• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for October 2014

Papa Francesku: “Shqiponjat fluturojne larte, por kthehen ne folene e tyre”…

October 4, 2014 by dgreca

SURPRIZAT E PAPA FRANCESKUT GJATE VIZITES NE SHQIPERI DHE VIZITES SE SHEN BARTOLOMEUT/
Nga ATE NIKOLLA MARKU/
Gjate vizites ne Shqiperi, Papa Francesku na surprizoi dhe habiti ne kuptimin me shenjteror, duke dhene konkluzione, keshilla dhe fjalime plot dashuri dhe miresi. Thelbin e ketyre shprehjeve, plote dashuri per kombin shqiptar te permbyllura me meshen bekuese ndaj atdheut tone, nuk duhet ti harrojme apsolutisht.
Po citoj disa me kuptimplote duke i zgjeruar ne permbajtje.
“Shqiponjat fluturojne larte, por kthehen ne folene e tyre” Askush nuk na ka vlersuar ne kete menyre te drejtperdrejte per identitetin tone, qe nga personalitete fetare dhe aq me pak politikane. Ne e dime se shqiponja eshte simboli yne kombetar i identitetit. Po gjithashtu simbolikisht ne forma te ndryshme ne jemi quajtur vend i shqiponjave. Besoj se kuptimi me i thelle eshte se cfar do qe beni dhe kudo ku shkoni, mos harroni se jeni shqiponja qe ktheheni ne fole. Pra ne jemi vetvetja dhe ekzistojme qe nga pellazget. Kthimi ne fole eshte kthimi tek besimi dhe vlerat tona si komb i hershem dhe europian.
“Ju jeni nje komb i vjeter, me histori martiresh qe keni vuajtur ne shekuj”. Pothuaj askush ska njohur meritat dhe vlerat ne dobi te njerzimit qe ne kemi si komb, sidomos per periudhen e Skenderbeut si kalores i krishterimit dhe qendresa ndaj diktatures komuniste.
“Ju jeni populli me moshen me te re ne Europe, ju keni mundesi te rrisni besimin ne Zot dhe mirqenien tuaj, sepse jeni e arthmja”. Sa here jemi helmuar vetem me lajme te hidhura ndaj rinise sone apo ndaj femijeve tane? Pothuaj po mbyteshim ne nje det deshperimi por ja tek jane keto fjale plot dashuri dhe bekim nga Papa Francesku.
“ I thoni jo parase”. Patjeter qe behet fjale per korrupsionin, ne e dime mire se korrupsioni lind tek shtresat e larta te pushtetit dhe nga varferia. Papa Francesku i foli drejtperdrejte duke e mbyllur me porosin hyjnore “mos mekato me”.
“ Ruajeni harmonine fetare, bashkpunoni me njeri tjetrin, panvarsisht se si lutemi, por pa hipokrizi”. Dua te ndalem pikerisht tek fjala hipokrizi. Jam i bindur se ndonje individ e perdor hipokrizine dhe Papa Francesku eshte ne dijeni.
“ Ju jeni nje vend europian, punoni per popullin dhe atdheun tuaj”. Me kete thenie te dukej se Papa ishte shqiptar.
“ Une ju bekoj ju”. Nje meshe boterore, por vecanerisht per kombin tone se bashku me kreret e besimeve fetare. Nje mrekulli. Mrekullia me e madhe ishte pjesmarrja e jashtzakonshme nga te gjitha besimet fetare, por dhe nga rinia e jashtzakonshme. Ishte hera e pare qe mediat i bene nje reklamim dhe mirseardhje per te sensibilizuar cdo shqiptar ne menyren me pozitive dhe plot dashuri per viziten e Papa Franceskut.
Askush nuk na ka trajtuar me aq dashuri, respekt dhe vlersim te vuajtjeve tona si komb deri ne nje meshe ne zemer te Shqiperise, meshe qe u ndoq nga miliarda katolike ne te gjithe globin. Katoliket e globit mesuan nga Papa Francesku se eshte dhe Shqiperia toke dhe komb martiresh te besimit ne Zot.
E them dhe shkruaj me bindje te plote se, mrekullia e Papes Francesku ishte treqind mijshe ne njerez, por dhe me teper po te shtosh dhe njerzit qe e ndoqen ne televizione.
Zoti na dha paqe dhe lumturi ate dite te bekuar kur Papa Francesku ishte ne mes te kombit Shqiptar dhe ne zemrat e cdo katoliku ne te gjithe globin.
Nuk dua te bej krahasime, sepse lindin keqkuptime por me te drejte vlersoj se shenjterimi i katedrales ngjallja e Krishtit ne Tirane, nga shen Bartolomeu kreu i Patriarkanes Ekumenike, ishte nje eveniment madheshtor dhe i permasave globale per ortodokset e Shqiperise dhe tere njerzimin.
Pjesmarrja e vete shen Bartolomeut, si dhe kryepeshkopeve te kishave ortodokse ne bote, ne shenjterimin e katedrales ngjallja e Krishtit, ishte nje veprim respektues dhe vlersues per ortodokset e Shqiperise. Gjithsesi dhe shen Bartolomeu dhe kryepeshkopet e kishave te vendeve te tjera, do te ishin pritur po me aq entuziazem per vete vlerat qe mbart ortodoksia ne shtet formim dhe perforcim te identitetit tone si komb. Organizimi u perqendrua vetem tek ortodokset dhe kreret e shtetit apo politikes me nje axhende pothuajse hermetike dhe sekrete. Sigurisht qe organizatori kryesor ishte Anastas Janullatos. Ky politikan e izoloi dhe nuk e la te lire shen Bartolomeun te fliste dhe shenjteria e Tije per vuajtjet e popullit shqiptar dhe identitetin e tije nder shekuj. Janullatos kerkoi kultin e indiviti nga shen Bartolomeu, Janullatos nuk kerkoi meriten e nje sherbetori perendie meqenese vazhdimisht e vlerson veten me ane te tjereve si ngjalles i kishes ortodokse ne Shqiperi. Fatkeqsisht Janullatos e manipuloi shen Bartolomeun duke e drejtuar ne nje ceremoni shenjterimi me shume per Janullatosin se sa per vleren e katedrales jo si godine por si vend shpirtror. Shto ketu dhe lapsusin me dashje te nje kryepeshkopi Serb me mendesi te frenuar ne legjenda te krijuara nga mendja e semure, legjenda qe nuk kane ndodhur kurre, sepse Kosova nuk eshte djepi i Serbise por gjak i Shqiperise martire.
Jam i bindur se shen Bartolomeu, po te ishte informuar drejte per historine e kombit shqiptar, cdo veprimtari e shenjterise, pothuaj do te ishte e ngjashme perafersishte me ate te Papa Franceskut, si nga pritja , ashtu dhe liturgjia dhe dashuria ndaj kombit shqiptar.
Si gjithmone, Janullatos nuk heq dore nga hipokrizite dashakeqsite kunder kombit Shqiptar.

Filed Under: Opinion Tagged With: AT Nikolla Marku, e papa Françeskut, ne Tirane, Surprizat

HISTORIA E PABESUESHME….

October 4, 2014 by dgreca

Historitë e pabesueshme dhe sekretet e organizmit të femrës shqiptare në shekuj që nga motrat Qiriazi dhe deri tek Marigoja/
105- vjetori i organizatës së parë të grave shqiptare “Yll’ i Mëngjesit” 1909-2014/
Nga Harallamb KOTA/
Klubi “Rilindja” në Tiranë/
Më 21 shtator 2014, kryeqyteti i shqiptarëve, që nga agu i mëngjesit deri në mbrëmje vonë, përjetoi orët e lumtura europiane. Populli priti dhe përcolli me madhështi atin e shenjtë Papa Françesku. Të nesërmen, në klubin “Rilindja”, në Tiranë që frekuentohej nga intelektualë të moshave të ndryshme dhe tek – tuk nga ndonjë politikan, Albani –nipi i gjysh Arbërit, sa hyri në lokalin pronë e tij, ngriti zërin duke thënë: -Masa të mëdha njerëzish, besimtarë e laikë u mblodhën në sheshin “Nënë Tereza”në sheshin “Skëndërbej” dhe anës bulevardit “Dëshmorët e Kombit”, duke manifestuar bashkëjetesën natyrale që kemi. Filozofia e kësaj bashkëjetese, (tha Albani me zë të lartë, pasi po ndiqte një çast lajmet e mëngjesit), e ka themelin tek filozofia e Samiut, Naimit me shokë dhe tek thënia e shenjtë e Pashko Vasës: “Feja e shqiptarit është Shqiptaria”. Duke u ndjerë më i qetë, pasi e tha fjalën që e mundonte, u ul në ndenjësen e tij dhe filloi të lexonte me shumë vëmendje, librin “Pluralizmi Politik Shqiptar, gjatë periudhës 1914-1924”,një punim shkencor nga Prof. dr. Hysen Kordha e Dr. Rudina Mita. Libër interesant, mërmëriste me vete e shfletonte faqet e tij, duke bërë nënvizime. Në karrigen ngjitur, e shoqja Shqipja, lexonte me ëndje një libër tjetër “Gruaja në Shqipëri” më 1912-1939, shkruar nga Fatmira Musaj. Albani, pushoi një çast dhe plot kërshëri vazhdoi leximin, deri sa mbaroi edhe faqen e fundit. Lëvizi nëpër sallë, piu një shishe gjysmë litre me ujë të gazuar dhe rrufiti kafenë e dytë të asaj dite. Shqipja e kishte përfunduar leximin e librit me kohë, kishte sistemuar disa punë dhe pasi u ul pyeti të shoqin:-Alban më thuaj, kur u organizuan gratë shqiptare? Kur u çliruan nga kanuni dhe nga ferexhetë?
Motrat korçare Parashqevi e Sevasti Qiriazi
-Sipas këtyre dy librave, nënvizoi Albani dhe ju drejtua Shqipes,-gratë janë organizuar në vitin 1909 nga motrat korçare Parashqevi e Sevasti Qiriazi. Ato krijuan organizatën e parë të grave “Yll’i Mëngjesit”. Në shembullin e tyre, vasha korçare Marigo Pozio, organizoi në Vlorë më 1914, shoqërinë “Shpresa Kombëtare”. Më pas, më 1920-n u formuan disa shoqëri të tjera. Marie Çoba, organizoi në Shkodër shoqërinë “Gruaja Shqiptare” dhe mësuesja Urani Rumbo organizoi në Gjirokastër, shoqërinë “Përmirësimi”. Mbas disa viteve, më 1924, Behixhe Elbasani, organizoi në Tiranë shoqërinë “Shqiptarka”. Këto ngjarje përfundoi bisedën Albani, flasin për zgjimin e grave nga gjumi letargjik, që e pat “nanurisur” Porta e Lartë, Kanuni dhe fondamentalizmi. Liria e gruas të kujton të shkuarën, Teutën -mbretëreshën e Ilirisë dhe Mamicën -princeshën e Arbërisë. Pas 500 vjet nën robërinë osmane, shqiptarët u mblodhën në vitin 1878 në Lidhjen e Prizerenit dhe u organizuan në Lëvizjen Kombëtare. Fill pas këtyre ngjarjeve, filloi dhe “Rilindja e Grave” me Shote Galicën, Norën dhe Tringën, me Sevasti e Parashqevi Qiriazin, me gruan e flamurit Marigo Pozio, deri me heroinën Zonja Çurre…….

Klubi “Rilindja”, me këtë emër e quajti më 1878 Kostandin Kristoforidhi
Në janar të vitit 1921, -vazhdoi Albani,- qeveritarët dhe nëpunësit e administratës, erdhën në Tiranë, e cila në Kongresin e Lushnjës ishte caktuar Kryeqytet i Shqipërisë. Pas tyre, rendën tregtarë, pasanikë, pronarë tokash e industrialistë. Në mjediset qendrore të qytetit u vendos qeveria dhe Parlamenti. Anës Rrugës, që fillonte nga Ura e Tabakëve’e kalonte përbri godinave shtetërore dhe gjatohej deri në kryqëzim me rrugën që të shpie në Dibër, u ndërtuan me një shpejtësi marramendëse, një numër i madh godinash me dy e tre kate, që shërbenin si hotele e dyqane. Në këtë rrugë, gjendej edhe klubi “Rilindja”, e gjyshit tim Arbër Bamiri. Pikërisht në këtë klub, ku shërbente një grua e bëshme e veshur me petka kombëtare, më 9 prill të 1924, mbërritën shumë gra lidhur krahu njëra me tjetrën, aq shumë shtrënguar, sa nuk hynin dot brenda. Gjyshja ime, në ato vite ishte e re. Ajo u shqetësua nga të shtyrat, pasi rrezikohej të shembej dera me gjithë kanata, doli në krye’ e u tha: -Moj gra, zgjidhuni edhe hyni njëra pas tjetrës. Tashmë që keni zgjidh nyjet e kanunit, s’po dini me ec secila më vehti”. Sakaq u ndje një lëvizje shtjelluse. Krahët u liruan njëheri’ e bashkë me to, fituan “lirinë” edhe zonjat e tyre. Njëra pas tjetrës, ato u ulën në ndenjëset që kishin mbushur lokalin. Gratë, që në fillim erdhën tufa-tufa, në sallë u ndjenë të “çliruara” e filluan menjëherë bisedat, ku secila rrezatonte karakterin e vlerat e zonës nga kishte ardhur. Arbëri, shoqëruar nga e shoqja, i uroi grave mirseardhjen dhe pa e pyetur askush prej tyre u tha: -Ky klub quhet “Rilindja”. Me këtë emër e quajti më 1878 Kostandin Kristoforidhi, i cili banonte lart në katin e dytë’ e i mësonte fëmijëve fshehurazi të shkruanin gjuhën shqipe. Mësuesi, ç’do natë na tregonte histori të shumta, që po patët durim do ua tregoj edhe juve. Sakaq në hyrje të sallës, u shfaq gruaja e flamurit Marigo Pozio.Tualeti i lehtë ja kishte spikatur më thellë tiparet. Albani heshti. Zonja me të hyrë brenda u prezantua:-Quhem Marigo, pastaj heshti. Diella, një grua malësore e veshur me kostumin popullor të zonës së saj, ku i shndriste një medalion i madh floriri, u ngrit në këmbë e shkoi drejt saj. Këpucët lustrafin që kishte veshur, binin në sy nga takat e larta, që lartoheshin deri në nyjen e parë të thembrës, me çorapet e bardha e të holla. Me t’i mbërritur pranë’ e përqafoi e i tha: -Të njohim Marigo. Lahutarët e malësisë të këndojnë këngë, njëlloj si kreshnikeve Shote Galica, që luftoi më 1910, kundër forcave të Shefqet Turgut Pashës, në Grykën e Kaçanikut, Nor Kolja, Tringë Smajli’ e vajza të tjera që morën pjesë më 1912, në kryengritjen e madhe kundërosmane. Në anët tona, vazhdoi Diella, duke hedhur për një çast vështrimin nga Marie Çoba kryetarja e gruas shkodrane, tregohet legjenda e Rozafës, që u vetësakrifikua në emër të jetës. “Ka shekuj, që në zonat tona sundon kanuni, i cili na konsideron plaçkë tregu dhe na ndëshkon shumë rëndë. Detyrohemi të martohemi në djep dhe të marrim burrë pa pëlqimin tonë. Idetë iluministe kanë mbërritur edhe ndër ne, duke trembur për vdekje kanunin. Shumë gra janë pjesëmarrëse në luftë bashkë me burrat, duke dhënë ndihmesën e tyre në lëvizjen Kombëtare Shqiptare e në përhapjen e arsimit shqip. Mbas vitit 1850, Kushe Micja, Tome Radoja, Terezë Bërdica, çelën në gjuhën shqipe kurset e para për vajza, ku u grumbulluan një numër i madh i të tria besimeve. Këto së bashku me 11 vajza nga Shkodra e Dukagjini, kryen një kurs dyvjeçar në shkollën stigmatine në Portiko të Firences’ e në vitin 1870 u kthyen në atdhe. Duke parë interesimin e madh të familjeve shkodrane për arsimimin e vajzave të tyre, në vitin 1879, tre veprimtaret e shkollës shqipe, çelën shkollën femërore stigmatine, ku në fillim mësohej në gjuhën italiane dhe më pas edhe në gjuhën shqipe.

Historia e jetës së Marigos
Papritur Diella heshti dhe tha:-Tashmë na trego jetën tënde Marigo’ e pasi i shtrëngoi dorën, u ul në vendin e sajë. Gruaja e flamurit, mori frymë thellë, u ndesh në vështrimin dashamirës të grarisë’ e filloi ligjërimin: -Linda më 1878 në Korçë, në fshatin Hoçisht. Heshti një çast, tundi lehtë leshrat e zeza, të krehura e të prera shkurt, që i mbante të ndara anësh’ e buzëqeshi ëmbël. Tiparet imcake,u gjallëruan, hapi paksa buzët e holla e vazhdoi: -Në Korçë nuk kemi kanun. Iluminizmi francez na hapi sytë. Unë mësova në shkollën e vashave, e çelur nga Sevasti e Parashqevi Qiriazi dhe ndoqa udhën e tyre. Në moshën 26- vjeçare, vazhdoi Marigoja, u largova nga shtëpia atërore dhe u martova në qytetin e Vlorës. Korça më dituroi, më arsimoi e më civilizoi, ndërsa Vlora më burrnoi. Bashkë me shumë gra të tjera u aktivizova në veprimtaritë atdhetare. Kur u vendosa në Vlorë, ishte viti 1904 dhe menjëherë u morra me përhapjen dhe mbajtjen e shkollave shqip, për zhvillimin e ndërgjegjes kombëtare. Në vitin 1908, u krijua klubi “Labëria”, anëtarët e të cilit ishin vetëm burra lebër dhe nuk kishte asnjë grua. U paraqita e veshur me një kostum popullor nga krahina ime, i cili më shkonte shumë. Shkruesi, një lab i gjatë, me një fytyrë të ngrysur, që u ashpërsua në vend që të zbutej, qëndronte përballë’ e nuk mi hodhi sytë. Me një zë të trashur më thotë:“Me këtë kostum pe’Korçe do bënesh labe ti”. Një të ngritur bëri’ e nuk më regjistroi. Të nesërmen u paraqita me veshje qytetare, siç jam veshur sot.
Më pa’ e u habit. Ç’ke bërë kështu?- më tha. Nashti shko në shtëpi të gatuash, sepse nuk ka ballo sot. Disa burra që bisedonin aty pranë, qeshën me të madhe. Për çudinë e Marigosë, ja kishin këputur me të qeshura dhe gratë në sallë, që i kishte rrotull vetes, të cilat plot kureshtje i kërkuan të vazhdonte. Marigoja e lumturuar që u pëlqye nga shoqet e saj, tha: -Shkova në shtëpi. I kërkova nënës së burrit, të më japë një veshje burrash dhe u paraqita prapë tek “Labi”, i cili luajti vendit, qëndroi gatitu dhe menjëherë më regjistroi. Më pas, mora pjesë në organizimin e orkestrës së klubit, ku merrnin pjesë edhe dy vajzat e mia. Mjedisi vlonjat ziente nga fryma e lirisë e patriotizmës dhe nga nevoja që të dëgjohej edhe zëri i gruas. Mbaja fjalime e botova disa artikuj në organet e shtypit shqiptar në mërgim. Në ditët e para të nëndorit, erdhi në shtëpinë time një lajmëtar e më pyeti:-Ti je Marigoja? Po,- i thashë – Kam një porosi nga Ismail Qemal Vlora. Sakaq nxori nga gjiri një cohë të kuqe’ e më tha: -Me porosi të tij dhe dëshirë të kombit, duhet ta qëndisësh e ta bësh flamur, si ai i Skënderbeut –KryeZotit tonë. Pas meje, dhjetëra gra e vasha vlonjate, qëndisën dhjetëra flamurë, që zbukuruan dritaret e shtëpive dhe qytetin. Ditën e shpalljes së pavarësisë në 28 nëntor 1912, nga burrat e kombit shqiptar, të kryesuar nga plaku i urtë Ismail Qemali, isha mes tyre. Flamurin që qëndisa, plaku i urtë e mbante në duar, doli në ballkon dhe e ngriti lart duke thënë:-E gëzofshim ditën e mëvehtësisë së Shqipërisë, e gëzofshim flamurin e Skënderbeut! Një festë e vërtetë, lot gëzimi dhe mallëngjimi. -U mblodhëm sot,- tha Ismail Qemali -dhe bëmë Shqipërinë. Vepruam si Gjergj Kastrioti në 2 mars 1444, që mblodhi princat shqiptar, krijoi “Lidhjen e Lezhës” e bëri Arbërinë. Vepruam në gjurmët e Abdyl Frashërit, që në 10 qershor 1878, mblodhi patriotët shqiptar,krijoi “Lidhjen e Prizrenit” e u përpoq të bënte Shqipërinë. Kur mbërriti Isa Boletini me trimat e tij, u përkul para flamurit që kisha qëndisur dhe e puthi fort.

Vitet e para të mëvetësisë
Vitet e para të mëvetësisë, -tha Marigoja,- ishin vite lufte për të mbrojtur kufijtë nga fqinjët grabitqarë. Isa Boletini luftonte me ushtrinë serbe e malazeze, ndërsa Çerçiz Topulli me shovinistët grekë. Më 1914, kryesova komisionin për mbledhjen e ndihmave për luftëtarët e muhaxhirët e krahinave jugore të pushtuara nga trupat greke. Më 10 maj 1914, formova shoqërinë “Shpresa Kombëtare”, sipas shembullit të shoqërisë korçare “Ylli Mëngjesit” themeluar nga Parashqevi e Sevasti Qiriazi. Më1920, gruaja vlonjate u përfshi me armë në dorë, në luftën kundër pushtuesit Italian. Midis të rënave ishte edhe Sado Koshena. Edhe gratë shkodrane, e ndërpreu Marigon Marie Çoba, myslimane e katolike, me shirita bezeje të bardhë, me shkronjat e kuqe GSH, u hodhën në veprim në mbrojtje të kufijve të vendit, kundër sulmeve malazeze për pushtimin e Shkodrës. Me ne u bashkuan dhe gratë tiranase. Më 1921, vazhdoi Marigo Pozio, riorganizova shoqërinë “Shpresa Kombëtare” e drejtova gazetën time me të njëjtin emër, ku botova artikuj për zhvillimin dhe emancipimin e femrës shqiptare. Marigoja pushoi së treguari e heshti. Tashmë duhet të dëgjojmë diçka nga ju të tjerat, ndoshta nga Organizata e Gruas Tiranase.

Parashqevi Qiriazi dhe Sevasti Dako
Papritur, në sallë hynë dy zonjat hijerënda korçare, Parashqevi Qiriazi dhe Sevasti Dako, që kishin ardhur në Tiranë në 1921. Ato kishin çelur në Kamzë institutin arsimor “Kyrias” e në mars 1921, kishin organizuar shoqërinë “Gruaja Shqiptare”, ku jepnin ndihmesë Marije Paluça, Erebara, Emine Toptani etj.. Të përkushtuara me punët e institutit, ishin vonuar. Kërkuan ndjesë, parakaluan sallën duke hijeshuar më shumë dekorin e grave, të veshura allafrënga e me kostume popullore shumëngjyrëshe. Behixhe Elbasani, kryetarja e shoqërisë së grave tiranase “Shqiptarka” e mikpritësja e këtij takimi, përshëndeti hijshëm të pranishmit, duke reflektuar një kulturë oksidentale dhe tha.-Mbas vitit 1878, nga paraardhësit e familjes time, u ndje nevoja për të marrë dituri, për të mësuar në gjuhën shqip’ e për t’u çliruar nga orienti. Prania e gjatë otomane, ndikoi për mbrapsht në pozitën e gruas tiranase, në familje e në arsimimin e saj. Mjaft vajza të reja, u mbuluan me perçe, u veshën me ferexhe, u mbyllën në shtëpi e nuk u lejuan të shkonin në shkolla. Injoranca aziatike, që e sollën osmanët u mboll’ e tashmë organizata jonë po lufton ta çrrënjosë. Mbështetje kemi shtetin e shtypin shqiptar. Gazeta “Drita” shkruan: “Është turp i madh, të mos e kuptojmë ndjenjën e gruas sonë. Gratë duhen liruar nga zgjedha e keqe”.Çështja e gruas,vazhdoi Behixhe fjalën e sajë, është bërë çështje e parlamentit shqiptar dhe po trajtohet në programet e partive politike, por çlirimi i saj, sipas Nolit, do arrihet nëpërmjet shkollës, që duhet ngritur sipas përvojës perëndimore. Ndërsa Mit’hat Frashëri, në një letër dërguar Evanthi Kotes, kryetare e shoqërisë “Bashkimi i zonjave shqiptare” i shkruan…se lëvizja e nisur në qytetet kryesore për zhvillimin dhe përparimin e femrës shqiptare, të shtrihet në të gjithë vendin. Më pas të lidhet me shoqëritë e grave në Stamboll, Bukuresht, Sofje, Misir, SHBA etj., duke formuar kështu një lëvizje femërore mbarëshqiptare. Kundër pjesëmarrjes tonë në jetën shoqërore, vazhdoi Behixhe, është ngritur elementi konservator e fondamental i klerit mysliman, i cili mbron idenë, që gruaja duhet të qëndrojë e mbyllur dhe e mbuluar. Në ballë të civilizimit të gruas tiranase, janë vënë dy rilindëset, Sevasti e Parashqevi Qiriazi, të cilat çelën katër klasa mësimore ku mësohet gjuha shqipe. Lufta që kemi nisur, do jetë e gjatë, është lufta e dritës me errësirën, e dijes me paditurinë, por gruaja tiranase dhe ajo shqiptare do të zërë vendin që i takon në familje dhe shoqëri. Pas kësaj fjalie, Behixhe Elbasani e quajti takimin të mbyllur. Gratë edhe pse të besimeve të ndryshme u përqafuan si motra dhe u ndanë me plot mall. Në dy librat që lexuam, i tha Albani të shoqes, mësuam se motrat Qiriazi patën studiuar në kolegjin amerikan në Stamboll’ e pas diplomimit u kthyen në atdhe. Idenë e Sevastisë për hapjen e një shkolle femërore në qytetin e Korçës, e përshëndeti Rilindësi i shquar Naim Frashëri që asistoi në ceremoninë e diplomimit të saj dhe tha: “Motër, punë më të mirë’ e më të vyer nuk mund të bësh për Shqipërinë e mjerë sesa keni vendosur të bëni për emancipimin e grave të vendit tonë të shkretë, arsimi është arma që zhduk errësirën”. Pas përfundimit të ceremonisë, Sevastia me të vëllanë siguruan lejen perandorake’ e në 15 tetor 1891,çelën shkollën e parë për vasha në qytetin e Korçës. Megjithë presionet nga kleri ortodoks dhe autoritetet osmane, shkolla u frekuentua nga një numër i madh vashash, nga të gjitha krahinat e vendit e nga të tria besimet, duke kontribuar kështu në bashkimin kombëtar. Krahas Sevastis, në shkollën e vashave, jepte mësime Fanka Ethimi ardhur nga Manastiri. U diplomuan mësuese Polikseni Dhespoti, Efigjeni Pandavinji e Helidhona Falli Më 21 janar 1909,intelektualet Parashqevi e Sevasti Qiriazi, të frymëzuara nga idetë iluministe të Rilindësve tanë, vëllezërit Frashëri, Andon Z. Çajupi, Asdreni, e të tjerë dhe nga idetë e “Lëvizjes Femërore Europiane”, formuan shoqërinë e parë të grave në qytetin e Korçës me emrin “Ylli i Mëngjesit”. Në 27 gusht 1917 në Worçest Mass të SHBA, u krijua Partia Politike Kombëtare Shqiptare, me kryetare Sevasti Qirjako (Dako).
Në janar të vitit 1919, shpërthyen protestat e grave shqiptare
Në janar të vitit 1919, shpërthyen protestat e grave shqiptare, në mbrojtje të territoreve shqiptare nga copëtimi, plane të vëna në tryezën e diplomacisë europiane në “Konferencën e Paqes” në Paris. Gratë e Gjirokastrës përpiluan një letër për Presidentin amerikan Willson e zonjën e tij. Të njëjtën iniciativë morën edhe motrat Qiriazi, që i shkruanin presidentit Willson e “Fuqive të Mëdha”, ku theksonin: “Do luftojmë kundër pretendimit të ç’do fuqie për protektorat mbi Shqipërinë. Nuk do lejojmë askënd të cenojë sado pak tërësinë tokësore të shtetit shqiptar. T ë anulohen vendimet e Konferencës së Londrës për Kosovën, Çamërinë e toka të tjera shqiptare dhe ato t’i kthehen përsëri Shqipërisë. Për mbrojtjen e kësaj platforme, midis delegatëve shqiptarë në Konferencën e Paqes në Paris ishte edhe Rilindësja Shqiptare, Parashqevi Qiriazi.
Ishte gdhirë data 23 prill 2014 dhe Shqipja pothuajse kishte mbaruar pastrimin e lokalit. Albani e vështronte’ e duke buzëqeshur i thotë: -Ju gratë duhet të mburreni me heroinat shqiptare që bënë histori dhe lanë gjurmë të thella në tokën arbënore. Ato janë shumë. Unë do veçoj luftëtaren e “Lëvizjes Kombëtare Shqiptare”, heroinën Shote Galica, aktivistet e “Rilindjes Kombëtare”, intelektualet Sevasti e Parshqevi Qiriazi, gruan e flamurit Marigo Pozio, pa harruar heroinën e “Luftës Nacionalçlirimtare” dëshmoren Zonja Curre. Në klubin “Rilindja” e Alban Bamirit, dritat u shuan dhe të dy pronarët, burrë e grua e kaluan me nxitim një copë të shkurtër rruge. Qielli ishte vrenjtur. Sa kaptuan pragun e shtëpisë, filloi përsëri një rrebesh shumë i madh. Albani e ndoqi shiun nga dritarja dhe para se të shtrihej për të fjetur tha: -Tashmë le të bjerë dhe të shpëlajë për tan’ natën të gjitha fëlliqësirat e qytetit.

Filed Under: Histori Tagged With: 105 Vjetori o rganizates""Yll I Mengjesit, Harallamb Kote, Motrat korçare Parashqevi e Sevasti Qiriazi

TAKIM NË BOSTON I KRYETARIT TË VATRËS

October 4, 2014 by dgreca

Kryetari i Federatës Panshqiptare të Amerikës, dr. Gjon Bucaj ishte me 1 dhe 2 tetor në Boston, ku u takua me një grup atdhetarësh për të organizuar degën e Federatës Panshqiptare të Amerikës, Vatra, dikur zemra e vatrnëve dhe vendthemelimi i Federatës.
Ky takim ishte i thirrur nga Adnan Mlika, i cili ëshët bërë inisiatori i rorganizimit. Takimi u organizuar në restorantin e një bashkatdhetari. Dr. Bucaj informoi për zhvillimet më të fundit në Vatër, për riorganizmin e degëve të saj në Shtetet e Bashkuara, riorganizim që ka filluar para 100 vjetorit të Vatrës dhe po shtrihet në shumë shtete. Kryetari Bucaj iu përgjigj pyetjeve të pjesmarrësve për zhvillimet dhe qëndrimet e Vatrës.
Të pranishmit në takim ia besuan riorganizimine degës z. Adnan Mlika, për t’ia lënë vendin një takimi të zgjeruar në të ardhmen e afërt.
Sot Kryetari i Vatrës ndodhet në Michigan, ku do të takojë vatranët e atjeshëm.(Korresp. i Diellit)

Filed Under: Vatra Tagged With: Gjon Bucaj, I KRYETARIT TË VATRËS, TAKIM NË BOSTON

SE NE TË GJITHË VUANIM NJËSOJ…

October 4, 2014 by dgreca

Tregim i jetuar/Memisha GJONZENELI–Tragjasi;Tregim, Ne te gjithe je I burgosur politik/
Të burgosurit sapo ishin ngritur, kur dëgjuan një zhurmë që u përhap në të gjithe burgun, nga llozet e dyerve gjysëm metalike që hapeshin e mbylleshin. Edhe dera e dhomës sonë u hap me zhurmë rrënqethse. Oficeri i rojes, bërtiti me një zë të çjerrë dhe me egërsi: – Ata që do të dëgjojn emërat, përjashta me gjithë plaçka.
Të burgosurit e vjetër na than se do të na çonin në kampe, se partia kishte nevojë për punë. Kur dola në koridor me plaçat në krah, pashë se edhe të burgosurit e tjerë ishin në një moshë të re si unë. Na nxorrën në oborrin e burgut, na kontrolluan dhe na lidhën dy e nga dy, na hipën në autoburg dhe prap na lidhën të gjithve me një zinzhir të gjatë. Dhe kështu të lidhur në darkë mbritëm në Thumane. Unë isha lidhur me një djal të ri, pak më të madh në mosh, që siç mora vesh më von e quanin Faik edhe në kapanon gjetëm dy vende pran njeri tjetrit. Te nesërmen që pa gdhirë, na nisën në punë. Mua, që ende nuk kishja mbushur 16 vjeç, më dhanë një lopatë, ndërsa Faikut një bel mbasi qe më i madh dhe me shëndet. Kështu vazhdonte jeta në kampin e punës, duke menduar çdo ditë se kur do të kalonin ato vite vuajtje: une isha denuar 6 vjete si i mitur, ndërsa Faiku 18 vjet. Një ditë dëgjova tellallin e burgut që thërriste emërin e Faikut.
– O vëlla, më tha ai, mos ke nja dy trasta se më kanë ardhur nga shtëpia.
Mblodha shpejt e shpejt, nëpër shok, ca enë dhe nja dy trasta dhe ia dhash. Faiku u kthye i përlotur nga takimi, i verdh dyll e i dobët. E kapa për krahu, e ula në një ndënjëse druri ku vendosëm edhe ushqimet. Ai s`po e merte veten nga ai takim. Më pas fshiu sytë dhe për çudi filloi të buzëqesh. – Beson, më tha, më erdhi nëna. Fliste me një zë të çuditshëm që se kisha dëgjuar më parë, edhe syte i shndrisnin. – Sa mirë, i thash, dhe e perqafova forte.
– Nëna më shau, tha ai.
– Po pse? – e pyeta unë.
– – – Ti e di, më tha, që ne na lejohet t`i dërgojm familjes vetëm një letër në muaj dhe vetëm një faqe fletorje. E ç`të shkruash më par në atë faqe? Kështu që unë letrën e mbyll gjithëmon me fjalet: U perqafoj të gjithëve me shumë mall.
– Po, i thash, edhe unë kështu e bëj.
– Por a e di ti se ç`më tha nëna? Të kam rritur me halle, që unë dhe Zoti e dimë, dhe ti asnjë rrjesht nuk shkruan për mua dhe iku e zemëruar, prandaj po qaja. Brengën e Faikut e ndieva thelle, dhe mendova të bisedoja me një të burgosur që kishte talent në fushën e letërsisë, për t`i shkruar një letër nënës së Faikut. * * *
Unë i tregova Faikut, se vëllai im Qamili, nga bregu Sarandës ishte hedhur në det dhe me not kishte dalë në Korfuz. Mbas tre muaj më futën edhe mua brenda dhe më dhanë 12 vjet privim lirije, mirëpo si i mitur, akoma nuk kishja mbushur 16 vjeç, më ulej gjysma e dënimit, e kështu që jam dënuar 6 vjet. – Po tyj, e pyeta Faikun, pse të kanë sjellë këtu ?
Faiku, ra përsëri në mendime dhe filloi të flasë ngadalë. Në fshat, kisha një shok si vëlla, me të kullosnim çdo ditë delet. Nuk ndaheshim nga njeri tjetri. Edhe kur e thirrën ushtar, se ishte më i madh se unë, vajta e takva. Por për çudinë time, ai u mërzit me mua, se përse kisha vajtur ta takoja me pantallona me handra. Ne, më tha ai, na ka thënë komisari se në Shqipëri nuk ka varfëri dhe njerëzit rrojnë të lumtur dhe në bollëk, jo si në vendet kapitaliste. E pash me kujdes dhe mu duk se e kishte harruar fshatin. Kur u lirua nga ushtria, nuk ishte më ai i pari e me gjith atë unë i besoja dhe qëndroja pranë tij. Një natë, që mos ardht kurrë, pash një ëndërr. M`u bë sikur ishja duke kullotur dhëntë dhe në xhade m`u duk se po vinte një kollonë me vetura dhe sapo u afruan, une mora pushkën dhe qëllova në një nga veturat, kur një zë më tha, që në atë veturë ishte shoku Mehmet Shehu. Në mëngjes sapo e takova shokun tim i tregova ëndërrën. Ai e dëgjoi me vëmëndje dhe nuk foli fare. Pas dy ditësh më folën në këshillin e fshatit. Kur po afrohesha, pash një makinë te dera e këshillit edhe nja dy civila. Sapo hyra brenda, hynë edhe ata civilat. Më kapën me forcë nga krahët dhe më thanë: – Në emër të popullit, je arrestuar, ti kulish ballisti! Më hodhën hekurat, më futën në makin dhe më plasën në një qeli, duke më goditur me shqelma dhe grushta. Fillimisht mendova se më arrestuan për punën e babait sepse ai gjatë kohës së luftës kishte qënë me Ballin, ashtu më t6hanë edhe ata që më arrestuan: “Kulish Ballisti!”. Pas tetë muaj tortura, më nxorrën në gjyq. Prokurori kërkoi dënim me vdekje, si bir ballisti që ëndërron të bëjë terrorizëm kundër udhëheqësve të Partisë dhe për agjitacion e propogandë. Gjykata, “mëshiroj” duke më dhënë vetëm 18 vjet, kështu që tani jemi të dy armiq të popullit!? Pra nuk duhet të shikosh ëndërra të tilla, por dhe po pe, qepe gojën dhe mos ia trego asnjeriu. * * *
Një ditë na erdhi shkrimtari, siç i thoshin ne, për t`i shkruar Faikut një letër për nënën dhe për letrën ai kërkoi një baqetë. Në burg, në vend të monedhës përdorej baqeta, ne vend te 1000 lekëve përdorej një kilogram sheqer etj. Te nesërmen shkrimtari erdhi me letrën në dorë, të cilën unë ia lexova Faikut, pasi ai nuk dinte shkrim e këndim: “E dashur dhe e shtrenjta nëna ime e rrall! I dashuri baba, e dashur motër e vëllait!
Para se t`u pyes për shëndetin, ju lutem, gjithëmon ju lutem, të më falni për atë që unë u shkaktova të gjith juve edhe vetes. Por, i lutem Zotit e ndofta më jep mundësin të ua shlyej sado pak atë që u shkaktova. Në vend që t`i vija shpatullat shtëpis unë jam në burg…
Nëna ime sa shumë te dua… Më kujtohet kur isha i vogel, ulesha në prehërin tënd të dashur, lozja me flokët e bukur të tu, mbuloja fytyrën me kaçurelat e tua, sa i lumtur isha dhe kur ti ngriheshe, unë të kapja pas fustanit, nuk doja të ndaheshim. O Zot, sikur e dija që një ditë do të vinte ndarja. Kur bëja gabime më kapje për veshi, pastaj më mbuloje me të puthura dhe përqafime… Si sot më kujtohet kur më shpure në shkollë. Unë nuk doja të ndahesha nga ty, por ti më the që do rrije pas derës dhe do më prisje… Kur u rrita dhe shkoja zbathur pas bagëtive, kthehesha shpesh me këmbë të fryra nga gjembat. Ti merrje gjilpërën dhe më hiqje gjëmbat me ato duart e buta të tua, shpesh me mblithte këmba, ti ma çpoje me gjilpër dhe ma lidhje me një rrobë të pastër…
Kur ti punoje me kosor që prisje ferra të mbushej dora me gjëmba, unë kisha dorë të leht dhe t`i pastroja dhe kur mbaroja ta mbuloja me të puthura… Po ja, nënë e dashur, kur u rrita doja edhe të martohsha që t`u gëzoja edhe juve po edhe tu ndihmoja, po e sheh ç`far u bëra… Ti, motër të lutem bëne shpirtin dhe zemrën të madhe mase më fal. E di që të kam prishur edhe fatin se të thonë: motra e armikut të popullit, por të lutem falëm… Do ju lutem të mos më vini më në burg, e të mos harxhohi, mbasi unë këtu e kam të siguruar supën dhe bukën, ndërsa ju vuani, e duhet të punoni shumë të siguroni kafshatën e gojës, mos e hiqeni nga goja juaj dhe të ma sillni mua. Më vret shum kjo sakrific që bëni për mua. Nëna ime të puth sytë e bukur, të puth duart e buta dhe ballin si argjent. Ty baba i dashur të puth dhe te përqafoj me mall. Motër shumë e dashur të përqafon vëllai me mall dhe me një fat si e do ti… Gjithëmonë, juaj për jetë Faiku”. Ndërsa i lexoja letrën Faiku qante, pastaj ngriti kokën, fshiu lotët, hapi trastën, nxori prej saj baqetën dhe ia dha shkrimtarit, duke i thënë: – Faleminderit! Sa çudi, më duket sikur ti ke jetuar bashkë me mua në fshatin tim, kaq bukur e ke shkruar. – – Po, tha shkrimtari, se ne të gjithë vuanim njësoj. * * *
Nëna, e gëzuar dhe e kënaqur nga ajo letër, iu përgjigj të birit: “Po të presim krah hapur deri sa të lirohesh. Nëna të ka gjetur edhe një nuse të bukur’’. Dëshira e nënës nuk u plotësua. Gjashtë muaj mbasi Mehmet Shehu vrau veten, Faiku ndërroj jetë në spitalin e burgut të Tiranës, nga një sëmundje e rëndë dhe varri tij humbi përgjithmonë.

Filed Under: Sofra Poetike Tagged With: ish i burgosur, Mimisha Gjonzeneli, tregim i jetuar, vuanim njesoj

Po Kadaresë cmimin Nobel! E kemi nga ata margaritarët që bota na e ka lakmi!

October 4, 2014 by dgreca

Nga Fahri XHARRA/
“Natyra e ka dijtur të na nderon me gjeniun e madh, të përzgjedhur nga mëshira e saj, që t`i tregon botës se jemi një popull që ende frymon që nga lashtësitë mijëravjeqare. Kadareja është fati historik i një mburrjeje kombetare,”
Të ngritësh zërin pro Kandidatit për Çmimin Nobel, do të thotë të ngritësh zërin pro një populli të tërë, pro popullit tonë e që fatbardhësisht Kadareja është “Nobeli” i kombit shqiptar. E neve kurr më tepër se sot nuk na u është dashur ky Kadare. Po Kadaresë për çmimin Nobel!
Kombi ynë do te nderronte imazhin e tij në botë sikur shkrimtari Ismail Kadare te fitonte çmimin Nobel.Duhet të mblidhen te gjithë shqiptarët e botës ; të gjithë me një mendje pa dallim feje , pa dallim bindjeje politike, pa dallim vetë-urrejtjeje, pa dallim nga veprimet komb vetëvrasese të intrigave dhe intriganteve , pa dallim të qëllimeve të njerzve tanë që vuajnë nga” vetem per inat”, pa dallim moshe ,gjinije.
-Bashkësitë fetare muslimane , katolike ,ortodokse të të gjithë shqiptarëve të botës të shkruajnë: Po Kadaresë cmimin Nobel!
-Të gjithë ata që e duan të ardhmen tonë, të fëmijve tanë në Europën e qyteteruar të shkruajnë: Po Kadaresë cmimin Nobel!
-Të gjithë ata qe shkruajnë dhe te gjithë ata që lexojnë te nenshkruahnë: Po Kadaresë cmimin Nobel!
– Dashuria ,atdhetaria ,mallkimi i vuajtjeve të së kaluarës të bashkohen dhe të nenshkruajnë: Po Kadaresë cmimin Nobel!
– Unë ,ti ,ai ajo , na ju , na ,ata dhe ato te themi : Po Kadaresë cmimin Nobel!
– Cdo gazetë e përditëshme , javore ,mujore, cdo stacion televiziv ,cdo radio shqiptare te rezervojnë një minute për: Po Kadaresë cmimin Nobel!
– Sikur . S`ka sikur ; ardhmeria e atdheut thërret: Po Kadaresë cmimin Nobel!
Po Kadaresë çmimin Nobel!
Kadareja e ka vendin në ballin e oxhakut të Kombit, por edhe ju pajtoheni me këte.
Në kohën kur Kosovës i duhet shlyerja e hipotekave të këqija, në kohën kur Kosovës i duhet Kadareja, në kohën kur Kosovës vetëm miqtë e vërtetë mund t`i ndihmojnë , atëherë : Po Kadaresë çmimin Nobel
E dijmë mire që konferenca e Rambujes e kishte Kadarenë mbrapa.E dijmë mirë që mos të ishte Kadareje, historija e Kosovës do të shkruhej ndryshe? Eh ,sikur historija të shkruhej ndryshe atëherë edhe kombi shqipëtar do të ishte ndryshe !
Shqipërisë e të gjitha tokave mbarëshqiptare na duhet Kadareja. Neve na duhet Nobeli. Duhet t`i jemi natyrës mirënjohës që na e fali Kadarenë mu në kohën më të nevojshme për ne.
Këngjilli dhe gjerdani prej ari i nuk trazohen kurr ndër veti : Po e citoj vetëm pak: “Çështja e faktorit shqiptar mund të përmblidhet në një frazë: shqiptarët kanë qenë në qendër të historisë së Ballkanit dhe sot janë kthyer përsëri në qendër. Ky fakt, fakti që ky kthim u bë në formën befasuese të dy shteteve, nuk ndryshon asgjë në thelbin e çështjes. Kryesorja është që populli shqiptar, në këtë fazë të re të historisë së tij, ka rastin të tregojë , përpara vetes në radhë të parë, por përpara aleatëve tanë gjithashtu, se ky rikthim i tij është i mbarë, i shëndetshëm, drejtpeshues për të dhe për të tjerët. Me fjalë të tjera, s’kemi të bëjmë këtu me një kërkim revanshi apo mburrjeje, e aq më pak me një synim për të dëmtuar dikë. Kam bindjen se kjo prani e fuqishme shqiptare do të thotë, në radhë të parë, përgjegjësi e dyfishtë për paqen dhe stabilitetin në Ballkan.
Dhe seriozitet i dyfishtë gjithashtu. (Kadare)”
Neve na duhet KADAREJA! E kemi nga ata margaritarët që bota na e ka lakmi!

“ Shqipëria me Kadarenë, e ka jetën përpara” – Laurence Cosse (Le Quotidien de Paris,17.03.1982) shkruanin në Europë . E ende shkruajnë.

Filed Under: ESSE Tagged With: Fahri Xharar, per Ismail Kadarene, Po cmimit Nobel

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 46
  • 47
  • 48
  • 49
  • 50
  • …
  • 54
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Kontributi shumëdimensional i Klerit Katolik dhe i Elitave Shqiptare në Pavarësinë e Shqipërisë 
  • Takimi i përvitshëm i Malësorëve të New Yorkut – Mbrëmje fondmbledhëse për Shoqatën “Malësia e Madhe”
  • Edi Rama, Belinda Balluku, SPAK, kur drejtësia troket, pushteti zbulohet!
  • “Strategjia Trump, ShBA më e fortë, Interesat Amerikane mbi gjithçka”
  • Pse leku shqiptar duket i fortë ndërsa ekonomia ndihet e dobët
  • IMAM ISA HOXHA (1918–2001), NJË JETË NË SHËRBIM TË FESË, DIJES, KULTURËS DHE ÇËSHTJES KOMBËTARE SHQIPTARE
  • UGSH ndan çmimet vjetore për gazetarët shqiptarë dhe për fituesit e konkursit “Vangjush Gambeta”
  • Fjala përshëndetëse e kryetarit të Federatës Vatra Dr. Elmi Berisha për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë në Seancën Akademike kushtuar 100 vjetorit të lindjes së Peter Priftit
  • Shqipëria u bë pjesë e Lidhjes së Kombeve (17 dhjetor 1920)
  • NJЁ SURPRIZЁ XHENTЁLMENЁSH E GJON MILIT   
  • Format jo standarde të pullave në Filatelinë Shqiptare
  • Avokati i kujt?
  • MËSIMI I GJUHËS SHQIPE SI MJET PËR FORMIMIN E VETEDIJES KOMBËTARE TE SHQIPTARËT  
  • MES KULTURES DHE HIJEVE TE ANTIKULTURES
  • Historia dhe braktisja e Kullës së Elez Murrës – Një apel për të shpëtuar trashëgiminë historike

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT