Historitë e pabesueshme dhe sekretet e organizmit të femrës shqiptare në shekuj që nga motrat Qiriazi dhe deri tek Marigoja/
105- vjetori i organizatës së parë të grave shqiptare “Yll’ i Mëngjesit” 1909-2014/
Nga Harallamb KOTA/
Klubi “Rilindja” në Tiranë/
Më 21 shtator 2014, kryeqyteti i shqiptarëve, që nga agu i mëngjesit deri në mbrëmje vonë, përjetoi orët e lumtura europiane. Populli priti dhe përcolli me madhështi atin e shenjtë Papa Françesku. Të nesërmen, në klubin “Rilindja”, në Tiranë që frekuentohej nga intelektualë të moshave të ndryshme dhe tek – tuk nga ndonjë politikan, Albani –nipi i gjysh Arbërit, sa hyri në lokalin pronë e tij, ngriti zërin duke thënë: -Masa të mëdha njerëzish, besimtarë e laikë u mblodhën në sheshin “Nënë Tereza”në sheshin “Skëndërbej” dhe anës bulevardit “Dëshmorët e Kombit”, duke manifestuar bashkëjetesën natyrale që kemi. Filozofia e kësaj bashkëjetese, (tha Albani me zë të lartë, pasi po ndiqte një çast lajmet e mëngjesit), e ka themelin tek filozofia e Samiut, Naimit me shokë dhe tek thënia e shenjtë e Pashko Vasës: “Feja e shqiptarit është Shqiptaria”. Duke u ndjerë më i qetë, pasi e tha fjalën që e mundonte, u ul në ndenjësen e tij dhe filloi të lexonte me shumë vëmendje, librin “Pluralizmi Politik Shqiptar, gjatë periudhës 1914-1924”,një punim shkencor nga Prof. dr. Hysen Kordha e Dr. Rudina Mita. Libër interesant, mërmëriste me vete e shfletonte faqet e tij, duke bërë nënvizime. Në karrigen ngjitur, e shoqja Shqipja, lexonte me ëndje një libër tjetër “Gruaja në Shqipëri” më 1912-1939, shkruar nga Fatmira Musaj. Albani, pushoi një çast dhe plot kërshëri vazhdoi leximin, deri sa mbaroi edhe faqen e fundit. Lëvizi nëpër sallë, piu një shishe gjysmë litre me ujë të gazuar dhe rrufiti kafenë e dytë të asaj dite. Shqipja e kishte përfunduar leximin e librit me kohë, kishte sistemuar disa punë dhe pasi u ul pyeti të shoqin:-Alban më thuaj, kur u organizuan gratë shqiptare? Kur u çliruan nga kanuni dhe nga ferexhetë?
Motrat korçare Parashqevi e Sevasti Qiriazi
-Sipas këtyre dy librave, nënvizoi Albani dhe ju drejtua Shqipes,-gratë janë organizuar në vitin 1909 nga motrat korçare Parashqevi e Sevasti Qiriazi. Ato krijuan organizatën e parë të grave “Yll’i Mëngjesit”. Në shembullin e tyre, vasha korçare Marigo Pozio, organizoi në Vlorë më 1914, shoqërinë “Shpresa Kombëtare”. Më pas, më 1920-n u formuan disa shoqëri të tjera. Marie Çoba, organizoi në Shkodër shoqërinë “Gruaja Shqiptare” dhe mësuesja Urani Rumbo organizoi në Gjirokastër, shoqërinë “Përmirësimi”. Mbas disa viteve, më 1924, Behixhe Elbasani, organizoi në Tiranë shoqërinë “Shqiptarka”. Këto ngjarje përfundoi bisedën Albani, flasin për zgjimin e grave nga gjumi letargjik, që e pat “nanurisur” Porta e Lartë, Kanuni dhe fondamentalizmi. Liria e gruas të kujton të shkuarën, Teutën -mbretëreshën e Ilirisë dhe Mamicën -princeshën e Arbërisë. Pas 500 vjet nën robërinë osmane, shqiptarët u mblodhën në vitin 1878 në Lidhjen e Prizerenit dhe u organizuan në Lëvizjen Kombëtare. Fill pas këtyre ngjarjeve, filloi dhe “Rilindja e Grave” me Shote Galicën, Norën dhe Tringën, me Sevasti e Parashqevi Qiriazin, me gruan e flamurit Marigo Pozio, deri me heroinën Zonja Çurre…….
Klubi “Rilindja”, me këtë emër e quajti më 1878 Kostandin Kristoforidhi
Në janar të vitit 1921, -vazhdoi Albani,- qeveritarët dhe nëpunësit e administratës, erdhën në Tiranë, e cila në Kongresin e Lushnjës ishte caktuar Kryeqytet i Shqipërisë. Pas tyre, rendën tregtarë, pasanikë, pronarë tokash e industrialistë. Në mjediset qendrore të qytetit u vendos qeveria dhe Parlamenti. Anës Rrugës, që fillonte nga Ura e Tabakëve’e kalonte përbri godinave shtetërore dhe gjatohej deri në kryqëzim me rrugën që të shpie në Dibër, u ndërtuan me një shpejtësi marramendëse, një numër i madh godinash me dy e tre kate, që shërbenin si hotele e dyqane. Në këtë rrugë, gjendej edhe klubi “Rilindja”, e gjyshit tim Arbër Bamiri. Pikërisht në këtë klub, ku shërbente një grua e bëshme e veshur me petka kombëtare, më 9 prill të 1924, mbërritën shumë gra lidhur krahu njëra me tjetrën, aq shumë shtrënguar, sa nuk hynin dot brenda. Gjyshja ime, në ato vite ishte e re. Ajo u shqetësua nga të shtyrat, pasi rrezikohej të shembej dera me gjithë kanata, doli në krye’ e u tha: -Moj gra, zgjidhuni edhe hyni njëra pas tjetrës. Tashmë që keni zgjidh nyjet e kanunit, s’po dini me ec secila më vehti”. Sakaq u ndje një lëvizje shtjelluse. Krahët u liruan njëheri’ e bashkë me to, fituan “lirinë” edhe zonjat e tyre. Njëra pas tjetrës, ato u ulën në ndenjëset që kishin mbushur lokalin. Gratë, që në fillim erdhën tufa-tufa, në sallë u ndjenë të “çliruara” e filluan menjëherë bisedat, ku secila rrezatonte karakterin e vlerat e zonës nga kishte ardhur. Arbëri, shoqëruar nga e shoqja, i uroi grave mirseardhjen dhe pa e pyetur askush prej tyre u tha: -Ky klub quhet “Rilindja”. Me këtë emër e quajti më 1878 Kostandin Kristoforidhi, i cili banonte lart në katin e dytë’ e i mësonte fëmijëve fshehurazi të shkruanin gjuhën shqipe. Mësuesi, ç’do natë na tregonte histori të shumta, që po patët durim do ua tregoj edhe juve. Sakaq në hyrje të sallës, u shfaq gruaja e flamurit Marigo Pozio.Tualeti i lehtë ja kishte spikatur më thellë tiparet. Albani heshti. Zonja me të hyrë brenda u prezantua:-Quhem Marigo, pastaj heshti. Diella, një grua malësore e veshur me kostumin popullor të zonës së saj, ku i shndriste një medalion i madh floriri, u ngrit në këmbë e shkoi drejt saj. Këpucët lustrafin që kishte veshur, binin në sy nga takat e larta, që lartoheshin deri në nyjen e parë të thembrës, me çorapet e bardha e të holla. Me t’i mbërritur pranë’ e përqafoi e i tha: -Të njohim Marigo. Lahutarët e malësisë të këndojnë këngë, njëlloj si kreshnikeve Shote Galica, që luftoi më 1910, kundër forcave të Shefqet Turgut Pashës, në Grykën e Kaçanikut, Nor Kolja, Tringë Smajli’ e vajza të tjera që morën pjesë më 1912, në kryengritjen e madhe kundërosmane. Në anët tona, vazhdoi Diella, duke hedhur për një çast vështrimin nga Marie Çoba kryetarja e gruas shkodrane, tregohet legjenda e Rozafës, që u vetësakrifikua në emër të jetës. “Ka shekuj, që në zonat tona sundon kanuni, i cili na konsideron plaçkë tregu dhe na ndëshkon shumë rëndë. Detyrohemi të martohemi në djep dhe të marrim burrë pa pëlqimin tonë. Idetë iluministe kanë mbërritur edhe ndër ne, duke trembur për vdekje kanunin. Shumë gra janë pjesëmarrëse në luftë bashkë me burrat, duke dhënë ndihmesën e tyre në lëvizjen Kombëtare Shqiptare e në përhapjen e arsimit shqip. Mbas vitit 1850, Kushe Micja, Tome Radoja, Terezë Bërdica, çelën në gjuhën shqipe kurset e para për vajza, ku u grumbulluan një numër i madh i të tria besimeve. Këto së bashku me 11 vajza nga Shkodra e Dukagjini, kryen një kurs dyvjeçar në shkollën stigmatine në Portiko të Firences’ e në vitin 1870 u kthyen në atdhe. Duke parë interesimin e madh të familjeve shkodrane për arsimimin e vajzave të tyre, në vitin 1879, tre veprimtaret e shkollës shqipe, çelën shkollën femërore stigmatine, ku në fillim mësohej në gjuhën italiane dhe më pas edhe në gjuhën shqipe.
Historia e jetës së Marigos
Papritur Diella heshti dhe tha:-Tashmë na trego jetën tënde Marigo’ e pasi i shtrëngoi dorën, u ul në vendin e sajë. Gruaja e flamurit, mori frymë thellë, u ndesh në vështrimin dashamirës të grarisë’ e filloi ligjërimin: -Linda më 1878 në Korçë, në fshatin Hoçisht. Heshti një çast, tundi lehtë leshrat e zeza, të krehura e të prera shkurt, që i mbante të ndara anësh’ e buzëqeshi ëmbël. Tiparet imcake,u gjallëruan, hapi paksa buzët e holla e vazhdoi: -Në Korçë nuk kemi kanun. Iluminizmi francez na hapi sytë. Unë mësova në shkollën e vashave, e çelur nga Sevasti e Parashqevi Qiriazi dhe ndoqa udhën e tyre. Në moshën 26- vjeçare, vazhdoi Marigoja, u largova nga shtëpia atërore dhe u martova në qytetin e Vlorës. Korça më dituroi, më arsimoi e më civilizoi, ndërsa Vlora më burrnoi. Bashkë me shumë gra të tjera u aktivizova në veprimtaritë atdhetare. Kur u vendosa në Vlorë, ishte viti 1904 dhe menjëherë u morra me përhapjen dhe mbajtjen e shkollave shqip, për zhvillimin e ndërgjegjes kombëtare. Në vitin 1908, u krijua klubi “Labëria”, anëtarët e të cilit ishin vetëm burra lebër dhe nuk kishte asnjë grua. U paraqita e veshur me një kostum popullor nga krahina ime, i cili më shkonte shumë. Shkruesi, një lab i gjatë, me një fytyrë të ngrysur, që u ashpërsua në vend që të zbutej, qëndronte përballë’ e nuk mi hodhi sytë. Me një zë të trashur më thotë:“Me këtë kostum pe’Korçe do bënesh labe ti”. Një të ngritur bëri’ e nuk më regjistroi. Të nesërmen u paraqita me veshje qytetare, siç jam veshur sot.
Më pa’ e u habit. Ç’ke bërë kështu?- më tha. Nashti shko në shtëpi të gatuash, sepse nuk ka ballo sot. Disa burra që bisedonin aty pranë, qeshën me të madhe. Për çudinë e Marigosë, ja kishin këputur me të qeshura dhe gratë në sallë, që i kishte rrotull vetes, të cilat plot kureshtje i kërkuan të vazhdonte. Marigoja e lumturuar që u pëlqye nga shoqet e saj, tha: -Shkova në shtëpi. I kërkova nënës së burrit, të më japë një veshje burrash dhe u paraqita prapë tek “Labi”, i cili luajti vendit, qëndroi gatitu dhe menjëherë më regjistroi. Më pas, mora pjesë në organizimin e orkestrës së klubit, ku merrnin pjesë edhe dy vajzat e mia. Mjedisi vlonjat ziente nga fryma e lirisë e patriotizmës dhe nga nevoja që të dëgjohej edhe zëri i gruas. Mbaja fjalime e botova disa artikuj në organet e shtypit shqiptar në mërgim. Në ditët e para të nëndorit, erdhi në shtëpinë time një lajmëtar e më pyeti:-Ti je Marigoja? Po,- i thashë – Kam një porosi nga Ismail Qemal Vlora. Sakaq nxori nga gjiri një cohë të kuqe’ e më tha: -Me porosi të tij dhe dëshirë të kombit, duhet ta qëndisësh e ta bësh flamur, si ai i Skënderbeut –KryeZotit tonë. Pas meje, dhjetëra gra e vasha vlonjate, qëndisën dhjetëra flamurë, që zbukuruan dritaret e shtëpive dhe qytetin. Ditën e shpalljes së pavarësisë në 28 nëntor 1912, nga burrat e kombit shqiptar, të kryesuar nga plaku i urtë Ismail Qemali, isha mes tyre. Flamurin që qëndisa, plaku i urtë e mbante në duar, doli në ballkon dhe e ngriti lart duke thënë:-E gëzofshim ditën e mëvehtësisë së Shqipërisë, e gëzofshim flamurin e Skënderbeut! Një festë e vërtetë, lot gëzimi dhe mallëngjimi. -U mblodhëm sot,- tha Ismail Qemali -dhe bëmë Shqipërinë. Vepruam si Gjergj Kastrioti në 2 mars 1444, që mblodhi princat shqiptar, krijoi “Lidhjen e Lezhës” e bëri Arbërinë. Vepruam në gjurmët e Abdyl Frashërit, që në 10 qershor 1878, mblodhi patriotët shqiptar,krijoi “Lidhjen e Prizrenit” e u përpoq të bënte Shqipërinë. Kur mbërriti Isa Boletini me trimat e tij, u përkul para flamurit që kisha qëndisur dhe e puthi fort.
Vitet e para të mëvetësisë
Vitet e para të mëvetësisë, -tha Marigoja,- ishin vite lufte për të mbrojtur kufijtë nga fqinjët grabitqarë. Isa Boletini luftonte me ushtrinë serbe e malazeze, ndërsa Çerçiz Topulli me shovinistët grekë. Më 1914, kryesova komisionin për mbledhjen e ndihmave për luftëtarët e muhaxhirët e krahinave jugore të pushtuara nga trupat greke. Më 10 maj 1914, formova shoqërinë “Shpresa Kombëtare”, sipas shembullit të shoqërisë korçare “Ylli Mëngjesit” themeluar nga Parashqevi e Sevasti Qiriazi. Më1920, gruaja vlonjate u përfshi me armë në dorë, në luftën kundër pushtuesit Italian. Midis të rënave ishte edhe Sado Koshena. Edhe gratë shkodrane, e ndërpreu Marigon Marie Çoba, myslimane e katolike, me shirita bezeje të bardhë, me shkronjat e kuqe GSH, u hodhën në veprim në mbrojtje të kufijve të vendit, kundër sulmeve malazeze për pushtimin e Shkodrës. Me ne u bashkuan dhe gratë tiranase. Më 1921, vazhdoi Marigo Pozio, riorganizova shoqërinë “Shpresa Kombëtare” e drejtova gazetën time me të njëjtin emër, ku botova artikuj për zhvillimin dhe emancipimin e femrës shqiptare. Marigoja pushoi së treguari e heshti. Tashmë duhet të dëgjojmë diçka nga ju të tjerat, ndoshta nga Organizata e Gruas Tiranase.
Parashqevi Qiriazi dhe Sevasti Dako
Papritur, në sallë hynë dy zonjat hijerënda korçare, Parashqevi Qiriazi dhe Sevasti Dako, që kishin ardhur në Tiranë në 1921. Ato kishin çelur në Kamzë institutin arsimor “Kyrias” e në mars 1921, kishin organizuar shoqërinë “Gruaja Shqiptare”, ku jepnin ndihmesë Marije Paluça, Erebara, Emine Toptani etj.. Të përkushtuara me punët e institutit, ishin vonuar. Kërkuan ndjesë, parakaluan sallën duke hijeshuar më shumë dekorin e grave, të veshura allafrënga e me kostume popullore shumëngjyrëshe. Behixhe Elbasani, kryetarja e shoqërisë së grave tiranase “Shqiptarka” e mikpritësja e këtij takimi, përshëndeti hijshëm të pranishmit, duke reflektuar një kulturë oksidentale dhe tha.-Mbas vitit 1878, nga paraardhësit e familjes time, u ndje nevoja për të marrë dituri, për të mësuar në gjuhën shqip’ e për t’u çliruar nga orienti. Prania e gjatë otomane, ndikoi për mbrapsht në pozitën e gruas tiranase, në familje e në arsimimin e saj. Mjaft vajza të reja, u mbuluan me perçe, u veshën me ferexhe, u mbyllën në shtëpi e nuk u lejuan të shkonin në shkolla. Injoranca aziatike, që e sollën osmanët u mboll’ e tashmë organizata jonë po lufton ta çrrënjosë. Mbështetje kemi shtetin e shtypin shqiptar. Gazeta “Drita” shkruan: “Është turp i madh, të mos e kuptojmë ndjenjën e gruas sonë. Gratë duhen liruar nga zgjedha e keqe”.Çështja e gruas,vazhdoi Behixhe fjalën e sajë, është bërë çështje e parlamentit shqiptar dhe po trajtohet në programet e partive politike, por çlirimi i saj, sipas Nolit, do arrihet nëpërmjet shkollës, që duhet ngritur sipas përvojës perëndimore. Ndërsa Mit’hat Frashëri, në një letër dërguar Evanthi Kotes, kryetare e shoqërisë “Bashkimi i zonjave shqiptare” i shkruan…se lëvizja e nisur në qytetet kryesore për zhvillimin dhe përparimin e femrës shqiptare, të shtrihet në të gjithë vendin. Më pas të lidhet me shoqëritë e grave në Stamboll, Bukuresht, Sofje, Misir, SHBA etj., duke formuar kështu një lëvizje femërore mbarëshqiptare. Kundër pjesëmarrjes tonë në jetën shoqërore, vazhdoi Behixhe, është ngritur elementi konservator e fondamental i klerit mysliman, i cili mbron idenë, që gruaja duhet të qëndrojë e mbyllur dhe e mbuluar. Në ballë të civilizimit të gruas tiranase, janë vënë dy rilindëset, Sevasti e Parashqevi Qiriazi, të cilat çelën katër klasa mësimore ku mësohet gjuha shqipe. Lufta që kemi nisur, do jetë e gjatë, është lufta e dritës me errësirën, e dijes me paditurinë, por gruaja tiranase dhe ajo shqiptare do të zërë vendin që i takon në familje dhe shoqëri. Pas kësaj fjalie, Behixhe Elbasani e quajti takimin të mbyllur. Gratë edhe pse të besimeve të ndryshme u përqafuan si motra dhe u ndanë me plot mall. Në dy librat që lexuam, i tha Albani të shoqes, mësuam se motrat Qiriazi patën studiuar në kolegjin amerikan në Stamboll’ e pas diplomimit u kthyen në atdhe. Idenë e Sevastisë për hapjen e një shkolle femërore në qytetin e Korçës, e përshëndeti Rilindësi i shquar Naim Frashëri që asistoi në ceremoninë e diplomimit të saj dhe tha: “Motër, punë më të mirë’ e më të vyer nuk mund të bësh për Shqipërinë e mjerë sesa keni vendosur të bëni për emancipimin e grave të vendit tonë të shkretë, arsimi është arma që zhduk errësirën”. Pas përfundimit të ceremonisë, Sevastia me të vëllanë siguruan lejen perandorake’ e në 15 tetor 1891,çelën shkollën e parë për vasha në qytetin e Korçës. Megjithë presionet nga kleri ortodoks dhe autoritetet osmane, shkolla u frekuentua nga një numër i madh vashash, nga të gjitha krahinat e vendit e nga të tria besimet, duke kontribuar kështu në bashkimin kombëtar. Krahas Sevastis, në shkollën e vashave, jepte mësime Fanka Ethimi ardhur nga Manastiri. U diplomuan mësuese Polikseni Dhespoti, Efigjeni Pandavinji e Helidhona Falli Më 21 janar 1909,intelektualet Parashqevi e Sevasti Qiriazi, të frymëzuara nga idetë iluministe të Rilindësve tanë, vëllezërit Frashëri, Andon Z. Çajupi, Asdreni, e të tjerë dhe nga idetë e “Lëvizjes Femërore Europiane”, formuan shoqërinë e parë të grave në qytetin e Korçës me emrin “Ylli i Mëngjesit”. Në 27 gusht 1917 në Worçest Mass të SHBA, u krijua Partia Politike Kombëtare Shqiptare, me kryetare Sevasti Qirjako (Dako).
Në janar të vitit 1919, shpërthyen protestat e grave shqiptare
Në janar të vitit 1919, shpërthyen protestat e grave shqiptare, në mbrojtje të territoreve shqiptare nga copëtimi, plane të vëna në tryezën e diplomacisë europiane në “Konferencën e Paqes” në Paris. Gratë e Gjirokastrës përpiluan një letër për Presidentin amerikan Willson e zonjën e tij. Të njëjtën iniciativë morën edhe motrat Qiriazi, që i shkruanin presidentit Willson e “Fuqive të Mëdha”, ku theksonin: “Do luftojmë kundër pretendimit të ç’do fuqie për protektorat mbi Shqipërinë. Nuk do lejojmë askënd të cenojë sado pak tërësinë tokësore të shtetit shqiptar. T ë anulohen vendimet e Konferencës së Londrës për Kosovën, Çamërinë e toka të tjera shqiptare dhe ato t’i kthehen përsëri Shqipërisë. Për mbrojtjen e kësaj platforme, midis delegatëve shqiptarë në Konferencën e Paqes në Paris ishte edhe Rilindësja Shqiptare, Parashqevi Qiriazi.
Ishte gdhirë data 23 prill 2014 dhe Shqipja pothuajse kishte mbaruar pastrimin e lokalit. Albani e vështronte’ e duke buzëqeshur i thotë: -Ju gratë duhet të mburreni me heroinat shqiptare që bënë histori dhe lanë gjurmë të thella në tokën arbënore. Ato janë shumë. Unë do veçoj luftëtaren e “Lëvizjes Kombëtare Shqiptare”, heroinën Shote Galica, aktivistet e “Rilindjes Kombëtare”, intelektualet Sevasti e Parshqevi Qiriazi, gruan e flamurit Marigo Pozio, pa harruar heroinën e “Luftës Nacionalçlirimtare” dëshmoren Zonja Curre. Në klubin “Rilindja” e Alban Bamirit, dritat u shuan dhe të dy pronarët, burrë e grua e kaluan me nxitim një copë të shkurtër rruge. Qielli ishte vrenjtur. Sa kaptuan pragun e shtëpisë, filloi përsëri një rrebesh shumë i madh. Albani e ndoqi shiun nga dritarja dhe para se të shtrihej për të fjetur tha: -Tashmë le të bjerë dhe të shpëlajë për tan’ natën të gjitha fëlliqësirat e qytetit.