FERIZAJ, 28 Korrik 2015/-Ministri kosovar i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Arsim Bajrami ka marrë pjesë sot në mbledhjen konstituive të Këshillit për themelimin e Universitetit të Shkencave të Aplikuara në Ferizaj. Ai ka vlerësuar se themelimi i këtij universiteti është shumë i rëndësishëm dhe do të ndihmojë edhe zhvillimin ekonomik të Ferizajt. “Ky nuk është një universitet më tepër në Kosovë, sepse është një universitet i veçantë, i profilizuar, e që do të jetë i lidhur me tregun e punës”, theksoi Bajrami.
Ai shprehu bindjen se anëtarët e Këshillit do të angazhohen maksimalisht për ta quar përpara këtë universitet dhe i porositi ata që të angazhohen për të siguruar lidhje me ekonominë dhe partneritet me bizneset.
Ministri Bajrami është takuar edhe me kryetarin e komunës së Ferizajt, Muharrem Sfarqa, ku i ka uruar të gjithë qytetarët e kësaj komune për fillimin e punës së Universitetit, ndërsa ka biseduar edhe për gjendjen në arsimin parauniversitar në këtë komunë.
Ministri vizitoi edhe shkollën e mesme në Ferizaj, respektivisht punët finale që janë duke u kryer në këtë objekt të ri që është investim i MAShT, si dhe shkollën fillore në Zaskok për të parë nga afër kushtet, në të cilat mësojnë nxënësit dhe mundësitë për investime në të ardhmen./B.Jashari/
Pse po vetëvriten njerëzit në Ferizaj?
Ferizaj tronditet sërish me vdekjet nga shumëkatëshet.
Të dielën, rreth orës 13:00, ka ndodhur një rast tragjik, ku ka humbur jetën i riu U.M.,16 vjeçar, duke u hedhur nga kati i 6-të i një ndërtese afër rrethit në rrugën e “Gjilanit”.
“Edhe pas përpjekjeve të ekipeve të emergjencës së spitalit të Ferizajt, adoleshenti ka ndërruar jetë.
Prokurori pas shqyrtimit të rastit dhe me kërkesën e familjarëve, ka lejuar që trupin e pajetë ta marrë familja, sepse sipas të gjitha të dhënave, kemi të bëjmë me vetëvrasje”, pohoi për gazetën “Koha Ditore”, eprori policor, nënkoloneli Basri Shabani.
Ky është rasti i tretë brenda periudhës dy muajshe kur viktimat kanë rënë nga ndërtesat në Ferizaj.
Kjo vetëvrasje e këtij të riu e ka çuar numrin e vetëvrasjeve në Komunën e Ferizajt në shtatë person vetëm brenda dy muajsh.(GM)