kurriz se nuk po them gje per buken e mundesite e popullit per jete me te mire pasi ato paksohen cdo dite.
Nje gje e dine mire Gjermanet dhe aq me teper Kancelarja Merkel si ish lindore qe eshte se Gjermania eshte bere kjo qe eshte ne saje te implementimit te demokracise liberale te shtetit ligjor e respektimin e te drejtave te qytetarit gjerman.
Ne kete kuader i bej thirrje Kancelares Gjermane qe nese realisht ka vendosur te ndihmoje popujt e Ballkanit atehere duhet ti ndihmoje keta popuj qe te clirohen nga regjimet e oligarkeve gjakpires e kriminel duke ndikuar qe te vendosen regjime e qeveri legale te dala nga vota e lire e popullit se bashku me ata qe jetojne ne diaspore duke ndikuar e instaluar demokracine liberale e respektimin e lirive dhe te drejtat njerzore per pupujt e Ballkanit si parakusht i vetem dhe i domosdoshem per te kapercyer prapambetjen dhe varferine qe ka pllakosur kete pjese te kontinentit te Eoropes por realisht ballkanasit jetojne si ne Afrike.
Ballkani i ka te tera potencialet natyrore dhe njerzore qe te zhvillohet e perparoje si pjesa tjeter e Europes perendimore mjafton qe te qeveriset ne respect te lirive njerzore dhe ekonomike.
E nderuara Kancelare Merkel nese ndihma juaj do konsistoje ne implementimin e lirise dhe demokracise ne hapsirat ballkanike realisht i ke ndihmuar popujt e ballkanit dhe ne nje te ardhme te shkurter kjo pjese e Europes do behet pjese e BE , perndryshe do prodhosh vetem ca Yanukovych te rinj ne Ballkan anipse mbase pak me te vegjel e mbas nje viti popujt e ballkanit mbase do jene edhe me keq se jane sot.

Filed Under: Opinion Tagged With: Ajet Delaj, DHE SHTETET E KORRUPTUARA TE BALLKANIT, E ME GJERE, gjermania

“MARRËZIA E MADHE” NJË PERLË LETRARE

September 1, 2014 by dgreca

nga Vjollca Tiku Pasku/
Romani ‘MARRËZIA E MADHE” e shkrimtarit Vullnet Mato është një rekuiem dashurie, në qiellin e vranët të vitit 1997. I gjithë subjekti i veprës shtrihet në dy linja. Linja e parë është ajo e dashurisë së flakët deri në marrëzi, siç e quan autori. Alma mësuese e letërsisë, një poeteshë e re, e bukur, e pastër moralisht, me një shpirt të ndjeshëm, e ardhur nga një martesë e nxituar shabllone, tani e ndarë, ruan qysh nga rinia shkollore ndjenjat për profesor Reitin, mësuesin e letërsisë, së fundi redaktor i shtëpisë botuese “Planet”. Pavarësisht nga efektet e kohës dhe të moshës, diskursi i Almës ishte i përcaktuar. Ajo e dashuronte fshehtësisht dhe me prezencën e saj dhe frazat e zjarrta zgjon ndjenjat e fjetura të indiferencës së ish profesorit të dikurshëm. Me krahët madhështorë të dashurisë, ajo krijon vendbanimin e sigurt në zemrën e Reitit. Ai ishte dashuria e parë në jetën e saj. Skenat panoramike të dashurisë, të formuara aq bukur nga autori, japin përherë stuhi të magnetizuara ndjenjash. Dashuria një etje e shpirtit, përpinë atë energji që krijon jetë, dhe jep atë energji që çliron emocione hyjnore. Shpirt, trup, zemër janë një. Zemrat vallëzojnë të njëjtin ritëm. Në atë muzg moshe për Reitin, Alma ishte si qëndrimi mbi supin e tij, i një fluture magjepsëse lulesh. Konvergjenca drejt Almës, ishte për Reitin si një eksitim i pranverës në prag dimri. Me qëndrimin e tij stoik, në fillim për të sprapsur, këtë cicërimë mëngjesore, ai kuptoi se ajo erdhi pikërisht për të mbushur atë qenësi boshe të trupit të vjetruar të gruas së tij. Erërat magnetizuese të dikurshme të bashkëshortes, tani ishin tharë. Ndoshta Alma u shfaq si një hyjni e vogël. Fati rezervon të papritura, ndjenja galoponte, të cilat asnjëri prej tyre nuk e di se si shfaqen. Koha të pagëzon me një rilindje burrërore atëherë kur nuk e pret. Dashuria nuk pyet për arsye, por thjesht dashuron. Dozat e mëdha të ëmbëlsisë së dashurisë, ai i adhuron, i pret, por përherë më një merak . Sa do zgjasin vallë…Panorama që i shfaqej para syve ishte gruaja e tij me dimrin në eshtra dhe nga ana tjetër kjo mbretëreshë pranverë. I dukej vetja si një vazo e vjetër, ku kishte mbirë papritmas një trëndafil i freskët dhe ai merrte shkëlqim nga kundërmimi i saj… Kjo do të thoshte se dashuria ishtë ndjenja më universal në të gjitha pjesët e jetës. Ndjente një keqardhje të madhe për gruan e tij, e cila kishte përherë kujdesin, pastërtinë, mikpritjen, çdo gjë, ndoshta në këtë moshë ajo ishte bërë si motër…Tani entuziast, ai e dinte se dashuria e Almës ishte pa kushte. Dhe ky ishte një komponent që e lartësonte Almën. Kjo dashuri erdhi pikërisht në kohën më të keqe. Megjithëse ishte mars, pranvera nuk dukej gjëkundi. Ishte viti 1997, viti i falimentimit të firmave piramidale. Njerëzit e zemëruar kërkonin dorëheqjen ne qeverisë. Çelësin e zemërimit të masave e shfrytëzonin politikat e ndryshme të vendit për ta bërë popullin më të mjerë se ç’ishte në të vërtetë… Atëherë indinjata e tyre shpërtheu depot e armatimeve. Në këtë situatë të ndërlikuar, lindën bandat famëkeqe. Vrasjet, përdhunimet, vjedhjet, ishin pjellat e kësaj situate…. Luftë, vetëm kjo fjalë e thënë pa dashje të tmerronte. Kjo luftë ishte pa armiq përballë, qëllohej lartë sikur qielli të ishte armiku i metaltë. Rikoshetat e plumbave binin, si kthetrat e padukshme të një përbindëshi jetëmarrës. Tensionet dhe derdhjet e gjakut, sillnin pasojë vdekjen. Ishte pranverë dhe flokët ajrore shpoheshin nga plumbat. Horizonti në perëndimin e ditëve, ishte gjithmonë i mjegullt, me nuancë të zezë nga tymi i armëve. Gjatë ditës të gjithë nxitonin në punë të kujdesshëm dhe gjatë natës frika strehohej në sytë ë e tyre. Njerëzit kishin mall të dëgjonin cicërimat e zogjve në vend të shtënave të armëve, të ndjenin aromat e pranverës në vend të barutit, të ndjenin tringëllimat e zemrave të dashuruara. Por mes fërfëllizës së breshërive, njëri nga plumbat godet profesor Reitin në kokë, rrugës kur po shkonte në shtëpi. Lufta në dukje sikur kishte mbaruar, sepse zërat e krismave ishin rralluar, dhe qeveria dha dorëheqjen. Fundi i marrëzisë madhe, hapi venat e dhimbjes në shpirtrat e gruas, vajzës, Almës , dhe të gjithë të njohurve që e respektonin. Kjo pranverë me hije të trishtuara, rrodhi lotët e trishtimit dhe të kobit në këto zemra. Goja e gropave nëntokësore hapej për të pritur jetën e këputur nga kafshimi i plumbit të zi të ardhur nga qielli. Gruaja e tij nuk mundi ta përballonte këtë humbje dhe kaloi në depresion. Alma e qau për shumë kohë Reitin, ajo pranverë mori lulëzimin e gjithë pranverave të saj. Autori shkruan: “ajo ngushëlloi veten me mendimin, se një muaj me dashuri të madhe , ishte më tepër se nga një jetë me disa dashuri të vogla”. Ajo përkëdhelte djalin e vogël, që ishte frutë i dashurisë së saj me Reitin, vogëlushin që gugatej si pëllumb me push verdhë, por “me vdekjen e Reitit, vdiq përgjithmonë edhe aftësia e Almës për të dashuruar sërish”.Ndjenjat e dashurisë u fishkën si gjethe vjeshte dhe u varrosën së bashku me trupin e të dashurit. Jeta vazhdon dhe autori e mbyll me mendimin, ” se ishte gjë e mirë për këdo që kuptonte më kryesoren, se asgjë nuk quhej e humbur, përderisa jetoje akoma”. Në retinat e agonisë së vendit shpresohej për një ditë pranverë. Mendimi në këtë vepër, udhëton gjerë, hyn në botën e mistershme të gruas , e cila përbën një veçori themelore të brendësisë së romanit, po ashtu edhe në psikologjinë e burrit, duke na dhënë shpirtin tipik të njeriut intelektual, të ndershëm, me ndjenja romantike, që s’i bën dot ballë tundimit të dashurisë së një vajze të re. E gjithë kjo vepër, gati poetike, është ndërtuar gur-gur të ngjitur fort, si në një kështjellë dhe herë pas here, hap një dritare për të parë kronikën e viteve 97. Vërtet në bulurimën e jetës, në ecurinë e kohës, jepen kronikat e luginës së dhimbjes dhe shtroja e fildishtë e dashurisë, ku gumëzhin bukuria me frikën, përleshet logjika me ndjenjat, e mira me të keqen. Gjuha në këtë roman rrjedh si burim i kristaltë, me frazat të bukura poetike dhe mesazhe filozofike. Syri i lexuesit shkon përtej leximit, duke përfytyruar të gjitha skenat në detaje, së bashku me nuancat ngjyruese të frazeologjisë së dialogut, duke formësuar një libër tërheqës, deri në rreshtin e fundit, sikur të ishin gjurma engjëjsh që shfletojnë fletët e një qielli të jetuar. I gjithë romani i shkrimtarit Vullnet Mato, i veshur fund e krye me kostum poetik, ngrihet në lartësinë e një perle në letërsinë shqipe.

Filed Under: ESSE Tagged With: “MARRËZIA E MADHE”, NJË PERLË LETRARE, Vjollca Pasku, Vullnet Mato

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 52
  • 53
  • 54
  • 55
  • 56
  • 57
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • NJЁ SURPRIZЁ XHENTЁLMENЁSH E GJON MILIT   
  • Format jo standarde të pullave në Filatelinë Shqiptare
  • Avokati i kujt?
  • MËSIMI I GJUHËS SHQIPE SI MJET PËR FORMIMIN E VETEDIJES KOMBËTARE TE SHQIPTARËT  
  • MES KULTURES DHE HIJEVE TE ANTIKULTURES
  • Historia dhe braktisja e Kullës së Elez Murrës – Një apel për të shpëtuar trashëgiminë historike
  • Lirizmi estetik i poetit Timo Flloko
  • Seminari dyditor i Këshillit Koordinues të Arsimtarëve në Diasporë: bashkëpunim, reflektim dhe vizion për mësimdhënien e gjuhës shqipe në diasporë
  • Ad memoriam Faik Konica
  • Përkujtohet në Tiranë albanologu Peter Prifti
  • Audienca private me Papa Leonin XIV në Selinë e Shenjtë ishte një nder i veçantë
  • PA SHTETFORMËSINË SHQIPTARE – RREZIQET DHE PASOJAT PËR MAQEDONINË E VERIUT
  • “Ambasador i imazhit shqiptar në botë”
  • “Gjergj Kastrioti Skënderbeu në pullat shqiptare 1913 – 2023”
  • Albanian American Educators Association Igli & Friends Concert Delivers Electrifying Evening of Albanian Heritage and Contemporary Artistry

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT