• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for February 2015

TIRANA, KRYEQYTETI SHQIPTAR, KREMTON 95 VJETORIN

February 10, 2015 by dgreca

Kryeqendra e qarkut dhe rrethit me të njëtin emër dhe kryeqyteti i Republikës së Shqipërisë, Tirana, kremton te merkuren 95- vjetorin e shpalljes kryeqytet.
Qyteti i themeluar në vitin 1614 nga Sulejman Pashë Bargjini dhe që u quajt për herë të parë me emrin Tiranë në vitin 1418 në një dokument të Venedikut, u shpall kryeqytet i përkohshëm i Shqipërisë në 9 shkurt 1920 nga Kongresi i Lushnjës dhe pjestarët e Këshillit Kombëtar hynë në qytet në 11 shkurt 1920 dhe përfundimisht Tirana u shpall kryeqytet i Shqipërsisë në vitin 1925. Me këtë rast, Muzeu Historik Kombëtar, në bashkëpunim me shoqatën “Alsar” dhe shkollën jopublike “Tirana Jonë” me rastin e 95- vjetorit të shpalljes së Tiranës kryeqytet, do të hapin për të gjithë publikun një ekspozitë fotografike me pamje nga Tirana ndër vite në ora 10.00 në hollin kryesor të Muzeut Historik.
Gjatë ekspozitës, nxënësit e shkollës “Tirana Jonë” kanë përgatitur një program kulturor, i cili do të përmbajë një prezantim historik për Tiranën, poezi dhe valle.
Ndërkohë që edhe Bashkia e Tiranës, me rastin e 95- vjetorit të shpalljes së Tiranës kryeqytet, do të inaugurojë në Qendrën Ten në kuadër të projektit artistiko – kulturor ekspozitën fotografike dhe atë me piktura “Tirana Kryeqytet 11 shkurt 1920”, dy ekspozita me tematikë të kthimit të Tiranës në qendër të rëndësishme urbane.
Kjo ekspozitë do të jetë me fotografi të periudhës nga autorë të ndryshëm të kohës. Në këto foto do të pasqyrohet ndryshimi dhe zhvillimi i madh që pësoi Tirana pas marrjes së saj të statusit të veçantë si kryeqytet.
Ndërsa në ekspozitën tjetër do të pasqyrohen punime në fushën e pikturës me peizazhe, godina, rrugë karakteristike të Tiranës etj. Në këto piktura do të ketë momente të zhvillimeve të para të jetës në qytet por edhe të gjendjes aktuale ku janë integruar arkitektura dhe urbanistika e momenteve të para të lindjes së Tiranës si kryeqytet. Ky projekt do të kontribuojë në gjallërimin e jetës artistiko – kulturore në qytetin e Tiranës, do të nxisë të rinjtë dhe qytetarët e Tiranës për njohjen e historisë së qytetit të tyre dhe njëkohësisht do të kontribuojë në njohjen dhe pasurimin e vlerave historike të qytetit të Tiranës.

Filed Under: Histori Tagged With: 95 VJETORIN, KREMTON, KRYEQYTETI SHQIPTAR, tirana

Kriteret për liberalizimin e vizave sfidojnë Kosovën

February 10, 2015 by dgreca

“Qeveria e Kosovës, çështjen e liberalizmit të vizave duhet ta shndërrojë në prioritet nacional në mënyrë që qytetarët të lëvizin lirshëm në vendet e BE-së dhe jo ilegalisht siç janë duke vepruar”, kanë deklaruar të hënën drejtuesit e Grupit për Studime Juridike dhe Politike në Prishtinë.
Në një konferencë për media, ata theksuan nevojën e shpejtë të përmbushjes së kritereve të kërkuara nga Bashkimi Evropian, për liberalizmin e vizave.
Dren Doli nga ky Grup, tha se aktualisht janë tri çështje për të cilat Qeveria duhet të punojë shumë, e të cilat çështje, sipas tij, çojnë në drejtim të liberalizimit të vizave.
“Çështja e parë që duhet adresuar është se Qeveria e Kosovës, e ka të nevojshme që procesin e liberalizimit të vizave ta shndërrojë në prioritet nacional. Çështja e dytë e rëndësishme ka të bëj më migrimin dhe ndikimi që migrimi do të ketë në vendimin përfundimtar për liberalizim. Çështje tjetër e rëndësishme që lidhet me migrimin ka të bëjë me numrin e kërkesave për azil në vendet e zonës Schengen”, tha Doli.
Ai ka theksuar se kërkesat për azil në vendet e Bashkimit Evropian janë shumëfishuar dhe kjo sipas tij, do ta vështirësojë në masë të madhe mundësinë që Kosova të marrë një mesazh pozitiv nga Bashkimi Evropian.
Komisioni Evropian në korrik të vitit 2014, ka prezantuar raportin e tij të dytë për progresin e Kosovës në përmbushjen e kërkesave për udhërrëfyesin për liberalizimin e vizave.
Në raport është thënë se Kosova ka arritur progres, por kërkohen përpjekje të mëtutjeshme për të fituar udhëtimin pa viza për qytetarët e Kosovës.
Albana Merja nga Grupi për Studime Juridike dhe Politike, ka përmendur disa nga obligimet dhe detyrat që Kosova dhe institucionet e saj ende nuk kanë përmbushur, ashtu siç kërkohet.
“Që në fillim të këtij procesi të liberalizimit, ka qenë ri-integrimi dhe riatdhesimi. Ky është një proces i rëndësishëm, pasi të gjithë qytetarët që kthehen, duhet të arrijnë dhe të kenë një ri-integrim në shoqëri. Siç po shihet, ata pasi kthehen po tentojnë të migrojnë përsëri, pasi që nuk po arrijnë ta gjejnë veten në Kosovë dhe janë të papunë”, tha Merja.
Nga ana tjetër, zyrtarë të lartë të Ministrisë së Integrimeve Evropiane, i kanë hedhur poshtë deklaratat se nuk është duke u punuar në çështjen e riatdhesimit dhe ri-integrimit.
Ata thonë se korniza ligjore nacionale për ri-pranim është kompletuar.
Kosova deri më tani ka nënshkruar 20 marrëveshje dypalëshe të ri-pranimit me 22 vende: 18 shtete anëtare të BE-së, 2 shtete të asociuara me BE-në dhe 2 shtete të Ballkanit, kurse dy marrëveshje të tjera janë në proces e sipër.
Sipas tyre vetëm në tremujorin e parë të vitit 2014 janë ri-pranuar 1,034 persona.
Sa i përket ri-integrimit të qëndrueshëm, politikat janë përmirësuar vazhdimisht, kanë deklaruar zyrtarët e Ministrisë së Integrimieve për Radion Evropa e Lirë.
Ramadan Ilazi, zëvendësministër i Integrimeve Evropiane, nuk ka mohuar faktin se çështja e migrimit ilegal do të jetë një sfidë për Kosovën.
Ai duke folur për përmbushjen e kritereve për liberalizim, theksoi se raportet e fundit nga institucionet përgjegjëse kanë treguar se Kosova është në fazën përmbyllëse të përmbushjes së kritereve të udhërrëfyesit.
“Si hap i fundit në kuadër të këtij dialogu për liberalizim të vizave, Komisioni Evropian pret nga ne që të dërgojmë një raport me përmbushjen e rekomandimeve të fundit që ata na i kanë dhenë ne verën e vitit të kaluar. Është në interesin tonë që këtë raport ta dërgojmë vetëm atëherë kur ne jemi të sigurtë që kemi bërë gjera të nevojshme. Indikacionet janë që këtë ta bëjmë brenda pjesës së parë të këtij viti”, tha Ilazi duke shtuar se liberalizmi i vizave është prioritet nacional dhe shtetëror i qeverisë.
Komisioni Evropian ka lansuar dialogun për liberalizimin e vizave me Kosovën më 19 janar 2012. Udhërrëfyesi për viza i është dorëzuar autoriteteve të Kosovës më 14 qershor 2012. Ai paraqet një listë gjithëpërfshirëse reformash, të cilat Kosova është kërkuar t’i përmbushë.(RFL)

Filed Under: Analiza Tagged With: Kriteret për liberalizimin e vizave, sfidojnë Kosovën

EMIGRIMI NGA KOSOVA-Më pak autobusë për në Beograd?

February 10, 2015 by dgreca

Nga Arton Konushevci/
Interesimi i qytetarëve të Kosovës që të migrojnë në mënyrë të paligjshme në drejtim të vendeve të Bashkimit Evropian duket se ka nisur të shënojë rënie.
Në Ministrinë e Punëve të Brendshme të Kosovës, e pohojnë një gjë të tillë, por gjithsesi edhe në stacionin e autobusëve në Prishtinë deklarojnë se për dallim nga ditët e kaluara, interesimi për të blerë biletë për në Serbi, ka rënë.
Drejtori i stacionit të autobusëve, Nol Dedaj, i tha Radios Evropa e Lirë se numri i udhëtarëve për relacionin Prishtinë-Beograd është zvogëluar.
“Mbrëmë kemi pasur tre autobusë që kanë udhëtuar për në Beograd. Sa i përket relacioneve të tjera ndërkombëtare kemi kërkesa normale, si çdo herë tjetër”, tha Dedaj.
Bileta Prishtinë – Beograd ishte bërë e shumëkërkuar në dy muajt e fundit. Mijëra qytetarë thuhet të kenë shfrytëzuar kufirin e Serbisë me Hungarinë për të depërtuar për në vendet e Bashkimit Evropian, të nxitur nga shpresa për një jetë më të mirë. Numri i saktë i atyre që kanë migruar nuk dihet ende.
Dukuria e migrimit të paligjshëm ka bërë që autoritetet në Serbi të shtrëngojnë masat e kontrollit, duke vënë në funksion edhe xhandarmerinë e këtij shteti. Në planin e ri për një kontroll më të fuqishëm të brezit kufitar midis Serbisë dhe Hungarisë, janë angazhuar edhe përfaqësues të institucioneve të rendit nga Gjermania dhe Austria.
Të dyja këto vende thuhet të jenë destinacion për emigrantët e paligjshëm nga Kosova.
Gjatë janarit, për shkak të kalimeve ilegale të kufirit të Serbisë me Hungarinë, në Gjykatën komunale të Suboticës janë proceduar 550 raste.
Subotica është qytet në veri të Vojvodinës, i cili gjendet rreth 20 km larg kufirit me Hungarinë dhe ka shërbyer si vend-takim ndërmjet emigrantëve nga Kosova dhe kontrabanduesve.
Institucionet e Kosovës kanë shpeshtuar thirrjet e tyre drejtuar qytetarëve të Kosovës, që të mos marrin rrugën e paligjshme të migrimit.
Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, ka deklaruar të martën në Tiranë se institucionet janë duke ndërmarrë masa për parandalimin e migrimit ilegal.
“Qytetarët e Kosovës duhet ta shohin perspektivën e vet në Republikën e Kosovës. Të gjithë bashkërisht, ata dhe ne si institucione duhet ta përmirësojmë gjendjen tonë dhe të kemi një Kosovë më të zhvilluar ekonomikisht. Në të njëjtën kohë të kemi edhe një perspektivë më të veçantë të jetesës sonë në Republikën e Kosovës”, tha Veseli, duke kërkuar më shumë durim nga qytetarët.
Qeveria e Kosovës javën e kaluar ka miratuar vendimin për themelimin e një komisioni, i cili do të shqyrtojë mundësinë për faljen e borxheve për personat fizik dhe juridik. Ky veprim nga ana e qeverisë është parë si një prej hapave që mund të ndikojë të ulë interesimin për migrim.
Falja e borxheve nga Qeveria e Kosovës, do të bëhet nga ana e institucioneve shtetërore dhe ndërmarrjeve publike, si dhe të gjitha borxhet që i kanë qytetarët deri më 31 dhjetor të vitit 2008.

Filed Under: Analiza Tagged With: Kosove, Më pak autobusë, për në Beograd

SI TA ZHDUKIM VARFËRINË EKONOMIKE?

February 10, 2015 by dgreca

Nga Prof. As. Dr. Vangjel Kici/Toronto/
Trojet tona janë shumë të pasura. Ne kemi fusha, kodra, male, lumenj, përrenj, liqene, dete. Këto terrene, dhe klima jonë e ngrohtë, janë shumë të favorshme për zhvillimin e bujqësisë dhe të blegtorisë. Këto terrene, dhe klima jonë, janë shumë të përshtatshme edhe për zhvillimin e turizmit. Nëntoka e Shqipërisë dhe e Kosovës është shumë e pasur me minerale, sidomos me krom, qymyr, naftë, gaz, plumb, zink, bakër, ar, argjënd, nikel, kobalt etj. Këto minerale gjënden në sasi të mëdha. Në këto kushte shtrohet pyetja: Pse populli ynë është shumë i varfër ekonomikisht? Pse ai po detyrohet, në Shqipëri dhe sidomos në Kosovë, të braktisë atdheun? Përgjigja është shumë e thjeshtë: Sepse neve na mungon qeverisja dhe organizimi shtetror i përshtatshëm për shfrytëzimin me nikoqirllëk të këtyre pasurive. Ne nuk kemi strategji të drejtë për zhvillimin ekonomik të vëndit. Cilat janë degët kryesore, që garantojnë zhvillimin ekonomik të vëndit? Ku duhen përqendruar investimet? Këto çështje nuk janë të qarta, ose nuk janë përcaktuar drejtë. Qeveria e kaluar rekomandonte kultivimin e pemëve arrore, por kjo nuk mund të siguronte aspak zhvillimin ekonomik të vëndit. Qeveria e sotme flet për një “model të ri ekonomik”, por ky model i ri nuk po shihet me sy. Ai nuk ekziston, ose është modeli i shitjes (privatizimit) dhe dhënies me konçensione (pa dyshim korruptuese) të të gjitha pasurive kombëtare. Cili shtet në botë e ka zbatuar me sukses këtë “model të ri ekonomik” dhe ka arritur zhvillim? Asnjë shtet. Ky model i shitjes (privatizimit) dhe dhënies me konçensione të të gjitha pasurive kombëtare pasuron vetëm pushtetarët, varfëron shumë popullin dhe rrit në kulm papunësinë. Tek ne këto rezultate tepër të hidhura i kanë treguar shumë qartë privatizimet dhe marrëveshjet e deritanishme konçensionare, që janë bërë në naftë, në miniera etj. Këto probleme kërkojnë zgjidhje nga ekonomistat tanë, por ata, fatkeqësisht, janë në gjum. Edhe kur zgjohen, ata, sikurse edhe qeveritarët tanë, merren vetëm me problemet e taksave, tatimeve, qirave, doganave, pakove fiskale etj. Ata nuk merren me probleme ekonomike, me probleme prodhimi, por veprojnë në përputhje me politikën qeveritare. Ata janë konformista. Unë nuk jam ekonomist, por gjeolog. Kam disa njohuri elementare mbi ekonominë, sikurse çdo kuadër i zakonshëm me arsim të lartë.
Më poshtë po paraqes disa mendime personale, mbi mundësitë e zhvillimit ekonomik të vendit tonë dhe zhdukjen e varfërisë ekonomike. Ndoshta këto mendime mund t’u shërbejnë, sado pak, qeveritarve tanë, nëse kanë qellime të mira për popullin tonë.
Degët kryesore të ekonomisë së vendit tonë janë: Bujqësia, industria dhe turizmi.
1- Bujqësia jonë nuk mund të zhvillohet duke u bazuar në parcela të vogla toke private, sikurse janë sot tek ne, pas prishjes së kooperativave bujqësore. Në këto kushte nuk mund të zbatohet mekanizimi dhe modernizimi i bujqësisë, që është shumë i nevojshëm. Pra, duhen krijuar sa më parë ferma private bujqësore, duke bashkuar parcelat e tokës. Nuk duhet bërë thirrje për formim kooperativash bujqësore, sikurse po bënë tani ministri ynë i bujqësisë, sepse tremben fshatarët, nga eksperienca e hidhur me kooperativat e të kaluarës. Në këto ferma të kultivohen ato lloje bimësh, që japin prodhimet e kërkuara nga tregu i brendshëm dhe ai i jashtëm. Tokat e veçanta janë të përshtatëshme për bimë të veçanta. Për shembull, fshati Jagodinë e ka marrë emrin (sllavisht) nga luleshtrydhet.
– Ne kemi burime ujrash të nxehta squfurore (në Llixhat e Elbasanit, në Peshkopi etj.). Në këto zona, me shpime shumë të cekta (10-30 m), mund të zbulohen edhe shumë burime të tjera ujore të nxehta. Këto ujra të nxehta squfurore mund të përdoren jo vetëm për qellime kurative, por edhe për ngrohjen e serave dhe prodhimin e perimeve gjatë gjithë vitit, pa shpenzime për ngrohjen. Në vazhdimin perëndimor të linjës së Llixhave të Elbasanit, në fushën e Cërrikut, në një pus kërkimi në vitet 1970 është zbuluar ujë i nxehtë squfuror me debite të larta. Ai pus mezi është mbyllur. Pse të mos rihapet ai pus dhe uji i tij i komanduar të përdoret për qellime kurative, dhe sidomos për ngrohjen e serave, për prodhimin e perimeve gjatë gjithë vitit? Këto prodhime do të furnizonin qytetin e Cërrikut dhe të Elbasanit, dhe kjo i shërben mirëqënies së popullit.
– Ne kemi shumë rezervuarë uji. Përveç ujitjes së bimëve bujqësore, këta rezervuarë mund të përdoren edhe për rritjen e peshkut krap (jo peshk ballëgjërë gjithë hala!). Aty mund të rriten edhe pata puploze, për mish dhe sidomos për pupla (për mbushje jorganesh dhe jastëqesh). Përvoja për këto punë është në Republikën Çeke.
– Ne mund të kultivojmë bimë mjeksore për eksport, sepse klima jonë është e përshtatëshme. Kështu mund të fitojmë më shumë sesa nga prodhimi i drithrave.
– Ne mund të kultivojmë bimë dhe lule për prodhimin e esencave të parfumerisë. Nga shitja e tyre mund të kemi të ardhura të mira.
– Për zhvillimin e pyjeve le të marrim shembull nga Austria, Gjermania apo Çekia. Në çdo pyll mund të krijohet një parcelë e vogël për mbjelljen e farave dhe rritjen e fidaneve. Pylli nuk është vetëm burim për lëndën drusore, por edhe për bimët mjeksore. Në pyll rriten kafshët e egra për gjuetinë, rritet fazani dhe mund të kultivohet rritja e kërmillit për eksport, rritja e kërpudhave etj.
2- Industria tek ne mund të zhvillohet në shumë drejtime, por investimet le të bëhen në drejtimet kryesore. – Të gjithë lumenjtë tanë të shumtë rrjedhin nga malet në lindje dhe vazhdojnë drejt fushave dhe detit në perëndim. Le të ndërtojmë shumë hidroçentrale, të mëdhenj dhe të vegjël, për prodhimin e energjisë elektrike. Në këtë rast kërkohet vetëm investimi fillestar, sepse më tej energjia fitohet nga rrjedhja e ujit, pa kosto. Me shitjen e kësaj energjie populli ynë mund të jetojë i lumtur. Për këtë qellim, të hiqen të gjitha liçensat, që u janë dhënë prej kohësh militantëve të partive, dhe nuk janë vënë në zbatim. Ndërtimi i shumë hidroçentraleve është njëra nga mënyrat për zhdukjen e varfërisë ekonomike të popullit tonë.
– Në Shqipëri të ndërtohet uzina për prodhimin e nikelit dhe kobaltit (ish uzina 12 e kombinatit metalurgjik të Elbasanit), sepse kemi rezerva shumë të mëdha të mineralit të hekur-nikelit dhe të nikelit silikat. Kjo kërkon riaktivizimin e minierave ekzistuese të hekur-nikelit. Në Kosovë të zgjerohet industria ekzistuese e ferronikelit. Nikeli dhe kobalti kanë çmime të larta. Ato janë shumë të kërkuar në tregun botror.
– Mbi të gjitha, Kosova ka dy pasuri shumë të mëdha natyrore, që mund ta bëjnë të lumtur jetën e popullit, dhe këto pasuri janë: Rezerva shumë të mëdha të qymyrit linjit (Kosova zë vëndin e pestë në botë!) dhe rezerva shumë të mëdha të polimetaleve (plumb, zink, bakër, ar, argjënd etj.). Kjo situatë kërkon të aktivizohen minierat e polimetaleve dhe të riaktivizohet kombinati Trepça. Në lokalitete të ndryshme të Kosovës të ndërtohen pajisje teknologjike për gazifikimin e qymyreve linjit të Kosovës. Ky gaz të përdoret për ngrohjen e qyteteve dhe të fshatrave, sikurse edhe për qellime të tjera. Në këtë drejtim të merret eksperienca gjermane, çeke, austriake etj. Të ngrihet një Institut modern Teknologjik për studimin e qymyreve linjite të Kosovës, sepse nga qymyri nuk nxirret vetëm gaz për ngrohje, por edhe nënprodukte të tjera.. Mbi të gjitha, minierat e polimetaleve, kombinati Trepça dhe qymyret e Kosovës të mos privatizohen dhe të mos jepen me konçensione. Ato të jenë pasuri shtetrore (pasuri kombëtare) dhe t’i shërbejnë vetëm mirëqënies së popullit.
– Shqipëria dhe Kosova kanë perspektivë shumë të madhe për naftë dhe gaz. Në Shqipëri është faktuar prej kohësh prania industriale e naftës dhe e gazit, por perspektiva më e madhe e tyre ndodhet në Shqipërinë lindore (brezi i Mirditës), që vazhdon pothuajse në të gjithë Kosovën. Brezi i Mirditës përfshin afërsisht 1/3 e sipërfaqes së Republikës së Shqipërisë. Brezi Mirditë-Kosovë, nga ana gjeologjike ngjan me brezin naftëgazmbajtës të Azerbajxhanit. Në të dy rastet kemi të bëjmë me basene pas-harkut vullkanik. Pres që së shpejti në këtë brez të zbulohet kjo naftëgazmbajtje e madhe, në thellësi të vogla deri mesatare (1500 deri rreth 4000 m). Kjo naftëgazmbajtje e madhe e pritëshme mund ta bëjë kombin tonë të pasur ekonomikisht, por me një kusht: Që nafta dhe gazi të jenë pasuri shtetrore (pasuri kombëtare), të mos na e marrin hajdutët vëndas në bashkëpunim me hajdutët e huaj, por t’i shërbejë vetëm mirëqënies së popullit tonë. Që të arrihet kjo, nga populli kërkohet trimëri dhe guxim, sepse për naftën shtetet e botës bëjnë jo vetëm presione, por shpallin edhe luftra. Pse nuk ia grabisin dot naftën dhe gazin Norvegjisë? Sepse nuk të lejojnë vikingët trima. Nafta dhe gazi të mos privatizohen dhe të mos jepen me konçensione, sepse këto privatizime dhe konçensione e kanë çuar ekonominë tonë në buzë të katastrofës. Nëpërmjet privatizimeve dhe konçensioneve hiqet përfundimisht ky shans i madh për zhdukjen e varfërisë ekonomike të popullit tonë! Prandaj, i bëj thirrje qeverisë shqiptare që ta tërheq vendimin për shitjen (privatizimin) dhe dhënien me konçension të gjithë naftës dhe gazit të Shqipërisë. Le të marrim shembull nga Norvegjia, që e ka naftën pasuri shtetrore. Nga shitja e gazit dhe e naftës ajo ka të ardhura të mëdha (ka superfiçit buxhetor dhe “nuk di ku t’i çojë paret!”). Populli norvegjez ka mireqënien më të lartë në botë. Nga burime qeveritare mësojmë se gjoja nafta dhe gazi nuk mund të bëhen pasuri shtetrore, sepse gjoja vendburimet e pazbuluara të naftës dhe të gazit tek ne ndodhen shumë thellë, dhe kjo kërkon shpime të thella me kosto të lartë, që shteti ynë nuk mund t’i përballojë. Kjo nuk është aspak e vërtetë, sepse tek ne ka struktura të pazbuluara, që ndodhen në thellësi të vogla, në thellësi mesatare dhe në thellësi të mëdha. Strukturat në thellësi të vogla shteti ynë, sado i varfër ekonomikisht, mund t’i kërkoj dhe shfrytëzoj vet, me shpenzime relativisht të vogla, pa vështirësi të mëdha financiare. Me të ardhurat e kësaj nafte mund të fillojë rigjallërimi i naftës shtetrore shqiptare dhe të rritet punësimi dhe mirëqënia e popullit tonë. Kjo është një mënyrë tjetër për zhdukjen e varfërisë ekonomike të popullit tonë. Dhënia e naftës me konçensione korruptuese një ditë do të dënohet rëndë. Askush të mos mendoj se nuk do të ndëshkohet.
– Mirëqënies së popullit tonë i shërben edhe mbrojtja e mjedisit. Në Tiranë, dhe në qytete të tjera të Shqipërisë, janë vendosur shumë kosha të mëdhenj për hedhjen e mbeturinave. Kjo është një gjë shumë e mirë, por nuk ka kosha me ngjyrë të veçantë dhe me mbishkrim për hedhjen e mbetjeve plastike. Prandaj, mbetjet plastike janë të përzjera me hedhurinat e tjera. Po krijohet një ndotje e tmerrëshme jo vetëm në Tiranë, por edhe në të gjithë Shqipërinë. Këtë e lejojnë kuadrot drejtues të papërgjegjshëm. Një shembull: Kryetari i Bashkisë së Tiranës i kushton shumë kujdes paraqitjes së tij të jashtme, dhe mirë bënë. Kjo është e drejta e tij. Ai është i paraqitshëm, por kujt i duhet kjo paraqitje e tij e jashtme luksoze, kur ai Tiranën po e lë të mbytet në plehra? Duke specifikuar koshat, kjo ndotje e madhe mund të shmanget, sepse mbetjet plastike, nga koshat e veçantë mund të çohen për riciklim.
– Mirëqënies së popullit i shërben edhe uji i ngrohtë në banesa. Vendi ynë, gjatë gjithë vitit, ka shumë ditë me diell. Prandaj, vendosja e paneleve diellore është shumë e leverdisshme nga ana ekonomike, sidomos në fshatra.
3- Lidhur me turizmin mund të merret shembull nga vendet fqinje, që kanë traditë (Greqia, Italia, Kroacia). Plazhet tona janë të ndotura. Për shembull, plazhi i Semanit ka qindra m gjerësi dhe shumë gjatësi, por rëra e tij është e ndotur me toptha bitumi, hedhurina plastike, rroba të vjetra, letra…Një ndotës i madh i plazhit, dhe i detit Adriatik, është kanali i madh, që derdhet në det, duke rrjedhur përmes pyllit të pishave të Semanit. Ky kanal është tepër i ndotur me mbeturina nafte dhe acide naftanike. Ai po ndot jo vetëm detin Adriatik, por edhe detin Mesdhe. Çfarë bëjnë qeveritë tona për këtë problem?
Këto janë disa nga mendimet e mija, zbatimi i të cilave mund të ndihmojë në zhdukjen e varfërisë ekonomike të popullit tonë. Ftoj të gjithë shqiptarët, kudo që janë, të shprehin mendimet e tyre se si të zhduket varfëria ekonomike e popullit shqiptar, dhe varfëria ekonomike e kombit tonë në përgjithësi në trojet etnike.

Toronto, 10 shkurt 2015.

Filed Under: Analiza Tagged With: Prof. As. Dr. Vangjel Kici, Si ta zhdukim, varferine

Entuziazmi rrejshëm i ”emigrantëve” dhe despotët

February 10, 2015 by dgreca

Nga Aurel Dasareti, USA/*
Kosova nuk është shtet por një kaos në univers, e okupuar nga sundimtarët me pushtet absolut, despotët. Ndërkaq, ”emigrantët” e përkohshëm ilegal ”kosovarë” synojnë të arrijnë lehtë një qëllim të caktuar me përpjekje të pamatura, të papeshuara e pa parim; prirje për veprimtari të çmendura-aventura. Megjithatë, besoj se Kombi Shqiptar ka fuqinë për të mbijetuar, sepse ai është aq i pasur nga arsyeja që kurrë nuk do të jetë në gjendje për të kapërcyer: entuziazmin. Sidomos kur ajo transmetohet këtu, në çmendurinë e historisë së ikjeve masive.
***
Një pjesë të konsideruar të shoqërisë “kosovare”, për shkak të gjendjes së vështirë ekonomike dhe propagandës së kontrabandistëve, e kanë kapluar mendimet e koklavitura (aftësitë njohëse) dhe emocionet e çuditshme me pasoja të rënda për jetën e përditshme të tyre, familjes dhe përreth. Këta “emigrantë” entuziast nuk janë më në gjendje për të mbajtur kontakte me realitetin e tyre të zakonshëm. Ndërgjegjësimi i tyre për realitetet e tyre të brendshme dhe të jashtme aktivizon ndjenjat e padurueshme e shumë të dhimbshme, kërcënuese apo natyrën katastrofike.
***
“Emigrantët” e rrejshëm e rrejnë vetveten kur arsyetohen kinse ikin prej varfërisë, por kjo nuk është e vërtetë sepse asnjëherë më parë nuk kanë qenë të pasur, përkundrazi, kanë qenë më të varfër.
”Emigrantët” nuk vuajnë nga varfëria absolute – sidomos lufta – që të arsyetojnë ikjen në askund. Jetojnë në varfëri relative e cila shumë shpejtë mund të përmirësohet nëse ata vendosin seriozisht për një gjë të tillë: duke filluar nga shkarkimi i sundimtarëve despotik, kallëzimi penal dhe konfiskimi i pronave të tyre kolosale të fituara jo-ligjërisht nga tradhtia kombëtare, korrupsioni dhe krimi i organizuar; zgjedhja ne pushtet e njerëzve të përshtatshëm dhe reformat në gjithë sferat. Vetëm miniera e Trepçës dhe termocentrali i Obiliqit (nëse rregullohet ndotja) peshojnë sa gjithë Kosova. Shumë mundësi zhvillimi dhe punësimi edhe në bujqësi, blegtori…
***
Nuk mund të presim ndihmë nga të huajt, nga ata që tërë ditën predikojnë për të drejtat e njeriut. Sot nuk janë me rëndësi të drejtat e njeriut por luftërat për territore.
Derisa popullata e dalldisur është duke e boshatisur tërësisht vendin, qeveritarët indiferentë nuk e ndalojnë aspak këtë boshatisje, por akoma, pa mandatin e shqiptarëve, negociojnë me Serbinë – për mposhtjen përfundimtare të Kosovës.
Heshtin edhe Akademia e Shkencave të Kosovës dhe Shqipërisë. Heshtën Kisha katolike dhe klerikët e saj “patriotik” të cilët mërziten vetëm për faktin se një patriot shqiptar mysliman do të bëhet ambasadori i shtetit laik shqiptar – në Vatikan. Heshtën edhe Xhamia me klerikët e saj myslimanë të cilët shpesh organizojnë demonstrata masive me xhematë të çmendur shqipfolës për “shkeljen e të drejtave të njeriut” të “vëllezërve” të tyre imagjinar të shpellave: turk, arab, pakistanez, somalez, IS sirian, por janë indiferentë për eksodin tragjik të vëllezërve të vërtetë dhe tragjedisë së vendit.
***
Pse shqiptari kështu vet-shkatërrues?
“Emigrantëve kosovarë” u mungon aftësia për të bashkuar arsyen me entuziazmin.
“Kur unë pi raki ose konsumoj drogë e harroj vetveten dhe më kaplon një ndjenjë e mrekullueshme”- më thoshte me krenari një i dehur.
***
Konventa e Refugjatëve:
1) Jashtë vendit të origjinës
2) Frika e bazuar
3) Persekutimi
4) Në bazë të racës, fesë, kombësisë, anëtarësisë në një grup të veçantë shoqëror ose mendimit politik
5) Mos mbrojtje në vendin e origjinës

***
“Kosovarët” janë relativisht të varfër por jo politikisht të rrezikuar. Nuk e plotësojnë aspak asnjë kusht që përmenda. Janë azilkërkues të rrejshëm sepse:
• jetojnë në trojet e veta etnike e jo jashtë vendit të origjinës.
• nuk ekziston frika e bazuar – për jetën
• nuk persekutohen
• nuk ndiqen për shkak të racës sepse nuk janë minoritet në vendin e vet. Qeveritarët i kanë të së njëjtës racë, fe dhe kombësi. Nuk rrezikohen për shkak te mendimit politik sepse pushteti nuk mërzitet aspak për mendimet politike të qytetarëve – aq më tepër kur ata që ikin nuk kanë aspak mendime politike; sikur të kishin nuk do të iknin por do të luftonin seriozisht për ato mendime
• pasi askush nuk i persekuton, nuk kanë nevojë të mbrohen në vendin e origjinës.
***
Përfundim: Nuk janë aspak të kualifikuar si refugjatë. Do të dëbohen. Sikur të fitonin azil pa i plotësuar kushtet, do të ishte e barabartë me: sikur dikush të diplomon në universitet – përkundër faktit se është analfabet.
Perëndimi nuk e di këngën ”Ku je nisë moj zanë” por ”Ku je nisë o aventuristë”
***
Për diasporën:
Është obligim atdhetar dhe përgjegjësi juridike që ne, pa përjashtim, të respektojmë 100% ligjet e shtetit ku jetojmë. Të mos bëhemi pjesëmarrës të veprës penale: emigrimit ilegal. Dhe shpërbërjes së Kombit, Shqipërisë, ndryshimit demografik të trojeve tona.
Apeloj: Secili prej nesh (në periudhë prej 3 vjetësh) të përmbajmë ekonomikisht nga 2 familje nevojtarësh, nga 100 euro në muaj për familje. Veproni, tash, menjëherë.
Pjesa dërmuese prej jush nuk është e pasur por nuk është as e varfër, asgjë nuk u gjen për këtë shumë simbolike që propozova. Jemi racë humane. Atdheu thërret, t`i ndihmojmë. Me siguri se shumica prej jush keni pasur arsye të forta në kohën kur braktisët tokën ku u lindët dhe u rritët; megjithatë, me siguri se diku thellë brenda jush ndjeheni “fajtor” për këtë braktisje. Nëse ndihmoni pak motrat dhe vëllezërit e juaj fukarenj, përveç humanizmit dhe solidaritetit vëllazëror, do të lehtësohet shumë ndjenja e ndërgjegjes së juaj.
*Ekspert i shkencave ushtarake-psikologjike (dasaretiaurel@yahoo.com.au)

Filed Under: Analiza Tagged With: Aurel Dasareti, dhe despotët, Entuziazmi rrejshëm, i ”emigrantëve”

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 44
  • 45
  • 46
  • 47
  • 48
  • …
  • 70
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • “Shënime për historinë antike të shqiptarëve”*
  • Si funksionon sistemi juridik në Shqipëri dhe pse ai ka nevojë për korrigjim?
  • Emisionet postare festive të fundvitit në Kosovë
  • JAKOBSTADS TIDNING (1939) / MBRETI ZOG, SHUMË BUJAR ME BAKSHISHE. — EMRI I TIJ NUK DO TË HARROHET KAQ SHPEJT NGA PRONARËT DHE PERSONELI I HOTELEVE NË VARSHAVË.
  • HAFIZ SHERIF LANGU, DELEGATI I PAVARËSISË TË CILIT IU MOHUA KONTRIBUTI PËR 50 VJET ME RRADHË, KLERIKU DHE VEPRIMTARI I SHQUAR I ÇËSHTJES KOMBËTARE
  • RIPUSHTIMI I KOSOVËS – KUVENDI I PRIZRENIT 1945
  • Nikola Tesla, gjeniu që u fiksua pas pëllumbave dhe u dashurua me njërin prej tyre
  • Bahamas njeh Kosovën!
  • Legjenda e portës shkodrane, Paulin Ndoja (19 dhjetor 1945 – 16 prill 2025) do të mbushte sot 80 vjeç
  • “Roli dhe kontributi i diplomacisë shqiptare në Maqedoninë e Veriut nga pavarësia deri sot”
  • Marie Shllaku, kur një jetë e re u shndërrua në përjetësi kombëtare
  • Në sinoret e Epirit…
  • Mbrëmë hyri në fuqi Ligji i SHBA për autorizimin e mbrojtjes kombëtare
  • Skënderbeu “grek”, ose si të bëhesh grek pa e ditur
  • A historic moment of pride for the New Jersey Albanian-American community

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT