Në Brazil, në qëndrat e mëdha tregtare, të qyteteve më të mëdha në Brazil – përfshirë Rio del Janiero të rritet krenaria jonë kombëtare, dyqanet e kompanisë Cavalera – ndriçonin me shqiponjën tonë dykrenore, jo vetëm në sendet e ndryshme por edhe të skalitur në dru arre dhe bambuje në hyrje të dyqanit.
Nga BEQIR SINA, New York/
BRAZIL : Kupa e Botës Brazil 2014 solli shumë supriza të këndëshme për ne shqiptarët.Ndërsa, po mbaheshin ndeshjet e Botërorit 2014, në Brazil, edhe pse mungonte kombëtarja kuq e zi e Shqipërisë, nuk po mungonin ndjenja e krenarisë shqiptare, mbasi ky botërorë kishte shqiptarë, aty është flamuri kuq e zi flamuri i Dardanisë apo ndonjë nga simbolet tona kombëtare, ishin qindra shqiptarë që kishin udhëtuar me mijëra kilometra për të dalë në anënën tjetër të oqeanit për të shikuar këtë kupë bote fantastike.
Mirëpo praninë tonë kombëtare në këtë botror jo vetëm e shijuam me pjesëmarrjen e 7 futbollistëve, cilësorë shqiptarë në tri kombëtare të huaja…,(Zvicëra : Xherdan Shaqiri, Valon Behrami, Admir Mehmedi, Blerim Xhemaili dhe Granit Xhaka – Gjermania Shkodran Mustafi dhe Belgjika: Adnan Januzaj ), golave të tyre të mrekullueshem – por edhe nga prania sado e vogël e tifozëve shqiptarë, që kishin fluturuar me mijëra mile, për në Brazil….
Një shqiptaro amerikan Gazmend Kërkuti, emigrantë nga Dibra e Madhe dhe që jeton në Staten Island Nju Jork, së bashku me vëllanë e tij Afrimin- i takojn grupit më të “vogël” të tifozëve shqiptarë, në Kupën e Botës Brazil 2014, të cilët sjellin ende kujtime mjaft të bukura nga ky botëror .
Kujtime të cilat, ata i kan shpërndar për t’i ndarë së bashku me ne nëpërmjet fotografive të tyre në rrjetin social facebook me shënimin :”Nëse Kombëtarja jonë(Shqipëria) nuk arrin të shkoi në Brazil… të paktën simbolet tona kombëtare atje i gjetët – shqptarët, atje do ti gjenit – “.
Ata thonë se kishin mësuar nëpërmjet shtypit shqiptarë se shqiponja dykrenore e flamurit tonë kombëtar është simbol firmës së njohur të veshjeve në Brazil – “Cavalera”.
Gazemendi i tha gazetës tonë se ” kur ishim në Brazil në qëndrat e mëdha tregtare, të qyteteve më të mëdha në Brazil – përfshirë Rio del Janiero na u rritë krenaria jonë kombëtare, teksa pam dyqanet e kompanisë Cavalera – ndriçonin me shqiponjën tonë dykrenore, jo vetëm në sendet e ndryshme por edhe të skalitur në dru arre dhe bambuje në hyrje të dyqanit”.
Ata thonë se u interesuam pranë kompanisë Cavalera të cilën patëm rastin t’a vizitojmë, dhe mësuam se ” qysh në vitin 1995 një disanjer i kësaj kompanie, ka parë flamurin kuq e zi me shqiponjën me dy krena, në një ekspozitë clip art, dhe na ka tërhequr mjaft shumë…Provuam të disenjojm në sendet e ndryshme që ne tregtojmë(suveniret) tha njëri prej tyre, dhe vrejtëm se jo vetëm brasilianët por edhe turistë e huaj e pëlqyen aq shumë sa e kemi bërë tani, logon kryesore të kompanisë “Cavalera”.
Dhe, nëse hapni faqen e internetit të kësaj kompanie, ju do të shihni shqiponjën që është emblema bazë e tyre. Po ashtu, në të gjitha veshjet e kësaj firme, seksorët dhe suvenire të tjera dallohet simboli i shqiponjës, identike me atë të flamurit shqiptar. Veshjet e dizajnuara nga kjo firmë, janë për t’u veshur çdo ditë dhe vishen kryesisht nga moshat e reja.
Archives for October 2014
Kronike tragjike- Shqiptari në Florida vret gruan dhe më pas veten
NORTH PORT, FLORIDA: Policia po heton një incident që ka përfunduar me të shtënat me armë zjarri në një shtëpi në North Port – Florida që la dy të vdekur në atë që ata janë duke e quajtur një “shqetësim” në familje.
Incidenti ka ndodhur rreth orës 09:00 të mërkurën në mëngjes në bllokun e e pallateve 2400 – Florida Terrace.
Sipas Departamentit të Policisë së North Port -, një telefonatë në numërin e emergjemces 911 erdhi e në zyrën e raportimeve të policisë e cila raportonte për një shqetësim në familje në atë adresë. Kur befi policia në shtëpinë ku bëhej fjalë për një incident policët ka zbuluar një femër 43 vjeçare të vdekur dhe një mashkull 53 vjeçar.
Policia ka konfirmuar se të shtëna janë qëlluar nga brenda në shtëpi, dhe besojnë se incidenti ishte një vrasje me dashje dhe një vetëvrasje. Ndërsa sqaruan se policia po bën një hetim i i cili nuk është plotë mbasi është ende në proces.
Policia e qytetit iu përgjigjën thirrjes për”shqetësim” të brendshëm në 09:06.Gjatë rrugës për në vendin e ngjarjes, ndihmës shefi i policisë Tony Sirianni tha, se oficerët ishin të informuar për të shtëna me armë zjarri.
Fqinjët thanë se panë zyrtarë të policisë duke hequr nga shtëpia, dy trupa por policia nuk do të konfirmojë lëndime apo vdekje.
Policia po kryen intervista në mesin e fqinjëve të thirrur si dëshmitarë në rajonin e policisë NPPD. Ata thanë se deri tani nuk ka asnjë arrestim mbasi procesi i hetimeve vazhdon.
Gazetat lokale North Port Sun shkruan se me sa duket, xhelozia ka qenë arsyeja që 53 vjeçari shqiptar ka vrarë ish bashkëshorten dhe më pas ka vendosur t’i japë fund edhe jetës së tij.
Sipas të dhënave të para, çifti ishte ndarë prej kohësh dhe jetonin në ambiente jo të përbashkëta. Dyshohet se shqiptari nuk e ka pranuar dot kurrë ndarjen mes tyre dhe pasi ka debatuar me 43 vjeçaren në banesën e saj rreth orës 9 të mëngjesit të ditës së mërkurë, e ka vrarë dhe më pas ka drejtuar armën nga vetja.
Hetuesit thonë se viktima dhe i dyshuari janë të njohura për ta, dhe kjo nuk duket të jetë një akt i rastësishëm.
Zyra e Pronës Sarasota County tregonë se shtëpi është pronë e Heidi DeCarlo, 43 vjeçe, dhe Bush Bena 53 vjeç. Sipas faqes së tyre në rrjetin social Facebook, DeCarolo dhe Bena janë të dy nga Masaçusets, dhe Bena është me origjinë nga Shqipëria. /Beqir SINA/
ENVER HOXHA URDHËROI TORTURIMIN DHE PUSHKATIMIN E LLAZAR FUNDOS
Me rastin e 70-vjetorit të vrasjes/
Nga Uran Butka*/
Llazar Fundo ishte një përfaqësues tragjik i atyre intelektualëve të majtë shqiptarë, që e përqafuan komunizmin si një ideal shpëtimtar për njerëzimin, por që u zhgënjyen plotësisht nga praktika kriminale e komunizmit në Rusi, vende të tjera e në Shqipëri dhe u bë një nga kundërshtarët më të mëdhenj të atij sistemi çnjerëzor e antidemokratik, madje edhe një nga viktimat e tij.
Llazar Fundo ishte një nga antifashistët dhe një nga luftëtarët e parë të luftës kundër pushtuesve nazifashistë, por që u asgjësua nga Enver Hoxha, sepse luftonte kundër fashistëve italianë dhe nazistëve gjermanë si antifashist, patriot dhe demokrat, por jo si pjesë e PKSH dhe e Frontit NÇ.
Kishte kryer shkollën e mesme në Liceun francez të Selanikut dhe studimet e larta për jurisprudencë në Paris, njeri me kulturë të gjerë perëndimore dhe mik i personaliteteve të shquara të kohës: E.Heminguejt, A. Barbys, R.Rolan, L.Pirandelo, S.Pertini, A.Anshtajn, Gj.Dimitrov, F.S.Noli, L.Gurakuqi. A.Rustemi etj.
Luajti një rol të rëndësishëm në lëvizjen demokratike të viteve ’30-40 në Shqipëri e më gjerë. Pas vrasjes së Avni Rustemit u zgjodh kryetar i shoqërisë “Bashkimi” dhe ndihmësoi në kryengritjen e Qershorit 1924. Më pas mërgoi në Europë dhe bëri pjesë në krahun revolucionar të emigracionit politik shqiptar atje. Shkroi artikuj te gazeta “Çlirimi Nacional” dhe në shtypin europian. Shkoi në BS për të studiuar dhe njohur nga afër përvojën sovjetike të propaganduar me aq bujë, madje u bë pjesë e Kominternit, por atje gjeti në fuqi tiraninë staliniste, krimin shtetëror, shtypjen dhe mashtrimin më të madh, të cilat e denoncoi me kurajo. Nga Moska i shkruante Nolit: “Komunizmi që ne e idealizonim si krishti, ia kaloka edhe Satanait për nga ligësitë”.
Kominterni e dënoi me vdekje “renegatin Fundo” dhe ai mezi mundi të shpëtonte kokën duke kaluar nëpër katakombet e nëndheshme të Moskës e të strehohej sa në një vend të Evropës në tjetrin.
“Ai u shpëtoi spastrimeve,- shkruante E.Hoxha. Pas kësaj ai rronte herë në Francë, herë në Zvicër e gjetkë, ku zhvillonte një luftë të tërbuar kundër komunizmit, kundër BS, kundër Stalinit” (E.Hoxha, “Kur lindi Partia”)
Në prag të pushtimit fashist të Shqipërisë, u kthye në atdhe dhe e kundërshtoi hapur këtë okupacion. “Në prag të pushtimit fashist, – shkruante E.Hoxha me mburrje, me cinizëm dhe zili,- në kulmin e demonstratës popullore, Zai Fundo u ngjit në shkallëte Bashkisë dhe mbajti një fjalim antifashist gjithë figura e gjeste ekzakte. Ne e njihnim figurën e vërtetë të renegatit, nuk i hëngrëm fjalët e tij, por sidoqoftë ato e bënë efektin” (E.Hoxha, “Kur lindi Partia”).
Abaz Ermenji, organizator i demonstartës së 28 nëntorit 1939 në Korçë, shkruante: “Ne ishim në rreshtin e parë në krye të demonstratës, të gjithë demokratë e nacionalistë, s’kish asnjë komunist në atë rresht. Italianët treguan gjakftohtësi, na morën në pyetje disave prej nesh që e dinin se kishim organizuar demonstartën: mua, Faslli Frashërin, Llazar Fundon, Stavri Skëndon, Selman Rizën, Loni Kriston”.
Për kundërshtimin e hapur që Fundo i bëri pushtimit, në vitin 1941 u burgos dhe u internua në Ventotene të Italisë bashkë me shumë antifashistë të tjerë, si Safet Butka, Abaz Ermenji, Selman Riza, Faslli Frashëri, Myzafer Pipa, Gani e Said Kryeziu, Hasan Reçi, Sadik Bekteshi etj.
Sandro Pertini e çmonte shumë Llazar Fundon, kur thoshte: “ Zai Fundo është një personalitet me vlerë jo vetëm për Shqipërinë, por edhe për Europën” ( Nga kujtimet e A.Krepashanit, ish i internuar politik në Ventotene).
Të burgosurit në Ventotene, duke përfshirë edhe intelektualët antifashistë shqiptarë, ndihmësuan jo vetëm në qëndresën antifashiste, por edhe në hartimin e një projekti politik për Europën e Bashkuar pas luftës, që u quajt “Manifesti i Ventotenes” dhe u bë baza e ndërtimit të mëvonshëm të Europës së Bashkuar. Pra këta janë edhe prekursorët e Europës sa Bashkuar, ku përpiqemi të integrohet Shqipëria sot. Por, as “Historia e Shqipërisë”, as ajo e Luftës Antifashiste, nuk i përmend këto kontribute të shquara të antifashistëve të parë shqiptarë.
Në Ventotene u krijua një komitet i rezistencës, ku bënte pjesë edhe Ll.Fundo, i përbërë prej antifashistëve të shquar: Alessandro Pertini, Altiero Spinelli, Francesco Fancello, Pietro Secchia, Mauro Scoccimarro, Lazar Fundo, Ante Babich, Antonio Francovich, të cilët kërkonin lirimin e menjëhershëm të të burgosurve politike “si pasojë automatike e nxjerrjes jashtë ligjit të regjimit fashist “. .( Paolo Spriano: “Storia del Partito Communista italiano”, Torino, 1978).
“Mes të internuarve ndodhet edhe një shqiptar, Lazar Fundo, që ka studiuar në Paris, në Sorbonë dhe ka bredhur Europën mbarë e prapë, ka qenë në Moskë. Pasi u shkëput nga Partia Komuniste, iu afrua asaj Socialiste. Bujar, i hapur, me shumë kulturë, me shpirt djaloshar: bëhet menjëherë mik i Pertinit. Takohen edhe një herë, për herë të fundit, në Romë, në gushtin e vitit 1943. Pertini i lutet që të rrijë, por Fundo do të kthehet në Shqipëri, që të luftojë bashkë me njerëzit e vet.” (shih: Sandro Pertini, “Sei condanne due evasioni”, Milano 1978).
Altiero Spineli, europianisti i shquar, i burgosur në Ventotene, shkruante:” Përbërja politike e kolonisë së Ventotenes ishte në fillim e ngjashme me atë të Ponza-s. Lajmi i parë qe ardhja e nja 50 shqiptarëve. Pjesa më e madhe e tyre qenë meshkuj në moshë të ndonjë fisi barinjsh malësorë… Kishte dhe nja dhjetë intelektualë që kishin studiuar në universitetet më të mira të Europës, flisnin tre-katër gjuhë përveç të tyreve dhe që ishin burgosur për tentativë të organizimit të rezistencës kombëtare. Këta krijuan marrëdhënie të mira me të burgourit italianë, politikisht preferenciale – kush me komunistët, kush me xhelistët (giellisti); njëri, Lazar Fundo, me mua. E ndiej për detyrë të flas këtu për Fundon …që kujtimi i tij të mos zhduket tërësisht. Ishte njeriu më me autoritet mes gjithë shqiptarëve, pasi kishte një përvojë të gjatë dhe të ndërlikuar politike…Kësaj i shtohej edhe zgjuarsia dhe njohja e jo pak gjuhëve; veprimtaria e tij politike shkonte përtej Shqipërisë dhe kur Dimitrovi ishte arrestuar pas djegies së Rajhshtagut, Fundo gjendej në Berlin si një prej bashkëpunëtorëve të tij. Pasi i shpëtoi arrestit, ishte kthyer në Moskë ku punonte te Internacionalja. Kur nisi epoka e spastrimeve të mëdha, ai – komunist besnik – por i edukuar në atmosferën kulturore të lirë të vendeve demokratike dhe intelektualisht tip kurioz, kishte frekuentuar jo pak prej kundërshtarëve të Stalinit. Iu nënshtrua hetimeve të stërgjatura e të lodhshme nga ana e një komisioni të Çistkës së Kominternit. Dëgjova prej tij, por me implikime edhe më dramatike, atë që më kishte thënë Nischio në Ponza. Fundo shihte sesi zhdukeshin në mënyrë misterioze ky ose ai shok dhe e kuptoi rrezikun ku ndodhej, duke mohuar me këmbëngulje gjithçka donin që ta bënin të pohonte, se kishte thënë këtë e atë për këtë person ose një tjetër. ‘Një pjesë e asaj që më vinin në gojë – më thoshte – ishte tërësisht e shpikur, por një pjesë ishte e vërtetë: këtë ose atë gjë e kisha thënë. Unë mohoja gjithçka, pasi e dija se s’kishin ndonjë gjë të saktë për mua dhe pa provën e provave, nuk mund të më procedonin. Presioni i njerëzve të Çistkës ishte i tillë sa- zbrazëtia rreth meje rritej e rritej – më shumë se një herë u tundova të pohoja gjithë atë që më kërkonin, pak rëndësi ka nëse ishte e vërtetë apo jo dhe ta mbyllja njëherë e mirë me torturën psikologjike së cilës i nënshtrohesha. Nuk u dorëzova vetëm sepse dy ose tre shokë ballkanas, që më kishin mbetur fshehurazi miq, më luteshin që të rezistoja. Nëse do kisha hequr dorë, nuk do më kishin lënë të qetë por do më përdornin për të shkatërruar të tjerë dhe të gjithë do binin më pas si zinxhir.’ (Altiero Spinelli për Fundon: “Come ho tentato di diventare saggio”, Bologna, 1984 etj. Nxjerrja dhe përkthimi i materialeve italisht nga E.Petriti).
Dhe sërish Spinelli kujton mikun e tij, Lazar Fundo, në faqen e dedikimit të një libri: “Për kujtim të Lazar Fundos, Eugenio Colornit, Ernesto Rossit”.
Është e kuptueshme pse Llazar Fundo, pasi u lirua prej Aleatëve nga internimi, erdhi bashkë me Gani e Said Kryezuin në Kosovë dhe u angazhua me lëvizjen “Kryeziu”. “Mendja e tij e ndritur, – shkruan britaniku P.Kemp, – ndershmëria dhe guximi i tij kishin bërë të fitonte besimin dhe admirimin e tyre (Kryezinjve – UB) duke u caktuar si kryekëshilltar politik në fushën e betejës. Njohja nga ana e tij e shtatë gjuhëve të huaja, e bënin atë jashtëzakonisht të dobishëm në këtë shërbim. “(P.Kemp “Pa flamur apo emblemë”).
Të gjitha dokumentat që ruhen në Arkivin e Shtetit Shqiptar, dëshmitë e bashkohësve, konstatimet e misionarëve britanikë (Emeri, Kemp, Simkoks, Hill, Hibbert etj), pohimet e letrat, radiogramet e vetë udhëheqësve komunistë (E.Hoxha, F.Hoxha, etj), bile edhe disa udhëheqësve të PKJ (Stoiniç, Dizdareviç etj); pra, gjithçka provon se Kryezinjtë, e bashkë me ta edhe Fundo, luftuan kundër pushtuesve gjermanë në Tropojë, Gjakovë etj..
Lëvizja “Kryeziu” është një nga lëvizjet e rëndësishme çlirimtare në Malësinë së Gjakovës dhe më gjerë. Në krye të saj ishin vëllezërit Hasan, Gani dhe Said Kryeziu, si edhe Llazar Fundo. Ata organizuan rezistencën antifashiste dhe më pas edhe kryengritjen e armatosur kundër pushtuesve nazifashistë. Rruga që zgjodhën Kryezinjtë, ishte ajo e luftës patriotike të shqiptarëve kundër okupatorëve, në bashkëpunim me të gjithë faktorët antifashistë, veçanërisht me aleatët perëndimorë. Prandaj ata u lidhën qysh në fillim dhe u rreshtuan përkrah tyre, kryesisht britanikëve, që mbulonin Ballkanin e Shqipërinë.
Kryezinjtë si luftëtarë nacionalistë, nuk pranuan të hynin në Frontin NÇ të Shqipërisë, sepse shikonin tek Fronti NÇ Partinë Komuniste Shqiptare, që realisht drejtohej nga emisarët e PK Jugosllave M.Popoviç, D.Mugosha,V.Tempo, V.Stoiniç etj.. Por nuk u inkuadruan as tek partitë e tjera. Kryezinjtë mendonin që nuk duhet ta bënin lëvizjen e tyre pjesë të partive apo të organizatave politike dhe , duke qëndruar si forcë e paangazhuar ndërmjet dy grupimeve kryesore të rezistencës shqiptare, por edhe duke luftuar në bashkëpunim me ta e faktorët e tjerë, do t’i shërbenin më mirë luftës për çlirim dhe çështjes kombëtare.
Edhe propozimit për të hyrë në Lëvizjen NÇ të Kosovës, Kryezinjtë iu përgjegjën negativisht, sepse Lëvizja NÇ e “Kosmetit” ishte pjesë e Lëvizjes NÇ të Jugosllavisë dhe varej nga KQ i PKJ, që mbante qëndrime paternaliste dhe kishte synime shoveniste e gllabëruese ndaj Kosovës , madje edhe ndaj Shqipërisë. Nga ana tjetër populli shqiptar i Kosovës, për shkak të robërisë 30 vjeçare serbe, politikave koloniale, genocidiste dhe shkombtarizuese serbomëdha, nuk mund të mbështeste asnjë lëvizje që vinte nga Serbia apo aleatët e saj , aq më pak komunizmin që mbartte lufta e tyre nacionalçlirimtare.
Llazar Fundo sqaron: “ Pas përpjekjes së Çerefit ( bile po atë ditë), Fadil Hoxha me shokë i bënë Ganiut propozimin të hyjë, jo në Çlirimtaren, por në Kosmet. Ganiu refuzoi duke thënë se hyrja e tij në Kosmet do t’ia humbte krejt influencën në popullin e Kosovës, gjë që nuk i jepte dorë Kosmetit..” (AQSH,F.14, d.86, v.1944)
Kështu, Lëvizja “Kryeziu” ruajti një fizionomi të vetën dhe një filozofi të vetën: një Kosovë e lirë mbi bazën e luftës antifashiste , pa flirte e bashkëpunim as me serbo-komunistët dhe as me okupatorët nazifashistë. Mirëpo kjo lëvizje çlirimtare, ngjalli kundërshtimin e komunistëve të Shqipërisë dhe të Jugosllavisë, që u përpoqën bashkërisht ta asgjësonin.
Pothuaj në çdo letër, radiogram, qarkore etj, që Titoja i dërgonte PKSH dhe E.Hoxhës, porosiste asgjesimin e Llazar Fundos, duke përcjellë jo vetëm vendmin e Kominternit, por edhe shqetësimin e tij për Lëvizjen “Kryeziu” e Zai Fundon, që përbënin një kërcënim pë interesat jugosllave në Kosovë e në Shqipëri.
Nga ana e tij, E.Hoxha, pothuaj në të gjithë letrat, qarkoret, radiogramet, që i dërgonte Divizionit të parë dhe Korporatës I, urdhëronte vrasjen e Zai Fundos.
Edhe udhëheqësit koministë të Kosmetit e dëshironi këtë dhe bashkëpunimin me E.Hoxhën për likuidimin e Zai Fundos e të Kryezinjve. “Suksesi i vëllezërve Kryeziu shihej me xhelozi nga partizanët kosovarë të udhëhequr Fadil Hoxha dhe Mehmet Hoxha”. – shkruan Hibbert te “ Fitorja e Hidhur”, f.311-312).
Në radiogramin dërguar Liri Gegës, datë 8.8.1994, E.Hoxha udhëzonte: “Pranë Kryeziut është Zai Fundo. Para një muaji ka biseduar Fadil Hoxha me shokët e Kosmetit. Ka dijeni edhe Dushani e Rade. I thashë fadilit ta vrasë pa marrë parasysh asnjë rrethanë”. (A.Q.SH,F.41,D.158). Udhëheqësi i PKSh dhe i Luftës Nacionalçlirimtare shqiptare i kërkonte Fadil Hoxhës që “ta vrasë Zai Fundon pa marrë parasysh asnjë rrethanë!” Vetëm një terrorist e kriminel mund të vepronte kështu. “Ka dijeni Dushani e Rade!”- thoshte E.Hoxha. A nuk flet qartë edhe kjo për koordinmin midis udhëheqjes së PKJ, udhëheqësve komunistë të Kosmetit dhe udhëheqësve të PKSH për vrasjen e shqiptarëve, dhe në mënyrë të veçantë të LL.Fundos?
Kur luftëtarët e Gani Kryeziut, ku bënte pjesë edhe Ll.Fundo dhe britaniku Simkoks, luftonin kundër gjermanëve për çlirimin e Gjakovës, shtator 1944, u sulmuan pabesisht nga të dy anët e kufirit: nga Ushtria NÇ e Shqipërisë, Brigada V S e komanduar nga Shefqet Peçi dhe Manush Myftiu dhe nga aradhet e Ushtrisë NÇ të Jugosllavisë, të komanduara nga Fadil Hoxha.
Asgjësimi i Lëvizjes “Kryeziu” ishte rezultante e marrëveshjes dhe bashkëpunimit ndërmjet udhëheqjes komuniste shqiptare dhe asaj jugosllave, e bashkëveprimit të ndërsjelltë të forcave nacionalçlirimtare shqiptaro-jugosllave. Këtë e provojnë të gjitha dokumentat arkivore, e pohon edhe vetë E. Hoxha: “Interesi i dy partive tona dhe i luftës sonë të përbashkët kërkon që këta armiq ( Kryezinjtë –shën im. UB) të dënohen ashpër Njerëz të tillë meritojnë plumbin ballit…Ushtria jonë nacionalçlirimtare i kapi këta banditë dhe i dënoi me vdekje” (E.Hoxha vepra I)
E. Hoxha i dërgoi më 21 .09. 1944 Korparmatës së Parë, në mënyrë shumë konspirative Liri Gegës, e plotfuqishme e KQ të PKSH ne Veri, përgjigjen e mëposhtme: “Mos kërkoni më nga Ganiu të dorëzohet, por me çdo kusht dhe me ashpërsi të sulmohet dhe të vritet. Duhet të veproni sa më parë, se mund t’i vijnë në ndihmë kosovarët” (AQSH, Fondi 41, D.158, v.1944)
E. Hoxha i konsideronte kosovarët kundërshtarë. Ai merrte me gjakftohtësi autorësinë e këtij krimi: “U dhamë urdhër forcave tona t’i gjurmonin, t’i ndiqnin, t’i kapnin dhe t’i shpartallonin Kryezinjtë së pa filluar mirë puna.. Urdhëri ishte zbatuar, tradhtarët ishin kapur. Zai Fundoja, Said Kryeziu dhe majori anglez Simkoks në mal të Dobrejt, ndërsa Gani Begu në fushë të Bytyçit, ku kishte ngritur çadrat e kuartierit të luftës, të sjella nga Anglia.” (E.Hoxha, Rreziku Anglo-amerikan”)
Komandanti i Korparmatës I, Dali Ndreu dhe komisari politik, Hysni Kapo, i dërguan më 21.09.1944 një njoftim të shkurtër, por entusiast Tuk Jakovës: “Po të japim një lajm gazmor: Tradhtari, trockisti i famshëm Llazar Fundo u kap prej brigadës V . Bashkë me të u zunë edhe Said Kryeziu edhe anglezi Simkoks. Ganiu është i rrethuar. Sigurisht do të kapet. Mbaje konspirative për këta të fundit” ( AQSH, F.202, d.13, v.1944)
Kur Dali Ndreu e njoftoi E.Hoxhën për arrestimin e Z.Fundos, udhëheqësi i PKSH dhe i Luftës Nacionalçlirimtare, Hoxha i ktheu menjëherë këtë radiogram Korpormatës I:
“Zai Fundon ta torturoni deri në vdekje dhe pastaj ta pushkatoni.
T’i kërkohet të japë sqarime për këto pyetje: Pse ka ardhur në Kosovë, kush e ka dërguar dhe me ç’direktiva; cilat janë qëllimet e Ganiut dhe të anglezëve. Të japë sqarime për aktivitetin e mëparshëm dhe për tradhëtinë e tij. Deponimet e Zait na i dërgoni këtej. Zain e vrisni andej… .”(E.Hoxha, Radiogram për Korp.I 21.09.1994).
Komandanti i Brigadës V të Ushtrisë NÇ , Shefqet Peçi, e tërhoqi Fundon zvarrë, të lidhur pas samarit të një kali, nga Mali Dobrej në Kolesian të Lumës dhe pasi e torturoi për vdekje, sipas porosisë së E.Hoxhës, e detyroi të jepte shpjegime për pyetjet që i dërgonte Pons Pilati me radiogram. Pyetjes: Pse erdhe në Kosovë? Fundo iu përgjigj: “ Pranova të vij në Kosovë dorë për dorë. Kryezinjtë ngulën këmbë. Më parë se të niseshim, Partia Italiane me anë të Kusovacit më lypi të hyj në Partinë Socialiste Italiane. Iu përgjigja se, me gjithë simpatinë që më tregojnë krekët e Partisë Socialiste ( që i kisha njohur në Ventotene dhe meqënëse këta ishin të njohur si miq të Partisë Komuniste), unë nuk hyra më në asnjë parti, se kariera ime politike kishte e mbaruar. Dëshiroja vetëm që të kurorzoja këtë karierë me luftën kundër gjermanëve…Erdha se këtu gjeta një shesh ku mund të luftoj kundra gjermanit…Ata që më njohin mua, e dinë që un nuk jam njeri me dy faqe dhe nuk jam prej atyre që marrin direktiva ngado që të vijnë. Kush të më dërgonte mua në Kosovë?…”
Në përgjigje të pyetjeve të tjera para pushkatimit, Fundo u përgjigj: “Unë s’jam komunist. E vërteta është se s’kam qenë kurrë komunist tamam… Afati kaloi. S’di më ç’të them. Po të kisha pasur gjëra për të thënë, do t’i kisha thënë. Po s’mund të shpif për të shpëtuar kryet. Nuk mund ta shkel ndërgjegjen time. Prandaj po e vulos vdekjen time. Lutem, në është e mundur, fotografitë që kam në çantë, t’i çohen nënës sime, në qoftë se rron” Ll. Fundo (Firma).(AQSH, Fondi 14/AP d.101 v 1944)
Shefqet Peçi e pushkatoi menjëherë pa gjyq më 23 shtator 1944, sipas porosisë së kriminelit sadist Enver Hoxhës : “Zain ta torturoni për vdrkjredhe ta pushkatoni andej“ ( AQSH, F.14 d.158 v.1944), sikur ai të mos ishte një njeri, një shqiptar, një peronalitet i kombit dhe një luftëtar i shquar antifashist, por si një qen: “Zain ta vrisni andej”. Që të mos i dihej as varri.
“Vrasja brutale e Fundos, shkruante britaniku Hibbert, ishte dëshmi e natyrës së papranueshme të pushtetit komunist” ( Hibbert, Fitorja e hidhur).
Ndërsa F.Noli, kur e mori vesh pushkatimin e Ll. Fundos, shkroi: “‘Ç’i mbetet Shqipërisë, po i prishëm njerëz të tjerë të mëdhenj si Fundoja!”
Ernesto Rossi, në një letër dërguar nga Roma drejtuar Stavro Skendit, një nacionalist shqiptar i internuar në Ventotene, mik i Spinellit dhe Rossit, e kujton Llazar Fundon kështu: “Mora vesh me dhimbje të madhe vdekjen e Fundos. Ishte njeri bujar, inteligjent, që mund të kish dhënë një kontribut të shquar në rindërtimin e vendit të vet, po qe se bota nuk do shkonte drejt greminës, siç po bën tani.” (Ernesto Rossi: Epistolario 1943 – 1967)
Giorgio Braccialarghe, antifashist i burgosur në Ventotene, shkruante për Llazar Fundon : “Mes shqiptarëve shquhej Fundo, një intelektual që kish qenë anëtar drejtues i partisë komuniste të vendit të vet, dhe që më pas kishte kaluar në opozitë. Jetonte tërësisht i izoluar, i zhytur në studimin e greqishtes, sikur të kërkonte prej Homerit miqësinë që nuk gjente mes bashkëkohësve të vet. Me rënien e fashizmit, u kthye në atdhe për të luftuar kundër gjermanëve. Ish-shokët e tij i përgatitën një fund të tmerrshëm, duke treguar edhe njëherë se për punë mizorie, komunizmi dhe nazizmi nuk kanë ç’t’i kenë zili njëri tjetrit!” (Giorgio Braccialarghe: “Nelle spire di urlavento, il confino di Ventotene”, Firenze, 1970).
Kjo është e vërteta e vrasjes makabre të Llazar Fundos, si edhe shumë atdhetarëve, antifashistëve e demokratëve të tjerë gjatë Luftës NÇ, që përbën edhe një krim komunist kundër njerëzimit.
*Falenderojme studuesin dhe shkrimtarin Uran Butka, qe pati miresine te na e dergoi per Gazeten Diellin punimin e tij rreth fatit tragjik te Llazar Fundos.
MID’HAT FRASHËRI – BIBLIOGRAFI MË I PËRKUSHTUAR SHQIPTAR
NGA NAUM PRIFTI/
Sikur të hartohej një listë e bibliografëve shqiptarë, jam I sigurt se vendin e parë, dua të them vendin e nderit do ta zinte Mid’hat Bej Frashëri, jo vetëm nga lashtësia e viteve kur e filloi atë veprimtari, por edhe nga cilësia e librave dhe nga sasia jashtëzakonisht e madhe e tyre. Dihet se ai kishte më se 40.000 vëllime të ndryshme në gjuhë të ndryshme. Ky qe pasioni i tij më i madh, të cilin e ndoqi me përkushtim gjatë gjithë jetës së tij. Bir i një familje intelektuale nga më të shquarat, djali i atdhetarit të dëgjuar të Rilindjes Kombëtare Abdyl Frashëri, ii edukuar qysh në vegjëli me frymën e atdhe dashurisë, ai ia kushtoi gjithë jetën lirisë së atdheut dhe përparimit të vendit që të vihej në një radhë me kombet e tjera të Ballkanit dhe Europës. Ai u aktivizua në jetën politike shqiptare qysh në moshë të re, pra qysh në fillim të shekullit XIX kur qe njëzet vjeçar dhe e vazhdoi pa ndërprerje deri në fund të jetës së tij. Qe një nga veprimtarët e parë të Klubit të njohur të Selenikut dhe më pas bëhet nismëtar për botimin e gazetës “Liria” po në Selenik, titull simbolik për gjëndjen e Shqipërisë, në atë kohër kur ende s’e kishim fituar
pavarësinë.
Pa dyshim Mid’hati gëzonte qysh në moshë simpatinë dhe respektin e intelektualëve shqiptarë të
kohës çka vërtetohet nga fakti se atij iu besua detyra e lartë kryetar ii Kongresit të Manastirit, I njohur ndryshe si kongresi për hartimin e alfabetit të shqipes. Po atje ai u zgjodh edhe nënkryetar i Komisionit për hartimin e alfabetit, kryetar i të cilit qe i mirënjohuri At Gjergj Fishta. Në atë kohë Mitati qe djalë njëzetetetë vjeçar. Edhe pse Kongresi miratoi njëkohësisht si akt kompromisi edhe alfabetin e Stambollit, krahas atij që kemi sot, prioritet fitoi alfabeti latin për shkak se qe më I lehtë, më i përdorshëm dhe gërmat e tij gjendeshin kudo.
Mid’hat Frashëri qe një nga firmëtarët e Deklaratës së Pavarësisë, që u shpall në Vlorë nga Ismail Qemali më 28 Nëntor 1912, por ky akt u mbajt fshehur për një kohë të gjatë nga regjimi komunist për arsye
politike. Më 1962 kur u festua 50 vjetori i Pavarësisë, revista “YLLI” ku punoja edhe unë, redaksia pati idenë e mirë të botonte deklaratën origjinale tok me firmat e delegatëve. Më kujtohet fare mirë truku që përdori redaksia për të fshehur emrin e Mid’hat Frashërit dhe të Lef Nosit nga lexuesit. Mbi firmën e M. Frashërit u vendos stema e revistës “Ylli”, ndërsa firma e Lef Nosit u mbulua nga klisheja ku vihej numëri dhe data e revistës. Kështu pra deklarata u botua e cunguar, për të fshehuyr emrat e atyre që u vrisnin sytë udhëheqësve komunistë.
Mid’hat Frashëri kreu një udhëtim në Svicër më 1915 dhe po atë vit botoi në Sofje librin “Letra
mbi një udhëtim në Svicër.” Më shumë se mbresa udhëtimi, libri qe një promemorie që t’I nxiste
bashkatdhetarët ta kthenin edhe ata Shqipërinë në një Svicër të dytë, për shkak të përngjasimit të
terrenit fizik dhe përbërjesd së popullsisë. Theksoj se kjo ëndërr, apo ky ideal vazhdon të gjallojë edhe sot.
Veprimtaria letrare e Mid’hat Frashërit është mjaft e pasur dhe e larmishme mbasi përfshin fusha të ndryshme. Përmendim midis tyre një biografi modeste për Naim Frashërin, të cilën kam patur fatin ta lexoj, novelat e tij “Hi dhe Shpuzë,” studime sociopolitike dhe etnike. Mid’hat Frashëri është ndër të parët autorë shqiptarë që kupton problemin se të drejtat e shqiptarëve mbrohen me gjuhët e njohura, prandaj ii vihet punës dhe shkruan e boton frëngjisht më 1915 “L’affaire de l”Epire” (Çështja e Epirit) e po në atë vit 1915 “La population de l’Epire,” (Popullsia e Epirit) ku thekson se Epiri kryesisht banohet nga shqiptarët. Më 1919 botoi librin “Les Albanais chez eux et a l’etranger” (Shqiptarët mes veti dhe në vend të huaj) ku thekson ngulimet shqiptare në vende të ndryshme.
Fusha tjetër e tij janë përkthimet nga letërsia e huaj e midis tyre dhe disa kryevepra si “Guillame Tell” (Guljelm Tell) e Lamartinit, romani i dëgjuar i Daniel Defosë “Robinson Crusoe” (Robinson Kruzo), “Bëje të mirën pa hidhe në det” të autorit gjerman Franc Hofman, si dhe novelën “Shkurtabiqi I verdhë” të cilën e kam lexuar kur isha I ri dhe vetëm tani e mora vesh se qënka përkthim ii M. Frashërit. Veç tyre ai ka përkthyer dhe vepra shkencore sikurse “Psikologjia e edukatës.” Për shkrimet e ndryshme ndër gazetat e revistat shqiptare të kohës ai ka përdorur disa pseudonime, nga të cilat më i njohuri është Lumo Skendo, më pak i dëgjuar Mali Kokojka dhe thuajse i panjohur Ismail Mulosmani.
Pasioni më ii madh ii Mid’hat Frashërit gjatë gjithë jetës së tij, të cilit iu përkushtua me shpirt e zemër ka qenë bibliofilia, dashuria për librin. I nisur nga qëllime fisnike të shtinte në dorë çdo libër ku permendej Iliria, Shqipëria e lashtë dhe e re, ku viheshin në dukje zakonet, gjuha, foklori, bukuria e natyrës, me një fjalë universi shqiptar. Ai dëshiron t’i dhurojë një penë të artë studiueses engleze mis Edith Durham, si peng respekti e mirënjohje për shkrimet e saj nga viset e ndryshme të Shqipërisë.
Njohja e disa gjuhëve të lindjes dhe perëndimit ii dha mundësi Mid’hat Frashërit të lexonte si autorët antikë, si ata të Mesjetës ashtu edhe autorët modern, për të njohur çdo gjë në lidhje me Shqipërinë, për ta njohur sa më mirë dhe për tia bërë të njohur botës mbarë të vërtetën rreth vendit tonë, larg përçudnimeve e shtrembërimeve të autorëve shovinistë. Librat ishin për të objektet më të çmuara, prandaj e pa të arsyeshme të hapte në Tiranë librarinë Lumo Skendo, e cila në kuptimin e mirëfdilltë të fjalësh nuk ishte vetëm dyqan librash, por një klub intelektualësh me ide përparimtare.
Fati i njeriut shpesh herë është tekanjoz. Në vjeshtën e vitit 1944, Mitat Frashëri u largua nga Shqipëria, pasi jeta e tij u rrezikua nga vërshimi i forcave të Lëvizjes Nacional Çlirimtare. Shtëpia e tij, biblioteka dhe
gjithë pasuria e tij u rekuizuan nga pushteti popullor. Shtëpia e tij nuk ruhej dhe as librat, as dokumentet nuk u inventarizuan. Ata persona që e dinin vlerën e tyre morën ç’deshën. Gjatë një vizite miqësore tok me Gaqo Bushakën te shtëpia e shkrimtarit Zihni Sako, ai midis të tjerash na tha se tryezën e punës e kishte marrë nga studioja e Lumos Skendos. Besoj se trashëgimtarët e Ziniut duhet ta kenë akoma te shtëpia e tyre. Dihet botërisht se 40.000 vëllime i mori Biblioteka Kombetare, duke pasuruar ndjeshëm fondin e saj, me libra të rrallë dhe me vepra të shquara albanologjike. Sot e mot ato janë dëshmi e shkëlqyer e punës së bibliofilit të pasionuar, Mid’hat Frashëri, pinjoll i derës fisnike të frashërllinjve.
*Mbajtur ne veprimtarine me rastin e 65 vjetorit të vdekjes se Mid’hat Frasherit,
qe organizoi me 3 tetor 2014 dega e Vatres se Queensit, me kryetar dr. Skender Murtezani.
ESHTRAT E MID’HAT FRASHËRIT E KANË VENDIN NË PANTEONIN E KOMBIT
Dega e Vatrës në Queens- NY, përkujtjoi me një veprimtari emocionuese, 65 vjetorin e vdekjes së Mid’hat Frashërit…/
Të Premten në mbrëmje, në Douglaston, Queens-NY, dega e Vatrës, me inisativën e kryetarit të saj, dr. Skënder Murtezani, organizoi, për të dytin vit, përkujtimin e emblemës së Nacionalizmit Shqiptar, Mid’hat Bej Frashëri, të birit të Rilindasit të madh, Abdyl Bej Frashërit. Mjedisi i sallës,( që u pagua nga dr. Murtezani), ishte hijeshuar me flamuj Kombëtar të Shqipërisë dhe Amerikës, si dhe me portretin e Atit të Shtetit Shqiptar, Ismail Bej Vlora, të Mid’hat Frashërit, si dhe themeluesëve të Vatrës, Faik Konica e Fan S. Noli. Po ashtu u përdorën vidio dhe u dëgjua nga BBC intervista që Mid’hat Frashëri dha më 1949, pak caste pas krijimit të Komitetit Shqipëria e Lirë .
Takimin e ka hapë dr. Skënder Murtezani, i cili vlersoi figurën madhore të Mid’hat Frashërit dhe solli rrethanat e mistershme të shuarjes së tij në Hotelin Lexinton me 3 tetor 1949.
Shkrimtari i nohur, ish sekretari i Vatrës, Naum Prifti, vlerësoi figurën e Mid’hat Frashërit në lëmin e Letërsisë, publicistikës, përkthimit. Ai foli me detaje edhe për Librarinë e Lumo Skëndos, si një cerdhe e edukimit kulturor të brezit të ri të kohës(Kjo kumtesë do të publikohet e plotë në Dielli).
“Mid’hat Frashëri dhe Vatra” si dhe”Vlerësimi i Mid’hat Frashërit nga Hasan Dosti” ishte kumtesa që paraqiti editori i Gazetës Dielli, Dalip Greca.
Sekretarja e Vatrës, zonja Nazo Veliu, solli përshëndetjet e kryetarit të Vatrës, dr. Gjon Bucaj, i cili ka udhëtuar për në Michigan, dhe nuk kishte mundësi të merrte pjesë në këtë veprimtari. Sekretarja e Vatrës vlerësoi kontributin e Mid’hat Frashërit në cështjen Kombëtare dhe përgëzoi dr. Murtezanin për organizimin e kësaj veprimatrie.
Përshëndeti veprimtarinë edhe studiuesi shqiptar nag Maqedonia z. Kaim Murtishi, i cili u duartrokit gjatë në recitimin e poezisë kushtuar rilindasve.
Këngëtari i njohur i komunitetit shqiptar Haxhi Dauti ka përshëndetur organizatorët e kësaj veprimtarie dhe ka vlerësuar figurën madhore të Mid’hat Frashërit.
Përmes ekranit dr. Murtezani paraqiti në mënyrë vizive castet kryesore të jetës dhe veprës së Midhat Frashërit.
Në fund u dha një koktejl i pasur me pije dhe ushqime, shp[enzime të vetë dr. Murtezanit. Veprimtaria u ndoq nga Adem Belliu-Televizioni Kultura Shqiptare, gazetari i komunitetit Beqir Sina dhe Gazeta Dielli.
***
Editori i Diellit,Dalip Greca, në kumtesën e tij; tha se ish studenti i Universitetit të Sorbonës, ish Kryetari i Gjykatës së Diktimit në kohën e Zogut(edhe pse ishte dënuar si antizogist) ish Ministri i Drejtësisë, ish kryetari i Komitetit Shqipëria e Lirë, Hasan Dosti, na ka lënë një vlerësim brilant për jetën dhe veprën e Mid’hat Frashërit. Përmes një esseje shpirtërore, lexuar në një vjetorin e vdekjes së Mid’hat Frashërit, botuar në Gazetën”Shqipëria”organ i Komitetit Kombëtar Shqipëria e Lirë, që dilte në Nju Jork(1950-56). Është fjalimi i Hasan Dostit tek varri i Mid’hat Frashërit në varrezat Ferneliff-it.
Përvjetori i parë i vdekjes së Mithat Frashërit u organizua jo me 3 tetor-në ditëvdekjen e tij, por me 15 tetor 1950. Ceremonia ishte e thjeshtë dhe kishte për organizator Komitetin Shqipëria e Lirë. Në varrezat Ferneliff-it, ku prehen sot e kësaj dite eshtrat e tij,u mbajt edhe fjala vlerësuese e Hasan Dostit, aso kohe kryetar i Komitetit Shqipëria e Lirë. Fjala e tij është më shumë një esse patetike-heroike me frymë kombëtare.
Shkëpusim nga fjala e Dostit një fragment”Mid’hat Frashëri është fytyrë e Madhe! Koha nuk e hedh në harrim!Përkundrazi, i lartëson emrin, i shton lavdinë.Është njeri i racës së zgjedhur, i gjakut të kulluar, i familjes së ndritur, i biri i Abdylit të Lidhjes së Prizrenit, dhe Dumes, nipi i Samiut dhe Naimit, viganëve të Rilindjes Kombëtare.”
Sipas Dosti, mendja e Mid’hatit ishte ndriçuar nga tre yj’ të madhërisë së parë dalë herët në qiellin e Shqipërisë.Janë yje të qëndrueshëm, jo meteorë të shkuar. Historia e familjes së Frashërllinjëve rilindas është saktësisht Historia e Rilindjes së Shqipërisë.
Mid’hati, i frymëzuar që në vogëli nga tradita e bukur, nga ideali i lartë i prindërve të tij, porsa arriti në pjekurinë e parë, hapi librin e artë të fateve të Shqipërisë. Këndoi punët Kombëtare të të atit, vjershat e Naimit dhe predikimet e Samiut, sidomos përthithi faqet e librit “Shqipëria Ç’ka qenë, ç’është e çdo të bëhet”- që mbetet ungjilli i shqiptarëve. Këto, në tërësinë e vet, përbëjnë testamentin shpirtëror të frashërllinjëve; frymëzuar nga epopeja e Gjergj Kastriotit Skënderbeu, nga ideali i Naum Veqilharxhit; nga dalin dy parime: Liria e Kombit dhe edukimi i popullit.
Mid’hat Frashërit i është dashur që të punojë nën dhe’, në Katakombe, si priftërinjtë e shekujve të parë, që përhapnin Kristianizmin në Perandorinë e Romës Pagane. Kështu, biri i Abdyl Frashërit, ka lënë emrin e pagëzimit Mid’hat, për të marrë atë të Lumo Skëndos nën urdhërin e shqiptarizmit. Duhet të zotërosh mjeshtërinë e penës së Dostit për të përshkruar zgjimin e madh të shqiptarëve të kohës së Mid’hat Frashërit. Të mos ikim larg, por në agim të shekullit XX, Më 1906, Mihal Grameno, biri i madh i Korçës Plakë, me Hymnin e tij- Marsejezën e Shqipërisë:”Për Mëmëdhenë-Për Mëmëdhenë”, rrok trimërisht pushkën dhe del në male për të ringjallur lirinë”përmbi shkëmbinj e gurë”. Flamurin e Kryengritjes e bekonte Papa Kristo Negovani. Ky prift Flamurin e Gjergj Kastriotit Skënderbeut do ta lyente me gjakun e trupit të tij. Bëhet dëshmor i parë i shqiptarizmit të ri, si Shën Stefani promartir i Kristianizmit.
Lufta e shqiptarit për liri vazhdon: Në mars 1908 gjëmojnë armët e Mihal Gramenos dhe Çerçiz Topullit, te Rrapi në Mashkullorë. Burrat trima të Kosovës mblidhen dhe i japin Stambollit ultimatumin e famshëm që shtërngon Sulltanin dhespot të shpallë statutin e popujve të Perandorisë.
Në 1910-11 lufta shqiptare përhapet anë e mbanë trevave të saj; ngrihet Mirdita e dukagjinasit, Malësia e Madhe e Shkodrës së Teutës, digjen, prishen, vriten prej zjarrit dhe predhave të artilerisë t’ushtrisë turke të komanduara prej Muhedin Beut e Turgut Pashës. Shqiptarët valojnë Flamurin nën drejtimin e trimit Dedë Gjo Luli.
Historia arrin kulmin. Vjen viti 1912. Ngjarja e parë madhore për pjekurinë e Lëvizjes Kombëtare, 28 prill 1912 themelohet Vatra, që do të orientojë e mbrojë Kombin. Eshtë kohë lufte:Trevat shqiptare shkrumbojnë nga zjarri i luftës. Shqiptarët hyjnë në Shkup. Është Isa Buletini me trimat e racës së Dardanëve,që kanë çliruar Shkupin. Duket se ëndrra e Shqipërisë në katër vilajete, po realizohej.
Po ky ishet ideali i Fashërllinjëve! Dimri i 1912 shpërthen në zjarr të gjithë Ballkanin. Flaka përhapet prej detit të Zi në detin Adriatik.
Biri i Frashërllinjëve është atje ku e kërkon Testamenti i të parëve; në Shqipërinë e katër Vilajeteve. Ndodhej në Shkup. Atje ndjen se koha e volitshme po vinte. Ora e mbarë për Shqipërinë po trokiste. Flamuri i Indipendecës, idelait të Frashërllinjëve Rilindas kishte ardhë.
Mid’hati hyn në bashkëpunim me patriotë të vjetër e të rinj. Në stinën e pamëshirshme të atij viti, kapërcen malet e mbuluara me borë të Sharit, kalon përmes Fanit të Mirditës, dhe zbret në Tiranë. Pret të zbarkojë Ismail bej Qemali për të ngritur Flamurin e Skënderbeut në buzë-detin e Adriatikut, në Durrës, n’Epidamin e Vjetër të mbizotëruar prej fortesës gjigante të Krujës historike.
Rrethanat nuk janë të favorshme, por Lumo Skëndo nuk dëshprohet. Shkon prej moçaleve të Kavajës dhe të Myzeqesë, drejt Vlorës. Takohet me patriotë të ardhur prej viseve të Shqiptarisë. Dhe vjen dita e bekuar. 28 nëntor 1912, dorë për dorë me Ismail Qemalin, Luigj Gurakuqin, Pandeli Cale, e shumë atdhetare të tjerë, ngrenë Flamurin e Lirisë dhe nënshkruajnë dokumentin e Pvarësisë. Lumturohet tek sheh realizimin e aspiratës dhe idealeve të paraardhësve të vet. Vihet në shërbim të Qeverisë së Vlorës duke u bërë Ministër i saj. Është i pari në historinë e shtetit shqiptar,që jep dorëheqje për t’iu përkushtuar idealit kombëtar.
Po Shqipëria duket e pafat.Traktati i Londrës i 30 Majit 1913 e varros Pavarësinë e Shqipërisë. Këputet ëndrra e Samiut, Abdylit e Naimit për Shqipërinë me katër vilajete. Idealistit Mithat Frashëri i dhemb shpirti nga therja e Atdheut copash. Ngjarjet e vitit 1914, ku fqinji jugor, vret, ther, djeg, ia bëjnë zemrën plagë birit të frashërllinjëve. Veçse, atdhetari i madh, nuk është njeri që humb shpresën. Le Shqipërinë dhe merr rrugën e Mërgimit për t’i shërbyer Kombit. Shkon në Rumani, Francë dhe Zvicër, ku vihet në shërbim të Federatës Panshqiptare të Amerikës si diplomat, në mungesë të shtetit. Ai së bashku me Mehmet Konicën në Londër, dr. Mihal Turtulli në Lozanë, bëhen avokatë të kombit nën financimin e Vatrës.
Janë të paçmuara kontributet e Mid’hat Frashërit në kohën e Konferencës së Paqes në Paris. Së bashku me miqtë e tij, ai “gris” publikisht marrveshjete fshehta të fuqive të mëdha në dëm të Shqipërisë. Siç kishte bërë për denoncimin e Traktatit të fshehtë të Londrës, të njëjtën gjë bën edhe për memorandumin e 9 dhjetorit 1919,ku përfaqsëuesit e Anglisë, Francës, por dhe të ShBA-ve, i njihnin qeverisë Italiane sovranitet mbi Vlorën dhe krahinat përreth saj dhe mandatin mbi shtetin e cunguar shqiptar. Ky memorandum i njihte Mbretërisë Serbo-Kroate-Sllovene daljen në bregdetin shqiptar. Mid’hat Frashëri me tagrin e delegatit të Vatrës i drejton një memorandum Konferencës së Paqes, ku proteston fuqishëm për padrejtësistë e reja ndaj një vendi sovran e neutral, siç ishte Shqipëria. Ai e vlerësonte memorandumin e të mëdhenjëve si krim ndaj popullit shqiptar. Delegati i Vatrës i shkruante Konferencës se” Qeveria shqiptare i ka vënë vetes detyrë të mbrojë integritetin e Shqipërisë, duke mos lejuar t’i shkelen të drejtat si shtet i pavarur dhe sovran”.
Është e njohur në këtë kohë edhe promemoria që delegati i Vatrës, Mid’hat Frashëri i dërgoi presidentit Uillson, ku i kërkon mbështetjen e drejtëpërdrejtë të Amerikës për zgjidhjene drejtë të çështjes shqiptare.
Studiuesi i Mid’hat Frashërit, historiani dhe shkrimtari Uran Butka, e ka ndjekur përmes burimeve historike veprimtarinë e Mid’hat Frashërit dhe na ka sjellë të dhëna të mjaftueshme që vërtetojnë anbgazhimin e tij më Vatrën. Në fillim të shkurtit 1920 Mid’hat Frashëri la Lozanën për të shkuar në Paris, ku u bë një zë i fuqishëm për çështjen shqiptare. Ndërsa me 23 shkurt 1920, si përfaqësues i vatranëve të Amerikës, Mid’hati i drejtohet me një mesazh, një grupi deputetësh italianë: Mr. Filipo Turato, C. Lazari, Frole, Luigi Ferra, P. Vasullo, T, Menes, për të kundërshtuar planet pushtuese të tokave shqiptare prej Italisë.
Piktakimi i tretë i Mid’hat Frashërit me Vatrën, është Huaja Kombëtare, tha editori i Diellit.Mid’hat Frashëri erdhi në ShBA në shtator 1920. Ai ka mandatin e qeverisë shqiptare që të ndihmojë në fushatën e Vatrës për Huanë Kombëtare. Mid’hat Frashëri shëtiti nën shoqërimin e Kristo Kirkës e vatranëve të tjerë të gjitha kolonitë shjqiptare të Amerikës dhe Kanadasë, bëri thirrje për atdhetarizëm.
Ishte edhe kontributi frymëzues që dha Mithat Frashëri, që Vatra e realizoi Huanë prej 197 mijë dollarësh për Shtetin shqiptar.
Një mision të shenjtë kreu Mid’hat Frashri si mbrojtës i fuqishëm i popullsisë shqiptare të Çamërisë në kohë këmbimin e popullsisë sipas marrveshjes së Turqisë me Greqinë.
Mid’hat Frashëri endet nëpër shtete të ndryshme në shërbim të Kombit deri më 1925. Pikërisht këtë vit kthehet në Shqipëri, por hiqet mënjanë dhe nuk merret me politikë.Vendoset në Tiranë ku drejton Librarinë. Biblioteka e tij pasurohet gjithnjë e më shumë. Libraria e tij u kthye në një strehë-shkollë për edukim Kombëtar, ku mblidheshin studentë e intelektualë. Kishte vendosë që aty ta mbyllte pleqërinë e tij me një shërbim modest ndaj Kombit.Por fati i keq e deshi që ai të shihte Yllin e Shqipërisë të zënë prej mjegullave të kohës. Janë episode dramatike të atdheut të Skënderbeut. Në 7 prillin e 1939-ës, ditën e së premtes së zezë, martirizohet Shqipëria prej forcës brutale të fashizmit. Nuk mund të rrinte mënjanë pinjolli i Frashërllinjëve.Zemra e tij nisi të rrahë vrullshëm. Përpiqet që të japë kontributin e vet. Por mjerisht hyn në mes ideologjia komuniste, që e turbullon gjendjen. Ideologjia e përçarjes ia preu krahët Kombit, duke marrë në shenjë nacionalistët, njësoj si pushtuesit. Shqiptari kundër shqiptarit. Koha punoi për komunistët, apostulli duhet ta braktisë tempullin e adhetarizmit dhe të mërgojë në dhera të huaja. Kapërcen Adriatikun duke humbur meditushëm nën fjalët e këngës :”Moj Shqipni, e mjera Shqipni…, pa harruar vargjet finale”prej Tivari deri në Prevezë”…të Vaso Pashë Shkodranit, shok ideali i Abdyl dhe Sami Frashërit. Zbarkoi në brigjet italiane, ku gjenë strehë në kampet e shërbimeve filantropike të demokratëve perëndimorë. Vazhdon pa ndërprerje luftën kundër komunizmit, bashkëpunon me grupet e tjera politike mërgimtare dhe hyn në kontakt me grupet demokrate perëndimore. Formohet Komiteti Shqipëria e Lirë. Mid’hatit i besohet posti i kryetarit. I drejton Kombit mesazh të kthjellët përmes BBC-së. Vjen në Amerikë për të organizuar luftën e çlirimit të Shqipërisë në bashkëpunim me forcat e tjera të demokracisë Botërore. Por vdekja i thur kurth dhe shuhet apostulli idealist. U varros në tokën e Xhorxh Uashingtonit. Trupi i tij edhe sot kësaj dite dergjet larg Mëmëdheut, duke u prehur nën hijen e Monumentit të Lirisë së Amerikës, simbol i shpresës së gjithë Kombeve të Botës.
Mendoj që në fund të këtij aktiviteti përkujtimor, t’i bëjmë një apel qeverisë dhe politikës shqiptare, duke çuar në vend edhe dëshirën e bashkëluftëtarëve të tij të idealit,të kthehen në Kryeqytetin shqiptarë eshtrat e Mid’hat Frashërit…. Sjell në Kujtesë: Hasan Dosti 64 vite më parë, tek do të mbyllte fjalimin e vet tek koka e mëmëdhetarit, do të rënkonte dhimbshëm:Ah, ai s’mund të rrijë larg popullit të vet…Vendi i prehjes së përhershme të eshtrave të Mid’hat Frashërit, nuk është këtu, në varreza e Ferneliff-it. Vendi i tij është tek Altari i madh ideal i Kombit, tek Tempulli i shqiptarëve të Mëdhenj, në Pantheonin e Tiranës! Zoti do të dojë!
…Edhe unë shpresoj!
(Fotot shihi ne Facebook)
- « Previous Page
- 1
- …
- 45
- 46
- 47
- 48
- 49
- …
- 54
- Next Page »