• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for December 2014

DETAJE NGA PROJEKT LIGJI I DOSJEVE

December 7, 2014 by dgreca

Zbardhen detajet e pr/ligjit të propozuar nga deputetët Mesila Doda dhe Shpëtim Idrizi për hapjen e dosjeve./
Drafti parashikon subjektet që do të verifikohen ku përfshihen jo vetëm drejtuesit më të lartë të vendit, por edhe të zgjedhurit vendorë dhe deri drejtuesit e departamenteve të disa prej institucioneve më të rëndësishme. Kontrolli, sipas pr/ligjit do të kryhet përmes Autoritetit të Kontrollit të Figurës, veprimtaria e të cilit parashikohet të vijojë deri në 31 Dhjetor 2030.
Subjektet që do të verifikohen
Pr/ligji parashikon subjektet e verifikimit ku përfshihen të gjithë funksionarët publikë, të cilët ushtrojnë një nga funksionet e Presidenti i Republikës së Shqipërisë, deputetët e Kuvendit të Shqipërisë; anëtarët e Këshillit të Ministrave, zëvendësministrat dhe funksionarët politikë, nëpunësit civilë të nivelit të lartë dhe të nivelit të mesëm drejtues. Gjithashtu subjekt verifikimi janë edhe anëtarët e Këshillit të Lartë të Drejtësisë, gjyqtarët e prokurorët e të gjitha niveleve të gjykatave dhe prokurorive, kancelarët në gjykata e prokurori, si dhe çdo subjekt që ka statusin e gjyqtarit apo të prokurorit.
Drafti parashikon edhe verifikimin e funksionarëve të emëruar nga Kuvendi, Presidenti apo Këshilli i Ministrave, anëtarë dhe kryetarë të organeve kolegjiale drejtuese të komiteteve apo institucioneve në varësi të Kryeministrit apo një ministri, guvernatorë, zëvendës-guvernatorë, anëtarët e Këshillit drejtues dhe drejtorët e Bankës së Shqipërisë, funksionarë në Forcat e Armatosura të Republikës së Shqipërisë, në Shtabin e Përgjithshëm të Ushtrisë, si dhe oficerët me gradë “Gjeneral” dhe “Kolonel”, Po kështu Prefektët, kryetarët e këshillave të qarkut si dhe kryetarët e bashkive dhe komunave; drejtuesit e drejtorive të administratës publike në nivel qarku dhe prefekture;
Anëtarët e këshillave të qarkut si dhe të këshillave bashkiake; Funksionarë në Shërbimin Informativ Shtetëror (SHISH), në Shërbimin Informativ Ushtarak (SHIU) dhe në Shërbimin i Kontrollit te Brendëshëm (SHKB); Komandanti i Gardës e Republikës; Drejtues të Policisë së Shtetit, drejtorë policie në nivel qarku si dhe në nivel komisariati; Avokati i Popullit, Komisioneri Kunder Diskriminimit, Komisioneri për Mbrojtjen e të dhënave personale dhe punonjësit e zyrave përkatëse, si edhe çdo drejtues dhe punonjës i institucioneve te tjera buxhetore të pavarura. Ambasadorë në përfaqësitë diplomatike jashtë Shqipërisë.
Drejtuesit dhe anëtarët e forumeve drejtuese në nivel qëndror apo vendor të partive politike parlamentare si dhe të atyre që financohen nga buxheti i shtetit; Drejtori i Përgjithshëm, zëvendësdrejtorët e përgjithshëm, drejtori dhe zëvendësdrejtori i Radios, drejtori dhe zëvendësdrejtori i Televizionit dhe drejtorët e departamenteve në Radiotelevizionin Publik Shqiptar; Këshilli Drejtues i RTSH, drejtori, zëvendësdrejtori dhe drejtorët e departamenteve në ATSH, si dhe drejtori dhe anëtarët e AMA-s. Rektorë, zv/rektorë, dekanë të universiteteve shtetërore publike dhe private si dhe drejtorët e shkollave të mesme publike dhe private.
Inspektori i Inspektoriatit të Lartë të Deklarimit të Pasurive. Çdo person tjetër i dekretuar nga Presidenti i Republikës së Shqipërisë apo i zgjedhur nga Kuvendi.
Autoriteti i Kontrollit
Në draft parashikohet krijimi i Autoritetit të Kontrollit të Figurës, i cili organizohet dhe funksionon si autoritet i pavarur.
Autoriteti është person juridik publik dhe ka buxhetin e vet të pavarur, që financohet nga Buxheti i Shtetit dhe nga donacione të ndryshme. Autoriteti është organ i përhershëm mbikëqyrje dhe kontrolli i pastërtisë së figurave të funksionarëve.
Autoriteti përbëhet nga 5 anëtarë, të cilët emërohen nga Kuvendi, me propozime që vijnë nga Presidenti i Republikës; Shoqëria civile (nga të gjitha organizatat e shoqërisë civile, duke iu dhënë prioritet atyre të të drejtave të njeriut dhe shoqatave të ish të persekutuarve nga regjimi komunist). Në rast se vendi i një apo më shumë anëtarëve mbetet vakant për mungesë propozimesh ose për pamundësi zgjedhjeje, Kuvendi emëron anëtarin përkatës midis të paktën 2 kandidaturave të propozuara nga shoqëria civile. Kryetari i Autoritetit zgjidhet me votim të fshehtë nga antarët e Autoritetit
Papajtueshmëria e funksioneve
Pastërtia e figurës morale është e papajtueshme, me mbajtjen prej funksionarit publik, gjatë periudhës 24.10.1944 deri 31.3.1991 të një prej detyrave të mëposhtme:
Anëtar qeverie, anëtar i Këshillit Presidencial, kryetar dhe anëtar i Gjykatës së Lartë, Prokuror i Përgjithshëm dhe zëvendës të tij, para zgjedhjeve të 31 Marsit 1991.
Sekretar i parë ose i dytë i komitetit të partisë së rrethit, sekretar i parë i rinisë së rrethit, kryetar dhe n/kryetar i organizatës së frontit demokratik, kryetar ose zv. kryetar i komitetit ekzekutiv të rrethit.
Oficer madhor apo funksionar drejtues i organeve të Sigurimit të Shtetit si dhe kryetar dege; punonjës operativ, legal apo ilegal,, bashkëpunëtor sekret i organeve të Sigurimit të Shtetit ose që ka bashkëpunuar në çdo mënyrë tjetër me Sigurimin e Shtetit, deri më 2.07.1991. Ambasador, sekretar ambasade dhe këshilltar në përfaqësitë diplomatike shqiptare. Hetues në organet e Sigurimit të Shtetit si dhe prokuror, gjyqtar apo ndihmës gjyqtar në procese hetimore apo gjyqësore për vepra penale politike ;
Denoncues apo dëshmitar rëndues në proceset hetimore apo gjyqësore për vepra penale politike.

Funksionarët publikë me mandat kushtetetues dhe çdo person tjetër i zgjedhur nga Kuvendi janë subjekte të verifikimit sipas këtij ligji. Ata nuk e ndërpresin mandatin kushtetues apo detyrën ku janë zgjedhur, por të dhënat e grumbulluara nga verifikimi publikohen detyrimisht. Në çdo rast, një funksionar publik i tillë mund të dorëhiqet përpara përfundimit të mandatit të tij dhe në këtë rast dosja e tij nuk publikohet.
Rezultatet përfundimtare të procedurës së verifikimit
Në përfundim të procedurës së verifikimit, Autoriteti: a) Kur rezulton se subjekti i verifikuar është i papërfshirë në veprimtaritë e përcaktuara në nenin 17 të këtij ligji, vendos për lëshimin e dëshmisë së pastër të figurës morale. Kjo dëshmi plotësohet sipas formularëve të aneksit “A” dhe “A/1” bashkëlidhur këtij ligji dhe nënshkruhet nga kryetari apo, në mungesë të tij, nga zëvendëskryetari. Dëshmia i komunikohet kërkuesit të procedurës së verifikimit, si dhe subjektit të verifikuar.
b) Kur rezulton se subjekti i verifikuar është i përfshirë në veprimtaritë e përcaktuara në nenin 17 të këtij ligji, vendos të lëshojë dëshminë e verifikimit të figurës morale, sipas formularit të aneksit “B/1” bashkëlidhur këtij ligji. Kjo dëshmi, e nënshkruar nga kryetari ose, në mungesë të tij, nga zëvendëskryetari, i njoftohet subjektit të verifikuar si material konfidencial. Pas marrjes së dëshmisë, sipas kësaj shkronje, subjekti i verifikuar ka të drejtë të njihet me aktet e përfshira në dosjen e tij pranë Autoritetit nëpërmjet nënshkrimit të formularit për mbrojtje të informacionit të klasifikuar.
Kur zyrtari nuk është dakord me vendimin e shkronjës “b’’, te paragrafit te parë te këtij neni apo ka pretendime te tjera ndaj komisionit, ai gëzon te drejtën te paraqesë shpjegime me shkrim dhe dokumentacion provues për çështjen brenda 30 ditëve. Autoriteti ka detyrim të shqyrtojë shpjegimet e zyrtarit dhe brenda 10 ditësh nga paraqitja e tyre të vendos:
a) lënien ne fuqi të vendimit, ose:
b) ndryshimin e tij.
Një kopje e këtij vendimi i njoftohet brenda 10 ditësh, zyrtarit dhe institucionit të tij të punës apo organit që e ka zgjedhur. Autoriteti lëshon dëshminë verifikimit, sipas formularit “përkatës”; ose lëshon dëshminë, sipas shkronjës “a” të pikës 1 të këtij neni.
Njoftimi i institucionit kryhet sipas formularit “B”. Ky vendim mund të ankohet vetëm sipas procedurës së përcaktuar në këtë ligj.
Kur subjektet verifikuese mund të ankimohen në Gjykatë

Në draftin për hapjen e dosjeve parashikohet edhe vlera e dëshmisë së verifikimit dhe e drejta e një ankimimi gjyqësor nga subjekti i verifikuar.Sipas draftit, dëshmia e verifikimit, ka fuqi të plotë provuese mbi faktin e pastërtisë së figurës së çdo funksionari publik të zgjedhur apo të emëruar, përveç rasteve kur goditet për falsitet.
Subjekti i verifikuar mund të ankimojë dëshminë e verifikimit, sipas shkronjës “b” pika 1 të nenit 23 të këtij ligji, në Gjykatën Administrative të Shkallës së Parë Tiranë.
Me kërkesë të subjektit që verifikohet, gjykata vendos zhvillimin e gjykimit. me dyer të mbyllura.
Po kështu drafti në një nga nenet e tij parashikon pasojat e dëshmisë në rastin e personave që do të kryejnë një funksion publik. Kështu kërkuesi i procedurës ose vetë subjekti i verifikuar, menjëherë pas marrjes së dëshmisë së verifikimit, të lëshuar sipas shkronjës “a ” të pikës 1 të nenit 23 të këtij ligji, e paraqet për depozitim atë në institucionin, pranë të cilit do të fillojë të kryejë funksionin publik ose pranë organit që bën regjistrimin e kandidatëve për proces zgjedhor.
Kërkuesi i procedurës, menjëherë pas marrjes së dëshmisë së verifikimit, të lëshuar sipas shkronjës “b” të pikës 1 të nenit 23 të këtij ligji, thërret subjektin e verifikuar dhe i njofton atij skualifikimin nga vazhdimi i mëtejshëm i procedurës së emërimit ose zgjedhjes, për shkak të padenjësisë së figurës së tij.
Kur subjekti i verifikuar deklaron se ka bërë ankim gjyqësor dhe paraqet kopje të aktit të ankimit, procedura e pikës 2 të këtij neni nuk pezullohet derisa vendimi i gjykatës të marrë formë të prerë.
Kërkuesi i procedurës së verifikimit, menjëherë pas marrjes së dëshmisë së verifikimit, të lëshuar e depoziton atë në dosjen individuale të personelit.
Kërkuesi i procedurës së verifikimit, brenda 3 ditëve nga lëshimi i dëshmisë së verifikimit, sipas shkronjës “b” të pikës 1 të nenit 23 të këtij ligji, depoziton dëshminë në dosjen individuale të personelit dhe njofton subjektin e verifikuar për zhvillimin e një seance të mbyllur informuese brenda 10 ditëve.
Në këtë seancë marrin pjesë edhe dy persona të caktuar nga titullari i institucionit ose organi i emërtesës. Gjatë zhvillimit të kësaj seance informuese mbahet procesverbal, i cili nënshkruhet nga të gjithë të pranishmit. Subjekti i verifikuar, nëse e kërkon, pajiset me një kopje të procesverbalit.
Kur subjekti i verifikuar deklaron se ka ankimuar procedurën e verifikimit të zhvilluar nga Autoriteti dhe paraqet kopje të ankimit të tij, seanca informuese shtyhet për t’u zhvilluar menjëherë pas marrjes formë të prerë të vendimit gjyqësor.
Në rastet e tjera, kur subjekti i verifikuar në përfundim të seancës deklaron ose depoziton dorëheqjen e menjëhershme nga detyra, akti i dorëheqjes arkivohet në dosjen personale të subjektit dhe materiali verifikues (dëshmia e verifikimit dhe procesverbali i seancës informuese) mbetet konfidencial.
Kur subjekti i verifikuar deklaron se nuk dëshiron të japë dorëheqjen nga funksioni, atëherë, brenda 10 ditëve nga seanca informuese, mbi bazën e dëshmisë së verifikimit, përfundojnë marrëdhëniet e tij të punës me motivacionin “papajtueshmëri e figurës së funksionari sipas këtij ligjit”.(Botoi:Tema)

Filed Under: Opinion, Politike Tagged With: DETAJE NGA PROJEKT, LIGJI I DOSJEVE

Aleksandër Meksi: Prishja e dosjeve ka nisur që në fund të viteve 80′

December 7, 2014 by dgreca

Ish Kryeministri Demokrat: Këtë herë Ligji duhet bërë si duhet dhe madje, atje të mos lihen jashtë dhe gazetarët e pasur, ata që e bëjnë këtë pështjellim….Referuar draftit më të fundit të depozituar në Kuvend, ish-Kryeministri Aleksander Meksi thekson se ky draft, sigurisht me përmirësime, duhet të miratohet./
Ka qenë ndër të parët, fillimisht si Nënkryetar i Parlamentit dhe pastaj si Kryeministër që është marrë me Ligjin dhe u duk se ai u fut në shina, por pastaj peripecitë e bënë ligjin që asnjëherë të mos funksiononte si duhet dhe të kalonte në thënie dhe kundërthënie nga të gjithë palët, ku shpëtuan gjithnjë ata që e kishin bërë katrahurën.
Kjo është arsyeja që ai shprehet se: këtë herë Ligji duhet bërë si duhet dhe madje, atje të mos Iihen jashtë dhe gazetarët e pasur, ata që e bëjnë këtë pështjellim….Referuar draftit më të fundit të depozituar në Kuvend, ish-Kryeministri Aleksander Meksi thekson se ky draft, sigurisht me përmirësime, duhet të miratohet.
“Kundër tij mund të jenë vetëm mëkatarët e regjimit nga njëra anë dhe nga ana tjetër, ata, që rrojnë duke i përdorur këta përmes shantazhit në dëm të Shqipërisë dhe të shqiptarëve. Pra, ky Iigj duhet të miratohet, pa asnjë dyshim. Nuk është ligj që cenon ndokënd qoftë njeri të gjallë apo dhe të vdekur. Ai është një ligj që synon pastrimin(lustracionin) e strukturave të larta të shtetit nga ajo lloj kategorie e njerëzve që kanë përgjegjësi apo mund të shantazhohen për shkak të së kaluarës së tyre ose që kanë në brendësi ose thellësi të shpirtit të tyre defekte për shkak të së kaluarës së tyre dhe nuk janë të çliruar ende prej saj Me pak fjalë: është e dobishme për shqiptarët që të bëhet sa më shpejt që të jetë e mundur”-shprehet Meksi.
Përgatitja për Ligjin e Dosjeve dhe Lustracioni janë hapur dhe mbyllur disa herë si proces dhe fushatë. A mendoni se ky draft do të ketë fatin e paraardhësve të tij?
Unë mendoj se ky draft, sigurisht me përmirësime, duhet të miratohet. Kundër tij mund të jenë vetëm mëkatarët e regjimit nga njëra anë dhe nga ana tjetër, ata, që rrojnë duke i përdorur këta përmes shantazhit në dëm të Shqipërisë dhe të shqiptarëve. Pra, ky Iigj duhet të miratohet, pa asnjë dyshim. Nuk është ligj që cenon ndokënd qoftë njeri të gjallë apo dhe të vdekur. Ai është një ligj që synon pastrimin(lustracionin) e strukturave të larta të shtetit nga ajo lloj kategorie e njerëzve që kanë përgjegjësi apo mund të shantazhohen për shkak të së kaluarës së tyre ose që kanë në brendësi ose thellësi të shpirtit të tyre defekte për shkak të së kaluarës së tyre dhe nuk janë të çliruar ende prej saj. Me pak fjalë: është e dobishme për shqiptarët që të bëhet sa më shpejt që të jetë e mundur”.
Zoti Meksi, mendoni se ekziston infrastruktura e duhur për të realizuar këtë ndërmarrje historike?
Për hir të së vërtetës, infrastruktura njerëzore vërtetë nuk nevojitet shumë e madhe. Komisioni themelor (Autoriteti) përbëhet nga pesë njerëz, që propozohen nga partia që është në Pozitë, partia e Opozitës, Avokati i Popullit, Shoqëria Civile dhe një njeri-Kryetari nga Presidenti. Mund të kërkohet që secli subjekt të propozoj dy emra dhe parlamenti të zgjedhë njërin prej tyre. Nuk mund të besohet ajo që po thonë disa se qeveria bën çfarë do…”.
Juve keni qenë ndër të parët që me fillimin e Demokracisë si kryeministër i vendit keni asistuar për ligjin. Nëse ai do të realizohej si duhej në atë kohë, a mendoni se problematika do të mbyllej që atëherë?
“Dua t’ju sqaroj dy gjëra. Unë rastisa vërtetë që të isha nismëtar nga që filloi të flitej për këto probleme në kohën që unë isha zgjedhur nënkryetar i Kuvendit dhe kërkova nga tre ambasadorë të atashuar në vendin tonë, respektivisht ambasadori çek, gjerman dhe ai hungarez të më sillnin ligjet e vendeve të tyre për Lustracionin dhe Hapjen e Dosjeve dhe po ashtu, rastisi që unë të bëhesha kryeministër e ta kisha për detyrë këtë gjë…Prej kësaj përvoje, që mblodha prej tyre që në fillim, në shtator të viti 1992 ky ligj ishte gati, madje ishte thuajse tërësisht ligji që do të miratohej më vonë më 1995. Duke pasur parasysh të tre ligjet dhe mënyrën e realizimit të Lustracionit në ato vende ne vendosëm të kryejmë këtë por jo Hapjen e dosjeve, sepse ato duheshin mbledhur, arkivuar e sistemuar më parë. Gjithsesi, falë ligjit që përgatitëm, ne filluam që në fillim të qeverisjes sonë të bënim mos emërimin apo dhe largimin e personave të implikuar me sigurimin apo dhe regjimin e dhunës, në qeveri, nëpër ambasada,në drejtoritë që vareshin nga qeveria, në ushtri, polici, në subjektet e rëndësishme Financiare, falë kontrollit të dokumentacionit që dispononim. Kam thënë në një shkrim dhe e përsëris, mund edhe të kenë mbetur apo emëruar të tillë sepse nuk është thënë nga ata që duhej të na thoshin dhe kjo i ka kushtuar vendit. Personalisht, arsyeja që jam marrë është se këta njerëz përveç defektit që kanë në shpirtin e tyre, e përsëris, janë shumë të shantazhuar nga dy grupe, qoftë nga ata që janë në pushtet por edhe infrastruktura e vjetër. E mbi të gjitha, mund të jetë edhe një strukturë e vogël okulte që ka lidhje në mos dhe detyrë (drejtimin) me këto dy grupe, e që mund të përpiqet ti kontrollojë të dyja bashkë, si edhe të kontrollojë, për interesat e tyre në mos të të tretëve, emërimet e mundshme në dëm të shqiptarëve dhe dëm të Shqipërisë. Ndaj duhet bërë ky ligj sa më parë”.
Ngatërrohet shpesh prej artikullshkruesve por më shumë personazheve të ndryshme, që mundohen të shpjegojnë konceptet e “Hapjes së dosjeve” me “Lustracion”. A ka një qëllim për t’i ngatërruar këto koncepte?
Është realisht keqdashës ky ngatërrim, pasi “Hapja e Dosjeve” në konceptim e shqiptarëve do të thotë që të hapësh dhe të njohësh gjithë spiunët e Shqipërisë. Pra, që të hapësh dokumentet që ruhen në arkiva e të shikosh se kush ka qenë “spiun”. Por, që të dish spiunët që më 1943, sot nuk ka aq interes dhe është një harxhim energjie e pafund. Një pjesë e tyre kanë vdekur dhe madje edhe fëmijët e tyre. Duket si një qëllim i mirë por është në thelb i keq sepse më duket se duan ta përdorin në interes të qëllimeve të momentit për të trazuar shpirtra. Dhe, në Shqipëri edhe pa këtë ka shumë trazira. Personalisht kam lexuar regjistra, kam parë dosje, ka ndodhur që pa dashje edhe kam nderuar ata që s’ia vlen të përmenden. Por t’i lemë këto: Lustracioni është mënjanim nga vendimmarrja pra hartimi dhe zbatimi i politikave i personazheve të Sigurimit dhe të atyre të implikuar me të; e atyre që kanë mëkatuar në të shkuarën dhe kanë dhënë vendime të gabuara në dëm të të drejtave të Njeriut…”.
Kush është i interesuar për këtë konfuzion?
“Hapjen e Dosjeve” shqiptarët e kuptojnë që të lexojnë ato që thonë dokumentet atje… Ka një kategori që duan t’i shmangen problemit në thellësi dhe duke i bashkuar e duke bërë konfuzion, të thonë: Lëri mos t’i ngatërrojmë dhe e ngatërrojnë me qëllime Dosjet me Lustracionin. Shembullin më të mirë të kësaj e kemi në vitin 1997, pasi Ligjit i janë bërë amendamente plot katër herë dhe në fund vetëm sa u prekën nja dy a tre nga kategoria e bashkëpunëtorëve sekretë. Mu ajo hallka e fundit e strukturës së dhunës që duhej të hiqej. Kurse, ata që vendosnin e jepnin urdhra, madje edhe me shkrim dhe deri të detajuar për gjithçka, nuk u prekën.
Ligji i fundit u anashkalua se kishte problem kushtetuese, madje edhe Komisioni i Venecias e hodhi poshtë. Cilat janë problemet themelore sipas jush, me këtë ligj dhe cilat fasha të shoqërisë do preken më shumë?
Unë personalisht , kam marrë pjesë direkt në ligjin që nuk u paraqit, sepse u paraqit në vend të tij, një ligj i përgatitur shumë shpejt, në momentet e fundit. Për të mënjanuar nga penalizmi 2-3 veta, që do të shkonin në Gjykatën Kushtetuese, me prapavijën e qartë për ta sunduar këtë institucion dhe sistemin e Drejtësisë në përgjithësi. Pra, si e tillë, ishte një arsye më shumë që Opozita e atëhershme të bënte zhurmë dhe ajo t’i ankohej madje edhe Gjykatës Kushtetuese. Dhe , jo vetëm kaq, por madje të shkonte për shqyrtim dhe në Komisionin e Venecias , paçka se ndodh që ajo flet edhe për subjekte që nuk lidhen direkt me të. Pasi , kur Shqipërisë i thua se po shkel të Drejtat e Njeriut, këtë nuk e bën edhe për vende të tjera si Rumania, Hungaria, apo për shembull Gjermania etj.
Pra, më duket se ka interesa politike të së majtës evropiane ose atyre që nuk e kanë provuar diktaturën komuniste në kurriz. Për mendimin tim ka pasur një problem të madh që në fillim. Dhe, për hir të së vërtetës, ka bërë dy të këqija të mëdha. E ka korruptuar procesin deri më tani, kur mund të bëhej shumë mirë…”
Ka pasur gjithmonë fjalë se janë eliminuar një pjesë e madhe e dosjeve. A është e mundur teknikisht që një pjesë e dosjeve të jenë eliminuar dhe përmbajtja të jetë e papërdorshme?
Dëgjoni, derisa janë regjistrat kjo nuk mund të ndodhë. Veçse , ka një pjesë, që të themi ishin nën dorë dhe që kishin lidhje direkte me funksionarët e lartë të Sigurimit deri dhe Sekretari i Parë Enver Hoxha. Kjo kategori s’dihet. Sa për të tjerët, ata janë të regjistruar në regjistrin e rrethit, në regjistrin themelor kombëtar dhe nuk mund të fshihen aq lehtë, pasi mund të dalin nga burimet e tjera. Pra, ata që kishin qenë informatorë, agjentë, rezidentë dhe deri strehuesit ku bëheshin takimet. Ndërsa operativët, hetuesit dhe krerët e Sigurimit janë në zyrat e personelit.
Prishja e dosjeve ka filluar fare në fund të viteve ’80 me heqjen e ligjit për “Agjitacion e Propagandë”. Pasi, janë zhdukur që nga viti 1988 deri në fillim të vitit 1992 shumë syresh. Dhe, të mos harrojmë se për këtë punë nga Ministria e Brendshme kanë shkuar deri në burg, pasi në Rregulloren Sekrete të Evidentimit të aktivitetit është e shkruar qartë sesi duhet të bëhet. Vërtetë nuk ndjekim do veprimin e spiunëve në disa raste, por lustracioni të ndihmon që disa persona të eliminohen nga shkallët e vendimmarrjeve.”
Ju keni shkuar në Gjermani me një grup specialistësh të ligjit për lustracionin. A mund të shërbente ky shembull për Shqipërinë apo sërish Ligji nuk do e kalojë provën e politikës?
“Ka qenë një përvojë e mirë pasi pamë direkt edhe ndryshimet, që kishin bërë kolegët tanë. Patëm rastin, jo vetëm që të dëgjonim, por edhe të ndiqnim shpjegimet në punën në arkiva, të njiheshim me kujtimet nëpër muze dhe mbi të gjitha të takonim direkt edhe ekspertë që kishin drejtuar këto punë. Ishte një përvojë e vërtetë frytdhënëse dhe një mundësi për të njohur sesi të shmangnim të drejtat e atyre që për hir të së vërtetës, i kishin nëpërkëmbur ato. Morëm përvojë që të gjykonim, për drejtuesit e lartë të partisë e të shtetit, hetuesit, pro edhe deputetët që të thuhej se çfarë ishin në të vërtetë. Pra, morëm një përvojë që të mundësonte të kuptoje më mirë se çfarë ishte ky proces dhe si t’i shpjegohej subjekteve të prekura:nëse merrje përsipër riskun e të shkuarës tënde dhe të kërkonte votat përmes një force politike, se më parë duhej të kalonte një filtër të domosdoshëm. Dhe diçka, kurdo kolegët tanë na këshilluan sesi nuk duhej të shkelnim të Drejtët e atyre që e kishin shkelur të Drejtën…”
Si e shikoni reagimin e ditëve të fundit të politikës?
“Nga reagimi i ditëve të fundi kuptohet se nuk e kanë shumë qejf këtë proces. Për mendimin tim, e përsëris, duhet të finalizohet pasi është një kontribut i madh për historinë, për të ditur ata që i shkelën të Drejtat e Njeriut. Por, është mirë që edhe gazetarët që intervistojnë në nga një deputetët dhe politikanët të kuptojnë se cilët janë mëkatarët e vërtetë dhe si i shfrytëzojnë mëkatet e tyre të liqtë, pasi nuk duan që ky vend të përparojë. Madje ka vend për përmirësime në ligj sepse janë mënjanuar nga lustracioni drejtuesit e mediave vizive dhe gazetave të mëdha, ata që krijojnë katrahurën, dizinformacionin dhe përçarjen”. (Botoi: Java)

Filed Under: Interviste Tagged With: Aleksandër Meksi: Prishja e dosjeve, ka nisur, që në fund, të viteve 80'

Rehabilitimi i Enver Hoxhës

December 7, 2014 by dgreca

Rehabilitimi i Enver Hoxhës dhe bllokmenëve të tjerë nga Edi Rama, kthim drejt të shkuarës por dhe drejt putinizmit!/
Nga Dr. Sali BERISHA/
Dy ditë më parë ministrat e jashtëm te BE pralajmeruan Vladimir Putinin dhe Rusine te qendrojne larg Ballkanit Perendimor. Ky ishte nje paralajmerim shume serioz i bazuar ne perpjekjet e paskrupullta te Vladimir Putinit per te rilindur te gjitha llojet e lidhjeve te fetare, ideologjike, politike, ushtarake, kulturore, tregtare etj, te Rusise jo vetem me Serbine e njohur historikisht ne rajon edhe si “little Russia”, por dhe me vende te tjera te rajonit me rajonin. Ketu, natyrisht lidhjet me te para jane ato fetare me vendet me shumice ortodokse te rajonit nen moton e pansllavizmit apo “bratja sllavjani”.
Ne epiqender te ketyre perpjekjeve padyshim eshte Serbia, e cila historikisht eshte njohur jo pa arsye si “litlle Russia”. Po rikujtoj ketu se ne viziten e tij ne Beograd ne vitin 1990 Mihail Gorbachov i vleresoi si gjenetike lidhjet midis rusve dhe serbeve. Jo pa domethenie eshte ne kete kontekst vizita pompoze e Putinit ne Serbi shoqeruar me nje parade ushtarake te stilit rus te spostuar dhe te mbajtur 4 dite para afatit ne nder te Carit te ri te Rusise. Po ne kete drejtim shkon edhe mbeshtetja e hapur e Moskes per Dodic, i njohur per serbomadhine e tij.
Shqiperia dhe Kosova nuk jane ne grupin e vendeve “bratja sllavjani”. Mirepo vet Putin, per te justifikuar pushtimin e Krimes, iu referua disa here Kosoves jashte çdo konteksti, sikunder Gorbaçov ne 25 vjetorin e renies se murit te Berlinit u shpreh se pavaresia e Kosoves dhe anetaresimi i Shqiperise ne NATO kane qene gabime te perendimit, pra qe kane ndikuar ne ekuilibrat midis NATO-s dhe Rusise.
Por ne rast se Shqiperia dhe shqiptaret nuk kane lidhje fetare dhe historikisht kane patur tek ruset dhe serbet armiq te eger te qenies dhe ekzistences se tyre, mjerisht ka patur nje periudhe qe na bashkoi dhe vllazeroi me armiqte tane shekullor, dhe kjo periudhe ka qene diktatura komuniste. Edi Rama, sipas burimeve zyrtare publike ruse, ministri i pare i jashtem qe takoi ne OKB, vetem dy jave pas votbesimit te tij, ishte Ministri Lavrov. Madje ne ate kohe mediat shkruan se Rama me se pari i premtoi atij dhe me pas aleatit tone kryesor shkaterrimin e armeve kimike ne Shqiperi. Luften e Dyte Boterore dhe te renet e saj i nderojne te gjithe popujt qe luftuan kunder boshtit nazifashist, por klika Rama – Meta zgjodhen per te nderuar luften e shqiptareve per liri kombetare, rehabilitimin e Enver Hoxhes, Hitlerit shqiptar te Pasluftes, armikut me mizor te lirise se shqiptareve, armikut me te eger te çeshtjes sone kombetare, njeriut qe renditi Shqiperine me armiqte e saj shekullor dhe kunder miqve tane tradicional perendimor. Ata, gjate nje viti, si per te sfiduar NATO-n dhe aleatet tane, festuan Luften e Dyte nga qyteti ne qytet me portrete te Enver Hoxhes duke perdhosur keshtu Luften dhe gjakun, idealet e te reneve tane.
Reagimit te drejte te Ambasadorit Amerikan, mikut te tij, qe u detyrua me vendosmeri te reagoje me te drejte kunder festimit te ngjarjeve te Luftes me portrete te Enver Hoxhes dhe e quajti Enver Hoxhen monster, Edi Rama iu pergjigj ketij qendrimi flake per flake duke shnderruar ne muze per Enver Hoxhen nje bunker te kohes se Luftes dhe duke e stolisur jo vetem me fotot e diktatorit, tashme te marra direkt nga arkiva familjare e Hoxhes, por dhe sende e objekte te tjera personale qe kurre ndonjehere nuk kishin ekzistuar aty. Madje duke bere personalisht guiden per ate dhe per diplomate e ofiqar ne muzeun e monstres.
Keshtu sot, vetem Skenderbeu dhe Enver Hoxha kane muzete e tyre shteterore. Gjate nje viti, i vetmi evokim qe i beri ndihmes se aleateve perendimore per Luften ishte citimi i pacipe i trillimit te Enver Hoxhes per palet e kepuceve te dyja te nje kembe, te kembes se djathte. Ne kuadrin e rehabiltimit te nomenklatures Hoxhiste, Edi Rama ka dekoruar mbi 1000 ish ministra bllokmene, xhelate persekutor te shqiptareve, agjente te sherbimeve ruse dhe jugosllave, dhe Vito Kapo eshte vetem njera prej perfaqesueseve me tipike me te larte te ketyre te dekoruarve. Nje festim te tille Luftes se Dyte e ka bere vetem Lukashenko. Duke rikthyer dhe evokuar me miresim diktaturen, kohen e afrise sone fatale me armiqte tane, Rama çon uje ne mullirin e tyre!

Filed Under: Editorial Tagged With: i Enver hoxhes, Rehabilitimi, Sali berisha

Pse po vetëvriten njerëzit në Ferizaj?

December 7, 2014 by dgreca

Ferizaj tronditet sërish me vdekjet nga shumëkatëshet.
Të dielën, rreth orës 13:00, ka ndodhur një rast tragjik, ku ka humbur jetën i riu U.M.,16 vjeçar, duke u hedhur nga kati i 6-të i një ndërtese afër rrethit në rrugën e “Gjilanit”.
“Edhe pas përpjekjeve të ekipeve të emergjencës së spitalit të Ferizajt, adoleshenti ka ndërruar jetë.
Prokurori pas shqyrtimit të rastit dhe me kërkesën e familjarëve, ka lejuar që trupin e pajetë ta marrë familja, sepse sipas të gjitha të dhënave, kemi të bëjmë me vetëvrasje”, pohoi për gazetën “Koha Ditore”, eprori policor, nënkoloneli Basri Shabani.
Ky është rasti i tretë brenda periudhës dy muajshe kur viktimat kanë rënë nga ndërtesat në Ferizaj.
Kjo vetëvrasje e këtij të riu e ka çuar numrin e vetëvrasjeve në Komunën e Ferizajt në shtatë person vetëm brenda dy muajsh.(GM)

Filed Under: Kronike Tagged With: në Ferizaj?, njerëzit, Pse po vetëvriten

KUSH ISHIN 42 KANDIDATURAT E SELEKSIONUARA PER GUVERNATORIN BSH-së, KU U PERZGJODH GENTI SEJKO?/

December 7, 2014 by dgreca

*Genti Sejko, kandidatura e Presidentit Bujar NISHANI, për postin e Guvernatorit të BSH-së/
* Kreu i Komisionit te Ekonomise ne parlament, socialisti Erjon Brace citohet te kete thene se nuk mund te merret kandidatura e Governatorit jashte Keshillit Mbikqyres./
Presidenti i Republikës Bujar Nishani i propozon Kuvendit emrin e Genti Sejkos për postin e Guvernatorit të Bankës së Shqipërisë
“Zoti Gent Sejko i propozohet Kuvendit të Shqipërisë për t’u zgjedhur Guvernator i Bankës së Shqipërisë. Ky dekret hyn në fuqi menjëherë”, thuhet në dekretin e bërë publik në faqen online të Presidencës.
Presidenca njofton se për postin e Guvernatorit të ri të BSH-së depozituan kërkesat e tyre 42 aplikantë, të cilat iu nënshtruan një proçesi vlerësimi nga ana e Institucionit të Presidentit të Republikës për plotësimin e kushteve dhe kritereve ligjore.
Arsyetimi i Dekretit “Për Propozimin e Guvernatorit të Bankës së Shqipërisë”
Presidenti i Republikës, bazuar në nenin 161, pika 2 të Kushtetutës, pas vendimit të Kuvendit të Shqipërisë për shkarkimin e Guvernatorit të Bankës së Shqipërisë, njoftoi fillimin e proçedurës së emërimit të Guvernatorit të ri.
Për këtë qëllim, përmes një njoftimi të bërë publik, Presidenti i Republikës ftoi të gjithë shtetasit shqiptarë, përfshirë dhe ata nga diaspora, të shprehnin interesin e tyre pranë Institucionit të Presidentit të Republikës për të kandiduar për këtë funksion, në përputhje me kushtet dhe kriteret e përcaktuara në Ligjin nr. 8269, datë 23.12.1997 “Për Bankën e Shqipërisë”, i ndryshuar.
Në përfundim të kësaj faze, depozituan kërkesat e tyre 42 aplikantë, të cilat iu nënshtruan një proçesi vlerësimi nga ana e Institucionit të Presidentit të Republikës për plotësimin e kushteve dhe kritereve ligjore.
Në vijim, bazuar në listën e kandidatëve që plotësonin kushtet ligjore si dhe me synim arritjen e standardeve më të larta për përzgjedhjen e kandidaturës së Guvernatorit të Bankës së Shqipërisë, Presidenti i Republikës zhvilloi një proçes informimi dhe diskutimi me përfaqësuesit më të lartë të shtetit dhe opozitës.
Në përfundim të këtij proçesi, duke vlerësuar me seriozitetin maksimal kandidaturat e paraqitura vendosa të dekretoj propozimin e zotit Gent Sejko në pozicionin e Guvernatorit të Bankës së Shqipërisë.

KUSH ËSHTË GENTI SEJKO

Në kandidaturën e zotit Gent Sejko, si një konkurrues që vjen nga rradhët e sistemit bankar, vlerësova përvojën menaxheriale, formimin e lartë profesional, edukimin dhe integritetin moral, të cilat në mënyrë të përmbledhur paraqiten më poshtë:
Zoti Sejko ka mbaruar studimet pranë Universitetit të Tiranës, Fakulteti i Ekonomisë, Tiranë, përgjatë periudhës Shtator 1987 – Gusht 1991, ku është diplomuar për ekonomist industrie. Gjithashtu, zoti Sejko ka kryer studimet pasuniversitare dhe zotëron diplomën Master në Kontabilitet Ndërkombëtar dhe Menaxhim Financiar (MAcc) të kryer pranë Universitetit të Glasgow-t, Departamentit të Kontabilitetit dhe Financës, Skoci, Mbretëri e Bashkuar, përgjatë periudhës Shtator 1996 – Tetor 1997 ku ka mbrojtur temën e dizertacionit për: “Roli i bankave dhe privatizimi i bankave në ekonomitë në tranzicion”.
Zoti Sejko ka punuar pranë Bankës së Shqipërisë në periudhën 1993-1995 në Departamentin e Mbikëqyrjes, në pozicionin e Inspektorit të Mbikqyrjes, duke u angazhuar për ekzaminimin e bankave private apo Joint venture që operonin në Shqipëri.
Përgjatë periudhës Qershor – Gusht 1996, Zoti Sejko ka qënë pjesëmarrës në ekzaminimet e Bankave tregtare në SHBA, Iowa, Chicago, përkatësisht në Federal Reserve Bank, Departamenti i Mbikëqyrjes.
Përgjatë Tetor 1997 – Janar 1998 ka punuar pranë Bankës së Shqipërisë, në Departamentin e Mbikëqyrjes, në pozicionin e Kryeinspektorit të mbikëqyrjes, si përgjegjës për përgatitjen e raporteve të mbikqyrjes bankare sipas sistemit CAMELS.
Zoti Sejko ka punuar pranë firmës DELOITTE & TOUCHE, në periudhën janar 1998 deri në dhjetor 2000, si auditor i lartë dhe konsulent, ku ka mbuluar detyrën e përgjegjësit për menaxhimin e procesit të auditimit.
Në periudhën janar 2001 deri më gusht 2001 ka punuar në Bankën Amerikane të Shqipërisë si Drejtor i Divizionit të Auditimit të Brendshëm dhe Përputhshmërisë duke qënë përgjegjës për procesin e Kontrollit të Brendshëm të Bankës dhe për përputhshmërinë me kuadrin rregullator.
Zoti Sejko ka punuar për hapjen e degës së Bankës Amerikane në qytetin e Vlorës, në pozicionin e Drejtorit të kësaj dege në periudhën Shtator 2001 – Qershor 2002.
Në periudhën Qershor 2002- Qershor 2004, zoti Sejko është rikthyer të punojë pranë Bankës së Shqipërisë, në Departamentin e Mbikëqyrjes, në pozicionin e shefit të sektorit të ekzaminimeve në vend.
Zoti Sejko ka pasur eksperiencë pune pranë Bankës RAIFFEISEN në periudhën Korrik 2004 – Maj 2007 në pozicionin e Drejtorit të Divizionit të Auditimit të Brendshëm, Përputhshmëria dhe Marrëdhëniet me Qeverinë.
Në vijim, ka punuar në RAIFFEISEN LEASING. Sh.A., në periudhën qershor 2007 – nëntor 2008, në pozicionin e Drejtorit të Përgjithshëm.
Ndërsa në periudhën nëntor 2008 – korrik 2010 ka punuar si Drejtor i Divizionit të Korporatave pranë Bankës RAIFFEISEN BANK, ku krahas detyrave të poshtëshënuara ka qënë dhe Anetar i Komitetit të Kreditit të Bankës, Anëtar i Komitetit të Menaxhimit të Aktiv Pasiveve, Anëtar i Këshillit Mbikqyrës të Raiffeisen Leasing dhe Anëtar i Këshillit Mbikqyrës të Fondit të Pensioneve.
Korriku i vitit 2010 dhe aktualisht e gjeti zotin Sejko në pozicionin e Zëvendës Drejtorit të Përgjithshëm dhe Drejtor i Divizionit Retail dhe Rrjetit të Degëve, pranë Bankës “SOCIETE GENERALE ALBANIA” ku mbulon një seri detyrash dhe është anëtar i Komitetit të Menaxhimit të aktiv-pasiveve, anëtar i Këshillit Mbikqyrës të SG Leasing dhe anëtar i Komitetit të Kreditit të Bankës.

42 KANDIDATURAT,7 TE SELEKSIONUARA
Arjan Kadare, Genti Sejko dhe Nik Markola mbërritën në fund të procesit të seleksionimit nga ana e presidentit, të mbi 40 CV-ve të paraqitura në aplikimin online për Guvernatorin e ri të Bankës Qendrore. Arjan Kadare është një emër i njohur në fushën e ekonomi-financës në vend. Ai aktualisht është pedagog në një institut privat në Tiranë dhe më herët ka qenë anëtar i Këshillit Mbikëqyrës të Bankës së Shqipërisë. Genti Sejko është zv/drejtor i një banke të nivelit të dytë në Tiranë. Nik Markola është drejtor menaxher i “Field Point Bank& Trust Gree-nwich” në Nju Jork, SHBA.
Kreu i shtetit, Bujar Nishani, zhvilloi ditë më parë konsultime me figurat kryesore të politikës Rama, Meta e Basha, për çështjen e Guvernatorit të ri të Bankës së Shqipërisë. Kryetari i Kuvendit, Ilir Meta, bëri të qartë se mazhoranca nuk ka një emër për postin e guvernatorit, por ka vullnet për të gjetur konsensus. “Natyrisht që ne do të respektojmë të drejtën kushtetuese të presidentit dhe shpresojmë dhe do të ofrojmë të gjithë bashkëpunimin tonë që ky emër të jetë një garant i drejtimit profesional të Bankës së Shqipërisë dhe i ruajtjes së pavarësisë së këtij institucioni. Është një proces vullnetmirë për të shkuar drejt konsensusit”, deklaroi Meta.
Nga ana e tij, kryeministri Edi Rama ka zhvilluar katër takime me presidentin për çështjen e guvernatorit, ndërkohë që kreu i opozitës, Lulzim Basha, ka zhvilluar dy takime për këtë çështje me kreun e shtetit.
Erjon Brace citohet te kete thene se nuk mund te merret kandidatura e Governatorit jashte Keshillit Mbikqyres.

Filed Under: Featured Tagged With: Genti Sejko, Guvernatorit, kandidatura e Presidentit Bujar NISHANI, për postin e, të BSH-së

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 47
  • 48
  • 49
  • 50
  • 51
  • …
  • 64
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Dashuria që e kemi dhe s’e kemi
  • “Jo ndërhyrje në punët e brendshme”, dorëheqja e Ismail Qemalit, gjest atdhetarie dhe fletë lavdie
  • Arti dhe kultura në Dardani
  • Gjon Gazulli 1400-1465, letërsia e hershme shqipe, gurthemeli mbi të cilin u ndërtua vetëdija gjuhesore dhe kulturore e shqiptarëve
  • “Albanian BookFest”, festivali i librit shqiptar në diasporë si dëshmi e kapitalit kulturor, shpirtëror dhe intelektual
  • VEPRIMTARI PËRKUJTIMORE SHKENCORE “PETER PRIFTI NË 100 – VJETORIN E LINDJES”
  • 18 dhjetori është Dita Ndërkombëtare e Emigrantëve
  • Kontributi shumëdimensional i Klerit Katolik dhe i Elitave Shqiptare në Pavarësinë e Shqipërisë 
  • Takimi i përvitshëm i Malësorëve të New Yorkut – Mbrëmje fondmbledhëse për Shoqatën “Malësia e Madhe”
  • Edi Rama, Belinda Balluku, SPAK, kur drejtësia troket, pushteti zbulohet!
  • “Strategjia Trump, ShBA më e fortë, Interesat Amerikane mbi gjithçka”
  • Pse leku shqiptar duket i fortë ndërsa ekonomia ndihet e dobët
  • IMAM ISA HOXHA (1918–2001), NJË JETË NË SHËRBIM TË FESË, DIJES, KULTURËS DHE ÇËSHTJES KOMBËTARE SHQIPTARE
  • UGSH ndan çmimet vjetore për gazetarët shqiptarë dhe për fituesit e konkursit “Vangjush Gambeta”
  • Fjala përshëndetëse e kryetarit të Federatës Vatra Dr. Elmi Berisha për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë në Seancën Akademike kushtuar 100 vjetorit të lindjes së Peter Priftit

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT