• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for October 2014

Shkrimtarja Zvicerane sjell në Kosovë “Shtatë vëllezër dhe shtatë motra…”

October 31, 2014 by dgreca

Krijuesja zvicerane, Elisabeth Kaestli ka sjellë në Prishtinë romanin me tematikë shqiptare, “Shtatë vëllezër dhe shtatë motra, një familje kosovare nëpër botë”/
Shkrimtarja zvicerane, Elisabeth Kaestli është rikthyer sërish në Kosovë për të promovuar tashmë në gjuhen shqipe, romanin e saj që ka tematikë kosovare: “Shtatë vëllezër dhe shtatë motra, një familje kosovare nëpër botë”. Ky roman i publikuar me 16 dhjetor në Graçanicë në gjuhen gjermane, rikthehet fuqishëm në Kosovë si rrëfim rrëqethës.
Tematika e kësaj kryevepre të autores Kaestli, ka në bosht 14 fëmijët e familjes Reka nga Kaçaniku i Kosovës, të cilët jetojnë bashkë në mënyrë të harmonizuar dhe janë shumë solidarë. E veçanta e kësaj familje është se ata emigrojë në vendet evropiane dhe atje bëjnë jetën e tyre të gërshetuar.
Sipas strukturës së librit, 14 fëmijët e familjes Reka, të shtyrë nga kushtet sociale e politike u detyruan të emigrojnë jashtë vendit dhe ata “sikurse zogjtë shtegtarë” u zhvendosën në Zvicër, Gjermani, Belgjikë e Kanada.
Sot, siç thuhet në rrëfim, ata takohen në çdo verë në Kaçanik, në qytezën ku familja Reka jeton që nga viti 1979 e ku tani jetojnë dy vëllezër Reka. Është vendi i ëndrrave i atyre që emigruan, zemra e familjes së shpërndarë nëpër botë.
Shkrimtarja Kaesteli, fillimisht kishte njohur dy nga familjarët Reka, të cilët pastaj e kanë ftuar në fshatin e tyre të lindjes, ku ajo është njoftuar me gjithë familjen. Siç e ka potencuar edhe në promovimin në gjuhen gjermane, ajo është frymëzuar nga solidariteti i familjes dhe vështirësitë me të cilat ajo është përballur.
Vetë autorja zvicerane tregon se si ka arritur ideja, që të bëhet ky libër, i cili ka ngërthen një realitet por që për dikë, mund të jetë një histori.
“Unë para se ta shkruaj këtë libër, kam qenë në Kosovë si gazetare gjatë kohës së luftës, dhe kam raportuar për shumë ngjarje në gazeta zvicerane. Por, kur kam rastisur të bashkëbisedoj me njërin nga vëllezërit Reka, e kam parë që këtu mund të ketë një tregim i cili do të zgjasë, dhe do të jetë real dhe jo një imagjinatë”, tha ajo.
Ajo ua rikujtoi lexuesve se libri nuk është histori, edhe pse në lexim të parë ashtu mund të duket. “Mund ta shohin si histori, por te disa lexues do të jetë një ringjallje shpirtërore, sepse shumica e tregimeve prekin shumë familje kosovare që kanë kaluar në këto rrugë ”, tha Kaestli.
Në librin “Shtatë vëllezër dhe shtatë motra, një familje kosovare nëpër botë”, shkrimtarja zvicerane Kaestli, një pjesë të romanit ia kushton edhe babait të kësaj familje, i cili ka qenë autodidakt, por se fëmijët, vajzat dhe djemtë i ka motivuar që të shkollohen.
Në këtë libër autorja falënderon të gjithë anëtarët e Familjes Reka, “të cilët më kushtuan aq shumë kohë, më dhanë informata me një zemërgjerësi të pakursyer, më dhuruan aq shumë mikpritje dhe më ndihmuan me fotografi nga albumet e tyre për ta pasuruar këtë libër”.
Njëri prej vëllezërve Reka, Selimi ndjehet i lumtur që familja e tij ka qenë boshti i një romani nga një autore e huaj.
“Është një ndjenjë e veçantë kur familja jote përfshihet në një libër, e aq më shumë të shkruhet historia e vërtet se në çfarë kemi kaluar. Unë këtë veprim të kësaj autore e çmoj shumë, duke u nisur nga fakti që jo gjithkush mund ta dijë se çfarë tmerre kanë kaluar gjatë luftës. Ne kemi fol, më gjerësisht për çdo ngjarje dhe asgjë nuk është e trilluar ”, ka thënë ai.
Redaktori i librit, Adem Gashi tha se ky libër ka disa elemente interesante, lidhur me tematikën të cilën e mbizotëron.
“Është libër që e arrin sagën e romanit. E bukura e kësaj veprës dhe hidhura që shkojnë të dyja bashkë është që, asgjë nuk është imagjinare, është diçka që me të vërtet shumë familje kosovare e kanë përjetuar, dhe ende janë të mbyllur në vete nga ndodhitë e moçme”, tha Gashi.
Elisabeth Kaestli (1945) u rrit në Biel/Bienne të Zvicrës. Studimet për përkthimin i ka mbaruar në Gjenevë dhe Trieste. Që nga vitit 1973 punoi si gazetare për Agjencinë e Lajmeve Zvicerane, për “Tages-Anzeiger”, për radio DRS (sot SRF) si dhe për medie të tjera. Nga viti 2000 punoi si gazetare e lirë dhe e pavarur.
Për herë të parë këtë vepër, Elisabeth Kaestli e promovoi më 16 dhjetor 2013 në hotel “Graçanica” në Graçanicë afër Prishtinës, në një hotel po ashtu që menaxhohet nga një zviceran. Romani është botuar në shqip nga shtëpia Botuese “Buzuku”.
Përkthyesja e librit Ajtene Asllani-Xhemajli, e cila tha se e ka bërë me dëshirën më të madhe përkthimin e kësaj vepre. Ndërsa Safete Rugova lexoi disa fragmente nga tregimet e familjarëve Reka. Disa prej tyre duke dëgjuar historinë e tyre, nuk u përmbajtën nga lotët.

Filed Under: Kulture Tagged With: dhe shtatë motra...”, Shkrimtarja Zvicerane, sjell në Kosovë “Shtatë vëllezër

Ekspozita “Besa”, në 17 nëntor në Cyrih

October 31, 2014 by dgreca

Në serinë e ekspozitave që po organizohen tash sa muaj në qytete të ndryshme zvicerane me temën “Besa…”, më 17 nëntor bëhet hapja e ekspozitës së radhës në Cyrih/
Besa, një kodeks moral”, është titulli i ekspozitës shëtitëse me fotografi që dëshmojnë shpëtimin që shqiptarët u bënë hebrenjve gjatë Luftes së Dyë Botërore, të rrezikuar nga holokausti.
Duhet theksuar se, pas ekspozitës së parë, hyrëse, që është mbajtur në muajin maj në Basel, komiteti organizativ ka bërë një punë shumë intensive dhe të denjë për respekt. Në muajin shtator është mbajtur ekspozita e njëjtë në qytetin Biel/Bienne, e shoqëruar me shfaqje filmi dhe me punëtori e debate mbi shembullin unik të Besës shqiptare në shërbim të tolerancës në mes të grupeve etnike dhe religjioze.
Javën e kaluar ekspozita u hap në Solothurn ku po ashtu u shoqërua edhe me aktivitete tjera, ndërsa mbrëmë, më 27 tetor ekspozita me të njëjtin titull është hapur në Aarau. Aty do të qëndrojë e hapur deri më 3 nëntor, kur hapet ekspozita e radhës, në Windisch të kantonit Aargau.
Nga Windischi ekspozita bartet në Cyrih, metropolin më të madh të Zvicrës ku pritet të ketë edhe jehonën më të madhe. Ndërsa në dhjetor, “Besa” dhe aktivitetet e saj përcjellëse do të jetë e pranishme në Bernë, me çka përmbyllet një aktivitet i gjerë dhe intensiv për këtë vit. Ekspozita “Besa” do a vazhdojë rrugën e vet edhe në vitin e ardhshëm, 2015, kur do të jetë mysafire në qytete të pjesës frankofone të Zvicrës.
Personalitete të ndryshme dhe të shumta nga politika, kultura e sporti kanë qenë dhe pritet të jenë pjesë e këtij aktiviteti unik dhe me domethënie të madhe veçanërisht për komunitetin shqiptar të Zvicrës dhe për imazhin e tij.
albinfo.ch është partner dhe sponsor medial i aktiviteteve të ekspozitës “Besa”
Hapja e ekspozitës në Cyrih do të hërben njëherësh si hyrje për një sërë aktivitetesh që komiteti organizativ ka paraparë në këtë kuadër. Ekspozita hapet në ambientet e Shkollës së Lartë Pedagogjike të Cyrihut (Pädagogische Hochschule, Zürich) dhe qëndron e hapur deri më 5 dhjetor.
Hapja solemne (vernisazhi) bëhet më 18 nëntor, e martë, duke filluar nga ora 19.00 në Aulën e SHLP të Cyrihut (Aula der Pädagogischen Hochschule Zürich, Lagerstrasse 2, 8090 Zürich, LAA – G001).
Fjalë përshëndetjeje me këtë rast do të mbahen nga Prof.Dr, Walter Bircher, rektor i Shkollës së Lartë Pedagogjike të Cyrihut, Shella Kertesz, bashkëkryetare e bashkësisë hebrenje të Cyrihut (Cultusgemeinde Zürich), Orhan Spahiu, në emrin e Kuvendit të Shqiptarëve të Zvicrës. Ndërsa me një fjalim do të paraqitet Dr. Beate Kosmala, bashkëpunëtore shkencore në qendrën memoriale të Rezistencës Gjermane. Më tutje do të zhvillohet një bisedë me maturanten shqiptare Adea Barileva, e cila do të flasë lidhur me punimin e saj të maturës që bën fjalë për Besën.
Krahas ekspozitës do të zhvillohet edhe numër i madh aktivitetesh që do të përplotësojnë atë. Kështu më 24 nëntor (e hënë) nga ora 18:15 do të mbahet një punëtori (workshop) takimi shqiptaro-hebreiko-msliman me temën Besa si urë në mes nesh. RESPECT- Të mundim së bashku urrejtjen ndaj myslimanëve dhe hebrenjve. Workshopi mbahet në PHZH, LAC-E012. Paraqitja: respekt@ncbi.ch
Të martën më 25 nëntor, Prof.Dr, Wolfgang Benz, drejtues i Qendrës për Studime të Antisemitizmit në Universitetin Teknik të Berlinit do të mbajë ligjëratën me titullin “Hebrenjtë, myslimanët, romët… Mostra e distancimit në krahasim”.
Më 30 nëntor nga ora 11.30 jepet shfaqja matine e filmit “Besa:The Promise” në kinemanë Riffraff. Pas shfaqjes do të ketë edhe bashkëbisedim të udhëhequr nga Dr. Brigitta Rotach.
Më 4 dhjetor (e enjte) Në Theater Neumarkt Zürich jepet koncerti i muzikës xhaz me Elina DUnin, Scascha Schönhaus dhe Colin Vallon.
Prezantimi i ekspozitës “Besa” për studiuesit, mësimdhënësit dhe docentët (gjermanisht) do të bëhet nga Shpresa Jashari (Instituti për Studime Transnacionale në Universitetin Neuchatel.) nga ora 13 deri në orën 14.00
Ndërsa në kuadrin e prezantimeve të ekspozitës për grupet e organizuara po ashtu më 21 tetor do të ketë edhe një prezantim në gjuhën shqipe. Atë do ta bëjë po ashtu etnologia Shpresa Jashari. Udhëheqja nëpër ekspozitë në gjuhën shqipe do të bëhet nga ora 19.30 deri në orën 20.30. Vendtakimi: Pädagogische Hochschule Zürich, Lagerstrasse 2, 8090 Zürich, LAC – Eingang/Kulturräume.
Po ashtu janë paraparë edhe vizita që nxënësit e shkollave t¨Cyrihut me rrethinë do t`i bëjnë ekspozitës.

Filed Under: Mergata Tagged With: Ekspozita "Besa", në 17 nëntor, në Cyrih

Shqetësime në Mërgatë- Brezi i dytë e i tretë rrezikon të mbetet „analfabet“ i gjuhës shqipe

October 31, 2014 by dgreca

„Është rrezik që fëmijët me prindër me arsimim të ulët të humbin kontaktin me gjuhën amtare letrare dhe me gjithë kulturën e shkruar duke rrezikuar të mbesin analfabet të gjuhës së tyre të cilën e flasin vetëm në trajtën dialektore“, tha Schader.
Gjuhëtari dhe albanologu i njohur Basil Schader, profesor në Shkollën e Lartë Pedagogjike të Cyrihut është shprehur mjaft kritik në një tryezë me studentët shqiptarë të titulluar „Dini ende shqip?“ kur është pyetur se sa komuniteti shqiptar në Zvicër zotëron gjuhën amtare në krahasim me komunitet tjera.
Albanologu zviceran tha para studentëve se vetëm përafërsisht 10 për qind të fëmijëve të komunitetit shqiptar vijojnë mësimin në gjuhën shqipe, që është shumë më pak në krahasim me komunitetet tjera në Zvicër „Është rrezik i madh që fëmijët me prindër me arsimim të ulët të humbin kontaktin me gjuhën amtare letrare dhe me të gjithë kulturën e shkruar dhe gjuhën e standardizuar shqipe duke rrezikuar të mbesin analfabet të gjuhës së tyre të cilën e flasin vetëm në trajtën dialektore“, tha Schader.
Megjithatë për gjuhëtarin zviceran gjuha shqipe në diasporë nuk do të humbet në 15 -20 vjetët e ardhshëm.
Këtë pyetje atij ia parashtruan studentët në tryezën e organizuar nga shoqata „Studenti“ “Për disa arsye gjuha shqipe do të mbijetojë, si për shkak të kontakteve me vendet e prejardhjes, vitalitetit të folësve etj. Por, ka shumë rrezik që në brezin e dytë dhe të tretë të ketë shumë analfabetë të cilët e zotërojnë gjuhën shqipe në një trajtë të kufizuar dialektore por nuk do të jenë në gjendje ta përdorin për kërkime më të thella ngase këtu gjatë gjithë kohës në shkollë mësohet vetëm gjuha gjermane ndërsa gjuha amtare nuk mësohet nëse nuk vijohet mësimi plotësues në gjuhën shqipe“, thotë Schader.
„Nëse në Zvicër ka 5 herë më shumë shqiptarë se retoromanë, atëherë nuk e di se pse nuk e zyrtarizohet si gjuhë e pestë në vend. Mendoj që disa nga dokumentet duhet të përkthehen edhe në gjuhën shqipe. Një numër i tyre, nga fusha e arsimit, shëndetësisë etj., tashmë janë përkthyer“, përgjigjet në një pyetje tjetër të studentët Schader për përparësitë e angazhimit të shqiptarëve në administratë.
Për profesorin e Shkollës së Lartë Pedagogjike të Cyrihut shqipja ka disa veçori që janë të vështira për të huajt. Po, ashtu sipas tij shqipja ka një fjalor më të pasur se gjermanishtja.
Në Zvicrën gjermane ai thotë se dialekti ka një status të veçantë dhe prestigj të lartë ndërsa në vendet tjera si Gjermania e Franca, po edhe në Kosovë dialekti vlerësohet si më i ulët. Shqiptarët duhet të zotërojnë gjuhen letrare që të mos e humbin kulturën e te shkruarit”, ka thënë Schader.
“Gjuha, më tepër se vetem mjet komunikimi”
Gjuhëtari dhe pedagogu shqiptar, Naxhi Selimi nga Tetova, i cili për 26 vite jeton në Cyrih të Zvicrës është pajtuar me kolegun zviceran se me gjithë begatinë që ka gjuha shqipe në aspektin semantik por edhe të frazeologjisë, familjet shqiptare vetëm në mënyrë të kufizuar shfrytëzojnë begatinë për gjuhën që e kanë sjellë nga vendi i origjinës.
“Gjuha është pjesë e identitetit. Gjuha është më tepër se mjet komunikimi dhe edukata ndikon në zhvillimin e gjuhës amtare, pastaj ndikojnë kushtet dhe rrethanat kur rriten fëmijët”, thotë docent i didaktikës së gjuhës gjermane në Shkollën e Lartë Pedagogjike në Schwyz, Naxhi Selimi.
Më tutje, tetovari i cili për 10 vite punoi në drejtorinë e arsimit të kantonin e Cyrihut tha se komunikimi, interaksioni në jetën e perditshme ndërmjet prindërve dhe fëmijëve ndikon në ruajtjen e shqipes te brezi i dytë
Ai ka folur për raste të fëmijëve me prindër që nuk i kushtojnë rëndësi të folurit në shqip. “Nëse një gjuhë mësohet më pak se tjetra, gjuha dominante e shtyp zhvillimin e gjuhës që është mësuar më dobët”, thotë profesori.
Këta fëmijë nuk janë kompetent sa duhet as në gjuhën shqipe e as gjermane „Nëse unë si prind jam i vetëdijshëm në aspektin gjuhësor dhe i mbështes fëmijët të mësojnë gjuhën amtare atëherë pritjet janë për një bazë të fortë dhe shëndoshë që do të ndikojë pozitivisht në të mësuarit e gjuhës gjermane por edhe vazhdimin dhe ruajtjen e mësuarit të shqipes“, thekson në këtë komunikim profesori me origjinë nga Tetova.
Shpresa Jashari është doktorante dhe bashkëpunëtore profesionale në Universitetin e Neuchatelit ku është angazhuar me projektin “Martesa transnacionale në Zvicër”. Ajo është po ashtu edhe publiciste dhe ka një përvojë me mësimin e gjuhës shqipe për zviceranët dhe shqiptarët e brezit të dytë.
Duhet stimuluar të folurit e shqipes, qoftë në dialekt apo në gjuhën standarde
“Në shtëpi kemi folur në dialektin nga vendi prej nga kemi migruar në këtë rast nga Kërçova”, ka thënë Shpresa Jashari, duke e thyer për disa çaste rregullin e të folurit në gjuhë standarde, respektivisht duke folur sa për kuriozitet, në të folmen e Kërçovës.
Ajo ka vënë theksin në rëndësinë dhe pasurinë e gjuhës së folur, në këtë rast të dialektit. Pasi që gjuha është mjet për t`u marrë vesh, atëherë duhet stimuluar të folurit, në cilindo variant qoftë, standard apo dialektor, mendon Sh. Jashari. Ajo po ashtu është shprehur se mësimi i gjuhës në shumë raste ka qenë edhe luks për shkak të angazhimeve të mëdha që kanë pasur prindërit tanë në punë.
Ajo ka tërhequr vërejtjen që të mos kihet kompleks nga të folurit në dialekt, kur kjo është forma që e zotërojmë më ë miri dhe në të mund të shprehemi më lirshëm.
Më tutje, studiuesja me rrënjë nga Kërçova ka treguar për kontaktet e saj të para me Shqipërinë dhe Kosovën, që i kishte bërë pasi kishte mbaruar studimet. Atje kishte shkuar për të mësuar më shumë për kulturën dhe gjuhën.
Shukrije Ramadani nga Qendra Kulturore e Kosovës në Cyrih tha pyetja e tryezës “ A dini ende shqip?” duhet t’i parashtrohet studentëve që pak po i kushtojnë rëndësi të mësuarit të shqipes e jo panelistëve.
“Nëse ka të shkosh flitet gjermanisht kuptohet që të tërheq gjermanishtja se të vjen më lehtë me komuniku në gjermanisht por meqë unë 6 vite kam jetuar në Kosovë atëherë ka ndryshuar gjithçka. Mua tash më shumë më tërheq të flas shqip se gjermanisht. Tash shumë më lehtë flas në shqip se gjermanisht, thotë studentja Lorena Ramadani, e cila pasi është lindur dhe rritur në Zvicër, para gjashtë viteve ka shkuar të jetojë në Kosovë.
“Së paku një herë në javë flasim mes studentëve vetëm shqip”
Atdhe Gashi, Qëndrim Shtufi dhe Zef Duhanaj janë disa nga shumë studentë që i takuam në këtë tryezë. Ata studiojnë në drejtime të ndryshme por i bashkon interesimi për të mbajtur kontakte me gjuhën me të cilën janë rritur, prandaj kanë ardhur këtu për të mësuar diçka më shumë në këtë drejtim.
“Me thënë të drejtën, pothuaj të gjitha që u folën këtu unë i kam të njohura, por megjithatë ia ka vlejtur të vinim”, thotë Qëndrimi, student i ekonomisë në Universitetin e Cyrihut. Kjo për faktin se është edhe një rast më shumë për të kultivuar shqipen në takim me kolegë-e dhe me ligjëruesit e pranishëm.
I pyetur nëse edhe me kolegët flet shqip, ai, në një shqipe pa të meta thotë se jo gjithmonë por megjithatë mjaft shpesh. “Së paku një herë në javë në takimet që i kemi me shoqatën, ia japim vetes për detyrë të flasim vetem shqip”, thotë Qëndrimi, të cilin e pohojnë edhe Atdheu, student në ETH dhe Zefi, në ekonomi.albinfo.ch

Filed Under: Mergata Tagged With: i dytë e i tretë, i gjuhes shqipe, rrezikon të mbetet „analfabet“, Shqetësime në Mërgatë- Brezi

Përkime të çuditëshme

October 31, 2014 by dgreca

Rrëfenja nga Përparim Hysi/
Rrahmëni qe bashkëfshatari im. Qe jo vetëm familjar i mirë, por dhe punëtor që nuk kishte shok. Veç këtyre tipareve qe dhe gojëëmbël dhe kurrë nuk u grind me njeri. Kudo që punonte, dallohej se bënte punë me cilësi. Jetonte, kur thonë, me djersën e tij. Po, kur thonë turqit, nuk ka iksan pa noksan që, më shqip fare: çdo njeri ka të mira, por dhe ndonjë huq që nuk e kanë të tjerët. I tillë qe dhe Rrahmëni. Në çdo bllok ku punonte apo kudo ku i shkelte këmba, kurrë nuk kthehej në shtëpi pa një krah me dru. Të ishin dhe shkarpa, ai do t’i çonte në shtëpi. Thoshte: e para është buka; mandej ujë dhe e treta druja. Duhet, or tunjatjeta, si në dimër, po dhe në behar. Në dimër, s’ka njeri që nuk e do drunë se do zjarr të ngrohet. Se kush nuk e di atë këngën nga qëmoti: xhan o burrë, xhan o zjarr/. Po dhe në behar se do ndezësh zjarr për rrobat, po për banjë e ku mbarohen hallet e robit.
Kur shkoje në shtëpinë e tij, jo vetëm të priste me krahët-hapur, por nuk të linte pa vizituar ” muzeun” e tij të druve. Aty prapa shtëpisë (oborri qe i pastër se të tillë e mbante dhe vetë, dhe e shoqja aq e mirë), të ftonte për një “vizitë” pak extra. Ja, shiko,- të thoshte,- këtë kapicën këtu e kam nga bloku 8, këtë tjetrën e kam që nga “Guri i gomares” kur qemë për zbor. Kapica këtu është marrë në Seman. Dhe vazhdonte e vazhdonte. Çdo vizitor (unë kam qenë një i tillë, se Rrahmëni e ka ngjitur shtëpinë me shkollën) nuk rri dot pa vënë buzën në gaz me këtë “muzeum” drush e shkurresh të ngritur aty pas shtëpisë së RRahmënit. Mbi çdo kapicë ka ndonjë etiketë. Emërtoje si të duash: daç muzeum drush me disa pavijone. daç dhe “farmaci” me disa “sirtarë” në miniaturë. Kurrë “muzeumi” nukmbetë bosh. Mbarohet njëri “pavijon” dhe Rrahmnëni e zëvendëson me tjetër. Aty shënohet një etiketë e re. Kur e pyet për këtë “huq” ( pa dyshim, një huq i mirë), të thotë:- Aha, vetëm ujku ha qesim. Ropi ndaj i ka mendtë. Duhet të ecë me llogari. Se të vijë si të dojë dimri, Rrahmëni ia ke gjetur “ilaçin”: me ca dru lisi prerë tek pylli i Vajkanit dhe dimri më bëhet kurban. Shkarpat për behar. Druri është si zahreja: teste-teste! Si do zot, trahanaja. Lezettin e ka në dimër, se nuk hahet në gusht, de! Rrahmëni… sa njeri punëtor! Një ditë vjeshte me vetëtima e gjëmima, tek shkonte në punë, këptutet një degë e trashë plepi dhe i bie mbi trup. I dëmtoi shtyllën kurrizore dhe u kthye në invalid. Katandisi mbi ato karrocat e invalidit. Nuk ka më “muzeum” drush në shtpinë e tij dhe pleqtë e plakat që merren me nomatisje e “tertipe” të moçme, tek i qajnë hallin për fatkeqësinë që e gjeti, shtojnë: tek drutë e kishte shtirë Zoti dhe nga druri e gjeti. I shkreti! RRahmëni tani nuk e ka “muzeumin”, por ajo karroca e invalidit shkëlqen tek e sheh që del, qoftë dhe rrallë nga shtëpia. I hanë duartë për punë dhe laj-thaj e pastron atë karrocën që dhe rrotat i mban dritë.

* * *
Një plak hollak, i gjatë si hosten çapitet rrugës. Dëgjohet një uturimë makine dhe, nga karroceria, pasagjerët: kooperativistë që po shkojnë në qytet, i bërtasin plakut:
-Hajde, xha Ristan, se do shkojmë në qytet!
– Ju paça, çuna,- përgjigjet plaku hokatar,- po nuk më pret puna. E kam me ngut!!!
“Çunat” brohorasin nga të qeshurit. Ia dinë huqin. Xha Ristani nuk hipën kurrë mbi makinë. Ka hipur njëherë në jetë të tij dhe u përcoll së gjalli: – Më zuri “xhindi”!.- tregonte. Më nuk vë këmbë. Dhe nuk vuri tërë jetës së tij. Sado që qytetin e kish larg, por në këmbë e niste dhe e bitiste. As mos ma merrni me rezerva: dhe në Tiranë e soste në këmbë. Bukën me vetez,- tregonte,- dhe han më han, për tri ditë e soste. Qe njeri që kishe qejf ta dëgjoje kur merrte fjalën. Gënjeshtër nuk njihte. – Më gavnjeve njëherë, me mua nuk i ndreq më urat. Nuk është se të vura “tomatikun” tek koka dhe më gavnjeve. Po ashtu badjava hesapi, pepja nuk e ha më atë “pshesh”. Në do nder dhe erz, mos gavnje. Pa të më kesh shkuarje dhe me botën (shoqërinë),se në këtë jallane ropi duhet ta ketë mirë dhe me qerrexhinë, po dhe me arixhinë. E thoshte këtë me “arixhinë” se një lagje në fshat qe me arixhinj. Xha Ristani shquhej për miqësi me arixhinjtë. -Janë bujarë,- thoshte,- dhe, në i bëre miq, nuk të lënë në baltë kurrë. Ja t’u tregoj pepja se sa më të mirë nga ne që nuk i sajdisim, janë.
– Më erdhi Elmazi, që thoni, dhe më tha:- Xha Ristan më duhen nja 500 lekë hua,se iu dogj shtëpia Dalanit. Ia dhashë. Por nuk m’u ndënj pa i thënë:- Ore Elmaz, por ti më duket sikur nuk i ke mirë “urat” me atë, Dalanin? Aha,- ma priti,- në fatkeqësi ne,arixhinjtë, nuk e lëmë në baltë njëri-tjetrin. U skuqa, or çuna, nga llafi tij. Ma kish llafin me bereqet. Kështu që t’i vëmë kokë muhabetit: ta kesh mirë si me qerrexhinë(është fjala për njeriun ethjeshtë), ashtu dhe me arixhinë (nënkupto:fukaranë). Dhe, pa pritur, një ditë prej ditësh, xha Ristani pësoi ifrakt. U palos diku buzë rrugës. Aty, pa frymë,e gjeti një bashkëfshatar që qe arixhi. Ou,- bëri arixhiu,- xha Ristani i mirë. E mori në krah, e hodhi mbi qerre dhe e çoi në shtëpi.
Tek e përcillnin në banesën e fundit, thoshin:- Paske qenë “ilaç”, o xha Ristan! Siç thoshe dhe të ndodhi.

* * *
Pas dyzet vjetësh punë si marangoz, Alushi, doli në pesnion. E kishte filuar punën që i ri. U nda me kolektivin dhe, kur mori pensionin e parë, ndodhi dhe çudia. Tërhoqi paratë si gjithë të tjerët, po para se t’i fuste në protofol, zuri po u merrte erë?! Ore,- i tha dikusn nga bashkëshokët,- pse u merr erë parave? Aha,- shpjegoi Alushi,- u marrë erë , se dua të provoj se çfarë “ere” kanë?
– Hë,- i thanë,- e gjete se çfarë “ere” kanë?
-E gjeta. Kanë erë dheu. Na bëjnë thirrje për andej ” për matan”,se ndryshe qe ajo “paraja” më parë: qe era djersë. Djersë pune. Dëgjuesit për rreth nuk kishin si mos çuditeshin me këtë “erën” që ndjente Alushi, ai marangozi i vjetër që, porsa doli në pension. Pakëz për të qeshur qe. Me domosdo. Çudia qe, që marangozi Alush nuk erdhi më për pension. Era e”dheut” kish fryrë dhe e mori me vete. Ç’përkime të çuditëshme! Ndodhin, pa i tregojmë.

Filed Under: ESSE Tagged With: Përkime të çuditëshme, perparim Hysi

ATDHETARË SHQIPTARË QË LUFTUEN PER UNITETIN KOMBTAR

October 31, 2014 by dgreca

Nga Fritz RADOVANI/*
Nëse dishroni me pa një popull pa t’ ardhme, “shkatrroni shkollat”(F.R.)/
●Prof. Namik Ressuli, nga Berati, shkruen në librin “Shkrimtarët Shqiptarë” volumi I, viti 1941, tek Kaptina II, me titull “Shkrimtarë të vjetër të Veriut”, këto fjalë: “Prodhimin letrar shqiptar, që nga shekulli XV e gjer në ditët t’ona, për lehtësi studimi e veçanërisht për arësye historike, e kemi ndarë në dy grumbuj të mëdhenjë: a) Prodhim letrar shqiptar përpara Lidhjes së Prizrenit dhe b) Prodhim …pas Lidhjes së Prizrenit…
Pa dyshim ky prodhim Verior është më i rëndësishmi i prodhimit të pjesës së parë të letratyrës shqipe, si nga pikëpamja e sasisë dhe gjërësisë si dhe nga pikëpamja e lëndës dhe mbrëndisë. Këta shkrimtarë të vjetër të Veriut nuk janë vetëm të parët që filluan një farë lëvizje kulturore në vëndin t’onë, nuk janë vetëm të parët që i dhanë shqipës një alfabet – alfabetin latin – po janë edhe të parët që mendojnë e punojnë për Atdhenë e gjuhën e tyre, për Shqipen e Shqipërinë. Madje nga kjo pikëpamje kombtare ky prodhim munt të lidhej drejtë për drejtë me atë që erdhi pas Lidhjes së Prizrenit, po t’ishte ma e madhe vlera estetike e qellimi i përbashkësisë shqipëtare. (fq. 10, 12.)
…Po shkrimtarët e vjetër të Jugut në veprat shqipe që na kanë lënë nuk dëftëjnë as doktrinën, as vlerën dhe as ato pakë ndjenja atdhetare që dallojnë vëllezërit e tyre gegë. Ata janë vërtetë, të parët toskë që shkruajnë gjuhën t’onë, po nuk e përdorin këtë si qëllim në vetvete, po si mjet, me anë të së cilës donin të përhapnin njohunit e fes orthodokse.” (fq. 70.)
●Mustafa Kruja: “Gjuha letrare nuk trajtohet me ligjë e me dekret, por me nji punim racjonal, të vazhdueshëm, të bashkrenduem e të harmonizuem të njerëzvet kompetenta. …Se gegnishtja asht e folun prej dy të tretash dhe tosknishtja vetëm prej nji të trete të popullit shqiptar. Thom të popullit shqiptar e jo të Shqipnis.” (1942)
●Hafiz Ibrahim Balliu në vitin 1946, afër të 80-tave, dënohët mbasi deklaron në hetuesinë e Tiranës: “… Kam dëgjuar ndër stacionet e Amerikës dhe të Londrës lajmet anglisht, mbasi dëshroja që ata të zbarkonin në Shqipëri … Né nuk kemi asnjë lidhje me Lindjën as të afërme dhe as të largët. Nga turqit né kemi marrë vetëm besimin. Për tjera nuk ka çka na duhët Anadolli… Shqipëria është shtet që i përket vetëm Europës. Me Europën na lidhë pozita gjeografike, mardhenjet shtetrore, ato kulturore e të gjitha tjerat që vijnë pas, për një jetë më të mirë dhe të begatëshme të popullit tonë …” (Dosja I. Balliu)
●Prof. Idriz Ajeti shkruen: “Shqiptarët mund të krenohën që ndër popujt e Ballkanit ishin ata që të parët përqafuan fenë e krishterë.”

●Dr. Avokat Muzafer Pipa…Kur po e torturonin kriminelët Zoi Themeli e Vaskë Koleci e pyetën: Pse e more për ta mbrojtur priftin reaksionar At Gjon Shllaku…?
– Avokati i Nderuem Muzafer Pipa u përgjegjë: “E kam pasë Profesor dhe e dijshe mirë se asht i pafajshem, prandej e mora!”… Me hekur të skuqun e mbytën Avokatin Hero!..
●Drita Sokoli, studente në gjimnazin e shtetit në Shkoder, në vitin 1946 kur po zhvillohej gjyqi i grupit “Bashkimi Shqiptar”, dhe disa agjentë sigurimi dilnin e pështynin klerikët e lidhun me pranga tek Kafja e Madhe, Drita ua përplasë përballë Çiril Pistolit me shokë:
“Turp për ju, se as në mesjetë nuk janë pështy të burgosunit rrugëve si tashti…”
● Prof. Arshi Pipa ka thanë kur At Mëshkalla asht ridënue në 1967: “Po, 25 vjet burg në burgjet staliniste peshojnë ndoshta ma randë në kandarin e martirizimit se pushkatimi”.
●Një i burgosun në qeli e pyet Hafiz Dërgutin, se cila, asht arësyeja që e torturonin aq shumë, Ai u përgjegjë: “Më kërkojnë dëshmi për priftën, kërkojnë me na përça e nesër me thanë, se u pushkatuen priftnit me dëshmitë e rrême të hoxhallarëve. I kam thanë, bani shka të dueni se këtë punë nuk e baj kurrë pasha Allahun!”(1947)
●E nderuemja zj. Drita Kosturi më tregonte, si e kishin lidhë në një shtyllë druni At Frano Kirin në oborrin e Burgut të Fretënve në 1947, e kishin nxjerrë në pishën e diellit në piskun e vapës në verë dhe të veshun trashë. Kur i kërkonte ujë ose me krye nevojat përsonale, e lironin shtyllën e mbajtun me litar dhe i shkreti At Frano, përplasej me fëtyrë përtokë, gjakosej, shpesh humbiste ndjenjat, e lagnin me ujë dhe e ngjitnin prap shtyllën nalt… Disa ditë e kishte pa Ajo vetë me sytë e saj derisa ishte ba që nuk njihëj ma cili ishte…Një tmerr të vertetë tregonte për At Palë Dodaj, kur e sillnin pa ndjenja.
●Prof. Adem Bazhdari, tregonte: “Nuk e harroj kurrë Imzot Gjinin të varun në një pemë, po e torturonin. Erdhi Zoi Thëmeli dhe Pjerin Kçira, monsinjori u lypi pak ujë. Pjerini mori një tas dhe ia mbushi me urinën e vet aty mbas një peme dhe ia dha t’a pijë Monsinjorit, që kishte mashumë se dy ditë pa pi ujë. E zgjidhën, Ai ra për tokë, nuk ecte, e sollën me dy policë në dhomë dhe mbas pak minutash erdhën e na morën të dyve, sa mërrijtëm në krye të shkallës së gurit ndër fretën, Pjerini holli poshtë At Matinë… mendueme se e mbytën por jo, ishte gjallë i gjakosun fëtyrët, – E shihni? -Na pyeti Zoi, – kështu do ta pësoni dhe juve, mos flisni po deshët!.. Krahët, kambët dhe shpinën i kishte me plagë të qelbëzueme Monsinjori, ia mjekonin vetëm me krypë e ja lynin me pezhgëve të nxehtë, stjetullat i kishte gjithmonë të hapuna tue kullue qelb nga vezët e zieme dhe të ngrohta që i vinin gjithnjë derisa, e pushkatuen mbas një viti vuejtje në hetuesi”…(1947)
●Ingjenjer Fahri Rusi ishte 28 vjeç djalë kur e çojnë me e pushkatue në Zallin e Kirit. Kur hypin mbi dheun e gropës ku do ti vrisnin, At Mati Prennushi i thotë Fahriut: “Fahri, je më i riu, qëndro si burrat dhe mos i turpëro të Parët e familjës sate!” – Fahriu i përgjigjet: “Nuk besoj se kush nga fisi im ka pasë këtë fat, me dhenë jetën mjedis dy shejtënve, për çfarë me u tremb?” (Dëshmi e Dr. Papavramit, mjek ligjor. 11 Mars 1948)

●Dr. Farmacist Elez Troshani thonte: “Lum ata që kanë qenë në një dhomë me Monsinjor Gjinin dhe At Mati Prennushin ndër ata dy muej para se me u ekzekutue se, asnjeni, nuk e kuptonte ku po i çojnë, a po i çonin në piknik, apo me u pushkatue. Biseda dhe humori i tyne të largonte frikën e vdekjes…mënyra sesi shpjegonin vdekjen Ata, e bante të riun dhe plakun mos me u tutë nga plumbi.” (1948).
●Një ndër të nderuemit e familjes Meta, Ragip Meta më tregonte, sesi një ditë Shyqyri Qoku dhe Alush Bakalli, zagar të rijë aso kohe, kishin hypë mbi dy klerikë në oborrin e burgut. Në dorë kishin nga një kamxhik dhe u binin dy priftënve, tue vrritë: “Kush mërrinë i pari tek muri sot nuk rrahët, hajt, ecë, kush po del i pari?” Asnjeni nga priftnit nuk ecte, asnjeni nuk donte me lanë mbrapa shokun me u rrah. Asnjeni pothuej nuk njihej në fëtyrë. Priftënt ishin ba me mjekrra deri në bel, ndërsa hoxhallarëve ua kishin pré mjekrrat. Asnjena palë nuk dëshmonte për palën tjetër, një mirëkuptim i veçantë!
●“Dhimbje”, një liber me vuejtje e dhimbje nga zj. Fatbardha Saraçi…Bij e Mulletëve të Tiranës, po koha e solli me provue Dhimbjet e zemrës së Shkodrës së masakrueme… Shkodranët e njohin me emnin Bardha… Se vertetë, ashtu ka zemren e vet… Në librin e Saj do të gjeni gjyshat e stërgjyshat tanë, plakat e kalbuna ndër kampe interrnimi, bijtë e bijat e groposuna nder këneta, Nanën, motrën, vllaun e pse jo, klerikun dhe hoxhën e nderuem, që n’ errësinën komuniste kryente shërbimet fetare… Kjo më shtyni me veçue në liber një frazë: “Kombi ynë, kombi Shqiptar, është një popull me vlera të mëdha shpirtërore derisa nga toka e Tij, lindi një Bijë e madhe, Shenjtorja e njerëzimit…”
●Prof. Sadedin Hoti… Asht kenë një Mësues me pikëpamje europiane, i kulturuem dhe shumë modern në Shpirtë, ashtu si kishte paraqitjën e jashtme të Tij. Jemi transfërue me 9 gusht 1962, e tue zbritë së bashkut nga shkallët e Komitetit më tha: “Kujtojnë se tue na trasferue na demoralizojnë, po këta kanë harrue se unë jam ba mësues se nuk më kanë dhanë punë tjetër e jo, se kam pasë dëshirë me edukue fëmijët me frymën e tyne. Sot kjo punë asht vetëm për shegërtat e pazarit dhe jo për né. Ata që vodhën xhepat e tregëtarëve deri dje… per me “ndihmue” partizanët injorantë, sot janë drejtorët tanë. Nuk asht aspak çudi që këta drejtorë, ndonjë ditë,… me ardhë në shkollë me nalla!”
●Hafiz Ali Tari: “Një amanet po Ju la ju djelmëve të mij: Edhe mbas vdekjes s’eme, me ndihmen e të Madhit Zot, Pader Mëshkallës, përsa të vazhdojnë me kenë i burgosun, keni me i çue prap nga 1000 lekë(të vjetra) në muej, me njeriun që ia kam dergue vetë…”
●Më tregonte z. Xhemal Alimehmeti, bashkvuejtës i At Pjetër Mëshkallës në Burrel: “Drejtori i burgut të Burrelit, njëfarë krimineli i regjun Njazi Tunxhi, po u fliste të burgosunve për disa rregulla në lidhje me rininë… P. Mëshkalla nga rreshti i kërkon me hapë shkolla në burg për të rijtë, por drejtori e ndërpret: -Të qanë zemra ty për rininë, ké për ta parë sonte shkollën atje poshtë në birucë! P. Mëshkalla qeshet. Ai nervozohët dhe i thotë: – Ç’e ké atë buzëqeshje, or jezuit i poshtër?….P. Mëshkalla i thotë: – Unë po qeshi me ty! Endè nuk e keni kuptue, se unë do të ishe i lumtun me vdekë i kryqëzuem si Zoti em, Jezu Krishti! Endè nuk e keni kuptue? E çka ké me më ba ti ma shumë se aqsa i kanë ba shokët tuej Krishtit?… Kështu qëndronte P. Mëshkalla para bishave të tërbueme me dhambët e tyne shkyes e të gjakosun të Sigurimit komunist!” (Dëshmi 1995)

●Prof. Sami Repishti shkruen: ”Shqiptarët katolikë janë përpjekë për shekuj me radhë të sjellin në Shqipni frymën civilizuese të Evropës, mendjet e ndrituna të kontinentit, arritjet e pakrahasueshme në fushën e mendimit njerëzor, të krijimtarisë letrare artistike, të shkencës dhe të teknologjisë dhe të organizimit politik të shtetit modern, që siguron zhvillimin e përparimin e njeriut të lirë.” (Përshëndetje në përurimin e Kishës Shqiptare në Harstdale, New York, më 25 prill 1999).
●Historiani Agim Musta, bashkvuejtës i Padër Mëshkallës, shkruen: “Padër Mëshkalla ishte kthyer në një mësues shpirtëror i të gjithë bashvuajtësve të çdo Feje. Atë e respektonin të rinjtë, pleqtë dhe e adhuronin të gjithë për forcën e Tij shpirtërore”.
●Edhe bashkvuejtësi z. Leka Toto, shkruen: “Ai të tëra gjërat që kishte, i ndante me të burgosurit e varfër, pa bërë asnjë dallim. Ai i ndante ato, siç do t’i ndante vetë Jezusi!”
●Nga z. Riza Kuçi, kujtojmë: “Në vitin 1972 ra një epidemi e rëndë gripi në kampin e Ballshit. Në një moment, tek shtrati ku lëngoja unë, u afrua P. Mëshkalla dhe më dha një gotë çajë të ngrohtë, të përgatitur nga Ai vetë. Mund të merret me mend se çfarë emocionesh shkaktoi në përsonin tim vëprimi njerëzor i Padër Mëshkallës…”.
●Kur At Mëshkalla po jepte Shpirtë në 1998 dhe nuk ngrihej nga shtrati, ishte pikrisht bashkvuejtësi i Tij Xhevat Meta, që i shërbente gjithë natën për të gjitha nevojët e Tij…
●Prof. Sami Rrepishti përcakton: “Krimet komuniste në Shqipëri, pasojat e të cilëve i vuejmë akoma sot, janë njohë nderkombëtarisht si “krime kundër njerëzimit.” Vetë Papa Gjon Pali II, gjatë vizitës së tij në vitin 1993, deklaroi se ajo që ka ngja në Shqipëri nuk ka ngja në asnji vend të Europës, dhe Europa duhët ta dij këte. Me çfarosjen fizike të klerit katolik shqiptar, krimi komunist ka ba edhe nji hap tjetër në zbritjen poshtë drejt ferrit: Gjenocidin! Teorikisht, ky Gjenocid asht planifikimi dhe ekzekutimi qellimisht në zhdukjen fizike të nji pakice të caktueme (këtu Kleri Katolik Shqiptar) vetem sepse kanë qenë kundërshtarë të vendosun të sistemit, jo thjeshtësisht si indidividë, por si nji grup shoqnor në vete, që kishte pranue vullnetarisht misionin e përhapjes dhe ruejtjes së fesë katolike në Shqipëri. Pak peshë çonte fakti që ky grup ka përba kolonën vërtebrore të organizimit të nji shoqnie të mobilizueme për qendresë në kryengritjen e Skenderbeut, krenaria e Historisë sonë kombëtare. Pak peshë çonte fakti se ka qenë pikërisht ky grup i veçantë që ka mbajtë të gjallë shqiptarizmin për mashumëse pesë shekuj robni otomane.
●Myfit Q. Bushati, 17 vjeç në 1946, u arrestue me Organizaten “Bashkimi Shqiptar”…
Ishte nxanës tek Jezuitët. Pyet: “Po cili ishte ky profesor? – Ky qé At Daniel Dajani, që ma vonë do të lagte tokën Arbënore me gjakun e Tij, për t’u ba flij për Atdheun… kishte kalue sa kohë, më njohu menjëherë dhe m’u drejtue me dashamirësi: “Myfit, a ké qenë nxanësi im?” E unë iu përgjegja: “Po, At, ashtu asht, por fati i zi na solli në duert e këtyne bishave.” – “Mos u merzit, djalë i dashtun, ti vërtetë jé shumë i rij, por duhet të kesh kurajo, se për një qellim të mirë jé këtu e Zoti i madh do të dijë si t’ ju shpërblejë të gjithëve për rininë që po sakrifikoni!”…At Gjon Shllaku holli poshtë akuzat pa bazë se ishte bashkëpuntor me At Dajanin e At Faustin, tue u shpreh tekstualisht: “Këto akuza nuk i pershtatën së vërtetës…por nga ana tjetër, pranoj me burrni se grupi i Tij nuk ka kenë nji grup që do të ngjallte dasina fetare, por përkundrazi, bashkimin e tyne në luftën kundër komunizmit, gja që e verteton se në këte grup bante pjesë edhe një antar i besimit musliman”. (E Ky ishte i nderuemi Myfit Q. Bushati, i cili mohoi kenjen në këte Organizatë të klerikëve që akuzoheshin në drejtim e që u pushkatuen pafaj. F.R.)
●Këte kujtesë për Këta Atdhetarë, do ta mbylli me veprën e paharrueshme të burgosunit politik nga Malësia e Reçit Caf Jonuzi, i cili ishte një nxanës i Don Luigj Picit, prift në Reç në vitin 1946, kur agjentët e sigurimit komunist Asllan Lici e Pal Mëlyshi, e vrane tradhëtisht… Cafi dinte vendin ku e varrosën Mësuesin e Tij Don Luigjin. Kur ishte tue vuejtë dënimin i çoi fjalë At Konrrad Gjolaj për vendin ku ndodhet trupi i Don Luigjit… Cafi bani 23 vjetë burg… Ishte bash Ai Burrë, Ky Caf Jonuzi, që mbas vitit 1991 jo vetem, tregoi vendin ku ndodhet trupi i Don Luigj Picit, po edhe organizoi ceremoninë mortore të Rivarrosjes së Tij ndër varrezat e Rrëmajit, ku mbajti edhe fjalën e rastit para arkës me Eshtnat e Mësuesit të vet të mbulueme me Flamurin e Shqipnisë!..
●Ndryshimi i rrugës së gabueme për edukimin Atdhetar e kulturor të Rinisë sonë asht urgjent dhe i domosdoshëm. Ky ndryshim duhet fillue nga programet dhe tekstet që janë në përdorim, ku vendin kryesor duhet ta zanë e Verteta Historike shkencore Kombtare.
Sigurisht këta ndryshime rrajsore duhet të përfshijnë edhe diasporën, që vazhdon me mësue edhe sot me programe të gjymtueme dhe të përgatituna me kahun krahinor.
Vetëm atëherë, Shqipnia do të sigurojë një Unitet Kombtar, bazë e një Pajtimi Kombtar, per një t’ ardhme të shëndoshtë të Rinisë sonë ma të Përparueme dhe Europjane!
(Ne Foto: Historiani i së vërtetës z. Agim MUSTA..)
Melbourne, Tetor 2014.( Eshte Pjesa IV ne vijim te ciklit te shkrimeve te autorit: Në 70 vjetorin e permbytjes së Shqipnisë…

Filed Under: Histori Tagged With: atdhetare shqiptar, Fritz radovani, per unitet kombetar, qe luftuan

  • « Previous Page
  • 1
  • 2
  • 3
  • 4
  • 5
  • 6
  • …
  • 54
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Kontributi shumëdimensional i Klerit Katolik dhe i Elitave Shqiptare në Pavarësinë e Shqipërisë 
  • Takimi i përvitshëm i Malësorëve të New Yorkut – Mbrëmje fondmbledhëse për Shoqatën “Malësia e Madhe”
  • Edi Rama, Belinda Balluku, SPAK, kur drejtësia troket, pushteti zbulohet!
  • “Strategjia Trump, ShBA më e fortë, Interesat Amerikane mbi gjithçka”
  • Pse leku shqiptar duket i fortë ndërsa ekonomia ndihet e dobët
  • IMAM ISA HOXHA (1918–2001), NJË JETË NË SHËRBIM TË FESË, DIJES, KULTURËS DHE ÇËSHTJES KOMBËTARE SHQIPTARE
  • UGSH ndan çmimet vjetore për gazetarët shqiptarë dhe për fituesit e konkursit “Vangjush Gambeta”
  • Fjala përshëndetëse e kryetarit të Federatës Vatra Dr. Elmi Berisha për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë në Seancën Akademike kushtuar 100 vjetorit të lindjes së Peter Priftit
  • Shqipëria u bë pjesë e Lidhjes së Kombeve (17 dhjetor 1920)
  • NJЁ SURPRIZЁ XHENTЁLMENЁSH E GJON MILIT   
  • Format jo standarde të pullave në Filatelinë Shqiptare
  • Avokati i kujt?
  • MËSIMI I GJUHËS SHQIPE SI MJET PËR FORMIMIN E VETEDIJES KOMBËTARE TE SHQIPTARËT  
  • MES KULTURES DHE HIJEVE TE ANTIKULTURES
  • Historia dhe braktisja e Kullës së Elez Murrës – Një apel për të shpëtuar trashëgiminë historike

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT