• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for March 2015

Frroku në Këshillin e Mandateve: S’kam kryer vrasje

March 31, 2015 by dgreca

Babai im ecën me të drejtën zakonore/
Mark Frroku deklaron para Këshillit të Mandateve se nuk ka kryer asnjë vrasje. Madje sipas tij në kohën kur ka ndodhur krimi ka qenë në Shqipëri, dhe jo në Belgjikë.
Deputeti prej ditësh në arrest shtëpie për dëshmi të rreme, foli dhe për mbledhjen e baballarëve.
Dokumentet per Frrokun janë të institucioneve ndërkombëtare
Përfaqësuesja e prokurorisë: “Interpol Tirana na solli urdhërarrestin ndërkombëtar më 27 mars pasdite. Informacioni që fshihet është konfidenuial dhe nuk mund ta bëj publik. Bëhet fjalë për urdhërarrest ndërkombëtar.
Dokumentet që kemi janë të institucioneve ndërkombtare dhe nuk besoj që institucionet ndërkombëtare të lëshojnë dokumente vërtetësinë e të cilave mund ta vëmë në dyshim”
Mark Frroku: S’kam qenë në Belgjikë kur ndodhi vrasja. Babai im ecën me të drejtën zakonore
“S’kam ndërmend ti fshihem drejtësisë. Kam pritur 4 orë tek lokali im policinë. Mark Frroku nuk ka vrarë njeri dhe nuk ka organizuar vrasjen e askujt. Autoritetet belge të më provojnë që unë kam qenë në Belgjikë dhe unë pranoj vrasjen dhe jam gati të shkoj atje kur do të më thërrasin. Unë kam qenë në Shqipëri dhe kjo është e garantuar.
Dëshmitari kyç: Nuk kam lidhje fare me atë çështje. Avokatët e mi do bëjnë publike provat që ka në shkresën e prokurorisë. Është e vërtetë që kanë pasur një takim shumë i vonshëm më shumë se 1 vit e një vit e ca më parë, sepse babai im është 85 vjec dhe ecë me të drejtën zakonore. Babai im i është përgjigjur atyre në të drejtën zakonore. Sa i takon të tjerave unë jam gati ti përgjigjem.
Sa i takon interpolit, jam kthyer më 22 shkurt nga Amerika e Veriut kam udhëtuar nëpërmjet shteteve Shengen dhe nuk kam pasur asnjë lloj problemi me drejtësinë as këtu as në shtetet shengen”
Avokatet: Mos miratoni autorizimin
Avokatët i kërkuan deputetëve të mos miratojnë autorizimin për arrestimin e deputetit Mark Frroku duke akuzuar prokurorinë se është anashkaluar me dashje. “ Nëse paraqitet qoftë dhe një provë të procedimit të transferimit penal prokuroria ka detyrim ligjor të regjistrojë këtë cështje” Po kështu për avokatët nuk ekziston mundësia e ikjes, pasi në kushtet kur ka një arrest shtëpia, kjo sfumohet.
S’ka pasur prova. Çështja është në gjykatë dhe nuk kemi pasur pozitë proceduriale dhe nuk jemi vënë në dijeni
Kjo është kërkesën e dytë Prokurorisë për arrestimin e deputetit Mark Frroku, por kësaj herë për llogari të drejtësisë belge, pasi deputeti akuzohet për një vrasje të një shqiptari në Belgjikë në vitin 1999.
Me kërkesë së dy avokatëve të Mark Frrokut, Saimir Vishaj dhe Genc Gjokutaj ditën e dielë, u vendos që në seancën e sotme të Këshillit të Mandateve do të jetë i pranishëm edhe vetë deputeti Frroku, i cili prej tre ditësh ndodhet i izoluar në shtëpi, pas masës “arrest shtepie”, caktuar nga Gjykata e Lartë për kallëzim të rremë.
Të martën pritet që Këshilli i Mandateve të hartoje relacionin për kristiandemokratin Mark Frroku dhe sikundër deri tani palët kanë deklaruar se nuk do pengojnë drejtësinë, pritet që në Parlament të votohet sërish për për heqjen e imunitetit të deputetit Mark Frroku duke pranuar kërkesën e Prokurorisë për autorizim për arrestimin e tij.
Belgjika kërkon arrestimin e deputetit, i dënuar në shkallën e parë në këtë shtet me 10 vjet heqje lirie për vrasjen në vitin 1999 të Aleksandër Kurtit.
Autor, sipas autoriteteve belge është deputeti Frroku, që në Belgjikë njihej me emrin Besnik Morina.

SHTYPI- Zbardhet vrasja e 1999 në Belgjikë: Porositësi ishte Arbeni, u krye nga Mark Frroku
Relacioni i Prokurorisë së Përgjithshme drejtuar Kuvendit për të kërkuar autorizimin për arrestimin e deputetit Mark Frroku zbardh ngjarjen e ndodhur 16 vjet më parë në Belgjikë.
Bëhet fjalë për vrasjen me thikë të Aleksandër Kurtit ndodhur më 5 mars 1999 në hyrje të stacionit “Midi” në Saint – Gilles, Bruksel për të cilën akuzohet se është kryer nga 4 persona mes tyre dhe Mark Frroku deputet.
Prokuroria kërkon autorizimin për arrestimin e deputetit të qarkut të Pukës me qëllim për t’i hapur rrugë një hetimi të plotë dhe të gjithanshëm nga Prokuroria.
Sipas dosjes së mbërritur nga autoritetet belge, ngjarja ka ndodhur më 05 mars të vitit 1999 në Bruksel.
Vëllai i viktimës i ka thënë prokurorisë belge se Arben Frroku, kishte paguar 10 mijë dollarë për vrasjen e Aleksandër Kurtit e kryer nga vëllai i tij Mark alias Besnik Morina.
Hetuesit belgë flasin dhe për një takim të baballarëve autorëve të dyshuar të krimit të ndodhur më 28 mars 1999 në Shqipëri.
Gjatë kësaj mbledhjeje, baballarët e përgjegjësve japin shpjegime mbi rrethanat e vrasjes dhe e pranojnë ose jo përgjegjësinë e tyre. Kjo mbledhje duhet t’i bëjë të mundur familjes së viktimës, të mund të ushtrojë më pas të drejtën e gjakmarrjes.
Megjithë mungesën e babait të Alex Vuka (Besnik Vuka), borxhi i gjakut është vënë dhe secila prej katër familjeve duhet që këtej e tutje “të paguante një jetë” që të vendosej serish paqja.
Sipas këtij zakoni, një dënim i rëndë në Belgjikë është i barabartë me një jetë.
Mbledhja konfirmoi se, arsyeja e vrasjes së Aleksandër Kurti ka qenë larja e hesapeve në lidhje me shtetasen L.A.
Sipas këtij dokumenti Motivi i vrasjes ishte: “Raporti midis viktimës dhe shtetases L. po bëhej më shumë se profesional dhe mund të vinte në rrezik organizatën e shfrytëzimit të qenieve njerëzore shqiptare nga Italia, Brukseli deri në Londër. “
Rrethanat e faktit
Prokuroria e Përgjithshme e Republikës së Shqipërisë, mbi bazën e materialeve të ardhura nga Zyra Qendrore Kombëtare Interpol Tirana me shkresën nr. 2851/1 datë 27.03.2015 dhe Ministria e Drejtësisë me shkresën nr. 266/2 datë 28.03.2015, ka regjistruar procedimin penal nr. 2, të vitit 2015, për kryerjen e veprës penale të “vrasjes me paramendim”, e kryer në bashkëpunim, parashikuar nga nenet 78/1 dhe 25 të Kodit Penal të Republikës së Shqipërisë, në ngarkim të shtetasit Mark Frroku, i biri i Prengës dhe i Lezes, lindur me 06.10.1972, në Pukë dhe banues në Tiranë, i njohur ndryshe si Besnik Morina, alias Mark Frroku, i lindur në Gjakovë më datë 6 tetor 1972, alias Dritan Frroku, i lindur në Gjakovë me datë 6 tetor 1972, alias Dritan Frroku, i lindur në Gjakovë më datë 2 korrik 1969, alias Piro Sofrani, i lindur në Korye (Shqipëri) më datë 2 korrik 1969, me kombësi serbe, pa vendbanim apo rezidencë fikse në Belgjikë.
Vrasja në Belgjikë
Në datë 05.03.1999, viktima Aleksandër Kurti, lindur me 03.01.1975, u qëllua me thikë për vdekje nga 4 autorë, ndërmjet të cilëve shtetasi Besnik Vuka, në hyrje të stacionit “Midi” në Saint – Gilles, Bruksel. Autor i kësaj ngjarje besohet të jetë shtetasi Mark Frroku, i njohur ndryshe si Besnik Morina, i njohur ndryshe si Dritan Frroku, i njohur si Piro Sofrani. Sipas disa dëshmitarëve, shtetasi Besnik Vuka ishte autori i goditjeve me thikë. Viktima kishte rënë në dashuri me një prostitutë, me emrin L.S. Kjo vrasje e paramenduar shtrihet brenda fushës së vrasjes mafioze e organizuar nga qarqet e tutorëve. Shtetasja L.S kishte lënë takim me viktimën në ditën e ngjarjes. Aleksandër Kurti kishte menduar se do të takonte prostitutën, por ai ra në grackë, e cila rezultoi fatale për të. Kristian Marinaj, i njohur si Arjan Bytyçi, si dhe Lek Bib Djafa ishin bashkëpunëtorë të Besnik Vukës. Dëshmitarët kishin përmendur numrin e autorëve. Ata u arratisen jashtë vendit, disa ditë pas ngjarjes.
Me vendim të datës 15 janar 2010 në mungesë, ndaj të akuzuarve Besnik Morina, Besnik Vuka, Arjan Bytyçi dhe Bib Lek Djafa, Gjykata e Krimeve të Renda të Rrethit të Brukselit, ka dënuar secilin prej tyre me nga 10 vjet heqje lirie. Duke qenë se, nga personat e dënuar është ankimuar vendimi i dënimit, Gjykata e Kasacionit me vendimin e datës 24 Mars 2010, ka kthyer çështjen për rigjykim Gjykatës për Krime të Rënda të Provincës Brabant-Wallon, Belgjikë. Avokati i të akuzuarit Besnik Morina, i identifikuar si Mark Frroku, ka kërkuar shtyrjen e seancës gjyqësore të datës 31 Janar 2014, për në datën 23 Shkurt 2015. Prokurori i Përgjithshëm i Brukselit e akuzon shtetasin Mark Frroku, për kryerjen e veprës penale të “vrasjes me paramendim”.
Hetimi pas vrasjes
Nga këqyrja e vendit të ngjarjes, më datë 5 Mars 1999, rreth orës 17:45, Policia e Saint-Gilles, ka zbuluar në një rrugë në hyrje të Stacionit “Gare du Mid”, nr. 47A të Avenue Fonsny, Bruksel, trupin e një djali të ri në agoni. Nga këqyrja rezultoi se hunda e tij ishte e mbuluar me gjak, kishte hematoma të rënda tek sytë, plagë në dorë dhe gjoksin e gjakosur me tre gjurmë goditjeje me thikë. Viktima, në bazë të dokumenteve të identifikimit që ju gjetën, është identifikuar si Azem Shkreli, lindur në Jugosllavi, më 8 shtator 1980. Policia ka konstatuar dhe marrë poshtë një kamioni, një thikë të madhe mishi, me një dorezë prej druri, tehu i të cilës ishte njollosur me gjak. Veprimet e para hetimore kanë treguar se bëhej fjalë për larje hesapesh ndërmjet personash të përfshirë në rrjetin e prostitucionit shqiptar.
Nga deklarimi i shtetasit Nikolas Kurti, vëllai i viktimës, i cili është pyetur nga hetuesit me 7 dhjetor 2000, ka rezultuar se vëllai tjetër i tij, i quajtur George, e ka informuar për “mbledhjen e baballarëve”, të mbajtur në Shqipëri, me 28 mars 1999. Zakoni shqiptar parashikon në rastet e gjakmarrjes se, baballarët e përgjegjësve të këtij krimi paraqiten para familjes së viktimës dhe japin informacionin mbi identitetin e autorëve. Gjatë kësaj mbledhjeje, baballarët e përgjegjësve japin shpjegime mbi rrethanat e vrasjes dhe e pranojnë ose jo përgjegjësinë e tyre. Kjo mbledhje duhet t’i bëjë të mundur familjes së viktimës, të mund të ushtrojë më pas të drejtën e gjakmarrjes.
Mbledhja e baballarëve
Në “mbledhjen e baballarëve” të zhvilluar në një fshat të Shkodrës, nga ku viktima është me origjinë, kanë qenë prezente: babai i viktimës, vëllai i viktimës, George Kurti, Preng Frroku, babai i Mark Frroku (Besnik Morina), Bibë Djafa, babai i Lek Bib Djaf, Fran Ded Joka, babai i Hile Joka (Arjan Bytyçi). Babai i autorit të katërt, Nikoll Vukol nuk është paraqitur në mbledhje pasi, djali i tij Alex Vuka (Besnik Vuka) nuk e vlerëson veten përgjegjës për vdekjen e viktimës, duke pretenduar se viktima kishte vdekur para se ai të ndërhynte. Megjithë mungesën e babait të Alex Vuka (Besnik Vuka), borxhi i gjakut është vënë dhe secila prej katër familjeve duhet që këtej e tutje “të paguante një jetë” që të vendosej serish paqja.
Sipas këtij zakoni, një dënim i rëndë në Belgjikë është i barabartë me një jetë. Mbledhja konfirmoi se, arsyeja e vrasjes së Aleksandër Kurti ka qenë larja e hesapeve në lidhje me shtetasen L.A. Sipas Nikolas Kurti, vëllai i tij Aleksandër, kishte disa probleme me një farë Ben, (Arben Frroku), me të madhin e tre vëllezërve Frroku, tutor i prostitutave me emrat L. M. dhe Z. Nikolas Kurti, ka deklaruar se Arben Frroku ishte porositës i vrasjes së shtetasit Aleksandër Kurti, e kryer nga vëllai i tij “Mark” alias Besnik Morina. Lek Bib Djafa (Xhafa) i ka deklaruar shumë shqiptarëve se, ka marre shumën 10.000 dollar amerikanë për ekzekutimin e shtetasit Aleksandër Kurti. Nga shpjegimet e shtetasit Nikolas Kurti, rezulton se ditën e ngjarjes, ka patur një debat midis viktimës dhe tre djemve të baballarëve, në ‘Gare du Midi’ në Bruksel. Një person i katërt ka ndërhyrë, toni është rritur dhe personi ka nxjerrë thikën.
Motivi i vrasjes
Motivi i vrasjes: Raporti midis viktimës dhe shtetases L. po bëhej më shumë se profesional dhe mund të vinte në rrezik organizatën e shfrytëzimit të qenieve njerëzore shqiptare nga Italia, Brukseli deri në Londër. Në shtator dhe tetor 2000, Nikolas Kurti deklaron në polici se kunati i tij është lidhur me Markun (Besnik Morina) dhe shtetasin Hile Joka për të vrarë shtetasin Aleksandër Kurti. Prindërit e Kurtit jetojnë në Amerikë me djalin e tyre, Nikolas. Vëllai i tij Georges është larguar nga Shqipëria për një destinacion të panjohur në Europë. Ai është i kërkuar nga banda e të katërve.
Marku, me vëllezërit e tij Nardi dhe Arben, ka qenë përgjegjës për tri prostituta, që banojnë bashkë. Sipas dëshmitarit anonim ata quhen “Frroku”. Viktima me origjinë nga Shkodra (Shqipëri) është hequr si polic i Interpolit dhe se në Shqipëri e njeh familjen e shtetases L. Nga frika se mos familja e saj mësonte mbi punën që ajo bënte në Belgjikë, shtetasja L. i telefonon tutorit të saj Nardi (Frroku alias Shkurt Lasku) i cili ndodhej në atë kohë në Shqipëri. Ai e këshillon të njoftojë të vëllain Dritan (Besnik Morina). Dritani e fton t’i ngrejë një kurth viktimës në “Gare du Midi”. Shtetasja L. kontakton me telefon me Aleksandër Kurtin dhe e siguron se ajo do të ishte vetëm me të në takim. Në orën dhe vendin e caktuar, nuk është L., e cila pret viktimën, por katër persona të cilët kanë për qëllim ta vrasin.
Këto veprime kualifikohen si elemente të anës objektive të veprës penale “vrasje me paramendim”, e kryer në bashkëpunim, parashikuar nga nenet 78/1 dhe 25 të Kodit Penal të Republikës së Shqipërisë.
Në këto kushte, nga Prokuroria e Përgjithshme është provuar se deputeti Mark Frroku ka konsumuar elemente të veprës penale të “vrasjes me paramendim”, e kryer në bashkëpunim parashikuar nga nenet 78/1 dhe 25 të Kodit Penal të Republikës së Shqipërisë.
Për këtë fakt është regjistruar procedimi penal përkatës nr. 2 i vitit 2015. Vepra penale e vrasjes me paramendim, e kryer në bashkëpunim, paraqet rrezikshmëri shoqërore shumë të lartë dhe në këto kushte kërkesa e organit të akuzës është për një masë sigurimi të karakterit shtrëngues “arrest në burg”, për shtetasin Mark Frroku.
Në aplikim të nenit 228 të Kodit të Procedurës Penale masat e sigurimit mund të caktohen vetëm nëse në ngarkim të tij ekziston një dyshim i arsyeshëm, i bazuar në prova. Sipas parashikimeve të nenit 229 të Kodit të Procedurës Penale, masat e sigurimit vendosen në raport me rëndësinë e faktit dhe sanksionet që parashikon vepra penale për të cilën dyshohet, respektivisht nenet 78/1 dhe 25 të Kodit Penal. Për sa më sipër, me qëllim për t’i hapur rrugë një hetimi të plotë dhe të gjithanshëm nga Prokuroria, bazuar në nenet 73/2 të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë, dhe nenit 288 të Kodit të Procedurës Penale, kërkoj nga Kuvendi autorizimin për arrestimin ose heqjen e lirisë, së deputetit të Kuvendit të Shqipërisë Mark Frroku.

Filed Under: Kronike Tagged With: e Mandateve:, Frroku në Këshillin, S’kam kryer vrasje

CESHTJA”FRROKU- Dorëhiqet Drejtori i Policisë Artan Didi

March 31, 2015 by dgreca

Vendimi pas ndalimit mbrëmë të shefit të zyrës së Interpol Tiranës dhe një punonjëseje tjetër të cilët dyshohet se kanë mbajtur të fshehur një kërkesë arresti ndërkombëtar të lëshuar nga autoritetet belge ndaj deputetit Mark Frroku.
Në Shqipëri, drejtori i Përgjithshm i policisë së Shtetit Artan Didi dha sot dorëheqjen pas ndalimit një natë më parë të shefit të zyrës së Interpol Tirana Artan Bajraktari dhe një tjetër punonjëse të këtij sektori Loreta Alla të cilët dyshohet se mbajtën të fshehur kërkesën për arrest ndërkombëtar ndaj deputetit Mark Frroku. Ky i fundit dyshohet për një “vrasje me paramendim”, të ndodhur në Belgjikë në vitin 1999, ndaj një shtetasi shqiptar. Sipas autoriteve belge vrasja ka ndodhur gjatë një përplasjeje të grupeve që kontrollonin rrjete të prostitucionit në Bruksel. Gjykata e shkallës së parë për krimet e rënda në Bruksel e ka dënuar me 10 vite burg zotin Frroku, dhe tre shqiptarë të tjerë, ndërsa procesi gjyqësor është tani në Gjykatën e Apelit të kryeqytetit belg, pas ankesës së bërë nga të dënuarit. Kërkesa nga Belgjika ndaj Frrokut ka mbërritur në zyrat e Interpolit që në muajin janar, dhe zyrtarët e këtij sektori dyshohet se nuk kanë njoftuar autoritetet për këtë.
“Shkelja e procedurave ligjore të specialistit të Interpolit dhe shefit të këtij sektori, shkelje që i vuri ata përpara përgjegjësisë penale, cënoi në një farë mase imazhin e Drejtorisë së Përgjithshme të policisë, ndonëse ishte po ky institucion që e korrigjoi gabimin”, shkruan në deklaratën e dorëheqjes, drejtori i Përgjithshëm i Policisë Artan Didi duke shtuar se “për këtë arsye, duke vlerësuar si të papranueshëm për prestigjin e institucionit të Policisë së Shtetit, të cilin unë drejtoj, duke vlerësuar se nuk pata kapacitetin e mjaftueshëm për të parandaluar një fakt të tillë, vendosa të jap dorëheqjen e parevokueshme nga funksioni i Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit”.
Partia demokratike reagoi sot duke u shprehur se kërkesa e autoriteteve belge ndaj deputetit Frroku është mbajtur qëllimisht e fshehur, për t’i bërë shantazh sipas tij, për cështen Doshi, deklaroi sekretari i Përgjithshëm Arben Ristani. “E kanë mbajtur të kapur dëshmitarin kyç, Mar Frroku, i kanë dhënë imunitet e mbrojtje në kundërshtim me ligjin, derisa ai dha deponimin në favor të Ilir Metës. Vetëm më 18 mars, pasi Mark Frroku e kishte dhënë dëshminë në prokurori në favor të Ilir Metës, lidhur me akuzat ndaj tij, për porositjen e vrasjes së dy deputetëve, policia shqiptare ka aktivizuar shkresën për kërkim ndërkombëtar të deputetit të mazhorancës”, u shpreh zoti Ristani, duke vlerësuar se sipas tij zyrtarët e Interpol Tiranës janë vetëm viktima të një skeme për të cilën përgjegjës direkt, u shpreh ai, janë kryeministri Edi Rama dhe kryetari i parlamentit Ilir Meta
Ngjarja për të cilën akuzohet deputeti Frroku u përmend për herë të parë publikisht pas zgjedhjeve të qershorit të 2013, në një shkrim të një gazete belge. Në atë kohë zoti Frroku mohoi të ishte përfshirë në vrasje, sikundër bëri edhe tani, pasi prokuroria kërkoi në fundjavë, për herë të dytë, autorizimin e parlamentit për arrestimin e tij. Kërkesa pritet të shqyrtohet sot nga Këshilli i Rregullores dhe Mandateve i parlamentit.
Javën e shkuar zoti Frroku u ndalua pasi parlamenti miratoi kërkesën e Prokurorisë për arrestimin e tij dhe të deputetit Tom Doshi, lidhur me hetimet ndaj deklarimeve të këtij të fundit për ekzistencën e një plani për vrasjen e tij dhe të deputetit demokrat Mhill Fufi. Plan, pas të cilit sipas zoti Doshi qëndronte kryetari i parlamentit Ilir Meta, por që sipas hetimeve, rezulton të ketë qenë i sajuar prej tij. Në fundjavë Gjykata e Lartë vendosi që deputetët Doshi e Frroku të lihen në arrest shtëpie.

Filed Under: Kronike Tagged With: Ceshtja Frroku, Didi, dorhiqet

Beogradi ende pa qëndrim për rastin e Sheshelit

March 31, 2015 by dgreca

Autoritetet në Serbi kanë reaguar pas vendimit të Tribunalit të Hagës për Krime të Luftës, me të cilin ka anuluar lirimin e përkohshëm të ish-liderit radikal serb, Vojisllav Sheshelj, duke urdhëruar kthimin e tij në qendrën e paraburgimit në Hagë.
Ky i fundit ka bërë të ditur se “nuk do të ikë”, por as nuk do të kthehet “vullnetshëm në Hagë”.
Tribunali i kishte dhënë mundësi atij të kërkojë trajtim mjekësor në Serbi, me kusht që të mos ndërhyjë te viktimat apo dëshmitarët dhe që të kthehet në gjykatë kurdo që kjo kërkohet prej tij.
Kryeministri i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka thënë një ditë më parë se në ditët e ardhshme Serbia do ta qartësojë qëndrimin e saj për vendimin e Tribunalit që Shesheli, të kthehet në Hagë.
Përmes një shkrimi autorial në të përditshmen “Politika” në Beograd, ai ka theksuar se çfarëdo vendimi që do të marrin autoritetet serbe, “ai nuk do të jetë i pamoralshëm, sikurse, të gjitha vendimet politike të Hagës”.
“Para disa muajsh, shumë prej atyre, që nuk u pëlqeu rezultati i zgjedhjeve, ashtu sikurse as dominimi i politikës të Partisë Progresiste Serbe, filluan me fushatën për përhapjen e frikës nga kthimi i Sheshelit nga Haga”, ka thënë Vuçiq.
“Kur u zgjatet pritja, ndërkaq që ne vazhdojmë që, pa frikë, të zbatojmë politikë sovrane dhe kur unë vetëm dal dhe them se nuk do të harrojmë, asnjëherë, asnjë viktimë të bombardimeve të NATO-s, atëherë ata e kthejnë në kuti dhe presin që ne të vdesim nga frika”, ka theksuar Vuçiq.
Ndryshe, Dhoma e Apelit e Tribunalit të Hagës për ish-Jugosllavinë, të hënën e ka miratuar ankesën e prokurorisë ndaj lirimit të përkohshëm të Sheshelit dhe ka urdhëruar kthimin e tij në paraburgim në Hagë.
Ky institucion ka vendosur që Shesheli të transportohet nga Beogradi në Hagë dhe të caktohet mbledhja ku do të dëgjohen përfaqësuesit e qeverive të Holandës dhe Serbisë, në mënyrë që të merren vesh për kushtet e kthimit të të akuzuarit.
Por, lideri i partisë Radikale Serbe, Sheshel, ka theksuar se nuk i intereson vendimi i Dhomës së Apelit.
“Unë nuk do të kthehem vullnetarisht. Do të shohim se si do të duket kur të më arrestojnë bashkëpunëtorët e mi më të ngushtë në të gjitha krimet e luftës dhe krimet kundër njerëzimit, të cilat më atribuohen”, u ka thënë Sheshel medieve serbe, duke iu referuar në radhë të parë presidentit serb, Tomisllav Nikolliq dhe zotit Vuçiq.
Por, Rasim Lajiq, kryetar i Këshillit për bashkëpunim me Hagën, ka thënë se Qeveria e Serbisë, në rastin e të akuzuarit të Hagës, Sheshelit, do ta sjellë vendimin më të mirë, me qëllim të ruajtjes së stabilitetit të përgjithshëm në Serbi.
Ai gjithashtu ka theksuar se vetë-dorëzimi i Sheshelit, do të ishte vendimi më i mirë, për shkak se, sipas tij, është i mundur diskutimi për kushte të reja…

Megjithatë, Lajiq e ka cilësuar vendimin e Dhomës së Apelit, si një “kombinim të rrëmujës juridike dhe cirkut politik”. Sipas tij, një gjë e tillë është projektuar nga Tribunali i Hagës dhe siç ka thënë ai, kjo do të ketë implikime të mëdha politike.
“Ne, në vitin 2015, po merremi me Sheshelin, në vend se të merremi me problemet e rënda ekonomike dhe reformat, të cilat po i zbatojmë”, ka thënë Lajiq.
Por, Natasha Kandiq, koordinatore e projektit RECOM (Koalicioni për Komisionin rajonal për vërtetimin e fakteve për viktimat e luftës në hapsirën e ish-Jugosllavisë), ka shprehur mendimin se ekzistojnë gjasa të mëdha që Shesheli të mbetet në Serbi, nën arsyetimin e raporteve mjekësore.
“Shesheli, ditë më parë ka thënë se po e pret konstatimin dhe përfundimet e konsiliumit lidhur me sëmundjen e tij. Mund të ndodhë që, bazuar në gjetjet e konsiliumit, t’i caktohet operimi. Ai ka thënë se do ta pranojë çdo konstatim dhe rekomandim të konsiliumit. Kështu që, mund të presim që ai të dërgohet në operim dhe kur dikush është në operim, atëherë është e pamundur që të kthehet në paraburgim”, ka vlerësuar Kandiq.
Ndryshe, Shesheli ka qëndruar në Hagë që nga viti 2003, për t’u përballur me akuzat për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit gjatë luftërave në fillim të viteve 90′ në ish Jugosllavi.
Prej andej ishte liruar përkohësisht dhe në formë të kushtëzuar në nëntor të vitit të kaluar, me arsyetimin se ka nevojë për trajtim mjekësor të sëmundjes së kancerit.

Filed Under: Kronike Tagged With: Beogradi ende pa qëndrim, e Sheshelit, për rastin

Spitali i përgënjeshtron raportet për depresion të Lubitzit

March 31, 2015 by dgreca

Zyrtarët gjermanë dhe francezë po i vazhdojnë hetimet për zbulimin e shkaqeve eventuale, që çuan në rrëzimin tragjik të aeroplanit të firmës ajrore, Germanwings, me ç’rast u vranë të 150 njerëzit në të.
Tash, në fokus të hetimeve është shëndeti fizik dhe mendor i bashkë-pilotit, Andreas Lubitz.
Spitali në Dyseldorf, ku Lubitz ka jetuar, tha se ai kishte qenë pacient gjatë dy muajve të kaluar. Mbrëmë spitali ka njoftuar se për herë të fundit Lubitz kishte qenë në spital për “vlerësim diagnostik” më 10 mars.
Spitali ka refuzuar të japë detaje për gjendjen e tij, por i ka përgënjeshtruar raportet në mediat gjermane se Lubitz ishte trajtuar në këtë spital nga depresioni.
Hetuesit mendojnë se Lubitz me qëllim e ka rrëzuar aeroplanin në malet e Alpeve, gjatë fluturimit nga Barcelona në Spanjë, për në Dyseldorf të Gjermanisë.
Prokurorët francezë thanë se të dhënat nga incizimet në kabinën e pilotëve sugjerojnë se 27-vjeçari, Andreas Lubitz, e ka mbyllur derën e kabinës, dhe nuk e ka lejuar kapitenin e aeroplanit të kthehet brenda.
Nga incizimet është vërejtur se mbretëronte heshtje, derisa udhëtarët kishin filluar të klithnin, ndërsa kapiteni përpiqej të hynte në kabinë.
Prokurori gjerman, Christoph Kumpa, u tha gazetarëve se dokumentet e gjetura në shtëpinë e bashkëpilotit, Andreas Lubitz, kanë çuar kah ekzistimi i sëmundjes dhe trajtimi nga mjekët.
Në këtë kuadër, ai ka thënë:
“Dokumentet me përmbajtje mjekësore, që kanë çuar kah ekzistimi i sëmundjes dhe trajtimi korrespondues nga ana e mjekëve, janë konfiskuar”.
“Fakti se atje ka pasur shënime për sëmundje të grisura, në mesin e gjërave të tjera që janë gjetur, që ishin aktuale dhe madje pak para ditës së krimit, e mbështesin vlerësimin e bazuar në shqyrtimin preliminar se i vdekuri e ka fshehur sëmundjen e vet nga punëdhënësi dhe kolegët profesionalë”, tha prokurori gjerman Kumpa.
Nga ana tjetër, policia e Francës që po punon në gjetjen e mbetjeve nga vendi i rrëzimit të aeroplanit, tha se deri tash janë gjetur prej 400 e deri në 600 pjesë njerëzore.
Duke folur në qytetin Seyne-les-Alps, në malet Alpe në Francë, koloneli, Patrick Touron, nga shërbimi i xhandarmerisë, tha se ekipet e kërkimit nuk kanë gjetur asnjë “trup të vetëm” të plotë.
Sipas tij, mostrat e AND-së janë marrë nga objektet që janë sjellw nga familjet e viktimave, siç janë për shembull brushat e dhëmbëve, të cilat mund të ndihmojnë në identifikimin e njerëzve të vrarë nga rrëzimi i aeroplanit Germanwings, më 24 mars.
Pas përplasjes, kompania ajrore gjermane Lufthansa, që është operuese e firmës ajrore me buxhet të ulët, Germanwings, tha se e ka emëruar një zyrtar për t’i shqyrtuar, “ekzaminuar dhe pastruar më tutje të gjitha procedurat e sigurisë së fluturimit” në këtë kompani.
Lufthansa thotë se firmat që operohen nga ajo, siç është Germanwings, do ta paraqesin rregullën për dy persona në kabinën e pilotit “sa më shpejt që të jetë e mundshme”, në konsultime me rregullatorët e tyre.
Ministrat e transportit dhe autoritetet e aviacionit në Gjermani, Austri dhe Portugali, kanë shpallur se do të kërkojnë miratimin e “rregullës për dy” që tashmë është standarde në Shtetet e Bashkuara.
Bashkimi Evropian tha se po e analizon çështjen nëse duhet të ndryshohen rregullat pas tragjedisë së aeroplanit të firmës Germanwings.
“Ne po presim për konkluzionet e hetimeve që po zhvillohen dhe, nëse është e domosdoshme, rregullat e sigurisë do të rishqyrtohen”, tha zëdhënësja e Komisionit Evropian, Mina Andreeva, në një konferencë për shtyp.
Asociacioni Ndërkombëtar i Transportit Ajror, që i përfaqëson afro 250 kompani, tha se “është thellë i shokuar dhe i pikëlluar” me katastrofën e kësaj jave, por udhëtarët duhet “të jenë përsëri të sigurt se fluturimi mbetet mënyra më e sigurt për udhëtim”.
E përgatiti: Fatmir Bujupi

Filed Under: Kronike Tagged With: depresion, raportet për, Spitali i përgënjeshtron, të Lubitzit

BAJRAM CURRI, 90 vjet nga vrasja në Dragobi dhe varrimi në Has!

March 30, 2015 by dgreca

BAJRAM CURRI 1862-1925/
Nga Gani QARRI/
Në hapësirat e popujve të kësaj pjese të Evropës, ku ndër shekuj jetojnë edhe shqiptarët, kombi ynë kurdoherë u cilësua si gjen i fortë e i qëndrueshëm dhe i dashuruar në liri e ruajtjen e tërësisë territoriale të atdheut të vet.
Kjo dukuri madhore, do të rritej e zhvillohej dhe kthehej në traditë kombëtare, falë edhe luftëtarëve trima e udhëheqësve më heroik popullor si Bajram Curri, që u kthyen në lavdi të trojeve tona etnike dhe krenari të vendit, me të cilët edhe sot krenohet çdo shqiptar.
Në kohën kur Lëvizja Kombëtare Shqiptare për çlirim, kishte marrë hov dhe lufta kundër-osmane ndizej flakë gjithandej Malësisë dhe Vilajetit të Kosovës, pas udhëheqjes së një kryengritjeje ato mote, nga Binak Alia dhe Shaqir Curri, Qeveria Turke si masë dënimi për mos dorëzimin e Shaqir Currit, kishte vendosur që nënën shtatzënë dhe familjen e ngushtë të Bajram Currit, të pa ardhur ende në jetë, ti internonte në Anadoll.
Pikërisht gjatë atij udhëtimi, derisa ata të rrethuar nga ushtarë e xhandar të armatosur turq ecnin në drejtim të Prizrenit, rrugës për në internim, me të arritur pranë fshatit Krushë e Madhe, në vitin 1862,brenda kafazit të qerres së shtrënguar me masa të rrepta sigurie, me të cilën familja e tij e burgosur udhëtonte nën rrethim policor , do të lindej Bajram Curri.
Nga aty, fati i keq, këtij burri nuk do ti ndahej asnjëherë gjatë gjithë jetës, duke filluar që me ardhjen në këtë botë në udhëtim internimi, vrasja e babait kur ai ishte vetëm 16 vjeçar, nga ish bashkëluftëtarët e vet më 6 shtator të vitit 1878, brenda kullave të Abdullah pashë Drenit në Gjakovë, i cili kishte strehuar Maxhar Pashën dhe ftuar edhe Shaqir Currin si mik shtëpie për mbrojtje nga sulmet e luftëtarëve të Lidhjes, e deri te përfundimi tragjik i vet jetës së Bajram Currit, kur do të vritej pabesisht nga shërbëtorët e Serbisë, me në krye Cena beg Kryeziun e Gjakovës, më 29 mars të vitit 1925, në Dragobinë kreshnike të Shqipërisë Veriore.
Ky Hero, gjatë gjithë veprimtarisë së tij atdhetare do të dallohej si organizator, politikan, udhëheqës dhe ushtarak i shquar, i cili jo vetëm se ishte idealist i flakët i Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, por ai do të shkëlqente edhe si prijës i zoti i lëvizjes kundër osmane në të gjitha trojet shqiptare, kudo luftohej për liri, që nga Vilajeti i Kosovës, Hasi, Malësia, Shkupi, Manastiri, Plava e Gucia, Shqipëria e Jugut, e mesme, veriu, Vlora, Durrësi, Kopliku e gjetiu, e deri te përfaqësimi denjë i bashkëkombësve në Parlament dhe Qeverinë shqiptare në Tiranë.
Fatkeqësi të shpeshta do ta përcillnin Plakun e Maleve, pareshtur, madje njëra nga to, do ti vinte në një mënyrë tejet të pa pritur, të çuditshme dhe gati tërësisht të pabesueshme.
Në shtatorin e vitit 1878, vet përndjekësi dhe internuesi i familjes së Bajram Currit, Mehmet Ali pashë Maxhari, pas dështimit të bisedimeve me Ymer Prizrenin, nga qyteti i Lidhjes, do të arrinte në Gjakovë, tanimë jo për të arrestuar Shaqir Currin, por për t`ia dorëzuar Plavën dhe Gucinë, Malit të Zi.
I ndjekur, për këtë shkak, nga luftëtarët e Lidhjes së Prizrenit, Mareshali otoman, do të strehohej në kullat e Abdullah pashë Drenit në Gjakovë.
Pas rrethimit, nga kryengritësit shqiptar të cilët kërkonin kokën e Maxhar pashës, Abdullah pashë Dreni, si mik shtëpie që e kishte, do ta ftonte në ndihmë edhe Shaqir Currin.
Pas dy-tre ditësh përpjekjeje, në pamundësi të arritjes së një marrëveshje për kthimin e pashait otoman nga kishte ardhur, do të fillonin luftimet, me ç ‘rast përveç Maxhar pashës, e Abdullah Drenit, në përpjekje me luftëtarët e Lidhjes, do të vritej edhe Shaqir Curri, babai i Plakut të Maleve.
Por megjithëse atëkohë, Bajram Curri ishte i ri dhe vetëm 16 vjeçar, ai do ta vlerësonte ngjarjen drejtë, dhe mbante qëndrim të dinjitetshëm kombëtar.
Madje, Heroi ynë, deri në fund të jetës së vet, nuk do të pushonte së luftuari pushtuesit osman, as ndalonte përpjekjet për çlirimin e vendit të vet, duke sakrifikuar gjithçka për ruajtjen e trojeve shqiptare dhe bashkimin e tyre kudo, në një shtet të përbashkët kombëtar.
Nga viti 1906,sipas Dr. Jusuf Bajraktari, Bajram Curri ishte komandant i forcave të xhandarmërisë në kryeqytetin e Vilajetit të Kosovës në Shkup, të cilin sipas dr. Hakif Bajramit ,për kohë të shkurtër , ai do ta kthente në qendrën kryesore të organizimit patriotik dhe gjithëshqiptar.
Madje nga pozita që kishte, ai do të ndihmonte shumë edhe më 1908,për sigurinë dhe mbarëvajtjen e Kongresit të Alfabetit në Manastir.
Kurse, pas Kuvendit të Junikut, kur do të merrej vendim për kryengritje të përgjithshme, këtij burri të madh të kombit, do ti binte barra kryesore, për organizimin e saj, i cili bashkë me Zeqir Halilin edhe do të niste ndër të parët betejat kryengritëse, si ajo e 9 Korrikut të vitit 1912 në Qafë të Prushit, duke shkatërruar plotësisht garnizonin osman, dhe zënë shumë armatim e municione, me ç ‘rast , në mesin e mbi 300 robërve të luftës do të kapej rob edhe vet udhëheqësi i garnizonit osman, Bedri beu, të cilin Zeqir Halili do ta pushkatonte për veprimet e tij anti-shqiptare, sidomos në vitet; 1909,1910,1911 e këtej, të cilat ishin vitet më të rënda për shqiptarët.
Bajram Currit dhe Zeqir Halilit, sipas traditës, edhe para nisjes së këtyre luftimeve kundër forcave pushtuese osmane, do të ftonin në selinë e tyre, vendosur në njërën nga familjet më të mëdha në Has, në Kullën e Salih Qarrit, prijësit e Gashit dhe të Bytyçit, me të cilët do të besatoheshin për luftë të përbashkët kundër trupave pushtuese osmane, si në të kaluarën e afërt të viteve 1910-1911, kur luftonin të bashkuar kundër forcave të Turgut Pashës, ngjarje historike që edhe këngëtari popullor do ti përjetësonte në vargje, si këto:
U mblodh Krasniqja, janë ra te Qarri,
Ranë te Qarri e janë besatue,
Krejt bajraqet me u bashkue…
Luftimet e nisura në Qafë të Prushit, do të vazhdonin në Gjakovë, Fushë Kosovë, e Prishtinë ku Bajram Curri në krye të 12 mijë kryengritësve, do të hynte triumfalisht, prej nga me 6000 prej tyre, do të kthehej në Ferizaj, ku sipas porosive të Hasan Prishtinës, priste përgjigjen e qeverisë perandorake turke, ndaj ultimatumit 48 orësh, me 14 pikat e njohura historike, dërguar nga ai në emër të kryengritjes së përgjithshme, për njohjen e autonomisë shtetërore dhe pranimin e kombit shqiptar.
Por, pasi që qeveria xhonturke nuk do të kthente përgjigje, Bajram Curri, i cili njihte në detaje çdo rrugë e rrugicë të Kryeqytetit të Dardanisë së vjetër, zgjodhi Bajram Daklanin, si prijësi kryesor i Krasniqes dhe Rekës, dhe njëri nga burrat më të besueshëm, në radhët e udhëheqësve të kryengritjes, të cilin do ta pajiste me një Flamur të madh Shqiptar dhe vinte në krye të 200 luftëtarëve pararojë, me detyrën që të hynte i pari në Kryeqytet dhe vendoste Flamurin Kombëtar të fitores mbi Shkupin e lirë.
Më 12 gusht të vitit 1912,kështu edhe do të ndodhte, kur nga Ferizaj, në krye të 200 bashkëluftëtarëve, ai do të futej shpejt dhe triumfalisht në kryeqytet, dhe sipas gazetës “Shkupi” të datës19 gusht të vitit 1912, pas 500 vjetësh sundimi turk, Bajram Daklani i pari do ta ngrinte lartë dhe me krenari, Flamurin Kombëtar.
Pas aq vitesh pune e qëndrimi atje, për herë të parë Bajram Currit do ti rridhnin lot. Ai kishte qëndruar për disa kohë si funksionar i lartë në kryeqytet, por aty gjithmonë bënin hije simbole dhe flamuj të huaj, ndërsa tani, për herë të parë në jetën e tij, shihte Shkupin e stolisur me Flamur Kombëtar ,ndaj heroi vet dhe të gjithë kryengritësit shqiptar do ta përjetonin këtë akt sublim me lot gëzimi dhe kujtonin me admirim deri në vdekje.
Si qyteti me numrin më të madh të shqiptarëve dhe kryeqendër e Vilajetit të Kosovës, nuk ishte hera e parë që Shkupi çlirohej nga shqiptarët, ai ishte çliruar edhe nga Dervish Cara që në fillim marsin e vitit 1844, kurse në Javën e dytë të gushtit, apo nga 12 gushti i vitit 1912,u çlirua sërish edhe nga Bajram Curri me shokë.
Shkupi nuk ishte vetëm kryeqyteti i Vilajetit të Kosovës por edhe qyteti me numrin më të madh të banorëve shqiptar, i cili tanimë ishte kthyer në kryeqendër të të gjithë gjeografisë etnike, ndaj me të drejtë, nga kryengritësit, që me kohë, aty nuk ishte paraparë, thjeshtë vetëm ngritja e Flamurit pas çlirimit të tij ,por ishte planifikuar edhe shpallja e Pavarësisë Kombëtare mu aty.
Megjithatë, fatkeqësisht, ky akt madhor nuk do të ndodhte, qoftë nga shkaku i mos akordimit të udhëheqësve shqiptar, apo edhe i një Ultimatumi që me të shpejt erdhi nga Fuqitë e Mëdha.
Ndaj, megjithëse vetëm brenda pak kohësh, aty do të tuboheshin mbi 30 mijë kryengritës shqiptar, sipas Dr.Hakif Bajramit, tri dit pas ngritjes së Flamurit Kombëtar, më 15 gusht të vitit 1912,nga Beogradi në ish kryeqendrën e Kosovës, do të arrinin tre diplomat të lartë evropian, nga Anglia, Austro-Hungaria dhe Rusia cariste.
Ata, me vete sollën edhe në Ultimatum, përmes të cilit kërkonin çarmatosjen e menjëhershme të shqiptarëve dhe demobilizimin e tërësishëm të kryengritësve, me arsyetimin se nuk do të pranohej rezultati i luftës as ndryshimi i kufijve të Perandorisë otomane me forcën e armëve.
Megjithatë, kryengritja e përgjithshme, me pikënisje Qafën e Prushit, përkundër të gjitha pengesave, do të qonte në çlirimin e të gjitha trojeve të Atdheut nga Perandoria, dhe shpalljen e Pavarësisë së Shqipërisë Etnike, po atë vit, më 28 Nëntor 1912,në Vlorë.
Por ende pa kaluar as një vit i plotë, sipas dëshirës së Fuqive të Mëdha, Konferenca e Ambasadorëve të tyre në Londër, e cila kishte filluar punimet që në dhjetorin e vitit 1912,pas diskutimesh të gjata rreth 7-8,mujore, më 29,korrik të vitit 1913, përfundimisht ,do të sillte vendimin tragjik, për ndarjen e Shqipërisë dhe copëtimin e trojeve shqiptare, në disa shtete, përreth nesh.

Madje, sipas Dr. Hakif Bajramit, më kot, Hasan Prishtina me udhëheqësit kryesor të kryengritjes, Bajram Currin, Isa Buletinin, Idriz Seferin, Bajram Daklanin etj., pas dorëzimit të Ultimatumit nga diplomatët Evropian, për 4 ditë me radhë, në Shkup dhe rrethinë, do të shpallnin gjendjen e jashtëzakonshme.
Ndërkohë, nën presionin e gjendjes së krijuar dhe trysnisë së Fuqive të Mëdha, Perandoria osmane më 18 gusht të vitit 1912,do të pranonte 12, nga 14, pikat e Memorandumit shqiptar, ku mungonin dy pikat kryesore, si ajo për pranimin e Autonomisë shtetërore dhe njohjen e Kombit Shqiptar, fakt që rrezikonte edhe ekzistencën e përgjithshme të shqiptarëve në Ballkan, por përgjigja turke do të mjaftonte që Fuqitë e Mëdha, nga mesi i shtatorit të vitit 1912, të fillonin tregtinë me trojet shqiptare.
Ndaj i shqetësuar nga fakti se shumica e këtyre Fuqive vendimmarrëse, e çonin kombin tonë në rrezik të zhbërjes, pa vonuar, Bajram Curri do të fillonte me urgjencë në gjithë vendin, formimin e “Komiteteve për shpëtim” dhe që në shtator të atij viti, nga Shkupi, ai do të kthehej në Gjakovë, për tu ngjitur prej andej, në istikamet e frontit verior, ku trupat serbo-malazeze ishin grumbulluar që të sulmonin në vijën: Plavë-Guci-Rugovë e Pejës, të cilat ai do t’i mbronte, me të gjitha forcat dhe mundësitë në përpjekje për të shpëtuar Tërësinë Shqiptare.
Në anën tjetër edhe Perandoria e sëmurë osmane, jo vetëm se nuk pranonte kombin shqiptar dhe autonominë shtetërore të tij, por edhe deklaronte ende me kokëfortësi, se gjoja tokat shqiptare i takonin Perandorisë së saj, pretendim ky, që u kthye në fatkeqësi të madhe për shqiptarët dhe arsyetim i mirëpritur për Serbinë, Mali e Zi, Greqinë dhe Bullgarinë, të cilat, duke zënë shkas nga deklaratat xhonturke, në tetor të vitit 1912, të mbështetura nga Rusia, në emër të “çlirimit” të popujve ortodoksë, nga shteti “osman“, do t’i shpallnin luftë Turqisë, për t’i pushtuar me forcën e armëve, trojet etnike shqiptare.
Ndaj, ky vit i përpjekjeve të mëdha kombëtare për liri dhe çlirim të vendit, e qon Plakun sërish gjithandej, në fronte të reja lufte, për ruajtjen e tërësisë së trojeve shqiptare.
Në korrikun e vitit 1914,zëri i atdheut do ta thërriste Bajram Currin për aksion në Koplik e Mirditë, në mbrojtje të vendit nga ndërhyrjet serbe.
Pas ardhjes së forcave austro-hungareze më 1916, për rreth dy vite me radhë, ai u mbajt i internuar në Austri, prej nga do të kthej pas largimit të trupave Austro-Hungareze nga Shqipëria.
Por edhe pas mbarimit të Luftës së Parë Botërore, trojet shqiptare, pa ushtri dhe forca të organizuara mbrojtëse, do të mbeteshin të shpërndara dhe copëtuara gjithandej.
Ndaj, në maj të vitit 1918, në Shkodër do të formohej “Komiteti për Mbrojtjen e Kosovës dhe Viseve të Pushtuara Shqiptare” i cili kishte për detyrë daljen zot atyre.
Përveç mbetjes nën pushtim të huaj të një pjese të madhe të trojeve tona, shqetësim më vete për anëtarët e këtij Komiteti dhe shumicën shqiptare, padyshim ngjalli, nënshkrimi i marrëveshjes turko-jugosllave më 1919, për shpërnguljen e shqiptarëve nga viset e pushtuara në Anadoll, fakt i cili e detyroi Komitetin e lartcekur të kryesuar nga Kadri Prishtina, që t’u drejtohej SHBA, për mbrojtjen e bashkëkombësve, nën pushtimin sllav dhe grek.
Po ky “Komitet Kombëtar” anëtar i nderuar i të cilit ishte edhe Bajram Curri, do të ngrinte zërin edhe kundër qeveris së Durrësit me në krye Turhan Pashën, dhe epte ndihmesën kryesore për organizimin e Kongresit të Lushnjës, më 21-31 janar 1920,në të cilin kryeministër i Shtetit do të zgjidhej patrioti Sylejman Delvina, kurse ministër i drejtësisë udhëheqësi i “Komitetit Kombëtar”, Kadri Prishtina, i cili si jurist profesionist që ishte, pati barrën kryesore për përgatitjen dhe miratimin e akteve kushtetuese shtetërore të Shqipërisë së Pavarur.
Atë kohë Qeveria e sapo-zgjedhur dhe ende e pa konsoliduar si duhet, ishte e pafuqishme të organizonte çlirimin e vendit, pjesë të mëdha të të cilit edhe mbi dy vjet pas mbarimit të Luftës së Parë Botërore, ende mbaheshin të pushtuara nga shtetet fqinje, kurse Vlora ishte okupuar nga Italia, çlirimin e së cilës, në këtë gjendje do ta merrte përsipër “Komiteti Mbrojtjes Kombëtare” i cili sipas historianit Dr. Xheladin Shala, në emisionin TARGET të RTK-s, datë 07.08.2013, ishte degë e “Komitetit të Mbrojtjes së Kosovës dhe Viseve Shqiptare nën pushtim”.
Derisa Bajram Curri, si pjesë e këtij Komiteti, atëkohë zhvillonte luftime kundër forcave të Esad pashës, ushtria jugosllave vazhdonte operacionet e ashpra në Kosovë, kurse një numër i madh trupash të saj, ishte grumbulluar matanë lumit Buna, pranë Shkodrës, e gatshme të ndërhynte edhe në Shqipëri.
Madje, nga fundi i muajit korrik të vitit 1920, trupat jugosllave do të kalonin kufirin, pushtonin Kastratin dhe niseshin në drejtim të Shkodrës, me ç ‘rast në Koplik do tu dilnin përpara forcat e bashkuara të Bajram Currit dhe Ahmet Zogut, duke mundur me sukses, trupat pushtuese të agresorit.
Kundër trupave jugosllave, Bajram Curri do të luftonte edhe në verilindje të Shqipërisë, në malësitë e Kelmendit, Gjakovës, krahinën e Hasit, Kukësit dhe të Dibrës, bashkë me Elez Isufin, ngase edhe pas vitit 1920,ato mbaheshin ende të pushtuara nga serbët.
Në verën e vitit 1920,poeti, intelektuali dhe udhëheqësi i njohur italian Gabriele D`Anuzzio…ashtu siç u kishte premtuar përfaqësuesve të “Komitetit Kombëtar”, do të sillte në Shëngjin një anije me armatim e municione për kryengritësit e Kosovës, por ministri i brendshëm i asaj kohe në Shqipëri, Ahmet Zogu, nuk do të lejonte zbrazjen e saj.
Edhe Shqipëria vet, aso kohe rrezikohej nga të gjitha anët. Kërcënimet vinin nga brenda dhe jashtë saj.
Madje, sipas historianëve shqiptar, mu në ditët kur Komisioni Ndërkombëtar i Kontrollit (KNK) ishte në përfundim të përgatitjes së projektit për pranimin e Shqipërisë në “Lidhjen e Kombeve” dhe çastet më kritike për fatet e Shqipërisë, inspiruar nga Nikolla Pashiqi, më 17 korrik të vitit 1921,Marka Gjoni do të shpallte në Prizren të ashtuquajturën “republikë” të Mirditës, për mbrojtjen e së cilës ,fatkeqësisht do të intervenonin brenda kufijve të Shqipërisë edhe forcat serbe.

Ndaj, atë kohë, Qeveria Shqiptare do ti drejtohej edhe një herë Bajram Currit për ndihmë, i cili thirrjes do ti përgjigjej me ndjesi atdhetare, dhe përkundër sjelljeve të Ahmet Zogut, ai do të bashkonte forcat me të, duke mundur trupat serbe dhe shkatërruar agjenturën e Pashiqit në Mirditë.

Dr. Marenglen Verli, do të shkruante; Bajram Curri u ftua të udhëhiqte edhe një aksion tjetër kombëtar, për asgjësimin e agjenturës së Nikolla Pashiqit, në Mirditë, të kryesuar nga Marka Gjoni, kapedani separatist i krahinës.(Marenglen Verli, “Bajram Curri, tribun i vegjëlisë”)
Për mbijetesën e shtetit të brisht shqiptar, të rrezikuar brenda e jashtë dhe atakuar nga të gjitha anët, u deshën aq shumë beteja të ashpra e të njëpasnjëshme dhe luftimeve të pareshtura për çdo pëllëmbë toke të tij, në të cilat, padyshim, rol parësor pati “Komiteti për Mbrojtjen Kombëtare“, me udhëheqësit e mirënjohur popullor si Bajram Curri, në mënyrë që vetëm më 9 nëntor të vitit 1921, të arrihej vendosja e kufijve të Shqipërisë londineze.
Megjithatë, përkundër gjithë ndihmesës që dha ky Komitet dhe vet heroi Bajram Curri, nga fundi i vitit 1921, Ahmet Zogu do ta fejonte motrën e tij (të dytë) me Cena beg Kryeziun e Gjakovës, i cili ishte pjesëtar i një partie serbe dhe njihej si agjent i Qeveris së Pashiqit, emëruar nga pushtuesi, që më 1918 , kryetar i Gjakovës, kurse në vitin 1922,ai do ta sillte bashkëpunëtorin e ngushtë dhe besnik të Nikolla Pashiqit në Krumë dhe emëronte kryetar të prefekturës së Kosovës.
Ndërkohë, edhe qeveria e kryesuar nga Xhafer Ypi, nuk kishte ngelur prapa në veprime të ngjashme apo edhe më të rrezikshme dhe anti-kombëtare.
Ajo, përveçse pamundësoi delegimin e atdhetarëve shqiptar nga Kosova në Parlamentin e Shtetit Shqiptar, lidhi një marrëveshje të veçantë me Qeverinë serbe, për ndjekjen e patriotëve nga Kosova edhe brenda kufijve të Shqipërisë.
Ahmet Zogu, asokohe ishte ende ministër i brendshëm dhe përpiqej ta jetësonte këtë marrëveshje të paprecedent, ndaj nga marsi i vitit 1922, marrëdhëniet ndërmjet Bajram Currit dhe Ahmet Zogut, do të thyheshin pariparueshëm dhe ktheheshin përfundimisht në konfrontime të armatosura.
Nga 2 dhjetori i vitit 1922, pas ndërrimeve të njëpasnjëshme të qeverive, Zogu do të emërohej kryeministër. Nga atëherë, ai do të bënte gjithçka për të forcuar pozitat e tij dhe ngjitur sa më lart në pushtet. Madje përveç manipulimit me vota, ai do të organizonte edhe eliminimin e kundërshtarëve politik, siç do të vepronte me Avni Rrustemin, më 22 prill të vitit 1924.
Këto, ngjarje quan shqiptarët e dëshpëruar në kryengritje. Ajo do të fillonte më 24 maj të vitit 1924 në Has me pikënisje Krumën. Kryengritja zgjati nga 24 maji deri më 10 qershor të vitit 1924,kur trupat e Bajram Currit hynë në Tiranë, kurse Ahmet Zogu me sejmenët e tij, do të ikte në Jugosllavi.
Protagonisti kryesor edhe i këtyre ndryshimeve, ishte Bajram Curri, me ç ‘rast në, krye të Qeveris së re, do të vinte Fan s. Noli. Në shtatorin e vitit 1924,në kuadër të delegacionit shqiptar, Bajram Curri do të shkonte në Gjenevë, për paraqitjen e problemit të të drejtave të nëpërkëmbura të shqiptarëve nën pushtim, pranë Lidhjes së Kombeve.
Me tu kthyer, nga atje, i dëshpëruar me gjendjen e pa qëndrueshme dhe jostabilitetin e qeverisë së Nolit, rrezikun permanent të ndërhyrjes së forcave serbe dhe mundësinë e kthimit të Ahmet Zogut me forcat mercenare në Shqipëri, nga java e dytë e tetorit të atij viti, Plaku i Maleve, do të vendosej në Malësi.
Në dhjetor të vitit 1924,forcat e Zogut të ndihmuara nga ushtria serbe dhe mercenar shqiptar e bjellogardist rus, u kthyen në Shqipëri dhe Ahmet Zogu mori përsëri pushtetin në vend. Menjëherë pas kësaj, filloi ndjekja e forcave kundërshtare, me përqendrim kryesor në veri, ku synohej kapja e Bajram Currit.
Komandant i operacioneve, ishte emëruar Cena beg Kryeziu. Forcat e tij të ndihmuara edhe nga mercenar jugosllav, që sipas shënimeve të sekretarit të Bajram Currit-Tahir Zajmit, tanimë kishin hyrë në Malësi e arritur deri në Valbonë dhe më 11 e 12 janar të vitit 1925, do ta sulmonin Gashin dhe Krasniqen, ku përveç tjerash, do të digjnin edhe shtëpinë e Bajraktarit Salih Mani, në të cilën deri atëherë, kishte qëndruar Bajram Curri.
Ndaj përkundër borës së madhe dhe dimrit të ashpër që mbretëronte atë vit, Heroi me 100 bashkëluftëtarët e tij besnik, detyrohet tu ngjitet maleve deri në lartësitë 2600 metërshe mbidetare, prej nga shumicën do ti kthente në shtëpi, shkaku i ngrirjes së trupit dhe gjymtyrëve të tyre, nga të ftohtit dhe acari.
Mbështetja me ushqime
Përkundër faktit se atëkohë shumë familje nga frike e represioneve zogiste ,tanimë ishin distancuar dhe kishin “rrudhë” përkrahjen e tyre ndaj Heroit, Shtëpia e Qarrit nga Hasi dhe meshkujt e saj, edhe nën atë gjendje rrezikshmërie, kur njerëzit shkonin me kokë, nuk do ti përdornin stanet as bagëtinë vetëm për nevoja familjare, por edhe për mbështetjen e kryengritësve më të shquar kombëtar, si Bajram Curri me shokë të cilin e kishin edhe vëlla nga fisi.
Ndaj, edhe pas kalimit të Bajram Currit në Malësi, ai jo rastësisht, do të strehohej në malet e ashtuquajtura të “Dobërdolit”, ku kjo familje kishte hisen e saj.
Nënë Hala do të gatuante aty pareshtur për Bajram Currin dhe ushtarët e tij, kurse burrat e kësaj shtëpie ,përkundër kërcënimeve nga pushteti Zogist, terrenit të thyer dhe kohës së ftohët të dimrit, herë duke shkuar kinse për të prerë dru e herë duke dërguar bagëtinë andej gjoja për kullotje, furnizonin pareshtur me bukë Bajram Currin me bashkëluftëtarët e mbetur.
Jo vetëm shtëpia e Qarrit e cila sipas kanunit shqiptar dhe traditës fisnore ndjente obligim ta mbante e mbështeste Bajram Currin, por shumica e hasjanëve, bashkë-jetonin, me shpirt e zemër, të gjitha përjetimet e heroit.
Plaku i Maleve, kishte kaluar shumë kohë në Has: Madje atje ai ishte familjarizuar pothuajse me të gjithë dhe rrinte si në shtëpi të vet. Nga fshatrat e Hasit, Heroi do niste edhe betejat kryesore luftarake, që nga korriku i vitit 1912 e deri në muajin maj të vitit 1924.
Ndaj, ashtu siç e kishin mbajt e mbështetur gjithmonë me sa mundësi kishin, edhe pas djegies së Shtëpisë së Salih Manit, shtëpia e Salih Qarrit nga Hasi, sërish bënte të gjitha përpjekjet për mbështetjen e mëtejme të Bajram Currit.
Stanet e saj që kishte në malet e “Dobërdolit” në Malësi, natë e ditë tymonin, duke gatuar për të dhe bashkëluftëtarët e tij.
Por, sipas biografit dhe nipit të kryezinjve Mithat Begolli nga Peja, Cena begu, tanimë kishte shumë mbështetës në Malësi, disa prej të cilëve bashkëpunonin me dëshirë e disa ai i paguante edhe me para.
Ndaj një ditë prej ditësh, dy agjent të Zogut, papritur do të ngjiteshin edhe në stanin e shtëpisë së Qarrit dhe merrnin për disa orë rresht, në pyetje Nën Halën, pse gatuante aq herët në mëngjes dhe pothuajse çdo herë nga “dy-tre pite”.
Ajo, do të arsyetohej me këmbëngulje se shtëpia e burrit të saj, ishte familje e madhe, ndaj dhe duhej gatuar për të gjithë sa më herët në mënyrë që ata të shkonin me kohë në punë.
Por, nga ajo ditë e tutje, do të mbyllte mirë dhe me çfarë kishte dyer e dritare, duke hapur një vatër zjarri në mes të stanit dhe gatuar vetëm natën, për Bajram Currin me shokë, ndërsa ditën për familje.
Bukën, Bajram Currit do t’ia dërgonin rregullisht Zekë Qarri dhe i vëllai Neziri, duke u ndërruar me njëri tjetrin, herë duke nisur bagëtinë (dhitë) andej kinse për kullotje më në lartësi të maleve, e herë duke shkuar gjoja për të sjellë dru për ngrohje, gatim e ndezje zjarri.
Ato ditë të vështira, edhe pjesëtarët e familjes së Sali Manit, mbetur pa shtëpi e katandi nga ekspeditat e egra të xhandarëve të Cena begut dhe Muharrem Bajraktarit, do të afroheshin shpesh fshehurazi deri pranë stanit, që të merrnin ndonjë grusht miell e qumësht, e kur qëllonte edhe ndopak sheqer ,për ti ushqyer kalamajtë e mbetur pa strehë.
Por, mu atëherë, kur pranvera kishte filluar nxjerrjen e sythave të para nëpër gjethe dhe lajmëronte ardhjen e saj, nga mercenarët e Cena beg Kryeziut, dhe njerëzve të shitur atje, rrethi i Bajram Currit, sa vinte e ngushtohej.
Një ditë, thuhet se Bajram Curri ,i cili kishte kaluar shumë kohë në Has, njihte personalisht gati të gjithë hasjanët dhe dallonte pothuajse shijen e bukës së çdo familje atje, do ti thoshte bajraktarit S. Mani;
“Salih kjo bukë, është e shtëpisë së Qarrit!”
Po, Bajram Beg, ishte përgjigjur ai!
Hasjanët, do të vazhdonte Bajram Curri, më mirëpritën çdo herë bujarisht, më mbështetën gjithmonë pa hile, më qëndruan kurdoherë pranë, nuk më harruan asnjëherë dhe ndihmuan në çfarëdo gjendje që u ndodha- besnikërisht…..
Në Has, shënova fitoret më të ndritshme dhe kurorëzova sukseset më të pa imagjinueshme, duke filluar që me betejën në Qafë të Prushit, për çlirimin e trojeve shqiptare nga Perandoria turke, Kryengritjen e Krumës dhe përmbysjen e Zogut më 10 qershor të vitit 1924, madje edhe në gjendjen që sot jam, ata ende kujdesen për mua…
Ndaj siç e kamë thënë edhe më herët, trupi im edhe për së vdekuri, mund të gjejë qetësi vetëm në mesin e atyre njerëzve.
Pra vëlla i dashtun, të bëjë rixha (të lutem), sido që të vije puna dhe kudo që të jetë kësmet të vdes, mos harroni amanetin tim, dhe cilido që të mbetet pas nesh, dua të më varrosin vetëm në Has!
Edhe pse kjo nuk ishte hera e parë, që Bajram Curri linte këtë porosi për së gjalli, Sali Mani, nga droja se edhe ai mund të vritej në përpjekje me forcat e Cena begut, do t`ua përsëriste shpesh bashkë- familjarëve fjalët e Heroit, sa herë pati mundësi ti takonte ata, në ato ditë të vështira, që ta mbanin mend dhe vepronin siç kishte lënë ai porosi.
Fatkeqësisht më 29 Mars, të vitit 1925, me të zbardhur të mëngjesit, në derë të shpellës së Dragobisë, pa pritur do të paraqitej Kadri Mehmeti, kushëri për nga fisi i Bajram Currit dhe nip i fisit të Gashit, si përfaqësues i dy fiseve kryesore të Malësisë, me disa xhandar edhe ata pothuajse që të gjithë nga Krasniqja dhe Gashi, të mashtruar se gjoja shkonin ta merrnin me mirëkuptim Bajram Currin në “besë” dhe dërgonin vullnetarisht në Tiranë.
Por me të arritur, aty, Kadri Mehmeti në vend të shtrirjes së dorës vëllazërore dhe jetësimit të “Besës” së premtuar, ai do të thërriste me tërbim; “Dorëzohuni”! se jeni të rrethuar…., akt i ulët e cinik ky, ndaj heroit, i cili do të qonte në nisjen e luftës vëllavrasëse, mes Davidit dhe Goliatit për jetë a vdekje.
Bajram Currit, derisa qëndronte në male, sa më tepër i afroheshin ata që kërkonin kokën e tij, gjithnjë e më shpesh i kujtohej se sa shumë mund e përpjekje kishte bërë ai, për pajtimin e fiseve të Gashit dhe Krasniqes, të cilat për një kohë bukur të gjatë, kishin qenë në armiqësi ndërmjet veti, kurse tani që të dyja ishin bërë bashkë dhe vënë në ndjekje të Bajram Currit, ndaj sipas këngëtarit popullor, para se të vdiste, nuk do ti durohej më tej, pa u drejtuar atyre nëmën e fundit, kujtuar tradhtinë që po i bënin dhe merrnin fytyrën në çastet më të vështira, ndaj:
i qon fjalë parisë së Gashit
Mujë Hoxhës e Rrustem Bajramit
Juve u plaqin sytë e ballit
qysh ja shitët vatanin djalit
Ja morët fytyrën këtij plakut
Madje, edhe në çastet e fundit të jetës së tij, shpirti krenar i Bajram Currit, i cili përherë ishte dhe mbeti kryengritës deri sa vdiq, sipas këngëtarit popullor, thirrjes së tradhtarit Kadri Mehmeti për dorëzim, do t’i përgjigjej burrërisht dhe me përbuzje të trisht:
O Kadri ore Budallë
Nuk dorëzohet Burri i gjallë
S`un m`ka lidhë Krajli as Mbreti,
Jo po më lidhë Kadri Mehmeti
Nxuer alltinë e i ka ra veti….
Kështu, pas mese 30 vitesh lufte e përpjekjesh titanike kundër Perandorisë osmane, rreth 12-13 vite luftimi kundër serbo-malazezve, dy-tre vitesh internimi austro-hungarez dhe gjithë atyre vuajtjeve e mundimeve të mëdha për shtet- ndërtim, e mbrojtje të asaj pak Shqipërie, që u kishte ngelur shqiptarëve për shtet kombëtar, tanimë, të parët që tradhtonin Heroin, ishin vet bijtë dhe vëllezërit e fisit të tij, si dhe bashkëvendësit e trevës prej nga edhe të parët e tij kishin prejardhjen.
Ndaj, përkundër vrasjes së Heroit në Dragobi të Malësisë, porosia e tij do të qohej në vend dhe ashtu siç e kishte lënë ai vet, amanet, Bajram Curri do të varrosej në Has.
Reflektim
Gjatë gjithë përpjekjeve kombëtare e luftarake, Bajram Curri me hasjanët, do të kalonte vitet më të mira. Siç u cek edhe më parë, ai edhe aksionet më sublime luftarake, i nisi nga Hasi, kurorëzoi me sukses dhe nga atje, i qoi deri në fund me shkëlqim të plotë.
Madje, banorët e Hasit, ishin mishëruar aq shumë me këtë Hero Kombëtar, sa që sipas rrëfimeve të pleqve, pati momente kur pushtuesit serb por edhe pushteti vendor i Ahmet Zogut, xhandarmëria e të cilit, udhëhiqej nga nxënës besnik të Nikolla Pashiqit si Cena beg Kryeziu e Muharrem Bajraktari, Kadri Mehmeti etj., uli hasjanët midis prushit në vatrën e zjarrit , të cilët edhe kur ishte në pyetje jeta e tyre, ata u dogjën të gjallë por nuk tradhtuan asnjëherë dhe për asnjë çmim Bajram Currin.
Në mesin e familjeve që përherë u dalluan për mbështetjen e pa-rezervë ndaj Bajram Currit, edhe sot gjithandej përmendet shtëpia bujare e Salih Qarrit të Hasit.
Sipas historive që tregohen nga njerëz të anëve të ndryshme, ajo njihej për bukëdhënje e bamirësi në disa krahina dhe mbahet mend për sofrën e shtruar natë e dit me ushqime, si për luftëtarët e kombit, miq e dashamirë, ashtu edhe për mysafir e rrugëtar të rastit, që kalonin andej.
Bajram Curri, qoftë për faktin se shtëpia e Qarrit i takonte fisit të tij, gjendjes së saj të mirë ekonomike asokohe, apo edhe mikpritjen me zemërgjerësi të pakursyer që ofronte, ai dhe prijësit e Krasniqes si Zeqir Halili, selinë e tyre gjithmonë e kishin në konakun e Salih Qarrit, i cili atëherë ishte zot shtëpie.
Sali Qarri, kishte marrëdhënie shumë të mira edhe me Hysen Selmanin, të cilin megjithëse e kishte fqinj me shtëpi, ai i përkiste fisit të Bytyqit, por ishte dashamir i madh i Bajram Currit, ndaj tubonte parin e fisit dhe mblidheshin në Kullën e Qarrit, ku lidhnin besën me Bajram Currin për luftë të përbashkët.
Por tu kthehemi edhe një herë përpjekjeve të bajram Currit, i cili ashtu si në korrikun e vitit 1912,para se të fillonte sulmi mbi Garnizonin turk, njëjtë do të vepronte edhe më 1924,në momentet e përgatitjes së kryengritjes së Qershorit të atij viti, kur qindra luftëtar do të vendoseshin, pushonin dhe ushqeheshin, në Kullat e familjes së Qarrit, e cila ndodhet në një pikë shumë të rëndësishme strategjike, ndërmjet Qafës së Prushit dhe qytetit të Krumës.
Ndaj, edhe para fillimit të sulmit në Krumë, i zoti i shtëpisë Salih Qarri, do ta luste me ndjesinë më njerëzore të shoqen Halën, atëherë nuse e re, që të bënte një mundim të cilin ajo nuk e kishte bërë kurrë në jetën e saj dhe gjatë tërë natës të rrinte duke gatuar me të gjithë pjesëtarët e familjes, vetëm e vetëm, që të mos koriteshin e linin pa bukë ushtarët e Bajram Currit.
Siç tregojnë ende sot pleqtë dhe pasardhësit e kësaj familje bujare, por edhe Hysen Salihu, djali i Salih Qarrit, Heroi Bajram Curri, megjithëse kishte caktuar kujdestarët për bartjen e ushqimit, ujit dhe enëve, si udhëheqës i kujdesshëm që ishte, do të dilte edhe vetë nga Kulla për t’u siguruar se të gjithë argatët e lirisë, siç i quante ai bashkëluftëtarët e tij, ishin ushqyer dhe nuk kishte ngelë askush pa ngrënë.
Ai përveç shprehjes së kënaqësisë për pritjen dhe trajtimin shembullor e fisnik të kësaj familje, nga fytyrat e buzëqeshura të ushtarëve, do të merrte edhe mesazhe të forta admiruese, si në asnjë vend tjetër, por megjithatë, kësaj radhe, Heroi do kthehej në Kullë më i mallëngjyer se asnjëherë më parë.
E gjithë paria e luftës dhe burrat e mbledhur në Kullë, që ishin ngritur në këmbë për ta nderuar Bajram Currin, me të vërejtur ndryshimin në fytyrën e tij, kishin menduar për ndonjë ogur jo të mirë. Por ai shpejtë do të sqaronte çdo gjë duke iu drejtuar atyre me fjalët: “Burra, si kjo familje e nderuar edhe shumë shtëpi në Has, rrinë natë e dit pa gjumë dhe gatuajnë nga 24 orë pareshtur për luftëtarët tanë.
Të gjithë na presin me shumë dashamirësi dhe ndjehen të gëzuar, sa herë e ndajnë bukën e tyre me ne. Kjo është shenjë e mirë dhe më ka bindur se revolucioni ynë do të fitojë“, por, pasi që lufta jonë kësaj radhe është më ndryshe dhe shqiptarët janë ndarë në dy taborë, madje njëra parti ka edhe shkaun mbrapa bashkë me mercenarët e tij, kam frikë se gëzimi ynë, nuk do të jetë i gjatë.
Pra, pa kaluar shumë kohë, shqiptarët mund të detyrohen të luftojnë ndërmjet veti, ndaj, para se të nisemi në aksion, të gjithë juve sa jeni këtu, dua t`ua lë edhe një amanet” që ndoshta do të jetë i fundit për mu!.
Burrat kishin shtangë në vend, por heroi do të vazhdonte përsëri: “Nga koha, kur kam filluar përpjekjet për këtë popull dhe vend timin, Hasi kurrë nuk më ka tradhtuar. Këtu, gjithmonë, si në ditë të mira edhe ato të vështira, gjeta mikpritje e mirëkuptim dhe mbështetje të pakushtëzuar. Askund tjetër nuk jam ndjerë më mirë, nuk kam fjet më rehat dhe as pushuar më qetë e sigurt, si këtu.
Ne jemi në luftë, dhe dekën e kemi më afër se këmishën e trupit, punës së ymrit nuk i dihet. Nga përvoja që kam gjatë këtyre viteve në përpjekjet tona për liri, më është mbushur mendja se edhe për së vdekuri, trupi im, vetëm në këtë vend do të gjejë qetësinë e plotë të amshimit”! Ndaj, pa marrë parasysh se si dhe ku e ka shkruar Zoti të jap shpirt, nga sot, po ua lë amanet me gojën time, që trupi im të sillet në këtë vend ku jemi, në shtëpinë e Salih Qarrit dhe të varroset në Has!”
Sipas fjalëve të Hysenit, edhe ai tanimë në moshë të shtyrë, dhe kujtimeve të trashëguara nga tregimet e babait të tij, Salih Qarrit, Bajram Curri, do të kërkonte premtimin e bashkëluftëtarëve se, ata do ta përmbushnin amanetin e tij.
Pasi, burrat i dhanë fjalën, që “të gjallë me shpirt” do ta plotësonin dëshirën e fundit dhe çonin amanetin e Heroit në vend, Bajram Curri do të nxirrte nga xhepi një fotografi të veten dhe ofronte të zotit të shtëpisë, Salih Qarrit, duke e porositë: Salih merre këtë “Testament”…ruaje mirë se në këtë “Resëm” (fotografi) është shkru amaneti im”!.
Ke vuajtur shumë, bashkë me familje, na ke prit e përcjell gjithmonë me nder! Shpresoj te Zoti, se do të vijë një ditë, kur mundit që keni ba me ne, t’ia shihni hairin, ju dhe krejt hasjanët si njerëz dhe shtëpi bujare që jeni.
Këtë fotografi timen të cilën po ta lë kujtim, ruaje me kujdes, se prapa saj, si të thash, është i shkruar amaneti im, që në rast se vritem në këtë luftë të cilën po nisim, apo kudo që ta ketë shkru Zoti të vdes, trupin tim ta sjellin këtu në Kullë të Qarrit dhe varrosin në Krumë!
Hyseni thotë, se në ato çaste nuk kishte shpëtuar kush pa lot, kurse amanetin e tij, të gjithë e kishin përjetuar si parandjenjën e afrimit të shpejt të vdekjes së Heroit.
Porosinë, që ai la, e dëshmon edhe kënga e kënduar nga rapsodët e Hasit, Isen Dida e Rrustem Çela, kushtuar Bajram Currit, në të cilën edhe ata thonë:
E pat lanë me gojën e tij
Në Krumë të Hasit n ‘dhe me shti!
(youtube Dida Çela Kovaçi – Bajram Curri (Official)-minuta 2.45.)
Fotografia me porosinë historike të Bajram Curri, sipas Hysenit, pas ardhjes së komunistëve në pushtet, është marrë nga ta, dhe ekspozuar në Komitetin e Partisë, në Kukës, kurse Nënë Hala do të ftohej edhe në Vlorë me rastin e kremtimit të përvjetorëve të Pavarësisë, si Nënë Patriote, për kujdesin e treguar ndaj Heroit të Kombit, Bajram Curri, në çdo kohë, njëjtë si edhe atëherë kur siç shprehen rapsodët.
Pushkët e para paskan krisë
Në Krumë të Hasit luftë është nisë
Në krye me Plakun e Maleve, më 25 maj të vitit 1924, kryengritësit çliruan shpejt e shpejt Krumën dhe u vunë në ndjekje të Muharrem Bajraktarit, ikjes së të cilit, nga rapsodët e lartcekur, iu këndua edhe me vargje komike, si këto në vijim;
Me vrap qeni kush po ikë
Bajraktari me do zabit
Ndërsa, shkakun e shkuarjes në Serbi, kënga e tyre e shpjegon në këtë mënyrë;
Bajraktari ish kanë i zi
Për do pare po ik në Serbi
Trimat e Bajram Currit, pa humbur kohë, nga Kruma do të vazhdonin për në Lumë e Dibër, duke mos ndaluar deri në Tiranë, ku më 10 qershor të vitit 1924,do ta rrëzonin qeverinë e Zogut dhe sillnin atë të Fan Nolit në pushtet.

Vrasja në Dragobi dhe varrimi i Bajram Currit, në Has

Burri më emblematik i kombit i cili me bashkëluftëtarët e vet, kaloi shumë vite në këtë trevë bujare, ku do të pritej e përcillej me besim e dashuri familjare dhe ndjente veten “si në shtëpi të vet“, pati arsye të forta kur la amanet, për së gjalli, që pa marrë parasysh kur dhe ku do të vdiste, trupi i tij të sillej dhe varrosej në Has.
Ngase, Hasi, siç do ta thoshte edhe vet ky burrë qindra herë, ishte vendlindja dytë e Heroit, fakt i cili do të vërtetohej edhe me rastin e varrimit të tij, me ç ‘rast morën pjesë mijëra hasjanë dhe qytetarë, nga të gjitha trojet etnike shqiptare, për ti shprehur respektin e thellë që ndjenin për të.
Ndaj, pas fundit tragjik të tij më 29 mars të vitit 1925, Bajram Currin, nga Malësia do ta sillnin të ngarkuar mbi një saj të ndërtuar nga drunj mali dhe tërhequr me kali nga Bjeshkët e Malësisë, duke e vendosur para dyerve të Sali Qarrit, të cilin vet Kadri Mehmeti do ta ftonte me cinizëm; eja ta shohim burrërinë tënde, hajde tash nëse je burrë, merre e jepi bukë, për së vdekuri, Bajram Currit, o Sali Qarri!”
Sipas dëshmive të Hysenit dhe pleqve të kohës, Sali Qarri i dëshpëruar, me ta parë trupin e pajetë të Heroit, shtrirë mbi saj, me të cilin e kishin tërhequr, prej lartësive të Dragobisë, nga dhembja do të hiqte plisin e bardhë, që e mbante vetë dhe vente Bajram Currit mbi kokë.
Kadri Mehmeti, i tërbuar nga ky gjest sublim, do të urdhëronte xhandarët që t’ia digjnin kullën dhe t’ia prisnin e dëmtonin bagëtinë Salih Qarrit. Dhe, derisa një pjesë e xhandarëve të Kadri Mehmetit kishin therur deshët më të mirë të tubës, që shtëpia e Qarrit, atëkohë, kishte në mesin e 300 krerëve dele, pjesa tjetër, kishin mbushur kullën me sanë (bar të terur) kashtë e dru të thata dhe përgatiteshin për t’ia vënë flakën, por një krismë pushke, nga Qafa e Prushit, do t’ua priste në gjysmë turrin e tyre bizar.
Njëri nga xhandarët, që bënte roje aty afër në mal, do të vinte me vrap, për t’i dhënë lajmin Kadri Mehmetit, se disa burra nga Malësia dhe një grup luftëtarësh nga Kosova, kishin kaluar Qafën e Prushit dhe po i afroheshin Qarrit. Ndaj Kadri Mehmeti, në panik e sipër, i alarmuar nga frika se ata nuk kërkonin asgjë më pak se vet kokën e tij tradhtare, kishte urdhëruar që të mblidhnin me vrap deshët e theruar dhe të iknin sa më shpejt në Krumë.
Pjesa e bashibozukëve e cila kishte arritur ti therte katër deshët e parë, kishin ngarkuar ata mbi shpinën e tyre dhe marrë me vete bagëtinë e dëmtuar, duke kulluar gjak nga shkonin, për ti ngrënë katër deshët e pa fat dikund tjetër, në një vend më të sigurt.
Kurse, Sali Qarri me bashkëfamiljarë, do ta merrnin trupin e pajetë të Bajram Currit, fusnin në shtëpi dhe lanin e pastronin si sipas traditës, vishnin në kostum të ri me plis të bardhë dhe venin në anë të djathtë një kuti sermi me duhan, duke e vajtuar si pjesëtar të familjes.
Aty, do ti bënin nderimet e tyre edhe burrat e Krasniqes dhe luftëtarët nga Kosova, deri në përfundimin e riteve të kohës nga personat fetar, dhe dërgimin e trupit të tij, për ta varrosur në Krumë.
Pamje nga varrimi i Bajram Currit, foto e huazuar nga www.forumishqiptar.com.
Për habinë e të gjithë atyre që ishin,por dhe që nuk ishin të pranishim, ditën e varrimit, do të mbante një fjalim të “zjarrtë” edhe prefekti i Krumës, vëllai i “famshëm” i Cena begut, Hasan bej Kryeziu, i cili vdekjen tragjike të Heroit, pa fije turpi, do ta cilësonte si një “aksident të rëndë”, dhimbje të madhe dhe ditë të zezë për shqiptarët, ani pse vet ai me të vëllain Cena begun e Gjakovës, Muharrem Bajraktarin e Lumës, Kadri Mehmetin e Krasniqes dhe bashkëpunëtorë të tjerë të njohur si shërbëtor të përbetuar të Serbisë, kishin organizuar, urdhëruar dhe realizuar vrasjen e tij, duke e prerë në besë Plakun e Maleve!
Madje, Muharrem Bajraktari, me të përfunduar ceremonia e varrimit, do ta veçonte nga turma dhe fyente me fjalët më të rënda Sali Qarrin, vetëm pse ai paska guxuar, që një “tradhtar” të qeverisë dhe armik të Zogut, si Bajram Curri, pa u konsultuar me komandantin e xhandarmërisë së Krumës, ta lante e pastronte ,t’i vinte plisin e bardhë mbi kokë dhe vishte atë në rrobat më të shtrenjta familjare! duke i`a përsëritur disa herë me cinizëm dhe kërcënim, se si për çdo gjë në atë trevë, duhej të pyetej komandanti i xhandarmërisë M. Bajraktari, pa fjalën e të cilit, asnjë veprim nuk “guxonte” të ndodhte.
“E sheh këtë uniformë dhe gradat e mia? Unë jam zot i Lumës e Hasit dhe gjithë prefekturës së Krumës!. Vetëm me lejen time mund të bëhet diçka në këtë trevë, do t`ia përsëriste disa herë me kërcënim bajraktari. Sot nuk pyet njeri, do të vazhdonte ai; kush është Qarri ,por kush është Muharrem Bajraktari… Pra, ta kesh me dije, se ke gabuar rëndë që e ke futë edhe për së vdekuri “tradhtarin” Bajram Curri në shtëpi, kjo do të kushtoi shumë, ty dhe familjes tënde!”
Sali Qarri ,i mërzitur tej mase për vdekjen e Bajram Currit dhe i fyer nga fjalët e pamatura të bajraktarit, do t’i përgjigjej shkurt e shqip dhe pa menduar gjatë: “Shiko, zotni, Bajram Begu, nuk ishte tradhtar por njeri i popullit dhe shqiptar i vërtetë! Ai ishte burrë i respektuam i këtij vendi dhe luftëtar i nderum i Kombit!… Kurse sa më takon mua dhe paraardhësve të mi, edhe ne gjysh e stërgjysh, ishim e mbetëm vetëm shqiptarë, dhe asnjëherë nuk e ndërruam plisin tonë të bardhë me simbole të huaja.
Ndërsa ti, sa ishte Turqia, mbajte fesën turke; erdhën serbët, veshe uniformën e shkjaut, sot e mbanë atë të Zogut, e, po ndërruan kohët, kush e di se çfarë rrobe do mbash nesër! Ndaj mos fol asgjë të keqe për Bajram Currin sepse ai ishte një shqiptar i vërtetë që gjithmonë luftoi për vendin dhe Kombin e tij.
Ti, siç e ke vrarë këtë burrë, mund të më vrasësh edhe mua, por, mbaje mend mirë dhe mos harro asnjëherë, se një prapanicë që ulet në shumë kunja, ajo ,patjetër do të shqyhet dikund!”
I biri i Salih Qarrit, Hyseni edhe sot tregon se si Muharrem Bajraktari, kishte nxjerrë pistoletën nga brezi kundër babait të tij, por, duke e parë se masa e elektrizuar kishte hetuar se diçka po ndodhte dhe ishte nisur drejt tyre, nga frika e shpërthimit të ndonjë rrëmujë, krye-xhandari i trembur, do të largohej në drejtim të kundërt, duke e fshehur armën dhe ikur me të shpejtë, nga turma.
Për çudi, pa kaluar shumë kohë, i njëjti bajraktar, pas ngopjes me grada xhandareske, duke e menduar veten tanimë , të denjë për të udhëhequr edhe me shtetin, sipas porosis së qeverisë serbe, e cila ishte ndarë e pa kënaqur me mos përmbushjen e të gjitha premtimeve nga Zogu, nuk do të ngurronte që të prishej edhe me shefin e tij. Kështu që më 1934, Muharrem Bajraktari do të kalonte në Jugosllavi, ku nën kujdesin e qeverisë serbe, do të instruktohej, armatosej e mobilizohej, siç veprohej me të gjithë renegatët shqiptar, dhe pa vonuar që në fillim janarin e vitit 1935,i shoqëruar me mijëra mercenar të mobilizuar nga Jugosllavia, do të nisej në kryengritje, tani për rrëzimin e Zogut dhe marrjen e pushtetit në Shqipëri.
Megjithatë bajraktari i sert, brenda pak ditësh do ta humbte betejën e sponsorizuar nga Serbia, dhe pas dështimit të radhës, më 8 janar të atij viti, “si pa gjë të keqe” ai përsëri do të kthehej në Serbi, në strofullin e vjetër, të cilin qeveria serbe e kohës e kishte krijuar enkas për bashkëpunëtorët shqipfolës dhe zbukuruar me shumë kujdes për shërbëtorët e saj, nga të gjitha trevat shqiptare.
Por, përkundër të gjithave, mjerisht,vetëm tek shqiptarët, ende nuk ka kufi të përcaktuar ligjor dhe etik, si dhe kritere plotësisht të qarta ndërmjet veprimtarisë tradhtare dhe asaj patriotike. Kufij që do të shprehnin në mënyrë të prerë dhe sqaronin tërësisht emrat e nderuar të kombit të cilët luftuan për vend e atdhe dhe atyre që u hodhën kundër tij.
Madje, në përpjekje për ndreqje dhe zbukurim jetëshkrimesh të dyshimta, fatkeqësisht edhe sot ka raste kur fare nuk hezitohet, të shkohet aq larg me njëanshmëri, sa që në disa nga shënimet “biografike” si ato mbi Muharrem Bajraktarin përfshi shkrimin biografik në “Vikipedia”, një njeri si ai, cilësohet edhe vigan e “nacionalist”…
Kurse si arsyetim, përdoret hiq më pak se vet eliminimi i Heroit Bajram Curri , nga ana e tij, më 1925.
Le të kalojmë edhe një herë te qëndrimet e Ahmet Zogu, i cili po ashtu si shokët e tij hakmarrës, përkundër rivaliteteve me vartësit e vet dhe luftërave të brendshme që ata zhvillonin pareshtur për pushtet, edhe ai mbështetjen e pakursyer të hasjanëve ndaj Bajram Currit, kurrë nuk do t`ia falte Hasit.
Ndaj, pas varrosjes së Heroit në Krumë, nuk do të vononte shumë dhe që në muajin gusht të vitit 1925, qendrën e prefekturës së atëhershme të Kosovës në përbërjen e së cilës ishte Hasi, Luma dhe Malësia e Gjakovës, nga Kruma, ku ishte vendosur që nga fillimi, Zogu do ta zhvendoste në Kukës, ani pse sipas të dhënave publike, atëbotë Kukësi ishte shumë i vogël, me vetëm 28 shtëpi dhe 186 banorë. (Wikipedia)
Përjetimet e përsëritura, të njëjta apo të ngjashme me ato të familjes së Sali Qarrit, fatkeqësisht dëshmojnë se edhe ndryshimi i sistemeve në vend, pothuajse vetëm sa trashëgoi apo edhe vijoj më tej, por gati asnjëherë, nuk shoi xhelozitë e sëmura ndër-fqinjësore dhe padrejtësitë tipike ndërshqiptare.
Madje me gjithë mbështetjen dhe nderimin e pafund, që kjo familje bujare, në të gjitha kohët tregoi ndaj figurave më të shquara kombëtare, duke filluar nga Bajram Curri, Hasan Prishtina,Isa Buletini, Azem Bejta, Shotë Galica, Zeqir Halili, Sadik Rama e shumë atdhetarë të tjerë të kombit, për të cilët dera e Shtëpisë së Qarrit ishte gjithmonë e hapur, pa përjashtuar edhe ndihmën e pakursyer, gjatë Luftës së Dytë Botërore, dhënë brigadave partizane, atë siç thotë fjala popullore, fatkeqësisht “do ta vriste buka e vet”, dhe nuk do kursehej nga tragjeditë e qëllimshme njerëzore, përshtatur e përmbaruar nga fqinj e bukëpërmbysësh të sofrës së saj.
Menjëherë pas lufte ,njerëz të fshatrave përreth, të cilët qindra herë kishin ngrënë bukën dhe shijuar mikpritjen e bujarinë e kësaj shtëpie fisnike, të njëjtit jo vetëm se “do ta përmbysnin kupën” sa herë u epej mundësia, por me të ardhur në pushtet, nuk do të ngurronin as ta mbështillnin në zi, këtë familje atdhetare, duke nxitur e organizuar burgosje, vrasje e internime dhe veprimet më shkatërruese të mundshme ndaj pjesëtarëve të saj, faj e pa faj.
Kështu si shpërblim për bamirësit e pareshtura, do të shuheshin Dash Ahmet Qarri, duke vdekur në burgun e Shkodrës.
Kurse, Selim Imer Qarri, së pari do të lidhej, rrihej e shkallmohej dhe sillej në atë gjendje, para dyerve të Salih Qarrit. Aty, me cinizëm do të thirrej i zoti i shtëpisë që ti fuste në konak dhe t’u shërbente edhe me kafe, në momentet më të rënda e të papërshkrueshme, para se këtë pjesëtar të familjes së tij, duarlidhur ta qonin në vdekje-pushkatim.
Për herë të parë Sali Qarri, nuk kishte mundur ti thoshte dikujt, urdhëro. Për herë të parë në jetë ai ishte gjendur aq ngushtë, sa që të mos mund tu vinte në ndihmë as pjesëtarëve të familjes së tij. Për herë të parë përjetonte një rast si ky, kur një mashkull i shtëpisë së tij, mbahej i ngujuar duarsh e këmbësh, nga një ish mysafir i shpeshtë dhe i njohur mirë për të dhe familjen, para dyerve të oborrit të vet, dhe ai nuk kishte mundësi të përballej me këtë gjendje!
I zoti i shtëpisë nuk kishte forcë të dilte e ta shihte në sy as ekzekutorin të cilin kushedi sa herë e kishte prit e përcjellë me dashamirësi e nderim në konak , njëjtë si djemtë dhe nipat e vet. Ai nuk mundi të dilte e ta takonte Selimin e lidhur këmbë e duar, të cilin nuk po e vriste Enver Hoxha siç ishin mësuar ata ta përdornin këtë “pako” të gatshme por jo tërësisht bindëse, arsyetimi, fqinjët me të cilët kishte ndarë bukën dhe rritur trupin bashkë me ta, por që tani ishin bërë smirëzi dhe hakmarrës, pa ditur as vet pse vepronin ashtu.
Shpirt-thyer e zemër-plasur, i pa forcë e pa mundësi veprimi siç ndjehej ai në ato momente, do të zhgrehej në vaj, pa mundur të dilte jashtë, edhe për faktin se nga dritaret e kullës kishte vërejtur sesi gratë dhe fëmijët e frikësuar, si asnjëherë në jetën e tyre, fshehur pas gardhit dhe qosheve të shtëpisë shihnin me lot në sy, nga afër Selimin e lidhur dhe të shkallmuar nga rrahjet e keqtrajtimi.
Torturë më të rëndë për Salihun dhe familjen nuk kishte, sa që njëmijë herë më tepër ia dëshironte vetes vdekjen, se sa ti dilnin ato pamje parasysh, duke kuptuar përfundimisht fatin tragjik që e priste bashkëfamiljarin e tij, nga i cili nuk kishte më kthim prapa, as pritej shpëtim për të.
Por, ja që me ardhjen e komunistëve në pushtet, nuk njihte më fqinji -fqinjin, vëllai –vëllain as miku mikun, do të harrohej ideali për Shqipëri Etnike dhe një Atdhe të përbashkët për të gjithë kombin, dhe shqiptarët tanimë kishin filluar ta vrisnin edhe njëri tjetrin.
Ndaj edhe Selim Qarrin, do të pushkatohej, pa shkas as gjykim, në Kukës të vjetër, aty ku ndër vite bashkohen Dy Drinët; Drini i Bardhë dhe Drini i Zi, vend të cilin në një kohë jo fort të largët Isa Buletinin e kishte kthyer në “istikam” për të luftuar ushtrinë serbe të gjeneralit famëkeq Bozhidar Jankoviq, por që shqiptarët tanimë e kishin shndërruar në arenë ekzekutimi për të shfryrë inatet dhe vrarë njëri tjetrin, veprim thuajse i ngjashëm, me atë të Kadri Mehmetit vite më parë, ndaj kushëririt të vet dhe mikut e dashamirit familjar të shtëpisë së Salih Qarrit, Heroit Bajram Curri.
Sikur, mos të mjaftonin të gjitha këto, pa vonuar, do të burgosej edhe Xhajë Imer Qarri, kurse Abaz Mehmet Qarri do të internohej në Tepelenë. Madje, pa kaluar shumë kohë, familjes së Sali Qarrit, do t’i merrej e gjithë pasuria, toka dhe bagëtia e numërt, duke i urdhëruar ata edhe të ndahen e krijojnë sa më shumë familje, me sa më pak anëtar.
I dëshpëruar, nga katrahurat e njëpasnjëshme edhe i zoti i kësaj shtëpie të madhe fisnike e bujare, nuk do të jetonte gjatë. Ai, vetëm 5-6 vite pas ardhjes së komunizmit në pushtet, i brengosur nga gjithë ato sa po ndodhnin në familjen e tij, do të vdiste i dëshpëruar më 1951, mezi duke arritur moshën 65-vjeçare.
Vetëm pas klasifikimit të luftëtarëve popullor dhe ngritjes së Bajram Currit në piedestalin e Heronjve Kombëtar, edhe Familja e Sali Qarrit, në një farë mënyre, sipas tregimeve të Hysenit, do të rehabilitohej. Madje, për mbajtjen dhe mbështetjen e Bajram Currit dhe bashkëluftëtarëve të tij, ministria përkatëse e shtetit, do ta shpallte shtëpinë e Qarrit, “Familje të Nderuar”, kurse gruan e Salihut, Halë Qarrin “Nënë Patriote!”.
Ndaj nga atëherë e tutje, me këtë epitet, ajo do ftohej dhe nderohej në të gjitha tubimet dhe festat kombëtare e shtetërore, siç shprehet, pjesërisht, edhe autori i një reportazhi, nga vizita e E. Hoxhës, në Has, Kukës e Tropojë.( “Kuvend ne Bjeshkët”, Pjesa I ).
Për ndihmesën e pa kursyer të Shtëpisë së Qarrit të Madh të Hasit, ndaj Bajram Currit, Azem Bejtës, Shote Galicës, Sadik Ramës e figurave tjera të shquara kombëtare, sipas Hysen Qarrit dhe pjesëtarëve tjerë të kësaj familje, në Kinostudion “Shqipëria e Re” ekziston edhe një kasetë, me një dokumentar të zhvilluar deri në detaje, nga Ndue Ukcama.
Heroi Bajram Curri, i cili gjatë gjithë atyre viteve, veproi pareshtur në vende dhe kohë të trazuara gjithandej atdheut, në përpjekjet e të cilit nuk kurseu as shpirtin e vet dhe qëmoti, ishte shuar kufiri ndërmjet jetës dhe vdekjes, ai nuk pati trashëgimtar, pas vetes la vetëm gruan dhe dy vajza, njëra nga të cilat jetoj në Tiranë kurse tjetra në Shkodër, ku sot gjenden mbesat e tij.
Por megjithatë, edhe dhembjen e shprehur për të në vajtime;
Ajo pushkë beg që të mur ty
Mur Krasniqen shpi për shpi….
Heroi, sikur u mundua t`ua hiqte njerëzve, ngase kishte një brengë më të madhe se vetvetja, madje aq sa ishte krejt Atdheu, ndaj edhe në çastet e fundit, ai përmes vargjeve vijuese,na siguron në vazhdimësi;
Unë për vete nuk po kam dert
Se i kam mbush 70 vjet
Por po më dhembet Kosova shkret
Që më, për të, kush një fjalë se flet!
Personaliteti historik i Bajram Currit përfaqësoi trimërinë e madhe të kreshnikëve dhe urtësinë e pafund të popullit që i takonte, ngritur në filozofi gjithëkombëtare, e cila ishte unike për të gjithë shqiptarët kudo dhe triumfoi mbi çdo ndarje krahinore.
Ky burrë i pavdekshëm pati një mision të vështirë, por të çartë, të ndershëm dhe patriotik. Për realizimin e tij, ai kaloi pothuajse tërë jetën maleve të atdheut, duke mishëruar idealet më fisnike të rilindësve tanë heroik, ndaj mënyra tragjike e përfundimit të jetës së heroit, me të drejtë, sikur dridhi edhe themelet e Rilindjes së Kombit, nga dëshpërimi.
Madje, megjithëse Bajram Curri, ishte i vetëdijshëm se përndjekjes së tij, nga ana e regjimit zogist, po i afrohej fundit tragjik, ai nuk ,mund të mos kujtonte me krenari të gjitha vuajtjet, mundimet dhe përpjekjet e pareshtura atdhetare, betejat, plagët dhe vrasjet e shokëve e të bashkëluftëtarëve, të përjetuara në luftën ballë për ballë kundër armikut, burrat e rënë të kombit, të cilët njëjtë si ai, edhe ata, pa kursim të jetës personale, kishin larë me gjakun e vet, tokën e atdheut”
Plaga që ndjente në zemër, mbeti e hapur ,nga pamundësia e realizimit të lirisë së plotë dhe bashkimit të atdheut. Ajo u kthye në “plagë kombi „ dhembja e së cilës, për kohë të gjatë do ti mundojë në shpirt të gjithë shqiptarët kudo.
Shpirti gjithmonë kryengritës i Plakut të Maleve, i cili nuk lëshoi armën nga dora deri në ditën e rënies, edhe para se të vdiste, i tha jo dorëzimit.
Plaga e tij mbeti e hapur për lirinë e parealizuar të atdheut duke përsëritur edhe një herë porosinë që pas vdekjes të varrosej në Krumë të Hasit, atje ku ai mendonte se trupi i tij, edhe në amshim do ti qëndronte më afër Kosovës së mbetur nën pushtimin sllav, qe kthyer në dhembje të kombit e cila për kohë të gjatë mundoi në shpirt të gjithë shqiptarët.
Bajram Curri, vdiq i dëshpëruar jo vetëm nga tradhtia që iu bë dhe përndjekja e pareshtur makabre, këmba këmbës nga njerëz të afërm në pushtetin zogist, por edhe nga vuajtja për dëshirën e mbetur peng, që ta shihte Kosovën të lirë e të bashkuar me Shqipërinë, ideal i parealizuar, për të cilin ky Hero, luftoi dhe u përpoq me mish e me shpirt, gjatë gjithë jetës, i cili dhe përsëriti amanetin, për varrimin e trupit të tij në Has, aty ku u mirëprit dhe ndje si në shtëpi të vet.
Ndaj, amaneti i lënë, jo vetëm se shprehte në mënyrën më bindëse dhe fuqishëm falënderimin e pa fund të heroit për hasjanët, por edhe forconte përjetshëm, dëshirën e madhe dhe të vërtetë të Bajram Currit, për të mos u larguar asnjëherë nga atdheu, dhe qëndruar përgjithmonë edhe për së vdekuri, me trupin e vet, sa më pranë Kosovës martire, për lirinë e së cilës luftoi dhe u përpoq pareshtur gjatë gjithë atyre viteve deri sa vdiq, pa leshur kurrë pushkën nga dora.
Ndaj, megjithëse liria, për të mbeti vetëm iluzion, me veprën e tij,ai u ngrit në hero të papërsëritshëm, kurse historia duke e njohur misionin madhor që ai kreu me aq përkushtim, nga vendi ku ra, Bajram Currin e shndërroi në ushtar të përhershëm të saj, dhe vendosi atë në piedestalin e emrave më të ndritshëm atdhetar të të gjitha kohëve, të cilët përherë rrezatojnë patriotizëm, nderë dhe lavdi kombëtare.
Madje, me porosinë e përsëritur disa herë, që trupi i tij, të varrosej në Has, Bajram Curri, edhe pas vdekjes, nga amshimi dhe bota tjetër, sikur deshi tu shprehte hasjanëve mirënjohjen më të thellë, të madhe e të sinqertë, dhe në mënyrë të përjetshme, për besnikërinë, sakrificat, mikpritjen dhe krejt ndihmesën e pa-hile, që gjatë gjithë atyre viteve ata i ofruan pa kursim, fakt me të cilin krenohemi pafundësisht të gjithë ne, ndaj edhe me këtë përvjetor të rënies së tij heroike, shpresojmë që nëna Natyrë, dhe krijuesja e njerëzimit, ta ketë vendosur Heroin tonë, në pjesën e zgjedhur të parajsës së saj, rezervuar për udhëheqësit më meritor, sublim dhe më të mirë popullor,të cilët vetëm ndërrojnë jetë, por nuk vdesin kurrë!.
Gani Qarri , Cyrih 28 Mars 2015

Filed Under: Histori Tagged With: 90 vjet, Bajram Curri, Vrasja

  • « Previous Page
  • 1
  • 2
  • 3
  • 4
  • 5
  • …
  • 80
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Kontributi shumëdimensional i Klerit Katolik dhe i Elitave Shqiptare në Pavarësinë e Shqipërisë 
  • Takimi i përvitshëm i Malësorëve të New Yorkut – Mbrëmje fondmbledhëse për Shoqatën “Malësia e Madhe”
  • Edi Rama, Belinda Balluku, SPAK, kur drejtësia troket, pushteti zbulohet!
  • “Strategjia Trump, ShBA më e fortë, Interesat Amerikane mbi gjithçka”
  • Pse leku shqiptar duket i fortë ndërsa ekonomia ndihet e dobët
  • IMAM ISA HOXHA (1918–2001), NJË JETË NË SHËRBIM TË FESË, DIJES, KULTURËS DHE ÇËSHTJES KOMBËTARE SHQIPTARE
  • UGSH ndan çmimet vjetore për gazetarët shqiptarë dhe për fituesit e konkursit “Vangjush Gambeta”
  • Fjala përshëndetëse e kryetarit të Federatës Vatra Dr. Elmi Berisha për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë në Seancën Akademike kushtuar 100 vjetorit të lindjes së Peter Priftit
  • Shqipëria u bë pjesë e Lidhjes së Kombeve (17 dhjetor 1920)
  • NJЁ SURPRIZЁ XHENTЁLMENЁSH E GJON MILIT   
  • Format jo standarde të pullave në Filatelinë Shqiptare
  • Avokati i kujt?
  • MËSIMI I GJUHËS SHQIPE SI MJET PËR FORMIMIN E VETEDIJES KOMBËTARE TE SHQIPTARËT  
  • MES KULTURES DHE HIJEVE TE ANTIKULTURES
  • Historia dhe braktisja e Kullës së Elez Murrës – Një apel për të shpëtuar trashëgiminë historike

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT