• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for February 2015

Intervista me Beqir Sinen – Gazetar Shqiptar ne SHBA

February 3, 2015 by dgreca

Intervistoi Drita Ramadani /
Beqir Sina ndër gazetarët dhe veprimtarët e shquar të komunitetit në SHBA , ka bërë që me pubiliket e tij të informojë pothuajse të gjithë publikun tone për aktivitetet e diasporës shqiptarë në Amerikë -I nderuar z. Sina, ju jeni ndër gazetarët më të njohur dhe më të dashur të komunitetit shqiptar në Amerikë. Çfarë do të thotë ky fakt per ju?
Gazetaria, është një profesion i lajmit, pra merret me gjetjen dhe shpërndarjen e informacionit për një audiencë të caktuar, dhe në fakt është audienca ajo që të beson ose jo të bësh punën e gazetarit. Mënyra se si e bën ti lajmin dhe se si komunikon, të bën më pak ose më shumë të pranueshëm për njerëzit. Besoj se kam ditur të gjej mënyrën time për të komunikuar me audiencën, që në këtë rast është kryesisht komuniteti shqiptar i Amerikës, pra t’u gjendem atyre në vendin dhe në kohën e duhur me lajmin, duke ia bërë të njohura arritjet e tyre edhe publikut në Shqipëri, Kosovë, dhe kudo në viset shqiptare.
Natyrisht, lajmi, informacioni, komenti ose analiza jo gjithmonë i kënaq të gjithë, por, për mua mjafton të jem korrekt dhe profesional në raportimin e lajmit, në pasqyrimin e ngjarjeve. Për këtë më ka ndihmuar shumë gjatë këtyre dy dekadave edhe vetë komuniteti shqiptar në SHBA, i cili është rritur mjaft në numër. Më ka ndihmuar edhe teknologjia e re dixhitale, sepse tani e kam të lehtë t’i publikoj lajmet e mia në internet, facebook dhe tweeter. Kjo më ka ndihmuar të bëj më shumë miq, dhe të jem më i afërt me të gjithë komunitetin shqiptarë në Amerikë.
Një arsye për lexueshmërinë e madhe të lajmeve që unë publikoj mund të jetë edhe fakti se unë bazohem në informata të verifikueshme, të mbledhura nga burime të pavarura dhe të besueshme të mediave amerikane, të cilat u përmbahen standardeve më të larta të gazetarisë në botë. Kjo më shërben të qëndroj afër komunitetit shqiptar në Amerikë dhe të lexohem prej tij, por edhe tek lexuesit e mi jo të paktë në Shqipëri, Kosovë, e viset shqiptare, duke i “furnizuar” ata çdo ditë me lajme dhe informacione nga komuniteti ynë.
Këtu do të theksoja se disa qeveri të majta e të djathta, demokratike apo socialiste, në Shqipëri, e Kosovë, kanë ndrruar vend gjatë këtyre 24 vjetëve që unë punoj si gazetar. Edhe në SHBA në krye të pushtetit kan ardhur republikanë e demokratë. E megjithatë, unë jam ai që aty ku e fillova gazetarinë, aty jam edhe sot – me bindjet dhe qëndrimet e mia. E vetmja gjë që ka ndryshuar tek unë, është rritja e nivelit si gazetar, e thënë më shqip “duke punuar dhe mësuar”.

Ju pyetët se çfarë do të thotë ky fakt per mua. Për mua është nder, por kjo më bën më të përgjegjshëm dhe më kërkues ndaj vetes dhe lajmit, në kuptimin që të mos lejoj kurrë të më përdorë dikush nga media – gazetë ose radio televizion, të mos e përdorë lajmin ose informacionin tim për interesa partiake, politike apo personale. Unë nuk ndryshoj sipas interesave partiake, apo politikëbërse të kohës, as kundrejt parasë. Kurrë nuk joshem që sipas këtyre interesave të ndryshoj lajmin ose informacionin tim, ose që mediat ta shtrëmbërojnë atë. Sepse është shumë e veshtirë të bësh emër në gazetari apo gjetkë, por është edhe më vështirë ta mbash atë emër.

 -Me shkrimet që bëni për komunitetin shqiptar ia keni arritur të informoni anekënd botës shqiptarët. Sa është e vështirë kjo për ju?
Nuk është e lehtë. Ashtu siç mund të thuhet për gazetarët e tjerë. Sepse roli i gazetarit, së bashku me atë të medias jo vetëm në komunitetin shqiptar, këtu në SHBA, por edhe në Shqipëri, Kosovë, Mal të Zi, Maqedoni dhe Luginën e Preshevës, sot, fatkeqësisht, përballet me vështirësi, duke filluar nga ajo që është primarja, për çdo njerin nga ne – paga, jetesa. Pra, ajo që është stimuluese në punën tonë të përditëshme. Gazetarë si unë dhe shumë gazetarë të tjerë, në Shqipëri, Kosovë, viset shqiptare dhe diasporë, megjithëse u duhet të punojnë shumë, paguhen keq, ose fare pak, madje në të shumtën e rasteve nuk paguhen fare. Por, edhe sikur të mos ishte kjo që përmenda, unë dhe të tjerë gazetarë shqiptarë apo media kemi shumë vështërsi të tjera, edhe të anës politike dhe pronësisë së mjeteve të informimit, konkurrenca jo të ndershme dhe vështirërsi të natyrave të tjera. Teknologjia e sotme, ka bërë të vetën. Gjatë dy dekadave të fundit media ka pësuar ndryshime të thella me ardhjen e teknologjisë dixhitale dhe publikimin e lajmeve në internet, facebook dhe tweeter. Drejtori ekzekutiv i kompanisë teknologjike Google, Eric Schmidt në fjalimin e tij në Forumin Ekonomik Botëror në Davos, deklaroi se interneti së shpejti do të hyjë në çdo pore të jetës njerëzore – do të bëhet i rëndësishëm si uji apo oksigjeni”. Kjo ka sjellë një ndryshim të madh në konsumin e lajmeve dhe informacioneve në kanale televizive, radio dhe media të shtypura. Njerëzit gjithnjë e më shumë po e gjejnë dhe po e konsumojnë lajmin, në internet, facebook, tweeter, smartphone, IPod, tablet, dhe pajisje të tjera elektronike, të cilat janë sfiduese si për mua dhe të tjerët, gazetarë shqiptarë dhe të huaj – pra për të gjetur lajmin dhe për ta përgatitur në kohë. Duhet t’a njohësh mirë çdo lloj teknologji të re që del dhe si gazetar i përkushtuar duhet “të çohesh nga gjumi me lajmin dhe të biesh në gjumë me lajmin”. Lajmi – mbas dy a tre ditëve, jo vetëm që nuk ka më vlerë, por audiencës i duket i “përvjedhur” ose “demode”-
-Jeta e një gazetari shqiptar në New York, si është kjo për ju, çfarë ju ka mbajtur gjatë gjithë këtyre viteve që të merreni me një profesion të tillë me kaq përkushtim?

Në radhë të parë i faleminderit nga zemra familjes sime të mrekullueshme: gruas, Altinës, djalit Avenir dhe vajzës Neda, të cilët, edhe kanë sakrifikuar, që të më ndihmojnë për të vazhduar me përkushtim pasionin tim të zjarrtë të gazetarit. Por një falenderim shkon me këtë rast edhe ndaj miqve, dashamirëve dhe shokëve, dhe gjithë komunitetit, të cilët, shepesh herë më kanë sponsorizuar ose ndihmuar në punën time. Megjithëse, me këtë rast më duhet të pranoj se ndonëse me shumë vështirësi, unë me gazetari “jetoj”, e kam punën time, prej se kam ardhur në Amerikë, pra në këtë 25 vjetor nga kontakti i parë me median e lirë – në botën e lirë. Mbasi, këtu ka një komunitetet mjaft të integruar dhe që e vlerëson dhe e respekton jashtëzakonisht median dhe masmedian – Në shikimin tim në rradhë të parë është lajmi – natyrisht, por, është edhe komuniteti ai që në të shumtën e rasteve e ka lajmin, dhe që më bën mua të jemi i pasionuar dhe i përkushtuar ndaj çdo aktiviteti dhe veprimtarie në komunitet. Në përkushtimin tim, gjithashtu ka ndikuar shumë edhe tradita e gazetarisë shqiptare në komunitet. E cila, daton qysh nga themelimi i Shoqërisë së parë shqiptare në mërgim, respektivisht në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, VATRA, e cila është themeluar në vitin 1912, kolosët e saj që ishin politikanë, gazetarë e shkrimtarë, dhe gazeta më e vjetër shqiptare (106 vjet) Dielli.

-A mund të na tregoni, si ishin fillimet tuaja në Amerikë?
Këtu me duhet të kujtojë se nga Shqipëria kam dalë më 20 Dhjetor 1990. Dhe, ikja ime me familjen time (nënën, gruan dhe dy fëmijët), ishte një dramë e vërtetë, e cila i përket së kaluarës komuniste. E thënë më shqip ishte pjesë e vujatjeve dhe presekutimit të pafund të popullit shqiptar, si nën sundimin komunist në Shqipëri, për më shumë se 45 vjet, por, edhe atë të shumë shqiptarëve në Kosovë, dhe, trojet etnike, nën sundimin e egër sllavo-komunist. Kur u arratis im atë me dy vëllëzërit e tij, nëna ime e re në atë kohë ishte shtatëzanë shtatë muajshe me mua. Siç më tregonte nëna për kushtet e asaj kohe, ishte një mision i pa mundur, “që ajo me dy fëmijë dhe një në bark që isha unë, së bashku me vjehrrën e saj, që ishte aso kohe maft e thyer në moshë”, të arratisej.
Kjo, natyrisht ju rrezikonte të gjithëve në atë kohë?
Po! Kështu të privuar nga çdo e drejtë do të duhej të vinin ato vite kur ndodhën ato që ndodhën dhe komunizmi ra, Shqipëria, më në fund dhe e fundit si gjithmonë u hap në mënyrë që edhe unë të vija në SHBA – dhe të takohem për herë të parë mbas 33 vjetëve me babanë. Im atë, krahas punës së përditëshme, për 20 vjet, punoi si drejtor i Radios Zëri i Atdheut, së bashku me patriotin Hysen Mulosmani, i cili ishte editor dhe kryeredaktor, duke udhëhëqur kështu njërën prej radio programeve më të dëgjuar dhe më të njohur në SHBA në gjuhën shqip. Zëri i Atdheut ishte zëri i vërtetë i Mbretërisë shqiptare në Diasporë, dhe nga të vetmet dritare të lirisë e demokracisë, së bashku me Zërin e Amerikës, e cila ishte pjesë e Departamentit të Shtetit dhe promovonte kudo në botë pikpamjet dhe vlerat e lirisë së popujve të shtypur nga komunizimi. Babai im me të ardhur në Amerikë, më “aktivizoi” në radio programin e tij, duke me dhënë rolin e editorialistit. Editoriali i parë më kujtohet si sot, ishte: “Çfarë kërkojnë shqiptarët që po ikin masavisht?” shkurt 1992.
Pra, këtu nisin fillimet e para në Amerikë, lidhja ime me median dhe masmedian. Ato nisnin nga viti 1992 deri në vitin 1994 me radion “Zëri i Atdheut”. Nga 1998 deri në vitin 2003 kam qenë korrespondent i rregullt i Radio Kontaktit në Tiranë. Ndërsa, që prej vitit 1998 punoj pa ndërprerje, edhe si korrespondent me gazetën kombëtare Bota Sot,në 2003 nisa të punojë edhe me agjensinë e lajmeve Illyria News Agency INA dhe të bashkëpunoj me gazetën shqiptaro-amerikane Illyria dhe gazetën Dielli, gazetën 55, dhe kam një emision në televizionin Albanian Culture të Adem Belliut. Bashkëpunoj githashtu me Televizionin e Gani Vilës (Televizionin Shqiptar të Michiganit) dhe televizionin AANTV këtu në Amerikë – Skënder Pali. Gjithashtu, jam anëtar i shoqatës së gazetarëve amerikanë (freelance) dhe jam i akredituar si gazetar pranë Organizatës së Kombeve të Bashkuara në Nju Jork.
-Përpos që jeni gazetar, ju jeni edhe veprimtar i komunitetit shqiptar, si ia arrini te krijoni balancën e duhur në mes të këtyre dy gjërave?
Për këtë natyrisht që më ndihmon shumë ajo se këtu në Amerikë kemi një komunitet mjaft të madh shqiptarësh (mendohet se janë gjysmë milioni); këtu më duhet të sqaroj se nuk janë shifra zyrtare, por, janë të bazuara simbas të dhënave të marra prej shoqatave dhe organizatave nga Xhamia e Kisha shqiptare në SHBA, pra, kemi një “Shqipëri të vogël në Amerikë”, siç e kam quajtur unë shpesh herë në shkrimet e mia.
-Gjatë veprimtarisë suaj, cila ka qenë koha më e vështirë kur ju është dashur të shkruani?
Kësaj, unë do t’i shtoja edhe këtë pyetje : cila ka qënë momenti më i bukur ose aktiviteti dhe veprimtaria më e bukur që ke mbuluar? Mbasi, iu jam “borxhlli” dhe nuk mundem të lë pa permendur këtu rolin dhe kontributin historik, të shqiptarëve të Amerikës. Sidomos, në demokratizimin e Shqipërisë, pra hapjen e saj dhe rrëzimin e komunizimit. Dhjetra e ndoshta qindra demostrata, të zhvilluara në Nju Jork, Uashington, Cikago, Detroit, Dajton, Ohio. Sa e sa demonstrata, peticione, takime, deri me presidentët e SHBA, senatorë e kongresmenë, Sekretar Shteti dhe ambasador të OKB-së, për të drejtat e shqiptarëve, nën sundimin sllavo serb. Luftën për çlirimin, lirinë dhe pavarësinë e Kosovës. Krijimin e Batalionit “Atlantiku”, në New York, e cila përfshinte luftëtarët e lirisë, që luftuan në kuadër të UÇK-së për çlirimin e Kosovës, tre dëshmorët e lirisë, Ylli, Agron dhe Mehmet Bytyçi. Mbulimin e sa e sa aktiviteteve të qindra shqiptaro-amerikanëve në mbarë Amerikën, të cilët dhanë një kontribut historik, për çlirimin e Kosovës duke iu bashkëngjitë luftës heroike së UÇK-së dhe NATO-s, kundër regjimit pushtues serb – për të ndaluar që populli shqiptar të vazhdonte të ishte viktimë e genocidit të Milosheviqit. Do të permend Ish kongresitin Xhozef DioGuardi, presidentin e LQSHA dhe bashkëshorten e tij Shirly Cloyes DioGuardi, dhe shumë të tjerë. Do të duhej një listë e gjatë, dhe një libër i veçantë, për secilin prej tyre.
Mirëpo, vijmë tek përgjigjja e pyetes suaj të parë, dua të them se ka qënë periudha e ngjarjeve tragjike në Shqipëri – revolucioni bolshevik – sllavo – komunist, me ngjarjet tragjike të 97′, të cilat sollën shkatërrimin e vendit dhe rënien e shtetit në Shqipëri, efekti dhe pasojat e saj në Diasporë. Të cilat, duheshin të përcilleshin me korrektësi dhe profesionalizëm në mënyrën se si po i përcillnin dhe po i përjetonin shqiptarët e Amerikës ato ngjarje. Cili ishte reagimi rreth këtyre ngjarjeve nga komuniteti shqiptar në SHBA, dhe si i shihte Uashingtoni këto ngjarje? Kjo ishte shumë e vështirë, dhe moment delikat – mbasi në atë kohë këtu vepronte ende një ndarje e madhe në diasporë mes të djathtës dhe të majtës, e cila kishte ardhur në pushtet në Shqipëri me anë të këtij revolucioni, ndërsa, këtu në SHBA – me anë të diplomatëve në Misionin Shqiptar në OKB kërkonte, ta mbronte dhe ta mbante pushtetin me forcë.
-Profesioni i gazetarit do përkushtim dhe angazhim maksimal. Gjithashtu, duke u bazuar në kodet etike të gazetarisë duhet të paraqisësh lajmin në kohe dhe me saktësi pa anuar asnjëherë. Si e keni bërë ju një gjë të tille për gjatë viteve?
Përgjigjen e kësaj pyetje besojë se e ezaurova më lart – por nuk mundem ta kaloj pa e theksuar edhe një herë rolin dhe kontributin e madh dhe të pazvëndësueshëm të këtij komuniteti, por, dhe vazhdimisht në punën time, duke mësuar dhe përfituar nga media dhe masmedia amerikane, kam ngritur edhe karjerën time”. Gjithmonë, do të thoja me këtë rast duke qenë kërkues, i palodhur dhe i kudo gjendur. Kam pasur lidhje të mira dhe kam komunikuar, me kolegë dhe miq të mi, gjatë këtyre viteve, si në Europë, Shqipëri, Kosovë, Maqedoni, Luginën e Preshevës, dhe Diasporë, me gazetarët dhe njerëz të media dhe masmedias, nga më të mirat shqiptare, nga ata gazetarë që unë do t’i quaja yjet e gazetarisë shqiptare. Dhe, sot kur i kujtoj, që nga fllimet e para në këtë 25 vjetor – them se e kam për nder, që kam qënë afër tyre, i nderuar dhe i respektuar, prej tyre, dhe që kam mësuar shumë prej këshillave të tyre, editimit dhe redaktimit, kurajos dhe besimit. Ndaj, gjej rastin sot t’u shpreh secilit prej tyre edhe një herë mirënjohjen, time për gjithçka – se nuk ka qenë aspak e lehtë si për ata por edhe për mua.
-Në Amerikë ka gazetarë të shumtë, por sa i përmbahen ata parimeve të gazetarisë?
Shumë pak! Dhe, është me të vërtet për të ardhur keq – se ka shumë mediokritet dhe një pjesë e tyre janë profanë. Megjithëse, duhet të sqaroj diçka këtu në këtë përgjigje, sepse, në Amerikë, flas kështu se i njoh pothuajse të gjithë gazetarët shqiptarë, (me disa komunikoj, disa të tjerëve ua lexoj shkrimet apo i shoh në median vizive) dhe e ndejk pothuajse punën e të gjithëve, në fushën e gazetarisë. Dëshirojë të them se ka gazetarë shumë profesionistë, mjaft të kompletuar në të gjitha drejtimet.

Ka nga ata që për mendimin tim – janë me të vërtetë gazetar, jo thjesht se merren me gazetari aktive dhe profesionale, me media prestiogjoze në gjuhën shqipe këtu në komunitet, si Radio France International, Rojters, AP, apo dhe media të tilla si, VOA, Illyria, Bota sot, Dielli. Mendoj se në këta emra hyjnë: Ruben Avxhiu, Kryeredaktori i IIlyrias, Dalip Greca editor i Diellit, Frank Shkreli, Gjek Gjonlekaj, Ilir Ikonomi dhe Astrit Lulushi i VOA, etj…

Por, edhe nga ata që janë edhe sot, edhe në median më prestigjoze, shqiptare si “Klara Buda, ish kryeredaktore e Radio France Internacional, e cila ka themeluar së fundi në New York, TV show “Shqipëri/Kosovë të Dua” që përmes figurave të spikatura analizon modernitetin e të qenit shqiptar në SHBA. Ndërsa, gazeta e saj shumëgjuhëshe botimi online klarabudapost është një nismë novatore që promovon globalisht gazetarinë etike në shërbim të publikut. Nga media prestigjoze amerikane si shembull po marr Lidia Ujka në Fox News. Por, fatkeqësisht, ka edhe nga ata që i thonë vetes “gazetar”, vetëm duke përfituar nga interneti dhe bota e kompjuterit, të cilët, janë pa etikë dhe niveli i tyre profesional është shumë i varfër, aq sa ata nuk arrijnë ta kuptojnë, se nuk i përmbahen aspak parimeve të gazetarisë .

Ata dinë vetëm të vet-mburren dhe vet-lavderohen, shpërndajnë lajmet ose shkrimet e tyre në internet, edhe tek ata që nuk ua lexojnë. Gazetari nuk është shpërndarës lajmesh apo informacionesh, të mburret e vet-lavdërohet, ose të lavderojnë e mburrin njëri tjetrin.
-Cila do te ishte porosia juaj për gazetarët e rinj që sot veprojnë në komunitet?
Shumë faleminderit për këtë pyetje. Meqenëse, e fillova intervistën me gazetarinë shqiptare, po përpiqem të jap edhe porosinë time si gazetar. Ne gazetarët duhet të shikojmë jo vetëm nëse na paguajnë, sa na paguajnë dhe kush na paguan. Por, duhet të shikojmë realitetin dhe ngjarjen ashtu siç është, pavarësisht se dikujt i pëlqen apo jo, se dikush preket, apo nuk preket. Mendoj se këtu nuk ka asnjë pengesë të pakalueshme. Gazetari nuk duhet të varet nga interesi i partisë në pushtet dhe ky është parimi i parë. Përndryshe ai do të bëhet rob i autocensurës. Ai duhet të ndjekë parimin e lirisë së fjalës dhe të shprehjes, që janë thelbësore për gazetarinë në mbarë botën. Nuk ka gazetari dhe gazetar të lirë në demokraci nëse lajmin e bën nga njëra anë, duke shikuar nga qeveria dhe nga ana tjetër duke parë nga “paraja”. Liria, është kuptimi i demokracisë, dhe kjo është demokracia: Amendamenti i parë i Kushtetutës së Shteteve të Bashkuara ndalon me ligj censurën, mbron me ligj lirinë e fjalës, të shtypit, të fesë e të tjera dhe është parimi nga mund të mësohet në rast se dëshiron të jesh gazetar i mirë.

Filed Under: Featured Tagged With: Beqir Sina, Drita Ramadani, Interviste

DEKLARATË E FEDERATËS VATRA PËR ZHVILLIMET NË KOSOVË

February 2, 2015 by dgreca

Federata Pan-Shqiptare e Amerikes “Vatra” shpreh shqetësime të thella mbi gjendjen politike dhe ekonomike që është krijuar në Kosovë. Deklarata e Aleksandar Jablanovic, Ministrit të Kosovës për Kthim dhe Komunitete, ku i quan nënat shqiptare “egërsira” është ofenduese dhe destabilizuese për Kosovën.
Vatra i sheh kërkesat për shkarkimin e ministrit serb të Qeverisë së Kosovës që ofendoi shqiptarët dhe fatin e kompleksit të minierave të Trepçës si frymëzim i protestave në Prishtinë me 24 dhe 27 janar.
Federata Vatra vëren se populli është i pakënaqur edhe për shumë arsye të tjera. Papunesia e cila shkakton varfëri në popull, është në rritje e sipër. Simbas Agjencisë së Statistikave të Kosovës, 55.9% e të rinjëve të moshave 15-24 vjeç janë të papunësuar. Rinia nuk sheh angazhime serioze nga pushtetarët për përmirësimin e standartit të jetesës. Si rrjedhojë, është shtuar migrimi masiv i rinisë së Kosovës, që fatkeqësisht na kujton fillimin e viteve të 90-ta kur sërbët ushtruan formën e ngadaltë të pastrimit etnik në Kosovë.
Korrupsioni është një faktor tjetër që pengon zhvillimin ekonomik dhe stabilizimin e Kosovës. Simbas indeksit të perceptimit të korrupsionit, në dhjetor të 2014, Transparancy International e ka renditë Kosovën në vendin e 110, duke e barazuar me disa vende nga më të korruptuarat në Afrikë. Pra, përpjekjet kundra korrupsionit nuk kanë treguar asnjë progres. Investorët e huaj nuk rrezikojnë investimet e tyre në një vend me përmasa të mëdha të korrupsionit.
Në lidhje me kompleksin e minierave të Trepçes, Vatra e mbështetë deklaratën e ambasadorit të Britanisë së Madhe, Ian Cliff, i cili në nji ligjeratë në Universtitetin AAB ka theksur, “Trepça është në territorin e Kosovës, dhe ajo që është në territorin e saj është aset i Kosovës. Kjo nuk duhet të jetë temë e dialogut me Serbinë, por duhet të zgjidhet brenda Kosovës.”
Sipas Ambasadorit Cliff, Trepça nuk duhet te jetë në duart e agjencisë së privatizimit, dhe shqiptarët duhet të “lidhin pjesën veriore dhe jugore të saj, dhe të tërheqin ndonjë partner strategjik nga Evropa apo diku tjetër”.
Vatra shpreh dyshime se armiqtë shekullorë të shqiptarëve mundohen me çdo mundesi të infiltrojnë elemente ektremiste në Kosovë që të shkaktojnë destabilizim dhe armiqesi ndërmjet shqiptarëve. Nuk duhet të harrojmë faktin se sërbët dhe grekët u munduan të krijonin opinionin në botë se forcat e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës ishin forca islamike terroriste. Vatra këkon që institucionet shqiptare te kenë kujdes nga ndikimet e fqinjeve dhe grupeve mafioze për ta ndielle një pjesë të rinisë kosovare për ta bërë mish për makinerinë e luftës tek ISIS. Duhet te jemi vigjilentë ndaj elementeve te huaj, c’ka shkon ndesh me harmoninë tone ndërfetare.
Vatra e konsideron të drejtën për të protestuar në menyrë paqesore, si të drejtë demokratike, dhe mbeshtetë deklaratën e Quint-it, të ambasadorëve të Francës, Gjermanisë, Italisë, Britanisë së Madhe, dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikes, ku thuhet se e drejta për të demonstruar është vendimtare për një demokraci funksionale, por dhuna dhe vandalizmi ndaj pronës publike dhe private nuk është e pranueshme. Vatra mbështet opinionin e ambasadorës amerikane në Prishtinë, Tracey Ann Jacobson, dhënë Zërit të Amerikës, ku u bën thirrje subjekteve politike shqiptare për zgjidhjen e çështjeve me anë të dialogut.
Vatra e ka mirëpritë lajmin e fundit të kryeministrit të Kosovës, Isa Mustafa, ku paralajmëron largimin e ministrit Jablanovic dhe i bën thirrje Qeverisë së Kosovës që sa ma shpjet të paraqes në parlament projekt-ligjin për Trepçen si pasuri e patundeshme e Kosovës dhe vetëm Kosovës.

Filed Under: Vatra Tagged With: Deklarata e Vatres, Mithat Gashi, per zhvillimet ne Kosove

Festivali Folklorik Mbarëkombëtar i Gjirokastrës organizohet në 10-16 maj

February 2, 2015 by dgreca

Ministria e Kulturës ka njoftuar së fundmi se Komiteti Organizativ i Festivalit Folklorik Mbarëkombëtar të Gjirokastrës ka vendosur që Festivali Folklorik të zhvillohet në datat 10-16 maj 2015.
Një nga ngjarjet më madhore të pasurisë shpirtërore, e cila realizon përfaqësimin më të plotë të hapësirave gjeografike të trashëgimisë kulturore shpirtërore mbarëkombëtare ishte planifikuar të zhvillohej më 04 deri 09 prill 2015, në Kalanë dhe Qendrën Historike të qytetit muze të Gjirokastrës, “Pasuri botërore e njerëzimit” mbrojtur nga UNESCO.
MK bën me dije se kjo shtyrje erdhi pas kërkesës nga Qarqe që kryesisht përfaqësojnë zona të thella malore, të cilët kërkojnë të shtyhet java e zhvillimit të Festivalit Mbarëkombëtar Folklorik të Gjirokastrës, për shkak të kushteve të vështira të motit gjatë fazës aktuale përgatitore dhe me shqetësimin për një paraqitje sa më të mirë dhe të organizuar në këtë takim mbarëkombëtar të folklorit shqiptar.
Në skemën e kësaj veprimtarie u përfshinë 260 artistë dhe gjashtë grupe folklorike, bashkitë e Gjirokastrës dhe Libohovës bashkë me disa komuna, mes të cilave edhe minoriteti grek.

Filed Under: Kulture Tagged With: 10-16 maj, Festivali Folklorik, Mbarëkombëtar i Gjirokastrës, organizohet në

Musine Kokalari, disidentja që nuk u dorëzua kurrë

February 2, 2015 by dgreca

Nga Flora NIKOLLA/
Tirane, 2 Shkurt/ATSH/.- Musine Kokalari lindi më 10 shkurt të vitit 1917, në Adale, të Turqisëm nderkohe qe në vitin 1921, familja e saj u kthye në Shqipëri dhe u vendos në Gjirokastër, ku Musineja kreu shkollën fillore.
Nëntë vjet më vonë, familja Kokalari do te vendosej në Tiranë .
Në vitin 1937, ajo mbaroi shkollën e mesme “Nëna Mbretëreshë” dhe më pas shkoi për studime në Universitetin e Romës, në Itali, të cilin e mbaroi shkëlqyeshëm në vitin 1941. Librin e parë “Seç më thotë nëna plakë”, Musine Kokalari e botoi në vitin 1939.
Ishte viti 1943, kur Musine Kokalari së bashku dhe me disa shokë të tjerë formuan Partinë Socialdemokrate. Një vit më vonë, me përpjekjen e saj, doli numri i parë i gazetës “Zëri i Lirisë”. Në vitin 1944, ajo botoi librin e dytë “Rreth vatrës”, ndërsa më 12 nëntor të po këtij viti u pushkatuan vëllezërit e saj, Muntaz e Vesim Kokalari. Katër ditë më vonë e arrestuan dhe Musinenë, të cilën e mbajtën 17 ditë në burg.
Në janar të vitit 1945, u botua libri i tretë i Musine Kokalarit “Sa u tund jeta”.
Më 23 janar të vitit 1946, ajo u arrestua për së dyti nga forcat e Mbrojtjes së Popullit, e gjyqi e dënoi me 20 vjet heqje lirie. Në vitin 1961, e nxjerrin nga burgu dhe e internuan në Rrëshen, ku dhe doli në pension me gjysmë page. Në vitin 1981, sëmuret nga sëmundja e kancerit, që dy vjet më pas do ta largonte përgjithmonë nga jeta. Në vitin 1993, Presidenti i Republikës i asaj kohe, Sali Berisha i dha pas vdekjes medaljen “Martir i Demokracisë”.

Historia e dhimbshme e jetës së disidentes së burgosur e internuar nga diktatura
Thëniet e saj ishin akuzat e një shpirti të pamposhtur rilindës që sfidonte vdekjen. “Unë s´jam fajtore. S´jam komuniste dhe ky s’mund të quhet faj. Ju fituat në zgjedhje, por në burg nuk duhet të jem…. Unë jam nxënëse e Sami Frashërit. Me mua ju doni të dënoni Rilindjen”.
Pas këtyre fjalëve, ajo nuk mund t’i shpëtonte dënimit të sistemit të Enver Hoxhës, edhe pse ky i fundit e njihte mirë familjen intelektuale dhe patriotike të Kokalarëve nga Gjirokastra. Madje, Hoxha kishte lidhje gjaku me Musinenë, por ai nuk e kurseu as atë, pasi kishte pushkatuar pa gjyq dy vëllezërit e saj, në nëntor të vitit 1944. Sistemi i kaluar kishte dhe një inat tjetër me Musinenë. Fakti që ajo kishte krijuar së bashku me Skënder Muçon, Partinë Socialdemokrate, në vitin 1943, nuk mund të anashkalohej nga sistemi një partiak i Hoxhes.
Pas Luftës së Dytë Botërore, kur Shqipëria po vihej nën diktaturë, si kundërveprim i kësaj të fundit u themelua më 6 nëntor të vitit 1946, në Tiranë, grupimi i parë opozitar antikomunist “Bashkimi Demokratik Shqiptar”, një aleancë e Partisë Socialdemokrate, kryesuar nga Musine Kokalari, me Frontin e Rezistencës, drejtuar nga Sami Qeribashi dhe me Grupin Monarkist, të drejtuar nga Qenam Dibra. Pra, Musineja u bashkua me disidentët e tjerë të opozitës, e cila sipas ideve të saj, do të ishte ilegale dhe do të luftonte me mjete demokratike për një Shqipëri ndryshe. Ajo nuk mund të pranonte diktaturë, ndaj dhe i shfaqi hapur bindjet politike, por në të njëjtën kohë dhe diktatura nuk mund ta pranonte Musinenë, ndaj e goditi për vdekje.
Në hetuesi dhe në gjyq, Musine Kokalari do të depononte: “Mbas Mbledhjes së Mukjes, kam marrë pjesë në Ballin Kombëtar si socialdemokrate dhe kam qenë përgjegjëse e gazetës ‘Zëri i Lirisë’, ku kam botuar artikuj ku flitet për çështjen e Kosovës në bazë të Kartës së Atlantikut. Kriteri për të luftuar ishte jo për qëllimin e përfitimit të disa klikave, por për demokratizimin e vendit”.
Çastet e fundit të jetës
Në dorëshkrimin “Mbi jetën time”, Musineja shkruan: “Komunistët më varrosën për së gjalli, se nuk iu kërkova falje në gjyq për aktivitetin tim. Dhe pse do të kërkoja falje?…. Unë s´jam fajtore…”. Në një seancë gjyqi, ndërsa dikush thirri se ajo duhet të dënohej me vdekje në litar, dhe kryetari Frederik Nosi, e pyeti se a e dëgjonte atë që kërkonte populli, Musineja me qetësi iu përgjigj: “Nesër këtë do të thonë edhe për ju”. Musineja nuk pranoi avokat. Ajo bëri një apologji të shkëlqyer që jep qartë edhe në qëndrimin e saj prej politikaneje, demokrate, konseguente dhe e papërlyer. Gjyqi komunist e dënoi me 20 vjet heqje lirie, me humbjen e të gjitha të drejtave civile dhe konfiskim të pasurisë.

Pasi kreu 16 vjet nga dënimi i saj, Musinenë e internuan në Rrëshen, ku për 22 vjet punoi në bujqësi dhe ndërtim, si punëtore llaçi, e përgjuar ditë e natë nga Sigurimi i Shtetit.
Pas punës, ajo shëtiste vetëm, por dhe shkonte në vendin e saj të preferuar, bibliotekën e qytetit, ku gjente miqtë e saj të vërtetë, librat. E dërmuar nga vuajtjet dhe e rraskapitur nga punët e rënda, Musineja u sëmur nga kanceri. “Ç´fat tragjik, shkruan ajo. Më doli edhe sëmundja kundër. Të paktën të kisha pak qetësi në vitet e fundit të jetës sime”.
E shtruar në spitalin onkologjik, ajo shkruan: “Këtu kuptova një gjë. Për mua jo vetëm që nuk interesohen, por kanë qejf të më zvarritin. Dhe vetë kontrollet e këtyre muajve s´kanë gjë tjetër veçse fjalë të kota. Sipas rregullave, unë duhet të isha operuar këtu e gjashtë muaj më parë. Ç´do të ngjasë?”. “ Ketu njoha kulturën demokratike, njoha tragjedinë e përmbysjeve të mëdha revolucionare. Njoha një gjyq special. Njoha 16 vjet burg dhe 22 vjet internim me përplasje andej-këndej. Njoha punën e punëtorit me normë individe, njoha punën e krahut me normë kolektive në bujqësi e ndërtim. Njoha vetminë e vetëkërkuar, shoqërinë e rastit në burg dhe gjithë ndryshimet që pasojnë nga ky tërmet i pandërprerë për të konsoliduar diktaturën e proletariatit. Nganjëherë them me vete se nuk fitova gjë që mbeta gjallë. Kam 38 vjet që nuk e di ç´domethënë familje. Ndoshta do të ishte mirë të kisha mbyllur sytë njëherë e përgjithmonë. Kështu merrnin fund edhe vuajtjet, me gjithë gjendjen tragjike. Kjo do të ishte një gjë shumë e mirë. Nëse vdes, në valixhen e vogël kam disa sende me vlerë etnografike për Muzeun e Gjirokastrës. Ato pak kursime dhe gjithçka tjetër le të hyjnë në fondin e shtypit që duhet të krijohet për punëtorin e krahut, i cili është i domosdoshëm, që të demokratizohet puna e krahut dhe të kultivohet punëtori i thjeshtë”.
Falë ditëve që erdhën u mundësua të thuhet e vërteta për personalitete të tillë si Musine Kokalari. Diktatura e burgosi, e internoi, e vdiq, por nuk e varrosi dot. Ajo i mbeti gjallë popullit dhe atdheut, një dritë e pashuar e kulturës shqiptare. Nga piedestali ku e vendosi koha, ajo vazhdon të thotë : “Besa, shpresa, dashuria, ato pra na lartësojnë. Përçarja dhe marrëzia na poshtërojnë dhe na mjerojnë”

Filed Under: ESSE Tagged With: disidentja, Flora Nikolla, Musine Kokalari, që nuk u dorëzua kurrë

Sa është i arsyeshëm formimi i gjykatës speciale?

February 2, 2015 by dgreca

Ka mbetur edhe pak kohë për t’u formuar ky mekanizëm evropian, mirëpo do të ishte shumë me vend që fokusi të përqendrohet në zhvillimin ekonomik dhe kështu të ndërpritet “ikja” e qytetarëve të Kosovës/
Shkruan: XHAVIT ÇITAKU/
Sipas BE-së prioritet parësor pas ndërtimit të institucioneve të vendit është përkrahja dhe pëlqimi që deputetët e Parlamentit duhet t’i japin formimit të Gjykatës Speciale, e cila praktikisht dhe juridikisht do të veproj jashtë kufijve të Kosovës. Nëse i përmbahemi aktit më të lartë, Kushtetutës, një kërkesë dhe insistim i tillë nuk ka mbështetje juridike, të cilën e dinë edhe ata që me të gjitha mjetet po bëjnë trysni të jashtëzakonshme që shumë shpejt kjo kërkesë e tyre të realizohet dhe votohet në Parlament.
Gjykata speciale si organ paralel i tri instancave të tjera të drejtësisë
Të kërkosh të kryhet një veprim jashtëkushtetues nga BE është barazi me atë që ta detyrosh dike që me “ sy në ballë” të bëj vepër penale që është e dënueshme me të gjitha normat e ligjet pozitive të një vendi. Dorën në zemër, asnjëri nga shtetet që kaq shumë i japin “ zjarr” kësaj çështjeje, që fund krye janë supozime se disa ish-drejtues të UÇK-së kanë krye vepra penale, nuk do të kishte pranuar formimin e një gjykate “ fantome” për të akuzuar e dënuar qytetarët apo luftëtarët e saj. Nuk është çështja se jam kundër formimit të kësaj gjykate, por kjo mënyrë e veprimit po e prek në thelb prishjen e konstitucionalizmit të vendit me elemente të jashtme që nuk e ka asnjë vend në botë. Nuk e ka as Serbia, e cila ka kryer gjenocid mbi popujt e tjerë në ish- Jugosllavi, por nuk e ka as Ruanda, në të cilën u vranë mbi një milionë njerëz. Thënë konkretisht, shqiptarët kah të sillen e pështillen janë të ballafaquar me organe gjyqësore e policore të huaja sikurse brenda Kosovës, po ashtu, edhe jashtë saj. Pra, në Kosovë kemi EULEX-sin me gjithë aparaturen e tij gjyqësore e policore, pastaj Tribunali i Hagës, i cili në mungesë të fakteve i liroj dy drejtues të UÇK-së, Ramush Haradinajn dhe Fatmir Limajn,dhe tash duke mos u realizuar të gjitha ato pretendime se edhe shqiptarët kanë “ kryer” krime gjatë luftës çlirimtare po insistohet që të formohet edhe një gjykatë tjetër e emërtuar “ speciale”. Gjithë kjo aparaturë gjyqësore evropiane dhe ndërkombëtare që është e angazhuar karshi organeve kosovare të drejtësisë, që do t’iu rrinë mbi “ kokë” edhe për një kohë të gjatë shqiptarëve, janë “ eksperimente” që nuk janë aplikuar në asnjë vend tjetër në këtë formë dhe në këtë përmbajtje.
Do të mjaftonte një vendim për bashkëpunim me gjykatën speciale
Ç’është edhe më keq në njërën anë kërkohet një vendim- pëlqim nga parlamenti për formimin e kësaj gjykate, ndërkaq në anën tjetër në të do të punojnë prokurorë e gjykatës të huaj. Ndaj, edhe shtrohet pyetja se për çfarë arsye insistohet që në këtë “ lojë” të involvohet edhe parlamenti i Kosovës në konstituimin e këtij mekanizmi. Për mua shumë më i dobishëm do të ishte votimi i propozimit për të nxjerr një vendim të plotfuqishëm, në bazë të të cilit organet e prokurorisë, gjyqësorit dhe policia e Kosovës do të bashkëpunonin me këtë gjykatë dhe pikë. Në këtë mënyrë do të evitoheshin ndryshimet kushtetuese të domosdoshme me këtë insistim që po e bën BE-ja, që aspak nuk është e arsyeshme. Kanë ndodhur sa e sa masakra e gjenocid mbi popujt e pambrojtur në Afrikë, pastaj në Bosnje, Kroaci dhe së fundi në Kosovë nga regjimi serb dhe asnjëherë nuk është insistuar që të formohet ndonjë gjykatë speciale. Me një fjalë, Serbia , p.sh, vrau, masakroi qindra mijëra , burra, gra fëmijë e pleq, pastaj dhunoi mijëra vajza e gra të komuniteteve tjera në ish- Jugosllavi dhe asnjëherë nuk u tha se për këtë shtet do të formohet far mekanizmi i posaçëm i drejtësisë qoftë në formën siç është ai i EULEX-it në Kosovë e të mos flasim për ndonjë gjykatë speciale që do të formohej jashtë këtij shteti.
Ngulmim që gjithsesi të gjenden fajtor edhe luftëtarët shqiptar
Gjithë kjo “ zhurmë” dhe insistim i vazhdueshëm për t’u formuar ky mekanizëm special evropian vetëm për shqiptar, siç dukët, pikënisjen e ka nga Serbia, e cila duke gjetur mbështetje nga miqtë e saj tradicional, arriti që të bind faktorin ndërkombëtar se “ megjithatë” edhe shqiptarët “ paskan” krye krime. Kjo u pa ashiqare edhe në raportin e përgatitur nga Dick Marti, i cili përkundër kërkesës së EULEX-it për të bashkëpunuar për të thënat e tij e sidomos për i përket “ aferës” së “ tregtisë”së organeve të vëshkëve të pjesëtarëve të komunitetit serb, nuk pranoj një gjë të tillë. Ndërkaq, për vrasjet e mijëra shqiptarëve në mënyrën më brutale asnjë “ zhurmë”, asnjë iniciativë e ngjashme me këtë që po veprohet për dhe rreth Kosovës
Tribunali i Hagës përkundër hetimeve të bollshme që bëri nuk arriti që të dënoj asnjë nga udhëheqësit e UÇK-së në mungesë të provave dhe të faktit të pamohueshëm se këta çlirimtar nuk kishin bërë krime ashtu siç pretendonte Serbia dhe të tjerët që mbështetin rrënat serbe. Edhe EULEX-i, mund të themi në gjykimin e ngjashëm me atë Tribunalit të Hagës, nuk arriti që ta gjejë fajtor Fatmir Limajn. Ka në këtë mekanizëm evropian edhe procese tjera gjyqësore që do të përfundojnë si edhe ato të mëparshmet, përkatësisht të akuzuarit do të lirohen si të pafajshëm. Me këtë hap të fundit po krijohet një klimë e “dyshimit” se BE me përkrahjen edhe të SHBA-ve po ngulin “ këmbë” që gjithsesi duhet të gjendet fajtor edhe dikush nga strukturat udhëheqëse të UÇK-së.
Askush nuk pretendon që të mbroj ata që eventualisht kanë kryer krime
Askush nuk pretendon në asnjë mënyrë të mbroj ata që eventualisht kanë kryer krime gjatë apo pas luftës, mirëpo formimi i një gjykate me bekimin e parlamentit që do të veproj jashtë juridiksionit të vendit është i papranueshëm dhe në kundërshtim me të gjitha normat dhe ligjet pozitive të vendit tonë sovran. Ndaj, edhe siç ceka më lartë mjafton vetëm një vendim i parlamentit, i cili do të obligonte organet përkatëse të vendit për një bashkëpunim të ngushtë me këtë gjykatë dhe besoj se puna do të kryhej siç është më së miri. Dihet mirëfilli se këto organe bashkëpunuan shumë mirë qoftë me Tribunalin e Hagës apo edhe me EULEX-sin dhe asnjëherë mekanizmat evropian dhe ndërkombëtar nuk janë ankuar se ka pasur ndonjë pengesë në këtë drejtim.
Të mësuar me lëshimin pe nga institucioneve të Kosovës
Krijimi i shteti tonë u bë me goxha do eksperimente, ndërsa e ka zanafillën nga mbështetja e pa vend që iu dha nga parlamenti i Kosovës aprovimit të Kornizës Kushtetuese nga deputetët e LDK-së dhe të AAK-së . Dihet mirëfilli se ky farë akti juridik, që u bë me insistimin e faktorit ndërkombëtar, ishte bazuar në Rezolutën 1244 të OKB-së, Rezolutë kjo që dihet se si përcaktonte të ardhmen e vendit tonë. Nga kjo pikë mund të themi se filloi të rrëshqasin në drejtime të panjohura, të vështira e pa rrugëdalje hapat e shtetndërtimit nga ana e liderëve tanë, të cilët nën trysnin e “ miqëve” lëshuan aq shumë pe sa që në këtë formë dhe gjendje çfarë në të vërtetë gjendet Kosova është shumë vështirë që të funksionoj si shtet në kuptimin e plotë të fjalës. Së këndejmi, liderët tanë por edhe organet e institucionet tona duhet të këmbëngulin dhe të mos lejojnë që vendi ynë të nëpërkëmbët nga askush, sepse me ardhmërinë e vendit askush nuk ka të drejt e as guxim që të luaj. Thënë konkretisht , udhëheqësit tanë duhet vetëm të përmbahen në Kushtetutë dhe asgjë më shumë. Ndërkaq, dihet se përpilimi i këtij akti më të lartë është ndihmuar edhe nga BE e SHBA, të cilat duhet ta respektojnë njësoj sikurse që këtë do të duhej ta bënin institucionet dhe udhëheqësit tanë.
Dhe krejt në fund: Nga BE-ja nuk do të këtë kthim “ prapa” dhe kësisoj ka mbetur edhe pak kohë për t’u formuar Gjykata speciale, ngaqë e di fare mirë se kosovarët edhe kësaj radhe do të lëshojnë pe pa problem, mirëpo fokusi i përqendrimit do të duhej të orientohej shumë më tepër në zhvillimin ekonomik dhe kështu do të ndërpritej “ ikja” e qytetarëve të Kosovës, të cilët në numër të madh për çdo ditë po e lëshojnë vendin me synim të vetëm për të siguruar një jetë më të mirë për familjet e tyre.

Filed Under: Opinion Tagged With: i arsyeshëm formimi, i gjykatës speciale?, Sa është, Xhavit Citaku

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 65
  • 66
  • 67
  • 68
  • 69
  • 70
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Kontributi shumëdimensional i Klerit Katolik dhe i Elitave Shqiptare në Pavarësinë e Shqipërisë 
  • Takimi i përvitshëm i Malësorëve të New Yorkut – Mbrëmje fondmbledhëse për Shoqatën “Malësia e Madhe”
  • Edi Rama, Belinda Balluku, SPAK, kur drejtësia troket, pushteti zbulohet!
  • “Strategjia Trump, ShBA më e fortë, Interesat Amerikane mbi gjithçka”
  • Pse leku shqiptar duket i fortë ndërsa ekonomia ndihet e dobët
  • IMAM ISA HOXHA (1918–2001), NJË JETË NË SHËRBIM TË FESË, DIJES, KULTURËS DHE ÇËSHTJES KOMBËTARE SHQIPTARE
  • UGSH ndan çmimet vjetore për gazetarët shqiptarë dhe për fituesit e konkursit “Vangjush Gambeta”
  • Fjala përshëndetëse e kryetarit të Federatës Vatra Dr. Elmi Berisha për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë në Seancën Akademike kushtuar 100 vjetorit të lindjes së Peter Priftit
  • Shqipëria u bë pjesë e Lidhjes së Kombeve (17 dhjetor 1920)
  • NJЁ SURPRIZЁ XHENTЁLMENЁSH E GJON MILIT   
  • Format jo standarde të pullave në Filatelinë Shqiptare
  • Avokati i kujt?
  • MËSIMI I GJUHËS SHQIPE SI MJET PËR FORMIMIN E VETEDIJES KOMBËTARE TE SHQIPTARËT  
  • MES KULTURES DHE HIJEVE TE ANTIKULTURES
  • Historia dhe braktisja e Kullës së Elez Murrës – Një apel për të shpëtuar trashëgiminë historike

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT