• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for February 2015

ISMAIL KADARE: DOSJET, TURP QE NUK JANE HAPUR

February 16, 2015 by dgreca

Shkrimtari i madh Ismail Kadare ka folur në emisioni Shqip me Rudina Xhungën për çmimin e madh të Jeruzalemit, por edhe për atë që po ndodh në vendin tonë. Per Dosjet dhe per ikjen e kosovareve. Rrëfimi i shkrimtarit për atë që ka ndodhur në vitet ’90 dhe pse mosbesimi vijon edhe sot tek shqiptarët.
Rudina Xhunga: Ishte një ceremoni e jashtëzakonshme ceremonia e çmimit, ne YMCA, Jeruzalem. Çfarë lloj çmimi është ky në kategorinë e çmimeve tjera që ju keni marrë?
Ismail Kadare: Është e vërtetë që dimensionet e kremtimit të tij janë shumë të ndjeshme, shumë të fuqishme. Ishte presidenti i vendit, i cili foli relativisht gjatë, gjë e rrallë, dhe foli si profesionist, duke analizuar veprën në mënyrë konkrete. Presidenti paraardhës, ishte gjithashtu njohës dhe mik i letërsisë, unë e kam takuar disa herë, madje një herë ka bërë diçka të çuditshme. Me rastin e daljes së librit tim “Piramida” u bë një promovim për botimin në gjuhën hebraishte. U habita kur më thanë do ta kryesoj vet Shimon Perez. E kryesoi takimin si profesionist, me librin përpara, me nënvizime, duke theksuar anë të ndryshme. Dmth në këtë vend ka një traditë shumë të bukur që çmohet letërsia në nivelin më të lartë. Ky vend ka një status për t’u pasur zili në botë
Presidenti në fakt më bëri përshtypje kur fliste për librin tuaj “Aksidenti”. Menjëherë shkova më pas ta gjeja librin në hebraisht. Kishte shumë libra të tjerë tuaj, të botuar. Këtu, ju keni shumë lexues .
Kadare: Libri “Aksidenti”, është një libër i imi, i zakonshëm, nuk është as ndër të shquarit, as ndër ata më të paktët, si të thuash. Për çudi këtu ka pasur përhapje dhe sukses të ndjeshëm. Ky është fakt. Edhe unë u çudita kur përmendi disa herë këtë roman, siduket i ka pëlqyer mjaft.
Më ka bërë përshtypje, kur kam intervistuar dy shkrimtarë izraelitë Amos Oz dhe David Grossman dhe të dy flisnin për ju. Madje nuk harroj fjalën e Amos Oz: “Ka hapur një dritare për mua për të njohur Shqipërinë, e kam njohur nëpërmjet tij”. Çfarë bisede bën një shkrimtar me një shkrimtar tjetër?
Kadare: Është shumë e lehtë kur niveli i shkrimtarëve është pak a shumë i njëjtë, psikologjia e tyre është pak a shumë e ngjashme. Tjetër gjë është kur një shkrimtar është tepër i njohur, tjetri më pak i njohur e që dëshiron të njihet dhe bëjë karrierë por ska arritur ende.
R.Xh: Jeni ju i pavëmendshëm ndaj çmimeve? I keni marrë të gjithë çmimet që keni dashur?
Ismail Kadare: Në botë ka shumë çmime, por njeriu nuk mund të dalldiset pas çdo çmimi që merr. Çmimet kryesore dihen kush janë, unë kam marr disa ndoshta shumicën e çmimeve kryesore, që është Man Booker Prize, i cili jepet nga Britania e Madhe. Është çmimi që jep Spanja , çmimi Princi Asturias, ka disa ditë që është bërë Princesha Asturias ngaqë Princi u bë Mbret. Çmimi tretë më i rëndësishëm është ky i Jerusalemit megjithëse nuk mund të thuash se është aq i njohur sa këta në planin e përditshëm, por është shumë i fuqishëm, i theksueshëm nga ana morale, edhe temën e ka të bukur, jepet për lirinë në letërsi. Një çmim që e çmojnë shumë sidomos shkrimtarë që vijnë nga një botë problematike, nga një botë ende e pasqaruar mirë, siç është bota ish komuniste, ende me arkiva të mbyllura. Unë e thashë dje edhe në fjalim, që Shqipëria është shteti i fundit në hapjen e dosjeve sekrete. Liria është gjëja më sublime që ka krijuar njerëzimi, madje qëndron mbi njerëzimin vet. Nëse mund të mburret njerëzimi me diçka është se ka krijuar paradigmën e lirisë, por që ai ende nuk e arrin dot. Njerëzimi është nën nivelin e lirisë.
Ka një debat të madh për hapjen e dosjeve. Gjithmonë përsëritet ky debat, duket sikur je afër dhe asnjëherë nuk ndodh.
Kadare: Eshtë një turp që kjo nuk po ndodh. Nuk ka asnjë arsye objektive që mos të ndodhë. Ka shumë avokatë të moshapjes së dosjeve që gjejnë nga mënyrat më meskine për ta përligjur. Disa fillojnë nga një frazë që duhet ta keni dëgjuar shpesh; ata që bërtasin më shumë për hapjen e dosjeve e kanë mizën nën kësulë. Kjo është një mënyrë shumë dinake, vulgare dhe meskine për ta bllokuar procesin. Njerëzit thonë se prit se unë nuk po flas, mos kujtojnë të tjerët se kam ndonjë dosje. Janë mënyra të ulëta, dekurajuese. Ç’ti hapësh? Ato janë prishur të gjitha, janë vjedhur; thonë të tjerë. Asnjëherë nuk ka hapje dosjesh dhe arkivash, pa nxjerrë të vërteta të mëdha, pa nxjerrë të vërteta të hidhura për një shoqëri. Mirëpo bllokimi që i ka bërë Shqipëria vite me rradhë, justifikimet që kanë bërë pseudoanalistët , ndonjëherë mediat, akademikët, kanë një marrëveshje dinake të përgjithshme që kjo gjë mos të ndodhë. Kjo gjë na turpëron, sepse vendet e tjera sidoqoftë, mirë apo keq i kanë hapur, ne jemi në gradën më të fundit në Europë dhe nuk vazhdohet me arsyetime boshe për të kryer një gjë që duhet kryer. Shqyrtimi i ndërgjegjes njerëzore është absolut. Nuk është një luks, është një domosdoshmëri, nuk është një trill a kapriço, jo është i detyrueshëm.
Hapja e dosjeve nuk është kuriozitet. Çdo vend që ka shkuar përpara, falë kësaj ka shkuar.
Pse ju mendoni që mund ta çoj përpara Shqipërinë hapja e dosjeve?
Kadare: Vetvetiu e çon përpara. E nuk është siç thonë disa se do ndodhë tragjedi, do të ndodhë armiqësi, do të ndodhë ftohja e madhe. Jo, nuk është e vërtetë. E vërteta sado e hidhur të jetë ka logjikën e saj, ka një gjë pozitive brenda.
Ju folët për dosjet ashtu siç pranuat edhe faktin se vepra juaj ka një problem me lirinë për shkak se është vepër e shkruar në robëri. I ktheheni shpesh shpjegimit të veprës suaj, e ndjeni ju të nevojshme ta shpjegoni veprën, veten, Ismailin, Kadarenë?
Kadare: Ke disa detyrime kur je person publik. Unë mund të them mos më çani kryet, merruni ju, bëni ç’të doni, unë jam shkrimtar e nuk merrem, por herë pas here duhet të merresh, kur mashtrimi bëhet kaq publik, kur kalon çdo kufi, saqë është mëkat ta lësh të përhapet akoma më shumë. Më vjen turp ta përmend si shembull se është fare vulgar, por është hapur një legjendë sikur unë paskam sharë refugjatët shqiptarë. U bë gati gjë zyrtare, u detyrova të ndërhyj dhe nuk ia dola. Mashtrimi ishtë aq i fortë, saqë e mundi të vërtetën. Kohët e fundit ndodhi një ngatërresë me një revistë të huaj, i doli emri dikujt, e ky mashtrim u vu në revistë ndërkombëtare. Revista më pas kërkoi ndjesë. Është mirë, kur ka raste të tilla, të ndërhysh. Rasti i shkrimtarëve që kanë krijuar në joliri, në robëri, kjo është gjithashtu një nga rastet e mashtrimeve, që kanë prirje të bëhen zotëruese. Thuhet se ne që kemi shkruar në atë kohë vetvetiu kemi bërë letërsi të keqe, ose letërsi që s’ka pse të jetojë më. Ky problem duhet sqaruar. Letërsia është absolutisht shpërfillëse nga regjimi shoqëror, regjimi mund t’i bjerë në qafë, mund ta fusë në burg, ta pushkatojë shkrimtarin, ta torturojë por s’ka ç’i bën letërsisë, nuk e ndryshon dot letërsinë. Fakt që në kohën e Stalinit, në ish Bashkimin Sovjetik janë bërë tmerret më të mëdha dhe prapë shkrimtarët më të shquar të shekullit janë ata që kanë jetuar nën presionin stalinist. Letërsia është kundërshtim i tiranisë. Nëse është letërsi normale është antitiranike. Vetëm letërisa e keqe nuk është as antitiranike, nuk është asgjë në të vërtetë.
Në fakt nuk kanë dashur të thonë se letërsia juaj ishtë e keqe, kanë dashur të thonë se letërsia juaj, ju bën juve përfaqësues të realizmit socialist.
Kadare: Kjo s’ka asnjë kuptim. Çfarë kuptimi ka realizëm socialist? Realizëm i kohës së socializmit, është fare normale. Letërsi e kohës së komunizmit. Letërsi e realizmit socialist është letërsia që u krijua në atë kohë. Kjo fjalë as e dëmton, as e justifikon, as e lavdëron, nuk bën asgjë, është thjesht një term që e tregon, asgjë tjetër. Këtu janë thjesht spekullime të pafundme që bëhen. Disa thonë se na mbytën këto shkrimtarët e realzimit socialist, disa thonë se këta kanë mbetur po këta korifej edhe sot. Po kush i cakton këta si korifej? Letërsia ka ligjet e saj, s’ke ç’i bën ti si shtet. Letërsinë nuk e prish dot regjimi, letërsinë e prishin vet shkrimtarët. Pra nqs një regjim fabrikon shkrimtarë të pandërgjegjshëm, vetëm ata mund ta prishin letërsinë. Ashtu si një mur nuk ke nevojë ta rrëzosh duke e goditur me top, me artileri, por i vë tulla të këqija, që kur të kalojë pak kohë, të rrëzohet vetë. Pra po ne mund ta prishim letërsinë, po ne mund ta ndreqim. Ne jemi përgjegjës për të këqijat e saj, ne kemi meritën për të mirat e saj, ne shkrimtarët. Askush tjetër.
Po demokracia çfarë ndikimi ka te letërsia?
Kadare: Për çudi as demokracia, as liria që është gjëja më sublime në botë nuk e përmirëson dot letërsinë, ky është vërtetimi i kumit të pavarsisë së saj.
Dua t’i rikthehem edhe njëherë momentit që është folur për njerëzit që ikin, për njerëzit që lanë Shqipërinë. Është shkruar shprehimisht, Ismail Kadare tha se ata janë jashtëqitja e kombit.
Kadare: Kur ndodhi ikja e refugjatëve, akuza ishte e tmerrshme sepse doli që shkrimtari më i shquar shqiptarë i quajti brezin e ri që lë Shqipërinë atë që thatë juve, s’dua as ta përmend. Kjo ka ndodhur në fund të verës së 90, për 2- 3 javë unë do të ikja vetë. Kur kam ikur, unë kam bërë një hymn për këtë, për djemtë e vajzat që lanë Shqipërinë në atë mënyrë tragjike, e botova në shqip dhe në frëngjisht. Thashethemi u përhap, në fillim për të ekuilibruar këtë gjë, pas kësaj thashethemi u shumëfishua në formë hakmarrjeje kundër shkrimtarit. Unë shkrova diçka vërtet tronditëse, e kam botuar disa herë, kam përshkruar tablonë më dramatike që kam në letërsinë time, natën e ikjes së refugjatëve shqiptarë. Mashtrimi ka fituar mbi këtë fakt. Dhjetë herë mund të kem ndërhyrë unë për të korrigjuar këtë trillim, e pamundur, trillimi triumfonte gjithmonë. Kur u përsërit edhe në një revistë ndërkombëtare, u bë një skandal ende i pasqaruar plotësisht. Diktatura është jashtëzakonisht hakmarrëse, edhe e rrëzuar është hakmarrëse, ka mekanizmat e saj që veprojnë, është një frymë që ka mjete konkrete për të vepruar.
Çfarë e mban akoma gjallë këtë frymë?
Kadare: Këtë e mban një mllef i madh, një dëshpërim i madh që Shqipëria s’është më e tyre. Ka shumë njerëz që nuk e duan këtë lloj Shqipërie, njerëz që thonë; Shqipëria mos qoftë. Nuk e duan për disa arsye, se kanë humbur privilegjet e tyre, kanë humbur pushtetin që kishin, kanë humbur arrogancën e tyre, kanë humbur gjithçka, gëzohen, kur këtij vendi i shkojnë keq punët, shpirti ua do, që meqë nuk e gëzuan ata, Shqipërine, mos ta gëzojë askush. Kjo është gjëja më e keqe që po ndodh në Shqipëri, një frymë mosbesuese, një frymë e theksuar kultivimi dëshpërimi, e mungesës së shpresës. Po të shikosh njerëz krejt normalë, ndonjëherë, kur i pyet, pse ikni nga Shqipëria, thonë: Se kemi humbur shpresën. Ç’shpresë? Ai nuk di ç’është shpresa, koncepti shpresë. Çfarë shprese humbi ai njeri i thjeshtë, që lë shtëpinë e vet, lë tokën dhe ia mbath të arrijë në Vlorë, sepse u hapën fjalë se ka dy anije. Si shkon me gra dhe fëmijë, ky njeri?

Filed Under: Interviste Tagged With: ISMAIL KADARE: DOSJET, JANE HAPUR, QE NUK, Turp

HAPNI DOSJET!

February 16, 2015 by dgreca

Nga Fritz RADOVANI:Pjesa II/*
ENVER HOXHA:TIRANI MA I MADH I SHEKULLIT XX/
47 VJET KRIME E DOSJE… NUK ZHDUKEN/
■Në vitin 1944 Shqipnia kishte 1.200.000 banorë! Vrasjet e krimet e Enver Hoxhës me bashkpunëtorët e tij terroristë ndaj të gjithë Atdhetarëve Shqiptarë në 47 vjetë robni të panjohun në Shek. XX, nuk mund të krahasohen me ASNJË tjetër, as me Stalinin!
■Specialistët jugosllavë dhe sovjetikë kishin mërrijtë që në ditët para të robnisë…
■Urdhni per pushkatime dhe arrestime përgatitej nga qendra, pra, direkt nga E. Hoxha.
Veprimet kriminale në Jug ishin realizue me sukses. Po e njajta rrugë shfarosje për të gjithë antikomunistët asht ndjekë edhe në Veriun e vendit, ku siguria nder veprime ka kenë edhe ma e madhe, mbasi rretherrotull Shqipnisë ishin forcat jugosllave të gatëshme per me nderhy po kje se, “njerëzit e malit” sillnin probleme per forcat e ndjekjes.
■PKSh që fshihej nën rrobat e ushtrisë, dhe sigurimi nen forcat e ndjekjes, të jepnin idenë se komunistët janë “dorëjashtë” në terrorin që filloi njëheri me robninë e forcave të bolshevikëve të Titos, me pseudonimin “specialistët” jugosllavë. Metodë që ma vonë u zbatue nga “këshilltarët” sovjetikë, dhe u vazhdue nga terroristët shqiptarë me sukses.
■Tirani Enver Hoxha, fitoi shumë shpejtë besimin e të gjithë antishqiptarëve, me dorën e tij gjakatare dhe vrasëse, tue iu krijue të gjitha privilegjet e një udhëheqësi të PPSh, dhe tue u ndihmue nga sovjetikët, jugosllavët, anglezët, amerikanët, francezët, italianët, kinezët… dhe cilido terrorist që do ta ndihmonte ate me mbajtë pushtetin me të gjitha mjetet materiale dhe ushtarake, për shfarosjen e Atdhetarëve të shquem Shqiptar.
■Per të gjitha arrestimet, pushkatimet e burgosjet, dhe mbas 15 Majit 1945 interrnimet, të gjitha krimet e kryeme në territotin e Shqipnisë, duheshin ba të dijtuna Enver Hoxhës, madje, edhe “vullneti i fundit i të pushkatuemëve” para gropës së varrosjes pa emen…
■Kur PKSh doli haptas me emnin PPSh, dhe drejtohej zyrtarisht nga E. Hoxha, ajo ka fillue planifikimin e terrorit në Shqipninë e robnueme haptas dhe me dokumenta, që e faktojnë këte që me 17 Nandor 1944, kur forcat partizane hyne zyrtarisht në Tiranë.
■Byroja politike e Komitetit Qendror të PPSh, merrte vendimet e saja per arrestimet që do të baheshin nder rrethe, sa vetë do të pushkatohen (ku vendin e parë e zinte Shkodra), sa do të dergohen nder kampe pune e shfarosje, sa do të interrnohen, sa shtëpi, dyqane e tokë do të konfiskohen…dhe kjo shifer e detajueme i kalonte per zbatim direkt ministrit të mbrendshem, mbasi aprovimi i kryeministrit ishte marrë në Byronë politike të K.Q.
■Ministri i Mbrendshëm shperndante planifikimin nder rrethe tue ngarkue kryetarët e degave të mbrendshme me dergue listat emnore në ministri, per personat që mendohej me u burgosë dhe masat e dënimit që do të jepeshin në perputhje me shifren e qendres.
■Mbas aprovimit nga ministri i mbrendshëm, ngarkohej dega e mbrendshme me ba arrestimin, fillonte hetimet, mbyllej dosja hetimore, dhe personi i kalonte gjykatës per dënim. Jepej dënimi dhe çeshtja shkonte në Gjykatën e Naltë, shoqnue me mendimin e kryetarit të degës së mbrendshme, i cili theksonte masen tue zbatue vendimin e parë që kishte dergue me dosjen konsultative ministri i mbrendshem (nenkuptohej planifikimi).
■Vendimet me pushkatim i kalonin Presidiumit Kuvendit Popullor. Mbas ekzekutimit të viktimës njoftohej tirani Enver Hoxha per suksesin, dhe “vullnetin e tij të fundit”…
■Personat që dënoheshin me “heqje lirije”, shperndaheshin nder kampe ose burgje.
■Kur perfundonte dënimin dhe lirohej, viktima porsa fillonte punen do të plotsonte një dosje “pune”, e cila mbyllej vetem kur vdiste personi… Motivacioni i lirimit nga burgu i ndiqte të gjithë familjarët e viktimës dhe trashigimtarët e tij, tue i etiketue “të deklasuar” per gjithë jeten e tyne dhe fëmijët e tyne që do të lindshin edhe 20 apo 30 vjetë mbas…
■Per trashigimtarët e të pandehurit dhe familjarët e tij, porsa jepej dënimi nga gjykata, kryetari i lagjes bante rregjistrimet në degen ushtarake per mashkujt, ndersa nder vendet e punës së familjarëve të tjerë bahej menjëherë rregjistrimi nga shefat e kuadrit.
■Pra, si konkluzion arrijmë me vertetue se një i “persekutuem ase i pushkatuem” ka këto Dosje, të cilat fillojnë me persekucionin e tij dhe vazhdojnë me trashigimtarët:
■Dosja konsultative: Ministri jep motivacinin e arrestimit, Dega e mbrendshme e rrethit percakton personin kriminel per zbatim, hetuesin dhe akuzen…si dhe afatin e veprimit.
■Dosja operative: Kryetari i degës ose shefi i hetuesisë, ngarkonin hetuesin X me ba arrëstimin, me fillue hetimet me té në pistën e planifikueme, tue parashikue torturat, dishmitarët, dhe dënimin. Per të gjitha veprimet ose ndryshimet njoftohej ministri.
■Hapet Dosja e hetimeve me të arrestuemin: Mbyllej kur i arrestuemi dënohej.
■Hapet Dosja e Gjykatës në rrethin ku dënohet i arrestuemi. Per ushtar ku asht arrestue.
■Hapet Dosja e Gjykatës së Naltë, që vendosë vendimin e parashikuem nga ministri.
■Hapet Dosja e Kuvendit Popullor, me vendimin perfundimtarë per të dënuemit me vdekje, dhe vendimi i percillet gjykatave të rrethit, ministrisë së mbrendshme per zbatim.
■Zbatimi i vendimit perfundimtar me vdekje, zbatohet nga degat e mbrendshme nder rrethe, tue kenë i pranishem prokurori i rrethit ase kryetari i gjyqit të çeshtjes.
■Hapet dosja e burgut: Per të dënuemit me burg, punë të detyrueshme etj…
■Dega e mbrendshme e rrethit njofton degen ushtarake, komitetet ekzekutive dhe të gjitha këshillat e lagjeve per vendimin e marrun nga gjykata e naltë, dhe menjëherë do të bahen rregjistrimet nder vendpunimet e familjarëve të tjerë, kurse komiteti ekzekutiv në zyren e kuadrit të veten, merr vendimet per punësime, largime, bursa studimi etj…
■Komiteti i PPSh hapë Dosjen per kadrot e nalta të të dënuemit, dhe percakton “luften e klasave”, masat ndaj personave të asaj familje që u asht dënue pjestari i saj.
■Komiteti i PPSh Hapë Dosjet e perjashtimit nga Partia të familjarëve të dënuemit, dhe jep udhzimet në Degen e Mbrendshme per ata dhe rrethin shoqnor të tyne.
■Per të gjithë personat që kanë perfundue shkollat e nalta ka Dosje Personale, ku asht e shenueme sjellja, qendrimi politik, aktivizimi me aksionet e rinisë (ku nenkuptohet me sigurimin e shtetit) dhe sa asht i vlefshem per të ardhmën…në sherbim të PPSh.
■Për disa persona të “veçantë” Komiteti Qendror i PPSh, ban trasferime nga burgjet, dhe me urdhën sekret të komiteteve të PPSh rretheve, terroristët bajnë zhdukjen e tyne kryesisht, kur mungojnë faktet publike per pushkatim, si rasti i Ndrekë Kodhelit, Don Zef Maksen etj., që gjoja dergohen nga Tirana per burg të Burrelit e vriten gjatë rrugës.
■Per të gjithë agjentët e sigurimit të shtetit kishte privilegje, shperblime, dekorata dhe gradime të dhanuna per vrasje, burgime, hetime në tortura dhe rekrutime agjentash.
■Të gjitha veprimet terroriste të këtyne agjentave udhzoheshin dhe kontrolloheshin nga metastazat e komitetit qendror të PKSh (PPSh) nder rrethe, me qender Komiteti i PPSh.
■Besueshmenia e një komunisti matej me sherbimin e tij si agjent i sigurimit të shtetit.
■Pra, asht e kjartë se nga të gjitha këta dokumentacione dhe Dosje, sot ne vertetojmë të
gjitha krimet e Gjenocidit komunist, kriminelët dhe vrasësit me veprat terroriste të tyne,
per të cilat Enver Hoxha, Ramiz Alia, Nexhmije Hoxha, Haxhi Lleshi, Mehmet Shehu, dhe të gjithë pasuesit tjerë, vazhdojnë me kenë “Heronjë të Popullit” JO Shqiptar!..
■Shqipnia asht kenë dhe vazhdon me kenë një shtet i errësuem me dashje dhe pa asnjë prospektivë “drite” nga e mira, përderisa nuk nxjerrë në pah faktët historike, Krimet e pashembullta në një Shqipni, e cila nuk mund të krahasohet me ASNJË shtet tjetër, per krimet e kryeme ndaj një Populli Shqiptar, me atë sasi popullsije që kishte Shqipnia!
Sot metastazat e tyne po vazhdojnë me qëndrue në parimin komunist të baballarëve:
“Çkado që kemi bërë ose mund të bëjmë, né kemi të drejtë ta bëjmë prap!”.
Vazhdon: Pjesa III Dosjet e agjentave të burgosun…
Melbourne, Shkurt 2015.
*NNe vijim te ciklit: ë 70 vjetorin e permbytjes së Shqipnisë…

Filed Under: Analiza Tagged With: Enver Hoxha, Fritz radovani, Hapni Dosjet, krimine

MISTERI I JETEGJATESISE SE VATRES DHE DIELLIT

February 16, 2015 by dgreca

NGA PETER PRIFTI*/
“Vatra e mbaroi qëkuri misionin e saj historik.”!/
“Vatra dhe Dielli po i ngrysin ditët.”!/
Sa herë, vallë, na kanë dëgjuar veshët fjalë si këto?/
Fjalë të këtilla për Vatrën dhe Diellin janë pëshpëritur poshtë e lart me vite e me dekada. E megjithatë, Vatra dhe Dielli janë gjallë dhe sot e kësaj dite. I kanë përgënjeshtruar të gjitha predikimet e vdekjes së tyre. Si për inat të pesimistëve, kanë refuzuar të tërhiqen dhe të zhduken nga skena e botës shqiptare.
Jetëgjatësia e Vatrës dhe organit të saj – të dyja tashmë në dekadën e tetë të jetës së tyre – është më tepër se kureshti. Ajo paraqitet si një “mister” që të çudit, dhe që kërkon shpjegim. Por, po të rrish e të mendosh pak, nuk është vështirë të kuptosh pse Vatra dhe Dielli kanë arritur një moshë kaq të lashtë.
Pa dyshim, arsyeja numër një është shërbimi madhështor që i bëri atdheut Vatra gjatë 12 vjetëve, që kur u themelua më 1912 dhe deri më 1924. Me punën e shkëlqyer që bëri në atë periudhë, Vatra rrëmbeu zemrat dhe mendjet e shqiptarëve dhe u fut thellë në shpirtin e tyre, madje kaq thellë sa nuk mund ta harronm as brezi i imigrantëve të parë që e krijoi atë shoqatë, as brezat që pasuan 20, 40 dhe 60 vjet më vonë, deri në ditët tona. Vatra dhe Dielli u bënë fanar i shkëlqyer që ndriçonte rrugën e shqiptarëve në atë periudhë të artë, dhe trumbetë e fuqishme që ndizte zemrat e tyre flakë me ndjenjat e atdhedashurisë. Oshëtimat e asaj trumbete nuk heshtën, nuk u tretën në hapësirë, por tingëllojnë edhe sot në veshët e shqiptarëve.
Jeta e Vatrës është paralele me jetën e Shqipërisë moderne. Të dyja kanë një moshë. Prandaj, kur kujton apo bisedon për Vatrën, shqiptari dashur pa dashur e lidh emrin e saj me kombin shqiptar, me vendin e origjinës së tij. Dhe, sikundër ai dëshiron që të rrojë Shqipëria, po ashtu dëshiron – ndofta pa e kuptuar dhe ai vetë – të rrojë edhe moshatarja e saj, Vatra. Kjo ndjenjë fisnike i ka nxitur shqiptarët ta mbajnë gjallë këtë shoqatë famëmadhe për më se 80 vjet.
Kur kujton apo bisedon për Vatrën dhe Diellin, shqiptari, gjithashtu, kujton menjëherë emrat e nderuar të Fan Nolit, Faik Konicës si edhe të veteranëve të tjerë që themeluan Vatrën dhe punuan natë e ditë për Shqipërinë. Prandaj, respektin dhe admirimin që ka për Nolin dhe Konicën, ai e ndan me Vatrën, që është krijesa e tyre dhe thesari që u lanë trashëgim shqiptarëve. Këtë trashëgim shqiptarët e kanë ruajtur si amanet, dhe kjo ka ndihmuar për t’ia zgjatur jetën Vatrës nga një brez te tjetri.
Shqiptari e sheh Vatrën jo si një shoqatë të thjeshtë, por si një institut, apo monument historik. Si e tillë, ajo qëndron përmbi interesat lokale, të kufizuara dhe kalimtare të këtij ose atij grupi. Ndonëse është marrë me politikë – se me politikë u angazhua edhe Skënderbeu dhe Ismail Qemali – ajo shihet gati si simbol kombëtar, që përfaqëson dhe bashkon të gjithë shqiptarët, pa dallim. Ja një tjetër arsye që shpjegon jetëgjatësinë e Vatrës dhe DIELLIT.
Dielli është regjistri më i vjetër i jetës kolektive të shqiptarëve të Amerikës. Në faqet e tij është shkruar gati gjithë historia e tyre, që kur zbarkuan imigrantët e parë dhe deri te imigrantët e fundit. Vetë ky fakt i lidh ata me Diellin dhe Vatrën në një mënyrë intime, të ngrohtë, pak a shumë ashtu siç lidhen njerëzit me shokë e miq të vjetër dhe të paharruar. Edhe ky fakt ka lojtur rol në jetëgjatësinë e Vatrës.
Ka edhe një arsye tjetër që shpjegon misterin e lashtësisë së pashembullt të Vatrës. Ky është faktori semantik apo gjuhësor që ka të bëjë me vetë emrin e Vatrës dhe të organit të saj. Fjala “Vatra” tingëllon bukur në vesh, mbasi na sjell para syve imazhc të këndshme e të dashura si oxhakun e shtëpisë, zjarrin e ngrohtë, rrethin familjar, zakonet e mikpritjes dhe bujarisë. Po ashtu fjala “Dielli” na tërheq si një magnet, sepse “diell” do të thotë dritë, energji e pasosur, jetë e gjallëri. “Vatra” dhe “Dielli” janë emra të goditur, që i kanë tërhequr shqiptarët qysh nga fillimi i shekullit 20 dhe deri te pragu i shekullit 21, ku kemi arritur.
Nga diskutimi i sipërm del se jetëgjatësia e Vatrës dhe Diellit, sado e çuditshme që duket në sipërfaqe, nuk është mister i pazgjidhshëm. Vatra dhe Dielli kanë rrojtur dhe rrojnë mbasi ato janë të lidhura ngushtë qoftë me jetën e jashtme, kolektive të shqiptarëve (është fjala për punët e mëdha që kanë bërë nëpërmjet Vatrës), qoftë me jetën e tyre të brendshme, me ndjenjat shpirtë- rore dhe emocionale, me krenarinë dhe nostalgjinë për të shkua- rën, me gjithë historinë e tyre në Amerikë.
* Ky artikull u botua DIELLI, Nju Jork, numri janar-shtator 1994.)

Filed Under: ESSE Tagged With: DHE DIELLIT, MISTERI I JETEGJATESISE, peter R Prifti, se Vatres

DIELLI-KANDILI KOMBËTAR

February 16, 2015 by dgreca

Nga Refat Xh. Gurrazezi/
Janë shkruar shumë artikuj në fletore dhe të përkohëshme shqiptare mbi historin’ e DIELLIT prej njerësve të ndryshmë se si dhe qysh u-themelua ky kandil kombëtar, dhe pa dyshim njerës të tjerë do t’shkruajnë në t’arthmen mbi këtë pikë.
Me mbylljen e gazetës “Kombi” në Boston dhe të revistës “Albania” në London, qe nevojë e domosdoshme për botimin e një gazete kombëtare jashtë Shqipërisë që të lëftonte për të drejtat e popullit shqiptar. Dhe kjo nevojë u duk më tepër kur Xhon-Turqit burgosnë Dervish Himen sepse i gjetnë Flamurin e Shqipërisë me vete, dhe asnjë gazet’ e brendëshme nuk guxoj dot të fliste për mbrojtjen e tij nga frika e Xhon-Turqve.
Ahere Faik Konitza në London dhe Fan Noli në Boston u-muarnë vesh për botimin e një gazete shqip n’Amerikë.Ata nukë njiheshin personalisht, njohja e tyre qe me anë të shkrimeve në shtyp dhe të letre-këmbimit, dhe ashtu u-lith miqësia në mes të dyve. Natyrisht patnë dhe shokë të tjerë që e biseduan çështjen e gazetës, po fakti është se ata të dy qenë shkaktarët kryesorë për botimin e DIELLIT. Me përpjekjet e tyre u-ndes ky Kandil Kombëtar më 15 shkurt 1909, dhe është mbajtur ndezur gjer sot nga Vatranët e dedikuar dhe patriotë të vërtetë që s’janë larguar kurrë nga VATRA.
Kush e pagëzoj DIELLIN me këtë emër, nuk e di dot, kjo gjë munt të jetë shënuar në rekordin e shoqërisë “Besa-Besën” kur u vendos botimi i tij, po ku munt t’a gjejmë atë rekord? Kurse për themelimin e VATRES gjenden plot dokumenta historikë, ndonëse shumë herë janë shtrëmbëruar nga njerës të pakujdesur, besoj kjo është fjala më e urtë që munt të përdorim. Për shembëll, kur u-festua Dekata e Parë e Federatës Vatra, dolli një numër i posaçmë i DIELLIT me 16 faqe, dhe atje është botuar një artikull i gjatë prej Faik Konitzës mi historin’ e VATRES, i cili në paragrafin e fundit thotë këto: “Për emërin, formën federale, kanunorën, regulloren, dhe shpiritën e parë të VATRES, jam responsible (përgjegjës) unë. Po e drejta është që VATRA, të cilën un’ e lashë çilimi shtatë muajsh, u-rit, u-madhua, u-bë një forcë nga Fan Noli dhe Vatranët e Amerikës, më 1915-1919, dhe n’atë shvillim unë s’kam patur as një pjesë. (DIELLI: 31 Mars 1922).

Filed Under: ESSE Tagged With: dielli, kandili kombetar

NJOFTIM NGA AAOHA

February 16, 2015 by dgreca

Te Nderuar Vellezer e Motra
kerkojme ndihme me rastin e permbytjeve ne jugun e Shqiperise
( kontributet tuaja mund te jene te ndryshme ) jeni te mire pritur,
per te gjithe te interesuarit
Perkrahje kemi nga Zyrat ,
State Senator
Hassell-Thompson , Ruth

State Senator
Jeff Klein
Assemblyman
Mark Gjonaj
Councilman
James Vacca
Councilman
Richie Toros
Exit realty
Sony Vataj
Apple Bank
on Pelham Park Way
Si dhe Organizatat ne Bronx
Jewish Community Center
Pelham Park Association
Morris Park Association
Morris Park Patrol
Bronx Park East
Ju faleminderit te gjitheve
per mirekuptimin
Me Respekt te plote per te gjithe

Filed Under: Komunitet Tagged With: NGA AAOHA, Njoftim

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 28
  • 29
  • 30
  • 31
  • 32
  • …
  • 70
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Bahamas njeh Kosovën!
  • Legjenda e portës shkodrane, Paulin Ndoja (19 dhjetor 1945 – 16 prill 2025) do të mbushte sot 80 vjeç
  • “Roli dhe kontributi i diplomacisë shqiptare në Maqedoninë e Veriut nga pavarësia deri sot”
  • Marie Shllaku, kur një jetë e re u shndërrua në përjetësi kombëtare
  • Në sinoret e Epirit…
  • Mbrëmë hyri në fuqi Ligji i SHBA për autorizimin e mbrojtjes kombëtare
  • Skënderbeu “grek”, ose si të bëhesh grek pa e ditur
  • A historic moment of pride for the New Jersey Albanian-American community
  • U zhvillua veprimtaria përkujtimore shkencore për studiuesin shqiptaro-amerikan Peter Prifti
  • Dashuria që e kemi dhe s’e kemi
  • “Jo ndërhyrje në punët e brendshme”, dorëheqja e Ismail Qemalit, gjest atdhetarie dhe fletë lavdie
  • Arti dhe kultura në Dardani
  • Gjon Gazulli 1400-1465, letërsia e hershme shqipe, gurthemeli mbi të cilin u ndërtua vetëdija gjuhesore dhe kulturore e shqiptarëve
  • “Albanian BookFest”, festivali i librit shqiptar në diasporë si dëshmi e kapitalit kulturor, shpirtëror dhe intelektual
  • VEPRIMTARI PËRKUJTIMORE SHKENCORE “PETER PRIFTI NË 100 – VJETORIN E LINDJES”

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT