• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for January 2015

Serbët i vret murtaja e bardhë, çdo vit për 35.000 më pak

January 14, 2015 by dgreca

Sipas të dhënave të fundit mbi popullsinë të Institutit Republikan të Statistikave, në Serbi në vitin 2013 kanë shkuar nga kjo botë 100,000 njerëz, ndërsa vetëm 65.540 foshnje janë lindur. Kjo do të thotë se shteti për çdo vit mbetet pa një qyteti të madhësisë së Kovinit, Pozhegës apo Nova Varoshit. Është tashmë e qartë se lajme të mira për një të ardhme të afërme nuk do të ketë. Të dhënat demografike për 2014, të cilat do të përpunohen dhe publikohen në fillim të këtij viti do ta dëshmojnë një gjë të tillë./
NGA ISMET AZIZI/
Ekspertët e statistikës kanë llogaritur se në fillim të viti 2014 në Serbi kanë jetuar saktësisht 7 146 759 njerëz. Kjo tashmë seriozisht ka lëkundë rezultatet e regjistrimit të cilat janë ende taze, të cilat tregojnë një shifër prej 7.2 milionë.
Në hartën e Republikës së Serbisë janë 1458 vendbanimeve në të cilat nuk është lindur asnjë fëmijë. Në dhjetë vitet e fundit kanë shkuar jashtë Serbisë për të jetuar dhe punuar 146,500 njerëz të arsimuar, të cilët kanë qenë në kulmin e pjekurisë riprodhuese, shkruan portali sandzakonline.
Masat e mëparshme të politikës popullative, të cilat me më shumë ose më pak entuziazëm zbatohen për më shumë se një dekadë nuk kanë dhënë pothuajse asnjë rezultat. Situata veçanërisht është alarmante sidomos në zonat rurale, ku vaji i foshnjës –është një mrekulli. Ekonomisti Mirosllav Zdravkoviq thotë se fshati është qelës për stabilitet demografik të Serbisë.
Lufta për natalitet, tashmë është e qartë, nuk do të jetë e lehtë edhe në qoftë se shteti del shpejt nga kriza ekonomike. Arsyet për rënien e numrit të fëmijëve janë të shumtë, dhe do të duhet bërë shumë përpjekje dhe agjitacion që situata të kthehet për të mirë.

Mosha mesatare e popullsisë
Viti Meshkuj Femra gjithsej
1953 28.4 29.9 29.4
1961 29.6 31.4 30.5
1971 31.5 33.3 32.4
1981 32.8 34.6 33.7
1991 33.9 36.0 34.9
2002 39.0 41.5 40.2
2005 39.3 41.8 40.6
2009 39.9 42.5 41.2

Si është zvogëluar numri i popullsisë
Viti Nr. i pop. kah mesi i vitit Të vdekur Të lindur
1999. 7.540.401 101.444 72.222
2000. 7.516.346 104.042 73.764
2001. 7.503.433 99.008 78.435
2002. 7.500.031 102.785 78.101
2003. 7.480.591 103.946 78.101
2004. 7.463.157 104.320 78.186
2005. 7.440.769 106.771 72.180
2006. 7.411.569 102.805 70.997
2007. 7.381.579 102.805 68.102
2008. 7.350.222 102.711 69.083
2009. 7.320.807 104.000 70.299
Burimi: Enti i Statistikave të Serbisë
Me këtë qëndrim të një numri të madh të ekspertëve të statistikës dhe të demografëve pajtohet edhe Jelena Zharoviq, sociologe dhe studiuese e trendëve demografike. Ajo vë në dukje se në politikën popullative ndikojnë një numër faktorësh të cilët janë të sferës së vlerave sociale.
– Përvojat e ndryshme nga bota tregojnë se stabiliteti ekonomik dhe standard i lartë i një vend nuk do të thotë domosdoshmërish që ndikon në rritjen e popullsisë – shpjegon Zharoviq.- Shembulli më i mirë është ai i vendeve skandinave dhe shteteve tjera evropiane, gjithashtu shënojnë rënie të popullsisë. Nxitja e lindshmërisë patjetër duhet të ndiqet edhe modeli i caktuar kulturor, i cili duhet të korrespondojë me kushtet në të cilat jetojmë. Vetëm me ndërtimin e saj mund të priten rezultate pozitive, përfundon sandzakonline.

Filed Under: Analiza Tagged With: çdo vit, Ismet Azizi, murtaja e bardhë, për 35.000 më pak, Serbët i vret

NE DITELINDJEN E DR. RUKI KONDAJ,PRESIDENTE E SHOQATES SHQIPTARO-KANADEZE

January 14, 2015 by dgreca

Dr. Ruki Kondaj, është vlerësuar me Medaljen ““Queen Diamond Jubille Award”, për persona me kontribute të veçanta/
Shkruar nga-Raimonda MOISIU/
Ajo një grua plot energji, buzëqeshje dhe dëshirë për të komunikuar dhe biseduar për gjithçka. Është një personazh krejt i vecante jo vetëm për zërin femëror, qytetar e intelektual që rrezaton, por impresioni i parë me të është se ajo e do shumë Shqipërinë, Vlorën e saj, respekton dhe nderon vlerat kombëtare, traditën, gjuhën dhe kulturën e atdheut të saj. Ajo është përfaqësuesja model i intelektuales, komunikimit dhe respektit, simboli i femrës dhe ndjenjës femërore shqiptare në botë! Kjo është Dr.Rukije Kondaj, imazhi i gjallë i mençurisë, urtësisë e modestisë së kësaj intelektualeje. Në prag të 100 Vjetorit të Pavarësisë, komuniteti shqiptaro-kanadez dhe shoqëria demokratike kanadeze, do të kishin fatin historik për komunitetin e tyre, ku para bashkëkombësve shqiptarë me prezencën e Parlamentarit Kanadez për multikulturalizmin Hon. Jim Karyggianys, dhe Ministrit të Ekonomisë dhe Zhvillimit të Ontarios Hon. Brad Duguid dhe do ishte pikërisht ky i fundit që do i dorëzonte Dr. Rukije Kondaj medaljen “Queen Diamond Jubille Award” për kontributin e saj të çmuar në komunitetin shqiptaro-kanadez dhe shoqërinë kanadeze. “Queen Diamond Jubille Award”, një medalje DIAMANTI- nga më të veçantat që jepet nën kujdesin e drejtpërdrejtë nga Guvernatori i Përgjithshëm i Kanadasë,dhe për herë të parë i është dhënë në kuadër të 60 vjetorit Mbretëreshës Elisabetë e II-të dhe hera e dytë brenda këtij 10 vjeçari, i jepet intelektuales shqiptare me banim në Kanada, Dr. Rukije Kondaj.
Ky vlerësim do ta gjente në befasi edhe vetë Dr. Kondaj, e cila jeton një jetë aktive e shumë intensive, në dobi të komunitetit, integrimit të vlerave kombëtare dhe identitetit shqiptar, një faktor demokratizues në shoqëri e lëvizjen feministe. Me një modesti që e karakterizon mes emocioneve, vetë Dr. Rukije Kondaj u shpreh:-Ky vlerësim nuk është nderim vetëm për mua personalisht, por vlerësimi më i bukur, mbresëlënës, qytetar, intelektual e historik për komunitetin shqiptaro-kanadez, vlerësim për gjithë shqiptarët, përmirësimin e imazhit për ta,afrim të potencialeve intelektuale, gjithëpërfshirje me moton: të gjithë shqiptarët e trevave, të gjithë moshat, të gjithë profesionet. Dr. Rukije Kondaj është lindur e rritur në qytetin bregdetar buzë Jonit, Simbolit të Pavarësisë të Shqipërisë-Vlorës. Është diplomuar për Framaci. Me kalimin e viteve Dr.Kondaj në vitin 1999’ do të punonte për krizën kosovare së bashku me partnerë të huaj si OBSH, UNICEF, etj, eksperienca të shkëlqyera këto, që i dhanë mundësinë të aplikonte për Master, në një nga universitetet me shumë emër , atij të “Bocconi”-t Milano, Itali
 Profili i Dr. Rukije Kondaj, përveçse arsimimit të saj të shumtë, ajo ka një sërë eksperiencash kombëtare e ndërkombëtare, me tituj shkencorë, menaxhimin sistematik, përmirësimin dhe promovimin e aftësive profesionale, kërkuese ndaj vetes, e diplomuar edhe në shtetin kanadez, është simboli më domethënës, i profilit të një intelektualeje që synon të ndërtojë mënyrën e jetesës dhe rolin model, të gruas shqiptaro-kanadeze në atë vend të huaj.
Dr.Rukije Kondaj është një nga figurat intelektuale më të dashura e të admirueshme e komunitetit shqiptaro-kanadez në Toronto, jo vetëm për formimin e saj të spikatur në fushën akademike, shkencore dhe profesionale, por edhe për kontributin e saj dimensional në një harmoni relative të lirisë së shprehjes për një qëllim të përbashkët përfaqësimin me dinjitet, krenari dhe modesti të integrimit të vlerave kombëtare, forcës intelektuale, identitetin kombëtar e vlerat e qytetarisë shqiptare në ballafaqimin e drejtpërdrejtë me botën perëndimore, pikërisht në Kanada. Doktoresha e Shkencave Farmaceutike znj.Rukije Kondaj është imazhi i gjallë i gruas inteligjente, i urtësisë e modestisë, idealiste dhe e përkushtuar ndaj familjes, detyrave dhe atributeve shoqërore edhe si PRESIDENTE e Shoqatës Shqiptaro-Kanadeze, patriote dhe atdhetare, luftëtare e të drejtave të gruas, dhe të gjitha aftësitë profesionale, energjitë dhe kontributin e saj e ka vënë në shërbim të promovimit dhe emancipimit të vlerave më të mira të gruas shqiptare në shoqërinë kanadeze. Krenarë dhe të lumtur për rolin e saj pozitiv në të gjitha çështjet që përfshijnë komunitetin shqiptaro–kanadez, për imazhin e gjallë të mençurisë, urtësisë e modestisë të një intelektualeje, është shqiptarja intelektuale Dr. Rukije Kondaj, që mbas Mbretëreshës Elisabeta e II-ë –u vlerësua me Medaljen ““Queen Diamond Jubille Award”, për persona me kontribute të veçanta.

Filed Under: ESSE Tagged With: NE DITELINDJEN E DR. RUKI KONDA, PRESIDENTE E SHOQATES SHQIPTARO-KANADEZE, Raimonda Moisiu

Profeti Muhamet i përlotur në Numrin e ri të “Charlie Hebdo”

January 14, 2015 by dgreca

“Charlie Hebdo” pushton Parisin, disa stenda boshatisen që në orët e para të mëngjesit/
“Charlie Hebdo” jeton sërish. Revista satirike franceze mbërriti nëpër stendat kryesore të shitjes së gazetave mëngjesin e së mërkurës, pikërisht 1 javë pas agresionit të terroristëve në zyrat e saj, duke lënë të vdekur 12 persona, mes të cilëve edhe karikaturistët më të shquar të saj.
Në 10 minuta e mbaruan të gjithë stokun tonë – rrëfeu për Le Figaro shitësja në një kioskë pranë stacionit Auber në kryeqytet. Njerëzit e kishin pritur daljen e të përjavshmes prej 6 orësh. 3 milionë kopje janë shpërndarë në të gjithë Francën, por edhe në shtete të tjera, plot 50-fishi i tirazhit të përjavshëm të revistës në të kaluarën, prej 60 mijë kopjesh.
“Charlie ka edhe më shumë miq tashmë”, pretendon një letër në faqen e dytë të numrit të ri. Letra falënderon “miliona” mbështetësit “të cilët janë vërtet në anën e gazetarëve, e që ndihen sinqerisht dhe thellësisht ‘Charlie’”, duke i bërë një tjetër jehonë sloganit “Unë jam Charlie”, i cili është i gjithëpranishëm në kryeqytetin francez.
Një prej karikaturave të numrit të së mërkurës është i titulluar “Ruani qetësinë dhe mbani gjallë Charlie-n”, një rimodelim i shprehjes britanike “Ruani qetësinë dhe vazhdoni në rrugën tuaj”.
Edhe disa parizienë, të cilët përbuznin në të kaluarën pozicionet sekulariste të revistës dhe ndonjëherë edhe karikaturat e turpshme, kanë thënë se do të blejnë një kopje të këtij numri, si një reagim kundër akteve terroriste të javës së kaluar.
Shifrat e shitjes nuk mund të bëhen menjëherë të ditura, por disa kioska tregtare dhe stenda të shitjes së gazetave në Paris thuajse janë boshatisur që në orët e para të mëngjesit. Madje tregtarë të ndryshëm kanë kufizuar sasinë e shitjeve në vetëm një revistë për person, kjo për shkak të radhëve të gjata.
Kopertina e revistës është një ilustrim i Profetit Muhamed të përlotur, i cili mban në duar një parrullë “Unë jam Charlie”, të shoqëruar edhe me fjalët “Gjithçka është falur tashmë”.
Karikaturistët e Muhamedit janë tepër kontroversialë në botën muslimane. Portretizimet e Profetit në numrat e kaluar të revistës kanë qenë edhe motivi i agresorëve të masakrës së javës së kaluar.
Kopertina e re është pritur me emocione të përziera: disa muslimanë janë të fokusuar te e drejta e revistës për t’u shprehur lirisht, ndërsa disa të tjerë kanë kritikuar atë si provokuese pa arsye dhe tepër ofensive.

Filed Under: Kulture Tagged With: i përlotur në Numrin e ri, Profeti Muhamet, të “Charlie Hebdo”

Papa Françesku telegram Presidentit Nishani: Paqe e bekim mbi Shqipërinë

January 14, 2015 by dgreca

Papa përshëndet vendet mbi të cilat fluturoi gjatë udhëtimit drejt Azisë/
Shkruan: Gjergji Mima/ – Gjatë fluturimit me avion nga Roma drejt Kolombos (Sri Lanka), Papa Françesku, siç është traditë, u dërgoi telegrame përshëndetjeje Krerëve të Shteteve të atyre vendeve mbi cilat kaloi gjatë udhëtimit apostolik. Pastaj në avion përshëndeti gazetarët që e shoqëronin gjatë këtij udhëtimi aziatik.
Sipas “Radio Vatikanit”, atmosfera në avion qe e përzemërt dhe familjare, siç di të krijojë Papa Françesku, me një risi: kësaj here nuk ishin gazetarët që shkonin për ta përshëndetur Papën, por qe Ati i Shenjtë Françesku, shoqëruar nga drejtori i Sallës së Shtypit të Vatikanit, atë Federiko Lombardi, ai që shkoi personalisht tek 76 gazetarët shoqërues, prej vendeve të ndryshme.
Me një buzëqeshje të veçantë Papa Bergoglio u tha: “Ju falënderoj për shoqërimin tuaj e ju uroj udhëtim të mbarë. Keni shumë punë! Ju falënderoj shumë, faleminderit edhe një herë për shoqërimin tuaj”.
Papa Françesku pastaj deshi t’u shtrëngonte dorën çdonjërit gazetarë, duke u ndalur për pak çaste në bisedë. Për sa i përket protokollit, gjatë udhëtimit u nisen telegramet e Papës drejtuar vendeve mbi të cilat fluturonte avioni.
Pas përshëndetjes drejtuar presidentit italian e bekimit apostolik për Italinë, Papa u drejtoi përshëndetjen e tyre edhe Shqipërisë e Turqisë, shoqëruar me lutjet e tij së bashku me kujtimin e vizitave të fundit apostolike.
Paqe e gëzim Papa i uron edhe Greqisë e qytetarëve të këtij vendi. Paqe e prosperitet, së fundi, edhe për Iranin, Emiratet e Arabisë, Omanin e Indinë.
Telegrami i Papës për Presidentin e Shqipërisë
Si zakonisht, gjatë kalimit të avionit në hapësirën ajrore të vendeve të ndryshme, Papa Françesku u dërgon një telegram përshëndetjeje të gjithë krerëve të shteteve përkatëse. Kështu ndodhi edhe kësaj radhe, gjatë udhëtimit të Atit të Shenjtë për në Sri Lankë e Filipine. Avioni papnor kaloi edhe sipër Shqipërisë. Ja telegrami drejtuar presidentit të Republikës së Shqipërisë, Bujar Nishani:
“Shkëlqesisë së Tij, Bujar Nishani
President i Republikës së Shqipërisë
Përshëndes përzemërsisht Shkëlqesinë Tuaj, ndërsa fluturoj mbi Shqipëri në udhën drejt Sri Lankës dhe Filipineve. Duke kujtuar ngrohtësisht vizitën time në vendin tuaj, ju siguroj rishtas lutje për kombin dhe popullin.

Filed Under: Komente Tagged With: bekim mbi Shqipërinë, Papa Françesku telegram, Presidentit Nishani: Paqe e

PËLLUMB KULLA NGATËRRON FJALIMET NË FESTËN E DITËLINDJES

January 13, 2015 by dgreca

Në festën e 75 viteve, Pëllumb Kulla lexon fjalimin e 90 vjetorit/
10 janar 2015 SAN MARINO – SOHO, New York,NY/ nga Dalip Greca/
Manhattan, NY- Ditëlindja e 75-të e Pëllumb Kullës është konceptuar si një festë më shumë se familjare,me pjesmarrje të artistëve dhe gazetarëve, ku surpriza apo sekreti nuk i kanë rezistuar dot deri fund tundimit të vetë Pëllumbit, por edhe organizatores. Edhe pse ftesat e miqëve janë bërë telefonike, fshehurazi Pëllumbit, duke i “vjedhur” atij numrat e telefonave, duket se ka qenë aktori Zef Mosi, ai që e zbuloi, (gjë që vetë Pëllumbi e kundërshtoi seriozisht). Në pritje të ardhjes së vonuar të Pëllumbit në San Marino restorant, thashethmnaja lakoi për nxjerrje sekreti edhe emrat e Gazmir Shtinos, Gëzim Gjyrezit, Gavrosh Levonjës, Bujar Verzivollit, Valentin Veizit, por asgjë nuk u vërtetua. Madje, nuk u vërtetua as hipoteza se sekreti doli nga familja,-Xhuli e lau veten duke thënë se ende nuk e dinte se ditëlindja e kujt po festohej, ndërsa për Erën, të bijën e artistëve, doli garant Flladi. Ditbardhi duke qenë se filmonte, nuk u përzie në debate.
Po ç’rëndësi ka se kush e nxori sekretin?! Surprizat nuk munguan. Festa e 75 vjetorit të regjisorit, shkrimtarit, publicistit Pëllumb Kulla, u organizuar me 10 janar 2015 në restorantin San Marino me pronar shqiptarin Sammy Gashi. Restoranti ndodhet në pjesën e poshtme të Manhattanit, zonë shumë e preferuar, veçanërisht nga artistët.
KRONIKË E EKRANIZUAR
Për të ruajtur ”sekretin” Pëllumbi erdhi i fundit në festën e ditëlindjes së tij të 75-të, por për pak mbeti pa karrige… Era, e bija, organizatorja, që formalisht tentoi ta ruante sekretin edhe pasi festa filloi, gëlltit vërejtejet e pazëshme të të atit. Por shumë shpejt e bija do të fitonte duartrokitje e të pranishmëve, madje edhe buzëqeshjen e Pëllumbit dhe duartrokitjet e Xhulit, tek do të shfaqte një video-foto montazh, që shpalosi me humor jetën 75 vjeçare të babait të saj. Fotografitë dhe filmimet nisin që nga 10 Janari i vititit të lindjes(1940), kur Pëllumbi erdhi në këtë botë pa dashjen e tij dhe me të qarat e parreshtura trembi Zemblakun. Edhe pse ishte kohë lufte, të qarat e Pëllumbit shurdhuan krismat e luftës. Me tekst dhe pamje plot humor, shfaqen fotografi që nga fëmijëria e Pëllumbit, ku përkrah parakalojnë edhe portrete të njerëzve të famshëm, që kanë lindur po me 10 Janar 1940, më pas fotografitë shpalosin kronikën e Pëllumbit,- fëmijë i praptë, shkollar i devotshëm, punëtor nga halli,- Gjyshi i pushkatuar nuk e lejoi të kalonte pengesën për në Akademinë e Arteve në vitin 1959, por një vit më pas ai arrin të kualifikohet, edhe pse gjyshi mbeti prapë i pushkatuar, pas akademisë- regjisor në estradën e Vlorës, por shfaqet sërish hija e gjyshit të pushkatuar, që nga dashuria e madhe që ka për nipin, nuk e lë rehat që nga varri, dhe e shtyn në “braktisjen” e skenës, për “ degdisjen” në guroren e Shashicës; pasi u kalit në gjirin e klasës punëtore emrohet në estradën e Fierit, ku shkëlqeu për 18 vite, duke u bërë Kulla i humorit shqiptar. Në vitin 1990 ai do të linte Fierin për të shkuar pedagog në Akademinë e Arteve, ku mezi e patën pranuar, për t’u bërë edhe Dekan, ndërsa dy vite më pas nisi rrugën e diplomatit; më 1992 Sekretar për Kulturën dhe Shtypin në Ambasadën e Shqipërisë në Bonn, Gjermani dhe një vit më pas Ambasador në Misionin Shqiptar pranë OKB, në Nju Jork (1993-1997).
Rruga e jetës shoqërohet me fotografi, filmime, intervista me humor, batuta, që të shkulin së qeshuri… Duket se grupi që ka punuar për paraqitjen e rrugëtimit të Pëllumbit, ka qenë mjaft i impenjuar dhe ka punuar kolektivisht; ata kanë gjetur mundësi që të intervistojnë edhe amerikanë, që flasin për shkrimtarin e publicistin Kulla, madje edhe pakistanezo-amerikanët, paskëshin dëgjuar për madhështinë e penës së Pëllumbit! Jo vetëm kaq, por për ditëlindjen e tij paskej dëgjuar edhe Kryeministri rus Putin, edhe presidenti amerikan Obama (që këndoi për Pëllumbin “Happy Birthday To You”, edhe udhëheqësi i Koresë së veriut Kim Jong Un, ky i fundit dërgoi mesazh special).
HUMOR MJESHTROR NGA AKTORË E AMATORË
Festimi i ditëlindjes të regjisorit dhe shkrimtarit më kulmor të humorit dhe satirës nuk mund të konceptohet pa humor. San Marino kthehet kështu në një skenë të improvizuar ku aktorë dhe jo aktorë, ish profesionistë dhe amatorë, kanë krijuar një situatë të ngarkuar me humor. Krahas Xhuli Kullës, Zef Mosit, Pranvera Veizit, konkurojnë Alba Bungo, Vili , Era e Flladi Kulla. Eksperimenti është i sukseshëm. Të qeshurat shoqërojnë çdo batutë. Alba Bungo duket se ka marrë përsipër të zëvendësojë mungesën e të atit, Lekës, (që ka shkuar në Shqipëri të këshillojë Kryeministrat dhe Pëllumbi betohet se të gjithë ata që marrin këshilla nga Leka kanë fund të palavdishëm). Leka u ka dhënë nerv e të qeshura përvjetorëve të tjerë të shokut të tij, veçanërisht atij të 70-vjetorit, edhe pse Pëllumbi në shtyp e paditi për shpifje Lekën… Humori nga jeta e përditshme interpretohet bukur dhe të qeshurat nuk kanë të pushuar. Zef Mosi me Pranvera Veizin duartrokiten gjatë. Vili duket se i ka shkuar kot talenti, Flladi është i lirshëm dhe i sigurtë, Alba, po ashtu. Tekstet plot humor duket se aktorët i kanë zgjedhur pa ndihmën e autorit të njohur të cilit po i festojnë ditlindjen, si për t’I thënë “estradat e Shqipërisë ta kanë nevojën, por jo ne!”
Thumbat dhe satira kanë mbetë për në fund. Era ka menduar një lloj “hakmarrje” ndaj të atit që nuk ia ruajti sekretin e kësaj feste. Ajo e sulmon Pëllumbin me komentet nga gazetat e Tiranës, që nuk i lënë gjë pa i thënë,për shkrimet që boton, duke gjuajtë herë me të majtën e herë me të djathtën. Kur gjuan të djathtën, shahet se shpërdoroi shpërblimin si ambasador, kur shan të majtën, i kujtojnë se ka ngrënë edhe në kohë të Enverit dhe e ka bërë për të qeshur atë….Nuk ka nevojë që të sajojë, Era i ka marrë batutat të gatshme nga gazetat online, komente te lexuesve militantë. Pëllumbi vetëm qesh…
PËLLUMBI NGATËRRON FJALIMET, LEXON ATË TË 90 VJETORIT
Qershia mbi tortën e ditëlindjes së 75-të ishte vetë fjalimi i Pëllumbit. Duke qenë se ai nuk ishte dakord me këtë darkë festive,tha se nuk ishte parapërgatitur. Ai jep sqarime për të ftuarit se kur ishin mbledhë si familje e kishin lënë se festa nuk do të bëhej.Ky ishte vendim i formës së prerë. Por fëmijët dhe zonja kishin marrë përsipër të aplikonin stilin surprizë. Ai betohet se e ka marrë vesh lajmin vetëm një ditë më parë.Të gjithë e besuan.
Pëllumbi rrëfehet: “Nga një anë u bë mirë që e mora vesh (edhe pse me vonesë), nga ana tjetër jam lodhur duke bërë prova se si të befasohem. Se unë jam aktor i keq dhe m’u desh të hap sytë, të bëj sikur hutohem, sikur emocionohem që të mos ua prishja qejfin fëmijëve. Po, siç e patë, e luajta keq. Unë prandaj u bëra regjisor se jam aktor i dobët. (Në fakt këtë e ka thënë Leka Bungo). Të gjithë aktorët që nuk bëjnë hajër, bëhen regjisora dhe çuditërisht, sa më aktor i keq të jesh, aq regjisor më i mirë bëhesh. Nga ne, hiqjani rolin e Sali Protopapës, aktori më i keq ka qënë Piro Mani. Ju e keni parë se çfarë regjisori ka dalë ai! Zeusi i regjisorëve!… Belaja më e madhe pas dështimit në provat për habinë e surprises,” vazhdon jubilari, “është se nuk pata kohë të bëja një fjalim për falenderim, për ju që do të më vinit, një fjalim përmbledhës për jetën time. Se nuk kisha një për 75 vjetorin. Nuk e mendoja se do t’i lodh duke i mbledhur miqtë njëherë në pesë vjet. Ama, si sistematik që jam, kisha përgatitur fjalimet për 80 vjetorin deri 100 vjetorin.… Mos habitet njeri se tërë jetën më kanë uruar u bëfsh 100 dhe unë nuk ua prish miqve. Aq më tepër që “u bëfsh 100” më kanë uruar dikur, kur ishim tonët edhe dy Presidentë republike! Dhe urimi i komandantëve nuk është urim, por urdhërim. Kështu gërmova për fjalimet, por i kemi bërë valixhet rrëmujë se përgatitemi për trasferim në Florida dhe nuk e dija ku m’i pat vënë Xhuli. Gjeta vetëm njërin nga ata, dhe atë do t’ju lexoj. Atë të 80 vjetorit!… Jo, qënka i 90 vjetorit! Nuk ndryshon gjë, se edhe atëherë të ftuar po ju, do të jeni. Sinqerisht nuk pata kohë për një fjalim sonte!”
Dhe ai nis të lexojë fjalimin që ka përgatitë për vitin 2030:
“Të dashur miq!
Viti 2030 na ka hapur udhën dhe ja ju prapë u lodhët …(Ëh?! Duhet të jetë “u mblodhët”) të festojmë ditlindjen time. Ju faleminderit! Ja vitet kalojnë sa hap e mbyll sytë. Unë vërtet jam rënduar pak, por do pajtohem me gjendjen. Nuk do të jem më ai llastari i hollë, elegant siç isha kur isha 75 vjeç. Aha, ai trup më del në ëndërr por nuk e arrij ta kem më! Por edhe në këtë moshë kam plot me se të gëzohem…”
Fjalimi më pas bëhet konkret në emra. Pëllumbi parashikon të ardhmen e familjarëve dhe miqëve të vet që ka sonte në festë se si do të jenë ata në 90 vjetorin e Pëllumbit. Prashikon suksesin e nipit dhe të mbeskave, por humori i shkon së shoqes, Xhulit….” Ime shoqe edhe në këtë moshë të avancuar 84 vjeçare,dha provat e mori më në fund patentën e automobilit. (Pëllumbi nuk do të jetë më i punësuar si shofer i saj). Pas një trainingu 40 vjeçar. Po e mori patentën atë ditë që na mbaroi leesa dhe dorëzuam makinën. Edhe nuk e rinovojmë dot se … se ashtu e kemi punën! Xhuli thotë “ta kishim edhe ca ditë vetëm ta parkonja njëherë, se ëndërr e kisha dhe në kurs isha më e mira në parkim paralel….”
Më pas, Pëllumbi, i drejtohet një miku të vet ish të përndjekur: Zija Lepenica dje (në 2030-tën) na gostiti në Arthur Avenue se sapo mori këstin e dytë për vitet e burgut dhe flitet që kryeministri I maxhorances aktuale të 2030 Ilir Meta do të japë brenda këtyre pesë vjetve që vijnë, këstin e tretë”…. Dhe humori vazhdon; ai sheh në 90 vjetor Gavrosh Levonjën, që në 2030-tën kuron gazetën më të madhe shqiptare online dhe vetë sapo mbaroi librin me kujtimet nga turnetë e kombëtares së basketbollit. Ai e pati të lehtë se kujtimet ia plotësonin kolegët e tij basketbollistë të emigruar në Amerikë, Kujtim Kasmi, Lulzim Tela e të tjerë. “Siç e vutë re,” thotë Kulla, “gjatë tranzicionit, kategoria më e suksesëshme e shqiptarëve, ishin basketbollistët shtatlartë. Ata bile arritën që njërin prej tyre për nja dy vjet ta nxjerrin deri kryeministër”…
Në fjalimin e Pëllumbit parakalojnë me nota humori miqtë e shokët… Ai i sheh ata me sytë e 2030-tës: “Gazmir Shtino e ka shtuar humorin. Vazhdon u tregon barzeleta pensionistëve amerikanë dhe ata shkulen së qeshuri. Ia kam zili Gazit e nuk ia kuptoj sekretin: gjen barzeleta shumë të bukura, apo amerikanët gajasen se ai ua tregon në anglisht?”…
Të qeshurat dhe duartrokitjet nuk rreshtën gjatë gjithë darkës…. (Fotografite i shihni ne facebook)

Filed Under: Reportazh Tagged With: dalip greca, E DITËLINDJES, NGATËRRON FJALIMET NË FESTËN, PËLLUMKB KULLA

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 42
  • 43
  • 44
  • 45
  • 46
  • …
  • 68
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Kontributi shumëdimensional i Klerit Katolik dhe i Elitave Shqiptare në Pavarësinë e Shqipërisë 
  • Takimi i përvitshëm i Malësorëve të New Yorkut – Mbrëmje fondmbledhëse për Shoqatën “Malësia e Madhe”
  • Edi Rama, Belinda Balluku, SPAK, kur drejtësia troket, pushteti zbulohet!
  • “Strategjia Trump, ShBA më e fortë, Interesat Amerikane mbi gjithçka”
  • Pse leku shqiptar duket i fortë ndërsa ekonomia ndihet e dobët
  • IMAM ISA HOXHA (1918–2001), NJË JETË NË SHËRBIM TË FESË, DIJES, KULTURËS DHE ÇËSHTJES KOMBËTARE SHQIPTARE
  • UGSH ndan çmimet vjetore për gazetarët shqiptarë dhe për fituesit e konkursit “Vangjush Gambeta”
  • Fjala përshëndetëse e kryetarit të Federatës Vatra Dr. Elmi Berisha për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë në Seancën Akademike kushtuar 100 vjetorit të lindjes së Peter Priftit
  • Shqipëria u bë pjesë e Lidhjes së Kombeve (17 dhjetor 1920)
  • NJЁ SURPRIZЁ XHENTЁLMENЁSH E GJON MILIT   
  • Format jo standarde të pullave në Filatelinë Shqiptare
  • Avokati i kujt?
  • MËSIMI I GJUHËS SHQIPE SI MJET PËR FORMIMIN E VETEDIJES KOMBËTARE TE SHQIPTARËT  
  • MES KULTURES DHE HIJEVE TE ANTIKULTURES
  • Historia dhe braktisja e Kullës së Elez Murrës – Një apel për të shpëtuar trashëgiminë historike

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT