Papa përshëndet vendet mbi të cilat fluturoi gjatë udhëtimit drejt Azisë/
Shkruan: Gjergji Mima/ – Gjatë fluturimit me avion nga Roma drejt Kolombos (Sri Lanka), Papa Françesku, siç është traditë, u dërgoi telegrame përshëndetjeje Krerëve të Shteteve të atyre vendeve mbi cilat kaloi gjatë udhëtimit apostolik. Pastaj në avion përshëndeti gazetarët që e shoqëronin gjatë këtij udhëtimi aziatik.
Sipas “Radio Vatikanit”, atmosfera në avion qe e përzemërt dhe familjare, siç di të krijojë Papa Françesku, me një risi: kësaj here nuk ishin gazetarët që shkonin për ta përshëndetur Papën, por qe Ati i Shenjtë Françesku, shoqëruar nga drejtori i Sallës së Shtypit të Vatikanit, atë Federiko Lombardi, ai që shkoi personalisht tek 76 gazetarët shoqërues, prej vendeve të ndryshme.
Me një buzëqeshje të veçantë Papa Bergoglio u tha: “Ju falënderoj për shoqërimin tuaj e ju uroj udhëtim të mbarë. Keni shumë punë! Ju falënderoj shumë, faleminderit edhe një herë për shoqërimin tuaj”.
Papa Françesku pastaj deshi t’u shtrëngonte dorën çdonjërit gazetarë, duke u ndalur për pak çaste në bisedë. Për sa i përket protokollit, gjatë udhëtimit u nisen telegramet e Papës drejtuar vendeve mbi të cilat fluturonte avioni.
Pas përshëndetjes drejtuar presidentit italian e bekimit apostolik për Italinë, Papa u drejtoi përshëndetjen e tyre edhe Shqipërisë e Turqisë, shoqëruar me lutjet e tij së bashku me kujtimin e vizitave të fundit apostolike.
Paqe e gëzim Papa i uron edhe Greqisë e qytetarëve të këtij vendi. Paqe e prosperitet, së fundi, edhe për Iranin, Emiratet e Arabisë, Omanin e Indinë.
Telegrami i Papës për Presidentin e Shqipërisë
Si zakonisht, gjatë kalimit të avionit në hapësirën ajrore të vendeve të ndryshme, Papa Françesku u dërgon një telegram përshëndetjeje të gjithë krerëve të shteteve përkatëse. Kështu ndodhi edhe kësaj radhe, gjatë udhëtimit të Atit të Shenjtë për në Sri Lankë e Filipine. Avioni papnor kaloi edhe sipër Shqipërisë. Ja telegrami drejtuar presidentit të Republikës së Shqipërisë, Bujar Nishani:
“Shkëlqesisë së Tij, Bujar Nishani
President i Republikës së Shqipërisë
Përshëndes përzemërsisht Shkëlqesinë Tuaj, ndërsa fluturoj mbi Shqipëri në udhën drejt Sri Lankës dhe Filipineve. Duke kujtuar ngrohtësisht vizitën time në vendin tuaj, ju siguroj rishtas lutje për kombin dhe popullin.