• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for January 2015

BRENGA E MAKFIRE CANOLLIT

January 23, 2015 by dgreca

Nëna ime 49 vjeçe vdiq nga marrazi i tre djemve të burgosur nga kriminelët serbë
dhe u varros pa praninë e tyre/
Bisedë me poeten dhe atdhetaren e flaktë kosovare Makfire Maqedonci Canolli/
Bisedoi Keze Kozeta Zylo/
Ju keni vite që jeni në emigrim në Amerikë, si e përjeton Maki largimin nga Mëmëdheu dhe cilat ishin arsyet kryesore të largimit nga Kosova?/
Në Qershor mbushen 16 vite që ndodhemi në Amerikë. Më parë ishim në Gjermani afër tetë vite dhe largimin nga Kosova për herë të dytë apo dalja në mërgim për ne ishte sikur i burgosuri të kthehet sërish për herë të dytë në burg. Largimi nga vendlindja më ka vrarë thellë në shpirt. Kjo, për vetë faktin, se jeta në mërgim, larg atdheut, është sikur jeta e fëmijës, që rritet larg nënës së vet.
Arsyet kryesore të largimit tonë nga Kosova për herë të parë në vitin 1991 ishin sepse bashkëshorti im kishte punuar në minierën e Kishnicës dhe atë të Strezovcit ku ishte udhëheqës i punëtorëve dhe teknik i xehtarisë me kualifikim të lartë dhe ishte njëri ndër organizatorët e minatorëve të cilët protestuan dhe e mbajtën grevën në atë kohë dhe qëndruan shtatë ditë e netë të mbyllur në thellësitë e minierës në mbrojtjen e kushtetutës së Kosovës dhe të atyre pak të drejtave që ne i gëzonim në atë kohë. Serbia pas përfundimit të atyre grevave kishte shpërndarë fletë arrestime dhe pasi ne e bëmë ceremoninë e martesës bashkëshorti im mori vendim që ne të largohemi nga Kosova ose përndryshe duhej të dorëzohej e të vuante dënimin, meqenëse atij i ishte caktuar masa e dënimit pa praninë e tij në gjygj. Por pala gjermane edhe pse ne kishim dokumente dhe fakte ata asnjëherë nuk na besuan për kërkesën e strehimit tonë aty apo azilin e asaj kohe. Edhe pse dy vajzat tona lindën atje dhe qëndruam afër tetë vite si dhe punonim pasi kishim të drejtë pune dhe nuk mvareshim prej shtetit sërish nuk e fituam të drejtën e lejes së qëndrimit përgjithmonë. Pala gjermane e pati nënshkruar një marrëveshje me Millosheviqin për kthimin e shqiptarëve të Kosovës, ku me atë marrëveshje Serbia ka marrë një shumë parash nga Gjermania pasi kishte “garantuar” se as një e keqe nuk ka për t’ju ndodhur shqiptarëve nga Kosova. Gjermania filloi t’i dëboj kosovarët me arsyetimin se gjoja ne Jugosllavi nuk ka rrezik për shqiptarët! Pra, bëheshin lojë pazaresh me jetët tona!
E vërteta ishte, se në Kosovë lufta për çlirim kishte filluar. Pas dy ditësh, kur ne u kthyem në shkurtin e atij viti, ndodhi masakra e parë në zonën e Drenicës. Pastaj, ne qëndruam gjatë tërë luftës në Kosovë, pikërisht në vendlindjen tonë në Prishtinë. Më pas u detyruam që, si mijëra kosovarë, t’i lëshojmë vatrat tona dhe të largohemi nga toka amtare!

Cili është kontributi i familjes suaj gjatë luftës së Kosovës me Serbinë dhe disa nga momentet më të vështira dhe të dhimbshme të jetës suaj në Kosovë?

Kontributi i familjes sime për të mirën e çështjes kombëtare nuk ka munguar asnjëherë. Familja ime ka qenë gjithmonë në shënjestër të UDB-së jugosllave dhe kjo u dëshmua kur në pranverën e vitit 1982 u burgosën tre vëllëzërit e mij me qindra shokë të Ilegales pasi u zbulua veprimtaria e tyre “armiqësore” siç i quante Serbia!
Ata u dënuan me heqje lirie me 14, 6 dhe 5 vite burg të cilët pjesën më të bukur të rinisë së tyre e kaluan në burgjet serbosllave! Po ashtu u burgosën edhe dy kushërinj të cilët e vuajtën denimin me burg. Për fat të keq më shumë kam përjetuar momente të hidhura dhe të dhimbshme se sa momente gëzimi atje në vendlindje dhe ato kanë lënë plagë në shpirtin tim dhe gjurmë në mendjen time! Për vetë faktin se jeta më goditi shumë herë si dallgët e detit qysh në fëmijëri, atëherë kur akoma kisha nevojë për lodra si moshataret e mija, unë duhej ta luaja rolin sikur të isha e rritur sepse kur u burgosën tre vëllezërit e mij unë isha në moshën 11 vjeçare dhe pas një viti nëna jonë u paralizua e tëra edhe pse ishte në moshë akoma të re vetëm 48 vjeçe ajo nuk mundi t’u bëjë ballë atyre dhimbjeve pasi sa herë shkonte të vizitonte djemtë e saj në ato burgje e kuptonte qe torturat më çnjerëzore bëheshin ndaj tyre! Pastaj sa ishte e dhimbshme aq ishte trishtuese kur ajo pas disa muajve e sëmurë në moshë 49 vjeçe ndërroi jetë dhe u varros pa praninë e djemve të saj pasi ata nuk kishin të drejtë të dilnin nga burgu qoftë edhe vetëm për t’ia dhënë lamtumirën e fundit nënës. Pastaj moment trishtues ishte kur i vizituam vëllezërit në ato burgje e ata prisnin lajme të mira me shpresën se nëna do të bëjë më mirë e ne u thamë se ajo ka ndërruar jetë para disa ditësh apo javësh. Pastaj katrahurat tjera për vite me radhë ku në çdo sekondë e minutë ishim të përcjellur nga UDB-ja qoftë edhe një lëvizje e vogël e jona pavarësisht ishe i rritur apo fëmi! Po ashtu gjatë luftës kemi përjetuar momente të vshtira dhe të dhimbshme, sepse kur u kthyem nga Gjermania ishte gjendje lufte. I kishim afer tetë vite qe nuk i kishim takuar familjarët e miqtë tanë dhe i gjetëm në një gjendje shumë të rëndë qoftë psiqikisht, emocionalisht apo ekonomikisht! Përpiqeshim t’indihmonim sado pak me veshëmbathje apo gjëra ushqimore sidomos ata banorë të zonave ku lufta kishte marrë përmasa të mëdha, por ishte e pamundur që t’u ndihmojmë të gjithëve. Është e pamundur t’i them të gjitha këtu, por kulmi i gjithë atyre të këqijave qe i kam përjetuar që nga fëmijëria ishte momenti më trishtues në jetën time kur na erdhën policia dhe paramilitarët serb të cilët i kishin shamijat e lidhura në kokë dhe fytyrat e ngjyrosura dhe tri tanke qëndronin para shtëpisë së babait tim, e ku brenda në shtëpi përveç familjarëve tanë ndodheshin edhe shumë persona tjerë nga zona e Drenicës dhe zonave tjera të cilët vllezërit e mij i kishin marrë në mbrojtje duke u ofruar strehim dhe u detyruam nën tytat e automatikëve të dilnim nga vatrat tona duke na sharë pse e kemi kërkuar ndihmën e Amerikës dhe NATO-s e duke na kërcënuar se do të na vrisnin dhe kemi filluar të ecim pa e ditur se ku po na dërgojnë apo çfarë do të ndodhë me ne. Pas shumë orë ecjesh ku gjatë rrugës shikoje njerëz të moshuar e të sëmurë të cilët nuk mundnin të ecnin ndërsa askush nuk lejohej t’u ndihmojë apo ta kthej kokën pas e t’i shikoj qoftë edhe prindi yt sepse ata të vrisnin! Ishte kolona e njerëzve e pafund dhe flitej se të gjithëve do të na çojnë te stadiumi i futbollit e aty do të na pushkatojnë të gjithëve! Por, kur e kaluam stadiumin e kuptuam që akoma duhet të ecim dhe më në fund na ndaluan te stacioni i trenit në Prishtinë. Ishte ora rreth 8 e mbrëmjes dhe pasi na grumbulluan aty filluam të ulemi në tokë sepse ishim të lodhur e të dërmuar ata filluan të na shajnë e të dhe na thanë 50-të veta të ngritemi në këmbë dhe ishim të bindur se aty do të na pushkatojnë. Kur i kam parë vëllezërit e mij qe jan ngritur ndër të parët jemi ngritur edhe unë e bashkëshorti im dhe aty kam thënë nuk dua të jetoj më as një minutë. Donjeta ishte 6 vjeçe, ndërsa Dalina ishte 16 muajshe. I kam shikuar që të dyja dhe Donjetës ja kam shënuar nr.e telefonit të vëllaut tim të madhit i cili ishte në Gjermani dhe i kam thënë: Zemër këtu e ke numrin e dajës dhe nëse neve na vrasin e ti shpëton mos harro kudo që të jeshë përpiqu ta gjejsh dajën dhe mbaje në mendje të dua shumë dhe e kam puthur me lotë në sy dhe e kam qit pas shpinës sime! Dalinën e kishte zënë gjumi ishte në karrocën e fëmijëve e kam shikuar dhe e kam qitur para vetës dhe i kam thënë: Më fal o shpirti im jo që mami ty të do më pak, por më mirë le të vrasin me mua se sa të mbetesh në dorën e tyre! Për fat në ato momente qe ata kanë dashur të na marrin e të na ndajnë nga turma janë dëgjuar aeroplanat e NATO-s dhe ata kanë filluar të na bërtasin me të madhe shtrihuni për toke. Pas më shumë se gjysëm ore qe kemi qëndruar në atë pozitë dhe dikur kur atyre ju duk se kaloi rreziku nga aeroplanët e NATO-s na thanë qe të hypim në autobuza e në trena dhe i ndanin njerëzit sa andej sa këndej. ne na detyruan të hypim në një autobus ku kemi qenë njëri mbi tjetrin sa qe nuk besoj se do ta zinte më as një gjilpërë dhe dyert e dritaret e mbyllura ku dikur kishim vështirësi edhe të merrnim frymë. Qanin gratë, fëmijët dikujt i ishte zënë dora apo këmba keq e nuk kish s’i tja drejtoje apo kah të lëvizje. Aty na kanë mbajtur gjer në ora 9 të mëngjesit me ankth ku në çdo moment prisnim kur do të na hedhin në ajër me ndonjë bombë! Pastaj jemi nisur për në Maqedoni dhe atë e kuptuam kur kemi mbërritur në vendin e quajtur Bllacë, vendi ku shumë shqiptarë e gjetën vdekjen, por për fat tonin pasi aty nuk kishte pasur vendë edhe për ne na drejtuan në anën tjetër të kufirit, ku pasi kemi zbritur nga autobusi dhe kemi dashur ta kalojmë kufirin aty ka filluar tmerri dhe torturat nga policia dhe ushtria sllavo maqedonase, të cilë jo vetëm qe na pritën me sharje e fyrje, por kanë hyrë në mes të asaj turme të madhe me një autobus duke dashur të na shtypin të gjithëve. Aty as vetë nuk e di se si kemi shpëtuar të gjallë! Dhe pas shumë orë pritjesh e mallteretimesh e kemi kaluar kufirin dhe na kanë pritur vëllezërit shqiptarë të asaj pjese e na kanë marrë në vatrat e tyre! Por Dalinën u desht ta dërgojmë menjëherë në spital pasi ishte dehidruar dhe ishte në gjendje të rëndë shëndetsore!
Dhe pas disa jave kemi kaluar në kampin e Stankovecit ku kemi qëndruar disa javë aty dhe jemi regjistruar në të gjitha shtetet, por ishte Amerika e para ajo që na mori në mbrojtje dhe erdhëm këndej oqeanit ku ndodhemi edhe sot!

Më befason përdorimi i gjuhës së bukur shqipe në një kohë që ju keni qenë nën terrorin serb, si keni mbijetuar me gjuhën, me traditat, me kulturën?

Ruajtja e traditave tona dhe ruajtja e gjuhës padyshim qe nuk kanë qenë aspak të lehta për ne, por ka qenë atdhedashuria ajo qe na ka mbajtur gjallë! Për vetë faktin se ne sa kemi qenë në rrezik prej gjuhës sllave aq kemi qenë rrezik edhe nga gjuha turke. Unë për vete nuk e njoh as sot gjuhën serbe sepse e thash qe isha e vogël kur u burgosën vëllezërit e mij dhe kjo ishte arsyeja kryesore pse e urreja gjuhën serbe dhe nga ai moment asnjëherë nuk jam munduar ta mësoj edhe pse nëna ime insistonte qe ta mësoj duke më thënë se çdo gjuhë është mirë ta njohësh e sidomos një gjuhë nga e cila mund të keshë provokime gjatë jetës! Ne ishim të detyruar në shkollë të mësonim gjuhën serbe dy herë në javë nga një orë por unë në atë lëndë gjithmonë kam qenë e dobët dhe thuajse mezi e kam kaluar, sepse kurrë nuk doja ta flisja gjuhën e armikut të familjes sime dhe të kombit tim në përgjithësi!

Vajzat tuaja Donjeta dhe Dalina janë vlerësuar si nxënëse shembullore, ndërsa Donjeta është përshëndetur dy herë nga presidenti Bush dhe Dalina dy here nga Presidenti Obama si studente të shkëlqyera, si e kanë arritur këtë sukses?

Vajzat e mia janë dalluar gjithmonë si nxënëse të shkëlqyera në mësime dhe në orkestrën e shkollës të cilat kanë qenë pjesë e asaj orkestre si instrumentaliste të dalluara me instrumentin e violinës.
Dhe si rezultat i suksesit të tyre janë dekoruar që të dyja me diploma nga Presidentat e Amerikës! Donjeta dy herë nga Presidenti Bush, po ashtu edhe Dalina dy herë nga Presidenti Obama! Padyshim që këto suksese i kanë arritur me punë dhe përkushtim, por edhe përkujdesi prindëror nuk ka munguar asnjë herë, por mbi të gjitha ka qenë vullneti dhe dëshira e tyre që të arrijnë në majat e sukseseve dhe shpresojmë qe edhe në të ardhmen të vazhdojnë njësoj! Donjeta vitin e kaluar e ka përfunduar fakultetin në Londër drejtimin për avokate dhe tani pretendon t’i vazhdoj studimet për magjistraturë, ndërsa Dalina pas përfundimit të shkollës së mesme vitin e kaluar ka vazhduar studimet në Hartwick College & University në Oneonta të New York-ut drejtimin për mjekësi!

Krijimtaria tënde ka më shumë temën e patriotizmit, atdhetarizmit dhe luftës për Liri në Kosovë, ndodh se i keni përjetuar dhe aty gjeni më shumë frymëzimin apo diçka tjetër? Kur keni filluar të shkruani për herë të parë?

Pjesa më e madhe e krijimeve të mia ka të bëjë me patriotizmin dhe luftën tonë si dhe me dashurinë ndaj Atdheut, por kam edhe krijime të tjera qofshin ato për dashurinë, jetën, si dhe kushtuar vajzave të mija apo tema të tjera. Padyshim ka ndikuar edhe fryma atdhetare qe jam lindur dhe jam rritur në një vatër ku gjithmonë është frymuar atdhetarisht!
Por, Shqipëria nënë ka qenë gjithmonë ëndërr e imja qe nga fëmijëria si e çdo kosovari, e ajo ëndërr ekziston edhe sot. Në njërën anë qe sot jam shumë larg saj fizikisht, por shpirtërisht e kam gjithmonë pranë vetes dhe së dyti akoma ne ëndrrojmë për bashkimin me nënën Shqipëri!
Për herë të parë kam filluar të shkruaj poezi ne klasën e dytë të shkollës fillore “Emin Duraku” në Prishtinë dhe ishte pikërisht mësuesja ime Zejnije Syla, ajo që e zbuloi talentin tim!

Në poezitë tuaja digjet shpirti i një poeteje për të parë Kombin të bashkuar shpresoni se do të arrihet një ditë?

Zemra e shpirti më qajnë prore për këtë dëshirë apo brengë që shumë herë e paraqes edhe me vargje dhe padyshim që shpresoj se një ditë do të bëhet realitet!
Do të arrihet bashkimi ynë kur të gjithë shqiptarët si në Kosovë, Shqipëri e trojet tjera do ta kenë në zemër një dëshirë të tillë si dhe kur të gjithë t’i bashkojmë forcat dhe të punojmë me mish e me shpirt për realizimin e kësaj ëndrre shekullore dhe për të mirën e çshtjes sonë kombëtare! Nëse gjermanët e realizuan qëllimin e tyre dhe e rrëzuan murin e Berlinit pse ne të mos të kemi të drejtë ku ne akoma jemi më keq të ndarë se sa ata pasi ata e kishin Gjermaninë e ndarë në dy pjesë ndërsa ne shqiptarët e kemi të ndarë Atdheun tonë në gjashtë pjesë! Natyrisht ne nuk duhet të shpresojmë se do të na bashkojnë ata që na ndanë, por ne duhet vetë të përpiqemi të bashkohemi dhe padyshim që duhet mund dhe sakrifica të reja, por besoj se nuk është diçka e paarritur, por duhet që në krye të shtetit në të gjitha institucionet tona që nga presidenca e tutje të vendosen njerëzit që i kanë në shpirt e mendje interesat kombëtare e jo ato personale! Me këta njerëz që ndodhen sot në krye të shtetit natyrisht nuk shpresoj se një gjë e tillë do të ndodhë, flas më shumë për politikanët në Kosovë!

Ju drejtoni emisionin “Heroizmi i popullit në shekuj”, në radion “Zëri i Diasporës” ku bazoheni për materialet dhe a mendoni se historianët duhet t’i rishikojnë shumë gjëra?

Kam bashkëpunuar me radio “Diaspora” me seli ne Suedi në valët e Internetit dhe e kam drejtuar emisionin “Heroizmi i popullit tonë në shekuj” ku kryesisht kemi shpalosur biografinë, pra jetën dhe veprën e luftëtarëve të Lirisë, të dëshmorëve të Kombit dhe Atdheut si Adem Jashari me familje, pastaj Zahir Pajaziti, Tahir Sinani, Skerdilajd Llagami e shumë e shumë dëshmorë tjerë. Materialet i kam siguruar herë nga google e herë nga libra të ndryshëm kushtuar këtyre njerëzve, por natyrisht qe akoma duhet shkruar dhe ka shumë çka që duhet të shkruhet në atë drejtim. Padyshim qe historianët tanë duhet t’i rishikojnë shumë gjëra, por edhe duhet të përpiqen që gjithmonë historia jonë të shkruhet ashtu siç është përjetuar e jo ashtu siç po duan të tjerët të na e shkruajnë!

Ju urojmë shumë suksese dhe vit i mbarë e nderuara Maki,

Faleminderit shumë motër Kozeta për kohën qe ma dhuruat dhe hapësirën qe e krijuat për mua si dhe për ftesën e intervistës. Faleminderit që më bëtë edhe mua pjesë të intervistave tuaja të shumta qe i bëni me njerëz atdhetarë, me njerëz të artit, muzikës, shkencës, politikës e fushave të ndryshme.
Gjithashtu ju uroj edhe Juve mbarësi dhe suksese në çdo sferë të jetës dhe ju përgëzoj për punën tuaj të palodhur që gjithmonë jeni në shërbim të komunitetit tonë sidomos këndej oqeanit dhe e mbani gjallë shpirtin shqiptar qoftë me televizionin “Alba Life” qoftë përmes Shkollës Shqipe dhe aktiviteteve tuaja të shumta!

Janar, 2015
Staten Island, New York

Filed Under: Interviste Tagged With: BRENGA E MAKFIRE CANOLLIT, Intertviste, Keze Zylo

“Anti-Semitism, like all other forms of hate and discrimination, is unacceptable”

January 23, 2015 by dgreca

By Ferit Hoxha/*
Mr President,/
The fight against all forms of discrimination, bigotry, xenophobia, racism and hate, including in particular anti-Semitism, has been and remains a crucial aspect in our efforts to build friendly relations within societies and among nations. Albania has supported the proposal for calling this meeting, which we consider timely and a most needed additional effort in what we think should be a common endeavours in fighting discrimination of all forms and everywhere.
Albania has aligned with the statement delivered by the European Union earlier today, so I will limit myself to some remarks on national capacity.
Mr. President,
Humanity has paid a terrible price to discrimination, xenophobia and racism. Wars have been waged in the name of God, countless human lives have been lost in the name of religion and many generations have been sacrificed because of racism. While nations have managed through time and great efforts to address and get rid of various aspects of hate and its violent impact, anti-Semitic ideas, expressions and violence have unfortunately and regretfully survived and developed into modern times, making anti-Semitism the “oldest and the longest hatred”.
Anti-Semitism, like all other forms of hate and discrimination, is unacceptable. We utterly reject it and we will always fight against it.
Today’s anti-Semitism is being directed against Jews as individuals, as countless acts of violence have demonstrated, including most regrettably the last one in Paris a few weeks ago, but also against Israel’s legitimacy and right to exist waged by a dangerous union of radical views and extremist actions. Albania stands resolutely against all such efforts.
Anti-Semitism cannot and should not be considered as a Jewish problem, because it isn’t. It is a problem for all of us as it goes against the very principles of respect for culture and differences that our societies are built upon. It should therefore unite us in joint and continued efforts to successfully counter it.
Mr. President,
I come from a country that has been through particular hardship during its history. Its very existence has been under threat more than once. It has known centuries of foreign domination, years of military occupation during world wars and has lived decades under a ruthless communist dictatorship. Yet, this whole painful history has always been free of any signs of anti-Semitism or bigotry.
During the dark times of the Holocaust, Albania, a multi-confessional society, became a sanctuary for those whose life was in danger from the Nazi extermination policy. Few people are aware of some particularly significant historic facts:
– no Jews were handed over to the Nazis although Albania was under occupation;
– the whole Jewish community living in Albania, residents or immigrants, all survived the Holocaust.
– there were more Jews, ten times more Jews in Albania during and after World War II than before it.
Albanians who saved Jews, both in Albania and in Kosovo, were simple people. They knew little about politics of that time but they knew a lot about humanity, solidarity and the absolute resolve to help others even if this meant risking their own lives. We take pride in this exceptional behaviour and noble heritage, and we, individually and collectively, take particular care in keeping respect and tolerance at the heart of our everyday life.
Last September, during his visit to Albania, His Holiness Pope Francis praised the Albanian people as an inspiring example for their remarkable religious harmony and interfaith collaboration. Indeed, we Albanians, we warship God in different ways but we do so in full respect, in total understanding with each other’s differences and in an unparalleled harmony.
Mr. President,
This small place we call the world is full of differences of all sorts and this is what makes it so rich and so colourful. We have different historic narratives, speak different languages and have different ideas about the present and the future. But we should never forget that we are all equal and therefore, we should be bound by the same values, principles and commitments in our efforts to seeking a better world for us, our children and the future generations.
We cannot and should not let extremists of all kinds define our agendas and rule our lives. More than anything, we should not forget. We know where indifference led humanity is its darkest hours. It is therefore a must to stand up, firmly and continuously against anti-Semitism in all its forms, everywhere. Albania will continue to do so.
Thank you.
*Statement by the Ambassador Ferit Hoxha, Permanent Representative of Albania to the United Nations, at the informal meeting of the UNGA “The Rise of Anti-Semitism Violence” – New York, 22 January 2015/

Filed Under: Opinion Tagged With: 22 January 2015/, Ferit Hoxha, Statement by the Ambassador Ferit Hoxha

JETA SJELL JETË TE ASHPER NGA REALITETI I SOTEM I TIRANES

January 23, 2015 by dgreca

Nga Avdulla Kenaci/
Romani “Djalli që pagova për këshillë” i shqiptaro-kanadezes Jeta Vojkollari./
Isha shumë kureshtar të lexoja romanin e Jeta Vojkollarit “Djalli që pagova për këshillë”. E para, jetojmë të dy në të njëjtën hapësirë kanadeze, vijmë të dy nga Tirana dhe jemi me origjinë nga Jugu i Shqipërisë. Ajo ka më shumë se një dekadë që jeton e punon në Toronto, ndërsa unë kam ardhur më vonë. Vallë cfarë mbart nga realiteti shqiptar ky krijim letrar i saj? Po ato cfarë ka përftuar autorja nga puna dhe jetesa në një vend të zhvilluar si Toronto si i ka përcjellë në roman? A u përgjigjet ajo këtyre pyetjeve që unë bluaj në mëndje para se të nis leximin, apo thjesht vepra e saj është një fikshën që nuk ka lidhje fare me pyetjet e mia. E kështu nis ta lexoj. Janë disa faqe ku si në një studio televizive prezantohen personazhet një nga një; Sabrina, Rakela, Fabiana, Moza, Luli, Amanda….Fillimisht asnjë pikë takimi midis tyre, por pastaj të gjithë vërtiten tek një personazh interesant, tek psikoterapiste Sabrina e cila është e përshkruar në dy plane, në jetën e saj personale dhe në marrëdhënie me gjithë të tjerët. Asaj thuajse i kushtohet i gjithë romani. Eshtë jashtë gjitha skemave, një panterë e zezë, e zgjuar, por që kafshon duke shpërndarë helmin që ka brenda saj edhe tek të tjerët. Prej këtej ka dalë edhe titulli i romanit, titull tërheqës e mjaft intrigues “Djalli që pagova për këshillë”. Duke lexuar, mendon se personazhet i ke takuar apo dëgjuar diku; një pinjoll artistësh, Tomi, parazit i neveritshëm, i paaftë që spekullon me gjoja një skenar filmi, një avokat i zgjuar që ka gardhuar një yll kinemaje, një prostitutë e abuzuar, një grua e dhunuar, një homoseksual i mashtuar, etj. Kapitalizmi i egër që po instalohet në Shqipëri, etja për t’u pasuruar me shpejtësi, ka sjellë edhe këto probleme sociale e deformime karakteresh. Autorja i ka përshkruar të gjitha këto me vërtetësi dhe kur ka vënë re se sa thellë kanë hyrë në “mëkat” personazhet e saj, (ashtu si Zhozh Sand) afër fundit është munduar t’ju gjejë thuajse të gjithëve një “happy and”. Romani të rrëmben me skenat e nxehta dhe përplasjen e karaktereve, me ligësinë e disave dhe fisnikërinë e të tjerëve. Fraza të shkurtëra, dinamike dhe përshkrime psikologjike befasuese, vecanërisht portretizimi i femrave. Ja një pasazh: “Edhe pa tualet ajo ishte yll e bukur. E gjatë, e hollë, e njomë, flokë të gjatë me onde të mëdha, flokë të shëndetshëm, me shkëlqim. Sy të mëdhenj ngjyrë bari. Buzë të kuqe me jetë. Buzë të plota, të buta. Hundë të vogël si të gdhendur me dorë nga ndonjë mjeshtër i madh që përjetësonte bukurinë femërore. Lëkurë e bardhë fëmijërore. Duar princeshe, sjellje princeshe…”
Shkrimtarja Jeta Vojkollari me shumë guxim i bën një skaner të plotë shoqërisë së sotme në kryeqytetin shqiptar dhe kontradiktave që lindin; ajo trajton pa iu dridhur dora marrëdhëniet në cift që janë aq të ndërlikuara, merr në mbrojtje femrën e abuzuar dhe indirekt vë gishtin në plagë, tregon meshkujt që abuzojnë me femrën dhe bën thirrje që atyre duhet t’u pritet dora e dhunës dhe e abuzimit.
Mos vallë këto problem janë vetëm në Tiranë?. Jo, ato janë në forma të ndryshme edhe këtu në Kanada, me një përjashtim, shteti ka projekte të vecanta për t’u ardhur në ndihmë familjeve të abuzuara dhe klientëve të tyre. Madje edhe për abuzuesit ka projekte reabilitimi. Jeta e njeh mirë edhe këtë realitet nga që ka nje kohë te gjate si punonjëse sociale. Ajo është diplomuar për ekonomiste në Shqipëri, por është riarsimuar në Kanada. Ka ndjekur kurëse pasuniversitare për aftësi këshillimi të avancuara dhe ka një certifikatë pasuniversitare për menaxhim projekti ndërkombëtar. Që nga viti 2002 ajo punon me kohë të plotë në qytetin e Torontos si punonjëse sociale në Departamentin e Ndihmës Sociale.
Leximi i romanit të befason me psiko-analizën që autorja ju bën personazheve, duket që rrëmon fort në botën e brendshme jo vetëm të viktimave të abuzimit, por edhe të psikologjistëve që merren me reabilitimin e klientëve të tyre. Pikërisht këtu qëndron edhe një nga sukseset e këtij romani, realiteti ndryshe, i sotëm, i përshkruar me shumë guxim e talent (kuptohet nga zhdërvjelltësia e frazës se ajo ka një kohë të gjatë që shkruan letërsi). Romani, edhe pse më shumë se 300 faqe, lexohet me një frymë.

Filed Under: ESSE Tagged With: “Djalli, Avdulla Kenaci, për këshillë”, që pagova

Ylli i Davidit në fasadë, në Berat më 1943 …

January 22, 2015 by dgreca

Ne foto:Hebrenj të ardhur nga Prishtina të strehuar në Berat në vitet 1942-44./
Bisedë me publicistin e studiuesin Simon Vrusho
Nga Berati : Sulo Gozhina/
BERAT – Në ballin e ndërtesës dykatëshe, ndërtuar në vitin 1943 në lagjen më të madhe të Beratit, “Murat Çelebiu” në rrugën kryesore nwhyrje tw qytetit, çimentohen dhe 4 yje Davidi.
Në këtë banesë, në gusht 1943 pronari i saj, Qerim Kasapi, si dhe hebrenjtë Jozef e Isak Solomon bëjnë propagandë të rrezikshme. Po nje vit mw parw fëmijë hebrenj, nxënës hebrenj në shkollën “Kastrioti”, në Berat kalojnë klasëne parë në vitin shkollor 1942-43.
Vula e Solomonit në Berat..gjendet në dy vende të shenjëta, objekte kulti,shtëpi banimi etj, këto dhe të tjera detaje interesante për nga zbulimi kanë tërhequr vemendjen qytetare, por që ende janë fakte të pa zbuluara e bëra opublike.
Publicisti dhe studiuesi Simon Vrusho ka pasur këto vitet e fundit në fokus të mjaft shkrimeve e botimeve të tij tematikën hebraike në Berat, përqëndruar kryesisht në vitet e pushtimit fashist, ku qyteti i Beratit strehoi dhe shpëtoi mbi 600 hebrenj, duke qenë kështu një rast unik në radhën e emrave të qyteteve të të gjithë hapësirës shqiptare për dendësinë e strehimit të hebrenjve në kohën e Holokaustit. Dhe kjo ka bërë që Berati të mbetet në kujtesë si qytet i hebrenjve. Ai, Simon Vrusho është autor i librit “Hebrenjtë e Beratit”, botuar më 2010, ku qasje e tij ndaj strehimit të hebrenjve është në këndvështrimin e kujtesës gojore qytetare. Pothuaj çdo vit ai ka sjellë fakte të reja, të panjohura, të papublikuara më parë, informacione interesante, detaje domethënëse nga refleksionet e botës hebraike në Berat. Këtë herë vëmendjen e tij e kanë tërhequr elementë të tjerë: siç janë
një sërë vulash Solomoni në objekte kulti, e shtëpi banimi, 4 yje Davidi në fasadën e ndërtesës që i kanë parë të tërë prej rreth 70 vjetësh, por që publikohen, mediatizohen për herë të parë në vitin 2014 ! Po kështu, ai bën të njohur amzën e shkollës “Kastrioti” Berat ku në vitin 1942-43 kanë studiur dhe nxënës hebrenj …
-Z. Vrusho, ju thuajse çdo vit e keni pasur objekt të shkrimeve, studimeve e botimeve tuaja tematikën hebraike në Berat, duke filluar nga prania shumëshekullore e hebrenjve, prej pesë shekujsh në Berat. Ju keni sjellë fakte, argumente, informacione për larminë e pranisë së tematikës hebraike në ikona, në objekte të ndryshme, toponimi, por veçanërisht në strehimin dhe shpëtimin e hebrenjve në vitet e pushtimit fashist e nazist. Çfarë e kanë tërhequr vëmendjen tuaj kohët e fundit ?
-Më ka bërë përshtypje një godinë e veçantë, e ndërtuar nga beratasi Qerim Kasapi.
banor i lagjes së madhe, Mora Çelepi, tregtar që bënte shpesh rrugën e Selanikut. Ai filloi të ndërtonte një shtëpi të re më 1941, të madhe, dykatëshe, pikërisht në rrugën kryesore, në qendër të lagjes, një shtëpi me një arkitekturë fine, një nga ndërtesat që është edhe sot mbresëlënëse. Vijën e sipërme e dominojnë dekoracione, por ai që dominon, zotëron kreun e fasadës, si të thuash në ballë, që përsëritet katër herë, si për t’i vënë theksin, është Ylli i Davidit. Djathtas një mbishkrim: “QERIM KASAPI 1943 . USTA DULE BUZI”
Qerim Kasapi vdiq i ri, në vitin e përfundimit të shtëpisë, pas 3 vjetësh, më 1943. Ishte 45 vjeç.
Për shtëpinë, thonë se ka qenë projekt italian. Usta Dule ishte nga Buzët e Beratit, usta i mirënjohur, i lagjes, por nuk dihet nëse ornamenetet zbukuruese, të cilat mbartin këto simbolika janë të usta Dules apo të projektit, sepse aty ka dhe gjysmëhënë, yll pesëcepësh, dhe, siç e përmendën, Ylli i Davidit që është më intensivi, përsëritet katër herë, më shumë se çdo motiv, ornament apo simbolikë tjetër. Mos ka qenë ide a mendim a sugjerim i vetë Qerim Kasapit ? A mos ka pasur ndonjë mik hebre në Selanik dhe në fasadën e dyqanit të Selanikut ka takuar këtë simbolikë?
Po, sigurisht, Qerim Kasapi, ka njohur, ka takuar, ka biseduar me hebrenj në ato kohë e ato vite pikërisht në Berat dhe është e dokumentuar që ai i ka ndihmuar me të holla hebrenjtë e Beratit. Fqinjë e tij, si Isuf Qojle etj. gjithashtu strehonin hebrenj në ato kohë. Po, Ylli i Davidit në qendër, në Mora Çelepias është i veçantë. Tërheq vëmendjen, vështrimin, interesin, tërheq qëndrimin, ndalimin përballë, tërheq aparate fotografikë, kamera, tërheq turistë… Ka 70 vjet që është çimentuar, që është betonuar aty në fasadën kryesore, por publikimi, çudi, ka munguar.
Çështja e simbolikës hebreje në këtë rast është menduar si shije, çështje arkitekti, çështje e të zot të shtëpisë, çështje hebreu, çështje ustallarësh…Por në fund të fundit mbetet punë ustai, çështje ustai…
-Po nga familjarët, trashëgimtarët e Qerim Kasapit nuk ka të dhëna, kujtime, ç’ruajnë në kujtesë ata?
-Kam takuar prej tyre, natyrisht. Memli Kasapi, nipi, me profesion inxhinier, që thotë: “Ne e kemi ruajtur Yllin e Davidit…se ç’domethënie ruan ajo, kjo është e komplikuar dhe, mbase, do të mbetet mister… Në kohën e diktaturës gjithë fasadën e lyenim me një ngjyrë, si gri, dhe Yjet e Davidit kërkonin përqëndrim për t’i parë, kurse tani, lyer me dy ngjyra, sfondi dhe relievi, kanë shikueshmëri maksimale.“, thotë inxhnier Memli.
Por ka një qasje tjetër që e shpjegon misterin dhe këtë e bën vetë Qermi Kasapi në një mënyrë të tërthortë, nëpërmjet shkresave që i drejtoheshin Kuesturës Mbretnore në Berat në gusht 1943, nga zv.Prefekti, po i Beratit:
Berat, 17.8.1943 / Kuesturës Mbretnore / Këtu
…..
Pak ditë më pare në banesën e Qerim Kasapit është bërë një mbledhje, ku kanë marrë pjesë dhe dy hebrenj, Jozef Jozefi e Isak Solomoni, që gjenden të internuar në Berat.
Përveç kësaj thuhet me siguri që bëjnë edhe propagandë subversive në qytet e në rrethe se gjoja çetat i presin me dita-ditës që të hyjnë në Berat për të shpëtuar popullin nga ushtria italiane. Lutemi bëni hetime.
Për të kuptuar se si i shikonte qeveria e Tiranës e atyre viteve hebrenjtë e Beratit, mjafton të dimë se Ministri i Punëve të Brendshme në qershor 1942 i drejtohej Prefekturës Berat:
„Në Berat ndodhen një numër i madh çifutësh… Ata përfillen si elementë shumë të rrezikshëm, mbasi rreth këtyre dyshohet se mblidhet një organizim i gjerë subversiv, zhvillojnë propaganda aktive kundër Boshtit. Priten përfundime. Dërgoni relacion mbi sjelljen e tyre të përgjithshme.“ Ky fakt, ky vlerësim përfocohet edhe me një njoftim tjetër, kur nga Tirana, më 6 gusht 1942, Ministria e Brendshme njoftonte dhe kujtonte autoritet në Berat se „Njoftoj se të gjithë personat që internohen në Berat janë politikisht të rrezikshëm…“
Një vit më vonë, nga Berati, më 28.6.1943, i dërgohej për njoftim Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë Tiranë informacioni se „Çifutët që përmban lista e bashkangjitur ( 39 çifutë) janë elementë të rrezikshëm, pasi zhvillojnë një propaganda kundër Boshtit dhe kërkojnë me ba organizime subversive me anë e mbledhjeve duke kaluar nga një banesë në tjetrën, ditën dhe natën… Jemi të mendimit të largohen…..”
Përfundimi është i qartë: Ja cilat kanë qenë kushtet, rrethanat, klima, atmosfera, por Qerim Kasapi i mirëpriste hebrenjtë jo vetëm si antifashistë, por edhe në një shtëpi që atyre u dukej dhe si shtëpi hebreje, me ato katër Yje Davidi në krye…
-Pak më parë kujtuat dhe fëmijët, nxënësit hebrenj në Berat, ç’bëhej për edukimin e arsimin e tyre, për argëtimin, lojrat…
-Po, rreth një muaj më parë, doktorantja Jacqueline Silver, nga Fielding Graduate Univeristy, në Santa Barbara, Kaliforni, studiuese, kërkonte të dhëna për shkollimin e fëmijëve hebrenj të strehuar e të shpëtuar në kohën e pushtimit nazist për vendet evropiane dhe veriun e Afrikës. Interesi i saj përqëndrohej për arsimimin e fëmijëve hebrenj që jetonin nën shtypjen naziste mes viteve 1933 dhe 1945. Në këtë kuadër ajo interesohej edhe për Shqipërinë, sesi mund të kenë marrë arsimim këta fëmijë hebrenj të shpëtuar nga fqinjët e tyre johebrenj.
Përsa i përket arsimimit të fëmijëve hebrenj në qytetin e Beratit në vitet 1942-1944, mund të përmend një kujtim të mësuesit Nevzat Lapardhaja ( nuk jeton), i cili , kur ishte dhe vetë fëmijë, në vitin shkollor 1942-43, ka qenë në një klasë dhe me një hebre të vogël, në
klasën e katërt, në shkollën fillore, tek tregu, që atëhere emërtohej shkolla e përzier “Kastrioti”, në qendër të qytetit. Këtë fëmijë hebre, shok klase, Nevzat Lapardhaja e kishte marrë dhe në shtëpinë e tij, por për të banuar hebreu i vogël banonte me gjithë familjen e tij tek një shtëpi afër, tek Resmie Spathara. Ky fakt gjendet dhe libri im, “Hebrenjtë e Beratit”, f.45, botim i vitit 2010. Por, siç duket dhe tek fotografia “Gra hebreje në kursin e gjuhës shqipe në Berat – 1944”, aty janë të pranishëm edhe fëmijë hebrenj. Edhe tek një foto tjetër, “Hebrenj nga Prishtina të strehuar në Berat” janë dhe disa fëmijë hebrenj.
Nga kërkimet e mia rezulton se fëmijë hebrenj janë regjistruar në shkollën e përzier “Kastrioti” ( shkollë në qendër të Beratit) në Berat në klasën e parë në vitin 1942-43 dhe janë kalues. Njëri, Juso Mihal Ruben, me nr. amze 1490, lindur në Prishtinë në vitin 1933, kurse tjetri, Vili Danilo Albahari, me nr. amze 1491, lindur në Beograd më 18.12.1934, Prindërit e tyre figurojnë si emigrant. Ky fakt, zbuluar së fundmi , nuk figuron në librin tim.( Nuk përjashtohet që mjaft fëmijë hebrenj të mbulohen me emra shqiptarësh; të paktën, nga shqyrtimi i Amzës kjo gjë duket e mundshme.)
-Ju keni shkruar rreth strehimit, shpëtimit, mikpritjes beratase për hebrenjtë, bazuar në kujtesën popullore, si të thuash, kujtesë gojore, e cila ka dhe ajo vendin e saj në histori. Ç’ u ka lënë mbresë?
– Do të doja të sillja dy detaje nga ky strehim i hebrenjve: një në qytet, Berat, e tjetra në Molisht, në fshat.
Bari Zeko, farmacist ka lënë kujtimin e tij: „ Ishin tre të fushës së mjekësisë, një mjek, një farmacist dhe një ndihmës farmacist, të ardhur nga Jugosllavia. Me ndërmjetësinë time dhe të drejtorit të spitalit të Beratit, Lluka Muço, nga Vunoi i Vlorës e të dr. Nikolla Dushnikut, doktori u aktivizua ilegalisht në spitalin e qytetit, kurse Rajko S. Baharin e mora në farmaci dhe e paguaja 6 napolona në muaj për t’i siguruar jetesën bashkë me gruan e tij, Rashela.“
Molishti, një nga fshatrat më të mëdhenj, më të ndjerë e më të rëndësishëm të trevës së Beratit, me banorë inteligjentë, të urtë dhe punëtorë, me kurajo dhe mikpritës; një fshat relativisht i pasur, me larmi fisesh e mbiemrash, është një fshat që ka strehuar hebrenj në vitet e Luftës II Botërore, hebrenj që nuk e harruan këtë mikpritje. Vite më vonë, hebrenjtë, dikur fëmijë shkruan se Molishti i priti me mollë, arrë, bajame, rrush, fiq, shegë, ftonj…i priti me aromë pemësh e ata , kur u larguan, morën me vete aromë frutash… dhe aromë kulaçi, pavarësisht se aty, kryesisht hahej bukë misri, por shijen, thërrimen e asaj buke misri hebrenjtë e kujtonin me nostalgji dhe 50 vjet më vonë në restorantet më luksoze të New Yorkut. „Thërrimen e asaj buke misri, – ka thënë njëri syresh, duke kujtuar mikpritjen e familjes Biçaku në Librazhd, – e kemi dhe sot në dhëmballë, sepse ajo është buka
më e shijshme në botë.“ Kjo është shija e bukës shqiptare. Zhulia Kantozi kujtonte se i çuan në Molisht për rreth 3 muaj. U mbushnin përparëset me mollë e lloj-lloj frurash të tjera. U jepnin dhe pekmez. La aty, si kujtim, edhe një fotografi… Mori, siç e përmendën, aromën e frutave, të kopshteve të Molishtit…
-Po vula e Solomonit ?
-Është një Yll Davidi, por që në skajet e gjashtë cepave ka disa elementë, gjethe zambaku apo nga i ashtuquajturi trëndafili i Sharonit, që lidhen me emrin e Solomonit të urtë, ndërtuesit të tempullit të famshëm, identifikuar me emrin e tij. Por kjo vulë, ky simbol, kjo unazë thuhet se lidhet dhe me mjeshtërinë e ndërtuesve të nivelit të lartë. Gjendet në Berat tek porta e Teqesë Helvetive, tek porta e hajatit të Xhamisë Mbret, po në Berat, për të cilat thuhet se i përkasin periudhës rindërtuese të këtyre objekteve të kultit, në fillim të shekullit XIX. Por Vulën e Solomonit e gjejmë edhe në porta e shtëpive të vjetra beratase, si ajo e shtëpisë së dikurshme të të parëve të qytetarit Nexhmedin Pilafi, në qendër të lagjes së vjetër, Vakëf, sot “Jani Vruho”. Edhe kjo mendohet se i përket fillimit të shekullit XIX. N.Pilafi mendon se prania e kësaj vule mund të lidhet me ekzistencën e ndonjë
grupi ndërtuesish të Beratit, të drejtuar apo financuar nga hebrenjtë beratas. Prania e këtij simboli, thonë se përdorej edhe nga ustallarët e Oparit, që vinin shpesh në këto anë. Sidoqoftë, dëshmon edhe për kulturë qytetare, edhe për tolerancë fetare, edhe për mundësi financiare.

Filed Under: Histori Tagged With: në Berat më 1943 …, Sulo Gozhina, Ylli i Davidit në fasadë

NJOFTIM PER TE PAME NGA FAMILJA RRACI NE NEW YORK

January 22, 2015 by dgreca

Familja RRACI njofton komunitetin, se kete te diele me 25 Janar, nga
ora 10AM deri ne 5PM, hape te pame (per burra dhe gra) ne Royal
Regency Hotel, 165 Tuckahoe Rd. Yonkers per te ndjerin Florim Rraci,
qe vdiq papritmas, me 17 Janar ne NY, ne moshen 47 vjeçare, duke na
lene perjete te piklluar.
Familja RRACI nga Kosova dhe SHBA.

Filed Under: Komunitet Tagged With: familja Rraci, NJOFTIM PER TE PAME

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 23
  • 24
  • 25
  • 26
  • 27
  • …
  • 68
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Bahamas njeh Kosovën!
  • Legjenda e portës shkodrane, Paulin Ndoja (19 dhjetor 1945 – 16 prill 2025) do të mbushte sot 80 vjeç
  • “Roli dhe kontributi i diplomacisë shqiptare në Maqedoninë e Veriut nga pavarësia deri sot”
  • Marie Shllaku, kur një jetë e re u shndërrua në përjetësi kombëtare
  • Në sinoret e Epirit…
  • Mbrëmë hyri në fuqi Ligji i SHBA për autorizimin e mbrojtjes kombëtare
  • Skënderbeu “grek”, ose si të bëhesh grek pa e ditur
  • A historic moment of pride for the New Jersey Albanian-American community
  • U zhvillua veprimtaria përkujtimore shkencore për studiuesin shqiptaro-amerikan Peter Prifti
  • Dashuria që e kemi dhe s’e kemi
  • “Jo ndërhyrje në punët e brendshme”, dorëheqja e Ismail Qemalit, gjest atdhetarie dhe fletë lavdie
  • Arti dhe kultura në Dardani
  • Gjon Gazulli 1400-1465, letërsia e hershme shqipe, gurthemeli mbi të cilin u ndërtua vetëdija gjuhesore dhe kulturore e shqiptarëve
  • “Albanian BookFest”, festivali i librit shqiptar në diasporë si dëshmi e kapitalit kulturor, shpirtëror dhe intelektual
  • VEPRIMTARI PËRKUJTIMORE SHKENCORE “PETER PRIFTI NË 100 – VJETORIN E LINDJES”

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT