Ministria e Kulturës ka njoftuar së fundmi se Komiteti Organizativ i Festivalit Folklorik Mbarëkombëtar të Gjirokastrës ka vendosur që Festivali Folklorik të zhvillohet në datat 10-16 maj 2015.
Një nga ngjarjet më madhore të pasurisë shpirtërore, e cila realizon përfaqësimin më të plotë të hapësirave gjeografike të trashëgimisë kulturore shpirtërore mbarëkombëtare ishte planifikuar të zhvillohej më 04 deri 09 prill 2015, në Kalanë dhe Qendrën Historike të qytetit muze të Gjirokastrës, “Pasuri botërore e njerëzimit” mbrojtur nga UNESCO.
MK bën me dije se kjo shtyrje erdhi pas kërkesës nga Qarqe që kryesisht përfaqësojnë zona të thella malore, të cilët kërkojnë të shtyhet java e zhvillimit të Festivalit Mbarëkombëtar Folklorik të Gjirokastrës, për shkak të kushteve të vështira të motit gjatë fazës aktuale përgatitore dhe me shqetësimin për një paraqitje sa më të mirë dhe të organizuar në këtë takim mbarëkombëtar të folklorit shqiptar.
Në skemën e kësaj veprimtarie u përfshinë 260 artistë dhe gjashtë grupe folklorike, bashkitë e Gjirokastrës dhe Libohovës bashkë me disa komuna, mes të cilave edhe minoriteti grek.